Kalivaçasit, që në kohë të kohës, e kanë kërkuar, e kanë gjetur dhe e kanë përkrahur njëri-tjetrin. Kur janë bërë tok, edhe kohezioni mes tyre është bërë më i fortë e më i qëndrueshëm. Ky nuk mund të jetë lokalizëm; as nuk ka ngjyra nacionaliste por është shpërthim i një dashurie të mblojtur për shoqi-shoqin. Banorët e fshatit tonë, nuk para shfaqen kur e mblojnë dashurinë për njeriun që duan. Ata e mblojnë dashurinë përbrenda, siç mblon eshka zjarrin dhe shpërthejnë, vetëm kur kjo është e nevojshme. Po kur bëhet i mundur ky shpërthim ndjenjash miqësie e dashamirësie? Në shumicë kjo ngjan kur kalivaçasi gjendet në minoritet e në veçanti, kur ai ndodhet në emigracion, larg trevës amëtare ku ka lënë njerëzit e gjakut e të fisit dhe miqtë e tij.

Kjo marrëdhënie e pastër njerëzore, e ka zanafillën tek shpirti human i kalivaçasit dhe tek nevoja që ai ndjen t’i drejtohet një tjetri, me zemër në dorë, pavarësisht se nuk i përket të njëjtit fis. Kur vendos të drejtohet me zemër, një kalivaças, dihet, ai nuk bën pazar me ndjenjat por bën si i thotë zemra, i rrëfen tjetrit hallet dhe brengat që e shoqërojnë e që e kanë pllakosur.

Në verën e vitit 1950 (mundet të ketë qenë muaji korrik i atij viti), sapo kisha përfunduar klasën e dytë të shkollës fillore të fshatit tonë. Meqenëse i kisha nxjerrë të gjitha notat pesa (niveli më i lartë i vlerësimit në atë kohë) dhe rridhja nga një familje e "këputur", më çuan për të pushuar në kampin e pionierëve, në Ujë të Ftohtë, në Vlorë. Fillimisht, vajta në Tepelenë. Babai, më përcolli deri në krye të Mberetes së Leshnjes, më dëftoi ku gjendet Tepelena, (mes tre maleve që dukeshin) e më pyeti: "A shkon dot i vetëm në Tepelenë"? "Po, ishte përgjigjja ime, shkoj, si nuk shkoj"! Dhe u nisa, me një shkop në dorë e me torbën me bukë në krah. Nuk do të përshkruaj peripecitë e atij udhëtimi të vështirë, mendoj se nuk është vendi këtu.

Një gjë e them, dhe me krenari: Ndihesha i rritur e i aftë të ndërmerrja një provë jo aq të lehtë, në një moshë jo më shumë se 9-vjeçare.

Tepelenën e njihja në një farë mënyre; kisha qenë në një kamp pionieri, një vit më parë, tek një kazermë e Ushtrisë Italiane, pranë mullirit dhe dërstilës. Në Tepelenë, me të pyetur gjeta seksionin e arsimit të rrethit e më pas u bashkova me fëmijët e rrethit që shkonin për të pushuar, si unë. Theksoj se organizatorët e këtij evenimenti më mirëpritën e më krijuan kushte të favorshme për të shkuar atje ku isha nisur. Nga rrethi i Tepelenës, ishin rreth 5-6 pionierë dhe një shoqërues; nga Kalivaçi isha vetëm unë. Kjo ishte rrethanë me efekte negative për mua.

Gjatë qëndrimit në Tepelenë, na bënë vizitë tek mjeku i vetëm i rrethit dhe të nesërmen, me autobusin e vetëm që shkonte çdo ditë, nga Gjirokastra në Tiranë, rrugëtuam gjithë paraditën dhe, në mesditë mbërritëm në Vlorë. Në fshat, kisha dëgjuar për qytetin e lashtë buzë detit, por nuk e kisha parë, as qytetin, as detin që lagte brigjet e tij. Nga rrëfimet e të moshuarve, kisha mësuar se porti i Vlorës niste kalivaçasit për në kurbet dhe i priste ata, kur ktheheshin prej andej.

Bashkëfshatarët tanë shkonin në Vlorë, për të bërë pazar. Ata rrugëtonin në këmbë rreth 10 orë, kalonin dy lumenj e disa bregore dhe, të raskapitur nga ai rrugëtim i gjatë e i lodhshëm, "binin" në pazar për të blerë stofra, kur dikush bënte pajë, ose blinin sherqe e guna, për çobanërinë. Ata rrugëtonin në grupe, disa mbi kafshë e të tjerë në këmbë, me torbën me bukë në krah dhe me ndonjë faqore me raki, brenda saj. Mua më erdhi fati në derë: Po shkoja në Vlorë, mbi një autobus të kohës dhe në kamp, pionierësh, për të pushuar e për t’u argëtuar, 21 ditë. Në fantazinë time fëminore, kishin zënë vend lloj-lloj skenaresh. Mendoja: Do të vështroj e do të shëtis në një qytet të madh; do të vështroj detin e do të kridhem brenda tij; do të zë shoqëri me shumë fëmijë të rretheve të tjera etj. etj.

Nuk them që fantazia ime ishte e shfrenuar, por më duhet të pranoj se ajo ishte e kufizuar, aq sa ishin kufijtë e dijes sime të asaj moshe.

Duke rrugëtuar mespërmes Malit të Bardhë, nga shtëpitë e Mahmut Imerit, deri tek Rrapi i Sevasterit, nga dritaret e autobusit, vrojtoja Kalivaçin, fshatin tim të bukur e të shtrenjtë dhe fluturoja nga gëzimi. Doja t’u bëja me dije, të gjithë bashkërrugëtarëve, se jam nga Kalivaçi. E vështroni atë fshatin e bukur, përtej lumit e të ngritur mbi bregore, me shkollën në mes të fshatit? Andej jam unë. Më dukej sikur kisha marrë me vete, një pjesë të historisë luftarake dhe të krenarisë së atyre njerëzve që nuk më ngjanin me të tjerët.

Tani që jam lashtuar e bora më ka mbuluar, duke kujtuar atë "aventurë" e them, me bindje se edhe kur isha fëmijë, kisha me çfarë të krenohesha. Isha pjesë e atij komuniteti lavdiplotë dhe i kisha rrënjët tek ato troje, të cilat, nuk kanë të krahasuar. Vështroja fshatin e më gufonte zemra. Përjetova një kënaqësi të padëftuar, të cilën, doja ta ndaja me bashkëudhëtarët, të cilët jo vetëm që nuk i njihja, por dhe se si më dukeshin; të largët e të ftohtë. Naiviteti fëmijëror nuk më erdhi në ndihmë për ta bërë këtë diferencë.

Në qytetin e Vlorës, u sistemuam në Ujë të Ftohtë, tek pesë pallacinat që ishin ndërtuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe në to kishin banuar familjet e oficerëve fashistë. Kampi ishte i ngritur në mes të ullinjve shekullorë, disa metra larg bregut të detit, nga i cili na ndante një pjeshkore, me drurë që gati këputeshin nga frutat, të cilat kishin nisur të kuqelonin e të ëmbëlsoheshin. Pjeshkorja ruhej nga një roja, me moshë mesatare, i armatosur me një patickë të gjatë të prodhimit italian.

Mirëpo ky roja, të cilin e quanin Hekuran, ishte i verbër nga njëri sy.

Isha ende fëmijë dhe dija shumë pak nga jeta, por, kur pashë atë masë gjigante ujore dhe në mes të tij një mal, që kur dola në Qafën e Ullinjve, mendova me vete: "… sa i madh qenka vendi im, me këto male, me gjithë këta ullinj e me këtë det" dhe vetja m’u duk më e rritur e më e fuqishme. Sapo vura re malin, në mes të detit, pyeta një fëmijë që kisha në krah: "Ai mali, në mes të detit, i yni është"? Tjetri, i cili mesa duket ishte në klasë më të lartë dhe dinte më tepër se unë, u përgjigj: "…Ai është yni, është ishulli i Sazanit…"! Përgjigja më erdhi sipas dëshirës, më ngjiti dhe mora kurajo për të vijuar. Pyeta, me naivitet: "… Po ai mali i gjatë që rrethon detin, si gardh, yni është…?" Djali që ishte ulur në ndenjësen pranë, si me qesëndi e me bezdi, u përgjigj: "… Është Kraburuni ynë edhe këtë nuk e ditke.." Më erdhi turp e nuk pyeta më.

Autobusi i linjës e kishte ndalesën afër mesit të qytetit, tek sahati i moçëm. Nuk më kujtohet si e me çfarë mjeti, shkuam nga qendra e Vlorës, në kampin e pionierëve, në Ujë të Ftohtë. Rruga Vlorë- Skelë, ishte e drejtë, e ngushtë, pa kanale kulluese anash dhe nëpër të qarkullonin kryesisht disa pajtone me kuaj, të cilët bënin shumë zhurmë si rrjedhojë e burive primitive, me të cilat karrocierët, largonin fëmijët që krijonin bezdi dhe ftonin udhëtarët për të zënë vend në pajton. Buritë e tyre kishin formën e një gjysmëtullumbace, me një si tytë përpara.

Vendi i caktuar e i përgatitur për kamp pionierësh ishte fantastik. Pallacinat ishin me dy kate, të shpërndara, nëpër ullishtë. Në shpinë të kampit ishte një kodër, e cila ngrihej, deri në fshatin Kaninë e më lart në kullotat verore të Shashicës. Përpara ishte deti i kaltër, i cili na shërbeu për të kënaqur syrin dhe për t’u freskuar. Në mes të ullinjve e pranë detit, 21 ditë që qëndruam në atë mjedis, u shlodha, nuk e ndjeva vapën e korrikut dhe u kënaqa, duke u plapurisur në atë ujë, i cili nuk ngjante me ujët e lumit pranë të cilit isha rritur.

Dhomat ku u sistemuam ishin të mëdha, të larta, të shtruara me pllaka të bukura dhe të lyera rishtaz. Në një dhomë, ishim nga i njëjti rreth. Kishim një udhëheqës pionieri, i cili, ishte mësues nga Berati dhe quhej Timo. Ai na udhëhiqte në çdo veprimtari, kulturore, sportive dhe monitoronte lëvizjet tona, gjatë gjithë ditëve. Timua, sillej mirë me pionierët, por nuk di pse me mua nuk ishte aq dashamirë. Mjediset e përdorimit të përbashkët, ishin të papara. Ku kisha parë unë banja të atilla, me çesma që rridhnin e me ato shtroje e mbuloja, të reja e të pastra, të vendosura në krevatë teli, dhe një peshqir të varur tek koka e krevatit. Mësuam disa elemente të domosdoshme të jetës kolektive, deri tek mënyra e konsumimit të ushqimit me orar, në mensë dhe me instrumente që nuk i kishim parë ndonjëherë.

Jeta kulturore-sportive, në ato ditë ishte e shumtë e e larmishme. Të organizuar, na çuan në ekskursione ku u njohëm me vende historike dhe me ndërmarrje prodhimi. Pamë Kaninën dhe kalanë e saj; pamë Guzbabanë; lulishten në Sheshin e Flamurit, shtëpinë ku u ngrit flamuri, në skelë, fabrikën e ekstrat-taninit, në Ujë të Ftohtë, tunelin interesant etj, etj. U lamë në det dhe ky ishte kapitulli më interesant i veprimtarive tona 21-ditore. Veçse ujët e detit ishte i kripur e thonin se ai të mban përsipër, jo si ujët e lumit që të fundos, më shpejt. Për herë të parë në jetën time, pashë një ndeshje futbolli, me 2x11 lojtarë dhe me një burrë me të zeza, i cili vraponte pas topit, me një bilbil në gojë.

Kur i frynte bilbilit ai, loja ndërpritej dhe lojtarët bënin, siç thosh ai. Mësova se ai burrë quhej arbiter dhe se vendimi i tij ishte ligj.

Atë ditë, në fushën e vjetër të qytetit, e cila kishte drejtim Lindje- Perëndim, të rrethuar me tela me gjemba, pa stola e pa tribunë, luante "Puna e Vlorës", me "Punën e Shkodrës". Shkodranët luajtën më mirë dhe fituan, me rezultatin 5:0. Për habinë tonë dhe të vendasve, ne që nuk ishim vlonjatë, u bëmë tifozë me ardhësit dhe bërtisnim:"Sa ka dora, hëngri Vlora"! Gardiani i portës vlonjate, Miltiadh Mina, u detyrua ta nxirrte topin nga rrjeta, plot pesë herë. Vlonjatëve të pranishëm u vinte inat e na përzunë, këmbë për këmbë që të hakmerreshin por ne, si lepuj të egër, apo, siç vrapojnë kecërrit në Breg të Stanet, ia mbathëm e u kthyem në kamp.

Siç ngjan me të gjithë bashkëfshatarët tanë, kur ata janë në vetmi, sidomos kur janë larg vatrës që i ka lindur e ku janë rritur, i kërkojnë dhe i gjejnë të dashurit e tyre. Them se kjo është shprehje e dashurisë për njëri-tjetrin, por mund të jetë dhe një ndjenjë që ka të bëjë me domosdoshmërinë për të pasur pranë, një përkrahje, një mbështetje, një faktor pozitiv e dashamirës. Kemi të bëjmë me një ndjenjë të përzier, e cila, nuk ma do mendja se është vetëm tek kalivaçasit.

Kur u nisa nga fshati, për në kampin e pionierëve, në Vlorë, shumë nga të mitë më porositën: "… Në Vlorë është në shërbim karrierë Jashari i Hysni Metes. Ai është në bukë të qeverisë, me gradën marshall (kapter i parë, në ushtri)"! Në Kalivaç i kishim shtëpitë pranë e ishim rritur bashkë. Familja e Hysni Metes në Ahmetaj e më tej, ishte njëra nga familjet më të qeta, më paqësore e më dashamirëse. Secili nga pjesëtarët e kësaj familjeje fisnike, i bënte shërbimin punës së tij e nuk i dëgjohej zëri. Jashari ishte një "yll, mes yjesh". Jo vetëm se ishim kushërinj por kishim dhe natyrë të përafërt njerëzore. Prandaj shkonim shumë mirë e nuk kishim pasur asnjë ngatërresë. Respektonim njëri-tjetrin në të gjithë veprimtarinë tonë.

Shembullin e jepnin prindërit tanë. Jasharin e doja shumë dhe e konsideroja si vëlla më të madh. E mblodha mendjen ta kërkoja e ta gjeja Jashar Hysnine, me synimin se do të më përkrahte e do ta kisha mbështetje të sigurt. I atillë ishte mentaliteti im, fëmijëror.

Vlora ishte qytet i madh, i zhurmshëm e me jetë të gjallë. Vlora ishte ku e ku me fshatin tim dhe me Tepelenën me 99 shtëpi. Në Vlorë qarkullonin shumë makina e pajtone, venin e vinin mjaft njerëz, të veshur; ca me rroba shajaku të zeza e me qylahe të bardhë në kokë e ca të tjerë me rroba cohe. Njerëzit qarkullonin të kapardisur e komunikonin me njëri-tjetrin, me zë të lartë, si në Kalivaçin tim. E kisha vendosur ta takoja. Me të pyetur thonë se gjen Stambollin, jo më unë që isha në të njëjtin qytet me sivëllanë tim, Jasharin, i cili, nuk besoja se ndodhej shumë larg. Nuk u zhgënjeva. Hipa prapa një pajtoni që shkonte në Vlorë dhe, pa përfillur goditjet me kamzhik të karrocierit, mbërrita tek sahati i qytetit, ku u hodha (nuk zbrita) nga mjeti, në rrugë.

Pyeta ata që gjeta në udhë e pas pak u ndodha tek postblloku i repartit të këmbësorisë ku shërbente Jashari. Në një kthinë të vogël, të lyer me gëlqere, ishte një oficer, i cili ishte veshur e ngjeshur dhe ishte mjaft i pastër e i rruar me kujdes. I zbardhëllente fytyra, teksa në krahun e majtë, mbante të ngjeshur një shirit të kuq, mbi të cilin shënohej diçka, për mua e pakuptueshme. Tek hyrja e repartit, një ushtar trupmadh, i cili mbante pranë këmbës, armën e shërbimit, me bajonetë të drejtuar, më bëri shenjë të paraqitesha tek zyra pranë. Isha shtatshkurtër e mezi mbërrita deri tek dritarja me xham e oficerit të shërbimit.

Kur më pa, oficeri i shërbimit u ngrit në këmbë, e më vështroi, me dashamirësi e korrektësi. "Po ti piciruk, cilin kërkon"? Si kalivaças i vogël, tërë seriozitet e me guximin e fëmijës, pa drojë, iu përgjigja: "Kërkoj: marshall, Jashar Deraj, nga Kalivaçi i Tepelenës"! Pyetjes së tij "Çfarë e ke Jasharin"? I dhashë përgjigjen: "E kam kushëri; jemi nga një gjak"! "Prit aty" – tha oficeri e më dëftoi me dorë të ulesha tek një stol druri, aty pranë. Bëra siç tha oficeri. Nuk vonoi shumë dhe tek hyrja e repartit, pashë të dilte një "gjigant", rreth 180 cm i lartë; me shtat të drejtë, me trup atleti, i bukur, i rruar, me uniformë që i rrinte në shtat si e prerë dhe e qepur me porosi, me flokë kaçurrela, me një cullufe që i dilte jashtë kapeles.

I ndrinte qaforja e bardhë, në grykë dhe i kishte hije ajo uniformë e mbyllur, me rrip në mes. Ishte për t’u parë ai njeri. Diçka ndjeva kur e pikasa. Ishte një ndjesi e përzier, mes kënaqësisë, mallit, krenarisë dhe keqardhjes që isha i vogël përpara atij "mbinjeriu".

Po kërkonte me sy, personin që do të takonte dhe më pa e më njohu pa ndonjë vështirësi. "Po ti, nga na dole këtu"? – qenë fjalët e para të tij. U afrua, më rrëmbeu në krahë e më "mbyti" me të puthura. E kishte marrë malli dhe unë i dhashë mundësinë të shfrente mallin e akumuluar. Nuk më lëshonte, m’i shqeu faqet. Siç duket, nuk më priste, e kapa në befasi.

Kur më takoi, aty, në mes të Vlorës, siç duket, pati ndjesinë se po i takonte të gjithë njerëzit e tij, për të cilët e kishte pikur malli. Më "bombardoi" me pyetje. Më pyeti për xha Hysnine; për gege Shanikon; për vajzën e vogël, Aishene, të cilën e kishte lënë 4 muajshe dhe ishte fëmija i parë. Si me drojë, më pyeti për bashkëshorten e tij – Ajkon e, pastaj, me radhë, më pyeti për të gjithë mëhallën. Ndoshta pas kaq vitesh, kjo që u rrëfeva, ngjan si paradoksale, por, marshalli nga Kalivaçi; bir i atyre trojeve të lashta e të begata, më pyeti për ata që kishin ardhur në jetë e për të "ikurit"; për djemtë që ishin liruar nga ushtria e për ata që kishin shkuar ushtar; për dasmat dhe për fejesat, për ata që kishin pasur ndonjë fatkeqësi në familje etj. etj. U interesua për prodhimet bujqësore e blegtorale dhe për kafshët, madje edhe për qentë e mëhallës më pyeti.

Mbasi mori një informacion, nëse mund të quhet i tillë, sipas traditës, më shpuri tek një ëmbëltore, afër sahatit të qytetit ku më qerasi me trigone. Kur e mbarova së ngrëni ëmbëlsirën më pyeti, nëse doja tjetër; pastaj më shoqëroi, deri tek pajtoni i radhës, u kujdes të zija një vend, diçka i dha karrocierit, i cili bëri të habiturin, më përqafoi e më puthi sërish dhe u ndamë. Fluturoja nga gëzimi e m’u shtua krenaria. Nuk ndihesha më i vetmuar e pa përkrahje në atë mjedis të zhurmshëm, ku gjallonte jeta.

Kur erdha në Kalivaç, akoma pa u takuar me të mitë, ia behën gjitonët: Tajanja e Muharrem Kamberit; Hysnija e Musa Mehmetit dhe Memja e Muharrem Hasanit etj. Pas pak, tek dera u dha xha Hysniu, Ajkua, me Aishen në krah dhe pastaj e gjithë mëhalla. Në sytë e tyre pashë gëzim e ngazëllim. Po sillja njoftime, nga një kurbetli e çfarë kurbetliu; nga njeriu i mirë, marshall – Jashar Hysni Deraj, i cili ishte "në bukën e qeverisë".

Kaluan vite; koha bëri punën e saj, tek të dy. Jashari ka disa vite që është ndarë nga jeta, por ajo e pastër që më fali atë ditë, më ka mbajtur "me vlagë" tërë jetën e nuk mund ta harroj. E ndjej si detyrim moral të shkruaj diçka për të sjellë në dijeninë e atyre që dëshirojnë ta dinë, se në Kalivaçin e Tepelenës kanë jetuar burra të rrallë; njerëz me zemër të madhe, që nxirrnin nga goja vetëm mjaltë dhe në sytë e tyre ndrinte çiltërsia.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!

  • T’i rrojnë e ta nderojnë ata që ka lënë pas!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, nga Kalivaçi; në Tiranë, dhjetor 2017.