Monografi kushtuar kalivaçasit të thjeshtë Xhemal Idriz Ago

Brezat, përcjellin njëri-tjetrin. Njerëzit; gjithashtu. Secili, bart e lë pas, gjurmët e historisë që ka shkruar vetë. Dihet, gjëja e tjetrit nuk i ngjitet askujt. Ajo është e tij dhe vetëm e tij. Kështu ndodh dhe në historitë njerëzore, të cilat nuk i ngjajnë njëra-tjetrës.

Këtu e ka bukurinë jeta. Sa mirë e kanë përcaktuar këtë mendtarët popullorë anonimë: "Çdo berr varet prej këmbëve të tij"! Vend për koment nuk mund të ketë. Në jetën e një njeriu, karakteri i tij, u vë vulën gjithë tipareve të personalitetit. Ai formohet dita-ditës e pak nga pak, nën ndikimin e faktorëve natyrorë dhe të atyre shoqërore. Vija që formon një karakter i qëndrueshëm, shpesh ravijezohet si një trajektore në ngjitje.

Nuk mund të jetë ndryshe. Në Kalivaçin e dikurshëm, njerëzit, kur bënin fjalë për karakterin e një njeriu, përsëritnin, jo pa të drejtë sloganin: "Siç e nisi; e bitisi", gjë që ka të bëjë me pandryshueshmërinë e karakterit.

Monografia me të cilën do të njiheni më tej, është e një kalivaçasi të thjeshtë, autokton, njërit nga njerëzit më të zakonshëm të fshatit tonë të bekuar. Jeta e tij, nuk ishte e qetë por; vrulli i saj pati një trajektore origjinale ku, mbi të gjitha tiparet e karakterit të tij, spikati të qenit njeri i drejtë, i ndershëm, bujar e i gëzuar. Për këto, e për mjaft tipare të tjera të atij burri, Xhemal Idriz Ago si dhe të tjerët bashkëfshatarë tanët, nuk duhen harruar. Çfarë them? Asnjeri nuk e meriton harrimin, pavarësisht nga kontributet që ka dhënë. Me vlerë është kur bëmat e njërit e të tjetrit shkruhen; siç kanë ngjarë.

Atëherë dhe autori i tyre mbetet i përjetshëm. Do të dalë dikush të më kritikojë, me argumentin e pakundërshtueshëm se: "X" apo "y", ka lënë pasardhës, të cilët nuk e harrojnë. Kjo është e drejtë, por, po kaq e pakundërshtueshme është dhe aksioma se jeta e një njeriu është e kufizuar në kohë dhe asnjeri nuk e gëzon privilegjin e të qenit i përjetshëm. Individët, siç vijnë në jetë njëri pas tjetrit, përsëri largohen nga skena e historisë e mbetet vetëm kujtimi i tyre. Ndodh kjo, për arsyen e thjeshtë se vetëm komuniteti dhe historia e tij e shkruar jetojnë përjetësisht. Madje, siç dëftojnë zbulimet arkeologjike të kohëve të fundit, Kalivaçi ynë i bekuar është nga ata fshatra të rrallë, jeta e të cilëve matet me epoka kohore.

Xhemal Idriz Ago (Familja e ka pasur mbiemrin Varfi, por ka mbizotëruar Ago ose Agaj, siç është zakoni me mbiemrat tanë, ku në fund u shtohet një "aj"), u lind në mëhallën Bozanaj të Kalivaçit të Tepelenës, në vitin 1933. Ardhja e tij në jetë ndoshta ka ngjarë 2-3 vjet më parë, por, në atë kohë, mosha e lindjes së djemve pakësohej qëllimisht, në mënyrë që ata të mos rekrutoheshin përkohësisht në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Gjithsesi, në dokumentet zyrtare, kjo është data e tij e lindjes.

Nëna që e solli në jetë, quhej Selvi. Një emër ky simbolik, i cili është simbol i një druri dekorativ, me bukuri të rrallë e me elegancë të pashoqe. Ajo ishte fisnike nga rrënja - bijë në Amanikaj e mbesë e Baba Kasos, të Koshtanit të Tepelenës; një grua e zonja, për fëmijët e saj, për shtëpinë që menaxhonte; për miqësinë dhe për bashkëshortin e saj, Idriz Agon, me të cilin shkoi jetën. Baba i Xhemalit, ishte Idriz Agua; një burrë i gjatë, si lastar kavaku; më shtatlarti burrë i Kalivaçit. Të dy, si Nënë Selvia dhe Baba Idrizi ishin autoktonë, të së njëjtës trevë.

Dera ku u lind e u rrit Xhemali ishte derë fisnike dhe e para në Kalivaç, e cila shërbente si "portë" hyrëse e fshatit. Ishte e para jo për nga pozicioni gjeografik në hyrje të fshatit por nga "pesha" që mbante. Idrizi u përfill vonë për të formuar familje. Ai, për shkak të qëndrimit të tij jashtë Shqipërisë së sotme, sa në Izmir (Turqi), në Sarajeve (Bosnje- Hercegovine) si nëpunës i perandorisë osmane, u lidh me Selvine, në moshë të rritur, rreth 40 vjeç dhe pasi u kthye në Kalivaç. Duhet thënë se martesa e djemve kalivaças të asaj kohe, si rregull bëhej në moshën para të njëzetave; me Idriz Agon ndodhi ndryshe.

Xhemali ishte i katërti fëmijë në radhë, në vazhdën e të lindurve nga çifti: Selvi e Idriz Ago. Serinë e fëmijëve të këtij çifti e çeli Zenepja. Sipas traditës, trendi kalivaças e donte që fëmija i parë të ishte djalë, por, kur u lind vajzë, Nëna e re - Selvija dhe Baba Idrizi nuk e "prishën zemrën" e nuk e dhanë veten. Kërkuan djalë e ai u erdhi. I dyti erdhi në jetë Veliu e pas tij Metua hallemadhe. Xhemali ishte i katërti i fëmijëve të çiftit: Selvi e Idriz Ago. Pas tij, erdhi në jetë Nurishaja gjithë nur, e cila e pati jetën të zezë. Ajo, mbasi përcolli tre djem për në botën tjetër; kohët e fundit u nda dhe vetë nga jeta, e pikëlluar.

Jeta dhe fati i fëmijëve të Idriz Agos qenë të ndryshëm. Po t’i referohemi historisë së atij trualli, njerëzit e tij në udhën e jetës, herë kanë pasur ngjitje e shtesë natyrale; herë të tjera kanë përjetuar fatkeqësi e mërzi, si rrallë ndonjë fis tjetër në Kalivaç të Tepelenës. Vajzat e atij pragu, siç ishte tradita, sapo shkelnin në të trembëdhjetat, tek dera kishin lajmësin, i cili kërkonte t’i shpinte ato, me ngutësi, tek burri, pavarësisht se ato nuk ishin rritur e pjekur për këtë "status" dhe nuk ia kishin idenë shtëpisë, fshatit dhe burrit ku do të shkonin nuse. Zenepja, më e madhja nga fëmijët, vajti nuse në Izvor, ku u martua me Tahir Brahim Rucin. Ajo u nda nga jeta në moshën 90 vjeçe dhe la pas djem, vajza, nipër, mbesa e stërnipër. Veliu, i dyti në radhë, kaloi kalvarin e Luftës Partizane, shërbeu në ushtri, në detyrën e oficerit, u martua me fisniken Hanë, nga Dorza e Tepelenës, me të cilën u lindën 7 fëmijë.

Mirëpo vargu i fatkeqësive, tek ajo shtëpi, vazhdoi; Veliu, u nda nga jeta, mjaft i ri, në vitin 1976. Bashkëshortja e tij, e mira Hanë, banon në Tiranë, tek i biri - Besniku, i cili u qëndron besnik idealeve të babait të tij dhe është i nderuar, në fis, në shoqëri e në komunitetin ku jeton. Në një vështrim të sipërfaqshëm, mund të cekim një varg fatkeqësish që kanë ngjarë tek vatrat e fisit Brehamaj, siç i njohin mëhallaxhinjtë e tyre, në kohë të ndryshme. Sali Agua, i vëllai i Idrizit, u vra në ditën e dasmës së tij, e ajo u kthye në mort. Teme Agua, vëllai tjetër, vajti në kurbet, në Turqi e nuk u kthye; Sheme Agua, vëlla edhe ky i Idrizit, u vra në një aksident, në punë, në vitet e Luftës së Parë Botërore ose të Italisës së parë, siç thuhej rëndom. Metua, fatkeqe, u martua tri herë, por nuk u bë dot nënë; Bilal Qazimi, djali i motrës së Idriz Agos, ra Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar; Shaza, motër e Selvise, e martuar me Nazif Muharrem Dostaj, u nda nga jeta 40 ditë pas lindjes së parë etj. Shumë kanë ikur nga kjo jetë, nga pjesëtarët e atij fisi, por më shumë kanë ardhur në jetë.

Në ditët tona, ky fis është kthyer në një komunitet të madh por të shpërndarë në mjaft vende të Shqipërisë dhe të botës. Për t’u theksuar është një fakt: Në Kalivaç, në trojet e fisit, aktualisht banon vetëm Shyqyri Ago, i biri i Veli Idriz Agos, i cili, jo vetëm që mban lart traditat e mira të atij trungu të ndier e bujar, por dhe pret e përcjell, me bujarinë e shpirtit si det, të gjithë të larguarit që janë të malluar për vatrën ku janë lindur e ku u mëkëmbën.

Jeta e Xhemal Idrizit u shtri në dy shekuj. Ai provoi gjatë jetës, gjithë privilegjet dhe prapësitë që i rezervoi fati. Si fëmijë i katërt i familjes, Ai u rrit "nëpër këmbët" e më të rriturve dhe me të veçantat e atyre trojeve. Xhemali ndjeu përkëdheljet e Nënës e të Babait dhe të familjarëve të tjerë, më të rritur por, dhe ndonjë dackë, kur gabonte, ndonëse ishte fëmijë i mbarë. Nga shtati, vërtet nuk u rrit shumë, si prindërit e tij dhe si vëlla Veliu, por në kraharorin e tij rrihte një zemër e madhe dhe një shpirt i mirë. Fëmijërinë, Xhemali e përcolli, pranë prindërve, në shtëpinë përdhesë aty ku u lind, ku u lidh e u përkund në djep druri, ku u mbështoll me shpërgenj leshi e u fiksua me breza leshi, si gjithë moshatarët.

Herët, që në fëmijërinë e hershme, tek Xhemali i vogël u dukën disa tipare karakteristike, si në shtëpi, kur luante nëpër avllinë e madhe dhe kur bëhej tok me shokët nga mëhalla, për të luajtur lojëra të moshës, si lodra me cingla, dërrakthi, syllambyllazi, kala dibrançe, gjuajtjet me hobe, loja topagropthi, dokthi, korroile, ngritja e grackave etj. Djali i dytë i xha Idrizit veçohej nga bashkëmoshatarët e tij, për aftësitë e tij retorike, për urtësi, sjellje të mira dhe sidomos si shpirtmirë. Aftësia e tij për të folur gjatë, për të treguar histori tërheqëse e për të mbajtur me muhabet një odë të tërë, i fali atij edhe respektin e bashkëmoshatarëve por dhe "nofkën" miqësore, "oratori".

Pa e ngarkuar materialin me të thëna e të përsëritura, nuk mund të rri pa tërhequr vëmendjen, në dy çështje kryesore të cilat rrjedhin vetiu, nga thellimi në gjykimin e të dhënave biografike të Xhemal Idrizit, paraardhësve dhe të prasmëve të tij. Ato që dua t’ju them, vërtet janë detaje nga jeta e tij, por pesha e tyre, i kapërcen kufijtë e një vlerësimi të zakonshëm. Ato që dua të ndaj me ju, lexues të nderuar, mund të përmblidhen si vijon:

E para; Dera e Brehamajave, siç e quajnë sot e kësaj dite mëhallaxhinjtë (Brehamaj, ngaqë gjyshi i Idriz Agos, quhej Breham), në Bozanaj të Kalivaçit të Tepelenës, ka qenë dhe mbetet e fisme. Vështroni pozicionin e saj gjeografik, të vendosur si "portë" në hyrje të mëhallës e të fshatit. Ajo, ka qenë e mbetet derë e parë. Jo nga pozicioni i vendosjes gjeografike, por, sidomos për rolin që ka luajtur në jetën e komunitetit kalivaças. Le të përpiqemi ta çojmë më tej këtë mendim: Një rrugëtar, sidomos nga ata që rrugën e bënin në këmbë, mbasi kishte kapërcyer brigje e kishte përshkuar shumë monopate, kur nga rruga e gjatë e nga vapa, i ishte pjekur pështyma e i ishte tharë buza, për një pikë ujë. Rrugëtari, i afërm i shtëpisë apo dhe i panjohur për familjarët, pa trokitur fare në portë, mjafton të fliste, nga udha që qarkonte avllinë e madhe dhe nga dera e shtëpisë dilte një grua, me sapllak të mbushur me dhallë në dorë, të cilën ia ofronte kalimtarit, i cili "merrte vlagë" për të vijuar udhën.

Nuk e thashë më kot shprehjen se kalimtari mund të ishte edhe i panjohur. Në këtë mes, na tërheqin vëmendjen jo një, por disa vlera të larta me natyrë thellësisht njerëzore. Fisnikëria është e para dhe e domosdoshme, por nuk është e vetmja. Në këtë rast kemi të bëjmë me bujarinë e shpirtit që shpreh traditën e kësaj shtëpie miku. Hollë-hollë, shfaqja konkrete ka të bëjë me emancipim shoqëror të asaj pjese të popullsisë që ishte më e prapambetur dhe më e shtypur; femrës. Kjo dukuri, ka nevojë të analizohet me dashamirësi, jo me keqdashje.

Ninija e Ago Muharremit - Ago Muharremi ishte djali i vëllait të Idriz Agos, Muharrem Agos - një grua për kokën e gruas, kur kaloja poshtë shtëpisë së saj, nën atë faqe bregu e më pikaste, dilte tek arra në majë të bregores e më thërriste: "Të keqen nëna, ngjitu pak, se të do nëna"! Kur ngjitesha tek ishte Ajo, mbasi më puthte me dashuri e me mall nënë, më thosh: "Merre këtë grusht me arra, apo këtë dorë me bajame, këtë copë varg me fiq, disa kokrra shege, ndonjë ftua etj"; të cilat i kishte mblojtur për të dashurit e zemrës, dhe, kur largohesha, prej saj, më jepte porosi, për të bijën, Jeminene, e cila banonte e banon në Tiranë. Nuk i theksova më kot: Fisnikërinë, bujarinë dhe mikpritjen e asaj dere të madhe.

Fisnikëria nuk blihet me para; as nuk është mall që të shitet, në treg; ajo buron nga geni e transmetohet nga njëri brez, në tjetrin. Në ditët tona, njëri nga djemtë e Xhemalit - Nekiu, ose Niko Ago siç njihet si gazetar, është gazetar i televizionit shtetëror të një vendi Nordik, si Suedia, përbën një faqe të ndritur, për Atë dhe për fshatin tonë me bukuri të rralla është "gjenderr mbi bisht", siç thonë në Kalivaç. Po të përpiqesha për ta thënë me pak fjalë, këtë dukuri, do të thoja: "Geni troket". Në historinë e këtij fisi, i gjen të gjitha dukuritë, si gëzimet dhe hidhërimet. Mirë e thotë një shprehje që na vjen nga lashtësia se: "I miri, jo gjithnjë gjen të mira"! Jo çdo brezi nga ai prag i ka shkuar jeta si në vaj.

Disa fatkeqësi të rënda ka përjetuar ai prag. Nuk po i përsërit se do ta ngarkoja shkrimin e do ta mërzitja lexuesin nga kalivaçi.

Kohët, sot kanë evoluar; njerëzit - gjithashtu. Agajt (Varfajt e dikurshëm), janë shtuar e janë shumuar; ata kanë "pushtuar" shtete e kontinente dhe kudo ku punojnë e jetojnë, janë të nderuar e të respektuar. Duke shkruar këto radhë, më vjen në mendje një thënie e një burri të ndjerë: "Moj shtëpia bukëdhënë, do benec siç keshe qenë"! Më duket se i shkon, bukur për shtat ky parashikim optimist, rrjedhës së fatit të fisit, i cili i është përshtatur kushteve që i ka caktuar fati dhe vendit ku e vendosi historia. Sido që koha dhe njerëzit kanë investuar të tjera mendësi e mundësi, një gjë nuk e ndryshojnë dot; genin, i cili, në fund të fundit vendos.

E dyta; Xhemal Idrizi nuk ka lëvizur nga tradita e të parëve. Lidhjet shoqërore e ato miqësore, Ai i ka bërë të menduara mirë. Ato mbajnë vulën e kohës kur "heroi" ynë ka jetuar. Pa iu shmangur traditës së lashtë, kur ishte fëmijë, Xhemali luante me bashkëkohësit e tij, të së njëjtës moshë, por dhe që ishin afër me shtëpi. Në këtë përzgjedhje të tij, mendoj të ndalem pak e të sqaroj ndonjë detaj. Nuk ishte vetëm afërsia gjeografike që e lidhte Xhemalin e vogël me fëmijët e Bozanajve. Kjo ishte një domosdoshmëri, mbasi mëhallët e tjera, përfshi edhe Meçajt, për një fëmijë të moshës së tij, ishin larg.

Gjetkë "flinte lepuri": Këtë dua t’jua dëftoj, siç e mendoj. Për t’i ardhur në ndihmë argumentit tim, po rreshtoj emrat e atyre bashkëmoshatarëve të Xhemalit, me të cilët ai ndante kohën: Zenel Shahin Hysaj; Kadri e Selfo Ali Hysaj; Qemal Malo Hysaj; Sefedin Sulo Hysaj; Sabri Riza Dostaj; Dalip Nazif Dostaj, Baço e Sabri Riza Dostaj, etj. Do të thotë ndonjëri, me naivitet: Paska zgjedhur djemtë e Hysajve që kishte më pranë shtëpisë së tij. Nuk më plotëson ky argument. Në shoqërinë e Xhemal Idrizit, vërtet kishte disa nga djemtë e Hysajve (Malajve) por, Ai që në vegjëlinë e tij, dinte ke zgjidhte për shok. Fisi i Hysajve (Malajt), gjithnjë ka qenë fisi më i madh e më me peshë në atë mëhallë dhe, të gjithë ata që kishin shoqëri me Xhemalin e Idriz Agos, ishin nga djemtë më të mirë të asaj mëhalle, të fshatit. Kështu dhe dy djemtë e Dostajve fisnikë.

Me shokë të mirë, i kishte lezet edhe lodra fëmijërore Xhemal Idrizit. Me disa prej tyre, ai e ruajti shoqërinë edhe kur u bë burrë; madje edhe kur u moshua.

Xhemal Idrizi, në njëfarë mënyre, shtratin e lidhjeve miqësore të gjakut vërtet e gjeti të shtruar, nga paraardhësit, por, ai diti, me mençuri, t’i ruajë këto lidhje dhe formoi lidhje të reja, duke respektuar shkallën e fisnikërisë. Nëna dhe Babai, tërë rrethi familjar e miqësor, e futën në shtëpinë e fisme të Mehmet Nyftarit, ku ishte bijë Totja jetime, në Qesarat e cila u bë shoqe e jetës së tij. Por, Xhemal Idrizi nuk u mjaftua me lidhjet e miqësive të reja; Ai ruajti dhe lidhjet e miqësisë me miqtë e lashtë të atij pragu. Kushërira e tij e parë, Havua, bijë e Kapllan Agos që ishte vëlla me Idriz Agon, u martua me fisnikun Azis Telha Azizaj, në Hysodosaj, i cili ishte kushëri i afërm i "trimit me fletë" Jaçe Sadik Azizaj i cili ishte njëherazi "bilbil" i këngës labçe dhe idhull i Xhemal Idrizit. Derës së Kalo Qazo Ramaj, me të cilin u martua motra e vogël e Xhemal Idrizit, Nurishaja dhe njëherësh ishte dajua i Totes, gruas së Xhemalit, po në Hysodosaj, nuk kishe çfarë t’i thoshe për fisnikëri e për vlera të tjera njerëzore. Hallua e Xhemalit, Vezikua e Qazim Lazes nga fisi i Malajve, ishte nënë e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare - Bilal Qazimi dhe kunatë e burrit të mençur e të fisëm Halil Laze Malaj, i cili, djalin e vetëm, Selamin e kishte njërin nga të rinjtë antifashistë më aktivë të Lëvizjes Çlirimtare, në fshat.

Në forma të ndryshme, Xhemali u lidh me miqësi me Muharrem Shemen dhe me të birin partizan – Sheme Muharrem Agaj, si dhe me Muharrem Qerim Mehmetaj; njërin nga burrat më me emër, nga Dorza, i cili u natyralizua për bukuri si kalivaças e u bë dhëndër në derën e njohur të Barjam Delos nga Isufajt. Muharrem Qerimi kishte për grua, kushërirën e parë të Selvisë së Idriz Agos, nënës së Xhemal Idrizit. Xhemal Idrizi, si njeri i zgjuar, i drejtë e i ndershëm, nuk mbeti tek ato miqësi që bënë të parët e tij. Xhemali, qysh në moshë të re, ende pa vajtur ushtar, u bë vëlla me hajmali, me burrin e ndershëm nga fisi Xhaferaj i Meçajve - Eqerem Azbi Xhaferaj. Xhemali, kishte shoqëri e simpatizonte bashkëfshatarin Safet Ahmet Caushaj etj. Ai, edhe pse në fukarallëk, ka ditur "ti perzere" miqtë që i la Babai të cilëve nuk iu nda, si në gëzime dhe në fatkeqësi.

Ndoshta ia vlen, jo vetëm të ndalemi në këtë vlerë të tij, por dhe ta shoqërojmë, në udhën që ndoqi. Mbase nuk është e tepërt të kujtojmë një thënie të mençur që na vjen nga kohët e kaluara, sipas të cilës: "Miq të rinj zër, por të vjetrit mos i lër"! E kam thënë dhe herë tjetër por e ndjej të nevojshme ta përsërit, i sigurt se asgjë e keqe nuk vjen prej saj. Kalivaçin dhe kalivaçasit, në kohë e në situata të ndryshme, si atëherë kur punët u kanë shkuar "si në vaj" dhe kur ka fryrë erë me suferinë, i kanë mbajtur të bashkuar fisnikëria dhe vlerat morale të tyre; lidhjet e shëndosha miqësore, jo përkatësia partiake; ca më pak pikëpamjet e tyre. Le t’i ruajmë e le t’i përtërijmë këto lidhje, se vetëm të mira do të kemi prej tyre. Nuk më vjen mirë kur mësoj se vajza e djem të rinj, jo vetëm që nuk i dinë rrënjët por as që duan t’i mësojnë ato.

Të tilla mendësi ushqejnë: mëvetësinë, fodullëkun, kapriciozitetin e moskokëçarjen dhe dukuri të tjera, të papranueshme për karakterin e një kalivaçasi. Kalivaçi ka përshkuar një udhë të gjatë e të vështirë, e cila duhet njohur, në radhë të parë nga vendasit, kudo ku janë.

Në shtëpinë ku u lind e përcolli fëmijërinë Xhemal Idrizi, vërtet nuk ishte i pranishëm ndonjëfarë luksi, qoftë dhe i kohës por, brenda saj banonin njerëz me shpirt të mirë e me zemër të madhe. Xhemali nuk trashëgoi nga i ati ndonjë banesë të madhe, me më tepër se një kat mbi dhe; as orendi e katandi të tjera. Shkaku, përveç fukarallëkut të kohës, ka të bëjë edhe me ecejaket e xha Idrizit, nga Kalivaçi, në Izmir e në Sarajeve dhe me përfilljen e tij, me vonesë, në moshën rreth 40 vjeç, për të ngritur një strehëz të ngrohtë familjare.

Shtëpia e Xhemal Idrizit përfaqësonte një përdhesë të zakonshme fshati, me dy dhoma e me një korridor (mesore), të madh, i cili, më vonë u përshtat për sallon pritjeje. Muret e asaj shtëpie u ngritën me gurë të bardhë, të lidhur me baltë të bardhë (shur) dhe me breza druri. Siç ishin shtëpitë e fshatit të asaj kohe, dhomat nuk ishin të shtruara me dysheme dërrase dhe nuk kishin tavan. Drunjtë e çatisë dhe trarët ishin nxjerrë në Koshtan, atje ku ishin nxjerrë dhe pllakat e zeza që mbulonin çatinë. Duhet theksuar përparësia që kishte çatia me pllaka të zeza, të cilat ishin më të lehta dhe çatia, krahasuar me atë që mbulohej me pllaka të bardha guri, rrallë pikonte. Njëra nga dhomat ishte e përshtatur për të gatuar dhe ishte "shtëpi e zjarrit", si dhe në të mblidheshin fëmijët.

Dhoma tjetër ishte e përshtatur për të pritur miqtë e shumtë të asaj dere. Të dyja dhomat ishin me vatër, me oxhak e me buhari. Në shtëpinë ku gatuhej, nga trari i parë, varej "i kapardisur" një çengel me unaza hekuri të lidhura me njëra-tjetrën, i nxirë nga koha dhe nga tymi. Në vatrën e kësaj dhome, vazhdimisht kishte hi të përftuar prej druve prej lisi, koçimare, përralli, drize, shkozë etj. Rrallëherë, zjarri ndizej me dru ulliri e drurë të tjerë të rrallë. Dritaret e dhomave ishin të vogla, tip frëngjie, të siguruara me hekura që mbylleshin me kapakë dhoge.

Në dhomën ku qëndronin fëmijët, në fund të saj, ishte një djep druri, në të cilin ishin përkundur të gjithë fëmijët e çiftit. Një sepetë e rëndë druri qëndronte në fund të shtëpisë, e mbushur me veshje të shtrenjta e me fruta aromatike (ftonj, shegë, palafike, arra, bajame etj.), të cilat i mblonte nikoqirja për të dashurit e familjes, në veçanti për mbesat e nipërit e shumtë. Afër djepit ishte një furkë e një drugë, të cilat shërbenin për tjerrjen e leshit. Mjetet e manipulimit të bulmetit: Dybeku, vedra, kadja dhe enë të shumta ishin gjithnjë të pranishme. Si në çdo shtëpi, në mungesë të ujit të pijshëm, të rrjedhshëm, në fund të shtëpisë ishte një bucelë, me kapacitet rreth 30 litra, ku rezervohej ujët i pijshëm. Në mur, qëndronin të fiksuara një dhogë e një farasha, ku vendoseshin enët që shërbenin për t’u ushqyer.

Në vatrën e dhomës së zjarrit, vazhdimisht qëndronte një saç e një palë këmbje. Gurët e mishit dhe helli, të cilët ishin specialitet i xhemalit, qëndronin pranë shtëpisë, në gatishmëri për të pritur viktimën e radhës.

Oborri i shtëpisë ishte i madh e nuk kishte kufi ndarës, të dukshëm, mes oborrit dhe bahçes, në të cilën, zakonisht kultivoheshin perime të stinës (spinaq, labot, qepë, hudhra, qiqra, koçkulla, fierëza, bizele etj). Në oborr veçonin deri vonë, dy rrënjë arre të mëdha, me çatalla të azdisura dhe një man i lartë, gjashtë rrënjë bajamesh, disa rrënjë fiqsh të varieteteve të ndryshme, ftonj, dy kaçube shege dhe plot hardhi të cilat u ishin qepur bajameve. Pemët frutore, familja i kishte mbjellë, por nuk u kryente asnjë lloj shërbimi. Njerëzit e shtëpisë kujtoheshin për to vetëm kur i përvëlonte dielli dhe kur piqeshin frutat e tyre. Arsyeja kryesore e kultivimit të pemëve të llojeve të ndryshme, nuk kishte si qëllim vetëm rregullimin e mikroklimës dhe për të mos stonuar, në atë breg ku pemët ishin njëra nga bukuritë e mëhallës. Ata që kishin mbjellë këto pemë, kishin dhe qëllimin e mirë që fëmijët e tyre të mos mbanin kokën nga bahçet e fqinjëve kufitarë, sidomos të Hysajve që kishin pranë.

Në sinoret e familjes ishin dy objekte kulti; bregu i pyllëzuar ku ishte ndërtuar mekami me dy çirakë i Baba Lolos dhe Lisi i Berhamajve, dy simbole, gjerësisht të njohura.

Arat, Xhemal Idrizi i kishte tek korija përballë shtëpive, në anën Veri-Perëndimore të pronave; tek Gropat, dhe në afërsi të Përroit të Zi, sipër Çesmës së Bukur. Një sipërfaqe toke, Xhemal Idrizi e kishte në Majën e Çifligut dhe pas shtëpive. Edhe trungu i Brehamajve, në këto vende i kishte pronat, me përjashtim të Ramiz Varfit (djalë xhaxhai i Xhemalit) i cili i kishte tokat atje ku kanë qenë shtëpitë e vjetra të Jashar Pehlivanit. Përjashtuar tokat në vendin e quajtur Gropat, të cilat formonin një ulluk ku rridhnin ujërat e depozitoheshin aluvionet, tokat e tjera të fisit dhe të Xhemalit ishin të varfra. Që të prodhonin, ato lipsej të plehëroheshin me plehra organike dhe kimike.

Portreti i Xhemal idriz Agos, nuk dallonte nga shumica e bashkëfshatarëve të tij. Nuk di nga ngjau përsa i takon shtatlartësisë, se xha Idrizi, Nënë Selvija, vëllai i tij më i madh Veliu e të tjerë familjarë e të afërm të Xhemalit, kanë qenë shtatlartë; madje shumë mbi mesataren e shtatlartësisë së fshatit. Xhemali ishte një burrë relativisht i shkurtër. Shtatlartësia e tij nuk i kalonte 165 cm. Por ai kishte trup të lidhur e muskuloz, ishte i shkathët dhe mjaft i shpejtë në rrugëtim. Kur nisej për udhë të gjatë, së bashku me shokë, bashkudhëtarët ishin të detyruar ta ndiqnin më tepër me vrap e me hap të shpejtë se sa me hap të zakonshëm.

Xhemal Idrizi, si veshje të zakonshme kishte pantallonat dhe xhaketën prej shajaku, me ngjyrë të zezë. Në kokë mbante një kapele me strehë, me ngjyrë të errët që i shkonte rrobave që vishte. Në mish, dimër e verë mbante fanellë të leshtë, të thurur me shtiza apo me grep, nga duart e "arta" të nikoqires Tote. Ajo, për të shprehur dashurinë që ushqente për bashkëshortin, tek qafa dhe në fund të mëngëve të fanellës, bënte ca qëndisma të bukura me fije leshi të zi e me ngjyra të tjera. Meqenëse mbante vazhdimisht fanellë mishi, Xhemalin nuk e vështroje kurrë të vishej me këmishë me mëngë të shkurtra. Bluzën nën xhaketë dhe çorapet e leshit, gjithashtu i thurte e mira Tote me duart e saj të shkathëta.

Në punët që bënte, me grep apo me shtiza, Ajo grua e rrallë, fuste shumë dashuri brenda. Pas viteve ’90, kur u inicua lëvizja e lirë e njerëzve, mjaft nga pinjollët e Xhemal Idrizit, u vendosën në shtetin fqinj të Jugut. Prej asaj kohe, veshjet e Xhemalit u "modernizuan". Ai nuk vishej më me rroba shajaku, por me rroba cohe, dhe me këpucë e me kapele, të cilat ia dërgonin fëmijët e tij kurbetlinj, në veçanti Izeti, i cili e furnizonte Xhemalin me bollëk, me veshje gjithëfarëshe, të reja.

Tek burri nga Kalivaçi i Tepelenës Xhemal Idriz Ago, nuk kishim një njeri hamës, i cili konsumonte çfarë t’i jepje për të ngrënë. Ai, vërtet nuk ishte nazeli në të ushqyer, por, nuk pranonte të hante radhë. Në një masë të madhe, kërkesën për ushqim të gatuar me shije, sipas motos "pak por saktë", ia kishte mikluar Totja. Ajo grua Zonjë, gatuante aq me shije sa, kush hante ushqim nga duart e saj, ishte i detyruar të lepinte gishtat. Ushqimi më i preferuar për Xhemal Idrizin, ishte mishi i berrit, i pjekur në hell. Nuk ishte pijanec por alkoolin, me terezi e pinte.

Në moshën e tretë, ai, çdo mbrëmje donte një pagure (Duçe) me raki të bërë vetë dhe të shoqëruar me meze. Si meze të preferuar, Ai kishte: Zogjtë e fushës, të skuqur; gjizë; ullinj të kripur; qepë e hudhra të njoma dhe nuk e "shtynte" dot rakinë, pa këngë.

Në bregun e Bozanajve, rrallë gjeje njeri që të mos këndonte labçe. Ajo mëhallë sikur lindte këngëtarë dhe këngëtare. Bilbila kanë qenë e janë, sot e kësaj dite vendasit. Në shtëpinë (familjen) e Xhemal Idrizit, të gjithë ishin këngëtarë. Izeti është bilbili i këngës labçe. Vetë Xhemali, ia merrte këngës dhe, herë pas here ndërhynte me fjalët: "Hopa-bilbila, hopa"!

Kur këndonin familjarët e Xhemal Idrizit, ata që kalonin në udhën pranë shtëpisë së tij, ndalnin hapin për një çast dhe dëgjonin këngën. Kënga e tyre ngjante me një simfoni; aq harmonike ishin zërat. Protagonist ishte vetë kryefamiljari, të cilit ia ndihte bukur Izeti; të tjerët, të cilët ishin më pak të "specializuar" për këngë, mbanin iso, pa e "çjerrë" melodinë. Kënga e preferuar e Xhemal Idrizit ishte kënga e Grupit të Himares, e kënduar nga legjendari Neco Muka, në vitin 1931, kur Ai dhe bashkëtrevas të tij, ishin emigrantë ekonomikë, në Lion, të Frances, e titulluar: "Vajzë e Valëve…", kënga "Kush është lule vilajeti", e plot të tjera. Këngën "Vajza e valëve", e këndonte Xhemali, por e pranonte dhe vetë se Jaçe Sadik Azizaj, në Hysodosaj, "e këndon këtë këngë me zë bilbili"!

Jetëshkrimi:

Data e lindjes e Xhemal Idriz Agos, për shkaqe që dihen është e diskutueshme. Gjithsesi, si datë zyrtare, e fiksuar në dokumentet vetjake, është pranuar viti 1933. Fëmijëria e tij nuk kishte ndonjë ndryshim nga ajo e bashkëmoshatarëve të tij; por, duhet theksuar se Xhemali, si djali i vogël i xha Idrizit, ishte pekuli i tij. Këtë "status" të tij, e kishin mirëpritur dhe fëmijët e tjerë të asaj familjeje, madje edhe ata vetë e kishin Xhemalin, kanakarin e familjes. Xhemali, së bashku me fëmijët e tjerë të fisit e të mëhallës, të së njëjtës moshë luante në atë majë bregu, ku era vinte që nga Lugina e Vjosës dhe nga ajo e Drinos, me forcë të madhe, aq sa ta hiqte këmishën nga trupi e ta zbërthente setrën (një lloj xhakete e bërë vetë, pa astar). Lojërat e preferuara të fëmijërisë së tij ishin: Dërrakthi; me cingla; topagropthi; me hobe; korroile; gracka; kala dibrançe; dokthi; me top prej lecke (futboll); syllambyllazi; ta-lashë; Kacavjerrje nëpër pemë dhe, në ndonjë rast, merrnin nishan, me armë trofe.

Në radhët e shokëve, Xhemali, nuk ishte as i pari; as i fundit, por sedrën e kishte të madhe, dhe, në lojë ishte tepër i urtë; i drejtë; e i ndershëm.

Para se të shkonte ushtar, Xhemali provoi "kurbetin". Ai, tok me mjaft kalivaças të tjerë, nga të gjitha mëhallët, u punësua, punëtor krahu, në Minierën e Serës, në Selenicë. Atje, djali i ri me trup të imët, provoi lodhjen dhe stresin e punës së minatorit, kufizimet e jetës larg familjes, por pati dhe përfitim se u formua si trup i lidhur e tërë muskuj. Gjithashtu, në minierë u miqësua me mjaft njerëz të ardhur nga treva të ndryshme duke përftuar nga përvoja e tyre. Disiplina e punës dhe të ambientuarit me punën e rëndë, me ushqimin, me fjetjen e veprime të tjera ditore, me orar ishin arritje e kësaj kohe.

Akoma pa vajtur ushtar, Xhemal Idrizi u martua. Fati dhe interesimi i të tijve e shpunë në derën fisnike të Mehmet Myftar Metës, nga fshati Qesarat i rrethit të Tepelenës. Ai u martua me të mirën Tote, e cila kishte mbetur jetime që në fëmijëri, kur sapo mbushi tri javë në jetë dhe u rrit bonjakë, në derën e dajos së saj; Kalo Qazo Ramaj, nga mëhalla e Hysodosajve. Ishte me fat Xhemal Idrizi, që u bë çift me një deli vajzë, si Totja, së cilës vuajtjet e fëmijërisë i kishin ngulitur në shpirt mirësinë dhe dashurinë, pa kufi, në veçanti për njerëzit. Siç kishte ngjarë dhe në të tjera raste, dhe Xhemali nuk i shpëtoi dot grackës së fatit. Dasmën, Ai, e bëri ditën e enjte dhe të dielën u mobilizua ushtar i shërbimit të detyrueshëm.

Ushtrinë, Xhemali e kreu në një repart këmbësorie, në Elbasan, ku kohëzgjatja e shërbimit ishte 3 vjet. Atje, Xhemalit iu krijua mundësia të mësonte proceset e gatimit të ushqimit dhe, kur u lirua nga ushtria, dinte të gatuante. Gjatë kohës kur kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Ai vajti në familje vetëm një herë të vetme ndonëse shërbimi i tij zgjati 36 muaj. Në fshatin Kalivaç, ku qëndroi pranë bashkëshortes dhe të tijve, pas lirimit nga ushtria, Xhemali u bë mjeshtër për pjekjen e mishit në hell dhe për prerjen anatomike të tij. Xhemali i bënte hisetë të diferencuara, sipas "peshës" që zinte miku, në rrjetin miqësor. Ai e kryente këtë punë, jo vetëm me kompetencë por ishte dhe mjaft i ndershëm e rigoroz.

Prandaj e caktonin në këtë "detyrë" në raste gëzimesh e në vaki, punë të cilën e bënte me përgjegjësi e me përkushtim. Bashkëkohës të tij, rrëfejnë, se Xhemal Idrizi ishte njeri i papërtuar dhe shumë i gjendur. Ai linte punët e tij, për të shkuar në ndihmë të mëhallalinjve dhe të atyre që kishin nevojë për ndihmën e tij.

Për ta portretizuar sa më të plotë, figurën dashamirëse të Xhemal Idrizit, po ju përcjell, me vërtetësi, opinionin e Jeminesë, vajzë e Ago Muharremit dhe e Shanikos, të cilës, me nderim e me përkëdheli i thoshim Lele:

"… Jam rritur me Xhemalin. Xhemali ishte mjaft i zgjuar e nuk kishte njeri që t’ia hidhte. Xhemal Idrizi ishte një familjar i mirë. Ai kujdesej mjaft, për familjen e ngushtë dhe për ne që e kishim të afërm. Atë e kishim mburojë, në çdo rast. Në mëhallë njihej si njeri me humor të këndshëm dhe për shakatë gjithë kripë që bënte.

Xhemal Idrizi ishte njeri i qeshur e gazmor. Nuri i tij ishte gjithnjë behar. Nuk ia dilte njeri për afërsinë që krijonte në biseda të zakonshme ku Ai krijonte kushte që të ndiheshe i barabartë. Shpirti i tij, i gjerë, si det, të bënte për vete, me dashamirësinë e pamatë. Xhemali, vetë; bashkëshortja e tij, Totja gojëmjaltë e zemërbardhë dhe fëmijët e tyre, të cilët u edukuan me këtë frymë, u bënë njerëz të respektuar e të preferuar, jo vetëm në mëhallën tonë.

Shtëpia e Xhemal Idrizit ishte e hapur, në çdo kohë dhe për këdo. Ai ishte fukara por shumë bujar e mikpritës. Mes vështirësive të kohës dhe ngushtësisë, me shumë sakrifica rriti dhe edukoi për së mbari një vatër me fëmijë. Në shtëpinë e Xhemalit miqtë dhe shokët e shumtë hynin pa trokitur dhe Totja e Xhemali, ua jepnin zemrën në dorë. Çifti: Tote e Xhemal Ago, ishte "i ngrohtë" e i preferuar; të tillë u bënë dhe fëmijët e tyre.

Xhemali ishte i lidhur ngushtë me mëhallalinjtë e i nderuar mes tyre. Në dasma e në gëzime, por dhe në raste fatkeqe, puna e ysmetçiut ishte e zgjidhur; Xhemal Idrizi, me ndershmërinë dhe aftësinë e tij, e "hidhte tej çdo rast", pavarësisht nga numri i pjesëmarrësve, e nderonte të zotin e shtëpisë. Kur gostia ishte në shtëpinë e tij, Xhemali bëhej copë e çikë, që të kënaqte mysafirët. "Ai mbante oxhakun ndezur" e i bënte ballë çdo situatë. Ndarja nga jeta e Xhemal Idrizit, ishte një humbje e madhe jo vetëm për shtëpinë e fëmijët e tij, por dhe për të gjithë fisin e më gjerë. Njerëz si ai nuk vijnë shpesh në jetë…"

Shënim: Ky opinion është marrë nëpërmjet një lidhjeje telefonike të drejtpërdrejtë dhe ruan autenticitetin e autorit.

Në anën Jugore e në atë Lindore të banesës, oborrit, bahçes dhe arishtës së fisit kalonte udha që të çonte nga lagja Bozanaj, në Përroin e Zi e më tej. Pronat dhe vetë shtëpia ishin të rrethuara nga një gardh me tel me gjemba i cili mbronte pronën nga dëmtuesit e rastësishëm kalimtarë. Në atë udhë, kalonin njerëzit në këmbë ose të hipur mbi kuaj apo mbi gomerë. Udha ishte e ngushtë, e lakuar, dhe e pashtruar. Në stinën e thatë, kalimtarët, kur kalonin nëpër të shkaktonin pluhur; në stinën me shira, në atë udhë, bëhej llokaçe, e cila u ngjitej kalimtarëve, pas opingave dhe i bezdiste shumë. Me qëllim që kalimtarët të çliroheshin nga kjo bezdi, ishin të detyruar t’i pastronin opingat nga balta, duke i kruajtur ato pas hunjve të gardhit dhe në disa kaçube, me ferra, driza e shkurre të tjera si dhe me barishte, të cilat vegjetonin vende-vende.

Pas lirimit nga ushtria, Xhemali gjeti punë në Patos ku u sistemua në procesin e nxjerrjes së naftës. Ai mori dhe Toten e prindërit, me vete. Në Patos, Xhemali u bë me dy fëmijë. Çifti i ri solli në jetë Nailenë, në vitin 1959 dhe Guriun, në vitin 1962. Si djalë i pleqërisë, Atij, sipas traditës, i takonte të pleqëronte prindërit, të cilët i mori në Patos, në të njëjtën strehë.

Por Selvija këmbënguli të ktheheshin në Kalivaç, teksa xha Idrizi donte të qëndronte, në Patos. E pleqëroi situatën Xhemali, me të tijtë dhe, në mes të vitit 1962, mblodhi plaçkat e u kthye në Kalivaç, ku e kishte ngrehinën dhe ekonominë gati. Në Kalivaç, u lindën fëmijët e tjerë të çiftit Tote dhe Xhemal Idriz Ago. Aty u lind Izeti -(1966); Nekiu- (1969); Selvija- (1973), e cila mori emrin e gjyshes dhe i fundit, Bedriu -(1976).

Kur u rritën e u bënë për martesë, fëmijët e Xhemal Idrizit, u lidhën me bashkëshortë (bashkëshorte) që rridhnin nga familje të fisme, siç ishte vetë Xhemali dhe të përshtatshme për atë familje.

Kthimi nga Patosi, e detyroi Xhemalin nevojtar të drejtohej në një front tjetër pune, ku të ishte në marrëdhënie me shtetin e të merrte një pagë për "të mbajtur" familjen. Ai u fut në punë në Minierën e Qymyrgurit, në Memaliaj, ku punonin mjaft kalivaças. Për fat të keq, Ai nuk punoi gjatë, në këtë qendër pune. Një aksident që i kushtoi humbjen e dëgjimit, u bë shkak që "heroi" ynë të kthehej sërish në Kalivaç. Formimi i kooperativës bujqësore në Kalivaç e çoi Xhemalin në sektorin e blegtorisë, ku punoi për një kohë të gjatë. Xhemali njeri; nga Xhemali çoban, nuk mund të ishte tjetër njeri.

Ndershmëria, të qenit i drejtë e i çiltër, përkushtimi në punë dhe shpirti i tij i sakrificës, u shpalosën me forcë, gjatë kësaj kohe. Çobani i dhenve Xhemal Idrizi, ishte modeli i një njeriu vlerashumë, i cili, si të thuash, gjeti veten në këtë profesion. Për ta bërë më konkret rrëfimin po u referohem disa tipareve të tij të qenësishme, si:

Xhemali kishte një tufë të madhe dhensh përpara, numri i të cilave varionte e nuk ishte konstant. E veçanta e tij ishte se Ai, njihte jo vetëm të gjitha dhëntë e tufës me emër por dinte dhe të pjellët e tyre, kujt i përkisnin. Nuk ndodhte kurrë që qengjin e Bejkës, Ai t’ia çonte Krrutës, Syskës, Vakrrës, kuacës, Sykuqes, Llajës; Mënjës, etj. Jo vetëm kaq; Xhemali njihte mirë dhe dallonte shpejt barin e mirë nga ai që u bënte keq, bagëtive dhe nuk e çonte kurrë tufën e dhenve që menaxhonte, në kullotë të papërshtatshme. Nuk bëhet fjalë për aftësinë e tij për të mjelë, për të qethur e për të manipuluar mishin apo bulmetin, por, Xhemali ishte dhe mjek popullor për shërimin e disa sëmundjeve të dukshme të bagëtive të tufës. Puna e çobanit, në dukje, paraqitet si e bukur, romantike dhe relativisht e lehtë, por, në fakt nuk është e tillë. Çobani duhet të qëndrojë vazhdimisht pranë gjësë së gjallë dhe të supertojë kushtet atmosferike; si në dimër dhe në verë.

Në familje, sjellja e Xhemal Idrizit ishte e paqortueshme. Ai nuk e vendoste autoritetin tek fëmijët me detyrim, por me shembullin vetjak. Gojëmjaltë e dashamirës ishte ai njeri, me të gjithë; madje edhe për ata që nuk hynin në radhët e të preferuarve të tij, nuk e dëgjoje kurrë të nxirrte nga goja - "vrer". Preferenca e tij shkonte tek ata njerëz që ishin të afërt me të në mide (lexo karakter). Xhemali bënte be e rrufe, kur ishte fjala për Jaçe Sadikun, të cilin nuk e hiqte nga goja; për Ali Xhelilin dhe për Nënë Ganon; për Kalo Qazon; për Azis Telhanë; për Muharrem Qerimin; për Sheme Muharremin; për Xhevit Malkon; për Barjam Rushanin; për Selfo Alinë, për Safet Ahmetin; për Novruz Tahirin; për Ferrik Alidervishaj etj. Xhemal Idrizi i zgjidhte shokët dhe bënte miq, ata që i ngjanin.

Sa i përket jetës familjare, Xhemal Idrizit nuk ia gjeje shokun. Ai shquhej për korrektësi e për rreptësi, por e kishte të lexueshme ndjesinë e prindit të mirë dhe të bashkëshortit. Marrëdhënia mes Totes dhe Xhemalit ishte jo vetëm e veçantë, por, ndryshe nga shumë çifte të kohës për të cilën bëhet fjalë, mes këtyre të dyve ishte në themel - mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjelltë. Ata, të dy, sikur ishin të lindur për njëri-tjetrin. Ata e kuptonin njëri-tjetrin me një vështrim, ose me një shenjë. Thonë se Totja, e donte dhe e respektonte aq shumë bashkëshortin e saj zemërbardhë, sa që e kuptonte atë edhe pa hyrë brenda lesës, tek shtegu i avllisë.

Totja ishte duarartë; si për të gatuar dhe për të bërë punë artizanale. Gjithë vija e sjelljes dhe marrëdhëniet mes tyre ishin një këngë pa mbarim. Shpesh, dashurinë që kishte për nënën e fëmijëve të tij, Xhemali e shprehte nëpërmjet përkëdheljes. Ai i drejtohej Totes, buzagaz e me fjalë të ngrohta: "E vetmja ime" dhe asaj i pëlqente kjo. Totja ia kthente Xhemalit, ngrohtësinë që dëftonte, me dashuri e me kujdes për të. Ajo ia dinte shijen dhe pëlqimet e gjellëve, ndaj i përgatiste burrit gjellët që pëlqente ai dhe me shijen e preferuar.

Xhemal Idrizi ishte duhanpirës. Ai kishte nisur të tymoste që në vegjëli. Duke qenë pekuli i familjes, në netët e ftohta, kur familjarët grumbulloheshin rreth zjarrit, në vatrën e shtëpisë, Nënë Selvia dhe Baba Idrizi, në vazhdën e përkëdhelive të pinjollit kanakar, e mbanin në prehër Xhemalin. Nënë Selvia, duke i dhënë kalaposhe të shijshme, i jepte të thithte nga çibuku i saj. Kështu Ajo u bë shkaktare që i biri të niste duhanin, akoma pa u rritur.

Avancimi në moshë dhe shembulli jo pozitiv i më të rriturve bënë që Xhemali të mbante me vete pajisjet e asaj kohe, për pirjen e duhanit. Në xhepat e tij, tashmë gjeje një çibuk, një kuti me duhan ose një qese të bërë vetë, plot me duhan të shkoqur trashë, për çibuk; mjetet për prodhimin e zjarrit, ku bënin pjesë: Një copë çeliku, i cili shërbente si uruar; një strall dhe një copë eshkë. Duhanin, Xhemali e prodhonte vetë, me fidanë të përftuar nga farë vendi ose xhebel. Një sipërfaqe e vogël toke, mbillej me duhan, në një cep të shtëpisë dhe në bokërrimën që zbriste nga Lisi i Aget, tek arat e fisit, në Gropa.

Xhemal Idrizi, manipulonte tashmë, jo vetëm duhanin që tymoste, por ishte dhe "teknolog" i përgatitjes së eshkës. Ai shkonte pranë çdo druri në pyll dhe vrojtonte trungjet e tij, për të gjetur kërpudhën e duhur nga e cila përftohej eshkë cilësore. E dinte Xhemali, se druri i vidhit dhe ai i lisit e kishin eshkën më të mirë se druri i rrapit dhe nga të tjerë vegjetarë, prandaj zgjidhte kërpudhat më të mira. Ai, i ziente, fort ato, i thante shumë, i shtypte sa të bëheshin damarë-damarë, i thante mirë e mirë e pastaj i përdorte për të përftuar zjarrin.

Kur e thithte tymin e duhanit me çibuk, eshkën e ndezur e ngjishte fort pas duhanit që digjej dhe shijonte jo vetëm aromën e duhanit që digjej, por dhe kundërmimin e këndshëm të eshkës. Xhemali e tymoste duhanin, me çibuk dhe me të dredhur. Meqenëse, në ato vite, gjetja e letrës së duhanit paraqiste disa vështirësi, Xhemali, si mjaft duhanpirës të tjerë, e dridhte cigaren me një gjeth duhani, dhe tymoste kështu - puro.

Duhanpirja, Xhemal Idrizin, e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, por intensiteti i tymosjes nuk ka qenë i njëjtë. Ai varej nga faktorë të brendshëm të tij dhe nga rrethanat që i krijoheshin. Kur gjendja ekonomike e familjes u përmirësua, Xhemali nisi të tymoste, me cigare të blera. Ai e mbante paketën me cigare, në xhep.

Moshën e tretë, kur forcat fizike të tij ishin pakësuar, Xhemali e përcolli, kryesisht në fshatin e lindjes, në Kalivaç, të cilin ai e donte shumë dhe nuk e ndërronte me asnjë tjetër. Aq sa e lejonin fuqitë, atij njeriu nuk i rrinte dora e këmba. I kënaqur me faktin që fëmijët iu bënë për së mbari dhe kudo që shkuan, vatrën nuk e harruan, Xhemal Idrizi e përcolli pleqërinë, në Bozanaj, në vendin e "perëndive"; atje ku ajri është i pastër dhe ajo që fut në organizëm njeriu, i bëhet "gjak e dhjamë". Duke u marrë me punët e tij, në pronën e të parëve ku u vendos, Xhemali u gëzohej prosperitetit të gjitonëve dhe të bashkëfshatarëve. Atij i gufonte zemra e ndjente gëzim, kur dëgjonte një fjalë të mirë për Kalivaçin dhe për banorët e tij. I lumturuar se kishte jetuar një jetë të vështirë por me nder e me dinjitet, më 27 nëntor të vitit 2012, "oratori pa shkollë", njeriu i mirë, shpirti dashamirës, zemra e madhe e një njeriu me vlera, Xhemal Idriz Agua, u nda nga jeta, në shtëpinë e tij, në Kalivaç të Tepelenës.

Nuk vuajti gjatë, ai njeri i cili anonte nga shenjtorët, por u shua mes fëmijëve të tij dhe miqve e dashamirëve të shumtë që e donin dhe i donte shumë.

Përcjellja e Xhemal Idrizit për në banesën e fundit u bë nga një "lumë" njerëzish, të ardhur nga anë e anës. Në Kalivaç është traditë përcjellja e xhenazes nga i gjithë fshati. Për të përcjellë Xhemalin kishin ardhur të gjithë të largëtit dhe kjo na dëfton shumë. Vendi i prehjes së tij ndodhet tek "Bajamet e Kories"; mbi shtëpinë e Izetit, pranë varrit të Babait, Nënës, Vëllait dhe kushërinjve të tij; Ago Muharremit dhe bashkëshortes së tij - Ninisë e të tjerëve njerëz të trungut Brehamaj. Në nderim të jetës dhe të punës së tij, fjalën e lamtumirës e mbajti nipi i familjes, Bashkim Azis Azizaj, nga Hysodosajt, të cilin, Xhemali e kishte djalë të kushërirës së parë dhe e kishte shumë për zemër.

Koha bën të sajën e vitet ikin shpejt; por jeta dhe sjellja e mirë e Xhemal Idrizit kanë lënë gjurmë në historinë e fshatit, i cili, pavarësisht se çfarë bëjnë pinjollët e tij në të mirë të Kalivaçit, e ka nderuar dhe e nderon e nuk mund ta harrojë Atë njeri të mirë. Për njerëzit e mirë si Xhemal Idizi nuk ka e nuk mund të ketë harrim. Edhe ky shkrim modest, besoj se do t’i shërbejë mosharrimit të këtij luftëtari të pabujë por të paepur për të mposhtur vështirësitë e kohës, me ndershmëri, drejtësi e me buzë në gaz.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!

  • T’i rrojnë ata që ka lënë pas!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças autokton;

Tiranë, mars-prill 2018