Samoja i ka lënë të tetëdhjetepesat, por, gjykuar nga mosha dhe vuajtjet që ka përjetuar në jetë, Samoja mbahet mirë. Ajo u lind në mëhallën e Leshjes të Kalivaçit,më 15 dhjetor të vitit 1930, nga dy prindër kalivaçasas: Medini dhe Zonja. Babai i saj u nda nga jeta, kur Samoja sapo kish mbushur 5 vjeç. Mbeti jetime, vogëlushja Samo, së bashku me të vëllanë, Demirin. Nëna e tyre, u martua sërisht dhe i mori me vete, të dy fëmijët. Në një lindje të vështirë, pas martesës së dytë, vdiq dhe nëna e Samos, Zonja dhe, të dy fëmijët mbetën pa nënë e pa baba biologjikë.Kur Samoja nuk kish mbushur 14 vjeç, i shprehu bashkëfshatarit Sheme Muharrem Agaj, i cili ishte partizan, dëshirën për tu bashkuar me luftëtarët e lirisë. Mbasi partizani Sheme, bisedoi me komandën e Brigatës së 6-të Sulmuese, në ditët e para të janarit të vitit 1944, Samoja, nën drejtimin dhe kujdestarinë e partizanit Sheme Muharremi, së bashku me 2-3 partizanë të tjerë ( mes tyre dhe një femër), u rrjeshtua në radhët e Kompanisë së Dytë të Batalionit të Tretë të Brigatës së 6-të Sulmuese . Ishte e parritur dhe, fillimisht e pati të vështirë adaptimin me kushtet e luftës partizane. Pranë i qendruan partizanët me përvojë, kalivaçasit : Sheme Muharrem Agaj dhe Sulo Beqir Sulaj, të cilët e mësuan si të luftonte e si tu përshtsatej kushteve të luftës .
Në udhën e vështirë të malit, simotër iu bë partizanja nga Kuçi i Vlorës, Behija dhe si vëlla iu gjend, partizani nga Krahësi i Tepelenës, Lame Muharrem Salaj. Luftoi, trimërisht, partizanja Samo, në betejën e ashpër të Dukajt, më 25 gusht të vitit 1944, ku, kishte në krah, partizanin nga Delvina Sabri Godo, pushka e saj u ndie në operacionin e qershorit 1944 dhe partizanja e vogël përjetoi sakrificat e shumta në marshimin nga Përmeti, në Skrapar, e kalimin e Shkumbinit, në palcën e dimrit. Ajo luftoi e u plagos, në këmbë, në betejën e Labinotit të Elbasanit.
Shtrimi, në spital dhe koha e nevojshme për tu shëruar, bënë që Samoja të shkëputej nga formacioni luftarak ku bënte pjesë, i cili u çvendos për të luftuar kundër armiqve, në Veri. Ajo dhe partizanët e tjerë të plagosur, u bashkuan me forcat partizane të zonës së Priskës, afër Tiranës dhe luftuan në disa aksione, për çlirimin e kryeqytetit.
U çlirua Shqipëria dhe Samoja, nuk e kish mbushur moshën 18 vjeç. Sipas urdhrit të komandës eprore, ajo duhet të kish shkuar në shkollë, si shokët dhe shoqet e saj, por nuk kishte orientimin e nevojshëm dhe , si pa përvojë jete që ish, shkoi në Kalivaç. Meqënëse nga familja e saj, në fshat nuk kishte njeri, ajo qendroi gati 2 vjet, në shtëpinë e kushëririt të saj, Halil Laze Malaj, derisa u martua me bashkëfshatarin Breshan fejzo Bejomalaj ( Nelaj), në mëhallën e ahmetajve.
Samoja tashmë e moshuar, nënë e 5 fëmijëve biologjikë, nga vitet dhe vuajtjet është plakur e ligështuar, por ka po atë shpirt e ka mbetur besnike e idealeve të luftës partizane ku ajo mori pjesë aktive dhe dëftoi se vajzat nga Kalivaçi i Tepelenës janë po aq të zonjat sa dhe simotrat e tyre të trevave të tjera, dhe këtë e kanë vulosur, me kontributet e tyre, kudo ku janë ndodhur.
Ka shumë kohë që përpiqem të takoj atë grua heroinë nga fshati im, nga Kalivaçi i Tepelenës, e cila quhet Samo. Jo vetëm emri që mban, i cili është mjaft i rrallë e nuk ngjan me të tjerët, por sidomos historia që ajo mban mbi supe është disi e çuditshme. Ajo grua, ka jetuar shumë kohë në mëhallën time, në Ahmetaj, e ardhur nga mëhalla e Leshnjes, e cila mund të jetë mëhalla më e lashtë në fshatin Kalivaç të Tepelenës. Burri i saj, Breshan Fejzo Bejomalaj (Nelaj) ka qenë nga degëzimet e fisit të Nelajve, gjë që do të thotë se në dejet e tij rridhte i njëjti gjak me timin. Por, nuk është ky motivi që më shtyn të shkruaj për këtë grua. Ajo është e vetmja grua ishpartizane, nga Kalivaçi që është në jetë dhe bart vlera të shumta morale dhe historike.
Pas çlirimit të Shqipërisë, aty nga mesi i vitit 1945, Samoja, e ardhur nga rrjeshtat partizane u vendos tek të afërmit e saj, në mëhallën e Leshnjes, në fisin Hysenaj, ku gjeti ngrohtësinë e njerëzve të afërm e dashamirë, por, nga dera e saj, nuk ishte njeri, në jetë. Samoja kishte mbetur e vetme; dera e saj ishte “shuar”. Në këta kushte , Samoja jetoi rreth 2 vjet tek kushëriri Halil Laze Malaj , ku dhe vendosi të martohej me mëhallaliun tim, Breshan Fejzo Bejomalaj, me të cilin u martua . Kësisoj ishpartizanja Samo, bëri një hap serioz dhe të vështirë në jetë, Ajo u martua e u bë pjesëtare e familjes së xha Breshanit, një njeri të urtë, zemërmirë e babaxhan.
Breshani kishte qenë i martuar më parë; gruaja e parë e tij i kish vdekur, aksidentalisht e kish lënë pas pesë fëmijë. Gruaja e parë e xha Breshanit quhej Haire. Ajo ishte nga dera e Alush Xhezos, motër e Dule dhe Xhezo Alushit, nga Dulajt, në mëhallën Hasanimeraj të Kalivaçit. Ajo u mbyt, në Vjosë, tek vendi i quajtur Fundi i Jorgave,atje ku buzë përroit me të njëjtin emër, ka qenë një rrap , i vogël. Gojët e liga thanë se i kishin bërë “magji” e trupin e saj e kërkuan por nuk e gjetën. Përgojuan një grua, nga mëhalla jonë e thurën lloj –lloj paragjykimesh rreth ngjarjes fatkeqe. E ndjera e mbylli jetën në valomat e lumit, por kusuret i la pas mjaft nga të cilat i përjetoi heroina e këtij shkrimi , Samoja.
Xha Breshanin, e ndjera e la me një tufë fëmijë. Nga të pesë fëmijët që la pas e e ndjera Haire, vetëm djali i madh, Ismaili, ishte në moshën e adoleshencës; të tjerët: Sabriu, Xhika, Bewjua dhe Metullahja, ishin për koromanen e bukës. Në kushtet që gjendej xha Breshani, në ata vite, nuk ishte e lehtë të gjeje një grua që të pranonte për burrë një njeri me pesë jetimë.Xhika , Sabriu , Bejua dhe Metullahja, të cilët ishin të mitur kërkonin shumë kujdes e përkushtim që të rriteshin, pa e ndjeë aq mungesën e nënës biologjike të tyre. Ismaili, edhe pse ishte më i madhi i fëmijëve, nuk ishte në moshë që ti dilte për zot vetes.
Barrë të rëndë mori përsipër Samoja e Medin Selimit, nga Hysenajt e Leshnjes. Xha Breshanin e ndihmoi fati. Rrethi familjar, fisnor, shoqëror e miqësor, i tij ishte me influencë të madhe, dhe mall e gjë kish plot. Këta ishin faktorë pozitivë në anën e xha Breshanit. Ndikim pozitiv e me mjaft vlerë pati dhe qendrimi fisnik i familjes të së ndjerës. Njerëzit e së ndjerës, pavarësisht nga hidhërimi që i pllakosi, u radhitën përkrah Breshanit, në këtë histori. Fëmijët që la pas e ndjera Haire ishin nipërit dhe mbesat e tyre e, ata ndjernin përgjegjësi, për rritjen dhe edukimin mirë të tyre. Fakti që Samoja ishte njeri pa njeri, gjithashtu u ndodh në anën e Breshan Fejzos.Sidoqoftë martesa u bë me pëlqimin e të dyja palëve dhe rezultoi e suksesshme e jetëgjatë. Samoja e vetme nga të sajët, e gjeti vatrën plot dhe të ngrohtë.
Në këtë çështje delikate e të vështirë, Samoja u bë heroinë. Ajo u përshtat shpejt me fëmijët që gjeti, me burrin, me shtëpinë e me gjitoninë. Këto nuk ishin gjëra të lehta. Duhej çarë me vështirësi e sakrifica të shumta e të rënda për atë grua të re që zbriti nga mali, si ëngjëll, për të shpëtuar shpirtrat e pesë jetimëve. Kërkohej shumë kurajo e vendosmëri , për të kapërcye atë gjendje të rënduar. Gjërësia e shpirtit të saj, si det, kapërceu gjithfarë paragjykimesh, përgojimesh e sajesash dhe doli fitimtare mbi to, duke shpalosur vlera të rralla morale e humane, si grua e si njeri. Ajo grua e rrallë pati kurajon dhe mirësinë ti trajtonte “fëmijët e gjetur “, sikur të ishin të pjellët e saj. Samoja lindi dhe pesë fëmijë të tjerë, me xha Breshanin; njërin më të mirë se tjetrin. Ajo lindi, në Ahmetaj, një djalë: Gëzimin dhe katër vajza: Fatmirën, Shpresën, Zengjinen dhe Tatjanën.
Nëpër vështirësitë e kohës, Samoja rriti e martoi Xhikën, e cila vajti nuse në fshatin Beçisht të Tepelenës në fisin Çaçi; martoi Sabrinë, me Hamidenë e bukur, të bijën e Qamil Sulos, nga Beqirajt; martoi Bejon, me Gonin, nga Damësi i Tepelenës dhe Metullahen, me mësuesin Zeqo Kanushaj , nga Zhabokika. Djali i madh i xha Breshanit, Ismaili, mbasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në Leskovik, “u vesh “ kapter e u martua me një kaurkë, vendase. E pruri në Kalivaç nusen Ismaili e u bë dasëm e madhe . Ishte dasma e parë në shtëpinë e xha Breshanit. Nusja që erdhi nga Leskoviku i largët ishte nusja më e bukur që kish shkelur, deri atëherë, në Kalivaç. Isha ende i parritur në atë kohë, por portreti i nuses së Ismail Breshanit, më është skalitur fort në kujtesë, për veçoritë e tipareve të saj . E imët, bardhoshe, me tipare të vogla, me flokë kaçurrela, të zinj dhe me një dhëmb floriri. Gratë e mëhallës e të fshatit i komentuan gjatë tipaet e bukurisë të nuses kaurkë.
Samoja rriti, edukoi e martoi dhe pesë fëmijët e barkut të saj. Ajo, së bashku me xha Breshanin sakrifikuan nga vetja, u ngushtuan shumë për të shkolluar fëmijët e tyre, sipas prirjeve e preferencave. Aktualisht ata banojnë e punojnë në rrethe të ndryshëm të vendit, por Kalivaçin, ku kanë lindur, nuk e harrojnë. Fijet që i mbajnë të lidhur me fshatin dhe njerëzit e gjakut që banojnë, atje, janë të forta e të qendrueshme. Samoja, nëna e tyre, edhe tani kur vitet që ka mbi supe e kanë tkurrur, nuk e kanë ligështuar. Ajo i mban të gjalla lidhjet me fshatin, frymëzon dhe fëmijët, me dashurinë për Kalivaçin dhe banorët e tij.
Gëzimi, banon në Vlorë; Fatmira dhe Shpresa – në Tiranë; Gjinua ( Zengjinja) dhe Tatjana në Durrës dhe, vetë Samua, e bën jetën mes Kalivaçit, Tiranës, Vlorës e Durrësit, si një shpend i kujdesshëm që menaxhon lëvizjet e zogjve të saj. Ajo grua që përballoi vështirësitë dhe privacionet e Luftës Nacionalçlirimtare dhe vështirësitë e pasçlirimit, të cilat, siç dihet, nuk qenë të pakta, tani që i ka kaluar të tetëdhjetat, është bërë mjaft e ndjeshme, e prekshme dhe emocionohet shpejt. Të ndjeshme e me zemër të madhe e kam parë Samon qysh në fëmijërinë time por, tani ve re që preket shpejt . Në dy telefonata që pata me të, kohët e fundit, dëgjoja se në anën tjetër të telefonit ajo u shkri në të qara e nuk i përmbajti dot emocionet. Është plotësisht e kuptueshme dhe e justifikuar ndjeshmëria e lartë e saj dhe shpërthimi në vaj. Samoja i merr shumë afër vetes zhvillimet dhe i përjeton emocionalisht ato. Them: ka të drejtë, se jeta e saj nuk ka ecur në rrugë të shtruar e drejtvizore.
Në opinionin tim, ajo grua, me qëndrimin e saj të paparë, si rrallë tjetër, në Kalivaç e më gjerë,mbetet një heroinë e vërtetë e një shëmbull që frymëzon.Samoja, ajo grua me shtat të pakët por me zemër të madhe, në krijesën e saj futi dhjetë fëmijë, u bë jatak për ta dhe, menaxhoi të pamenaxhueshmen. Ajo mori në dorë frenat e asaj shtëpie, me emër, me miq eme taraf të shtuar, duke futur në lojë vlerat e saj të rralla, si njeri e si nënë e mirë, për të gjithë fëmijët e asaj vatre bujare. Kohët ishin të vështira e sakrificat, në veçanti për gratë ishin të shumta. Njerëzit, në mëhallën tonë e në fshat, jetonin në fukarallëk e në një ngushtësi të patreguar. Breshan Fejzo Nelaj , më pas Bejomalaj, vërtet kishte mall e gjë: ara të begata, bagëti e kafshë pune të shumta dhe vetë ishte i qetë e babasxhan; nga ata burra që u vënë shpatullat punëve e halleve, por ishte Samoja që u vinte vërdallë punëve e detyrave, me nikoqirllëk e aftësi të rrallë. Ajo shquhej dhe për kujdesin që tregonte për të shoqin, që atij të mos i mungonte asgjë. Ta themi siç ka qenë: ishin të rralla gratë,në Kalivaç që i mbanin burrat, akull, siç mbante Samoja xha Breshanin.
Nuk më hiqet nga mendja bujaria e asaj gruaje, e cila ndante me të tjerët edhe kafshitën e gojës. Kur isha i vogël, disa vite më parë, në familjen ku u rrita, për një farë kohe mungonin bagëtitë e nëna ime nuk tundte dybek, si gjitonet. Ishim pa dhallë e nuk kishim me se ta përcillnim bukën e misrit, të fortë, si gur. Samoja e Breshan Fejzos, me atë trup të vogël, por të plotë, brenda së cilit rrihte një zemr bujare, thuajse çdo ditë, herët në mëngjes, sapo zbraste dybekun, me një kovë( kusi) në dorë, plot me dhallë, të freskët e me një “top” me gjalpë brumë, në mes, si të harruar, pa dashje, gjendej në avllinë e shtëpisë tonë, i jepte Zonjës, nënës time, dhallën e i thosh: “ jepua fëmijëve, se janë të vegjël e shikojnë të tjerët”.
Ëmbëlsia e asaj dhalle, më vjen e freskët edhe sot, kur kanë kaluar kaq vjet dhe nuk e ndërroj, as me flori. Çfarë bujarie kish në shpirtin e asaj gruaje, e cila vinte e ikte, pa u ndjerë, si një ëngjëll mbrojtës për të varfërit. E theksoj këtë fakt të kuptimtë, jo se në një farë mënyre jam ushqyer nga duart e saj, prej nëne por dhe për rolin që ka luajtur Samoja, si grua përparimtare, në radhët e grave të Ahmetajve e më gjerë.
Si në të gjithë komunitetin kalivaças, edhe në mëhallën e në fisin tonë, gratë ishin të niveleve të ndryshëm dhe manifestonin huqe, prirje e tendenca, të cilat nuk i ngjanin njëra-tjetrës. Kjo është e kuptueshme dhe spjegohet me faktin e thjeshtë se gratë, në Ahmetaj kishin ardhur nga familje e fise të ndryshëm, brenda fshatit tonë e nga fshatra të tjerë. Deri në Kolonjën e Gjirokastrës e në Zagorinë e largët, madje edhe në Korçë e më tej kishin vrapuar kalivaçasit, për të gjetur nuse. Këto gra, të ardhura nga larg, kishin sjellë me vete, gjithë “ bagazhin”e familjeve e të fiseve të tyre. Me vlerat e antivlerat respektive.
Nga situatat që përsëriteshin, në forma të ndryshme, gratë ardhëse, n Kalivaç, nuk mund tu shmangeshin kundërshtive me njëra- tjetrën , të cilat shfaqeshin në jetën konkrete të tyre. Për hir të së vërtetës, pa e tepruar, në këto pak radhë them se: në mëhallën time dhe të Samos njëkohësisht, 4 – 5 gra ishin me shumë vese. Rëndom, ato etiketoheshin me “nofkën”: “ gra telendare”. Disa, sapo takoheshin me njëra – tjetrën, nuk linin njeri pa përgojuar; të tjera, grindeshin, kot së koti dhe mbanin mëri me njëra –tjetrën. Kishte dhe nga ato që thurnin intriga e sajonin të paqëna për shoqet dhe gjitonet e tyre. Këto dhe vese të tjerë, e rëndonin atmosferën e komunitetit.
Vlerë më vete ishte puna propagandistike që bënte ishpartrizanja Samo Medin Hysenaj ( Bejomalaj), në komunitetin tonë. Samoja zbriste nga mali, e kishte kaluar nëpër filtrat e shkollës partizane. Përveç kësaj, ajo ishte bartëse e vlerave më të mira njerëzore dhe manifestonte, në çdo rast, pastërtinë dhe fisnikërinë e origjinës së saj. Kur ajo mësonte se dy gra grindeshin me njëra – tjetrën, Samon e gjeje mes tyre, duke i ndarë ato, jo me ndërhyrje fizike, por me fuqinë e mendjes dhe të shpirtit të saj të mirë, mbasi i kishte dhënë sejcilës, atë që meritonte. Kur Samoja mësonte që dy gra mbanin mëri, ndërhynte, me takt e zgjuarsi, pse jo dhe me autoritetin e saj të ligjshëm, si grua “ e papërzier” në këto dukuri negative, i afronte e i pajtonte ato, pa mbajtur anësi.Meqënëse i urrente shumë thashethemet e nuk përgojonte asnjeri, kur në komunitet “zienin “ thashethemet, Samoja, “zhvishte shpatën” dhe me argumente e fjalë të gjetura,” neutralizonte” batësen e përgojimeve. Samoja kishte mendim të pavarur, të paanshëm e ishte guximtare, edhe në përdorimin e fjalës. Prandaj e donin, e respektonin dhe ja dëgjonin fjalën, jo si grua që ishte por si një burrë i mirë.
Më bën përshtypje e nuk arrij të konkludoj në një dukuri interesante. Mendja ime nuk arrin të spjegojë, si, dy prindër të thjeshte ( prindërit e Samos ), nga mëhalla e Leshnjes, e cila daton më të lashtën mëhallë, në Kalivaç paskan qenë njerëz me” haber” dhe i kanë vënë vajzës së tyre emrin Samo. Një emër tepër i rrallë, unik, në trevën tonë e më tej. Zor se do të gjesh një emër të dytë, si ai. Nga sa di unë, fjala Samo, në gjuhët sllave do të thotë: ( vetë ose vetëm ). E them pa asnjë mëdyshje se Samoja, vërtet mbeti njeri pa njeri, siç e thotë emri i saj, por, në jetë, ajo nuk mbeti e vetmuar.Heroina jonë rriti, edukoi e martoi plot dhjetë fëmijë dhe po gëzon disa syresh. Se jeta ka limite e kapriçio dhe disa nga ata, sot nuk janë në jetë.
Gjurmët që la pas humanizmi i rrallë i Samos, nuk mund të davariten lehtë. Ajo e gjeti vatrën plot dhe të ngrohtë, por uniteti dhe kohezioni që krijoi Samoja, në familjen me shumë fëmijë të Breshan Fejzos është për t’u përmëndur, me zë të lartë e açik. Samoja diti ti rrethojë me të njëjtin kujdes e dashuri, si “fëmijët e gjetur “ dhe ata që lindi vetë. Prandaj ajo mbahet mend e nderohet, si rrallëkush, edhe tani që i ka kaluar të tetëdhjetat, pavarësisht se ku jeton e me kë “mblidhet”. Ma do zemra e ma thotë goja që Samo Medin Hysenaj (Bejomalaj ) është një grua Zonjë e Zotëruar.
Për vlerat e shumta e të vërteta që bart ajo grua, në tërë qënien e saj humane, e kam kërkuar e do ta kërkoj, do ta takoj e do të bisedoj me të, si nëna me djalin; do të kujtojmë të shkuarën e dhimbshme e do të flasim për ditët që po jetojmë. Do ta takoj, patjetër, se kam mall për të e dert, për Samon e për atë marrëdhënie që egzistonte në fisin tonë, njëkohësisht. Deri tani kam qenë pa fat, në misionin tim por shpresoj shumë se do ta realizoj këtë takim të shumëpritur.
Në ditët e para të Janarit të këtij viti, për shkaqe të ndryshme ishja në Kalivaç. Qendrova pak orë. Me një kamera regjistruease e me një aparat fotografimi në qafë, kalova nga shtëpitë e Fejzo Breshanit ( vjehrrit të Samos). Doja ti fiksoja në celuloid, ato shtëpi, e ata troje aq të dashura për mua, të cilët më sjellin mjaft kujtime, të bukura e të trishta, por u zhgënjeva e u ligështova; u ndjeva keq.
Kur ndodhesha tek vreshti i Dajlanit e po filmoja qivurin e Sadikajve, si monument historik dhe varrin ku prehet trimi Tahir Muharrem Nelaj dhe nëna e tij Memja, e ktheva kameran, përballë, që të filmoja odën e Dine Xhelalit, djalit të vëllait të Breshan Fejzos dhe pak më sipër odën e famshme të Sherif Rrapos. Të dyja ishin shëmbur, nga themelet. Sa keq u ndieva! Abdyli, nipi i xha Sherifit po ndërton një shtëpi, të re, të kohës. E uroj, me gjithë zemër: “ta gëzojë, me gjithë fëmijë”! Por kam dhe një mendim: Odën e Sherif Rrapos, e cila ishte bazë e rëndësishme e Luftës Nacional çlirimtare dhe priti e përcolli, si në vitet furtunë dhe pas çlirimit të vendit personalitete nga më të rendësishmit, nuk e gjen dot më. Ajo që shëmbet, ikën e shkon, pa kthim. Historia ka gojë e flet; goja e saj janë objektet historikë, si ajo odë dhe simotrat e saj.
Zhgënjimi tjetër lidhet me odën e Dine Xhelalit. Në vend të saj, dikush kish mbjellë perime dimëri e nuk gjeta asnjë gjurmë nga oda e dikurshme, me shkallë guri, e me një strehë, nga Jugu.Dinja ishte njeri i mirë, bujar e babaxhan si xhaxhai i tij, Breshani. Shtëpia dykatëshe e tyre ishte e mbështetur , seksioni tek seksioni e për të unë kam mjaft nostalgji. Kam nostalgji e mall; jo vetëm për shtëpitë, për portat e mëdha , me dy kanata e me sofatë, me një çati të vogël e me dy kollona mbajtëse, por sidomos për të zotët e tyre, për ata njerëz që rrezatonin mirësi, të cilët shkuan e vanë, pa u ndjerë.
Ku vjen përsëri ajo urtësi prej, njeriu të paqtë e babaxhanit Dine Xhelali; shakatë me kripë të xhaxhait të tij Breshan Fejzo, humori i shëndetshëm i Qemal Sherifit, i cili ishte i këndshëm edhe kur bënte ironi. Nga ai “bllok “ ngrehinash, kishte mbetur në këmbë, vetëm oda e xha Breshanit. Sa u gëzova kur e pashë që i kishte mbijetuar asaj “batërdie” të pajustifikuar! E filmova dhe e fotografova, me shumë mall, dëshirë e kënaqësi , të pleksura bashkë.
Njëri nga ata që më shoqëronin më pëshpëriti, me zë të ulët:” odën e ka Samoja”. Sa shumë ma shtoi gëzimin , ky njoftim i dëshiruar. Nuk ishte vetëm kjo. M’u shtuan shpresat se mund ta gjeja aty Samon e do të gjeja mundësi për ta takuar e për të biseduar me të. E kam dashur dhe e kam respektuar Samon, aq sa dhe Zonjën time; jo vetëm se ato ishin shoqe të mira me njëra-tjetrën, por dhe për faktin se puqeshin në karaktere.Të dyja kishin kaluar nëpër halle të rënda e ishin gra, të cilave nuk u ndihej zëri; në Ahmetaj e në Kalivaç.
E doja në këmbë, odën e Breshan Fejzos e ngjitur me të edhe atë të Dine Xhelalit, jo vetëm se ishin të mbështetura tek njëra-tjetra, por dhe për një motiv tjetër, më të qënësishëm. Në fundvitin e largët 1956, kur isha duke ndjekur mësimet, në Teknikumin Bujqësor të Korçës, në atë odë (dy oda bashkë) u bë ceremonia e martesës të djalit të dytë të Xha Breshanit, Sabriut bukurosh, me Hamidenë, njërën nga vajzat më të bukura të fshatit, të bijën e Qamil Sulos, nga mëhalla e Beqirajve.
U pëlqyen e u martuan dy të rinjtë. Ata ngjanin si dy yje, gjithë nur, të cilët u shkëputën nga yllësitë e largëta e ranë në Tokë, për të ndriçuar e zbukuruar këtë pjesë të saj, Kalivaçin tonë, të dashur. E theksoj këtë episod për faktin e thjeshtë se kam qenë dëshmitar okular i këtij eventi dhe se e kam të regjistruar çuditërisht e në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën time . Si rregull, dasmat në Kalivaç, aso kohe bëheshin në vjeshtë; që përkon me fundin e vitit, kohë kur prodhimet ishin futur brenda e njerëzit, pas mbjelljeve të vjeshtës ishin disi më të lirë nga punët e shumta të bujqësisë. Në darkën e ditës së djelë, që është darka e nuses, në Ahmetaj, i zoti i dasmës ftonte , për darkë; burrat, gratë dhe fëmijët e të gjitha familjeve. Bëhej dasmë e madhe, disaditore, gëzonte e gjithë mëhalla e më tej.
Shkova në atë dasmë, për darkë, “në këmbën “ e babait tim, Xhevitit , i cili nuk ndodhej në Kalivaç. Sipas zakonit, më bënë vend në odën e burrave, e cila ishte shtruar në pjesën e Xha Breshanit të odës së madhe e më caktuan të ulesha atje ku do të ulej imatë.Në odë, sipas rëndësisë e largësisë me të zotin e shtëpisë, ishin formuar tri “trapeza”. Se mëhalla jonë kishte shumë familje dhe miqtë e shtëpisë të Breshan Fejzos ishin të shtuar. Ishin ulur në krahë të njëri-tjetrit, burra që “peshonin rëndë në kandar”, të cilëve u dëgjohej fjala e u çmohej mendimi. Të tillë, ishin: Musa Mehmeti, Abedin Kahremani, Muharrem Kamberi, Mane Tafili, Xhemal Haxhiu, Banush Xhezua dhe i vëllai i tij Lazja, Ali Pashua, Novruz Selfua, Qemal Sherifi, Muhedin Salihu etj.
U ndjava ca si ngushtë mes atyre burrave që më dukeshin si kreshnikë, të cilët, zor se do të vijnë përsëri ( për nga vlerat që përfaqësonin). Për të më“çliruar “ nga ai siklet, më erdhi në ndihmë Xha Breshani dhe dhëndrri i ri, Sabriu. Burrat që ishin ulur në atë trapez, nisur nga fakti se unë isha i parritur, për atë mision që kisha marrë përsipër, i detyruar nga rrethanat, më përjashtuan nga detyrimi për të pirë raki, me dolli, si të tjerët. Por unë, nga kurioziteti i fëmijës për të provuar të ndaluarën, herë pas here lëpija grykën e duçes plot me raki( shishes ) që më kishin vënë përpara ysmetçinjtë e asaj dasme.Rakia më pëlqeu por më dehu.
Kur “ u prish “ dasma e njerëzit u shpërndanë, për të shkuar në shtëpitë e tyre, diku pas mesnate, zbrita shkallët e drunjta të odës së xha Breshanit, dola në avlli e, më tej kapërceva shtegun e dola në udhën kryesore të mëhallës që zbriste nga shtëpia e Sheros deri tek varret e mëhallës. Të gjithë dasmorët shkonin lart, për në shtëpitë e tyre; mua më merreshin mendtë dhe më dridheshin gjunjët. Nuk bëra si të tjerët por mora udhën, poshtë, për nga varret. Një gjitonja jonë zemërmirë, Tajanja e Muharrem Kamberit, e cila njihej si një nga gratë “telendare “ të mëhallës tonë, por që mirësinë e kish në shpirt, më zuri nga dora e më tha: “ Miazi”,( se kështu më thërriste): ku po vete? Shtëpinë e ke lart, andej janë varret. Dhe më mori për dore e më shoqëroi deri në avllinë e shtëpisë tonë, disa metra më sipër se shtëpia e saj.
Gratë ishin sistemuar në odën e Dine Xhelalit, e cila i kishte shkallët përjashta, nga Jugu e kishte një “strehë”, ku vendoseshin opingat. Fëmijët e vegjël qëndronin pranë nënave apo gjysheve të tyre.Gëzonin të gjithë dasmorët. Gëzimi dukej sidomos në sytë tërë shkëlqim të Xha Breshanit e të Dines; gëzonte Ismaili, Bejua dhe motrat; fluturonte nga gëzimi Samoja, e cila martonte djalin “e gjetur”. Kot përdoret fjala “ i gjetur” mbasi për Samon, heroinën e këtij rrëfimi, kjo fjalë nuk shkon fare. Samoja, si grua e emanc ipuar e me shumë sedër, nuk bënte dallim tek fëmijët, nëse ata ishin të lindur nga barku i saj apo i kishte “gjetur “ aty, në vatrën e Breshan Fejzos.
E vështroja atë grua topolake, si fluturonte, sa në odën e burrave, ku kujdesej që atyre të mos u mungonte asgjë, tek gratë, të cilat, nga natyra janë nazelie e kapriçioze dhe të përgojojnë. Ajo kujdesej që asnjë fëmijë të mos mbetej pa ngrënë darkë. Më vjen e freskët në kujtesë sjellja e paimagjinueshme e Samos, kur në shtëpi erdhi Hamideja nuse. Bukurinë e saj e njihte dhe e respektonte i gjithë Kalivaçi, por atë ditë ajo se si dukej dukej ndryshe, shkëlqente më tepër e i kish hipur një nur bukurie i rrallë. Kur krushqit erdhën në avlli, nga porta e Dines, së bashku me nusen. Samoja mbante në dorë një shami të bukur , të cilën e tundëte dhe këmdonte. Minajetja e Mehmet Musait, një gjitone burrëreshë, ia mori këngës:
“Fryjti era dhe të ngriti, moj pajame;
Në Ahmetaj të vërviti, moj pajame;
Dolli Samua e të priti, moj pajame;
Me florinj të doroviti, moj pajame…”
Mbaroi dasma, u shpërndanë miqtë dhe shokët, nëpër shtëpitë e tyre; përfunduan dhe pushimet e mija dimërore. Shkova përsëri në shkollën time të dashur, më i freskuar e me një frymëzim të ri. Ajo që përjetova në atë dasmë, “mbajti vlagë” më shoqëroi për shumë kohë. Mësuesi im i letërsisë, një ditë na dha të bënim një hartim me temë të lirë. Temën do ta trajtonim mbi bazën e zakoneve të dasmës, të fshatit tonë dhe me të folurën e trevës. E bëra hartimin me subjekt nga dasma e Sabri Breshanit, të cilën e kisha të freskët. Hartimi doli mjaft i arrirë e u vlerësua me notën më të lartë. Pas tij vijuan hartime të tjerë cilësorë.
Sabriut të sapomartuar i erdhi kuraja ( mosha për ushtar) dhe u caktua të bënte shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në një repart këmbësorie, i cili ndodhej në Jug-Lindjetë qytetit të Korçës. Shkoja shpesh në atë repart për të takuar kushëririn tim ushtar. Në pushimet e shkollës, kur shkoja në shtëpi në tonë, i bëja vizitë dhe në familjes të Sabriut. Takoja e çmallesha me Xha Breshanin, me Samon, me Hamidenë dhe me pjesëtarët e tjerë të asaj familje. Shok kisha Bejon; moshatare kisha Metullahen, të cilës, ne i thonim nënë.
Para se të largohesha për në Korçë, Samoja, si një nënë e dhimbsur më jepte, në çdo rast porosi, për Sabrinë. Ajo, kur më shikonte që kisha ardhur në shtëpi, asnjëherë nuk harronte të grinte duhan, e paketonte atë në një qese prej pëlhure dhe mbasi e ngjishte mirë, fuste brenda, shumë dashuri për djalin e saj ushtar. Shpesh, në porositë e saj kishte ndonjë grusht me arra, nga pema që ndodhej prapa përdheses të Xha Breshanit; një grusht me bajame të thata, nga pema e madhe që ndodhej buzë pusit të thatë të Xha Isuf Jaçes, disa kokrra shegë apo ftonj dhe ndonjë kokërr ftoi. I kishte mblojtur Samoja Zemërnirë, ato “zaire”, në sepeten e familjes e i ruante për njerëzit e dashur të saj; mes të cilëve, një vend të veçantë kish Sabriu.
Sabriu ishte i pakët nga trupi, me fytyrë të rregullt e të bukur, me ballë të lartë e flokë kaçurrela, të zinj; duhanin e pinte paprerë, me zjarrin e cigares të pirë, ndizte tjetrën. Ndoshta duhani, me tepri u bë faktor që ai të sëmurej nga zemra. Kur i çoja dhuratat që i dërgonin nga shtëpia, Sabriu, më përqafonte fort, më puthte, me shumë dashuri e, si i thonë fjalës: “nuk dinte ku të më çonte”. Ai e kish të qartë kush ia dërgonte ato dhurata e i shtohej dashuria dhe respekti për Samon, e cila i zëvëndësoi , denjësisht nënën biologjike.
Për fat të keq, ai djalë e “deli” djalë, nuk e pati jetën të gjatë. Një atak kardiak ia preu jetën në mes, duke lënë të hidhëruar : Xha Breshanin, Samon, vëllezërit e motrat dhe dy fëmijët që lindi me Hamidenë.Dhimbshëm e përjetoi vdekjen e Sabriut, Hamideja, e cila, në atë kohë ishte fare e re. E donin shumë njëri- tjetrin dy të rinjtë por fati nuk deshi që martesa e tyre të ishte jetëgjatë. Zonja Hamide, kur u nda nga jeta Sabriu, lidhi në kokë shaminë e zezë, dhe e lidhi jetën me vajzën e me djalin që i la i shoqi. Ajo nuk pranoi të vinte tjetër burrë, mbi njeriun e saj të zemrës. Thashë Zonja Hamide, mbasi e tillë ishte dhe e tillë mbeti ajo grua e nderuar. Si pak gra në Kalivaç, të cilat patën fatin e saj.
Më vjen mirë që gruaja e kushëririt tim, të cilin e kam dashur shumë dhe ai më donte, po aq, siç donte vëllanë e tij,biologjik- Bejon, qëndroi si burrëreshë dhe kapërceu, me sakrifica të shumta sfidat e jetës e doli fitimtare mbi to. Edhe optimizmi i bazuar i Hamidesë, na bind se jeta vazhdon; me të mirat e me kufizimet e saj. Hamidesë iu rritën fëmijët e i martoi ata. Në çdo rast e në çdo rrethanë, frymëzimin dhe mbështetjen e sigurt e gjeti, në radhë të parë tek Samoja e Breshan Fejzos.
Nga komunikimi telefonik që pata me Samon, e cila kohët e fundit banon në Durrës, me Tatjanën, mësova se ajo, edhe pse e moshuar e me kondicion fizik të dobët, në ditët që do të vijnë do të shkojë në Kalivaç. Një sipërmarrje e vështirë kjo. “Bravo i qoftë”! Ajo do të shkojë për të marrë pjesë në dasmën e djalit të Fejzos, i c ili është nip i Sabriut. Më shkuan mornica nëpër trup.Nga kujtimet e shumta që kam , nga ajo familje dhe nga emocionet që më pushtojnë sa herë dëgjoj diçka për ata njerëz të mirë. Po shkoj drejt të shtatëdhjetave e jeta ime nuk ka qenë, as e lehtë, as nuk ka shkuar në vijë të drejtë.
Gjithsesi, kujtimi i mirë për Sabri Breshanin nuk shkulet nga zermra ime. Prandaj, në mesazhin telefonik që i dërgova Samos, me këtë rast, mes të tjerash theksova: “ … Samo, u gëzova shumë kur mësova numërin e telefonit tënd.Më ka marrë malli shumë e dua të takohemi.Ti je e lumtur që do të shkosh në Kalivaç. Unë, mund të vi më 12 gusht. Kam marrë pjesë në dasmën e Sabriut, qofsha me fat të martoj dhe nipin e tij, djalin e Fejzos”! Është e sigurtë që Samoja do të gëzohet e do të lumturohet pa masë. Ajo edhe mund të ligështohet e të derdhë lot. Se zemra e saj është e ndjeshme, e lodhur, jo nga mosha , sa nga brengat e nga dertet, dhe e sëmurë. Gjykoj: është më mirë që njeriu ta shfaqë, qoftë dhe me lot, atë “ xhëng” (lëmsh) që ka përbrenda, se çlirohet e “dëfren”. Samos i dhimbsen, jo vetëm njerëzit, në Kalivaç por, ajo ka shumë mall edhe për gurët e për drurët. Ka rastin të shkojë atje e të shijojë tërë kënaqësinë që të sjell takimi me vendlindjen e me ata njerëz që i do dhe të duan . Nuk më mbetet tjetër veç ti uroj Samos, gruas heroinë që ka çfarë t’u dëftojë të rinjve :”Udhë të mbarë e nusja, e nipit, e pastë këmbën të mbarë”!
Në Tiranë, më 28 qershor 2012 Punoi Niazi Nelaj
Pershendetje i nderuar Njazi. Per mendimin tim kini bere nje portret shume origjinal te Samo Bejomales. Kjo pune e bere nga ju me aq malle e deshire ju kujton juve vitet e rinise suaj por dhe u degon mesazh brezave te sotem dhe atyre qe do te vijen se njerezit e mire jane vleresuar dhe duhet te vleresohen. Respekt dhe suuksese te metejshme per studumin,evidentimin dhe pershkrimin e historise se fshatit Kalivac dhe me gjere.
Pelivan Hysi
E embla dhe e dhimbesura nena Samo.Akoma nuk e besoj qe ti ike dje nga kjo jete.Vetem e nise kte jete,por kurre nuk ngele vetem.U rrethove nga dashuria e vajzave te tua,niper e mbesa qe i rrite me aq sakrifica dhe dashuri…
Jam krenare qe prejardhja ime eshte nga nje grua me vlera kaq te larta morale dhe humane,me nje zemer te madhe qe na perfshinte te gjitheve.Je shum e vecante,fisnike,unike,hyjnore…ah moj nenoke sa do na mungosh.Do me mungojne ata syte e tu melankolike qe perloteshin aq shpejt,fjalet dhe uratat qe i shprehje me aq shpirt,keshillat qe na jepje,prezenca jote te shtepia e teze Tatjanes ku i mblidhje zogjte e tu.
Ti ike fizikisht per te ngelur perjetesisht ne mendjen e zemrat tona.Kurre nuk do te harrojme,do te kujtojme gjithmone me mall,moj nenoke gojeembel.
Do na mungosh te gjitheve,ti burim i dashurise se pashtershme,miresise pa kufi…
Nqs do behej nje film per jeten tende,ai do ishte filmi me i bukur…
Do i tregoj femijeve te mi historine e jetes tende,kur te rriten dhe pak…te tregoj se rrenjet e tua jane aq thelle ne zemren time.
E di qe je ne vendin me te bukur te parajses dhe engjelli yt do kujdeset gjithmone per ne.
Te dua shum nena ime,nuk do te harroj kurre….
Mbesa jote Ana