Disa personalitete të spikatur

Në ngjitjen e tij shumëvjeçare, Kalivaçi, ka nxjerrë e ka rritur mjaft gra e burra, me personalitet të spikatur, të cilët, me bëmat e tyre i kanë shtuar lavdinë fshatit dhe jehona e tyre ka shkuar larg. Nuk është rasti për të berë evidencë, mbasi kjo do të ishte gjëja më e padobishme, por për të nxjerrë në pah vlerat e tyre, në mënyrë që ato të njihen e të shërbejnë për të mbajtura gjallë identitetin e njerëzve të këtyre trojeve.

Një gjë nuk mund të hattohet: Çdo periudhë e në çdo kohë, njerëzit e shquar të fshatit tonë, i kanë dhënë historisë të Kalivaçit gjithëçka kanë patur të tyre e gjithëçka kanë mundur. Ajo që i lidh e i bashkon ata, është tendenca për të nxjerrë në evidencë, jo veten e tyre dhe atë që kanë bërë, por përpjekjet për të thënë, me gjuhën e mendjes apo të pushkës, se këtë apo atë e ka berë një kalivaças, emri i të cilit, ndoshta nuk është bërë i ditur, asnjëherë. Ka një veçori, të cilën kalivaçasi e ka berë të tijën qysh në fillim. Nuk e ka për traditë kalivaçasi të bëjë tellallin e të propagandojë bëmat, por, tek ai, në brendësi të qënjes së vet, “zjen”, sedra e mirë dhe dëshira për të bërë diçka, në të mirë të fshatit të tij, Kalivaçit.

Një bujk, njeriu më i thjeshtë i fshatit, i cili, në dukje na paraqitet si një personazh fare i zakonshëm, duke u shërbyer, me aftësi e njohuri, bimëve në parcelën e vet të tokës, merr prodhime të bollshme, disa herë më të larta nga ato që marrin gjitonët, duke i shtuar diçka të mirë historisë të fshatit. Një çoban, kur e vështron tek u shërben bagëtive, me përkushtim dhe merr prej tyre, atë që është e mundur, paraqitet si një njeri që vështron punën e tij e nuk përzihet me të tjerët. Në fakt, ai, me përvojën e tij sjell në skenë një risi të dobishme, lidhur me mbarështimin e kafshëve të vathës së tij. Ose, le ti referohemi punës të një mësuesi, i cili spjegon, gjithë ditën, e ngjirret, duke u mësuar fëmijëve të fshatit, lëndët, sipas programit, brenda katër mureve të shkollës, puna e tij na paraqitet, si diçka e zakonshme; në fakt treguesit e punës së tij, shkojnë larg, shumë larg; ai mbjell të ardhmen e punon për vitet që vijnë. Edhe një njeri që ngre , bukur , një mur , në fund të avllisë, i shton diçka te bukurës së fshatit; edhe nje burrë apo grua , që vishet bukur e pastër , dhe komunikon me të tretët , me edukatë e kulturë dhe manifeston se është me haber , mesiguri i ka shtuar diçka të mirë Kalivaçit. Kështu mund të numërojmë dhe punë e profesione të tjerë. Ajo që mund të thuhet, është e përbashkëta e punës së tyre, e cila zhvillohet në dobi të komunitetit.

Në kohë të ndryshme, personalitetet e spikatur të fshatit tonë, sipas ndodhive, herë janë shtuar e kanë dalë në evidencë, herë të tjera, cilësitë e veçanta të banorëve, duket sikur janë në gjumë, por ato zhvillohen e përparojnë në heshtje. Kur vjen koha, vlerat e tyre dalin nga strofka ku janë futur e shpërthejnë, duke prurë ndryshime në jetën e banorëve të trevës. Në vitet e Luftës për liri, kundër pushtuesve fashistë dhe veglave të tyre, kalivaçi u shtoi luftëtarëve të lirisë, 52 partizanë; nga të cilët 10 ranë dëshmorë të Atdheut. Në këtë rubrikë, e cila u kushtohet, disa personaliteteve të spikatur të fshatit tonë, do ta nisim me një partizane, e cila , përjetoi, aktivisht, me armë në dorë, jetën e malit dhe, pas çlirimit të vendit, u bë agjitatore e flaktë e ideve që përshkuan Luftën Nacionalçlirimtare. Periudha e shndërrimit kooperativist të fshatit nxorri të tjerë personalitete, të cilët kanë vendin e tyre, në historinë e fshatit tonë.

Nuk mund të përjashtohet  rasti kur individë të veçantë, nisur nga egoizmi apo  nga prirja për t’u dukur, mund të shfaqin dhe qejfmbetje, të cilat, në çdo rast nisen  nga pozicione vetjake dhe janë produkt i një mendje të paarrirë. Historia e Kalivaçit, nuk nis e nuk mbaron këtu. Në vitet që do të pasojnë, të tjerë personalitete do ta shtyjnë përpara rrotën e ngjarjeve e do të bëjnë vend në aradhën e të shquarve. Lavdia, ndjek pas ata që bëjnë vend, me bëmat e tyre  dhe me kontributet që japin në të mirë të çështjeve të komunitetit.Opinionet gjithnjë mbeten të pjesshëm e vetjakë; çdo njeri ka mendim të pavarur për njerëzit e për punët; kushdo që ka minimumin e njohurive, mund ti shtojë listës, sa të dojë e kë të dojë. Kjo nuk prish, fare punë, kur bëhet me qëllime të mira.