Fejesa dhe, pas saj, martesa janë ngjarje mbresëlënëse dhe fondamentale në jetën e njeriut. Kur bëjmë fjalë për këto dy institucione, lipset të kemi një përfytyrim sa më të qartë e të plotë, nëse kemi të bëjmë me një lidhje të qëndrueshme e të fortë apo me një marrëdhënie të përkohshme.

Bazat e qëndrueshmërisë së kësaj lidhjeje hidhen qysh në nisje të saj, në kohën kur lidhet marrëdhënia. Një fejesë e menduar mirë, e lidhur mbi baza të shëndosha, reciprokisht, si rregull, çon në jetëgjatësinë e një martese. Dhe e kundërta. Jeta ka vërtetuar se rrugës mund të ketë dhe të papritura e aksidente, por, sido që të jetë, një vendim i pleqëruar mirë, nga të dyja palët, përbën një lloj garancie për ardhmërinë e një martese.

Në Kalivaç të Tepelenës, në vitet 50 të shekullit të kaluar, por dhe më vonë, fejesat janë bërë me mblesëri. Mblesi merrte përsipër të drejtonte një veprimtari njerëzore, e cila do të lidhte dy njerëz, dy familje e më gjerë. Një njeriu të tillë, në fshatin tonë, në atë kohë i thoshim lajmës, gjë që ka kuptimin e një njeriu lajmëtar. Ai çon dhe sjell lajme nga njëri skaj në tjetrin. Sa mirë më vjen kjo fjalë edhe pas kaq vjetësh. Ka domethënie fjala lajmës, është origjinale e kuptimplotë. Në fakt, ai që ndërmjetëson për të lidhur një fejesë, merr lajme nga njëra palë e ia çon tjetrës dhe e kundërta. Pra, detyra e tij është të bëjë lajmëtarin.

Si rregull, lajmësit përherë kanë qenë të seksit mashkull. Kjo ishte e lidhur me konceptimin dhe praktikën shumëvjeçare të vendit dhe rolit të femrës, në punë të tilla. Ndonjë femër që ka tentuar të ndërhyjë në punë të mblesërisë, në praktikë ka mbetur vetëm "violinë e dytë". Ia vlen të ndalemi tek lajmësi, mbasi ai është një figurë interesante, e cila ka një pikënisje, pastaj lulëzon dhe me të realizuar lidhjen, pa u ndjerë, largohet nga skena. Lidhja e re, vetvetiu nis të funksionojë vetë, e shtyrë nga të tjera motive.

Lajmësi i mirë, që të jetë i pranueshëm, duhet të ketë disa tipare të mira. Para së gjithash, ai lipset të jetë i drejtë, i ndershëm e i paanshëm. Dy të parat edhe mund të plotësohen nga individë të veçantë, por paanësia është tepër e vështirë. Do të përpiqem të dëftoj dhe psenë e kësaj vështirësie: Lajmësi, tek e fundit, është një pjesëtar i komunitetit, një njeri si gjithë të tjerët, me pluse e minuse. Ai, cilido që të jetë, nuk ka se si të rrijë i paanshëm. Edhe kur nuk e ka nxitur dikush t’i futet një mblesërie, apo sikur ta ketë menduar vetë, lajmësi dikujt kërkon t’i bëjë mirë, duke mbetur jo në mes të të dyve, por merr njërën anë.

Nuk them në dëm të palës tjetër. Se ka të ngjarë që të dyja palët të jenë të denja për njëra-tjetrën dhe lajmësi është vetëm rastësia që i pjek apo i lidh ato.

Ka plot motive që e bëjnë një lajmës të pozicionohet në të mirë të njërës palë. Bie fjala: dikur, dikush, lajmësit tonë i ka bërë një të mirë e ai kërkon të gjejë një rast të përshtatshëm për t’ia shpërblyer nderin, ose është në një lidhje shoqërore apo miqësore me njërën nga palët. Ka dhe nga ata që lajmësinë e kanë si ves (të mos themi profesion) ose të tjerë që e kanë mjet e rrugë, pa shpenzime, për të nxjerrë fitime. Gjithsesi, lajmësi, kur vendos t’i futet lajmësisë, dikujt kërkon t’i bëjë mirë. Vetëm motivet ndryshojnë, gjë që dikton pozicionimet e secilit. Më së shumti, kur ai nuk ka porosi nga pala më e interesuar, rreshtohet në anën e vajzës.

Sidoqoftë, brishtësia e femrës, edhe nga meshkujt më mizorë është respektuar. Vajzat, në Kalivaç, në kohët për të cilat bëhet fjalë, fejoheshin akoma pa mbushur 15 vjeç e martoheshin me të mbushur të gjashtëmbëdhjetat.

Kur e kalonte këtë sinor moshe e nuk ishte "penguar" (lexo lidhur), opinioni shoqëror i kohës fillonte t’i qante hallin e të gërmonte në personalitetin e saj. Kuptohet, thashethemet merrnin vrap e bartësit e tyre "kishin festë". Ndryshonte puna me mashkullin. Një djalë mund të martohej edhe 30 a më tepër vjeç e kjo nuk përbënte shqetësim të madh. Në opinionin sundues qarkullonte slogani: "Djali, po djalë!"

Të dyja familjet, si ajo e vajzës dhe ajo e djalit, kur nuk e kishin porositur lajmësin, për të gjetur një nuse për djalin ose një burrë për kocen (kështu u thanë vajzave në Kalivaç), kishin disa kërkesa jo të pabazuara ndaj lajmësit. Në radhë të parë, e mbi të gjitha, çmohej personaliteti i lajmësit. Kur një lajmës trokiste në derë e të bënte një propozim, i interesuari (babai i vajzës ose i djalit) dhe të tjerë njerëz, nga të dyja anët, duke studiuar kandidaturën që propozohej, gjykonin dhe për atë: bie fjala, cili është ky që na propozon, si njihet ai në fshat e më gjerë, nëse është njeri me taban, i besës e i traditës, apo një llafazan e ngatërrestar; sa i fisëm është dhe hamendësonin ku ta ketë hallin?

Xha Hasimit, nga mëhalla e Ahmetajve, një ditë i erdhi në shtëpi një burrë, kalivaças e i kërkoi të bijën për një djalë fshati, i cili, siç thonë në Kalivaç, "nuk e ndez dot veç", gjë që duhet lexuar se nuk është i zoti. Që të mos e fyente të ardhurin, plaku i mençur, por ulok, i tha të ardhurit: "Nuk kam vajzë për martesë, kocja ime sapo mbushi 7 vjeçe". Iku miku lajmëtar, pa thënë asnjë fjalë më shumë.

Në raste të tjera ishte rrethi familjar ose miqësor që bëhej nismëtar e nxitje për një lidhje martesore brenda fshatit. Kërkesa e parë dhe kushti kryesor për t’u lidhur me miqësi ishte: njerëzit e familjes përballë të jenë të traditës, të jenë fjalëmbajtur, e të kamur dhe djali të jetë i denjë për vajzën e tyre. Dhëndrin e ardhshëm nuk e çmonin aq nga kallëpi e nga boja, por më shumë nga mendja e nga zotësia. Prandaj kërkoheshin dhe burime alternative informacioni, nga të dyja palët. Të metat fizike dhe veset ishin kërkesa thelbësore, si për vajzën dhe për djalin.

Sa i takon diferencës në moshë, nga njerëzit e vajzës edhe mund të bëhej ndonjë lëshim, kur ishte fjala për një derë e për një djalë të mirë. Ka pas dhe ndonjë rast ekstrem kur djem me të meta fizike, në veçanti sakatë, për hir të pasurisë e të qenit të fisëm kanë marrë vajza të cilat nuk i meritonin.

Kalivaçi, qysh në kohë të lashta ka pas vështirësi për sigurimin e ujit të pijshëm. Burimet e freskëta të Vjosës janë të shumta e ujëplota, por ndodhen larg fshatit dhe banorët e marrin ujin prej tyre me shumë vështirësi. Për këtë shkak, kur një djalë nga Kalivaçi kërkonte nuse në një fshat fqinj, prindërit e vajzës pyesnin: "Shtëpia ku do të shkojë vajza, a ka pus apo çezmë?" Puset numëroheshin me gishtat e një dore, kurse çezma kishte gjithsej 5. Megjithatë, asnjë djalë nga Kalivaçi nuk mbeti pa nuse. Se ishin djem të gjallë e të lakmueshëm dhe nga ata që "bëjnë tutje".

Po t’i referohemi praktikës shumëvjeçare të martesave, kalivaçasit, në të shumtën e herëve, i kanë bërë krushqitë brendapërbrenda fshatit. Për arsye që dihen, fshatarët e Kalivaçit e kishin bërë të tyren shprehjen: "Lopën dhe gruan merri nga fshati yt". Kjo thënie e urtë nuk është pa domethënie. Martesat brenda të njëjtit fshat kishin të bënin me disa faktorë favorizues: Para së gjithash, familja e vajzës dhe ajo e djalit e njihnin mirë njëra-tjetrën, si i thonë fjalës: "i dinin dhëmbë e dhëmballë shoqi-shoqit". Ato kanë të njëjtën psikologji, të njëjtat tradita, kanë një vijë sjelljeje të njohur dhe janë në distanca pranë njëra-tjetrës. Në çdo rast, sidomos në fatkeqësi, vajza "e dhënë" (lexo e martuar) brenda fshatit do t’i gjendej nënës e babait, familjarëve dhe të afërmve të saj, kur ata kishin nevojë për ndihmën e kujdesin e saj.

Nga ana tjetër opinioni shoqëror ishte i gatshëm për të dy. Kishte dhe një shtysë tjetër në të mirë të martesave brenda fshatit. Edhe në kohët që kanë shkuar, në Kalivaç, por jo vetëm, ka pas raste kur një djali i kanë mbetur sytë tek një vajzë e bukur, të cilën e ka parë duke mbushur ujë, në burim, duke punuar në arë, duke blerë në një dyqan, në një dasmë kur ajo ka kënduar e vallëzuar, me shoqet, etj. Kur të dy mendonin njëlloj, dhe arrinin të komunikonin, me njëri-tjetrin, me shenja, ishin ata vetë që bëheshin shtysë për një lajmësi e lidhje martesore brenda fshatit.

Në mjaft raste, të njohura e të mbetura anonime, motra, vëllai, kunata, kunati, krushku, krushka etj., të afërm të të dy të rinjve, duke njohur mirë e nga afër, si djalin dhe vajzën, bëheshin nismëtarë dhe nxitës për një lidhje martesore. Praktika e familjeve kalivaçase ka jo pak raste kur njëra kunatë ka sjellë në shtëpi motrën e vet për kunatin, ose dy vëllezër janë martuar me dy motra etj. Këtu nuk kemi të bëjmë me interesimin e njërës nga motrat për t’i bërë mirë tjetrës, por nisur nga dëshira për ta pasur afër atë. Gjithsesi është mbajtur ekuilibër në përbërjen e familjes, që kandari të mos anojë nga të ardhurat (ato që janë të ardhura, në atë derë).

Si në të gjithë trevën, edhe në Kalivaç fejesat kanë qenë e janë disaformëshe. Ka ndodhur që dy shokë të ngushtë, të cilët duheshin shumë me njëri-tjetrin, pëlqenin karakterin dhe huqet e njëri-tjetrit dhe dëshironin që miqësia mes tyre të ruhej gjatë, bënin krushqi me njëri-tjetrin.

Kur këta i kishin gratë shtatzënë, lidhnin besën me njëri-tjetrin dhe caktonin kushtet: Po të lindnin dy djem gratë e tyre, ata do të bëheshin vëllamë; po të lindnin vajza, ato do të takseshin motra; po të lindnin fëmijë të sekseve të ndryshme, do të martoheshin me shoqi-shoqen. Kjo lloj fejese quhej fejesë qysh në barkun e nënës. Protagonistë ishin prindërit e tyre. Dihet dhe është provuar në praktikë që një fejesë e tillë nuk mund të jetë jetëgjatë. Fëmijët lindnin, rriteshin e formoheshin në kushte të tjera, nuk kishin mendësitë e prindërve, por mendonin e vendosnin me kokën e tyre, sipas bindjeve e formimit shoqëror, që merrnin në jetë. Kësisoj, ata bëheshin të zotë të vetes dhe vendosnin vetë për fatin e tyre.

Nuk di ndonjë rast që një fejesë e tillë të ketë mbijetuar.

Një fejesë e përafërt me të parën është fejesa në djep. Edhe në këtë rast, si në të parin, dy të miturit duhet të lidheshin me martesë me njëri-tjetrin, për të plotësuar dëshirat e pamençura të prindërve të tyre apo, më mirë të themi, tekat e të dyve. Si e para dhe kjo lloj fejese, në Kalivaç nuk ka pasur jetë të gjatë. Fejesat me dashuri, në fshatin tonë kanë ekzistuar, ndonëse rrallë. Duhet të pranojmë se, edhe kur kanë lindur, e janë zhvilluar, së shumti kanë mbijetuar në ilegalitet (të fshehta). Tahir Muharrem Nelaj me Sanije Mete Sulaj p.sh., me dashuri janë fejuar e martuar. Ky nuk është as rasti i vetëm, as sporadik në kalivaç.

Nuk mund të mohohet dashuria platonike e Sabriut, për Hamidenë; e Qaniut, për Fatimenë, etj., etj. Pas viteve ’80, kur në shkollën e fshatit u shtuan mësuesit nga Kalivaçi, mjaft femra e meshkuj u dashuruan e u martuan, brendapërbrenda fshatit.

E ndjej të domosdoshme të sqaroj një rrethanë: Kur flasim për fejesë me dashuri, lipset të përfytyrojmë Kalivaçin e viteve ’50 të shekullit të shkuar; nivelin e njerëzve, mentalitetet, psikologjinë dhe traditën. Nuk bëhet fjalë për dashuri "rrezave" e ledheve, por thjesht për një të parë e një pëlqim. Pastaj, djali i dashuruar me një vajzë, i dërgonte familjes së vajzës, nëpërmjet prindërve të tij dhe rrethit miqësor, njeriun e duhur, dhe e kërkonte për nuse. Të tjerat rridhnin në shtratin e tyre.

Kam njohur një rast kur djali i dashuruar i bënte presion familjes që ajo të dërgonte njerëz, për të kërkuar vajzën që kishte përzgjedhur. Në presionin që bënte, djali i kujtonte familjes se, po të mos dërgonte njeri, në familjen e vajzës, ai nuk do të shkelte në shtëpinë e prindërve dhe nuk do të dërgonte më para. Natyrisht, ky ka qenë një rast, i cili nuk duhet përgjithësuar, por, ama, ka ekzistuar e ia vlen të përmendet si "relike".

Në pjesën dërrmuese, fejesat, në fshatin tonë janë realizuar me lajmësi. Lajmësi zakonisht ishte njeri i thjeshtë, i zgjuar, i shkathët, me horizont e me reputacion, i mprehtë dhe, çka ishte me rëndësi, duhet të ishte gojëtar. Nuk është fjala për të qenë llafazan, por për një njeri që "i ngjit fjala". Ndryshe atë nuk e beson njeri e ai nuk del dot nga situata. Mund të heqim një paralele jo dhe aq të ndrequr mes punës së lajmësit dhe punës së avokatit të sotshëm. Si lajmësi ynë, dhe avokati mbrojtës marrin përsipër një punë, një ndërhyrje, një ndërmjetësim, mbi bazën e njohjes që kanë për palët duke u bërë garantë, se krushqia e re, e lidhur me dorëzaninë e tij do të ish e mbarë.

Ndryshimi mes tyre është se avokati mbrojtës bën pazar me klientin e tij dhe i jep garanci se çështja do të zgjidhet në favor të tij e për këtë klienti i kërkon llogari. Lajmësi, përkundrazi, për punën që bën, nuk kërkon shpërblim e nuk mban përgjegjësi për fatin e fejesës për të cilën ka ndërmjetësuar.

Lajmësi ynë kënaqet me një palë këpucë që i jep atij djali, për ecejaket që bën dhe mirëpret ndonjë dhuratë që i vjen nga të dyja palët. Lajmësi, me gojëtarinë e zhvilluar që ka, si ndonjë "arixhofkë", ua bën mendjen çorap palëve, duke ndikuar tek ato, që të marrin një vendim. Në Kalivaç, dikur kam njohur një lajmës "fatkeq". Ndoshta lajmësi ynë ishte më fatkeqi në botë. Si kishte ndodhur? Dy të rinj nga fshati ynë i kishin shtëpitë në mëhalla të ndryshme, ballë për ballë.

Nuk ishin në lidhje gjaku me njëri-tjetrin dhe të dyja familjet njiheshin mirë. Të rinjtë kishin kryer së bashku shkollën, në fshat, e kishin parë shoqi-shoqen në punë, në burim, në dasma e në davete, në mjaft raste dhe e pëlqenin njëri-tjetrin.

Kur u poqën seksualisht, kuptuan se ndjenin diçka për njëri-tjetrin; me shikime, me buzëqeshje reciproke, nuk përjashtohet dhe me ndonjë shenjë, me anë të së cilës, i dhanë të kuptonte shoqi-shoqes se duheshin. Mirëpo, në atë kohë, në Kalivaç, dashuriçkat shikoheshin vëngër nga komuniteti. Dashuria duhej legalizuar, me fejesë. Gojët e liga kishin mbushur dynjanë me thashetheme. Dy të rinjtë që duheshin e gjetën vetë zgjidhjen, me mençuri: Secili vuri në dijeni familjen e vet. Gjetën e dërguan në familjen e vajzës një lajmës, i cili e kishte rrugën "të shtruar".

Puna e tij ishte plotësisht formale dhe ai e ndjeu veten të tepërt e mjeran. U realizua martesa e prej saj lindën shumë fëmijë.

Sido të shkojë fejesa e martesa e çiftit, për lajmësin, pas dasmës nuk kujtohet më njeri. Veçse lajmësi, përveç këpucëve e dhuratave që merr, ka dhe ndonjë përfitim moral. Kur bëhet fejesa, martesa e diçka më pas, në çdo rast, kur krushqit respektivë bëjnë vizita tek njëri-tjetri, lajmësi vihet në ballë të karvanit të miqve, si njeri që di udhën e mund t’i prijë krushqisë. Lajmësi, në çdo festë familjare që organizojnë të dyja palët, vihet në krye të sofrës e i jep tonin bisedës si të ishte kripa në gjellë. Ai hante e pinte qelepir. Jo se ishte qylaxhi, por ashtu ia donte puna.

Lajmësi ynë e merrte detyrën nga familja e dhëndrit. Dhëndri i ardhshëm, mbasi i kishte vënë syrin një vajze, ose kur nuk e njihte vetë ishte në mirëbesim me të tijtë, niste një lajmës, të besuar e të zgjedhur, për të kërkuar dorën e vajzës. Në çdo rast, lajmësi duhet të jetë njeri me peshë, njeri të cilit t’i dëgjohej fjala. Ndryshe atë nuk e dëgjonte njeri e misioni nuk mund të kryhej. Disa herë lajmësin e bënin eksponentë të religjioneve fetare të trevës; sidomos shehelerë, dervishë, hoxhallarë e baballarë të teqesë. Nuk ishin të paktë lajmësit që rridhnin nga familje të kamura e me influencë si dhe pushtetarë të rangjeve të larta.

Në Kalivaç, si dhe në trevat përreth tij, nismëtarë për të lidhur një fejesë, zakonisht ishin djemtë. Ata dërgonin një lajmës në shtëpinë e vajzës që të "lidhte telat" nëpërmjet mblesërisë. Po të ndodhte e kundërta, e të bëhej nismëtare vajza ose familja e saj, gojët e liga do të mbushnin dhenë me opinione të paqena e të padenja për vajzën si: "paska vdekur për burrë", "qenka e përvëluar", etj. Në rastin e djalit nuk thuhej kështu. Që shoqëria jonë ka qenë maskuline, kjo duket qartë e nuk ka nevojë për komente.

Kur nismëtari (lexo familja e djalit) nuk ia dilte dot me dërgimin e një lajmësi të zakonshëm, dërgonte një lajmës "vip".

Në vitet ‘5o të shekullit të kaluar, "Vipa" ishin: Drejtori i ndërmarrjes, Kryetari i kooperativës bujqësore, Sekretari i Partisë së Punës së Shqipërisë, një Deputet i Kuvendit Popullor, një Hero i Punës Socialiste etj. Personalitete të tilla në atë kohë konsideroheshin "me peshë" e fjala u ngjiste fort. Këta ishin lajmës cilësorë, e të rrallë. Për shkak të pozicionit që zinin në shoqëri e angazhimeve që kishin, të tilla personalitete e kishin të vështirë të ndiqnin hap pas hapi detyrat e lajmësit. Lajmësi, po, ai ishte "lojtar i lirë", që do të thotë "i ngeshëm". Për ta "zbutur" disi këtë papërshtatshmëri, krahas lajmësit "vip", gjendej një tjetër, i cili luante rolin e dublantit.

Le të shtjellojmë pak, si realizohej një fejesë me lajmës. Familja e djalit kishte marrë informacionin e nevojshëm, në rrugë të ndryshme dhe kishte piketuar, apo projektuar vajzën që pëlqente për nuse dhe kishte studiuar për së largu familjen e saj. Pyeste gjatë e në të gjitha anët, kjo familje për krushqinë që do të bënte. Pyeste, si i thonë fjalës, për soj e sorollop. Në psikologjinë e kalivaçasve të asaj kohe dominonte opinioni se "nga ferra del trëndafili e nga trëndafili del ferra". Edhe për vlerat e vajzës, në radhë të parë gjykonin ata që rekomandonin. Djali vinte në fund, edhe pse ai do të kalonte jetën me vajzën kandidate.

Përjashtim bënin rastet kur djali e njihte vetë vajzën dhe e kish ndarë mendjen që ta merrte për grua. Mbasi ishin sqaruar rrethanat, gjendej lajmësi e dërgohej në familjen e vajzës. Puna e lajmësit niste me sqarimin e disa rrethanave, të paqarta për dhëndrin e pritshëm dhe familjen e tij, lidhur me vajzën dhe të sajët. Konkretisht ai sqaronte: sa vjeç ishte vajza? Si ishte ajo në shtat? E gjatë e me trup si selvi, apo e shkurtër e trashaluqe?

Nëse është e pashme e simpatike, apo e rëndomtë? Nëse ishte e zgjuar dhe e sjellshme apo llafazane dhe me huqe? Lajmësi sqaronte dhe faktin nëse kandidatja për nuse do të sillte pajë e katandi apo do të vinte me një "kaposh plaçka" e me teshat e trupit. Të tilla pyetje bënte dhe vajza e familja e saj për palën tjetër.

Të dyja familjet ishin të interesuara të lidheshin me miqësi të mirë e të denjë për njëra-tjetrën. Në detyrat e lajmësit ishte sqarimi nëse nusja e ardhshme rridhte nga një familje fisnike apo e rëndomtë, kush ishin nëna dhe babai i kandidaturës, nëse ata ishin të zgjuar e të mprehtë dhe "ishin zot qosheje", të aftë për të drejtuar një dasmë, një gosti, a një muhabet, duke qenë në krye të qoshes. Kjo duhej sqaruar, mbasi nuk është aq e lehtë puna e "dollibashit". Kjo kërkesë lidhet me detyrën e "dollibashit", për të drejtuar e për të bërë "zap" bisedën, kur në odë ndodheshin 30-40 kalivaças. Vetëm një "zotqosheje" mund ta përballonte presionin që krijohej në ato raste e t’u jepte udhë gjërave.

Një pikë delikate, të cilën duhet ta sqarojë lajmësi, është e dhëna, nëse vajza e zgjedhur për nuse, është racë që lind vetëm femra apo prindërit e saj kishin lindur fëmijë të përzier. Preferoheshin meshkujt. Ata siguronin vazhdimësinë e mbiemrit. E ndjeshme e që nuk vihej në diskutim ishte kërkesa, sipas të cilës, në anën e vajzës, por dhe të djalit, duke gërmuar në disa breza, të bëhej e ditur nëse kishin lindur çalamanë.

Në Kalivaç të Tepelenës, siç e kemi thënë dhe më sipër, ishin të preferuara lidhjet martesore brenda fshatit. Kjo diktohej nga shumë avantazhe e dobi. Gjithsesi, të dyja familjet interesoheshin, në radhë të parë që çifti i ardhshëm të mos kishte lidhje gjaku dhe shtëpitë e palëve të mos ishin aq pranë njëra-tjetrës. Në ato vite, meshkujt ishin ca të ashpër në marrëdhënie me gratë e tyre. Nuk e teproj aspak kur theksoj se, në këto marrëdhënie, përjashto intimitetin, burri, që të quhej burrë, me rr të theksuar, duhej të tregohej pak i ashpër me bashkëshorten e tij. Nuk mungonin të sharat në adresë të familjes së vajzës; madje kishte dhe raste përdhunimesh fizike.

Po të ishin aq afër shtëpitë e krushqve, në atë distancë sa zëri i burrit të dëgjohej nga njëra shtëpi tek tjetra, të sharat e burrit dëgjoheshin në familjen e vajzës dhe e kundërta. Lidhur me këtë, në të shkuarën, për këtë shkak, kanë ndodhur dhe keqkuptime e grindje, mes familjeve.

Mbasi ishin sqaruar gjithë të paqartat e të dyja familjet, nëpërmjet dorëzanisë së lajmësit, kishin rënë në ujdi për t’u lidhur me krushqi, bëhej hapi i parë i përbashkët: parja. Parja nuk ishte akt juridik, por kish rrjedhur në vite, si një detyrim zakonor e moral të cilin e zbatonin vullnetarisht, të gjithë bashkëfshatarët. E thënë me pak fjalë, nga familja e djalit, nisej një dërgatë për në familjen e vajzës. Në këtë ekip merrnin pjesë: Dajua i djalit (po të kish të tillë), babai i tij, vëllai i madh, njëra nga motrat, kunata, hallua, tezja etj. Domosdoshmërisht në dërgatë duhet të ishte i pranishëm sebepçiu, dhëndri i ardhshëm dhe karvanin duhet ta udhëhiqte lajmësi, ai që dinte udhën dhe shtigjet që të çonin në shtëpinë e vajzës. Në përbërje të ekipit mund të ishin 7-8 vetë, por shifra nuk ishte e dhënë njëherë e përgjithmonë.

Palët, në marrëveshje me njëra-tjetrën, vendosnin ditën e parjes dhe numrin e personave pjesëmarrës në festë. Si ditë, më e përshtatshme e me fat, në të shumtën e rasteve caktohej një ditë pushimi, në mënyrë që të dyja palët të kishin mundësi të festonin. Se fejesa, festë është, madje mjaft e gëzueshme dhe jo vetëm për çiftin që lidhej. Sipas traditave të trevës, kur fejesa bëhej ditën e diel, dasma duhet të bëhej në një ditë tjetër, mundësisht të enjten. Pas së dielës, dita e enjte ishte më e preferuara për kalivaçasit, si ditë që sillte mbarësi. Kur caktonin ditën e fejesës, familjet i bënin edhe këto përllogaritje. Kjo ngjan me një bestytni, por, në praktikën e trevës, kish zënë vend e zbatohej si një detyrim moral.

Në ditën e caktuar, dërgata, herët, në mëngjes, nisej për në shtëpinë e vajzës. Pjesëtarët e dërgatës duhet të ishin të larë e të veshur me petkat më të mira; në krye të tyre ishte lajmësi. Të gjithëve u ndritnin sytë, nga gëzimi. Më i lumturi e më i gëzuari, natyrisht ishte djali që do të "zinte" nuse e pas tij ishte i gëzuar lajmësi, të cilit po i ecte mblesëria. Dërgata pritej në oborrin e shtëpisë së vajzës nga njerëzit e saj: thjesht, bukur, me dashuri e respekt dhe me korrektesë. Çdo sjellje e veprim i ardhësve dhe i pritësve monitoroheshin nga sytë e mprehtë të njëri-tjetrit.

Mbasi u urohej mirëseardhja të ardhurve, me qëllim të mirë, nga i pari i pritësve, i cili në rastin më të mirë ishte dajua i vajzës, ose i zoti i shtëpisë me fjalët: "Mirë se na keni ardhur e u lumshin këmbët!", të ardhurit hynin brenda në shtëpinë e krushkut të ri, sipas një radhe të paracaktuar. I fundit futej dhëndri i ardhshëm. Ai ishte më i vogli i asaj dite.

Në dhomën e pritjes së miqve, kishte një rregull të pashkruar, por të njohur e të pranuar nga të gjithë kalivaçasit, si do të zinin vend e do të uleshin të pranishmit në atë gosti. Në qoshen e djathtë zinin vend krushqit e ardhur; ata që kërkonin nuse. Në shilten e parë ulej kryemiku (dajua i djalit). Pas tij uleshin me radhë familjarët dhe të afërmit e djalit, sipas shkallës së lidhjeve me të dhe peshës që personi zinte në hierarkinë fisnore e miqësore. Kështu ndodhte dhe në "kampin tjetër", në atë të vajzës.

Kandidaturat për t’u çiftëzuar uleshin në fund të shtëpisë, në dy karrige, pranë njëri-tjetrit, në afërsinë nga ku të kishin mundësi të shikonin shoqi-shoqen, madje dhe të komunikonin pak, "vjedhurazi", po të gjenin rast. Lajmësi, në mënyrë që të paraqitej si i paanshëm, ulej në vatër, i baraslarguar nga të dyja palët. Pra, siç ndodh dhe sot, ai hiqej sikur të ishte mbi palët. Niste qerasja e të ardhurve. Me raki e me llokume. Pritësit, me gojën e atij që ishte ulur në qoshen e majtë, uronin edhe një herë: "Mirë se na erdhët e u lumshin këmbët!"

Të ardhurit përgjigjeshin njëzëri: "Mirë se u gjetëm dhe qofshi të nderuar gjithmonë!" Djali dhe vajza, në këtë kohë ishin në siklet të madh. Ata i shqyenin sytë për të parë njëri-tjetrin. Nuk vështronin thjesht, por studionin njëri-tjetrin dhe brenda pak minutash, u duhej të vendosnin për jetën e tyre. Në të njëjtën kohë ata mezi prisnin urimin e dytë të të ardhurve. Ky urim ishte vendimtar për ecurinë e marrëdhënies mes tyre.

Kur njerëzit e djalit, kuptohet dhe të vajzës, ishin dakord të bënin fejesën, në qerasjen e dytë, kryekrushku uronte: "Ta kemi të pandarë!" Edhe ata të anës së vajzës kthenin "kuitancën": "Ta kemi të pandarë!"

Ky çast shënonte kulmin e ndodhisë: Fjala ishte dhënë e besa ishte lidhur. Të pranishmit ishin çliruar nga ankthi e pasiguria që sundonte deri atëherë. I pamatë ishte gëzimi i çiftit. Ata vështronin ëmbël njëri-tjetrin, shkëmbenin buzëqeshje të kuptimta, mund dhe të komunikonin mes tyre, kur të tjerët, nga euforia e kishin ulur vigjilencën, por, për fat të keq, nuk mund të prekeshin. Mbasi ishte dhënë e ishte marrë fjala, të dyja palët uronin njëra-tjetrën: "Të na trashëgohen e ta kemi të pandarë!"

Pas kësaj, niste gostia e fejesës. Në tavolina vinte mishi i qengjit të pjekur, i ngrohtë, e "buronte" rakia. Djali dhe vajza, duke shfrytëzuar rastin, i vendosnin njëri-tjetrit unazën e besnikërisë. Të gjithë uronin: "Të trashëgoheni e kalofshi jetë të lumtur!" Nisnin dollitë e mirësitë. Atyre që e kishin për zemër alkoolin, mezi u pritej të rrëmbenin gotën e ta rrokullisnin të uruarën raki. Gota e parë ishte për çiftin e ri. Motra e dhëndrit kishte prurë me vete disa dhurata për nusen, të cilat i bënte të njohura publikisht.

Gazi e hareja mbushnin shtëpinë. Dreka e fejesës mbyllej kur të dyja palët ishin kënaqur e për këtë binin dakord dy njerëzit e rëndësishëm të qosheve. Para se të mbyllej muhabeti, krushqit (babai i vajzës dhe ai i djalit) binin dakord për vizitën që do të bënte pala e vajzës në familjen e dhëndrit. Caktohej një ditë, e cila, për të dyja palët konsiderohej e shenjtë dhe kish detyrimin që askush nuk mund ta ndryshonte. Radha e punës dhe rendi i gjërave ishin po ata, me të vetmin ndryshim që në përbërje të ekipit lipsej të ishin dy njerëz më shumë.

Pas kësaj djali dhe vajza konsideroheshin të fejuar e mendonin për dasmën e ardhshme. Fejesa nuk mund të zgjaste shumë. Djali përpiqej ta fuste në shtëpinë e tij sa më parë nusen, që të shtohej familja e tij me një njeri më tepër (lexo, me një krah pune më tepër) dhe ta mblidhte mendjen. Më e interesuar ishte nëna e nuses, e cila e kishte bezdi dhëndrin nëpër këmbë. Kjo "bezdi" krijohej për faktin se dhëndri, me padurimin e të riut të asaj periudhe, derisa të martohej me vajzën, së cilës i pëlqente që ky (dhëndri) të shkonte shpesh në shtëpinë e saj, të cilin, vetëm mund ta vështronte, por nuk lejohej të qëndronte së bashku me të, në vetmi.

Parja e vajzës me djalin, kur ata nuk e njihnin njëri-tjetrin, bëhej dhe pa shkuar në shtëpitë respektive. Nga të dyja familjet caktohej një ditë dhe një vend ku do të bëhej parja e çiftit. Caktoheshin dhe shoqëruesit respektivë. Në ditën dhe orën e caktuar, vajza ndodhej me të sajët në vendin që ishte caktuar që më parë. Ky vend enigmatik mund të ishte në treg, në një kafene, thjesht në rrugë ose në një vend tjetër ku të dy shkonin gjoja rastësisht.

Në këtë rast, dy të rinjtë i ngulnin sytë njëri-tjetrit e nuk ia shqitnin ato, duke u munduar të vinin re, sa më shumë veçanti, tek njeriu, me të cilin do të lidhnin jetën. Vështrimet ishin me syçeltësi, me dashamirësi, gjithë dëshirë e interesim. Po çfarë të shikonin më parë në ato sekonda magjike që do të vendosnin shumë për fatin e tyre? E theksojmë këtë mbasi nga pohimi apo mohimi i këtyre, të dyve, nga përgjigja e tyre, varej vazhdimi i përpjekjeve të mëtejshme të lajmësit për të konkretizuar fejesën e më pas martesën.

Parja mbahej e fshehtë dhe asnjeri nuk guxonte të pyeste, edhe pse të gjithë e kishin vënë re afrimin e dy familjeve dhe prirjen e tyre për t’u lidhur me krushqi. Informacioni, sidoqë takimi ishte konspirativ, rridhte edhe në ato kohë. Hamendësimet dhe komentet nuk mungonin. Në fakt, edhe këto veprime zhvilloheshin në fshehtësi.

Të kthehemi edhe një herë tek dita e fejesës. Në morinë e masave përgatitore që merreshin, me këtë rast, të dyja familjet dhe lajmësi vendosnin paraprakisht për orën kur do të shkonin njerëzit e djalit në shtëpinë e vajzës dhe e kundërta. Si rregull, ora respektohej rigorozisht dhe vullnetarisht.

Por kishte dhe ndonjë rast, e unë di një të tillë, kur dërgata e dhëndrit shkoi në shtëpinë e vajzës, para kohës së përcaktuar. I zoti i shtëpisë, edhe pse shtëpinë e kishte bërë gati e njerëzit e tij i kishte brenda, nuk doli për të pritur të ardhurit, pa vajtur ora e caktuar. Kjo vlerësohej korrektesë e çmohej si burrëri. Sidoqoftë, kjo situatë kaloi pa pasoja e hatërmbetje. Edhe kjo është burrëri e transparencë. Pala që kishte bërë gabim, e njohu atë, dhe e pranoi, pa fjalë.

Fejesa, në çdo formë që të realizohet, mbetet një hap i çmuar, në udhën e lidhjes së dy të rinjve dhe të dy familjeve, gjë që mbahet mend, jo vetëm nga protagonistët, por dhe nga komuniteti që i rrethon. Ajo ia lë vendin një ngjarjeje tjetër të paharruar në jetën e të fejuarve – martesës. Për çdo njeri, i cili ka kaluar në këtë "shtrungë", fejesa, ky institucion serioz e gjithëpërfshirës, mbetet një lidhje e shenjtë, që mbahet mend, për gjithë jetën.

Në Tiranë, më 8 shkurt 2012, ora 2300

Punoi Niazi Nelaj