Anesti Laver Pashaj (Dëshmor i Atdheut)

Anesti Pashaj

Historia e  Kalivaçit të Tepelenës është plot me akte heroizmi; masiv e vetjak. Në çdo periudhë kohore, janë shpërfaqur heronjtë e tij, të cilët nuk ngjajnë me shoqi-shoqin. Heronjtë tanë, me bëmat e tyre, kanë shkruar në faqet e Lavdisë të fshatit dhe përbëjnë nderin  e  krenarinë kalivaçase. Përmbi të gjitha kohët, trimëria e banorëve të Kalivaçit është shpalosur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kalivaçi dhe kalivaçasit i dhanë Ushtrisë Çlirimrare më shumë  se 52 partizanë dhe 10 të rënë, të cilët u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”. Dhjetra të tjerë u rrjeshtuan në radhët e nacionalistëve.

Pa përfillur ndikimet ideologjike dhe përkatësitë partiake, Kalivaçin dhe banorët e tij , skamja e tejskajshme  dhe urrejtja për pushtuesit fashistë të vendit ishin motive të fortë , që i bashkuan ata, me ndonjë përjashtim, rreth të njëjtit qëllim: shporrjen e fashistëve  nga tojet ta amëtare dhe çlirimin e vendit. Nuk mund të harrojmë, as të nënvleftësojmë faktin se Kalivaçin dhe kalivaçasit, përmbi ndasitë artificiale që solli lufta i mbajtën të lidhur, ngushtësisht me njëri-tjetrin : Fisnikëria e njerëzve, lidhjet e gjakut, krenaria, krushqitë e miqësitë; si ato tradicionale dhe të krijuarat rishtaz.Kooperativizmi, si periudhë e gjatë kohore, duke rrugëtuar nëpër shtigje të pashkelur, përveç dëmeve që pruri, veçanërisht në lëmin e pronës, njohu dhe “ lulëzimin”e afrimit e miqësimit mes njerëzve. Kjo kohë, përgatiti dhe evidencoi kualitete të spikatur, të cilët i shpalosën vlerat, në punë e detyra të ndryshme.

Në vitet që përcollën shndërrimet demokratike të vendit,  në jetën e fshatarëve tanë u shfaqën të tjerë heronj, disa nga të cilët u flijuan , për çështjen e përbashkët e u shpallën “ Dëshmorë të Atdheut”. Tipik është rasti i djaloshit 21 vjeçar, nga Kalivaçi Anesti Laver Pashaj , i cili ra, në krye të detyrës, duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në  repartin  “komando” të Zall Herrit, në datën 3 gusht të vitit 1998.

Anesti Laver Pashaj, me propozim të komandës së repartit 1006, Zall Herr, u shpall  “ Dëshmor i Atdheut”, me vendim Nr.5, datë 3 shtator të vitit 1998, të Këshillit të  Rrethit tëTepelenës. Vendimi u bazua në Dekretin e Presidiumit  të Kuvendit Popullor, me numër 4558, datë 18.1o.1969, neni 1 dhe 2; me ndryshimet e bëra me Dekretin Nr.7199, datë 21.o1.1988.

Motivacioni për shpalljen e Anesti Laver Pashaj “ Dëshmor i Atdheut” është: “ Për sakrifica,deri në sakrifikimin e jetës së tij, në shërbim të Atdheut”! Kështu, “ gjerdanit “ të heroizmit kalivaças, dhjetë dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare  iu shtua dhe një hallkë, me kontributet e djemve të fshatit, rënë  në fushën e mbrojtjes së vendit, në një tjetër kohë.

Anesti, u lind, në Kalivaç të Tepelenës, më 22 janar, të vitit 1977. Prindërit e tij:  Zylka dhe Laveri ishin dy fshatarë të thjeshtë kalivaças, martesa e të cilëve u kurorëzua me lindjen e tre djemve: Agimit; Anestit dhe Xhevahirit.

Pas shkëputjes nga trungu i familjes fisnike të Mahmut Muharrem Pashaj;  çifti i ri, ndërtoi; me sakrifica , një banesë,  në vendin e mirënjohur si  Qafa e Dërrasës,  atje ku më parë ka qenë xhamia e mëhallës së Hysodosajve. Si mjaft bashkëfshatarë të tyre, Zylka dhe Laveri, jetonin thjeshtë e me punë të ndershme; me djersën e ballit dhe me dinjitetin që trashëguan nga të parët e trungut Pashaj.

Jeta e ndëshkoi rëndë Anestin dhe familjen e tij. Kur ai ishte pak më tepër se dy vjeç, u nda nga jeta, babai i tij, Laveri.  Jetimi, dhe vëllezërit e tij, u rritën jetimë, nga i ati, nën kujdesin dhe me sakrificat e vejushës Zylka; e cila, duke u rropatur në punët e vështira të bujqësisë të asaj kohe, rriti dhe edukoi tre djem: njëri më i mirë se tjetri. Ajo, duke marrë përsipër detyrën e vështirë të rritjes dhe edukimit të tre jetimëve, u mëkoi djemve të saj veti e virtyte të larta dhe një edukatë familjare për t’u patur zili.

Ata që e kanë njohur, nga afër Anestin, e përshkruajnë atë një djalë të urtë e të qetë, të sjellshëm e të edukuar, zemërmirë ;  pa vese e pa teka.  Ai kreu vetëm tetë klasë të shkollës “ Sami Musai” të fshatit e nuk e pati fatin të ngjitej më lart në shkallët e arsimimit. Anesti, vërtet nuk  “ shkëlqente” për tregues cilësore në shkollë por, sjellja e tij korrekte dhe dashamirëse, të bënte të skuqeshe.

Para se të nisej për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, së bashku me moshatarët e tij, Anesti , në vitin 1997, provoi, për pak kohë, aventurën sfilitëse  e me rrezik të shtuar, të emigracionit ekonomik, në vendin fqinjë të Jugut. Donte ti gjendej në krah familjes pormosha e re dhe afrimi i kohës për të kryer shërbimin ushtarak , e kthyen, shpejt Anestin, në gjirin e familjes.

Bazuar në sjelljen “ shëmbullore” të tij dhe në gjendjen e mirë shëndetësore, u gjykua që Anesti të dërgohej  për të kryer detyrën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak , në repartin komando të Zall Herrit, i cili mbante numërin  konvencional  1006.

Gjatë kohës që shërbeu në këtë repart special,  Anesti u shqua mes shokësh për disiplinë të lartë dhe të ndërgjegjëshme në kryerjen e detyrave, duke shpalosur  tipare të shëndosha e vlera të rralla humane, dëshmi të edukatës së shëndoshë që kishte marrë në familje. Ai, shpejt fitoi simpatinë dhe respektin, e shokëve dhe të eprorëve të tij. Anesti dallohej për marrëdhënie korrekte  e dashamire, si me shokët dhe me eprorët. Duke qënë i tillë, Anesti Laver Pashaj , me thjeshtësinë dhe drojën e tij, të motivuar  u shndërrua në burim frymëzimi, për shokët e repartit e të njësisë ku shërbente.

Në kuadrin e përgatitjeve ushtarake, për të marrë pjesë në stërvitjen me trupa “ Skurraj”-1998, në rajonin e Milotit, në datën 3 gusht të vitit 1998, Anesti Laver Pashaj, në kulmin e moshës e të vitalitetit, humbi jetën, në ujërat e lumit Mat edhe pse ishte notar i mirë.

Përcjellja e 21 vjeçarit Anesti Laver Pashaj, u bë në fshatin e tij të lindjes, në Kalivaç të Tepelenës; mes lotëve të hidhërimit; me nderimet që i përkisnin një ushtaraku të rënë në krye të detyrës. Mbasi u shpall: “ Dëshmor i Atdheut”, eshtrat e tij u zhvarrosën mga vendi ku preheshin e u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve  të Atdheut, në Tepelenë.

Anesti u nda nga jeta, duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në moshën e lulëzimit e të pjekjes; dhimbja , për këta shkaqe ishte tjetërsoj, e pamatshme; por dhe krenaria e ligjëshme që la pas vdekja e tij e parakohëshme ishte e madhe, si për nënën që e rriti me shumë halle, dhe për vëllezërit e për fisin e fismë, të tij, të cilit do ti mungojë përjetë.

Çdo banor i Kalivaçit të Tepelenës, kur numëron  dëshmorët që i ka dhënë Atdheut, nuk thotë më se janë 9; por, me krenari përmend emrat e tyre të cilët, janë-plot dhjetë. Ky fakt ia shton krenarinë çdo banori të fshatit tonë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij, i ndritur!

Ja si e shpreh  hidhërimin, për rënjen , në krye të detyrës, të Anestit, Agroni, djali i xhaxhait të tij:

“… Do shkruaj ca fjalë, për vëllanë tim;  Do shkruaj për Nestin, që iku, si trim;

Ishte ditë korriku, kur u nda nga jeta;

U shpall “ Dëshmor i Atdheut”, fitoi e vërteta;

Në çdo pesë të Majit, i vihen kurorë;

Nëna e kujton e pikëlluar; vëllezërit nuk e harrojnë;

Në lumin e Matit, na u flijua djali;

Në ujin e akullt, që buron nga mali;

Ishte në stërvitje, kryente ushtrinë;

Në lumin e Matit, flijoi rininë …”

Shkruar në Vlorë, në janar 2016.

Për të formuluar këtë monografi ndihmuan:

1)       – Libri : “ Shqiponjat e Tepelenës”, i autorit Kadri Shametaj;

2)       –Korespondenca e kohës , mes komandës së repartit 1006 Zall Herr dhe Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës etj;

3)       – Agron Daut Pashaj- djalë i xhaxhait të Anestit;

4)       – Ilir Skënder Nelaj, shok ushtrie i Anestit;

5)       – Ferrik Azis Alidervishaj, pensionist , gjiton i Anestit;

6)       – Haxhi Xhemal Nelaj, pensionist , ishbigadier , në ish kooperativën bujqësore të fshatit.

Falenderoj gjithë ata që bënë të mundur shkrimin e kësaj monografie!

Shkrojti Niazi Nelaj, mars 20016