Jaçe Sadik Azizaj-trim me fletë; 1910-1993

jace

Në një vështrim të përgjithshëm, duket, sikur kalivaçasit dhe trimëria janë binjakë  e kanë rrugëtuar përkrah njëri-tjetrit, në shekuj. Një vrojtus i kujdesshëm, kur i hyn analizës më të imët, ska se si të mos verë re se kalivaçasi dhe trimëria garojnë me shoqi-shoqin. Kur themi trimëria kalivaçase kemi parasysh se kjo dukuri nuk është një rastësi por kemi të bëjmë me një shtrirje masive, prandaj, mendoj se do ti shkonin shumë për shtat vargjet që ka thurur vetë populli i zonës:

“… Kalivaç, o gur i thatë;

Trima burrat; trime gratë…”

Rrëfimi që pason bën fjalë për jetën e një kalivaçasi  të thjeshtë, të cilit do ti shkonte, bukur, për shtat mbiemri: “ trimi”, në vend të atij që rrjedh prej fisit. Veç ai i përket sojit të trimave kokëshkretë, të cilët, jo vetëm që nuk e njohin frikën, por janë të zotë ta sfidojnë atë, në çdo hap të jetës e të dalin fitimtarë.

Është fjala për ketën e kalivaçasit Jaçe Sadik Azizaj, nga mëhalla Hysodosaj e fshatit. Jaçe Sadiku ishte trim nga rrënja. Ai kish të përbashkët me sërën e tij –kokëshkretinë, së cilës, dikush i thotë: “ trim i çartur” apo “ trim, me fletë”.

Jaçe Sadiku u lind në mëhallën Hysodosaj, në një familje fisnike e cila e kish shtëpinë në majë të bregut, në vitin 1910. Ishin vitet e trazuar të luftërave ballkanike, kur erdhi në jetë Jaçja, si djalë i vetëm i asaj shtëpie. Babai i tij, Sadik Ismaili, ishte nip, në Teqenë e Baba Zotos, në Krahës. Si i afërm i menaxherëve të këtij kulti fetar, Sadiku kryente shërbime të ndryshme, në shërbim të Teqesë. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, kur treva në fjalë ishte nën pushtimin austriak, Sadikut, pushtuesit i kërkuan të dëftonte vendin ku fshihej Babai i Teqesë, i cili ishte kundërshtar i regjimit pushtues, por ai nuk e dëftoi atë. Austriakët u hakmorrën ndaj Sadik Ismailit, dhe e masakruan atë. Jaçja, 10 vjeç dhe e motra, Fatimeja, 12 vjeçe, mbetën jetimë. Ata, së bashku me Nënë Xhemilen u shpërngulën në fshatin Kutë të rrethit të Fierit, tek hallo Zelihaja, morër e Sadikut të ndjerë, e cila ishte e martuar në Llanaj.

Motër e vëlla dhe Nëna e tyre qëndruan në shtëpinë e hallo Zelihasë derisa u mëkëmbën. Kur Fatimeja mbushi 14 vjeçe, siç ishte tradita, vajti nuse, në derën fisnike të Ali Danos, në Dorëz. Nënë Xhemilja dhe Jaçja i parritur, u kthyen në Kalivaç, në shtëpinë që u la Sadiku, për të zotëruar mallin e gjënë që kishin në trashëgim. Në Hysodosaj, Jaçja kishte një kushëri të parë ( djalë xhaxhai), i cili quhej Azis Telha Azizaj, me të cilin ishte në lidhje gjaku. Telha Ismaili dhe Sadik Ismaili, ishin dy vëllezër, prej nëne e prej babai. Të afërm të tyre, familje me të cilat ata përkraheshin, ishin Sulajt dhe Ago Mersin Hoxhaj. Banesa e Sadik Ismailit, në Hysodosaj, ishte në majë të bregut. Me banesat e fisit Sulaj, atë e ndante udha që të çonte, nga Bregu tek lëmi i shtruar me pllaka guri të bardhë, sipër shtëpisë të mëhallaliut të tyre: Selman Xhaferi. Në anën Jugore ishte shtëpia e Ahmet Fejzos dhe, pak më tutje, ajo e Dajlan Xheladinit. Në një cep të sheshit, përpara shtëpisë të Ahmet Fejzos ishte një gur, i cili përdorej nga kalorësit, për të shaluar kuajt. Guri i madh, ishte emërtuar si “ Guri i kalit”. Ai nuk ishte në pronësi të askujt dhe përdorej nga e gjithë mëhalla e Hysodosajve.

Shtëpia e Jaçe Sadikut ishte e ngritur, me dy kate, me mure guri, të bardhë, të lidhur me llaç gëlqere dhe me breza druri të fortë. Ajo shtrihej në gjatësinë Lindje Perëndim dhe i kishte shkallët nga ana e udhës. Marëdhëniet e mira që kishin Azizajt me Sulajt e bënin të mundur vendosjen e shtëpive përballë njëra-tjetrës. Vëllezërit Tefik e Mete Medini; Sulo Beqiri dhe Ago Mersini, ishin të preferuarit e Azis Telhait dhe të Jaçe Sadikut. Edhe shkallët e shtëpisë të Jaçes vështronin nga Sulajt, me të cilët, familja e tij bënte gjitoni.

Në shtëpinë e Jaçe Sadikut, njerëzit futeshin nëpërmjet një porte te madhe, dykanatëshe, prej dhoge të trashë. Thonë se porta e oborrit të shtëpisë të tij ishte aq e madhe sa, nëpërmjet saj mund të hynte kafsha e ngarkuar me bar, kashtë, me shkarpa apo me lëpushka. Çatia e shtëpisë ishte e mbuluar me pllaka të bardha, gëlqerore, pa tavan. Shtëpia e Sadik ismailit, me dy kate , nuk kishte katua. Në katin e parë, në të dyja kthinat mblidheshin fëmijët dhe prindërit e tyre. Ato ishin  më të ngrohta dhe shërbenin si sobalka. Në katin e sipërm ishin odat, ku bëheshin sebepet dhe priteshin miqtë e shtëpisë. Në afërsi të shtëpisë, në anën Perëndimore dhe Veriore të saj  ishin ngritur kasolle, për grumbullimin dhe depozitimin e zahireve ( kashtë, bar, lëpushka) si dhe për strehimin e të imëtave.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, pushtuesit gjermanë kishin informacion se Jaçe Sadiku dhe Sulo Beqiri ishin partizanë shumë aktivë e trima, prandaj kishin vendosur të hakmerreshin ndaj tyre. Ata, nga rruga automobilistike që kalon përtej, në mes të malit, i goditën me top shtëpitë e tyre, si mjaft të tjera, në mëhallët e Pusit. Gjylet që ranë në shtëpitë respektive, i shkatërruan ato dhe në vend të atyre ngrehinave si saraje, mbeti një pirg me gurë e me llaç.

Si gjithë moshatarët e tij, Jaçe Sadiku u rrit me punë të rënda, për moshën e tij. Si i vetmi mashkull në atë shtëpi, Jaçes i takoi shansi të punonte gjithë ditën në arë, ku lodhej e cfilitej, e natën i duhej të merrej me mbarështimin e bagëtive të imëta dhe të gjedhëve. Arat në Rredhe e në Jorga shfrytëzoheshin për kultivimin e drithërave të bukës dhe tagjisë (grurë; misër;elb; tërshërë, etj) dhe bimë shoqëruese. Në arat e tjera dhe në yrtrat, në mëhallë, ishin kryesisht ullishtë e kullotë. Kishte dhe ndonjë copë tokë për kopësht, ku mbilleshin: Spinaq; labot; bathë; qepë; hudhra etj.

Ekonomia bujqësore e familjes të Jaçe Sadikut dispononte dy pendë qe; 7-8 lopë vendi, me qunësht; një pelë; një gomar; dhen e dhi dhe pula deti e shqirake, pa numër. Drutë e zjarrit i pritnin në vendin e quajtur Koçimare; në Zezan ( në shtratin e lumit vjosë) dhe në vendin e quajtur “ Shkëmbi”. Ujë për të pirë, familja mbushte në burimet e ftohta të Donijes, hera- herës në çesmën e Halilet, në çesmën e Ninit ( në stinën e lagësht) dhe rrallëherë në pusin e Myftaret.

Jaçe Sadiku u rrit e u burrërua, siç rriten djemtë e vetëm, në një familje fshati, të asaj kohe. Atij i përkiste të rritej pekul, por në kushtet e bonjakërisë, kjo ishte, praktikisht e pamundur. Punët e shumta e të rënda bujqësore  në arat e familjes, sidomos në Rredhe të cilat ishin në skajin e arave të fshatit, pranë Çesmës së Thatë e rrëzë kodrave të Dokes të veshura me shumë shkurre e përrenj, kërkonin forcë krahu, burri.  Jaçes i kishte rastisur, shpesh tëqendronte natën, me bagëti, në kohë të mirë e në llohë, kalonte shpesh nëpër udhët e mbuluara nga ferrat, në kushtet e parcelizimit të asaj kohe, ku në çdo qoshe udhe të befasonin zvarranikët agresivë, qentë e stanit dhe egërsirat e pyllit. Këto kushte ndikuan tek i riu Jaçe Sadiku për burrërimin dhe trimërimin e tij, si dhe e zhvilluan atë fizikisht. Jaçja nuk ishte i ngjallur, nga trupi por veçohej për shkathtësinë e trupit dhe rezistencën e madhe. Njerëzve si ai, në Kalivaç e më tej u thonë:” Kockë e fortë”!

Në kushte të vështira, Jaçe Sadiku u rrit djalë për kokën e djalit! Ai ishte i mençur; i zgjuar; guximtar; i traditës e i zakonit, fisnik, në të gjithë vijësjelljen e tij. Si i vetmi mashkull i asaj shtëpie kishte shansin e madh, të merrte pjesë, me cilësinë e të parit të familjes, në çdo gosti, fejesë e martesë; në çdo gëzim që bëhej në mëhallë e në fshat. Përveç kësaj, ai shkonte në çdo familje me të cilat ishte në lidhje krushqie e miqësie, ulej mbi shilte apo mbi një poste dhe bëhej sy e veshë për të përthithur informaconin e nevojshëm dhe për të mësuar ato që nuk dinte, lidhur me sjelljen në komunitet. Në të gjitha veprimtaritë, kolektive dhe individuale Jaçja mësoi të donte e të respektonte më të rriturit, të respektonte rregullat e vendosura në shekuj, lidhur me sjelljen në bashkësinë ku jetonte, u njoh me njerëzit, me anët pozitive dhe me veset e tyre, njohu aftësitë dhe kapacitetin intelektual të tyre, mësoi të fliste kur i vinte radha, u njoh dhe praktikoi mënyrën e ngritjes të mirësive e dollive, mësoi të urojë siç duhej uruar, sipas rastit, prirjet e atyre që ishin të ulur në trapez për të kënduar e për të dialoguar etj.

Jaçe Sadikun e donin dhe e respektonin të gjithë. E donin për sjelljen e mirë që kish, në shoqëri ku, asnjëherë nuk prishi qejf me njeri. Jo se ishte konformist e lajkatar por se ishte i drejtë dhe kishte mendim të pavarur. Jaçe Sadiku, në çdo rst e për çdo problem në diskutim, merrte anën e së drejtës dhe turrej për ta mbrojtur atë, me çdo kusht. Ai u ndesh me jetën që në moshën e rinisë të tij dhe u përgatit për ta përballuar atë, sido që të vinte. Jaçja ishte djalë i vetëm në atë shtëpi por jeta dhe të tijët nuk e kishin përkëdhelur. Atij i ra shorti të varte në qafën akoma të njomë, këmborën e madhe të dashit që i prin kopesë.

Jaçe Sadiku u burrërua para kohe, duke u ulur në trapezë apo në kuvend me burra të ndjerë, si Tefik Medini; Mete Medini; Sulo Beqiri; Azis Telhai; Sinan Hasani; Gani Muharremi; Kalo Qazua; Demir Seiti; Mahmut Muharremi; Azis Selfua etj. Në odën dhe në shoqërinë e burrave, ai fitoi tiparet e një burri të ngulur e të sinqertë. Nënë Xhemilja dhe Baba Sadiku, kishin lindur djalë për kokën e djalit. Një; po një! Ai “ bënte petë” për shtëpimë e tij, për mëhallën e Hysodosajve dhe i dëgjohej e i zinte vend fjala, në Kalivaç e më gjerë. Shumëkush mund të pyesë: “ Si ishte e mundur kjo?

Përgjigjen e pyetjes e jep vetë jeta e tij, prej bonjaku. Jaçja, vërtet nuk kishte asnjë klasë shkollë e nuk ishte ulur kurrë në bangat e shkollës, veç kursit kundër analfabetizmit që drejtonte Arifi i Sulajve,  ku Jaçja, shkonte për të bërë qyfyre, me Kalo Qazon dhe me Mete Medinin, por ai shte i zgjuar e nuk ia kalonte dot ujët nën rrogoz. Si djalë guximtar, Jaçe Sadiku kish disa tipare te veçanta, të cilat e dallonin atë nga moshatarët e tij. Ai kishte kurajon të kundërshtonte e të përballej me këdo e të polemizonte, nga pozicioni i njeriut që lufton për të drejtën. Jaçes nuk i trembej syri, fare, për ti thënë kujtdo bashkbiseduesi, të gjitha të vërtetat, në fytyrë. Zgjuarsia natyrale dhe të qënit guximtar, tek Jaçe Sadiku, dilnin në evidencë, në veçanti kur bënte debat e replikonte përçështje nga më të ndryshmet, por kur ato ishin me bereqet. Jaçja ishte nga ata njerëz, të cilët nuk e lenë fjalën të bjerë në shesh por, siç i thonë fjalës: “ I vinte vjegën shtëmbës”!

Tiparet e karakterit të tij u formësuan kryesisht në familje, ku me shumë ndikim ishte Nënë Xhemilja, ajo grua fisnike dhe burrëreshë dhe Babai i tij, Sadiku; një burrë i ndershëm e trim. Edhe shoqëtinë e miqësinë, Jaçja i kishte të zgjedhur e përfitoi mjaft prej tyre. Shokë të ngushtë të tij ishin: Sulo Beqir Sulaj; Sinan Hasan Ramaj; Hamit Ziflo Pashaj; Mete Medin Sulaj, etj. Xhevit Malkon, të cilin e kishte gjak, e gjeje përherë në vatrën e tij , siç e ruante në thellësinë e zemrës. Jaçja donte e çmonte mjaft Nasip Hysen Alidervishaj dhe Arif Qamil Sulaj, ndonëse këta ishin në moshë më të re, por kishin tipare te karakterit të cilat Jaçja i çmonte e i kish të preferuara. Adoleshenca e Jaçe Sadikut la gjurmë në jetën e tij; e rriti në shtat dhe e burrëroi, pak nga pak.Shtati i Jaçes ishte rreth 175cm; trupin e kish të zhdërvjellët, muskuloz e të fortë; si hekur. Kokën e kish në përmasa normale, të rregullt, jo me qoshe, siç e kanë zakonisht ata që, në foshnjëri janë lidhur e përkundur në djepe. Flokët i kish të zinj, si pendë korbi e të drejtë. Ballin e kish të lartë, si shënjë fisnikërie dhe me rrudha; shënjë e halleve e brengave që kish kaluar dhe e mendimeve që bluante. Sytë e Jaçe Sadikut ishin të zinj, diçka më të mëdhenj se të zakonshmit; vetullat i kish të zeza, të plota, por jo të theksuara. Në tërësinë e saj, fytyra e Jaçe Sadikut ishte e hequr e me tipare brune. Nofullat i kish pak të theksuara; qafën të gjatë; mollën e Adamit e kish të theksuar; të madhe e të dalë. Kur gëlltitej, atij i kërciste gurmazi. Mbante mustaqe të holla, të zeza, të cilat i shkonin bukur fytyrës së tij të haqur. E folura e tij ishte e qartë, e pastër, në akcentin lab.

Jaçe Sadiku vishej me rroba shajaku, të zeza. Pantallonat “i priste” qillota; xhaketën, me kopsa; nën të vishte një xhamadan të punuar me shtiza, të bardhë ose të ngjyrosur. Në kokë mbante një kapele, me strehë, prej kadifeje, në ngjyrën e rrobave që vishte. Në këmbë, vishte opinga meshini dhe çorape leshi, të punuara me shtiza. Në stinën e ftohtë e me lagështirë, hidhte krahëve një shark, me ngjyrë tëp zezë dhe në kokë, mbante llabane.  Duhet thënë se Jaçe Sadiku, në veshje ishte sqimëtar e nuk vishej sido-kudo. Derkua, si grua e kujdesshme dhe pastërtore, ia mbante këmishën, në çdo kohë të pastër e të rregullt.

Jaçja nuk ishte hamës e nuk lakmonte por, kur ulej për të ngrënë, i donte ushqimet të bollshme dhe cilësore. Ai përfitonte dhe nga fakti se bashkëshortja e tij, Dekua, ishte nga ato malësore që shquhen për gatime me shijë. Edhe Havua e Kapllanit, për të gatuar, radhitej me gratë më në zë, të fisit, mëhallës e më gjerë. Gjellë të preferuara të tij ishin: Pula , me rosnica; byreku me lakra të egra;përsheshi tradicional, me mish berri apo me kaposh deti, të pjekur në saç. Mishin e berrit ( dele ose dhi), e donte të pjekur, mundësisht në hell kurse kaposhin e detit, të pjekur, në saç. Të brendshmet e berrit, të skuqura në tigan, ishin meze të preferuara të tij. Jaçja konsumonte alkool së shumti ( raki koçimareje), në mënyrë sistematike por nuk e tepronte. Jaçja, në darkë, me çfarë të ndodhej si meze, e pinte një “duçe” ( faqore), me raki koçimareje. Faqorja e rrumbullakët, me kokrriza nga jashtë lexonte: “ Musa Jonuzi”- Vlorë. Duhanin e donte të fortë, që të “ kërciste” kur digjej. Preferonte duhanin fletëmadh, të stërgjatur, të cilin, në Kalivaç e emërtonin “ xhebel” dhe e pinte me çibuk. Kur e “ digjte”, thosh: “ Kur e pi këtë farmak ai “kërcet” dhe është aq i fortë sa helmon edhe merimangat, në trarin e shtëpisë”.

Nëse duam të vëmë në dukje ndonjë “ ves” të tij, jam i sigurt se do të ndaleshim tek të qënit nevrik. Ai nxehej, menjëherë, skuqej, i tëri dhe hidhej përpjetë, kur kuptonte se po bëhej një padrejtësi apo cënohej interesi i dikujt, pa të drejtë. Jo aq kur cenohej interesi i tij vetjak apo i familjes së tij, por i kujtdo njeriu tjetër.

Jaçe Sadiku ishte djalë i vetëm i asaj shtëpie me mall e me gjë dhe të fisme. Motra e vetme ishte martuar më shpejt dhe ai kishte mbetur i vetëm, pa baba e pa nënë. Në këta kushte u bë domosdoshmëri popullimi i asaj familje fisnike. Ajo derë duhet të shtohej domosdo. Në vitin 1937, në vjeshtë, Jaçja lidhi martesë me të mirën Deko, nga Izvori i rrethit të Tepelenës. Shkoi larg, Jaçe trimi, për të marrë nuse. Ai e dinte se vajzat nga “ malësia” ishin mjaft të përshtatshme për bashkëshorte; ato, ishin integruar shpejt dhe për bukuri me jetën e kalivaçasve. Shtëpia ku ishte rritur Dekua, ishte nga më fisniket; në atë fshat e në trevën përqark. Pinjollët e saj rriteshin me edukatë të shëndoshë dhe rezultonin të sjellshëm, punëtorë e të respektueshëm. Vajzat e  “malësisë”, në dyert ku kishin shkuar nuse, kudo, e kishin nderuar veten dhe origjinën. Vëllanë e Dekos, Riza Sefedinin, Jaçja e kishte mjaft për zemërdhe kënaqej kur e sshikonte në qoshe, në gëzime e gosti, madje dhe në raste fatkeqe.

Siç ishte në traditën kalivaçase dasma e Jaçes me Dekon u bë në Hysodosaj, në shtëpinë e Sadik Ismailit të ndjerë, në vjeshtën e vitit 1937. Nusja rrugëtoi, nga Izvori, në Kalivaç, e hipur, mbi një kalë të pajisur me takëme kalërimi ( shalë, frë, yzengji, mamuze), dhe të stolisur me lloj –lloj xhinglash. Në kokë, nuses i kishin hedhur një duvak, të kuq; kalin e tërhiqte një djalë i bëshëm, nga të fisit të dhëndrrit. Krushqit, gjithashtu të hipur mbi kuaj e të veshur me petkat më të mira, mbanin me vete, nga një shishe me raki të zgjedhur e të fortë, nga më e mira që kishin në shtëpi. Ata, herë pas here ia çkulnin këngës labçe, me sokëllima, që të ndiheshin, gjatë rrugës, ku kalonin. Për të bërë sa më tepër zhurmë, ata që ishin të “ specializuar” dhe që ishin të armatosur, garonin me njëri-tjetrin nëpërmjet qitjeve, në ajër, nga pozicioni i rrugëtimit mbi kalë. Në hejbetë e furnitorëve të krushqve, kundërmonte mishi i pjakur në hell; çyreku dshe revanija në saç. Në një vend të përshtatshëm, meqënëse rruga ishte e largët, me urdhrin e kryekrushkut, krushqit, u zbritnin kuajve dhe mblidsheshin rreth njëri-tjetrit, drekonin e këndonin. Nuses i ofrohej ushqim por, ajo, refuzonte.

Dasma e Jaçe bonjakut, në Hysodosaj, zgjati një javë. Në dasmë morën pjesë thuajse gjithë banorët e mëhallës dhe nga fshati. Miq, të afërt e të largët, u dyndën, si bletë. Motra e vetme, erdhi në shtëpinë e vëllait, gati një muaj përpara. Dasmorët, cilëtdo qofshin, i dhanë asaj dasme të veçantë, njaft gëzim e gjallëri. Për të përballuar punët e dasmës, i pari i asaj shtëpije; Azis Telhai, mobilizoi ysmetçinjtë më të mirë. Ai caktoi hanxharxhinjtë, të cilët i mprehën mirë hanxharët; thirri e caktoi gratë që do të gatuanin e do të bënin byrekët; ata që do të mbushnin ujë; drejtoi punët për nxjerrjen e druve të dasmës, caktoi krushqit dhe ishte në kontroll e drejtim të gjithë veprimtarive  dasmore. U grumbulluan enët, seçet, këmbjet dhe çdo gjë që kërkohej për të përballuar dasnën. “ Komandante” e shërbimeve nga gratë  ishte Havua e Kapllanit. Ajo fluturonte nga gëzimi dhe kishte të drejtë. Mbasi u nda nga jeta Nënë Xhemilja, Havua ishte në vend të saj dhe ndjente se po martonte djalin e saj. Kështu dhe Azis Telhai, i cili ishte vëlla dhe baba, për jaçe Sadikun.

U ther një kope me bagëti të imëta. Të shumtat i prunë miqtë. Era e mishit të pjekur në hell, kundërmoi mëhallën, për disa ditë. Burrat më të zotë si hanxharxhinj dhe gratë që gatuanin më mirë, u bënë ballë shërbimeve të shumta të atij gëzimi. Burra të ndjerë si Sulo Beqiri; Tefik e Mete Medini; Qamil Sulua e të tjerë dhe Bena e Tefik Medinit e të tjera gra që gatuanin me shijë, shkrinë pranë zjarrit, duke qullur e duke pjekur gayimet e dasmës. Miqtë e shtëpisë, si ata që ishin nga Kalivaçi dhe të largëtit, erdhën në dasmë ditën e shtunë, në të erur. Dy udhë të shpinin në shtëpinë e Jaçe Sadikut. Njëra vinte nga Dërrasa; tjetra nga çesma e Halilet. Një grup grash të fisit Azizaj e të Sulajve, zinin një pozicion të dukshëm, nga ku mund të vështronin ardhjen e miqve dhe i pritnin ata me këngë dasme. Më shpesh këndohej kënga:

“… Bluan mokra li e lesh;

Na vijnë dajot, me desh;

Me desh e me revani;

Hua ua paçim përsi;

Mot, në vjeshtë, si nashti…”

Miqtë e shumtë të asaj shtëpie ishin nga Izvori; nga Dorëza; nga Kuta; nga Sevasteri; nga Fratari; nga Krahësi; nga Toçi; nga Kashishti; nga Sinanajt; nga Dukajt, e nga treva të tjera. Fluturonte, nga gëzimi motra Fatime, e cila i gëzohej martesës të vëllait të vetëm, Jaçes. “Me krahë” u bë Havua e Kapllanit, e cila ndihej si Nënë e dhëndrrit, mbasi e kishte rritur dhe ia arriti ditës ta bënte me nuse. “Në qiellin e shtatë” ishte Azis Telhai, i cili priste urimet dhe kishte ndjesinë se po martonte djalin e vetëm. Gëzimi i kapërceu caqet e fisit e të mëhallës; për Jaçe jetimin gëzuan jo vetëm njerëzit, por, siç kanë thënë dikur, në Kalivaç: “ Gëzuan gurë e drurë”! Kishin arsye njerëzit që të ndiheshin të gëzuar e të lumturuar. Martohej pasardhësi i vetëm i Sadik Ismailit e do të shtohej ajo vatër e njerëzisë, e bekuar nga vetë Perëndia.

Dasmorët që vinin nga treva të tjera, në rrugë, shkëmbeheshin me të njohur e me të panjohur. Ata, të kapardisur mbi kuaj ose në këmbë, siç ka qenë traditë e mirë në Kalivaç, rrugëtonin serbes, me kokën lart dhe me gëzimin në sy. Kalimtarët e rastit, i përshëndesnin dhe nuk ngurronin ti pyesnin:  “Për ku kështu”? Dasmorët, pa u menduar, përgjigjeshin shkurt e qartë: “ Shkojmë në dasmë, or në dasmë, në Hysodosaj; se martohet Jaçe Sadiku” dhe vijonin udhën. Kalimtari, i rastit, uronte: “ Të trashëgohet; nusja me këmbë të mbarë dhe i zoti i dasmës ua pastë hua, në shtëpinë tuaj, për dasma e në gëzime”! Me këtë gjendje shpirtërore, dasmorët, i afroheshin mëhallës në majë të bregut dhe shtëpisë të Jaçe Sadikut. Ata e bënin “ nxemjen”, udhës duke shkuar në dasmë. Për ta, dasma kishte nisur, akoma pa mbërritur në shtëpinë e dhëndrrit Jaçe.

Nuk besoj se do të mërzitet lexuesi i duruar, po të shtrihem pak dhe tek veshja e dasmorëve. E para gjë që binte në sy ishte veshja e petkave më të reja. Ata ishin të larë, të ndërruar, të qethur e të rruar. Në kokë mbanin qylahun e bardhë, me majë sipër dhe  uniforma e tyre ishte e njëjtë: xhaketë e pantallona shajak i zi; bluzë e punuar me shtiza, poshtë xhaketës; konde ( këmishë) të bardhë e fanellë mishi. Dasmorët nuk harronin të merrnin me vete një faqore me raki të mirë nga e shtëpisë, të cilën e konsumonin udhës, së bashku me kalimtarët e rastit. Ata komunikonin me zë të lartë e të qartë, sikur bënin stërvitje, për të kënduar në dasmën që pritej. Vini re diçka që rrallë ndodh në kohët moderne: Këmbeheshin dy njerëz të mirë, në udhë. Asnjeri nuk ia kishte ngenë tjetrit të ulej për të biseduar, shtruar, siç dinin ata, por, me dy fjalë që këmbenin, me dashamirësi i jepnin njëri-tjetrit shumë dashuri e i shprehnin mirësi, pa kufi, dhe ia mbushnin shpirtin shoqi – shoqit, me gëzim. A nuk është kjo një atmosferë e mirëfilltë dasme, ku fjalët e mira derdhen si lumë?

Vlerat e kësaj vijë sjelljeje, ishin të shumta. Gëzimi i dasmës nuk mbetej i izoluar, vetëm tek dhëndrri e tek nusja, të cilët ishin protagonistët kryesorë në atë gëzim; as në familjet e tyre apo brenda fisit, por merrte dhenë, shkonte në çdo familje e në çdo fshat nga kishin ardhur miqtë. Ajo “ bëhej pronë” e shumë njerëzve. Pas dasmës, në çdo vatër, për shumë kohë, pas punëve të lodhëshme në ekonomitë bujqësore të familjes, njerëzit flisnin për daasmën që u bë në shtëpinë e Sadik Ismailit, për dhëndrrin e për nusen dhe për kënaqësinë që solli ajo dasmë. Kësisoj, dasma e Jaçe Sadikut me Dekon, ishte kryefjala e gjithë bisedave, në Kalivaç e më gjerë.

Miqtë i afroheshin mëhallës dhe shtëpisë ku bëhej dasma, nga drejtime të ndryshme, sipas trevave, nga vinin. Shpesh, ata grupoheshin, sipas fshatrave kufitarë dhe, kur afroheshin tek mëhalla ku bëhej dasma, jo vetëm që ia merrnin këngës por qëllonin dhe me armë. Qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve ishte që, duke bërë zhurmë, ti jepnin dasmës më shumë gjallëri dhe të binte në sy ardhja e tyre në dasmë. Në dasmën e Jaçes, miqtë që kalonin lumin në lundrën e Kalivaçit, kur mbërrinin tek haurët e Mete Medinit, ndalonin pak, ia merrnin këngës dhe përshëndesnin, me armë. Ata që vinin nga fshatrat e Mallakastrës, këtë rit e kryenin sapo kalonin Çesmën e Thatë; dhe ata që vinin nga krahina e Krahësit e nga fshatrat përqark saj, sapo dilnin në Majën e Dërrasës, kryenin të njëjtin rit. Po cfarë ishte ky rit e cila ishte simbolika e tij? Dikuush mund ta emërtojë si ashpërsi e prapambetje shekullore. Me vendosmëri këmbëngul se ky rit i lashtënuk ka lidhje me ndonjë skenë horori, siç mund të mendohet, me ligësi.  Për mmendimin tim, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një përshëndetje, me një urim e gëzim, kësaj here, së largu, në distancën që e kap veshi i njeriut, por, gjithsesi është gëzim e krenari, në të njëjtën kohë. Brenda tij janë të pleksur: urimi, gëzimi dhe përhapja e jehonës së dasmës, euforia e zemërbardhësia  e dasmorëve. Ata, duke ndjerë gëzimin e dasmës, nuk duan ta mbajnë për vete këtë, por e ndajnë me të gjithë fshatin, duke nderuar veten dhe duke respektuar familjen ku bëhet dasma, si dhe përhapin një gjendje gëzimi në mjedisin përrreth. Eshtë dhe një mënyrë për të njoftuar ata që nuk e dinë, në kushtet kur mjetet e tjera të komunikimit ishin të kufizuara.

Në odën ku ishin sistemuar gratë, urimin e priste Havua e Kapllanit, e cila ishte në vend tëNënës së Jaçes dhe u bë shpejt, vjehrrë e shoqe e Dekos. Gëzimi i saj, në atë ditë nuk njihte kufi. Ajo martonte “ dritën e syrit”, Jaçe Sadikun, të cilin e kishte rritur dhe e donte si Ramizin, vëllanë e vetëm. Në odën e burrave, ishte ulur, në vatër, Azis Telha Azizaj, të cilin, Jaçja vërtet e kishte kushëri të parë, por i ishte ndodhur vëlla e shkuar vëllait. Ai e kishte rritur Jaçen, si birin e tij, e kishte përzemër dhe sot, priste, i lumturuar, urimet e dasmës së tij. Fluturonte nga gëzimi Havua fisnike, e sigurt se martesa e Jaçes do ta bënte vjehrrë dhe në krah do të kishte po një grua fisnike, si Dekua, të cilën do ta kishte si motër dhe shoqe, brenda së njëjtës avlli.

Nusja e re, Dekua, me hiret e vajzës së re, të pastër, me pamje tërë nur i shtoi shkëlqimin atij pragu dhe zbukuroi mëhallën. Asaj i ndriste vendi ku vinte këmbën e ku ulej. Por, nuk ishte kjo, e vetmja mirësi që hyri në atë derë. Dekua dhe Jaçe Sadiku e mbushën shtëpinë me një tufë fëmijë. E meritonte ajo derë zhurmën dhe “ cicërimat” e fëmijëve aq shumë të dëshiruar e të munguar. Erdhën në jetë, njëri pas tjetrit: Guriu; Xhemilja; Mysadetja; Sadiku; Namiku dhe Ajeti. Shtatë fëmijët e çiftit të ri, e populluan dhe sollën më tepër gjallëri, në atë majëbregu.

Së bashku me Dekon, Jaçja u përfill punëve për të bërë “ zap” ekonominë bujqësore të familjes, e cila kishte uri për fuqi krahu. Ata, gdhiheshin dhe erreshin në arë dhe punët u shkuan mbarë. Shtëpia e tyre u mbush me fëmijë e me bereqet. Në katua, në kasolle dhe në avllinë e shtruar me pllaka guri gëlqeror, gumëzhinin nga bagëtitë e imëta dhe nga gjedhët e kuajt e tyre.  “ Cicërimat’ e fëmijëve dhe blegërimat e të imëtave, dëgjoheshin prej së largu. Kur çdo gjë shkonte për bukuri, ndodhi një e papritur që shqetësoi jo vetëm familjen e Jaçe Sadikut dhe Kalivaçin por, tërë vendin.Erdhi ai 7 prill i zi, i cili ishte i tillë, jo vetëm për Azizajt dhe për kalivaçasit, por dhe për të gjithë vendin. Shqipërinë e pushtoi Italia Fashiste dhe populli humbi lirinë. Qetësia e deriathershme, u prish e shpirtrat e njerëzve u trazuan. Jaçja, ndonëse i pashkolluar, kuptoi se pushtimi fashist ishte robëri. Tek ai, shpejt, u zgjua geni, atdhetar i të parëve të tij, i cili, pak nga pak u kthye në urrejtje për pushtuesit e në një dëshirë të zjarrtë për shporrjen e tyre, nga vendi ynë.

Jaçe Sadikukishte lidhje miqësore me atdhetarin e shquar dhe luftëtarin e rrallë për lirinë e vendit, me burrin nga Kuçi i Kurveleshit, Jaho Gjoliku. Ai kishte idhull, gjitonin trim, Sulo Beqir Sulaj, të cilin e trajtonte si vëlla e ia dëgjonte fjalën. Sulo Beqiri, kishte rënë në kontakt me idenë e shporrjes, me armë të pushtuesve fashistë nga vendi dhe për kthimin e lirisë e të qetësisë, në popull. Jaçja nuk e kuptonte atëherë qëllimin e luftës antifashiste, e cila kishte nisur “ të buiste” edhe në Kalivaç të Tepelenës, por ai urrente pushtimin e vendit dhe donte të ishte i lirë të punonte arat e tij e të menaxhonte, pa të huaj mbi kokë, mallin që i kishte lënë babai, të cilin e kishte shtuar e veselitur me shumë mundime.

Viti 1942, në pranverë, e hodhi përfundimisht Jaçe Sadikun në radfhët e çlirimtarëve. Pas disa takimeve me Jaho Gjolikun dhe me Sulo Beqirin, ai la vatrën e doli në mal, për liri.  Nuk e konceptonte plotësisht termin liri, por, në optikën e tij, prej fashatri të pashkolluar, Liria donte të thosh të mos kishe njeri mbi kokë e ti të punoje si skllav, për të tjerët. Për të arritur këtë, Jaçja la parmendën e rrëmbeu dyfekun. Ai u bë pjesë e çetave territoriale që vepronin në trevën tonë, para se të formohej batalioni parrtizan “ Baba Abaz”, në Donike të Kalivaçit. 10 gushti i vitit 1943, dita kur u formua ky batalion partizan, e gjeti Jaçe Sadikun, partizan, me një “barrë” përvojë lufte. Shëmbulli veprues i Jaçes dhe puna e palodhur vetmohuese e luftëtarit të regjur për mbrojtjen e trojeve shqiptare, Sulo Beqirit, hodhi në radhët e partizanëve  52 luftëttarë kalivaças.

Veprimtarinë kryesore luftarake, trimi Jaçe Sadiku e zhvilloi në përbërje të Brigatës së 6-të sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Ai ishte i rrjeshtuar në Batalionin partizan” Baba Abaz”; në kompaninë e tretë të tij. Kur Jaçja u hodh në mal, me partizanët, bashkëshortja e tij, nusja e re Dekua ishte me bark tek goja nga shtatzanija me fëmijën e parë. Ajo e përcolli të shoqin, deri tek porta e avllisë, me lotë në sy e me urimin: “ Të ruajtë Zoti dhe ardhsh me fitore”! Në familjen e Jaçe Sadikut, pas daljes së tij partizan, u krijua një situatë e rëndë. Një nuse e re, shtatzanë, e vetme, në një shtëpi, me mall e katandi.

Situatën e komplikuar e mori në dorë Havua e Kapllanit, njëra nga gratë “ kapedane” të Kalivaçit, e njohur si e zonja e fjalës dhe e punës. Ajo, si vjehrrë e si kunatë me e moshuar e Dekos, u bë “jatak”për nusen e re dhe u kujdes për të, si nënë e si motër. Havua dhe burri i saj, i urti e punemadhi Azis Telhai, njeri nga njerëzit me të drejtë e më të ndershëm në fshat e me gjerë, u vunë shpatullat punëve dhe përballuan vëllimin e madh të punëve në ekonominë e tyre bujqësore dhe në mallin e Jaçe Sadikut të cilin e kishin njeriun me të afërt të tyre.

Jaçe Sadik Azizaj, në formacionin partizan ku u rrjeshtua, ra shpejt nësy të komandantëve të njësiteve partizane, për shkak të disa tipareve të veçanta që i duheshin një partizani. Para së gjithash, Jaçja ishte trim e nuk e përfillte rrezikun. Jaçe Sadiku kishte zbritur në fushën e burrave, ku kryefjala ishte trimëria, për të shporrur fashizmin nga toka amëtare dhe nuk kishte forcë në botë që ta kthente mbrapa. Nisur nga të qënit trim dhe nga fiziku i tij i lidhur mirë e i fortë, drejtuesit e batalionit “ Baba Abaz” dhe ata të kompanisë të tretë e caktuan Jaçen në detyrën e mitralierit të skuadrës. Detyra e tij, në çdo aksion lufte ishte të mbështeste me zjarr, sulmin dhe tërheqjen, kur duhej, të shokëve.

Duke marrë pjesë në çdo aksion luftarak që zhvillonte njësia ku ai bënte pjesë, dita-ditës, Jaçe Sadiku u formua me tiparet e një partizani, tek i cili, vlerat fillestare iu shtuan dhe aftësi të tjera të domosdoshme luftarake. Mitralozi partizan, në duart e Jaçe Sadikut “ këndoi” në Mvrovë e në Ysoverdh, në Margëlliç e gjetkë, deri në Vishegrad të Jugosllavisë.  Në një aksion luftarak kundër forcave gjermano-balliste, në Ysoverdh, Jaçja dhe grupi i sulmit i partizanëve u tradhtua nga udhërrëfyesi e ra në kurth. Nga 20 partizanë që përbënin grupin e sulmit, vetëm 2 mbetën të gjallë. Në atë aksion luftarak, midis të tjerëve, ra dëshmor skuadërkomandanti trim nga Kalivaçi, babai i 5 fëmijëve, Muharrem Hasan Nelaj. Humbja e shokëve dhe e bashkëfshatarit kalivaças e ligështuan Jaçen, të cilit, nuk ia pa njeri pikën e lotit. Trimi Jaçe Sadiku, nuk u step nga kjo humbje por iu shtua inati kundër fashistëve dhe veglave të tyre e iu shtua urrejtja ndaj pushtuesve. Por kjo nuk ishte e vetëmja betejë ku “ këndoi” mitralozi i Jaçes. Partizani Jaçe luftoi heroikisht në luftën e Shkallës së Zezë; në luftën për çlirimin e qytetit të Tepelenës. Në betejën dhëmb për dhëmb në Dukaj të Tepelenës, në Mezhgoran dhe kur ishte në roja të Kongresit të Përmetit. Trimëria e tij u shpalos në betejën e ashpër të Margëlliçit ( Patos), në operacionin për çlirimin e Tiranës, në luftimet në zonën e Mirditës e në atë për çlirimin e qytetit të Shkodrës, në Orosh, e deri në Vishegrad.

Në betejën e ashpër të Margëlliçit, ku ranë, për liri Heronjtë e Popullit Lefter Talo, Mustafa Matohiti e Dino Kalenja, mitralieri Jaçe Sadiku u tregua jo vetëm trim me fletë, por dhe mjaft i shkathët, për të qënë në lartësinë e detyrave luftarake. Armiku, në këtë betejë, qëllonte me mortaja. Jaçja, pa patur as njohuritë më elementare mbi teorinë e probabilitetit, bënte çvendosjen e mitralozit, atje ku binte predha e mortajes. Ai, me intuitë dhe me përvojën që kishte fituar, e dinte se predha e mortajës nuk binte dy herë në të njëjtin vend. Në këtë betejë, Jaçe Sadiku u plagos, në brinjë dhe, pas mjekimit në spitalin partizan, e mbajti vrapin tek mitralozi i tij, pa të cilin nuk jetonte dot.

Guximi dhe trimëria ishin bashkudhëtarë të Jaçes, që nga fshati i tij i lindjes, kur u nis, ditën e parë, deri sa u kthye nga lufta. Jaçe Sadiku u kthye nga lufta, në pranverën e vitit 1945, nëpërmjet Dibrës. Shqipëria u çlirua e forcat  partizane u kthyen nga lufta fitimtare. Ushtria Nacionalçlirimtare, e shtuar në numër dhe e organizuar, sipas modelit të Ushtrisë të Kuqe, u shndërrua në Ushtri Popullore. Mjaft ish partizanë, sipas aftësive e meritave  u ngarkuan me organizimin dhe drejtimin e ushtrisë të re. Mjaft të tjerë u dërguan në shkolla ushtarake, jashtë shtetit, për tu kualifikuar e specializuar. Fillimisht ata u dërguan në Jugosllavi e, pas ndërprerjes së marrëdhëmieve me këtë vend, kaluan në Bashkimin Sovjetik.

Jaçe Sadiku vërtet ishte i pashkolluar por, në zjarrin e luftës kishte kultivuar tipare të domosdoshme për një ushtarak. Ai ishte i regjur si luftëtar i lirisë dhe i prerë, për të qenë ushtarak. Mbi këtë bazë, Jaçen e thirrën dhe i propozuan detyra e ofiqe të larta, por ai nuk pranoi asnjërën syresh. Këtu ngjau diçka e rrallë, e cila tronditi mbarë formacionin luftarak ku bënte pjesë Jaçe Sadiku. Ai, me mitraloz në krah, u paraqit në komandë dhe i tha komandantit e komisarit, prerë: “… kur hodha dyfekun në krahe dola malit për liri, i vura vetes detyrën: të shporrim pushtuesin dhe të kthehemi për të punuar arat, të qetë e pa pushtues mbi kokë. Vendi u çlirua, tani, do të shkoj, në Kalivaç të Tepelenës e do ti kthehem parmendës…”.

Jaçja dorzoi mitralozin, të cilin e kishte si pjesë rë trupit dhe komanda i dha për kujtim, një pushkë, të cilën ai e mbajti deri në hyrje të viteve ‘70. Djemtë e tij u rritën dhe nuk linin dy gurë bashkë. Ata, merrnin pushkën nga muri ku qendronte varur dhe luanin me njëri-tjetrin. Jaçja, kishte fshehur fishekët e kishte hequr shulin e armës dhe ata vetëm sa luanin luftash, me pushkën e babait.

Me rrobat e partizanit veshur e me pushkë në krah, partizani Jaçe Sadiku, në kulmin e sezonit të mbjelljeve të pranverës, erdhi në fshatin e lindjes ku e priste Dekua dhe Guriu i vogël, gjitonët dhe miqësia e shumtë e familjes. E priste malli e gjëja, të cilat, gjatë mungesës së jaçes ishin tkurrur. Luftoi Jaçja, tre vite me radhë, në vendin tonë e në ndihmë të popujve të Jugosllavisë dhe si shpërblim, nëse mund të shprehem kështu, mori një pushkë të cilën e mbajti të varur në mur, derisa e dorzoi, vullnetarisht.

Para se të merrte vendimin që u përmend më sipër, Jaçja e pleqëroi vendimin që do të merrte, me shokët e tij të fëmijërisë e të luftës si: Sinan Hasani; me vëllezërit Bakaj dhe me idhullin e tij komandantin partizan Sulo Beqir Sulaj. Ata e këshilluan të pranonte propozimin e komandës, për tu sistemuar në ushtri, si shokët, por Jaçja, me kokfortësi, këmbënguli në të tijën dhe u nis për në fshat. Shtëpinë që i kishin lënë prindërit, e kishin shkatërruar gjermanët, me top, nga udha në mes të malit të Kudhësit dhe Jaçja gjeti një grumbull gurësh e llaçi. Në truallin e shtëpisë të vjetër ai u përfill e ndërtoi një shtëpi të re,kësaj radhe përdhese, me shtrirje Jug-Veri, me derë nga Veriu, e ftohtë, e mbuluar me pllaka guri, të bardhë. Përballë derës së përdheses ishte një vendstrehim për opingat e mysafirëve dhe dy sofatë, ku uleshin njerëzit e shtëpisë, kur vinin të lodhur nga punët, sa për të marrë pak frymë. Vendasit këtij sheshpushimi i thoshin shkallë. Ajo, sipër ishte e mbuluar nga nje strehë e lehtë. Përballë, e ndarë nga një avlli e madhe, e shtruar me pllaka guri, ishte banesa njëkatëshe e Azis Telhait, kushëri i parë i Jaçes. Në avlli bridhnin lirshëm pulat e shumta që mbarështonte Havua dhe Dekua.

Kur u kthye nga lufta, Jaçja e gjeti ekonominë bujqësore të familjes të rrenuar e të paksuar. Lufta e varfëroi më tej Kalivaçin, si gjithë vendin. Shtëpia e Jaçe Sadikut nuk mund të bënte përjashtim. Ca më tepër kur i zoti i shtëpisë nuk ndodhej pranë saj. Bagëtitë e imëta dhe lopët ishin pakësuar, arat kishin mbetur të papunuara ose kishin dalë jashtë qarkullimit bujqësor, të ardhurat e familjes kishin pësuar lëkundje të ndjeshme,etj.

Kthimi, nga lufta çlirimtare e Jaçe Sadikut solli mjaft gëzim në vatrën e tij. Ishte një nga ndodhitë më të gëzuara, për familjen, fisin e gjithë dashamirësit e asaj shtëpie. Asaj shtëpie fisnike iu kthye i zoti, pas plot tre vitesh, nga Lufta e ashpër kundër fashiztëve dhe veglave të tyre. Siç më thoshte vetë Jaçja,” ku nuk luftoi i ziu Jaçe, deri në Vishegrad vajta”. U dyndën, për ta takuar e për ta uruar luftëtarin trim, gjithë mëjhalla, shoqëria dhe miqësia, kudo ku ndodheshin. Mysafirët e shumtë e uronin Jaçen, që erdhi shëndoshë e mirë, nga ajo luftë e ashpër dhe e pabarabartë dhe për faktin se gjatë mungesës së tij në shtëpi, familja ishte shtuar me një djalë, emri i të cilit ishte Guri dhe simbolizonte jetëgjatësinë. Jaçja ishte bërë baba e ky ishte një gëzim tjetër për atë dhe për Dekon që e pruri në jetë.

Siç ndodh rëndom, në Kalivaç, por jo vetëm, kur ka grumbullime, në një shtëpi, dashamirët e shtëpisë qëndronin gjatë ( deri sa këndonin kaponjtë N N) në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe ja shkulnin këngës vënçe-labçe. Tundej mëhalla e Hysodosajve, nga kënga labe dhe gëzimi e hareja nuk kishin kufi. Për Jaçen, për Dekon, për Havon dhe për Azis Telhanë, kjo ishte një dasmë e dytë pas asaj të vjeshtës së vitit 1937.

Sipas një rregulli të pashkruar por të pranuar, pjesëmarrësit në gëzim ia merrnin këngës, me radhë. Zërat e burrave e të grave kombinoheshin në mënyrë që kënga të vinte “ gjym”. I erdhi radha për tia marrë këngës Jaçe Sadikut. Ai vërtet ishte djalë fshati, dhe këngëtar i mirë, por. në luftë, ku partizanët,  në intervalet mes luftimeve, mblidheshin  e këndonin, kishte patur në njësi mjaft djem  “levendë”, nga Bregu. Prej tyre, Jaçja kishte mësuar të këndonte labçe, në stilin e bregut. Kur ia merrte ai këngës, asnjeri nga ata që ishin të ulur në trapez, nuk ia mbante e nuk ia hidhte dot. Atëherë, për të larguar mërzitinë që lindte tek pjesëmarrësit, Jaçja ia merrte labçe-vënçe dhe kënga shkonte për bukuri. Jaçe Sadiku kishte të preferuar këngën e njohur:

“… Kush është lule e vilajetit?

Bota ia kanë sevdanë;

Himara, në breg të detit;

Shtatë fshatëra që janë…”

Këngë tjetër, të cilën Jaçja e kishte për zemër, ishte  kënga e mërgimit  e grupit të Neço Mukës, e cila lindi e u këndua fillimisht, në Lion të Francës, në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ku mjaft djem nga Bregu ishin në emigracion. Kënga jehonte:

“… Vajzë e valëve, zemëra sia mban;

Mbi një gur anës së detit, qan e zeza, qan e mjera, qan e zeza, qan…”

Më tej, biseda rridhte në shtratin e zakonshëm. Flitej për Luftën Nacionalçlirimtare dhe për heroizmin partizan. Jaçe Sadiku ishte kryefjala e bisedave të çdo nate. Për shëndetin e tij u pinë dhjetra mirësi e dolli. Kur “ngroheshin” gurmazët e kur pjesëmarrësve në kuvend u mjegullohej mendimi, disa burra e gra, nuk ngurronin të dilnin në valle. Gratë kërcenin valle të shtruara e u kishte hije. Kur dilnin në valle mëhallalinjtë Kalo Qazo e Mete Medini, një çift vallëtarësh të mirënjohur në fshat, tundej vendi.

Jaçe Sadiku dëgjonte, me vemendje komentet e njerëzve, merrte informacionin e nevojshëm e rrallëherë, vetëm kur ia kërkonin, ai rrëfente për luftimet ku kishte marrë pjesë. Jaçja e kishte mjaft të vështirë dhe bezdi të madhe, të rrëfente për vete. I dukej sikur po vetëmburrej e po shiste mend. Ai e kishte të qartë fabulën, se trimi nuk vetëlëvdohej e nuk nxirrte gjoksin; vlerën e tij e përcaktonin ata që ndodheshin rreth tij.

E kishte pikur malli Jaçe Sadikun, për të tijët por, ata  praktikisht e kishin të pamundur ti vinin atij, të gjithë, në shtëpi, prandaj, ai u shkonte, në shtëpitë respektive. Rrugën e parë, Jaçja e bëri në Dorëz, në familjen e Ali Danos, me të cilin kishte martuar motrën e vetme, Fatimenë. Motra Fatime dhe i shoqi kishin ardhur në Hysodosaj, ndër të parët, por vëllai ndjente obligimin për ti shkelur derën mikut të mirë. Pastaj nori udhën për në Izvor. Jaçja nuk mund të rrinte pa shkuar në shtëpinë e prindërve të Dekos. Ca më tepër se vëllanë e gruas, Riza Sefedinin e kishte mjaft për zemër.

Në Hysodosaj dhe në fshat, Jaçja vajti në çdo vatër. Gjatë tre vjetëve që ai kishte munguar, në fshat kishin ndodhur ngjarje të ndryshme. Dikush ishte martuar; një i dytë ishte shtuar; dikujt i kishte shkuar djali ushtar apo i ishte liruar prej saj. Kishin ndodhur fejesa, dikush kishte bërë djemtë synet; një tjetër kishte patur vaki etj, etj. Ishte në nderin e tij, tu shkelte shtëpinë, të gjithëve e t’u thoshte një fjalë të ndrequr, sipas rastit. Jaçe Sadiku ishte i rrogozit e i zinte të gjithë shtigjet. Kjo vijë sjellje e tij, ja shtonte shumë dashurinë dhe respektin e njerëzve, në Kalivaç e më gjerë.

Akoma pa u çmallur mirë me të tijët e me dashamirët e tij, Jaçja, së bashku me Dekon u përfillën për të punuar arat; në Rredhe, në Jorga e në Gurje, si dhe u kujdes për t’u kryer shërbimet e nevojshme ullinjve dhe penëve frutore të familjes. Azis Telhai, gjatë viteve të largimit të Jaçes nga shtëpia, ishte në rolin e kujdestarit për të dyja ekonomitë. Ai, ishte mjaft i përkushtuar për mbarëvajtjen e punëve  në pjesën që i përkiste Jaçes dhe u investua mjaft, por, aq ishin mundësitë. Në kushtet kur Havua e Kapllanit, bashkëshortja e tij ishte e atashuar pas Dekos me njëfëmijë gjiri, Azis Telhai nuk kishte asnjeri që ta ndihmonte në misionin e tij human.

Jaçja, shumë punëtor e i fuqishëm, dhe Dekua, punëtore kokëulur dhe e bindur, diku me forcën e tyre të krahut e diku me ndihmën e argatëve, sidomos në fushata, brenda një kohe të shkurtër ia arriti ta mëkëmbte ekonominë e rrënuar të familjes së tij dhe ta radhiste atë me nivelin e ekonomive pranë. Duhet thënë se në këtë ndërmarrje të vështirë, ai pati dhe mbështetjen e ndihmën bujare  të gjitonëve, të mëhallalinjve, miqve dhe shokëve të shumtë të tij. Ata iu Gjendën Jaçes, pranë, në  “hallin” që kish.

Luftëtari i shquar i lirisë, njeriu me kontribute me vlerë, në aksionet luftarake të njësiteve partizane, mendonte se, me shporrjen e pushtuesve nga vendi dhe me çlirimin e Shqipërisëm angazhimi atdhetar i tij kishte marrë fund e ai, me parmendën në krah e me pendën e qeve përpara, do ti përkushtohej bujqësisë, por nuk ishte kështu. Një tjetër luftë, jo më pak e lehtë nga e para, e priste Jaçen dhe bashkëluftëtarët e tij, për të konsoliduar arritjet e për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Kur përfundoi lufta çlirimtare, Jaçe Sadiku nuk pranoi grada e ofiqe e mori udhën për në Kalivaç, me qëllim që të mëkëmbte ekonominë e familjes të rrënuar nga lufta e nga mungesa e tij për tre vite, por, kusuret për të nuk kishin mbaruar. Atë e pritën në fshat, si ujët e pakët që mbushnin në Donije të Kalivaçit dhe e rrethuan me një dashuri, autoritet e respekt, absolutisht të merituar. Jaçes i dëgjohej fjala në kuvend e i dëgjohej mendimi; ai u vu në ballë të “ aksionit” për shndërrimin e fshatit të tij dhe të gjithë trevës, sipas ideve të Luftës Nacionalçlirimtare që sapo kishte përfunduar.

Kur ishte në mal, partizan, Jaçja, si i dalluar në aksionet luftarake, ishte pranuar anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Natyrisht, sipas rregullave e normave të përcaktuara për kohën e luftës. Me këtë status ai erdhi në Fshat, por në atë kohë, në Kalivaç nuk kishte organizatë-bazë partie dhe Jaçja nuk kishte mundësi ta bënte jetën e partisë, në fshatin e tij. Asokohe, për shkak të numërit të pakët të anëtarëve të partisë, një organizatë-bazë “ mbulonte” disa fshatra. Kësisoj, Jaçes, si i vetmi burrë krah pune, për të marrë pjesë në mbledhje, i duhej të shkëputej nga punët, nga shtëpia dhe nga fëmijët që i erdhën njëri pas tjetrit, me ditë të tëra. Ai mungoi shumë herë në mbledhje dhe më në fund e pa të udhës të dorzonte teserën e partisë.  Jaçes  ky veprim, nuk ia lëkundi sjelljen prej atdhetari e luftëtari për lirinë e vendit të tij.

Erdhën shpejt, vitet e kolektivizimit të bujqësisë. Ky ishte një ndër aksionet më të rëndësishëm politik në udhën e përparimit të bujqësisë. Viti 1956, datoi krijimin e kooperativës bujqësore në Kalivaç të Tepelenës. Fillimisht anëtarë të kooperativës bujqësore u bënë pak familje. Ato u shtuan nga dita në ditë e nga viti në vit. Jaçe Sadiku kishte mendimet e tij, për këtë rrugë të re, të pashkelur më parë. Ai ishte i lidhur ngushtë pas tokës së trashëguar nga të parët  e pronave të tjera vetjake dhe nuk u bashkua që në fillim me bashkëfshatarët e tij, në kooperativën bujqësore. Ai u fut në kooperativë, pas tre vitesh, nga formimi i saj. Ky qendrim absurd i partizanit të regjur Jaçe Sadiku, ishte një minus për të, rrjedhojë e kokëngjeshjes së tij, gjë që nga lakejtë e regjimit të ri përkthehej si kundërshtim i direktivës së partisë  mbi rrugën e zhvillimit të fshatit. Tek të tijët, mes fqinjëve, mëhallalinjve, bashkëfshatarëve, miqve e shokëve të tij, opinioni pozitiv, për Jaçe Sadikun, nuk u lëkund, autoriteti dhe respekti për të qendruan në nivele të lartë. Mirëpo ai përjetoi, me dhimbje vështrimin  “shtrembër”, nga disa servilë, karreristë e spiunë, të cilëve u dhimbte pozicioni i tyre i shpifur.

Jaçja, nga kjo situatë nuk doli pa lagur. Ai, i brengosur e i mërzitur me veten e me qendrimet sektare të atyre pushtetarëve, për të cilët kishte sakrifikuar mjaft, u mbyll në vetvete, u largua nga fshati e u vendos në pronat e familjes në Çesmën e Thatë, në kufi me Çorrushin. Ai ngriti kasolle, në anë të udhës nëpërmjet të cilës qarkullonin karvanët, të cilat ishin të ngjashme me shtëpitë e banimit, por të mbuluara me kashtë dh dhe të lyera me baltë, ngabrenda.  Shërbëtorët kokëboshë të regjimit, nuk u mjaftuan me anatemimin e tij; nisën presionet, shantazhet dhe kufizimet, për Jaçen dhe familjen e tij. Nuk bëhej fjalë për ta bindur të pabindurin Jaçe Sadiku që të futej në kooperativën bujqësore, por për ta larguar atë nga dieja e kolektivizimit të bujqësisë, për ta vënë kundër sdirektivës së partisë, të cilën, edhe pse i përjashtuar nga radhët e saj, vazhdonte ta donte shumë. Familjen e Jaçe Sadikut, për ta detyruar të ndërronte mendje kryefamiljari i saj, hera-herës e gjobitën, e privuan nga edrejta për të shfrytëzuar ujrat, nuk e furnizonin me energji elektrike; e kufizuan në shfrytëzimin e sipërfaqe kullosore etj. etj. Këto ia shtuan inatin Jaçes dhe kokfortësia e tij mori revan.

Jaçe Sadiku u fut në kooperativën bujqësore të fshatit, tre vite, pas formimit të saj, jo si rrjedhojë e presioneve dhe kufizimeve që i bëheshin, por kur iu mbush mëndja. Ai vërtet u bashkua me bashkëfshatarët e tij në udhën e kolektivizimit të pronës dhe të punës, por, ai nuk luajti nga tokat e të parëve të tij, në Çesmën e Thatë. Në vitin 1970, ai ndërtoi shtëpi, me mure guri e me çati të mbuluar me pllaka po prej guri e me themele të fortë. Megjithatë, edhe pas këtej, Jaçe Sadiku nuk i ndërpreu lidhjet me njerëzit e tij të fisit dhe me mëhallalinjtë e tij. Oxhaku i përdheses të Jaçe Sadikut, në Hysodosaj nxorri tym, deri në mesin e viteve ’90 të shekullit të shkuar.

Në kooperativën bujqësore, si njeri i drejtë e i ndershëm, administrata i besoi detyrën e rojës së fushës. Në grumbullimet e drithërave, në të vjelat e perimeve, kudo ku u caktua ai, për të ruajtur pronën e përbashkët, shquhej për sjelljen dashamirëse dhe komunikimin me korrektesë, me njerëzit. Malli që ishte në ruajtjen e Jaçe Sadikut ishte i sigurtë. Siguria  dhe besnikëria kishin emrin Jaçe. Zakonisht, rojat që sillen me rigorozitet, në detyrë, pa dashje futen në konflikt me disa bashkëfshatarë, të cilët kërkojnë favore e privilegje. Me Jaçe Sadikun, kjo nuk ndodhte kurrë. Jo se njerëzit e kishin frikë atë, por e dinin që ndershmëria e tij nuk linte shteg hapët.

Në Kalivaç e gjetkë, kur urojnë një të moshuar, i thonë: “Pleqëri të bardhë”! Kuptimin e këtij urimi, nuk besoj mos ta dijë njeri. Jaçe Sadikut, atij trimi me fletë, i cili të merrte gjak në vetull, pleqëria i erdhi e mbrapshtë.  Vuajtjet fizike dhe ato shpirtërore e squllën vitalitetin e tij  e ai u plogështua. Nuk them ndonjë të re potë përsërit se jeta ka disa limite e kufizime të cilat, nuk të pyesin cili je e kush ke qenë.

Në mesin e viteve ’80 të shekullit që lamë pas, Jaçja u sëmur, nga prostata e u detyrua ti nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale, në pavijonin e urologjisë, në Spitalin Qëndror, në Tiranë. Ai u operua, dy herë, nga kirurgë me emër si Mustafa Xhani; Kastriot Dautaj dhe Shaban Malaj. Personeli mjekësor, bëri gjithsa varej prej tij, për ta eliminuar atë sëmundje të mallkuar, por nuk mundi. Ato ishin mundësitë. Kur Jaçja i tha mjekut me emër, Tuçit se kishte luftuar përkrah babait të tij ( Baba Faja Martaneshi), ky i rrahu shpatullat e përqafoi dhe e përgëzoi.

Ishkova, disa herë, për ta parë, kur ishte i shtruar, në spital. Më vjen në mend njëri nga këta raste: Ishte i shtruar në katin e dytë të repartit të kirurgjisë, në njërën nga dhomat, afër fundit të korridorit. E gjeta Jaçen, të ulur mbi një krevat fqinjë, përbri shtratit të tij. Sanitarja po pastronte dhomën. Dëgjova ti bënte verejtje Jaçes, perse e kish mbushur çarçafin me duhan ( Jaçe Sadiku e pinte duhanin me çibuk dhe duhani, kur ai e nxirrte nga qeseja, ku e mbante, përhapej nëpër shtrat). Plaku Jaçe, i zënë në gabim, nuk turfulloi, si më parë, por i tha gruas: “ gabim”! Nuk e përmbajta dot zemërimin dhe reagova, me pa të drejtë. Iu drejtova sanitares, me peshën e autoritetit që më jepte statusi i oficerit dhe afërsia gjinore me të sëmurin që e kishte të vështirë të reagonte. “Kujt i flet ashtu, ti, a e di moj se kush ka qenë ai e çfarë ka bërë”? Nuk u ndie gruaja, por vijoi punën. Ku ta dinte ajo grua e thjeshtë që kishte dalë në punë, për të ushqyer fëmijët se pacienti që pinte duhan të fortë, me çibuk, ishte një trim me fletë. Ajo, e pa Jaçen ashtu, të plakur, të mërzitur  e të ligështuar, nga sëmundja dhe nga hallet, dhe mendoi se kështu ka qenë gjithmonë. Prej asaj dite, nuk e pashë më Jaçe Sadikun. Ai u nda nga jeta, në Kalivaç të Tepelenës, në mëhallën Hysodosaj, në truallin etë parëve të tij, në muajin prill, të vitit 1993, i rrethuar nga bashkëshortja, fëmijët, miqtë dhe të afërmit e tij. Varrin e ka në Faqekuqe, atje ku prehewn të ndierët e mëhallës së tij.

Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të atij farë trimi morën pjesë shumë bashkëfshatarë, miq e shokë nga disa treva, shokë të punës e të jetës së tij. Mungesa e pushtetarëve lokalë dhe e përfaqësuesve nga ushtria, nuk ia zbehin vlerat atij heroi, as asaj ceremonie funebre që la pas shumë dhimbje e lot.

Jaçe Sadik Azizaj, me tiparet prej atdhetari  të zjarrtë e luftëtari të paepur për lirinë e vendit të tij, mbetet një pishëtar  i pashuar që do të ndriçojë udhën, për shumë breza dhe një shëmbull konkret si duhet çmuar liria e Atdheut e si duhet luftuar për mbrojtjen e saj.

  • I paharruar qoftë kujtimi i atij “vigani” të luftës për liri!
  • Të rrojnë fëmijët dhe gjithë ata që la pas!

Tiranë; shtator-tetor 2016

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj