Në Kalivaç të Tepelenës,sipërfaqja e tokës arë, që në kohë të kohës ka qenë e mbjellë kryesisht me misër. Jo se kulturat e tjera te arave nuk i njihnin njerëzit, po, me misrin kishin lidhur “ kontratë” e ishin familjarizuar. Prandaj misri dhe nënproduktet e tij zinin vendin kryesor në strukturën e të ushqyerit të njerëzve dhe të kafshëve që mbarështronin banorët e trevës. Buka e misrit ka qenë ushqimi bazë i fshatarëve të Kalivaçit dhe jo vetëm. Misri që mbillej në Kalivaç ishte dyllojësh: misër i verdhë e misër i bardhë. Më i përhapur e më i pëlqyer ishte misri i verdhë. Ai me ngjyrë të bardhë ndeshej rrallë në arat e bujqve të fshatit tim, Kalivaçit të Tepelenës.
Misri, në Kalivaç por jo vetëm konsumohej në disa variante. Si ushqim bazë për njerëzit ishte bluarja e kokrrave të misrit dhe përgatitja e bukës së tij, me miellin që përftohej nga bluarja . Por misri konsumohej edhe kokërr, i pa bluar.Sipas variantit të parë parë, konsumimi i kallinjve të misrit bëhej në fazën e pjekjes së qumështitm, dmth kur kokrra e tij akoma nuk ishte forcuar por ishte në fazën ekonomike të pjekjes. Kjo fazë, rëndom ishte emërtuar si pjekje e qumështit ose e orizit. Në këta raste kallinjtë e misrit piqeshin në prush, deri sa kokrra të ndryshonte, të forcohej e të mpiksej dhe ngjyra e saj të shndërrohej nga ngjyra e bardhë në ngjyrë të errët; kafe . Përveç kësaj kokrra e misrit të pjekur kësisoj forcohej e mund të shkëputej me lehtësi nga koçani.Në stinën e ftohtë, në vjeshtë e sidomos në dimër, kallinjtë e misrit ziheshin, në një kusi ose në jamake, të cilat qendronin të varura në një çengel i cili zbriste, nga buharia, mbi vatër, ku e rrihte zjarri, ose që ishte e qasur pranë zjarrit, në vatër.Variant tjetër ishte konsumimi i misrit në formë kalaposhe. Ky variant ishte më pak i përdorur dhe shfrytëzohej më tepër si argërtim e më pak për ushqim. Pas darke, në Kalivaç, në stinën e dimrit, banorët e familjes, rrallëherë të fisit të ngushtë mblidheshin rreth vatrës ku digjej një zjarr bubulak dhte tregonin ndodhi, apo siç quheshin rëndom, nasihate, e , për relaks bënin kalaposhe sipas një teknologjie fare të thjeshtë:në një shoshë metalike, të vendosur sipër flakës së zjarrit (me prush nuk bëheshin kalaposhet ), hidheshin kokrrat e misrit brenda dhe shosha tundej derisa kokrrat e misrit të pëlcisnin e prej tyre bëheshin pufka, të buta, të bardha, të shijëshme e relaksuese. ”Kuzhinierja”, njëra nga nuset , ose gruaja me e re e asaj shtëpie, kur kalaposhet ishin gati ua shpërndante të pranishmëve. Kalaposhet ishin të shijëshme e të preferuara nga të gjithë; si nga të vegjëlit dhe nga të rriturit.Përgatitja e kalaposheve kërkonte pak kohë e nuk donte harxhe të tjerë. Nëse misrave të zier u futej në kusi kripë e vaj, kalaposhet “gatueshin”e përdoreshin të thata, siç ishin në gjendje natyrale.
Dihet që fusha e Kalivaçit, në kohërat për të cilat bëhet fjalë, i kishte tokat mbi ujë. Dmth misri dhe kulturat e tjera ptashitëse nuk i nënshtroheshin ujitjes.Në këta kushte ishin dhe arat e mëhallëve të sipërme: Hasanbegajve, Leshnjes, Bozanajve dhe e Meçajve . Prandaj rendimenti i misrit, në arat e bujqvetë Kalivaçit, edhe pse shërbimet i bëheshin bimës, mbeteshin të ulët.Rendimenti i kulturës së misrit, në Kalivaç, rrallëherë i kalonte të 5 kv për hektar. Në ato kohë ishin të pakta familjet që , në arat e tyre, me drithërat që prodhonin, siguronin bukën rreth vitit . Kishte fshatarë që kishin arritur deri në Durrës e Shijak, për të blerë misër, me një thes në krah. Kjo histori ka ngjarë në vitet 30 të shekullit të kaluar. Të tjerë bashkëfshatarë, në kollonë, së bashku me kafshët e ngarkesës, merrnin udhën e Fierit; bënin dy ditë udhë për të shkuar e po aq për tu kthyer për të blerë disa kg misër. Kishte marrë përmasat e një legjende blerja e misrit në Fier. Prandaj, kur mbillnin misrin kalivaçasit thoshin, me ironi:” Të mbjellça këtu e të korrça tek Fiku i Fierit”. Vetëm pas viteve ‘70 të shekullit të kaluar, kur u krye sistemimi, mobilimi dhe u realizua ëndrra e ujitjes së fushës së Kalivaçit, rendimenti i misrit u rrit ndjeshëm dhe fshatarëve u kthehej në prodhim mundi e djersa e derdhur.
Meqënëse në Kalivaç të Tepelenës, sipërfaqet e mbjella me misër ishin të kufizuara, familjet bujqësore, në përgjithësi i përballonin vetë proçeset e punës, duke nisur ngapunimi, lesimi dhe mbjellja e farës, sherbimet kulturore, si bimë prashitëse, deri tek korrja, zhveshja dhe magazinimi i misrit, në koçekë ose në hambar( misri kokërr). Korrja e misrit bëhej,si rregull në fillim të muajit shtator të çdo viti. Afatet gjithnjë kondicionoheashin nga koha e mbjelljes dhe nga faktorë të tjerë natyralë e agroteknikë. Pozicioni gjeografik dhe klima e Kalivaçit janë favorizues dhe ditët me diell të mjaftueshme që kultura e misrit të piqej normalisht.Bima e misrit, kur kishte marrë ngjyrën e dyllit dhe kokrra brenda kallirit ishte forcuar aq sa mund të ndahej lehtë nga korçani, në arat e mbjella me misër, binte drapëri e bëhej korrja e tij.
Korrja e misrit bëhej me drapër dhe me dorë.Në njërën dorë mbahej drapëri e me tjetrën kapej bima, në lartësinë, pak mbi kalli. Prerja e bimës bëhej, si rregull 1o-15 cm . mbi sipërfaqen e tokës.Rekomandohej prerja e bimës në mënyrë të pjerrët, me kënd, që ujërat e dimrit të mos zinin vend mbi kallamishte e kjo të kalbej.Misri i korrur, kashta së bashku me kallinjtë, vendosen nga ai që korrte, duar-duar,në madhësi sa të mund ti transportonte një njeri, në krahë.Pastaj, në mes të arës misri vendosej stivë, në formë gjysmërrethi, në lartësinë rreth 1m.Burrë e grua, pronarë të ekonomisë bujqësore uleshin përbri njëri –tjetrit dhe me një thumb prej druri në dorë i bënin një çarje lëpushkës të kallirit dhe e zhvishnin kallinë e misrit . Duke i kaluar nëpër duar të gjithë kallinjtë e misrit, ata bënin njëkohësisht seleksionimin e prodhimit . Kallinjtë e misrit të pjekur, ata me ngjyrë kafe në të verdhë, me kokrra të forta, i grumbullonin në qendër të togut kurse kallinjtë që nuk ishin pjekur plotësisht i veçonin e i piqnin, në prushin e zjarrit që ndiznin aty pranë.Lëpushkat (kashta e misrit), bëhej duar- duar, lidhej me një kashtë misri e dërgohej për të çuar hipi me lëpushka.Burrë e grua, të lodhur nga punët e ditës në arë, lodheshin akoma më tepër duke zhveshur misrin dhe shpesh i zinte gjumi pranë zjarrit, të cilin herë e mbulonin; herë e harronin të zbuluar.
Ndoshta koha e gjatë që ka kaluar prej ndodhisë e ka kthyer në barcaletë një episod, i cili ka brenda një dozë humori. Sipas tregimit të të moshuarve, nga lodhja e dites së punës, i zuri gjumi, të dy; burrë e grua, të lodhur e të këputur, me zjarrin të pambuluar plotësisht. Gruaja, natën pa një ëndërr e u kthye ne krahë . Ra në zjarr e iu ndez fustani. Kuptohet, ngjarja nuk kaloi lehtë; u përzhit dhe kofsha e saj . Bërtiti gruaja nga dhimbja e u zgjua burri . Qyqari, nëpër gjumë, së pari kontrolloi se mos e shoqja ishte dëmtuar në organet jetike dhe kur nuk konstatoi të kishte ngjarë diçka e tillë në ato pjesë të trupit,tha, plot pathos: “Dhe sivjet që bëra drithë, mu dogj gruaja në bythë; po, shyqyr që shpëtoi vëra, se hallall ja kam bërë të tëra”. Treva të tjera, duan ta përvetësojnë ndodhinë e përpiqen ta dëftojnë, siç ua ka qejfi, në versione të ndryshme . Por mundësitë janë që ajo të ketë ndodhur edhe në fshatin tonë.
Bujqit e Kalivaçit, mblidhnin prodhimet e stinës, i futnin drithërat në hambar, bënin llogaritë për ushqimin e vitit, deri në të korrat e ardhëshme dhe përfilleshin për punët e dimrit . E ndryshme ishte gjendja në skajin tjetër, tek blegtorët . Ata i priste dimri, i lagësht e i ftohtë, të cilin nuk është se e kishin për zemër . Blegtorët, tek shikonin bujqit, të cilët e kalonin më lehtë dimrin, bëheshin xhelozë e jo pa ironi u thoshin” kolegëve” të tyre: “A çke qejf o bujk dhe tinë, ti mirë e shkon dimërin; mbush fasule, plot kusinë….” Pavarësisht sa mundime kishte, deri sa të shkonte puna tek kusia plot?
Korrja, zhveshja dhe grumbullimi i misrit ishte operacioni i fundit i punëve të bujqve të Kalivaçit për të siguruar bukën e përditshme . Në fshatin tonë kishte mjeshtër që dinin ta kultivonin misrin më së miri e merrnin prodhim të bollshëm.Të tillë ishin Xhemal Haxhiu,Musa Brahushi, Karafil Mahmuti, Hajredin Cizo, Sherif Rrapo, Daut Mahmuti e Gani Muharremi etj,në mëhallët e Pusit e mjaft të tjerë :në mëhallët e sipërme. Ata e kultivonin misrin me kompetencë, duke ia bërë të gjitha shërbimet e nevojshme.Por puna me misrin nuk mbaronte as me korrjen dhe zhveshjen e tij, as me transportimin pranë shtëpisë me kosha të thurur me shufra konopice . Se misri nuk është si gruri; të cilin e korr, e shin dhe e hedh në hambar .Misri kërkon manipulim të posaçëm, pikërisht pas vjeljes. Në përbërje të kashtës e kallirit të misrit ka mjaft ujë . Atë duhet larguar nga kokrra e misrit me anë të tharjes.
Kallinjtë e misrit vendosen në disa vende të posaçme të përgatitur me dru, pak mbi sipërfaqen e tokës, në mënyrë që të kryhet pjekja, pas vjeljes e misrit. Disa familje, në veçanti ato që kanë sasi të vogël kallinjsh misri, i bëjnë si gërshetë e i vendosin ato nëpër trarët e shtëpisë ku dhe thahet misri.Në këtë mënyrë bujqit nuk nxitohen për të bërë shkoqjen e kallinjve të misrit, për të ndarë misërishten ( koçanin) nga kokrrat . Kjo punë bëhej me nge, netëve të dimrit, kur dhe kohën e lirë fshatarët e kishin më të shumtë, pranë zjarrit, duke pjekur kalaposhe e duke treguar nasiate (përralla).Korrja, zhveshja dhe manipulimi i misrit konsiderohen festë pagane mbasi janë festë e bukës së re gjë që përkon me vjeljen e prodhimeve të ushqimeve, për njerëzit e për bagëtitë.
Ndryshimet që kanë ndodhur në strukturën e të mbjellave, ku ka marrë përparësi mbjellja e grurit , ka sjellë dhe përmirësimin e të ushqyerit të njerëzve. Tani , bashkëfshatarët e mi ushqehen , kryesisht me bukë gruri , teksa misërnikja ka dalë në plan të dytë.
Në Tiranë, më 3 shkurt 2012
Punoi Niazi Nelaj