Historia e njerëzimit njeh disa raste, në të cilat gjuhë të lashta të popujve që kanë vënë themelet e qytetërimit global, nga mospërdorimi, janë harruar, madje, ca më keq, kanë vdekur e janë harruar. Përafërsisht, e njëjta gjë ka ngjarë dhe me disa fjalë të cilat, dikur, në hapësirën ku banonin kalivaças, ishin të përdorura e të preferuara.

Me kalimin e viteve, roli i tyre është zbehur e ato janë zëvendësuar me fjalë të reja, më të pranuara nga vendasit. Ka ndodhur kjo për të vetmen arsye se brezat që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin janë ndier ngushtë për të shprehur atë që donin t’i komunikonin njëri-tjetrit, me këto fjalë. Të paktën në këta pesëdhjetë vjetët e fundit dhjetëra familje e qindra banorë kanë migruar brendapërbrenda vendit, ose kanë emigruar në vende të ndryshme të botës. Vetëm në qytetin e Tiranës e në rrethina, kanë ardhur më se 100 familje. Të shumta janë familjet që janë sistemuar në qytetin e Vlorës, të Sarandës, në Fier, në Gjirokastër e gjetkë; natyrisht, për një jetë më të mirë.

Megjithatë, numri i familjeve dhe i banorëve të fshatit nuk është pakësuar; shenjë kjo e vitalitetit të njerëzve të kësaj treve. Ata që janë në emigracion, gjithashtu, duke kërkuar një jetë më të mirë, janë vendosur, kryesisht në shtetin helen dhe në Itali. Kalivaçasit i gjen edhe në vende e kontinente të largët, si në Amerikë; në Kanada; Angli; Francë; Belgjikë; Austri e gjetkë ku jetojnë në komunitet dhe të vetmuar. Kudo ku kanë shkuar, ata shquhen për vlerat e tyre të qenësishme e vitale.

Në këtë shkrim, e ndjej të domosdoshme të sqaroj një problem, i cili ka nevojë të konsiderohet si parësor. Në emigracion, çifteve nga Kalivaçi, autoktonë apo të përzier, u kanë lindur e janë rritur fëmijë, të cilët (disa) e flasin me vështirësi gjuhën shqipe. Qëndrimi për një kohë të gjatë, në punë të ndryshme dhe kontakti i vazhdueshëm me vendasit kanë bërë që edhe disa nga ata që janë lindur e rritur në Kalivaç, shpesh, në biseda, të përziejnë shprehje e të mos arrijnë të artikulojnë qartë, shqip. Ka mjaft syresh që kanë ndryshuar identitet e është e vështirë t’i shquash, nëse janë kalivaças apo latinë; helenë, anglosaksonë, etj. Jo vetëm emrat, por disa kanë ndryshuar dhe mbiemrat. Nuk mund të pretendohet, në këto kushte, që këta dhe dhjetëra kalivaças të tjerë, të cilët janë shkolluar, në vend ose në shkolla të huaja dhe janë pajisur me kulturë e dije me vlerë, të njohin ato fjalë, të cilat, koha dhe nevoja i kanë zëvendësuar me të tjera, fjalë të reja e me kuptim. Meqenëse është kështu, jam përpjekur, me punë disavjeçare, me vrojtime të drejtpërdrejta e nëpërmjet konsultimeve, të qëmtoj disa nga fjalët e “harruara”, duke i shoqëruar ato dhe me shpjegime.

Jam shpresëplotë se, pas meje, të tjerë djem e vajza kalivaças do të përfshihen në punë të ngjashme, me dobi, për të gjithë. Ky fillim le të jetë një ogur i mirë, shpresëndjellës se puna e nisur do të pasohet e do të pasurohet nga mendje të arrira, me dëshirën e mirë që të mbetet diçka e shkruar nga e shkuara e këtij komuniteti të lashtë. Disa nga fjalët e harruara:

  • Aksham (turqisht) – Fundi i ditës. Përdoret dhe si epitet për të cilësuar një njeri të ngrysur, me fjalën: Surrataksham.
  • Adet (turqisht) – Zakon; një praktikë e caktuar; një ves.
  • Anje – Njëra pjesë e qilimit, njëra anë e tij, e cila, kur shtrohet, mbulon vetëm njërën anë të odës.
  • Adash (turqisht) – Kur dy burra mbajnë të njëjtin emër.
  • Andër – një copë rrobë, e cila përdoret për të andruar një veshje të grisur.
  • Azat (turqisht) – Kur një kafshë ngarkese, në veçanti përdoret për kuajt, lihet e papenguar, e lirë të bredhë nga të dojë.
  • Argat – kur thërret një njeri apo një grup njerëzish, për të kryer një punë të caktuar, me kohë të përcaktuar, me pagesë ose falas.
  • Arë – një ngastër toke e caktuar për të mbjellë kultura bujqësore, të cilat marrin emrin: kultura të arave.
  • Afrim – mund të jetë emër njeriu ose përdoret për të dëftuar një veprim i cili afron një objekt me një tjetër.
  • Arallëk (turqisht) – përdoret për të dëftuar një vend ku ka hapësirë të mjaftueshme.
  • Adhurim – mund të jetë emër njeriu; mund të përdoret dhe si shprehje, për të dëftuar se një njeri apo një veprim të caktuar e simpatizon.
  • Azil – vend ku pleqërojnë të moshuarit pa përkrahje njerëzore.
  • Adhap (turqisht) – vështirësi, siklet, zor, për të zgjidhur një problem të caktuar.
  • Avdall (turqisht) – bëhet fjalë për një njeri të rëndomtë, i cili nuk di të sillet sipas normave; madje nuk di as të ecë në rrugë. Përdoret dhe për ta etiketuar një njeri, si leshko e i pavëmendshëm ndaj ngjarjeve që zhvillohen afër tij.
  • Arrëz (grenëz) – është insekt i ngjashëm me bletën, por që nuk prodhon mjaltë. Grenëza pickon dhimbshëm; në raste të rralla pickimi i saj rezulton vdekjeprurës.
  • Aguridhe – Përdoret në kuptimin për të dëftuar papjekurinë e një njeriu apo të një fruti. Më tepër përdoret për të dëftuar një rrush, i cili nuk e ka arritur pjekurinë fiziologjike dhe atë ekonomike.
  • Allishverish – kur kemi të bëjmë me një pazar apo marrëveshje të pandershme, ose, kur jepet e merret ryshfet.
  • Afërsi – kur distanca mes dy sendeve apo objekteve nuk është e madhe. Përdoret dhe për rastet kur duam ta prezantojmë një të afërmin tonë si të tillë.
  • Andralla (turqisht) – Përdoret për të dëftuar se ke një telash, se diçka nuk të ecën mbarë ose kur të dalin pengesa të paparashikuara.
  • Atëçast – kur çështja zgjidhet menjëherë, pa vonesë.
  • Branis – kur tërheq dikë zvarrë. Përdoret dhe për të dëftuar një të pafuqishëm, i cili ecën këmbadoras.
  • Brashnje – në kuptimin e këpucëve apo opingave të vjetra, të cilat mund të tërhiqen zvarrë, si shapka.
  • Baluke – Bëhet fjalë për një lloj qethjeje flokësh. Një tufë flokësh, gjatë qethjes, lihet më e gjatë nga të tjerat dhe lëshohet mbi ballë. Dikur, ky lloj qethjeje, në veçanti tek femrat, emërtohej “Kalipso”.
  • Bucelë – quhet një enë druri, e cila mban brenda 20-30 litra ujë; përdoret për transportimin dhe ruajtjen e ujit të pijshëm. Dikush e emërtonte dhe varrjelë. Përgatitet nga mjeshtër të punimit të drurit, me listela lisi, vidhi etj. Ka formë cilindrike dhe listelat bashkohen me ndihmën e rrathëve metalikë. Disa e kanë përdorur dhe për të ruajtur rakinë.
  • Bardhak – enë prej balte të pjekur, të cilës i jepet formë e ndryshme, kryesisht elipsi, me veriga, nxë 5-7 litra ujë dhe e mban atë të freskët. Duhet ruajtur të mos bjerë përtokë, mbasi thyhet.
  • Behçi – një njeri, i ndershëm e vigjilent, i cili caktohet të kryejë detyrën e rojës së fushës, ditën dhe natën, kundrejt një page që i jep komuniteti përkatës. Detyra e tij është të identifikojë, të parandalojë e, kur ka mundësi, të ndëshkojë keqbërësit. Mori shtrirje të gjerë, sidomos në vitet e ekonomisë së kolektivizuar.
  • Bereqet – prodhim drithërash buke e për qëllime të tjera. Është përdorur e përdoret dhe për të uruar dikë që të ketë mbarësi, në ndërmarrjen e tij. P.sh.: “Me bereqet!”
  • Birkajde (turqisht) – në kuptimin e një sendi, ngjarjeje, veprimi, fytyre, prirjeje njerëzore etj., të ngjashme, si dy pika uji. Në vend të saj është përdorur dhe fjalë sinonime: tamam, njëlloj, analog etj. Disa, në vend të kësaj fjale kanë përdorur fjalën toidhio, por edhe ajo nuk ka qenë fjalë shqip.
  • Brez – një shirit rrobe, me përbërje leshi, të punuar në tezgja apo të thurur me shtiza, prej pambuku, prej lini, i gomuar etj. i cili vendoset, sidomos nga burrat, në mes, për të mbajtur e për të mbrojtur organet e brendshme.
  • Brez – përdoret dhe për të dëftuar ndarjen e murit prej guri, në pjesë, në lartësi. Brezat, në këtë rast e forcojnë murin e nuk lejojnë rrëshqitjen e gurëve. Breza të tillë përgatiten, si listela, të gjera, prej druri të fortë dhe të rezistueshëm ndaj lagështirës.
  • Byrek – një lloj gatimi shtëpiak, mjaft i përdorur. Përgatitet me petë, në mes të tyre mund të futet një përzierje perimesh ose bëhet thjesht me djathë, me vezë, me qumësht, me kungull etj. Midis petëve hidhet vaj. Piqet në saç dhe është mjaft i shijshëm. Përdoret, si gatim i zgjedhur, në dasma, gosti e vaki.
  • Brinjë – Përdoret për të dëftuar një kockë, të hollë, në formë harku, e cila rrethon kafazin e kraharorit. Kur piqet, sidomos në hell, mishi rreth saj është mjaft i shijshëm e me pak dhjamë. Fjala përdoret dhe për të dëftuar një faqe kodre e cila përshkohet nga rrugë “dhish”, ngjitëse e zbritëse.
  • Bujk – Përdoret për të identifikuar një njeri që punon tokën dhe mbjell, ujit e u shërben bimëve dhe mbledh frytet e tyre.
  • Byk – Pas shirjes së të lashtave, në lëmë mbeten copa kallinjsh, me kokrra brenda ose bosh, me hala e lëvozhga. Byku shfrytëzohet si ushqim për bagëtitë dhe është mjaft i preferuar si ushqim për shpendët. Disa, fjalën byk e përdorin dhe për të dëftuar diçka që nuk u pëlqen nga ana cilësore. P.sh.: “Ai është byk, nuk merr vesh, nuk di asgjë” etj.
  • Bitis – është në kuptimin se ka përfunduar, ka kryer, ka realizuar, një punë, një detyrë apo një porosi.
  • Bollgur – gatim, i gatshëm. Përgatitet prej gruri, të zier, e të përgatitur, në vend të pilafit, kur nuk kishte oriz.
  • Bokërrimë – përdoret për të dëftuar një terren të pjerrët, mjaft të thepisur, thuajse të pakalueshëm, i cili zakonisht përfundon në një humnerë apo greminë, të thellë.
  • Bishë – në kuptimin e një kafshe të egër, mjaft agresive, mishngrënëse të pyllit, si ujku, çakalli etj., të cilët grabitin dhe ushqehen me mishin e bagëtive.
  • Bidërme – është një pajisje e mprehtë e marangozit, e ngushtë, e cila shërben për të hapur kanale, në dhogë. Puna me bidërme futet në punimet e bukura artistike.
  • Brezmek – është një lidhëse, e hollë, e fortë, prej pëlhure, e cila shërben për të lidhur pantallonat, në vend të rripit të mesit. Gratë, dikur, e shfrytëzonin për të lidhur, në mes të trupit, çitjanet. Disa i thonë dhe ushkur.
  • Bulmet – Prodhime të përftuara nga përpunimi i qumështit. Të tilla mund të jenë: gjalpi, gjiza, kosi, urrëla, djathi etj.
  • Bukëfike – Kokrrat e fikut, kur mbërrijnë në pjekjen fiziologjike e squllen, amvisat i bëjnë si kular, i thajnë në diell dhe, ashtu, të thata i konservojnë për t’i konsumuar në stinën e vështirë të dimrit.
  • Burim – Një vend ku rrjedh ujë, nga guri apo nga toka. Përdoret dhe për të dëftuar prejardhjen e dokumenteve apo ngjarjeve.
  • Bythë – i thonë dhe të ndenjura. Është fundi i kurrizit apo pika e defekimit të njeriut. Rëndom, përdoret për të dëftuar se një njeriu nuk i bëhet vonë, nga veprimet e tjetrit. Në këtë rast, shprehja vulgare, është: “Më plasi bytha”.
  • Biçim – përdoret për të dëftuar një fytyrë të shëmtuar, aspak të pëlqyer. Përdoret dhe në kompleksin biçimsëz, për të thënë se ngjan me një njeri, por nuk është i tillë.
  • Brazimë – thjesht: brymë.
  • Barrë – Përdoret për të dëftuar një femër shtatzënë. Ka dhe kuptimin e ngarkesës, tek kafshët shtëpiake të ngarkesës. Një barrë gomari, mund të jetë 70-80 kg; një barrë kali, mund të jetë ioo-120 kg; një barrë mushke, mund të jetë 120-150 kg. Në jurisprudencë termi barrë prove, përdoret për të dëftuar se një njeri ngarkohet të provojë, pavërtetësinë e gjësë, për të cilën akuzohet etj.
  • Bexgë – Shkurre, e cila rritet, në natyrë, sidomos në trevat e Jugut. I thonë dhe dunicë. Ka trup të shkurtër, shumëdegësh, gjeth të vogël, në formë elipsi me ngjyrë gri dhe me një pluhur mbytës. Lulen e ka të verdhë dhe plot me mjaltë. Bleta e ka shumë për zemër të ushqehet me nektarin e lules së saj, të cilin e kthen në mjaltë.
  • Bishtosje – Kur deles i qethet (hiqet) leshi i barkut, i qafës dhe i pjesës së bishtit. Këto leshra nuk janë aq cilësore, mbasi janë të shkurtra, me rrodhe e me bajga.
  • Bishtalec – Krehje e femrës me gërshetë pas kokës.
  • Bakull – përdoret për të dëftuar një burrë shëndetplotë e të pashëm, disi të ngjallur (me bark).
  • Buf – Shpend i egër. Përdoret dhe për të etiketuar një njeri të trashë nga trutë e sylesh.
  • Botil – kështu emërtohej një shishe prej qelqi, e madhësive të ndryshme.
  • Bonjak – fjalë, e cila është përdorur për të dëftuar një njeri i cili ka mbetur jetim, nga i ati. Bonjak është dhe kur ka mbetur pa nënë.
  • Babanace – ka të bëjë me një bukë e cila nuk është pjekur mirë (kur nuk ka kulluar sa duhet), por ka mbetur brumë ose qullace.
  • Buhari – Në çdo shtëpi, me vatër, ndodhet oxhaku, pjesa e brendshme e të cilit quhet buhari. Nëpërmjet saj, del tymi, në atmosferë.
  • Boluc – përdoret për të dëftuar një njeri, sidomos të seksit mashkull, kur ai është i ngjallur e rrondokop.
  • Bina – Përdoret për të dëftuar një ngrehinë; për të reklamuar një trup, të lartë dhe për të dëftuar se një njeri është pinjoll i një familjeje apo fisi, të caktuar.
  • Bullçi – Kur goja mbushet plot, të dyja anët e saj ngjajnë me një tullumbace.
  • Bullçitje – Përdoret për të dëftuar se po derdhet gjella, më tepër qumështi, që është duke zier. Kur një njeri, merr kot e thotë gjepura, i thuhet, gjithashtu, “mos bullçit”.
  • Bukaniqe – në ditën kur një i sapolindur emërtohet, e ëma, i bën një tip kulaçi, të ëmbël; mbledh fëmijët e fisit e ua ndan në copa. Fëmijët, hanë copën e bukaniqes, përsëritin emrin e të voglit dhe përplasin duart.
  • Bravare – Përdoret sidomos për të dëftuar një dele, e cila, shkëputet nga tufa dhe endet rrugëve, kot më kot.
  • Bloza – Bëhet fjalë për një dërrasë, e cila vendosej përgjatë murit të kuzhinës dhe në të vihej buka e pjekur.
  • Baliqe – me këtë emër, emërtohen lopët që kanë një pullë të bardhë, në ballë. Kur kemi të bëjmë me një gjedh të seksit mashkull, ai thërritet balash.
  • Brumë – kur mielli i grurit përzihet me ujë, për t’u përgatitur bukë, byrek, petulla, qullapite etj. Brumit gruaja që gatuan i jep formën e dëshiruar.
  • Bajgë – Bëhet fjalë për jashtëqitjen e kafshës. Rëndom, përdoret dhe për të etiketuar një njeri, i cili nuk vlen. Në këtë rast, fjala bajgë është poshtëruese.
  • Bumbareq – Besimtarët, besonin se një njeri i supozuar është i shenjtë e i faleshin atij që t’i ndihmonte.
  • Ballobane – përdoret për të dëftuar një grua të bëshme, trupmadhe.
  • Besnikëri – kur tjetri është i besës, nuk të dredhon. Kalivaçasit kanë qenë e janë të tillë.
  • Bezdisje – kur dikush të shqetëson me fjalë apo me ngacmime.
  • Barkaçe – Një kusi prej bakri, e fryrë në mes, pa dorëza. Përdoret dhe për të ironizuar një njeri, i cili është rrumbullak e nuk i dallohet, ku i ka pjesët e trupit.
  • Behot – bëhet fjalë për një njeri të hutuar, të çoroditur, i cili e ka të vështirë të orientohet drejt, në kohë e në vend.
  • Biftan (turqisht) – kur dikujt i bëhet një shpifje dhe akuzohet për një veprim të cilin nuk e ka bërë.
  • Be – është fjala për një betim, i cili bëhet, rëndom për të justifikuar një veprim apo mosveprim.
  • Bark – organ i trupit, ku përfshihen disa organe jetike të njeriut. Mund të thuhet dhe në kuptimin kur një njeri është i ftohur e jashtëqitjen e ka të hollë. Në praktikë, me bark, kanë nënkuptuar fëmijët që ka lindur një çift, gjatë martesës.
  • Biçak – bëhet fjalë për thikën që përdor një çoban. Ajo është e harkuar, e mprehtë dhe me një këllëf prej briri. Përdoret dhe për të dëftuar pushtetin e një njeriu autoritar, kur thuhet: “Aty ka babai biçak”.
  • Bredh – vrapon. Merr dhe kuptimin e një njeriu të paqëndrueshëm, femër ose mashkull, bredharak.
  • Bredharak – një njeri, i cili bredh, lule më lule. Njeri me karakter të paqëndrueshëm.
  • Bedova (turqisht) – bëhet fjalë për një mallkim, i cili e ndjek njeriun, nga pas.
  • Binadalë – kur një njeri është i mbaruar, kur i ka dalë rrënja e nuk ka ku të kapet.
  • Buis – kur bari sapo del nga toka e nis të jeshilojë. Përdoret dhe për të dëftuar mbirjen e një fare, kur ajo çel sythin e parë.
  • Bullafiq – përdoret për të identifikuar një njeri, i cili është më i ngjallur sesa duhet, kur i ka faqet të fryra.
  • Bythëeksiq – përdoret për të identifikuar një njeri i cili çalon në njërën këmbë. Fjala nuk ka kuptim ofendues, por vetëm identifikues.
  • Cikomë – Spango, produkt i nxjerrë nga fijet e lirit.
  • Cimbis – në kuptimin = pickim. Kur cimbiset një bukë e paprerë, por dhe kur pickohet dhimbshëm një njeri, në pjesë të ndryshme të trupit.
  • Cfurk – Ka kuptimin e një pajisjeje që përdorin bujqit, e cila ka katër grepa, metalikë ose prej druri. Përdoret, kryesisht për mbledhjen dhe manipulimin e kashtës apo barit, në shirje, në vënien e mullarëve etj. Blegtorët e përdorin dhe për të hequr bajgat nga stalla. Në një kuptim tjetër, fjala cfurk, përdoret për të identifikuar një insekt, me grepa, me ngjyrë të zezë, i cili pickon dhe lëshon helm, në vendin e pickimit.
  • Cullufe – shiko fjalën baluke, është e përafërt.
  • Cakul – Një thes i përgatitur me fije leshi të kaluar në tezgjah, mundet dhe në dërstilë. Thesi mund të përgatitet dhe me fije liri. Përdoret më tepër nga çobanët, por dhe nga udhëtarët, për t’u mbrojtur nga shiu e nga të ftohtit. Thesi paloset me dysh, në gjatësi dhe ashtu hidhet në kokë. Cakuli mbron kokën dhe shpatullat, deri në mesin e trupit.
  • Ckërmitje – kur dikush, me inat, të kërcënon se do të të bëjë këtë e atë, duke kërcitur dhëmbët, pa nxjerrë zë.
  • Cingël – Një copë druri, e hollë, me gjatësi rreth 20 cm. Përdoret nga fëmijët e moshës adoleshente, për të luajtur me njëri-tjetrin lojën me të njëjtin emër. Cingla goditet me një shkop, si në lojën e golfit.
  • Cylynë – tub uji, prej metali.
  • Cmilar – Daltë e hollë. Përdoret për të gdhendur gurin dhe drurin. Kjo fjalë përdoret dhe për të dëftuar një thikë, tip bajonete, e cila përdoret, kryesisht nga çobanët.
  • Cylë – Bëhet fjalë për një “vegël muzikore”, në përdorim të çobanëve. Cyla përfaqëson një tub metalik, prej plastmasi apo prej druri të gdhendur, me gjatësi rreth 70 cm, brenda saj është boshllëk, tubi është i pajisur me disa brima. Çobani, duke fryrë cylën, lëviz gishtat duke bllokuar e zhbllokuar brimat, dhe prodhon tinguj të këndshëm muzikorë. Mund të jetë me një tub e quhet cylë, por mund të jetë dhe me dy tuba e quhet dyjare.
  • Cipal – bëhet fjalë për një copë druri, të thyer apo të shqyer, e cila përdoret për të kruajtur dhëmbët ose për të gërvishtur.
  • Cfrat – kur në një tokë arë kalon një përrua, i cili gërryen vazhdimisht anët e tij, që të mos ndodhë kjo, pronari i tokës, mbledh disa hunj e shkarpa dhe bën një barrikadë (pengesë) që të mos ndodhë gërryerja e tokës.
  • Cohë – është përdorur për të dëftuar një copë basme pambuku ose një copë mëndafsh.
  • Cplon – një parazit, i cili qëndron në lëkurën e bagëtive.
  • Cpordhës – Fyti, gabzerri i një bagëtie që theret. Hiqet, pas rjepjes së lëkurës.
  • Cangadhe – kemi të bëjmë me një dele, dhi, e cila duhet të japë qumësht por ka mbetur shterpë.
  • Cangë – kur një frut nuk është pjekur akoma.
  • Cylaqe – zorrë e bagëtisë mashkull; organi seksual i saj.
  • Cërmë – ngërç. Më shumë ndodh kur njeriu futet në ujë e noton; i bllokohet njëra nga gjymtyrët.
  • Çaki – bëhet fjalë për një thikë të vogël, me këllëf prej briri, ose pa të tillë. E përdorur, sidomos nga çobanëria.
  • Çorbë – është fjala për një lloj supe, me oriz ose me bollgur, e cila ka më pak ujë sesa duhet; pra, është e trashë. Kur shtrohet në tavolinë, çorbës i hidhet në sipërfaqe, një shtresë gjalpi, të skuqur, për t’i dhënë shije dhe brenda shtrydhet limon ose hidhet limon tos. Kur këto mungojnë, për t’i dhënë pak shije, përdoret oshafi, prej kumbulle. Disa i thonë llapa. Ajo përdoret për ushqimin e atyre që kanë diare.
  • Çibuk – quhet një pajisje vetjake e atyre që pinë duhan. Përgatitet nga mjeshtër të njohur, me një copë druri, prej bushi, i cili gdhendet bukur, duke na paraqitur figura të ndryshme. Çibuku është i shpuar përbrenda dhe në njërin skaj përfundon me një xhungë, bosh përbrenda, ku digjet duhani e duhanpirësi thith nikotinën, të pastër.
  • Çalaman – etiketohet një njeri, i cili njërën këmbë e ka më të shkurtër ose të dëmtuar, për rrjedhojë e tërheq zvarrë atë.
  • Çyrek – bukë gruri, e trashë; piqet në saç ose në furrë që digjet me lëndë druri. Përgatitet me miell gruri, të cilit i hidhet brenda kripë, sodë e maja dhe përzihet me ujë sa të bëhet brumë. I pjekur, çyreku, është mjaft i shijshëm dhe përdoret si dhuratë, kur shkohet në dasmë e në vaki.
  • Çupit – kur provon, në një cep të saj, bukën e pjekur, byrekun, revaninë, qullapiten etj. Këput pak dhe e provon. Gjithsesi gatimi shëmtohet.
  • Çehre (turqisht) – Pamje e jashtme e fytyrës. Disave të cilëve nuk u qesh nuri, por nxijnë e sterrojnë, u thonë nursëz; atyre që u qesh fytyra u thonë: “paska çehre”. Lipset të bëhet diferencimi mes atij që është serioz dhe atij që nuk i qesh nuri.
  • Çirak – Në kuptimin e ndihmësit të ustait. Në çdo profesion e punë ka një njeri që kryen rolin e ustait e një tjetër që është ndihmës i tij. Çirak mund të përdoret dhe për të dëftuar një kandil, të ndezur, në një vend të “shenjtë”. Në Kalivaç, p.sh., çirakë ndizeshin nëpër mekame ku Baba Lolua i Bozanet është me dy çirakë.
  • Çark – një pajisje metalike, si grackë, e cila shërben për të kapur minj.
  • Çportë – i thonë shportës, një enë prej xunkthi e cila ka një dorezë sipër dhe shfrytëzohet për të mbledhur fruta. Kapaciteti bartës i saj është 3-4 e më tepër kg.
  • Çqep – përdoret në vend të fjalës shqep. Kemi të bëjmë me një veprim kur shqep atë që ke qepur.
  • Çilo – një kalë i cili ka ngjyrë gri.
  • Çepka – copa të vogla druri, të cilat përdoren për të ndezur zjarrin, fillimisht.
  • Çepele – thikë e vogël.
  • Çikrik – një ingranazh i cili transmeton lëvizjen. Përdoret dhe për të dëftuar një rrotë me penj, të mbledhur.
  • Çapkën – një djalë i shkathët, i hedhur, të cilit nuk ia ha qeni shkopin.
  • Çokale – një këmborë në përmasa të vogla e me tingull më të lehtë. Çokalja ose trokja u varet në qafë bagëtive të imëta, të leshta, të cilat janë me trup të imët ose që janë në moshë më të re.
  • Çervish – Mbasi të ketë zier mishi i kuq apo pula, sipër enës mbetet një lëng, i yndyrshëm, i cili përdoret si përzierës i pilafit apo gjellëve të tjera, pa lëng. Çervishi ka shije të mirë, por është tepër i yndyrshëm.
  • Çjerr – ose gris. Përdoret dhe për të dëftuar një rast kur tjetri i ka hequr maskën fytyrës së një njeriu të padëshiruar, mashtrues. Në këtë rast thuhet: “Ia çorra maskën; i nxora në shesh fytyrën e vërtetë”.
  • Çqofto – Kur duam të identifikojmë një njeri të pafytyrë, të paudhë, të shëmtuar, ngjan me shejtanin, siç e përfytyrojnë njerëzit.
  • Çyst – Kur duam të dëftojmë një njeri, i cili del në krye të turmës; kur ka qejf të duket dhe nxjerr gjoksin dhe e heq veten më të ditur, më të zgjuar, më të mençur, të prirë për t’u bërë vetëm udhëheqës.
  • Çilimi – Kur kemi të bëjmë me një fëmijë të parritur. Mund të përdoret dhe për të dëftuar një të rritur, kur ai kryen një veprim fëminor.
  • Çomange – është fjala për një shkop, i cili përfundon me një gungë.
  • Çvendosje – Kur ndryshon vendin.
  • Çalambrok – shiko shpjegimin e fjalës çalaman.
  • Çember – një shami, me ngjyrë të ndryshme, e cila hidhet në kokë, nga gratë. Mund të jetë dhe e bardhë.
  • Çitak – kështu emërtohet një njeri, i cili nuk e mban fjalën e dhënë dhe, në përgjithësi është mistrec.
  • Çimgane – i thuhet një femre të përdalë, pa karakter.
  • Çitjane – veshje grash, nën mes, e cila mbulonte kërcitë dhe mbahej e lidhur në bel, me oshkur të fortë. Gruaja turpërohej po t’i këputej oshkuri i çitjaneve. Si veshje, e kanë lënë pushtuesit turq dhe lidhet me fanatizmin ekstremist.
  • Çapraz – Sharrën e drurit, axhustatori ose ai që e përdor, me një limë, e mpreh, midis dhëmbëve, në mënyrë të atillë që dhëmbët e mjetit prerës, të mos jenë në vijë të drejtë, por të hapen anash. Fjala çapraz përdoret dhe për të dëftuar një njeri i cili flet kundër të tjerëve (shumicës), me e pa shkak.
  • Çemgel (turqisht) – Nga oxhaku, nëpërmjet buharisë zbret një zinxhir, i hekurt, nyjet e të cilit janë të bashkuara me njëra-tjetrën, në kovaçhanë. Në fund mbaron me një grep ku vendoset ena që zien ujin apo gjellën.
  • Çatall – bëhet fjalë për njërën nga degët e shumta të një peme.
  • Çuka – flokë, të prerë shkurt.
  • Dac – kur një njeri zhvishet lakuriq, nudo, pa tesha në trup.
  • Drangull – Bëhet fjalë për një shtëpi bosh, ku nuk ka asgjë brenda. Ka dhe kuptimin e një njeriu pa plang e pa shtëpi dhe që nuk është i zoti t’i krijojë ato.
  • Demek – Përdoret për të dëftuar një tufë me grurë, të korrur por akoma të pashirë, të bërë bashkë, në madhësi sa ta pushtojnë krahët e një njeriu. Demekët mund të bëhen me të gjitha kulturat e arave që kanë kërcell. Në praktikë, çobanët, për të kufizuar vathën ku mbajnë dhentë, përdorin demekë me shkarpa, të mbështetur pas njëri-tjetrit.
  • Dorëz – Kur korret gruri, në arë, të korrurat, aq sa nxë dora, lihen në grurore, pastaj mblidhen e bëhen demekë. Dorëzat e grurit nuk lidhen, kurse demekët duhen lidhur.
  • Duvak (turqisht) – një copë e kuqe, me të cilën mbulohet nusja, kur hipën në kalë e niset për në shtëpinë e dhëndrit. Kemi të bëjmë me një rit të lashtë mysliman, ku fanatizmi ekstrem është i pranishëm, qartë.
  • Drugë – Vegël pune, në shërbim të grave që bëjnë tjerrjen e leshit, krahas furkës dhe lëndës së parë – leshit. Druga përfaqëson një copë druri, me gjatësi 20-30 cm, e lëmuar, me majë, jo të mprehtë, në të dy skajet. Ajo përgatitet nga dru i lehtë e i fortë, në mënyrë që dora, e cila e mban, të mos lodhet shpejt.
  • Djepe – Një pajisje për të vendosur fëmijët laktantë. Përgatitet prej druri dhe i jepet forma e një krevati fëmijësh që lëkundet, si lavjerrës. Në të dy skajet, djepja ka formë harku që të përkundet lehtë.
  • Dovlet (turqisht) – bëhet fjalë për një komunitet të caktuar, për një popullsi, konkrete.
  • Dulluk (turqisht) – bëhet fjalë për një dhuratë, e cila përmban brenda veshje e mbathje dhe i dërgohet nënës së nuses së ardhshme, si dhuratë, para dasmës. Dulluku mund të ketë brenda në pako, një ose disa lloje veshjesh.
  • Dackë – është fjala për të dëftuar një pëllëmbë, shuplakë, shpullë, e cila e godet tjetrin në fytyrë. P.sh.: “I dhashë një dackë të mirë, që ta mbyllë gojën”.
  • Dëckë – ka kuptimin e një pordhe. Mund të përdoret dhe fjala dëngël, e cila është ekuivalente me të parën. P.sh.: “Ai shet pordhë”, që do të thotë se fjalët e tij nuk janë të vërteta.
  • Dra – Kur skuqet gjalpi, në enë mbetet një solucion, i ngurtësuar, i trashë, i kripur, dhe mjaft i shijshëm.
  • Dërrasë – Një pllakë guri, e dimensioneve të ndryshme, me ngjyrë të bardhë, të zezë ose gri. Mund të thuhet dhe për një pllakë druri, e lyer, e cila përdoret si dërrasë e zezë, në klasë.
  • Derexhe (turqisht) – Përdoret për të dëftuar një gjendje të caktuar ekonomike, shoqërore dhe shëndetësore, të një personi. Më së shumti, derexheja dëshmon një gjendje të keqe, të padëshiruar. P.sh.: “Shikoni në ç’derexhe është katandisur x apo y!”
  • Dërzhitet (turqisht) – Sulet, ndërsehet, të sulmon. Zakonisht përdoret për të dëftuar sulmin e një qeni.
  • Dert (turqisht) – kemi të bëjmë me një hall, me një merak të pakryer, me një tog meraqesh, një peng, një mërzitje të akumuluar, por të pashfaqur publikisht.
  • Dyfek (turqisht) – Një armë këmbësorie, pushkë e gjatë ose e shkurtër e cila e realizon shkrepjen e fishekut, duke tërhequr këmbëzën.
  • Direk (turqisht) – një shtyllë druri, e gdhendur, në formë katrore, me qoshe, e cila vendoset zakonisht në anije dhe shërben për të kryqëzuar litarët. Si rregull, në majë të direkut vendoset flamuri shtetëror i portit ku është regjistruar anija.
  • Djersë dhe djersitje – Janë sekrecione të cilat dalin nga trupi i njeriut apo i kafshës, nëpërmjet poreve.
  • Dritëshkurtër – Një njeri, i cili, nuk shikon më tej se hunda e tij. Kur nuk mund të gjykojë drejt, për shkak të horizontit që ka. Përdoret dhe për të dëftuar një njeri, me aftësi të kufizuara për të parë i cili ka nevojë të vendosë syza.
  • Duf – Kur një njeri ka një brengë, të akumuluar, të cilën nuk e ka shfaqur publikisht. Kur ai e gjykon të arsyeshme, e shpreh hapët atë që mbulon përbrenda dhe çlirohet prej saj. Në këtë rast thuhet: “E nxora dufin!”
  • Dëmçmues – Kur ndodh një dëm, në ekonomi, një apo disa njerëz, me përvojë, caktohen për të bërë vlerësimin e dëmit. Këta, tradicionalisht janë quajtur dëmçmues.
  • Dëshmitar – Kur një njeri, madhor, ka dijeni për një ngjarje, ai thirret nga gjykata për të dëftuar ato që di. Ky tip quhet dëshmitar. Rrjedh nga fjala dëshmi.
  • Durim – përdoret për të identifikuar një njeri i cili suporton një ngjarje, një dhimbje, një padrejtësi e pritje të gjatë. Ka të bëjë dhe kur një njeri përballet e duron, derisa të zgjidhet, një padrejtësi.
  • Dyjare – Përdoret, zakonisht për të dëftuar një vegël muzikore, një cylë, e cila është me dy tuba. Në praktikë përdoret dhe për të identifikuar një dele (dhi) etj. e cila lind dy pinjollë, njëherazi.
  • Dume – një masë, e cila përfshin rreth 7 kg. Dumja, kësisoj është më e vogël se karroqja (10 kg).
  • Dava (turqisht) – Gjyq. Mund të përdoret dhe për të dëftuar diçka që nuk përfillet si p.sh. “Dava leckash”.
  • Drapër – vegël pune, në përdorim të bujqve për të korrur, me dorë. Përfaqëson një gjysmëhark, metalik, të dhëmbëzuar, i cili përfundon me një dorezë druri. Skaji tjetër i tij është i mprehtë, me majë.
  • Dredh, dredharak, dredhanik – Përdoret për të dëftuar një pështjellim. Kur kemi një rrugë, e cila nuk është e drejtë por me mjaft kthesa. Përdoret dhe për të dëftuar një bimë kacavjerrëse, e cila u qepet bimëve të tjera, të forta. Shërben dhe për të dëftuar një njeri, i cili nuk e mban fjalën, por del prej saj. Në këtë rast thuhet: “bishtdredhur”, “Dredharak” etj.
  • Dëng, pirg – Një grumbull gjërash, sidomos leckash, të ngjeshura fort pas njëra-tjetrës dhe të lidhura, fort. Pirgu mund të jetë dhe me gurë, grurë e sende të tjera.
  • Dyllë – mbetje e ngurtë, pas shkrirjes së mjaltit.
  • Derollan – identifikohet një njeri, i cili bredh derë më derë, për qelepir. I thonë dhe dredharak.
  • Duva, nuskë (turqisht) – Një mashtrim që u bëhet njerëzve, me lloj-lloj gjepurash, të cilat i paraqesin si shëruese, shpëtimtare, hyjore.
  • Deramet (turqisht) – një peng, një pishman, një dëshirë e paplotësuar apo një porosi, e dhënë, por e pakryer.
  • Damlla – Bëhet fjalë për hemoragji cerebrale. Dikur, nuk mund t’i shpjegonin sëmundjet, dhe, për t’i rënë shkurt, thoshin: “I ra damllaja”.
  • Derman (turqisht) – rrugëdalje, zgjidhje, kur një çështje e vë në udhën e zgjidhjes, ose që shëron. Në zhargonin e përditshëm, për një njeri që zgjidh problemet, thuhet: “Ai të bën derman”.
  • Dembel – Një njeri, i cili nuk angazhohet në asnjë punë, por e kalon kohën kot, sorollatet.
  • Derdimen – Një njeri i trashë, i cili nuk kupton e nuk çmon dot situatën ku ndodhet. Ai nuk është i aftë të veprojë sipas situatave që i krijohen. Shpesh e “tërheqin pas hundës” të tjerët.
  • Dorëdhënë – kur kemi të bëjmë me një njeri, i cili është tepër bujar. Shpesh, për të dëftuar bujarinë e tij, i thonë: “Ai e ka dorën të shpuar”.
  • Dorështrënguar – e kundërta e dorëdhënit. Dorështrënguari është koprac; nga dora e tij nuk del kollaj gjëja.
  • Distancë – Shërben për të dëftuar një hapësirë që ndodhet mes dy vendeve, dy pikave, dy objekteve etj.
  • Drithërimë – një tronditje e thellë, nga një e papritur e padëshiruar, një stepje përpara një situate befasuese.
  • Dordolec – bëhet fjalë për një karikaturë, ose për një manekin, i cili, zakonisht bëhej prej leckash, duke imituar një njeri dhe vendosej në mes të arës, mbi një hu, për të trembur shpendët. Përdoret dhe për të dëftuar një njeri, i cili është i veshur keq; me rroba të vjetra e të grisura.
  • Dallkauk (turqisht) – i thuhet një njeriu, i cili premton shumë, por nuk bën asgjë, pra nuk e mban fjalën, por është gënjeshtar e i pabesë.
  • Dallaverexhi (turqisht) – i thuhet një njeriu që merret me ryshfete, me pazare të ndyra, bën premtime të kota, është besëthyer.
  • Derman (turqisht) – shpëtim, zgjidhje, dalje nga situata, shërim etj. Është përdorur e përdoret, sidomos nga femrat, për të identifikuar një njeri, të afërt, të cilin e duan shumë. P.sh.: “Ku je, o derman?”
  • Dhallë – Kur tundet kosi e përftohet gjalpi, në fund të enës mbetet një lëng me ngjyrë të bardhë, me shije acidi, i cili përdoret për të përftuar gjizën dhe hirrën. Përdoret dhe si pije freskuese.
  • Dhëmbje – Bëhet fjalë për një vuajtje njerëzore të shkaktuar nga një goditje; prerje ose dëmtim tjetër të trupit. Dhimbja mund të shkaktohet dhe nga faktorë moralë ose nga humbja e njeriut të dashur.
  • Dhogë – një dërrasë, prej druri. Mund të jetë me trashësi e gjatësi të ndryshme.
  • Dhjakonar (greqisht) – kur kemi të bëjmë me një njeri të ngushtë, të fshehtë, jo të çiltër në shoqëri. Dhjakonari, shpesh, hedh gurin e mësheh dorën.
  • Dhi – bagëti e imët, e cila ushqehet, kryesisht me gjethe.
  • Dhunë – Bëhet fjalë për ushtrimin e forcës fizike, për të marrë diçka, pa dëshirën e palës tjetër.
  • Dhuratë – është fjala për një send i cili i jepet dikujt, pa shpërblim.
  • Dhijar – çobani i dhive; ai që kujdeset për dhitë.
  • Dheks (greqisht) – Kur dikë ose diçka, nuk e pëlqej, nuk e dëshiroj, nuk e duroj dot. Kur thuhet: “Këtë gjë nuk e dheks”, d.m.th., nuk e dëshiroj.
  • Dhjet – bëhet fjalë për një nevojë fiziologjike, kur njeriu kryen jashtëqitjen; defekon.
  • Dhëndërr – Një djalë, i cili martohet, bëhet me grua.
  • Eshkë – Një kërpudhë me pamje mishtake, e cila del nëpër trungje drurësh pyjorë si (lis, përrall, rrap, vidh etj.). Kërpudha, mbasi zihet, copëtohet, thahet dhe përdoret për të ndezur zjarr, sidomos nga ata që e pinë duhanin, me çibuk.
  • Eth – ndërzim. Përdoret, për të dëftuar një dem, i cili kryen aktin seksual, me një lopë.
  • E paqtë – përdoret për të identifikuar një njeri të pastër ose për të dëftuar një veprim të pastër.
  • Exhgale (turqisht) – kur njeriu ka një siklet, diçka i ka zënë udhën dhe e pengon, kur ka një telash apo një hall.
  • Evlat (turqisht) – përdoret për të dëftuar një fëmijë, një bir, një bijë ose të dy së bashku.
  • Evliha (turqisht) – kur duam të identifikojmë një njeri, të mbarë, të dobishëm, që nuk ndihet, nuk i dëgjohet zëri por i duket puna. Nuk i bie në qafë njeriu e nuk përzihet në punët e të tjerëve.
  • Ethe – kur njeriu suporton temperaturë të lartë të trupit, të shoqëruar me dridhje. Në Kalivaç janë të njohura ethet e gushtit.
  • Eksiq (turqisht) – mangut. Kur blen një mall dhe shitësi ta jep mangut. Në praktikë përdoret dhe për të dëftuar një njeri i cili nuk mbush mirë; kur është i metë, nga trutë.
  • Ëngjëll – në kuptimin e një shenjtori që të mbron. Disa e përdorin dhe për të dëftuar se një njoftim të caktuar ua solli engjëlli. Fjala engjëll ka konotacion mjaft të mirë.
  • Ënckëla – sharje, ofendim, kur i dëshiron tjetrit t’i ndodhë diçka e keqe, së shumti të fryhet e të bëhet daulle.
  • Filaqi – Është fjala për një pjesë të kanalit që tërheq ujin që del nga mulliri, mbasi ka rrotulluar rrotën e blojës.
  • Ferishte (turqisht) – përdoret për të dëftuar një njeri apo send të brishtë. Kemi të bëjmë me një krijesë e cila është e njomë, e paarrirë, në gjendje fillestare, pa përvojën e nevojshme.
  • Fizallah (turqisht) – Thuhet për një njeri të padëshiruar, të papranuar në shoqëri, në kufijtë e të panatyrshmes.
  • Fanua – i paparë, i jashtëzakonshëm, i mbinatyrshëm.
  • Formaçkë – kështu emërtohet hapësira që formohet nga shtrirja e gishtit tregues me gishtin e madh.
  • Furmi – kur godet këmbën, kur e shemb atë, vendi i goditur, skuqet, squllet dhe fillon të grumbullojë qelb. Procesi i qelbëzimit quhet “hedh furmi”.
  • Frëngjyz (turqisht) – një sëmundje, që bllokon rrugët e sipërme të frymëmarrjes, e ngjashme me astmën bronkiale.
  • Fëndyell – Një mjet, shpues, me majë e me kanal të hollë, përdoret sidomos nga samarpunuesit dhe opingarët.
  • Ftujak – Bëhet fjalë për mashkullin e ftujës. Në kopenë me dhi, pinjollët meshkuj, kur e kapërcejnë vitin, quhen ftujakë.
  • Fletë – Bëhet fjalë për një gjeth peme ose për një fletë libri apo fletore.
  • Fyell – një vegël muzikore që lëshon tinguj të ëmbël, melodiozë, të cilët dalin nga një tub, metalik, prej druri apo plastik, me brima. E ndeshim, sidomos tek barinjtë.
  • Fëndë – përdoret për të dëftuar një pordhë, pa zhurmë. Fënda, si pordha, dhe ajo, mban erë të shpifur. Në ndonjë rast, kjo fjalë, përdoret për të identifikuar një njeri, i cili, as ndez, as shuan, por është një gjë e lehtë, nga ata, të cilët nuk zihen në gojë, se nuk mbarojnë punë.
  • Fët e fët – na dëfton se një punë e caktuar kryhet shpejt-shpejt; pa vonuar.
  • Ftujë – femra e dhisë, kur ka mbushur një vjeç.
  • Frë – Ka kuptimin e një pengese metalike që i vihet kalit, në gojë dhe është pjesë e kapistrës; përdoret dhe për të dëftuar një vesh rrushi. Në praktikë, frë u vihet dhe kecërve, që të mos pinë nënat, kur lëshohen në tufë, por, në këtë rast freri është prej druri, i mprehur në të dy skajet.
  • Furkë, furkaçe – Është një dru, me gjatësi rreth 3 m, i plotë, i fortë, me dy veshë, përdoret për ngritjen e kasolleve apo tendave dhe për të ngritur hereket e rrushit. Në një kuptim tjetër, është një dru, me fund të përkulur, në njërën anë, i cili shërben për të endur leshin.
  • Fshesë – Pajisje, prej shkurresh ose prej fijesh bari, të fortë, e cila përdoret për të fshirë një sipërfaqe të caktuar.
  • Fidan – bimë e re, e përftuar nga farishtja ose fidanishtja, e cila, pritet të transplantohet në vendin ku do të qëndrojë përgjithmonë. Fidani mund të jetë i drurëve frutorë, atyre pyjorë, por dhe i bimëve të arave.
  • Fesat (turqisht) – Në kuptimin e një njeriu të prapë, që bën paudhësi, përhap njoftime të pavërteta, shpif dhe është ngatërrestar.
  • Fiti-fesat – Është e njëjta kategori por në një shkallë më të lartë. Kemi të bëjmë me një njeri ngatërrestar, shpifarak, i cili përgojon këdo, pa asnjë bazë.
  • Fishek – Predhë. Bëhet fjalë për një gëzhojë së bashku me plumbin.
  • Firar (turqisht) – me këtë fjalë dëftohet një njeri, i cili është arratisur nga bashkësia ku jeton, ka bërë ndonjë prapësi dhe kërkohet nga shteti, prandaj qëndron i fshehur, diku.
  • Firaun (turqisht) – Një njeri i mbrapshtë, me prirje për të bërë të këqija.
  • Feste – një lloj kapeleje të stërgjatur, pa majë e pa strehë. Zakonisht, festeve u thonë qylah, kur janë prej shajaku, të bardhë e me majë, në krye.
  • Fiqir (turqisht) – mendje, aftësi për të menduar.
  • Farishtë – toka ku mbillet fara, e cila na jep fidanin e pritshëm.
  • Farë – Shërben për të dëftuar kokrrat e një bime, të cilat janë të pjekura fiziologjikisht e kanë aftësi riprodhuese. Fara ruhet në vende e në mënyrë të veçantë dhe trajtohet, kimikisht, para se të mbillet.
  • Fajkua – një shpend grabitqar, i shkathët, i fuqishëm, symprehtë. I thonë dhe skifter.
  • Farmak – përdoret për të dëftuar një gjë që të helmon. I thuhet dhe thjesht: helm.
  • Fëndyell – mund të identifikohet me fjalën bizë.
  • Ferk (turqisht) – thuhet për të dëftuar një mrekulli; një zgjidhje të mbinatyrshme, hyjnore.
  • Fesat – kur kemi të bëjmë me një prapësi, thuhet për një njeri të prapë.
  • Flakë – përdoret për një njeri, i cili i zgjidh problemet shpejt, sa hap e mbyll sytë. Një njeriu të tillë i thuhet: “Ai është flakërimë”, si flaka që përlan çfarë gjen përpara.
  • Flamë – një sëmundje e ngjashme me alergjinë, më tepër përdoret për të identifikuar një bagëti të sëmurë.
  • Fatlum – bëhet fjalë për një njeri me fat, të cilit i shkojnë punët mbarë.
  • Fener – Një mjet ndriçues, me vajguri, i mbyllur me qelq, që të mos e fikë era; përdoret nga udhëtarët, për të ndriçuar udhën.
  • Furrik – një vend, i ndërtuar kryesisht me kashtë, ku pjellin e ngrohin pulat.
  • Fëshfërimë – erë e lehtë, e cila fryn qetë-qetë, lëkund gjethet e pemëve, por nuk i rrëzon ato.
  • Fustë – këmishë e brendshme, dite, grash.
  • Futë – përparëse, disa i thonë mësallë.
  • Gogalle – kocka, me gabarite të mëdha.
  • Gofie – disa kafshëve (gjedhëve), kur janë të dobëta u dalin kockat; ato quhen gofie.
  • Gatim – bëhet fjalë për disa gjellëra. Në dasma e gosti, p.sh., vajtësit çojnë çyrekë, revani, etj. etj. të cilat, së bashku, quhen gatime.
  • Goxhamish – është fjala për të dëftuar një pemë, me fruta jo aq të preferuara, e cila ka disa kokrra, të vogla, kafe të zënë ose të zeza, të vogla, të rrumbullakta, të ëmbla, por me fara të mëdha. Disa i thonë carac, disa të tjerë – çuçume.
  • Gazherre – Kur theret e ripet një bagëti dhe i hapet barku, disa organe, janë të veshura me dhjamë. Këto quhen gazherre e, kur skuqen, hahen me shije.
  • Gavetë – Një enë alumini, me kapacitet rreth 1 litër, me kapak, përdoret, në ushtri; ushtari e mban në sup, të kapur nga një rrip. Përdoret, për të transportuar ujin e pijshëm dhe gjellën, mund të shfrytëzohet dhe për të ngrënë ushqimin.
  • Gop – organi seksual i femrës. Është përdorur për të dëftuar një grua që ka bërë shumë lindje, ose një të moshuar. Disa, me keqdashje e përdorin për të denigruar tjetrin. Në këso rastesh slogani që përdoret më shpesh është: “gopi i satëme!”
  • Gri – Një pajisje, në përbërje të së cilës është një gur, i ashpër, me ngjyrë gri, përdoret për të mprehur thika, sëpata, kosore dhe sende të tjera metalike, të mprehta.
  • Gazep (turqisht) – një situatë mjaft e keqe, për faqe të zezë, nuk ka si bëhet më keq.
  • Gunë – Veshje e gjatë, e trashë, për çobanët e dhive (dhijarët). Guna ka formën e një pelerine, me krahë e me kapuç. Është kundra ujit dhe të mbron nga të ftohtit; përgatitet me lesh dhije, të rrahur.
  • Grënjë – kemi të bëjmë me një zënkë, grindje, mosmarrëveshje, mes dy njerëzve. Disa njerëz janë grënjarë, nga natyra.
  • Grënjar – një njeri që parapëlqen grindjet dhe është protagonist në këtë fushë.
  • Gollak – Një gjel, i cili nuk këndon ose këndon, në moshë të rritur. Përdoret dhe për të tallur një njeri, i cili është gjë e trashë.
  • Grackë – Kurth. Dikur, fëmijët ngrinin gracka, për të kapur zogj. Mund të jetë dhe një grackë, e ngritur prapa krahëve të tjetrit, për t’i bërë keq atij.
  • Gardh – Një pengesë artificiale, e thurur, me purteka e shkarpa, me qëllim që të ndalohen kafshët grabitqare. Ndërtohet me hunj e shkarpa dhe kap lartësinë 2-3 m. Me qëllim që pengesa të bëhet e pakalueshme, në krye të gardhit vendosen driza ose ferra.
  • Gurmaz – fyti apo laringu.
  • Govatë – magje. Shërben për të larë teshat. Në magje, sidomos prej druri, gatuhet brumi, me të cilin përgatitet buka. Me govatë, nxirret dhe vaji i ullirit, i këmbës.
  • Gulç – Kur një njeri ka vrapuar, jashtë kapacitetit fizik të tij e është lodhur shumë, merr frymë me vështirësi, e ka të vështirë të kollitet, mund të nxjerrë dhe shkumë të bardhë, nga goja.
  • Gdhend – kur punon, me daltë mbi një dru, të cilit i heq gungat e i jep formë, sipas dëshirës. Gdhendet dhe guri, me daltë, i hiqen gungat e qoshet dhe përgatitet për destinacionin që dëshiron gurgdhendësi.
  • Gërshet – Një femër, me flokë të gjatë, i pleks ato, në dy tufa, të cilat quhen gërshetë.
  • Gëlbazë – Pështymë, pas një kolle të fortë dhe “kruajtjeje” të fytit. Sekrecioni që del nga goja, zakonisht ka ngjyrë të bardhë dhe është si pelte.
  • Gërthje – Gafore. Rëndom, përdoret dhe për të identifikuar një njeri të bezdisshëm, i cili të qepet e nuk të ndahet. Në këto raste thuhet: “Më është qepur, si gërthje”.
  • Gërvishtje – Kemi të bëjmë me një plagosje, të lehtë, e cila konsiston në goditjen me sende të forta, që shkaktojnë të çara, në trup ose në lëkurë.
  • Gëlasë ose gëliqe – jashtëqitje shpendësh. Në ndonjë rast, me ironi, përdoret shprehja: “I la gëlasën”.
  • Guak – Një njeri i trashë, i hutuar, i mefshët, qullac, pa haber, i trashë, nuk kupton e nuk reagon.
  • Gojëharapash – Një njeri, i cili nuk shprehet qartë, por ngatërron ato që thotë e të tjerët nuk kuptojnë se çfarë thotë.
  • Guall – Guackë, koracë, mbulesë e jashtme e një fruti apo perimesh. Përdoret dhe për të identifikuar njerëzit që nuk janë të hapët, por mbyllen në guackën e tyre.
  • Gonxhe – kemi të bëjmë me një lule të paçelur.
  • Gungaç – Identifikohet një njeri me trup të shëmtuar, me gunga apo kurrizo.
  • Gege – Kështu emërtohet, me përkëdheli dhe e ka si epitet gruaja e xhaxhait.
  • Gafë – kur një njeri kryen një veprim të gabuar ose thotë gjëra që nuk vërtetohen e nuk justifikohet.
  • Gjysmak – I thonë një njeriu me të meta mendore.
  • Gjiton – emërtohet një njeri, i cili ndodhet afër, me shtëpi.
  • Gjilpryer – Një gjilpërë e madhe, e cila përdoret për të qepur thasë zhakë ose stromë samari.
  • Gjongul (turqisht) – vullnet, dëshirë e mirë. Kur dikush të jep një gjë, apo të bën një të mirë, me gjithë shpirt.
  • Gjezdis (turqisht) – shëtit, bredh, sorollatem sa andej-këtej.
  • Gjysmëkoke – Një pjesë e kokës. Në dasma e gosti, duke i hedhur një gjysmë koke, nderohet njeriu i afërt apo njëri nga miqtë më të preferuar të familjes.
  • Gjytyrym – Një njeri i humbur, i pazoti, që nuk merr vesh nga dynjaja.
  • Gji – Ka dy kuptime. Dëfton gjoksin e një gruaje, sisët dhe, në kuptimin tjetër dëfton një gjuhëz ku deti futet në tokë, në formën e një fiordi.
  • Gjini – në njërin kuptim, dëfton përkatësinë seksuale të njeriut; në tjetrin kuptim, dëfton familjen, fisin, të afërmit e një njeriu. P.sh.: “Isha në gjini”.
  • Gjype – Në një tufë dhensh, njëra nga delet mban në qafë këmborën më të madhe, e cila, dallohet jo vetëm nga madhësia, por dhe nga tingulli.
  • Merr në gji – kur dikush, merr dikë në mbrojtje.
  • Dhjakonar (greqisht) – një njeri i ngushtë, dorështrënguar dhe hileqar.
  • Dhjet – kryen jashtëqitjen.
  • Dhijar – çobani i dhive.
  • Dhëmbsuri – kur të vjen keq, për një njeri, kur ndihesh keq për një njeri që vuan.
  • Hapës – Çelës.
  • Hi – potas; mbetje nga djegia e druve të zjarrit, ose nga djegia e qymyreve.
  • Hosten – Një shkop prej druri, i drejtë, me gjatësi rreth 2 m, në fund të të cilit ndodhet një thumb, metalik. Hosteni përdoret nga bujku, për të shpuar qetë, në parmendë, me qëllim që të nxiten për të tërhequr.
  • Heqës – Kraharori i pulës, ka dy kocka të holla, që përfundojnë të bashkuara. Kur tërhiqen ato, njëra shkëputet e shkurtër, tjetra e gjatë. Disa bestytë, mendojnë se kësisoj mund të përcaktojnë seksin e fetusit, në bark të nënës.
  • Hunit – me këtë nofkë identifikohet një njeri, i cili sorollatet, pa ndonjë objeksion konkret.
  • Hereke – një ngrehinë prej furkash e shujesh druri, e cila përgatitet, si shtrat për të shtrirë hardhinë.
  • Hergjele – i lirë, përdoret më tepër për të dëftuar një kalë, i cili nuk është i penguar, as i lidhur me litarë, por vrapon, nga të dojë.
  • Harram (turqisht) – identifikohet një njeri, i cili nuk sjell asnjë dobi. Ka dhe kuptimin e një sendi apo malli, i cili nuk është fituar me djersë, por me mënyra të tjera, jo të ndershme. Është dhe mallkim, kur i jep tjetrit diçka, pa dëshirë. Në këtë rast, thuhet: “Të qoftë harram!”
  • Heqje – Në kuptimin e vuajtjes. Kemi të bëjmë me një përjetim të dhimbshëm, të shoqëruar me vuajtje, të shkaktuar nga një sëmundje apo kur bën një punë të rëndë, e cila përballohet me vështirësi.
  • Harka (turqisht) – veshje klerikësh myslimanë. Tip pelerine, e lehtë, me ngjyra sipas sektit fetar, e gjatë, deri në fund të këmbëve.
  • Havale (turqisht) – Bezdi, me këtë emër identifikohet një njeri, i cili, të qepet e nuk të ndahet.
  • Hardhiçkë – një zvarranik, i cili, rëndom quhet hardhucë. Në praktikë përdoret dhe për të identifikuar një femër, e cila është mjaft e dobët dhe e pakët nga trupi.
  • Hedhës – Në një këngë kalivaçase, njëri ia merr; një i dytë ia kthen dhe i treti ia hedh këngës. Hedhësi, zakonisht, del, me zë, mbi të parët.
  • Ibret (turqisht) – do të thotë: shumë keq; copë-copë, për faqe të zezë, më keq nuk mund të bëhet.
  • Ibrik (turqisht) – Një pajisje, metalike, me dorezë dhe me fyt, e cila shërben për të ruajtur dhe për të servirur ujë, për të larë duart. Më së shumti, ibriku, është i përgatitur prej tunxhi.
  • Iso – Në polifoninë labe, në një grup këngëtarësh, ata që nuk janë marrës, kthyes apo hedhës, bëjnë iso, e cila duhet të jetë uniforme.
  • I hazdisur (turqisht) – Kur kemi të bëjmë me një njeri të eksituar. Mund të kemi të bëjmë dhe me një kafshë që ka humbur ekuilibrin.
  • I molepsur (turqisht) – shërben për të identifikuar një njeri apo një frymor tjetër, të infektuar.
  • I lyer – Kur një njeri është i përzier në punë të pista, është i lyer, me to.
  • I vyer – Përdoret për të identifikuar një njeri me vlerë.
  • I krimbur – Kur ka zënë krimba.
  • I mykur – kur ka zënë myk, nga koha e gjatë.
  • I kamur – kur disponon shumë para e pasuri tjetër.
  • I prishur – Kur diçka ka humbur vetitë fiziko-kimike dhe nuk i përgjigjet standardit.
  • I shtrydhur – kur i kemi marrë lëngun. Përdoret dhe për të identifikuar një rrobë, e cila është shtrydhur.
  • I ndrydhur – bëhet fjalë për një njeri që rezervohet për të thënë diçka që di.
  • I mbaruar – Kur nuk vlen për asgjë.
  • Ibrik – Një enë metalike, për të mbajtur ujë.
  • I paudhë – Në kuptimin e shejtanit.
  • I krisur – I çarë, i thyer. Përdoret dhe për të identifikuar një njeri, të cilit i ka ikur mendja.
  • I vakët – Bëhet fjalë për një sasi uji të pangrohur akoma ose për një njeri, i cili, as ndez, as shuan.
  • I karfosur – I kapardisur.
  • I tripsur – Në kuptimin kur një rrobë është e konsumuar, e holluar.
  • I fisëm – Fisnik.
  • Ik – Largohu.
  • Inat – Kur një njeri nuk e do; nuk e ke për zemër.
  • Ibret – Është fjala për një njeri, i cili është katandisur keq e mos më keq. Thuhet dhe “Ibreti Alem”.
  • I velur – Kur një njeri është i tejngopur.
  • I leshtë – Përdoret për të identifikuar një njeri, i cili beson shumë dhe verbërisht, tek të tjerët, për një njeri, i cili është shpirt njeriu dhe nuk ia prish askujt.
  • I jam qepur me bukë në trastë – nuk i ndahem këmba-këmbës.
  • I prapë – kur bën prapësira.
  • I sertë – kur sillet me të egër.
  • I lashtë – Një njeri, i cili ka lindur herët.
  • I përkëdhelur – I llastuar.
  • I pangjitur – Kur nuk shoqërohet me asnjeri.
  • I thatë – Çiban.
  • I murtëjtur – I vranët, i egër, i zymtë.
  • I tromaksur – Kur një njeri është shumë i trembur.
  • I shpifur – i shëmtuar.
  • I tredhur – I skopitur, kur i janë hequr organet e riprodhimit.
  • I ka plasur delli i ballit – nuk ka turp.
  • I vuri saçin – kur bën shumë vapë.
  • I lig – i keq.
  • I ndërkrryer – I paekuilibruar, kur ikën kot më kot.
  • Harbut (turqisht) – Njeri me sjellje të rëndomtë, të egër e pa takt.
  • Hardallosje – Kapardisje, kryeneç, një njeri që mbivlerëson veten, hiqet si “i fortë”, merr kot.
  • Hasha (turqisht) – Kur mohon diçka.
  • Hashure – ushqim, simbolik i bektashinjve. Kemi të bëjmë me një përzierje orizi, me qumësht ose me ujë dhe me sheqer.
  • Haraçal (turqisht) – Një njeri që vjen vërdallë e bezdis të tjerët.
  • Hallemadh – një njeri me shumë halle, probleme.
  • Hazdis (turqisht) – Bëhet fjalë për një torollak, i cili është i papërqendruar.
  • Hell – Një dru, i gjatë, i gdhendur, me majë në njërën anë e me dy veshë, në anën tjetër; shërben për të pjekur mishin.
  • Hanxhar (turqisht) – Një sëpatë, e cila përdoret për të copëtuar mishin.
  • Hak (turqisht) – Një detyrim që të takon.
  • Hakmarrje – Kur i shkakton një të keqe, atij që të ka bërë dëm.
  • Hamullor – Një kulturë e dytë bujqësore, e cila mbillet, pas korrjeve.
  • Heqës – Dy kocka të kraharorit të pulës, të ngjitura në njërën anë, në formën e shkronjës “v”. Besohej se duke i këputur ato, duke i tërhequr me forcë, përcaktohej seksi i fëmijës që pritej të lindte.
  • Hamall – Doker, punëtor i ngarkim-shkarkimit.
  • Hajvan – Kafshë. Përdoret për të identifikuar një njeri me sjellje të rëndomtë.
  • Hamaqell – Diçka e lartë, me përmasa të pazakonta, e lartë, sa qielli.
  • Hakikat (turqisht) – Kur i qepesh diçkaje e nuk i ndahesh.
  • Hatikat (turqisht) – I vërtetë.
  • Hararet (turqisht) – Alergji. Trupi mbushet me puçrra, të vogla, shpesh të kuqe, të cilat kruhen. Shkaktohet prej një faktori të jashtëm.
  • Haber (turqisht) – Njoftim, lajm.
  • Hasëm – Kundërshtar, armik; për jetë a vdekje. Përdoret dhe në kuptimin e gjakësit.
  • Hallvë – Ëmbëlsirë e përgatitur me miell gruri, vaj dhe sheqer. Hallva serviret, sidomos në vdekje e përshpirtje.
  • Hundëlesh – Në kuptimin e një njeriu “të fortë”, i cili nuk të fal.
  • Heq – vuaj, lëngoj.
  • Haraçal – I shkujdesur, pa fre.
  • Hapërda – I shpërndarë.
  • Huq – Kur shkon për të kryer një punë, mund të dalësh bosh. Përdoret dhe për të dëftuar një ves të dikujt.
  • Honeps – Tret. P.sh.: Nuk e tret dot; përdoret dhe për të dëftuar një njeri, i cili nuk e preferon një njeri.
  • Hergjele – I lëshuar, pa litar.
  • Hobe – gurëhedhës.
  • Hyner (turqisht) – Në kuptimin e një bëme trimërore. P.sh.: “Ai ka bërë hyner”.
  • Helaq – Pisllëk, kur ndot dikë. P.sh.: “Më bëre helaq”.
  • Humai – Një basme e bardhë, prej pambuku, me endje cilësore; e bardhë.
  • Hanak (turqisht) – Byrek me qumësht.
  • Harar (turqisht) – Një thes i madh, i cili përdoret për të futur brenda drithë.
  • Hendek – Kanal.
  • Handakomë – Një greminë e thellë.
  • Harxhim – Konsumim. Ka dhe kuptimin e përgatitjes së disa ushqimeve që kushtojnë mjaft. P.sh.: “Qenke harxhuar”.
  • Hungërrimë – Si lehje e qenit, nën zë.
  • Hi – Mbetje e djegjes.
  • Hakërrim – Kërcënim.
  • Hickëla – Kur hidhet kot, kur merr kot. Thuhet: “Mos hidh vicka”.
  • Hise – Pjesë, racion ushqimor.
  • Hambar – Një rezervuar prej druri, për ruajtjen e drithit.
  • Hiqmet (turqisht) – Hyqëm, komandë, urdhër.
  • Hallall (turqisht) – Kur miratohet, me kënaqësi, një veprim i kryer.
  • Hair – Kur miratohet një veprim, sidomos kur lidhet një krushqi.
  • Havale (turqisht) – I bezdisshëm.
  • Hejbe – Dy çanta të njëllojta, hidhen në samarin e kafshës, të mbushura me dhurata.
  • Hokërr (tepë) – Një bimë arash e familjes graminaçe, në zhdukje.
  • Hime – Krunde, mbetjet që dalin nga sitja e miellit.
  • Inatçi – Një njeri, i cili mban mëri, nga inati.
  • Jelek – Një triko, e hapët, me kopsa, pa mëngë.
  • Jamake (turqisht) – Një enë e rrumbullakët, me bisht, e përgatitur nga bakër, përdoret, sidomos për të zier, në vatër ato ushqime që kanë nevojë për t’u zier.
  • Jargë – Sekrecione që dalin nga goja.
  • Jargaman – I thuhet një njeriu, të cilit i rrjedhin jargë.
  • Jatak (turqisht) – mjete për të fjetur. Bëjnë pjesë: Dysheku, çarçafët, jastëku dhe jorgani.
  • Jahni – Ushqim i përgatitur me mish viçi, qepë dhe lëng, si çomlek; përdoret, sidomos në vaki.
  • Jerzull (turqisht) – kur është kulmi i vapës, kur dielli ndodhet në zenit.
  • Kallangiç – bostan, pjepër i pabërë, jeshil.
  • Kauis – Kur një qen hungërin, për shkak se dikush e ka goditur ose kërkon të hajë. Disa bestytë, kur hungërin qeni thonë se ndjell të keqen dhe dikush do të ndahet nga jeta.
  • Karkacul – Thuhet për një njeri, i cili ka dalë pa veshje, nudo.
  • Kruspull – Një njeri i mbledhur, nga të ftohtit apo nga një dhimbje, kur bashkon këmbët me duart dhe qëndron ashtu, i mbledhur.
  • Kukël – thuhet dhe kuckël. Rrënjës së pemës, të shkulur nga toka, i priten rrënjët anësore dhe, kur thahet, përdoret dru, për zjarr.
  • Këmbje – Një pajisje prej hekuri, në formë trikëmbëshi, përdoret për të vendosur, mbi të, kusinë apo saçin.
  • Këmbës – I thuhet një shkalle, prej druri.
  • Kade – Një enë druri, e bërë me listela të vendosura përbri njëra-tjetrës, në formë rrethi, të cilat mbahen të shtrënguara nga disa rrathë metalikë. Një kade e zakonshme merr brenda 100-150 litra dhe përdoret, kryesisht për fermentimin e frutave dhe për depozitimin e bulmetrave.
  • Kalimar – Një lloj ëmbëlsire, të përgatitur me petë, si byreku e si bakllavaja; të shërbetosur.
  • Kite – Një tufë gruri, së bashku me kashtën, me madhësi sa ta pushtojë njëra dorë.
  • Kërcu – Një trung druri, me madhësi të ndryshme. Në zhargonin e përditshëm, kur duan të ironizojnë dikë, i thonë: “Nëna jote, më mirë të kishte bërë një kërcu se do të ishte ngrohur gjithë dimrit!”
  • Kërbythje – Bishti i pulës, së bashku me kockën.
  • Kajmak – Ajka e qumështit, kur zien. Mund të jetë dhe emër burri.
  • Kavak – një lloj plepi, i cili ikën lart dhe është i hollë.
  • Koresh – Një vaskë prej druri e cila përdoret për të shtypur ullinjtë e vajit.
  • Kodosh – Thuhet për një njeri, burrë apo grua, që bën poshtërsi sidomos për ata që ndërmjetësojnë në prostitucion.
  • Këngol – Bar i keq, i cili rritet nëpër bimën e grurit.
  • Korb – Një shpend me pupla të zeza, simbol i fatkeqësisë. Gratë, kur duan të shprehin një fatkeqësi që u ka pllakosur, thonë: “Korba unë!”, që do të thotë: “E zeza unë!”
  • Këllirë – Është identifikim i pisllëkut e i qelbësirës. Përdoret për të dëftuar një njeri, i cili nuk lahet, por mban erë të keqe e të ngjall neveri.
  • Kaç – do të thotë avlimënd, tezgjah ose vegjë.
  • Kasonë – Një arkë prej druri.
  • Kësmet (turqisht) – ka kuptimin e fatit. Përdoret: “Qoftë me kësmet”, që do të thotë t’i shkojnë mbarë punët.
  • Kromë, kromoshqilar – zgjebje, i zgjebosur.
  • Koqe – teste. Përdoret dhe tope, për të dëftuar, dy koqe. Kur do t’i bësh karshillëk dikujt, i thua: “Të më rruash topet!”
  • Kapriçio, kapriçioz (italisht) – tekë, tekanjoz.
  • Kakërdhi – jashtëqitja e dhenve e dhive.
  • Kallçina – copa lëkure, të cilat u vihen pantallonave të dhijarit, tek gjunjët.
  • Kërmë – mish i prishur, mish me erë të qelbur. Përdoret dhe si ofendim për një njeri pa vlera.
  • Kumtëri – kumbarë, një mik artificial, i cili qeth fëmijët e tjetrit e bëhet i afërt.
  • Konde – këmishë.
  • Karthje – Degë druri, të holla, të cilat përdoren për të ndezur zjarrin, fillimisht. Karthje i thonë dhe një femre të dobët.
  • Kopaçe – një copë druri, e plotë.
  • Kësinjet – Qan, pa zë, numërohet, me vete.
  • Koçkulla – Bishtajore, e ngjashme me bizelen, por me kokërr më të vogël, mund të përdoret si ushqim, në byrek ose si çorbë.
  • Kulloshtër – Bulmet, i kafshës femër, pas pjelljes. Zakonisht, kulloshtra i lihet pinjollit ta pijë, por ngaqë është mjaft e shijshme dhe e ushqyeshme, në ndonjë rast bën gabim dhe çobani.
  • Kallogre (greqisht) – një grua, së cilës i ka vdekur burri. I thonë dhe e ve, vejushë.
  • Kut – njësi matëse lineare, më e shkurtër se metri linear.
  • Kësërë – një sitë e rrallë, e cila përdoret për të situr miellin e bukës.
  • Kallaje – Enë metalike, e cila përdoret për të servirur ujë të pijshëm. Nxë rreth 1 litër ujë dhe ka dorezë.
  • Klloçkë – Pula që ngroh vezët dhe nxjerr zogj.
  • Kërrabë – shkop i çobanit, me një kokë metalike, me kërrabë.
  • Korije – një pyll me shkurre ku drurët nuk janë të lartë.
  • Kusar – vjedhës, grabitës, i cili rrëmben gjënë e tjetrit, pa e pyetur atë.
  • Kaposh – Gjel. Përdoret dhe për të dëftuar një njeri të ngrehosur, të kapardisur.
  • Karar – kur gjërat janë në terezi, kur është rënë dakord, për një punë, pazar etj.
  • Kaminë – një gropë ku prodhohet gëlqere.
  • Kuckël – Rrënjë e shkulur, e një peme jo aq të madhe.
  • Korçan – Pjesa nëntokësore e një bime tuberoze ose boshtore, si karrota.
  • Kapistër – bëhet fjalë për një pajisje, me rripa e zinxhirë, e cila i vihet kafshës, në kokë, për ta tërhequr.
  • Kënaçe – enë e vogël, prej druri.
  • Kanistër – një pajisje e përgatitur me purteka, të thurura, e cila përdoret për të vendosur tesha.
  • Kojëse – një frut i pjekur tej mase, i fishkur nga avullimi i ujit, i ëmbël dhe i shijshëm për të ngrënë. Përdoret, së shumti për të dëftuar një kokërr fiku.
  • Kulaç – një lloj buke, të përgatitur me miell gruri, të situr hollë.
  • Kërriç – i vogli i gomarit. Përdoret dhe për të ofenduar një njeri, të cilit i thonë: “Qenke kërriç!”
  • Kakërdhi – jashtëqitja e bagëtive të imëta.
  • Kokërdhok – pjesa e rrumbullakët e syrit. Në praktikë përdoret shprehja: “I kanë dalë kokërdhokët jashtë!”
  • Kaptell – kemi të bëjmë me pjesën e përparme të samarit të kafshës.
  • Korrofishte – diçka e kryer jashtë radhe. Kur pinë njerëzit dhe zbatohet dollia, ndonjë pijedashës, i cili nuk pret dot radhën, pi, një ose disa gota me atë që ka afër dhe thotë: “E kemi korrofishte!”
  • Karafil – Është lule, me erë të mirë, por përdoret dhe për të etiketuar një njeri mendjelehtë.
  • Kashai – Një pajisje metalike, me dhëmbë, të cilën e përdor stallieri, për të kruajtur kuajt ose gjedhët që kruhen.
  • Kongjill – Një copë prushi, e fikur.
  • Krisje – I thonë edhe gram. Kemi të bëjmë me një bar të keq, i cili rritet në tokat ku mbillen kultura të arave; prashitëse dhe joprashitëse; u merr ushqimin bimëve të arave.
  • Korr, korrje – kemi të bëjmë me prerjen e bimëve të arave dhe bërjen e tyre duar-duar e pastaj demekë; gati për t’u marrë kokrrat. P.sh.: “Do të korr grurin”. “Korra misrin” etj.
  • Kokël – një nyje.
  • Kallais, kallaisje – kur një enë prej bakri e lyen me një shtresë kallaji, në sipërfaqe, për të luftuar oksidin e bakrit.
  • Kasëm, kazmë – vegël pune e bujkut, ekzistojnë disa lloje kazmash.
  • Kandil (turqisht) – pajisje shtëpiake që bën dritë. Përgatitet prej tunxhi, mbushet me vajguri, në brendësi ka një fitil prej rrobe.
  • Kasaba (turqisht) – bëhet fjalë për një qytet.
  • Kariç – kur një tel thuret kryq e formon rrjetë teli.
  • Koromidhe – kur një njeri është dorështrënguar, koprac.
  • Kërcure – kur një njeri, burrë apo grua, ka mbetur i vetëm, si kërcu. Më tepër përdoret për të dëftuar një grua të vetmuar, njeri, pa njeri.
  • Korbë – që simbolizon korbin. Thuhet për një grua që ka mbetur e vetme, pa mbështetje.
  • Konopicë – një shkurre, e cila rritet, sidomos buzë lumenjve dhe përdoret për të bërë fshesa dhe punë të tjera, në bujqësi e në blegtori.
  • Klbësirë – dëftohet një gjë e dekompozuar, e cila ka humbur vetitë fiziko-kimike.
  • Kollopan – një fëmijë i mbështjellë me rroba e i lidhur, si kalli misri.
  • Kamë – një thikë e gjatë.
  • Kondure – Kopaçe, një copë druri, e shkurtër, e plotë.
  • Kërthi – i brishtë. Përdoret, sidomos për të dëftuar një pinjoll që ka lindur më vonë nga të tjerët.
  • Kaposh shqirak – burri i pulës së fushës; disa i thonë pulastre.
  • Kaposh deti – mashkulli i pulës së detit, gjeli i detit.
  • Kokës – ka kuptimin e një njeriu me influencë, një të pari, një prijësi.
  • Kosor, kosore – Një copë metalike, e përkulur, me majë, me dorezë, në njërin skaj, e mprehtë, shërben për të prerë shkurre, driza e ferra.
  • Kopaçe – një copë druri, e trashë dhe e fortë.
  • Karroqe (turqisht) – një enë druri, në formë cilindri, e cila përdoret si njësi peshe. Ajo mban brenda, si rregull 10 kg.
  • Kopresh (turqisht) – Kemi të bëjmë me një njeri të sëmurë rëndë, i cili nuk ngrihet dot në këmbë.
  • Kakllauz (turqisht) – Spiun.
  • Krahëror – i referohet, sidomos gjoksit të pulës. Në gosti, i jepet ta hajë një mik i nderuar.
  • Kafshë – që hyn në kategorinë e frymorëve, pa ndërgjegje.
  • Kofshë – bëhet fjalë për pjesën e sipërme të këmbës.
  • Kridhem – futem, zhytem, në ujë, në batak, në borxhe.
  • Kërce – kur mishi, gjella, buka, etj., piqen tej mase e thahen; kur i ha, kërcasin.
  • Kërcëllimë – kur gjëmon, kërcëllon e shkrepëtin.
  • Koresh – pajisje druri, për nxjerrjen e vajit të ullirit, me këmbë.
  • Krash – kur një kalë, i cili ka shirë lëmin apo ka kryer një punë të rëndë e është djersitur, po të mos mbulohet me një rrobë, kur pushon, ftohet dhe zihet krash, i kontraktohen muskujt.
  • Karkacul – lakuriq, nudo.
  • Kusur (turqisht) – Për të dëftuar një fatkeqësi, të cilës nuk i shmangesh dot.
  • Kusur (turqisht) – resto. Kur blen një mall e i ke dhënë shitësit më shumë të holla, ai të kthen reston, të plotëson shumën.
  • Kësmet (turqisht) – fat.
  • Kromoshqilar – pisanjos, të cilit i vjen erë e keqe, nga moslarja.
  • Kollajxhere (turqisht) – urim: të ardhtë për mbarë; të priftë e mbara.
  • Katandi – Pasuri, pronë, gjë.
  • Kanakar (turqisht) – pekul, i përkëdhelur.
  • Kojse – Kur një frut lihet pa vjelë e thahet (i avullon uji), në degë.
  • Koprac – dorështrënguar.
  • Kurbet (turqisht) – emigracion.
  • Ksehasje (turqisht) – relaks, qetësim, rehatim.
  • Kruhet – kur tjetrit i kruhet diçka.
  • Kokoliçka – kokrra të vogla. Mund të jenë fruta ose copa mishi.
  • Kusuremadh – I thuhet një njeriu, të cilit nuk i ecin puna dhe fati.
  • Kodra pas bregut – ironi, thuhet për një njeri i cili ia fut kot më kot.
  • Kozare – një dhi grabitqare.
  • Kuqilë – Një lopë, me ngjyrën e lëkurës të kuqe.
  • Ku thonë: Morë-morë; do të thonë dhe mjerë-mjerë.
  • Këmborë – mjet sinjalizimi, përdoret për bagëtitë të cilave u varet gjëja, në qafë.
  • Kërce – bukë e thekur fort ose një ushqim i pjekur mirë.
  • Koritë – Një tip govate, të hapur nga të dyja anët, përdoret në mullijtë e blojës.
  • Kalisher – Një tufë qepësh, hudhrash, kallinjsh misri, e pleksur, si gërshet.
  • Kërroçe – një mushkë, me trup të vogël, si gomar.
  • Kasonë – një enë, si valixhe, apo si arkë, druri.
  • Kumbisu (greqisht) – shtrihu.
  • Kulm – pjesa më e lartë e çatisë.
  • Kuje – gjëmë. Kur ka vdekur një njeri i afërt. Zakonisht, kuja jepet sapo zbardh dita, mbasi është përgatitur shtëpia për të pritur njerëz.
  • Kavak (turqisht) – një lloj plepi, i cili rritet, pa u hapur dhe ka ngjyrë të zbardhur.
  • Kruspull (turqisht) – kur një njeri mblidhet, si lëmsh, nga të ftohtit apo nga ndonjë sëmundje.
  • Kandil (turqisht) – një ndriçues i rrumbullakët, prej tunxhi, me vajguri brenda dhe me një fitil prej rrobe.
  • Krimbac – i thuhet një njeriu, i cili është i krimbur me para, por nuk i shpenzon ato.
  • Kollë – Kur një njeri ftohet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kollet, me ose pa sekrecione. E ftohta mund të jetë dhe më e thellë, në bronke e pulmone.
  • Katandisur – një gjendje për të ardhur keq. Kur tjetri ka rënë ekonomikisht ose mendërisht.
  • Krëhër – një pajisje që përdoret për të shkriftëruar leshin.
  • Kum – rërë.
  • Kamare (turqisht) – një fole, e ndërtuar në mur, ku mbulohen (ruhen) sende.
  • Kalli – fruti i një graminaceje apo i misrit. Thuhet dhe për të dëftuar trupin e drejtë e të rregullt të një njeriu.
  • Lesë – Në kuptimin e një pengese, të thurur me drurë e shkarpa, për të bllokuar hyrjen, në një kasolle apo në stan. Dikur, lesa përdorej nga bujku, e tërhequr nga qetë e parmendës, për të copëtuar plisat, në arë.
  • Lemza – Një shqetësim në frymëmarrje. Besohet se, kur të zë lemza, dikush të kujton, ose të përgojon.
  • Lolo – Një njeri, të cilin e tallin, të tjerët.
  • Lanet (turqisht) – shejtan, përdoret për të shprehur braktisjen e një njeriu. P.sh.: “E kam bërë lanet!”
  • Lëtyrë – Kur lahen enët e kuzhinës, mbeturinat e ujit, emërtohen kështu.
  • Lamash – I pangopur. Përdoret për të dëftuar një njeri, i cili ha, çfarë t’i dalë përpara.
  • Lezet (turqisht) – bukuri.
  • Lanetullah (turqisht) – palaço, shejtan, i paudhë.
  • Lundër – Një trap, i cili lundron, mbi ujë.
  • Limë – një copë metalike, e cila shërben për të mprehur sendet e mprehta.
  • Le – Një ngastër e ngushtë toke.
  • Lozonjare – Një femër, e cila ka shumë naze.
  • Lëpjetë – Një lloj barishteje, e cila mund të përdoret si sallatë.
  • Lapurak – i qullur, nga shiu.
  • Lënde – fryt i lisit dhe i përrallit, përdoret si ushqim për bagëtitë.
  • Lëmsh – një top, me fije leshi, pambuku etj.
  • Ligje – Një grua, qan të dashurin e saj, të ndarë nga jeta, duke i numëruar meritat.
  • Lëvere – rroba të përdorura.
  • Lak – një fole, e ngritur me litarë të lidhur si fjongo; përdoret për të kapur kafshë të egra, të pyllit, si dhelpra etj.
  • Livando – parfum.
  • Linjë – këmishë nate femre.
  • Li – bimë arash, përdoret për nxjerrjen e fijeve, kokrrat shfrytëzohen për të nxjerrë vaj liri.
  • Loëkë – fryti i lisit. Përdoret si ushqim, për bagëtitë.
  • Lëngjër – Pas shtrydhjes së kokrrave të ullirit e veçimit të vajit, lëngu që mbetet quhet lëngjër.
  • Lele – krifa e kalit.
  • Laktor – një yshmer, brenda të cilit futen copa mishi.
  • Lënjë – Grindje e kotë, pa ndonjë shkak bindës. Disa e kanë bërë ves. Thonë: “Më hëngre me lënjë!”
  • Lanet – kur e braktis tjetrin, mbasi të ka mërzitur.
  • Lauz – Zi, gjëmë, mort, vaki. Zbatohet kur dikush ka ndërruar jetë.
  • Larash – Bëhet fjalë për një shpend të egër, me lara.
  • Lengjer (turqisht) – Një enë, zakonisht prej bakri, e kallaisur, e cila vendoset në mes të sofrës, e mbushur me makarona ose me përshesh.
  • Lajmës – Në kuptimin e atij që bën lajmërimet. Në praktikë, ka qenë lajmës, edhe një njeri, i cili ndërmjetësonte në një fejesë.
  • Lahur – Një shami grash, e cila vendoset në kokë ose në gushë.
  • Largësi – Përdoret për të dëftuar një distancë të konsiderueshme.
  • Ledh – Hapësira mes dy parcelave të arave, kur ato vendosen njëra mbi tjetrën.
  • Llabane – Një veshje çobani, e cila hidhet në kokë, për t’u mbrojtur nga shiu.
  • Llosh – mbeturina. Në ndonjë rast, i thuhet një njeriu i cili nuk di asgjë e nuk kupton ato që i thua.
  • Llocka – Mbasi është shtrydhur ulliri, me këmbë, mbeten llockat, të cilat janë bërthama të kokrrës së ullirit. Ato, digjen mirë dhe janë ushqim i mirë për pulat.
  • Llogje (greqisht), nga fjala logos – Llafe, fjalë, vetëm fjalë.
  • Llokoçitje – tundje, përplasje. Kemi llokoçitje, kur qumështi përplaset pas pareteve të botit me të cilin transportohet.
  • Llokaçe – Baltovinë, vend me baltë.
  • Llome – tokë e butë, pa gurë. Në fund të lumit, në disa vende, ku shtresa është jo me gurë, kemi llome. Llome kemi dhe në tokat aluvionale, si në Margëlliç, në Fushën e Leshnjes etj.
  • Llum – një lloj emulsioni, i cili mbetet, në fund të enës, mbasi të jetë kulluar një lëng.
  • Llavër – Afsh, një lloj zagushije. Përdoret dhe për të dëftuar një njeri, i cili është nxehur keqas. Në atë rast thuhet: “Atij i ka hipur llavra!”
  • Llafazan – një njeri, i cili flet shumë, me vend e pa vend.
  • Lloji, llojisje – mendim, mendohem, kur një njeri qëndron i menduar e nuk flet.
  • Mana – Kur kërkohet e gjendet një shkak, një sebep, për të refuzuar diçka.
  • Mavri, mavro (greqisht) – e zezë. Rëndom, është përdorur shprehja: “U nxifsh, u bëfsh mavri!”
  • Me të prëjtur – Me t’u shlodhur.
  • Mbulon – kur hedh një gjë sipër, mbulohesh.
  • Melaiqe – Engjëll. Simbolizon një njeri të urtë e të mirë, që nuk i bën keq, asnjeriu.
  • Monopat – Dishezë; një vend i varur, një shteg, i cili zbret, vazhdimisht.
  • Moleps – infektoj; përhap sëmundje.
  • Mjaltë – produkt ushqimor, i ëmbël, i cili përftohet nga bleta. Shërben për të kuruar disa sëmundje.
  • Mushkri – Pulmone; organ i frymëmarrjes. Disa i thonë dhe mëlçi e bardhë.
  • Mëlçi – Zakonisht bëhet fjalë për mëlçinë e zezë, organin që prodhon lëngun biliar.
  • Melhem (turqisht) – bëhet fjalë për një pomadë shëruese. Në praktikë e ndeshim dhe në trajtën: “Fjala e tij është melhem, që të shëron!”
  • Mislok (turqisht) – një insekt, i cili ngacmon kafshët.
  • Matkë – pulë deti, femra e gjelit të detit.
  • Manare – e llastuar, e përkëdhelur, që e merr pas vetes e kujdesesh për të.
  • Musëndër (turqisht) – Bëhet fjalë për një dollap prej druri, për të vendosur teshat e fjetjes, i cili ndërtohet brenda mureve të shtëpisë.
  • Marrje – përftim; kur merr diçka nga një tjetër.
  • Miell – nënprodukt i grurit, nga i cili bëhen buka, petët etj.
  • Mill – Këllëf për thikën e çobanit. Mund të jetë prej druri, i punuar vetë, ose prej lëkure.
  • Mos lënç rasat – mallkim, do të thotë, të mos lësh pasardhës, të mbetesh pa bina.
  • Mëhallë – një pjesë e fshatit, një lagje.
  • Mëllë – një kafshitë bukë sa të mbushet goja. P.sh.: “Më jep një mëllë bukë”.
  • Matanisesh – sorollatesh; shëtit, kot më kot.
  • Mekam (turqisht) – Një vend, i cili konsiderohej “i shenjtë” dhe besohej se bën mrekulli.
  • Mur – Një pengesë e ndërtuar me gurë, tulla, blloqe, qerpiçë etj., për të ndaluar kalimin.
  • Mbetje – Diçka që nuk është harxhuar, por është gjendje.
  • Monopat – Një shteg, një rrugëkalim i cili të nxjerr më shpejt në vendin e dëshiruar.
  • Mbathur – Është fjala për këpucët, kur ato i ke të futura në këmbë.
  • Magje – Pajisje kuzhine prej druri, ku gatuhet brumi për të bërë bukën.
  • Mënd – Bëhet fjalë për veprimin e çobanit për të mësuar të sapolindurin, që ai të thithë sisën e nënës.
  • Marrës – Ai që ia merr këngës.
  • Manestër – Një supë e prerë me gjalpë.
  • Mjel, mjelje – Kur bagëtisë, pas pjelljes, i marrim qumështin.
  • Musht – Kur shtypim rrushin e duam ta bëjmë raki, ose verë, lëngu që përftohet nga shtrydhja, quhet musht.
  • Manto – pallto për gra.
  • Morr – një insekt pickues, parazit, brejtës, me ngjyrë të bardhë ose gri.
  • Munxë – Bravë.
  • Myhyr (turqisht) – unazë.
  • Mullë – plënci i qengjit, kecit, kur ai është i ushqyer vetëm me qumësht.
  • Minder – një lloj shtrati.
  • Mjarzallah (turqisht) – një ndodhi e padëshiruar, i lutet Zotit që të mos ndodhë.
  • Mënjë – Një dele ose dhi, e cila ka vetëm një thithkë gjiri.
  • Muslluk (turqisht) – Pjesë e çezmës.
  • Merhum (turqisht) – njeri i vdekur, i pazoti, i fjetur, një njeri i cili nuk i del dot punës mbanë.
  • Myk – Kur prishet një ushqim, në sipërfaqe zë një shtresë në ngjyrë jeshile, e cila quhet myk.
  • Mislok (turqisht) – në kuptimin e një pengu, të një robi etj.
  • Mahi – Një dru i gjatë, i drejtë, i fortë, i cili vendoset në kulmin e çatisë dhe mban peshën kryesore të ballit të shtëpisë.
  • Medet – Për të qarë hallin; përdoret dhe vaj medet.
  • Maisje – fryrje, enjtje e një muskuli. Përdoret dhe për të dëftuar një rast kur një problem është bërë problem.
  • Melun (turqisht) – i thuhet një njeriu të prapë, i cili bën prapësira.
  • Mollois (turqisht) – dëftoj, informoj për një ndodhi.
  • Mulli – Shërben për të dëftuar mekanizmat e blojës së drithit. Ka dhe mullinj kafeje.
  • Motak – kur dikush mbush një vit jetë.
  • Misërishte – mbasi janë shkoqur kokrrat e misrit, mbetet një korçan, i fortë, i bardhë, me gropat e kokrrave, në sipërfaqe.
  • Medet (turqisht) – Për të qarë hallin, për të ardhur keq.
  • Mollur – Një bimë bishtajore, zvarritëse, rritet si bar i keq, midis të lashtave.
  • Morë – kromë, kruhet lëkura, deri në gjakosje.
  • Mëzor – Viç, i rritur.
  • Milor – një qengj, më i rritur se 1 vjeç.
  • Mëz – Pjellë e pelës.
  • Malaks – Spërkat.
  • Nane, nenë, nenexhik – bimë aromatike që përdoret për t’i dhënë erë të mirë një ushqimi.
  • Merë – Masë peshe, e madhësive të ndryshme. P.sh.: një karroqe = 10 kg.
  • Nerqez (turqisht) – dorështrënguar, koprac.
  • Napë – Një qese, e cila shërben për të kulluar djathin apo gjizën.
  • Nëm, të nëmur – mallkim.
  • Nasqeris (turqisht) – menaxhoj, rregulloj.
  • Ngjiron – shijon, ha. Përdoret dhe si mallkim. P.sh.: “Mos e ngjirofsh!”
  • Ngjir – Një pjesë e lumit ku uji rrotullohet si në vorbull, dhe e vështirëson daljen e notarit, në anë të lumit.
  • Nur (turqisht) – bukuri e fytyrës, pamje e jashtme, luk.
  • Ndërzim – inseminim, akti seksual i kafshës.
  • Navas (turqisht) – Rregulloj, në kuptimin e vënies rregull, në një mjedis.
  • Nasqeris (turqisht) – Menaxhoj.
  • Ngucem – shtyhem, ngjishem, ndodhem ngushtë, në ngushtësi.
  • Nge – Në kuptimin e kohës. P.sh.: nuk kam nge, d.m.th.: nuk më premton koha.
  • Not, notim – kur lëviz, nëpër ujë, me not.
  • Ndjesë – Falje. Kur ke bërë një të keqe, i kërkon të falur atij që ia ke shkaktuar.
  • Nofull – Pjesë e poshtme e gojës; poshtë gjuhës.
  • Nopran (turqisht) – njeri i prapë, që bën prapësira.
  • Neps – Lakmi.
  • Nepsqar – Lakmitar.
  • Nuse – një vajzë që shkon tek burri.
  • Nusërim – kur nusja e re qëndron në fund të odës dhe në drejtqëndrim, i mban sytë ulur.
  • Nobet (turqisht) – Një kohë e papërcaktuar. Bëhet fjalë për një pushim, në procesin e një pune.
  • Njomishte – Ushqim i njomë, për të ushqyer kafshët; përdoret, sidomos për të dëftuar kashtën e misrit të njomë.
  • Njerkë (turqisht) – Përdoret për të dëftuar gruan e babait, kur nëna e fëmijës ka ndërruar jetë dhe babai është rimartuar.
  • Osh – zvarrë, kur tërheq dikë apo diçka, zvarrë. Përdoret dhe grupfjala: osh e branë.
  • Odosa – kur nxitim qenin, për të sulmuar një egërsirë.
  • Ortak, ortakëri (turqisht) – kur një punë kryhet në bashkëpunim me dikë tjetër, sipas një marrëveshjeje të mëparshme.
  • Odë – Ka dy kuptime. I pari ka të bëjë me një dhomë, e cila ndodhet në katin e dytë të një banese; i dyti ka të bëjë me një institucion i cili emërtohej: “Oda e burrave (grave)”, ku kuvendohej e vendosej për çështje të rëndësishme të komunitetit.
  • Operim – ka të bëjë me veprimin e një mjeku, kirurg, i cili, ndërhyn, me bisturi apo me sondë, për të hequr një organ apo një pjesë të tij, nga trupi i një njeriu (kafshe).
  • Ormis (turqisht) – kemi të bëjmë me një rregullim, përgatitje.
  • Oshkur (turqisht) – brezmek, një rrip prej rrobe, i fortë, i cili përdoret për të mbajtur pantallonat, që të mos bien ose çitjanet e grave.
  • Oros (turqisht) – një kaposh, i cili e mban kokën përpjetë.
  • Oshafe – kumbulla të thata, si stafidhe.
  • Oshëtimë – jehonë.
  • Peshqesh (turqisht) – Dhuratë.
  • Përdhes – Reumatizmë.
  • Pordhë – Gazra që dalin nga trupi i njeriut, nëpërmjet anusit.
  • Përdhese – shtëpi në katin e parë.
  • Pordhac – kur një njeri shet mend.
  • Plapurisje – Përpëlitje.
  • Përshesh – kur copëtohet buka dhe zbutet, me qumësht, me kos, me ujë, me lëng mishi etj.
  • Pungjisht – kur godet me një grusht të lehtë.
  • Proçkë – Prapësi.
  • Protojene – Bëhet fjalë për një dele, dhi apo kafshë tjetër, e cila lind për herë të parë.
  • Përtac – një njeri, i cili mezi lëviz, nuk punon.
  • Paligaçe – Një bagëti, e cila pjell para kohe.
  • Peromë – gozhdë, e përmasave të mëdha.
  • Paluze – Një ëmbëlsirë karakteristike e zonës, e përgatitur me niseshte, ujë, gjalpë e sheqer.
  • Përmjer – urinon.
  • Përdor – shfrytëzoj.
  • Përsosje – Perfeksionim, përmirësim i cilësisë.
  • Prush – thëngjij, të ndezur.
  • Puthitje – kur dy anë janë të bashkuara me njëra-tjetrën, pa lënë boshllëk, në mes tyre.
  • Pishman (turqisht) – Kur kemi pendim, për një veprim të kryer më parë.
  • Presë – Ana e mprehtë e një vegle.
  • Palafike – Kokrra e fikut, çahet, në mes dhe thahet, kur bashkohen dy të tilla, quhet palafike.
  • Paçe – Kur dikujt i dëfton pëllëmbën e dorës, si shenjë mospërfilljeje. D.m.th.: Më marrsh të keqen.
  • Pelte – Diçka mjaft e butë, pa formë.
  • Psikopat – Një i sëmurë psikik, me psikozë.
  • Pirdhu – Ik, m’u zhduk nga sytë!
  • Pijanec – Një njeri, i cili përdor sistematikisht pije alkoolike dhe e kalon masën.
  • Përtac – Një njeri që nuk punon, por është dembel. Aq sa përton edhe të lëvizë nga vendi.
  • Prokopi (turqisht) – kur dikujt i shkon puna mbarë dhe ai bën mall e vë gjë.
  • Perrupi (turqisht) – Punët i shkojnë keq dhe e ka marrë lumi, nuk i ecën fare.
  • Pallanxë – peshore.
  • Poreps (turqisht) – Një njeri, i cili përpiqet dhe ia del mbanë.
  • Përçor – Dashi që i prin kopesë.
  • Pallamar (turqisht) – Kavo çeliku, e cila e mban lundrën të varur. Lundra, lëviz duke rrëshqitur krikua, nëpër pallamar.
  • Përvesh – Kur i futesh një pune, duke përveshur mëngët.
  • Pisqollë – Kobure. Përdoret dhe për të identifikuar një njeri, i cili është kokëbosh.
  • Poçe – Shtëmbë qypare prej balte të pjekur.
  • Përcëllak – Bëhet fjalë për një njeri i cili është mjaft i dobët, kockë e lëkurë, sikur e ke përcëlluar në flakë.
  • Paliçe – Një shkurre, e cila, kur bëhet tufë, përdoret për të fshirë avllinë ose kasollen (katuan) e bagëtive.
  • Pëqir (turqisht) – Një dorë. Një pëqir miell = një dorë miell.
  • Patomë – Një andër, e cila u qepet çorapeve, kur grisen, nga poshtë.
  • Pocaqi – kur kemi të bëjmë me një femër apo mashkull të pistë. I thonë dhe pisanjos.
  • Përrua – Kur disa rrëke uji, bashkohen në një shtrat e formojnë një rrjedhë të konsiderueshme.
  • Proçkë (turqisht) – Kur kemi të bëjmë me një paudhësi apo prapësi.
  • Prashit – Kemi të bëjmë me kultivimin e një bime, prashitëse. Ka dhe një kuptim tjetër; kur dikush ia fut kot më kot, pa pasur parasysh objektin e bisedës.
  • Pritës – në këngë cilësohet me këtë emër, ai që ia pret këngës.
  • Podkua (sllavisht) – Një copë hekuri, e cila mbërthehet, me gozhdë, poshtë këmbës së njëthundrakëve.
  • Plevit – Sëmundje e mushkërive, rrjedhojë e një ftohjeje të rëndë.
  • Pjergull – Një hardhi, e cila u qepet pemëve.
  • Përce – Një shkurre, me gjethe vezake, me majë të mprehtë, me kokrra të kuqe. Me këtë fjalë, identifikohen dhe ata njerëz të cilët janë të paqëndrueshëm në fjalë.
  • Palë – Është fjala për hapësirën që formohet mes dy fijeve të një dysheku. Thuhet dhe kur dy njerëz futen në marrëdhënie pune me njëri-tjetrin.
  • Plesht – Një insekt, brejtës, i vogël, me ngjyrë të zezë, pickon dhimbshëm. I thuhet dhe një njeriu, i cili ka peshë trupore të lehtë.
  • Pekmez (turqisht) – Kemi të bëjmë me një lëng viskoz, të ëmbël, i cili përftohet, nga zierja e frutave të ndryshme.
  • Prehje – Pushim, shlodhje, interval pune.
  • Putër – Këmbë kafshe të egër.
  • Poste – Lëkurë bagëtie, e tharë, e cila shfrytëzohet për shtrojë.
  • Përcëllimë – Thuhet për një pyll, i cili është djegur e i kanë mbetur vetëm skeletet e drurëve.
  • Përcëllak – I thuhet një njeriu, të dobët, kockë e lëkurë.
  • Patomë – Pjesa e poshtme e çorapes.
  • Pot – pjellë, pasardhës, pinjoll.
  • Plis – Një copë toke, e fortë, e cila del, gjatë punimit të tokës, me plug apo me traktor. Në një kuptim tjetër dëftohet një vegël e tezgjahut.
  • Poture – pantallona.
  • Plapuriset – Kur i pritet koka pulës, ajo përpëlitet, përtokë, derisa i del shpirti.
  • Pagure (turqisht) – Një enë ku mbahet uji i pijshëm, e cila nxë rreth 1.5 litra ujë. Mund të jetë prej druri ose prej duralumini.
  • Paluze (turqisht) – një lloj ëmbëlsire tradicionale, e cila përgatitet me niseshte, ujë, gjalpë dhe sheqer.
  • Peshqesh (turqisht) – Dhuratë.
  • Ponicë – Një furrë ku piqet buka në rrugë artizanale, me dru zjarri.
  • Poçelale (turqisht) – Në kuptimin e një vendi të mbyllur, tip burgu.
  • Petavër (turqisht) – Një listelë prej druri, me gjerësi 10-12 cm, përdoret në çatitë e shtëpive, poshtë tjegullave, për t’i mbajtur ato.
  • Pashtina – mbasi është shtypur një sasi gruri, për të përftuar niseshtenë, mbeten disa mbetje, lëkurë gruri, të cilat quhen pashtina.
  • Pekul – i përkëdhelur, i llastuar.
  • Pëlhurë – Një copë e endur me fije pambuku, me ngjyrë të bardhë, më e trashë se kamriku.
  • Përqesh – Tallesh me një njeri; e ironizon atë, e imiton, me ligësi.
  • Pres – Copëtoj.
  • Qeros – Kur një njeri vuan nga sëmundja e qeres dhe i kanë rënë flokët, tullë.
  • Qër – Një pajisje kuzhine, e rrumbullakët, me diametër, më të madh nga ai i një pete të zakonshme, e punuar me lëndë drusore.
  • Petës – Një copë druri, e hollë, e punuar bukur, me rrumbullakësi; shërben për të tëhollur petët e byrekut, bakllavasë, lakrorit.
  • Qofte – Kemi të bëjmë me një lloj petullash, të përgatitura me brumë, të skuqura në tigan, që futen e regjen në kos, me hudhra e me të thartë.
  • Qumështor – Byrek, me qumësht.
  • Qysqi (turqisht) – Levë hekuri.
  • Qebap (turqisht) – Një cilindër llamarine, i cili shërben për të pjekur kafen.
  • Qyngje (turqisht) – tub sobe.
  • Qyp – Një enë balte, përdoret për konservimin e ushqimeve.
  • Qepra – Disa copa druri, të çara, vendosen poshtë pllakave të gurit të çatisë.
  • Qereç – Gëlqere e pashuar = CACO 3.
  • Qamet (turqisht) – Kataklizmo; fundi i botës.
  • Qingjore – Një shirit lëkure ose rrobe të fortë që i vihet kafshës poshtë barkut, për të mbajtur samarin.
  • Qereste – Lëndë druri, me të cilat ngrihet çatia e një ngrehine.
  • Qymec – Bëhet fjalë për një kotec; vendi ku qëndrojnë pulat.
  • Qylah – Një kapele burri, prej shajaku të bardhë, me majë në fund.
  • Qibar – Një njeri, i cili i zgjedh ushqimet që ha.
  • Qelepir (turqisht) – Qylaxhi, një njeri i cili ha e pi nga të tjerët dhe nuk e fut dorën në xhep.
  • Qullapite – Një tip pice, e cila përgatitet me shtresa brumi dhe me vaj ulliri.
  • Qivur (turqisht) – Varrezë, ku varroseshin i pari i fisit dhe pinjollët e tij.
  • Qase – Masë drithi e barabartë me 60 kg.
  • Qelbës – shkurre.
  • Qepje – kur qepet një rrobë.
  • Qemer (turqisht) – hark.
  • Qeder (turqisht) – Bëhet fjalë për një të keqe, me pasoja, të cilën ia ke bërë një tjetri.
  • Qull – Kur përzihet mielli, me ujë e bëhet një emulsion homogjen.
  • Qoromidhe – Tjegull.
  • Qurravec – Një njeri, të cilit i rrjedhin hundët.
  • Qëndrim – pozicionim.
  • Qase – Njësi matëse drithi = 60 kg.
  • Qerrata (turqisht) – Dëftohet një njeri, i cili zgjidh çdo problem e i vjen ndorësh për çdo gjë.
  • Qëndis, qëndistar – Një njeri, burrë apo grua, që thur lule e zbukurime të ndryshme, mbi një basme.
  • Qelepir (turqisht) – Një njeri, i cili ha e pi, në kurriz të tjetrit.
  • Qoftëlargu – Shejtani.
  • Qep – Thur.
  • Qepe – Në formë urdhri; d.m.th.: Mbylle gojën, mos fol më!
  • Qurre – Sekrecione me erë të keqe, që rrjedhin nga hundët e dikujt.
  • Qiqër – Bimë arash, në familjen e leguminozeve, me kokërr të vogël. Përdoret dhe në një kuptim tjetër; kur thuhet për një njeri i cili është bërë mirë; ka kapërcyer një situatë të rëndë shëndetësore.
  • Qafë – Është fjala për qafën e një njeriu apo kafshe, e cila kufizohet nga shpatullat dhe nga koka. Kur bëhet fjalë për terren, qafa është hapësira mes dy lartësive, p.sh.: Qafa e Qarrit...
  • Qesim (turqisht) – Kur gjykohet apo peshohet diçka, afërsisht, me hamendje, jo realisht.
  • Qylyke (turqisht) – Bëhet fjalë për një kazmë, të madhe. Shërben dhe për të dëftuar një varietet dardhe, të madhe, të stërgjatur.
  • Qëmtim, qëmtoj – Kur zgjedh apo mbledh, një gjë, duke e parë një nga një. Përdoret dhe për të dëftuar një rast kur bie shi i imët e i rrallë.
  • Qullka – Kur kemi të bëjmë me një fryt, i cili është zbutur, nga tejpjekja.
  • Qasje, qasu – Afrim, afrohu.
  • Qostek (turqisht) – Orë xhepi, me zinxhir.
  • Qerasje – Kur i jep diçka, tjetrit, pa shpërblim.
  • Qesëndis – Vë dikë në lojë, bën ironi, me të.
  • Qejf paprishur – Kur të gjithëve ua miraton idenë.
  • Qoqe – Qyfyre.
  • Qëngj – pinjoll i deles.
  • Qën – Kafshë shtëpiake roje.
  • Qyrek (turqisht) – Një bel, me gjatësi më të madhe se lopata.
  • Qinosi (turqisht) – Një lloj ortakërie që aplikohet më tepër kur përzihen bagëtitë.
  • Qeder (turqisht) – Kemi të bëjmë me një dëm që i shkaktohet dikujt.
  • Rasat (turqisht) – Fidan. Ka dhe kuptimin e pasardhësit, pinjollit.
  • Rrëmb – Kur tërhiqet lumi, mbeten pellgje uji në zall, të cilat quhen rrëmb.
  • Refene (turqisht) – Ka dy kuptime: theret një bagëti e mishi ndahet mes të afërmve dhe në rastin kur është ndarë nga jeta një njeri, të afërmit e tij përgatisin, në shtëpitë e tyre dhe me shpenzimet e tyre, vakte ushqimi për ata që ndodhen në vaki.
  • Rishte (turqisht) – Bëhet fjalë për makarona, të përgatitura, me petë, në mënyrë artizanale.
  • Rosnica (turqisht) – Një lloj ushqimi, si qull, me kokrriza, i përgatitur me miell gruri, të zverdhur, në tigan, i cili zihet, së bashku me pulën.
  • Rigon – Një bimë aromatike e cila rritet në natyrë, pa ndonjë shërbim të posaçëm. Përdoret, sidomos për aromatizimin e përsheshit tradicional dhe kur konsumohen vezë të ziera. Bën mirë kur përdoret për ndalimin e dispepsisë.
  • Rëmb (kimi) – Oksid bakri. Enët prej bakri, kur lihen për një kohë të gjatë të pakallaisura, zënë në sipërfaqe një shtresë të hollë, të gjelbër. Lënda është helmuese.
  • Rahmet (turqisht) – Bëhet fjalë për një ngushëllim që u bëhet të afërmve të një njeriu, i cili është ndarë nga jeta. Mendohej se shpirti i tij, pas vdekjes, do të prehej në parajsë (xhenet).
  • Revani – Ushqim tradicional, i cili gatuhet me niseshte, gjalpë, mjaltë ose sheqer, i jepet forma e breshkës dhe piqet në saç. Produkti është i arrirë kur brenda është si pelte, e ëmbël kurse nga jashtë, sipërfaqja është e fortë dhe me kokrriza.
  • Rromuze (turqisht) – Kur ironizon dikë, kur e thumbon atë për një gjë të keqe që ka bërë, të cilën, të tjerët nuk e dinë, ose bëjnë sikur nuk e dinë.
  • Rrënxak – Kur një burrë nuk i ka, të dyja testet njëlloj, ose kur i ka, të dyja, me përmasa të mëdha dhe ecën me këmbë të hapura.
  • Rrondokop – Një njeri i ngjallur, të cilit nuk i dallohet ku e ka mesin e ku ka gjoksin. Thuhet dhe topolak.
  • Rrëke – degë të një përroi.
  • Rrufjan (turqisht) – Një njeri i keq, i djallëzuar, që hedh gurin e mësheh dorën, i prapë.
  • Rroçkë – organi seksual i mashkullit, kur ka përmasa më të mëdha se zakonisht.
  • Rrozhga – Bëhet fjalë për prurjet e një lumi që del, me ujë shumë dhe sjell me vete copa druri e sende të tjera. Copat e drurit quhen rrozhga.
  • Rrëmuljë – Kur sendet nuk vendosen sipas një rregulli, por hidhen andej-këtej dhe në mjedis sundon anarkia.
  • Rrëmullë – Kur shiu bie me bubullima e shkrepëtima dhe me suferinë.
  • Rrangulla – Disa materiale, të cilat kanë qenë në përdorim, por e kanë humbur këtë vlerë dhe ruhen për inventar.
  • Rrucfaq (turqisht) – Një njeri i pafytyrë, i shpifur, i lig.
  • Rrëmbushet – Bëhet gati, për të qarë, por lotët, akoma nuk i ka në sy.
  • Rrahje – Kur dy njerëz godasin njëri-tjetrin, me sende të ndryshme dhe me grushta, me inat.
  • Rramall – Shkatarraq, njeri i çrregullt, abrash, i paterezi, e kryen një punë shkel e shko.
  • Rrokullimë – Një vend i pjerrët, ku mund të rrokullisesh kollaj.
  • Rrucfaq (turqisht) – Njeri i pështirë.
  • Rroçkadan – Një mashkull me organ seksual të përmasave të mëdha.
  • Rrokullis – Hedh në greminë, shtyn të bjerë.
  • Rrojtje – jetesë.
  • Rritje, zmadhim – kur gjëja merr përmasa më të mëdha.
  • Rrjebull – Sëmundje lëkure.
  • Sojli – Një njeri i fisëm, rrjedh nga gjak i preferuar.
  • Sakature (turqisht) – Thikë e gjatë.
  • Sqetull – Nënkrah; hapësira që formohet midis krahut dhe trupit. Përdoret dhe për të dëftuar një njeri, të cilin e merr në mbrojtje.
  • Spiun – Një njeri, i cili kallëzon të tjerët, i spiunon ata.
  • Sefte – Për herë të parë.
  • Sakat (turqisht) – Bëhet fjalë për një njeri me të meta fizike si (i çalë, me një dorë, ecën me lëkundje të korpusit etj.).
  • Sorrilë – Një lopë e cila e ka ngjyrën e lëkurës të zezë.
  • Sarahosh (turqisht) – Njeri që përdor alkool e është i dehur.
  • Serme (turqisht) – Diçka e ruajtur, e mblojtur.
  • Striç – Lojë tavoline; Yç.
  • Sofat (turqisht) – Në të dyja anët e derës së shtëpisë ndërtohet një mur, mbi të cilin vendosen pllaka guri ku ulen njerëz. Mund të vendosen dhe thasët me drithë, enët me ujë e sende të tjera.
  • Stivë – Një grumbull me dru, të vendosura bukur, njëra mbi tjetrën. Ka dhe stiva me teshat e fjetjes, të cilat quhen stivë rrobash.
  • Sufryk (turqisht) – Shi i shoqëruar me erë të fortë.
  • Sopiqar (turqisht) – Ndihmës i ustait që ngre mure apo bën orendi, prej druri.
  • Siklet (turqisht) – Vuajtje, një gjendje e pakëndshme, një hall, të cilin nuk e zgjidh dot.
  • Sergjën (turqisht) – Një pajisje e bërë vetë, në mënyrë artizanale, prej dhoge, mbi të cilën vendosen pjatat, lugët dhe enë të tjera. Vendoset në murin e shtëpisë.
  • Sixhade – Një qilim, cilësor, i përgatitur me fije leshi ose pambuku, i rrahur mirë, i pasur në figura të bukura.
  • Sqollë – Gropë septike.
  • Sifat (turqisht) – Bëhet fjalë për një ves të njeriut, një huq, një shprehi, e cila është e bezdisshme për të tjerët.
  • Spurdhjak – Njeri i mefshtë, i plogësht, i pafuqishëm, të cilit nuk ia var njeri, mbasi nuk ka peshë në shoqëri.
  • Sojsëz (turqisht) – Një njeri jo i sojmë, jo i fisëm, rrjedh nga racë (soj) i keq, i papërfillur në komunitet.
  • Sorollatje – Kur dikush nuk të mbaron punë; të premton shumë, por nuk bën asgjë. Një njeri, i cili e kalon kohën kot, me ecejake, pa punuar.
  • Syçakërr – Kur dikush vuan nga sëmundja e strabizmit.
  • Sus – Kur e urdhëron një njeri, i cili ta dëgjon fjalën, ta mbyllë gojën e të mos flasë më. Mund të thuhet dhe: “Qepe gojën!”
  • Sedër (turqisht) – një veshje e lehtë, për gra. Ngjan me jelekun, me mëngë, përgatitet nga një copë pambuku, e zezë.
  • Sedër, sedërli – Është në kuptimin e mirë; kur një njeri ka ndjenjë e vullnet dhe punon me përkushtim. P.sh.: “Ai njeri është prekur në sedër” d.m.th., është cenuar në ndjenjat e tij. Sedra është dhe kurajo.
  • Sihariq (turqisht) – Ka të bëjë me një njoftim apo lajm të mirë, të dëshiruar e të pritur. P.sh.: “x ka lindur djalë apo vajzë!” I interesuari, kur merr lajmin e mirë, premton, një sasi parash, ose një send, me vlerë, të cilin ia dhuron lajmëtarit.
  • Syunjur – Kemi të bëjmë me një njeri, i cili nuk ka kurajon të të vështrojë në sy, mbasi nuk të përballon dot. Këta njerëz janë të rrezikshëm për arsye se thurin intriga e prapaskena; i njohin poshtërsitë që kanë bërë, prandaj i mbajnë sytë unjur.
  • Strehë – Fundi i çatisë, aty ku derdhen ujërat e saj. Përdoret dhe për të dëftuar një vend ku mund të qëndrosh, për t’u mbrojtur nga shiu dhe nga agjentët e tjerë atmosferikë, apo për të banuar.
  • Surrat aksham (turqisht) – Përdoret për të etiketuar dikë, të cilit nuk i qesh fytyra. Një njeri, fytyra e të cilit i ngjan fundit të ditës.
  • Stromë – Bëhet fjalë për një shtresë rrobe, të fortë, brenda së cilës futet kashtë, e ngjeshur, të cilën, samarpunuesi ia vendos kafshës së ngarkesës, që të mos i dëmtohet kurrizi, nga samari.
  • Surrat (turqisht) – Fytyrë. Përdoret në kontekstin përçmues.
  • Salltinë (turqisht) – Një pëlhurë e ngjyer me të zezë. Endet me fije pambuku, është përdorur për të qepur fustanë grash, në zi.
  • Skrop (turqisht) – Qull i hollë, i cili përdoret për ushqimin e qenve.
  • Sikteris (turqisht) – Përzë, largoj, me dhunë.
  • Sose – Emër gruaje. Kur çifti nuk dëshironte të lindte më tepër fëmijë, fëmijës së fundit i vinte emrin: Sose, në kuptimin e fundit.
  • Sebep (turqisht) – Mana, shkak për të nisur një grindje, justifikim përpara të tjerëve, rast, ndodhi.
  • Sqyfer – Shpend grabitqar, sokol.
  • Selamet (turqisht) – Kur një njeri del nga sikleti ku ka qenë e rehatohet apo është në paqe, me veten dhe me të tjerët.
  • Sabah (turqisht) – Mëngjes, kur gdhihet ditë e re.
  • Skupje (turqisht) – Fshesë.
  • Stërrall – Një gur i fortë, i bukur, i ndritshëm; po të goditet me një copë çeliku, lëshon xixa. E përdorin, sidomos ata që pinë duhan, në kompletin e të çkrepurave (stërrall, uruar, eshkë).
  • Sepete (turqisht) – Një valixhe, e madhe, ku vajzat, përpara martesës, vendosin pajën.
  • Satër (turqisht) – Hanxhar, një vegël e mprehtë, në duart e kasapit.
  • Stranica (turqisht) – Copa druri, me gjatësi rreth 2 m, të forta e të trasha, të cilat, dikur vendoseshin brenda varrit, me qëllim që dheu të mos binte mbi kufomën.
  • Sorollop (turqisht) – Fis, përdoret dhe soj e sorollop.
  • Synet (turqisht) – Sipas një riti fetar mysliman, djemve të vegjël, u pritej lëkura, në fund të penisit, me qëllim që koka e tij të ishte jashtë.
  • Stan – Vendi ku qëndrojnë bagëtitë e imëta, kafshët e ngarkesës dhe bariu, me qenin e stanit.
  • Stafidhe – Rrush i thatë.
  • Sakëz (turqisht) – Një lloj mastiçi, i përgatitur në rrugë artizanale, i cili përgatitej me sheqer të djegur, pekmez dhe limontoz. Sakëzi gjente përdorim, sidomos kur përgatitej vajza për t’u bërë nuse dhe depilohej.
  • Sinixhi – Përpara dasmës, dy burra, i çonin vajzës që përgatitej për nuse, rrobat e nusërisë.
  • Strumbullar – Një hu, i vendosur në qendër të lëmit, rreth të cilit rrotullohet kali, i cili shin lëmin. Përdoret dhe në kuptimin e përqendrimit të vëmendjes, në një vend apo tek një njeri, të cilin e etiketonin si strumbullar të zhvillimeve.
  • Skufje – Një shami të cilën gratë që gatuajnë vendosin në kokë, me qëllim që të mos u bien flokët, në ushqim.
  • Shargane – Shark, i vogël. Brruc, i shkurtër, i përgatitur me fije leshi, me ose pa mënga.
  • Sherbet (turqisht) – Një emulsion, i përftuar nga përzierja e sheqerit, me ujë. Dikur është përdorur për qerasje, në vend të rakisë.
  • Shefajet (turqisht) – Urim për shërim të shpejtë; i uron të gjejë shërim.
  • Shtërzim – Një sforcim i organizmit, për të nxjerrë jashtë, diçka. Zakonisht shtërzojnë gratë shtatzëna, gjatë lindjes së fëmijës. Të njëjtën gjë bëjnë dhe bagëtitë.
  • Shark – I thuhet dhe brruc. Bëhet fjalë për një veshje çobanësh, të thurur me fije leshi, me thekë, në të gjithë sipërfaqen, me qëllim që të kullojë uji i shiut. Më tepër përdorim gjen tek çobanët e dhenve.
  • Shtëllungë – Bëhet fjalë për një tufë leshi, i cili, mbasi është krehur në krehra specialë, futet në një furkë dhe nikoqirja e tjerr; e bën fije.
  • Shpargër – Një batanije prej leshi deleje; përdoret për të mbështjellë fëmijën, kur akoma nuk është ngritur në këmbë; copa e nxjerr jashtë urinën e nuk ftohet fëmija.
  • Shtëmbë – një enë prej balte të pjekur, e cila mund të ketë dy veshë, të cilët e kanë emrin vjegë. Përdoret për të ruajtur ujin, bulmetin, vajin, pekmezin etj. Mund të jetë e përmasave të ndryshme dhe të ketë volum jo të njëjtë.
  • Shilte – Një shtrojë, e përgatitur vetë, nga amvisat, me copa të ndryshme, e mbushur, me lecka ose me lesh, e thurur, përdoret për t’u ulur, një njeri, këmbëkryq.
  • Shufër – Purtekë. Kemi të bëjmë me një copë druri, të hollë, të gjatë, të fortë, e cila përkulet e nuk thyhet lehtë. Përdoret për të shkundur ullinj, për të ngarë kuajt në lëmë, për të trembur pulat, etj.
  • Shtrungë – Një vend i ngushtë, i përgatitur në mënyrë të posaçme, që të lejohet kalimi i bagëtive një e nga një, në mënyrë që çobani t’i mjelë. Përdoret dhe për të dëftuar, me ironi, kur njeriu kalon një provim.
  • Shteg – Vend, labirint, nëpër të cilin kalon, për të dalë nga njëri vend, në tjetrin.
  • Shterpë – Femra e bagëtisë, e cila nuk mbarset e nuk ka lindur. Rëndom përdoret dhe për gratë.
  • Sherr (turqisht) – Bëhet fjalë për një grindje.
  • Sherrxhi (turqisht) – Një njeri, i cili provokon grindje; grindavec.
  • Shkarpa – Është fjala për degë drurësh, të holla, të cilat përdoren për të çelur zjarrin, fillimisht.
  • Shoshë – Një fletë metalike, e hollë, me brima, e cila përdoret për të seleksionuar drithin, nga kashta.
  • Shpifje – Kur thuhet dhe përhapet, në komunitet një e pavërtetë, kur dihet si e tillë. Shpifja, zakonisht bëhet me qëllim denigrimi.
  • Shpifarak, i shpifur – Përdoret për një njeri të urryer, të padëshiruar, që ta shpif, të shëmtuar.
  • Shporru, qërohu – Një kërcënim, me ton urdhërues, për t’u larguar nga ai mjedis.
  • Shij – Kemi të bëjmë me një proces pune, i cili ndan kokrrat e drithit, nga kashta. Rëndom përdoret dhe për të dëftuar një njeri, i cili, ka gjetur terren për punë të mbrapshta.
  • Shijon – provon shijen e një ushqimi, duke ngrënë prej tij.
  • Shërim – Kur sëmundja nga e cila ka vuajtur një njeri, largohet nga trupi i tij.
  • Shushkë – Përdoret për të dëftuar një grua, e cila ka lajthitur dhe harron shpesh e menjëherë.
  • Shakull – quhet dhe kaçub, i cili përfaqëson një qeskë prej lëkure bagëtie, brenda së cilës vendoset gjiza; urrëla; madje dhe rakia.
  • Shemër (turqisht) – Kur një burrë merr dy gra, nën të njëjtën çati ose veç e veç; ato, për njëra-tjetrën janë shemra = të ftohta e pa lidhje gjaku.
  • Shallandur (turqisht) – copë-copë; rrecka-rrecka, thuhet dhe “nuk ka ku ta kafshojë qeni”.
  • Shullë – Një vend, i cili është i ekspozuar përballë diellit; “e rreh” dielli.
  • Shqep – shthur; p.sh.: Shqep çorapen.
  • Shllandur – Shërben për të dëftuar një njeri “të trashë”, i cili nuk merr vesh, nuk kupton.
  • Shibë – Kur njeriu ka një kollë të fortë; një grip të fortë.
  • Shpatull – Një pjesë mishi e bagëtisë, e shijshme dhe simbolike. Në dasma e gosti, me shpatull, nderohen miqtë e veçantë të familjes. Një njeri ka dy shpatulla.
  • Shpretkë – Organ i trupit të njeriut dhe kafshës, i cili prodhon gjakun.
  • Shpellë – Një zgavër, guvë, e cila është e gurtë dhe formohet në shkëmb. Në Kalivaç, shpellat anës lumit të Viosës, tek Shkëmbi, kanë marrë emrat e familjeve që i dispononin. P.sh.: Shpella e Alliut; e Takajve etj. etj.
  • Shaka – Kemi të bëjmë me një thënie, e cila nuk ka vërtetësi, por bëhet për ilustrim apo për të kaluar kohën dhe me të qeshur.
  • Shfrytëzoj, shfrytëzim – Përdor; i fut në punë e u përvetëson produktin që japin.
  • Shtrëngim – Kur detyron dikë.
  • Shtrazë – spermë.
  • Shtrydh – Kur diçka e shtrëngon fort, sa t’i dalë lagështia.
  • Shitës – tregtar.
  • Shes – tregtoj.
  • Tullac – Bëhet fjalë për një njeri, të cilit i kanë rënë flokët dhe koka i ka mbetur “zbathur”.
  • Toptan (turqisht) – kur një gjë gjykohet së bashku me një tjetër, kur nuk ka ndarje mes tyre.
  • Toidhio (greqisht) – Dëftohet një gjë, e cila ngjan me një tjetër, sikur të ishin e njëjta gjë. Përdoret dhe për të thënë se dy njerëz ngjajnë shumë me njëri-tjetrin.
  • Tevlik (turqisht) – Një pajisje, e cila i vihet kaut, në qafë, kur ai është i mbrehur në parmendë, apo kur tërheq një qerre etj.
  • Tertelec (turqisht) – Një njeri, i cili flet shumë e bën pak punë; një njeri i cili nuk e mban fjalën.
  • Tendosje – kur një litar apo një kavo tërhiqet, deri në limite dhe mbahet ashtu, e tërhequr.
  • Tallje – Kur dikë e vëmë në lojë.
  • Truall (turqisht) – Një copë toke, mbi të cilën ndërtohen banesa.
  • Telendar (turqisht) – Cilësohet një njeri, burrë apo grua, që flet kot më kot, bën shumë llafe e pak punë; përgojon të tjerët, përhap informacione të pavërteta.
  • Telendi (turqisht) – Përgojim i shëmtuar i të tjerëve.
  • Tradhti – Kur një njeri nuk i qëndron besnik një tjetri, apo një çështjeje, por dredhon.
  • Tënjë – Sëmundje që prek, sidomos qentë. Përdoret dhe për të dëftuar një krimb, të dëmshëm.
  • Tredhje – Skopitje, kur mashkullit i pret damarët e testeve kurse femrës i heq vezët. Në të dy rastet, ata që i nënshtrohen këtij procesi nuk janë në gjendje të bëjnë riprodhimin natyralisht.
  • Tromaks (turqisht) – tremb keqas, në formën e torturës.
  • Trahana – Një prodhim ushqimor, i cili përgatitet me miell gruri dhe me kos. I shtohen dhe vezë, me qëllim që të bëhet më e shijshme. Ka dy lloje trahanash: E thartë, kur përgatitet me kos dhe e ëmbël, kur përgatitet (regjet), me qumësht. Trahanaja përdoret, sidomos në stinën e ftohtë; por dhe në ato të ndërmjetme.
  • Torollak (epitet) – I thuhet një njeriu, i cili ka humbur ekuilibrin mendor dhe e ka të vështirë të orientohet, në kohë e në hapësirë.
  • Turi – Fytyrë, e thënë me neveri.
  • Tavolinë – Një send, prej druri apo plastike, me katër këmbë, që përdoret për të shtruar gosti, me ushqime, për të ngrënë. Një tavolinë, ka dhe kuptimin e një bashkësie njerëzish, të ulur bashkërisht, për të ngrënë.
  • Tështimë – Kollë, e shoqëruar me stërkla, shenjë e ftohjes, në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.
  • Topuz (turqisht) – Kur një femër i mbledh flokët pas kokës, si lëmsh. Është dhe një mjet luftarak, të cilin e përdornin, në lashtësi, luftëtarët, për të goditur kundërshtarin.
  • Tëmth – Bëhet fjalë për një mëshikëz, e cila ndodhet në anën e djathtë të barkut dhe grumbullon lëngun tretës që prodhon mëlçia e zezë. Qeska e tëmthit shërben si depozitë, e cila e lëshon lëngun e tëmthit, me pikatore, sipas nevojave që ka sistemi tretës.
  • Të kuarë – Ushqim i përgatitur posaçërisht për fëmijët laktantë. Dikur, nënat e përgatitnin të kuarët me miell gruri, të verdhur e me ujë, në formën e qullit të hollë.
  • Tërbim – Një sëmundje, e cila prek, kryesisht kafshët. Dikur tërboheshin vetëm qentë; tani tërbohen dhe lopët, derrat etj.
  • Trumpetë – Një burije, e cila lëshon sinjalin e sulmit, në luftë; ngjan me saksofonin.
  • Takëm (turqisht) – Një bashkësi veglash, veshjesh, ushqimesh etj. Takëmet, si rregull kanë përdorim të njëllojtë. Në ndonjë rast, fjala takëm përdoret dhe për të identifikuar një kategori të caktuar njerëzish, me tipare të njëjta.
  • Takim – Përdoret për të dëftuar një bashkësi njerëzish, me tipare të përbashkëta, të cilët mblidhen e bisedojnë me njëri-tjetrin. Takimet nuk përjashtojnë dhe pjekjet e të rinjve, me njëri-tjetrin.
  • Tund – Përdoret dhe fjala përkund ose lëkund. Mund të tundet dybeku; mund të lëkundet një degë peme; mund të përkundet një fëmijë, në djep ose në krevat tundës. Disa e përdorin dhe si shenjë, kur tund shaminë ose kur tund derën. Në formë ironie thuhet: “Ai, ajo, tund derën”, që do të thotë se nuk punon.
  • Tretur – ka kuptimin e shkrirjes, kur përdoret për kripën, sheqerin, borën etj. Por, në praktikë përdoret dhe për të dëshmuar se një njeri është tretur, nga sëmundja, nga meraku apo dhe nga dashuria për një tjetër.
  • Të brendshme – Bëhet fjalë për veshje intime. Rëndom përdoret dhe për të dëftuar se një njeri është i brendshëm d.m.th. i afërt i një familjeje. Në këtë rast, thuhet: “Ai është i brendshëm!”
  • Trap – ka dy kuptime. Dikush, me ironi, për të dëftuar se një njeri është i trashë e nuk kupton apo nuk di gjë, përdor shprehjen: “Ai është trap”. Në një rast tjetër, fjala trap, do të thotë, një bashkësi drurësh, të lidhur me njëri-tjetrin, të cilët përdoren për të kaluar një pengesë ujore.
  • Troshit (turqisht) – Kur një gjë e tund aq fort sa i humbet ekuilibri.
  • Tërkuzë (turqisht) – Bëhet fjalë për një litar, i cili përgatitet prej fijesh leshi. Ka dhe një kuptim tjetër: Kur dikush e zgjat dhe e zgjat bisedën sa i thonë: “E bëre tërkuzë” d.m.th. e zgjate shumë.
  • T’harr – d.m.th. rralloj. Gjen përdorim, sidomos kur bëhet fjalë për bimët e arave, por jo vetëm.
  • Tallë – një bimë parazitare e cila mbin vetiu në arat e mbjella me misër, grurë, bimë prashitëse e joprashitëse. Talla i merr ushqimin bimës, për arsye se është gjë e egër dhe më e fuqishme.
  • Torbë – Një çantë, e madhe, e qepur prej bezeje.
  • Torbë vaji – e njëjta gjë, por me destinacion për të shtrydhur ullinjtë e për të nxjerrë, prej tyre vajin.
  • Trazake – Bukë misri. Përgatitet me miell misri të përzier me ujë të ngrohtë.
  • Telef (turqisht) – Kur njeriu është i lodhur, tej mase.
  • Tjerrje – Kur nga një shtëllungë me lesh, me anën e një boshti që quhet drugë, formohet fija e gjalmit.
  • Tespije (turqisht) – Një mënyrë për të vrarë kohën, nga dembelët. Disa kokrra, me madhësi të njëjtë e me ngjyrë të njëllojtë, shkohen në një fije të fortë dhe numërohen, gjithë kohës, nga dembeli.
  • Turi çepele – Kur një njeri e ka turirin të hollë e të mprehtë, si thikë.
  • Tagji – Drithë, i cili përdoret për ushqimin e bagëtive; një koncentrat, me vlera ushqimore si tërshërë, elb, urov, hokërr etj.
  • Tartakut (turqisht) – Një grip i fortë.
  • Tarikat (turqisht) – Sekt fetar.
  • Taksirat (turqisht) – Një fat, i keq, i cili nuk mund të shmanget.
  • Tellall (turqisht) – Lajmëtar, i cili shpërndan njoftime, nëpër rrugë, me zë të lartë. Ka dhe kuptimin, kur një njeri nxjerr njoftime i paautorizuar. P.sh.: “Kush të vuri tellall ty?”
  • Trakaliçe – Kokrra fiku, të papjekura.
  • Trap – Një lundër e ndërtuar me trungje, të lidhura me njëra-tjetrën; përdoret për të kaluar një pengesë ujore. I thuhet dhe një njeriu, për ta ofenduar, se nuk merr vesh nga çështja që diskutohet.
  • Tos – një material në gjendje pluhuri.
  • Talër – Enë prej druri, e ndërtuar me listela, të bashkuara me njëra-tjetrën me disa rrathë metalikë.
  • Tirq – Çorape, për burra, të gjata deri tek gjunjët.
  • Tufë – Përdoret për të identifikuar një grup bagëtish, kur në të ka më shumë se një kokë.
  • Tra – Një dru i gjatë, i plotë i cili përdoret për të mbajtur çatinë e shtëpisë.
  • Thadër – vegël pune e marangozit; një daltë e hollë.
  • Thumb – Një copë druri, e hollë, me gjatësi rreth 20 cm, me majë, përdoret, në veçanti për të zhveshur kallinjtë e misrit.
  • Thërije – Një parazit, nga i cili del morri. Më tepër i ndeshim në kokën e atyre që lahen rrallë.
  • Thur – kur rrethojmë një ngastër toke. Ka dhe një kuptim tjetër: Kur një njeri thur çorape, triko etj., me fije leshi (pambuku).
  • Thekë – Bëhet fjalë për flokët e velenxës apo të mbulesës së tavolinës.
  • Theket – Në mënyrë simbolike, i thuhet një njeriu, i cili ngrohet, në diell.
  • Thinja – Kur flokët kanë ndërruar ngjyrë e janë zbardhur.
  • Thek – Kur ngroh bukën.
  • Thundër – Pjesa fundore e këmbës së kafshës.
  • Thirrje – Kur i drejtohesh dikujt, me kërkesën për të bërë diçka, në interesin tënd.
  • Tëngë (turqisht) – Erë e pakëndshme e një ushqimi, i cili është zier tej mase, ose ka nisur të fermentohet.
  • Urov – Bimë leguminoze; përdoret si tagji, për kafshët. Ka kokërr si të bizeles, por më të vogël, është bimë në zhdukje.
  • U përfill – U mor parasysh dhe ka nisur të zbatohet. Përdoret dhe në kuptimin kur nuk ia var ndonjërit. Në këtë rast thuhet: “Nuk më përfill!”
  • U leqendis (turqisht) – U torturua, u mundua shumë sa nuk ka më fuqi.
  • U hazdis – Kur një njeri vepron në eufori e sipër ose kur një kafshë bën lëvizje të pamotivuara.
  • Urith – Iriq.
  • Ukubet (turqisht) – Shumë keq; për faqe të zezë; copë-copë.
  • Uruar, masat – një copë metalike, me përbërje çeliku, e cila, kur godet strallin, lëshon xixa, që ndezin eshkën e prodhojnë zjarr.
  • Uratë – kur i dëshiron tjetrit të mirën, kur i lë atij emrin e mirë.
  • Ujem (turqisht) – Një përzierje drithërash apo mielli.
  • Ujdis – rregullon.
  • Ujdi – marrëveshje, dakordësim.
  • Und – Pjesa e brendshme e plëncit të bagëtisë – bajgat.
  • Ulok (turqisht) – Një njeri, i cili nuk mund të ecë. Mundet ta ketë kapur cërma, në ujë, ngërçi, apo është i paralizuar.
  • Utërimë – Një zhurmë e fuqishme, një e bërtitur. P.sh.: utërima e trenit.
  • U dënd – u ngop.
  • U telikos (turqisht) – U lodh shumë, i humbi fuqitë.
  • U poreps (turqisht) – U rregullua si u rregullua.
  • U qederos (turqisht) – U mërzit; iu prish qejfi.
  • Vidhimë – Një vend i pjerrët, një rrepirë.
  • Vedër (turqisht) – Enë prej druri, me kapacitet rreth 10 litra, përdoret për të mjelë bagëtitë dhe për të ruajtur bulmetrat.
  • Vretenë (turqisht) – njësi matëse e sipërfaqes së tokave. Një vretenë është e barabartë me 1000 m2.
  • Vah – Një vend i zgjeruar i rrjedhës së lumit, ku njerëzit mund ta kalojnë pengesën ujore, në këmbë.
  • Vandak (turqisht) – Një grumbull shkarpash apo lëpushkësh, i lidhur me një degë.
  • Varvat (turqisht) – Thuhet për një kalë të patredhur, i cili vrapon anë e mbanë vendit.
  • Vrromë (turqisht) – Kështu etiketohet një femër, e cila është pisanjose dhe e përdalë.
  • Vemje – Një lloj paraziti, të cilin e ndeshim, sidomos tek pemët.
  • Vërtik (turqisht) – Vrull.
  • Vërsnik (turqisht) – moshatar, kur dy njerëz janë të një moshe.
  • Vervele (turqisht) – Ngacmimtar. Si puna e mizës së mushkut.
  • Vidhis – rrëzoj, rrokullis, shkallmoj etj.
  • Vreten (turqisht) – Njësi matëse e sipërfaqes, e cila përfaqëson 1000 m2. Përndryshe, quhet dynymë.
  • Vare – Një copë hekuri ose druri, me përmasa rreth 20x10 cm, e cila ka brimë në mes dhe një bisht. Përdoret për të copëtuar pliset në arë dhe për punë të tjera, shtëpiake dhe në bujqësi.
  • Volltë (turqisht) – Kopsë.
  • Vjegë (turqisht) – Një “vesh” që i ngjitet enëve prej balte ose prej metali, pas të cilave varet gjëja.
  • Vëllamëri – Kur bën një vëllam, pa qenë në lidhje gjaku me të. Në këtë rast, thuhet se “është vëlla, pa pjesë”.
  • Vulëhumbur – Kur një njeri nuk e pyet e nuk e dëgjon njeri, për shkak të nivelit të tij.
  • Voli (greqisht) – Thuhet për një punë, e cila vjen për mbarë.
  • Varrhumbur – Një njeri i cili nuk është i zoti për të bërë asgjë.
  • Vathë – Një vend i rrethuar me mjete rrethanore ku mbyllen bagëtitë.
  • Vitore – Emër gruaje, por në mënyrë simbolike thuhet për një njeri të urtë, të bindur, të qetë, të mbarë e të uruar.
  • Veshnik – Vesh rrushi; vilë rrushi.
  • Varg – sende apo objekte që vijnë njëri pas tjetrit.
  • Veqil (turqisht) – Zot shtëpie.
  • Vullënga (turqisht) – Pulla, njolla, pullali.
  • Vdes – I jep fund jetës.
  • Ves – Praktikë e keqe e një njeriu; një huq i keq; një prirje e padëshiruar.
  • Veshkë – Organ jetik i trupit.
  • Vesë – Lagështirë.
  • Xanë – Gjineshtër, një shkurre me fije të gjata, të holla, me majë, e cila përdoret për të lidhur dhe për të nxjerrë fije.
  • Xanxë (turqisht) – Një huq i keq, një njeri i ashpër në sjellje, një tip që lëviz shumë, është i paqëndrueshëm, kapriçioz. Përdoret, më tepër për të dëftuar një kafshë të tillë.
  • Xëbunjëz – puçërr.
  • Xinë – Një shkurre, e cila rritet në zonat ku rritet përralli, mbretja, koçimarja etj. Gjethin e ka të vogël e pa gjemba.
  • Xerxebil (turqisht) – Thuhet për një njeri të paqëndrueshëm, i cili, sot thotë një gjë e nesër një gjë tjetër.
  • Xurxull – Një i pirë, i cili ka humbur ekuilibrin mendor.
  • Xhindollak – Bëhet fjalë për një njeri, i cili është i marrë; me xhinde.
  • Xhibilet (turqisht) – Shëmbëlltyrë; gjithmonë në sensin negativ.
  • Xhest – Kur bëhet fjalë për një qëndrim të caktuar, për një manierë, për një shenjë apo veprim të caktuar.
  • Xhymert (turqisht) – Bujar, dorëdhënë.
  • Xhufkë – Një tufë; fundi i kashtës së misrit.
  • Xhamadan (turqisht) – Veshje burrash (grash); një jelek, pa mëngë.
  • Xhedit (turqisht) – I ri. Në praktikë përdoret dhe togfjalëshi: Xhedit, i ri.
  • Yçkël (turqisht) – Kur dikush nxjerr një justifikim, një pengesë, të sajuar, në mënyrë që të mos kryejë një veprim të caktuar.
  • Yzmet (turqisht) – Shërbim.
  • Yzengji (turqisht) – Mamuze, që i vendosen kalit të shalës, për ta stimuluar që të ecë.
  • Yshmer – Një send ushqimor, i ngjashëm me byrekun, por me shumë petë.
  • Yçkël (turqisht) – Një motiv, një sajesë, një justifikim.
  • Yshyr (turqisht) – Prodhim.
  • Yzmeqar (turqisht) – shërbëtor; më tepër përdoret për ata që punojnë, me pagë, në bujqësi e në blegtori.
  • Ylyver – tymnajë, përdoret dhe për të dëftuar se dikush ka bërë shumë fjalë, për një çështje të caktuar. Rëndom përdoret togfjalëshi: “E ndezi ylyver”.
  • Yrt (turqisht) – Truall.
  • Ysht (turqisht) – Një lloj masazhi, i shoqëruar me koment.
  • Ymyz (turqisht) – Shpresë.
  • Yst (turqisht) – Kusur, resto.
  • Zall – Shtrat lumi, i gurtë.
  • Zengjin (turqisht) – Bëhet fjalë për një njeri të pasur, të kamur.
  • Zaire (turqisht) – Rezervë ushqimore, për kafshët.
  • Ziafet (turqisht) – Gosti.
  • Zullun (turqisht) – Dëm.
  • Zbulon – E bën të njohur, e bën të ditur për të tjerët, e nxjerr në shesh.
  • Zabërhan (turqisht) – Një njeri, i cili nuk bën punë, por shëtit kot së koti ose shkon nga njëra derë në tjetrën.
  • Zili, ziliqar – një njeri, i cili, lakmon gjënë e tjetrit, që bëhet xheloz, për gjënë e tjetrit.
  • Zemër – organ jetik, në trupin e një njeriu apo të një kafshe.
  • Zorrë – Organ që përcjell ushqimin drejt anusit.
  • Zile – Bëhet fjalë për një mjet sinjalizimi, i cili i varet dhisë, lopës apo kafshëve të tjera, në qafë.
  • Zigj (turqisht) – Peshore.
  • Zarar (turqisht) – dëm.
  • Zuskë – Zakonisht i thuhet një femre, e cila “Dredh bishtin”, flirton me këdo.
  • Zogë – Një shpend i cili nuk është as zog, as pulë.
  • Zgjedhë – Ka dy kuptime: Bëhet fjalë për një copë druri, ku mbrehen dy qe dhe kur një fuqi pushton një vend.
  • Zbathur – Kur një njeri ecën, pa këpucë.
  • Zgjyrë – Kur digjet një dru, krahas flakës dhe tymit, rrjedh dhe një lëng, me ngjyrë të zezë.
  • Zhgabonjë – Shqiponjë.
  • Zhakë – Një copë e fortë, e endur me fije lini.
  • Zhele – Rroba të grisura.

Ripunoi Niazi Nelaj; shtator 2015