Ka qenë një nga dukuritë shoqërore tepër interesante e të përhapura në komunitetin e Kalivaçit të Tepelenës. Vlerat e saj, si faktor uniteti e kohezioni janë të padiskutueshme. Dy burra, të moshave të përafërta( gjë që nuk është kusht), pa qenë vëllezër, bëheshin të tillë nëpërmjet një riti fare të thjeshtë. Pas ceremonisë , të cilën do ta skjarojmë më poshtë, të dy burrat, konsideroheshin vëllezër, jo prej gjaku por prej dëshire të mirë. Në këtë rast kemi të bëjmë me dy vëllezër të ftohtë. Ata, vërtet ishin vëllezër të ftohtë, nuk ishin pinjollë të një nëne, as të një babai, por gjithsesi ishin vëllezër. Në Kalivaç të Tepelenës, këtyre lloj vëllezërve u thoshin vëllezër pa pjesë ose vëllezër me hajmali.
Proçesit ( ritit), nëpërmjet të cilit kryhej kyv eprim i thoshin vëllamëri. Them i thoshin mbasi sot, si dukuri është tepër e rrallë e pa vlerat që kishte dikur. Vëllamëria, si dukuri e shëndetshme, është një marrëdhënje njerëzore tërësisht e vetëdijëshme e dëshiruar dhe e shprehur me dashamirësi, drejtpërdrejt e me vullnet të lirë. Po nuk e deshi njeriu vëllamërinë, nuk mund t’ia imponojë askush.
Kur dukuria ka për protagonistë dy femra, ajo merr emrin motërzim e na sjell në skenë dy motra, jo natyralisht të lindura, nga prindër të njëjtë ose që të kenë njërin të përbashkët. Si dukuri është praktikuar më shpesh tek meshkujt. Rastet janë të shumtë e të shumëllojshëm; ata nuk i ngjajnë nëri – tjetrit. Po përpiqemi të renditim disa syresh, nga më tipikët e më të zakonshmit.
Duhet ta themi qysh në nisje se kushti i parë që të kemi vellamëri është njohja. Po qe se dy protagonistët nuk kanë njohjen e nevojshme për njëri – tjetrin e cila lipset të jetë e drejtpërdrejtë, e thellë, e gjithanëshme, për mjaft kohë dhe të jetë vënë në provë, zor se mund të ketë vëllamëri. Por njohja, sido që të jetë nuk vlen, nëqoftëse dy kandidatët për t’u deklaruar vëllamë nuk e pëlqejnë reciprokisht njëri – tjetrin ashtu si janë, me pluset e minuset e tyre.
Çka është esenciale, shoqëria e tyre e ngushtë duhet të jetë vënë në provë, në kushte të vështirë dhe ti ketë rezistuar kohës. Dy heronjtë tanë merrnin vendim për tu bërë vëllamër kur mendimet e tyre ishin të njëjtë dhe puqeshin për problemet kryesore të jetës e të sjelljes. Nuk është fjala për çikërrima, pa vlerë por , për gjëra thelbësore.Pra, në një vëllamëri kemi dy njerëz, të cilët, edhe pse nuk kanë lidhje gjaku janë të afërt shpirtërisht.
Praktika shumëvjeçare e fshatit tonë na thotë se vëllamëria, disa herë ka qenë e diktuar, nuk themi e imponuar. Disa herë ndikimi ka ardhur nga rrethana të jashtme, të cilat nuk vareshin nga banorët e Kalivaçit, por që, këta të fundit kanë qenë të shtrënguar ti respektojnë . Rrethanat që kanë ndikuar për të marrë vendime të këtij karakteri kanë qenë specifike, individuale ose të përbashkëta.
Po ti referohemi praktikës së pamatë të banorëve të fshatit tonë, qëmtojmë se;dy djem kryenin së bashku shërbimin e detyrueshëm ushtarak, brenda ose jashtë vendit. Ata ndanin së bashku mallin që sjell të qënit larg prindërve, vëllezërve e motrave, të afërmve e dashamirësve të tyre. Në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dy të rinjtë kalojnë së bashku tërë kohën; stërviten e jetojnë njëlloj,kapërcejnë vështirësi të panumërta e përballojnë privacione që nuk i kishin menduar më parë.Ushtarët jetojnë në të njëjtët kushte, flenë në të njëjtin mjedis, hanë të njëjtin ushqim, disa herë me të njëjtën lugë. Kur i vjen diçka për të ngrënë njerit, nga të tijët, ai e ndan atë me shokun e zemrës. Këtë gjë bën dhe shoku i tij ushtar. Ka shumë rëndësi të thuhet se këta djem ë rinj i besonin
njëri – tjetrit edhe intimitete. Ata i çfaqnin reciprokisht shoqi- shoqit edhe të fshehtat e zemrës së tyre, i tregonin kë dashuronin e i kërkonin mendim shoku-shokut. Sekrete e skuta të fshehta, në jetën ushtarake e në aë vetjake të tyre, si rregull nuk egzistonin. Ata, i tregonin shoqi shoqit edhe “zorrët e barkut”.
Kur djemtë e Kalivaçit e kanë kryer shërbimin ushtarak në vende të tjerë si syrgjyn apo nizamë etj çështja ka qenë akoma më e vështirë e lidhja mes tyre ishte më e fortë.Tëdy të rinjtë, në jetën ushtarake lidheshin aq fort me njëri tjetrin sa që i hapeshin e i premtonin çiltërsisht shoku – shokut se miqësia e tyre do të jetë e përjetshme dhe konkludonin e shpallnin vëllamërinë, si formën më të gjetur të kësaj miqesie mes tyre.
Lajmi mbi vëllamërinë e dy të rinjve ushtarë merrte dhenë. E mësonin këtë lajm të pëlqyeshëm shokët, miqtë, familjarët e të dyve dhe gëzimi e hareja mbushte mjediset e zemrat e të dyja familjeve . Pritej një ngjarje madhore që kjo nismë apo ky vendim i dy heronjve tanë të merrte “ bekimin e prindërve dhe miqve të tyre”.Zakonisht si ngjarje e tillë çmohej dasma e njërit syresh. Atij që martohej, tjetri, në shënjë miqësie e vlerësimi i shtronte dyshekun bashkëshortor në natën e parë të martesës.Thuhet se dikur, ata që takseshin vëllamër, me hajmali pinin gjakun e njëri tjetrit . Nuk di që kjo të jetë praktikuar rëndom në Kalivaç të Tepelenës veç një gjë e di me siguri; miqësia mes dy burrave “ grave “ të shpallur vëllamër ose të motrëzuar vijonte gjatë gjithë jetës; madje dhe pas ndarjes së tyre nga jeta . Shpesh kjo vëllamëri shërbente si trashëgimi më i çmuar që kishin lënë paraardhësit për pinjollët e tyre.
Nuk e teproj po të sjell si shëmbëll të kësaj që shtjellova më sipër se bashkëfshatari ynë; Kasëm Xhemal Nelaj, kur ishte duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, u lidh shumë me një shokun e tij nga Kruja e u bë vëllam, me të. Ai kish vëllezër të tjerë, nga babai dhe nga nëna, por,krutanin e zgjodhi vetë. Miqësia mes tyre zgjati sa kohë ata ishin gjallë, vazhdon edhe sot e kësaj dite mes pasardhësve të tyre. Vajtjet e ardhjet mes kalivaçasve dhe krutanëve kanë vijimësi.
Jeta i lidh shumë fort dy njerëz, në veçanti kur ata kalojnë së bashku privacionet e vështirësitë e panumërta të izolimit.Qëndrimi për një kohë të gjatë në burg, në kushtet e kufizimit të lirive e të privacioneve të shumta, kur lirinë e kanë të dëshiruar por të kufizuar, i cfilit njerëzit, i venit e i ligështon ata. Në këta kushte e në situata të rënda vetjake, kur komunikimi me të tijët mund të jetë i pamundur, atëherë kur duhej, një shok i mirë, që të gjindet afër e me të cilin ke mundësi të qash hallet të bëhet vëlla e shkuar vëllait që ke lënë, në shtëpi dhe që e ke me një nënë e me një babë.
Një vëllamëri, që të jetë e shëndoshë kërkon që mes dy të njohurve, domosdoshmërisht, të egzistojë besim reciprok, i provuar, nga të dy.Prova e besnikërisë mes dy të burgosurve ka shumë terren, në kushte të izolimit.Vëllamëria mes të burgosurve taksej kur ata ishin të izoluar. Atë e festonin fillimisht ata që ishin jashtë hekurave, familjet e të izoluarve; kur protagonistët fitonin lirinë e gëzonin dhe ata.
Vëllamëria është një lidhje “ artificiale”,por shpesh ajo bëhet mjaft efektive dhe jetëgjatë. Ndoshta mund të thuhet se në raste të veçantë vëllamëria pa pjesë bëhet më e fortë dhe më e qëndrueshme krahasuar me një vëllamëri prej një gjaku. Ndodh kështu mbasi mes dy vëllezërve me nënë e me babë nuk janë të paktë rastet kur ata grinden, rrihen, të mos shkojmë më tej, dhe përfundimisht ndahen nga njëri tjetri, e mbajnë kokën mënjanë dhe ndërpresin komunikimin me njëri-tjetrin. Ndodh kështu për shkaqe interesi e pronësie, por dhe për shkaqe të tjerë, të cilët nuk ja vlen ti shtjellojmë këtu. Por në kërkim të shkaqeve , na zë rrugën një fakt kokëfortë sipas të cilit ; vëllanë e një gjaku ta sjell në jetë nëna e baba kurse vëllanë pa pjesë e zgjedh vetë , mbasi e ke njohur e sprovuar dhe kur me atë puqesh në mendime e huqe, në kuptimin e veprimit konkret.Pra vëllanë pa pjesë e zgjedh siç e do vetë, jo siç e duan të tjerët të jetë.
Disa vëllamëri janë lidhur në kushtet e kurbetit e të syrgjynit të gjatë. Sot kushtet kanë ndryshuar mjaft e refugjatët trajtohen më mirë se dikur syrgjynët e kurbetlinjtë. Por të jetuarit larg vatrave familjare, ca më keq në dhe të huaj ka hije të rëndë e vështirësi të panumërta. Sikurse thuhet rëndom në Kalivaç, ata që jetojnë e punojnë në dhe të huaj, nënë e babë kanë njëri – tjetrin. Kur njëri syresh sëmurej, tjetri i rrinte tek koka, si nëna e tij në fshatin ku ka lindur. Brengat e shumta e të rënda të shpirtit, këta njerëz ia tregonin njëri – tjetrit, pra i hapnin zemrën shoku – shokut e, së bashku qanin hallet e bënin planet .Këta janë disa faktorë që i lidhin fort njerëzit e kësaj kategorie.
Në jetë ka ndodhur dhe rasti kur nga kurbeti apo syrgjyni ka ardhur në fshat vetëm njëri nga të dy vëllamët;tjetri ka mbetur në dhe të huaj. I dhimbshëm ësdhtë rasti që ka ndodhur me Hamza Rushan Muharremaj, i cili vdiq e u varros në Turqi. Në raste të tillë, vëllami sillte në familjen e kurbetliut që u nda nga jeta jo vetëm haberin “ lajmin “ e vdekjes,por dhe ndonjë brengë apo amanet të cilin e kishte lënë vëllami që u nda nga jeta.Para se të ndërronte jetë, Hamza Rushani dërgoi një letër shumë trishtuese ,në trungun familjar, në të cilën i lutej të vëllait, Bajramit, që të bënte çmos për ta sjellë vëllanë në Shqipëri e të vdiste këtu , në dhenë ku u lind e jo në dhe të huaj, siç ndodhi . Kërkesa e Hamzait isdhte e thjeshtë dhe e qartë: “ Mos më lini të tretem në dhe të huaj”!
Një lidhje e veçantë vëllamërie është rasti kur një njeri i ka shpëtuar jetën tjetrit në rrethana tërrezikshme, kur atij i kanosej rreziku e i vihej në rrezik jeta. Në muajin gusht të vitit 1959, në kohën kur Kalivaçi ishte kooperativë bujqësore dhe kur të rinjtë e fshatit, në orët e mesditës freskoheshin në ujërat e Vjosës, bashkëfshatari ynë Novruz Tahir Llakaj, nga mëhalla e Leshnjes, u fut në ujë atje ku ishin instaluar pompat e ujitjes të fushës dhe ku thellësia e lumit ishte e madhe dhe u zhyt në thellësi.Ai nuk dinte të notonte e u zhyt në thellësi. Novruzi po mbytej . Për fat, në bregun e lumit, i zhveshur e duke u larë ishte bashkëfshatari ynë Ferrik Azis Dervishaj, në atë kohë llogaritar i kooperativës bujqësore, i cili po e ndiqte nga afër situatën u hodh në ujë dhe, si notar i mirë që ishte, e nxorri Novruzin të gjallë në breglum. Kështu u shpëtua një jetë njeriu dhe Novruzi me Ferrikun u deklaruan vëllezër me hajmali.
Rasti i mësipërm është tipik. Ferrik Dervishaj bëri një sakrificë e njëkohësisht një heroizëm. Se i mbyturi të mbyt e heroi ynë nuk e përfilli vdekjen përpara jetës së tjetrit. Të tillë janë fshatarët e Kalivaçit të Tepelenës – trima e të besës.Miqësia mes tyre e pati jetën të gjatë; ajo vijon sot e kësaj dite.Jo thjesht mes dy protagonistëve por dhe ndërmjet familjeve të tyre.
Në raste të tjerë, vëllamëria ka qenë e diktuar nga faktorë të jashtëm e që nuk varen nga individi .Një gruaje a një vajze i vdiste vëllai i vetëm e ajo mbetej pa vëlla . Në raste të tillë, si mashkulli dhe femra, përzgjidhnin një kandidaturë të pëlqyeshme, binin dakort me të e shpallnin publikisht vëllamërinë.
Po të qëmtojmë me kujdes, në jetën e kalivaçasve gjejmë dhe raste kur vëllamëria mes dy njerëzve ka qenë e bazuar në një lidhje ekonomike të përbashkët. Rexhep Ahmet Zenelaj nga mëhalla e Ahmetajve u bë vëllam me hajmali me Sihat Kananin, nga Shkoza e rrethit të Vlorës mbasi familjet e tyre i kishin dhentë në qinosi.E njëjta gjë mund të thuhet dhe për vëllamërinë e Xhevit Malko Nelaj, nga Ahmetajt me Muharrem Haxhi Hysenaj, e cila bazohej në një veprimtari ekonomike të përbashkët siç është qinosia.Kështu mund të thuhet dhe për vëllamërinë që u lidh mes Teki Sherif Zernelaj ( Muçoimaj ) me Hamit Zylfo Pashaj, nga Hysodosajt.Por ka patur dhe raste të tjerë kur vëllamëria mes dy njerëzve ka patur në bazë karakteristikat e njëjta të tyre. Ashtu si dhe në treva të tjera, në Kalivaç, në çdo kohë është çmuar e mbiçmuar burrëria, guximi e trimëria, fjala e mbajtur etj. Dy burra me karaktere të përafërt, e shpallnin njëri – tjetrin vëllamë me hajmali. Vëllamëria e Ali Xhelilit me Gani Dashon, njëri nga mëhalla e Hasanbegajve; tjetri nga Specova u taksën vëllamë mbasi ishin me tipare të njëjtë.
Në raste të tjerë , bazë për të deklaruar vëllamëri, ka shërbyer qënja fisnike e të dy protagonistëve. Në Kalivaç të Tepelenës, të qënit i fismë ka qenë gur prove për vlerësimin e njerëzve. Nuk bëhej , as miqësi, as krushqi , pa lere vëllamëri, me një të pafismë. Nëse Malo Bajram Hysaj shpalli vëllamëri me Ahmet Selfo Zenelaj dhe me Xhemal Haxhi Nelaj, kjo u bë e mundur , për arsye se të tre këta dhe familjet e fiset nga rridhnin , ishin e janë të fismë; përndryshe asqë bëhej fjalë për vëllamëri.
Më të paktë kanë qenë rastet e vëllamërive për shkak të profesioneve .Psh dy muratorë që punonin së bashku për shumë kohë, apo dy çobanë, dy sharrëtarë etj.e njihnin mirë njëri – tjetrin, në punë e sipër, u puqej muhabeti dhe, për ta ruajtur shoqërinë shpallnin vëllamërinë.
Cilado të ketë qënë shtysa e çfarëdo motivi të ketë pasur lidhja, vëllamëria është shfaqje konkrete dhe tipike e dëshirës së kalivaçasit për të jetuar në harmoni e në paqe me të tjerët gjë që buron nga bota e tyre plot tolerancë e mirëkuptim. Pavarësisht nga motivet që e mundësojnë vëllamëria është një institucion që buron nga natyra dashamirëse e njerëzve. Ajo është shprehje e vullnetit të lirë të njerëzve e nuk mund të përzihet me evenimente të tjerë m të ngjashëm, siç është kumtëria, e cila , në fakt është një lidhje , mbi bazën e vullnetit të lirë të njerëzve , por që ka të tjerë motive e shtysa.
Shkroi Niazi Nelaj
Dhjetor 2011