Kalivaçi i Tepelenës është një trevë mjaft e herëshme. Popullsia e kësaj treve qyshse është ndodhur në këto anë nuk e ka ndarë nga vetja delen, dhinë, gjedhët, njëthundrakët dhe kafshët e tjera të shtëpisë. Do të thoja se banori i Kalivaçit të Tepelenës, si dhe gjitonët e tij, e ka lidhur egzistencën e tij, kryesisht me mbarështimin e kafshëve të punës e të prodhimit. Kalivaçi, me historinë mijëravjeçare të tij, ka nxjerrë e ka blegtorë të ndierë. Zoti i ka falur Kalivaçit natyrën e bukur, fushën e begatë, kodrat dhe arishtat të mbuluara me bar e gjethe, gurishtet të mbuluara me bar të imët, të pastër dhe diellin e Jugut, aq me vlerë. Këta dhe të tjerë janë kushtet më të domosdoshëm për rritjen dhe mbarështimin e bagëtive shtëpiake.
Treva e Kalivaçit mund të veçohet nga të tjerat nga përkujdesja që kanë banorët e saj lidhur me shtimin e dhenve e të dhive. Delja, por dhe dhija, në Kalivaç dallohen për mishin e shijëshëm e qumështin me vlera të rralla ushqyese. Barinjtë nga Kalivaçi i Tepelenës, nga brezi në brez, i kanë përçuar njëri-tjetrit eksperiencë me vlerë lidhur me rritjen e mbarështimin e blegtorisë të imët. Prandaj barinjtë e kësaj treve janë të veçantë e shquhen për qendrime mjaft dashamirëse, ndaj bagëtive të tyre. Kujdesi dhe përkushtimi i tyre për të patur bagëti të shëndosha e produktive është i mirënjohur dhe evident.Por, nuk është rendimenti i mishit e i qumështit ajo që i veçon bagëtitë e imëta të kalivaçasve nga të tjerat; përkundrazi, cilësia etyre është përcaktuese. Lidhja e ngushtë e barinjve të kësaj treve me bagëtitë e tyre dhe përkujdesja e veçantë shpalosen, në sidomos kur është fjala për të krijuar kushtet për ushqimin, strehimin, pirjen e ujit etj. Lidhjet e ngushta dhe roli i veçantë që kanë luajtur bagëtitë e imëta në jetën e banorëve të trevës është shprehur qartë në vargjet kuptimplotë:
“Gjë e bardhë për ditë të zezë”!
Sa e kuptimtë është kjo shprehje? Dmth: Po të kesh dele në shtëpi, çdo hall e nevojë që të të bjerë, “e hedh tej” atë.Një çoban i mirë”komunikon “, me bagëtitë e tij nëpërmjet një kodi të veçantë. Por, jo të gjithë çobanët e kanë këtë aftësi.Një kalimtar i rastit mrekullohet nga pamja e veçantë e një tufe në kullotë, kur shikon delet, në qetësinë e tyre dhe në harmoninë e natyrshme, kur vrojton qingjat; të bukur, të shkathët, tejet paqësorë, tek lodrojnë pranë nënave,për qejfin e tyre. Kalimtarin tonë e mahnit pamja e tufës së dhenve dhe befasohet kur dëgjon harmoninë dhe muzikalitetin e këmborëve që kanë të varura në qafë bagëtitë që ka përpara.
Çobani nuk u var këmborë të gjitha deleve të tufës. Ai i zgjedh “instrumentët” dhe “muzikantët “ që përbëjnë tufën e dhenve.Këmborët janë të madhësive të ndryshme, ndonëse formën e kanë të njëjtë. Më të voglat quhen çokale, ose thjeshtë troke. Ato me përmasa mesatare quhen këmborë dhe më e madhja e tyre quhet gjype.Si rregull, gjypja është një e vetme dhe i varet dashit që i prin kopesë.Cokalet, këmborët dhe gjypja, të marra së bashku, formojnë një “orkestër” ku çdo tingull që lëshon njëra është në harmoni me tjetrën.Harmonizimin e tyre e ideon dhe e realizon vetë çobani. Bariu i tufës nuk është kompozitor e nuk e njeh muzikën, si art, por Zoti i ka dhënë atij veshin muzikal. Ai, mund të mos e ketë parë apo vizatuar ndonjëherë pentagramin, por këmborët i shpërndan në tufë, në mënyrë të atillë që ato të mos “hahen”( stonojnë ) me njëra-tjetrën.Këmborët, të gjitha janë të ndërtuara në formën e një xhepi të përmbysur.Në mes të këmborës varet një shufër metalike, e cila, kur delja lëviz takon me pjesën metalike të këmborës dhe, nga fërkimi i të dyjave del një tingull. Lëvizjet e ndryshme të deleve shkaktojnë tinguj të ndryshëm, me ngjyra muzikore të larmishme.
Një çoban esnaf, duke i harmonizuar bukur tingujt e këmborëve, është në gjendje të dallojë kur në tufë është futur ndonjë dele e huaj. Këmbora e deles së huaj është lehtësisht e dallueshme për bariun e tufës. Këtej rrjedh reagimi negativ i tij .
Rastis që ndonjë dele të shkëputet nga kopeja e të vrapojë kuturu , për të kërkuar shoqet. Bariu, i cili i njeh mirë tingujt e këmborëve të tij, e njeh dhe e gjen delen “e humbur”, nëpërmjet këmborës që ajo ka varur. Kësisoj, “ veglat muzikore “ që u ka varur në qafë deleve të tij i vijnë në ndihmë çobanit, për të menaxhuar tufën. Një bari dhensh me veshë muzike, me ndihmën e këtyre “veglave muzikore” dallon nëse dhentë e tij janë duke kullotur, nëse po pushojnë, nëse janë duke pirë ujë apo vrapojnë. Në çdo rast lëvizjet e bagëtive janë të ndryshme dhe, për pasojë këmborët që kanë në qafë lëshojnë tinguj të ndryshëm. Aq e vërtetë është kjo sa një çoban i kujdesshëm e vigjilent është në gjendje të dallojë, nëpërmjet tingujve nëse dhentë e tufës së tij, kur janë në vathë, kasolle, katua e në vende të tjerë ku pushojnë, ndodhen në qetësi apo janë të ngacmuara . Kur delja “rreh” tokën me këmbë, edhe tingulli i këmborës që ka në qafë është i ndryshëm.Dhentë që janë shtruar e hanë, në një kullotë të rrafshët, uniforme, lëshojnë tinguj të ndryshëm nga ato të deleve në një kullotë jo si kjo. Tingujt e këmborëve, në rastin e parë janë të qetë, harmonikë e uniforme . Nuk mund të themi të njëjtën gjë kur kullota nuk është e rrafshët . Tingujt e këmborëve, në këtë rast janë të tjerë, të dallueshëm nga të parët.
Dy kope dhensh nuk i kanë të njëllojtë tingujt e këmborëve. Si të themi, orkestrat e tyre nuk janë të njëjta.Vetë çobanët, kur zgjedhin këmborët, të cilat i dallojnë me veshë, kanë qejf që tingujt e tyre të jenë të veçantë. Ata e njohin tufën e tyre fizikisht, por e njohin dhe pa i parë dhentë me sy, nga melodia e këmborëve që ato kanë varur. Me melodinë e çdo tufe janë familjarizuar dhe banorët e mëhallës e më gjerë.Kur qaset një tufë në udhën e mëhallës, ose afër saj, pa i parë bagëtitë me sy mëhallalinjtë thonë: “Erdhi kopeja e filanit apo e fistekut” etj .
Puna është diçka më tjetër kur bëhet fjalë për zilet e dhive.Ato kanë të njëjtën formë, i ngjajnë një koni dhe ndryshojnë nga njëra –tjetra nga madhësia e tyre. Pikërisht ndryshimi i madhësisë të zileve kondicionon tingullin e tyre. Zakonisht zilet me përmasa më të vogla e kanë zërin më të hollë; me zmadhimin e përmasave edhe zëri i tyre trashet. Zërin më të trashë e ka zilja e cjapit , atij që vihet në krye të tufës së dhive.Dhijari (çobani i dhive), kur ka veshë muzike i dallon dhitë e tij edhe kur njëra prej tyre ngrihet përpjetë për të kapur një degë peme dhe e tërheq atë për ta këputur. Në këtë rast tingulli i ziles që mban dhija “kobatare” del nga harmonia e tufës e dallohet , “ siç dallon dhija në mes të deleve”.
Barinjtë e Kalivaçit të Tepelenës e kanë mjaft për zemër harmonizimin e “ orkestrave “ të këmborëve e zileve. Ata, vërtet nuk i prodhonin vetë zilet e këmborët e bagëtive, të tufës por marrin udhëtime të gjatë; shkojnë deri në Janinë; Vlorë; Berat; Këlcyrë; Gjirokastër e gjetkë dhe , kur blejnë zile e këmborë , i zgjedhin ato , që të kenë tinguj , që “ shkojnë” ( lexo harmonizohen me njëra- tjetrën). Si praktikë që ka zënë vend në traditën e trevës, “ instrumentët muzikorë” zgjidheshin e bliheshin me dyzina.
Në praktikë ka pas dhe ndodhi fatkeqe, kur në stan kanë hyrë grabitqarë, me qëllim të keq ose “ ka rënë bisha (ujku) “. Në këta raste bagëtitë tremben, lëvizin në mënyrë kaotike, për të “shpëtuar kokën”.Në këta raste, edhe tingujt dalin të ç’akorduar e harmonia muzikore prishet. Çobani e dallon ndryshimin, menjëherë e shqetësohet. Në stanin e tij diçka e keqe ka ndodhur, prandaj ai merr masa :lëshon qenin, mikun e tij të ngushtë e të vetëm që ka pranë, del nga kolibja e tij, merr në dorë armën, e mbush dhe qëllon në ajër, me armë, bërtet,, rrëmben një urë të ndezur , nga zjarri , tëcilin e mban te ndezur gjat dhithë ditës e natës dhe e vërtit në ajër, sokëllin, etj. që të largojë rrezikun.
Praktika e gjatë e çobanërisë, në Kalivaç të Tepelenës ka krijuar një traditë të pasur e me vlerë përsa i takon “veglave muzikore” specifike. Përveç këmborëve e zileve, çobanëria kalivaçase përdor, si trashëgimi nga të parët veglën melodioze,simbolike, fyellin e bariut. Fyelli përfaqëson një tub, metalik ose plastik, të gjatë 50-70, deri 100 cm. me vrima, në gjatësinë e tij.
Eshtë i njohur fakti që bariu i tufës është një njeri i vetmuar. Veprimtaria e tij është e përcaktuar dhe rigorozisht e determinuar. Bariu nuk mund të largohet nga kopeja, ai i kalon ditët dhe netët pranë bagëtive të tij, shpesh, larg gruas, fëmijëve dhe njerëzve të dashur të tij. I ndodhur në kushtet e vetmisë, atij, natyrshëm i lind nevoja të komunikojë me botën që e rrethon. Në radhë të parë, çobanit i duhet të komunikojë me njerëzit, madje dhe me kafshët që i ndodhen pranë , nën kujdesin e tij. Fyelli dhe qeni janë dy miqtë më të afërt të çobanit. Bariu i tufës tenton të komunikojë; të thyejë heshtjen e të bëhet “ i gjallë”.Ai ulet mbi një shkurre ( paliçe, xinë, përralle, koçimare etj.), qenin e ka pranë, bagëtitë janë shtruar në kullotë, merr fyellin në dorë e ia nis avazit, me shumë kënaqësi.Njërin skaj të fyellit e fut në gojë ( në cepat e buzëve), gishtat i vendos nëpër brimat e fyellit, për të komanduar tingujt dhe artikulon tingujt që dëshiron.Bllokimi dhe çbllokimi i brimave të tubit, bën që nga fyelli të dalin tinguj të ndryshëm . Siç ndodh kur pianisti shtyp tastierën e pianos, ose siç ndodh në rastin kur fizarmoniçisti shtyp baset e veglës muzikore.
Kur i bie fyellit, bariu artikulon disa melodi, në një vijë melodike të caktuar, të zgjedhur prej tij, dëfton, me fyell, një ndjenjë, një mendim apo një brengë, të cilën kërkon ta ndajë me dikë. Në pamundësi për të komunikuar me njerëzit që do, ai, i ndodhur në vetminë e tij të përkohëshme, i drejtohet fyellit, një sendi jo frymor.Duke shprehur me nota muzikore atë që ndjen e që kërkon tua transmetojë të tjerëve, hallin që ka, çobani është në paqe, me veten e me të tjerët. Këtu duhet të vemë në dukje diçka: çdo bari mund ti bjerë fyellit e të bëjë zhurmë por, melodi e tinguj të bukur mund të prodhojë vetëm ai që ka vesh muzikor . E, kjo është dhunti; ajo nuk blihet në pazar.
Të moshuarit, si 100 vjeçari çizo Selfo Agaj dhe moshatari i tij Musa Mehmet Nelaj tregonin se, në vitet 1850-1860 bashkëfshatari i tyre, bariu i dhenve Malko Bino ishte ndër barinjtë më në zë, në Kalivaç e në rrethina që “ prodhonte”, me ndihmën e fyellit melodi të rralla. Fama e tij e mirë kishte arritur deri tek pushtetarër turq.Siç tregonte plaku çizo , më se një shekull më pas , një ditë erdhën në Kalivaç tagrambledhësit e perandorisë osmane, për të vjelë taksat. Ata e dinin që në Kalivaç ishte një burrë që të habiste me tingujt e fyellit të tij. I Dërguan njoftim Malkos e ai i la dhentë nga Bregu i stanet, ku nuk kishte rrezik të bënin ndonjë zarar, dhe ai u paraqit tek të ardhurit, të cilët ishin sistemuar tek dyqani i Todit , nga Poliçani. E lutën xha Malkon ti binte fyellit , siç dinte ai ; madje i ofruan dhe para ( mexhite) por fshatari nga Kalivaçi, me kokëfortësinë karakteristike, nguli këmbë në të tijën; i tha goja : “ jo”! dhe nuk “ktheu “ nga e tij. Kur e panë se nuk mund të merreshin vesh me çobanin e pabindur, shtetarët e perandorisë i thanë Malkos : “ Mirë, ik në punën tënde”! Xha Malkoja, u largua nga nëpunësit, zbriti disa hapa më posht, mbi udhën e verbër qe të çonte nga Përroi i Llaskos, në Majën e Dërrasës, u ul mbi një shkurre dhe ia mori, me fyell, një melodie me të qarë. U mrekulluan turqit, natyrisht, pa para e thanë: “ Ua mori të keqen mexhiteve tona”.
Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, çobani i dhenve Aqif Axhem Caushaj, njeri pa njeri, i binte fyellit në mënyrë të përkryer. Në meloditë e fyellit të tij dominonin avazet melankolike. Ndoshta kjo ishte një mënyrë që kishte zgjedhur xha Aqifi për të shfryrë dufin e vetmisë të tij.Në kohët moderne, çobanët kalivaças nuk rreshtën së rëni fyellit, cilësisht. Çobani i deleve Enver Qemal Zenelaj dhe Kujtim Kalo Dulaj ishin nga më të shquarit fyelltarë të fshatit Kalivaç të Tepelenës.
Po çfarë thotë çobani ynë me ata tinguj të bukur që nxjerr nga ai tub, i hollë metalik apo plastik, me disa vrima anash, çfarë mesazhi i përcjell ai botës që e rrethon? Pa asnjë mëdyshje mund të themi se bariu, në çdo rast, kur i bie fyellit, përcjell një mesazh, shpreh një brengë, kërkon të ndajë me të tjerët një dert ose jep një sinjal e kërkon një ndihmë. Një kalimtar i rastit, tek dëgjon melodinë e bukur të fyellit, mrekullohet prej saj e, për disa çaste stepet nga kënaqësia. Por, kur ai përpiqet të kapë mesazhet që përcjellin ata tinguj që dalin prej atij tubi të thjeshtë metalik, arrin të cekë domethënien e atyre tingujve . Kjo gjë bëhet e mundur në rastin e mirë kur bëhen përpjekje për të depërtuar në thellësinë e melodisë që formulon vegla muzikore e çobanit.
Bariu, me anë të fyellit u transmeton të tjerëve hallin që ka, përshkruan gjendjen në të cilën ndodhet,dëfton për vetminë që ndjen, kërkon ndihmë për të kapërcyer një situatë të vështirë etj. Legjenda e njohur e Tanës mund të jetë një nga pikat kulmore të këtij lloj komunikimi, i cili ngjason me një tekst të koduar me shifër sekrete. Besoj nuk ka nevojë për komente e analiza ai tekst brilant, lëshuar nga një çoban, i ndodhur në kushtet e nevojës ekstreme, kur në stan i shkuan kusarët e i rrezikuan jetën, atij dhe tufës qe menaxhonte.Me anën e fyellit, çobani ynë i transmetoi të motrës mesazhin magjik:
Tanë! Moj Tanë! Ngreu e zgjo babanë!
Hajdutët në stanë, Korbecnë e vranë,
Mua , lidhur më kanë , në një bokërrimë,
Qëllojnë me martinë…etj.
Motra e mori mesazhin që u transmetua me anën e fyellit, kuptoi rrezikun adeguat që i kanosej të vëllait, dhe, se çfarë ngjau më pas, lexuesi ynë e di mirë. Nuk ka shumë vlerë nëse kemi të bëjmë me një legjendë apo me një ndodhi të vërtetë. Mesazhi i shprehur, muzikalisht, me anën e një vegle të tjeshtë çobani, është aq i fuqishëm sa të ngjeth mishtë e të ngre nga gjumi. Mesazhi nuk ka autor, atë mund ta synojë kushdo, vlera që përcjell është e pa arritshme ; kjo vlen e na dëfton për mundësitë që mund të kapë mendja e njeriut të thjeshtë.
Tingujt që artikulon çobani me anë të fyellit, në të shumtën e rasteve janë të trishtuar dhe për këtë , nuk kemi përrse të bëjmë fajtor atë që ruan delet dhe i bie aq me ndjenjë fyellit të tij. Çobani, nëpërmjet tingujve shpreh atë që ndjen, atë që mendon e atë që dëshiron.Vetmia, mërzitia, brengat, hallet, dertet si dhe kënaqësia që ndjen çobani “derdhen “ në tingujt e fyellit si notat që hedh kompozitori në pentagramë. Zakonisht, tingujt e fyellit janë melankolikë, se e tillë është jeta e tij, por nuk janë kurrsesi pesimistë apo ndjellakeq. Qëndrimi vazhdimisht larg jetës komunitare, në stan, me bagëtitë dhe qenin, bariu ndihej disi xheloz për jetën familjare që bënin njerëzit e tij. Një çoban profesionist shkon në familje herë pas here, për t’u larë e për t’u ndërruar dhe për të qëndruar disa kohë së bashku me gruan e fëmijët; përjeton nga afër jetën që bën komuniteti të cilit i përket e kthehet përsëri pranë tufës.Ai nuk mund të qendrojë gjatë larg bagëtive se është roja i tyre .Kur kthehet në stan e del me tufën në kullotë, çobani ynë, ato që përjetoi së afërmi, kur ishte në shtëpi, nis ti artikulojë me fyell, me shokun e tij “pa gojë”. Në një farë mënyre, ai është nostalgjik ndaj jetës komunitare dhe këtë nostalgji e shpreh me anë të “ligjeve” që artikulon me fyell. Në dukje gjëja na paraqitet sikur në tingujt e fyellit të bariut ka vetëm melodi “me të qarë”. Unë them se një çoban që shkon qoftë dhe për pak kohë në mëhallë, mund të rastisë të ndodhet në një dasmë, gosti apo thjesht një gëzim familjar . Në këto ndodhi ai takon shokë e miq, kuvendon me ta e shkëmben informacion, jep e merr opinione të ndryshëm, ha meze, pi raki e ja merr këngës, mundohet të jetë sa më aktiv. Kur largohet në stan, çobani merr me vete opinione të ndryshëm dhe reflekton për ato që pa me sy . Refleksioni më i mirë i tij është ligjërimi me anë të fyellit.Bota shpirtërore e çobanit nga Kalivaçi është e pasur. Ai i shikon, i çmon e i mat gjërat “me kutin e tij” i cili nuk mund të jetë tjetër nga “kuti “ i çdo kalivaçasi. Ishin të tillë fyelltarët nga Kalivaçi që përmëndëm më sipër dhe të tjerë që nuk u zunë në gojë por që kujtohen me respekt, sot e kësaj dite, edhe pse nuk janë më mes nesh.
Fyelli nuk është i vetmi “instrument “ muzikor i barinjve të Kalivaçit të Tepelenës.Ky fshat ka nxjerrë dhe çobanë me emër, të cilët u binin bukur dhe ëmbël cylave . Mes çobanëve qarkullonin dy lloj cylash ; njëra ishte mono( teke) ; tjetra ishte dyshe (dyjare). Disa çobanë, me prirje artistike, i përgatisnin vetë cylat, në mënyrë artizanale, e me mjete rrethanore. Druri më i preferuar për gdhendjen e cylave e të veglave të tjera ishte panja. Por ky nuk ishte i vetmi dru. Mjeshtër i madh , për këtë punë ishta kalivaçasi Ago Manxhari, nga mëhalla Hasanbegaj.
Meloditë që artikuloheshin në cylat e barinjve ngjajnë mjaft me ato të fyellit , por nuk janë e njëjta gjë. Tingujt që dalin nga cyla janë më të gëzuar e më të “ëmbël”. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se cyla është lehtësisht më e përdorshme, në krahasim me fyellin.Megjithatë edhe në këtë rast, çobani lipset të ketë veshë muzike. Jo çdo çoban që mban kërrabë në dorë, mund ti bjerë dhe cylës.
Një tjetër” vegël muzikore” që e përgatitin vetë barinjtë është borija. Ajo ka, afërsisht rolin e trompës në orkestër. Përgatitet nga çobani, me lëkurën e një dege vidhi pa nyje, e cila pritet e zhvishet nga dega, në formë spiraleje .Lëkura e vidhit mblidhet në formë spirale, në mënyrë që të formojë një kon, me bazë të gjerë e kulm që përfundon me një dritare të vogël, të rrumbullaktë. Në pikën kulmore të bories vendoset pipizani ( si kallami në klarinetë ) i cili, gjithashtu përgatitet nga çobani, me lëkurë peme. Kur përgatiste pipizanin, i cili quhet dhe currubab, çobani, për ta hequr më lehtë lëkurën e pemës nga dega këndonte, lehtë-lehtë:
Zan, zan, pipizan,
Dil në shkallë e pi duhan,
Me dyshekë e me jorgan…etj.
Besohej se kështu lëkura e pemës do të shkëputej më lehtë e çobani ynë nuk do të lodhej shumë.Meqënëse borija përgatitej nga lëkura e pemës së vidhit, ajo e kishte jetën të shkurtër. Kur thahej lëkura e pemës, i vinte fundi dhe përdorimit të borisë.
Barinjtë që kishin veshë muzike, për të komunikuar shfrytëzonin dhe mjete të tjera rrethanore. Një krëhër xhepi, po ti vije një copë letër, të hollë, sipër e ti fryje me gojë, lëshonte tinguj e formonte melodi të ëmbla e interesante, të cilat çuditnin njerëzit përrreth . Disa të tjerë prodhonin melodi duke u fryrë gjetheve të pemës. Ose, lugën prej druri që mbajnë me vete, e gdhendnin me bilbil, në fund të bishtit. Të gjithë çobanët dinë të fishkëllejnë. Tingujt e fishkëllimave shfrytëzohen nga barinjtë për të kryer disa” shërbime”. Në radhë të parë fishkëllimat janë mjet apo sinjal komunikimi në distancë. Ato dëgjohen së largu dhe bëjnë efekte të menjëhershme tek “bashkbiseduesit”.Banorët e komunitetit kalivaças e njohin njëri-tjetrin edhe nga fishkëllimat; nga melodioziteti i tyre. Një fishkëllimë ka për qëllim të tërheqë vemendjen e tjetrit, e sinjalizon atë të ndalojë, të kthehet apo të ndryshojë drejtim. Çobani i fishkëllen qenit, i cili i di “ huqet” e të zotit të vet dhe reagon, sipas sinjalit që merr. Bariu u fishkëllen bagëtive, kur i çon për të pirë ujë. Në këtë rast, fishkëllima është e qetë, e ëmbël, melodioze, uniforme, dhe e vazhdueshme. Në këtë rast, duket sikur çobani u thotë bagëtive :” Pini ujë, pini, se është i pijëshëm e unë jam pranë jush”,etj.Pra, e thënë me pak fjalë, fishkëllima e çobanit është si ajo telekomanda që përdoret aktualisht, nga fëmijët, për të drejtuar makinat elektronike.
Jeta baritore në Kalivaç të Tepelenës, si dhe në trevat përrreth është mjaft e pasur dhe e larmishme me elementë muzikorë. Kushtet e veçanta në të cilët punon e jeton çobani ynë e motivojnë dhe natyra e bukur e fshatit tonë e frymëzon atë për tu bërë protagonist . Po të jesh në Kalivaç të Tepelenës, në një ditë maji, me diell, kur toka jeshilon nga bari i njomë e lulet shumëngjyrëshe me aromë natyrale zbukurojnë arat e livadhet, në mes të dhenve e qingjave të bekuar, të bukur natyralisht, kur dëgjon atë muzikalitet të ëmbël- gëzimndjellës, të krijohet ndjesia sikur je në një simfoni ku “veglat”muzikore janë në harmoni të plotë e jeta është e mbushur me kënaqësi.
Në Tiranë, më 6 mars 2012,
Punoi Niazi Nelaj
Nje tradite e bukur e vlere popullore