Historia e Kalivaçit të Tepelenës është plot me akte heroizmi masiv e vetjak. Në çdo periudhë kohore janë shpërfaqur heronjtë e tij, të cilët nuk ngjajnë me shoqi-shoqin. Heronjtë tanë, me bëmat e tyre, kanë shkruar në faqet e lavdisë së fshatit dhe përbëjnë nderin e krenarinë kalivaçase. Përmbi të gjitha kohët, trimëria e banorëve të Kalivaçit është shpalosur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kalivaçi dhe kalivaçasit i dhanë Ushtrisë Çlirimtare më shumë se 52 partizanë dhe 10 të rënë, të cilët u shpallën „Dëshmorë të Atdheut“. Dhjetëra të tjerë u rreshtuan në radhët e nacionalistëve.
Pa përfillur ndikimet ideologjike dhe përkatësitë partiake, për Kalivaçin dhe banorët e tij, skamja e tejskajshme dhe urrejtja për pushtuesit fashistë të vendit ishin motive të forta që i bashkuan ata, me ndonjë përjashtim, rreth të njëjtit qëllim: shporrjen e fashistëve nga trojet amtare dhe çlirimin e vendit. Nuk mund të harrojmë, as të nënvlerësojmë faktin se Kalivaçin dhe kalivaçasit, përmbi ndasitë artificiale që solli lufta, i mbajtën të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin fisnikëria e njerëzve, lidhjet e gjakut, krenaria, krushqitë e miqësitë, si ato tradicionale, ashtu dhe të krijuarat rishtaz. Kooperativizmi, si periudhë e gjatë kohore, duke rrugëtuar nëpër shtigje të pashkelura, përveç dëmeve që pruri, veçanërisht në lëmin e pronës, njohu dhe „lulëzimin“ e afrimit e miqësimit mes njerëzve. Kjo kohë përgatiti dhe evidencoi kualitete të spikatura, të cilat i shpalosën vlerat në punë e detyra të ndryshme.
Në vitet që përcollën shndërrimet demokratike të vendit, në jetën e fshatarëve tanë u shfaqën të tjerë heronj, disa nga të cilët u flijuan për çështjen e përbashkët e u shpallën „Dëshmorë të Atdheut“. Tipik është rasti i djaloshit 21-vjeçar nga Kalivaçi, Anesti Laver Pashaj, i cili ra në krye të detyrës, duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në repartin „komando“ të Zall Herrit, në datën 3 gusht të vitit 1998.
Anesti Laver Pashaj, me propozim të komandës së repartit 1006, Zall Herr, u shpall „Dëshmor i Atdheut“, me vendim nr. 5, datë 3 shtator të vitit 1998, të Këshillit të Rrethit të Tepelenës. Vendimi u bazua në Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, me numër 4558, datë 18.1o.1969, nenet 1 dhe 2; me ndryshimet e bëra me Dekretin nr. 7199, datë 21.o1.1988.
Motivacioni për shpalljen e Anesti Laver Pashaj „Dëshmor i Atdheut“ është: „Për sakrifica, deri në sakrifikimin e jetës së tij, në shërbim të Atdheut!“ Kështu, „gjerdanit“ të heroizmit kalivaças, dhjetë dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare iu shtua dhe një hallkë, me kontributet e djemve të fshatit, rënë në fushën e mbrojtjes së vendit, në një tjetër kohë.
Anesti u lind në Kalivaç të Tepelenës, më 22 janar të vitit 1977. Prindërit e tij, Zylka dhe Laveri, ishin dy fshatarë të thjeshtë kalivaças, martesa e të cilëve u kurorëzua me lindjen e tre djemve: Agimit, Anestit dhe Xhevahirit.
Pas shkëputjes nga trungu i familjes fisnike të Mahmut Muharrem Pashaj, çifti i ri ndërtoi, me sakrifica, një banesë në vendin e mirënjohur si Qafa e Dërrasës, atje ku më parë ka qenë xhamia e mëhallës së Hysodosajve. Si mjaft bashkëfshatarë të tyre, Zylka dhe Laveri jetonin thjesht e me punë të ndershme; me djersën e ballit dhe me dinjitetin që trashëguan nga të parët e trungut Pashaj.
Jeta e ndëshkoi rëndë Anestin dhe familjen e tij. Kur ai ishte pak më tepër se dy vjeç, u nda nga jeta babai i tij, Laveri. Jetimi dhe vëllezërit e tij u rritën jetimë nga i ati, nën kujdesin dhe me sakrificat e vejushës Zylka, e cila, duke u rropatur në punët e vështira të bujqësisë së asaj kohe, rriti dhe edukoi tre djem: njëri më i mirë se tjetri. Ajo, duke marrë përsipër detyrën e vështirë të rritjes dhe edukimit të tre jetimëve, u mëkoi djemve të saj veti e virtyte të larta dhe një edukatë familjare për t’u pasur zili.
Ata që e kanë njohur nga afër Anestin e përshkruajnë atë si një djalë të urtë e të qetë, të sjellshëm e të edukuar, zemërmirë, pa vese e pa teka. Ai kreu vetëm tetë klasë të shkollës „Sami Musai“ të fshatit e nuk e pati fatin të ngjitej më lart në shkallët e arsimimit. Anesti vërtet nuk „shkëlqente“ për tregues cilësorë në shkollë, por sjellja e tij korrekte dhe dashamirëse të bënte të skuqeshe.
Para se të nisej për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, së bashku me moshatarët e tij, Anesti, në vitin 1997, provoi, për pak kohë, aventurën sfilitëse e me rrezik të shtuar të emigracionit ekonomik, në vendin fqinj të Jugut. Donte t’i gjendej në krah familjes, por mosha e re dhe afrimi i kohës për të kryer shërbimin ushtarak e kthyen shpejt Anestin në gjirin e familjes.
Bazuar në sjelljen „shembullore“ të tij dhe në gjendjen e mirë shëndetësore, u gjykua që Anesti të dërgohej për të kryer detyrën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në repartin komando të Zall Herrit, i cili mbante numrin konvencional 1006.
Gjatë kohës që shërbeu në këtë repart special, Anesti u shqua mes shokësh për disiplinë të lartë dhe të ndërgjegjshme në kryerjen e detyrave, duke shpalosur tipare të shëndosha e vlera të rralla humane, dëshmi të edukatës së shëndoshë që kishte marrë në familje. Ai shpejt fitoi simpatinë dhe respektin e shokëve dhe të eprorëve të tij. Anesti dallohej për marrëdhënie korrekte e dashamirëse, si me shokët, ashtu dhe me eprorët. Duke qenë i tillë, Anesti Laver Pashaj, me thjeshtësinë dhe drojën e tij të motivuar, u shndërrua në burim frymëzimi për shokët e repartit e të njësisë ku shërbente.
Në kuadrin e përgatitjeve ushtarake, për të marrë pjesë në stërvitjen me trupa „Skurraj“-1998, në rajonin e Milotit, në datën 3 gusht të vitit 1998, Anesti Laver Pashaj, në kulmin e moshës e të vitalitetit, humbi jetën në ujërat e lumit Mat, edhe pse ishte notar i mirë.
Përcjellja e 21-vjeçarit Anesti Laver Pashaj u bë në fshatin e tij të lindjes, në Kalivaç të Tepelenës; mes lotëve të hidhërimit; me nderimet që i përkisnin një ushtaraku të rënë në krye të detyrës. Mbasi u shpall „Dëshmor i Atdheut“, eshtrat e tij u zhvarrosën nga vendi ku preheshin e u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në Tepelenë.
Anesti u nda nga jeta, duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në moshën e lulëzimit e të pjekjes; dhimbja, për këto shkaqe, ishte tjetërsoj, e pamatshme; por dhe krenaria e ligjshme që la pas vdekja e tij e parakohshme ishte e madhe, si për nënën që e rriti me shumë halle, ashtu dhe për vëllezërit e për fisin e fisëm të tij, të cilit do t’i mungojë përjetë.
Çdo banor i Kalivaçit të Tepelenës, kur numëron dëshmorët që i ka dhënë Atdheut, nuk thotë më se janë 9, por me krenari përmend emrat e tyre, të cilët janë plot dhjetë. Ky fakt ia shton krenarinë çdo banori të fshatit tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij i ndritur!
Ja si e shpreh hidhërimin për rënien në krye të detyrës së Anestit Agroni, djali i xhaxhait të tij:
„... Do shkruaj ca fjalë për vëllanë tim; do shkruaj për Nestin, që iku si trim;
Ishte ditë korriku, kur u nda nga jeta;
U shpall ‘Dëshmor i Atdheut’, fitoi e vërteta;
Në çdo pesë të majit, i vihen kurora;
Nëna e kujton e pikëlluar; vëllezërit nuk e harrojnë;
Në lumin e Matit, na u flijua djali;
Në ujin e akullt, që buron nga mali;
Ishte në stërvitje, kryente ushtrinë;
Në lumin e Matit, flijoi rininë...“
Shkruar në Vlorë, në janar 2016.
Për të formuluar këtë monografi ndihmuan:
- Libri: „Shqiponjat e Tepelenës“, i autorit Kadri Shametaj;
- Korespondenca e kohës, mes komandës së repartit 1006 Zall Herr dhe Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës etj.;
- Agron Daut Pashaj – djalë i xhaxhait të Anestit;
- Ilir Skënder Nelaj, shok ushtrie i Anestit;
- Ferrik Azis Alidervishaj, pensionist, gjiton i Anestit;
- Haxhi Xhemal Nelaj, pensionist, ish-brigadier, në ish-kooperativën bujqësore të fshatit.
Falënderoj gjithë ata që bënë të mundur shkrimin e kësaj monografie!
Shkroi Niazi Nelaj, mars 20016



Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.