Kohët e fundit, po dëgjoj shpesh togfjalëshin:” O sa mirë me ken shqiptar, O- he ”! Më pëlqen mjaft kjo shprehje, mbarëshqiptare, e cila shpalos përkatësi etnike. Kjo, pamëdyshje, mbetet një shprehje “Lapidar”; mjaft e gjetur e me kuptim. Do të shtoja opinionin vetjak se vërtet jam krenar që jam shqiptar, por nuk mund të mos lëvdohem e të mos them , kur më pyesin:” Nga je? Se jam nga Tepelena. Gjykoj kështu mbasi e kam bindje se tepelenasit nuk kanë përse të turpërohen, për faktin se janë nga kjo trevë. Përkundrazi, kur i pyet, edhe ata, si unë, nxjerrin gjoksin e të thonë plot gojën:” Jam tepelenas”.
Kjo buron nga prejardhja jonë. Të parët tanë, me bëmat e tyre, na kanë lënë emër të mirë, në çdo kohë e kudo. Prandaj ne sot, krenohemi me origjinën tonë të largët e të afërt. Pra, krenarinë e kemi dhuratë nga ata prej të cilëve rrjedhim. Përkushtimi dhe mirënjohja ime e sinqertë, ashtu si dhe e tepelenasve të tjerë besoj se shkon tek ata burra të rrallë, të të gjitha kohëve, të cilët lanë gjurmë të lavdishme e të pashlyera në histori.
Kërkoj, qysh në krye të herës, mirëkuptimin e bashkëtrevasve, tepelenasve të zgjuar, natyralisht, kurajozë për ti thënë gjërat hapët, atyre që “ nuk ua ha qeni shkopin”, e nuk “ ua kalon dot ujët nën rrogoz”! E kam titulluar këtë shkrim : “Tepelena ime”, jo për ti marrë për vete gjithë atributet që rrjedhin nga ky etiketim domethënës, mbasi një gjë e tillë do të ishte e pamerituar dhe e pamundur, por për të dëftuar përkatësinë time. Tepelena është e të gjithë atyre që e quajnë veten tepelenas; përkatësia e saj, as nuk mund të privatizohet; as nuk mund të parcelizohet; sejcilit i takon merita dhe e kundërta e saj, rrjedhojë e prejardhjes nga kjo trevë. Të qënit ose jo tepelenas, nuk lidhet as me moshë, as me vitin e zbritjes në këtë qytet, as me nivelin arsimor e kulturor , as me vendin ku ke shtegtuar e je ngulur. Më së shumti, si njësi matëse, mund të përdoret dashuria që ka çdo njeri, për qytetin dhe komtributi që jep, çdo idhtar i tij për zhvillimin e përparimin e këtij qyteti e rrethi, në tërësi. Kësisoj, nuk ka përse të rrahë gjoksin, asnjëri, se ajo që kemi bërë ne, nuk ka të krahasuar me kontributet e të parëve tanë. E kam të qartë se, në këtë çështje do të kem dhe kundërshtarë. Kjo nuk më step; ata që polemizojnë me dashamirësi, për një çështje që ngre, i kam shumë për zemër e i respektoj, sinqerisht.
Jam lindur dhe e kam shkuar fëmijërinë në Kalivaç të Tepelenës, në një fshat me të shkuar lavdiplotë e me të tashme plot jetë e shëndet. Pavarësisht se jam rritur nëpër konvikte, me bursë shteti dhe nëpër dyert e botës, them, jo pa krenari se jam nga Kalivaçi i Tepelenës, i sigurt se ky pohim, nuk më bën të skuqem e të turpërohem. Ndihem mjaft e nderuar e i privilegjuar dhe për faktin se djemtë e mi ( katër djem), jo vetëm që nuk e mohojnë origjinën kalivaçase, por, kur i pyesin : “ Nga je”? Të vështrojnë në sy dhe krenar pohojnë se :” Jemi nga Kalivaçi i Tepelenës”? Kjo ma shton krenarinë e më bën të ndihem mirë. Djali i madh, i cili është bërë mjek, kirurg me emër, kur mëson se nje pacient është tepelenas , bëhet copë e çikë për tiu gjindur pranë. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me krahinarizëm por me një qëndrim atdhetar, të pastër. Më bëhet qejfi , mjaft madje, kur mësoj se edhe nipërit e mi ( djemtë e djemve), të cilët nuk kanë qenë kurrë në Kalivaç, interesohen e duan të dinë për origjinën e prindërve të tyre, për fshatin tim dhe për të parët e mi. Njëri syresh, adoleshent, një ditë më pyeti, për natyrën e fshatit, për historinë e tij, për arsimimin e njerëzve, për mëhallët e dikurshme, deri për kultet fetare dhe objektet e kultit, si dhe për besimin e banorëve etj. etj. E, unë, aq sa di iu përgjigja gjithë dëshirë.
Për Kalivaçin dhe bashkëfshatarët e mi kam shkruar e do të shkruaj, sa të më punojë mendja, për së mbari e sa të më rrëshkasë dora, mbi letër. Kam mbajtur lidhje, të vazhdueshme me fshatin e me bashkëfshatarët e mi. Kohët e fundit, mosha dhe shëndeti më kanë kufizuar të mbaj, si më parë lidhjet e kahershme, por, gjithsesi, në forma të tjera, lidhjet i mbaj e interesimi, për vndlindjen nuk më mungojnë. Shpesh kontaktoj me bashkëfshatarët e mi, nëpërmjet lidhjes telefonike, kurse me ata që banojnë në vendbanimin tim, në Tiranë, takohem me mall e bisedoj, shtruar e çiltër, si në Kalivaç të Tepelenës; sikur të jemi mbi një gur gëlqeror apo mbi një degë xine. Nuk e fsheh: gëzohem e lumturohem, pa masë, kur takoj një kalivaças, ashtu si nuk e përmbaj dot gëzimin dhe krenarinë, kur mësoj për arritjet e bashkëfshatarëve të mij. Njëherazi, dëshpërohem e ndihem keq, kur vështroj si është masakruar, ajo panoramë e rrallë e buzëlumit shkëmbor të Ylynecit, me një veprim aspak dashamirës të një kompanie fantazmë, të cilën e mallkoj, me shpirt, për atë makabritet që ka mbjellë, me pretendimin se do të ndërtonte një hidrocentral e do të jepte dritë. Në fakt, ka rreth dy dekada që po mbjell , veç skamje e mjerim për banorët e atij fshati emblemë, në trevë e më gjerë.
Në këtë shkrim pa pretendime, do të përpiqem të kujtoj, rrjedhën e jetës time, në moshën kur nisa të mësoj të shkruaj e të lexoj Gjuhën tonë të bukur Shqipe, periudhën e të mësuarit, në Konviktin e Shtetit të Tepelenës, në vitet 1952-1955, ku kreva mësimet e shkollës unike ( shtatëvjeçare ), me bursë shteti , të plotë, largimin nga qyteti im i dashur dhe rikthimin e përkohshëm , pas mjaft viteshqendrimi , të detyruar, larg tij. I mirëkuptoj disa bashkëfshatarë, të cilët, jo pa ironi, kur takohen me ndonjë nga ne të larguarit thonë: ” Ka ardhur diaspora”.
Kujtesa, edhe pse disi e mjegulluar, për shkak të moshës dhe viteve të shumtë që kanë shkuar që atëherë, më merr për dore e më shëtit në ata vite, tejet të vështirë, por të mbushur me jetë. Edhe pse të paktë (gjithësejt 3 vite), vitet që përcolla në qytetin e Tepelenës, luajtën rol të fuqishëm në edukimin dhe formimin tim, si në fushën e arsimimit dhe në atë njerëzore.
Në gusht të vitit 1949, shkela për herë të parë në qytetin e Tepelenës. Në atë kohë, Tepelena nuk ishte siç e vështrojmë sot, por , sidoqoftë , ajo ndryshonte mjaft nga fshati im i lindjes- Kalivaçi. Vitet e fëmijërisë time, i kujtoj, jo pa dhimbje e nostalgji. Asaj periudhe do ti rikthehem tjetër herë nëpërmjet shkrimeve e kujtimeve. Në shkrimin që po paraqes dua të evokoj atë ndryshim cilësor e atë zhvillim krahasimisht me Kalivaçin, të cilët i përjetova në Konviktin e Tepelenës, në ata vite të vrullshëm, kur sapo kishim shkelur në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas.
Në muajin gusht të vitit 1949, kur nuk kish shumë kohë që kishin pushuar krismat e Luftës së Dytë Botërore e Tepelena qytet dhe fshatrat që përfshiheshin në atë rreth, po merrnin frymë frymë lirshëm, pa pushtues mbi krye e jeta e njerëzve kish nisur të normalizohej, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në kufirin Jugor të vendit, pas provokacioneve që ndërmorën monarko-fashistët grekë, me qëllim aneksimin e trojeve shqiptare. Një ëndërr e herëshme e idhtarëve të Megaloidhesë. Në atë kohë kisha përfunduar, me tregues cilësorë të “ shkëlqyer”, klasën e parë të shkollës fillore të fshatit të lindjes. Siç praktikohej rëndom në ata vite, nxënësit e shkollave, që mbaronin klasën me të gjitha notat pesa, stimuloheshin duke i dërguar për të pushuar, në kampet verore të pionierëve. Pata fatin të akomodohem për të pushuar në një kamp të tillë, në qytetin e Tepenenës.
Aso kohe, në rrethin e Tepelenës ishte çelur, i vetmi kamp pushimi për pionierë. Si mjedis i përshtatshëm, ishte përzgjedhur një kazermë ushtrie, e cila kish shërbyer për strehimin e ushtarëve fashistë italianë e cila u përshtat, si kamp pionierësh. Kazerma ndodhej pranë dërstilës dhe mullirit, disa qindra metra në Veri të urës me harqe, ndërtuar ne beton e hekur mbi lumin e Bënçës, pranë kthesës së rrugës automobilistike që të çon në Veliqot, e më tej, në Turan, Dukaj, Salari etj.
Për të shkuar nga Kalivaçi në Tepelenë, në atë kohë, duhet të rrugëtoje rreth 6 orë, në këmbë. Por 6 orë udha bëjhej po të dije të kaloje nëpër rrugicat që gjarpëronin, mes ngastrave të arave, ledheve e gjerdheve, me ferra e me driza, nga të cilët, shpesh, dilnin zvarranikë, përfshi dhe gjarpërinj agresivë, nga të cilët kisha shumë frikë. Rastësisht, apo nuk di si e përse, ato ditë ndodhej në shtëpi babai im, Xhevit Malko Nelaj, i cili, shpesh mdodhej larg familjes tonë. Ai, meqenëse shkoja për herë të parë aq larg për një fëmijë të moshës time, më shoqëroi , deri në Tepelenë, në këtë udhëtim të parë. Babai dhe unë, ndoqëm udhën nga kalonin këmbësorët dhe karvanët që shkonin për tregti, kryesisht në Këlcyrë; në Gjirokastër e më pak në Janinë. Pazari, në Tepelenë, i cili zhvillohej ditëve të enjte aso kohe ishte mjaft i varfër e i papreferuar nga bashkëfshatarët tanë.
Kalonim anës lumit, por buza na thahej, për ujë. Monopateve nga kalonim ne, për ti rënë shkurt, në rrugë ishte vetëm një burim, i ftohtë, në vendin e quajtur Përroi i Mogilave. Mes rrapishteve, dilte nga zalli ujë i ftohët ei pastër, si kristal. Në atë burim, rrugëtarët dhe karvanarët, qëndronin, pinin ujë, me grushte dhe uleshin në hijen e rrapishteve, për t’u shlodhur pak e për të rikuperuar fuqitë, në mënyrë që të vazhdonin rrugën e mbetur. Rruga automobilistike që vjen nga Fieri e shkon në Tepelenë, në atë kohë, ishte vetëm si shtrat i fortë i rrugës së dikurshme, të cilën e kishin ndërtuar italianët, por makina nuk qarkullonin nëpërmjet saj. Segmenti rrugor Memaliaj- Tepelenë, sapo kish nisur të hapej dhe vetë qyteti i minatorëve, sapo kish hedhur themelet e ngrehinave të para. Miniera e qymyrgurit ishte në funksion por minerali, që nxirrej nga nëntoka , transportohej me mjete primitive, nga ato të kohëve të shkuara.
Në kazermën e ushtarëve italianë, të përshtatur si kamp pionierësh, të ndarë në mes, me një perde doku, ishin bërë përgatitjet për të pritur pionierët e dalluar në mësime nga gjithë fshatrat e rrethit dhe qytetarë. Kazerma ishte e ndarë në dy pjesë; njëra do të shërbente si fjetore; gjysma tjetër do të përdorej për t’u ushqyer . Nevojat vetjake i kryenim në natyrë. Ujë, për të pirë e për të gatuar, merrnim në vijën e dërstilës që kalonte aty pranë. Në kamp kishin ardhur fëmijë, vetëm të seksit mashkull. Edhe në atë moshë ( 7-8 vjeç), fanatizmi vepronte. Kujdestarët tanë ishin mësues të dalluar, nga qyteti i Tepelenës dhe nga fshatrat pranë. Për fat të keq, emrat e tyre, nuk më kujtohen. Nga jeta ime në atë komunitet fëmijësh, ruaj dy kujtime të pashlyera, të cilët do ti kem si relike gjat gjithë jetës.
Një ditë, në mesditë, u futa në mensë por nuk vura asgjë në gojë. Sipas rregullit të kampit, pas drekës, u shtrimë për të pushuar. Gjatë pushimit të drekës, në shtrat, më mori uria. Më haej shumë e zorrët më bënin revoltë por nuk guxoja të flisja, edhe pse njëri nga mësuesit shëtiste, nëpër korridorin që formohej nga rrjeshtimi i krevatëve. Kujdestari ishte vrojtues i kujdesshëm e nuk i shpëtoi përpëlitja ime, në krevat. Ai, u afrua tek koka ime dhe, me zë të ulët, më pyeti:” Përse nuk fle por përpëlitesh si ajo pula që i ke prerë kokën”? Me çiltërsinë e fëmijës, pyetjes së tij iu përgjigja menjëherë: “ Më ka marë uria”? “ Nuk hëngre drekë”?- shtoi ai, me dashamirësi. “ Jo- zoti mësues”- U përgjigja , pa u menduar. “Ngreu e vishu “, urdhëroi kujdestari. Bëra siç më tha ai. Shkuam në mensë, dhe kujdestari kërkoi nëpër dollapët e bukës, me rjetë teli. Nuk gjeti asnjë gjurmë të gjellës që ishte konsumuar, në drekë. Atëherë, ai më dha bukë gruri, me sheqer të kuq sipër, të lagur me ujë. E hëngra, me uri, atë që më serviri mësuesi kujdestar, mbusha stomakun e u shtriva sërish. Më mori gjumi e fjeta, si shokët.
Kujtimi i dytë është disi i trishtë dhe, ndoshta edhe për këtë shkak, më ka mbetur i skalitur në kujtesë. Në provokacionet e 2 gushtit të vitit 1949, që bënë monarko-fashistët grekë, në kodrat e Vidohovës, mbeti i vrarë kapiteni i parë i ushtrisë shqiptare, djali i Dukajve të Tepelenës: Memo Nexhipi. Trupin e dëshmorit e çuan në familjen e tij, në Dukaj, dhe ceremonia e përcjelljes së tij u krye në qytetin e Tepelenës , pas një mitingu të paparë. Në balkonin e Degës Ushtarake të rrethit, në njërën nga ndërtesat e pakta dykatëshe të qytetit, u vendos një presidium, ku bënte pjesë dhe babai i dëshmorit. Ai binte lehtësisht në sy, prej veshjes me shajak, në ngjyrë të zezë, qylahut të bardhë me majë dhe ishte mjaft i pikëlluar, por mbahej, burrërisht. Kortezhi, me arkivolin e dëshmorit përpara , të shoqëruar nga një skuadër pushkatare dhe nga mjaft shokë e kolegë të tij, si dhe nga banorë të shumtë të qytetit e të fshatrave përqark, përshkoi rrugën kryesore ( të vetmen rrugë ) të qytetit, e cila përfundonte në anën Jugore të tij, me Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Ne, kampistët u bëmë pjesë e kortezhit. Disa nga ne, u shkëputëm nga turma dhe shkuam përpara skuadrës pushkatare, në bokërrimën nga ana e lumit të Viosës. Kur ushtarët bënë qitjet përshëndetëse, me tre fishekë, ne, nëpër këmbët e ushtarëve, mblidhnim gëzhojat, për ti patur si mjete lodrimi, në të pastajmen. Për fatin tonë të mirë, nuk pati asnjë incident. Fishekët ishin me plumba manovre. Unë dhe shokët e mi kuriozë, u larguam nga pozicioni që kishim zënë, vetëm kur na urdhëroi kujdestari që na shoqëronte.
Atë muaj pushimesh, nuk mund ta harroj, jo vetëm nisur nga dy episodet që u rrëfeva, por dhe nga informacioni interesant që mora. Ndoshta, pas kaq kohësh, dikujt mund ti duket kotësi, por unë, në kampin e pionierëve, për herë të parë fjeta në krevat. Krevatët, vërtet ishin prej teli, si të ushtarëve, por, të paktën nuk flinim përtokë, si në Kalivaçin e atyre viteve. Gjithashtu, për mua ishte e paprovuar, të ulesha në një stol e të haja ushqim në tavolinë, me shokë shumë. Ushqimi, vërtet ishte i varfër, si Shqipëria jonë e atyre viteve, por, të paktën ushqehesha, me orar, jo kur të më tekej dhe gjellët ishin të larmishme. Në kamp,njoha mjaft moshatarë si unë e u miqësova me djem nga fshatra e treva të ndryshme të rrethit të Tepelenës. Përfitimi ishte jo i vogël , sa i takon të jetuarit me një orar e regjim ditor, të përcaktuar . Jeta komunitare që provova në atë muaj, më nxorri nga kornizat e jetës së ngushte në familje ku ishim gjithë-gjithë, 5 vetë ( nëna, babai , motra dhe vëllai 2 vjeç).
U ktheva në Kalivaç, në fund të gushtit të vitit 1949 dhe më 1 shtator të atij viti, nisa mësimet në klasën e dytë të shkollës fillore të fshastit tim. Në klasë ishin të njëjtët shokë e shoqe, me të cilët kisha përfunduar klasën e parë. Nuk bënin pjesë në kolektivin tonë ata nxënës e nxënëse që nuk kishin mundur të kalonin nga klasa e parë në të dytën. Pas kampit, ndihesha disi ndryshe nga bashkëmoshatarët e mi të klasës së dytë. Krenohesha se kisha parë Tepelenën dhe kisha provuar jetën në një kamp pushimi pionierësh. Për ne, vocërrakët nga Kalivaçi me halle, të shkoje në Tepelenë, në ata vite, nuk ishte pako gjë. Bashkënxënësit e mi, njëherazi se si më vështronin; me tjeter sy e me zili. U dëftova, fije për pe, për atë rrugëtim të gjatë gjashtë orësh, në këmbë; çfarë kisha parë udhës e si isha ndjerë në komunitetin e nxënësve të dalluar, në kamp. Ata më dëgjonin me kurreshtje e me vemendje të madhe, kur u fola për të rejat që mësova e përjetova në atë organizim të paprovuar prej tyre. Rrëfimi im, për kujdestarin që gjeta, në kamp, i cili zëvëndësoi nënën dhe babanë që kisha lënë në Kalivaç dhe si ai u kujdes për mua, sikur të ishte prind, u prit me shumë interesim. Ndihesha si ata burrat që kanë qenë në kurbet e kthehen prej tij, të tjetërsuar.
Për herë të dytë, shkela në Tepelenë, një vit më pas. Kisha përfunduar klasën e dytë të shkollës fillore të fshatit. Përsëri me tregues cilësorë mjaft të mirë. Edhe në këtë vit mësimor ishte në fuqi rregulli i dërgimit të pionierëve të dalluar në mësime, në një kamp pushimi pionierësh; një muaj. Përveç kriterit të notës, ishin dhe disa kërkesa të rjera, të cilat unë i përmbushja: Vetë nxënësi duhet të binte dkort për të pushuar në një kamp pionierësh dhe familja e tij duhet të ishte e vobektë. Në fakt, familja ime ishte nga më të varfërat në Kalivaç të Tepelenës. Shkuarjes në kampin e pushimit të pionierëve, “ia kisha marrë dorën” e kjo më kishte shtuar oreksin. Kësaj radhe do të bëja një hap më tej; do të shkoja në kampin e pionierëve në Ujë të Ftohtë, në Vlorë.
Babai halleshumë, më përcolli, deri në krye të Dërrasës së Kripës, ose siç thuhet rëndom, “ në pikën e sipërme të Mbretes së Leshnjes. Duke menduar se tashmë isha i rritur ( isha vetëm një vit më i rritur) dhe se e kisha provuar një herë atë rrugëtim aventurë, Babai më dëftoi, me dorë malin e Golikut, Malin e Shëndëllisë dhe atë të Picarit ( Malin me Gropa, pamjen veriore ku bien në sy rrëpirat e Luzatit) e më tha: A mund të shkosh vetë? Në mes të maleve ndodhet Tepelena; mos iu ndaj lumit e do ta gjesh, mesiguri. Më dha dhe këshilla të tjera; nga do të kaloja, ku nuk duhet të kaloja, të mos kisha frikë nga qentë e nga gjarpërinjtë etj. I shtrënguam dorën njëri-tjetrit.” Po , i thashë, shkoj vetë, nuk jam më i vogël”, e u kapardisa, me krenarinë e fëmijës, i cili “ mbahet për të rritur e kërkon autonomi”. Babai më uroi: “ Udhë të mbarë” e, i kënaqur me përgjigjen time, u ul mbi një paliçe e më vrojtoi një copë herë. Nuk di çfarë përjetoi Ai, baba, në ato çaste, por, krenarinë ia pashë në sy e në fytyrën e tij të qeshur. Ndoshta ishte bërë pishman, për atë që bëri, por, besën ma kishte dhënë e ai ishte njeri që i qëndronte fjalës së burrit.
Kisha marrë përsipër një barrë të rëndë, për supet e mija të njoma. Duke gjykuar nga pozitat e prindit, sot, e mendoj tjetërsoj, atë rrugëtim aventuresk, timin, nëpër atë udhë, e cila, në pjesën më të madhe të saj. kalonte nëpër ledhe e gjerdhe, me shkurre e me driza, që ndanin ngastrat e copëzuara të fshatarëve, ende të pakolektivizuar, nga ku dilnin lloj –lloj zvarranikësh, përfshi dhe gjarpërinj të frikshëm, apo, pas çdo shtegu, mund të dilte një qen i egër, i cili kishte shpëtuar nga zinxhiri, të cilët i kisha shumë frikë. Do të kaloja nëpër fshatrat : Shehaj të Fushës; Qesarat; Mogila të Vasjarit, do të kpërceja lumin e Luftinjës dhe vetë një pjesë të arave të këtij fshati, do të hidhsha në lumë, nëpërmjet lundrës që menaxhonte fshatari nga Luftinja, Ahmet Zeka, në Bishtin e Miricës, do të përshkoja hapësirat e fshatit Memaliaj , dhe duke zbatuar porosinë e babait për të mos kaluar nëpër lumin eftohtë e të rrëmbyer, të Bënçës, por nga ura e betontë, në grykën e luginës metë njëjtin emër, për të dalë tek Rrapi Shekullor, në hyrje të Tepelenës. Babai, para se të ndaheshim, atje, në Krye të Mbretes të Leshnjes, më dha dhe disa porosi, të hollësishme, të cilat i pata parasysh e i zbatova, gjatë atij rrugëtimi të gjatë. Xheviti, si blegtor i gjezdisur, kish akkumuluar përvojë me vlerë në udhëtimet e gjata, të cilat e kishin vazhdimësinë, disa orë, madje dhe disa ditë.
“ Rruga nga do të kalosh, më tha babai, kalon pranë e përgjatë lumit Vjosë; në lundër, bëj kujdes, se mos biesh në lumë. Prandaj, prit sa të vijë ndonjë i rritur e qepju, nga pas…”. “ E mbaj mend rrugën, i thashë, si ndonjë burrë i madh dhe e sigurova se nuk kisha frikë. Ishte e para herë, në jetën time, që ndërmerrja një rrugëtim të tillë, të gjatë dhe në mënyrë autonome.Tani që po riprodhoj, mbi bazën e kujtimeve e mbresave vetjake, kur thinjat më kanë mbuluar, duke menduar në qetësi e me mendimin aktual, jam i bindur se ai rrugëtim ka qenë aventura ime e parë. E sigurova babanë se nuk kisha frikë, por, jam i bindur se atëherë nuk jam dëftuar i sinqertë, me të.
Frikë kisha që çke me të. Kafshë të egra, gjatë udhës nuk kishte, mbasi terreni ku do të kaloja ishte i zhveshur, por stina e thatë ( ishte fundgushti), favorizonte zvarranikët, përfshi dhe gjarprinjtë, të cilët më ndërprisnin udhën herë pas here. Trembesha edhe kur zvarranikët lëvrinin nëpër gjerdhe, por e kisha të tmerrshme, kur përpara, ma ndërpriste udhën ndonjë gjarpër.Gjarpërinjtë dhe qentë ishin tmerri im; shanset për ti ndeshur në atë rrugë, nuk ishin të paktë. Në dorë mbaja një shkop, i cili, në fakt, nuk ishte as shkop; as shufër. E kisha bërë prej dru mërete dhe ishte i fortë er tërë nyje.
Në rrugë shkëmbehesha me më të rritur; sidomos me meshkuj. Disa ishin mbi kuaj apo mbi gomerë; të tjerë që rrugëtonin në këmbë, si unë. I përshëndesja, sikur të isha i rritur, me përshëndetje burrash: “ tungjatjeta”, e ata ma kthenin, po me të njëjtat fjalë, të cilat, në fakt, shprehin një urim.E çfarë urimi? I thoshje tjetrit ti zgjatej jeta. Po , a ka njeriu gjë më të shtrenjtë se jeta? Disa prej tyre, përshëndetjen e pasonin me pyetjen: “ Nga je, more djalë e ku do të shkosh”? ( përshëndetje tipike e banorëve të trevës). Me krenari, u përgjigjesha: “ Jam nga Kalivaci, i biri i Xhevit Malkos; shkoj në Tepelenë”! Ata, me habi, tundnin kokën, në shënjë miratimi, buzëqeshnin kithtas e diçka përshpërisnin, nëpër dhëmbë. Më ngjante sikur diçka belbëzonin. Më ngjante sikur thoshin: “Dukesh që je kalivaças,se e paske syrin me çika”. Domosdo që më bëhej qejfi e merrja krahë, për të vijuar atë rrugëtim aventurë.
Në vendin e quajtur Mogila, tek një përrua i thellë, mes rrapishteve, ka qenë një burim i ftohtë, ku uji buronte, nga zalli i nëntokës. Tek ky burim, udhëtarët e veçuar dhe karvanet e udhëtarëve, ndalonin, pinin ujë e freskoheshin, pushonin pak, në hijen e freskët të rrepeve, të ulur mbi ndonjë gur apo shkurre dhe niseshin, sërisht për udhë. Për të shkuar tek ai burim uji, i cili ishte i vetmi në një distancë disa kilometërshe, rrugëtarët linin udhën shekullore që të çonte, nëpërmjet përroit, tek lapidari, në të dalë të bokërrinës, i cili evokon një betejë të Luftës Nacionalçlirimtare, dhe ndiqnin rrjedhën e përrroit të Mogilave. Në të dyja anët e udhës, kam parë varre të lashtë, me pllaka guri, gjigande, sipër e poshtë dhe në të dyja anët. Ndoshta ata varre kanë mbetur aty, nga koha e pushtimit sllav të trevës. Ose janë më të lashtë?
Për mua, fëmijë i parritur, ky devijim nga udha ishte disi i frikshëm; por e bëra atë me guxim e me shpresën se, mesiguri do të takoja, të rritur, të cilët, në rast nevoje, do të më merrnin në mbrojtje. Nga ky rrugëtim interesant, nuk mund të harroj një episod të cilin, mendoj se ja vlen, ta ndajmë së bashku: Mbasi kisha kaluar segmentet “ delikate” të atij rrugëtimi si, Lumi i Luftinjës; Lundrën e Ahmet Zekës; dhe isha futur në trasenë e rrugës së re automobilistike që lidh Memaliajt me Tepelenën, e cila sapo kish filluar të ravijëzohej, ndalova, tek një burim uji, para se të mbërrish në vendin e quajtur Majkosh.
Burimi vinte nga lartësitë e fshatit Memaliaj, gjarpëronte nëpër monopat dhe grumbullohej tek një pellgaçe. Duke qëndruar gjatë aty, ujët kullonte e njerëzit e pinin, për të shuar etjen. Siç vepronin të gjithë udhëtarët; piva ujë, u freskova dhe u ula mbi një pllakë guri, aty pranë,për tu shlodhur. Nxorra nga torba prej pëlhure, me një rrip të hollë, nga bezja e saj, për ta hedhur atë në qafë, disa ushqime që më kish nisur, nëna ime e dhimbshme dhe e kujdesshme. Zonja e Madhe e Binajve, kish futur në atë torbë librash ca petulla, të pjekura me vaj ulliri, disa kokrra llokume vendi, vezë të ziera, çyrek, gjizë të njomë dhe një zog fushe të skuqur, në saç. Hëngra prej tyre, sa u ngopa, piva dhe ujë e më mori gjumi, pakuptuar. Nga lodhja më kish pikur gjumi. Kisha rrugëtuar gati 5 orë në këmbë e ndihesha i drobitur.
Nuk di sa fjeta, veç u zgjova nga zëri i një karrocieri, i cili drejtonte një karrocë me dy rrota, të tërhequr nga një kalë trupvogël. Nga zëri i tij dhe nga zhurma e rrotave metalike të karrocës, brrofa në këmbë. Vështrova karrocierin dhe e njoha. Ishte Hyseni i Shatrafilëve të Luzatit, gjitoni im nën të njëjtën çati, dikur, në Kalivaç. Hyseni ishte disa vite më i lashtë nga unë e aso kohe punonte për çeljen e rrugës së re automobilistike, në detyrën e karrocierit. Edhe ai më njohu e u gëzua, si dhe unë, për atë takim të rastësishëm. Më njihte dhe e njihja Hysenin e xha Telhait dhe të gege Merushes, nga Luzati i Tepelenës, të cilët, prej vitesh, ishin ngulur e banonin në Kalivaç.
Me familjen e Telha Qazimit, të cilin, kalivaçasit e njihnin si Telha Luzati, dikur, kishim banuar nën një çati, tek shtëpia e Ali Pashos, në Ahmetaj, e cila përbëhej nga dy dhoma, tmerrësisht të ftohta të cilat ishin me oxhak dhe zjarri në vatër nuk fikej, 24 orë me radhë, por ato nuk ngroheshin, as me drutë që sillnin dy nënat tona: gege Mereushja dhe Zonja e Madhe e Binajve, të cilat, kur zbrisnin, nga Bregu i Stanet, me drutë ngarkuar me tërkuza, ngjanin sikur po zbriste vetë pylli i koçimares së Bregut të Dokes.
Hyseni, një djalë i dashur e shakaxhi, zbriti nga karroca me kalë. më përqafoi, me aq dashuri, sikur u takua me vëllanë e tij të shkathët, Qazimin e më ftoi të ngjitesha, në karrocë. U ngjita e zura vend, aty ku më tha Hyseni. Mbasi bëmë një copë udhë, në drejtim të qytetit Memaliaj i cili po ravijëzohej, bashkëudhëtari, më pyeti: “ Ku po vete, ti Niazi “? Në Tepelenë, i thashë, pa drojë e pa përtim. “ Po unë shkoj në Memaliaj- tha tjetri dhe i foli kalit që të ndalonte: “ Durrr”! Kali ia dinte gjuhën shokut tim dhe ndaloi. Me pushtetin që i jepte mosha, Hyseni më dha urdhër të zbrisja nga karroca e unë zbrita. Shoku im, mbasi zbrita unë, sërish e urdhëroi kalin e tij, të nisej për udhë, me fjalët: “ Deee”, më përshëndeti me dorë e vijoi udhën. Mbeta , në mes të udhës, i vetëm, siç isha, para se të takoja Hysenin e xha Telhait. Kisha humbur disa minuta, në udhën që përshkova, kundra sensit që më duhej.
Në Tepelenë, më duhej të paraqitesha në Seksionin e Arsimit, ku bëhej grumbullimi i pionierëve si unë, dhe nisja e tyre për në kampin e pionierëve, në Ujë të Ftohtë, të Vlorës. U paraqita, serbes, tek zyra e shefit të seksionit, me statusin e të dërguarit nga Këshilli Popullor i fshatit Kalivaç, si nxënës i dalluar që kish të drejtë të pushonte në kampin e pionierëve, në Vlorë. Rrethi i Tepelenës, kish një kontigjent prej 5-6 pionierësh, për këtë veprimtari, njëri nga të cilët isha unë. Sidoqë i mitur, e ndieja peshën e përgjegjësisë që po merrja përsipër. për të përfaqësuar fëmijët shkollorë të rrethit të Tepelenës, në një rreth tjetër, e ku? Në Vlorë, ku mentaliteti dhe psikologjia e njerëzve ishin të përafërta me tonat.
Para se të merrnim udhë,kaluam në një kontroll mjekësor rutinë. Emrin e kish të madh- komision mjekësor; në fakt, në atë komision bënte pjesë vetëm një mjek i përgjithshëm. Gjithë rrethi i Tepelenës, në ata vite, kishte vetëm një mjek, Mashon; ai i mbulonte të gjithë specialitetet. Në kokën time, të qethur me gërshërë dhensh, e cila dukej brazda-brazda, binin lehtë në sy, disa pulla të përhimëta, një tip hurdhje, e ngjashme me qeroskën. U tremba e u merakosa, se mos, ato njolla të uruara, bëheshin shkak për të më ndaluar të shkoja në kampin e pushimit të pionierëve, në Vlorë. Mjeku që më vizitoi, më dha një ilaç (tinturë jodi), për ti lyer pullat. Nuk e përdora, edhe pse e bleva ilaçin, me paratë që më kish dhënë babai, për udhë e për ti përdorur gjatë pushimeve, mbasi shishja u thye e ilaçi u derdh, në mjedisin ku kalova atë natë. Nuk u kujtua më njeri, për pullat e mija ngjyrë gri. Ia hodha, paq e deri këtu, dola “ pa lagur”.
Të nesërmen, pas një rrugëtimi “ skëterrë” me një satë ( autobus, i cili edhe emrin e kish “satë”) nëpër atë udhë malore, gjithë kthesa e gropa, ku vështirësia më e madhe, si për shoferët dhe për pasagjerët, paraqitej në Përroin e Salarisë, i cili, “ mori”, disa jetë shoferësh.
Mbërritëm, në Vlorë, po atë ditë që u nisëm nga Tepelena e na sistemuan në kampin e pionierëve, i cili ndodhej, në Ujë të Ftohtë, tek disa pallacina, dykatëshe, të suvatuara nga jashtë, të cilat i kishin ndërtuar italianët, për ushtarakët fashistë, në vitet e Luftës Së Dytë Botërore. Kampi ishte në mes të ullinjve, në një vend piktoresk, të cilin e ndante nga vija e ujit, ( nga deti), një bahçe e stërmadhe, me pjeshkë. Për herë të parë e shkelja Vlorën dhe u mahnita nga bukuritë e saj. Deti, me madhështinë e tij, me atë kaltërsi marramëndëse, më tërhoqi mjaft e më bëri për vete. U kënaqa, në Vlorë. Drejtoria e kampit na çoi, në ekskursion, në fabrikën e vajit e të sapunit, në Ujë të Ftohtë, afër Kalasë, në qytet, në sport ( futboll), hipa në pajtonet që shfrytëzoheshin si transport urban; takova te afë rm të mitë, si Jashar Hysni Dëraj, i cili ishte, në atë qytet, marshall, në ushtri etj.
Pas tri javësh, u ktheva në Kalivaç. Bashkëmoshatarët, u grumbulluan rreth meje, siç i mblidhen bletët një luleje. U dëftova kurreshtarëve, me krenari, me dëshirë e me pasion; por pa u shitur mend, bukuritë që pashë, në atë aventurë interesante njëmujore e ata më dëgjonin, me vemendje. Shokët e mi u bënë sy e veshë, për të përthithur gjithë sa u dëftoja.
Në fund të gushtit, të vitit 1952, më erdhi një njoftim mjaft i gëzuar. Më ishte akorduar bursë e plotë nga shteti, për të vijuar shkollën shtatëvjeçare ( unike), në konviktin e shtetit, në Tepelenë. Ky ishte një shpërblim i paparë, që më bënte Këshilli Popullor i fshatit dhe kryetari i tij, fisniku Muharrem Qerim Mehmetaj, një burrë serioz e shumë dashamirës, i cili nderohej, nga bashkëfshatarët dhe ngjante si një kreshnik, nga ata që dëftohen. Rol parësor luajti dhe drejtori i shkollës fillore të Kalivaçit, për ato nota pesa , të qëmtuara në të katër vitet e shkollës fillore të fshatit. Nuk u gëzova por sa nuk fluturoja nga gëzimi. Aq shumë më lumturoi ky njoftim sa nuk po dija si të bëja. Sillesha nëpër shtëpi, në mëhallë, kur luaja me shokët, apo kur vija për t’u dhënë ujë qeve, në lumë, si i marrosur. Nëna, babai, të afërmit dhe miqtë e familjes, kur morën vesh këtë risi, u gëzuan, pa masë. Shumë u gëzua ime motër, Lumturia, të cilën e kisha patur, në të njëjtën klasë, katër vite, me radhë.
Gëzimin ma shtoi njoftimi i dytë, se në konvikt nuk do të isha i vetmi nxënës, nga Kalivaçi. Me bursë të plotë do të ishte dhe Selami i Mane Tafilit, nga Zenelajt; Sadiku i Muharrem Hasanit ( dëshmor), nga Nelajt; Veziri i Fejzo Qazimit, nga Muharremajt dhe Hydaiu i Hamza Sheshos, nga Mmehmetajt. Të gjithë ishim ngjitur në “ qiellin e shtatë”. Gëzimi ynë, nuk njihte kufi. Shfaqjet e tij ishin nga më të paparat por, gjithsesi, në esencë ishte gëzim e lumturi. Prindërit tanë e mirëpritën këtë njoftim. Vetëm Memja, e veja e dëshmorit Muharrem Hasani, u tregua, disi e lëkundur.Ajo, djalin e dytë- Tahirin, e kishte larg, shumë larg, në Shkodër, në shtëpinë e fëmijëve dhe Skënderi, i treti në radhë ishte i larguar, nga familja. Djali i madh i saj – Dalani, ishte në punë, në Patos. Po të ikte dhe Sadiku, ajo do të mbetej, në shtëpi, me Rubijen e parritur dhe me vjehrrën; Lulen e Hasan Sadikut. Gjithsesi, Memja e dëshironte shkollimin e të birit pekul, por i vinte keq ta largonte atë, nga përkujdesja e saj, prej nëne, aq papritur.
Ishte koha, kur në rrethin e Tepelenës nuk kish shkollë të mesme. Në fshatrat e këtij rrethi nuk kish as shkollë shtatëvjeçare ( unike). Vetëm në Krahës, në mes të fushës, përballë lokalitetit, prej pak kohësh, shkolla unike. Në çdo fshat, kish vajza e djem, të cilët, prej disa vitesh kishin mbaruar shkollën fillore dhe nuk i kishin mundësitë për të ndjekur mësimet e shkollës shtatëvjeçare, për shkak të largësisë dhe moshës së tyre të parritur. Ata e kishin mbushur kohën, duke ruajtur dhentë, dhitë dhe kecërrit e familjes. Edhe ato mësime që kishin marrë në vitet e shkollës fillore të fshatit, i kishin harruar. Gjatë qëndrimit me bagëti, kur pranë kishin njërin nga prindërit ose më të rriturit e familjes, ata,në rastin më të mirë, kishin përsëritur disa veprime matematike, të thjeshta, si mbledhjet e zbritjet. U hynte në punë matematika; për të numëruar bagëtitë e për të bërë disa llogaritje, të thjeshta që vlenin për të bërë bilancin e blerjes të barit kullotë, të produkteve she shpenzimeve për mbarështimin e gjësë të gjallë.
Kur erdhën në konvikt e u akomoduan nëpër klasa, ata binin në sy, menjëherë e dallonin nga ne, rishtarët, para së gjithash, nga mosha më e rritur dhe nga përvoja jetësore që kishin. Ndonjërit, si Demiri i Hoxhajve, nga Krahësi, i cili ishte kthyer nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i ngjitëm “novkën”: “ Xhaxho”! Edhe ai u mësua me pseudonimin që i vumë dhe, u ul në bankën e shkollës, me ne dhjetëvjeçarët e vijoi mësimet, pa çarë kokën fare.
Nuk më kujtohet cili nga prindërit tanë na shoqëroi në atë udhëtim “ historik”, nga Kalivaçi në Tepelenë, i cili na futi në një hulli interesante dhe të dëshiruar. Në grupin tonë prej 5 djemsh, me atë bagazh dijesh që kishim, të them të drejtën, nuk ndihej dhe aq prania e prindërve, për të na shoqëruar. Ne ishim mjaftueshëm çapkënë e disi “ të prapë”. Unë e kisha bërë i vetëm atë udhë, madje kur isha edhe më i mitur. Megjithatë, tre nga prindërit tanë: Memja e Muharrem Hasanit; Hamza Sheshua dhe Mane Tafili, erdhën shpejt, për të parë si u sistemuan pinjollët e tyre, në atë konvikt, i cili ishte ende i panjohur, në mjediset kalivaçase. Babai i Vezirit, Fejzo Qazim Muharremaj, i cili, aso kohe ishte ushtarak, me rrogë, në Repartin 84, Të Tepelenës, shfrytëzoi një vajtje, pranë familjes, në Kalivaç, për të shoqëruar të birin, Vezirin.
Vetëm unë isha i pashoqëruar e kjo më bënte të mos ndihesha mirë. Mirëpo unë kisha një mburojë mjaft të fortë; Hysnijen e Musa Mehmetit, nënën e dëshmorit Sami Musa Nelaj, e cila shkonte në mbledhjet ekryesisë të grave të rrethit dhe, sa herë vinte në Tepelenë, më kërkonte e kthehej të më takonte. Unë, e mirëprisja, madje mezi e prisja takimin me Ninijen ( kështu i thonim ne të vegjëlit e fisit). Hysnija u paraqit në drejtorinë e Konviktit, tek drejtor Zyhdiu, si nëna ime dhe firmosi, me gisht, një lloj kontrate, në vend të Zonjës së Madhe të Binajve ( nënës time biologjike).
Konvikti ynë u vendos, fillimisht tek një kazermë e ushtrisë italiane, afër kthesës që të ngjit në Veliqot. Konvikti i shtetit, në kushte thuajse fushore, u vendos, pranë lumit të ftohtë të Bënçës, më në Veri të një mulliri, të hershëm dhe dërstilës. Drejtor i konviktit ishte një burrë me shtat të shkurtër e me flokë të rëna , përpara, mjaft i sjellshëm, e dashamirës, të cilin e quanin Zyhdi Fetah. Drejtori i konviktit na priti me përzemërsi. Ai u takua me prindërit e konviktorëve dhe na udhëhoqi për në dhomën ku do të pushonim. Ekonomati i konviktit, një malazes, me shtat rreth 2 m të lartë, me flokë të drejtë, biondë, me sy bojëqielli, na drejtoi tek krevatët e telit ku do të pushonim, na dëftoi mensën dhe kuzhinën e na njohu me nxënësit që kishin ardhur para nesh. Qëndrimi ynë në këto mjedise kazermë, ku dhoma ku flinim ndahej prej menses me një perde doku dhe ku i kishim larg, si në fshat, mjediset sanitare, do të ishte i përkohshëm.
Në Tepelenë, pranë godinës dykatëshe të shkollës shtatëvjeçare ishte nisur e po ndërtohej një ngrehinë njëkatëshe, me çati, në formën e shkronjës U, me mure guri, e cila, do të shërbente, si strehë, për ne konviktorët. Ai do të ishte konvikti ynë. Ngrehina parashikohej të përfundonte së ndërtuari pas 3-4 muajsh, nga nisja e mësimeve, dmth aty nga fundi i vitit 1952. Proçeset e punës, për ndërtimin e saj kryheshin me dorë, prandaj ngritja e godinës zgjatej e zgjatej. Derisa të ndërtohej konvikti i ri, na duhej të mësonim në shkollën unike egzistuese dhe të ushqeheshim e të kalonim natën në kazermën e Ushtrisë Italiane, e cila gjendej, disa kilometra larg.
Çdo ditë, në mëngjes e në drekë, të rrjeshtuar, për një ( se rruga automobilistike, anës së cilës kalonim ishte e ngushtë e pa trotuarë), me drejtorin e konviktit – Zyhdi Fetah, në krye, kalonim, anës rrugës automobilistike, dilnim tek rrapi shekullor, kalonim anës Kalasë, ngjitnim një malore të shkurtër dhe mbërrinim në shkollë. Në mëngjes, na plevitoste era e ftohtë dhe e fortë që frynte në Luginën e lumit të Bënçës. Na ngrinin, në veçanti duart dhe fytyra. Sapo dilnim tek rrapi i moçëm dhe merrnim atë copë rrugë të drejtë rrëzës së Kalasë të Aliut, të çkulte, nga vendi era e freskët. Mbasi përfundonim orët e mësimit, ashtu si në mëngjes, me rrjesht dhe nga e njëjta udhë, ktheheshim në konviktin tonë të përkohshëm. Ishte vjeshtë e parë dhe moti kishte nisur të futej në hullitë e freskimit. Lugina e Bënçës i sillte erërat e ftohta që nga lartësitë e malësisë të Kurveleshit, nëpërmjet grykave që gremiseshin në ato rrëpira shkëmbore.
Në shkollë, u paraqitëm me petkat më të mira që kishim, të cilat, gjithsesi ishin mjerane. Për mua , që vija nga një familje shumë e varfër veshja ishte nga më të këqijat e shokëve. Me shumë sakrifica , nëna dhe babai, më kishin blerë apo më kishin bërë një konde ( këmishë) dhe një palë pantallona, dosido. Afërsisht, si unë ishin dhe bashkëfshatarët e mi. Stina e ftohët po afrohej dhe veshja me petka më të ngrohta, doli në plan të parë. Të gjithë, ne, kalivaçasit ishim me bursë shteti të plotë dhe shteti mendoi, edhe për veshjen tonë. E njëjta gjë ndodhi dhe me konviktorët e tjerë. Brenda muajit shtator të vitit 1952, mbasi na kishin marrë masën, na pajisën me veshjen e re të konviktorit.
Petkat tona, ishin të reja. Një kostum i zi, i përgatitur nga stof i hollë, cilësor, i qepur me porosi, na nxorri në pah trupin tonë fëmijëror. Ishim rritur në mjedise fshatare, veprimtarinë e kishim kryer në terrene të thyer, kishim bredhur pas shtjerrave e kecërrve nëpër ato bregore me shkurre dhe, rrallë gjeje, ndonjërin prej nesh me shtat të drejtë e të rregullt. Sidomos këmbët i kishim bajmak.
Përveç kostumit, konvikti na pajisi me këmishë të bardha, me nga një fanelë, të bardhë, të thurur me fije pambuku, me mëngë të gjata e me kanale për së gjati. Na dhanë dhe këpucë të zeza, sipas numërave të këmbës. Këpucët ishin të qepura, anash, me fije peri dhe, pas 2 javësh, i kishim të hapura , “ gojë”. Teknologjia e përpunimit, aso kohe ishte e prapambetur dhe këpucët qepeshin me penj të bardhë, të fortë, si spango. Na dhanë dhe çorape pambuku.
Shtatori, si muaji i parë i shkollës, kaloi shpejt. Si ne dhe trupi mësimor pedagogjik, u morëm me sistemimin tonë, në konvikt dhe me organizimin e mësimit, duke na shpërndarë nëpër klasa. Disa nxënës, me moshë më të rritur, si Diftir Stroka, nga Golëmi i Gjirokastrës; Fatbardha Rumani, nga Janjari i rrethit të Sarandës, Maliq Lila, nga fshati Dukaj, i Tepelenës; Begë Tena , nga Hormova; Heqber Skëndi, nga Rexhini i Kurveleshit dhe Lina Vllahu, nga Peshtani i Tepelenës, ishin, një klasë më lartë nga ne , në klasën e gjashtë. Ata , u veçuan nga grupi ynë e u integruan në klasa së bashku me nxënësit nga qyteti i Tepelenës.
Ja vlen të përmendet një fakt , interesant, që na bind në dashurinë që kanë tepelenasit për arsimimim e tyre dhe dëshirën e tyre për t’u shkolluar edhe kur duhettë sakrifikojnë shumë. Nxënësi Maliq Lila dhe ai Piro Naqellari, të cilët nuk ishin konviktorë , vinin në shkollën shtatëvjeçare të Tepelenes ( në rreth , në atë kohë nuk kishte shkollë tjetër të këtij niveli) , i pari nga Dukajt e i dyti , ngaMemaliajt ( qytet). Vinin në shkollë e ktheheshin ,në shtëpi , brenda ditës , duke përshkuar rreth 10 km, rrugëtim, në këmbë, pavarësisht nëse moti ishte i thatë, me rreshje apo i ftohtë. Ky ishte një heroizëm fëmijëror , i padëftuar. Se çfarë i shtynte këta dy djem të sakrifikonin aq shumë, e merrni me mend. Dhe mundi nuk u shkoi dëm; Maliqi çau, në udhën e dijes, me shumë vullnet , këmbëngulje e aftësi dhe u be ai që u bë. Kështu dhe Pirrua , i vendosur në qytetin që po rritej të Memaliajt.
Në klasën e pestë, siç më kujtohet , pas kaq vitesh , ishin:
1)- Lutfije Kokaj, nga fshati Memaliaj, i Tepelenës;
2)- Rustem Sharkaj, nga fshati Memaliaj, i Tepelenës;
3)- Ajaz Shehaj, nga fshati Dukaj, i Tepelenës;
4)- Meme Bërxhaj, nga fshati Dukaj, i Tepelenës;
5)- Hasan Mustaj, nga fshati Salari, i Tepelenës;
6)- Dinore Llakaj, nga fshati Salari, i Tepelenës;
7)- Kajaçe Dulaj, nga fshati Salari, i Tepelenës;
8)- Zaim Ahmetaj, nga fshati Lab Martalloz, i Tepelenës;
9)-Eqerem Dashaj, nga fshati Dhemblan, i Tepelenës;
10)- Agron Gjergaj, nga fshati Sinanaj, i Tepelenës;
11) – Ëngjëll Muhaj, nga fshati Matohasanaj, i Tepelenës;
12) – Selim Dervishaj, nga fshati Dorëz, i Tepelenës;
13) – Aleme Çakaj, nga fshati Progonat, i Tepelenës;
14) – Safo Matohiti, nga fshati Progonat , i Tepelenës;
15) – Hetem Bardhi, nga fshati Gusmar, i Tepelenës;
16) – Hysen Shehu, nga fshati Hormovë, i Tepelenës;
17) – Kajtaz Tola, nga fshati Shtëpëz, i Gjirokastrës;
18) –Dhurim Zani, nga fshati Fushëbardhë, i Gjirokastrës;
`19) – Tomorr Maçi, nga fshati Zhulat, i Gjirokastrës;
20) – Hatixhe Hila, nga fshati Zhulat, i Gjirokastrës;
21) – Jorgo Neranxi, nga fshati Janjar, i Sarandës;
22) – Zaferica Sinani, nga fshati Janjar, i Sarandës;
23) – Servet Rumani, nga fshati Janjar, i Sarandës;
24) – Fatbardha Rumani, nga fshati Janjar, i Sarandës;
25) – Niqi Çuçi, ng fshati Labovë e Kryqit, të Gjirokastrës;
26) – Antigoni Koti, nga fshati Saraqinishtë, i Gjirokastrës;
27) – Krisanthi Jani, nga fshati Theollogo, i Gjirokastrës;
28) – Simo Mehmeti, nga fshati Gjashtë, i Sarandës;
29) – Murat Bani, nga fshati Gjashtë, i Sarandës;
30) – Pirro Maqellari, nga Memaliajt ( qytet);
31) – Androkli Maqellari, nga Memaliaj ( qytet);
32) – Eqerem Brahaj, nga Memaliaj ( qytet);
33) – Haxhi Shehu, nga fshati Bënçë , i Tepelenës;
34) – Qamil Muçobegaj, nga fshati Kamçisht, i Tepelenës;
35) – Demir Hoxhaj, nga fshati Krahës, i Tepelenës;
36) – Rumi Demiraj, nga fshati Luzat, i Tepelenës;
37) – Bahrije Gjinushi, nga fshati Hormovë, i Tepelenës;
38) – Fazlli Veizaj, nga fshati Kashisht, i Tepelenës;
39) – Abaz Lamkaj, nga fshati Damës, i Tepelenës;
40) – Hiqmet Goxharaj, nga fshati Arrëz, i Tepelenës;
41) – Mazllëm Hoxha, nga fshati Toskë Martalloz, i Tepelenës;
42) – Ëngjëll Mastori, nga Delvina ( qytet);
43) – Shemsi Guçaj, nga fshati Maricaj, i Tepelenës;
44) – Avni Muçobegaj, nga fshati Kamçisht, i Tepelenës;
45) – Minushe Hysenaj, nga fshati Levan , i Tepelenës;
46) – Ervehe Metaj, nga fshati Levan, i Tepelenës;
47) – Kadri Gjergjaj, nga fshati Levan, i Tepelenës;
48) – Kadri Lamaj, nga fshati Levan , i Tepelenës;
49) – Bejeko Durmishaj, nga fshati Mezhgoran, i Tepelenës;
50) – Estref Myftari, nga fshati Vërzhezhë, i Skraparit;
51) – Niazi Nelaj, nga fshati Kalivaç, i Tepelenës;
52) – Vezir Muharremaj, nga fshati Kalivaç, i Tepelenës;
53) – Sadik Nelaj, nga fshati Kalivaç, i Tepelenës;
54) – Selam Zenelaj, nga fshati Kalivaç, i Tepelenës;
55) – Hydajet Mehmetaj, nga fshati Kalivaç, i Tepelenës;
56) – Jani Boli,nga Saranda;
57) – Filip Pango, nga Gjirokastra.
58) – Qazim Lilaj, nga fshati Qesarat, i Tepelenës;
59) – Muharrem Sakaj, nga fshati Qesarat, i Tepelenës;
60) – Ëngjëll Mastori, nga Delvina, etj.
Koha e gjatë që ka kaluar, patjetër që ka lënë gjurmë harrese edhe në kujtesën time, ndonëse, dikush e konsideron atë, si të rrallë. Po mundohem të hedh në letër, gjithmonë sipas kujtesës time, emrat e mësuesve dhe lëndët që ata drejtonin. Drejtor i shkollës, fillimisht ishte xha Murat Koçiaj, nga fshati Sinanaj i Tepelenës. Ai ishte më i moshuari por tepër i pasionuar e i përkushtuar, për të na transmetuar dije. Xha Murati drejtonte mësimet e Gjuhës Shqipe, një lëndë, tejet e vështirë, për ne. Veç ta dëgjoje atë njeri, kur na spjegonte e na argumentonte çdo detaj. Ai ishte tepër i vemendshëm ndaj qendrimit tonë në klasë dhe, gjatë zhvillimit të mësimit kërkonte të mbanim qetësi. Ne; si ne; nxënës të mbledhur nga fshatra të ndryshëm, me sjellje e huqe që nuk i ngjanin njëri-tjetrit. Siç bëjnë gjithë bashkëmoshatarët tanë, dje dhe sot, lëviznim shumë dhe me zhurmë, në klasë e jashtë saj.
Xha Murati, gjatë kohës që drejtonte orët e mësimit, kish në shkollë, dy vajza: Adelinën dhe Dritën. Ai u jepte mësim vajzave të tij, por nuk u bënte asnjë lëshim. Murat Koçiu , na mësonte, si mësues dhe si prind. Ruaj kujtime shumë të mira, për atë edukator të brezit të ri dhe Atdhetar i pastër. Mësimdhënien në nivel “ shëmbëllor”, ai burrë i paktë nga shtati por jo nga mendja e kishte qëllimin e jetës së tij dhe ia bënte shërbimin; si ai. Më është ngulitur në kokë e nuk më hiqet, sa të jem në jetë , një thënie e tij që më pëlqente shumë, kur isha në shkollë e sidomos e kujtoj me nderim tani që u zbardha: “Mësoni mor djem, se për vete e kini, po nuk mësuat ju e po nuk u bëtë ju, do të na mbytin grekët”. Nuk ishte nacionalist e nuk i përbuzte fqinjët xha Murati, por donte që në Tepelenë dhe në të gjithë vendin tonë, mësuesit të ishin vendas.
Në vitet ’50 të shekullit që lamë pas, arsimtarët e shkollave ishin, kryesisht elbasanas. Ndodhte kështu, mbasi elbasanasit, para kësaj periudhe, por dhe më pas kanë qenë të privilegjuar në fushën e arsimimit. Në fillim të shekullit të njëzetë në Elbasan funksiononte shkolla e mesme pedagogjike, e cila u pagëzua me emrin: Shkolla Normale. Vetë fjala normale është domethënëse, derisa ajo bën fjalë për normalitet. Prej saj përgatiteshin mësues të cilët shtegtuan nëpër të gjitha trevat e vendit ku përçuan diturinë.
Mësuesit nga Elbasani, ishin të rinj dhe të pamartuar. Ata banonin në konviktin tonë, në një dhomë më vete, në këndin Juglindor të ngrehinës. Më kujtohet vetëm emri i mësuesit elbasanas Xhevdet Çiraga i cili drejtonte mësimin e fizkulturës dhe mësuesit të urtë e shpirt njeriu nga Kruja- Haki Kovaçi, i cili na jepte historinë. Ai kish dhe motrën adoleshente, një vajzë tepër të bukur- Naxhijen, e cila ishte kujdetare e konviktit tonë. Xha Murati ishte nga të paktit tepelenas arsimtarë. Atë vit ( në vitin mësimor 1952-1953),na erdhi mësues, Zihni Haskaj, nga fshati Dragot i Tepelenës, i cili sapo kish mbaruar Shkollën Pedagogjike të Gjirokastrës e ishte rreth 18 vjeç, i veshur me një kostum të zi, i drojture pa përvojën e nevojshme. Si më i riu mes mësuesve, Zihniu u aktivizua për të na dhënë lëndën e botanikës e diçka tjetër, si gjeografia. Ai ishte mjaft i “butë”, dëgjonte shumë e fliste pak. Kur futej në klasë Zihniu, skuqej, nga turpi.
Kishte dhe 4-5 mësues nga Gjirokastra. Dy vëllezërit: Bardhyl e Genci Joka dhe motra e tyre Lavdije, të cilët kishin ardhur nga Libohova e Gjirokastrës. Drejtori i konviktit ishte po nga Gjirokastra dhe quhej Zydi Feta. Mbaj mend një arsimtar që luante në fizarmonikë i cili quhej Thoma Note dhe të fejuarën e tij,të bukurën Kasjani. Ata, të dy, përbënin një çift mjaft simpatik e harmonik. Nga Palortoja ( lagje e qytetit të Gjirokastrës), ishte dhe infermjerja e konviktit, e cila e kishte emrin Leci dhe ishte e bija e Talo Mballomës, një kryefamiljari rom. Njëri nga mësuesit ishte krutan. Haki Kovaçi, me prejardhje nga një familje fisnike krutane, ishte tejet i urtë e i sjellshëm dhe na mësonte më tepër mirësinë se historinë.
Pas largimit të mësuesve nga Elbasani, në Këshillin Pedagogjik të shkollës sonë, erdhi, mësuesi i matematikës, Odise Zhupa, me origjinë nga fshati Çorraj i rrethit të Sarandës. I Rrepti Odise Zhupa; kërkuesi Odise Zhupa; seriozi Odise Zhupa. Kur u largua nga shkolla, xha Murati, e doli në pension pleqërie, në vend të tij, drejtor i shkollës unike të Tepelenës, u caktua Odisea. Ndoshta, ata që e emëruan Odisenë, në këtë detyrë, kanë menduar të venë një dorë të fortë, në krye të këtij institucioni arsimor; e thënëtjetërsoj, i gjetën “ zot” punës. Vetë lëndët egzakte që drejtonte Odisea, që në të parë krijonin mendimin e një njeriu “ të fortë”, i cili do ta vinte në vijë mësimdhënien. Ai drejtonte dy nga lëndët më të vështira, të cilat ia ushqenin autoritarizmin Odisesë e ai diti ta shfrytëzonte, në dobi të tij këtë përparësi. Ç’është e vërteta, ai i zotëronte mirë e i drejtonte me kompetencë këto dy lëndë. Të jem i sinqertë, edhe pse isha nxënës shumë i mirë, prapseprap, mësues odisenë e kisha frikë. Ai, në mësim ishte tepër serioz e korrekt. Kur nuk i përgjigjeshe, ta vinte notën negative, me një buzëqeshje të ëmbël, gjatë së cilës i ndrinte një dhëmb i artë, në nofull dhe me këshillën emënçur: “ Mëso më mirë”!
Mësuesit nga Gjirokastra i plotsonte mësuesi Bektash Zite, i cili drejtonte lëndët të ashtuquajtura “të lehta”, si historinë, gjeografinë e ndonjë lëndë tjetër. Përgjithësisht, mësuesit tanë ishin të rinj në moshë e me përvojë pune të pakët. Pas daljes nga skena të Xha Muratit, më i moshuari mbeti krutani Haki Kovaçi, i cili nuk e pati jetën të gjatë, si në shkolën tonë dhe në qytetin eTepelenës. Ai u largua nga qyteti e nga rrethi i Tepelenës, pas një ndodhie të pakëndshme.
Është e qartë; do të isha më i saktë e më i plotë në këtë shkrim, po të kisha mbajtur ditar të mirëfilltë, ditë pas dite, në atë kohe. Rrallëkush, në moshën time të asaj kohe, ka mbajtur ditar; prandaj jam i detyruar ti referohem kujtesës time dhe të mjaft shoqeve e shokëve si dhe mjaft qytetarëve tepelenas, të cilët, në atë kohë kanë qenë madhorë e aktivë.
Qyteti i Tepelenës, në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, ngjante me një fshat, nes grykave të maleve dhe lumenjve që rrjedhin në atë hapësirë. E thyer dhe e ashpër natyra; e fortë, shpesh e ndryshueshme klima; të fortë e të ashpër njerëzit e saj, siç i ka përcaktuar dhe i Madhi Bajron. Nga sa di unë, erë si ajo e Tepelenës, në vendin tonë, mund të fryjnë në Lezhë; në Milot; në Krastë të Elbasanit; ndoshta dhe në Qafë Buall të Bulqizës. Në Tepelenën e atyre viteve, ndërtuesit i bënin dritaret me dy palë xhama, për t’u mbrojtur nga era e fuqishme dhe e ftohtë që frynte në atë “sofër” malesh. Nuk njeh pushim era, në Tepelenë, gjat gjithë ditës dhe në çdo orë të saj. Në këtë kryqëzim grykash rrallë gjen ditë të vitit, pa erë.
Në ata vite, qyteti i Tepelenës ishte me pak ngrehina e me pak banorë. Një gojëdhënë qarkullonte gojë më gojë se këtë qytet, një “ shënjtor” e paska nëmur, me fjalët: “ Tepelena: 99; kurrë qindi mos u bëftë”! Shumëkush e besonte këtë mallkim . Kishte nga ata që numëronin sa shtëpi kish qyteti dhe prisnin të vertetohej profecia, sipas të cilës, po të ngrihej një godinë e re, një tjetër do të rrëzohej e do të zhdukej nga faqja e dheut. Mirëpo vitet që pasuan atë periudhë kohe, vërtetuan të kundërtën e asaj që thuhej rëndom. Në vite, Tepelena u shtua e u shumua , u zbukurua e u hijeshua dhe sot është bërë një zonjë e rëndë. Gojëdhëna ka mbetur vetëm në mendjen e atyre që e kanë ditur.
Banorët e Tepelenës, të ardhur, së shumti nga rrethinat, dhe nga malësia e Kurveleshit të sipërm, nga krahinat: Lopës, Buz e Krahës; në vçanti pas shpërnguljeve të pasviteve ’90, krahas emigrimit iu nënshtruan dhe migrimit të brendshëm dhe e mbushën këtë qytet me ardhës të shumtë. Tepelenasit, kudo ku kanë shkuar e janë vendosur nëpër botë, dallohen për zgjuarsi , shkathtësi , mençuri e trimëri dhe i kanë bërë vend vetes, kudo. Ata bëjnë beli e “nuk ua ha qeni shkopin”. Atyre që kanë në gen gjak nga i të parëve të tyre, të kësaj treve,” nuk ua kalon dot njeri ujët nën rrogoz”. Ata e kanë zemrën si prush e syrin, me çika.
Le të kthehemi tek çështja jonë, tek qyteti që nisëm të përshkruajmë: Kalaja e Aliut, e cila vjen nga Mesjeta është objekti më madhështor i qytetit; krenaria e tij. Kalaja madhështore , me histori trimërie, lumi i Viosës , i cili kalon poshtë saj , malet që i rrinë si kurorë dhe lumenjtë që lagin këmbët e saj, së bashku me rrugët që të çojnë në Jug të vendit , e bëjnë Tepelenën një qytet me emër e me shumë vlera , në Jug të vendit.
Në vitet e shkollimit tim, në Tepelenë; qyteti përshkohej nga një rrugë e vetme. Ajo e kishte zanafillën tek Rrapi i Madh, atje ku është ngritur busti i “Heroit te Popullit” Selam Musa Salaria, çapitej rrëzë kalasë të moçme, drejt Jugut, ndërpriste atë copë qytet, dilte tek ish varrezat e dëshmorëve dhe merrte drejtimin për në fshatin Luzat e më tej. Kjo rrugë e vetme, e paasfaltuar, ishte njëkohësisht dhe sheshi i qytetit. Përgjatë rrugës kryesore të qytetit, në të dyja anët e saj, ishin disa ngrehima, ku, më në sy binte hoteli i ri, me dy kate, rekrutimi ( dega ushtarake e rrethit), postë telegrafa etj. Në anën Perëndimore, lartësohej, klubi i vetëm ( pijetorja), në katin e dytë të së cilës ishin disa shtëpi banimi. Ndërtesat me dy kate, në ata vite, në Tepelenë, numëroheshin me gishtat e njërës dorë.
Ngrehina me destinacion mix ( poshtë pijetore dhe dyqanë; lart banesë për qytetarët) vazhdonte, deri tek kthesa në Veri, ku ishte një çesmë e lashtë dhe, më tej, vijonte një rrugicë, e ngushtë me banesa njëkatëshe, në njërën nga të cilat, në anën Perëndimore të rrugicës, banonte një grua, e vetme, me kombësi italiane, e mbetur nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Gruan me moshë rreth të dyzetave e cila quhej Pipina dhe merrej me rrobaqepësi,e njihnin të gjithë e ajo kish reputacion, në qytet. Në shtëpinë e saj, sidomos, mbasditeve, mblidheshin nxënës, si unë e shoku im i ngushtë Servet Rumani, nga Janjari i Sarandës. Ne shkonim tek ajo, për të mësuar Gjuhën Italiane dhe për të “ vrarë” kohën. Shoku im ishte bukurosh dhe i “ ëmbël “. Pipina synonte ta birësonte, por, siç duket, nuk u arrit të bëheshin gati dokumentet e nevojshme.
Përballë shtëpisë të Pipinës, në anën tjetër të rrugicës, ishte gjykata e rrethit të Tepelenës, një ndërtesë me dy kate, me shkallë druri. Në këtë institucion, disa nga nxënësit e shkollës unike, kur “vidheshin” nga ndonjë mësim i mërzitshëm, kalonin disa orë e, më pas bënim qyfyre, me ato që dëgjonim gjatë gjykimit të çështjeve të ndryshme.
Nga çesma e lashtë, ngjitej përpjetë një rrugicë, në anën e majtë të së cilës ishin disa dyqanë të ulët njëri pas tjetrit. Në krahun e djathtë, në ngjitje, ishte një përrua, i thatë, i cili e kish rrjedhën, diku në mëhallën Dragotas. Mes dyqanëve, më bie ndërmend ai ku shiteshin metrazhe, me triskë e në shitje të lirë. Çmimet e metrazheve, kur ato shiteshin me triskëtim, kishin çmime më të ulët. Ishin të pajisur me triska: punëtorët e mbitokës, minatorët e nëntokës dhe një pjesë e qytetarëve. Fshatarëve nuk u jepnin triska e ata ishin të detyruar të lypnin triska, ose të përballonin çmimet e kripura, të shitjes me të shtrenjtë. Ne, konviktorëve na jepnin triska, gjë që përbënte përjashtim nga rregulli, ose një privilegj që na bënte shteti. Shitësi i metrazheve, ishte një burrë, rreth të pesëdhjetave, nga Nivica e Kurveleshit të Sipërm. Atë e quanin Servet Deda dhe kish qenë oficer në Ushtrinë Italiane, me gradën e majorit. Serveti ishte simpatik, mjaft i rregullt e i disiplinuar, në punë e në jetë. Sipas modelit të ushtarakut sqimëtar, Serveti vishej me gusto, përherë e shikoja të rruar, të qethur, me flokë të shtrirë e të lyer me brilantinë, me këmishë të pastër dhe binte në sy për sjellje gjithë edukatë e kulturë.
E kundërta e tij ishte një shitës perimesh, i shkurtër, me mustaqe të vogla, i cili kish qenë kapterr, në ushtri dhe ishte liruar, por kishte mbetur fshatar, në të gjithë qëndrimin e tij, edhe pse jetonte në qytet. Kapterrit nuk ia kujtoj emrin por fizionominë e tij e kam parasysh, si tani. Me moshë që nuk i kalonte te tridhjetat, i shkurtër, rreth 160cm. në një dyqan thuajse bosh ( perimet , në ata vite, nuk njiheshin e konsumoheshin mjaft të kufizuara), tërë ditën këndonte këngën e tij të preferuar, me sa duket , për të tërhequr vemendjen.
“… Në valle doli qeleshi;
Me mustaqe gjer tek veshi;
Përplaste këmbët për sheshi…”.
Disa hapa më sipër ishte një barangë e vjetër, e përshtatur për dyqan, brenda së cilës me vështirësi mund të rrotullohej një njeri. Ishte dyqani i opingarit me ngjyrë Resmi Ymeri. Xha Resmiu, një burrë i moshuar, thatim, me mustaqe të gjata, me fëndyell e me darë dhe me një çrkiç , me dy veshë, riparonte opinga dhe ropatej , gjithë ditën , për të nxjerrë bukën e gojës, për vete dhe për familjen. Me punën që bënte dhe me shpirtin e mirë që kish, Xha Resmiu dukej i kënaqur dhe e kryente atë proçes teknologjik, edhe pse të prapambetur, me shumë vullnet e dashamirësi. Në dyqanin e tij të ngushtë, disa gra, nga Kalivaçi, si Hysnija e Musa Mehmetit; Memja e Muharrem Hasanit; Memja e Ceno Rakipit; Vezikua e Qazim Lazes; Shefikua e Demir Seitit e ndonjë tjetër dhe plot gra të tjera nga fshatra të ndryshëm, linin torbat, ose plaçkat që kishin blerë dhe Xha Resmiu besnik i ruante ato, me fanatizëm. Resmi Opingari, me punën dhe me sjelljen e tij korrekte, ishte bërë i njohur e i respektuar në të gjithë fshatrat e rrethit të Tepelenës. Në dyqanin e tij , sapo kishte nisur të mësonte opingarinë djali i madh i mjeshtrit, Nimeti.
Pas kioskës të Xha Resmiut ishte tregu i qytetit. Treg i thënçin. Ai ishte një mjeran i mjeruar. Brenda “tregut” nuk kishte asnjë pajisje apo ndërtim dhe vendi i caktuar nga Këshilli Popullor, nuk ishte i rrethuar. Po çfarë tregtohej në atë mjedis biznesi? Në të dyja anët e udhës që shërbente si “treg” të zinte syri fshatarë, të veshur me rroba shajaku apo me petka prej doku, të cilët kishin prurë, për të shitur, një dhi, një dele, ndonjë shakull me gjizë, ndonjë varg me fiq, disa kokrra shegë apo ftonj, një torbë me arra apo me bajame, një bashkë lesh dele, një varg me duhan, etj. Rrallë të zinte syri ndonjë thes me grurë, me misër, me elb, me hokërr ( tepë), një dorë fasule, fierza, koçkulla etj. Ishin vite krize e drithërat e bukës i nënshtroheshin një çensure të rreptë. Fshatarit i merreshin të gjitha prodhimet e tepërta e i liheshin vetëm aq drithë sa mezi ushqente familjen.
Kur vinin në Tepelenë, 2-3 gra të fisit tim, nëna më dërgonte me to, ndonjë gjë, për të ngrënë. Edhe në rastet kur imeë nuk arrinte të dërgonte diçka, Hysnija dhe Memja, nuk vinin kurrë pa më prurë diçka; si mua dhe Sadikut, i cili ishte kanakari i Memes dhe ajo e përcillte edhe në konvikt ( i kërkonte midenë). Ato i linin dhuratat tek Xha Resmiu e vinin na takonin, në shkollë ose në konvikt. Dhuratat ishin: disa fije petulla; ndonjë kokërr vezë e zier, pak revani apo paluze; qullapite; në të rrallë ndonjë pulë e më tepër fruta të thatë, sidomos vergje me fiq, ose palafike. Me ushqimet që merrja nga nëna, sikur plotsohej kuadri i të ushqyerit, në konvikt ndonëse ajo ishte e dorës së parë.Më shumë se mbushja e stomakut, për mua merrte rëndësi fakti se ato gra, më sillnin nga fshati shumë dashuri dhe përkujdesjen e prinderve të mi. Kësisoj nuk e ndieja veten të vetmuar, gjashtë orë udhëlarg shtëpisë, dhe tek ushqimet që më sillnin, vështroja “prapavijën” që më mbështeste.
Shkolla jonë ishte thuajse në mes të qytetit, po të llogaritim lagjen Dragot, e cila ka qenë aty ku ndodhet edhe sot; në krye të qytetit. Ajo ishte një ndërtesë me dy kate, në një vend dominues, me një goxha balkon, të ekspozuar nga Lindja, në katin e dytë. Në balkon ishin mbjellë lule të shumta e të ndryshme, të vendosura drejtpërdrejt, në tokë, pa vazo. Përpara shkollës, në anën Lindore të saj, jo më shumë se 20m. larg, kishte shtëpinë Kadrije Skëndi, një grua me natyrë të egër dhe tepër agresive. Ajo kish dy djem: Agimin dhe Lilon. Agimi ish disa vite më i madh nga unë; ai ishte i së njëjtës moshë me Sabaudinin; Nazimin; Nazminë e Pajajve ; Zanen e Haxhiut, Sadatin, Hajronnga Dukaj, Arifin, etj. Shtëpia e Kadrijes ishte njëkatëshe, me çati të mbuluar me tjegulla; oborri i shtëpisë ishte i rrethuar me tel me gjëmba, të mbështetur mbi hunjë druri.
Në kohën e lirë, e cila shtrihej mes mbarimit të mësimit dhe nisjes të studimit, ne, konviktorët dhe nxënësit e “ jashtëm”, luanim me top. Topi ynë, si rregull ishte i vogël dhe prej llastiku. Shpesh, topi , pa dashje, gjatë lojës, binte në oborrin e rrethuar të familjes Skëndi. Kadrija, kur e vinte re këtë, rrëmbente topin, e çante, me një thikë buke, në dy pjesë e na i hidhte copët mbrapsht. Ishte e egër teto Kadrija . Ajo, me egërsi nuk sillej vetëm me ne, vandalizmin e saj, e paguanin dhe djemtë e saj.
Konviktin tonë e ndante nga shkolla një hapësirë jo më e madhe se 50m. Fusha që ndante dy godinat ishte e përshtatshme për të luajtur volejboll. Për fat të keq, në ata vite, volejbolli, në Tepelenë ishte një sport i rrallë, prandaj ajo, më së shumti shfrytëzohej për të luajtur futboll. Në anën Veriore të shkollës, në largësi jo më të madhe se 20m. ndodhej një tip kazerme , me taracë betoni, sipër dhe me mure e dysheme prej betoni. Ajo ishte , e ftohtë, akull. Organet kompetente e kishin përshtatur për strehimin e dy familjeve, të ushtarakëve të Repertit 84. Kazerma ishte e ndarë në mes, me një perde mushamaje, e cila improvizonte murin ndarës. Në anën Jugore të kazermës, banonte familja e një kapteri nga Kukësi, e cila numëronte 12 fëmijë. Në pjesën tjetër banonte familja e kapterit nga Kalivaçi, Fejzo Qazim Muharremaj, njërin nga djemtë e të cilit, Vezirin e kisha shok klase. Edhe ai ishte konviktor, si unë.
Në Perëndim të shkollës shtrihej varreza e qytetit. Një varrezë mesjetare, me njëterritor të pambrojtur ku kishin “ lulëzuar” drizat e ferrat. Rrallë shikoje ndonjë përrall i cili kishte mbirë, rastësisht. Asnjë varr nuk ishte i rregulluar e i veshur me pllaka mermeri, siç është sot varreza urbane e qytetit. Mjaft varre ishin shëmbur e njerëzit e kishin të vështirë të identifikonin vendin ku preheshin të ndjerët e sojit të tyre. Territori i kësaj varreze, i mbuluar nga barishtet shërbente, më tepër si kullotë, për blegtrorinë e imët dhe për lopët e qytetarëve.
Në anën Veriore të qytetit, zgjatej një mur guri, i lartë rreth 2 m, sipër të cilit ishte vendosur një shtresë drizash, me qëllim që të mos hynin në vendin e “ shënjtë” njerëzit dhe bagëtitë. Midis Përrallit, ishte një teqe. Gojëdhëna që qarkullonte aso kohe në mjediset tepelenase bënte fjalë për një vend “ të shënjtë”, i cili njihet si Demirhani i Tepelenës. Gjatë tre viteve që qëndrova, në konvikt e në atë shkollë, e cila ishte fare pranë Përrallit dhe teqesë, nuk pashë ndonjë klerik veç një dervishi endacak, me petka copë –copë, i pistë, në çdo qelizë, të cilin e ndiqnin fëmijët nëpër qytet dhe e shfrytëzonin imazhin e tij prindërit, për të frikësuar fëmijët e pabindur. Ai ishte Dervish Hakiu, i cili, po të ngacmohej prej fëmijëve, i shante ata, me fjalët: ” Ik; or kosovar i dreqit”! Se çfarë kishte parasysh ai i pamëntë me këto fjalë, hajde deshifroje?
Aty nga viti 1954, midis shkollës tonë dhe mëhallës Dragot, u ndërtua fusha e futbollit e qytetit të Tepelenës. Ajo fushë futbolli, e lënë në mëshirë të fatit; pa bar e pa denazhim, pa asnjë shërbim, e kreu, fare pak funksionin për të zhvilluar ndeshje e për stërvitjen e futbollistëve. Vetëm ne, fëmijët e shkollës, luanim duke shfrytëzuar gjysmën e saj dhe bëheshim tërë dhe e baltë. Nuk di kur dhe përse, ajo fushë u shpërngul përtej lumit të Viosës, mbasi u shkulën kucrat e vreshtit të dikurshëm. Fusha e re ishte me porta e me përmasa olimpike por nuk kishte rrjeta, për portat, madje dhe kur zhvilloheshin takime të rëndësishëm. Mëhalla e Dragotit dhe Ajsbiku ishin aty ku ndodhen sot e kësaj dite.
Në Jug-Perëndim të qytetit, shtrihej një masiv me drurë bajamesh, të “azdisura” të cilave nuk u shërbente njeri e nuk i mblidhte askush. Ato ishin të të gjithëve dhe të askujt. “Plantacioni “ i bajameve shtrihe, nga godina dykateshe e Komitetit Egzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit deri në rrëzë të Pallçisë, atje ku ndodheshin disa baranga prej dërrase, të përshtatura për banim, në të cilat strehoeshim familjet e kapterëve të karrierës të repartit të ndjekjes që mbante numërin konvecional 84. Në mes të “plantacionit” të bajameve, ishte një fushë dutbolli, me dimensione të reduktuara, ku luanim ne, vocërrakët konviktorë dhe djemtë e moshës tonë të qytetit. Pranë fushës ishte ngritur godina e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Tepelenës. Godina ishte me dy kate e me çati të mbuluar, me tjegulla. Shkallët për t’u ngjitur në katin e dytë ishin të brendshme, prej druri. Godina nuk ishte fort e qendrueshme dhe na ngjante si një kaike që lëkundet nga dallgët, kur frynte erë e furishme. Atë e rrihnin sidomos erërat që frynin nga Gryka e Këlcyrës, por dhe nga lugina e Drinosit, për arsye se andej nuk kishte objekte të lartë që ta mbronin.
Në vitin 1953, në qytetin e Tepelenës funksiononte vetëm një pijetore,e cila ndodhej përballë degës ushtarake të rrethit ( rekrutimi). Në këtë pijetore, ku pihej kryesisht raki, mblidheshin qytetarë, fshtarë dhe ushtarakë të repartit të vetëm që kish Tepelena, atij me numër konvencional 84. Ky repart, në përbërje të të cilit ishin fshatarë, me moshë sipër asaj të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në të shumtën e rasteve, familjare me fëmijë që banonin në fshatrat përkatës. Ata ishin efektivë, me pagë. Destinacioni kryesor i tyre ishte ndjekja dhe asgjësimi i grupeve diversioniste dhe të arratisurve ( firarëve), shfrytëzoheshin dhe për detyra të tjera,korente operative. Reparti ishte i dislokuar buzë lumit të Bënçës, në fushën e vetme të Tepelenës, aty ku Ushtria Italiane kishte ndërtuar disa kazerma ,gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në disa nga këto kazerma, në kushte të plotë mjerimi, banonin familjet e të internuarve, të cilët ishin, kryesisht veriorë. Ata i dalloje lehtë nga vendasit, për shkak të gjuhës gegërisht që flisnin dhe çorapeve e trikove me lule që mbanin veshur. Të internuarit qarkullonin nëpër qytet me grupe njerëzish, me orar të përcaktuar dhe në rrugë e vende të paracaktuara dhe në ditë të veçanta.
Disa aspekte mbresëlënëse gjatë jetës në konviktin e Tepelenës.
I pari, Në Repartin me numër konvencional 84, efektivët ishin kryesisht fshatarë, të paarsimuar, të cilët kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe ishin veshur sërisht, me gradën e kapterit e me pagë muajore fikse. Në këtë komunitet ushtarakësh, për mendimin tim ishin grumbulluar disa dembelë,hileqarë dhe përdorues sistematikë të pijeve alkoolike. Gjithsesi, shënjë barazimi, nuk mund te vemë. Të gjithë ishin familjarë dhe hallexhinj. Rrogën e tyre, e cila, krahasuar me pagat e asaj kohe, nuk ishte e keqe, mezi e prisnin familjet e tyre, që i kishin lënë në fshat, ose i kishin marrë me vete dhe banonin në qytetin e Tepelenës, në kushte tejet të vështira.
Nga Kalivaçi i Tepelenës, ishin efektivë të Repartit 84 të ndjekjes: Beqir Sulo Sulaj; Sulejman Musa Bilaj; Xhelo Ahmet Caushaj; Fejzo Qazim Muharremaj; Tefik Bajram Isufaj; Sulo Bajram Hysaj e ndonjë tjetër. Ata, si bashkëfshatarë, thuajse çdo fundjavë takoheshin miqësisht e pinin raki, pa meze, në klubin e vetëm të qytetit. Praktika e tyre ishte e thjeshtë: Zinin një tavolinë, si rregull në qoshen Veriore të lokalit dhe qerasnin, njëri-tjetrin, me radhë, sipas një grafiku, të cilin ata e caktonin dhe e zbatonin vetë, me mend, pa qenë e nevojshme të bënin evidencë. Nuk bënin pjesë në këtë grup: Xheladini ( Xhelo Ahmet Caushaj) dhe Fejzo Qazim Muharremaj. Dajo Sulua ( kushëri i parë i nënës time); Tefiku dhe Beqiri, ishin pjesëmarrës të përhershëm. Sulejman Musa Bilaj, herë merrte pjesë e herë jo, në këtë “ mbledhje”. Meqënëse Sulo Bajrami ishte i afërt me nënën time (djalë teze) dhe me të tjerët isha në lidhje gjaku ose krushqie, hera-herës shkoja dhe unë e bëhesha pjesë e tavolinës së tyre. Me statusin e konviktorit, pa asnjë lekë në xhep, ndiqja bisedën e tyre dhe haja ingranazhe, kurabije, hallva e kaposhë, nga ata që bënte Ali Gega ( Çeliku) ose llokume, me të cilat më qerasnin kapterët kalivaças. Nuk më linin të paguaja, kurrë. Kësisoj , nuk më dilte keq fundjava, mua konviktorit të pangopur me ushqimin që na jepnin në institucion.
Në vitin 1954, në të gjithë vendin u zhvillua një hua e madhe shtetërore. Mes popullsisë shpërtheu një garë e shfrenuar, me objekt : kush të hidhte më shumë para. Huaja shtetërore ishte një lloj ndihme, për shtetin e dobët ekonomikisht, i cili kishte nisur të mëkëmbej, mjaft ngadalë. U çanë radiot ( se televizorë nuk kishte dhe nuk kishte vend në faqet e gazetave të pakta, për të reklamuar protagonistët më në zë të atij aktiviteti kombëtar). Xheladin Ahmet Caushaj, nga Kalivaçi, njeri i “leshtë”, nën ndikimin e eprorëve dhe të shokëve dhuroi në këtë hua shtetërore, pagën e gjashtë muajve. Emri dhe fotografia e tij, u botuan në gazetën “Bashkimi”; Xhelua e mbante atë, në xhepin e brendshëm të setrës dhe, sa herë takonte të njohur e të panjohur, nxirrte gazetën, ua dëftonte e mburrej, me të. Pas aktit atdhetar që bëri, i cili u trumbetua me forcë, Xhelon, ishte e vështirë ta takoje . Ai shoqërohej “ me parinë” e qytetit dhe kishte hedhur rrënjë në presidiumet e mbledhjeve. Mirëpo, kur vinte dita e rrogave, arkëtari, me gjakftohtësi, i mbante Xhelos, detyrimin në të holla, që kishte marrë përsipër, vullnetarisht. “Trimi” ynë, kapter Xhelo Ahmet Caushaj, i cili , me aktin atdhetar që bëri, nderoi veten dhe fshatim, mbeti pa një dhjetësh në xhep e , gjashtë muaj me radhë vinte vërdallë nëpër qytet, si mulliri që sillet, pa kokrra brenda.
I dyti, Kur vdiq Josif Visarionoviç Stalini, më 5 mars të vitit 1953, njoftimin e morëm nga radio Tirana, të ndodhur në një grumbull moshatarësh, përpara barangës të Resmi Opingarit. Nuk mbeti njeri pa derdhur lot hidhërimi. Të atillë e kishte propaganduar në sytë tanë, partria shtet, atë figurë politike shtetërore sovjetike. Stalini, në përfytyrimin tim fëminor e të moshatarëve të mi, njësohej me babanë e botës së re. Të shumtë ishin ata që pëshpëritën: “ Bo- bo, tani që vdiq Stalini, iku bota”! Këtë ngjarje, ne fëmijët e asaj kohe e përjetuam dhe e përcollëm me dhimbjen që na kishte mëkuar propaganda njëpartiake e kohës. Dëgjonim, në heshtje, qanim e me zë të ulët , i pëshpëritnim njëri-tjetrit hidhërimin që ndjenim. U desh mjaft kohë që të kuptonim si qëndronte e vërteta.
I treti, Ishte koha kur nëpër rrugën automobilistike , të sapohapur Tepelenë-Memaliaj, qarkullonin makina të tipit Zis, prodhim i uzinave sovjetike të makinave, ngarkuar me qymyrguri rifuxho, të pambuluar. Rruga automobilistike, ishte 7 km e gjatë dhe kamionët e transportit kishin kapacitet 4 tonë. Këta kamionë, transportonin qymyrguri, nga miniera Memaliaj, në portin detar të Sarandës.
Disa nga ne, nxënës, konviktorë, në disa raste braktisnim mësimin, hipnim në kamionë me qymyr ose bosh por me pluhur qymyri, shkonim në qytetin që po lindëte të Memaliajt, e kalonim paraditën me sorollatje dhe ktheheshim në Tepelenë, në mesditë, kur mësimi, kishte përfunduar e ishte koha për t’u paraqitur në mensë.
Në atë kohë, qyteti i mineralit të zi po ngrihej; kamionët Zis që e çonin qymyrgurin në Sarandë dhe ata të tipit “ Berletë” qe e transportonin atë në portin e Vlorës, nuk mund ta tërhiqnin gjithë sasinë e qymyrit që nxirrej nga nëntoka. Në mes të sheshit, pranë agjensisë automobilistike, ishin formuar disa pirgje të lartë me qymyrguri, i cili, për shkak të fuqisë të lartë kalorifike, digjej, nën efektin e diellit e të shiut, në qiell të hapët. Asnjeri nuk ia vinte zjarrin pirgut me qymyr; ai vetëndizej.
Shoferët ekamionëve ishim shumë të sjellshëm,me ne të vegjlit. Ata, sapo mësonin se ne ishim konviktorë, na merrnin sipër qymyrit e ne bëheshim sterrë, sikur kishim dalë nga galeritë. Kështu, të zinj sterrë siç ishim, e kishim mjaft të vështirë të maskonim përpara mësuesve, braktisjen e mësimit.Pluhuri i qymyrgurit që kishte mbuluar petkat dhe fytyrën tonë ishte i dukshëm. Isha nga ata që e braktisnin shpesh mësimin; doja të bëhesha pjesë e djemve “ të hedhur”, togfjalësh i cili, në kohët moderne ka gjetur shprehjen “ të fortët”. Rashë nga mësimet e nuk ishja më i pari i klasës, si më parë. Megjithatë ishja bërë guximtar e kjo mua më mjaftonte. Emrin në regjistër e kisha nga mesi i klasës por, kur bënim provim,futesha i pari, për t’u dhënë kurajo shoqeve dhe shokëve të klasës.
Vitet ’50 të shekullit që lamë pas, ishin vite tejet të vështirë për të gjithë vendin. Krizë të paparë përjetoi populli ynë. Skamja ishte ulur këmbëkryq, në të gjitha vatrat; prapambetja “të merrte frymën”,në çdo hap. Megjithatë njerëzit e thjeshtë ishin kurajozë dhe optimistë. Në konvikt na trajtonin shumë keq. Për të fjetur,bënim si bënim. Them kështu , duke bërë krahasimin me kushtet e jetesës “në familjet tona të këputura”. Vështirësitë i kishim të pandreqshme sidomos në çështjen e të ushqyerit. Na mbiu preshi i zierë dhe paparja, në stomah. Gjella me presh ishte interesante dhe e paparë: veç preshi e veç lëngu. Në darkë, për të na ngrohur pak barkun, na ushqenin me paparen që përgatiste kuzhinier Lluka, e më pas Hanua. Paparja jonë përgatitej me bukë misri të përzier me ujë të ngrohtë.Ushqimi i varfër dhe morrat, na e mërzitën shumë jetën në konvikt. Ishim konviktorë, me bursë shteti, të plotë, por, siç duket, shtetin e kishim akoma të dobët ekonomikisht e ai nuk i përmbushte të gjitha nevojat tona. Derisa ishte ekonomat ( (menaxher), një Branko dymetrosh, emigrant jugosllav, për gjendjen e vështirë ia hidhnim fajin atij. Por, edhe kur atë e zëvëndësuan me një vendas, besnik të partisë, gjendja mbeti po ajo. Mbase korrupsioni ka funksionuar edhe në atë kohë, por në formë tjetër.
Ishim fëmijë e logjika jonë nuk arrinte të bënte analizën e saktë të dukurive; ne veç i perceptonim ato, si të mundnim. Prapësitë e të rriturve i vuanim ne, konviktorët, stomahu na dhimbte neve jo atyre që kishin në dorë dietën tonë. Pas largimit të Brankos, nga detyra, u morën disa masa për kontrollin e magazinierit që të mos shpërdorohej e të mos vidhej ushqimi ynë. Në bazë të një grafiku, çdo ditë, pranë magazinierit qëndronte një nxënës, i cili merrte pjesë në të gjithë operacionet që ndiqte ushqimi, prej daljes nga magazina, derisa përfundonte në pjatën e konviktorit. Të gjithë ishim të uritur e nuk linim rast pa futur diçka në gojë. Atë që shoqëronte magazinierin, në veprimet e tij e kishim pagëzuar, me emrin e bukur: “kujdestar”. Një ditë, në rolin e kujdestarit ishte Kadriu i Abazit , nga Levani. Kur tërhoqi ushqimet, së bashku me magazinierin e konviktit i cili quhej Mehmet, një ishpartizan që nuk e hiqte nga koka, kapelen me strehë, Kadriu, mbushi bullçitë me sheqer dhe futi një sasi sheqeri, në xhep. Erdhi në konvikt, Kadriu, i cili , i kishte xhepar të shqyer dhe sheqeri nisi të rridhte, prej tyre. Skenën e pamë të gjithë sa u ndodhëm aty, por nuk u ndjemë. Një shoku ynë, nga Minoriteti Grek , në Shqipëri, të cilin e quanin Jorgo Neranxi dhe e fliste shqipen me gjysma fjalësh, i këndoi kadriut:
“… O Kadri, o kokë gomar;
Ce- e- vajte në Pazar?
Ishje zoti kujdestar;
Mbushe xhepet, me sahar…”
Qeshëm, me të madhe e u relaksuam, pa masë. Këngën që i këndoi Jorgua – Kadriut, shpejt e mësuam, përmendësh dhe e këndonim, me e kot së koti. Nuk di, nëse janë në jetë Jorgua dhe Kadriu, por, bejtja që u thur atë ditë, nga minoritari Jorgo, rron e transmetohet gojë më gojë.
Jorgua mendjemprehtësinë e vet , nuk e kishte vënë në shërbim të të mësuarit të mësimeve , ku paraqitej nxënës me ecuri mesatare, por ne fushën ebejteve. Ai u thurte bejte edhe shokëvetë tij saranditë, si rasti i çamit Murat Bani, nga fshati Gjashtë, të cilit iu drejtua:
“… Murat Bani, kokë repani;
Kur tëvdesë, mos e qani;
E ka pështirë shejtani…”.
Mirëpo edhe shokët e tij nga i njëjti rreth, sidomos minoritarët, nuk mbeteshin pa i thumbuar prapësitë e Jorgo Nerënxit. Ata i sajuan “atributin”; ca shqip emë shumë greqisht:
“… Jorgo mu qe palikari;
To varesi, sto qefali…”
Nuk ishte vetëm të ushqyerit keq, problemi i vetëm që na shqetësonte. Shteti i asaj kohe, edhe pse nuk i kishte të fortë këllqet e ekonomisë, kishte çelur fonde, për të na veshur si “pëllumba” e të mos na mungonte asgjë, sipas mundësive të kohës. Kostumet, të përbërë nga stof i hollë, i zi, cilësor, i derdhur, prej leshi, i endur e i ngjyrosur kushedi se ku, na i qepën me masë, sipas trupit e na i dhanë gratis. Të brendshmet që na dhanë ishin nga më të mirat e asaj kohe. Këpucët, pavarësisht se teknologjia , aso kohe ishte relativisht e prapambetur, ishin të bukura e të kushtueshme. Që të mos kishim ftohët, na dhanë dhe disa fanela pambuku, të bardha, të trasha, me disa kanale ndërmjet nyjeve, me mëngë të gjata. Veshja jonë i kushtonte shumë popullit; ajo ishte e rëndë për xhepat e tij.
Të gjithë e kuptonin dhe e pranonin sakrificën që bënte populli, për të na mbajtur mirë, ne, të vobektëve, por ata që ishin ngarkuar për ta menaxhuar këtë pasuri nuk bënin kujdesin e nevojshëm, madje, kishte dhe nga ata që shpërdoronin e vinin dorë. Ishim të varfër e me kërkesa të kufizuara. As që na shkonte në mendje se një ditë do të visheshim kësisoj. Shumëkush nga moshatarët tanë, nga ata që nuk e kishin këtë fat, bëheshin ziliqarë. Ne, vërtet ishim të vegjël e mjaft gjëra nuk i kuptonim mirë, por nuk ndiheshim mirë kur ndonjëri na kujtonte se: “ Shikoni si u mban shteti; si ujët e pakët”! Ashtu ishte vërtet, por nuk ndiheshim mirë, për faktin se: “ I zoti e shet; tellalli nuk e jep”! Shteti, vërtet harxhonte shumë për ne, por ne nuk ishim në gjëndje të kujdeseshim për veten tonë. Të tjerë, më të rritur e me përvojë ishin ngarkuar të kujdeseshin për ne; si kujdestarë, pastruese, ekonomat, infermiere, drejtorë etj. Hankua e Xhihanëve, një grua trup e shpirtmadhe, punonte sa i “ binte bretku”, për të mbajtur të pastra, teshat tona, në kushte mjaft të vështirë.
Në konvikt, nuk kishte sistem dushesh e ne laheshim “ tërazi”, vetëm në stinën e nxehtë, në lumë. Herë pas here, gratë e mira të konviktit e të shkollës: Hankua e Xhihanëve dhe shoqja e saj me ngjyrë- Kanua; Sorkadhja nga Luzati e të tjera gra shpirtmira, ngrinin kazanë, tek burimi i Dilos, tek shelgu, ngrohnin ujë e na lanin kokat e qethura zero, si fëmijëve të tyre. Teshat tona laheshin, periodikisht por parazitët, në trupin tonë ishin të pranishëm vazhdimisht. Morrat, na lëvrinin nëpër trup e ne kruheshim, parreshtur. Rrëzë murit të Teqesë, kur moti ishte me diell, mbështeteshim pas ndonjë guri e murriteshim, fshahurazi nga njëri-tjetri. Pak më tej murritej dervish Hakiu, një i moshuar, i vetmuar, me aftësi mendore të kufizuar, i cili tërhiqte zvarrë, një mantel, të vjetër, të sajuar me copa. Nëpër rrugicat e qytetit, atë e ndiqnin nga pas fëmijët vendas. Këtë veprim kryenim dhe ne, konviktorët.
Papastërtitë në trup e në teshat që vishnim, në vitin shkollor 1953- 1954, që i përket klasës së gjashtë, bënë që në konviktin tonë ra sëmundja e papastërtisë, zgjebja. Na identifikuan dhe na seleksionuan. Ata që i zuroi zgjebja u veçuan në një dhomë, më vete; vajza e djem, së bashku. Ishim në adoleshencën e parë dhe një veprim i tillë ishte i justifikuar. Disa konviktorë ishin më të mëdhenj, në moshë. Kur numëri i të sëmurëve u shtua e izolimi në konvikt ishte praktikisht i pamundur. Disa prej nesh ( numërin e saktë nuk e mbaj mend), na dërguan në Gjirokastër, në spitalin e Gërhotit. Mua dhe 3-4 fëmijë të infektuar më lehtë, nuk na shtruan por na dhanë mjekim ( fërkim me squfur) dhe na kthyen në konvikt, Në Tepelenë.
Një ditë, unë dhe disa nga moshatarët e mi, e kaluam natën në një familje rome, në gjirokastër. Familja ishte me mbiemër Mballoma. I pari i shtëpisë quhej Talo.Në konviktin e Tepelenës kishim infermiere, të bijën e Talo Mballomës, Lecin, një vajzë thatime, me fytyrë të mprehtë. Atë natë që qëndrova në familjen e tyre, u njoha e u miqësova me vëllanë e Lecit- Ptolemenë të cilit, familjarët e thërrisnin , me përkëdheli- Tole. Që prej asaj nate, atë djalë nuk e kam parë më dhe nuk e kam kërkuar. Një ritakim me të, në fakt, ia kam lënë rastësisë. E torra disi gjatë këtë ndodhi, për të dëftuar, se dita-ditës, po më mërzitej jeta në atë konvikt. Tek unë e tek disa shokë të mitë, nisi të ngrerë krye shpirti kryengritës, i cili, deri atëhere zhvillohej, përbrënda, në qetësi. Siç duket ishte faza e akkumulimit. Ikja nga orët e mësimit dhe vajtja në Memaliaj, sa për të “ shtyrë kohën”, ishte, ndoshta një trokitje e paudhësisë ; braktisjes së shkollës e jo një tekë, apo një prirje jona, për të bërë turizmë.
Më sipër ju rrëfeva se uleshim në tavolinë, të uritur e ngriheshim prej saj, të pangopur. Nuk mbanim dietë për të ruajtur “ linjat”, siç bëjnë sot, por nuk kishim çfarë të hanim. Në vjeshtë, kur piqeshin fiqtë, e më pas, kur nxihej lërushku ( rrush i egër), çoku na zinte dhëmbi diçka, me tendencë për të plotsuar, me mjete rrethanore, boshllëkun që linte në stomak, mensa jonë. Edhe këta fruta i siguronim, me vështirësi e me rreziqe për jetën. Kacavirreshim, si majmunë, nëpër pemë, në rrëpirën që ndodhej, në Lindje të kalasë të Aliut, e cila zbret, si thikë, mbi lumin e Vjosës. Mbase duhet thënë se në vitet për të cilët bëhet fjalë, pemëtaria në Tepelenë e rrethina , ishte jo aq e zhvilluar. Ato pak penë që ishinnëpër bahçe, pronarët i ruanin, me vigjilencë të shtuar.
Në muajin shtator të vitit 1953, kur sapo kishim nisur klasën e gjashtë, afër urës së Bënçës, kisha parë një parcelë me misër. Pronari i asaj parcele, me qëllim që misri i tij të zhvillonte kallinjtë, më shpejt e më tepër, i kishte prerë atij xhufkën, tek kalliri. Misrat dukeshin sikur na bënin karshillëk me ata kallinj që kishin lëshuar sirmë bojë kafe, shënjë e pjekjes ekonomike të tyre. Një ditë, pas kohës së rregullt të mësimit, së bashku me njërin nga shokët më të besës, i cili kishte dhënë prova se dinte ti mbante “ sekretet”, u futëm në parcelë, mbushëm duart dhe gjinjët, me kallinj misri dhe i sollëm ata në konvikt. Mirë që i sollëm, por nuk kishim parashikuar ku do ti piqnim. Në kuzhinë, nuk na e mbante ti çonim. Uria na kishte çuar në aventurë fëminore. Të ngarkuar me misra të papjekur e të shëmtuar nga fryrja e gjinjëve, duke qenë të detyruar të kalonim mespërmes qytetit,ramë në sy të qytetarëve tepelenas. Bashkëpunëtorët e shumtë të Degës së Brendshme, të cilët monitoronin qytetin, me “syçeltësi”, në çdo metër katror, na pikasën dhe e çuan informacionin, menjëherë, atje ku raportonin, me zell të madh.
Akoma pa hyrë në konvikt, nga dera që të çon në qytet, na doli përpara kujdestari i konviktit, një mesoburrë, me pallto të gjatë, deri në fund të këmbëve, në ngjyrë të zezë, me kapele, me strehë, në kokë. Ai, sipas të gjitha gjasave, ishte bashkëpunëtor i policisë. I erdhi gjahu në shteg policisë dhe u vunë në lëvizje e u hodhën në aksion gjithë forcat e saj. “ Keqbërësit” ishin identifikuar e ndaj tyre, pavarësisht se ishin në moshë të mitur, duhej dhënë një dënim “ shëmullor”!
Shokun tim, meqënëse ishte pak më i rritur e njihej për sjellje çapkëni, kujdestari i konviktit e shoqëroi në polici; mua, si më pak “ i rrezikshëm” më çoi në dhomën ku rrinte roja i konviktit , xha Musai, nga Malasi, i cili, njërin sy e kishte të verbuar. Shokët e mi, nga i njëjti fshat: Selami i Mane Tafilit dhe Sadiku i Memes së Muharrem Hasanit, dëgjuan për aventurën time, e morën vesh që më kishin “izoluar”, në dhomën e rojas të konviktit dhe, të shqetësuar për fatin tim, tinëz, u afruan e më pyetën për aventurën. Unë, jo pa tronditje sa e si munda, ua përshkrova shokëve, aventurën tonë fëmijërore.
Ata, si unë ishin të mërzitur nga jeta në konvikt dhe ishin të gatshëm, të braktisnin shkollën e “tja mbathnin”, në Kalivaç. Këtë braktisje të shkollës, me dashje e me vullnet të lirë, e kishim biseduar e kishim rënë dakort, me njëri-tjetrin, qysh më parë, në parim. Jo për të nisur një aventurë të re, fëmijërore, por të mërzitur nga kushtet e rënda të jetesës. Kishim përpunuar dhe mënyrën e ikjes; ishim në pritje të një rasti të volitshëm,dhe ai erdhi. Kujdestari i konviktit, të cilit i vura “ novkën” e agjentit të policisë, ndoshta dhe me të drejtë, po vonohej të vinte, për të mëmarrë e për të më çuar në mjediset e ndalimit të Degës së Punëve të Brendshme. U trëmba shumë. Si kurrë ndonjë herë, në jetën time. Policia ,të cilën, në atë kohë e në atë moshë e njihja vetëm përciptas, në optikën time kishte marrë hije të rëndë. Nuk kisha ndonjë përfytyrim të qartë, për burgun që më priste, por, në mendjen time prej fëmije, se si e pse më ishte ravijëzuar si një vend të errët, me derë hekuri, pa dritare e pa dritë, ku polici të rrihte, vënçe, që të dëftoje prapësitë që kishe bërë. Ndoshta, nga rrëfimet e të moshuarve, më ishte ngulitur në mendje se atje, në vendin e izolimit, të rrihnin, me dhe pa faj.
Gjeta rastin e volitshëm, kur, në korridorin e konviktit nuk lëvizte njeri dhe jashtë, në oborr ishte qetësi dhe dola. Dola nga vendi ku isha izoluar, zbrita ato pak shkallë e ia mbatha. Ika, me ato petka që kisha veshur. M’u dha të merrja me vete çantën me libra e fletore, të cilën ma kishte përgatitur nëna ime, prej pëlhure të bardhë të qepur me dorë, menjë rrip prej pëlhure, për ta hedhur krahë- qafë. Pa u ndierë, me hap hajduti, zbrita, poshtë kalasë, nëpër një rrugë të verbër e cila më çoi tek pasarela mesjetare ; kalova nëpër pasarelë, jo pa vështirësi, dhe, përtej saj, mora udhën për të dalë në fushën e fshatit Damës.
Diku, tek vendi që quhet Shkalla e Damësit, vetiu por jo pa qëllim, ktheva kokën pas dhe pashë, në distancë, dy silueta njerëzish që vinin, pas meje. Më kaploi frika se mos më kishin pikasur e po më ndiqnin, afijet, për të më kthyer në Degën e Brendshme. Shpejtova hapat, me qëllim që të shtoja distancën prej tyre. Bo-bo, mendova, me vete, po vijnë të më arrestojnë, e ndërkohë mendova planin e shpëtimit. E dija se do ta kishja punën pisk. Nata po afrohej; rrugën nuk e dija; në Damës e në fshatrat përqark, nuk dija të kishim ndonjë mik shtëpie ku të mund të kaloja atë natë. “Zura” një ledh, në të cilin ishte një goricë e mbushur me kokrra të pjekura. Nga era, sheshi poshtë gpricës ishte i mbushur me kokrra qullka, të cilat kishin rënë nga era e fortë e asaj gryke, e cila kishte fryrë tërë atë ditë. Edhe ata të dy, që vinin drejt meje, kishin ecur shpejt e po më afroheshin, dukshëm.
Kur ata u afruan në distancë sa që syri im mund ti shquante, kush ishin; njoha se bashkëudhëtarët e mi ishin dy shokët e mi të afërt, nga i njëjti fshat: Selami i Mame Tafil Zenelaj dhe Sadik Muharrem Nelaj. U ngroha e nisa të futja në gojë kokrrat e pjekura të goricave të rëna, duke bërë zgjedhjen. Lija mënjëanë ato që akoma nuk ishin pjekur e konsumoja qullkat. Me mjaftonte koha për të veçuar kokrrat e krimbura me ato të paprekura nga krimbi. Selami dhe Sadiku, të shqetësuar për ndalimin tim dhe izolimin në dhomën e rojas së konviktit, i kishin monitoruar lëvizjet e mija e më ndoqën. U gëzova, për faktin se planet tona po zbatoheshin, siç i kishim parashikuar. Tashmë nuk isha i vetëm; u bëmë : “ Tre musketierë”, e mund të përballonim edhe rrugëtimin , në muzg, madje dhe naten.Mbaheshim pas njëri-tjetrit e kjo na shtonte besimin e na bënte më të fortë. I ftova shokët e mi të provonin zbulimin që kisha bërë në këtë prodhim të begatë; goricat bio.
Mbasi “ u ngopëm”, me gorica qullka, vijuam udhën, për të shkuar në fshatin tonë të lindjes, në Kalivaç të Tepelenës e më pas, të preknim planin tonë aventurë. Dita ishte në të ngrysur e fshati ynë, ishte larg. Me hap te shpejtë duheshin, të paktën 5 orë që të mbërrinim në Kalivaç. Ishim fëmijë, të tre dhe nuk ecnim por vraponim, si lepuj. Deri në Qafën Miricës, ecëm rrugë e pa rrugë, pastaj “ e ndreqëm”, hamendësinë tonë e dolëm në udhën e madhe e cila është shënjuar si rrugë automobilistike qysh në Luftën e Dytë Botërore. Ecnim, me hap të shpejtë. Selami trupmadh përpara e ne të dy, pas tij.
Treshja jonë ishte si e zgjedhur, me kast. Të tre ishim të shkathët. Selamin e kishim më të rritur, në moshë, më të bëshëm, në trup dhe më të guximshëm. Ishim mjaft të lidhur me njëri-tjetrin dhe e besonim shoku- shokun, siç ishin fëmijët e moshës sonë. Selamin, për tiparet e veçanta që kish, dhe për autoritetin që kish tek ne, e besonim në ato që thosh. Duke ecur, kishim kohë të mendonim e të korrigjonim planin tonë aventuresk. Të tre shim njëlloj të interesuar për t’u larguar, sa më parë e sa më larg, nga Tepelena, në mënyrë që ndonjë dërgatë e mundshme e drejtorisë, për të na kapur e për të na kthyer mbrapsht të mos bëhej e mundur. Selami, si më i rritur e prijës i “ njësitit” tonë trevetësh, na dëftoi atë që i kishte shkuar në mend të bënim, pas mbërritjes në Kalivaç. Do të shkonim në Selenicë, ku do të futeshim në punë, në minierë, e do të shpëtonim nga ai kalvar famëkeq që përjetuam në konviktin e Tepelenës. Ideja e të parit tonë na pëlqeu; gjetjen e tij e çmuam origjinale dhe sejcili, në mendje, nisi të bënte llogaritë, si do ti shpenzonte paratë që do të fitonte, në Minierën e Selenicës, ku punonin mjaft kalivaças. Të tre, pa marrëveshje besëdhënëse, ishim në të njëjtin mendim: Do të ndihmonim për të përmirësuar jetesën e familjeve tona. Kjo ide , buronte nga dashuria per tanet dhe nga deshira e mire per ti pare ata te jetonin , mirë e më mirë.
Në Kalivaç, tek shkolla e fshatit, ku kishim përcjellë plot katër vite, mbërritëm në kohën kur po errësohej.Bashkëfshatarët tanë, të lodhur nga punët e cfilitëse të ditës, në arë, po ktheheshin në vatrat e tyre. Tufa- tufa, afroheshin bagëtitë: delet, dhitë, lopët, kuajt e gomarët, nën kujdesin e çobanëve të tyre. Dëgjonim melodinë e bukur dhe harmoninë e zileve e këmborëve ; blegërimat e deleve e të qingjave dhe pëllitjen e ndonjë lope, e cila kishte lënë viçin në katua ose në kasolle. Dëgjonim dhe zërat e njerëzve që përcillnin gjënë e gjallë, për në oborret e shtëpive të tyre. Zërat e tyre ishin disi të lodhur e si të mekur, ngaqë kishin komunikuar me gjënë e gjallë gjithë atë ditë.
Dikujt i ishin “ këputur” nga tufa e dhenve, disa krerë e çobani pyeste, me zë të lartë fqinjin, të cilit i kërkonte t’i përcillte për në tufën e tij delet bravare.Zgjodhëm për të zbritur, nga shkolla e fshatit, e cila ndodhet në një pikë dominuese , në mes të mëhallëve,nëpërmjet një rrugice të verbër , mes shkurreve të përrallit e xinës, tek shtëpia e Ramo Nebiut, e shndërruar në një gërmadhë. rruga e verbër, e cila është e maskuar dhe në mes të shkurreve, nuk bie në sy nga mëhallët e Pusit të fshatit. Kjo rrugë që pret shkurt, na nxorri shpejt, tek gërmallat e Ramo Nebiut, në krye të mëhallës Ahmetaj. Edhe pas kaq vitesh, ndonëse e kam “ vrarë “ mendjen dhe kam pyetur, disa nga pinjollët e asaj familje, Si Mehmet Kalemaj dhe i biri – Skenderi, përse, i pari i fisit të tyre, dëmçmuesi Ramo Nebiu, i cili ishte nga Hasanimerajt, e kishte ndërtuar shtëpinë, në krye të mëhallës tonë. Ndoshta, në këtë përzgjedhje të tij , ka ndikuar pozicioni i mirëmbrojtur i vendit, ose fakti që ai mentar i njohur, i ka patur lidhjet, së shumti me ahmetajt. Kompetencën për ta spjeguar këtë, ua le kompetentëve- historianëve të fshatit tonë e të atyre që kanë siguri në përfundimet që nxjerrin.
Shtëpia e Ramo Nebiut, ishte e shndërruar në gërmallë dhe ishte e braktisur, prej kohësh. I biri i plakut Ramo Nebiu- Azis Ramua, kishte ndërtuar, një shtëpi,me dy kate, me shkallë guri, nga jashtë, në krue të bahçes, në pronësi të tij. Ajo quhej bahçja e Azis Ramos. Si për t’u afruar disi me mëhallën e Hasanimerajve, pranë banesës së Xhemal Banushit dhe asaj të Shefit Qazimit e vëllezërve të tij (Fejzos dhe Alikos). Shtëpisë të xha Azis Ramos, i kishte rënë çatia dhe ajo ishte, gjithashtu, e braktisur. Vetë Xha Azisi, me të tijët, ishte mbështetur tek i biri, Mehmet Kalemaj, një oficer, mjaft i njerëzishëm, i cili, vite më vonë erdhi në Tepelenë, në krye të Degës Ushtarake të rrethit.
Tek gërmallat e Ramo Nebiut, dolëm në mënyrë të beftë, duke kaluar nëpër monopate, rrugë, nëpër të cilën, zor se mund të ndeshnim ndonjë të njohur. Ishim të tre, nga e njëjta mëhallë; nga Ahmetajt, madje kishim dhe lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Unë dhe Sadiku ishim nga Nelajt; por edhe Selami, i cili e kishte mbiemrin Zenelaj, nga i njëjti fis, rridhte. Kishim lënë në të majtën tonë mëhallët Beqiraj e Hasanimeraj dhe dolëm në krye të mëhallës ku ishim lindur e ishim rritur, për të cilën kishim mall. Na sugjestiononte çdo gëmushë e çdo gur, pë të cilët ishim të malluar edhe pse nuk kishte kaluar shumë kohë nga largimi prej tyre, ( ishim larguar nga fshati, në fund të atij gushti). Na ngacmonte çdo detaj i jetës baritore të njerëzve tanë. Sikur na thërriste era e gjakut tonë; sikur na “ndillte” era e qumështit të nënave tona. Mëhalla, nën këmbët tona, ishte e njohur dhe shumë e dashur, për ne. Sa do të donim të shkonim, krenarë, me hap të rëndë në udhën nga kalonin, të gjithë mëhallalinjtë tanë, të shkonim tek nënat tona, të uleshim në vatër, të përqafonim familjar ët, të uleshim këmbëkryq në vatrat tona, të strukur në gjoksin e nënës, si dikur. Por ne ishim “ aratisur “ nga shkolla jonë e kishim dalë “ firarë”, për të shkuar diku larg, nga shkolla jonë e nga vatrat tona, në një rreth tjetër e në një qytet të panjohur, në Selenicë.
Rreth 50 metra, poshtë nesh, dukej shtëpia e braktisur e Mane Tafil Zenelaj, babait të Selamit; njërit nga ne, “musketjeret”. Xha Manja , babai i shumë fëijëve meshkuj ( Selami ishte i treti në radhë, pas Shahinit dhe Rustemit), kishte braktisur shtëpinëe ftohtë, në krye të mëhallës Ahmetaj, së bashku me trojet e familjes, ku ishte dhe një lëmë, e kish zbritur, në Shure, ku, tokat ishin në pronësi të familjes së tij. Ishte ngushtë Mane Tafili, në krye të mëhallës Ahmetaj, prandaj ndërtoi kasolle, për vete e për kafshët dhe për ato pak krerë dele që mbarështonte. Shtëpia më e afërt, nga “vendstrehimi” ynë ishte ajo e Hysni Metës. Xha Hysniu, një burrë i urtë e shumë punëtor, ishte në luftë të përhershme me përroin e Çorrushit, i cili i gërryente tokën në Llomera. Ai, së bashku me të tijët, të lodhur nga punët e rënda të ditës, ishin shtrirë shpejt e nuk kishin kohë të na vështronin neve, “aventurierëve”. Fëmijët e Jasharit, të cilët ishin më të vegjël nga ne të tre, ndoshta ishin mbledhur në vatër , për të ngrënë darkën që u kishte përgatitur nëna e tyre: duararta – Ajkua e Jashar Hysniut.
Konakët e Caqajve dhe shtëpia ime, ishin me shpinë nga vendi ku qëndronim ne dhe, për këtë arsye, nuk kishte rrezik të na pikasnin. Nëna dhe babai im, në shtëpi duhet të ishin, por, meqënëse nuk kishin bagëti të imëta, mbasi errësohej e hanin darkë, shtriheshin, shpejt. Muharrem Kamberi, një burrë i zgjuar, i shkathët e i mprehtë, fliste, me zë të lartë, në shkallë dhe e shoqja, Tajanja, ajo grua me shpirt e zemër të gjërë, si det dhe me bujarinë që nuk e arrinte dot asnjeri, bisedonin, në dstancë, me zë të lartë, me gjitonët e tyre historikë: Musa Mehmetin e Nelajve dhe me gruan e tij, kapedanen Hysnije, për punët e ditës dhe për planet e së nesërmes. E kishim vendosur: Të nesërmen do të niseshim, herët për udhë, por nuk dëshironim që mëhallalinjtë tanë të mësonin se e kishim shkuar natën tek gërmallat e Ramo Nebiut.
Aty pranë ishte një rrënjë fiku vasjarës por, fëmijët e shkollës, nuk i kishin lënë,asnjë kokërr. Ata, në udhën për në shkollë, tek ai fik, i cili, gjëndej në mes të udhës, devijonin pak, majtas, i zgjidhnin kokrrat e mëdha, sapo ato të ishin përshënjur, dhe i hanin. Fiku vasjarës, kur haet që në mëngjes, kur vesa akoma nuk është larguar, shijon mjaft. Kur pamë se ekspedita jonë e parë, për të futur në stomakun tonë të uritur, disa kokrra fiku, dështoi, e mblodhëm mendjen dhe nisëm përgatitjet, për të kaluar natën, aty, nën harkun e gërmallave të Ramo Nebiut, mbi gurët e ftohtë të qemerit. Të paktën edhe po të binte shi, e kishim të sigurtë që nuk do të lageshim.
Një shegë, e cila gjendej në mes të udhës, ishte, plot me kokrra por nuk ishte pjekur akoma. Kokrrat e saj, sapo kishin nisur të skuqeshin. Mblodhëm, disa shkarpa xine të njomë dhe sejcili prej nesh përgatiti një kthinë, ku do të flinte, i mbledhur, si iriq. Mirëpo na haej dhe, të pa ngrënë nuk na merrte gjumi. Nuk shtimë short por, me mirëkuptim, njëzëri vendosëm që Sadiku i Memes të shkonte në shtëpi, të mbushte mullën, pastaj të merrte diçka për të ngrënë, mbasi ta kish gënjyer tëmën e të na i sillte. Kishim arsye që dërguam Sadikun e nuk shkoi ndonjëri nga ne të dy. Sadiku ishte i përkëdheluri i Memes dhe ajo, mesiguri, falë dhimbsurisë për të birin, do ti jepte atij diçka, për të ngrënë vetë e për të na sjellë neve. Sadiku e pranoi, pa kundërshti vendimin e mori udhën, për të zbritur, tek Buza e pak më posht, duke kaluar rrëzë lëmit të familjes, do të futej tek shtegu e në avllinë e shtëpisë së tij. Memja ishte e parezistueshme përballë jetimit pekul, kurse Xheviti dhe Xha Manja, ishin më të ashpër e, po të shkonim ne, mesiguri që do të na kërkonin llogari.
Së bashku me Selamin, të strukur pas njëri-tjetrit, të veshur hollë, po bënim planet, kur do të lëviznim? Si e ku do ta përshkonim mëhallën tonë dhe fushën e Kalivaçit, për të dalë në fushën e Çorrushit, pastaj në Kutë, ku e si do ta kalonim lumin dhe si do të shkonim në Selenicë, të cilën e çmonim si “ parajsën “ tonë. Kishim frikë nga qentë, prandaj e bëmë planin që udha jonë të kalonte sa larg nga stanet e bagëtive, ku, mesiguri kishte qen stani. Do të kalonim mbi e nën udhë, që të mos ndeshnim me kalimtarë. Pritëm të na vinte Sadiku, me ushqim, por mëkot. Në tentativën për të ngrënë diçka, dështuam; mbetëm përsëri të uritur e do të flinim të pangrënë. Çfarë kishte ngjarë me shkoun tonë?
Memja, si nënë e dhimbsur dhe e denjë, me tre djem jtimë larg shtëpisë ( Dajlanin; Tahirin dhe Skëndërin), kur pa Sadikun në derë, u shokua; e mbuloi atë me përqafime e me të puthura dhe me dashurinë e nënës, pa ditur asgjë për planet tona, i tha të birit: “ Dikua i nënës, sa më paska marrë malli, shyqyr që të pashë në derë e nuk të lë të më dalësh më prej saj”! Ajo e mbështolli të birin, me petkat e saj e Sadikut i mbeti fjala në fyt. Ai donte ti jepte spjegimenënës, por ajo, i dha, me ngut të hante e ai, i ngopur, na harroi fare ne të dyve që po prisnim atje lat, mbi atë qemer të gurtë e të ftohtë, me stomkun bosh. Nuk ka dalë mëkot ai llafi i mënçur se : “ Barkngopuri nuk kujtohet për barkboshin”!
Pritëm sa pritëm dhe kur durimi na u sos e kur na u mbush mendja se ishte e kotë pritja e mëtejshme, u përfillëm për të fjetur. Na kishte kapitur gjumi e u përpoqëm tja impononim vetes gjumin. Ishim të strukur pas njëri-tjetrit, u ngrohëm disi, me frymën e shoshoqit, e ashtu na kapiti gjumi. Ishim akoma të parritur e mund të flinim ku të ndodheshim; në këmbë, të pështetur diku apo pa shtroje e pa mbulojë. Nata ishte e ftohtë dhe gurët e bardhë të qemerit, na bënë “ akull”. Bëmë si bëmë, me të ftohtë e me zorrët që na bënin revoltë, po mendonim si do ta kalonim mëhallën tonë dhe fushën e Kalivaçit, pa na diktuar njeri. Thuajse nuk fjetëm atë natë. As vetë nuk kuptuam ,nëse fjetëm apo bëmë sikur fjetëm. Ramë dakort të niseshim herët , për udhë. Në atë orë kur akoma nuk kishin dalë nga vendstrehimet e tyre bagëtitë e imëta dhe gjedhët. Ishte vjeshtë e bashkëfshatarët tanë transportonin kashtë e lëpushka , herët, kur vesa ishte e pranishme në arë. Edhe nga këta “ zogj nate” na duhej të ruheshim.
Akoma pa gdhirë mirë, në mugullirë, morëm udhën. Kishim mbetur dy vetë: Selami dhe unë. Ishim të vendosur të bënim realitet planin tonë, pavarësisht se u paksuam në numër. Zbritëm,me kujdes, me çap të lehtë, sikur kishim vjedhur diçka, tek Buza; kaluam në rrugën horizontale tek Kryeja e Shtëpisë, vijuam udhën poshtë bahçes të Muharrem Kamberit, mbi shtëpinë e Sherif Rrapos, zbritëm tek varret e mëhallës Ahmetaj e tek Luadhet. Lamë në të majtë Kubenë, në Vidhishte, dolëm në Xina e mandej , shkuam tek Çesma e Thatë, aty ku ndahej kufiri midis dy fshatrave: Çorrushit me Kalivaçin.
Kaluam fushën e Çorrushit, ku njihnim si orientin, Mullirin e Shehut dhe dolëm në zallishtë, në fundin e anë Vjosës të saj. Na kishin thënë se në zallin e lumit rante lopët e fshatit, një lopar, me emrin Zenel, i cili ishte gjysmamënç. Ky Zeneli, kur pikaste që në “domenin” e tij kalonte ndonjë i huaj, e qëllonte me gurë lumi,me dorë e me hobe, pavarësisht se kalimtari mund të mos ishte agresiv. Ekaluam rrugën, pa ndonjë problem. Vetëmse shpejtuam hapat e na mbeti koka nga zalli i lumit, për të pikasur të “ tmerrshmin”- Zenel lopari. E kaluam dhe këtë klasë.
Rruga, nga Kalivaçi, deri në Selenicë vazhdonte rreth 4 orë, me hap burri. Aq kohë e përshkuam dhe ne; “me ecje lepuri”. Mbërritëm në Selenicë, në kohë kur punëtorët do të hanin mëngjesin e do të shkonin në punë, në minierë. Dija që, në minierën e serës, në Selenicë, punonte, prej kohësh, kushëriri im, nga babai, Xheladin Resul Nelaj. Kisha informacionin se Xhelua punonte, minator, në sektorin “ “Kume”, dhe ishte nga punëtorët pararojë, me shënjatë Sulmuesit e me dekorata , në gjoks. Në Selenicë e njihnin dhe e respektonin të gjithë banorët Xhelon, kushëririn tim. Në atë kohë, por dhe pas saj, Selenica ishte nga ata qytete të vegjël, në të cilin banorët njiheshin mirë, me njëri-tjetrin dhe mes familjeve kishte vajtje –ardhje; me raste festash e në gosti apo në vaki dhe nganjëherë; thjesht, për kortezi. Qyteti i atëhershëm i Selenicës ishte thuajse si Tepelena, veçse, me të tjerë njerëz dhe me tjetër klimë ( më të butë).
Para se të zija derën e mensës, ku Xhelua do të vinte domosdo; në rrugë, pyeta një mesoburrë: “Kërkoj djalin e xhaxhait – i thashë burrit të panjohur- i cili quhet Xhelo Nelaj, është nga Kalivaçi dhe dallohet si minator e ka disa derkorata”! “Mos e tirr, më gjatë, më tha burri, me një të folur si nga zona e Sevasterit- këtu, ka vetëm çamë; çobanë dhe kalivaças”! Kishte të drejtë ai burri që pyeta. Në Kalivaç, ishin të rralla familjet që të mos kishin ndonjë punëtor, në minierën e Selenicës. Unë dhe bashkëvuajtësi im, Selami i xha Manes, ishim mprehur të futeshim në punë e të nxirrnim ndonjë lek; të tjerat, pak na interesonin.
Me të pyetur, pa ndonjë vështirësi, gjetëm zyrën e punës. Ajo ndodhej në katin përdhes të një ndërtese dykatëshe. Hymë të dy, njëherësh. Shtetari, një mesoburrë, i shkurtër e shëndetplotë, i veshur me petka qytetare, të pastra e me flokë të ndarë anash, na priti me njerëzi. Nuk di përse na u rezervua kjo sjellje jashtë modës së kohës neve, që ishim të panjohur, për atë nëpunës. Duke vrojtuar sjelljen etij, më ra në sy, një vështrim, studiues i tij, menjë vështrim depërtues. Thua se ai burrë donte të bënte ndonjë zbulim tek ne fëmijët? Ne, të dy qëndruam,në këmbë, përpara tij. Na vështronte dhe e vështronim njëherazi. Vështrimi i tij ishte autoritar; vështrimi ybë lutës por jo servil e i nënshtruar. Krenaria nuk na linte te përuleshim edhe pse ishim ne situatë të vështirë.Në fshatin tonë, raste të tillë, nuk i linin pa u vënë një nofkë: “ Nuk i lë hunda të kullosën bar”!
Edhe ai u ngrit nga karrigja ku ishte ulur dhe na pyeti, njëherazi: “ Po ju, çuna, si i keni punët? Përse keni ardhur këtu e nga jeni ?” U përgjigj Selami, si më i madh:” Vimë nga Kalivaçi i Tepelenës, për t’u futur, në punë”! Shtetari, siç duket, e kishte të gatshëm opinionin për kalivaçasit, mbasi ata, në përgjithësi , ishin paraqitur me dinjitet, punëtorë dhe të sjellshëm në komunitet. “ Po jeni të vegjël –more djem, vijoi shtetari. Ky, tha ai, duke dëftuar me gisht, nga unë, paska dhe çantën me libra, në krahë dhe mbajti qëndrim të prerë, për mua: “ik, mbaro shkollën, një herë, pastaj, hajde të të fus unë në punë”!
Shtetari, nuk na largoi, nga zyra, por vijoi me pyetjet, për vitet që mbanim mbi supe dhe për punën që mund të bënim, në atë moshë e me atë fizik, akoma të paformuar. “ Ty – i tha Selamit, meqënëse je më i rritur në moshë dhe më i zhvilluar fizikisht, po të marr, në punë ; do t’u çosh ujë minatorëve, me gjyma, në galeri! Ti tjetri- u drejtua nga unë, edhe këtë vit, shko në shkollë dhe vitin tjetër duku përsëri, këtej”! U hidhërova, sa s’ka, e më Çuan këmbët drejt derës, të cilën nuk e vura re, si ishte e prej çfarë materiali ishte përgatitur. Këtë nuk e prisja të ndodhte. Isha i mprehur të futesha në punë. E pësova si ata fëmijët, që donin të dilnin partizanë, në moshën 12 vjeç, dhe konandanti e komisari i njësitit, u thoshin; “Rritu dhe pak, kaloja pushkës, në gjatësi e hajde, vitin tjetër”! Me një ndjenjë të trishtë dola nga zyra, së bashku me Selamin. Shoku im u gëzua, që e pranuan nëpunë, por u ligështua që nuk më morën mua. Mbetëm të vetmuar,por tashmë në kushte të ndryshëm.
Dolëm në rrugë. Moti ishte i freskët e dita nuk i kishte rritur akoma temperaturat e ajrit. Unë isha i veshur me kostum, të zi; me atë kostum që na kishin dhënë, në konvikt. Selami, diku e kishte lënë xhaketën dhe, në pjesën e sipërme të trupit ishte i veshur me një fanelë të bardhë, pambuku, të plotë, nga ato që na dhanë në konvikt. “ Ti do të shkosh përsëri në konvikt – më tha shoku im;_ drejtoria do të të japë, mesiguri xhaketë tjetër, po t’u thuash se më ka humbur dhe më propozoi të ndërronim xhaketën time, me fanelën e atij. Ma mbushi mendjen dhe e bëmë ndërrimin.
Nuk qaja hallin se mbeta pa xhaketë, por mendoja, se, pas refuzimit të shtetarit për të më pranuar në punë, do të shkoja në fshat, dhe si do ti thoja nënës zemërbutë dhe babait të rreptë. Po në shkollë, si do ta justifikoja mungesën disa ditore, përpara shoqeve dhe shokëve të klasës; sidomos çfarë do tu thoja mësuesve. Nuk kishim vënë asgjë në gojë, qysh nga mbasditja e djeshme, kur hëngrëm gorica, në fushën e Damësit. Me të pyetur, gjetëm një mensë të lirë, ku mund të hanim diçka. Në xhep, të dy, kishim 10 lekë; një kartmonedhë me vlerë mjaft të ulët. Hymë në mensë e pyetëm për çmimet. Ato ishin të papërballueshme për xhepat tanë. Sportelisti, një burrë i rrumbullakët, me tipare ezmere, i cili mbante të varura një palë syze miopi, na tha, miqësisht se; me aq para sa kishim ne, mund të blinim vetëm një pjatë makarona.
Blemë atë që na takonte ( një pjatë me makarona) dhe, në mënyrë që të hanim të dy, morëm dy lugë alumini, thuajse të sheshta. Nuk na dolën paratë për të blerë bukë, se, me atë uri që na kishte marrë, mesiguri që do të hanim makarona, me bukë. Hëngrëm, sa “ zumë mullën” e u larguam nga mensa qytetëse, të pangopur. Në rrugë, siç ndodhte rëndom me fshatarët,pyetëm për bashkëfshatarët tanë që punonin në minierën e Selemicës. Kush nuk i njihte kalivaçasit në atë copë vend ku njerëzit, këmbeheshin me njëri-tjetrin, disa herë në ditë. Selami ishte sistemuar në punë; unë –jo. Atij i caktuan një vend, ku do të flinte, në fjatoren e punëtorëve dhe i dhanë një biletë, që të ushqehej në mensën e tyre. Mbeta i vetëm, “në mes të katër udhëve”.
Alternativa e vetme, ishte të kthehesha në Kalivaç, ku kisha dy prindërit, motrën dhe vëllanë e, prej andej të kthehesha në shkollë, në konviktin e shtetit, në Tepelenë. Po errësohej e më parë më duhej të gjeja një strehë, për të kaluar natën. Pyeta e më dëftuan shtëpinë e Ganos të Mehmet Xhaferrit, një grua burrëreshë, nga Kalivaçi, e cila ishte shpërngulur nga fshati, së bashku me të birin dhe tri vajzat e punonte, një me burrat, në repartin e kazanëve të minierës së Selenicës. Ganua banonte në një kodër të qytetit, në një shtëpi përdhese, së bashku me tri vajzat e saj adoleshente. Trokita në derë e gruaja fisnike, me një trup të gjatë e me tipare burrërore, pa më njohur, më ftoi të futesha brenda. Kur i thashë se isha i biri i Xhevit Malkos, nga Nelajt, me të cilët familja e saj kishte lidhje miqësore, nënë Ganua u gëzua shumë e nuk pushonin pyetjet e saj: për banorët e fshatit e për ata të fisit tim dhe për Malajt ( Hysajt), fis, nga i cili ajo rridhte.
Nuk mund ta harroj atë pritje dhe atë nderim që më bëri ajo grua e fisme, e cila, me fukarallëk, duke punuar në një sektor të vështirë, mezi ushqente vajzat e saj. Nënë Ganua më nderoi, sikur ti kishte shkuar në shtëpi, vetë Xhevit Malkua. Hëngra një darkë, nga ato që nuk mund të harrohen. E mbusha stomakun e fjeta, sikur të isha princ. Ajo më shtroi, për të fjetur, mbi një palë çarçafë kamriku, të bardhë, të cilët, kur i shtroi, dëgjova të kërcisnin e ishin të paqtë. Siç duket, ajo grua pastërtore i shtronte ata çarçafë, për herë të parë. I kishte ruajtur gruaja nikoqire, çarçafët e pashtruar, për miq të rrallë. Ky shans më takoi mua. Ishte hera e parë në jetë, që flija në të tillë çarçafë.
Të nesërmen në mëngjes, zura derën e mensës së punëtorëve . me shpresë që të takoja kushëririn tim Xhelo. I vrojtova, me kujdes, punëtorët që hynin për t’u ushqyer, një nga një, në pritje të ardhjes të kushëririt tim. Ndërkohë, në derën e mensës u shfaq një burrë, i gjatë, me trup atleti, me kasketën e minatorit, në kokë e me një llampë me karbit, në dorë. Ishte Xheladin Resul Nelaj, kushëriri im minator. Më pa, më njohu e më përqafoi, me mall. Pyetja e parë që më bëri Xhelua ishte: “ A ke ngrënë bukë”? Jo, i thashe, me çiltesinë e nje fëmije. Atëherë, Xheladini, si vëlla i madh imi, më ftoi të futesha në mensën e punëtorëve. Hyra brenda por çfarë të vështroja? Krahasoja këtë mensë, me mensën e konviktit, tim, në Tepelenë.
Mensa e punëtorëve të Selenicës përngjiste me një stallë bagëtish . Aty pashë si e me se ushqeheshin minatorët e nëntokës dhe kushtet në të cilët ata merrnin atë ushqim të mjerë. Ca tavolina druri, të gjata, pa mbulesë e të papastra. Ca gota për të pirë çaj, prej alumini, me kapacitet rreth 350gramë. Mbi tavolinë, në disa vende ishin vendosur copa buke prej misri, të forta sa nuk i shponte dot, as plumbi. Minatorët, njëri pas –tjetrit, me fytyra të ngrysura, futeshin në mensë; linin llampat, në shesh dhe paraqiteshin pranë sportelit ku merrnin gotën me çaj të ngrohtë. U futa në radhë, pas kushëririt tim, Xhelos. E ndau me mua gotën e çajit dhe copën e misërnikes, minatori i dekoruar. Gjykojeni vetë këtë akt bujarie dhe mendoni: Si do të punote, nën tokë, 8 orë mepistoletë në dorë, ai “gjigand”, me moshë të re?
Pas atij mëngjsi mjeran, kushëriri Xhelo, më drejtoi për tek bashkëfshatari ynë Tefik Bajram Isufaj, i cili, gjithashtu punonte në minierë, por, atë ditë do të udhëtonte për në Kalivaç, ku kishte familjen. E gjeta Tefikun, i thashë se doja të shkoja në Kalivaç e u nisëm për udhë. “ Do kalojmë nga fusha e Shkozës e do të hidhemi në lundër “-tha Tefiku. E njihja, burrin e mirë Tefik Bajrami, madje dikur ishim miq të mirë me njëri –tjetrin por, për fat të keq, Behija, gruaja e tij e parë, vajzë e xhaxhait tim, nuk e pati jetën të gjatë. Tefiku kish me vete dhe një gomar, të cilit i kishte ngarkuar disa plaçka. Kaluam fushën e Mazharit, atë të Sevasterit e të Shkozës, dhe kaluam lumin, në vah, pak nën Ullinjtë e Hanit. Nuk shkuam deri tek Sheshi i Donijes, për t’u hedhur në lundër. Hoqa këpucët dhe pantallonat, që të mos lageshin e i mora ato në dorë dhe mbahesha pas Tefikut, që të mos më rrëmbente vala. Kur më rrëshqisnin këmbët nga shkelja mbi gurët e nënujit, trembesha e i shtrëngoja krahun bashkëudhëtarit. E bezdisa, më shumë se sa e lodha. Në të ngrysur mbërritëm në Kalivaç.
Ishte buzëmbrëmje e njerëzit po mblidheshin në vatrat e tyre. Vetëm ata që përcillnin bagëtitë e imëta, akoma ishin pas tyre. Nënën dhe babanë, i gjeta në shtëpi. Nuk më prisnin, prandaj u habitën, kur më panë, në atë orë të vonë e në mënyrë të beftë. Fillimisht, u kërkova për të ngrënë dhe hëngra. Ata më pyetën: “ Ku ke qënë e përse? Teksa vazhdoja të haja e nuk u përgjigjesha pyetjeve. Babai, i njohur për ashpërsi të karakterit, u rrvoltua, turfulloi, por nuk më goditi, siç bënte në të tillë raste. Megjithatë, edhe kur nisa t’u përgjigjesha pyetjeve të tij , ai e kuptoi që nuk dëftoja të vërtetën. Nëna i mbante “iso”. Pas buke, kur ishim të gjithë të familjes: (Dy prindërit, motra, vëllai dhe unë), ata më bënë “gjyqin “ e unë deklarova ; prerë se “ isha “ aratisur “ nga shkolla e kisha qenë në Selenicë, për të zënë punë, por nuk më pranuan, se jam i vogël. Njëherazi, u thashë , në mënyrë të prere se nuk do të shkoja më në shkollë”. U dëftova dhe shkaqet që më detyruan të merrja një vendim të tillë.
Kur pa vendosmërinë time për ti shkuar deri në fund vendimit që kisha marrë, babai më tha: “ Mirë, meqënëse në Selenicë nuk të morën në punë e në shkollë nuk do të shkosh, do të punojmë së bashku, në arë”! Ai ishte shkëputur nga miniera e serës ku kishte punuar rreth 10 vjet e kishte ardhur në fshat për të punuar tokat, në përgjigje të ligjeve të kohës. Të nesërmen, herët në mëngjes, ai para e unë pas tij shkuam në Rredhe, për të punuar tokën. Ishte korrur misri e duhej përgtitur tokën për mbjelljet e vjeshtës. Babai plugonte, me një pendë qesh të zinj, njërin nga të cilët e kishte “ blerë”, nga xha Resuli e unë, me njëvare druri, me bisht të gjatë , thërmoja plisat që dilnin nga plugimi. Vareja peshonte rreth 3 kg e kishte një bisht të gjatë, më të gjatë se shtati im. Më duhej të kryeja dy proçese pune, njëherazi: të thërmoja plisat, dhe të pastroja, krisjet dhe tallën nga parcela. Punonim në diell dhe vapa ishte një tjetër faktor që ma bënte më të vështirë punën.
Në fund të ditës, mbasi i kisha rënë varesë nja 10 orë dhe kisha shkulur krisje e tallë, të ushqyer me një botile me dhallë, të thartuar e të holluar me ujë, të varur në degë të rrapit e me një copë bukë misri të tharë në torbë, të cilën e hëngrëm me një kokërr qepë e cila më përvëloi, u çapitëm deri në shtëpi dhe mezi arrita të shtrihesha. Isha lodhur tej mase e nuk më haej as darkë ( fshatarët, në ata vite, darkonin rëndshëm, pas asaj dreke dosido). Kisha inat, me veten time dhe me jetën që më erdhi mbrapsht por nuk e jepja veten. Më shkoi ndër mendje se mos, babai ma bënte “ të zezë”, apostafat që të ktheja rrugë. E kisha të qartë se kisha braktisur shkollën, me dëshirën time, pa marrë më parë mendimin e pribndërve, të cilët, më çuan në shkollë, me mjaft vështirësi e duke sakrifikuar nga vetja. Tani që kisha “ dështuar “ në planin tim, të mbrapshtë, më duhej ti dilja për zot vetes.
Nëna, ndryshe nga imatë, kur mbeteshim të dy, me dhimbsurinë karakteristike të nënës, më këshillonte, butë-butë: “ shko në shkollë, bir-0, se atje e ke të ardhmen “! Ajo, i njihte mirë punët e rënda në bujqësi; i kishte provuar ato në kurriz, prandaj nuk donte të më shikonte, ashtu; duke u rropatur ugareve, pa shkollë e pa të ardhme.Babai, njeri me karakter të fortë e të ashpër, ca për hir të këtij karakteri e ca nën peshën e trysnisë që ushtronte mbi të opinioni shoqëror, me kokëfortësi e me argumente banale mundohej të më mbushte mendjen se aventura që kisha nisur ishte pa të ardhme. Punova, së bashku me babanë, nëpër ugare, rreth një javë. Puna që bëra ishte sfilitëse, për fizikun tim të njomë.
Pas një jave, babai, kishte biseduar me mikun e familjes tonë: Azis Telha Azizaj, nga dera e gjyshes time, nga Hysodosaj, i cili do të shkonte në Tepelenë, për punët e tij. Xheviti, si kushëri që ishte me xha Azizin, e luti atë të më merrte në atë udhëtim të gjatë ( 6 orë) e të më dorëzonte tek drejtori i shkollës; i nderuari Murat Koçiu, nga Sinanajt. Azizit, i thosha dajo, siç u drejtohesha të gjithë burrave të moshës së tij, të asaj mëhalle. Ai ishte një burrë i gjatë por i thantë. Kish punuar, disa vite në Minierën e Selenicës e tashmë kish ardhur pranë familjes, në Kalivaç . Nga koha kur punonte në minierë, atij i kishin mbetur një palë çisme llastiku, nga ato që përdorin minatorët, të cilave u kishte prerë qafat e i kishte mbathur pa çorape. Shalët e tij të gjata , bënin që edhe hapi që bënte të ishte më i gjatë nga hapi i një njeriu të zakonshëm. Nxitonte dajo Azizi e i bënte hapat të gjatë. Nuk e shoqëroja dot me hapin tim, ndaj, për ta arritur, ecja me vrap. Atë rrugë të gjatë, thuajse epërshkova me vrap. Dajo Azizi, ulte kokën dhe vijonte rrugëtimin, pa parë nëse po e ndiqja nga pas. Në krah kishte hedhur një shkop, në fund të të cilit kish varur një torbë, me bukë, të cilën do ta konsumontegjatë rrugëtimit. Ishte fukara dajua im, prandaj i kishte veshur çismet, pa çorape. Rrugës, duke ndjekur hapat e tij, dëgjoja llapashitjet e këmbëve të tij, brenda çismeve, nga djersa.
Në Tepelenë, në tregun mjeran të qytetit , takuam Tajanen e Muharrem Kamberit. Ajo, me shoqet e saj, të mëhallës, të drejtuara nga Hysnija e Musa Mehmetit, do të merrte racionin e bereqetit, në depon e shtetit që ndodhej në fshatin Turan. Në atë kohë, famljeve të varfëra u jepnin drithë, me racion, siç u jepnin familjeve qytetare, bukë me triskëtim. Me kërkesën e dajo Azizit dhe timen, Tajanja u shkëput nga shoqet dhe me shoqëroi në shkollë, tek drejtor Murat Koçiu, për t’u bërë garant e për të marrë përsipër përgjegjësinë, nëse largohesha, përsëri nga shkolla. Drejtori i shkollës thirri atë të konviktit, Zyhdi Fetanë, i cili i kërkoi gege Tajanes të firmoste një formalitet. Ajo ishte analfabete dhe nuk dinte të firmoste por “ vulosi”, formalitetin, me gishtin dëftues të dorës. Gishti i gege Tajanes, ishte bekim për mua . Pas tij, fati u kthye në anën time dhe ajo e kujtonte atë çast, herë pas here, deri sa mbylli sytë. “Je djali im; thoshte ajo grua shpirtmirë; që kur vura firmën unë, të dhashë uratën e punët të shkuan mbarë”!
Nga jeta në konviktin e Tepelenës, më ka mbetur në kujtesë një kujtim i trishtë, i cili më ka ndjekur pas, gjithë jetën e kudo ku jam ndodhur. Siç duket, atë ndodhi e kam përjetuar intensivisht, e kam qenë dshmitar okular, prandaj ajo ka lënë gjurmë të pashlyera në mendjen time. Ishim në semestrin e parë të klasës së gjashtë të shkollës shtatëvjeçare. Ndodhia i takon vjeshtës së vitit 1953. Në konvikt kisha një shok të afërm, nga Çamëria, të cilin e doja e më donte shumë. Nuk ndaheshim kurrë, nga njëri-tjetri. Ishim të një moshe, të një karakteri dhe me tipare të tjera të njëjta. Ishim, si i thonë një fjale: “ Dy shpirtra, në një trup”. Shokun tim të mirë e quanin Serve Rumani; ai ishte nga fshati Janjar i rrethit të Sarandës. Në një klasë më lart ishte vajza e xhaxhait të tij, Fatbardha, e cila, si më e rritur, kujdesej, për kushëririn e saj të mirë. Në Repartin e ndjekjes, në Tepelenë, i cili mbante numërin konvencional -84, shërbente, me rrogë vëllai i Servetit, Saliko Rumani, i cili banonte në qytet, rrëzë Pallçisë, mbi bllokun e bajameve. Atje ishin ngritur disa baranga ku ishin strehuar familjet e kapterrëve të Repartit 84.
Po ndalem pak, për të “ qëndisur “ portretin e atij deli djali, të cilin, vdekja mizore e rrëmbeu nga radhët tona, akoma pa u rritur e të paveselitur . Nuk kam dijeni, si dhe sa e kujtojnë të tijët, në atë trevë, por unë nuk mund ta harroj atë njeri. Koha e gjatë që ka kaluar, ka bërë të sajën; njerëzit, mesiguri janë degdisur, ku kanë mundur, për të jetuar më mirë, por, atje, në Janjarin e largët kufitar të Sarandës, besoj ka mbetur rrënja e fisit dhe varri i tij.. Do ta kujtoj e nuk mund ta harroj, gjithë jetën, shokun tim të fëmijërisë, “ ëngjëllin”- Servet Rumani, i cili, sot, duhet të kishte moshën time. Më ka shoqëruar gjat gjithë jetës fytyra e tij e bukur, fëmijërore, e brishtë dhe e pafajshme. E kujtoj siç ishim atëherë 12 vjeçarë, pa kokëçarje, të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, pa interes, siç është shoqëria e fëmijëve, me ata flokë të zinj me onde, të ndarë në njërën anë, me tiape të rregullta, me ballin të lartë, me atë kokë të vogël, të shtypur në të dyja anët. Siç duket, nëna e tij, çame, kur e kishte lidhur në djepe, kokën ia ka vendosur anash. Në shtat, ishim njëlloj, siç ishim të tillë dhe në moshë, por ai ishte tepër elegant e i zhdërvjellët. Fliste pak, por nxirrte nga goja fjalë të mënçura. Për zgjuarsi nuk ia kalonte asnjeri nga shokët. U bëmë shokë, qyshse filluam mësimet në klasën e pestë dhe e forcuam shoqërinë, dita ditës. Shoqëria jonë ishte e pastër e pa interes.
Kur nisëm klasën e gjashtë, në klasën tonë na u shtua një djalë i moshës tonë, nga fshati Vërzhezhë i rrethit të Skraparit. Atë e quanin Estref Myftari dhe ishte i biri i kryetarit të Degës Ushtarake të rrethit të Tepelenës. Nuk më kujtohet nga cili rreth, erdhi familja e tij në qytetin e Tepelenës. Mbaj mend që ajo u vendos të banonte në një ndërtesë me dy kate, pranë barangës të opingarit Resmi. Në atë banesë, në katin e dytë në të cilën ngjiteshe nëpërmjet disa shkallëve të brendshme, prej druri, banonte dhe familja e kryetarit të Degës së Brendshme të rrethit, oficerit nga Kalivaçi Yzeir Xhelo Hysaj. Shpesh, shkoja në familjen e bashkëfshatarit tim dhe kur në atë godinë u shtua familja e Estrefit, vajtjet i shpeshtova. Estrefi ishte djalë mjaft i urtë, si nuse e bukur, me sy jeshilë në bojëqielli e me fytyrë bojëgruri, të pafajshme. Ai mësonte mjaft mirë dhe ishte me sjellje “shëmbullore”. Në tipin e tij nuk ishin të pranishëm inatet, cmira, zilia, thashethemi e vese të tjerë të dëmshëm.
Shoqërisë time me Servetin iu shtua dhe Estrefi e ne u bëmë tre shokë të afërt. Më i “prapi” isha unë. Ishim më të mirët e klasës. Shoku i ri që iu bashkua shoqërisë tonë, Estrefi, me sy të bukur, e me fytyrë ëngjëllore, ishie i urtë e i sjellshëm dhe nuk i ndihej zëri fare, por nuk ishte aq i shkathet sa ne të dy.
Mbasditeve dhe në kohën e lirë, kur nuk kishim studim të detyruar, të tre shkonim në shtëpinë e Pipinës, gruas të moshuar, me shtetësi italiane, e cila banonte e vetme, në rrugicën që të çonte nga çesma e herëshme në gjykatën e rrethit. Ajo kishte një makinë qepëse dhe bënte rrobaqepësen. Ne ishim konviktorë e veshjet i kishim pa pagesë nga shteti, prandaj rrallë herë qepnim ndonjë gjë. Na pëlqente të rrinim në shoqërinë e Pipinës, mbasi ajo grua manifestonte edukatë e fjalë të “ëmbël” dhe rrezatonte mirësi në marrëdhënie me ne e me gjitonët. Pipina ishte italiane dhe e fliste me elokuencë Gjuhën Italiane. Njëri nga qëllimet e vajtjes tonë, në shtëpinë e saj, ishte të mësonim italisht. Ajo nuk ishte martuar kurrë dhe nuk kishte fëmijë; Serveti i pëlqente mjaft dhe donte ta birësonte. Pritej të bëheshin formalitetet, sipas ligjit të kohës, mes italianes dhe familjes së Servetit.
Si shokë të afërt e besnikë të Servet Rumanit, duke njohur tiparet e shokut tonë, ne, me zemër e kishim miratuar, birësimin e tij, mjafton që ai të mbetej në Tepelenë. Por mortjezeza,kish të tjerë plane: ajo, na e rrëmbeu shokun, siç merr era një lule të bukur, akoma të paçelur.
Kronika e ngjarjes makabre:
Atë të shtunë, bëri mot i bukur . Vjeshta kish nisur të zhvishte pemët, për të shtruar me gjethet e tyre, qilimin e saj, të verdhë.Në mes të plantacionit me bajame, pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tepelenës, ndodhej një fushë futbolli, me përmasa tëvogla, ku luanim futboll, në kohën e lirë. Luanin, në atë terren me lëndinë natyrale, 7-8 nxënës. Të tjerët qëndroni anash e bënin tifo, për klasën e tyre. “ spekttorët” qëndronin në bregoren që ndodhej në anën veriore të lëndinës. Në afërsi të fushës, në këtë anë, ishin disa gropa, me përmasa të ndryshm, dikur pozicione artilierie, të cilat shfrytëzoheshin nga ushtarakët e repartit të ndjekjes të qytetit, për stërvitje . Ato pozicione ishin mbetje të Luftës së Dytë Botërore.
Ishte e shtunë, mbasdite dhe ne, konviktorët nuk kishim studim, prandaj organizuam një lojë futbolli, mbi bazë të ndarjes krahinore. Në lojë, me skuadrën që përfaqësonte djemtë nga Toskëria (fshatrat që shtrihen në Veri të lumit Vjosë), merrja pjesë dhe unë. Ndeshja e futbollit të asaj mbasdite, për këtë shkak, merrte vlerat e një “ derbi”; luhej me inat e kishte tifo. Nuk di kur e si e kishim përqafuar këtë ndarje, e cila mban erë krahinarizmi. Në moshën që ishim atëherë, nuk i kuptonim këto gjëra, ndaj, bëmë siç na thanë më të rriturit.
Servet Rumani, mbas mësimit dhe drekës, e kishte mbajtur vrapin në shtëpinë e vëllait të madh të tij; Salikos. Vëllanë, ai nuk e gjeti në shtëpi por atje ishte e shoqja dhe fëmijët, me të cilët ai kishte marrëdhënie mjaft të ngrohta. Tek kunata shpirtmirë, Serveti gjente përkrahje e bujari; ajo i jepte diçka për të ngrënë, e lante dhe e shplante dhe shoku ynë ndihej “ngrohtë”, në shoqërinë e saj. Salikua dhe fëmijët banonin në një mjedis të ngushtë dhe ato pak plaçka që dispononte familja , ishin përpara syve.
Serveti nuk ishte trazovaç, por, i shkuan sytë tek valixhja e vëllait, e cila nuk ishte e mbyllur me çelës dhe kapakun e kishte gjysmë të hapur. Shokut tonë i ra në sy një gjë metalike, e zezë, e bukur, me shkëlqim dhe, pa e ditur se çfarë ishte, e mori, fshehurazi nga kunata, e futi në gji dhe,rrëmbimthi , doli nga braka. Sendi metalik, ishte i bukur dhe Servetit i pëlqeu. Prandaj e rrëmbeu. Nëpër filma, kishte parë luftëtarë të Ushtrisë së Kuqe tek luftonin, me pistoletë, në dorë. Serveti kishte marrë pistoletin “TT” të vëllait, i cili ishte i prodhimit sovjetik. Salikua, kur kishte dalë nga shtëpia, me ngutësi, nuk e kishte marrë me vete armën personale dhe nuk e kishte siguruar atë. Siç duket, ai nuk kishte shkuar në repart, ku, detyrimisht duhet ta kishte pistoletën në brez.
Po ta kishte pikasur kunata, veprimin e Servetit, ai nuk do të ishte larguar nga shtëpia, me pistoletë në gji. Shoku im, me atë gjënë e bukur, metalike, nën këmishë, e mbajti vrapin tek shokët, disa nga të cilët luanin futboll. Të tjerë bënin tifo e një pjesë luanin “ luftash” në sheshin me pozicione. Duke zbritur tatëpjetën, për të shkuar tek shokët, mbasi e kishte kuptuar se me vete kish një armë tha, me vete: “ Ata që luajnë lojë “ luftash”, me shkopinj do të më shikojnë e po të duan le të maten me mua që jam i armatosur”! Sapo erdhi tek shokët, Serveti nxorri, ngja gjiri pistoletën e ia dëftoi shokut të klasës sonë, R.D. i cili ishte i së njëjtës moshë dhe klasë, me ne. R. i pëlqeu gjëja por as ai nuk e njihte e nuk dinte ta përdorte. Ky u afrua, tek Serveti, i rrëmbeu atë lodrën e bukur, nga tyta, e ktheu nga shoku i tij, dhe, pa e ditur se çfarë po bënte, lëvizi “ djepin luajtës” mbrapa, duke bërë që pistoleti të merrte fishekun në gojë.
Ndërkohë, R. Me gishtin në këmbëz, ia drejtoi armën shokut, i cili, i xhelozuar për veprimin e shokut të tij, pa ditur rrezikun që i kanosej, tentoi ti rrëmbente shokut armën, nga dora. Por, gishti i R. Ishte në këmbëz dhe tërheqja e saj, bëri shkrepjen fatale, e cila i mori jetën shjokut tim të ngushtë Servet Rumani. Dëgjuam krismën e armës, ndërpremë lodrën dhe e drejtuam vështrimin nga ata të dy. Donim të mësonim, me padurim, atë që kishte ndodhur. Pas disa sekondash, shoku im, u lëkund, iu prenë gjunjët e u plandos për tokë. Iu mblodhëm, të gjithë, mbi kokë. Ishim të shokuar e nuk dinim si të vepronim. Serveti lëvizte vetëm duart e këmbët, por nuk mund të fliste; gojën e kishte të mbushur me gjak. Pashë gjakun tek mbuloi fuytyrën e tij të bukur . Një curril gjaku i dilte nga kocka e kokës, prapa veshit, tek “ truri i vogël”. E ngritëm, se na u dhimbs shumë, si shok e si mik, por nuk dinim çfarë ndihme ti jepnim. Nuk e kishim fare idenë se kishim të bënim me një skenë krimi. Serveti nuk artikulonte dot asnjë fjalë. I ndodhur para një rasti tronditës, nuk iu ndava, për asnjë çast. Nga lëvizja e syve të tij, kuptova se diçka donte të më thoshte, por nuk mora vesh , asgjë. E çuam në konvikt, në dhomën ku flinim, të dy dhe e shtrimë në një krevat të katit të parë, pranë derës.
Lajmi tragjik u përhap, shpejt, në qytet dhe, tek dera e konviktit mbërritën shumë njerëz. Disa ishin kuriozë e donin të mësonin çfarë kishte ndodhur? Disa, që kishin fëmijët në shkollë e nuk i kishin në shtëpi, prej disa orësh, kërkonin të dinin kujt i ndodhi gjëma? Doktori, i vetmi mjek i qytetit, mbërriti shpejt, por ai ishte mjek i përgjithshëm e ndihma që i dha viktimës nuk ishte aq e specializuar. Kur pa se djali i parritur kishte plagë plumbi, në kokë, urdhëroi infermieren e konviktit, Lecin, ti bënte të plagosurit, një injeksion, me kafeinë. Plaga e plumbit në kokë, ishte vdekjeprurëse dhe Servet Rumani, pas disa minutash ndërroi jetë. Erdhën mjaft njerëz, për ta parë. Erdhi vëllai i Servetit, Salikoja, së bashku me bashkëshorten. Ata, kur e panë Servetin të pajetë, nisën të qanin, me dënesë. Salikoja i binte kokës, me grushta e ndihej fajtor, për tragjedinë që i ndodhi të vëllait. Fatbardha, vajzë e xhaxhait të tyre, e cila ishte konviktore, në një klasë më lartë, u trondit, thellë, nga ajo që ngjau dhe nisi të qante , me oi. Konviktorët dhe mësuesit, të cilët i dinin raportet shoqërore që kishja me të ndjerin, nuk guxonin të më thonin të largohesha nga viktima. Erdhën disa burra , të tjerë, të cilët nisën të pyesnin. Siç duket ata ishin të Degës së Brendshme dhe po bënin hetuesinë. Pyetën të pranishmit ; më pyetën dhe mua. U dëftova, fije për pe, ato që kisha parë. E shoqërova, me sy të përlotur e me dhimbje, në zemër, kur e morën shokun tim të psajetë e diku e çuan, për të kaluar atë natë të zezë. Zremra m’u ça e sytë mu errësuan. Nuk mund të mendoja ,për asgjë. Isha i mpirë, plotësisht.
Në vaktin e darkës, kur duhet të ushqeheshim, konviktorët, të gjithë shkuan në mensë e u ulën ,në vendet e caktuara. I hodha një vështrim sallës; vendi ku ulej zakonisht Serveti , ishte bosh. Sesi më erdhi, në atë çast; një gjëndje lipotimie më kaploi. Mensa m’u duk si një gërmadhë e madhe e tavani më vinte rrotull. Asnjeri nga konviktorët nuk e preku ushqimin. Drejtori i konviktit , Zyhdi Fetah, ishpartizan, erdhi, në mensë, kaloi pranë çdo tavoline e na tha: “ Në luftë na vriteshin shokët që kishim në krah; i varrosnim aty, por bukë hanim. Hani dhe ju; dilni mbi dhimbjen; si bij trimash që jeni”! Drejtor Zyhdiu, mundohej të na ngrinte moralin, por ne ishim mjaft të helmuar dhe e urrenim ushqimin. E kuptonim shpirtmirësinë e drejtorit tonë, por nuk mund tia zbatonim këtë urdhër dashamirë.
Të nesërmen, herët në mëngjes, një makinë ushtarake e tipit Gaz-51, nga ato që tërheqin topat e luftës, me arkivolin e shokut tim të pajetë, në karroceri, e shoqërur nga një skuadër pushkatarësh, me Salikon, bshkëshorten e tij dhe fëmijët, si dhe nga Fatbardha e disa konviktorë e pedagogë të shkollës, u nisën, për të përcjellë në Janjar, e mëpas në banesën e fundit, shokun tim, Servet Rumani. Varrimi u bë në fshatin e tij të lindjes, në Janjar të rrethit të Sarandës. Atë ditë, në të hyrë të diellit, shoku im u përcoll për në banesën e fundit nga familjarët, te afërmit, bashkëfshtarët e tij dhe shokët e pedagogët që shkuan nga Tepelena. Nuk u përfshiva në kortezh, dhe psenë nuk e mora vesh, kurrë. Fatbardha, kur u kthye nga riti i përcjelljes të kushëririt të saj, na i dëftoi, me hollësi, përjetimet e saj, në atë ditë fatkeqe. E kam shtruar shumë herë pyetjen, përse nuk më përfshinë në kortezh, por nuk kam arritur ta zberthej, e për mua mbetet enigmë.
Në atë kortezh të përmortshëm, morën pjesë disa nxënës, të cilët ishin nga rrethi i Sarandës, disa mësues e të tjerë; unë dhe Estrefi që ishim shokë të ngushtë të tij, nuk morëm pjesë. Koha rrodhi e ngjanë nryshime të shumta. Kanë shkuar 60 vjet që atëherë e unë nuk mund ta harroj atë djalë “flori”. Do të doja shumë ta shikoja të rritur, të shkolluar e të dëgjuar, të zbardhur, si unë e të rreshkur, nga vitet, por nuk ishte fat. Servet Rumani, është ulur në kujtesën time, siç ishte: i brishtë; i qeshur; i pafajshëm edhe për atë gjëmë që i ndohi. U kërkoj ndjesë, lexuesve të nderuar, për këto skena horror që ju përcolla; por, më besoni, dhimbjen që përshkoi 60 vite udhëtim e nuk u njoftua, as kur ngjau, dua ta ndaj, me njerëz të mirë, që më ndjejnë.
Më 24 Maj të vitit 1954, mora pjesë në festimet e dhjetëvjetorit të Kongresit të Përmetit, në Përmet. U bë festë e madhe dhe e bukur. Sipas traditës vendore, nën hijet e sheshit ku u zhvillua ceremonia festive, ishin formuar trapeza, bazë fshati, në formë rrethi, me pije e me ushqime tradicionale përpara. Kishin ardhur dhe nga rrethe fqinjë, si Tepelena, Skrapari, Gjirokastra, Kolonja, Berati etj. Mbi një tribunë madhështore, pas fjalimeve, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve dha një koncert festiv. Më pëlqeu shumë, këngëtarja popullore- Fitnete Rexha, e cila këndoi më tepër se një këngë. Në sheshin rreth tribunës festive gjëmonte kënga popullore, nga krahina të ndryshme të Jugut. Një grup këndonte labçe; në disa trapeza zjente kënga përmetare, më tutje ishin skraparlinjtë që ia thoshin këngës së tyre; mes tyre ishin zagortët; kolonjarët etj. Kisha marrë nga Tepelena, nga pastiçieri i qytetit Nazmi Paja dhe ortaku i tij Kadri Katroçi, nga Gjirokastra, një kanistër me karamele, të cilat i shita, tek fshatarët të shtruar në trapez sipas fshatrave. Shkova, në Përmet mbi një kamion mallrash e u ktheva që andej, me një autobus, në të cilin rrugëtonin grupe të organizuar.
Çdo periudhë kohore ka lënë gjurmë të ndryshme tek njerëz jo të njëjtë. Një nga ngjarjet më mbresëlebnëse, ishte një ndodhi, tek rrapi shekullor. Herët në një mëngjes pranvere të vitit 1954, sekretari i komitetit të Rinisë të Qarkut të Gjirokastrës, Nasi Pavlli, do te shkonte, në Bashkimin Sovjetik, për të marrë përvojë nga komsomoli i atij vendi. Ai rrugëtonte me një xhip, për në Tiranë. Pas rrapit, ishte një kthesë e fortë dhe e fshehtë. Rruga ishte e ngushtë, pa trotuar mbrojtës dhe poshtë saj ishte bokërrima , që të zbret tek kompleksi sportiv i sotshëm. Shoferin e kishte perfshirë euforia e pasagjerëve dhe humbi kontrollin e mjetit e u rrokullis në greminë; Nasi Pavllo humbi jetën. Ne, konviktorët,gjithnjë për të plotsusr numërin, na morën në rrjesht dhe e percollëm viktimën, deri në daljen Jugore të qytetit.
Ishin vitet kur në Bashkimin Sovjetik, shkonin për të marrë eksperiencë ose për specializim afatshkurtër, njerëz të profileve e niveleve te ndryshëm. Vajti, për t’u specializuar dhe elektriçisti nga Tepelena- Çufe. Kur u kthye nga kursi, mblidheshim tek rruga e koveçëve, aty ku rrihte hekurin me çekan, mbi kudhër, Lavdari, centërbeku i ekipit të futbollit të qytetit. Barangat e koveçëve, formonin një rrugicë, e cila zgjatej deri tek mekami i sotëm. Çufja na dëftonte fotografi të bëra në dëborë e na fliste për jetën qëbëhej në vendin mik. Ishim profanë në këtë fushë e dëgjonim me gojë hapur, rrëfimet e elektriçistit Çufe.
Në pushimet e vitit shkollor1954, si nxënës i dalluar, më dërguan në kampin e pionierëve të Libohovës, në rrethin e Gjirokastrës. Kampi ishte vendosur mbi kalanë e qytetit, të cilën e kishte ndërtuar Vezir Aliu, si dhuratë për të motrën. Në kamp ishin kushte mjaft të mira dhe pushova e u relaksova, pa masë. Udhëheqës kompanie kisha Ismail Kadarenë, i cili, në atë kohë, siç duket, kishte përfunduar gjimnazin e Gjirokastrës. Ishte koha kur xhirohej filmi shqiptar “ Skënderbeu”. Tek rrapi ku gurgullojnë burime ujëplotë, neve, një grup fëmijësh, na angazhuan, si figurantë, në xhirimin disa sekuencave. Gjat qendrimit në kampin e pionierëve, në Libohovë, shëtitëm nëpët fshtrat e Lunxhit, me sa më kujtohet- Stegopuli; Labova e Kryqit dhe ajo e Zhapës, Saraqinishti etj. Ekskursionet më pëlqenin jo vetëm se njiheshim me fshatrat e bukur të Lunxherisë, por dhe për dobinë që sillnin në kalitjen e fizikut.
Klasa e shtatë erdhi shpejt, e unë iu përfilla seriozisht mësimeve. Doja të dilja, me të gjitha notat pesa, në mënyrë që të më jepej ndonjë bursë, në degë të zgjedhur. Kisha provuar disa tentativa e aventura, për të braktisur shkollën por nuk më kishte ecur. Disa shokë klase që e bënë atëmanovër, me “ sukses”, mbetën të pashkolluar. Ndoshta isha me fat që nuk mora rrugën e tyre. Ata, në aventurën e tyre gjetën mbështetje, tek prindërit ; unë nuk e kisha atë shans. Babai im ishte fare i pashkolluar e nëna, gjithashtu; ata ishin të varfër e mua, veç notave të mira , nuk më dilte njeri në krahë. Prandaj iu sula notave. Këmbëngulja dhe ashpërsia e tim eti më kthyen në udhë të mbarë. Doja të braktisja shkollën, jo se më ishin mërzitur mësimet ; ato i kisha qejf, por më ishte mërzitur jeta e vështirë që bënim në konvikt.
Episodet që ndodhën në ata tre vjet jetë, në konviktin e Tepelenës, janë të shumtë e gjithëfarësh . Koha e largët kur kanë ngjarë, disa i ka mbuluar me tisin e harresës; të tjerë janë mbështjellë me mjegullnajën që përhap mosha por, mes tyre, ndodhet ajo kategori kujtimesh, të cilët nguliten, fort, në kujtesë e nuk mund të harrohen. Ndoshta do të ishte me vlerë po tju dëftoja një ndodhi e cila më ka lënë mbresa të pashlyera.
Që në krye të herës, ju paraqita, si munda, përbërjen e trupës pedagogjike, sipas shtrirjes krahinare. Xha Murat Koçiaj, ishte njëri nga të paktët mësues, nga rrethi i Teelenës. Ai ishte i paparë, në tërë sjelljen e tij; si mësimdhënës e si njeri. Plaku i ditur e atdhetar i rrallë, Murat Koçiaj, nga Sinanajt e Tepelenës, ishte mjaft kërkues dhe i saktë, në ato që na kërkonte. Ai drejtonte lëndën e gramatikës dhe kërkonta ta mësonim, si gramatikë. “Mësoni, bijat dhe bijtë e mi, që të bëheni të denjë për këtë vend, përndryshe do tju hipin , në qafë, fqinjët e Jugut”- ishte porosia e vazhdueshme e xha Muratit. Ai donte që mësuesit të ishinvendas.
Pas daljes në pension të atij njeriu të pazakontë,pasioanantit pas gjuhës dhe arsimimit në shqip, vendin e tij të drejtorit dhe të mësuesit të Gjuhës Shqipe e zuri libohoviti Bardhyl Joka. Bardhyli kishte ardhur në Tepelenë së bashku me vëllanë, Gencin dhe me motrën Lavdije, të cilët nuk ishin në nivelin e mësimdhënies të vëllait të tyre, prandaj, ishin mësues asistentë. Drejtori ynë, i ri, mësuesi i talentuar Bardhyl Joka, lexonte shumë. Ai nuk linte libër të ri, pa lexuar. Dhe kishte një metodë interesante në mësimdhënie. Thuajse në gjysmën e orës së mësimit të gjuhës, Bardhyli, na dëftonte episode të librit të ri që kishte lexuar. Në orën e tij, ne bëheshim tërë sy e veshë dhe ndiqnim, me vemendje, ato që na dëftonte mësuesi. Mezi e prisnim orën e radhës, me Bardhylin, që të vijonte rrëfimin, aty ku e kishte lënë. Mbaj mend kur na rrëfente romanin e ri “ Përmbysja” dhe atë :“ Afërdita përsëri në fshat”. Mësues Bardhyli ishte tregimtar elokuent, prandaj e ndiqnim me interes e vemendje të veçantë.
Një herë, në kuadrin e muajit të letërsisë dhe arteve, drejtori, na solli në shkollë shkrimtarin Kin Dushi, i cili na foli për letersinë në tërësi dhe u ndal tek libri i tij i ri: “ Udha e Velanit”. Thonë se fëmijët e moshës tonë, e kanë kujtesën të fortë. Këtë pretendoj dhe unë, për veten time ( pa modesti). Figura letrare e Tunxh Vasilit, i cili shpëtoi nga mbytja lundërat e fshatit, dhe vargjet e autorit: “ Të lumtë o Tunxh Vasili, të lumtë; emri yt, kurrë mos të humbtë”! më është ngulitur fort në kujtesë e nuk më shkulet prej saj.
Në balkonin e madh të shkollës tonë, në katin e dytë, ishin mbjellë lule. Një ditë erdhi në shkollë Ministri i Arsimit, Bedri Spahiu. Në udhëheqjen e lartë të partisë-shtet, kishin ndodhur disa kundërshti, të cilat nuk arrinim ti kapnim. Vetëm sa kishim dëgjuar se Bedri Spahiu, një goxha luftëtar i lirisë dhe kapacitet mendor, ishte ulur në përgjegjësi. Deri atë ditë nuk kisha parë ndonjë shtetar të asaj radhe, dhe me borselinë të zezë, në kokë. Drejtori, me qëllim që ti bënte qejfin dhe të merrte lavdërime prej tij , i dëftoi lulishtën në balkonin e shkollës. Bedriu, me një të folur labçe , karakteristike të krahinës nga kishte origjinën, tha: ” Po ti, përse e ke ngjitur gomarin në majë të qiellit? Përse nuk punoni e të mbillni sheshin përpara shkollës”? U zu ngushtë drejtori ynë e nuk dinte si ti përgjigjej ministrit të arsimit. Ai kujtoi se do të merrte lavdërime, por, kur mori “shuplakë”, nuk gjente vrimë ku të futej. Si thonë rëndom në anët tona:” Drejtori, vajti për lesh e u kthye i qethur”! Ju lutem të mos më keqkuptoni. Togfjalëshi : “ vajti për lesh”, nuk është në kuptimin e sotshëm, por : “ vajti për të blerë lesh”!
Në katin e dytë të shkollës tonë ishte salla e mësuesve . Në krahë të saj ishte një kthinë, ku ishte vendosur qëndra e zërit. Besoj se në të gjithë qytetin, kjo qendër zëri ishte e vetme. Them kështu, mbasi, në ditë festash dhe në ditë pushimi, ne që bënim pjesë më grupin e këngës labe, të shkollës, këndonim, gjithë ditën dhe këngët tona i ndiqte i gjithë qyteti, nëpërmjet altoparlantit që ishte vendosur në fasadën e godinës. Në qytetin e Tepelenës, në ata vite nuk kishte ndonjë radio publike dhe aparatet e radios ishin tepër të kufizuar. Drejtori i shkollës, kishte pikasur se disa nxënës këndonin mirë labçe dhe nëpërmjet mësuesit të muzikës , Thomait, bëri një testim profesional. Rezultuam, këngëtarë të përshtatshëm : Hysen Shehu, nga Hormova; Kajtaz Tole, nga Shtëpëzi dhe Niazi Nelaj , nga Kalivaçi. Unë vetëm ia merrja; Kajtazi ia kthente bukur, me grykë, kurse Hyseni ia merrte dhe ia hidhte,për mrekulli. Disa bashkëmoshatarë mbanin iso e kenga na vinte “ gjym”.
Këngën tonë e pëlqyen mësuesit tanë, banorët e qytetit dhe pushtetarët e partiakët lokalë. Na vunë në dispozicion qëndrën e zërit, të cilën e menaxhonte mësuesi i muzikës. Kujtuam se “ ia hodhëm” mirëpo “ Dardha e ka bishtin prapa”. Gjetëm belanë! Atë që e kërkuam vetë, në një farë mënyre. Kishte raste, kur, në festa e ditë të shënuara, na kërkohej të këndonim gjatë gjithë ditës e na ngjirrej zëri. Mbase nuk e teproj po të them se për atë që bënim nuk përftonim asnjë trajtim, qoftë dhe me një çaj, të ngrohtë. Nuk dinim të bënim hile, prandaj lodheshim shumë e nuk ankoheshim kurrë.
Gjatë muajit qershor 1955 dhamë provimet e lirimit e përfunduam shkollën unike. Nuk u klasifikova në radhën e nxënësve më të mirë, gjithsesi isha mbi mesataren dhe me shumë mundësi, për më tepër. Nga fshati Kalivaç i Tepelenës, e përfunduam shkollën unike vetëm dy nxënës: unë dhe shoku im i mirë Vezir Muharremaj. Të dy e kishim origjimën shoqërore: Fshatarë të varfër e nuk kishim ndonjë mbështetje apo ndonjë udhëzues që të na orientonte për më tej. Vezirit i akorduan bursë për në Teknikumin Bujqësor të Kamzës, në degën e pyjeve, kurse mua më çuan në Teknikumin Bujqësor të Korçës. Me nota ishim mirë, por na mungonte përkrahja shoqërore. Prandaj, na çuan , të dyve, në shkollë bujqësore, siç dujet, për të na mbyllur gojën. Thua se ai Kalivaçi ynë, na qenkësh hambari i rrethit të Tepelenës e i duheshin vetëm agronomë?
U largova nga Tepelena, qyteti im i dashur, ku kalova tre vjet jetë, u rrita e u ndriçova, me dije dhe ku formova një bazament të fortë , i cili mëvlejti më tej. Që prej vitit 1955, kur u largova, jam kthyer, herëpas here në Tepelenë, me raste. Rruga më çonte në Kalivaç, ku kisha prindërit dhe njerëzit e fisit tim, kurse, në Tepelenë rrallë më çonte rruga e puna. Megjithatë Tepelenën nuk e kam harruar asnjëherë. Pas lidhjes martesore, me Tatjanën, nga muaji maj, i vitit 1979, i shpeshtova vajtjet në këtë qytet.
Pas ndryshimeve demokratike që ndodhën në vendin tonë, pas viteve ’90 të shekullit që lamë pas, më erdhi rasti të punoja, disa vite me radhë, në sektorin e biznesit të vogël. E nisa me paketa e çimçakizë, në rrugë dhe arrita të ndërtoj një shitore, nga më të mirat e kohës, në qytet. Puna më bëri të takoj e të njihem me njerëz të profileve, moshave e tipave të ndryshëm, të cilët, më dhanë, jo vetëm kënaqësi e krenari, por dhe më plotsuan me disa vlera njerëzore, nga ato që mishëronin vetë. Kur mësoja në shkollën unike të qytetit, isha fort i ri në moshë e nuk i perceptoja në të gjithë dimensionet, ndodhitë që zhvilloheshin rreth meje; tashmë isha në moshë të pjekur dhe kisha mbi kurriz përvojën vetjake.
Duke punuar, mes njerëzve të mirë, si: Dajlani i Pupajve; Hekurani i Mehmetajve; Sotiri; Rustemi; Petriti dhe e shoqja –Nuri; Ismaili ; Koçua; Qrmali; Lefteri nga Luzati; Ëngjua nga Krahësi; Gjergji i Gogajve etj. etj., mora prej tyre, mirësi, e ndjeshmëri, krenari e dije. Jeta ime, në kohët moderne, mes atyre njerëzve, të veçantë më shtoi krenarinë, njërën nga vlerat e shumta të atyre njerëzve dhe unë, tashmë, me gojën plot pohojse: “ Jam krenar që jam shqiptar; por jam dhe tepelenas e kam marrë nga banorët e saj vlera me përmasa të rralla kombëtare”.Me erdhi keq që disa nga bashkëkohësit e mi nuk i gjeta në Tepelenë. Disa kishin emigruar , si Nazimi i Shehut të Bënçës; të tjerë kishin migruar brenda vendit. Vetem Maliqi i Lilajve qendronte , kreshnik , si Bilbilejtë, me armën e respektuar të vargut të këngës , në dorë dhe me mendjen e ndritur e vizionin e pamatë. Aty gjeta Nazminë e Pajajve; Sadatin e Bektashit, Sabaudinin e Shehajve etj etj. U miqesova me te tjere njerez; takova, me mall vëllezërit Shatrafili, nga Luzati, njoha Nolen e shume te tjere. Lidha miqesi te reja e provova shume kenaqësi, por përjetova dhe ndonjë prapësi e kërcënim nga të paudhët, në vitin e mbrapshtë 1997, kur çdo gjë u vendos për së prapi e trazirat zevendesuan rendin.
Pak relaks:
Duke sjellë në mend, jetën time në vitet e fëmijërisë në mesin e shekullit të shkuar, kujtoj e gjykoj me mendimin aktual se tepelenasit, e kanë dashur, gjthmonë dhe e kanë luajtur futbollin. Nga radhët e vendasve kanë dalë futbollistë të shquar e cilësorë, disa nga të cilët janë aktivizuar dhe me ekipe nga ata më në zë, deri në përfaqësuese. Por, për fat të keq, edhe pse kushtet nuk janë si atëherë, Tepelena, nuk ka patur ndonjëherë ekip për të qënë.
Në vitet ’50 të shekullit të shkuar, fusha e futbollit të qytetit ishte pak poshtë mëhallës Dragotas. Fusha ishte me dhe, e pa rrafshuar mirë e nuk mbaj mend të jetë zhvilluar atje, ndonjë ndeshje ndërqytetëse. Dikur e transferuan fushën e futbollit përtej lumit të Vjosës, aty ku formohet prej rrjedhës së lumit, një si gadishull. Fusha ishte me përmasa olimpike, me bar, por portat ishin pa rrjeta. Anash nuk kishte shkallë dhe sportdashësit ishin të pakët. Ne, konviktorët dhe fëmijët e moshës tonë, ishim tifozë të përhershëm. Loja e futbollit, për ne ishe veprimtaria më e pëlqyer dhe më relaksuese.
Një ditë luante ekipi i Tepelenës me atë të Përmetit.Përmetarët luanin më mirë. Në ekipin tepelenas, në ruajtje të portës ishte Zanja; i biri i postier Haxhiut, me një dorë . Tifoz “ i marrë” ishte Mufiti, i cili, gjithashtu punonte në postë. Më kujtohet që centërbek i ekipit të Tepelenës, ishte Lavdari, një hekurpunues, i cili luante me këmbë zbathur. Lavdari ishte këmbëmadh dhe e “ fshinte”, topin dhe këmbëne kundërshtarit. Në sulm luante një gjirokastrit, i cili e kishte emrin Pluton dhe mbiemrin Bimi. Ai gjuante fort dhe në mënyrë të beftë. Unë dhe dy tre shokë të mitë bënim tifo, për ekipin e Tepelenës. Shpesh qëndronim prapa portës dhe i jepnim kurajo portierit. Njëri nga përmetarët, dribloi Lavdarin, i kaloi dhe Zanes dhe e shtyri topin drejt portës, pa portier. Unë, që prapa portës, i rashë topit e nuk e lashë të kalonte vijën fatale. Arbitri akordoi gol. Tifozët thanë se: Ështe gol i diskutueshëm ; topi nuk e kaloi vijën fatale. Situata u acarua. Tifozët u revoltuan. Xha Mufiti, duke shkumëzuar, nga inati, m’u vërsul mua. Pas tij erdhën dhe tifozë të tjerë. E pashë keq dhe ia dhashë vrapit. Unë përpara e ata pas meje. Nga tja mbaja? Zgjodha lumin, me shpresë se ata ishin burra e nuk do te futeshin në ujë. U hodha në anën e përtejme të lumit, me gjithë veshje. Disa ditë, pas kësaj ndodhie, kur dilja në qytet, bëja kujdes që të mos përballesha me xha Mufitin dhe tifozë të tjerë, të kalibrit të tij. U “ pajtova”, pa fjalë , me tifozët “ agresivë”.
Si ky ka patur dhe episode të tjerë me interes. Nuk është vendi të renditen në këtë aradhë e të shpalosen gjithë vlerat e antivlerat e tyre. Për mua , qëndrimi në Tepelenë , në ata vite tejet të vështirë mbetet një nga periudhat më mbresëlënëse të gjithë jetës time.
Shkroji Niazi Nelaj; në Tiranë, shtator 2015.