Reportazh
Nuk jam korçar, por, për Korçën më merr malli. Çfarë të jetë vallë kjo kimi? Them se kam shkaqe të bazuara për të pasur nostalgji për atë qytet; më i miri i vendit tonë, aq i lakmuar në kohë të ndryshme, në veçanti në ditët tona. Vizitorë të shumtë, të huaj e vendas, dynden në Korçë, për të soditur e për të shijuar kënaqësinë që të jep ai qytet i lashtë e i përtërirë. Ata, me siguri që duan të mësojnë diçka nga simbolet që kanë mbetur në atë trevë, nga e shkuara e lavdishme e asaj treve të begatë. Them kështu se, me një vajtje e me një qëndrim në Korçë, qoftë dhe disaditor, nuk ma do mendja se mund të depërtojnë në brendësinë e kësaj dukurie interesante e të pakrahasueshme.
E dua shumë Korçën, ashtu siç nuk e ndërroj Kalivacin tim, ku më ka bërë koka “deng”. Kam ndjekur e ndjek, me dashuri e kureshtje, çdo ndryshim që bën ai qytet, në udhën e prosperitetit të tij. Kam përcjellë në Korçë, një pjesë të jetës sime; atë pjesë kur hidhen themelet e saj, të cilat janë çimentuar në Korçë. Kam përcjellë adoleshencën, periudhën më të bukur të jetës, kur njeriu rritet fizikisht por dhe formohet mendërisht. Nga lartësitë e viteve që mbaj mbi supe, u përulem me nderim gjithë atyre që më kanë ndihmuar të formohem dhe atij mjedisi tejet të kulturuar, të pastër e me sqime.
Në Korçë, ndryshimet dhe përmirësimet e vazhdueshme, të lënë me gojë hapët kur krahason qytetin e viteve '50 të shekullit të shkuar me Korçën e sotme, që i ka lënë shoqet prapa, si dikur me shkollën e parë shqipe. Mallin që kam për Korçën, nuk mund ta shuaj veç duke vajtur vetë atje, që t’i sodit me sytë e mi e të kënaqem, me bukuritë e saj të shtuara.
Prandaj, më 21 shtator të vitit 2018, m’u desh të bëja një rrugëtim të gjatë, nga Tirana në Korçë, i cili më tepër i ngjan një aventure e jo një udhëtimi turistik.... vijon.
Vijon...
Në orën 07.30 të datës 21 shtator, së bashku me vëllanë e vetëm, Dilaverin, u nisëm, me autobusët e linjës, për në Elbasan. Atje na priste Astriti, djali i Velidesë 93-vjeçare, e cila banon në Korçë prej vitesh. E kemi vajzë xhaxhai Velidenë. Ajo banon prej vitesh në Korçë dhe në shtëpinë e saj, si unë dhe Dilaveri, në vite të ndryshme, kemi marrë përkujdesjen dhe dashurinë e saj e të bashkëshortit të Saj, Qaniut; i cili ishte një burrë që nuk e bën më nëna.
Në një makinë të kohës, me Astritin në timon dhe me një ekip të “zgjedhur” (u bëmë katër, së bashku me bashkëshorten e Astritit - Florën zonjë), u nisëm për në Korçë. Në pikën turistike, tek kthesa e theksuar e Shkumbinit, në një lokal me emrin “Ballkan” ku sundon pastërtia dhe modernja, pimë kafe e pushuam pak. Në Poradec ndalëm fare pak, për të takuar vajzën e Astritit- Ester.
Në Korçë mbërritëm rreth mesdites. Nuk e mora vesh, nga e si kaluam, kur u gjendëm në katin e pestë të një pallati, tek dera e të cilit shkruhej: Familja Qani Shabani. Rrugës nga kaluam, njoha vetëm ish-komitetin ekzekutiv, një godinë të lashtë me arkitekturë të veçantë. Më habiti pamja pranë tij. Ishte mbushur përroi i Radanecit dhe mbi të ishte bërë një goxha bulevard, me stola për të pushuar e me lulishte ku qëndronin pensionistët, në qejfin e tyre.
Velidenë e gjetëm në shtëpi. Përveç Asaj, për fatin tonë, në shtëpi gjetëm, Almën, vajzën e Luizës e mbesë e Velidesë dhe bashkëshortin e saj Aurelin. Nuk i kisha njohur më parë por, sapo i pashë, m’u ngjitën. Të dy ishin të “mëndafshtë”. Komunikonin ëmbël me njëri-tjetrin dhe nuk e fshihnin dashurinë dhe respektin për gjyshen 93-vjeçare.
Velidenë e kishte marrë malli, shumë, për ne të dy dhe na kapi e nuk na lëshonte. Çifti i ri kishte përgatitur drekë me shije. Hëngrëm, pimë, biseduam, bëmë fotografi e... zbritëm, tek makina... vijon...
vijon...
Nuk doja të mbaronte kurrë ajo drekë. Nuk besoj të kem ngrënë drekë aq të shijshme në jetën time. U larguam nga shtëpia ku banon e moshuara, simotra ime, Dede (shkurtim i emrit Velide), duke marrë me vete gjithë pjalmin e dashurisë me të cilin Dedeja dhe ata dy “engjëj” derdhën, pa kursim në atë gatim. Megjithatë, ishim të detyruar të largoheshim dhe u larguam.
Udhës njoha shtëpinë ku dikur banonte shoku im i klasës Maksim Tuxhari, i biri i Aliqemalit. M’u kujtua, kur Maksi, merrte nga biblioteka e pasur e familjes së tij, libra “të verdhë”, mes të cilëve dhe Kontin e Montekristos (mos u habitni) etj. dhe na i lexonte Gëzim Kuqua, të futur në disa gëmusha, nga Shën Ndellia.
Përroi që vjen nga Mborja, ishte mbushur e asfaltuar përsipër. Dikur shkoja për të mbledhur gjethe për dhinë malteze të Qaniut. Spitali i qytetit ishte po aty.
Vajtëm në varrezat publike të qytetit. Gjetëm varrin e Qani Bektash Shabanit, mikut tim të mirë, i cili jetoi gjatë e tani prehet tek një varr madhështor, të cilin e kanë përgatitur pasardhësit e tij të denjë. Madhështi e fjetur! I ndjeri Qani, ishte mjaft punëtor e i ndershëm. I qeshur e nuk mërzitej kurrë nga musafirët që i shkonin në shtëpi. E keqja më e madhe e atij burri ishte mishngrënia.
Pashë nga larg Shentriadhen. Në vitin 1957, në pushimet e dimrit, u ngjita në këmbë, nga Dardha, Sinica deri në Çetë e në Bozhigrad. Atëherë nuk kishte udhë të shtruar; njerëzit kalonin nëpër pyll, në këmbë.
U ktheva, i vetëm. Sapo kalova Dardhën nisi të binte borë. Si lepur, nëpër shtigje, zbrita malin me një frymë. Përpara shikoja qytetin dhe kisha merak mos bora që binte mbulonte udhën, nëpër fushë. Kur mbërrita tek Shentriadha, udha ishte e mbuluar.
Pashë Panden e u kënaqa. U futëm në brendësi. Doja të vështroja sanatoriumin, i cili m’u duk i tkurrur e nuk e kishte atë bukuri si dikur, kur mblidhja gjethe mani për krimbat e mëndafshit. Më tej pashë Mitropolinë e vjetër dhe, tek merr të përpjetën udha për në Shën Thanasi, në të djathtë, ka qenë një shtëpi ku banonte Dedeja e unë vija shpesh.
U ngjitëm tek Shën Thanasi, kaluam nën varrezat e dëshmorëve, pamë nga lart sokakun e kasapëve, dolëm tek Shenndellia, pamë parkun e ri, varrezat e francezëve, pikën e kufirit, ku Dilaveri ka qenë instruktor e u kthyem në rrugën që të çon në Maliq...vijon...
...vijon... Po të doni, më besoni, e kam shumë të vështirë të ndahem nga ky reportazh, sido që është. Dhe e dini përse? Sepse me atë vajtje fluturimthi, nuk u ngopa me aromën e Korçës. Pashë shumë e kujtova akoma më tepër por nuk pashë disa objekte për të cilat kam shumë mall. Vajta deri tek Parku i vjetër e pashë atë udhë që të çon në Barc. Do të doja të ngjitesha tek Guri i Capit, e të pija ujë në burimin mes pyllit të dikurshëm, në Cardhak, si dikur (në vitin 1956).
Kushedi sa herë kam kaluar, në këmbë në udhën që të shpie në Bilisht e jam ndalur shpesh tek varret e francezëve. Nuk besoj të ketë njeri që të kalojë andej e të mos ndalet atje, për të mësuar diçka. Aq shumë kam kaluar e jam ndalur atje sa tabelën shpjeguese e mësova përmendësh, në të dyja gjuhët dhe di që aty prehen 640 ushtarë të ushtrisë franceze, të rënë për Atdheun e tyre.
Më erdhi keq që nuk ndala për të parë stadiumin “Skënderbeu”, kur u ngrit ai, kam mbjellë barin e fushës dhe kam bërë ndoshta garën e parë atletike, në 400 m vrapim i lirë ku zura vendin e parë midis dy garuesve, por mezi sosa në finish.
Nuk u ndjeva mirë që nuk lejohej kalimi nëpër bulevardin “Republika” i cili nis me vendin ku bëhet pelegrinazh, kushtuar “Lëndinës së Lotëve” dhe përfundon tek kinema “Morava”. Doja të kaloja në atë bulevard, për të kujtuar Bibliotekën e qytetit, ku kam lexuar “Përroin e Hekurt” dhe libra pafund, mbasditeve.
Doja të kujtoja ato zonja korçare, të cilat vinin shpesh në bibliotekë, të veshura me shije e me libra me format të madh, në një çantë fine. Aty kishte një kthinë dhe profesor Spiro Konda, të cilin e mbaj mend mirë. Doja të kujtoja metodisten shtatshkurtër Kostaqe, e cila, me librat që të rekomandonte të falte shumë dashuri.
Nuk u ndjeva mirë kur pashë në hyrje të këtij bulevardi se ishin prishur kangjellat dhe në oborrin e një shtëpie tipike korçare, ishte ndërtuar një banesë nga këto të tanishmet, që u ikën vlera shpejt. Po të më jepej mundësia të kaloja nëpër bulevardin “Republika” do të ndaloja tek shtëpia e shokut tim të klasës, boksierit Gjergji Nako dhe tek shtëpia e mikut tim Maqo Prodani. Më erdhi keq që nuk njoha shkollën ku kam mësuar, në Radanec, tek Hani i Nasi Vithkuqit.
Gjithsesi, edhe me atë kohë të kufizuar, mora me vete aq dashuri e kujtime të ëmbla sa që besoj se do të më mbajnë vlagë, gjatë.
Fund i reportazhit të pambaruar!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.