(Monografi kushtuar zdrukthëtarit ulok, Asim Mehmet Nelaj, të cilin mund ta quajmë: Qëndistar i drurit)
Kam dëgjuar shpesh të thonë: “Ky apo ai tjetri është i ekuilibruar!” Nuk është fjala për ndonjë gjimnast, akrobat cirku apo, siç thonin dikur – pehlivan. Më së shumti, bëhet fjalë për qëndrimet që mban njeriu në jetën e përditshme, e jo vetëm kur komenton ngjarje me peshë. Aq e vërtetë është kjo, sa disa janë “pagëzuar” si “peshore” e të tjerët u drejtohen atyre me pyetje për t’u sqaruar. Jeta ka vërtetuar se ekuilibristi më i mirë ka qenë e vazhdon të jetë vetë nëna natyrë. Çdo njeri, pa ndonjë vështirësi, mund të sjellë argumente të shumta në të mirë të kësaj ideje.
Vini re si pasojnë njëra-tjetrën stinët e vitit, pa ngatërruar radhën. Secila, me veçoritë e saj. Ose: kur shterron një burim uji, nuk ka nevojë për të provuar se diku gjetkë ka shpërthyer uji ose ka rrjedhje të tij. Por natyra nuk bën vetëm ekuilibristin; ajo, në të njëjtën kohë, bën dhe kompensimin, në mënyrë të përkryer. Pa tentuar të bëj teorizime të konsumuara, e pa u lodhur t’u mbush mendjen njerëzve, gjithkush ka vënë re se “tek një njeri që e ka të parët të kufizuar, ndjeshmëria është më e madhe; apo, nëse njëra dorë nuk e ka funksionin ose mungon, dora tjetër është më e fuqishme etj.”
Në Kalivaç të Tepelenës, në shekullin e shkuar jetoi e punoi një burrë me shpirt e shije artisti, edhe pse nga të dyja këmbët ishte ulok (ai i kish këmbët, të dyja, por të pazhvilluara). Asim Mehmet Nelaj, zdrukthëtari i pashkollë, por me shpirt artisti, e ka lënë emrin thuajse në çdo shtëpi, kudo ku ka bërë objekte funksionale dhe zbukurimi. Me vegla të thjeshta dore, gjysmëprimitive, por funksionale, xha Asimi, duke dalë mbi kufizimet e fizikut të tij, punoi, me dorë, falë mendjes së tij prej artisti të vërtetë: sepetet e nuseve; djepet ku përkundej jeta; dybekë; fërriçë dybeku; sufra, bucela, vedra, talëra, kade, hambarë, furka e druga, petësa; farasha lugësh, musëndra, dollapë, deri bastunë e samarë për kafshë ngarkese etj. Ai nuk ishte i vetmi zdrukthëtar në Kalivaç. Gdhendjen e drurit dhe zbukurimet me dru i kanë bërë, me më shumë cilësi, edhe: Ago Manxhar Çelaj; Muharrem Nebi Caushaj; Hajri Dule Dulaj; Çelo Ago Çelaj, Haxhi Jonuzi etj.
Shpirti artistik tek burrat kalivaças është shpalosur fuqishëm e qartë, edhe në fusha të tjera të jetës. Muharrem Kamber Dëraj, nga Ahmetajt, ishte “mjeshtër” për përgatitjen e parmendave, me gjithë aksesorë; Azis Selfo Alidervishaj dhe Shyqo Abedin Hadëraj kishin “dorë të mirë” e u zihej çdo shartim; Muhedin Salih Nelaj; Qemal Sherif Zenelaj (Muçoimaj), Xhemal Idrizi etj., pa shkuar asnjë ditë në shkollë, ngrinin hipi (mullarë), me kashtë, me bar e me lëpushka, me saktësi të madhe e me figura gjeometrike precize. Ferrik Çobani; Axhem Aliu; Medin Çelaj, Qamil Aliu etj. u bënë mjeshtra të gdhendjes së gurit; Sadik Xhemali; Veli Canua; Halo Gani Ramaj; Agim Muhedini etj. çelën një etapë të re për ndërtimin e banesave me mure guri të gdhendur. Fejzo Salikua; Matush Ademi; Haxhi Aliu etj. ishin nga më të përkryerit për ndërtimin e kasolleve me kashtë.
Asim Mehmeti u lind në mëhallën Ahmetaj të Kalivaçit, në fisin me shumë pinjollë të Nelajve në vitin 1885. Nënë Inxhija dhe baba Mehmeti, prindërit e Asimit, ishin kalivaças autoktonë e nga derë e madhe. Mehmeti, babai i Asimit, ishte i biri i Myftarit, nip i Nelos, njërit nga të tre djemtë e themeluesit të mëhallës, Ahmetit.
Çifti Inxhi e Mehmet Salihu lindi dy vajza: Melaten dhe Sadon dhe pesë djem: Pashon; Musanë; Shaqon; Barjamin dhe Asimin. Mehmeti ishte bujk e çoban, denbabaden, kurse Nënë Inxhija ishte shtëpiake. Familjet që rrodhën nga pinjollët e martesës së Inxhisë me Mehmetin u shtuan dhe formuan një degë të fisit Nelaj.
Ata u quajtën Mehmetaj. Pinjollë të këtij damari, sot i gjen mjaft të shtuar dhe në të gjithë botën. Nënë Inxhija ishte grua e zgjuar, e shkathët dhe me iniciativë. Ajo kishte fituar përvojë të mjaftueshme në rolin e mamisë popullore dhe ishte në gjendje të priste fëmijë, në lindje normale dhe në raste të vështira.
Ajo grua, e veshur kokë e këmbë me të zeza, me atë shtat mesatar e me duar të shkathëta, më priti, kur erdha në jetë, në atë mëngjes të marsit të vitit 1943, në një kohë kur Xhevit Malkos, të rritur jetim, i duhej medoemos një djalë, si trashëgimtar. Njoftimi që dha asistentja mami, se Zonja e Madhe e Binajve lindi djalë, gëzoi jo vetëm familjen dhe fisin, por dhe më tej se kaq.
Familja e Mehmet Salihut kishte mjaft mall e gjë dhe troje për të ndërtuar. Arishtat dhe trojet kryesore të familjes ishin në faqen e pjerrët, perëndimore të kodrës mbi të cilën është ndërtuar mëhalla e Ahmetajve. Tokat arë, më produktivet, ishin në vendin e quajtur Margëlliç; në Llagëme (afër lumit Vjosë); në Gryka dhe në Shure. Familja bujqësore e Mehmetajve dispononte dhe mjaft krerë bagëti të imëta, të leshta; qe e lopë dhe kafshë ngarkese. Sa ishin të pamartuar djemtë, familja ishte kompakte dhe banonte në të njëjtën strehë; pas martesës së tyre, çdo djalë e ndezi zjarrin më vete dhe familja u shpërbë.
Sipas traditës vendase shumëvjeçare, prindërit ishin të detyruar të pleqëronin me djalin e vogël të shtëpisë. Mehmeti u nda shpejt nga jeta, në prag të Luftës së Dytë Botërore; Inxhija jetoi më gjatë. Përveç respektimit të traditës, Asimi pleqëroi pleqtë edhe për një motiv të fortë: ai ishte ulok nga të dyja këmbët dhe prindërit qëndruan me të edhe për ta ndihmuar. Meqenëse do të pleqëronte prindërit, Asimit i takoi, përveç pjesës së mallit si gjithë vëllezërit e tij, edhe shtëpia me dy kate, anës udhës që zbret në Sheshin e Veldonit, nëpërmjet Brinjës së Qëndret. Shtëpia që i ra në pjesë xha Asimit ishte e ndërtuar me gurë të bardhë, të gdhendur, me mur të lidhur mirë, me llaç gëlqereje dhe me breza druri, në çdo 0.75 m. Banesa ishte me odë sipër e me katua poshtë.
Në katin e dytë, ngjitja realizohej nëpërmjet një pale shkallësh të gurta, të ndërtuara nga jashtë murit. Në krye të shkallëve ishte një sheshpushim ku vendoseshin opingat e të ardhurve. Hyrja në katua realizohej nëpërmjet një porte, me qemer sipër, të ndërtuar me mjeshtëri, me një hark guri të gdhendur bukur.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, më tepër nga pakujdesia e të zotëve të shtëpisë, banesës i ra zjarr e ajo u shkrumbua plotësisht. Brenda saj, familja kishte një kaposh me plaçka, të cilat u dogjën e u bënë shkrumb. Shpëtuan njerëzit dhe ky ishte fat i madh. Pas djegjes së shtëpisë, xha Asimi, i ndihmuar nga të tijtë, ndërtoi një kasolle me kashtë, me përmasat e një dhome të zakonshme, ku u mblodh me fëmijët që solli në jetë dhe banoi, derisa u krijuan kushtet për të ngritur një banesë prej guri.
Nënë Inxhija dhe bashkëshorti i saj, Mehmet Salihu, i martuan djemtë dhe vajzat e tyre duke krijuar miqësi të reja, me fshatarë të trevës, afër Kalivaçit. Disa shkaqe të pranueshme e determinuan këtë zgjedhje, por më kryesoret lidhen me mentalitetin dhe psikologjinë e përafërt të banorëve të këtyre fshatrave me kalivaçasit. Përveç kësaj, afërsia me miqtë e rinj krijonte lehtësira për të shkuar tek njëri-tjetri, si në të mirë, ashtu dhe për të keq. Vajzën e madhe, Melaten, ata e martuan në Sevaster, në një derë të madhe e të fismë, kurse Sadon e martuan me Hysen Mahmut Alidervishaj, në Hysodosaj, me shtëpinë e së cilës kishin lidhje vizuale. Sadua, nga avllia e shtëpisë ku shkoi nuse, vështronte, me sy të lirë, të gjitha lëvizjet e njerëzve të saj, në Ahmetaj. Edhe nuset e djemve, plaku Mehmet Salihu, i mori në fshatrat kufitarë.
Pashua u martua me Ganon, nga Qesarati; Shaqua, me një nga Çorrushi; Asimi, me Shanikon, nga Dorza. Vetëm Musai u largua nga tradita. Ai, i ndodhur në emigracion, në Anadol (Turqi), u njoh e u martua me Hysnije kapedanen, nga Kolonja e Gjirokastrës, familja e së cilës kishte shkuar në kurbet, si ai, dhe erdhën të dy në Kalivaç, me një vajzë 2 vjeçe (Mushon).
Pas martesës së djemve, Mehmetajt u shtuan mjaft e nuk mund të qëndronin së bashku, nën të njëjtën çati. Familja e madhe, patriarkale, u shpërbë. Djemtë me nuse u ndanë më vete dhe ndërtuan shtëpi, në trojet e të parëve, në mëhallën Ahmetaj. Trojet e tyre ishin, kryesisht, në pronat e fisit Nelaj. Kufitarë kishin pinjollët e Haxhi Salihut, Jaçe Minos dhe vëllezërit Ahmet e Novruz Selfo, djem të Selfo Rexhepit. Pra, Salih Myftari i la pasardhësve troje të mjaftueshme për të ndërtuar banesa, në mes të fisit.
Edhe Musai, i cili u vendos në kufi me Binajt dhe Dërajt, mes kushërinjve ishte. Nga trungu i Nelajve nuk rridhnin vetëm fisi i Caqajve (Hadërajve) dhe ai i Sakajve (Zenelajve). Sipas traditës, më i vogli i djemve të familjes pleqëronte nënën dhe babanë. Asimit i ra në pjesë të kujdesej për Nënë Inxhinë dhe baba Mehmetin, i cili u nda shpejt nga jeta. Meqenëse ishte i kufizuar në lëvizje, për shkak të këmbëve të pazhvilluara dhe se do të kujdesej për prindërit, kur u ndanë djemtë, pleqësia dhe miqtë i dhanë atij shtëpinë dykatëshe dhe më shumë mall e gjë.
Asimi u lind në fisin Nelaj të mëhallës Ahmetaj të Kalivaçit në vitin 1895. Sipas rrëfimeve të të moshuarve, fëmijëria e Asimit u përcoll si e të gjithë bashkëmoshatarëve; madje, si fëmija i vogël i familjes dhe djalë, ai ishte pekul dhe, për këtë shkak, mori përkujdesjen e prindërve dhe vëllezërve e motrave më të rritur. Sipas një gojëdhëne, pak të besueshme, në rininë e tij, në veçanti në moshën e adoleshencës, Asimi ka pasur shtat të zhvilluar e të fuqishëm. Rrëfimi shkon më tej: tiparet e tij ishin mjaft të pëlqyera dhe tërë qenia e tij ishte simpatike.
Në mundjet që zhvilloheshin mes djemve të moshës së tij, në dasma e gosti, apo kur garonin në Sheshin e Veldonit, Asimi dilte gjithnjë fitimtar. Thonë se kur ai ishte në kulmin e zhvillimit e të bukurisë fizike, e paska parë “syri i keq” dhe, që atëherë, atij iu “thanë” këmbët e mbeti ulok. Ka të ngjarë që kjo të ketë ndodhur në kohën kur Asimi ishte akoma i pamartuar.
Në fshatin Kalivaç e më tej, për shkak të të qenit ulok nga të dyja këmbët, ai njihej me nofkën: Asim Çali. Meqenëse familja e Mehmet Salihut dhe fisi i Nelajve kishin emër të mirë dhe ndikim të fuqishëm në trevë, rrethi i fuqishëm miqësor dhe vetë familjarët e tij u përpoqën për ta martuar Asimin dhe e lidhën me Shanikon, e cila ishte bijë në fshatin Dorëz të Tepelenës dhe vuante nga sëmundja e Parkinsonit.
Mangësitë fizike të kryefamiljarit Asim Mehmeti, i cili zotëronte ara të shumta e të begata dhe dispononte bagëti të imëta e kafshë pune e ngarkese, nuk e lejonin atë të menaxhonte punët e shumta në arë dhe ato për mbarështimin e bagëtive. Prandaj, ai përzgjodhi profesionin e zdrukthëtarit, si të përshtatshëm për fizikun e tij. Profesionin ai e pëlqente dhe ia bëri shërbimin. Fillimisht me projekte të thjeshta e me disa vegla pune primitive, Asimi, ditë për ditë, i shtoi diçka profesionit të tij. Me shumë vullnet e me mendjen që i punonte për së mbari, Asimi u shndërrua në një mjeshtër të vërtetë dhe, me shije artistike, gdhendi lloj-lloj pajisjesh e orendish shtëpiake. Me vegla primitive, ku përfshiheshin: një zdrukth dore; një daltë e një çekiç; një sharrë dore, fare e thjeshtë, me një fletë dhe një palë pinca (darë), por me shumë krijimtari e fantazi, Asimi shpejt nxori nga duart e tij mrekulli.
Objektet e punës së Asim Mehmetit zdrukthëtar fillimisht ishin të rëndomta dhe punët që nxirrte dora e tij i shërbenin kryesisht familjes. Si fillim, ai mësoi të gdhendte trungje për të bërë koreshë, nga ata mbi të cilët shtrydhen ullinjtë me këmbë e nxirret vaji; bënte pajisje të thjeshta, si vare, sergjenë, sharronte dhoga e bënte orendi të thjeshta, tabutë etj. Me kalimin e ditëve dhe mbasi kishte përparuar në profesion, orenditë e përgatitura nga xha Asimi u pëlqyen në fis, në mëhallë, më tej, në fshat dhe i kapërcyen kufijtë e tij. Pëlqimi i orendive që dilnin nga duart e tij rriti dhe popullaritetin dhe reklamën për ulokun me zdrukth e sharrë në dorë, që bënte mrekulli. Përmirësimi i cilësisë së orendive zgjeroi tregun e shtoi gamën e kërkesave për to. Vërshuan kërkesat dhe porositë e uloku siguroi, me mund e me djersë dhe me fantazinë e zhvilluar të tij, mjetet e domosdoshme për jetesë.
Zakonisht, xha Asimi i punonte orenditë e porositura në kasollen prej kashte që kishte ndërtuar tek lëmi, mes ullinjve kaniniotë, e cila, kur mbyllej nga tymi, kthehej në një ferr. Të shumtën e herës, porositë i punonte në shtëpinë e porositësit. Zdrukthëtari pa këmbë nuk mund të gjendej në vendin ku kishte marrë porosi, as me ndihmën e dy patericave primitive që mbante me vete; atij i duhej një mjet për të lëvizur nga njëri vend në tjetrin. Kushtet ishin të tilla që lejonin qarkullimin nëpër rrugët e atyre viteve vetëm me kafshë dore. Dilte dhe një problem tjetër, i vështirë: xha Asimi, me këmbë të pazhvilluara, nuk mund të ngjitej mbi samarin e kafshëve truplarta, si kali, pela e mushka. Këtë problem, ai e zgjidhi vetë.
Bleu një gomar, mashkull, ngjyrë kafe, të pjekur, të ulët e të qetë, të cilit mund t’i ngjitej më kollaj dhe, i hipur mbi kafshën e “çjerrë” (të tredhur), ai lëvizte nga mëhalla në mëhallë e nga fshati në fshat.
Praktikisht, çdo familje, sado e varfër të ishte, disa orendive të domosdoshme për përgatitjen e ushqimit, transportimin e ujit të pijshëm dhe zbukurimeve të domosdoshme, në veçanti të djepeve e sepeteve, duke shtrënguar rripin, u bënte hall. Ku nuk e gjeje xha Asimin? Në Hasanbegaj; në Leshnje; në Bozanaj, në Meçaj dhe në të katër mëhallet e “Pusit”.
Ai ishte i pranishëm, thuajse në çdo vatër kalivaçase. E njihnin edhe fëmijët e moshës kur sapo kishin mësuar të shqiptonin fjalët dhe të çapiteshin oborreve të shtëpive dhe rrugëve lidhëse mes tyre. Shpesh ata “cicërinin” nëpër oborre e në dritare ose të hipur mbi ndonjë pemë, duke lajmëruar se po vinte mjeshtri. “Eli xha Asimi!” – bërtisnin të gëzuar vocërrakët, të cilët, nga bisedat mes prindërve të tyre, kishin mësuar për planet e familjes dhe mezi prisnin t’i vështronin të realizuara ato.
Ai shkonte dhe në disa mëhallë “të largëta” e me pak shtëpi, si Margëlliçi; Plira e Ruçit; Saloniqi; Çesma e Thatë; Specova etj. dhe në fshatrat e afërt si Krahësi; Toçi; Fratari; Çorrushi; Kuta; Shkoza; Sevasteri; Dorza etj., kur merrte porosi.
Mbi gomarin e tij të ulët, xha Asimi ngjitej vetë, pa ndihmën e të tretëve. Për ta bërë më të praktikueshëm procesin e ngjitjes mbi kafshë, në një qoshe të avllisë (lëmit) e pranë udhës që të largonte nga kasollja e tij me kashtë, ai kishte vendosur një gur, siç bënin rëndom, në ato vite, burrat që shalonin kafshë ngarkese me trup të lartë. Në kompletin e veglave të punës së xha Asimit, të futur në një torbë prej materiali të fortë tekstili, bënin pjesë: një zdrukth dore, rreth 50 cm i gjatë; një sharrë dore njëfletëshe, po aq e gjatë; një sqepar, i mprehur mirë; një çekiç, me bisht të shkurtër, një cmilar (daltë) dhe një palë pinca (darë). Veglat e punës i mbante përherë të mprehura, me gri e me strall dhe herë-herë, me një uruar apo me një copë çelik. Me torbën e veglave, të varur në kaptellin e prapmë të samarit dhe me një copë buke misri, trazake ose të përgatitur me ujë të valë, me çfarë t’i ndodhej, Asim Mehmeti, duke punuar shumë vite, ishte bërë si pjesëtar i familjeve kalivaçase dhe më gjerë. Bukën që merrte, në mëngjes, nga shtëpia, e kthente përsëri në darkë, të paprekur.
Po ku e si ushqehej Asim Mehmeti? Të ushqyerit e tij nuk ishte punë e një dite, por e përditshme dhe që zgjaste mjaft në kohë. Atje ku punonte, ai siguronte dhe të ushqyerit. Gratë e Kalivaçit në çdo kohë janë dalluar për bujari e shpirt të mirë.
Ato, si zonja shtëpie e menaxhere të afta të ekonomisë familjare, kishin si të shenjtë dhe bekim bukëdhënien. Në Kalivaç ka qenë e rrënjosur tradita e mirë, sipas të cilës ustai (i çdo profesioni), kur punonte në një familje, trajtohej dhe me ushqim, sikur të qe pjesëtar i familjes. E zonja e shtëpisë, duke e mirëpritur e duke e trajtuar ustanë me ushqim, madje më të zgjedhur e më cilësor nga ai që u jepte pjesëtarëve të familjes, nderonte veten; burrin, familjen dhe fisin.
Xha Asimit i shijonin mjaft zogu me rosnica, si gatim tradicional i kalivaçasve; bulmeti (qumështi, kosi, djathi, gjiza, gjalpi, urrëla); pekmezi e, kur ishte rasti, mishi i pjekur, në saç ose mbi këmbje. Ullinjtë e kripur dhe vaji i ullirit ishin mjaft të preferuar e të gjendur në shtëpitë kalivaçase. Xha Asimi nuk shquhej si përdorues i alkoolit, por ndonjë duçe (shishe e posaçme) me raki koçimareje, sa për të shoqëruar ushqimin, e rrokulliste, me dëshirë. Nga goja ishte “brisk” dhe profesioni e kishte shkathtësuar për të nxjerrë nga goja, në çdo rast, fjalën e mirë e urimin e gjetur. I njihte xha Asimi, madje me emra, të vegjlit dhe të rriturit e fshatit dhe e kishte derën të hapët në çdo shtëpi. Mund të pohoj se uloku me shpirt artisti ishte i brendshëm në çdo familje.
Sipas traditës kalivaçase, ustanë, mbas punës, ose, sipas rastit, edhe në mes të saj, familjarët e hidhnin në qoshen e djathtë dhe i bënin të gjitha nderimet që i takonin mikut, pavarësisht se ai ishte bashkëfshatar i tyre.
Nikoqirja e shtëpisë, në mungesë të burrit, kishte për detyrë ta mbante derën “hapur” dhe ta nderonte atë derë. Duke e bërë këtë, ajo, në të njëjtën kohë, nderonte veten dhe të shoqin. Po të ndodhej në shtëpi burri, ai mund të therte dhe një mish (qengj, kec, dele, dhi etj.); këto ishin kompetenca të tij. E zonja e shtëpisë e kishte “hapin” deri tek therja e një pule fushe ose, e shumta, arrinte deri tek kaposhi i detit. Këto ishin simbolike; mbasi në fakt, rëndësi merrte nderimi i mysafirit dhe këtë kalivaçasi e ka pasur në gjak, qysh në kohët e lashta.
Mikpritja kalivaçase as nis e as mbaron tek gatimet. Kur një i njohur apo i panjohur i afrohej shtëpisë dhe fliste, në emër të burrit, siç ishte në traditë, apo në emër të djalit të madh të shtëpisë, nikoqirja, së brendshmi, pavarësisht nga puna me të cilën ishte e angazhuar, përgjigjej: “Lepe” dhe më pas, kur i ardhuri pyeste: “Ku është filani?”, ajo, pa u vonuar, i dëftonte dhe e ftonte të futej brenda, me fjalët: “Zotrote, urdhëro brenda, se filani (nuk e zinte në gojë emrin e burrit) vjen shpejt”. Me të hyrë në avlli mysafiri, ajo e priste me fjalët: “Mirë se na erdhe, t’u bëfsha”, ose “të marrsha të keqen”, dhe e takonte. Po të ishte i ardhuri i njohur ose mik i familjes apo fis i saj, ajo e përqafonte dhe e puthte në faqe; nëse nuk e njihte, takonte dorën me të e me mirësjellje e ftonte të futej brenda. Ajo e orientonte të sapoardhurin në qoshen e djathtë, e cila ishte vend nderimi dhe mbasi ai ulej mbi shilte, e qeraste me çfarë t’i ndodhej dhe e pyeste, sipas rastit. Sipas radhës në rrethin shoqëror e miqësor të familjes dhe sipas “peshës”, e zonja e shtëpisë përvishej për të gatuar vaktin më të afërm.
Të qerasurat ishin të ndryshme. Ato vareshin nga gjendja ekonomike e familjes pritëse dhe nga vendi që zinte i ardhuri në shtëpi në rrethin miqësor; pa nënvlerësuar personalitetin e të ardhurit. Sido që të ishin situata dhe gjendja ekonomike e familjes pritëse, një cigare duhani ishte simbol i mikpritjes.
Pas cigares, një gotë raki, më së shumti prej koçimareje, gjithashtu bënte pjesë në simbolikën e mikpritjes kalivaçase. Kur i sapoardhuri kërkonte ujë, në Kalivaç ka funksionuar një “rregull”, i pashkruar, sipas të cilit e zonja e shtëpisë nuk servirte ujë, por një sapllak me dhallë. Më pas vinte kafeja.
Dikur, para shumë vitesh, kur ky produkt gjendej me vështirësi, në vend të saj, në mjaft familje, servirej sherbet (ujë me sheqer). Motivet e vizitës së një mysafiri, në shtëpinë e mikut, ishin nga më të ndryshmet: për të pyetur e për të mësuar për fisnikërinë e një rasti, kur duhet të lidhte një miqësi të re; për t’i kërkuar hua apo për të kthyer një borxh që i kishte i zoti i shtëpisë; kur duhet të nisnin, së bashku, një veprimtari, apo për të marrë një udhë etj.
E zonja e shtëpisë e informonte të ardhurin mbi vendndodhjen e bashkëshortit dhe kohën kur ai mund të kthehej në shtëpi etj. Në rastet kur ushqimi (vakti) ishte gati e i zoti i shtëpisë nuk po kthehej, ustait i servirej ushqimi e, në raste të veçanta, në sufra ulej, së bashku me mikun e fisit, edhe e zonja e shtëpisë. Në këto raste, nderimi për të ardhurin bëhej më i ndjeshëm.
Xha Asimi, kur zinte punë në një familje, qëndronte atje disa ditë radhazi. Kësisoj, nikoqirja nuk ishte e detyruar t’i zbatonte një për një të gjitha ritet e mirëpritjes, siç veprohej për një mysafir tjetër. Nuk dua ta bezdis e ta ngarkoj lexuesin me teprime, por disa gjëra jam i detyruar t’i them. Zakonisht, Asim Mehmeti, punët e zdrukthëtarit i kryente në një cep të konakut, të cilin e kishte përshtatur për të kryer punët e tij. Kur ai merrte në dorë një copë dru (dhogë), për ta bërë objekt shërbimi apo zbukurimi, përveç që e kishte përpunuar në mendje, qysh më parë, projektin, duke prerë apo duke gdhendur drurin, xha Asimi zhvillonte një dialog me objektin mbi të cilin punonte. Po çfarë i thosh uloku drurit mbi të cilin vepronte?
Siç bënin të gjithë mjeshtrit e profesioneve të ndryshme, fillimisht, ai bënte duanë e punës. Xha Asimi njihej dhe si yshtar. Pa besuar shumë në ato që thosh, ai, edhe pa qenë supersticioz, përsëriste, me vete, disa fjalë, të cilat gjoja sillnin mbarësi. Ai nuk e niste kurrë punën pa bërë më parë Bismilahin. Kishte dhe njerëz që besonin në profecinë e tij dhe që i shkonin për t’i yshtur, me dhurata simbolike. Siç më kujtohet nga fëmijëria, xha Asimi, kur yshtte dikë, fjalët që shoqëronin masazhin, i artikulonte me zë të lartë. Ne, të vegjlit që ndodheshim pranë e i dëgjonim fjalët që artikulonte yshtari plak, i përsëritnim ato, jo pa humor, në familjet tona e në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Dialogu mes xha Asimit dhe drurit vijonte gjatë. Ndoshta, në themel të fjalëkëmbimit mes ustait dhe drurit qëndronte procesi i transformimit të drurit, nga pylli, në një objekt zbukurimi ose shërbimi. Mjeshtri drugdhendës punonte gjithë ditën në vetmi. Atë kishte shok për kokë: drurin që gdhendte dhe veglat e tij primitive. “Je rritur në pyll, i lirë, me shokë shumë, të ka rrahur era e shqota; ke parë e ke marrë diell, pa kufi, ke thithur ajrin e pastër të pyllit e ke pasur të afërm të shumtë, si ti; të preva e po të gdhend, do të ta marr lirinë e pyllit e do të të bëj orendi për të zbukuruar shtëpitë e bashkëfshatarëve të mi; do të qëndrosh në një qoshe të konakut e ata që do të hyjnë e do të dalin, do të shijojnë e do të kënaqen me bukurinë tënde, kurse ti do të flasësh me vete”. Shtynte kohën mjeshtri, me këtë dialog të improvizuar, por dhe i komunikonte “viktimës” dashurinë që ai mblonte për objektin mbi të cilin gdhendte.
I donte objektet që gdhendte mjeshtri e në çdo objekt fuste diçka nga dashuria e tij për botën që e rrethonte.
Asim Mehmeti kishte dhe një prirje tjetër. Në fisin Nelaj dhe më gjerë, ai, në çdo rast, ishte në përbërje të ekipit që përzgjidhej për të përgatitur gatimet e dasmave, daveteve dhe për të përcjellë vakitë. Xha Asimi, si shumë bashkëfshatarë të tij, kishte privilegjin e njohjes në detaje të trupit të bagëtisë. Si gjithë burrat nga Kalivaçi i Tepelenës, ai, edhe pse nuk kishte kryer ndonjë shkollë ku mësohet anatomia, duke therur e rjepur herë pas here bagëti, kishte mësuar dhe pjesët e trupit dhe si e ku duheshin prerë ato, në mënyrë që të mos copëtoheshin kockat.
Në një qoshe, pranë zjarrit bubulak (në dimër), xha Asimi, me një dru mishi përpara gjunjëve dhe me hanxharin në dorë, copëtonte mishin dhe përgatiste hisetë dhe thelat e tij. Në dukje, çështja paraqitet e thjeshtë, por nuk është kështu. Atij që copëton mishin e pjekur në hell nuk i mjafton të dijë vetëm mënyrën e prerjes, por domosdoshmërisht kërkohet të dijë: cila pjesë do t’i shkojë këtij e atij miku, për ta nderuar atë. P.sh.: bishti, shpatulla, gjysma e kokës, nofulla etj., ishin shenja dalluese për të nderuar miqtë, sipas “peshës”, në vargun e miqësisë.
Në çdo rast, xha Asimi mbante pranë vajzën e madhe, Xhikon, të vetmen, deri atëherë, e cila, për fat të keq, nuk e pati jetën të gjatë.
Kamerierët që ishin në shërbim të trapezave, si rregull, ishin djem të rinj, të zgjuar e të shkathët, por që nuk i njihnin mirë miqtë e shtëpisë e nuk e kishin të qartë kujt, çfarë do t’i çonin përpara. Miqve “me peshë” u vihej përpara, në sufra, në një pjatë, thela simbol që u takonte, e shoqëruar me copa mishi, nga pjesë të shijshme, siç janë brinjët, qafa etj., për të mbushur pjatën dhe stomakun e mikut. Mbasi ndante hisetë, Asimi “kasap”, në një tepsi, vendoste mjaft thela, sipër pilafit, makaronave apo përsheshit tradicional lab. Ata që qaseshin në sufra rrëmbenin thelën që u pëlqente, duke menduar dhe për shokët. Vlerësimin e punës së Asim kasapit e bënte i zoti i shtëpisë, pas përfundimit të evenimentit. Në çdo rast, i kënaqur nga puna e tij e ndershme, xha Asimi merrte udhën për në kasollen e tij mbi gomarin “taksi”, i cili i njihte mirë udhët e mëhallës e të fshatit.
Meqenëse ishte me një të metë trupore (ulok), Asimin, vëllezërit dhe motrat, fisi, miqësia dhe gjithësa e njihnin shpirtin e tij të mirë dhe duart e arta e martuan me Shanikon nga Dorza, e cila vuante, që në fëmijëri, nga sëmundja e Parkinsonit, e cila, si rregull, nuk transmetohet nga brezi në brez. U bë dasmë e madhe, në Nelaj. Jo vetëm për faktin se fisi i Nelajve ishte i shtuar, por dhe për atë që po martohej Asim Mehmeti, një njeri i fismë, por fatkeq.
Nga martesa mes tyre lindi një vajzë, e cila nuk i kapërceu 7 vjetët. Pas saj lindën Kujitimi, bukuroshja Refije dhe Bajrami. Me ato veglat primitive dhe me punën e tij “titanike”, Asim Mehmeti dhe familja e tij mbijetuan, rritën dhe edukuan fëmijët dhe me kursimet e mbledhura gjatë gjithë jetës aktive, ndërtuan fillimisht një banesë njëkatëshe të tipit elbasanas, më pas ato u bënë dy, në vendin e quajtur Shure, pranë përroit të Faqekuqes.
Nuk mund të mos ju rrëfej një ngjarje të trishtë, e cila ka ngjarë para shumë vitesh, por jehona e saj ka shtegtuar nëpër vite e na vjen sot, e freskët dhe e dhimbshme. Kur u bë për martesë, Asim Mehmeti dhe bashkëshortja e tij Shanikua e martuan bijën e tyre, Refijen e bukur, në fshatin Shkozë, përtej Vjosës, me Avdulin e Abenit. Nga martesa mes tyre lindi një vajzë, e cila, qysh në moshë fare të vogël, ishte e lidhur shumë pas gjyshërve të saj, në Kalivaç.
Ajo vinte shpesh tek xha Asimi e Nënë Shanikua, në shoqërinë e prindërve të saj. Vajza qëndronte në Kalivaç disa ditë, derisa prindërit vinin për ta marrë. Në një ditë gushti të vitit 1967, kur vajza ishte rreth 8 vjeç, i ati, me të bijën për dore, kaloi lumin, në vah, tek vendi i quajtur Ullinjtë e Hanit dhe e pruri të bijën, në Kalivaç, tek gjyshërit. Xha Asimi ishte në punë; Nënë Shanikua kishte shkuar në burim, për të mbushur ujë. Dera e shtëpisë ishte e mbyllur, me një dryn, siç i mbyllnin në atë kohë. Meqenëse ishte kohë e mbledhjes së prodhimeve dhe Avduli duhet të kthehej në Shkozë, sa më parë, i tha të bijës: “Qëndro këtu, sa të vijë Nëna!”
Dhe iku, andej nga erdhi. Vajza e parritur u mërzit nga pritja e gjatë dhe mori udhën, nga kishte ardhur, me babanë e saj. Mirëpo, kur vajti tek lumi, nuk e mbante mend vendin ku ndodhej vahu e u fut në ujë, vah pa vah. Lumi e mori e vajza u mbyt. Gjëmë e madhe, në të dy brigjet.
Pas saj, në jetën e çiftit erdhën fëmijë të tjerë, por ajo brishtësi e pafajshme, që humbi jetën në valët e lumit, kujtohet sot e kësaj dite.
Vitet rrodhën dhe tek mjeshtri i gdhendjes së drurit Asim Mehmeti trokiti pleqëria. Mosha, së bashku me mangësinë fizike të tij, ishte një barrë e rëndë për këtë të moshuar. Ai, i detyruar, u mbyll mes katër mureve, por nuk e pati të lehtë këtë gjë. Ishte miqësuar e ishte i lidhur ngushtë me veglat e tij të mprehta, me të cilat kishte gdhendur dru, gjithë jetën. Asim Mehmeti e kishte endur jetën e tij në çdo shtëpi e në objekte të ndryshme zbukurimi. “I hanin duart” për punë xha Asimit dhe e kishte kaluar jetën me punë të ndershme, prandaj nuk e ndërpreu punën, por kaloi në “ilegalitet”.
Artisti pa këmbë u nda nga jeta në mes të muajit shtator të vitit 1988, në shtëpinë që ngriti vetë, në Shure dhe u varros, një ditë më pas, në varrezat e mëhallës Ahmetaj, të cilat ndodhen rreth 200 m në lindje të shtëpisë së tij. Vitet që kanë kaluar nuk e kanë zbehur aspak jetën dhe emrin e mjeshtrit drugdhendës. Ai ka lënë gjurmë të pashlyera dhe e ka gdhendur emrin në çdo shtëpi.
Në Tiranë, nëntor-dhjetor 2016
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj
Shënim: Ky shkrim u inicua e u konkretizua me këmbënguljen e bashkëfshatarit dashamirës Sadik Hysenaj, i cili, me qëndrimin e tij këmbëngulës, “më zhvendosi” radhën e punës!
Në saktësimin e disa datave dhe për gjetjen e fotografisë, ndihmoi nipi i xha Asimit, i cili mban të njëjtin emër e mbiemër!
Në radhë të parë, këtyre të dyve u shkon mirënjohja ime e çiltër!
Autori




Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.