Kalivaçi i Tepelenës është një fshat i ngritur “mbi gurë”. Nga të tetë mëhallët kryesore të trevës, pesë janë të ndërtuara mbi shtrat guri të bardhë. Guri është me përbërje gëlqerore. Mëhalla e Hasanbegajve, Meçajt, Ahmetajt, Beqirajt e Hasanimerajt dhe pjesërisht Bozanajt mbështeten mbi truall të fortë guror. Leshnja, Hysodosajt dhe shtëpitë e Ruçit, bazamentin e kanë më të butë. Kur del tek Çesma e Bukur e hedh vështrimin nga Jugë-Perëndimi, të krijohet përshtypja sikur një këmbë e Malit të Bardhë (atij mbi Dorëz), ka shkarë e është ndalur në këtë anë të Vjosës.
Mund të thuhet, pa mëdyshje se të gjitha ngrehinat e Kalivaçit të Tepelenës janë ndërtuar me gurë të bardhë gëlqerorë.Amvisat, në ditë të zakonshme, ca më tepër në festa familjare dhe fetare i lyenin shtëpitë, nga jasht e nga brenda, me solucion gëlqere. Lyerja me gëlqere behej me qëllim që të zbukurohej e të dezinfektohej mjedisi. Pra, në trevën e Kalivaçit e në ato përrreth, gëlqerja ka gjetur e gjen përdorim masiv. Në Kalivaç të Tepelenës gëlqeres i thonë qereç. Ajo gjen përdorim masiv dhe për dezinfektrimin e mjedisevetë përbashkëta, në veçanti të gropave septike etj.
Për fatin e mirë të banorëve të kësaj treve, natyra i ka dhuruar Kalivaçit gjithçka duhet për prodhimin e gëlqeres, aty, në fshat, në mënyrë artizanale; kolektivisht dhe bazë familje apo fisi. Prodhimi i gëlqeres Ca Co3 është një ndër zejet kryesore të banorëve të Kalivaçit të Tepelenës. Me këtë zeje kalivaçasit janë marrë që në kohë të kohës. Ata e kenë përgatitur gëlqeren për nevoja vetjake dhe për të bërë tregti.Të tre faktorët bazë që kërkon prodhimi i gëlqeres, Kalivaçi i ka me shumicë dhe aty, në vend. Guri gëlqeror, si lëndë e parë për prodhimin e gëlqeres, gjendet me tepri, në Kalivaç. Kodrat mbi të cilat është ngritur fshati janë të mbuluara me shkurre, të cilat përdoren, me leverdi për të realizuar djegjen e gurit dhe përftimin e gëlqeres. Këtyre faktorëve që favorizojnë, kërkohet t’u shtojmë mendjen dhe aftësitë fizike të banorëve, të cilët janë shquar kurdoherë, për punë të tilla, të veçanta. Kalivaçi ka patur e ka mjeshtër, të cilët janë në gjendje të drejtojnë me kompetencë proçeset e punëve për prodhimin e gëlqeres.Më i madhi i të gjitha kohëve, si specialiat për prodhimin e gëlqeres, në Kalivaç, ka qenë një fshatar i thjeshtë,pa shkollë, por mjaft i zgjuar, i fortë fizikisht dhe i shëndetshëm mendërisht të cilin e quanin Hamit Caush Muharremaj, nga mëhalla e Hasanimerajve. Para se te piketohej e të niste gërmimi i kaminës, ashtu si dhe në proçeset e mëvonshëm, kërkohej, mepatjetër “ firma” e xha Hamitit, i cili, përveç që ishte një specialist i mirëfilltë kaminash, ishte dhe një hokatar i njohur.
Konkretisht; le të përshkruajmë pak proçeset nëpër të cilët kalon prodhimi i gëlqeres:-Zgjidhet vendi ku do të ndërtohet kamina, e cila mund të quhet “laboratori i prodhimit të gëlqeres”. Kamina ndërtohet në fundin e kodrës (faqes së saj), e cila domosdoshmërisht duhet të jetë e mbuluar me shkurre, nga ato që lipsen për djegjen e kaminës. Kërkesë tjetër që determinon ngritjen e kaminës është prania e gurit gëlqeror pranë vendit ku hapet gropa e kaminës.
-Hapet gropa e kaminës, me dimensione të caktuara, nisur nga përvoja shumëvjeçare e komunitetit vendas.Diametri i fundit të kaminës (bazës së saj), mund të jetë 3-4m.Natyrisht, ai që bën kaminë kërkon që përmasat e saj të jenë sa më të mëdha, me qëllim që të përftojë sa më tepër gëlqere, por, djegja e një kamine me përmasa të tilla është e vështirë të bëhet me sukses. Raste të ngjashëm ka pasur në historinë e kësaj zeje në Kalivaç. Lartësia e gropës të kaminës, nga baza e saj mund të jetë 4-4.5m. Për hapjen e gropës së gëlqeres (kaminës), shfrytëzohet pjerrësia e terrenit. Gropa hapet në anën nga rrjedhin ujërat. Dherat që dalin nga hapja e gropës hidhen në anën e pjerrët të faqes, për të plotsuar boshllëkun që krijohet nga hapja e gropës ( furrës).
Djegja e kaminës, zakonisht i lihet fundit të verës.Njëri nga shkaqet që e diktonte këtë, lidhej me faktin se, në fund të verës, punët e bujqësisë ishin vënë në vijë, të blegtorisë – gjithashtu dhe moti freskohej. Kësisoj, “ furrëtarët”, njerëzit që qendrojnë vazhdimisht pranë zjarrit, i supertonin më lehtë temperaturat e larta. Në fundin e gushtit, kohë që shënon fundin e verës, dita është më e gjatë se nata dhe kaminarët e kanë më të lehtë punën në orët e ditës.Favor ishte dhe fakti që shirat akoma nuk kishin nisur. Se shirat e frenojnë djegjen e shkarpave.Në fund të verës, shkurret që përdoren për djegjen e kaminës e kanë kërcellin të pjekur, gjë që e bënte më të lehtë djegjen e tyre.Gjithashtu, duhet theksuar se në atë periudhë njerëzit ishin çliruar nga punët e shumta të verës e, për pasojë kishin kohë të merreshin me djegjen e gëlqeres.
Në Kalivaç, në çdo kohë ka patur specialistë të zotë e me përvojë, të qëmtuar, nga brezi, në brez, të cilët u jepnin udhë punëve të kaminës. Vlera e pallogaritshme punës së tyre, lidhej me aftësitë vetjakee nuk bazohej në ndonjë shkollë a specializim, që nuk egzistonin. Pa e glorifikuar gjënë, mund të themi se kaminarët nga Kalivaçi nuk i kanë hedhur dëm aftësitë mendore dhe fizike të tyre. Ata kanë çarë përpara, e kanë bërë emër edhe me empirizmin tipik fshatar, i cili buron nga praktika e gjatë.
1. Prodhimi i gëlqeres është i bazuar në një proçes të thjeshtë fiziko-kimik. Nën veprimin e temperaturave të larta që çlirohen brenda kaminës, si rezultat i djegjes të shkarpave, guri gëlqeror që ndodhet brenda furrës zbërthehet, çliron gazin karbonik Co2 dhe ngelet pluhuri i bardhë i gëlqeres Ca Co3.
2. Për të djegur një kaminë me gëlqere nevojiten shumë shkarpa. Shpesh një faqe kodre, e tërë. Në disa raste, edhe faqja e kodrës, nuk “e ngop” djegjen e një kamine. Sasia e shkarpave që nevojitet pë djegjen e një furre gëlqere lidhet me fuqinë kalorifike që ka lënda drusore, e cila përdoret për këtë qëllim.Kodrat dhe bregoreet në Kalivaç janë të mbuluara nga shkurret me bimë të ndryshme .Më të shumta janë kodrat e mbuluara nga përralli. Jo më kot, një kalimtar i lashtë, kur ka dashur të identifikojë fshatrat e trevës, për Kalivaçin është shprehur : “Kalivaç, përrall i zi…” Përralli rritet në formë kaçubesh, pranë njëra-tjtrës, në lartësi të ndryshme. Ai ësdhtë mjaft i përshtatshëm, për djegjen e furrës së gëlqeres, për arsye se ai digjet shpejt dhe , gjatë djegjes bën një kërcitje të këndshme.
3. Prandaj, në hapsirën e Kalivaçit, kaminat i ndeshim më shpesh në mëhallën e Hasanbegajve, në Donije, në lartësitë e Majës së Tendës, në faqen e Mbretes së Leshnjes, në kodrat që zbresin nga mëhalla e Meçajve, në drejtim të Margëlliçit, në Kurrizin e Mbretes, në Kurrizin e Ziles, në Gropën e Pokshit, në Hijen e faqes së Veldonit etj. Nuk gjejmë asnjë gjurmë kamine në lartësitë e Dokes, në Kullustra, në Xina, në Trapin e Çesmës etj . për arsye se shkurret që mbulojnë sipërfaqet e tyre janë koçimare, gjethet e njoma të së cilës digjen me vështirësi dhe për faktin që, në këto lartësi, nëntoka nuk ka gurë gëlqerorë.Për të djegur një kaminë , në këto kodra , duhet prurë gurin gëlqeror nga distanca te konsiderueshme – 500-600 m, punë e cila nuk është ekonomikisht me leverdi.
Edhe në ato kodra ku shkurret që mbulojnë sipërfaqet janë përrall, jo të gjitha faqet e tyre janë njëlloj të preferuara . Preferohen faqet e kodrave që janë të ekspozuara ndaj Jugut. Shkaku i vetëm i kësaj preference lidhet me faktin se shkurret që rriten në këto faqe kodre kanë thithur më shumë rreze dielli e, për pasojë digjen më lehtë.Ata që i kanë mundësitë ekonomike, së bashku me shkurret futin në gropën e djegjes edhe copa druri e kërcunjë. Këta, duke u djegur së bashku me shkarpat jovetëm japinfuqikalorifike tëlartë por embajnëzjarrin të ndezur, për një kohë të gjatë. Drutë më të mira për të realizuar djegjen e kaminës janë ato prej lisi e në veçanti drutë prej ulliri. Por djegja e kaminës me këto lloj drush, praktikisht, në Kalivaç është e pa mundur mbasi në territor ka pak drurë të tillë.
Mjetet që shfrytëzohen për djegjen e një kamine me gëlqere janë të thjeshtë e gjenden me lehtësi, kudo në Kalivaç.Një sëpatë e vogël (nagaçe), një kosore, të mprehura mirë, disa cfurqe prej druri, kur është e mundur dhe prej hekuri, me dy gërveçë (grepa), mjetet ndezëse dhe ndonjë çekan për të copëtuar gurët gëlqerorë. Furra ku bëhet djegja e gurit gëlqeror ushqehet me lëndë drusore tri deri katër ditë e netë, pandërprerë. Tek dera e kaminës qendrojnë dy burra të fuqishëm, të cilët, me cfurqe në duar ushqejnë vazhdimisht zjarrin me lëndë drusore. Ata ndërrohen herë pas here nga ortakët e tyre mbasi puna e tyre është tepër e lodhëshme dhe temperaturat që supertojnë përpara derës së furrit janë të larta.Burrat që ushqejnë zjarrin me shkarpë janë të pajisur me cfurqe , grepat e të cilëve lipset të jenë metalikë, në mënyrë që të mos digjen prej flakës, kur shtyjnë shkarpën tek dera e furrit.
Mbasi janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është përcaktuar “skuadra “ që do të bëjë djegjen e kaminës, fillon puna konkrete.Mjeshtri,si specialist nuk qendron vazhdimisht pranë kaminës . Ai kujdeset që çdo gjë të jetë gati, bën ndezjen e kaminës dhe jep udhëzimet e nevojshme dhe shkon në punën e tij. Kur ai e gjykon të domosdoshme shkon atje ku bëhet djegja e kaminës, kontrollon si po shkojnë punët dhe si po zbatohen udhëzimet që ka dhënë.Skuadra e zgjedhur për prodhimin e gëlqeres nis nga puna për prerjen dhe transportimin e shkarpës. Prerja e shkarpës fillon nga lart e bëhet thuajse rrafsh me tokën . Prerja shkurt bëhet me qëllim që të përftohet sa më shumë masë drusore e nevojshme për djegjen e gëlqeres.Shkarpa e prerë rrokulliset tatëpjetë faqes së kodrës, siç mblidhet dëbora kur bëhet ortek.Ata që i presin shkarpat, me anën e cfurqeve e përcjellin masën e gjelbërt afër kaminës ku ajo bëhet demekë të mëdhenj.Specialisti përcakton sasinë e shkarpës që duhet dhe kur përcakton se ajo është e mjaftueshme, urdhëron ndalimin e prerjes.Punëtorët “e zjarrit”, i vendosin shkarpat me fund nga gryka e kaminës me qëllim që “furrtarët” ta kenë më të lehtë futjen e tyre në furrë.
4. Hapja e gropës shënon hapin e parë të punës për ndërtimin e një kamine.Atë e pason grumbullimi i materialit drusor dhe i gurëve gëlqerorë pranë kaminës. Hapi tjetër, mjaft i rëndësishëm është vendosja e gurëve brenda kaminës, si mur, i harkuar. Kamina paraqet një cilindër( kade) me dy anët njëlloj e me barkun më të gjerë. Kështu kamina ngjan me një kade, të vendossur në këmbë.Kaminarët kanë grumbulluar gurin gëlqeror pranë kaminës dy llojesh. Një pjesë janë gurë mermeri ; pjesa tjetër, e cila është dhe më e madhja, janë gurë gfëlqerorë të zakonshëm. Diferenca mes dy lloj gurëve është cilësia zjarrduruese e tyre. Guri i mermertë e duron zjarrin më tepër. Sheshi i kaminës shtrohet me pllaka mermeri.Edhe radha e parë e gurëve vendoset prej mermeri, në mënyrë që gjatë djegjes të mos çahen e të prishet muri. Gurët vendosen në formë rrethore, copat e gurëve duhet të kenë gjatësinë rreth 30 cm.I gjithë perimetri i kaminës vishet me mur guri. Vendosja e gurëve në mur bëhet për së gjati. Radha e dytë e murit bëhet duke i vendosur gurët mbi ata të radhës së parë, duke i shkelur ata rreth 5 cm.Kur muri e kalon tabanin e derës së kaminës, shkelja e gurëve nis të zmadhohet nga radha në radhë.Duke e shkelur gurin rreth perimetrit të kaminës, kubeja e saj mbyllet. Nga ngritja e murit, mes tij dhe sipërfaqes së dheut (faqes së kaminës) krijohet një boshllëk. Ai mbushet me gurë gëlqerorë (të sertë) dmth të zakonshëm.Qemeri i kaminës fillon e formohet, në lartësinë 1.5 m nga sipërfaqja e tokës. Duhet pranuar se “ kthimi “ i qemerit të furrit është proçesi më i vështirë, i cili kërkon specializim dhe përgjegjësi. Në mes të çatisë të qemerit vendoset një gur, i madh, prej mermeri, i cili rrihet, fort, me vare, në mënyrë që të shtrëngohet mirë e të mos lejojë rënjen e gurëve . Ky gur, në gjuhën e popullit quhet “prift”.Mbi të hidhen gurë mbi gurë, gëlqerorë, nga ata që do të na japin gëlqeren.Sipër gurëve të kryes vendosen pllaka mermeri, të puthitura, jo të ngjeshura. Grumbulli i gurëve që hidhet mbi qemer nuk duhet të dalë më tepër se 50 cm sipër tokës. Këtu kemi sasinë më të madhe të gëlqeres mbasi pjesa e gurëve që ndodhet nën derë, vështirë se digjet. Ndezja e zjarrit brenda kaminës nuk është një punë e lehtë. Në bazën e kaminës, aty ku do të bëhet zjarri, vendoset kashtë e thatë, karthje të thata, të cilat spërkaten me benzinë.Prania e gazit karbonik Co2 në brendësi të gropës e vështirëson mjaft ndezjen e zjarrit.Për të bërë një djegje normale të kaminës, zjarri në furrë duhet të mos ndërpritet tri deri katër ditë e nëtë me radhë.Ndonjëherë kjo kohë mund të jetë edhe më e gjatë. Djegjen e masës drusore brenda kaminës e ushqejnë dy kaminarë, të cilët lodhen shumë .Kamina nuk ngopet me shkarpë.Përveç lodhjes fizike, ata që punojnë tek dera janë në “zonën e nxehtë”, e nën ndikimin e temperaturave të larta. Vështirësi tjetër është qendrimi i pagjumë për një kohë të gjatë, deri sa të mbyllet kamina e të përfundojë proçesi i prodhimit të gëlqeres.
5. Pas tri ditësh, nga pllaka e kryes të kaminës fillon të dalë flakë e kuqe. Derisa flaka të jetë e kuqe, në brendësi të kaminës vazhdon djegja. Kur flaka ndryshon ngjyrë e bëhet jeshile do të thotë se gëlqerja është prodhuar. Atëherë ata që kanë marrë pjesë nëproçes, thërrasin specialistin, i cili merr një gurë nga brenda kaminës dhe e hedh në ujë. Në qoftë se guri gëlqeror “i pjekur”, shkrihet në ujë, mjeshtri urdhëron ndërprerjen e zjarrit . Në rast të kundërt djegja vazhdon. Nga djegja e kaminës kubeja ulet rreth 50 cm nën nivelin e gropës.Mbasi ka përfunduar djegja e kaminës, dera e saj mbyllet me kapakë e vuloset me dhe, nga jashtë .Djegja vazhdon edhe pas këtij çasti, përbrenda.Duhet të kalojnë disa ditë që të hapet kamina e të merret gëlqere. Kohën, kur do të hapet kamina e përcakton specialisti.
6. Puna për djegjen e një kamine e përftimin e gëlqeres së pa shuar është një punë mjaft e lodhëshme dhe e vështirë. Por domosdoshmëria dhe leverdia e kësaj pune ja vlejnë.Dobia është e dukshme.Nga një kaminë me përmasa mesatare mund të përftohen 300-400 kv gëlqere e pashuar. Kemi arsye që themi se është e leverdisshme. Guri gëlqeror dhe shkarpa, të cilat janë lëndët e para për prodhimin e gëlqeres, në Kalivaç, na i ka falur natyra e begatë.Ato janë pronë e komunitetit kalivaças. Dikur, kjo pasuri administrohej nga kryeplaku .Llogari nuk mbahej e nuk kërkohej. Sot, diçka ka ndryshuar por, për llogari të mirëfilltë s’besoj të bëhet fjalë. E ceka çështjen e llogarisë, jo më kot. Kur pret shkarpën nga një faqe kodre, duhet të presësh 8- 10 vjet që sipërfaqja e prerë të bëhet si më parë. Përmasat e një kamine janë shifra variabël, porm me to nuk duhet spekuluar. Jeta e komunitetit tonë evidencon dhe raste tëpakëndshëm .Në vitet 60 të një shekulli më parë, bashkëfshatari ynë F.SH. dogji një kaminë në Sheshin e Donijes . Ai shfrytëzoi shkarpën e faqes së kodrës që zbret tek ky shesh dhe futi në furrë kërcunj të cilët i nxirrte nga luni . Por kamina nuk u dogj plotësisht. Shkaku ishte një, i vetëm, përmasat e kaminës më të mëdha nga të rekomanduar.
7. Me një organizim më të mirë e studim më të saktë të problemit, komuniteti kalivaças i ka të gjitha mundësitë që pasuritë kolosale, të cilat ia ka dhuruar natyra, ti verë në shërbim të rritjes të nivelit, të mirëqënies e prosperitetit të tij.
Në Tiranë, më 29 shkurt 2012
Përgatiti Niazi Nelaj