Ngritja e mullarëve (hipive) të barit apo kashtës, ndoshta ka qenë e mbetet njëra nga fushat më interesante të veprimtarisë praktike të banorëve të Kalivaçit të Tepelenës. Them interesante, mbasi kemi të bëjmë me një veprimtari tejet të bazuar në shkencë, e cila zbatohet nga njerëz të pashkolluar. Kushdo që shkon anës lëmënjve ku është shirë e lashta, apo në vende të ruajtur, nga shpendët kryesisht, pranë kasolleve, katojve,haurëve e vendeve te tjerë ku strehohen bagëtitë në stinën e ftohtë të vitit, mesiguri ka ndaluar për një çast dhe ka vrojtuar një pamje të paparë.
Atij i është dukur vetja sikur po shikon një ose një mori piramidash, si ato të faraonëve, të cilat të habitin me formën konike që u është dhënë me një saktësi milimetrike. Kur rrugëtari ynë është thelluar pak në njohjen e kësaj dukurie e cila e ka mrekulluar dhe ka mësuar se ato janë ngritur nga bujq të thjeshtë vendas, mjeshtër të kësaj mjeshtërie, mesiguri që është ndierë mirë.
Në një mullar, gjen të zbatuar disa rregulla, norma e orientime, të cilat fshatarët nuk i mësojnë në shkollë, por i kanë mësuar në shkollën e madhe të jetës dhe ia kanë transmetuar njëri-tjetrit, nga brezi në brez.Cështja shtrohet:pa patur njohuri për matematikën dhe sidomos për trigonometrinë, me intuitë, me zgjuarsi natyrale dhe nëpërmjet përthithjes të përvojës praktike të shumë brezave, një fshatar i thjeshtë na jep figura gjeometrike, si piramida, konusi, trapezi, etj, të cilat të habitin, me bukurinë dhe saktësinë që është aplikuar për ndërtimin e tyre.
Me një grumbull kashte apo bari, me një hu, të gjatë rreth 5 m, të ngulur në tokë , rreth 70 cm, të djegur në zjatrr, në fundin e tij dhe me mjete të thjeshta rrethanore, një burrë nga ata që njihen si bujq të kualifikuar, vizaton, në mendje fillimisht e pastaj e praktikon, me saktësi një spiral, në ngjitje, duke e zvogëluar vazhdimisht perimetrin, derisa , në majë përfundon në zero. Ata që ngrinin mullarë, ishin të moshave të ndryshme. Mosha nuk paraqet ndonjë problem madhor, por, pa gjë nuk është. Në këtë punë prevalojnë moshat mesatare, për dy arsye: Burrat e kësaj moshe janë më të formuar e kanë përvojën e jetës, si bujq; janë të shkathët e mund të manovrojnë me lehtësi, për të përballuar kërkesat e veçanta të këtij specialiteti dhe janë të fuqishëm. Sa për zgjuarsinë dhe fantazinë e kalivacasave, nuk behet fjalë.
Pavarësisht se mullarë mund të ngrinte çdo burrë, jo kushdo ishte i suksesshëm. Dikujt i rrëzohej mullari, akoma pa e çuar punën deri ne fund; një tjetër e bënte atë të shtrembër dhe më keq akoma kur gjatë shirave, një mullar i pa “qëndisur “ si duhet nga dora e një mjeshtri, fuste ujë e zaireja kalbej. Ngritja e mullarëve, duhet theksuar se ishte profesion kryesisht i burrave kalivaças. Kishte dhe gra me fizik të fortë e me vullnet që i ngrinin vetë mullarët, për bukuri. Më të specializuar e më të kërkuar ishin fshatarët: Qemal Sherif Zenelaj, i pa shkolluar, me moshë rreth te dyzetave; Muhedin Salih Nelaj, me moshë rreth dyzet vjeç, gjithashtu i pashkolluar;Shyqyri Abedin Hadëraj, kur ishte 30-50 vjeç, i pashkolluar;Kalo Qazo Ramaj, i po këtyre moshave, pa asnjë klasë shkollë; Mahmut Muharrem Pashaj, i moshës mestare, i pashkolluar; Muharrem Ismail Malaj, pa shkollë;Azis Selfo Alidervishaj,deri sa u aksidentua, i pashkollë; Azis Telha Azizaj, në moshën e pjekurisë, pa shkollë; Kalo Guçe Dulaj, i cili i “ qëndiste “ mullarët, duke punuar argat, i pashkollë; Matush Adem Dulaj, gjithashtu i pashkollë;Sulejman Musa Bilaj;Veli Idriz Agaj;Bajram Manxhari; Beqir Tahir Llakaj etj.
Thuajse të gjithë këta, të veçuar, kishin të përafërt moshën vitale dhe mosarsimimin. Ata, mund të mos e kishin dëgjuar fare fjalen Trigonometri e nuk e dinin formulën që përcakton perimetrin e rrethit që vizatonin në fund të mullarit, me një shkop , në dorë, se është 2πR ,por, në praktikë e realizonin atë me saktësi. Mjeshtri që ngrinte mullarë dinte, jo vetëm treguesit që e bënin veprën e tij, të bukur e funksionale por kishin aftësinë të përcaktonindhe sa kafshë mund të ushqehen në një dimër, me zairenë e një mullari. Si rregull i pashkruar, një mullar mesatar, i ngritur me bar, kashtë apo lëpushkë, peshon 5-6 kv; një gjedh ( lopë apo ka parmende që të kalojë dimrin, ka nevojë të ushqehet me 30 kv. zaire. Po të dëshironte pronari të shtonte numërin e kafshëve që do të ushqeheshin, me zairenë e mullarit, mjeshtrit i duhej të shtonte dimensionet dhe kujdesin që piramida të dilte e saktë. Por dhe shtimi i dimensioneve të piramidës kishte disa limite, të cilët, mjeshtri ynë i përfytyronte e i zbatonte.
Në Kalivaç të Tepelenës, pronarët e gjësë të gjallë, kujdeseshin që ta siguronin zairenë, në vende të sigurtë si kasolle kashte, katonj bosh, grazhde, koçekë etj. Kjo lidhet me faktin se gjedhët dhe njëthundrakët, të cilët ushqehen kryesisht me kashtë e me bar duke synuar ta kishin ushqimin e tyre pranë, tundohen për ta patur sa më afër magazinimin e zairesë. “Armiku” më potent i mullarëve janë shpendët. Sido që gjatë shirjes, hedhjes në veri apo shoshjes së të lashtave, kashta ndahet nga koqet e grurit, bashkë me kashtën përzihen dhe kokrra të cilat , së bashku me bykun janë ushqim i begatë për shpendët. Prandaj hipitë, në sipërfaqen e tokës, deri në një farë lartësie, rreth e rrotull, mbështillen me driza, me shkarpa e me degë shkurresh . Më e preferuara dhe më e gjetura shkurre, për këtë punë është paliçja.
Habia e mjeshtërisë të ngritjes së mullarëve, nuk mbaron këtu. Me shumë interes është të dish, veglat apo mjetet e punës të një mjeshtri që ngre mullarë. Ai nuk ka planshetë, mbi të cilën të bëjë vizatime e llogari, nuk disponon ndonjë hark, për të viatuar kulmet , madje, nuk di as ta vizatojë, në letër veprën e tij të pritshme. Çdo gjë ai e shkon nëpër mend dhe e konkretizon fantazinë e tij realiste, me krijimtari. Sa u takon veglave të punës, këtu mund të themi se kemi të bëjmë me një thjeshtësi e përditshmëri veglash. Një cfurk, me grepa druri, një sepatë e zakonshme, një kovë apo një thes, pak dhe, një copë që nuk depërton ujin dhe kaq. Për ti prurë afër zairenë që do të vihet në mullar, mjeshtrin tonë e ndihmojnë familjarët e pronarit, të cilët , me sfurqet e tyre, ngrenë dhe hedhin zairenë atje ku e do mjeshtri. Veç ta shikosh sa i shkathët është mjedshtri, kur sistemon zairenë, me cfurkun e tij, të cilin e mban me një dorë e me tjetrën kapet pas shtyllës. Mullari rritet në lartësi e mjeshtri ngjitet, më lart. Derisa mund të qendrojë . Në krye të hipisë, thuajse aty ku mbaron shtylla, mjeshtri, mbasi e puthit fort zairenë me shtyllën hedh përsipër një sasi dheu, e ngjesh atë dhe i ve përsipër një copë e cila nuk e përçon ujin. Pastaj, kur i ka plotsuar të gjitha kërkesat, zbret nga lartësia me ndihmën e një këmbësi prej druri ose hidhet, nga lartësia, si akrobat.
Mullarët, zakonisht ngrihen në mëngjes, herët, kur akoma nuk ka ikur vesa. Për ngritjen e mullarëve me bar, jonxhë e me lëpushka, nuk ka rëndësi ora ri i punës. Me kolektivizimin e bujqësisë dhe me perqendrimin e kafshëve te punë e të prodhimit si ( gjedhë e njëthundrakë), në stalla e me shumë krerë, ngritja e mullarëve ishte e pamjaftueshme, prandaj u fut në praktikën e fshatarëve të Kalivaçit ngritja e kavaletave, të cilat ngrihen me më shumë zaire por që kërkojnë një specializim tjeter të mjeshtërve.
Nuk e lashë mëkot për në fund, shpërblimin e mjeshtërve që ngrenë mullarë. Mund të pohoj se shpërblimi i tyre është fare “ i mjerë”. E zonja e shtëpisë, atë ditë, ther një zog , ose një pulë nga ato të fushës. Siç është në traditën e fshatit, pula shoqërohet , me rosnica. Mund të bëhet dhe ndonjë yshmer e një sasi rakie, nga ajo që të ndodhet në familje. Mjeshtri dhe i zoti i shtëpisë, kur për ngritjen e mullarëve nuk janë thirrur argatë, mbasi përfundonte “ operacioni”, uleshin e hanin . Nuk bëhej fjalë për shpërblim në të holla ose në natyrë.
Ngritja e mullarëve, në Kalivaçmbetet njëra nga mjeshtëritë e njrëzve të zgjuar e të shkathët, përvoja e të cilëve transmetohet, nga brezi në brez.
Në Tiranë, më 21 prill 2012
Punoi Niazi Nelaj