Kalivaçi i Tepelenës është një fshat i ngritur "mbi gurë". Nga të tetë mëhallët kryesore të trevës, pesë janë të ndërtuara mbi shtrat guri të bardhë. Guri është me përbërje gëlqerore. Mëhalla e Hasanbegajve, Meçajt, Ahmetajt, Beqirajt e Hasanimerajt dhe pjesërisht Bozanajt mbështeten mbi truall të fortë guror. Leshnja, Hysodosajt dhe shtëpitë e Ruçit, bazamentin e kanë më të butë. Kur del tek Çesma e Bukur e hedh vështrimin nga jugperëndimi, të krijohet përshtypja sikur një këmbë e Malit të Bardhë (atij mbi Dorëz) ka shkarë e është ndalur në këtë anë të Vjosës.
Mund të thuhet, pa mëdyshje, se të gjitha ngrehinat e Kalivaçit të Tepelenës janë ndërtuar me gurë të bardhë gëlqerorë. Amvisat, në ditë të zakonshme, ca më tepër në festa familjare dhe fetare, i lyenin shtëpitë, nga jashtë e nga brenda, me solucion gëlqereje. Lyerja me gëlqere bëhej me qëllim që të zbukurohej e të dezinfektohej mjedisi. Pra, në trevën e Kalivaçit e në ato përreth, gëlqerja ka gjetur e gjen përdorim masiv. Në Kalivaç të Tepelenës gëlqeres i thonë qereç. Ajo gjen përdorim masiv dhe për dezinfektimin e mjediseve të përbashkëta, në veçanti të gropave septike etj.
Për fatin e mirë të banorëve të kësaj treve, natyra i ka dhuruar Kalivaçit gjithçka duhet për prodhimin e gëlqeres, aty, në fshat, në mënyrë artizanale; kolektivisht dhe në bazë familjeje apo fisi. Prodhimi i gëlqeres Ca Co3 është një ndër zejet kryesore të banorëve të Kalivaçit të Tepelenës. Me këtë zeje kalivaçasit janë marrë që në kohë të kohës.
Ata e kanë përgatitur gëlqeren për nevoja vetjake dhe për të bërë tregti. Të tre faktorët bazë që kërkon prodhimi i gëlqeres, Kalivaçi i ka me shumicë dhe aty, në vend. Guri gëlqeror, si lëndë e parë për prodhimin e gëlqeres, gjendet me tepri, në Kalivaç. Kodrat mbi të cilat është ngritur fshati janë të mbuluara me shkurre, të cilat përdoren me leverdi për të realizuar djegjen e gurit dhe përftimin e gëlqeres. Këtyre faktorëve që favorizojnë, kërkohet t’u shtojmë mendjen dhe aftësitë fizike të banorëve, të cilët janë shquar kurdoherë, për punë të tilla, të veçanta. Kalivaçi ka pasur e ka mjeshtër, të cilët janë në gjendje të drejtojnë me kompetencë proceset e punëve për prodhimin e gëlqeres.
Më i madhi i të gjitha kohëve, si specialist për prodhimin e gëlqeres, në Kalivaç, ka qenë një fshatar i thjeshtë, pa shkollë, por mjaft i zgjuar, i fortë fizikisht dhe i shëndetshëm mendërisht, të cilin e quanin Hamit Caush Muharremaj, nga mëhalla e Hasanimerajve. Para se të piketohej e të niste gërmimi i kaminës, ashtu si dhe në proceset e mëvonshme, kërkohej patjetër "firma" e xha Hamitit, i cili, përveçse ishte një specialist i mirëfilltë kaminash, ishte dhe një hokatar i njohur.
Konkretisht, le të përshkruajmë pak proceset nëpër të cilat kalon prodhimi i gëlqeres:
Zgjidhet vendi ku do të ndërtohet kamina, e cila mund të quhet "laboratori i prodhimit të gëlqeres". Kamina ndërtohet në fundin e kodrës (faqes së saj), e cila domosdoshmërisht duhet të jetë e mbuluar me shkurre, nga ato që lipsen për djegjen e kaminës. Kërkesë tjetër që determinon ngritjen e kaminës është prania e gurit gëlqeror pranë vendit ku hapet gropa e kaminës.
Hapet gropa e kaminës, me dimensione të caktuara, nisur nga përvoja shumëvjeçare e komunitetit vendas. Diametri i fundit të kaminës (bazës së saj) mund të jetë 3-4 m. Natyrisht, ai që bën kaminë kërkon që përmasat e saj të jenë sa më të mëdha, me qëllim që të përftojë sa më tepër gëlqere, por djegja e një kamine me përmasa të tilla është e vështirë të bëhet me sukses. Raste të ngjashme ka pasur në historinë e kësaj zeje në Kalivaç. Lartësia e gropës së kaminës, nga baza e saj, mund të jetë 4-4.5 m. Për hapjen e gropës së gëlqeres (kaminës), shfrytëzohet pjerrësia e terrenit. Gropa hapet në anën nga rrjedhin ujërat. Dherat që dalin nga hapja e gropës hidhen në anën e pjerrët të faqes, për të plotësuar boshllëkun që krijohet nga hapja e gropës (furrës).
Djegja e kaminës zakonisht i lihet fundit të verës. Njëri nga shkaqet që e diktonin këtë lidhej me faktin se, në fund të verës, punët e bujqësisë ishin vënë në vijë, të blegtorisë – gjithashtu dhe moti freskohej. Kësisoj, "furrëtarët", njerëzit që qëndrojnë vazhdimisht pranë zjarrit, i suportonin më lehtë temperaturat e larta.
Në fundin e gushtit, kohë që shënon fundin e verës, dita është më e gjatë se nata dhe kaminarët e kanë më të lehtë punën në orët e ditës. Favor ishte dhe fakti që shirat akoma nuk kishin nisur. Se shirat e frenojnë djegjen e shkarpave.
Në fund të verës, shkurret që përdoren për djegjen e kaminës e kanë kërcellin të pjekur, gjë që e bënte më të lehtë djegjen e tyre. Gjithashtu, duhet theksuar se në atë periudhë njerëzit ishin çliruar nga punët e shumta të verës e, për pasojë, kishin kohë të merreshin me djegjen e gëlqeres.
Në Kalivaç, në çdo kohë ka pasur specialistë të zotë e me përvojë të qëmtuar nga brezi në brez, të cilët u jepnin udhë punëve të kaminës. Vlera e pallogaritshme e punës së tyre lidhej me aftësitë vetjake e nuk bazohej në ndonjë shkollë a specializim, që nuk ekzistonin. Pa e glorifikuar gjënë, mund të themi se kaminarët nga Kalivaçi nuk i kanë hedhur dëm aftësitë mendore dhe fizike të tyre. Ata kanë çarë përpara, e kanë bërë emër edhe me empirizmin tipik fshatar, i cili buron nga praktika e gjatë.
Prodhimi i gëlqeres është i bazuar në një proces të thjeshtë fiziko-kimik. Nën veprimin e temperaturave të larta që çlirohen brenda kaminës, si rezultat i djegjes së shkarpave, guri gëlqeror që ndodhet brenda furrës zbërthehet, çliron gazin karbonik Co2 dhe ngelet pluhuri i bardhë i gëlqeres Ca Co3.
Për të djegur një kaminë me gëlqere nevojiten shumë shkarpa. Shpesh një faqe kodre, e tërë. Në disa raste, edhe faqja e kodrës nuk "e ngop" djegjen e një kamine. Sasia e shkarpave që nevojitet për djegjen e një furre gëlqereje lidhet me fuqinë kalorifike që ka lënda drusore, e cila përdoret për këtë qëllim. Kodrat dhe bregoret në Kalivaç janë të mbuluara nga shkurret me bimë të ndryshme.
Më të shumta janë kodrat e mbuluara nga përralli. Jo më kot, një kalimtar i lashtë, kur ka dashur të identifikojë fshatrat e trevës, për Kalivaçin është shprehur: "Kalivaç, përrall i zi..." Përralli rritet në formë kaçubesh, pranë njëra-tjetrës, në lartësi të ndryshme. Ai është mjaft i përshtatshëm për djegjen e furrës së gëlqeres, për arsye se ai digjet shpejt dhe, gjatë djegjes, bën një kërcitje të këndshme.
Prandaj, në hapësirën e Kalivaçit, kaminat i ndeshim më shpesh në mëhallën e Hasanbegajve, në Donije, në lartësitë e Majës së Tendës, në faqen e Mbretes së Leshnjes, në kodrat që zbresin nga mëhalla e Meçajve, në drejtim të Margëlliçit, në Kurrizin e Mbretes, në Kurrizin e Ziles, në Gropën e Pokshit, në Hijen e faqes së Veldonit etj. Nuk gjejmë asnjë gjurmë kamine në lartësitë e Dokes, në Kullustra, në Xina, në Trapin e Çesmës etj. për arsye se shkurret që mbulojnë sipërfaqet e tyre janë koçimare, gjethet e njoma të të cilave digjen me vështirësi dhe për faktin që, në këto lartësi, nëntoka nuk ka gurë gëlqerorë. Për të djegur një kaminë, në këto kodra, duhet prurë guri gëlqeror nga distanca të konsiderueshme - 500-600 m, punë e cila nuk është ekonomikisht me leverdi.
Edhe në ato kodra ku shkurret që mbulojnë sipërfaqet janë përrall, jo të gjitha faqet e tyre janë njëlloj të preferuara. Preferohen faqet e kodrave që janë të ekspozuara ndaj jugut. Shkaku i vetëm i kësaj preference lidhet me faktin se shkurret që rriten në këto faqe kodre kanë thithur më shumë rreze dielli e, për pasojë, digjen më lehtë.
Ata që i kanë mundësitë ekonomike, së bashku me shkurret futin në gropën e djegjes edhe copa druri e kërcunj. Këta, duke u djegur së bashku me shkarpat, jo vetëm japin fuqi kalorifike të lartë, por e mbajnë zjarrin të ndezur, për një kohë të gjatë. Drutë më të mira për të realizuar djegjen e kaminës janë ato prej lisi e në veçanti drutë prej ulliri.
Por djegja e kaminës me këto lloje drush, praktikisht, në Kalivaç është e pamundur mbasi në territor ka pak drurë të tillë. Mjetet që shfrytëzohen për djegjen e një kamine me gëlqere janë të thjeshta e gjenden me lehtësi, kudo në Kalivaç. Një sëpatë e vogël (nagaçe), një kosore, të mprehura mirë, disa sfurqe prej druri, kur është e mundur dhe prej hekuri, me dy gërveçë (grepa), mjetet ndezëse dhe ndonjë çekan për të copëtuar gurët gëlqerorë. Furra ku bëhet djegja e gurit gëlqeror ushqehet me lëndë drusore tri deri katër ditë e netë, pandërprerë. Tek dera e kaminës qëndrojnë dy burra të fuqishëm, të cilët, me sfurqe në duar, ushqejnë vazhdimisht zjarrin me lëndë drusore.
Ata ndërrohen herë pas here nga ortakët e tyre mbasi puna e tyre është tepër e lodhshme dhe temperaturat që suportojnë përpara derës së furrës janë të larta. Burrat që ushqejnë zjarrin me shkarpë janë të pajisur me sfurqe, grepat e të cilave lipset të jenë metalikë, në mënyrë që të mos digjen prej flakës, kur shtyjnë shkarpën tek dera e furrës.
Mbasi janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është përcaktuar "skuadra" që do të bëjë djegjen e kaminës, fillon puna konkrete. Mjeshtri, si specialist, nuk qëndron vazhdimisht pranë kaminës. Ai kujdeset që çdo gjë të jetë gati, bën ndezjen e kaminës dhe jep udhëzimet e nevojshme dhe shkon në punën e tij.
Kur ai e gjykon të domosdoshme, shkon atje ku bëhet djegja e kaminës, kontrollon si po shkojnë punët dhe si po zbatohen udhëzimet që ka dhënë. Skuadra e zgjedhur për prodhimin e gëlqeres nis nga puna për prerjen dhe transportimin e shkarpës. Prerja e shkarpës fillon nga lart e bëhet thuajse rrafsh me tokën. Prerja shkurt bëhet me qëllim që të përftohet sa më shumë masë drusore e nevojshme për djegjen e gëlqeres. Shkarpa e prerë rrokulliset tatëpjetë faqes së kodrës, siç mblidhet dëbora kur bëhet ortek.
Ata që i presin shkarpat, me anën e sfurqeve e përcjellin masën e gjelbër afër kaminës ku ajo bëhet demekë të mëdhenj. Specialisti përcakton sasinë e shkarpës që duhet dhe kur përcakton se ajo është e mjaftueshme, urdhëron ndalimin e prerjes. Punëtorët "e zjarrit" i vendosin shkarpat me fund nga gryka e kaminës me qëllim që "furrëtarët" ta kenë më të lehtë futjen e tyre në furrë.
Hapja e gropës shënon hapin e parë të punës për ndërtimin e një kamine. Atë e pason grumbullimi i materialit drusor dhe i gurëve gëlqerorë pranë kaminës. Hapi tjetër, mjaft i rëndësishëm, është vendosja e gurëve brenda kaminës, si mur i harkuar. Kamina paraqet një cilindër (kade) me dy anët njëlloj e me barkun më të gjerë.
Kështu kamina ngjan me një kade, të vendosur në këmbë. Kaminarët kanë grumbulluar gurin gëlqeror pranë kaminës dy llojesh. Një pjesë janë gurë mermeri; pjesa tjetër, e cila është dhe më e madhja, janë gurë gëlqerorë të zakonshëm. Diferenca mes dy llojeve të gurëve është cilësia zjarrduruese e tyre. Guri i mermertë e duron zjarrin më tepër. Sheshi i kaminës shtrohet me pllaka mermeri.
Edhe radha e parë e gurëve vendoset prej mermeri, në mënyrë që gjatë djegjes të mos çahen e të prishet muri. Gurët vendosen në formë rrethore, copat e gurëve duhet të kenë gjatësinë rreth 30 cm. I gjithë perimetri i kaminës vishet me mur guri. Vendosja e gurëve në mur bëhet për së gjati. Radha e dytë e murit bëhet duke i vendosur gurët mbi ata të radhës së parë, duke i shkelur ata rreth 5 cm.
Kur muri e kalon tabanin e derës së kaminës, shkelja e gurëve nis të zmadhohet nga radha në radhë. Duke e shkelur gurin rreth perimetrit të kaminës, kubeja e saj mbyllet. Nga ngritja e murit, mes tij dhe sipërfaqes së dheut (faqes së kaminës) krijohet një boshllëk.
Ai mbushet me gurë gëlqerorë (të sertë), d.m.th. të zakonshëm. Qemeri i kaminës fillon e formohet, në lartësinë 1.5 m nga sipërfaqja e tokës. Duhet pranuar se "kthimi" i qemerit të furrës është procesi më i vështirë, i cili kërkon specializim dhe përgjegjësi.
Në mes të çatisë së qemerit vendoset një gur i madh prej mermeri, i cili rrihet fort me vare, në mënyrë që të shtrëngohet mirë e të mos lejojë rënien e gurëve. Ky gur, në gjuhën e popullit, quhet "prift". Mbi të hidhen gurë mbi gurë, gëlqerorë, nga ata që do të na japin gëlqeren. Sipër gurëve të kryes vendosen pllaka mermeri, të puthitura, jo të ngjeshura. Grumbulli i gurëve që hidhet mbi qemer nuk duhet të dalë më tepër se 50 cm sipër tokës. Këtu kemi sasinë më të madhe të gëlqeres mbasi pjesa e gurëve që ndodhet nën derë vështirë se digjet. Ndezja e zjarrit brenda kaminës nuk është një punë e lehtë.
Në bazën e kaminës, aty ku do të bëhet zjarri, vendosen kashtë e thatë, karthje të thata, të cilat spërkaten me benzinë. Prania e gazit karbonik Co2 në brendësi të gropës e vështirëson mjaft ndezjen e zjarrit. Për të bërë një djegje normale të kaminës, zjarri në furrë duhet të mos ndërpritet tri deri katër ditë e netë me radhë. Ndonjëherë kjo kohë mund të jetë edhe më e gjatë. Djegjen e masës drusore brenda kaminës e ushqejnë dy kaminarë, të cilët lodhen shumë. Kamina nuk ngopet me shkarpë.
Përveç lodhjes fizike, ata që punojnë tek dera janë në "zonën e nxehtë", e nën ndikimin e temperaturave të larta. Vështirësi tjetër është qëndrimi i pagjumë për një kohë të gjatë, derisa të mbyllet kamina e të përfundojë procesi i prodhimit të gëlqeres.
Pas tri ditësh, nga pllaka e kryes së kaminës fillon të dalë flakë e kuqe. Derisa flaka të jetë e kuqe, në brendësi të kaminës vazhdon djegja. Kur flaka ndryshon ngjyrë e bëhet jeshile, do të thotë se gëlqerja është prodhuar. Atëherë ata që kanë marrë pjesë në proces thërrasin specialistin, i cili merr një gur nga brenda kaminës dhe e hedh në ujë.
Në qoftë se guri gëlqeror "i pjekur" shkrihet në ujë, mjeshtri urdhëron ndërprerjen e zjarrit. Në rast të kundërt djegja vazhdon. Nga djegja e kaminës kubeja ulet rreth 50 cm nën nivelin e gropës. Mbasi ka përfunduar djegja e kaminës, dera e saj mbyllet me kapakë e vuloset me dhe, nga jashtë. Djegja vazhdon edhe pas këtij çasti, përbrenda. Duhet të kalojnë disa ditë që të hapet kamina e të merret gëlqere.
Kohën kur do të hapet kamina e përcakton specialisti.
Puna për djegjen e një kamine e përftimin e gëlqeres së pashuar është një punë mjaft e lodhshme dhe e vështirë. Por domosdoshmëria dhe leverdia e kësaj pune ia vlejnë. Dobia është e dukshme. Nga një kaminë me përmasa mesatare mund të përftohen 300-400 kv gëlqere të pashuar. Kemi arsye të themi se është e leverdishme.
Gurin gëlqeror dhe shkarpën, të cilat janë lëndët e para për prodhimin e gëlqeres, në Kalivaç, na i ka falur natyra e begatë. Ato janë pronë e komunitetit kalivaças. Dikur, kjo pasuri administrohej nga kryeplaku. Llogari nuk mbahej e nuk kërkohej. Sot, diçka ka ndryshuar, por, për llogari të mirëfilltë s’besoj të bëhet fjalë. E ceka çështjen e llogarisë, jo më kot.
Kur pret shkarpën nga një faqe kodre, duhet të presësh 8-10 vjet që sipërfaqja e prerë të bëhet si më parë. Përmasat e një kamine janë shifra variabël, por me to nuk duhet spekuluar. Jeta e komunitetit tonë evidencon dhe raste të pakëndshme.
Në vitet 60 të një shekulli më parë, bashkëfshatari ynë F.SH. dogji një kaminë në Sheshin e Donijes. Ai shfrytëzoi shkarpën e faqes së kodrës që zbret tek ky shesh dhe futi në furrë kërcunj të cilët i nxirrte nga lumi. Por kamina nuk u dogj plotësisht. Shkaku ishte një i vetëm: përmasat e kaminës më të mëdha nga të rekomanduarat.
Me një organizim më të mirë e studim më të saktë të problemit, komuniteti kalivaças i ka të gjitha mundësitë që pasuritë kolosale, të cilat ia ka dhuruar natyra, t’i vërë në shërbim të rritjes së nivelit të mirëqenies e prosperitetit të tij.
Në Tiranë, më 29 shkurt 2012
Përgatiti Niazi Nelaj
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.