Jam nga Kalivaçi i Tepelenës dhe për këtë jam krenar. Aty jam lindur e atje kam kaluar fëmijërinë time. Tek ajo shkollë modeste, mes kaçubeve me përralle e gurëve të bardhë gëlqerorë, në majë të bregores që quhet Maja e Tendës, kam mësuar shkronjat e para të gjuhës shqipe. Mësues Vasili, nga Gjirokastra, në fund të vitit më dha dëftesën e klasës së parë, me të gjitha notat pesa. Unë, në atë kohë nuk e kisha mbushur moshën për në shkollë, por shkoja pas motrës sime, të vetme, Lumturisë dhe isha tepër aktiv, në klasë. Edhe sot e kësaj dite, kur kanë rrjedhur mjaft vite e jam bërë katër herë gjysh, ndonëse kam jetuar larg atyre viseve, me bukuri të rrallë e atyre njerëzve fisnikë, kujtoj me mall e nostalgji çdo gur, ferrë, çdo shkarpë e ledh, fiqtë e shumtë, të ëmbël si mjaltë dhe arrat, bajamet e hardhitë e pakta.
Jam larguar nga Kalivaçi i Tepelenës 60 vjet më parë, kur akoma nuk kisha mbushur moshën 10 vjeç, mora udhët e dijes e të qiellit, në rrethana të caktuara, por Kalivaçin tim, të bukur e të begatë, nuk e kam harruar e nuk mund ta harroj. Me të jam i lidhur me njëqind fije. Edhe pse fizikisht kam qenë i detyruar të banoj larg fshatit tim të dashur, me mendje e me zemër jam ndjerë pranë, atje, mes atyre bregoreve me gurë e shkurre, pranë fushës pjellore, anës lumit të Vjosës që sjell veç freski e begati dhe pranë njerëzve të mi të dashur.
Në Kalivaç, kur isha akoma i parritur, kam shkuar, natyrisht, pas babait, me dele e me qengja, kam fjetur në stan, në vendin e quajtur Kryet e Rredheve, ku kishim arat, mes bagëtive e pranë qenit tim, Balos, të cilin e doja shumë, mbasi ishim rritur së bashku. Balon e kisha si shok dhe si shpëtimtar. Ai më mbronte nga egërsirat e shumta që qarkullonin dendur, në ato vite.
Një natë, kur në vathë ra ujku e për pak më ngatërroi me qengjat, Baloja im u përlesh me të dhe e përzuri. Ma morën Balon një ditë, e shtetëzuan, tok me bagëtitë, kafshët e ngarkesës dhe rraqet e stanit. Morën dhe babanë tim, tok me inventarin e stanit. Një ditë, akoma pa nxjerrë bagëtitë, në stan erdhën disa burra të panjohur.
Ata ishin pushtetarë; nga ata që kishin dalë nga lufta e kishin zënë nga një karrige. "Do të bëjmë shtetëzimin e bagëtive, sipas ligjit", tha i pari i tyre. Unë nuk merrja vesh nga ato që thoshte shtetari, isha kapur fort pas sharkut të tim eti e vrojtoja atë që po ndodhte në stan. U dëshpërova shumë kur në anën e atyre gjërave që do të shtetëzoheshin, veç deleve, kuajve e pajisjeve të stanit morën dhe babanë, si çoban dhe më theri në zemër kur morën Balon tim të dashur. Shtetarët e kapardisur folën pak, por ato që duhet t’i merrnin, i morën. Njëri syresh, me sa duket ai që dinte të shkruante e të lexonte, shkroi, në një copë letër, me laps plumbi, diçka të pakuptueshme.
Vite më pas, kur ndodhën transformimet demokratike, kërkova nëpër arkiva dhe e gjeta atë "dokument" pa firmë e pa datë, të shkruar me laps plumbi, me një shqipe që nuk merrej vesh, por për fat të keq, ajo fletushkë nuk vlente si dokument që ne të kërkonim bagëtitë tona, të shtetëzuara padrejtësisht.
Isha i vogël e nuk kuptoja gjë, në atë kohë, por kujtoj që, me naivitetin e një fëmije, vrapova, këmbëzbathur, pas bagëtive, kafshëve dhe nëpunësve të shtetit, duke qarë. E ndoqa karvanin, duke qarë, deri në Majën e Dërrasës, afër shtëpisë si kala të Haxhiajve. Qaja për babanë, të cilin nuk do ta kisha pranë, që të më mbulonte me sharkun e tij, kur nata freskohej e unë kisha ftohtë. Qaja për Balon tim të cilin e kisha "shok besnik". I ndoqa nga pas derisa m’u sosën fuqitë e u alivanosa.
Në shtëpi nuk e di kush më çoi, veç mbaj mend që u përmenda me një leckë të lagur me ujë të ftohtë, te balli. Mbetëm pa dhallë e pa bulmet. U ushqyem me lakra të egra, si shumë të tjerë. Se ishte krizë e rëndë në ato vite e ne mbetëm pa babanë, në shtëpi.
Në këto kushte i mbarova katër vjetët e shkollës fillore të fshatit. Në Kalivaç të Tepelenës, në mesin e shekullit të kaluar kishte vetëm shkollë fillore. Por unë isha me fat, kur përfundova shkollën fillore të fshatit, më akorduan bursë shteti për të ndjekur arsimin unik (shtatëvjeçar) në konviktin e Tepelenës. Isha në një klasë me bashkëfshatarët e mi: Vezir Muharremaj, Selam Zenelaj dhe Sadik Nelaj; më tej, po me bursë shkova në Teknikumin Bujqësor të Korçës, katër vjet. Atje u formova me kulturën dhe mentalitetin e mirënjohur korçar. "Pa dashje", u futa në shkollën e aviacionit, për pilot, në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë.
U habit babai kur më pa të veshur e të zbukuruar me uniformën e oficerit të aviacionit, aq të lakmuar asokohe. Shërbeva si pilot në disa reparte të aviacionit dhe në shkollën përkatëse si instruktor pilot. Së fundi, përsëri "pa dashje", u mora me punë partie e tani "po shijoj" frytet e pleqërisë sime. Vajta, ku nuk vajta, por Kalivaçin e Tepelenës nuk e harrova. Atje i kisha rrënjët e aty më kishte bërë koka "dëng". Kisha mall edhe për gurët e rrugës ndonëse në fëmijëri shpesh më kishin gjakosur këmbët e zbathura.
Për sa kohë jetonin në Kalivaç Nëna dhe Babai, unë shkoja atje shpesh. Më pas shkoja më rrallë në atë bukuri të rrallë, por, gjithsesi shkoja. Në vitet 60 të shekullit të kaluar, kur zbrisja nga autobusi, ndaloja në Mazhar; kaloja Vjosën në lundrën e Kalivaçit e merrja udhën për në shtëpi. Udhës takoja plot njerëz, femra e meshkuj, të cilët mbushnin ujë për të pirë në burimet e Donijes, bisedoja me ta, për jetën e për punët e tyre. Vite më pas, kur më duhej të kaloja nga Mallakastra, zbrisja në Krahës (qendër), dhe ngjitesha, në këmbë i vetëm, nëpër atë të përpjetë të mundimshme derisa dilja te Maja e Tendës. Aty, kur shikoja shkollën time, më mbysnin kujtimet e këmbët më pësonin një lloj frenimi.
Pas sheshit, ku fëmijët e shkollës kishin bërë një fushë futbolli, me dy porta prej shujesh që i kishin nxjerrë në Përroin e Gomares, aty pranë, zbrisja poshtë, për në mëhallën e Ahmetajve, te shtëpia ime. Nuk ndiqja udhën tradicionale, nga kamina e Hamit Caushit e nga udha plot me gurë që të çon tek arishta e Azis Ramos, edhe pse e doja shumë atë udhë nëpër të cilën shkoja në shkollë, por zbrisja poshtë kurrizit, nëpër shkurre dhe dilja te gërmallat e Ramo Nebiut. Ka diçka "magjike" që më tërheq mjaft te ajo shtëpi e shndërruar në gërmallë.
Kur ishim të vegjël, luanim "luftash" në penxheret si frëngji të katit të dytë, hanim shegë, fiq e ftonj, qëndronim gjatë duke parë e duke u kënaqur me bukuritë e Përroit të Veldonit, Kurrizit të Mbretes, fushës së Kalivaçit, Shkozës e Çorrushit, me lumin e Vjosës në mes. Edhe pse i rritur e oficer, kur zbrisja për te gërmallat e baba Ramos, kur më dilte në horizont ajo fushë e begatë, ulesha në një shkurre apo mbi një gur, vështroja poshtë, kënaqesha me pamjen e mrekullueshme që më shfaqej përpara dhe... qaja. Nuk turpërohesha aspak që qaja. Qaja në heshtje, pa zë duke e kaluar shikimin nga Hysodosajt, Faqekuqet, Luadhet, Vidhishtat, Llapodhicat, Xinat, Llomerat, Shuret, Margëlliçin, Doken, Bregun e Staneve, Trapin e çesmës, Moçalet, Caushajt e çdo gjë që më zinte syri. Shlodhesha pak e vazhdoja zbritjen, te kulla e baba Ramos e më poshtë, te shtëpia e Mane Tafilit. Zakonisht kaloja udhës, nga kreu i shtëpisë, qëndroja pak te Buza, e cila, me kohë u shndërrua në një vend të shenjtë ku mblidheshin burrat, në kuvend, kaloja te shtegu i avllisë së xhako Rremes, ngjitesha lart e futesha te shtegu i avllisë së shtëpisë sonë.
Në avlli ose brenda në shtëpi, zakonisht gjeja nënën time, duke bërë ndonjë punë nga të sajat. Takoheshim siç takohet nëna me birin e unë ulesha në sofat. Nëna më vinte pranë e më pyeste, për "dhëmbë e për dhëmballë". Në të errur të ditës vinte im atë.
Ai përpara e delet prapa tij. Kur ai futej te shtegu i avllisë, çohesha nga sofati, i dilja përpara dhe takoheshim, me kokë, si malësorët. Fjalët i kishte të kursyera. Më kujtohet që, në çdo vajtje timen, kur takoheshim thoshte: "Erdhe ti?" E mbante përbrenda mallin plaku i vuajtur.
Në raste të tjera, kur i kisha sytë të përlotur, nga droja mos e vinin re dobësinë time fqinjët që mund të ndeshja në rrugë, nuk kaloja nga Buza, por hapja shtegun e sipërm të kopshtit dhe zbrisja nga arishta jonë për në shtëpi. Në këto raste e gjeja nënën në befasi të plotë, mbasi dilja prapa shtëpisë sonë. Edhe pse mund ta gjeja në befasi, nëna, kur më shikonte në avlli, lumturohej, si ajo. Babai, kur vinte nga dhentë, mbasi takohej me mua përfillej për punë. Ishin punët e tij, në të cilat nuk pranonte ndërhyrje apo sugjerim.
Ai e niste punën me therjen e një qengji. Kur ishte sezoni i qengjave pirës, therte më të mirin e më të lashtin e tyre. Në logjikën e tim eti ishte rrënjosur thellë mendësia se "po të mos therte më të mirën, për atë që donte, me siguri të nesërmen, berrin do ta hante ujku". Asnjeri nuk mund t’ia ndryshonte këtë bindje Xhevit Malkos, me shpirt bujar e zemër flori.
Kur kishte kaluar stina e qengjave, Babai im therte një sheleg, një milor, një dash apo një dele, shterpë. Nuk linte asnjë rast pa "bërë gjak" se e kishte për gjynah. Jo se ishte ndonjë besimtar "i thekur", por gjithsesi besonte.
Në mbrëmje, në shtëpinë tonë vërshonin gjitonët. Shumica ishin të fisit tonë; Binaj ose Nelaj. Kishte dhe nga nënfise të tjera. E para vinte Memja, e veja e dëshmorit Muharrem Hasani, vinte Hysnija e Musa Mehmetit, një grua kapedane, nuk mungonte kurrë Selmani i Resul Nelos, Tajanja e Muharrem Kamberit etj. Uleshim rreth vatrës dhe bisedonim e çmalleshim me njëri-tjetrin. Unë i pyesja me kërshëri: Çfarë ka ngjarë në mëhallë e në fshat? Kush ka lerë e kush është ndarë nga jeta? Kush është fejuar e kush është martuar? Deri edhe kush ka shkuar ushtar, kur e ku? Ditën e nesërme dilja në mëhallë e në fshat. Mëhallën e shkelja derë më derë, në fshat shkoja në ato familje ku kishte sebepe. Pikë të dobët kisha takimin me të moshuarit. Takoja dhe të rinj e me moshë mesatare. Qëndroja me orë të tëra pranë tyre, kuvendoja me ta e mësoja prej tyre.
Ditët që qëndroja në Kalivaç, për mua ishin më të lumturat. Për fatin tim të keq, ato mbaroheshin shpejt e mua më duhej të merrja udhën e kthimit në detyrën time ushtarake.
Në mjaft raste, kur banoja në Tiranë, bashkëfshatarët e mi më vinin në shtëpi. Ata i sillte halli në Tiranë. Vinin për të takuar fëmijët që i kishin ushtarë, për të parë fëmijët në shkollë, për të vizituar të dashurit e tyre në spital, deri dhe për t’u ankuar në organet e larta të Partisë e të shtetit, kur organet vendore nuk ua zgjidhnin problemet. Nuk përtoja fare për t’i shoqëruar musafirët e mi te njerëzit e tyre, nëpër shkolla, në reparte ushtarake apo në spitale, përkundrazi, kënaqesha e krenohesha se kisha mundësi e dëshirë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Tani që nuk jam më i ri e "kam hyrë në ujë", nuk mund t’i ndjek më njerëzit nga pas, megjithëse do ta dëshiroja shumë këtë gjë. Por, malli për Kalivaçin dhe kalivaçiotët nuk më është shuar, por më është shtuar akoma më shumë.
Së bashku me Vezirin, Xhelilin, Shyqyrinë, Gjonlekën, Ferrikun, Petritin etj. burra të shkolluar, kemi kohë që po punojmë për të përgatitur një libër, tip enciklopedie, kushtuar fshatit tonë të përbashkët, Kalivaçit të Tepelenës. Mburremi me prejardhjen tonë nga ky fshat dhe kemi dëshirë t’i bashkojmë të gjithë bashkëfshatarët tanë, në një libër, pranë njëri-tjetrit, siç kanë qenë e siç janë në jetë. Sa do t’ia arrijmë qëllimit, koha do ta tregojë.
Më mbush me gëzim e më frymëzon fakti që, çdo kalivaçiot që kam takuar, e do Kalivaçin, krenohet me të e kërkon të kontribuojë për këtë material. Kanë shumë të drejtë ata që e thonë açik fjalën, kur dikush i pyet: Nga je? "Jam nga Kalivaçi i Tepelenës", thonë të gjithë. Si të mos e ndjesh veten krenar, për atë vend që të fal vetëm krenari? Se Kalivaçi ynë nuk është fshat i "çapaçulëve e i leshkove", por është fshat i trimave azganë. Mjerisht, jo vetëm për fajin tonë, kemi humbur shumë kohë e nuk kemi më për të humbur.
Nuk më vjen mirë që nga e kaluara e lavdishme e asaj treve, e cila ka nxjerrë Ormën Allinë, Dule Maton, Xhelil Duron, Tahir Nelajn etj., të mos kemi as dy radhë të shkruara. Ne duhet ta kapim kohën e humbur, me punë të sforcuar e me objektivitet shkencor. Puna sidokudo, pa përgjegjësi, nuk të çon larg. Shpejtimi diktohet dhe nga fakti se disa objekte të lashta, të cilat dëshmojnë historinë e fshatit tonë, nga dita në ditë mund të na humbasin në thellësitë e ujëmbledhësit të hidrocentralit që pritet të ndërtohet. Nesër, ndoshta do të jetë vonë e objektet e rralla nuk do t’i shikojmë kurrë. Prandaj bëj apel: "Të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë, koha nuk pret".
Përgjegjësinë duhet ta kërkojmë te vetja, jo të justifikohemi e të përpiqemi t’ia lëmë stafetën njëri-tjetrit. Objektet që pritet t’i mbulojë uji i kemi dhuratë nga lashtësia e nuk duhet t’i humbasim. Ato janë të rralla, të kuptimta, të papërsëritshme e nuk kemi ku t’i gjejmë po i mbuloi uji. Atje është Hambari i lashtë, atje ndodhet Shpella e vjetër e Eremitëve, është Ulluku, i cili shërbente për të çuar mallin në hambar etj. Po Shpella e Alliajve, Mulliri i Gurrës dhe vetë Gurra e moçme sa ai vend. Pyetja shtrohet: A do të arrijë niveli i ujit deri atje? Inshallah nuk arrin e objektet tona të lashtësisë do t’i shikojmë edhe në të ardhmen, me sy të lirë.
Sa shumë më gëzoi një lajm, nga i cili mësova se uji i liqenit që do të formohet nuk do të arrijë në nivelin ku ndodhet Hambari. Po shpellat e tjera që nuk janë pak, a do të mbeten jashtë ujit? Ato të gjitha janë me vlera historike. Mëhalla e Hasanbegajve është ndërtuar mbi një masiv shkëmbor, i cili zgjatet nga Gurra deri në Sheshin e Donijes. Çdo fis, në Hasanbegaj, në këtë masiv shkëmbor ka pasur shpellën e vet.
Në kohë të qetë, shpella është përdorur si depo ose për të strehuar gjënë e gjallë; në kohë të trazuara (në kohë lufte), shpellat shërbenin për të strehuar gratë dhe fëmijët e fisit. Sot e kësaj dite, ato shpella me histori janë aty e njihen nga i gjithë komuniteti se të kujt kanë qenë e të kujt janë.
Monumentet historike të Grykës së Lumit të Vjosës zënë fill te Rredhi i Gjikos, vijojnë me Mullirin jetësor të Gurrës e me vetë Gurrën ujëplotë e të pashterrshme, më tej është Rredhi i Kuq ose siç i thonë vendasit, Hambari, pastaj ndodhet Shpella e Ali Muços, Shpella e Taket, Shpella e Alliut, Shpella e Aliut, Shpella e Sheshit të Vështit e më tej me monumente të tjera, të lashta e të reja që formojnë "një gjerdan famëmadh lavdie e historie". Shpella e Vështit, përveç anës historike, në kohë të ndryshme ka qenë strehë për dimërimin e kopeve të dhive që shtegtonin nga treva të ftohta të rrethit të Tepelenës, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës etj. Për shkak të pozicionit gjeografik e klimës së butë, në dimër, Kalivaçi, me meratë e bollshme për ushqimin e dhive, është konsideruar "Vërri", prandaj në bregoret me shkurre të këtij fshati gjithnjë kanë vërshuar kope të shumta me dhi. Këtë e dinë fare mirë çobanët esnafë të Komarit, Zhejit, Zhepovës, Kaltanjit, Malëshovës, Kajcës etj. etj.
Historike dhe me bukuri të rralla është Gryka e Ylynecit, me ato masive shkëmbore, të larta e të thepisura, e cila shtrihet buzë lumit dhe ndan dy fshatrat fqinje: Kalivaçin nga Dorza, gjithashtu e pasur me histori trimash. Në të dalë të Grykës së Ylunecit, nga jugu, ka qenë Mulliri i Gurrës. Uji i ftohtë e i qartë, si kristal i Gurrës, që del nga shkëmbi, nuk shterron kurrë.
Ai është përdorur e përdoret për të pirë, si nga banorët e mëhallës Hasanbegaj, edhe nga gjithë komuniteti kalivaçiot. Me ujin e bollshëm të këtij burimi, kohë më parë ka qenë ndërtuar një mulli, e filaqi, i cili bluante rreth vitit. Që nga Nivica e largët e Kurveleshit u shkul fshatari Mufit Qamil Xhaferri, i cili u ngul në atë grykë e punoi shumë kohë si mullixhi, familjarisht.
Ai u familjarizua me kalivaçiotët, madje zuri shumë miq dhe, kur e ndjeu se po plakej, u ngrit e iku, në fshatin e tij të lindjes, në Nivicë.
Sa shumë herë kam shkuar në Mullirin e Gurrës, gjithnjë në shoqërinë e nënës sime Zonjës së Madhe, të cilën e mbaj mend tek çapitej e rropatej monopateve buzë lumit, me një torbë në krah, në të cilën mbante atë pak bereqet që dispononte familja jonë e varfër. Torba, zakonisht kishte rreth 20 kg drithë. Ca e mbanin gurët e mullirit, gjatë bluarjes së drithit, diçka e donte mullixhiu, për ujem e atë që mbetej e shpinim në shtëpi, ku na prisnin gojë të uritura. Udha jonë, për në mulli gjarpëronte anës lumit të Vjosës, fare pranë ujit. Kalonim një kalvar të vërtetë, sa herë merrnim udhën për në mulli. Udha ishte e ngushtë, me gurë, udhë dhish, ku dy vetë, së bashku nuk mund të kalonin në të njëjtën kohë.
Poshtë udhës nëpër të cilën kalonim, poshtë rrapishteve gurgullonte uji i lumit të Vjosës. Përtej lumit, në atë bardhësi shekullore, pas zallit ngriheshin shkëmbinj masivë, si në anën tonë të lumit. Midis dy masiveve shkëmbore kalon lumi. Të krijohet imazhi sikur Vjosa jonë hijerëndë ul pak kokën e futet nën mal, duke përshkuar nëpër një tunel gjigand, pa tavan. Duket sikur mali i lartë i Këndrevicës ka shtrirë njërën këmbë e është shtrirë deri në mëhallën e Hasanbegajve e më tej.
Kur kaloja anës lumit, për të shkuar në mulli, shumë herë kam provuar të hedh gurin (gurë lumi), e ai ka shkuar deri në anën e përtejme të lumit. Aq i ngushtë është shtrati i tij. I qëlloja me gurë e u bërtisja djemve nga Dorëza, të cilët luanin përtej lumit, në zallishte. Të njëjtën gjë bënin edhe dorëziotët, të cilët hidhnin gurë lumi, me dorë, pa hobe.
Kur arrinim te Sheshi i Vështit uleshim, për t’u shlodhur pak. Nëna, që mbante në krahë torbën me miell, e kishte të nevojshme të shlodhej. Në ndonjë rast mblidhnim shkarpa dhe atëherë barra për nënën time shtohej; sfilitja e saj gjithashtu. Vendit i thonë Sheshi i Vështit, por atje shesh nuk ka, një copë lëndinë ia jep emrin.
Në anën e udhës, andej nga është lumi, kanë qenë disa gurë mbi gurë, të cilët nuk i prekte njeri. Veriorët i thonë "Muranë". Në vitet 30 të shekullit të kaluar, aty është vrarë, për hasmëri, një njeri i fisit tim, i cili quhej Shaqo Mehmeti.
Për fat të mirë, kjo plagë e shëmtuar e së kaluarës nuk u zhvillua në Kalivaç të Tepelenës. Kjo është vlerë e çfarë vlerë. Matanë lumit shikoja shkëmbin e lartë, të thepisur të Ylynecit dhe rrugën malore që ngjitej lart, me zigzake.
Më habiste e më kënaqte pa masë bukuria e këtij peizazhi piktoresk. Habitesha kur vështroja ato shpella të nxira nga tymi, dëshmi e lashtësisë së tyre. Interesant është fakti që shpella të nxira ka vetëm në anën kalivaçiote të lumit të Viosës, pikërisht në atë anë ku shkëmbi është më i thepisur.
Sipër Sheshit të Vështit, nën mëhallën e Hasanbegajve ngrihet masivi shkëmbor që mban emrin "Shkëmbi". Nëpër të çarat e gurëve kanë mbirë shkurre përralli, xinë e mbrete dhe tek-tuk fije bari, të gjata, si fije fshese. Kullota e Shkëmbit ishte kryesisht për dhi, por im atë, në dimër, kur nuk i mjaftonte meraja për dhentë, i çonte ato andej, nga Shkëmbi. Dhentë e Xhevitit ushqeheshin me barin e rrallë që gjenin, "brinin" gjethe e përtypnin lëndet e përrallit që qëmtonin poshtë shkurreve. Pak më tej, në drejtim të veriperëndimit ndodhet Burimi i Sipërm, apo, siç i thonë vendasit: Burimi i Madh. Uji i këtij burimi rrjedh nga shkëmbi e ta than gishtin po ta futësh brenda tij.
Në këtë burim kanë marrë ujë për të pirë, qysh në kohë të kohës banorët e "Pusit", apo të "fshatit të madh". Me buçela ngarkuar mbi gomerë apo mbi kuaj e së shumti gratë me kazanë, mbi kokë, ose me buçela të ngarkuara mbi shpinë, me tërkuza, e çonin ujin e burimit, të freskët në shtëpitë e tyre, të cilat ndodheshin afërsisht 30 minuta larg. Një kalvar i madh ky, sidomos për gratë. Burimi i Sipërm, si dhe të tjerët që ndodheshin anës lumit, ishte një pellg me ujë, që buronte nga guri, në një shtrat kumi (rëre). Transportuesit e ujit i mbushnin enët me disa kallaje prej alumini ose me jamake prej bakri. Disa metra më tej ka qenë një pllakë guri, e madhe, e bardhë, e pjerrët, e cila niste nga udha e zbriste në lumë.
Në ujë ishte futur pjesa më e madhe e kësaj pllake. Kur isha rreth 3 vjeç shkoja në burim, pas nënës sime dhe këtë e kisha një lloj argëtimi e lodrimi. Një ditë, kur nëna po mbushte ujë, së bashku me shoqet e saj, shkova për të luajtur tek ajo pllakë e gurtë. U shtriva kokëposhtë e po rrëshqisja drejt ujit të lumit. Kisha kuriozitetin të provoja atë ujë që mund të më kishte marrë jetën. Mund të kisha përfunduar në lumë e të isha mbytur po të mos kishte ardhur, me ulërima, gege Tajanja, gruaja e gjitonit tonë Muharrem Kamberit.
Ajo më kapi pas dy këmbëve e më tërhoqi nga pllaka e gurit. Shpëtova, nga duart e rreshkura të asaj gruaje fisnike, e cila m’u gjend si nëna ime e dytë. Derisa u nda nga jeta, gege Tajanja, shpesh më thoshte: "Ti je djali im". Vite më pas, kur unë mësoja në Tepelenë, drejtori i konviktit kërkonte një firmë nga njëri prej prindërve të mi. U ndodh gege Tajanja në Tepelenë e vuri gishtin, në vendin ku duhej firmosur, në vend të Zonjës së Madhe.
Më tej burimit të madh, në hyrje të Sheshit të Donijes ka qenë një lundër. Kur e si është ndërtuar ajo lundër asnjeri nuk e di. Një gjë dihet me siguri: me atë mjet të thjeshtë ujor e kanë kaluar lumin, nga njëra anë në tjetrën mjaft banorë të të dyja anëve, shpesh me kafshët e tyre. Lundra ka pasur formën e një varke, ndërtuar me dru lagështidurues, të izoluar me myshk, e me dysheme sipër.
Ajo ka qenë herë me një seksion e herë me dy seksione. Lundra mbahej me dy kavo çeliku, në formë trekëndëshi, i cili përfundonte, në kulm te një çikrik që rrëshqiste nëpër një kavo çeliku, të trashë e të fortë, e cila quhej pallamar. Pallamari ishte i mbërthyer, në të dyja anët e lumit, në shkëmb, te një nyje ku pleksej guri me betonin.
Në anën e përtejme të lumit, diku në rrapishtet e Shkozës ishte ngritur një platformë, rreth 3 m e lartë, për të ngritur pallamarin. Mbi lundër hipnin për të kaluar lumin e Vjosës, si në stinën e dimrit kur uji ishte i shtuar e lumi ngjante me një det, edhe në stinën e thatë kur uji shteronte e lumi, diku më poshtë mund të kalohej dhe në Va. Në vitin I957 lundra e Kalivaçit iu nënshtrua rikonstruktimit. U bënë përforcime në të dyja pikat e mbërthimit të saj.
Në atë kohë, babai im, i ndodhur ngushtë ekonomikisht dhe kur i duhej të përgatiste "pajën" për të martuar motrën time të vetme, Lumturinë, e cila nuk i kishte mbushur ende 15 vjeç, punoi 2-3 muaj në ndërtim, për të fituar një grusht me para.
Lundërtarët, den baba den kanë qenë kalivaçiotë. Jo vetëm se lundra ndodhej më afër fshatit tonë, por, më tepër, për faktin se kalivaçiotët janë të zgjuar e të shkathët dhe notarë të mirë. Nuk mund të numërohen ata që kanë kaluar lumin në lundrën e Kalivaçit.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore e kanë kaluar lumin nëpërmjet asaj lundre partizanët e Brigatës së Parë Sulmuese dhe të tjerë luftëtarë të reparteve partizane. Njësi të Ushtrisë Italiane, kur donin të kalonin nga krahina e Mallakastrës në ato të Vlorës, nëpërmjet kësaj lundre e kaluan lumin. Lundërtari nga Kalivaçi Hasan Ramo Ramaj njihet si njëri nga lundërtarët më të zotë të të gjitha kohëve.
Pas tij u rritën mjaft të tjerë, që bënë emër në vite. Në atë lundër u mbyt lundërtari i fuqishëm Sadik Muharrem Nelaj, të cilit iu përmbys lundra dhe e zuri poshtë në një lumë të dalldisur. Por ajo lundër me histori, sot, për fat të keq nuk është. Një kompani e huaj, fantazmë, dhe një tjetër e vendit, kanë marrë përsipër të ndërtojnë, mbi Vjosë, pikërisht në Kalivaç një hidrocentral. Prej disa vitesh punohet në atë terren shkëmbor e hidrocentrali nuk po ngrihet. Prishjet në të dyja anët e lumit janë të shumta, por më ngjan sikur po përsëritet Legjenda e Rozafës.
Makineritë gjigante të ndërtuesve dhe puna e bërë deri tani nuk kanë mundur ta bëjnë "zap" atë "kalë të azdisur". Kur nisën punimet, me shumë bujë e zhurmë, plaku 100-vjeçar nga Kalivaçi, Safet Agmet Caushaj, me zgjuarsi e jo pa ironi u tha ndërtuesve: "Është lumë i egër ky yni, kini mendjen e bëjini hesapet mirë". "Profecia e xha Safetit" ka të ngjarë të dalë. Ndërtuesit, jo vetëm që nuk po e ngrenë hidrocentralin e premtuar, por na kanë shëmtuar Grykën e Ylynecit me gërmimet që kanë bërë deri tani. Prandaj, me sa fuqi që kam lëshoj alarmin e bëj apel të gjithë kalivaçiotëve: Të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë, nga historia e lashtë e fshatit tonë. Dashuria për fshatin është konkrete e shfaqet dukshëm, çdo ditë. Është koha që çdo njeri ta prezantojë veten, ashtu siç është.
Nuk është koha për përbetime, por për veprime. Historia na ka lënë trashëgim mrekulli të rralla, është detyra jonë t’i ruajmë e t’i përjetësojmë ato.
Në Tiranë, më 31 mars 2012
Punoi Niazi Nelaj


Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.