Një thënie që na vjen nga lashtësia, na bën me dije se “Prindërit nuk i kemi fat”. Ata nuk mund të rrojnë, sa duam ne. Sa mirë do të ishte po të plotësohej kjo dëshirë. Mirëpo vjen një ditë kur ata ikin, e na ulen në kujtesë. Kujtimi ynë, më së miri përcillet nga brezi në brez e ndonjëherë merr formën e një legjende.

Ajo që do t’u dëftoj ka ngjarë me të vërtetë e më vjen ndërmend sikur të ketë ndodhur sot, pavarësisht se që atëherë kanë kaluar mjaft vite. Ndodhia u përket viteve ‘60 të shekullit të kaluar.

Në ato vite, Babai ynë, Tahir Ilirjani ishte në detyrën e shefit të seksionit, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Tepelenës dhe përgjigjej drejtpërdrejt për elektrifikimin e fshatrave të këtij rrethi. Ishin vitet e elektrifikimit masiv të vendit.

Një ditë, Babai ynë erdhi në shtëpi, për të ngrënë drekë, siç e kishte bërë praktikë, rreth orës 12.00. Pas drekës, ai shkonte, përsëri në punë. Atë ditë e pamë shumë të mërzitur. Nuk ishte si në ditë të tjera e kjo na bëri përshtypje, edhe neve, fëmijëve të shumtë të tij.

Të habitur nga ky ndryshim që vumë re tek Babai ynë i mirë, iu mblodhëm e po e vështronim me sy kureshtarë, teksa mamaja po bënte gati drekën, të cilën, kur e përfundoi, ia serviri mbi tavolinë. Ai nuk na foli, siç bënte përditë, nuk na pyeti si kishim kaluar në shkollë e nuk na përkëdheli, siç ishim mësuar. Nuk futi asnjë kafshatë në gojë. Nxinte e sterronte, i tëri. Asnjëri nga ne nuk guxoi ta pyeste; nuk na e mbante ta pyesnim.

Atë që nuk bëmë dot ne, e bëri mamaja jonë e mirë. “Çfarë ke sot, mor Tahir?” – e pyeti Metullahja. Kam një hall të madh, u përgjigj Babai e na dëftoi, si i kishte punët.

Fshatrat përtej lumit të Viosës: Beçishti; Bylyshi; Damësi; Malasi; Kashishti dhe Kallëmi nuk kanë dritë elektrike. Shtyllat janë vendosur e kabli është shtrirë, deri tek Shkalla e Damësit, por nuk e hedhim dot atë, përtej lumit. Mjete e mundësi, nuk kemi. Njerëzit kërkojnë e presin t’u shkojë energjia elektrike dhe kjo gjë rëndon mbi mua, si përgjegjës seksioni.

E dëgjuam me vëmendje hallin e Babait, na u dhimbs gjendja e tij dhe, i revoltuar, si djali i madh i shtëpisë, bërtita: “E hedh unë, baba!” U çel fytyra Babait tonë e i ndritën sytë.

Isha rreth 22 vjeç. I ri, i fuqishëm, i shkathët, notar i mirë dhe i prapë sa nuk më gjendej shoku. Punoja shofer, me një makinë të tipit “Zis”; transportoja qymyrguri, nga miniera e Memaliajt, në portin e Sarandës. Puna e shoferit më kishte kalitur fizikisht e më kishte bërë të guximshëm. Vendosa, pa mëdyshje t’i vija në ndihmë Babait tim, për të dalë nga sikleti.

Ishte pasdite shtatori e moti ishte akoma i ngrohtë. Uji i lumit, ishte i përballueshëm. Shkova aty ku bashkohet lumi i Bënçës, me atë të Viosës; përballë me Shkallën e Damësit.

Mora kablin elektrik shumëfijësh dhe njërën anë të tij, mbasi e hodha krahëqafë, njërin cep të kablit e mbajta fort, në dorë. U futa në lumë e, me not, me njërën dorë e me këmbë, kalova, përtej.

Nuk ishte e lehtë. Kur dola matanë lumit, u shtriva e mezi merrja frymë. Në anën tjetër të Viosës më pritnin: Haxhi Salaj, përgjegjës i elektricistëve, dhe 4-5 punëtorë. Më panë, u gëzuan që ia dola e më duartrokitën.

E kalova Viosën edhe 3 herë të tjera, atë ditë, me kabllo në krah. Iu gjenda kësisoj, në krah, Babait tim sedërli.

Kur po ngjitnim të përpjetën, rrëzë kalasë, Babai, me atë trup gjigand, tek çapitej, me hapa të rëndë e me këmbë të hapura, pa e kuptuar, në atë malore që të merr frymën, për t’u ngjitur tek rrapi, fliste, me vete: “Djali po djalë!”

Kalova kështu një provë të vështirë. Kjo më bëri të ndihesha mirë e të krenohesha përpara familjarëve të mi dhe mes shokëve, të moshës, të cilët, më donin e më respektonin shumë.

Tiranë, më 30 shkurt 2015, ora 23.00. Shkroi Niazi Nelaj; sipas rrëfimit të Agron Tahir Ilirjanit