(Fjala në drekën përkujtimore të dyzetave të Lumturi Xhevit Llakaj (Nelaj), shtruar nga vëllezërit e Saj).

Më 10 tetor 2018, në restorantin "Kurora", në Krahës të Tepelenës, u përkujtua ndarja nga jeta e motrës sonë të vetme: Lumturi Xhevit Llakaj (Nelaj), në të dyzetat e saj. Morën pjesë djemtë e saj dhe vajza Fiqret; vëllezërit: Niazi e Dilaver, si dhe mjaft të afërm, miq e shokë të të ndjerës. Me këtë rast, përshëndeta të pranishmit duke u shprehur mirënjohje e respekt.

  • U lumshin këmbët që morët udhën dhe erdhët për të kujtuar e për të nderuar motrën tonë të ndjerë!

  • Për të mira e në gëzime ua shpërblefshim nderin që po na bëni!

Lumturia do të kujtohet gjatë se na la emër të mirë e u nda nga kjo botë me sytë plot; ka lënë pesë fëmijë (tre djem e dy vajza), njërin më të mirë se tjetrin; dy vëllezër; shumë nipër e mbesa, dhe juve, dashamirësit e saj. Motra jonë Lumturi, vërtet ishte e vetmja motër jona; ama ishte një e nuk bëhet dy. Ajo nuk ishte një pellgaçe me ujë të ndenjur por i ngjante një përroi malor, i cili zbret me utërime e përcjell shkëmbinj të mëdhenj. Lumja jonë do të mbahet mend siç ishte: E sertë por e drejtë, e zgjuar natyralisht; punëtore e papërtuar e punëmbaruar; fjalëmbël e sedërmadhe; e dhimbsur jo vetëm për fëmijët dhe të afërmit e saj. Lumturia, respektin e fitoi me sjelljen dhe me punën e saj të ndershme. Dashamirësinë dhe respektin e njerëzve për Atë e pamë në ditën e përcjelljes në banesën e fundit, kur u dyndën aq shumë njerëz sa nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës.

E kishim motër të madhe dhe të vetme; e kishim nënë dhe shoqe mendtare, me të cilën qanim hallet e merrnim këshilla me vlerë. Lumja jonë nuk ishte vetëm e zgjuar dhe e mençur; Ajo ishte një guximtare e pashoqe për të thënë e për të mbrojtur të vërtetën.

Kujtimi për Të nuk mund të tretet se Ajo ka lënë pas dhjetëra nipër e mbesa dhe se gjatë jetës bëri vetëm të mira.

U përulem, me respekt, të nderuar pjesëmarrës e ju kërkoj ndjesë që na ngjau kështu. Disa gabime të rinisë u dashka të paguhen në pleqëri.

E paharruar qoftë motra jonë – Lumturi! Për të mira e në gëzime ju ardhshim!

  • Le të pimë një gotë, për kujtimin e saj të ndritur!

Në Krahës, më 10 tetor 2018; mbajti Niazi Xhevit Nelaj, vëlla i Lumturise.