(Arif Qamil Sulaj, bonjakut i ndihmoi fati, 1933-2001)
Disa individë e kanë shkruar historinë e tyre, apo kanë hyrë në histori, me bujë të madhe. Disa prej tyre janë stacionuar në analet e historisë e kanë qëndruar aty, teksa të tjerë kanë ardhur e janë larguar, si era me shi. Një kategori tjetër njerëzish, në Kalivaç, por jo vetëm, e ka shkruar, apo ta them troç, e ka gdhendur historinë e tyre dhe të fshatit, pak nga pak e ditë për ditë si ai gurgdhendësi i mirë që skalit, me vullnet e durim të madh, qoshet e murit. Në këtë kategori mund të futet njëri nga njerëzit më me vlerë të Kalivaçit, të të gjitha kohëve; Arif Qamil Sulaj.
Arifi u lind në mëhallën Hysodosaj, majë bregut, më 3 maj të vitit 1933, në fisin e fismë të Sulajve. Origjina e babait të tij, Qamilit, nuk ishte kalivaçase etnike. Qamili ishte nga fisi Memallaj i fshatit Vasjar të rrethit të Tepelenës dhe në Hysodosaj ishte vendosur në trojet e dajos së tij, brenda fisit Sulaj.
Babai i Arifit, Qamili, ka pasur tri martesa të pafata. Arifi ishte djalë i vetëm i tij, i lindur nga martesa e tretë, me Zadefen, motër e Banush dhe Laze Xhezo Hadëraj, nga Ahmetajt e Kalivaçit. Çifti Qamil dhe Zadefe Sulaj kishte mes tyre një diferencë të ndjeshme prej 20 vitesh. Zadefja, kur u martua me Qamilin, pruri me vete një vajzë, Hyrinë, të cilën e kishte nga martesa e parë, me një burrë nga fshati Mamugjinaj i rrethit të Tepelenës; dëshmor të Luftës Nacionalçlirimtare. Hyrija, kur u bë për martesë, nusëroi, brenda fisit Sulaj. Ajo u martua me Bektash Medinin, i cili u aksidentua, me vdekje, me një bombë dore, në Çezmën e Thatë.
Nga martesa mes tyre lindën dy vajza: Zengjinja dhe Hatemja, të cilat i rritën e i martuan Tefik Medini dhe Arifi, të dy, të njohur për humanizëm e si bamirës të spikatur.
Nëna e Arifit, Zadefja, u nda nga jeta në moshë mjaft të re, akoma pa mbushur 45 vjeç. Pas saj, u nda nga jeta dhe i ati, Qamili, dhe Arifi, në moshën 8 vjeç, mbeti jetim, i vetëm, pa asnjërin nga prindërit. Ai nuk u strehua në ndonjë jetimore (strehë varfërore), as nuk vajti tek dajot, në Ahmetaj, por qëndroi në shtëpinë dykatëshe dhe në mallin që i la babai i ndjerë. Arifi u rrit e u veselit nën kujdesin e fisnikut Tefik Medin Sulaj, të cilin e kishte xhaxha. Tefiku e trajtoi Arifin njëlloj si djalin e tij të vetëm – Axhemin.
Pas vdekjes së Qamilit, arat e Arifit, në Rredhe, në Rrëza e në Qurke, në Qisha, në Kashtën e Kuqe, në Llomera (afër Çezmës së Halilet), në Jorga, në Gurje dhe Arat e Mëdha, në kushtet kur Arifi ishte akoma i parritur, i punonin, me radhë: një vit Laze Xhezo Hadëraj e një vit tjetër – Tefik Medin Sulaj. Ata përftonin dhe prodhimet e tyre. Arat, në Rrëza e ato në Qurke, mbilleshin me hokërr, tërshërë dhe elb, për tagji. Në Qurke kishte dhe një vresht. Arifit i la babai në pronësi 50 rrënjë ullinj, në vendin e quajtur Gropa e Sulet, ku kishte 9 dynymë tokë dhe pemë të shumta frutore. Në ekonominë bujqësore të tij ishin dhe një pendë qe parmende; një lopë vendi dhe 20 krerë dhi.
Qamili i la të birit një shtëpi me dy oda e me katua, të cilat i prishi Arifi, në vitin 1968 dhe me materialin e tyre, ndërtoi, në atë vend, një palë shtëpi të ulëta, të cilave, në Kalivaç u thonë: shtëpi elbasançe. Banesa që i la babai ishte një shtëpi dykatëshe, me dy palë shkallë. Sipër ishin dy oda, me vatër e me oxhakë, pa tavan, me dritare të vogla, tip frëngjie, me hekura, të cilat mbylleshin me kapakë të ndërtuar prej dhoge, të trashë. Të dyja odat ishin me katua. Në katonjtë respektivë qëndronin qetë e parmendës; lopa dhe kali. Bagëtitë e imëta ishin në kasollen, e cila ishte e ndarë më dysh; për të leshta e për të dhirta.
Midis odave, ishin ndërtuar hambarë, prej dhoge të trashë, ku ruhej drithi, i destinuar për bukë (grurë, misër, thekërr etj.) dhe tagjija për bagëtitë (elb, tërshërë, hokërr, hime etj.). Drithi hidhej sipër e nxirrej nëpërmjet qepengjisë, poshtë tij.
Shkallët e shtëpisë së Qamil Banushit ishin me dy palë; pa parmakë anash. Njëra nga shkallët vështronte nga avllia e Tefik Medinit dhe e Sulo Beqirit, kurse tjetra, ishte e orientuar nga udha kryesore, nëpërmjet të cilës qarkullonin, kryesisht Ramajt. Shtëpia ishte e ndërtuar me gurë gëlqerorë, nga guri i kalivaçit, i cili ishte nxjerrë nga nëntoka, në Qurke. Muri ishte i lidhur me llaç gëlqereje, nga gëlqerja që digjej vetë, e përzier me kum nga ai, të cilin e kishin prurë nga shtrati i lumit, në fund të Jorgave. Në çdo 1 m lartësi, tejpërtej murit, ishin vendosur breza druri, të përgatitur nga lisat që rriteshin në Gropën e ullinjve dhe gjetkë. Shkallët, të dyja, ishin ndërtuar me pllaka guri, të bardhë, të trashë.
Çatia e shtëpisë ishte e rëndë, e mbuluar me pllaka guri gëlqeror. Të dyja odat ishin të bollshme, por të ftohta, prandaj ishin ndërtuar me vatër e oxhakë. Dritaret e tyre ishin të orientuara nga Jugu. Në hyrje të viteve ’50, në njërën nga odat e banesës, u strehuan mësuesit e shkollës së fshatit, gjirokastritët Vasil Kola e Kristo Gushi.
Në fëmijëri, si gjithë moshatarët e tij, të mëhallës Hysodosaj dhe të "Pusit", sidomos me ata nga Ahmetajt ku ai ishte nip, në ditët e nxehta të vitit Arifi shkonte në lumë. Ai, më shpesh shkonte në fundin e Jorgave, ku thellësia e lumit ishte më e madhe dhe në shtratin e tij kishte kum, për të bërë, përveç notimit, edhe banjo dielli.
Në atë kohë, Arifi shoqërohej shumë me Sabrinë e Sulo Beqirit, të cilin e kishte kushëri të dytë. Sabriu ishte notar nga më të mirët në fshat. Me trupin si ngjalë, të gjatë, të hollë e mjaft të shkathët, Arifi u bë notar i mirë dhe gjuetar peshku, me grep e me kosha. Ai veçohej nga moshatarët e tij, për thjeshtësi dhe për urtësinë tipike. Si djalë serioz dhe me njëfarë ndjenje inferioriteti për faktin se ishte jetim, në disa raste qëndronte i tërhequr e nuk ishte grindavec apo inatçi, edhe kur kishte të drejtë. I këtillë u rrit Atif Qamili: i urtë, i qetë, serioz dhe tolerant.
U hap shkolla fillore e fshatit, në vitin 1945. Xhaxha Tefik Medini dhe dajot Laze e Banush Xhezo Hadëraj ishin tepër të interesuar që nipi adoleshent, i cili ishte nën kujdestarinë e tyre, të mos mbetej i pashkolluar. Prandaj ata e regjistruan Arifin në klasën e parë. Kuptohet, mosha e tij dhe e bashkënxënësve që u futën në klasën e parë ishte më e madhe nga sa rekomandohej, por qe e imponuar nga rrethanat. Rrugës, deri në klasën e katërt, disa nga nxënësit e fillimit, mbetën "nëpër shkallë" e nuk e arritën dot finishin (klasën e katërt). Në fund të vitit 1948 (në shtator), kur nis viti shkollor, në klasën e katërt, së bashku me Arifin, ishin bashkëfshatarët: Hekuran Sherif Zenelaj (Muçoimaj); Caush Hamit Muharremaj; Zoto Qazim Malaj dhe protagonisti i këtij rrëfimi.
Të gjithë ishin me moshë rreth të gjashtëmbëdhjetave. Arifi, në mësime ishte më i përparuari i shokëve.
Pas përfundimit të shkollës fillore, djemtë vijuan më tej, në drejtime e në profile të ndryshme.
Nisur nga kushtet e përshtatshme për të jetuar dhe nga afërsia me shkollën, në njërën nga odat e Arifit, banonin mësuesit Vasil Kola e Kristo Gushi, të cilët i drejtonin mësimin Arifit nxënës. Ata, edhe pse banonin nën të njëjtën çati me nxënësin e tyre, nuk i bënin atij asnjë lëshim. Ndoshta duhet thënë se Arifi nuk kishte nevojë për ta mbajtur me hatër, për arsye se ai ishte i zellshëm dhe i pari i klasës. Arifi kishte shkrim mjaft të bukur, të qartë e të lexueshëm. Shkrimi i tij ngjante jo sikur të ishte shkruar nga dora e pastërvitur mirë e një nxënësi të shkollës fillore të fshatit, por sikur të ishte pikturuar nga një piktor cilësor. Me kalimin e viteve, shkrimi i Arifit mbeti, po aq i bukur; ndoshta u përmirësua në elemente të veçanta.
Arif Qamil Sulaj ishte shumë komunitar. Atij i pëlqente shoqëria dhe, me intelektin e tij, i zgjidhte shokët më të mirë se vetja. Ky ishte motivi i tij përzgjedhës në shoqëri. Më afër ishte me djemtë: Sabri Sulo Sulaj, të cilin e kishte dhe kushëri të dytë, nga i ati; Ramiz Mehmet Ramaj; Nasip Hysen Alidervishaj; Caush Hamit Muharremaj dhe Mehmet Musa Nelaj. Me këtë të fundit, Arifi shkonte për të gjuajtur, në Koçimare, në Gryka, në Moçale e në Trapin e Çezmës, në Kullustra e në Përroin e Dardhëve; në Kurrizin e Ziles, në Saloniq e në Arat e Buta, në Cac e në Daulle dhe nga Shkëmbi.
Kur ishte ushtar, në një repart ndërlidhjeje, në Shkodër, ai u lidh me miqësi me bashkëfshatarin Selman Resul Nelaj, miqësinë me të cilin e ruajti dhe pas lirimit nga ushtria. Atij, kur shikonte pranë bashkëfshatarin e tij, nga mëhalla Ahmetaj, ku Arifi kishte dajot, me të cilin kalonte, thuajse gjithë kohën e lirë, i dukej sikur kish marrë me vete një copë Kalivaç. Arifi kishte shoqëri dhe me Ferrik Azis Alidervishaj, ndonëse ky i fundit ishte në moshë më të re.
Pas përfundimit të shkollës fillore të fshatit, në moshë mjaft të re, pa mbushur 17 vjeç, si mjaft kalivaças, i detyruar nga ngushtësia ekonomike, Arifi mori udhën e kurbetit e nisi punë në Minierën e Serës në Selenicë. Kjo ndërmarrje, për banorët e Kalivaçit ishte kurbeti më i afërt dhe fitimprurës, ndaj atje vraponin, në masë burrat e fshatit. Në këtë minierë ai punoi 1 vit, derisa i erdhi radha për të kryer shërbimin ushtarak të detyruar. Para se të shkonte ushtar, siç ishte në traditën e trevës, Arifi u martua, me Liljanën, nga Izvori. Historia e kësaj martese ka diçka të veçantë dhe mbresëlënëse, të cilën do të përpiqem ta përshkruaj, me korrektësi.
Dy fshatrat: Izvori dhe Kalivaçi, gjeografikisht ndodhen larg njëri-tjetrit. Ata i ndajnë fshatrat: Krahës; Xhaxhaj dhe Levan. Një rrugëtar normal, në atë kohë, për të shkuar nga Kalivaçi në Izvor, duhet të rrugëtonte, rreth 5 orë, në këmbë. Se infrastruktura rrugore, akoma nuk ishte bërë. Në Kalivaç dhe në trevën përqark tij, në vitet ’50 të shekullit që lamë pas dhe më parë, martesat bëheshin me mblesëri ose me rekomandime. Vetëm në ndonjë përjashtim, mund të ndeshje martesë me pëlqimin e palëve.
Edhe kur kjo ishte e mundur, sidomos brenda fshatit, si rregull, djali dërgonte në shtëpinë e vajzës një dërgatë (lajmës), për të kërkuar dorën e saj. Në disa raste, rolin e pëlqyesit e luanin prindërit.
Kur nënës së djalit ose babait të tij i kishte mbetur syri tek një vajzë dhe, në familje kishte djalë për nuse, bëhej nismëtar për lajmësi. Kështu ngjau dhe në rastin e Arifit të Qamilit.
Në Hysodosaj, nga Izvori kishte ardhur nuse Dekua e Jaçe Sadikut që në vitin 1937. Ajo e kishte prezantuar veten me tërë karakteristikat që dallojnë një vajzë nga fshatrat e "malësisë" së asaj treve dhe i kishte zbardhur faqen, vetes, familjes dhe fshatit të saj. Dekos, i vdiq i ati dhe siç ishte traditë, përveç burrit dhe njerëzve të familjes, atë që ishte e "helmuar", duhet ta shoqëronin në familjen ku kishte ngjarë gjëma, edhe njerëz të fisit e të afërt të saj. Në kryerjen e riteve të ceremonisë mortore të babait të Dekos, nga Hysodosajt që e shoqëruan bashkëshorten e Jaçe Sadikut morën pjesë: Azis Telhai dhe bashkëshortja e tij, Havua e Kapllanit; Tefik Medini dhe gruaja e tij – Bena; Sulo Beqiri dhe nëna e Arifit – Zadefja. Rruga e gjatë, nga Kalivaçi në Izvor, i lodhi pjesëtarët e dërgatës dhe koha për t’u kthyer në Kalivaç, pas ceremonisë mortore, ishte e pamjaftueshme. Kësisoj, ata ishin të detyruar ta kalonin atë natë, në shtëpinë e të ndjerit, ku u bënë shoqëri familjarëve dhe të ardhurve në vaki.
Nëna e Arifit – Zadefja, me syrin e një gruaje, pikasi se nëpër shtëpi, për punë të ndryshme, në shërbim të mysafirëve vente e vinte një vajzë e shkathët, si flutur, e pashme dhe e zgjuar. Ajo u interesua për vajzën adoleshente dhe mësoi se quhej Lanë e ishte motër e Dekos së Jaçe Sadikut. Nënë Zadefja dinte se familja e tyre ishte e fisme dhe njëra nga familjet më të nderuara të fshatit Izvor. Në mëhallë kishte njohur Dekon e tani po vështronte motrën e saj. I mbetën sytë Nënës së Arifit, tek bukuroshja Liljanë, e cila i ngjante një kukulle të bukur. Duke biseduar me Benën e Tefik Medinit, të cilën e kishte vazhdimisht në shoqërinë e saj, në atë vaki ku ajo njihte fare pak njerëz, në intimitet, i tha: "Vështroje atë vajzë, sa e mirë është. A, sikur ta bëja nuse për Arifin tim të vetëm!"
Ngushtica dhe përkatësia në lidhje miqësie krijuan mundësinë "e artë" që Lana të futej për të fjetur në jatakun e Zadefes. I erdhi gjahu në shteg Nënës që i mbetën sytë tek vogëlushja si flutur. Zadefja, atë natë fjeti me të përzgjedhurën prej saj, nuse për të birin, por Bena, si grua me karakter e fjalëpakë, këtë opinion e mblojti për vete, por, sapo shkuan në shtëpinë e tyre, në Hysodosaj, ia tha burrit të saj – Tefik Medinit.
Aq deshi Tefiku, i cili, për shumë vite kish qenë në pozicionin e kujdestarit të Arifit dhe ishte kujdesur për mirërritjen e jetimit, i cili, ishte pinjoll i fisit të tij. Ai ndjente detyrimin atëror për ta martuar Arifin, i cili tashmë ishte, gjithashtu në moshën e adoleshencës, kur, në Kalivaç, djemtë martoheshin, me qëllim që fëmijët t’u bëheshin si vëllezër e si motra. Te fiku e bisedoi këtë çështje serioze, me Jaçe Sadikun dhe me Dekon, i tha dhe Arifit, të cilin e donte dhe e respektonte shumë.
Nëna e Arifit, Zadefja, ato ditë fluturonte nga gëzimi. Djali i saj i vetëm do të "zinte nuse" e ajo do të bëhej vjehrrë. Në shtëpi do të fuste një vajzë për kokën e vajzës, të cilën e kishte zgjedhur vetë. U tha; u bë. Jaçja, një ditë të bukur, mori Dekon e shkoi në Izvor, me misionin me vlerë, për të kërkuar dorën e Liljanës. Vajza e parritur, nuk e kishte parë asnjëherë atë që do të merrte për burrë, por u pajtua me forcën e traditës.
Ajo kishte dhe një plus, në anën e saj, mbasi motrën Deko do ta kishte pranë; thuajse kunatë e motër. Ku do ta gjenin familja e saj dhe vajza e padalë një djalë si Arif Qamili, për të cilin bënin be gjithë kalivaçasit? Dekua, si motër, kuptohet, bëri punën e saj propagandistike, për t’i mbushur mendjen Liljanës dhe të sajve.
U vendos fejesa e Arif Qamilit me Liljanën dhe, meqenëse djali do të shkonte së shpejti ushtar, u afrua dita e dasmës. Dasma u bë në Hysodosaj, në shtëpinë dykatëshe të Sulo Qamilit. Si konakë, për të strehuar dasmorët e shumtë, u shfrytëzua dhe shtëpia e vëllezërve Tefik e Mete Medinit. Duhet thënë se ajo që u bë nismëtare e kësaj lidhjeje fatndjellëse, Zadefja e Xhezo Nures, Nëna e dhimbsur e Arifit, ajo grua që mezi e priste, dasmën e të birit, të cilin e kishte si dritën e syrit, nuk e pati fatin të gëzonte atë që vetë gatoi me shumë dëshirë. Ajo u nda nga jeta, në moshë të re, akoma pa mbushur 45 vjeç, duke hedhur petkun e zisë, në familje, në fis, në Hysodosaj dhe në Ahmetaj, ku kishte lindur.
Dasma: Më 19 prill të vitit 1951, në Hysodosaj u bë një dasmë e paparë; u martua Arif Qamili, nga Sulajt, me Liljanën, nga Izvori. 25 krushq, të gjithë të zgjedhur, të hipur mbi kuaj, u nisën, herët në mëngjes për të prurë në shtëpi nusen e Arif Qamilit. Miqtë e familjes që erdhën në dasmë, sipas traditës, prunë nga një dash, me brirë e të lyer në kurriz, me bojë të kuqe. Një kope me desh, plot 25 krerë, blegërinte në katua e në avllinë e madhe të Sulajve. 25 çyrekë; 25 revani, në saç dhe 25 këmisha, për dhëndrin, mbushnin hejbetë e kuajve të dasmorëve.
Krushqit u përcollën nga shtëpia e Arifit, me këngë e me të shtëna me armë. Atyre u printe dajua i djalit, Laze Xhezo Hadëraj, nga mëhalla e Ahmetajve. Lazja, një burrë tepër i zgjuar e i heshtur, serioz e me trup të imët, njëri nga valltarët më të shquar të fshatit, ishte i hipur në kalin e tij ngjyrë kafe, me kapele me strehë, në kokë, e me rroba të zeza shajaku, veshur, kishte hedhur krahëve një shark, të zi. Lazja, për shkak të pozicionit të dyshimtë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ishte, më tepër vrojtues e rrallëherë fliste, në biseda me shumë njerëz, por, kur fliste ai, nxirrte nga goja fjalë të mençura. Kur hidhte valle Laze Xhezua e përdridhte belin, si pehlivan, të tjerët vetëm vështronin vallen e tij.
Në ekipin e krushqve, Lazja, si dajo i Arifit, ishte në pozicionin e kryekrushkut, por në dërgatë, kishte burra të mençur e trima, si Sulo Beqir Sulaj, Halim Beshir Hysenaj; Qemal Sherif Zenelaj (Muçoimaj); Manxhar Azbi Ramaj etj. Ata ishin të përzgjedhurit e të zotit të shtëpisë, me tipare të spikatura si zotër muhabeti; kalorës të mirë; burra zakoni që dinin të këndonin, të pinin raki e të vallëzonin dhe të ishin të aftë për të bërë qitje, në ajër, nga pozicioni hipur mbi kalë. Në bisedë me ata që përcillnin nusen, krushqit duhet të ishin vigjilentë, për të kapur çdo insinuatë me ton ironie dhe të kthenin përgjigje në çast.
Nusja, erdhi në Kalivaç mbi kalin e Qemal Sherifit (Muçoimaj), i cili ishte i pajisur me shalë kali e me frë e yzengji. Asaj i kishin hedhur në kokë një duvak të kuq, të cilin e hoqi vetëm në shtëpinë e saj, në Hysodosaj, dhe vetëm në mbrëmje, vonë, kur dhëndri u fut në gjerdek. Dy djem të rinj, të fuqishëm: Ramiz Mehmet Ramaj dhe Sabri Sulo Sulaj e shoqëruan Lanën, nga shtëpia e saj, në Izvor derisa kapërceu pragun e odës së Arif Qamilit, në Hysodosaj.
Dasma u bë gati në mes të prillit, kohë kur nuk ishte as dimër, as verë. Moti ishte i pastabilizuar dhe në ato ditë kishte pasur shi, me shtrëngatë e shkarkime atmosferike. Krushqit, për të arritur në Hysodosaj ndoqën një rrugëkalim të favorshëm, duke kaluar nëpër përrenj e monopate të shumta, në udhët e atëhershme të fshatrave të zonës. Me Laze Xhezon që u printe, krushqit ndoqën rrugëkalimin: Izvor - Kamçisht - Koshtan - Toç - Gropa e Gjonit (Bozanaj) – Lisat e Hyset - Qurke - Hysodosaj. Do të ishte më e shkurtër udha, nga Dërrasa, tek lëmi i Alidervishajve, për të shkuar në sulaj, por krushqit, në etapën e fundit të rrugëtimit, ndoqën një udhë disi interesante, e cila pruri mjaft diskutime. Ata, nuk erdhën drejtpërdrejt në shtëpinë e Arifit, por, më parë shkuan në Donije; pastaj erdhën në Hysodosaj.
Kur e mendoj këtë manovër, më vijnë në mend tre variante të pranueshme:
Mund të ketë ndodhur kështu, nën presionin e një bestytnie, e cila ka ekzistuar dhe është aplikuar rëndom, në dasmat kalivaçase. Krushqit, me nusen në karvanin e tyre, nuk duhet të kalonin në atë udhë, ku shkonin pa praninë e nuses. Besohej se, duke vepruar kësisoj, do t’u hiqej mundësia magjistareve për të bërë magji.
Sipas një versioni tjetër, i cili, gjithashtu mund të jetë i pranueshëm, nuses nga Izvori, e cila do të jetonte në Kalivaç, me kalimin e kohës do t’i duhej të shkonte në Donije, tek burimi i Sheshit të Donijes dhe tek burimi i Madh, i cili ndodhej, mbi lundrën e Kalivaçit, për të mbushur ujë të pijshëm, me krahë ose me kafshë. Krushqit mund të kenë menduar dhe variantin e mundshëm, për t’i dëftuar nuses së re pronat arë të familjes, në Qurke, në Rrëza, në Gurje, në Jorga etj., të cilat ishin në fushëpamjen e krushqve, nga udha me gurë nga kalonin. Është plotësisht i mundur dhe një version tjetër. Donija, me bukuritë e saj natyrore dhe me lumin e lundrën që e çante tejpërtej, janë bukuritë më të spikatura të Kalivaçit. Ndoshta kryekrushku Laze dhe bashkudhëtarët e tij kanë menduar t’i dëftojnë Liljanës se në fshatin ku do të shkonte nuse, kishte bukuri mahnitëse, të cilat janë të rralla, në atë zonë e më gjerë. Sidoqoftë, të gjitha variantet janë të pranueshme e të justifikuara.
Krushqit, të udhëhequr nga dajo Lazja, u pritën me këngë e valle, në avllinë e Sulet dhe në odat e tyre. Bena e Tefik Medinit, e cila ishte kalivaçase, me rrënjë, dhe njëra nga gratë e mëhallës Hysodosaj, e cila shquhej ndër shoqe për cilësi të lartë gatimi, dhe kunata e saj Melaizja e Mete Medinit, një fisnike, e cila kishte fisnikëruar fisin, me të drejtë nuk i mbante vendi, nga gëzimi. Ato martonin Arifin, djalin e vetëm të Qamil Banushit dhe të Zadefes së ndjerë, e cila nuk e pa të birin dhëndër. Para se të ndërronte jetë, Zadefja i tha të birit, në intimitet: "Bir-o, të ka nëna djalë të vetëm, ta zgjodha nusen vetë; të më bësh me të një mëhallë me fëmijë e ta mbushësh me ‘cicërima vocërrakësh’ këtë shtëpi që e ka harruar zërin e tyre!" Dhe ajo grua, deli grua, nuk ia arriti dasmës së të birit, por u nda nga jeta fare e re dhe u varros në derën e babës, në Ahmetaj.
Arifi e mbajti vëth në vesh e peng në zemër amanetin e Nënës. Nga martesa e tij me të bukurën Liljanë, erdhën në jetë, plot 15 fëmijë; njëri më i mirë se tjetri. Një kalivaças, me dashamirësi, kur e pyeta për emrat e fëmijëve të Arif Qamilit, me shaka m’u përgjigj: "Me gjithë mend e ke? Emrat e tyre zor se i dinte edhe vetë Arifi". Në të vërtetë, fëmijët e shumtë të çiftit, të cilët erdhën në jetë njëri pas tjetrit, janë: Baftjari; Qamili; Zadefja; Arjana; Krenari; Mamica; Arturi; Spartaku; Etleva; Viktori; Genci; Lirimi; Alfredi; Ndriçimi dhe Laureta.
Lexojini me vëmendje emrat e fëmijëve. Vetëm nga kjo mund të tërheqë kushdo konkluzione se Arifi dhe Lana, edhe në përcaktimin e emrave të pasardhësve të tyre, nuk i janë shmangur traditës; janë në shtratin e atdhetarisë dhe përfaqësojnë një shoqëri të qytetëruar. Kombinimi i emrave nga lashtësia dhe nga kohët moderne, është qartësisht në favor të mendimit se kemi të bëjmë me dy prindër "me haber", besnikë të shqiptarizmës. Me lindjen e 15 fëmijëve, Arifi çoi në vend amanetin e Nënës.
Portreti fizik i Arif Qamilit: Arifi ishte shtatlartë e me trup elegant. Ai, gjykuar sipas tipareve të fytyrës, përfaqësonte një mashkull simpatik e serioz. Flokët e zinj e të drejtë, Arifi i mbante vazhdimisht të qethur shkurt. Në çdo moshë, ai qethej "kare" e nuk e vështroje kurrë qafëlesh. Dy sy të zinj, shkëlqenin nën vetullat e tij të gjata e të trasha, në një fytyrë të bardhë e simetrike, me një ballë të sheshtë e të lartë. Arifit i shëndrisnin në gojë, dy dhëmbë të veshur me ar, të cilët e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
Nëse mund të bëhet fjalë për ndonjë parregullsi të fytyrës, mund të përmenden veshët e tij, me përmasa mbi normalen, por jo "veshllapush". Arif Qamili ishte tip serioz e fjalëpak, ai fliste rrallë, por i gjente vendin fjalës.
Veshja e Arif Qamilit ishte me kostum. Ajo dëshmonte qenien qytetare të tij. Poshtë xhaketës prej cohe, ai mbante jelek, të thurur me shtiza, nga bashkëshortja dhe nga simotrat e tij. Në kokë mbante kapele, me strehë, me ngjyrën e rrobave që vishte. Arifi nuk e hoqi kapelen nga koka, deri në fund të jetës. Nuk ishte alkoolist, ndonëse me raste nuk shkëputej nga shokët e nga trapezi.
Veç kishte një veçori, në të pirë. Arifi bënte hile në raki dhe pinte, zakonisht kur të tjerët ishin në prag të dehjes. Arifi nuk pinte duhan dhe ishte kundërshtar i duhanxhinjve. Pinte kafe shumë dhe vazhdimisht. Ai e shpeshtoi kafen, sidomos pas moshës 50-vjeçare. I pëlqenin gostitë, dasmat, ahengjet dhe ishte mjaft i ngazëllyer kur ndodhej në këto evenimente.
Kënga e tij e preferuar ishte: "Llaj çoban". Këngës së tij të preferuar, Arifi ia merrte, zakonisht nga fundi i gostisë apo ndodhisë së gëzuar. Gjithësa e dëgjonin këtë këngë labçe-vënçe, e kuptonin, menjëherë se ia kish marrë këngës Arif Qamili dhe se dasma, gostia etj., po i afrohej fundit.
Kur ai ishte i rrëmbyer nga gazi e i ngrohur nga rakia, vargjet e këngës në fjalë ngjanin me një sokëllimë. Bilbilat kalivaças dhe miqtë, të ulur në trapezë, sipas krahinave, ia mbanin këngëmarrësit, kur ai ia shkulte:
"Ku janë nisur e venë? Llaj çoban;
Në stan të çobanit venë; llajo çoban, llaj;
Dhe çobani mirë i priti, llaj çoban;
Theri qëngj e i gostiti, llaj o çoban llaj;
Qëngj i mirë e qëngj i pirë, llaj çoban;
Qëngjin e Bejkës kërthinjë, llaj o çoban llaj...".
Dhe kënga shkonte "gjym".
Nëse ka ndonjë tipar ku duhet vënë theksi fort, është edukata e shëndoshë familjare e tij. Rrallë ka pasur e ka, në Kalivaç burra, me fjalor aq të pastër. Një njeri, i cili nuk dinte të shante e nuk përdorte fjalë të pista. I rrituri jetim mësoi shumë nga shokët e mirë që bëri e nga miqtë e shumtë të familjes, të cilët, si ai, nuk përdornin fjalor banal. Arifi bëri përpjekje, së bashku me Lanën fisnike, që edukatën familjare që kishin t’ua transmetonin dhe fëmijëve, pavarësisht nga seksi i tyre. Çështja e edukatës nis në familje e në shtratin e saj zhvillohet e lulëzon.
Më kot rrekemi ta spostojmë përgjegjësinë, herë tek shkolla e herë tek shoqëria. Për mua, baza e të gjithave, të mirave e të këqijave, duhet kërkuar, para së gjithash tek familja e në veçanti tek prindërit. Pa u përpjekur të bëj teorizime pa vlerë, mjafton të kuptohet se një fëmijë, edhe kur nuk e mëson si të sillet, ai është "kopjac" dhe imitues i shkëlqyer i prindërve. Për ta vërtetuar këtë, secili që ka provuar prindërimin, nuk besoj ta ketë të vështirë konkretizimin e këtij problemi, qoftë dhe me shembuj nga jeta e tij. Thuaji sa të duash fëmijës: "Bëj kështu!" apo "Mos bëj ashtu!"
Ai bën si të vështrojë, jo si t’i thonë.
Në vjeshtën e vitit 1953, Arifi u lirua nga radhët e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe erdhi në shtëpinë e tij, në Hysodosaj, ku e priste bashkëshortja shembullore, Lana, e cila e kishte shtuar atë çerdhe të fisme, me një djalë, të cilit, me mirëkuptim, të dy prindërit i vunë emrin Baftjar. Ai kishte lindur më 24 shkurt të vitit 1953, kur Arifi ishte ushtar, në Shkodër. Gëzimi që pruri me vete, Arifi, në familje, në Sulaj e në mëhallë ishte i pamatë. Miqtë e shumtë vrapuan për të takuar ushtarin e liruar e për t’i uruar atij mirëseardhjen, në atë çerdhe, e cila ishte ngritur me shumë halle.
Meqenëse Arifi, gjatë kohës së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kishte kryer një kurs 9-mujor dhe gjatë gjithë kohës, në repart, kishte kryer detyrën e ndërlidhësit, pas lirimit nga ushtria, në fundvitin 1953, u emërua përgjegjës i njësisë së posttelegrafës, në qytetin e sapoformuar të minatorëve, në Memaliaj. Në këtë detyrë, ai qëndroi deri në mes të marsit të vitit 1957, kur u kthye në Kalivaç, për shkak se në atë kohë, në fshatin e tij të lindjes u formua kooperativa bujqësore dhe Arifi ishte caktuar llogaritar i saj. Gjatë kësaj kohe, Arifi vinte në Kalivaç 1-2 herë në javë; dhe, me shumë vullnet e sakrifica, kreu, natën shkollën unike (shtatëvjeçare), të cilën e përfundoi me tregues të "shkëlqyer". Kësisoj, djali i vetëm, i zgjuar, i dashuruari me dijen, i xha Qamilit bëri edhe një hap tjetër përpara në fushën e rritjes së nivelit arsimor e kulturor të tij. Për fëmijët që lindën njëri pas tjetrit dhe të shumtë në numër u kujdes Lana, e cila gdhihej dhe ngrysej, duke u shërbyer të lindurve të saj, me shumë përkushtim dhe cilësisht.
Arif Qamilit i takon merita e padiskutueshme, jo vetëm se iu përgjigj menjëherë direktivës së Partisë për bashkimin e ekonomive bujqësore në një ekonomi të përbashkët, duke dhënë shembullin vetjak, por edhe se u bë agjitator i flaktë për ata që ngurronin të futeshin në kooperativë. Momenti ishte delikat dhe Arifi u hodh, ndër të parët në radhët e atyre që përqafuan idenë e kolektivizimit të bujqësisë. Familja e Arifit nuk ishte nga ato familje që bashkuan kryesisht punën e krahut, por futi në fondin e përbashkët, ara me pjellori të lartë; një pendë qe dhe bagëtitë e imëta, së bashku me inventarin e nevojshëm bujqësor që dispononte familja e tij. Ky moment nuk ka si të mos merret në konsideratë, mbasi ndikimi i tij tek bashkëfshatarët e lëkundur ishte jo i vogël.
Kishte dhe një gjë tjetër, me vlerë, e cila nuk mund të anashkalohet. Bashkëfshatarët e Arif Qamilit e njihnin mirë djalin që ishte i rritur mes tyre dhe i dinin cilësitë e larta morale të tij. Arifi shquhej për ndershmëri, besnikëri dhe ishte i aftë. Aftësinë dhe vlerat e tjera të tij, kalivaçasit i njihnin mirë e i çmonin si "stoli" të tij. Ata, kur mësonin kush do të ishte menaxheri i pasurisë, mundit dhe djersës së tyre, ishin më të qetë e më të sigurt, në hapin që do të hidhnin, për t’u afruar me kooperativën bujqësore. Të mbajmë parasysh se kooperativa bujqësore ishte në hapat e parë dhe ekonomikisht ishte e dobët.
Vlerat materiale të saj ishin të kufizuara dhe interesimi i kooperativistëve për të mos e shpërdoruar, ca më keq për ta përvetësuar atë kishte ndjeshmëri të lartë. Me caktimin e Arif Qamilit llogaritar i parë i kooperativës, shumë shpirtra të trazuar kalivaças u qetësuan, falë besimit që kishin njerëzit tek ndershmëria e tij. Këtë detyrë, Arifi e kreu deri në fillim të vitit 1962, kur u zgjodh kryetar i kooperativës bujqësore të fshatit.
Në përzgjedhjen e Arif Qamilit, kryetar i kooperativës bujqësore të fshatit ndikuan dy faktorë: Figura e tij e pastër dhe aftësia e predispozicioni për të punuar. Ditë për ditë, duke përdorur këto dy "armë efektive", ai u fut në zemrat e bashkëfshatarëve të tij dhe ata e besonin dhe e dëgjonin. Arifi, në metodën e tij të punës, kishte si parim konsultimin me njerëzit, për çdo çështje të rëndësishme. Ai shkonte në çdo brigatë arash apo blegtorie dhe i hipur mbi një pelë të bardhë, e cila ishte caktuar për kryetarin, gjendej në ballë të punëve e pranë njerëzve që punonin, në sektorët përkatës. Kryetari i kooperativës, Arif Qamil Sulaj, ishte i qetë, i dashur, dhe komunikonte me korrektesë, ëmbël me njerëzit. Arroganca dhe të parët e punëve nga lart, ishin të huaja për Arifin e Hysodosajve.
Si kryetar kooperative, Arif Qamili, për herë të parë, futi në kooperativë kultivimin e perimeve. Në atë kohë, perimet, në Kalivaç, kultivoheshin në disa ekonomi të veçanta bujqësore, por përdorimi i tyre, nga bashkëfshatarët ishte i kufizuar. Fillimisht, kultivimi i perimeve, në kooperativë iu besua Brigatës së Tretë, e cila përfshinte tokat e mëhallës Meçaj. Në këtë mëhallë, kultivimin e perimeve, e favorizonte prania e ujit të Çezmës së Meçajve, për ujitjen e perimeve, i cili, edhe pse i kufizuar në sasi, ishte i mjaftueshëm për kryerjen e eksperimentimit në fjalë. Më vonë, kur në tokat e mëhalleve të "Pusit", vërshoi uji e kanalit vaditës që bënte ujitjen e fushës së Kalivaçit, të Çorrushit e të Kutës, kultivimi i perimeve u shtri dhe në brigatat e tjera të kooperativës bujqësore.
Fidanët e perimeve, në ato vite nuk prodhoheshin në Kalivaç. Ata merreshin në fshatin Cakran të rrethit të Fierit, nga anëtarët e kooperativës bujqësore të Kalivaçit: Qemal Sherif Zenelaj (Muçoimaj) dhe Axhem Tefik Sulaj. Në atë rrugëtim 10-12 orësh, këta, të dy, me kuajt e tyre, të ngarkuar me kosha, brenda të cilëve vendoseshin fidanët e perimeve, bënin furnizimin e brigatës së perimeve të kooperativës bujqësore të Kalivaçit. Prej asaj kohe, perimet, jo vetëm u kultivuan, me sukses dhe u kapën shifra të larta në rendimentet kulturore, por u futën gjerësisht dhe në dietën ushqimore të bashkëfshatarëve, të cilët, në fakt u ushqyen më mirë, duke u larguar nga të gatuarit tradicional. Nëse më parë në Kalivaç njiheshin fasulet, koçkullat, fierëzat, domatja, patatja, spinaqi, laboti dhe lakra të tjera, të egra, me kultivimin e perimeve të "importuara", u bënë të njohura: Specat; patëllxhanët; preshi; bamjet, mashurkat; karrotat, shalqini, bostani etj. etj. Gama e ushqimeve të gjelbra u rrit e tok me të edhe mënyra e të ushqyerit ndryshoi.
Kur ishte në detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore të Kalivaçit, Arif Qamili nuk pati vetëm suksese; ai, të paktën në një rast, pësoi dështim, në veprimtarinë e tij drejtuese. Me qëllim që të siguronte rendimente të larta në kulturën e misrit, ai dërgoi disa kooperativistë në Fier, në trevën ku bujqësia ishte më e zhvilluar, për të marrë farën e një misri të panjohur për fshatin tonë, por që kishte kapur maja e kishte bërë "revolucion" në procesin e rritjes së rendimenteve të kulturës së misrit. E mbollën farën e panjohur të misrit, i cili ishte importuar nga Gjeorgjia (republikë sovjetike) dhe që mbante emrin: "misër gjeorgjian", në toka me prodhimtari të lartë, të punuara mirë e të plehëruara, me pleh organik. Mbiu misri e pati zhvillim të shpejtë. U rrit në "shtat", aq sa burri më i gjatë i fshatit ishte vështirë të dallohej kur ishte brenda në parcelë. Iku lart kashta e bimës, por nuk lëshoi kalli e kallinjtë nuk zunë kokrra.
Disa e komentuan si mallkim; të tjerë ia hodhën fajin klimës; një takëm i ra pikës e tha se, ky varietet misri kërkon pleh, ujë dhe shërbime plotësuese. U duk qartë se sipërfaqja arë, e zënë me këtë kulturë nuk do të jepte prodhimin e pritshëm të misrit.
Në atë kohë, Kryetar Arifi kishte bërë kërkesë që të largohej nga detyra dhe të shkonte në një detyrë tjetër, të rëndësishme; në atë të sekretarit të lokalitetit të Krahësit (i cili, më vonë u zëvendësua nga komuna e tani njësi administrative). Në parim, organi që e kishte në kompetencë, e kishte miratuar këtë lëvizje, por, sipas rregullave ekzistuese, duhej pyetur masa e kooperativistëve, për kryetarin e tyre. U mblodh një pjesë e kooperativistëve, në të cilën përfaqësoheshin të gjitha brigatat dhe sektorët e punës. I deleguari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tepelenës, kërkoi vlerësimin e punës së kryetar Arifit, nga masa. Disa kooperativistë, nga ata, të cilëve u dhimbsej përparimi i kooperativës bujqësore, dhanë mendimin që kryetar Arifi të mos lëvizte nga detyra e kryetarit të kooperativës. Argumenti që sollën ata ishte: "Të rrijë këtu kryetari, që të hajë ‘xhorxhanin’ që na pruri nga anë e anës".
Arifi u bë sekretar lokaliteti e në vend të tij erdhi një tjetër kryetar; vitet shkuan, por legjenda e "misrit gjeorgjian" vazhdon të dëftohet, sot e kësaj dite.
Viti 1964 e gjeti Arifin sekretar të lokalitetit Krahës, në rrethin e Tepelenës. Tashmë ai ishte më i pjekur e me përvojë të mjaftueshme për drejtimin e punëve të pushtetit lokal. Detyra e kryetarit të kooperativës bujqësore e kishte pajisur atë me vlerat e patjetërsueshme të komunikimit me njerëzit, nga pozicione dashamirësie dhe predispozicionin për t’u ardhur në ndihmë hallexhinjve. Ai e nisi punën e re, me mjaft dëshirë dhe pruri diçka të re në praktikën e komunikimit me njerëzit. Për sekretarin e ri të lokalitetit nuk kishte orar pune si për zyrtarë të tjerë. Ai ishte mësuar në kooperativë ku u qëndronte punëve mbi kokë e njerëzve pranë në çdo orë të ditës apo të natës.
Detyrën e sekretarit të lokalitetit, Arifi e kreu deri në fundin e vitit 1968; pas kësaj kohe, ai punoi, 2 vjet si punëtor krahu, në Ndërmarrjen Rruga – Ura të rrethit, kohë, e cila i shërbeu për të shlyer një masë partie, e cila rezultoi e pamerituar prej tij.
Në vitin 1970, Arifi ndryshoi pozicionin, në një detyrë të re; në atë të llogaritarit, në Ndërmarrjen Tregtare, të ashtuquajtur konsumi, me qendër në Krahës. Në tre vitet që pasuan, 1972-1975, Arifi u caktua në detyrën e magazinierit, në sektorin e ushqimeve dhe të veshmbathjes së Ndërmarrjes Tregtare të kësaj treve. Por, pikërisht kur ai i kishte vënë punët e shtetit në vijë, i ndodhi një e papritur, jo për fajin e tij dhe i miri, i urti, i pafjali Arif Qamil Sulaj, nga viti 1975 derisa doli në pension pleqërie, i përcolli vitet në funksionin e punëtorit të transportit (kafshar) në Ndërmarrjen Tregtare, me qendër në Krahës. Nga viti 1968, Arif Qamili ishte zhvendosur, familjarisht, nga vendbanimi në Hysodosaj, në fshatin "Lulëzim", i cili u formua në qendër të fshatrave të lokalitetit të mëparshëm dhe mori emrin simbolik të sipërtreguar. Familja e tij, gjatë kësaj periudhe u shtua e arriti numrin 17, përfshi Arifin dhe bashkëshorten e tij. Një familje me numër kaq të madh fëmijësh (15), është e paparë në anët tona.
Arif Qamil Sulaj, vërtet u shpërngul nga Kalivaçi e u vendos, për efekte punësimi, rreth 7 km larg fshatit të tij të lindjes, ai nuk "hodhi një gur pas", por herë pas here shkonte tek të tijtë; për raste fatlume dhe kur ndodhnin fatkeqësi. Prania e tij mes bashkëfshatarëve ishte gjithmonë e dëshiruar dhe e mirëpritur. Ai u ndodhej pranë njerëzve, njëlloj si atëherë kur ishte kryetar i kooperativës bujqësore; ulej, këmbëkryq, e kuvendonte shtruar me ta, për çështje nga më të ndryshmet që kishte nxjerrë jeta. Fjala e tij e çiltër, e thënë me gjuhë të thjeshtë e të pastër, dëgjohej, me vëmendje nga bashkëbiseduesit dhe zinte vend në mendjen e tyre. Edhe kur doli në pension pleqërie, falë mundësive më të favorshme që u krijuan, për të gjithë e në veçanti për Arifin, ai nuk i shkëputi lidhjet me fshatin. Arifi ishte tradicional dhe zbatonte, me fanatizëm traditat e mira të trevës.
Fakti që fëmijët e shumtë që rriti dhe edukoi, krijuan lidhje të reja, të domosdoshme, e bëri Arifin mik qosheje në vatra të tjera, thuajse në të gjitha fshatrat e zonës e më tej. Arifi ishte zot muhabeti dhe i zoti për të drejtuar çdo gosti, fejesë e dasmë. Buzagazi i tij, i ëmbël dhe dashamirësia e shoqëruan Arif Qamilin, gjatë gjithë jetës.
Vitet e fundit të jetës, Arif Qamil Sulaj, i përcolli, mes fëmijëve të tij, të cilët, me prirjet e tyre individuale arritën të bëhen dikushi. Arifi ishte me fat, që, deri në frymën e fundit kishte pranë bashkëshorten e denjë, gruan "heroinë" – Lanën, me të cilën kaloi një jetë të qetë e të begatë. Pleqëria nuk i erdhi siç e meritonte. Arifi u sëmur nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, e cila vijoi plot 5 vjet. Më 2 korrik 2001, në shtëpinë e tij, në Krahës (qendër), u shua, përgjithmonë njeriu i mirë, babai i 15 fëmijëve, miku i gjithë atyre që e njohën Arif Qamil Sulaj. Ai u përcoll me nderime, siç e meritonte për në banesën e fundit, njëri nga njerëzit më të mirë të Kalivaçit – Arifi shpirtnjeriu.
Varrimi i Arif Qamilit ngjante më tepër si një miting, në të cilin morën pjesë shumë njerëz, nga Kalivaçi; Krahësi; Toçi; Qesarati; Anëvjosa; Zhulajt; Levani e nga mjaft treva të tjera. Njeriun e mirë, atë që nuk e dëgjoi njeri të grindej apo të ngrinte zërin me të tjerët, gojëmjaltin e zemërgjerin, Arif Qamil Sulaj, të cilin e donin dhe e respektonin të gjithë, e përcollën me dhimbje e me lot jo vetëm familjarët dhe të afërmit e tij, por të gjithë ata që e ndjenë e do ta ndjejnë sa të jenë humbjen e tij. Në çastin solemn të varrimit, fjalën e lamtumirës e mbajti Zenel Mërtiri, me profesion mësues; anëtar i Këshillit Komunal të Krahësit. Nderimi për njeriun e mirë u shpalos në të gjitha ceremonitë mortore; respekti dhe kujtimi për të do të jenë të përjetshëm se Arifi punoi, me ndershmëri e pa mburrje, gjatë gjithë jetës aktive të tij, pa u kujdesur për veten e tij, por në shërbim të komunitetit.
Ky shkrim modest, le të shërbejë si një homazh e mirënjohje për atë që ka bërë, me aftësi, përkushtim e ndershmëri, një kalivaças i thjeshtë, i cili e mbajti lart, pa u lëkundur, në asnjë rrethanë, flamurin e luftës për dinjitet njerëzor dhe përparim social.
- I paharruar qoftë kujtimi i tij; t’i rrojnë ata që ka lënë pas!
Në Tiranë, tetor 2016
Shkroi Niazi Nelaj




Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.