Në ngjitjen e tij shumëvjeçare, Kalivaçi ka nxjerrë e ka rritur mjaft gra e burra, me personalitet të spikatur, të cilët, me bëmat e tyre, i kanë shtuar lavdinë fshatit dhe jehona e tyre ka shkuar larg. Nuk është rasti për të bërë evidencë, mbasi kjo do të ishte gjëja më e padobishme, por për të nxjerrë në pah vlerat e tyre, në mënyrë që ato të njihen e të shërbejnë për të mbajtur gjallë identitetin e njerëzve të këtyre trojeve.

Një gjë nuk mund të harrohet: Në çdo periudhë e në çdo kohë, njerëzit e shquar të fshatit tonë i kanë dhënë historisë së Kalivaçit gjithçka kanë pasur të tyre e gjithçka kanë mundur. Ajo që i lidh e i bashkon ata është tendenca për të nxjerrë në evidencë jo veten e tyre dhe atë që kanë bërë, por përpjekjet për të thënë, me gjuhën e mendjes apo të pushkës, se këtë apo atë e ka bërë një kalivaças, emri i të cilit ndoshta nuk është bërë i ditur asnjëherë. Ka një veçori, të cilën kalivaçasi e ka bërë të tijën qysh në fillim. Nuk e ka për traditë kalivaçasi të bëjë tellallin e të propagandojë bëmat, por, tek ai, në brendësi të qenies së vet, „ziejnë“ sedra e mirë dhe dëshira për të bërë diçka në të mirë të fshatit të tij, Kalivaçit.

Një bujk, njeriu më i thjeshtë i fshatit, i cili, në dukje, na paraqitet si një personazh fare i zakonshëm, duke u shërbyer, me aftësi e njohuri, bimëve në parcelën e vet të tokës, merr prodhime të bollshme, disa herë më të larta se ato që marrin gjitonët, duke i shtuar diçka të mirë historisë së fshatit. Një çoban, kur e vështron tek u shërben bagëtive me përkushtim dhe merr prej tyre atë që është e mundur, paraqitet si një njeri që vështron punën e tij e nuk përzihet me të tjerët. Në fakt, ai, me përvojën e tij, sjell në skenë një risi të dobishme, lidhur me mbarështimin e kafshëve të vathës së tij. Ose, le t’i referohemi punës së një mësuesi, i cili shpjegon gjithë ditën e ngjirret, duke u mësuar fëmijëve të fshatit lëndët, sipas programit, brenda katër mureve të shkollës; puna e tij na paraqitet si diçka e zakonshme; në fakt, treguesit e punës së tij shkojnë larg, shumë larg; ai mbjell të ardhmen e punon për vitet që vijnë. Edhe një njeri që ngre bukur një mur në fund të avllisë i shton diçka së bukurës së fshatit; edhe një burrë apo grua, që vishet bukur e pastër dhe komunikon me të tretët, me edukatë e kulturë dhe manifeston se është me haber, me siguri i ka shtuar diçka të mirë Kalivaçit.

Kështu mund të numërojmë dhe punë e profesione të tjera. Ajo që mund të thuhet është e përbashkëta e punës së tyre, e cila zhvillohet në dobi të komunitetit.

Në kohë të ndryshme, personalitetet e spikatura të fshatit tonë, sipas ndodhive, herë janë shtuar e kanë dalë në evidencë, herë të tjera, cilësitë e veçanta të banorëve duket sikur janë në gjumë, por ato zhvillohen e përparojnë në heshtje. Kur vjen koha, vlerat e tyre dalin nga strofka ku janë futur e shpërthejnë, duke prurë ndryshime në jetën e banorëve të trevës. Në vitet e Luftës për liri, kundër pushtuesve fashistë dhe veglave të tyre, Kalivaçi u shtoi luftëtarëve të lirisë 52 partizanë, nga të cilët 10 ranë dëshmorë të Atdheut. Në këtë rubrikë, e cila u kushtohet disa personaliteteve të spikatura të fshatit tonë, do ta nisim me një partizane, e cila përjetoi aktivisht, me armë në dorë, jetën e malit dhe, pas çlirimit të vendit, u bë agjitatore e flaktë e ideve që përshkuan Luftën Nacionalçlirimtare. Periudha e shndërrimit kooperativist të fshatit nxori të tjera personalitete, të cilat kanë vendin e tyre në historinë e fshatit tonë.

Nuk mund të përjashtohet rasti kur individë të veçantë, nisur nga egoizmi apo nga prirja për t’u dukur, mund të shfaqin dhe qejfmbetje, të cilat, në çdo rast, nisen nga pozicione vetjake dhe janë produkt i një mendjeje të paarrirë. Historia e Kalivaçit nuk nis e nuk mbaron këtu. Në vitet që do të pasojnë, të tjera personalitete do ta shtyjnë përpara rrotën e ngjarjeve e do të bëjnë vend në aradhën e të shquarve. Lavdia ndjek pas ata që bëjnë vend me bëmat e tyre dhe me kontributet që japin në të mirë të çështjeve të komunitetit. Opinionet gjithnjë mbeten të pjesshme e vetjake; çdo njeri ka mendim të pavarur për njerëzit e për punët; kushdo që ka minimumin e njohurive mund t’i shtojë listës sa të dojë e kë të dojë. Kjo nuk prish fare punë, kur bëhet me qëllime të mira.