Vijon përkujtimi i dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Kalivaçit

Bakajt (Celajt) i dhanë çlirimit të vendit dy dëshmorë dhe nxorën partizanë dy të tjerë. Shtëpia e tyre përdhese, e ftohtë akull, e mbuluar me pllaka guri të bardhë, pa tavan e pa dysheme dhe e pasuvatuar, me një kaposh me plaçka në inventar e varfër në kufijtë ekstremë të kësaj fjale, u bë strehë për partizanët dhe vatër e zjarrtë e luftës për liri.

Në historinë e Kalivaçit të Tepelenës, fshatit tonë të bekuar e të begatë, me njerëz trima e të besës, numërohen luftëtarë të shquar në çdo kohë. Lufta Nacionalçlirimtare i nxori në dritën e diellit vlerat e njerëzve të këtij fshati, si vlera të atdhedashurisë dhe të adhurimit të lirisë së vendit. Në Kalivaçin e lashtë, për shkak të kushteve natyrore, klimatike dhe tokësore, janë dyndur familje e fise të tëra, dhe njerëz të veçantë, të cilët janë ingranuar bukur me fshatin e me banorët e tij autoktonë, kanë gjetur ngrohtësinë dhe përkrahjen e nevojshme, kanë hyrë në lidhje krushqie e miqësie dhe e thonë, me mburrje, kur i pyesin se janë nga Kalivaçi i Tepelenës.

Nuk është vendi të bëjmë evidencë. Mjaft raste janë të njohura e të tjera do të bëhen të ditura, me kalimin e kohës. Në këtë shkrim, në kuadrin e njohjes e të propagandimit të Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, dua të nënvizoj faktin shumë domethënës të një familjeje fisnike, si ajo e Azbi Bakos, në Bozanaj, e cila gdhihej pa bukë për vete, por e mblonte diçka për t’u dhënë partizanëve dhe shtëpia e tyre, në çdo kohë mbante erë baruti. Po të doni, vëreni mendjen në punë dhe më dëftoni një familje tjetër, në fshatin tonë e cila t’i ketë dhënë Luftës Nacionalçlirimtare katër partizanë; dy nga të cilët ranë Dëshmorë. Le të ndalemi te Dëshmorët e saj.

Hamit Azbi Bakaj (Celaj), 1925-1944, dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare

Hamiti, bir i dy prindërve kalivaças: Azbiu, i ardhur nga fshati Drizar i rrethit të Mallakastrës dhe Hasimeja – vendase, rridhte nga një familje tejet e varfër fshatare. Pa përfunduar fëmijëria e tij, si mjaft kalivaças të moshës së tij, u rrit e u kalit mes vuajtjeve dhe mundimeve. Ai, herët u pajtua hyzmeqar te të kamurit e fshatit Kocul të rrethit të Vlorës. Në punë të rëndë, Ai mezi siguronte bukën e gojës. Nuk i pati kushtet për të mësuar shkrim e këndim, por jeta e vështirë dhe vuajtjet e rritën dhe e kalitën para kohe dhe e bënë burrë me burrëri.

Pushtimi fashist i vendit e gjeti Hamitin 14 vjeç, me punë hyzmeqar. Më pas, Hamiti u pajtua si punëtor krahu, në Vlorë e gjetkë. Ai përqafoi idetë e çlirimit të vendit dhe ëndrra e tij u bë dyfeku në krah e ylli në ballë. Më 27 janar të vitit 1943, Hamit Azbiu u bë partizan i çetës "Selam Musai" dhe më 10 gusht të vitit 1943, Ai u rreshtua në Batalionin Partizan: "Baba Abaz". Me zgjerimin e Luftës dhe me shtimin e forcave partizane, kur u kalua në formimin e brigadave partizane, më 26 janar të vitit 1944, Hamiti u bë pjesëtar i Brigadës së 6-të të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Si trup i bëshëm e i fuqishëm, Hamitit iu besua mitralozi i kompanisë dhe shokët e tij e njihnin dhe e thërrisnin: "Mitralieri i kompanisë". Krismat e mitralozit të Hamitit u ndjenë fort në Sinanaj, më 21 qershor të vitit 1943, kur u shkatërrua postkomanda italiane; në Malin e Bardhë; në luftimet për çlirimin e qytetit të Tepelenës, më 13 gusht 1943; më 12-15 shtator 1943; në Qafën e Muzinës, më 27-28 shtator 1943; në Kuç të Kurveleshit të Sipërm; në fshatrat: Vranisht; Velçë; Amonicë etj.

Në marshimin për të sulmuar Mavrovën, në natën e 30-31 marsit 1943, gjatë një pushimi të shkurtër në Qafën e Dushkut, njëri nga partizanët, duke bërë bilancin e forcave u tha shokëve: "Ne jemi pak, armiqtë tanë janë të shumtë në numër e të armatosur rëndë!" Hamiti, me urrejtjen që kishte në zemër, për armiqtë fashistë, u përgjigj, pa u menduar gjatë: "Po, ata janë të shumtë, por neve nuk do të na shkojnë plumbat dëm!" Sapo zbardhi, rreth orës 05.00 të datës 31 mars të vitit 1944, partizanët sulmuan kundër pozicioneve gjermano-balliste. Armiku, i shumtë në numër tentoi të bënte rrethimin e forcave partizane. Mitralozi në dorën e Hamit Azbiut (Hamiti ishte me një dorë të prerë), i vendosur në një kokojkë, nuk lejonte përparimin e armikut.

Ndërkohë, kalivaçasit trim po i mbaronin fishekët. Ai hodhi dy granata dore, të cilat i kishte me vete dhe u thirri shokëve për t’i sjellë municion. Pa mbërritur ndihmat nga shokët, një breshëri mitralozi gjerman të tipit "Shares" e qëlloi trimin, në gjoks e Hamit Azbiu ra dëshmor i luftës për liri.

Luftimet e asaj nate ishin tepër të ashpra e të përgjakshme. Nga ana e partizanëve u vranë 22 shoqe e shokë. Hamiti u vra, por mitralozi i tij, në dorë të një partizani tjetër, e vazhdoi këngën e luftës për liri, brenda vendit dhe në tokat shqiptare të Kosovës e të Jugosllavisë, deri në çlirimin e plotë të vendit. Siç e ka zakon, populli i fshatit Kalivaç, por jo vetëm, përveç përcjelljes me nderime, siç përcillen trimat e lirisë, i ngriti Hamit Azbiut një këngë të merituar. Teksti i këngës ka ardhur te ne gojarisht i transmetuar nga brezi në brez.

"… Kush i njihte ata trima?
Suleshin si vetëtima;
Në pyesin se kush janë?
Hamiti me Xhemale;
Dy vëllezër nga një derë;
Dhanë jetën për Atdhenë…!"

Varri i Hamit Azbiut ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut të qytetit të Tepelenës.

Xhemal Azbi Bakaj (Celaj), 1920-1943, Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare.

Xhemali ishte vëlla i Hamitit dhe djalë i Hasimesë dhe i Azbi Bakos, nga një familje e varfër fshatare kalivaçase. Ashtu si vëllai i tij, Xhemali u rrit në vështirësi ekonomike dhe u detyrua, që në fëmijëri të punonte argat, te të kamurit nga Risilia në rrethin e Vlorës. Nuk e pati komoditetin të shkonte në shkollë për të mësuar shkrim e këndim, por bëri shkollën e jetës e atë të malit. I rritur në skamje, si të gjithë fëmijët e xha Azbiut, Xhemali, bashkë me familjen e tij, u lidh ngushtë me lëvizjen nacionalçlirimtare dhe u mëkua me urrejtje pa kufi ndaj pushtuesve fashistë dhe atyre që e mbështetën dhe e përkrahën pushtimin e Shqipërisë. Shfrytëzimi i egër e i pamëshirshëm bëri që në zemrën e tij të grumbullohej një mllef e të zinin vend idetë përparimtare të kohës, ku, në plan të parë doli çlirimi i vendit nga pushtuesit e huaj.

Pushtimi fashist i vendit e gjeti Xhemalin hyzmeqar, në Risili. Pas pushtimit, djali i xha Azbiut fukara, u fut në punë në një shoqëri italiane, në qytetin e Vlorës. Ky qe një shans i mirë për djalin e parritur akoma, por të pjekur e të burrëruar, nga halli, që Ai të binte në kontakt me komunistët e qytetit, prej të cilëve mësoi pse e si duhej luftuar fashizmi, për t’i prurë vendit lirinë. Më 4 mars të vitit 1942, Xhemali mori pjesë aktivisht në Demonstratën e Bukës, në Vlorë, e cila udhëhiqej nga militanti komunist Hysni Kapo, i cili, në atë kohë mbante pseudonimin "Besniku".

Më 1 qershor të vitit 1942, Xhemali u mobilizua ushtar, nga regjimi fashist italian e u caktua të shërbente në një repart ushtarak në Kuçovë. Në ushtri, Xhemali ishte së bashku me vëllanë e tij – Axhemin, i cili ishte i brumosur me të njëjtat ide. Edhe Ai urrente fashizmin dhe donte të shporreshin pushtuesit e huaj, me luftë çlirimtare. Të dy vëllezërit u arratisën nga ushtria fashiste dhe nga Kuçova, u lidhën e u inkuadruan në Çetën e Pezës, e cila drejtohej nga atdhetari i flaktë Myslym Peza dhe vepronte kundër fashistëve italianë në zonën e Pezës e të Ndroqit. Duke parë vlerat e Xhemalit, si njeri e si luftëtar, Babë Myslymi e caktoi djalin nga Kalivaçi i Tepelenës, Xhemal Azbi Bakaj (Celaj), komandant skuadre.

Më 25 korrik të vitit 1943, Grupi i Pezës u përfshi në luftime të ashpra me forca të shumta ushtarake të fashistëve italianë, në fshatin Ndroq të rrethit të Tiranës. Në këto luftime, Xhemal Azbiu u shqua për trimëri të rrallë dhe ra, dëshmor, siç bien trimat e lirisë. Që kur ishte ushtar, Ai kishte deklaruar se: "Do ta shpoj, nga fundi gavetën e Duçes se nuk e dua më bukën e tij!" Kur në shtëpinë e xha Azbiut, në Kalivaç (Bozanaj) vajti mandata për rënien e Xhemalit në luftën partizane, babai i tij, Azbiu, i tha bashkëshortes, Hasime: "Mos e qaj djalin se liria nuk vjen pa gjak!" Sikur ta ndjente fukarai Azbi Bako; më pas ra në fushën e nderit djali tjetër i tij, partizani Hamit mitralieri, me yll të kuq në ballë.

Pas çlirimit, për merita e trimëri të rrallë, Xhemal Azbiu u shpall Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare dhe u dekorua me urdhra e me medalje të ndryshme. Familja e tij u shpall familje dëshmori. Varri i Xhemalit ndodhet në Varrezat e Luftës Nacionalçlirimtare, në fshatin Pezë të rrethit të Tiranës, në një luginë të pyllëzuar me lisa shekullorë, krah në krah të dëshmorëve të Çetës famëmadhe të Pezës.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Ramiz Shaho Caushaj, 1930-1944, Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare.

Si mjaft kalivaças të tjerë, familja e Ramizit, në fshatin tonë ishte nga më të "këputurat". Pjesëtarët e saj vuanin për bukën e gojës. Babai i Ramizit, Shahua, u nda nga jeta, në vitin 1937, kur i biri sapo kishte mbushur 7 vjeç. I detyruar nga kushtet e rënda ekonomike të familjes, bonjaku, i parritur u largua nga fshati dhe u pajtua hyzmeqar, te një familje e kamur, në fshatin Kocul të rrethit të Vlorës. Kishte moshën të ulej në bankat e shkollës, për të mësuar shkrim e këndim, por mjerimi i familjes së tij nuk lejonte që jetimi i mbetur pa baba të bënte si bashkëmoshatarët e tij. Ai zgjodhi tjetër udhë; atë të luftës pa kompromis kundër pushtuesve, për t’i prurë popullit lirinë.

Kur u bë 14 vjeç, me pjekurinë e një të rrituri, Ramiz Shahua u rreshtua në batalionin territorial të Tepelenës dhe më 20 mars të vitit 1944, u inkuadrua në Brigadën e 12-të Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në Operacionin e Qershorit të vitit 1944, brigada ku bënte pjesë Ramizi luftonte në fshatin Kuç të rrethit të Vlorës. Fjalët e tij të fundit ishin: "Vdekje fashizmit; rroftë Partia Komuniste e Shqipërisë!"

Në një luftim të ashpër, partizani 14-vjeçar nga Kalivaçi i Tepelenës Ramiz Shaho Caushaj ra në krye të detyrës, duke mbetur një "yll i pashuar", në radhët e dëshmorëve të fshatit Kalivaç të Tepelenës. Varri i tij ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve të Tepelenës, pranë shokëve të idealit, i nderuar nga banorët e qytetit dhe nga pelegrinët e shumtë që vizitojnë këtë faltore. Ai u shpall dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare dhe, për merita trimërie në luftë, iu akorduan disa medalje trimërie.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Qerim Muharrem Dostaj, 1910-1944, Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare.

Qerimi u lind në fshatin Kalivaç të Tepelenës, në vitin 1910, në një familje të varfër, e cila ushtronte bujqësinë familjarisht, në kushtet e prapambetjes së thellë e të varfërisë së skajshme. Mjedisi ku u lind e u rrit Qerimi, vërtet ishte i varfër, por tejet atdhetar. Familja e tij, herët u lidh me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe vetë Qerimi u bë pjesëtar aktiv i saj.

Pushtimi fashist i Shqipërisë e gjeti djaloshin nga Bozanajt në fshat, ku merrej me punët e bujqësisë. Për nevoja ekonomike të familjes, pas pushtimit të vendit, Qerimi u aktivizua, punëtor krahu në punët botore, në shoqëritë italiane, në Vlorë e gjetkë. Punonte për të siguruar bukën e gojës Qerimi, por mendjen e kishte te domosdoshmëria e shporrjes së fashistëve nga vendi ynë. Mendjen e tij e ndriçuan idetë e Luftës çlirimtare dhe kontakti me veprimtarët e saj.

Tiparet e tij të luftëtarit të shquar u vunë në provë në aksionet luftarake ku Ai mori pjesë, në zonën e Krahësit, kundër fashistëve italianë. Për t’u vënë në dukje janë aksionet për shpartallimin e postkomandës italiane, në Krahës, më 29 tetor të vitit 1942; aksioni për prishjen e postkomandës italiane në fshatin Sinanaj, më 21 qershor të vitit 1943, pjesëmarrja aktive, me armë në dorë në luftimet që u zhvilluan në Qafën e Miricës, më 27-30 qershor të vitit 1943 e në vende të tjera. Kudo ku mori pjesë, në çdo aksion, Qerimi u shqua për guxim e trimëri dhe mospasje frike nga vdekja. Këto luftime qenë provë për kalitjen e tipareve të tij luftarake duke ngritur lart vlerat e kalivaçasve.

Më 15 gusht të vitit 1943, Qerim Muharrem Dostaj u rreshtua në formacionin luftarak të kompanisë së tretë të batalionit të dytë të Brigadës së Parë Sulmuese, të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe mori pjesë në të gjitha luftimet e saj, kudo në Shqipëri. Është, ndoshta rast unik që një partizan nga Kalivaçi i Tepelenës të bëhet luftëtar aktiv i Brigadës së Parë Sulmuese, e cila është e mirënjohur, jo vetëm në vendin tonë. Qerimi, në përbërje të Brigadës së Parë Sulmuese, mori pjesë në të gjitha luftimet e saj, duke përshkuar tërë territorin e vendit tonë, nga Jugu në Veri. Në betejën e Fushë Alisë, në rrethin e Dibrës, më 18 tetor 1944, Qerimi u plagos rëndë, por nuk ua dëftoi shokëve plagën dhe ashtu, i plagosur, vazhdoi të luftonte. Por një plumb e përshkoi sërish Qerimin e Ai ra përtokë, pa frymë, për të mos vdekur kurrë.

Fjalët e tij të fundit ishin kushtrim. Ai, në çastet e fundit të jetës, inkurajonte shokët me fjalët: "Përpara, shokë, rroftë Partia Komuniste e Shqipërisë, rrofshin partizanët, rroftë Shqipëria, poshtë fashizmi!"

Pas çlirimit të vendit, Qerim Muharrem Dostaj u shpall Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare e u dekorua me urdhra e me medalje trimërie. Varri i tij ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare të rrethit të Tepelenës, atje ku janë dhe shokët e tij të idealit.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Hamdi Tahir Llakaj, 1926-1944, dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare.

Më 5 shkurt të vitit 1944, Hamdi Tahiri la dhentë në stan e u largua nga fshati, për t’u bashkuar me partizanët, në mal. Ai ishte djalë i zgjuar e i shkathët dhe, në biseda me shokët e me bashkëfshatarët që përhapnin në fshat idetë e Luftës Nacionalçlirimtare, para se të dilte në mal, pati një ndarje interesante nga Nëna e tij. Hamdiu i tha Nënës së tij: "Do t’i ngjitem malit e do të bashkohem me shokët partizanë se atje janë bijtë e vërtetë të këtij populli!"

Atë ditë, Hamdiu la në stan kërrabën e dhentë dhe hodhi në sup dyfekun e doli në mal, partizan. Fillimisht, Ai u bë pjesë e Batalionit të Rinisë të rrethit të Tepelenës dhe më 25 prill të vitit 1944 Hamdiu u bashkua me partizanët e Brigadës së 8-të sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Si djalë i zgjuar, i shkathët e sypatrembur dhe i besës, siç janë, në përgjithësi, kalivaçasit, vendi i tij ishte në formacionin e zbulimit të kësaj njësie partizane. Në fakt Hamdi Tahirin, djalin e thjeshtë nga mëhalla Leshnje, njëra nga më të lashtat e fshatit tonë, Kalivaçit të Tepelenës, të rritur me bukë misri me gjizë e me trahana, komanda e caktoi në skuadrën e zbulimit të kompanisë së tretë, në Batalionin e Dytë të Brigadës së 8-të sulmuese. Për të kryer me nder, siç i kishte hije, detyrat e vështira luftarake të zbuluesit partizan, Hamdiut i duhej të çantë tufanin, dëborën e akullin e atyre maleve dhe, në ballë të shokëve, të përcaktonte, me saktësi përqendrimet e armikut dhe të jepte informacion në kohën e caktuar. Në të vërtetë informatat që jepte Hamdiu, vazhdimisht ishin të plota e të sakta dhe detyrat, Ai i kreu me nder.

Partizani kalivaças Hamdi Tahiri, me shkathtësinë dhe me zgjuarsinë që e karakterizonin, me dinakëri e me shpejtësinë e një skifteri u "rrëshqiste" vështrimit të rojave dhe patrullave të armikut pa rënë në sytë e tyre vrojtues. Hamdiu mori pjesë në të gjitha luftimet dhe betejat që zhvilloi formacioni luftarak ku Ai bënte pjesë, në qarkun e Gjirokastrës (në Zonën e Parë Operative). Në përpjekjet e tij për të kryer detyrat e zbuluesit, dhe kur ishte në formacion luftimi, Hamdi Tahiri shpalosi gjithë vlerat e tij morale dhe fizike, duke dëftuar, në fushën e luftës guxim e trimëri, vendosmëri dhe shpirt sakrifice.

Beteja e fundit ku mori pjesë në luftime Hamdi Tahir Llakaj ishte ajo në Luginën e Zagorisë. Në betejën e zhvilluar kundra forcave të shumta gjermano-balliste, kalivaçasi trim Hamdi Tahiri ra, heroikisht në fushën e luftës, aty ku u ka hije të vdesin burrat, për t’i prurë vendit dhe popullit lirinë e shumëpritur.

Nënë Hatixheja e qau me ligje birin e saj të dashur, por në të njëjtën kohë ndjeu dhe krenarinë e ligjshme se kishte lindur e kishte rritur, me thërrime, një trim me fletë. Ajo, si Nënë e dhembshur e krenare, mblojti, thellë në zemër e në kujtesë, fjalët e ndarjes që i tha i biri, kur u nis për në mal.

Pas çlirimit të vendit, Hamdiu u shpall Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare dhe familja e tij u titullua familje dëshmori. Varri i Hamdi Tahirit ndodhet në Tepelenë, në varrezat e dëshmorëve, pranë shokëve të tij të të njëjtit ideal. Populli i Kalivaçit, për të përjetësuar kujtimin e tij këndoi:

"… Poliçani, atë ditë;
Ushtoi nga breshëritë;
Partizanët, si luanë;
U sulën përmbi gjermanë;
O burra, t’i zëmë të gjallë;
U tha Hamdiu një fjalë…"

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Muharrem Hasan Nelaj, 1908-1944, Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare.

"… Sonte, armiku duhet goditur! Atë, nuk duhet ta lëmë të qetë; nuk duhet të presim, shokë…!" Këto fjalë tha komandanti i skuadrës, Muharrem Hasan Nelaj, para se të nisej për në aksionin luftarak që i mori jetën.

Muharremi rridhte nga një familje fshatare, e varfër, por atdhetare e luftarake. Ai kishte kryer shkollën fillore, në fshatin Krahës të rrethit të Tepelenës, te të afërmit e familjes së tij. Në mënyrë autodidakte dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në një kurs afatshkurtër, duke shfrytëzuar librat dhe revistat në gjuhën shqipe që solli mëhallaliu i tij, Demir Rrapo Zenelaj (Mucoimaj), kur u kthye nga kurbeti që bëri në Boston të Amerikës, Muharremi, arsimdashës e si njeri i dhënë pas të nxënit, i zgjeroi më tej njohuritë për gjuhën e nënës. Ai nuk mjaftohej me ato që dinte, por ishte i "thekur" e me dëshirë të madhe për t’u mësuar bashkëfshatarëve analfabetë, shkrim e këndim, duke u kthyer në një mësues të mirëfilltë, pa mjedis shkollor. Muharrem Hasani, për këtë qëllim shfrytëzonte njohjet vetjake dhe miqësitë familjare si dhe mjediset ku banonin njerëzit, të cilat, ai i kthente në klasa, pavarësisht nga numri i kufizuar i nxënësve.

Gjatë regjimit të Zogut të Parë, ashtu si bashkëfshatarët e tij, Ai ndjeu peshën e rëndë të shtypjes e shfrytëzimit dhe mjerimin që ishte ulur këmbëkryq në vatrat kalivaçase, si në të gjithë vendin. Muharremi e urrente, për vdekje atë regjim antipopullor, prandaj agjitonte te kalivaçasit dhe ku të mundte, kundërshtimin e tij. Njëri nga drejtimet e punës agjitative të Tij ishte sabotimi i pagimit të taksave dhe detyrimeve të rënda dhe kundërshtimi i nëpunësve të atij regjimi të urryer që vinin në Kalivaç për t’i mbledhur ato, derë me derë.

Familja e Muharrem Hasanit ishte njëra nga familjet që u lidhën ngushtësisht dhe përkrahën, pa rezerva Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Rol të rëndësishëm, në këtë drejtim luajti luftëtari i regjur, atdhetari i flaktë Sulo Beqir Sulaj, nga Hysodosajt, i cili ishte në lidhje miqësie me atë derë. Ardhjet e shpeshta të Sulos, në familjen e Muharremit, te gjyshi i tij Sadik Dajlani dhe bisedat me theks politik që zhvillonte me Muharremin, kushëririn e tij të parë, e bindën këtë të fundit të përqafonte idetë progresive të kohës dhe më pas të dilte në mal, me partizanët.

Duke u bazuar në tiparet karakteristike dhe në vlerat e personalitetit të tij, populli i Kalivaçit të Tepelenës, në mbledhjen e datës 20 tetor të vitit 1942, njëzëri e zgjodhi Atë sekretar të Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit, detyrë të cilën Ai e kreu deri më 10 gusht të vitit 1943. I ngarkuar me këtë detyrë të rëndësishme, Muharrem Hasani, për asnjë çast nuk iu nda aksionit luftarak kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Aksionet luftarake me më peshë, ku Muharremi luajti rol aktiv e luftoi trimërisht, me armë në dorë ishin: Asgjësimi i postkomandës së karabinierisë italiane, në fshatin Krahës të rrethit të Tepelenës, më 29 tetor të vitit 1942; asgjësimi i postkomandës së karabinierisë italiane, në fshatin Sinanaj të po këtij rrethi, më 21 qershor të vitit 1943; asgjësimi i pararojes së divizionit të ushtrisë italiane, në Mogila të Vasjarit, më 24 e 25 qershor të vitit 1943. Më 27-30 qershor të vitit 1943, Muharremi mori pjesë e u dallua për guxim e trimëri, në luftimet që u zhvilluan në Qafën e Miricës, kundër ushtrisë italiane.

Veprimtaritë e shumta e të larmishme që zhvilloi Muharrem Hasani nuk mbetën jashtë vëmendjes së pushtuesve fashistë, të cilët tentuan ta kapnin e ta neutralizonin, pse jo dhe ta asgjësonin fizikisht Atë, po të ishte e mundur. Spiunët e zellshëm e gjurmonin Muharremin këmba-këmbës dhe për çdo gjë raportonin te padroni i tyre fashist. Prandaj, më 10 gusht të vitit 1943, burri i formuar me ide komuniste, la vatrën familjare ku kishte 5 fëmijë njëri pas tjetrit, Nënën Lule dhe Memën e bukur dhe hodhi dyfekun në krah e doli partizan. Muharrem Hasani, fillimisht u radhit në formacionin luftarak të Batalionit Partizan: "Baba Abaz", i cili u formua më 10 gusht 1943, në Donije të Kalivaçit, me partizanë vullnetarë kalivaças.

Pas Batalionit: "Baba Abaz", Muharrem Hasani u rreshtua në formacionin luftarak të Brigadës së 5-të Sulmuese. Ai u ngrit në detyrën e komandantit të skuadrës dhe luftoi me trimëri e guxim të rrallë, në të gjitha aksionet dhe betejat luftarake që zhvilloi formacioni luftarak ku Ai bënte pjesë. Shokët i donte shumë Muharremi, por dhe armiqtë i urrente tmerrësisht. Si i shkolluar, Muharremi, në mal vazhdoi punën që kishte nisur me fshatarët, në Kalivaç.

Ai u mësonte partizanëve shkrim e këndim dhe ata e kishin pagëzuar: "Mësuesi i kompanisë". Në vend të dërrasës së zezë, Ai shfrytëzonte pllakat e gurit dhe në vend të shkumësve, përdorte copa guri të mprehtë. Klasa, për partizanët që mësonin shkrim e këndim ishte "nëna" natyrë.

Në operacionin armik të dimrit të vitit 1943-1944, Muharrem Hasani u shqua dhe si një qëndrestar i rrallë, me shpirt sakrifice e vetëmohimi. U desh të transferohej spitali partizan i zonës operative: Vlorë-Gjirokastër, nga Sheperi i Zagorisë, në Frashër të Dangëllisë. 250-300 partizanë të sëmurë e të plagosur, domosdoshmërisht duheshin zhvendosur në një vend më të sigurt, siç ishte Frashëri i Dangëllisë. Transferimi i tyre u krye në natën e 25 e 26 janarit të vitit 1944. Muharremi ishte në krye të kësaj pune. Të gjithë partizanët e kompanisë dhe e gjithë Brigada e thërrisnin Muharremin, komandant dhe e donin dhe e kërkonin.

Më 11 qershor të vitit 1944, Brigada e 5-të Sulmuese dhe kompania ku bënte pjesë Muharremi zhvillonin luftime të ashpra kundër forcave naziste dhe bashkëpunëtorëve, në kodrat e Mavrovës, në rrethin e Vlorës. Forcat e armikut, një natë më parë kishin zënë një pikë dominuese, në bregoret e Mavrovës, nga ku ata godisnin forcat partizane. Komanda eprore shtroi detyrën për ta kapur këtë pikë dominuese duke shporrur armikun prej saj. Detyra u shtrua që partizanët të dilnin vullnetarë dhe gatishmëria e tyre u vu në provë. Një nga një partizanët dolën vullnetarë. Nga radhët e partizanëve shpërthyen britmat: Unë dal vullnetar; jam edhe unë; gati më keni dhe mua etj. Mes vullnetarëve, ishte dhe komandanti i skuadrës, Muharrem Hasani, i cili u vu në krye të 20 partizanëve vullnetarë.

Pas një marshimi të vështirë, në terren thuajse të pakalueshëm, kolona partizane me në krye komandant Muharremin, u vendos në formacion luftimi dhe nisi sulmin, rrufeshëm kundër pozicioneve të armikut. Me breshëritë e automatikut që kishte në dorë dhe me zjarrin e granatave të dorës, Muharremi bëri që mjaft armiq të preheshin në tokë e të hanin dhe. Por, në atë betejë, ranë dëshmorë dhe 22 partizanë. Në atë përpjekje, në bregoret e Hysoverdhit, një plumb i armikut shpoi trupin e komandant Muharremit i cili ra, për lirinë e këtij vendi, për të mos u harruar kurrë.

Forcat partizane, nën epërsinë numerike dhe në mjete luftarake të armikut; thonë dhe të tradhtuara nga udhërrëfyesi i paguar, nuk arritën t’i tërhiqnin të gjithë të rënët në atë betejë, trupat e të cilëve u dekompozuan, në ato bregore mbuluar me shkurre shkoze, drize e ferrash. Në Kalivaç vajti mandata e u dha "kuja", por trupi i pajetë i Muharremit ndodhej në bregoret e Hysoverdhit, atje ku ra për liri. Kur u qartësua situata e partizanët rimorën pozicionet, Nënë "zeza" – Lule, së bashku me bashkëfshatarin Ali Demir Alidervishaj, nga Hysodosajt, shkuan në Mavrovë për të marrë kufomën e Muharrem Hasanit.

Lulja, me lotët që i rridhnin çurkë, e mbytur nga ngashërimi dhe me duart që i dridheshin, e njohu dhe e identifikoi të birin, edhe ashtu siç e gjeti: të dekompozuar. Ajo e njohu nga trikoja e leshtë, e punuar me shtiza, nga duart e saj, të cilën nuk kishte arritur as ta ngjyente dhe nga një dhëmb floriri që kishte i biri, në nofull. Lulja e Hasan Sadikut, Ali Demiri dhe hallo Melatja, një kortezh prej tre vetësh, hodhën lumin, në vah, tek Ullinjtë e Hanit dhe e prunë kufomën e trimit, të mbështjellë, në Kalivaç.

Muharrem Hasani u varros, fillimisht në qivurin e Sadiket, në mes të bahçes së madhe që quhet: "Bahçja e Dajlanit" dhe, kur u ndërtuan varrezat e dëshmorëve, në Tepelenë, eshtrat e tij u rivarrosën atje, pranë shokëve të idealit. Pas çlirimit të vendit, Muharrem Hasani u shpall Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare dhe u dekorua me urdhra e me medalje trimërie. Populli, siç u këndon trimave, i ngriti e i këndoi Muharremit një këngë e cila i bën jehonë jetës dhe veprës së tij të lavdishme. Teksti i këngës është:

"… Ysoverdhi, n’ ato maja: lule-lule Muharrem;
E rreh topi dhe murtaja: lule – lule Muharrem;
Se ç’të ra murtaja pranë: Lule-lule Muharrem;
Të mori këmbën dhe kranë: Lule-lule Muharrem;
I pyeti Sulua me radhë: Lule-lule Muharrem;
Kush është skuadërkomandantë: lule-lule Muharrem;
E kam kushëri të parë: lule-lule Muharrem;
Atë Muharrem Hasane: lule-lule Muharrem…"

Muharremi la në vatër 5 fëmijë e doli partizan. Ky është një rast i rrallë në luftën tonë partizane. Fëmijët e tij u rritën e u veselitën, sot, numërohen me dhjetëra pinjollët e asaj familjeje dhe i gjen në të gjitha vendet e Globit.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Sami Musa Nelaj, 1926-1943, Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare.

"… Rruga e luftës është plot rreziqe e sakrifica, por ne jemi të vendosur të ecim në këtë rrugë, sepse vetëm kjo do të na japë fitoren e plotë…". Këto fjalë kishin zënë vend në mendjen e djaloshit çapkën Sami Musa Nelaj dhe gjetën shprehje edhe mes shokëve të tij partizanë.

Sami Musai, i lindur në një familje të varfër fshatare, në fisin Nelaj, u rrit, me pekule, si djali i parë i familjes së Musa Mehmetit, i cili erdhi në jetë pas dy vajzave: Mushos dhe Velidesë. Samiu, që në fëmijëri, kur luante me bashkëmoshatarët, te Kryeja e Shtëpisë dhe në të gjithë veprimtarinë e tij fëmijërore, shpalosi zgjuarsinë dhe shkathtësinë natyrale. Shkathtësia e papërmbajtja dhe prirja për të mësuar e veçonin nga të tjerët, fëmijën Sami Musain. Disa herë, Samiu bëhej i bezdisur për kushërirat e tij, të cilave u shkulte flokët. Prindërit, Nënë Hysnija dhe Baba Musai, duke parë prirjen e djalit të tyre për të mësuar dhe për të shmangur telashet që Ai shkaktonte brenda fisit, e shpunë Atë në Sarandë, në konviktin "Çamëria", te dajua i tij ku përfundoi arsimin plotor.

Në bankat e shkollës, Samiu ra në kontakt me idetë përparimtare të kohës dhe përqafoi idenë e çlirimit të vendit nga okupatorët fashistë. Urrejtja pa kufi ndaj pushtuesve dhe veglave të tyre dhe dëshira e zjarrtë që i vlonte në gji, për ta parë Atdheun të çliruar, bënë që Samiu të braktiste bankat e shkollës e të hidhej në zjarrin e luftës për liri.

Aksioni i parë luftarak ku u vunë në provë vlerat e Samiut ishte Demonstrata e Bukës e banorëve të qytetit të Vlorës, më 4 mars të vitit 1942, të cilën e udhëhiqnin komunistët dhe personalisht biri i Tërbaçit me traditë luftarake – Hysni Kapo (Besniku). Hynte e dilte në qytet, Samiu, me një çantë sanitare në shpinë, mbi të cilën shquhej një kryq i kuq, i madh. Në ilegalitet, Samiu, i maskuar si infermier, shpërndante komunikata komuniste dhe transmetonte mesazhe e informacione luftarake të domosdoshme, duke lidhur partizanët me guerrilasit që vepronin në qytet, nën drejtimin e Partisë Komuniste.

Spiunët e ndiqnin, me dyshim, veprimtarinë e kalivaçasit 16-vjeçar. Veprimtaria e tij revolucionare ra në sy të pushtuesve fashistë, të cilët tentuan ta kalonin Atë në anën e tyre. Fashistët i ofruan Samiut dhe shokut të tij – Bilal Qazimit, veshje milici fashist dhe armë vetjake. Djemtë e zgjuar nga Kalivaçi i Tepelenës, të cilët e urrenin për vdekje fashizmin, me neveri, flakën uniformën që u ofruan fashistët dhe, me armët që i pajisën pushtuesit, dolën partizanë. Sami Musai, më 5 qershor të vitit 1942, u bë anëtar i çetës partizane "Ismail Qemali" ku mori përsipër detyrën e Sekretarit të Organizatës së Rinisë komuniste të këtij formacioni luftarak vullnetar.

Si njeri me moshë të re, i zgjuar, i shkathët e i arsimuar, Samiut, shpejt iu ngarkua detyra e komandantit të skuadrës mitraliere, ajo e intendentit dhe e infermierit të kompanisë. Kur u formua Brigada e 5-të sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Çeta "Ismail Qemali" ku bënte pjesë Sami Musai, u bë një nga formacionet më luftarake të saj.

Sami Musa Nelaj mori pjesë në të gjitha luftimet e Brigadës së 5-të sulmuese ku u shqua për guxim e trimëri dhe për iniciativë luftarake.

Më 14 shtator të vitit 1943, në bregoret e fshatit Mavrovë, të rrethit të Vlorës, u pleks një luftë e ashpër, mes forcave partizane dhe atyre fashiste, italiane. Në këtë betejë Samiu luftoi me heroizëm, me mitralozin e tij, nga një kokojkë që dominonte rajonin, derisa iu mbaruan fishekët. Ishte vetëm 16 vjeç kur ra heroikisht në këtë betejë të pabarabartë.

Nënë Hysnija trimëreshë, xha Musai, atdhetar i shquar dhe luftëtar me përvojë dhe hallua e tij Melatja, e morën kufomën e tij, nga Mavrova, ku e kishin varrosur shokët, të cilët, varrin e tij e kishin rrethuar me mjete rrethanore, ku shquhej për identifikim një llamarinë e bardhë. Kufoma e tij u rivarros, në varrezat e fisit, në mëhallën Ahmetaj dhe kur u ndërtuan varrezat e dëshmorëve të rrethit të Tepelenës, u rivarros, atje ku ndodhet edhe sot. Pas çlirimit të vendit, Sami Musa Nelaj u shpall Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare dhe familja e tij - familje dëshmori. Mbi oxhakun e konakut të miqve, në shtëpinë e Musa Mehmetit, për shumë vite qëndroi e varur një patiçkë e prodhimit italian, me të cilën Samiu kishte luftuar. Arma trofe, thonë se u gjend në fshatin Luzat të Tepelenës; atë e dorëzoi një bashkëluftëtar i Samiut.

Kur u ngrit Muzeu i rrethit të Tepelenës, patiçka e Samiut u ekspozua si relike me vlerë. Nëna e Samiut, Hysnija kapedane, e cila matej me burra të ndjerë, në fjalë, në raki dhe e pinte duhanin me çibuk, një tufë flokësh nga koka e të birit, e mblojti në gji, sa ishte në jetë. Për ta kujtuar përjetë dëshmorin, vëllai i vetëm i Sami Musait, Mehmet Musai, i vuri emrin Sami, të birit - Sami Mehmetit, emër të cilin ky e mbuloi me nderim e me krenari të ligjshme.

Populli i Kalivaçit i këndoi Sami Musait, dëshmorit 16-vjeçar, jo një, por dy këngë. Njëra syresh kishte këtë tekst:

"… Seneja dyzetetre;
Sami Musai – lule;
Sami, kur vajte në Vlorë;
Sami Musai- lule;
More dhipllon, për doktorre;
Sami Musai-lule…"

Kënga tjetër përshkruan dhënien e mandatës prindërve të tij dhe dhimbjen e tyre:

"… Vjen korrieri që nga Vlora;
E dërgon shoku Hysni;
Kush është Musa Mehmeti?
Ku e ka atë shtëpi?
Do t’i japim një mandatë;
Është vrarë djali i tij;
Mjerë Nëna me Babanë;
Që s’të panë dot me sy…"

Këngët kaluan gojë me gojë e jehuan në hapësirat kalivaçase, por jo vetëm. Familja e Tij, si familje dëshmori dhe çerdhe atdhetarie, ishte e mbeti nga më të preferuarat në Kalivaç të Tepelenës.

I paharruar qoftë kujtimi i atij trimi zemërluan!

Bilal Qazim Malaj - 1925-1943; Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare; Partizan i Brigadës së 5-të Sulmuese.

Fjalët e fundit të Bilal Qazimit ishin: "Përpara! Luftoni, shokë, se jam e do të jem me ju, edhe në Shqipërinë e lirë. Si era do të bredh këtyre korijeve ku po jap jetën, sot. Rroftë Partia Komuniste Shqiptare! Rroftë populli ynë! Rroftë Liria!"

Pushtimi fashist i vendit, 7 prilli i vitit 1939 e gjeti Bilal Qazimin 14 vjeç. Për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike të familjes, e cila ishte tejet e varfër, Bilali ishte i detyruar të punonte hyzmeqar te të kamurit e fshatit Kocul të rrethit të Vlorës dhe më pas punoi në shoqëritë italiane, të cilat operonin në Vlorë.

Pas formimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Bilali u bë propagandist i përhapjes së ideve përparimtare të kohës, sidomos të atyre që synonin çlirimin e vendit nga pushtuesit me luftë çlirimtare. Ai shpërndante trakte komuniste dhe komunikata që synonin sqarimin e punëtorëve për qëllimet e Luftës Çlirimtare. Bilali kryente punë të rënda, por më 27 janar të vitit 1943, ai zëvendësoi kazmën dhe lopatën me të cilat punonte, me pushkën partizane, të cilën e hodhi në krah dhe e mbajti me nder, deri në fund të jetës së tij rinore. Bilali, fillimisht u rreshtua në Çetën Partizane "Selam Musai" së bashku me 13 bashkëfshatarë të tij, nga Kalivaçi i Tepelenës. Më vonë, Ai u rreshtua në radhët e Batalionit Partizan "Baba Abaz". Me formimin e Brigadës së 5-të Sulmuese, Bilal Qazimi u bë luftëtar me peshë i saj.

Më 2 dhjetor të vitit 1943, në luftimet e ashpra mes forcave të kësaj Brigade dhe forcave të shumta gjermano-balliste, në fshatin Gjorm të rrethit të Vlorës, Bilali ndodhej në të njëjtën llogore me Komandantin e Brigadës së 5-të Sulmuese Abas Shehu, i cili mbante pseudonimin "Flaka" dhe e kishte përzgjedhur Bilalin, korrier të tij. Në këto luftime, Bilal Qazimi ra heroikisht dhe korrieri partizan, djali i zgjuar e i shkathët nga Kalivaçi i Tepelenës, Bilal Qazim Malaj, mbeti atje, në Gjorm, së bashku me Komandantin e sapoemëruar të Brigadës së 5-të sulmuese.

Pas çlirimit të vendit, Bilali u shpall Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare dhe familja e tij mori statusin e familjes së dëshmorit. Varri i tij ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve të rrethit të Tepelenës. Populli i Kalivaçit, për të përjetësuar kujtimin e djalit të tij, thuri këngën:

"… Ishte vjeshta në të dalë;
Lule – lule, o Bilal;
U nise tok me Abaze;
Lule - lule, o Bilal;
Korrier - Batalioni i Parë;
Lule - lule, o Bilal;
Të ranë dy murtaja pranë;
Lule - lule, o Bilal;
E para mori Abaze;
Lule - lule, o Bilal;
E dyta mori Bilale;
Lule - lule, o Bilal;
Vajtën Nënës e i thanë;
Lule - lule, o Bilal;
Mos ma thoni atë fjalë;
Lule - lule, o Bilal;
Unë, djalin e kam të gjallë;
Lule - lule, o Bilal;
E kam nisur partizane;
Lule - lule, o Bilal…!"

Shënim: Të dhënat për monografitë e Dëshmorëve të Kalivaçit të Tepelenës u nxorën nga Historiku i fshatit Kalivaç të Tepelenës, të vitit 1985, me ndonjë redaktim nga autori i këtij shkrimi, pa prekur përmbajtjen.

Materialet i qëmtoi e i paraqiti Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças - autokton.

Në Tiranë, qershor 2018.