Kjo pyetje ka vetëm një përgjigje: Kalivaçin e kanë nderuar dhe e nderojnë banorët e tij; kalivaçaset dhe kalivaçasit. Kush tjetër? Pyetja e parë pasohet nga një tjetër: Cilët kalivaças? Do të thoja: Ata që banojnë në fshat dhe të tjerë që kanë emigruar nëpër Botë, ose kanë migruar brenda vendit, por që kur i pyesin: “Nga të kemi?” - përgjigjen krenarë: “Jam nga Kalivaçi i Tepelenës!” Vetëm kaq nuk mjafton.
E nderon fshatin ku je lindur e ku të kanë rritur, kur bën diçka të mirë për të. Në këtë kategori futen ata që kanë kontribuar e kontribuojnë për prosperitetin e fshatit ku u ka bërë koka deng. Çdo familje e secili individ kanë çfarë të dëftojnë, për këtë temë, prandaj, janë të lutur, të gjithë kalivaçasit, të kontribuojnë, me mendimet dhe me kujtimet e tyre. Historia e fshatit nuk është pronë e askujt, por e të gjithë banorëve të fshatit Kalivaç të Tepelenës. Nuk kam në dorë peshoren e farmacistit e nuk jam pronar i së vërtetës, por dy fjalë zemre, asnjëri nuk më ndalon dot t’i them, siç i mendoj, plot gojën e pa m’u dredhur qerpiku.
Jetojmë në Demokraci dhe e drejta për të shkruar e për të folur hapët, lind nga të qenit njeri; ca më tepër kur je banor i të njëjtit komunitet. Jam kalivaças dhe kam mendim të pavarur për fshatin tim e për banorët e tij. Mendimi është individual, secili që mendon ndryshe, bën mirë ta thotë, siç e ka mendimin e vet se ashtu sqarohen më mirë problemet dhe i afrohemi të vërtetës që përpiqemi ta nxjerrim në shesh. Po të kisha mundësinë dhe tagrin për t’i grupuar ata (ato) që i bëjnë nder fshatit tim, notën më të lartë, madje jashtë klasifikimit do ta rezervoja për Dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare, si “ajka” e rinisë kalivaçase të kohës kur jetuan e u shuan. Ata, të cilët u flijuan në lulen e rinisë, për t’u mbajtur mend, ashtu siç ranë për Atdhe: Të rinj, burrërorë, trima të tërbuar që nuk e përfillën vdekjen; të zgjuar, e të besës.
Dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare, me veprën e tyre heroike e zgjodhën vetë vendin e lavdisë së përjetshme duke zënë vendin e nderit, në piedestalin e lavdisë. Nuk na mbetet tjetër veç të konfirmojmë lavdinë e tyre dhe të sjellim fakte e argumente të reja, lidhur me bëmat e tyre. Pas tyre, do të vendosja partizanet dhe partizanët, të cilët shpërfaqën, në fushën e luftës për liri gjithë tiparet luftarake të një populli rebel, me shpirt të pamposhtur kryengritës i cili nuk duronte dot zgjedhën e huaj mbi supe, prandaj u hodh, masivisht në luftën për liri ku dëftoi vlera të rralla, morale dhe luftarake.
Prej Luftës së Dytë Botërore, na ndan më se një gjysmë shekulli. Vendin e dyfekut në krah, tani e zënë vlera të tjera njerëzore, të cilat i shërbejnë besnikërisht e me devotshmëri, rritjes së prosperitetit të fshatit tonë. Mjaft syresh, edhe aktualisht janë në funksion të kësaj ideje. Nëse do të duhej të bëja një klasifikim, duke përjashtuar dy kategoritë e mësipërme, të cilat nuk mund të vihen në diskutim, në një vend nderi, madje shumë të respektuar, do të ngjitja arsimtarët nga Kalivaçi i Tepelenës, ato bija e ata bij, të denjë, të Kalivaçit arsimdashës, të cilët kanë përhapur dritën e diturisë pa të cilën nuk mund të shkonin punët përpara. U përulem, me mirënjohje të thellë, derisa të më kërcasin kryqet, mësuesve veteranë: Daut Hysenaj; Petrit Zenelaj; Xhevaire dhe Skender Xhaferaj; Xhemile Ahmet Mehmetaj (Zenelaj); Shyqyri Barjam Hysi; Jashar Banush Haderaj; Baftjar Arif Sulaj; Viktor Aliu; Muharremin e Hajredinit, e shumë të tjerëve.
Të mos harrojmë përpjekjet e para, të kalivaçasve, për të përhapur diturinë, e për të ndriçuar mendjet e banorëve analfabetë të fshatit tonë. Me katër klasë të shkollës fillore ishin Dalipi i Nazif Muharremit, nga Bozanajt dhe Kadriu i Rrapo Danos nga Hasanbegajt, ashtu si Qaniu i Muharrem Ismailit, por atë që dinin ua transmetuan, bujarisht të pamësuarve, nëpër kasollet me kashtë, në përdheset e ftohta pa dysheme e pa tavane, në katonj e ndonjëherë, në qiell të hapët. Shkonte e kthehej, në këmbë Kadriu i Rrapo Danos se udhë automobilistike e makina nuk kish, në kohë të mirë e në llohë, me një shkop në dorë e me një çantë në sup, në të cilën mbante libra, fletore e lapsa dhe një copë trazake, të lyer me gjizë apo me gjalpë, të cilën ia kishte mbështjellë me shumë dashuri Lulja e dhimbshur. Kadriu, herë i ngrënë e herë pa vënë gjë në gojë, “merrte” udhën Kalivaç – Levan, e kthim me misionin e shenjtë për t’u mësuar shkrim e këndim, levanakëve analfabetë. Të panumërta kanë qenë sakrificat dhe privacionet e mësuesve kalivaças, të cilët çirreshin e ngjirreshin për të mësuar vocërrakët e fshatit tonë, dhe shpërbleheshin sa për të blerë një copë bukë.
E ndjej thellë, në shpirt dhe e them hapët se opinioni i mirë dhe shprehja e mirënjohjes për atë që të ka dhënë dije, janë dhurata më e mirë për njeriun dhe një gjë që nuk tretet. Nderimi për mësuesin është pa limit, si në kohë e në shpirtin e njerëzve. Kujtoni respektin e jashtëzakonshëm që kanë pasur kalivaçasit, për mësuesit. Ata, në çdo kohë, e kanë pasur vendin në qoshen e djathtë të shtëpisë kurse tani kryesojnë bisedën e u dëgjohet fjala. Ndodh kjo se mësuesit janë, ndoshta më të diturit e më të përkushtuarit në komunitet.
Ndonjëherë ngatërrohet kërkesa e llogarisë për të mësuar me ashpërsinë e mësuesit. Janë disa lëndë ekzakte, si matematika, fizika etj. të cilat nuk janë aq të kapshme; nxënësit, më pak të përparuar, pavarësisht se këto lëndë bëhen barrikadë, duhet t’u jenë mirënjohës, jo t’i përçmojnë e t’i përgojojnë mësuesit “e rreptë”, të cilët, në fund të fundit, kanë zbrazur mendjen e tyre për t’u mbushur mendjen nxënësve të prapambetur.
Kalivaças të shquar, madje, në pararojë të punëve e të halleve, kanë qenë e janë mentarët: Mirjeta Deraj; Niko Ago (Varfaj); Xhelil Aliu; Nuri Mehmeti; Shyqyri Hysi dhe vëllai i tij – Agimi; Xhevdet Zenelaj; Rexhep Mehmetaj; Vezir Muharremaj dhe Erandi e Xhevahiri, me të njëjtin mbiemër; Edmiri i Abazit nga Xhaferajt, Bajrami i Sabri Dostit, etj. etj. (është e pamundur t’i renditësh të gjithë).
Të mos harrojmë se për një kohë të gjatë dhe, në kushte mjaft të vështira, kanë punuar, në Kalivaç dhe për Kalivaçin: ekonomisti i pakorruptueshëm Ferrik Azis Alidervishaj; agronomi - Veip Dule Dulaj; brigadieri i blegtorisë - Eqerem Azbi Xhaferaj e mjaft të tjerë. Një plejadë dinjitarësh të vendosur e të përkushtuar, nisur nga Ali Nebiu (Lika), Sinan Hasani, Mehmet Musai, Tahir Muharremi, Sinan Zeneli, Arif Qamili, Novruz Llakaj, Shahin Manja; Kastriot Ago; Hajredin Cizua; Mehmet Hyseni, Selfo Aliu, Daut Mahmuti, Veli Aliko, Jashar Hysniu, Haxhi Xhemali etj., ka shkrirë gjithë aftësitë, për përparimin e fshatit tonë.
Banorët e Kalivaçit të Tepelenës nuk janë bartës vetëm të tipareve burrërore, si ato që janë thënë e janë përsëritur; ata janë dhe artistë, në shpirt. Në Tiranë banon e punon, një artiste vlerashumë, nga Kalivaçi i Tepelenës, e mirënjohur në tërë vendin e jashtë tij. Ajo quhet Mimoza Xhaferaj dhe është vajzë e këngëtarit të talentuar e të paharruar Muharrem Rushan Xhaferaj. Ajo artiste duar e mendje flori, zotëron artin e të qëndisurit dhe është modeliste e shquar. Nuk ma do mendja të ketë kryer ndonjë shkollë të posaçme apo të jetë specializuar diku gjetkë; por janë vullneti dhe talenti i saj, gjeni dhe puna këmbëngulëse që e kanë bërë të tillë.
Do të ngulja këmbë për të theksuar se gjeni ka ndikuar fuqishëm. Babai i saj, me atë shkollë që kish, punoi gjithë jetën mbi rrota, por këngën labçe, nga goja nuk e ndau. I paharruari Muharrem Rushani kur ia merrte këngës së tij të preferuar, i sfidonte të gjithë ata që këndonin. Kënga e tij gjëmonte:
“… Pse nuk rron, sa rron – të guri?
Thëllëza që më tremb dhitë;
Atje, në viset e tua;
Do t’i ndërtojmë kuvlitë;
Kush të vret? Iu thaftë dora;
Ti ke gjithë bukuritë…”
Lexues të nderuar: Kush të dojë le të provojë të formulojë një të tillë poezi lirike dhe njerëzore, në jatakun e vendlindjes sonë. Kam pasur ndjesinë se Bozanajt kanë qenë e janë “djepi” i këngës labçe. Në atë mëhallë, kanë kënduar e këndojnë labçe të gjitha gratë e të gjithë burrat. Po të ulemi këmbëkryq në atë mëhallë, që nga shtëpia e Azbi Bakos deri tek ajo e Idriz Agos dhe të vëmë veshin për të dëgjuar kur këndohet, me siguri që nuk do të zhgënjehemi. Asgjë nuk mund t’i heq konkluzionit të mëparshëm.
Bozanajt janë bregu i bilbilave të këngës labçe. Mirëpo, në kohët që jetojmë, në ballë të këngëtarëve ka dalë Profesori i Historisë, Shyqyri Bajram Hysaj, të cilin e ka dëgjuar Kalivaçi, Tepelena, Gjirokastra, Berati, Tirana, etj. dhe na ka përfaqësuar denjësisht në festivalet kombëtare dhe ka tundur skena prestigjioze evropiane e botërore. Era që fryn në atë breg të bekuar, me sa duket, ka “infektuar” siç ndodh me polenin e luleve e të bimëve edhe bregun fqinj; atë që quhet Mecaj. Kush tjetër, më bukur se bashkëfshatari ynë i varfër por me shpirt artisti nga fisi Dulaj - Kalo Gucja, e ka kënduar këngën labçe vënçe? Xha Kalon, siç rrëfejnë të moshuarit, dikur, e ftonin në dasma e në gosti, në cilësinë e këngëtarit.
Ai dhe i biri, Kujtimi i paharruar ishin dhe të shquar si fyelltarë. Po sot, a mund t’i dalë njeri përpara Arshiut të Azbiut nga Xhaferajt; Xhevaires dhe bashkëshortit të saj – Skenderit, Krenarit të Fatmirit dhe këngëtarëve të tjerë brilantë nga ajo mëhallë të cilët mbushin grupin folklorik të fshatit?
Të mos largohemi nga kënga se ajo ka zbukuruar fejesat, dasmat dhe gëzimet e kalivaçasve në të gjitha kohët. Kënga labçe, në Kalivaç është kënduar në festa familjare dhe kombëtare dhe ka hijeshuar skenat e vendit e të botës. Sa shumë kohë ka kaluar nga viti 1965, kur këndoi për herë të parë në festivalin folklorik të zonës grupi polifonik i Kalivaçit të Tepelenës, i kryesuar nga bashkëfshatari, Skender Muharrem Nelaj. Këngëtarë të këtij grupi, fillimisht ishin kalivaçasit: Hydajet Muharremi; Nelo Resmiu; Arshi Novruzi; Fuat Mete Sulaj; Ylli Refat Bilaj; Qamil Aliu; Xhemil Banush Haderaj; Hyseni i Lico Kapos; Shpëtimi dhe Kujtimi, nga Ramajt; Zengjinja e Breshan Fejzos, Kthyesi i këngës labçe – Nure Laze Haderaj etj. Virtuozi Enver Qemal Zenelaj (Mucoimaj), e ka nderuar grupin folklorik të Kalivaçit, me meloditë e rralla të fyellit të tij. Sot, këngëtarët cilësorë në Kalivaç të Tepelenës janë të panumërt e i gjen në çdo derë.
Me zë brilant janë: Ladi i Halim Beshirit, një kthyes shumë i mirë; Hektori i Sherif Pashajt, marrës i “shkëlqyer” dhe vëllai i tij – Iljoti, Përparimi i Nures; Arshiu i Azbi Xhaferajt dhe Krenari i Fatmirit e shumë të tjerë. Po të shtojmë ata që janë larguar nga fshati ynë, për shkaqe të ndryshme, lista do të bëhej çarçaf.
Nuk thonë kot në Kalivaç se, “tek ka rrjedhur do pikojë!” Skenderi i Muharrem Hasanit që themeloi grupin polifonik të fshatit, ia la vendin vëllait të tij – Sadikut; ky u pasua nga i biri – Besniku dhe tani ka arritur “Statusin” e këngëtarit – Clirimi. Për mendimin tim, ne, si kalivaças na duhet t’i heqim kapelën, me nderim, djalit nga Hasanbegajt, Viktor Aliu. Ai, me përkushtim dhe me aftësi, ka përcjellë shumë vite në Kalivaç, në detyrën e vështirë të arsimtarit dhe si përgjegjës i vatrës së kulturës së fshatit. Viktori, në një rol kyç, si këngëtar i grupit polifonik të fshatit tonë, në krah të profesorit të nderuar Shyqyri Barjam Hysi dhe i pasuar nga i paharruari Besnik Sadik Nelaj, e i ndihmuar nga Skenderi i Fejzo Salikos dhe nga bashkëshortja e tij, Xhevairja flakërimë, për shumë vite ka qenë ndër më të preferuarit arsimtarë e këngëtarë, në Kalivaç.
Kjo nuk mjaftoi për Atë burrë me zemër. Edhe kur migroi në Tiranë, si njeri që e do shumë vendlindjen e tij dhe kërkon që zëri kalivaças të mos fiket kurrë, Viktori nuk rri i qetë e të vështrojë punën që bën, por ka ngritur një grup të rinjsh kalivaças, me banim në Tiranë e me zë të bukur, nga familjet e të ikurve nga fshati të cilët përgatiten si këngëtarë të grupit lab. Ndër ta ia vlen të përmend: marrësin e “shkëlqyer”, Jetnorin e Sherifit dhe vëllanë e tij – Iljotin; Xheton e Halo Ganiut; Cimin e Skenderit etj. etj. Le të na quajnë “diasporë”, me ironi, kjo nuk na fyen edhe pse dihet nënteksti i kësaj “nofke”. Një gjë është e sigurt: vlerat e kësaj pune, do të ndihen gjatë, se Viktori punon për të mbajtur gjallë shpirtin e popullit të fshatit tonë, jo për të konfirmuar veten e tij tashmë të afirmuar, si këngëtar.
Ka një lidhje të pandarë mes këngës dhe valles së kënduar labçe, e cila, në Kalivaç të Tepelenës, ka qenë e mbetet gëzim për banorët vendas. Kur dasma, fejesa, gostia apo festa merr zjarr e njerëzit bëhen çakërqejf, kënga ia lë vendin valles së kënduar. Ka traditë të mirë e të lashtë fshati ynë, për valle të kënduar. Xha Durka, nga Hasanimerajt, i cili ishte lezeti i valles, na ka lënë si “trashëgim” vallen e kënduar, burrërisht. Këtë traditë të mirë, plaku Durke Ademi sikur e përcolli, së bashku me të bijën, Asikon, në një majë bregu, në Hasanbegaj, ku, i paharruari Veiz Dano Takaj, rrëshqiste, si ngjalë me zë të përdredhur në krye të grupit të valltarëve.
Sikur ta kishte kopiuar, në mëhallën ku u bë dhëndër, Ahmet Selfo Zenelaj, nga Ahmetajt kur dilte në valle, gjëmonte oda e njerëzit i bënin sytë katër. Laze Xhezo Haderaj, po nga Ahmetajt, kishte shkathtësinë e një balerine dhe ishte virtuoz, në valle. Në Hysodosaj, çiftit Kalo Qazo e Mete Medini, nuk ua dilte njeri, në valle, etj.
Mos vallë era që vjen nga Deti Adriatik, e ngopur me avuj uji të kripur dhe ujët e ftohtë e të pastër të burimeve shkëmbore kanë ndikuar fuqishëm edhe në zërin brilant të këngëtarëve të muzikës së kultivuar? Klodiani është nga Ramajt e Hysodosajve; Erindi nga Xhaferajt, në Mecaj; Ogerti, nga Agajt; etj. A nuk ju ngjan sikur ujët e burimit ua ka larë fytin dhe kordat e zërit i kanë të pastra? Këngëtarë të tjerë, amatorë e profesionistë, kanë mbushur radhët e këngëtarëve nga Kalivaçi që na nderojnë. Mjeshtri i madh i klarinetës, Jakupi i Sulo Musait, nga Hasanimerajt, i cili, me meritë mban mbiemrin e fshatit tonë, nuk trashëgoi ndonjë kulturë muzikore, nga Mbetja dhe nga Sulejmani, por, me talentin e tij, me shumë durim e me vullnet, mësoi atë vegël muzikore të preferuar dhe zanatin të cilin po ia përcjell të birit, ka kapur maja të artit të klarinetës. Pertefi i Reshatit, i cili, po afirmohet dhe si këngëtar, po ecën, bindshëm në gjurmët e xhaxhait të tij të ndjerë – Nelos.
Do të thoshja, pa pikë dyshimi se Kalivaçi i Tepelenës i përngjan një kënge të madhe, pa mbarim, ku përfshihen gjithë kalivaçasit e kalivaçaset. E thënë me fjalë të tjera, Kalivaçi është një këngë pa anë e pa fund. Kjo është ndjesia ime; në gatimin e saj, nuk mund të them se nuk ka ndikuar malli për vendlindjen.
Po ta shtrij pak më gjerë, çështjen e shijes artistike të kalivaçasve, do të theksoja se në çdo hap të jetës, një kalivaças ka dëftuar se në shtatin e tij, nuk ka vetëm mish, kocka e gjak, si tek të gjithë njerëzit, por ka dhe art. Po të kishe mundësi ta shtrydhje një kalivaças, siç shtrydhen teshat kur lahen, do të dalloje rrjedhjen e artit të mirëfilltë. Nuk mund të gjykosh ndryshe, po t’i referohesh jetës së atij komuniteti vital. Medini i Çelajve; Qamili i Ali Xhelilit; Ferriku i Çoban Dules; Sadiku i Xhemal Banushit; Veliu i Cano Ademit; Ilmiu i Resul Nelos, Halua i Gani Muharremit; Agimi i Muhedin Salihut, Saliu i Dulajve, etj., gdhendjen e gurit të bardhë të fshatit si profesion të preferuar nuk e kanë kufizuar vetëm në Kalivaç, por me duart e tyre kanë gdhendur zbukurime me shije artistike, të cilat janë shpërngulur dhe në vendet fqinje. Punimet në dru të gdhendur, të zbukuruara me figura artistike sipas fantazisë artistike të autorit që përgatiste Ago Manxhari, ashtu si parmendat dhe tevliqet që përgatisnin artistët: Muharrem Kamberi; Azis Selfua, Muhedin Salihu etj. kanë përthithur shijet artistike të banorëve të fshatit tonë.
Në çdo familje kalivaçase, kompleti për lërimin e tokës (parmenda, zgjedha, tevlikët, kularet, plori, osteni, hekurat, etj.) ishte i pranishëm, pastrohej, në vjeshtë dhe pronari i varte në strehën e shtëpisë apo të kasolles dhe i mbante në gatishmëri të plotë, për sezonin e pritshëm. Çdo pronar dinte t’i përgatiste ato, vetë, por ata që u theksuan më sipër ishin më të specializuar, mendjendritur e duarartë. Kur njeriu vështron kasollet, të përgatitura nga kalivaçasi i ndjerë Matush Ademi, nga Dulajt e Mecajve; mullarët që ngrinte Shyqyri Abedin Haderaj, nga Ahmetajt; samaret që bënte Muharrem Nebiu, nga Hasanbegajt etj.; mbetej i habitur e nuk ndahej lehtë prej tyre.
Artin e gjejmë dhe në kurorën që përgatit një grua, me ca tërkuza prej leshi të dhirtë apo me litare lini duke i dhënë me art formën e nevojshme të një rrethi dhe trashësinë e nevojshme, sipas kapacitetit bartës dhe peshës së enës me ujë që do të mbajë në kokë, nga Burimi i Madh, në Donije, deri në shtëpi, apo vandakut me bar, me kashtë, me lëpushka, me dru zjarri etj. Mos t’ju duket çudi, por e them, mbi bazën e njohjes që kam se edhe në kërrabën e një çobani, edhe në kombinimin e zileve e të këmborëve, sipas tingujve muzikorë, arti është doemos i pranishëm. Nuk them për kaminat që përgatiteshin në Kalivaç, me përmasa e forma gjeometrike ku supervizor ishte kalivaçasi me shpirt “arkitekti” i pashkollë Hamit Caush Muharremaj. Po punimet me dru, ku, pas Asim “Çalit”, nga Ahmetajt mjeshtra u bënë: Hajriu i Dule Alushit, Çelua i Ago Manxharit e të tjerë bashkëfshatarë? Të bësh një mur apo të thurësh një gardh të bukur, të nxjerrësh vajin e ullirit, me këmbë, si flori, me një magje të thjeshtë druri (Koresh), të bësh vergje me palafike, duke i radhitur kokrrat e fikut, sipas madhësisë së tyre, të shkosh bukur një varg me gjethe duhani, të thurësh një copë rrobë, një llabane apo një shark në tezgjah, të qëndisësh me merak pajën e nusërisë etj.; art janë. Me siguri keni vënë re, një palë çorape të leshta të thurura me shtiza apo me grep, ose një bluzë me fije leshi, të punuar me motive të ndryshme ku shija artistike e asaj që i ka punuar është më e dukshme.
Nuk mund të dalë një njeri e të thotë se për të mirën e fshatit, kontribuojnë vetëm disa të njohur, të shkolluar apo të ditur, të kamur apo të fisëm. Jo! Jo! Dhe përsëri jo. Kalivaçin e nderojnë dhe e lartësojnë të gjithë kalivaçasit dhe kalivaçaset që e duan Kalivaçin, me zemër; jo me fjalë boshe.
Një lopari që tërheq lopën e tij, të lidhur prej brirësh ledh me ledh; e kullot e i jep ujë dhe, në darkë e fut në katua, në kasolle apo e lidh në avlli, me gjirin që i varet, plot me qumësht, nuk mund t’i mohohet kontributi. Ai ushqen fëmijët e familjes me atë qumësht e ata, duke u rritur të shëndoshë kontribuojnë për fshatin e tyre. Një fshatar i thjeshtë, nga më të zakonshmit, i cili lëron tokën dhe e mbjell atë, sipas kodit agroteknik, për pasojë merr rendimente të larta, i bën mirë familjes së tij dhe fshatit. Një çoban, i cili, i kullot mirë bagëtitë, në shi e në acar dhe bagëtitë e tij dallohen nga ato të të tjerëve është e sigurt që ka kontribuar jo thjesht për vete. Kështu mund të numërojmë sa të duash kontributorë, të cilët lëvizin “ingranazhet” e rritjes së fshatit tonë.
Ata që vetëm sa shtyjnë kohën nuk janë të tillë.
Nuk mund të quhen të tillë, ata “fatkeqë” të cilët qëndrojnë tërë ditën, në hije apo “përkëdhelen” pas gotës së rakisë, vërtiten rreth filxhanit të kafesë si dhe të tjerë që e “vrasin” kohën në bilardo e në eurolloto dhe konsumojnë djersën e të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për kontribute, kur përgojon të tjerët, kur merresh me biografitë e njerëzve, kur kërkon zgjidhje të gatshme dhe pret, me sytë nga qielli. Nuk bie asgjë nga qielli, po nuk lëvizin duart e këmbët e tua dhe po nuk u derdh djersa lumë.
Kalivaçi ka shumë halle. Hallet e tij nuk janë të vogla. Kohët e fundit, fshati ynë i bekuar është shpallur njëri nga të 100 fshatrat turistikë të vendit tonë. Perspektiva është e qartë: Kalivaçi i bukur do të bëhet më i bukur, me perspektivë, për t’u kthyer në një fshat turistik. Kemi në dorë një shans të madh, historik do të thoja, i cili nuk i jepet kujtdo, prandaj nuk duhet ta lëmë të na ikë nga dora.
Ato fjalë të mira që thuhen për fshatin tonë janë të vërteta e i vështron kushdo, por përparësitë që ka fshati ynë duhet t’i kthejmë tërësisht në të mirë të tij. Konkretisht: Pozicionin gjeografik e kemi në anën tonë; reljevin, edhe pse të dëmtuar vende-vende, e kemi piktoresk; klimën - të përshtatshme për të kultivuar lloj-lloj frutash e perimesh; lumin me gjallesa të ushqyeshme dhe tokën, të begatë, i kemi si dhuratë, nga Zoti; kullotat janë të larmishme e me kapacitet kullosor të bollshëm; mikpritja kalivaçase është mbresëlënëse; njerëzit i kemi të mençur, të sjellshëm e me aftësi për t’u përshtatur shpejt dhe të papërtuar. Mirëpo, këto nuk mjaftojnë edhe pse janë të pranishme, të dukshme. Çfarë shqetëson? Kam përshtypjen se disa kalivaças, sikur po largohen nga traditat e mira të fshatit tonë.
Nuk ka rëndësi ku jetojnë e ku punojnë; i rëndësishëm mbetet njëfarë ndryshimi në vijën e sjelljes së tyre. Nuk është mirë të shkelim mbi atë traditë, e cila është krijuar jo në një ditë, jo nga një brez dhe jo pa kundërshti.
Hallet e fshatit tonë lexuesit e nderuar, sidomos ata që banojnë në Kalivaç, i dinë më mirë e i kanë mbi supe; më mjafton t’i përsërit e t’ua kujtoj: “prerja” e faqes shkëmbore të bregores që zbret, nga mëhalla e Hasanbegajve, në lumë, në të dyja anët e Vjosës është një dëm i pallogaritshëm dhe një shëmtim i shëmtuar. Zhdukja e rrepeve shekullore, mbyllja e burimeve të ftohta shkëmbore, prishja e gjemisë dhe pikave të mbështetjes së saj, zhdukja e pajisjeve lundruese dhe nxjerrja jashtë funksionit e pajisjeve që e mbanin atë etj., s’janë veç disa shëmtime, nga më të dhimbshmet e të pariparueshmet. Edhe një kalimtar i rastësishëm e dallon lehtë grabitjen që i është bërë pasurisë së fshatit; gurit të bardhë, gëlqeror, nga jokalivaças, të cilët, jo vetëm që kanë grabitur gurin, pa shpërblim, por janë dëftuar, siç janë, makutë dhe vandalë. Mirë, gurët që gdhendi mjeshtri Ferrik Çobani dhe familjarët e tij, kryesisht në Dërrasën e Kripës, me fitime të ndjeshme që shkuan në të mirë të një familjeje vendase, po fitimet e këtyre vandalëve, ku shkuan?
Fushën e Leshjes, atë “sini” aq prodhimtare, e “fshiu” lumi i egër, i favorizuar nga pazotësia jonë. Po koçimarja e Dokes, e Grykave, e Trapit të Çesmës, e Bregut të Varreve dhe mbi Kullustra, pse u la të merrte udhën e Fierit, për të mbushur fushën e druve duke e lënë të zhveshur, atë bukuri të rrallë e cila buronte nga bimësia shumëvjeçare, me gjelbërimin e saj gjithëvjetor? Turizmi ka dhe mjaft halle e probleme të tjera. Nëse pretendojmë të përfshihemi në turizmin familjar, edhe kushtet e jetesës, në shtëpitë kalivaçase, duhet të jenë bashkëkohore. I huaji apo vendasi që vjen në Kalivaç për të pushuar e për t’u relaksuar nuk e zgjidh lehtë qesenë.
Ai, mezi i ka mbledhur ato para dhe me to kërkon të kënaqë sytë, stomakun, të flerë pastër dhe qetë, si dhe të jetë i sigurt. Një turist kërkon të gjejë në Kalivaç, ato që nuk i gjen lehtë në vendin e tij. P.sh.: Atij do t’i pëlqente ajri i pastër dhe mjedisi i pastër, në mëngjes do të donte të dëgjonte këngën e kaposhit, gjatë ditës, do të dëshironte të dëgjonte “simfoninë” e këmborëve dhe të zileve; në mëngjes do të donte të zgjohej nga zhurma e dybekëve, i pëlqejnë blegërimat, do të dëshironte të vështronte një njeri të veshur me kostum tradicional, ta fotografonte atë dhe të vishej edhe vetë, si ai; të fotografonte një qen stani; të dëgjonte si i bërtasin njëri-tjetrit, fshatarët, në distancë, kur nuk disponojnë telefona; të vështronte si punohet toka me mjete primitive; të vështronte një shtëpi muze ku të kishte eksponate të traditës kalivaçase në shekuj, të hante byrek, yshmer, qullapite, trahana, revani në saç, pekmez; urrel, të shijonte mishin të pjekur në hell, duke vrojtuar e fotografuar të gjitha proceset, që nga therja, rrjepja, kriposja, pjekja etj. Ai (ajo), ndoshta do të dëshironte dhe të dëgjonte e të regjistronte një këngë labçe, një dolli e një mirësi, të ulej në një qoshe e të dëgjonte si diskutohej në odën e burrave (grave), etj. Këto, të gjitha janë e mund të sigurohen në fshatin tonë, por çështja shtrohet të dimë t’i paraqesim sa më afër kërkesave të turistëve të mundshëm. Përmirësimi i rrugëve lidhëse është i domosdoshëm. Turisti, vërtet kërkon të ecë në këmbë, për të shkelur e për të parë çdo gjë të mundur, por kërkon që makina e vogël e tij ta ndjekë nga pas.
Si këto, ka plot kërkesa të tjera të cilat do të na i parashtrojë jeta; ato janë plotësisht të realizueshme, me kusht që kërkesat t’i bëjnë realitet kalivaçasit, jo ata që do të vijnë për të bërë turizëm. Vetëm atëherë, Kalivaçi ynë i dashur do të bëhet siç e duam të jetë.
Temë e ndjeshme ka qenë e mbetet mërgimi. Dikush, me të drejtë e ka njësuar atë me mjerimin, një tjetër me mallkimin e ku ta di unë. Por, jo në çdo rast, mërgimi ka rezultuar i tillë. Ka dhe mjaft raste kur mërgimtarët kanë vajtur e janë ngulur në një vend tjetër, të vetmuar apo së bashku me familjen dhe ndihen mirë; në ndonjë rast, më mirë se në Kalivaç dhe kanë ndihmuar për grumbullimin rreth tyre të mjaft të tjerëve. Rasti i Luanit të Mete Medinit, mendoj se i tillë është.
Shembulli pozitiv i Nuri Hamza Mehmetit është njëri nga rastet e mira. Po sa të tjerë janë integruar, qëndrueshëm në jetën e vendasve dhe kanë ecur mirë.
Më emocionon një rast tipik; ai i djalit të kalivaçasit Maksim Haderaj, i cili, në moshën e adoleshencës, luan futboll dhe është i talentuar. Perspektiva e tij është e qartë, suksesi është i garantuar, po të kemi parasysh vullnetin dhe durimin me të cilin djali stërvitet dhe interesimin e prindërve të tij. Kemi dhe raste kur kalivaças të veçantë, si Luani i Rexhep Ahmetit, i cili, në kërkim të një jete më të mirë, u shpërngul, nga Greqia në një vend më të zhvilluar, ashtu si djali i Kadri Rrapos, i cili u bashkua me vëllanë, në një vend me demokraci të konsoliduar ku dhe përfitimet materiale janë më të mira. Rrugë të tillë ndoqën dhe fëmijët e Haxhi Xhemalit, për t’u bashkuar njëri me tjetrin e për të jetuar më mirë. Të mos hidhemi në Itali, ku mjaft kalivaças, siç janë djemtë e Petrit Sheme Zenelit, binjakët e Kastriot Agos, djemtë e Mehmet Musait, vajza e Nelo Resmiut, ajo e Selman Resulit, vajza e Qamil Pashos, Natasha e Rexhepit, Neta e Skenderit, etj. të cilët, sillen mirë, punojnë e jetojnë për bukuri, me djersën e ballit.
Ai që e mban në kurriz, e di më mirë këtë. Sido që të jetë, mërgimi është i rëndë. Mërgimtarët, vërtet janë të nderuar, por dhe të detyruar të braktisin fshatin e tyre. Më parë, kalivaçasit, largimit për në vende të tjera, për të kërkuar një jetë e një shpërblim më të mirë, i kanë thënë kurbet. Kjo fjalë ka marrë si epitet “mjerimin” se i tillë ishte dhe, në fakt mjerim sillte në vatrat kalivaçase.
Le të rrugëtojmë në kohë, në vitet kur bashkëfshatarët tanë, një nga një apo në grupe, sipas përkatësisë fisnore apo sipas lidhjeve miqësore që kishin, me një torbë në krah ku zakonisht mbanin ushqim, për aq ditë sa të mbërrinin në vendin e piketuar dhe ndonjë palë ndërresa, të kërrusur nga barra e halleve që mbanin mbi supe e të menduar, rrugëtonin, ditë e natë, në këmbë e në mot variabil, të lodhur e të raskapitur, në verë u thahej buza për një pikë ujë e në dimër kishin mall të uleshin pranë zjarrit. Rrugëtonin të ngrysur e të menduar, duke thithur duhanin që kërciste, nga fortësia. Ata linin pas nënën, shpesh kërcure, babanë, po ta kishin në jetë, vatrën ku kishin lindur, nusen e re, të cilës akoma nuk i kishin shijuar nusërinë, një mal me halle dhe, duke bërë paralelizma, mendonin se edhe mund të mos ktheheshin më si të tjerë para tyre. Shembujt negativë nuk mungojnë, madje janë me tepri. Së shumti bashkëfshatarët tanë, merrnin udhën për në Anadol (Turqi); të paktë shkonin në Greqi e në Itali dhe akoma më të paktë ishin ata që kapërcyen Oqeanin Atlantik e prekën “tokën e premtuar”.
Po çfarë sillnin andej? Një ose disa valixhe me plaçka, së shumti si dhurata për familjarët dhe të afërmit e tyre. Vetëm Demir Rrapo Zenelaj (Mucoimaj), pruri nga Bostoni ku punonte libra e revista, në gjuhën shqipe, me të cilat hapi një kurs. Ata që ktheheshin nga kurbeti në Turqi, sillnin shtresa e mbulesa (dyshekë e jorgane), enë të bakërta dhe ndonjë qese me flori, të varur në qafë. Me këto para, dikush bënte shtëpi, një tjetër blinte troje, tokë, apo bagëti, një i tretë, martohej dhe borxhlinjtë hallemëdhenj shlyenin borxhet.
Vështroni me kujdes: Mjerimi ka qenë i pranishëm në çdo udhë që merrnin kalivaçasit, për të bërë kurbet, prandaj kurbeti është nemur e mallkuar me shpirt. Sa kalivaças kanë humbur udhëve të kurbetit? Disave nuk u dihet as historia; as varri. Asim Malua; Qazim Alikua; Malko Binua; Selman Nelua; vëllai i Zagoll Salikos; vëllai i Mane Tafilit; Mino Jacja; Hamza Rushani etj. njihen si të tillë. Po ata që kaluan nëpër male e disa nuk u kthyen prej andej, por i kërkojnë, sot e kësaj dite fëmijët që janë rritur pa baba?
Nuk mund të mohohet fakti se edhe brenda këtij mjerimi, kishte diçka pozitive. Prandaj, jo çdo gjë duhet ta çmojmë bardhë e zi dhe ta vizatojmë me ngjyra të errëta. Po t’i referohemi praktikës kalivaçase, ata që shkonin në kurbet, rrugëtonin larg e vështronin (njihnin) të tjera sinore, jetonin atje për aq kohë sa mundnin dhe, kur ktheheshin, kishin “marrë” diçka, mbi mënyrën e të jetuarit, shkëmbenin kulturat, përfitonin dhe të mira materiale, me të cilat përmirësuan jetën në Kalivaç.
E zgjata këtë çështje, jo për t’ju bezdisur, por se më duket aktuale dhe e ndjeshme. Dihet se kohët kanë ndryshuar e njerëzit nuk janë po ata. Si paraardhësit e tyre, në vitet ’90 të shekullit që përcollëm, por dhe në vazhdim, vajzat dhe djemtë e Kalivaçit, kur krijohen kushtet, marrin udhën e emigracionit. Aktualisht kushtet janë të tilla, që mund të udhëtohet larg e brenda një kohe të shkurtër. Kalivaçasit, tashmë i gjen jo vetëm në vendet fqinje, por dhe në distancë të largët.
E bija e Mehmet Azis Kalemaj ka emigruar në Australinë e largët; Gjylua e Qemal Sherifit banon në Boston; Rexhepi i Hamza Sheshos, gjithashtu ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; djemtë binjakë të Kastriot Agos punojnë e jetojnë në Itali. Në këtë vend, jetojnë e punojnë dhe dy djemtë e Petrit Sheme Zenelaj, dy djem të Mehmet Musait, vajza e Skenderit dhe Silvana e Nelos, Adelina, Majlinda e shumë të tjerë. Në Suedinë e ftohtë, janë sistemuar fëmijët e Haxhi Xhemalit, në Greqi punojnë e jetojnë dhjetëra bashkëfshatare e bashkëfshatarë. Në Belgjikë punon e jeton Altini, i biri i fisnikut Ali Muharremi etj. Në Kretë, punon e jeton kalivaçasi zemërzjarr Pellumbi i Llakajve, i cili e do shumë Kalivaçin. Në Greqi janë vajza dhe disa djem të Tahir Muharremit, Maksimi i Jashar Banushit, Asllani i Muharrem Kamberit dhe të tijtë, Luani i Mete Medinit etj. Edhe në Britaninë e Madhe, kanë shkuar disa kalivaças, të cilët punojnë e jetojnë, me djersën e ballit dhe na nderojnë.
Përparimi i Takajve është i malluar për fshatin, të cilin e do shumë e mezi pret të shkojë. Atij i mungojnë shtëpia prindërore, të tijtë, gurët dhe përrallet e bregoreve, ka mall të punojë tokën e të ushqehet si bashkëfshatarët, me fasule e me trahana. Ai më ka lënë mbresë dhe me faktin se, ndonëse punon në një fabrikë së bashku me rreth 700 të tjerë dhe banon, në një mjedis të huaj, ku njerëzit nuk flasin gjuhën e tij, jo vetëm që nuk e ka harruar gjuhën shqipe, por e flet atë – shqip.
Në këtë vend me demokraci të konsoliduar punojnë e jetojnë dy djemtë e Kadri Rrapos; djali i Neki Kasemit i cili mban një emër shumë të nderuar, atë të Xhemal Haxhiut të paharruar.
Do të më duhej të shkruaja gjatë, se e meriton plotësisht, për një kalivaças të radhës së parë, i cili i ka bërë nder që në vakt fshatit tonë (që në rininë e tij), por edhe tani, në vitet e pjekurisë, larg Kalivaçit ku u lind e u mëkëmb, me dashurinë që i mëkuan prindërit, për çdo pëllëmbë tokë, të Brinjës së Beut, e cila mori emrin Ruc, por dhe për tërë Kalivaçin, Nuri Hamza Mehmetaj, mbetet nderi i fshatit tonë. Gazetari me emër, dinjitari i zgjuar, zemërzjarrtë e fjalëshpatë, tani kur ka mbi shpinë shumë vite jete tepër aktive, të mbushur me “prodhimtari të begatë”, e nuk është kërrusur, as nga vitet, as nga hallet e nga bamirësitë, gjallon si dikur, në rininë e tij, i palodhur, i saktë, fjalëqartë e gojëmjaltë, mendjekthjellët, i dhimbshur e i gjendur si ai. Nuriu u ndodh me fat që u lidh me njërën nga vajzat më të bukura e më të mençura të fshatit, me fisniken Xhemile Mehmetaj Zenelaj, të bijën e Ahmet Selfos, nga Ahmetajt. Nuriut ia shton shumë vlerat veprimi i tij që i kapërcen kufijtë e humanizmit e të përkrahjes fisnore. Ai, në kushte që dihen, emigroi në shtetin Austriak dhe u vendos në Grac.
Mirëpo, xha Hamzai, në çift me të mirën Sose, kishte lindur e kishte rritur shumë fëmijë, të cilët e duan shumë Kalivaçin, por për të jetuar më mirë, i hodhën sytë larg. Në Austri (Grac), ata gjetën përkrahjen dhe mbështetjen e Nuriut e të Xhemiles. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast unik, kur një deli djalë si Nuriu i Hamzait ka grumbulluar rreth vetes një komunitet të tërë kalivaças, të cilëve u rreh zemra për vendin tonë dhe për Kalivaçin e bekuar. Sa hapësira ka që duhen shfrytëzuar, për të arritur një kohezion kalivaçasish, larg Kalivaçit.
Pa mëdyshje, edhe pse nuk e kam përjetuar, puna në emigracion është tepër e rëndë dhe jetesa, në kushtet larg vatrës ku të ka “rënë koka” nuk është si e banorëve vendas. Nëse emigrantët bëjnë punë të rënda e të rëndomta, pavarësisht shkallës së kualifikimit dhe aftësive intelektuale e fizike të tyre dhe nuk shpërblehen siç punojnë, kjo është e kuptueshme e nuk ha koment. Kështu ka ngjarë dhe më parë e kështu do të jetë. Punëdhënësi i huaj të merr në punë që të fitojë vetë, jo që të pasurohesh ti, ca më pak në kurriz të tij. E kundërta ndodh, rëndom.
Askujt nuk i ka tepruar të vërë dorën në zemër e të mendojë për ty. Mendoni se keni emigruar në një vend të huaj, nga halli, jo nga qejfi, me synimin për të gjetur kushte më të mira pune dhe jetese dhe një pagë relativisht më të lartë. Dakord, kështu duhet të ndodhë. Por, në fund të fundit, secili duhet ta ketë të qartë se shfrytëzimi kapitalist mbetet shfrytëzim, pavarësisht se i veshur me petka të tjera e i bojatisur nga reklama marramendëse. Çdo emigrant ka një synim dhe kur e prek atë (kur realizon qëllimin për të cilin ka lënë vatrën) ai, kthehet, andej nga ka ardhur, ose, kur gjen një shteg nga ku mund të shkojë në një vend tjetër ku jetohet e punohet më mirë kalon nga njëri shtet, në tjetrin.
Shembujt nuk mungojnë.
Kalivaçasit, si njerëz të zgjuar, i nuhatin shpejt koniunkturat dhe veprojnë vrullshëm në përshtatje me zhvillimin e ngjarjeve. Më kanë lënë mbresë të thellë, dy raste: Djali i kalivaçasit Maksim Haderit, nga Ahmetajt, si i talentuar në futboll; Luani i Sulajve, vajza e të cilit, Lela, ka bërë emër në mes të Athinës, shumëmilionëshe, me mjeshtërinë që ushtron. Nuk mund të lë pa përmendur, atdhetarinë e zjarrtë të djalit nga Leshnja, Pellumbit të Llakajve fisnikë, i cili ka ngjarë nga rrënja dhe mburret me përkatësinë kalivaçase, atje, në Kretën e gurtë, si Kalivaçi ynë. Kështu dhe rolin tepër aktiv të vajzës së Tahir Muharremit, në rrjetet sociale, e cila, si burrëreshë përballon jetën e vështirë të emigracionit, në ishull, por mendon e ndihmon, konkretisht, familjarët e saj.
Emigracioni të lodh e të mërzit dhe shpesh bëhet i padurueshëm, por, aktualisht, më tepër shqiptarë jetojnë jashtë vendit amë sesa brenda tij. Brengat dhe lodhja janë të shumta, por, dhe përfitimet, nuk duhet t’i hedhim poshtë. Një emigrant, kudo ku ndodhet e çdo punë që bën, ka disa përfitime. Së paku, ai ka parë e di diçka më tepër nga ndonjë bashkëfshatar i tij mundet edhe i së njëjtës moshë, nga ata që e vrasin kohën, tek lokali i Fatmirit të Sulos, në Majë të Dërrasës, apo në hijen e një peme, duke luajtur me letra ose me domino. Kam vënë re mjaft emigrantë, të cilët, kur janë kthyer, nga kurbeti janë të veshur ndryshe, kanë tjetër komunikim, paraqesin kulturë e horizont dhe, përveç të hollave që kanë rezervuar nga puna me mëditje, kanë sjellë edhe një mënyrë tjetër jetese.
Vështroni fshatin tonë si është ndryshuar? Janë ndërtuar banesa të reja, me një e me dy kate, me planimetri të re dhe brenda i kanë mobiluar, sipas mundësive dhe dëshirës së tyre. Është e vërtetë që ato para i kanë mbledhur me shumë sakrifica; siç kanë thënë në Kalivaç, “si këmba qelbin”, duke hequr shpesh edhe nga goja e tyre, por mundimi nuk u ka shkuar kot; ndryshimi që kanë bërë është i dukshëm. Pa vështroni ullinjtë? Ata janë mbjellë sipas teknologjisë së kohës, janë grumbullorë e nuk ka nevojë të shqyhet njeriu nëpër çatallat e azdisura, me një shufër në dorë.
Kështu dhe rrushi e kultura të tjera, të arave apo pemë frutore.
Vite më parë isha në shtëpinë e një njeriu tim, i cili ishte kthyer nga emigracioni në shtetin fqinj të jugut. Vajta të intervistoja kushërirën time të moshuar, e cila nuk është më në jetë. U mrekullova nga mjedisi që kishte krijuar i biri. Pastërtia dhe rregulli, në banesë, në bahçe, në rrugë e kudo, mbretëronin. Edhe makinë të vogël të tipit Benz kishte blerë nipçja.
Në tavolinë u shtruan gatime me shije dhe të pastra, aksesorët konkurronin me restorantet më të mira të kryeqytetit; elektroshtëpiaket ishin fringo të reja dhe të kohës. Shtëpia e lyer, jashtë e brenda dhe dashuria e familjarëve, një mrekulli me vete.
Pa shkarë në propagandë të rëndomtë, dua t’u bëj me dije emigrantëve se Bota e sotme është, jo vetëm në çoroditje, por dhe në një krizë të gjithanshme. Mos u ligështoni nga kufizimet që ndeshni, të cilat janë “prurje” të kohës që përcjellim, por besoni tek krahët dhe në aftësitë tuaja, dhe kujtoni qëllimin që i keni vënë vetes, kur morët udhën e mërgimit. Ju keni dy përparësi të dukshme, të cilat nuk ju lënë në baltë: Jeni të rinj në moshë dhe keni lerë e jeni rritur në Kalivaç të Tepelenës dhe keni tipare kalivaçasi.
Kalivaçi i Tepelenës, siç del nga interpretimi i zbulimeve të pjesshme arkeologjike të kohëve të fundit, të cilat, lipset të kenë vijimësi, mund të jetë njëri nga fshatrat më të lashtë e më të mëdhenj të trevës sonë. Mund të mendohet se edhe ndonjë fshat tjetër, rreth Kalivaçit të jetë formuar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të fshatit Kalivaç të Tepelenës. Kalivaçi i sotshëm ngjan sikur është shkëputur nga Mali përballë i Kudhesit (Mali i Bardhë), kurse lumi i Vjosës, sikur ka gërryer e ka formuar vendrrjedhën shumëshekullore. Bëhet fjalë për shumë shekuj të shkuar, ndoshta dhe për epoka të tëra. Arkeologët dhe historianët, gjithë ata që merren me këto punë, në të ardhmen, me siguri që do të impenjohen më shumë e do t’u japin përgjigje një sërë çështjeve që ka hedhur mbi tavolinë koha.
Neve, tani për tani, mbi bazën e atyre që lexojmë, vështrojmë e që prekim, na lind e drejta të fantazojmë, mbi bazën e një realiteti të dukshëm. Shpellat e lashta, dhe hambari në faqen Jugore të shkëmbit që zbret mbi lumë, toponimet me vlerë që gjenden sheshit, kudo nëpër fshat, të cilat, kalivaçasit i kanë parë e i kanë prekur, por i kanë shtyrë me këmbë nga padija, dikush dhe i ka dëmtuar, ka ardhur koha të çmohen seriozisht. Ato mund të shërbejnë si argument i pakontestueshëm, mbi lashtësinë e Kalivaçit të Tepelenës.
Në dorë kemi një argument të pakundërshtueshëm. Kalivaçi i Tepelenës është vend i bekuar. Bekimi është konkret; i dukshëm e i prekshëm. Zona ku shtrihet fshati ynë i përket Makje shiblakut. Klima dhe bimësia e tij janë të përshtatshme për jetën e njeriut.
Terreni, toka, uji, kullotat, peshku, etj. e bëjnë Kalivaçin të begatë e të lakmuar. Në vite, Kalivaçi ka qenë i lakmuar, si nga fqinjët dhe nga më të largëtit, në distancë. Prandaj popullsia e fshatit tonë është e përzier. Dyndjet nuk kanë ngjarë në një ditë; as në një vit apo në një shekull. Ndoshta ka rrjedhur më tepër kohë që të ndodhte kjo.
Kalivaçasi autokton nuk ka qenë e nuk është ksenofob, as racist. Veçse, ata që janë ngulur në Kalivaç, nën trysninë e kohës dhe të kushteve reale, kanë qenë të detyruar. Për të mbijetuar, ata janë përshtatur me vendasit, dhe janë afruar e janë miqësuar me ta. Kësisoj, mes kalivaçasve autoktonë dhe të ardhurve, janë krijuar lidhje të shëndosha e të qëndrueshme, të cilat kanë qenë faktor bazë i mosshkërmoqjes së fshatit.
Në mungesë të shkrimeve, për të argumentuar atë që them, jam i detyruar t’i referohem kujtesës, pa cenuar privatësinë. Në fund të fundit, ato që do të shkruaj janë gjëra të njohura, dhe për kalivaçasit nuk përbëjnë risi. Është historikisht e vërtetuar dhe e pranuar se Mucoimajt, të ardhur në mëhallën Ahmetaj, në trojet e dajos së tyre, Bektash Sakos, fillimisht kanë qenë vëllezërit Sherif dhe Demir Rrapo. Bektashi, në lidhje martesore me Dylben, nuk lanë trashëgimtarë, prandaj ishin të detyruar të merrnin në shtëpi dy nipërit e lartpërmendur. Të ardhurit nga Toci, fillimisht pranuan llagapin - Sakaj, më vonë, në rrethana të tjera, ata u regjistruan - Zenelaj.
Në fakt ata ishin e mbeten Mucoimaj. Dajo Bektashi dhe bashkëshortja e tij – nikoqirja - Dylbe, si të tjerët, e patën jetën të limituar. Me qëllim që ata, të dy (Sherifi dhe Demiri), të mos ndiheshin të vetmuar kërkuan dhe gjetën, me mençuri, lidhje të reja. Djali i madh i xha Sherifit - Qemali, lidhi martesë me Hatemenë, të bijën e fisnikut Musa Brahush Bilaj, nga Hasanimerajt. Edhe djali i dytë i xha Sherifit, Tekiu, një atdhetar i zjarrtë dhe luftëtar i orëve të para, u martua, në rrethana lufte, me Nasibenë, të bijën e bashkëfshatarit Ahmet Fejzo Pashaj, nga mëhalla e Hysodosajve, e cila doli partizane.
Kështu, familja Mucoimaj, u lidh me miqësi të reja, me kalivaças autoktonë e të fuqishëm.
Sherif Rrapua dhe vëllai i tij, Demri, nuk mund të ishin të përjetshëm. Ata ikën, por lanë pas pinjollë, të cilët e nderojnë Kalivaçin dhe u zihet emri në gojë. Muhameti, djali i vetëm i Demrit, ka qenë njëri nga djemtë më të mirë të fshatit tonë, në të gjitha kohët. Kështu dhe dy djemtë e tri vajzat e Tekiut, të cilët janë të zotët e vetes dhe “bëjnë petë” edhe për të tjerë. Kam takuar, të birin e Muhametit - Shkëlqimin, në Tiranë.
Ai ka një djalë adoleshent, i cili nuk ka qenë asnjëherë në Kalivaç, por thotë, plot gojën se është kalivaças dhe kërkon të dijë sa më shumë për fshatin. Ah, sikur të gjithë prindërit kalivaças, pavarësisht se ku banojnë, t’i mësonin fëmijët e tyre, si Shkëlqimi i Muhametit. Për fat të keq, gjendet edhe ndonjë 90-vjeçar, i cili nuk e ka fort për zemër qenien kalivaças.
Kalivaçasit e dinë se në Specovë, prej kohësh është vendosur e jeton një komunitet i ardhur nga fshati Dorez. Ata janë natyralizuar si kalivaças dhe jetojnë në harmoni me vendasit, madje, kanë formuar lidhje miqësie me ta. Të ardhur në Kalivaç janë: Mehmetajt, në Brinjën e Beut dhe pinjollët e Çoban Dules e Llakajt, në Leshnje; Pashajt në Hysodosaj; Bakajt (Celajt), në Bozanaj; Xhaferajt, në Mecaj, etj. Edhe babai i Arif Qamilit, i cili u vendos në Kalivaç, prej Vasjarit, për t’u ndjerë ngrohtë, në Bregun e Hysodosajve ku era të shkul, nga rrënjët, u martua me të ndjerën Sadefe, motrën e Laze e Banush Xhezos, nga Ahmetajt.
Në këtë shkrim dua t’i bëj homazh, një burri të veçantë, një labi me tipare e me pamje kreshniku, një burri plot burrëri e besë, një trimi e një njeriu me shpirt njeriu. E kam fjalën për të ardhurin nga Doreza, Muharrem Qerim Mehmetaj. Është një rast i veçantë e i papërsëritshëm. Muharremi dhe kushëriri i tij, Hamza Sheshua, u shpërngulën nga Doreza dhe u vendosën në Kalivaç, në vendin e quajtur Brinja e Beut, ose, siç njihet rëndom nga kalivaçasit; në Ruc. Xha Muharremin, të cilin, të tijtë e thërrisnin, me të drejtë – Baba, e kam njohur personalisht dhe ruaj, për atë burrë tërë autoritet e mirësi, kujtime të çmuara.
Xha Muharremi erdhi në Kalivaç si i huaj, por me sjelljen e tij të mëndafshtë, plot korrektësi dhe me zotësi, u hyri në zemër banorëve të Kalivaçit, të cilët e pranuan si djalin e tyre dhe, duke çmuar vlerat e tij, e zgjodhën, disa herë kryetar të Këshillit Popullor të fshatit. Në këtë mënyrë, Muharrem Qerimi u bë jo vetëm babai i fisit, por dhe i fshatit. Jo vetëm kaq, Muharrem Qerimi lidhi martesë me të bijën e Barjam Delos e të Hatixhesë, motrën e Tefik Barjanit, i cili mbante mbiemrin Isufaj. Një lidhje e zgjuar, nga të dy krahët, e cila bashkoi disa familje, me miqësi të sinqertë.
Gjykuar edhe nga ky fakt si dhe nga raste të ngjashme, mund të arrihet në përfundimin logjik se martesat e të ardhurve me vendase dhe e kundërta, në Kalivaç të Tepelenës, janë shfrytëzuar me zgjuarsi, mençuri e me largpamësi, si rrugë efektive për të forcuar lidhjet e për të arritur kohezionin ekzistues.
Mjaft kalivaças, në fshatin tonë dhe kudo ku kanë shkuar, i janë futur biznesit. Sipas mundësisë dhe aftësive të protagonistëve, bizneset kanë qenë e janë të natyrave të ndryshme. Ferrik Çobani, i shquar si gurgdhendës, kur pa se nga zanati i tij kishte fitim, të gjithë familjen e ktheu në gurskalitëse. Sot, pinjollët e tij e kanë zgjeruar gamën, duke u kthyer në liderë, në fushën e ndërtimit. Dikujt i ka ecur mbarë biznesi e ka nxjerrë fitime, të tjerë janë përpëlitur në dallgët e konkurrencës, nuk ia kanë dalë mbanë e kanë falimentuar.
Mund të them, jo pa bazë se tiparet e kalivaçasve janë mjaft afër me ato që nevojiten për të qenë një biznesmen i suksesshëm. Historikisht, në fshatin tonë, edhe një dyqan kafeje që ishte në qendër të fshatit të madh (në godinën e Teqesë së Harakopit), pronar kishte Todin, nga Poliçani i Gjirokastrës. Xha Telhai i Shatrafileve, i cili u mor me një tregti të vogël duke shitur me dorë të dridhur, bojëra, penj, basme, gjilpëra, rruaza, etj., nuk ishte nga Kalivaçi, por nga Luzati. Ndonjë i moshuar mund të mbajë mend, një dyqan me artikuj të kufizuar, në katin e parë të shtëpisë së Demir Seitit, të cilin e menaxhonte Sulo Beqiri, etj. Ka një lidhje, të cilën nuk mund ta quajmë rastësi. Arif Qamili, në kohën kur fshati ishte i organizuar në kooperativë bujqësore, hapi në Hysodosaj një dyqan shtëpie, me sende ushqimore të domosdoshme; djemtë e tij, sot kanë organizuar e menaxhojnë biznese të suksesshme.
Qazo Mehmeti e më vonë Zaimi i Xhemal Haxhiut me Sadon, me shumë sakrifica organizuan biznese të kufizuara, me mall të vetin apo shtetëror dhe, në kushte që dihen furnizuan popullsinë e Kalivaçit, me sende të domosdoshme. Sa mundësi të tjera ka që nuk shfrytëzohen dhe ne rrimë e vështrojmë, si ikën guri i bregoreve tona, për zbukurimin e shesheve e të ndërtesave të fqinjëve; si ka ikur Koçimarja, në fushën e druve të Fierit dhe si është shëmtuar gryka e lumit, nga të pangopurit e të paskrupulltit të cilët, mund t’i quaj “Vampirë”. Konstatoj, me keqardhje se disa vlera të qenësishme të kalivaçasve, të cilat, me kohë kanë fituar forcën e traditës së mirë, po zbehen dhe përpjekjet për të dalë nga amullia janë të pakta. U them, me zemër në dorë kalivaçasve që e duan, me shpirt fshatin e tyre dhe kërkojnë ta vështrojnë atë, atje ku i takon, në ballë të fshatrave të rrethit të Tepelenës, si fshat turistik, me mundësi të shumta e me resurse të pashterrshme. Dy fjalë zemre bashkëfshatarëve të mi e ndjej si detyrë t’ua them hapët: Mos u largoni nga tradita e mirë shumëvjeçare e fshatit, por përtërijeni atë se ju afron e ju bashkon me njëri-tjetrin.
Ngazëllehem, kur vështroj kalivaças që, pavarësisht nga bindjet, nga përkatësia partiake dhe nga miqësitë apo armiqësitë, në raste morti bashkohen, si një trup i vetëm dhe përcjellin të ndjerin (të ndjerën). Kam parë kushërinjtë Hysenaj, nga Leshnja, fisnikët: Sadik; Qemal; Skender dhe ndonjë tjetër, të marrin udhën e të vijnë në Tiranë, në raste të tilla. U them, plot gojën: “Bravo u qoftë! Ju, kështu nderoni veten dhe fshatin!” Kjo është traditë që duhet ruajtur, edhe pse është për raste fatkeqe. Në Kalivaç, në raste të ngjashme, kur “i helmuari” i mban sytë nga dera, janë mbështetje e fuqishme.
Edhe në raste martesash, i gjithë fshati, sipas fiseve, burra e gra, vërshojnë në shtëpinë e dhëndrit, për të uruar e për të parë nusen.
Ka qenë traditë, kur të vjen tjetri në shtëpi, ta presësh me bujari e ta përcjellësh me dhurata. Një ditë isha në familjen e të ndjerit Serjan Aliko Muharremaj, i cili ishte njëri nga dy djemtë e Kalivaçit që u martua, në vitet ’50 të shekullit të shkuar, me një të krishtere, duke thyer kështu një tabu. Djali i Serjanit, Bëni, në nderim të nënës së ndjerë, kishte emërtuar të bijën – Kristine. Kristina e re dhe e ema e saj, ndonëse nuk kishin qenë kurrë në Kalivaç, deklaronin se janë nga Kalivaçi i Tepelenës. Ajo që më la pa fjalë ishte përcjellja e nuses së Benit, me dhurata modeste, si në Kalivaçin e dikurshëm.
Bashkëshortes së Mehmet Azis Kalemit, kur vajti për herë të parë në Kalivaç, në vitet ’50 të shekullit të shkuar i kishte lënë përshtypje fakti që gratë e puthnin dhe kur u largua nga fshati, e përcollën me dhurata. Po humbasim traditën e përgatitjes së zaireve për dimër, thurjes së trikove e çorapeve me fije leshi; tezgjahut e ndoshta do të humbasim dhe traditën e hollimit të petëve, nxjerrjes së vajit të ullirit me këmbë etj. etj.
Na e ka qejfi që fshatin tonë ta bëjmë siç është piketuar, si fshat turistik. Ata që banojnë në Kalivaç dhe ne të gjithë, të bëjmë ç’është e mundur, për të mos e humbur këtë shans historik. Që të bëhet kjo, secili t’i bëjë pyetjen vetes dhe gjitonit, fisit, e tërë fshatit: A jemi ne në atë nivel që kërkon turizmi familjar? Unë them: jo! Turisti që merr udhën e vjen tek ne kërkon të kënaqë sytë, barkun si dhe të flerë mirë.
Siguria është çështje që nuk mund të vihet në diskutim. Dua të them se një turist nuk i nxjerr lehtë paratë nga xhepi, mbasi nuk i ka të tepërta. Ai kërkon të vështrojë e të shijojë ato gjëra që nuk i ka në vendin e tij. Po sikur të kërkojë të dijë historikun e fshatit dhe veglat e punës e orenditë që janë përdorur? A ka ndonjë konferencier kompetent për këtë?
Turizmi është një fushë e palëvruar për fshatin tonë; disa gjëra mund të parapërgatiten, pa menduar se: “Kur të futemi në ujë do të mësojmë not”.
Në shkrimet e mëparshme, të cilat nuk mund të jenë pa kritikë, janë shtjelluar mjaft tipare të banorëve të Kalivaçit, por nuk është theksuar një tipar që na veçon nga të tjerët. Bëhet fjalë për bukurinë femërore dhe atë mashkullore të banorëve të Kalivaçit. E them me plot gojën se, siç ka vajza e djem kalivaças, të zgjuar, të mençur, zemërmirë, bujarë e trima, ka dhe të dukur. E kam të pamundur të bëj një evidencë, të bukurisë kalivaçase, mbasi edhe njohjen nuk e kam të plotë, sidomos kur bëhet fjalë për të rejat dhe për të rinjtë, tiparet e të cilëve kanë evoluar, si kjo kohë.
Pa u rrekur të përmend gjithë sa tërheqin vëmendjen me nurin e bukur, aq sa kam njohuri, mund të them se në rreshtin e parë mund të jetë Mirjeta e Hysni Jasharit dhe motra e saj – Eli. Jo si në një paradë mode mbasi nuk më shkon e nuk më takon, do të veçoja bukurinë e Brunildës së Haderet; Eduinës së Reizit dhe kushërirës së saj – Migenës; Enadës nga Dulajt në Mecaj, Savën e Caushet; Jonën e Petrefit; Stelinën e Ramajve, Sarën, Netën e Butos dhe atë të Skenderit, Memin, Dudildën, Anisën, Matildën; Halimenë; Klaudian; vajzat e Nelos, vajzat e Tahirit, Natashën dhe Marcelën e Rexhepit, etj. etj. Nuk është vetëm çështje gjeni; kushtet e jetesës, shpesh luajnë rol përcaktues. Meqenëse jemi këtu, do të nënvizoja se Kalivaçin e nderojnë dhe bijat e tij, kudo që janë. Bëhet fjalë për ato vajza që janë nga Kalivaçi dhe kanë vajtur nuse në një derë tjetër.
Kush të dojë le ta kundërshtojë opinionin tim: Lum ajo derë që merr nuse në Kalivaç të Tepelenës. Përse i do, ato të përgjigjen. Të zgjuara, të shkathëta, të mençura, të dukura, punëtore të papara, nikoqire, pastërtore, të dashura, të pritura, të zonjat për ta ndezur zjarrin me vete, të kujdesura për fëmijët, për burrat dhe për fisin, nderojnë mikun, etj. etj.
Djemtë kalivaças nuk mbeten pas motrave të tyre, si në pamje dhe në punë. Romeo Bilaj, Klodiani i Dritës, Xhevdet Ahmeti dhe vëllai i tij Gjonleka; Luani i Rexhepit, Nuriu i Hamzait, Xhevairi i Breshanit; Xhelil Aliu dhe vëllezërit e tij; djemtë e Barjam Malos; Barjam Dosti; Veziri i Fejzo Qazimit e sa të tjerë, janë të pashëm e nuk ua ha qeni shkopin.
Së fundi, më duhet të them dhe një të vërtetë: Keni vënë re Ju? Edhe nipërit e mbesat na kanë ngjarë. Është gjë e mirë kur këta ngjajnë nga dajot. Gojëdhëna na thotë se Matua dhe Hasani, dy trima të tërbuar, që formuan një fshat me tipare luftarake, ishin nga Hasanbegajt. Luftëtari i thekur për mbrojtjen e trojeve amtare – Kanan Mazja, nga Shkoza, ishte nip në derën e Abedin Kahremanit, në Ahmetaj. I mirënjohuri avokat – Idajet Beqiri, në Hasanbegaj i ka të lidhura fijet; i moshuari Selman Islami, nga Çorrushi, është nip, në Kalivaç.
Historianja e shquar Fatmira Ramaj, nga Krahësi, në Muharremaj është mbesë. Inxhenieri i ndërtimit - Ardjan Xhaferri, nga Kalivaçi e ka nënën dhe vëllezërit me emër të mirë: Ahmet e Gjergji Hoxhaj, nga Krahësi, nipër në Ahmetaj janë; Astriti i Qani Shabanaj dhe i Velidesë, në Kalivaç i ka rrënjët, etj. Sa shumë gëzohen dajot kur rrethohen nga nipër e mbesa si ata vetë!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj në Tiranë, gusht 2018.


Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.