Mane Tafil Zenelaj (1885-1978)
Në Kalivaç të Tepelenës, kontributet e njerëzve të ndierë, në etapa të ndryshme kohore nuk kanë qenë të njëjtë. Disa kanë shkruar histori, me trimërinë e tyre dhe janë të mirënjohur si trima. Të tjerë janë gdhendur në memorjen e njerëzve për veprimet dhe qëndrimet e zgjuara e koherente. Disa mbahen mend për jetëgjatësi, teksa të tjerë kanë lënë gjurmë, me veshjen sipas traditës së trevës dhe me pamjen e jashtme mbresëlënëse. Mane Tafil Zenelaj, për të cilin do të bëhet fjalë në këtë rrëfim, i mishëronte, të tëra këto, ndaj, kujtimi për të nuk tretet.Mane Tafil Zenelaj u lind në fshatin Kalivaç të rrethit të Tepelenës, më 5 qershor të vitit 1885. Trualli ku u lind e u rrit xha Manja ishte i mbarsur me mëllefin e padurimit që kishte shkaktuar pesha e rëndë dhe e zgjatur në kohë e pushtimit osman të vendit dhe me ndjenjën e revoltës që kishte për bazë rropatjen e bashkëfshatarëve, për të mbijetuar, nën atë regjim mizor. Fukarallëku dhe mjerimi ishin ulur këmbëkryq , në vatrat e banorëve të Kalivaçit , por ato nuk kishin mundur të shuanin natyrën mospajtuese dhe shpirtin e revoltës e mospajtimin me pushtuesit. Natyra kodrinore- malore e fshatit, pyjet, të mbuluar nga shkurre të dëndura përralli e koçimareje, përrenjtë e shumtë që përshkonin hapësirën e trevës, ndikimi i lumit dhe erërat që vinin nga deti, nëpërmjet grykës së Vjosës i shtuan genit shpërthyes të vendasve tipare luftarake të qënësishme. Me tiparet si shkathtësia, guximi e trimëria, durimi e qendrueshmëria, shpirti i mirë e sjellja komunitare u bënë bashkudhëtare të rritjes e formimit të djaloshit Mane Tafili.
I lindur e i rritur në një truall autokton ku kryefjala ishte burrëria dhe besnikëria ndaj dheut të të parëve,Mane Tafili u brumos me karakter të fortë, disi të ashpër, me dashuri për njerëzit e mirë e me urrejtje për pushtuesit anadolakë dhe me tiparin e fisnikërisë e të qendrueshmërisë, në situata të vështira të jetës. Këto dhe tipare të tjera të qënësishme, i rrinin bukur për shtat Mane Tafilit; ato ndikuan fuqishëm në formimin e karakterit të tij luftarak.
Të parët e xha Manes, Tafili e brezat para tij ishin bujq dhe blegtorë të mirë. Në linjën e nënës së tij , nisur nga Shajbija e më tej, gratë e fisit ishin shtëpijake të përkushtuara dhe nëna të dhimbsura.
Shtëpia ku u lind e u rrit Mane Tafili ndodhej në krye të mëhallës Ahmetaj dhe kjo nuk mund të ishte një rastësi. Të moshuarit dëftonin se në këtë shtëpi, e para në mëhallë, para shumë kohësh jetonin tre vëllezër, të bijtë e Ahmetit. Sipas rrëfimeve të tyre, ata quheshin: Nelo; Dëro dhe Çino. Kur u ndanë, sejcili prej tyre formoi një fis. Nelajt, pinjollët e Nelos , u shtuan më tepër kurse dy të tjerët mbetën me më pak familje. Degëzimet e Nelajve formuan nënndarje si Binaj, Mehmetaj, Sadikaj , Jaçaj dhe Bejomalaj. Çinajt, pinjollët e Selfo Rexhepit, dikur lanë mbiemrin e origjinës e morën atë Zenelaj. Vetëm Dërajt ruajtën cilësimin e origjinës , Dëraj, por nuk u shtuan aq. Në pemën gjenealogjike të fisit, Mane Tafili e shikonte veten më të afërt me familjen e Ahmet e Novruz Selfos, djem të Selfo Rexhepit.
Shtëpia e Mane Tafilit ka qenë një ngrehinë përdhese, tipike kalivaçase, me një dhonë me përmasa të mëdha. Banesa e tij ishte, pa dysheme e pa tavan. Muret e saj ishin të ngritura me gurë të bardhë, të gdhendur, radhët e gurta të së cilit lidheshin me njëra- tjetrën me llaç gëlqere dhe forcoheshin me breza prej druri. Çatia e banesës ishte e mbuluar me pllaka guri, të bardhë, të renda. Mahitë, qeprat dhe petavrat, nga koha e gjatë e përdorimit dhe nga tymi i zjarrit të dimrit, ishin të mbuluara nga një shtresë bloze. Në ballë të shtëpisë ishte oxhaku, me vatrën dhe buharinë si pjesë të tij. Çengeli, i përbërë nga unaza metalike, mbi vatër, mbante të varur një kusi apo jamake, në të cilën ziente ujë kur zjarri bubulonte në vatër. Pranë vatrës, ishin këmbjet dhe mbi to qëndronte i vendosur saçi, me një kube metalike, me rreth, i mbuluar me hi vatre. Në ballinë ishin dy dritare, si frëngji, të cilat mbylleshin nga kanata dhoge të trashë dhe ishin të pajisura me hekura, mbrojtës. Në ballinë ishin dy kamare të vogla, ku amvisa vendoste sende të përdorshme më shpesh. Në fund të shtëpisë ishte vendi ku vendoseshin enët ujëmbajtëse, kazanë e bucela dhe jatakët e fjetjes të familjarëve dhe mysafirëve të shtëpisë. Afër mesit të gjatësisë, në mur ishte vendosur një dhogë, e cilaquhej sergjen, mbi të cilën qëndronin enët e kuzhinës; tasat, lengjeret dhe pjatat në lartësinë e një shtati mesatar në mënyrë që të arrinte e zonja e shtëpisë. Lugët dhe thika e bukës qendronin në një pajisje druri, e cila quhet farasha. Si dysheme shfrytëzohej tokë me përbërje gëlqerore ( shur i përzier e i rrahur, fort, me byk, i lyer sipër me një shtresë të hollë bajgash lope. Në shtëpinë e Mane Tafilit dhe në simotrat e saj, në mëhallë e më gjërë, orenditë shtëpiake ishin vetëm ndonjë përjashtim. Të gjithë flinin në shesh. Më së shumti, fëmijët mblidheshin në një jatak, së bashku me nënë Bukurien, e cila , i mblidhte të sajët, si klloçka zogjtë.
Në stinën e ftohtë, kur përjashta nuk mund të qendronin, fëmijët e xha Manes, Bukuria dhe i zoti i shtëpisë grumbulloheshin rreth vatrës ku përhapte ngrohtësi një zjarr bubulak, me dru koçimate, përralle dhe rrallëherë me dru ulliri, nga ullinjtë e familjes që ishin krasitur në Gryka. Në verë, kur moti ngrohej e temperaturat e ajrit e të ujit të lumit rriteshin mjaftueshëm, djemtë e Mane Tafilit i gjeje anës Viosës, duke u larë, në lumë ose duke zënë peshq, me grep. Kur piqeshin frutat, ata kacavirreshin në pemët e larta, në Gryka e në ara të tjera, në veçanti i shikoje mbi çatallat e fiqve, duke ngrënë fruta të ëmbla.
Shtëpia e xha Manes, në krye të mëhallës, ishte e ftohtë. Në anën Veriore dhe ne atë Lindore, pas shtëpisë të xha Manes është një faqe kodre, e pjerrët deri në 40 gradë e cila zbret në apaërroin e Veldonit. Kjo faqe kodre është gurore dhe e mbuluar nga shkurre, përralli; ajo, jo mëkot e ka emrin Hije. E kanë emërtuar kështu, për të vetmin shkak se atë sipërfaqe nuk e ze dielli kurrë, që kur len e gjersa perëndon. Më tej është Përroi i Gomares, i cili mbledh ujërat që zbresin nga Sheshet e i derdh në Përroin e Veldonit. Edhe Korija, përtej Përroit të Gomares, në hije është dhe drutë që mund të nxirren prej atij vendi, me vështirësitë që krijon trëndafili i egër, digjen me vështirësi. Drutë e zjarrit që nxirren në Hije dhe ato që bëhen në Korije, le që ndizen e digjen me vështirësi, por, më tepër bëjnë tym, sa, flakë e prush. Prandaj ato nuk janë aq të preferuara për tu përdorur si dru zjarri.
E zonja e shtëpisë, fisnikja Bukurije, një grua e fuqishme dhe e përkushtuar për familjen, mblidhte përralle, me dega e me kukla në Hijen pranë shtëpisë, hidhte me to saçin për të pjekur bukë ose vinte në zjarr tiganin e piqte petulla, në vaj ulliri. Kësisoj, thyhej disi edhe ftohtësia e asaj përdheseje, në dimër. Në verë apo në stinën e thatë, ajo e ndizte zjarrin përjashta shtëpisë, në avlli, ku përpara hyrjes ishte një si paradhomë e cila nuk lejonte ajrin e freskët të atmosferës, të futej brenda, ashtu, i ftohtë, siç ishte, në atë majëbregu.
Avllija e shtëpisë të Mane Tafilit, ishte e madhe, e stërgjatur, e shtruar me pllaka guri të bardhë dhe e rrethuar nga një mur guri, me kapakë të rëndë përsipër në një lartësi rreth 50 cm. Porta e avllisë ishte pa portë e ndodhej në anën jugore të mjedisit ku qendronin bagëtitë e imëta të familjes. Nëpërmjet një kthese djathtas, rrugica plot me gurë qarkonte kopshtin e Abedin Kahremanit. Në anën Perëndimore të shtëpisë të xha Manes, ishte një bahçe, me dy taraca, ku vegjetonin drurë frutorë, kryesisht egzotikë. Aty ishin dy rrënjë fiq, të varietetit Bradashesh, një caracë ( goxhamish), një shegë e ëmbël dhe një rrënjë ftua. Fiqte ishin nga ata që piqen dy herë; një herë në fund të muajit qershor dhe një herë tjetër në muajin gusht. Frutat e para të kësaj peme, nuk arrinin të piqeshin për arsye se fëmijët e xha Manes, si dhe të mëhallalinjve të tjerë, për të shuar urinë, i konsumonin ato që kur ishin trakaliçe. Me barkun bosh, fëmijët mezi pritnin të verdhej elbi dhe trakaliçet ishin disas ditë para këtij proçesi jetik.
Bahçja rrethohej nga një mur i lartë, me gurë mbi gurë i lartë rreth 2 m, i ngritur për të mbajtur bahçen nga rrëshqitja e dheut dhe për të shmangur dëmtimet nga bagëtitë e mëhallës. Në vijim të zbritjes, ishte një lëmë, në radhën e lëmenjve të mëhallës Ahmetaj, i lashtë, ndoshta sa vetë ndërtimet në atë bashkësi trojesh e familjes, i ndërtuar nga të parët e fisit. Nuk e pashë kurrë që ai lëm të shfrytëzohej për të shirë të lashtat apo për të grumbulluar e shirë të vonat. Vitet e fundit pashë që ishte ngritur brenda hapësirës së tij një kasolle dhish.
Xha Manja, në ekonominë bujqësore individuale kishte dhe një bahçe tjetër, në pronësi, e cila ndodhej pak më poshtë se banesa e kushëririt të tij Hysni Metë Dëraj; ngjitur me bahçen e tij. Kjo bahçe përbëhej nga tri taraca, të cilat ngjanin si shkallë. Brenda saj ishte një rrënjë fiku, të tipit bradashesh, një ulli kaniniot, një rrënjë shegë e ëmbël dhe një rrënjë ftua. Disa lofata, të cilat kishin mbirë vetiu, në një truall me gurë, shërbenin për të hedhur hardhinë me rrush të bardhë, kokërrvogël, e cila i kishte rrënjët në ledhin që ndan dy parcelat.
Poshtë ledhit ndarës, me një mur të lartë rrethues, ishte banesa e familjes të Xhevit Malkos dhe një truall sa për të ngritur një kasolle për dhen. Në Jug të bahçes ishte shtëpija dhe trualli i Musa Mehmet Nelaj dhe më tej truallit të Xhevitit ishte shtëpia dhe kopshti i Banush Xhezo Hadëraj. Në veri të bahçes të xha Manes ishte një kopësht i vogël, pas shtëpisë të burrit të moçëm, tepër të zgjuar, Abedin Kahreman Hadëraj. Bahçen në fjalë, Mane Tafili ia dha, me këmbim, kusheririt të largët të tij, Xhevit Malko Nelaj. Në këmbim të saj, xha Manja mori nga Xheviti, lopën, me emër Sorrilë, e cila bënte viça çdo vit dhe prodhonte shumë qumësht,i cili ishte i domosdoshëm për fëmijët e shumtë që kishte familja e xha Manes, në moshë të përafërt me njëri-tjetrin.
Toka arë e Mane Tafilit, ndodhej larg vendbanimit të tij dhe kjjo përbënte vështirësi, për ruajtjen nga dëmtuesit frymorë të produkteve bujqësore dhe për transportimin e prodhimeve të tyre. Arat e xha Manes ndodheshin në Shure, në Gryka, në Xina, në Llagëme, në Kashtën e Kuqe dhe, pas Reformës Agrare, edhe në Fëngje. Fëmijët e Xha Manes u rritën; njërën nga bahçet, ai e shkëmbeu; shpejt u ndje ngushtësia e hapësirës jetike që e detyroi familjen të zbriste në tokën e saj, në Shure. Veç faktorëve që renditëm, çvendosjen e familjes e diktuan dhe dy faktorë të tjerë, bindës. Vendi, në Shure është i gjerë e i rrafshët. Fëmijët e Mane Tafilit mund të qarkullonin e të luanin, lirshëm, me njëri-tjetrin dhe me të afërmit e tyre. Në fundin e mëhallës Ahmetaj, përballë Shureve, ishin ngritur shtëpitë e vëllezërve Ahmet e Novruz Selfo Zenelaj, bij të Selfo Rexhepit. Ata ishin kushërinjtë më të afërt të Mane Tafilit gjë që e shtonte sigurinë e familjes të xha Manes.
Në vitin e largët 1948, kur familja e Mane Tafilit u shpërngul nga shtëpia në krye të mëhallës, e zbtiti në Shure, fillimisht, rrëzë ledhit me drurë përralli të lartë, duke lënë pas kurrizit Shuren e Meços, e cila ishte në pronësi të Ahmet Selfo Zenelaj, u ngritën dy kasolle: njëra për të mbledhur fëmijët; tjetra për miqtë. Në anën Veriore të vendbanimit të ri të familjes të Mane Tafilit, ishte Përroi i Veldonit kurse në Perëndim, shtrihet Gurishtja e Binajve, ku kishte ngritur kasolle dhe banonte një familje tjetër e fisit të tij, ajo e Resul Nelo Nelaj. Në vitin 1957, kasollet u zëvëndësuan me shtëpi dhe, më pas më pas, në vitin 1970, mbasi djali i madh i xha Manes, Shahini u martua me Fatinë, të bijën e Nexhip Skëndo Rrapaj, nga Hysodosajt, u çelën themelet e u ngrit shtëpia e tij, përtej Përroit të Veldonit, pak nën Murin e Hasanet dhe udhës këmbësore që të çon në Margëlliç. Aty kanë ngritur shtëpi dhe djemtë e Shahinit: Gentiani dhe Perlati.
Sot, në vend të kasolleve të dikurshme, në Shure, i bëjnë “ karshillëk” njëra-tjetrës shtëpitë e djemve të xha Manes: Tafilit; Fuatit; Avniut dhe djalit te Shahinit – Gjonit. Dy djemtë e Mane Tafilit: Rustemi dhe Selami, janë stacionuar në Tepelenë, kurse Qazimi, djali i katërt i familjes ka shtegtuar në Itali. Nipërit dhe mbesat e xha Manes i gjen anë e mbanë botës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Greqi e në Itali dhe gjetkë. Kudo ku janë, ata punojnë e jetojnë me djersën e ballit.
Portreti fizik i Mane Tafilit ngjante me atë të një labi tipik e dukej si një kreshnik. Shtati i tij nuk ishte fort i lartë, por trupin e kishte të lidhur e muskuloz dhe ishte i lidhur mirë. Xhaketën prej shajaku, me ngjyrë të zezë e mbante përherë të hapët. Nën të, sipas rastit e stinës, vishte një xhamadan ose një bluzë, me kopsa, me lule vetjake, të thurura me grep. Pantallonat prej shajaku, të zeza, i mbante me prerje kilotash; opingat me përbërje meshini ose llastiku, i përshtateshin bukur terrenit të thyer e me gurë. Në kokë mbante një qylah, të bardhë prej shajaku, në fund të të cilit dilte një majë nga e njëjta përbërje. Fytyrën e kishte të rregullt, ballin të lartë, prej fisniku; hundën, disi të theksuar e pak mishtake, dy sy të zgjuar, me përmasa normale në ngjyrë hiri. Xha Manja mbante mustaqe të mëdha, të gjata, në pleqëri të bardha, si gjithë burrat e moshës së tij. Me ato tipare prej burri e me atë veshje karakteristike, Mane Tafili i përngjante një kreshniku, si ata që rrëfehen në përralla apo në legjenda.
Të ngjashëm me kreshnikët, xha Manen nuk e bënte vetëm dukuria e jashtme e tij dhe veshja tipike, por ai ishte i tillë së brendshmi, në karakterin burrëror që shpërfaqte. Mund të them se Mane Tafili i kishte të rrallë shokët, në mëhallë; në fshat e më gjerë. Atij i dëgjohej fjala në kuvendin e burrave, në odën e burrave ose në bisedat e lira, tek Buza. Shpesh, mendimet e xha Manes i jepnin tonin kuvendit dhe bëheshin pjesë e zgjidhjes të problemit. Mane Tafili kishte miqësi e lidhje miqësore të afërta, me mjaft burra të ndierë, pa llogaritur fisin e tij të gjërë.
Xha Manja ishte njohës i mirë i zakoneve dhe traditave të mira të trevës. Ai ishte zbatues fanatik i normave të sjelljes, në çdo rast e në çdo vend. Komuniteti ku ai jetonte, e dëftonte me kënaqësi vijën e sjelljes të xha Manes. I ulur, këmbëkryq në vendin që i takonte, në trapezin e gëzimeve dhe të rasteve fatkeqe, të pranishmit prisnin me interesim të madh, fjalën e xha Manes, perfundimet që ai arrinte , pas gjykimit me mendje të ftohtë të çështjes që shqetësonte dhe udhën e zgjidhjes që rekomandonte ai. Ata që ndodheshin në gjykimin e një problemi, fjalët e xha Manes i ngulitnin fort në kokë e i mbanin “ vathë, në vesh”! Kur niste këngën Mane Tafili, jehona e saj përcillej e dëgjohej larg; ajo i ngjante një kushtrimi luftarak. Xha Manja ishte dhe një vallëtar i shquar. Kur këndonte Mane Tafili, zëri i tij i fuqishëm, dilte mbi këngëtarët kryesorë ( marrësi, kthyesi dhe hedhësi) dhe të gjithë e njihnin këngën e tij. Ai nuk këndonte, por “ lëshonte kushtrim e sokëllinte”, sikur tu printe luftëtarëve në një betejë. Zëri i xha Manes, nuk ishte vetëm i fuqishëm, por dhe elokuent. Këngë të preferuara të atij burri ishin:
“… Thonë se vdiqe na veremi, o Dhimitragjon, djalë i vetëm-o;
Ne për soj, ashtu s’e kemi, o Dhimitragjon, djalë i vetëm-o;
Që të vdesëm na veremi, o Dhimitragjon, djalë i vetëm-o…”
Ishte kjo një këngë epike, e cila evokon dhimbjen që ka babai për djalin e vetëm, i cili u tret në hapsanat e osmanëve, larg vatanit. Xha Manja, si burrë i zgjuar e i shkathët, ndiqte jo pa interes zhvillimin e ngjarjeve dhe mbante qëndrim adeguat. Kënga që vijon, na e dëshmon qartë këtë tipar të qënësishëm të tij; koherencën. Ai, në shoqërinë e burrave të fisit e miqve të shumtë, ia çkulte këngës:
“… Mora gazetën “ Bashkimi”, data dy korrik;
Lajm’ i zi për Bullgarinë; Dimitrovi- vdiq;
Në vendin e socializmit: Bashkim Sovjetik …”
Kur dilte në valle Mane Tafili, në shoqërinë e kushëririt të tij : Ahmet Selfo Zenelaj, njërit nga vallëtarët më elokuentë të fshatit, tundej oda e lëkundeshin trarët. Një tipar i qënësishëm i xha Manes, të cilin ai e kishte me tepri ishte fisnikëria dhe bujaria e shpirtit. Të dy këta ishin të pleksur me njëri tjetrin e nuk bënin dot pa shoqi –shoqin.
Në vitin 1933, Mane Tafili lidhi martesë me Bukurijen, një grua kapedane, nga fshati Çorrush, kufi me Kalivaçin. Bukuria, siç kishte emrin, kishte dhe shpirtin. Me atë trup të bëshëm e me një konstruksion trupor të fuqishëm, me shpirtin si det e me dashurinë pa kufi që i përkushtoi familjes, burrit dhe fëmijëve të shumtë që i erdhën njëri pas tjetrit, ajo u përshtat shpejt me kushtet e reja dhe iu bë krahë të shoqit, duke plotsuar dhe mungesën e tij të gjatë, për shkaqe pune, në çerdhen që ngritën, së bashku. Nga martesa me Mane Tafilin, Bukuria pruri në jetë tetë fëmijë: Shahinin; Rustemin; Selamin; Qazimin; Tafilin; Fuatin; Avniun dhe së fundmi vajzën Shajbi ( ndjesë pastë), e cila u nda, shpejt nga jeta.
Sikur të mos mjaftonin tetë fëmijët, nga martesa me Bukurijen, Manja dhe bashkëshortja e tij, në atë vatër kalivaçase ku fukarallëku ishte dystuar shesh e banorët, me vështirësi mbijetonin mes skamjes e varfërisë, morën në shtëpinë e tyre e u kujdesën për vëllanë e Bukurisë, Hasanin dhe motrën e tij Fatime, të cilët kishin mbetur jetimë. Ata nuk u shpunë dy jetimëve, në shtëpinë prindërore, ku u lindën, diçka nga fukarallëku i tyre, por i morën, në Kalivaç, ku i rritën, së bashku me fëmijët e tyre dhe i veselitën e i martuan, duke zbardhur faqen e tyre e të fisit. Ky nuk ishte i vetmi veprim bujar i çiftit Bukurije dhe Mane Tafili.
Vajza e motrës të Mane Tafilit, Fatimesë, e cila ishte e martuar në fshatin Kutë të Mallakastrës, Rronja, mbeti bonjake, kur ende ishte e parritur. Babai i saj kisht menduar dhe bëri hapa konkretë për të lidhur martesë të re. Xha Manja, i cili e donte shumë mbesën, nuk pati besim se njerka që do të hynte në atë shtëpi, në vend të motrës së tij, do ta trajtonte mirë, prandaj e mori dhe e futi “ në tufën” e fëmijëve të barkut. Erriti mbesën Rronjë, me fukarallëkun që kishte pllakosur atë shtëpi dhe kur u bë për martesë, i dha fjalën bashkëfshatarit Aliko Qazim Muharremaj nga Hasanimerajt, të cilin e donte dhe e respektonte mjaft, që mbesa e tij të hynte nuse në familjen e tij e të martohej me vëllanë e Alikos; Fejzo Qazim Muharremaj.
Sikur të ishin vetëm këta dy raste, besoj se do të mjaftonin për të arritur në përfundimin logjik se Mane Tafili ishte një njeri bujar, me shpirt human. Mirëpo fisnikëria dhe bujaria, tok me virtytin e bamirësisë, trashëgohen, nga brezi në brez e nuk mund të shuhet në humbëtirë. Vlerë më vete e Xha Manes eshtë mëkimi i tipareve karakteristike të tij tek të prasmit. Kalivaçasit e mosdhuar e mbajne mend mirë aktin trimëror e tepër fisnik të djalit të Avniut; Rezartit, i cili ishte në vazhdën e traditave të të parëve të tij, kur u fut mes valëve të tërbuara të lumit të vjosës të dalë nga shtrati, për të tërhequr trupin e lundërtarit të mbytur Sadik Muharrem Nelaj, në mars të vitit 2004, kohë kur Mane Tafili ishte ndarë nga jeta. Duhet vënë në dukje një fakt domethënës: Rezartit nuk i tha njeri ta bënte këtë akt trimëror; ishte geni i tij fisnik që nxorri në pah tipatin e çmuar të humanizmit dhe bamirësisë.
Le të ecim në vite, për të prurë në vemendje një tjetër veprim fisnik të xha Manes: Në vitet ’50 të shekullit të njëzetë, familja Muharremaj, në Hasanimeraj, në të cilën ishin tre vëllezër: Shefit Qazimi, Arzihana dhe fëmijët e saj, bonjakët e Aliko Qazimit të ndjerë dhe Fejzua, u ndanë, sejcili më vete; ky i fundit, nga ndarja, doli i pa strehë. Të ngrinte një kasolle, me kurriz nga të tijët, siç qe tradita në Kalivaç, për Fejzon nuk ishte e lehtë. Ngërçin e zgjidhi xha Manja, me bujarinë e shpirtit të tij të pamatë. Ai, së bashku me fëmijët dhe Bukurinë, aso kohe kishte zbritur e banonte në Shure dhe shtëpinë, në krye të Ahmetajve e kishte bosh. I dha këtë shtëpi, së bashku me bahçen poshtë saj, për banim, mbesës Rronjë, të martuar me Fejzo Qazimin, e cila strehoi, për disa vite, familjen e saj, e cila kishte një “tufë “ me fëmijë. Malli e gjëja e plotë që mori Fejzo Qazimi ( ndjesë pastë), pas shkëputjes nga trungu atëror dhe arat e begata që i takuan në pjesë, nuk kishin efektin e nevojshëm; familja e sidomos fëmijët donin një strehë mbi kokë dhe këtë çështje e zgjidhi Mane Tafili, falë zemrës së tij të mirë e shpirtit të gjërë, si det. Kur u sistemua me punë, në Tepelenë, ai tërhoqi dhe familjen nga kjo shtëpi bujari.
Mane Tafili ishte nga ata burra me zgjuarsi natyrale që, në çdo rast zinte e mbante pozicione të ekuilibruar. Në disa etapa të jetës së tij të gjatë, ai është ndodhur në funksione drejtuese, në fshat e më gjerë, si ato në Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar, në Komandën e Vendit, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe në Këshillin Popullor e në Organizatën e Frontit, pas çlirimit të vendit, por, kurrë nuk e shpërdoroi autoritetin që i jepte statusi i drejtuesit të pushtetit vendor të fshatit. Edhe pse i veshur me pushtet e me kompetencat që i jepte statusi i tij dhe pse fjala i shkonte në të gjithë komunitetin, xha Manja nuk ishte arrogant e prepotent si pushtetarë të tjerë, të cilët, kësisoj mendonin se i jepnin rëndësi vetes.
Në Kalivaç, si në çdo trevë tjetër, njerëzit janë të ndryshëm. E ndryshmja është në karakter dhe në bindjet e tyre. Ndryshimet në formimin e njerëzve dhe veset e karakterit të tyre, shpesh bëheshin shtrat i ngrohtë, për lulëzimin e përgojimeve, zënkave e mërive, sherreve të pakuptimtë dhe mbajtjen e kokës mënjëanë. Xha Manja nuk kishte parim të tij në jetë, imponimin por kishte berë të tijën prirjen e paqëtimit. Ai, me dëshirë të madhe e me përkushtim, kishte marrë përsipër, vullnetarisht, rolin e “ zjarrfiksit” Ku ishin dukur keqkuptimet mes njerëzve, e ku kishte plasur “ sherri”; aty e kishje Mane Tafilin, duke biseduar me bartësit, urtë e butë, siç dinte ai burrë, me synim “ uljen e gjakrave”.
Në situata zemërimi të skajshëm, siç ishte ajo e datës 26 korrik të vitit 1944, kur një grup banorë nga Kalivaçi, të revoltuar nga vrasja e bashkëfshatarit Muharrem Mehmet Ramaj, ( Dëshmor i Atdheut), nga Hysodosajt, prej bashipozukëve që kishin “ rrjedhur” nga fronti i luftimeve në Dukaj të Tepelenës, kërkonin hakmarrje, ndaj “të shkrehurve” nga lufta. Mane Tafili, me autoritetin e tij të merituar tek bashkëfshatarët e tij, ndërhyri, me mendje të “ftohtë” dhe shmangu një masakër të iminente. Xha Manja edhe në këtë rast, nuk “ u fryu urave të zjarrit”, por u gjend në mbrojtje të të pambrojturve, mercenarëve të shpartalluar prej ashpërsisë të luftës partizane, kundër pushtuesve gjermanë dhe veglave të tyre.
Mane Tafili ishte nga ata burra kalivaças që kujdesej mjaft, për fëmijët e tij. Kujdesi i tij nuk kishte të bënte vetëm me mirërritjen, por, ca më tepër për formimin e tyre si njerëz me mirësi dhe edukatë të shëndoshë, me tiparet më të spikatura të Nënë Bukurijes dhe të atij vetë. Si ne, fëmijët e sërës së tyre, edhe fëmijët e xha Manes jetonin në skamje. Ata, si mjaft bashkëmoshatarë të tyre, në mëhallë e në fshat, kishte raste kur binin për të fjetur, me barkun bosh; ishin të vedshur keq, por asnjeri, jashtë familjes së tyre nuk ua dëgjoi zërin e ankesës e të protestës. Bukurija, një grua fisnike dhe e përkushtuar për familjen, si gjithë nënat tona, në palcën e dimrit, kur arat ishin të mbuluara nga brazima, këmbëzbathur, mblixdhte lakra të egra, në arat me gurë të Shureve dhe në prona të tjera të familjes e të fisit, për të ushqyer të lindurit nga barku i saj, vëllanë dhe motrën bonjakë. Xha Manja, për të ushqyer fëmijët e për të mbajtur familjen, ishte i detyruar të punonte, në punë e fronte të ndryshëm pune, shpesh larg shtëpisë e fëmijëve. Kësisoj, kur vinte në familje, ai ishte i malluar për pinjollët e tij. Ndoshta ky ishte dhe motivi i sjelljes të tij “ të butë”, me ta.
Në Kalivaç e më tutje, kanë qenë të rrallë baballarët me sjellje “ të butë” kundrejt fëmijëve. Vija e “ashpër” ka dominuar, gjithnjë. Shoqëria maskiline prej së cilës kemi ardhur e ka të vetën këtë vijë sjellje dhe ato që kanë ardhur, njëra pas tjetrës, e kanë “ tërhequr këmbën zvarrë”. Xha Manja, meqënëse shikonte rrallë fëmijët e tij, nuk mbahet mend të ketë qëlluar ndonjërin prej tyre, me pëllëmbë. Madje, në të voglin e tyre, Avninë ( Nikon, siç i thonim ne të vegjëlit), të cilin e kishte “pekul”dhe kur zinte vend në qoshenë e tij e mbante në prëhër, nuk i thoshte asgjë edhe kur ai i merrte çibukun nga dora dhe e lëpinte. Pa e kuptuar, Avniu i vogël, thithte tymin e duhanit, me të cilin u familjarizua dita- ditës, derisa “e mësoi”. Në moshën rreth 6 vjeç, djali i vogël i xha Manes, Nikua, u bë pirës i rregullt duhani. Kur u bë i ndërgjegjshëm për dëmin që i sillte ky ves, ai e braktisi duhanin, njëherë e përgjithmonë.
Sjellja dashamiëse e Mane Tafilit, me fëmijët e tij, nuk e privoi atë nga kujdesi që bënte për ti përgatitur ata për të përballuar jetën e vështirë të asaj kohe dhe të së ardhmes që i priste. Xha Manja, me zgjuarsinë natyrale që kishte si tipar karakteristik, parashikonte ngushtësinë që pritej, në jetën e tyre. Ai, nisur nga fakti se në jetën e tij kishte qenë e pamundur të shkollohej, shtoi interesimin që fëmijët e tij të mos mbeteshin të pashkolluar. Shahini; Rustemi, Selami dhe të tjerët, jo vetëm përfunduan shkollën e fshatit por ,sipas prirjeve dhe aftësive, ai u siguroi disave të drejtën për të vijuar shkollë më të lartë. Shahini u bë ekonomist; Rustemi- karpentier; Selami – shofer; Qazimi – nënoficer e kështu, me radhë. Shkallë më të larta dijesh morën pinjollët e tyre, të rritur nga e njëjta vatër, dashamirëse ndaj shkollës.
Mane Tafilit i kishte lezet muhabeti dhe ishte “ Zot qosheje”. Ai dinte ta tirrte bisedën, sipas rastit dhe, së bashku me pleqtë e tjerë të komunitetit, burrat e mënçur: Musa Mehmet Nelaj; Abedin Kahreman Hadëraj; Sherif Rrapo Muçoimaj; Muharrem Kamber Dëraj; Xhemal Haxhi Nelaj; Ahmet Selfo Zenelaj; Breshan Fejzo Bejomalaj etj, jo vetëm që i gjykonin me paanësi çështjet, por dhe u jepnin udhë atyre. Kuvendi i pleqësisë, në Ahmetaj, i kryesuar nga më i moshuari prej burrave, në gjykimin e çështjeve, përmbante, në çdo rast, mendimin e pjekur të xha Manes.
Jeta dhe veprimtaria e ndërgjegjshme e Mane Tafilit ze fill e përfundon në fshatin e tij të lindjes, në Kalivaç të Tepelenës. Ai u lind në vitin 1885, në një mjedis atdhetarësh të spikatur, si nga dega dhe nga rrënja. Xha Manja ishte me fat që kishte bashkëmoshatarë në mëhallë e më gjerë, njerëz të zgjuar e të mençur, në shoqërinë e të cilëve, u rrit, luajti me ta lodrat e kohës dhe mësoi prej tyre. Rritja dhe formimi i Mane Tafilit u bë, nëpërmjet një edukimi të “ ashpër”, sipas disa normave të njohura ku trimëria dhe burrëria ishin kryefjalë e asaj kohe, në veçanti kur bëhej fjalë për formimin e djemve. Xha Manja, u rrit e u kalit nëpërmjet punës të vështirë të çobanit e të bujkut, duke u rropatur në kushtet kur bashkëfshatarët dhe moshatarët e tij, ndihmonin familjet për të mbijetuar. Në vitet e fëmijërisë të tij e më vonë, në fshatin e lindjes, në Kalivaç të Tepelenës, nuk kishte shkollë, por nuk mungonte dëshira për tu shkolluar tek banorët arsimdashës të trevës. Kjo dëshirë për tu arsimuar, e çoi Mane Tafilin në hullinë e të mësuarit të shkrimit e leximit të Gjuhës Shqipe në kurse afatshkurtër.
Mëhallaliu Demir Rrapo Zenelaj ( Muçoimaj), kur u kthye nga kurbeti ku kishte shkuar së bashku me vëllanë e tij, Sherifin, në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk pruri dhurata për të afërmit, siç ishte tradita, por i mbushi, tri valixhe, me libra e revista, të shkruara në shqip dhe u bë iniciator i hapjes të mjë kursi ku morën pjesë 16 kalivaças, nga të cilët një femër. Në atë kurs fatlum, mësuan shkrim e këndim bashkëfshatarët: Tefik Medini, nga Hysodosajt; Malo Bajrami, nga Bozanajt; Zagoll Saliko, nga Meçajt; Rrapo Dano e Ali Xhelili, nga Hasanbegajt; Qamil Sulo, nga Beqirajt; Muharrem Hasani, Ahmet Selfua dhe Mane Tafili, nga Ahmetajt; Çizo Selfua dhe Sadua e Muharrem Sheme Agaj, nga Hasanimerajt etj. Më pas, xha Manja, mësoi dhe gjuhë të huaja. Ai dinte të komunikonte në italisht e greqisht dhe zotëronte Gjuhën Turke, me shkrim e me të folur.
Urrejtja që u akumulua që në vogëli, tek Mane Tafili, kundrejt regjimit gjakpirës të pushtuesve osmanë e atyre që erdhën pas tyre, jeta në kufijtë e mbijetesës e bashkëfshatarëve të tij, e cila kishte prekur, dhimbshëm familjen e tij, taksat e rënda, të paprballueshme, kultivuan urrejtje tek Manja i ri, i cili, pakënaqësinë për jetën që bëhej në fshat e shprehu hapët e në formë revolte. E kallëzuan Manen, për idetë kunërshtare ndaj regjimit dhe, për mospajtimin me pushtimin italian të vendit tonë, ai dhe i vëllai – Qazim Tafili, në vitet e Luftës së Parë Botërore, u internuan në Bari të Italisë. Pas kthimit nga internimi, Mane Tafili, me pikëpamje demokrate, u bë pjesë e Revolucionit Demokratiko-borgjez të vitit 1924, dhe mori pjesë, si Fannolist, në disa veprimtari të këtij revolucioni. Pas dështimit të këtij revolucioni, Mane Tafili, i zgjuar e i shkathët, u aktivizua në detyrën e xhandarit, në Kavajë, ku kreu funksione policie.
Në vitet ’30 të shekullit të njezetë, i përfshirë në një grup bashkëfshatarësh, nga Kalivaçi dhe nga rrethinat e tij, Mane Tafili, emigroi, disa vite në Anadol, të Turqisë, ku u aktivizua me punë në blegtori. Në vitin 1930, në moshë relativisht të pjekur, xha Manja lidhi martesë me Bukurijen, një vajzë nga fshati Çorrush i Mallakastrës, e cila i mbushi vatrën me fëmijë dhe u shqua si njëra nga gratë më punëtore e më të përkushtuara për familjen dhe bashkëshortin e saj. Ajo u lidh ngushtë me Manen dhe çifti lindi e rriti plot tetë fëmijë, njëri më i mirë se tjetri.
Lufta Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, e gjeti Mane Tafilin një burrë të pjekur e të formuar, si luftëtar i lirisë. Pushtimi italian i Shqipërisë dhe politika kolonizuese e këtij pushtimi, preku thellë sedrën atdhetare të xha Manes dhe e hodhi atë në anën e çlirimtarëve, kundër pushtuesve fashistë. Dashuria për vendin e të parëve dhe urrejtja ndaj pushtuesit të huaj, si dhe pozicioni i favorshëm i shtëpisë të familjes së tij, në krye dhe në anë të mëhallës, ngjitur me Hijen dhe afët Korijes, e kthyen shtëpinë e Mane Tafilit në në bazë ku strehoeshin e ushqeheshin luftëtarët e lirisë, përfshi komandantin e formacioneve partizane, Jaho Gjolikun, nga Kuçi i Kurveleshit.
Xha Manja mori pjesë në krijimin e Batalionit partizan “ Baba Abas”, në Donije të Kalivaçit, më 10 gusht të vitit 1943. Si pjesëtar i forcave territoriale të trevës dhe si anëtar i këshillit Nacionalçlirimtar të zonës, Mane Tafili mori pjesë aktive, në disa aksione, siç qe ai për çarmatosjen e postkomandës së karabinierisë italiane, në Krahës të Tepelenës; në luftimet në Mogilla të Vasjarit e në luftime të tjerë.
Çlirimi i vendit, e gjeti xha Manen, kryetar të Këshillit Popullor të fshatit Kalivaç të Tepelenës. Këtë detyrë, ai e kreu, disa vite, me radhë. Si aktivist e drejtues i organizatës masive të Frontit Demokratik, zëri i fuqishëm i Mane Tafilit u dëgjua në të mirë të formimit dhe fuqizimit të kooperativës bujqësore në fshatin e tij. Ai u bë përçues i direktivave të ardhura nga lart dhe punoi, me shembullin vetjak e të familjes së tij, e cila u fut ndër të parat në kooperativë dhe kontribuoi për rritjen e mirëqënies në fshat. Me qëndrime “ shëmbëllore”, në anën e uqizimit të pronës së përbashkët, xha Manja dhe fëmijët e tij, u bënë promotorrë të përparimit e të rritjes së mirëqënies. Djali i parë i xha Manes, Shahini, disa vite radhazi drejtoi llogarinë e kooperativës, bujqësore “Stalin” të Kalivaçit, ku u shqua për ndershmëri, drejtësi dhe rigorozitet. Ai do të mbahet mend , si njëri nga kuadrot më të përkushtuar e më të sakrificës, në përpjekjet për përparimin e ekonomise bujqësore të Kalivaçit.
Jo më pak të rëndësishëm kanë qenë kontributet e fëmijëve të tjerë të xha Manes, të cilët ecën në gjurmët e babait të tyre. Rustemi, djali i dytë në radhë, shumë vite punoi, me përkushtim, në sektorin e ndërtimit, në Srandë e në Tepelnë; Selami kontribuoi në sektorin e rritjes të sigurisë të vendit; Qazimi, në sektorin e mbrojtjes; Tafili, si blegror cilësor etj. Fëmijët e tjerë, sipas aftësive e prirjeve, dhanë kontribute me vlerë, për fuqizimin e kooperativës buhqësore të fshatit e më pas në ekonomitë e familjeve të tyre, pa i sjellë asnjë problem komunitetit.
Fëmijët i rritën e u martuan dhe krijuan çerdhe të reja, rreth e qark asaj të paraardhësve të tyre. Duke jetuar me djersën e ballit, me sakrifica të padëftuara, në fshatin e tyre e në emigracion, djemtë dhe pinjollët e Mane Tafilit kanë ngritur, me punë të ndershme, shtëpi të reja dhe sot, aty, në Shure e tek Muri i Hasanet, kanë formuar një lagje e cila krenohet , për origjinën e saj. Në këtë komunitet të ndjerë, sot bëjnë pjesë familjet e: Tafilit; Fuatit; Avniut; Gjonit; Gentianit dhe Perlatit. Tre nga djemtë e Mane Tafilit: Rustemi dhe Selami, banojnë në Tepelenë; Qazimi; në Itali dhe disa pinjollë të familjes kanë shtegtuar në disa vende të botës.
Nëpërmjet këtij jetëshkrimi, lexuesi njihet me historinë e njërës nga familjet më të nderuara të fshatit Kalivaç të Tepelenës. Xha Manja, protagonisti kryesor i këtij rrëfimi u nda nga jeta, më 5 gusht të vitit 1978,në pleqëri të thellë, në moshën 93 vjeç, në fshatin e tij të lindjes. Ai u përcoll, në banesën e fundit, siç i kishte hije, me nderime, nga fëmijët, familjarët e tij, nga të afërm e shokë e miq të shumtë, të cilët i përzgjodhi , gjatë gjithë jetës.
- I paharruar qoftë kujtimi i tij!
- Ti rrojnë të prasmit!
Në Tiranë, në Maj 2016
Shkroi Niazi Nelaj