Ishte mesi i viteve’50 të shekullit të njëzetë. Ajo kohë përkonte me kolektivizimin masiv të bujqësisë, në vendin tonë. Kooperativat bujqësore, aso kohë formoheshin “mbi baza vullnetare”, me “bekimin” e udhëheqjes së partisë në pushtet.
Sapo lexohej direktiva e ardhur nga lart, propagandistët e vijës së partisë, bëheshin copë e thërrime, trokitnin derë më derë, tek çdo fshatar, për t’i bindur ata, që të kolektivizonin ekonominë e tyre bujqësore. Propaganda e tyre “ngjiste” më shpejt, tek fshatarët e varfër, të cilët ishin më entuziastët për t’u bashkuar në kooperativë.
Mirëpo, vetëm me këta, të cilët kishin pak tokë e gjë të gjallë, kooperativa bujqësore nuk mund të formohej. Të entuziazmuar, fshatarët e varfër e shikonin kolektivizimin e bujqësisë si shpëtimin e tyre nga skamja e mjerimi.
Familjet e kamura, ata që kishin toka të begata, një ose më shumë pendë qe, kafshë dore e bagëti, të trasha e të imëta, rezistonin. Atyre nuk u “mbushej koka” për t’u kolektivizuar, nga droja se mos “binin nga vakti”.
Mes atyre që rezistonin e kundërshtonin direktivën e partisë për ngritjen e kooperativës bujqësore kishte dhe nga ata që kishin qenë partizanë por, mbas çlirimit të vendit, dorëzuan armët e shkuan në fshat, për të punuar tokën. Ata menduan se me çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, misioni i tyre kishte përfunduar. Kur partia lëshoi direktivën për kolektivizimin e bujqësisë në fshat, ata dolën kundër e fillimisht nuk e përqafuan këtë direktivë. Duhej një punë propagandistike “e hollë” dhe e kombinuar, për t’u mbushur mendjen, këtyre njerëzve, “të vështirë”, të cilët, në esencë, ishin atdhetarë;“kokëngjeshur”.
Tahir Ymer Ilirjanin, kjo situatë e gjeti në detyrën e prokurorit të rrethit të Përmetit. Pjesa dërrmuese e fshatrave të këtij rrethi, në atë kohë ishin kolektivizuar. Në krahinën kodrinore të Dëshnicës, fshatarët e Zhepovës; Kajcës; Topojanit; Mërtinjës; Bënjës; Fratarit etj. ishin kolektivizuar e punonin së bashku.
Kishte dhe fshatra si Seniçani, Leskoveci etj. të cilët nuk e kishin përqafuar ende këtë direktivë të partisë. Disa fshatarë nga ata me mall e me gjë, jo vetëm që bënin rezistencë e nuk pranonin të ngrihej kooperativa bujqësore, në fshatin e tyre, por bënin propagandë kundër kolektivizimit.
Në anën përtej lumit të Dëshnicës, në shpatin Veri-Lindor të malit të Trebeshinës, në fshatin Çorrogunj, i njohur për atdhetari, ishte krijuar një “barrierë” kundërshtare, të cilën ishte e vështirë ta shkallmojë.
Njëri nga fshatarët; i ri, i pashëm, i fuqishëm e me lidhje miqësore të forta kryesonte rezistencën “antikooperativiste”. Atij i dëgjohej fjala në fshat dhe bashkëfshatarët e tij, më pak të kamur e dëgjonin e i shkonin pas, verbërisht. Po të “thyhej” rezistenca e tij, nuk ishte e vështirë të prishej ai ekuilibër e të kthehej situata, në të mirë të kolektivizimit.
Për të bindur fshatarët, në fshatrat ende të pakolektivizuara, byroja e partisë e rrethit, kishte caktuar, në çdo fshat, një anëtar të saj, i cili e kishte marrë “në kujdestari” fshatin dhe për kolektivizimin e tij, përgjigjej e raportonte, çdo ditë. Anëtarët e byrosë së partisë, shkonin në mëngjes, në zyrë, sa për të marrë udhëzime, iknin në fshatin “e tyre” dhe ktheheshin në mbrëmje, për të raportuar mbi rezultatet e punës së tyre. Disa syresh nuk ktheheshin fare në qytet por e gdhinin natën mes fshatarëve, të rrethuar nga kujdesi dhe bujaria e njohur e vendasve.
Udhëheqja qendrore e partisë dhe ajo e rrethit, pritnin, me padurim njoftime pozitive nga baza. Ndrydheshin e shtrydheshin anëtarët e byrosë së partisë, por, në disa fshatra nuk “po u ecte” puna mbarë.
Në fshatin Çorrogunj, byroja e partisë vendosi të luante “kartën e fundit”. Sekretari i parë i partisë së rrethit, ai që përgjigjej për mbarëvajtjen e punës së partisë, në rrethin e Përmetit, një ditë thirri në zyrë prokurorin e rrethit; Tahir Ymer Ilirjani.
Funksionari i lartë i dha detyrën Tahirit, e cila ishte një urdhër i prerë partie, që duhej zbatuar medoemos. Tahiri, me patjetër duhet të ngrinte kooperativën bujqësore në fshatin Çorrogunj, pastaj mund të kthehej, në qytet për të vazhduar detyrën e lartë të prokurorit të rrethit.
I ra e rëndë kjo detyrë, prokurorit të rrethit- Tahir Ilirjani. Ca më tepër, gjykuar nga fakti që kjo detyrë nuk ishte në profilin e punës së tij. Ai, vërtet ishte trim dhe trimëria e tij ishte e njohur dhe e sprovuar në zjarrin e luftës për liri, por në luftë e kishte armikun përballë e priste të ndeshej me të dhëmbë për dhëmbë; me forcën e armëve.
Detyra që mori, ishte tjetër; ajo nuk kërkonte vetëm trimëri e militantizëm por dhe pak dredhi.
Të pabindurit nuk ishin vetëm të kamur e të fuqishëm por dhe të ditur. Pasuria u kishte dhënë shansin të shkolloheshin, disa syresh edhe në vende të tjera.
Kësisoj kërkohej një tjetër qasje ndaj problemit. Kokëfortësia dhe vendosmëria e Tahirit, mund të mos ishin të mjaftueshme. E mendoi mirë problemin dhe rrugët e zgjidhjes së tij dhe, për hir të interesit të përgjithshëm, Tahiri, edhe pse pa ndonjë qejf të madh, vendosi të nisej, në këtë aksion partie, tepër delikat.
Ai burrë, i cili nuk u trembej plumbave të fashistëve, por hidhej në sulm, me një trimëri të rrallë, të cilit nuk iu drodh qerpiku në asnjë aksion luftarak, prokurori i vendosur në mbrojtje të interesave të shtetit të ri të dalë nga lufta, kokëkrisuri Tahir Ymer Ilirjani, u nis për në këtë aksion luftarak, që nuk ngjante me ata që kishte provuar ai, pa marrë me vete armatimin e lehtë personal. Shkuarja i paarmatosur, mes kundërshtarëve të direktivës, ishte një shans më tepër që vetë direktiva e partisë të mos kompromentohej. Përndryshe, fshatarët mund të mendonin edhe për keq. Ata mund të mendonin se pushteti po u imponohej, me forcën e tij, ashpër.
Në atë kohë, Tahiri ishte 45 vjeç. Në kulmin e pjekurisë fizike dhe intelektuale. Gjatë rinisë së tij të vështirë, puna e krahut në derë të huaj dhe në ndërmarrjet botore, ku i kishte “mbirë” thesi me çimento, në kurriz dhe kazma e lopata majë krahut, e kishin forcuar tepër. Martesa me një grua të përkryer si Metullahja, e cila kujdesej, jashtë mase për bashkëshortin, të cilin e donte shumë, i kishte krijuar Tahirit, kushte të favorshme, në familje, për t’u ushqyer shëndetshëm e për të mbajtur një regjim ditor të rregullt.
Me guximin dhe kryeneçësinë e një burri të formuar, si me zakonet e trevës, të cilat i njihte mirë si dhe me militantizmin e luftëtarit të vijës së parë në luftën çlirimtare dhe në atë për të mbajtur në këmbë pushtetin popullor, Tahir Ilirjani e ndau mendjen, të shkonte e të ndeshej, qoftë dhe fizikisht, me kundërshtarin “kokoroç” e të përkëdhelur, të cilit fshatarët i shkonin pas avazit. Përvoja e punës së prokurorit, në Kuç, Sarandë e së fundi, në Përmet, e kishte formuar e pjekur Tahirin si militant komunist, me vendosmërinë për të pushtuar çdo kala, si një atdhetar i spikatur, i njohur në të gjitha trevat ku kishte luftuar e punuar.
Nga natyra, Tahir Ymer Ilirjani ishte kurajoz e nuk ia përtonte asnjeriu. Ai e shikonte kundërshtarin, drejt, në sy e guxonte t’ia thosh tjetrit, të gjitha të vërtetat në fytyrë. E mendoi thellë detyrën e vështirë që mori përsipër, llogariti avantazhet dhe disavantazhet e u nis.
Terrenin ku do të vepronte (përfshi fshatin ku do të shkonte, për të ngritur kooperativën bujqësore) e njihte mirë. Ai dinte traditën e zonës e të fshatit, zakonet e mira dhe prapësitë (siç ishte kokëfortësia e njerëzve), dinte të sillej sipas traditës dhe kishte njohuri për ndjenjat atdhetare e liridashëse të banorëve të trevës. Mbi të gjitha, prokurori i rrethit të Përmetit, ishte i mirëinformuar për psikologjinë dhe tiparet e shëndosha, besëdhënëse e fjalëmbajtëse të banorëve të Dëshnicës e të rrethinave, sidomos të fshatarëve të Çorrogunjit ku do të shkonte. Me këtë bagazh, Ai u nis për në aksion dhe kishte besim se diçka do të nxirrte në shesh.
Në një kohë kur vera e nxehtë dhe e begatë po ia linte stafetën vjeshtës së artë, kur prodhimet ishin mbledhur e frutat po piqeshin, njëra pas tjetrës, Tahir Ilirjani, i vetëm, u nis për në Çorrogunj.
Në fshat trokiti, në shtëpinë e fshatarit, në odën e të cilit mblidheshin e kuvendonin burrat e fshatit. Dita po thyhej e njerëzit, të lodhur nga punët e stinës, po çapiteshin drejt shtëpive të tyre.
Mbasi u rehatua e u gostit, bujarisht, sipas traditës së mirë, nga i zoti i shtëpisë, i cili kishte bërë njoftimet se atë buzëmbrëmje do të mblidhej “oda” e burrave, për të gjykuar diçka të rëndësishme, i ulur, në një sofat, në katin e parë të shtëpisë, mbi një shilte të thurur në tezgjah, Tahiri, nisi të rrufisë kafen që i serviri i zoti i shtëpisë, dhe po priste burrat të mbushnin odën e kuvendit.
Fshatarët e Çorrogunjit, si tërë përmetarët janë të njohur për bujarinë e shpirtit dhe mikpritjen karakteristike. Ata janë fisnikë e zemërmirë dhe kur e japin fjalën, dinë dhe ta mbajnë atë.
I zoti i shtëpisë, si njeri i traditës, e priti prokurorin e rrethit, si mik që i kishte trokitur në derë e jo si pushtetar. Ai i përgatiti një darkë tradicionale, siç dinë të bëjnë vendasit, kur miku u shkel në derë, për herë të parë.
Në mbrëmje, oda u mbush plot me burra. Nga çdo familje e fshatit kishte ardhur kryetari i familjes; ai që kishte tagrin e përfaqësimit kur në odë gjykohej e vendosej, për probleme të ndryshme.
Mbasi u përshëndetën me të zotin e shtëpisë e i uruan mirëseardhjen të deleguarit nga partia e rrethit, fshatarët, një nga një, siç erdhën, zunë vendet, sipas “peshës” që mbanin në kuvend dhe u pështetën, pas murit, secili i ulur mbi një shilte e i mbështetur, pas një jastëku.
Tahirin, e orientuan të ulej në qoshenë e djathtë, e cila, si rregull, i rezervohet mikut të largët të shtëpisë ose të deleguarit. Në qoshenë e majtë, sipas traditës vendore, zuri vend i zoti i shtëpisë.
Pritej të vinte njeriu “më me peshë” i fshatit, i cili, si për t’i dhënë rëndësi vetes, erdhi pak më vonë nga të tjerët dhe i shoqëruar nga 2-3 fshatarë, të afërt apo të besuar të tij.
Kur të gjithë burrat ishin ulur në vendet tradicionale të tyre dhe pritej të niste kuvendi, në derë u duk një burrë, me moshë rreth të dyzetepesave; me shtat mbi mesataren, i veshur më mirë se të tjerët, me një palë mustaqe bojëgruri, të prera me merak e me faqe të kuqe. Lëkura e tij shkëlqente nga të ushqyerit me “majë parazi”. Trupi i tij ishte i rregullt e i fuqishëm. Shkathtësia binte në sy dhe në mënyrën si ecte e në shpejtësinë me të cilën zuri vendin në atë odë.
E dinte vendin e tij, “kokoroshi” kapadai, i cili ishte mësuar të fliste shumë e fjala e tij të dëgjohej, me vëmendje të madhe e të ndikonte tek pjesëtarët e odës. Ato që thosh ky pinjoll i një familjeje të kamur ishin “ligjë” për më pak të kamurit e fshatit.
I sapoardhuri u ul në vatër e prapa kishte buharinë. Zjarri, në vatër akoma nuk ishte ndezur. Ai u ul mbi një shilte, të thurur në tezgjah dhe të stolisur me shumë zbukurime fijesh të ngjyrosura, leshi.
Si kapadai që ishte, burri përshëndeti me kokë dhe nuk harroi, sipas zakonit të vendit, t’i urojë të deleguarit, mirëseardhjen. Ai e dinte mirë shkakun e ardhjes së prokurorit në fshatin e tyre, ku bujqësia akoma nuk ishte kolektivizuar.
Sa për të nisur bisedë, i sapoardhuri iu drejtua mysafirit, me fjalët: “Mirë se erdhe, në fshatin tonë; po ç’e mirë të pruri”? E mori fjalën prokurori i rrethit, me cilësinë e të deleguarit nga Komiteti i partisë.
Tahir Ilirjani, e dinte ku kish shkelur, prandaj “e torri” me kujdes fjalën, në mënyrë që zëri i tij kumbues të dëgjohej nga të pranishmit, pa shkaktuar, as “alergji”, as kundërshti. Ai e dinte mirë se me kë kish të bënte dhe sytë nuk ia ndante burrit “kokorosh”, të cilit i shkonte fjala e i dëgjohej kuvendi. Edhe kundërshtari i tij, kur ligjëronte prokurori, nuk ia ndau sytë atij, për asnjë çast.
Tahiri, fjalëpak por me mendim të qartë, të kthjellët dhe elokuent, parashtroi direktivën e partisë për kolektivizimin e bujqësisë duke pasur parasysh të mos lëndonte asnjërin nga burrat e ulur në odë. Ai, me fjalë të menduara mirë evokoi vlerat atdhetare të asaj treve, duke theksuar se të parët e tyre, e kishin shpalosur trimërinë dhe burrërinë, kur e kanë kërkuar interesat e vendit dhe u kanë dalë zot këtyre trojeve.
Të pranishmit, që ndodheshin në atë kuvend, u gjallëruan nga fjalët ledhatuese të të deleguarit të partisë dhe u buçiti në damarë gjeni i të parëve. Fjalët e Tahir Ilirjanit, jo vetëm që nuk e tensionuan situatën por “e ngrohën” atë.
Mirëpo fshatarët i kishin sytë nga ai burri me mustaqe bojëgruri që erdhi me vonesë. Po të thoshte “po” ai “Birbua”, i cili vetëm vështronte rreth e qark dhe çkërmitej, sikur do të bënte gjëmën, puna ishte e mbaruar.
Tahiri, me zgjuarsinë tipike të tij, “e peshoi” situatën, nisi të mendojë e me intuitë e kuptoi “të keqen”, që e priste. Si do të dilte përpara udhëheqjes së partisë e çfarë përgjigje do të kthente ai, për kryerjen e misionit që i ishte ngarkuar?
Aty për aty, prokurori i rrethit sajoi një “marifet” i cili nuk kaloi pa dhënë efektin e dëshiruar. Tahiri i propozoi “kapadaiut” një variant burrërie. Do të mundeshin, të dy, aty, në shesh të burrave, dhe, po të fitonte Tahiri, kooperativa bujqësore do të formohej, në të kundërt; fshatarët do të mbeteshin në ekonomitë individuale.
Burrat, kur dëgjuan këtë propozim të të deleguarit, lëshuan, pa dashur një ofshamë: U. U. U. Ai buçkua, i nisur nga shpresa se do ta mundëte kundërshtarin e do të bëhej, siç donte ai, e pranoi sfidën.
U zhveshën, të dy burrat dhe dolën në mes të odës, të rrethuar, si gardh nga sytë kureshtarë të fshatarëve, të cilët pritnin, tërë ankth, e padurim- përfundimin e mundjes. Nuk ishte një garë e thjeshtë ku do të mateshin forcat e dy njerëzve, por një ndeshje, me rezultatin e të cilës, do të matej fati i mëtejshëm i fshatit të tyre.
Vendasi, i cili ishte mësuar të mos i dilte njeri përpara, në fshat e më gjerë, me bindjen e fitores, hoqi xhaketën e doli në mes të odës, i kapardisur. E hoqi xhaketën dhe Tahiri.
U pleksën me një kapje vënçe, krahëqafë, të dy burrat dhe po tërhiqnin njëri-tjetrin, pas vetes. Oda nuk pipëtinte. Tifo nuk kishte e të gjithë pritnin me frymëmarrje të ndaluar e me zemër të ngrirë, përfundimin e kësaj ndeshjeje të rrallë.
Tahiri, në kohën kur tërhiqte kundërshtarin, e mendoi hilenë dhe veproi me shpejtësi e shkathtësi. Ai i futi një stërkëmbësh “kapadaiut”, i cili, sakaq u lëkund e pastaj u plandos, në dyshemenë me dhoga, sikur të ishte thes me bereqet.
Një Ua. a. a e zgjatur, shpërtheu në odë e pas saj ra heshtja. Fshatarët, nuk e pritnin këtë përfundim. Njëri prej tyre, ai që e kishte “vrarë” frikën, tha: “Paska më të fortë”!
Burrat që u ndeshën njëri me tjetrin, u ngritën nga dyshemeja, rregulluan pantallonat, i dhanë dorën, fisnikërisht njëri-tjetrit dhe u ulën në vendet që kishin lënë bosh.“Fjalë burrash; besë fisnikësh”- i tha Tahir Ilirjani, kundërshtarit të mundur dhe uroi:“Ta gëzoni kooperativën bujqësore”!
Burrat e odës përplasën duart, teksa sytë u mbetën nga “kapadaiu”. Pritnin si do të reagonte “i pari i tyre”. Ai, për hir të burrërisë e të fjalës së dhënë, u kollit, nga zori, përpëliti sytë, uli kokën e miratoi, me kokë.
I zoti i shtëpisë, sipas zakonit të vendit, rrëmbeu pushkën që ishte varur në mur, doli në dritaren si frëngji, me hekura të kryqëzuar, e mbushi patickën (armë zjarri e gjatë e prodhimit italian) dhe shtiu në ajër, tri herë. Ky ishte sinjali, të cilin e pritnin prej kohësh ata që donin të formohej kooperativa bujqësore. Mbledhja e burrave mbaroi me shtrëngimin e duarve, të të pranishmëve, disa, nga kënaqësia e të tjerë nga halli.
Atë natë, në fshatin Çorrogunj, nuk pati qetësi. Njerëzit hynin e dilnin shtëpi më shtëpi, për të përhapur njoftimin e gëzuar dhe peripecitë që e shoqëruan atë; qentë nuk i pushuan të lehurat, nga ngacmimet e banorëve të fshatit.
Ata që e kaluan atë natë të qetë ishin të paktë, por burrat, në odën e tyre i kishin dhënë besën njëri-tjetrit dhe të deleguarit të partisë dhe uruan, për ndryshimin e paparë që ngjau, në fshatin e tyre. Kështu, edhe Çorrogunji “i pabindur”, u bashkua me fshatrat që ishin bërë kooperativë bujqësore, më parë.
Ishte fundgushti e fshatarët i kishin mbledhur të lashtat e po përfundonin mbledhjen e të vonave. Bagëtitë e imëta e kishin pakësuar bulmetin dhe dybekët llokoçiteshin me përtim. Hereket zverdhnin e nxinin nga veshët e rrushit të pjekur; arrat e bajamet ishin mbledhur; fiqtë ishin në mbarim.
Çdo fshatar, mbi bazën e prodhimeve që kishte grumbulluar, bënte llogari, për drithin dhe zairetë që i duheshin familjes së tij për të kapërcyer dimrin e bezdisshëm. Amvisat, kontrollonin gjizën, djathin, pekmesin, likotë; arrat, bajamet, ftonjtë e shegët, dhe kishin varur nëpër trarë kallinjtë e misrit, të lidhur dyshe, pas lëpushkave të tyre, sikur të ishin hejbe.
Tahiri, e bëri gjumin të rehatshëm atë natë, në shtrojet e bardha që i kishte shtruar e zonja e shtëpisë. Ai kishte bërë realitet direktivën kryesore të partisë për kolektivizimin e fshatit dhe, me kokën lart, u nis për në Përmet. Prokurori i rrethit, edhe kësaj here kishte çfarë t’i raportonte udhëheqjes së partisë.
Dikush (një fshatar, i cili u zgjodh, në kryesinë e kooperativës bujqësore të sapongritur) e ndoqi nga pas, me disa letra në dorë. Shoku prokuror, shoku prokuror: bërtiti ai, “prit sa të bëjmë dokumentacionin e themelimit të kooperativës bujqësore”! “Bëjeni vetë dhe dërgojeni në komitetin e Partisë”, u përgjigj, tërë seriozitet Tahir Ymer Ilirjani; “detyra ime kaq ishte” dhe vijoi udhën, në këmbë.
Në Tiranë, më 18 prill 2015, ora 24.oo
Përgatiti Niazi Nelaj mbështetur në rrëfimet e bashkëkohësve të Tahir Ymer Ilirjanit

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.