Mamitë popullore ose gratë e specializuara për të pritur fëmijë

Jeta në komunitetin kalivaças ka rrjedhur natyrshëm e me vrull. Kalivaçasit e kanë përcjellë jetën me vitalitet të veçantë. Lindjet, në rrugë natyrale kanë siguruar shtimin e komunitetit dhe kanë ruajtur autoktoninë e tij. Të ardhurit nga treva të tjera kanë qenë rastësi e përjashtim. Ata mund të numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë. Të ardhurit në Kalivaç janë integruar shpejt në jetën e vendasve e janë ndjerë të sigurtë, mes tyre.

Kjo është bërë e mundur për dy arsye: Epara, ardhacakët janë ngulur në trojet dhe në pronat e të afërmve të tyre ;E dyta, “Të huajt “ në Kalivaç janë vendosur aty vetëm me mirëkuptimin e vendasve.Shtimi i banorëve të fshatit tonë, edhe pse ka qenë i paplanifikuar ( paplanifikimi i lindjeve ), gjithsesi ka qenë i asistuar. Asistenca në lindje është realizuar nga disa gra, vendase, të specializuara për të pritur fëmijë, të cilat, vetë komuniteti i kishte pagëzuar “mami”. Ato, me punën humane, të papaguar që bënin e meritonin nofkën e bukur “ mami popullore”.Dikush preferon ti quajë ato “ asistente “. Për mendimin tim, po ta pranonim këtë përkufizim , do ta ngushtonim , së tepërmi rolin e tyre.Ato, vërtet asistonin në lindjen e një foshnje por, gjatë proçesit delikat e mjaft të vështirë të lindjes ishin aktive, vepronin, aq sa dinin e siç ato dinin. Gjithsesi nuk ishin vrojtuese të thjeshta; as indiferente. Mamive të padiplomuara, të Kalivaçit, por jo vetëm, fati u kishte caktuar të ishin pritëset e para të jetëve njerëzore. Ky është një rol Madhor,fisnik, human e mjaft i respektuar nga komuniteti ynë.

Ndryshimet e ndjeshme ekonomike dhe sociale, në jetën e kalivaçasve, në vite, janë shoqëruar me çvendosje të popullsisë të fshatit, drejt krahinave e qyteteve të tjerë të vendit dhe jashtë tij. Megjithatë, bilançi numerik i popullsisë vendase, pavarësisht nga lëvizjet që kanë ngjarë, ka mbetur i pandryshuar. Në mëhallën Ahmetaj psh, nga viti 1945 e këtej janë shpërngulur 35 familje.Shumica e tyre kanë shtegtuar duke synuar për një jetë më të mirë e janë realizuar në ngulimet ku janë vendosur.Por këtu nuk përfshihen vajzat, të cilat “kanë dalë nuse”.Sot, në këtë mëhallë, numërohen më shumë se 35 familje . Të njëjtën gjë mund të themi dhe për mëhallët e tjera të Kalivaçit. Përfundimi është i thjeshtë:Rritja natyrale e popullsisë të Kalivaçit, megjithse lindjet në këta vitet e fundit kanë njohur një farë rënie; ka mbetur e njëjtë.
Mamitë e shkolluara e me diplomë, në Kalivaç janë dukur relativisht vonë. Drita Refat Ramaj ( Bilaj ), e para mami e shkolluar, e bija e Refat Mahmutit dhe e Mushos, nga Margëlliçi, e martuar në Hysodosajt, me Mojsinë, të birib e Gani Muharrem Ramaj, mbaroi shkollën e u emërua mami, në Kalivaç, në vitin 1968. Edhe para kësaj date, në Kalivaç nuk kishin pushuar lindjet, madje, mund të themi se ato kanë qenë më të shumta e më të shpeshta.Gratë e fshatit, ato që shtojnë jetën, kanë lindur e lindin me asistencë. Edhe pse punonin në proçese pune të rënda, ushqeheshin me gatime tradicionale, pa receta specialistësh e nuk e njihnin pushimin (lejen ) e lindjes, sillnin në jetë fëmijë të shëndetshëm e të saktë.Ato punonin edhe në muajin e tetë, madje dhe në të nëntin .Në ndonjë rast, gruaja shtatzënë, mbasi kishte punuar në arë, gjithë ditën e ishte lodhur, në mbrëmje, kur kthehej në shtëpi, i fillonin dhimbjet e lindjes.
Ndonëse lindjet, në kohët për të cilat bëhet fjalë, kryheshin pa praninë e mamisë të shkolluar, ato ishin të kollajshme ( të lehta ) e përfundonin pa pasoja, si për nënën që sillte në jetë një fëmijë dhe për fëmijën që shikonte, për herë të parë dritën e diellit. Ndodhte kështu për arsyen e thjeshtë se gruaja shtatzënë ishte në lëvizje e në punë dhe nuk e njihte jetën sedentare.

Po cilat ishin asistentet në lidje, para se të dukeshin mamitë me shkollë? Asistentet dilnin nga radhët e grave të komunitetit kalivaças.Ato ishin gra “ të mëhallës, të specializuara si asistente”.Nuk bëhet fjalë për ndonjë kurs të posaçëm specializimi për to. Disa syresh ishin fare analfabete. Preferoheshin gra të moshuara, të ditura, të zgjuara e të shkathëta, të cilat kishin eksperiencën personale, shfrytëzonin dhe përvojën e grave me shumë fëmijë. Ato, vetë duhet të kishin lindur fëmijë të shëndetshëm e të shumtë në numër. Ky kusht , nuk ishte i shkruar , por i gjithëpranuar.

Në Kalivaç të Tepelenës, mëhallët janë ngritur bazë fisi. Në katër mëhallët e “ Pusit” , shtëpitë janë pranë njëra-tjetrës. Ndryshon puna me disa mëhallëza të formuara me pak familje , mbi bazën e pronës, familjet e të cilëve ishin larg njëra –tjetrës. Asistentet ishin të përzgjedhura , bazë mëhalle e fisi.Nuk preferoheshin asistentet nga mëhallë të tjera, për arsye se ato i kishin shtëpitë larg dhe, në rast lindje, sa të vinte “urgjenca” së largu, mund të bëhej vonë. Pengesë tjetër bëhej fanatizmi.Njëra nga mëhallët, të ngritura bazë fisi, nuk e kishte aq për zemër që vajza, nusja, gruaja e fisit të tij të asistohej në lindje, nga një grua e fisit tjetër.

Në mëhallën e Ahmetajve psh, asistente të kualifikuara ishin; Hysnija e Musa Mehmetit, e cila kishte lindur katër fëmijë, Shaza e Novruz Selfos, që ishte bërë nënë gjashtë herë, Inxhija e Mehmet Salihut etj. Në Hysodosaj, ishin asistente Bena e Tefik Mehdinit, Nurishaja e Kalo Qazos etj. Në Beqiraj e Hasanimeraj, ishte Yzemeja e Rexhep Abedinit; në Hasanbegaj- Naileja e Ago Manxharit dhe sidomos Asikoja e Durkës; në Bozanaj- Shaza e Sulo Bajramit, Hasimeja e Azbi Bakosdhe Tana e Ali Yzeirit; në Meçaj – Metoja e Zagoll Salikos etj.etj.

Në përgjithësi, mami asistence kishte në çdo mëhallë, por kishte dhe raste kur ato nuk ishin në kondicionin e nevojshëm për ta kryer këtë detyrë. Atëherë kërkohej ndihmë në mëhallën pranë . Për mëhallët e “ Pusit”, të cilat ndodhen pranë njëra-tjetrës, çështja ishte më e lehtë. Siç më tregon Ferrik Dervishaj, nga Hysodosajt, atë, kur lindi e ka pritur Hysnija e Musa Mehmetit, një grua kapedane, nga Ahmetajt. Kur një mëhallë nuk kishte asistente, një grua me përvojë në çështje të asistencës në lindje, merrte përsipër përgatitjen e grave, të kësaj mëhalle, mbi baza selektive si ku intelekti dhe guximi , merrnin përparësi në këtë ndërmarrje vullnetare , për t’u bërë “ specialiste” për asistencë në lindje. Jo me kurse speciale por me të thënat e grave që kishin bërë asistencë dhe me të thënat e grave që kishin lindur disa herë.

Ndonëse pa shkollë e pa ndonjë kualifikim të posaçëm, gratë e Kalivaçit që merrnin përsipër misionin e shënjtë për të pritur lindjet, me përkushtimin që tregonin dhe me aftësitë vetjake, kanë pritur fëmijë të saktë e të shëndetshëm.Me empirizmin e tyre,por me shumë përkushtim e seriozitet, asistentet tona kanë treguar kompetencë e aftësi në proçesin e lindjes, si për fëmijën dhe për nënën e tij. Prerja e kordonit umbelikal dhe lidhja e kërthizës, vërtet janë proçese të thjeshtë në dukje, por kërkojnë shumë vemendje e kujdes .Pa kujdesin e nevojshëm, mund të vijnë pasoja të padëshiruara e të rrezikshme për jetën e të sapolindurit dhe të nënës së tij.

Gratë guximtare që merrnin përsipër asistencën në lindje, nuk dispononin as mjetet më të domosdoshme për të kryer veprimet e nevojshme.Atyre u mungonin edhe mjetet më të thjeshta për dezinfektimin e veglave të pakta që përdornin gjatë asistencës në lindje.Gërshërët që përdoreshin për të prerë kordonin umbelikal, zakonisht dezinfektoheshin në flakën e zjarrit të vatrës ose ziheshin në një enë me ujë; dosido. Megjithatë rastet e infeksioneve ishin tepër të rrallë.Ndodhte kështu mbasi, në ata vite, ajri që qarkullonte në hapsirën e Kalivaçit ishte i pastër nga ndotësit kimikë e pluhurat e ndryshëm dhe në përbërje të ajrit që thithnin njerëzit kishte më tepër oksigjen.Mikrobet, në atë mjedis me ajër të pastër, e kishin të vështirë të vegjetonin.Ushqimet që konsumoheshin nga njerëzit, edhe pse jo aq të larmishme, në atë kohë ishin Bio, pa kimikate dhe produktet blegtorale, të cilat përdoreshin si ushqim bazë ishin biologjikisht të pastra.Lindjet me asistencën e grave “specialiste”, pa ndonjë specializim të posaçëm bëheshin të kollajshme mbasi gratë shtatzana ishin në lëvizje të vazhdueshme e në punë të ndryshme fize.Gratë shtatëzëna, sidomos ato që lindnin për herë të parë, përpara lindjes, përgatiteshin për atë që pritej, pa i trëmbur ato. Vjehrrat dhe plakat e fisit, e rrethonin nusen shtatzënë me një kujdes të posaçëm.

Se lindjet, në veçanti të parat ose ato që vinin pas shumë vitesh steriliteti, sillnin mjaft gëzim e hare e mezi pritedshin nga i gjithë fisi e më gjerë.Më të moshuarat e ndjenin për detyrë ti jepnin nuses së re gjithë informacionin e nevojshëm për lindjen.Ato, aq sa dinin bënin dhe përgatitjen psikologjike të shtatzënës. Me qëllimin e mirë e me dashamirësi, për të hequr sadopak atë mister që shoqëron lindjen e parë.Jo për ta frikësuar atë që do të lindëte, por për ta sqaruar e trimëruar atë, në mënyrë që të mos shkonte drejt së panjohurës, fare e pa përgatitur. Sidomos kjo ishte e domosdoshme për lindjen e parë , e cila është e paprovuar dhe e veshur me mister. Veçse ky është një mister i dëshiruar e i pranuar nga të gjitha femrat, të cilat, me kuriozitetin që i shtyn drejt së panjohurës, natyrshëm shkojnë drejt tyre e tentojnë ti provojnë ato. Aq sa ishte e mundur, asistentja përpiqej ta zhvishte perceptimin e lehonës së ardhshme nga misteri e ti sillte asaj kurajo e besim se çdo gjë do të shkojë përsëmbari. Vetë prania e asistentes në lindje, në fakt është shoqëri, mbështetje, përkrahje, inspirim për të përballuar problemet komplekse që shoqërojnë një lindje.

Një grua, që të merrte përsipër misionin e asistentes në lindje, domosdo, përveç cilësive të sipërtreguara duhet të ishte guximtare, të qe trimëreshë dhe me iniciativë, për të ndërhyrë, kur kjo ishte e nevojshme. Guximi dhe trimëria e gruas që asistonte lindjet ishte e nevojshme në çdo rast, por ajo dilte ne evidencë e vihej në provë, sidomos në lindje të vështira. Si rregull, fëmija shkëputet nga barku i nënës me kokën përpara, e me të dyja duart që e rrethojnë atë.Kjo është normale, por ka raste kur fëmija vjen mbrapsht, me të ndënjura e atëherë asistentja duhet të ndërhyjë, me guxim për ta kthyer mbarë. Ajo, fut duart dhe, pa dëmtuar fetusin, e kthen atë, mbarë. Ky është një proçes mjaft i vështirë e kërkon kualifikim të posaçëm. Raste të tjer të ndërlikuar janë lindjet e binjakëve , trinjakëve etj, ose kur fëmija ka rreth qafës , kordonin umbelikal etj.Një situatë e ndërlikuar në lindje kapërcehet vetëm me njohuri e guxim, dhe me iniciativë e shkathtësi, ndryshe të papriturën e ke “pas derës”.

Mamitë popullore, aso kohe nuk ishin të pajisura as me veshjet e nevojshme e sterile, siç është sot . Ato, veprimet i kryenin pa dorashka, mbasi të tilla nuk egzistonin por me llërë të përveshura dhe “live”, siç i thonë sot, i futej “ operacionit”. Një nga kërkesat kryesore ndaj asistences ishte që gratë të ishin të pastra, të kishin higjienë vetjake të mirë. Gratë asistente lidhnin një shami të zezë në kokë, që të mos u binin flokët, vendosnin një futë ( përparëse ) përpara trupit dhe, me duar të lara i përfilleshin proçesit të vështirë të asistencës në lindje. Përparësja shërbente për të fshirë duart, prandaj kërkohej të ishte e pastër.Pajisjet që shfrytëzonin gratë asistente në lindje ishin mjaft modeste. Një enë ku ziente uji, një govatë prej druri ( më vonë prej llamarine ), një palë gërshërë për të prerë kërthizën, ndërresa të pastra për bebin e për lehonën dhe një zjarr bubulak, në vatër.Gruas shtatzënë që pritej të lindte, përpara lindjes dhe më pas i jepnin komposto të përgatitur me oshafe kumbulle etj, misra të zier, palafike dhe ushqime të tjera që ndihmonin jashtëqitjen. Bulmetrat, si ushqim bazë e i përhershëm i vendasve, i jepeshin lehonës pandërprerë.

Amvisat, kur prisnin të ndodhte një lindje, bënin disa punë profilaktike. Ato fshinin e shkundnin shtëpinë, kur ishte mundësia e lyenin atë me gëlqere të bardhë dhe lanin teshat e njerëzve. Në Kalivaç të Tepelenës lindja e një fëmije ishte festë e pritej si e tillë.Cdo gjë, brenda e jashtë shtëpisë duhet të llamburiste (shkëlqente ). Asistentja në lindje kujdesej që lehona të qendronte pranë zjarrit, oda të ishte e ngrohtë dhe, në zjarr të ishte një enë me ujë, e cila duhet të valonte. Besohej se avujt, afër lehonës do ta ndihmonin atë që të lindëte me lehtësi. Për ta bërë më të lehtë daljen e fëmijës, gruas që lindëte i jepej një shishe qelqi, bosh, të cilën ajo duhet ta frynte vazhdimisht. Fëmija pritej në duart e “ mamisë” e në ujët e vakët të govatës. Pas veprimeve për prerjen e kordonit umbelikal dhe lidhjes së kërthizës, fëmija vendosej e mbështillej me pelenat e pastra, kurse nënës i krijoheshin mundësi të pushonte pak. Uji që përdorej në lindje kërkohej të ishte biologjikisht i pastër.Nuk bëhej fjalë për analizë laboratorike që të përcaktohej përbërja fiziko-kimike e ujit por preferohej ujë i pastër. Më i preferuari ishte uji i burimit të “zborakut”, burimit në sheshin e Donijes, uji që merrej nga burimi i Madh etj. Nuk përdorej uji i marrë në pellgaçet e përrenjve, uji i pusit, ai i çesmave etj. Pas përfundimit të proçesit të lindjes gjërat rridhnin në shtratin e tyre natyral.
Lindja e një fëmije, në komunitetin kalivaças, në çdo kohë ka qenë një ngjarje e shënuar, madje, “e shënjtë”.Ata që ndodheshin jashtë derës ku kryhej akti i lindjes, mezi prisnin të qarat e para të fëmijës . Vetë fëmija ishte lajmëtari i parë; të qarat e tij kishin vlera të pamata. Babai i fëmijës, në veçanti kur ai ishte i seksit mashkull, jo vetëm gëzohej pa masë e nuk dinte si ta shfaqte gëzimin e tij. Ai ndjente nevojën për ta ndarë këtë gëzim me dashamirët e tij, kudo që ndodheshin. Nuk ishin të rrallë rastet kur sapo merrte njoftimin se u bë baba, gjysh etj, njëri nga burrat e shtëpisë shtinte, në ajër, me dyfek. Ata që e dëgjonin krismën e dyfekut dhe që e dinin ndodhinë uronin, në ajër: “ Me jetë të gjatë e koka gur “! Në rastet kur kishim të bënim me një lindje të vonuar ( pas shumë vite martese ose pas një sëmundje të rendë ), marrja e njoftimit të lindjes, veç urimit, shoqërohej me përmbysjen e një guri ose duke kapur me dorë një send të fortë. Ai që dilte i pari nga dera e odës ku kishte ndodhur lindja e fëmijës dhe jepte njoftimin e mirë, qerasej nga e zonja e shtëpisë dhe nga të afërmit, kur u çonte njoftimin.Asistentet në lindje, për punën që bënin, si rregull nuk shpërbleheshin me të holla .

Në shënjë mirënjohje e respekti, të zotët e shtëpisë i jepnin asaj dhurata të ndryshme. Si më të përdorura ishin: Një palë çorape; një shami dore apo koke, nje sapun tualeti, etj. Disa ditë pas lindjes, fëmijës i vihej emri e i thyhej bukaniqja . Lindja e një fëmije pasohej nga davete e gostira, si në anën e burrit dhe në atë të gruas.
Proçesi i vështirë e delikat i lindjes të një fëmije në Kalivaç sillte një atmosferë të re, të gëzuar e plot shëndet. Asistentja bëhej mikeshë e nënës, babait dhe fëmijës vetë . Mirënjohja dhe respekti për të e shoqëronin “ maminë popullore “ gjithë jetën .Nderimi për këto gra ishte i pranishëm në çdo rast e fjala e tyre zinte vend; dukshëm. I asistuari (fëmija ) nuk e harronte atë që e kishte pritur, kur erdhi në jetë dhe e respektonte vazhdimisht . Asnjeri nuk e harron mësuesin e parë të tij . kështu ndodh dhe me maminë; dashuria dhe respekti për të cilën nuk njeh moshë e kufi.Kohët kanë ndryshuar e gjërat kanë ecur përpara por “mamitë popullore “ edhe pse janë larguar nga jeta prej shumë vitesh, kujtimi dhe emri i tyre është i gdhendur në kujtesën e një komuniteti të tëre e nuk mund të shlyhet. Ato i kanë dhënë vetes , të drejtën e përjetësisë.

Në Tiranë, më 27 shkurt 2012

Punoi Niazi Nelaj