I lindur në një familje fisnike të njohur për trimëri e atdhetari, xha Muharremi u rrit në një mjedis kalivaças, ku kryefjalë janë trimëria, burrëria dhe besa. Shtëpia e Mehmet Qazos, në Hysodosaj, si të gjitha shtëpitë (familjet) e fisit, të mëhallës e të fshatit mbarë, ka qenë derë miku e shtëpi bukëdhënë. Ajo ndodhej në fund të Bregut të Hysodosajve, pranë Çesmës së Halilet, disi e shkëputur nga shtëpitë e tjera të fisit e të mëhallës.

Nga kjo familje dhe nga fisi i Ramajve dolën jo vetëm çobanë esnafë e burra trima si Kalo Qazua dhe lundërtarë të guximshëm si Hasan Ramua dhe pas tij Gani Muharremi, të cilët mateshin me egërsinë e lumit tonë dhe me të papriturat e punës së lundërtarit, por dhe burra shteti të ndjerë si oficeri madhor i Ushtrisë Mbretërore - Zoto Halili, përhapës të diturisë, si Halil Zoto Ramaj, trima të orëve të para si Sinan Hasani; këngëtarë me zë bilbili si Klodiani etj.

Muharrem Mehmeti ishte një burrë i mençur, i zgjuar e trim, i cili, për gati 30 vjet, ishte kryeplak i fshatit Kalivaç të Tepelenës. Ai u lind në Kalivaç të Tepelenës, rreth viteve 1874-1875; në kohën kur Shqipëria ishte nën sundimin e osmanëve, shteti i të cilëve shtypte e shfrytëzonte mizorisht bashkëfshatarët e Muharremit. I rritur në një mjedis të shëndoshë atdhetarësh, në rininë e tij, Muharremi provoi egërsinë e shfrytëzimit në dhe të huaj, kur ishte emigrant dhe punonte në minierat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Muharrem Mehmeti, nën ndikimin e faktorëve të brendshëm dhe gjenit që ziente në dejet e tij, u mëkua me ndjenjën e urrejtjes për pushtuesit e huaj dhe për shfrytëzimin që ata i bënin popullit fukara. Në zjarrin e luftërave për mëvetësi e për çlirim kombëtar, u vu në krye të vullnetarëve të fshatit Kalivaç, që u vendosën në krah të Plakut të Vlorës, Ismail Qmalit, në vitin 1912 kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë. Në vitin 1920, ai, me armë në dorë, u radhit në taborin e Tepelenës që udhëhiqej nga Selam Musa Salaria, në Luftën e Vlorës.

Atdhetarizmi e thirri Muharrem Mehmetin të dilte në krah të Republikës e në mbrojtje të Qeverisë së Fan Nolit, në vitin 1924, kur forcat regresive të kohës synonin ta mbytnin që në djep "foshnjën e sapolindur". Bazuar në tiparet vetjake ku prevalonin mençuria, burrëria dhe vizioni i përparuar, Kalivaçi e zgjodhi kryeplak të vetin, jo vetëm një herë. Xha Muharremi, me fjalën e menduar mirë e me qëndrimet e drejta që mbajti për zgjidhjen e mjaft çështjeve serioze që shqetësonin komunitetin, shpejt u bë njëri nga personalitetet më me peshë të Kalivaçit të Tepelenës. Xha Muharremin e gjeje në qoshen e mikut, në çdo shtëpi ku bëhej dasmë e gosti, në oda burrash e në kuvende ku shtroheshin për zgjidhje halle të mëdha.

Muharrem Mehmeti e donte shumë Kalivaçin dhe popullin e tij, prandaj punonte, me mish e me shpirt, për zgjidhjen e halleve të shumta të tyre, përfshi shuarjen e sherreve banale, për pajtimin e mërive dhe për çështje të tjera jetike. Të gjithë kalivaçasit e donin, e nderonin dhe ia dëgjonin fjalën. Fjala e Tij, në Kalivaçin e asaj kohe, kishte vlerën e ligjit.

Pushtimi fashist i vendit preku thellë dhe lëndoi sedrën liridashëse të luftëtarit të regjur për mëvetësi dhe për lirinë e vendit, gjë që e hodhi Atë pa rezerva në anën e çlirimtarëve. Dy djemtë e tij, Ganiu dhe Barjami, u radhitën në formacionet luftarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, deri në çlirimin e plotë të vendit. Vetë xha Muharremi u zgjodh në Këshillin Nacionalçlirimtar të fshatit, ku ishte tepër aktiv. Roli i tij ishte pozitiv dhe në të mirë të qartësimit të bashkëfshatarëve për të zbërthyer, në detaje, qëllimin dhe objektivat e Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe për mobilizimin e të rinjve dhe hedhjen e tyre në radhët e Ushtrisë Partizane.

Vlerat e xha Muharremit dhe peshën e fjalës së tij nuk i njihnin vetëm kalivaçasit e lidhur ngushtësisht me idetë e Luftës Çlirimtare, por dhe kundërshtarët e kësaj lufte. Trimi me gjak atdhetari, një ditë, në moshën e tretë u ndodh përpara një të papriture të madhe, pa rrugëdalje tjetër, e cila i kushtoi jetën. Muharrem Mehmet Ramaj ra trimërisht, me armë në dorë, siç ia donte nderi i tij, i familjes dhe i fisit; ashtu siç dinë të bien kalivaçasit; burrërisht e siç dinë të bien trimat, për Lirinë e Atdheut. Po cilat ishin ato rrethana tepër të vështira e pa rrugëdalje tjetër?

Siç është e njohur historikisht, më 25 korrik të vitit 1944, në fshatin Dukaj të rrethit të Tepelenës, u zhvillua një betejë e ashpër, ku gjaku u derdh si lumë, midis forcave partizane të Brigadës së 6-të Sulmuese dhe një grupimi të madh gjermano-ballist, e cila përfundoi me shpartallimin e plotë të këtyre të fundit. Një bandë e përbërë nga 10 mercenarë dhe nga 2 gjermanë depërtoi nëpër rrjedhën e Vjosës, duke shfrytëzuar errësirën e natës; mëngjesi i 26 korrikut të vitit 1944 i gjeti në Donije të Kalivaçit.

Ishte koha kur fshatarët ishin në "pikun" e punimeve bujqësore të stinës. Ata korrnin dhe shinin grurin në arë dhe natën zakonisht e kalonin pranë lëmenjve të shirjes apo në parcelat e grurit. Fusha e mëhallëve të Pusit ishte e populluar nga të paktën 200 burra e djem të rinj, të cilët, në degë të pemëve, krahas torbës me bukë e me qepë dhe një botili me dhallë brenda, kishin varur dhe armën vetjake, për të mbrojtur nderin dhe pronën.

Pjesëtarët e bandës së armatosur, prej 48 orësh, nuk kishin vënë ushqim në gojë dhe ishin mjaft të uritur. Uji i ftohtë i burimeve të Donijes që pinë për të shuar etjen, ua shtoi më tepër urinë. Ata kërkonin bukë, për të larguar urinë që i kishte kapluar. Tek burimet, në Donije, banditët gjetën një djalë nga Kalivaçi, i cili nuk i kishte kaluar 18 vjetët.

Ai po gjuante peshq, me pushkë dhe kishte me vete një gomar, të ngarkuar me 2 buçela druri, me qëllim që të mbushte ujë të freskët, për familjen. Siç u mësua, djali i ri quhej Haki Sulo Sulaj, i biri i luftëtarit të shquar Sulo Beqir Sulaj, një sakat natyral, i cili çalonte nga të dyja këmbët. Hakiu, i lindur i tillë, rridhte nga soj trimash. Babai i tij, Sulua, ishte komandant i njësive partizane.

Ai ishte trim me fletë dhe trimërinë e kishte shpalosur në disa luftëra, për mbrojtjen e trojeve amtare dhe për mëvetësinë e Shqipërisë. Fati e kishte dënuar Hakinë të lindte sakat, por ai kishte ngjarë nga i ati e nuk binte lehtë në kurth ose, siç kanë thënë në Kalivaç, "nuk e hante thatë".

Banditët vendosën ta shfrytëzonin sakatin, për t’i çuar në ndonjë shtëpi në periferi të mëhallës, ku të mos kishte shumë njerëz. Djali i kapur peng duhej të shkonte brenda shtëpisë e të kërkonte bukë për të pangrënët, kurse ata do të bënin roje. Hakiu, me zgjuarsi e me dredhi, i çoi banditët tek shtëpia e Muharrem Mehmet Ramaj, e cila ishte në fund të mëhallës dhe i plotësonte kërkesat e banditëve. Hakiu, nga ana e tij, dinte ku i shpuri të uriturit.

Në shtëpinë e xha Muharremit ishin vetë ai, i moshuar, dy nuset e djemve partizanë, një vajzë adoleshente dhe 2 fëmijë. Kasollja e xha Muharremit ishte larg nga shtëpitë e tjera të mëhallës Hysodosaj. Ja si e shpjegon këtë ndodhi i moshuari Selman Z. Islami, nga fshati Çorrush, i rrethit të Mallakastrës, në gazetën "Zëri i Popullit" të datës 6 gusht 2010:

"… Plaku drodhi cigaren e dytë, e ndezi dhe po shikonte se si po flinte djali (i afërm i plakut, që kishte ardhur nga njësiti partizan ku bënte pjesë, me leje), ashtu si qengj dhe thoshte: ‘Ah djalëri, djalëri, ku je?’, sepse ai, për moshën dhe natyrën e tij, vuante për gjumë. Në këtë moment, dëgjohet një zë nga jashtë: ‘O xha Muharrem, o xha Muharrem!’ Plaku u ngrit dhe, për të mos i prishur gjumin djalit, nxori kokën në dritare dhe u përgjigj me atë fjalën karakteristike të atyre anëve: ‘Lepe! Kush është? Dil!’

‘Dil pak te dera’ - erdhi përgjigja nga jashtë. Kur doli tek dera, shikoi se ishte Haki Çalua, djali i lagjes, hipur mbi gomarin e ngarkuar me buçelat e ujit. Mercenari, siç u mësua më vonë, ishte shtrirë pas një rrënje trëndafili, me pushkën gati për zjarr dhe plaku nuk e pa.

‘Ç’kemi, mor Haki, që na erdhe në këtë kohë dhe nuk po zbret nga gomari; çfarë të ka ndodhur?’ Hakiu përgjigjet se nuk ka ndodhur asgjë, por kanë ardhur disa njerëz e duan bukë. Plaku e pyet se ç’janë ata njerëz; janë partizanë apo çfarë janë? Hakiu i thotë: ‘Nuk janë partizanë, por më duket ballistë dhe xhandarë.’ Plaku bëri një hap brenda derës, rrëmbeu pushkën që e kishte varur në mur, doli dhe i tha Hakiut: ‘U thuaj atyre ballistëve a xhandarëve, çfarë janë, të dorëzohen, se për ata nuk ka bukë më, por vetëm plumba; puna e tyre tashmë mori fund.’ Dhe ashtu, me pushkën gati për zjarr, bëri të lëvizë përpara.

Në këtë moment, mercenari që, siç më thanë, ishte shtrirë përtokë dhe me pushkën gati për zjarr, e qëlloi drejt e në kraharor dhe plaku i nderuar u shtri, gjysmë jashtë e gjysmë brenda derës… Me të dëgjuar krismën, fshatarët e Kalivaçit që punonin në fushë lanë punët, rrëmbyen armët dhe asgjësuan bandën".

Muharrem Mehmet Ramaj u përcoll, siç e meritonte; siç përcillen ata që bien për të mbrojtur vatrën, nderin e familjes, të fisit, të fshatit Kalivaç dhe të Atdheut. Varrimi i tij fillimisht u bë në Hysodosaj, pranë të tijve, me nderime, siç e meritonte. Pas shumë diskutimesh e peripecish protokollare, Muharrem Mehmet Ramaj u shpall "Dëshmor i Atdheut" e sot renditet mes 10 yjeve të pashuar të fshatit Kalivaç të Tepelenës.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, qershor 2018.