Jam nga Kalivaçi i Tepelenës dhe për këtë jam krenar. Aty jam lindur e atje kam kaluar fëmijërinë time.Tek ajo shkollë modeste , mes kaçubeve me përralle e gurëve të bardhë gëlqerorë , në majë të bregores që quhet Maja e Tendës , kam mësuar shkronjat e para të Gjuhës Shqipe.Mësues Vasili , nga Gjirokastra , në fund të vitit më dha dëftesën e klasës së parë , me të gjitha notat pesa. Unë , në atë kohë nuk e kishja mbushur moshën për në shkollë por shkoja pas motrës time , të vetme , Lumturisë dhe ishja tepër aktiv , në klasë. Edhe sot , e kësaj dite , kur kanë rrjedhur mjaft vite e jam bërë katër herë gjysh , ndonëse kam jetuar larg atyre viseve , me bukuri të rrallë e atyre njerëzve fisnikë , kujtoj me mall e nostalgji çdo gur , ferrë , çdo shkarpë e ledh , fiqtë e shumtë , të ëmbël si mjaltë dhe arrat , bajamet e hardhitë e pakta. Jam larguar nga Kalivaçi i Tepelenës 60 vjet më parë , kur akoma nuk kishja mbushur moshën 10 vjeç, mora udhët e dijes e të qiellit , në rrethana të caktuara , por Kalivaçin tim , të bukur e të begatë , nuk e kam harruar e nuk mund ta harroj. Me të jam i lidhur me njëqind fije. Edhe pse fizikisht kam qenë i drtyruar të banoj larg fshatit tim të dashur , me mendje e me zemër jam ndjerë pranë , atje, mes atyre bregoreve me gurë e shkurre , pranë fushës pjellore , anës lumit të Vjosës që sjell veç freski e bagati dhe pranë njerëzve të mi të dashur. Në Kalivaç , kur ishja akoma pa rritur , kam shkuar , natyrisht , pas babait , me dele e me qingja , kam fjetur në stan , në vendin e quajtur Kryet e RRedheve , ku kishim arat , mes bagëtive e pranë qenit tim , Balos , të cilin e doja shumë , mbasi ishim rritur së bashku . Balon e kishja si shok dhe si shpëtimtar. Ai më mbronte nga egërsirat e shumta që qarkullonin dëndur, në ato vite.
Një natë , kur në vathë ra ujku e për pak më ngatrroi me qingjat , Baloja im u përlesh me të dhe e përzuri. Ma morën balon një ditë , e shtetëzuan , tok me bagëtitë , kafshët e ngarkesës dhe rraaet e stanit .Morën dhe babanë tim , tok me inventarin e stanit. NJë ditë , akoma pa nxjerrë bagëtitë , në stan erdhën disa burra të panjohur . Ata ishin pushtetarë; nga ata që kishin dalë nga lufta e kishin zënë nga një karrike.Do të bëjmë shtetëzimin e bagëtive , sipas ligjit , tha i pari i tyre. Unë nuk merrja vesh nga ato që t hoshte shtetari , ishja kapur fort pas sharkut të timeti e vrojtoja atë që po ndodhte në stan. U dëshpërova shumë kur në anën e atyre gjërave që do të shtetëzoheshin , veç deleve , kuajve e pajisjeve të stanit morën dhe babanë , si çoban dhe më theri në zemër kur morën Balon tim të dashur. Shtetarët e kapardisur folën pak , por ato që duhet ti merrnin , i morën . Njëri syresh , me sa duket ai që dinte të shkruante e të lexonte , shkrojti , në një copëç letër , me laps plumbi , diçka të pakuptueshme. Vite më pas , kur ndodhën transformimet demokratike , kërkova nëpër arkiva dhe e gjeta atë “dokument “ pa firmë e pa datë , të shkruar me laps plumbi , me një shqipe që nuk merrej vesh , poe për fat të keq , ajo fletushkë nuk vlente si dokument që ne të kërkonim bagëtitë tona , të shtetëzuara padrejtësisht.
Ishja i vogël e nuk kuptoja gjë , në atë kohë , por kujtoj që , me naivitetin e një fëmije , vrapova , këmbëzbathur , pas bagëtive , kafshëve dhe nëpunësve të shtetit , duke qarë. E ndoqa karvanin , duke qarë , deri në Majën e Dërrasës, afër shtëpisë si kala të Haxhiajve. Qaja për babanë , të cilin nuk do ta kishja pranë , që të më mbulonte me sharkun e tij , kur nata freskohej e unë kishja ftohtë. Qaja për Balon tim të cilin e kishja “shok besnik”. Indoqa nga pas derisa mu sosën fuqitë e u alivanosa. Në shtëpi nuk e di kush më çoi, veç mbaj mend që u përmenda me një leckë të lagur me ujë të ftohtë , tek balli. Mbetëm pa dhallëe pa bulmet. U ushqyem me lakra të egra , si shumë të tjerë. Se ishte krizë e rëndë në ato vite e ne mbetëm pa babanë , në shtëpi.Në këto kushte i mbarova katër vjetët e shkollës fillore të fshatit . Në Kalivaç të Tepelenës , në mesin e shekullit të kaluar kishte vetëm shkollë fillore. Por unë ishja me fat,kur përfundova shkollën fillore të fshatit , më akorduan bursë shteti për të ndjekur arsimin unik (shtatëvjeçar) në konviktin e Tepelenës. Ishja në një klasë me bashkëfshatarët e mi : Vezir Muharremaj , Selam Zenelaj dhe Sadik Nelaj; më tej , po me bursë shkova në Teknikumin Bujqësor të Korçës , katër vjet. Atje u formova me kulturën dhe mentalitetin e mirënjohur korçar. “ Pa dashje “, u futa në shkollën e aviacionit , për pilot , në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë.U habit babai kur më pa të veeshur e të zbukuruar me uniformën e oficerit të aviacionit , aq i lakmuar aso kohe.Shërbweva si pilot në disa reparte të aviacionit dhre në shkollën përkatëse si instruktor pilot. Së fundi . përsëri “ pa dashje “ , u mora me punë partie e tani “ poshijoj” frutet e pleqërisë time. Vajta , ku nuk vajta , por Kalivaçin e Tepelenës nuk e harrova. Atje i kishja rrënjët e aty më kishte bërë koka “ dëng”. Kishja mall edhe për gurët e rrugës ndonëse në fëmijëri shpesh më kishin gjakosur këmbët e zbathura. Për sa kohë jetonin në Kalivaç Nëna dhe Babai , unë shkoja atje shpesh. Më pas shkoja më rrallë në atë bukuri të rrallë, por , gjithsesi shkoja.Në vitet 60 të shekullit të kaluar , kur zbrisja nga autobusi , ndaloja në Mazhar; kaloja Vjosën në lundrën e Kalivaçit e merrja udhën për në shtëpi.Udhës takoja plot njerëz , femra e meshkuj , të cilët mbushnin ujë për të pirë në burimet e Donijes , bisedoja me ta , për jetën e për punët e tyre. Vite më pas , kur më duhej të kaloja nga Mallakastra, zbrisja në Krahës (qendër), dhe ngjitesha, në këmbë i vetëm, nëpër atë të përpjetëç të mundimshme derisa dilja tek Maja e Tendës. Aty , kur shikoja shkollën time, më mbysnin kujtimet e këmbët më pësonin një lloj frenimi. Pas sheshit, ku femijët e shkollës kishin bërë një fushë futbolli , me dy porta prej shujesh që i kishin nxjerrë në Përrojin e Gomares, aty pranë , zbrisja poshtë , për në mëhallën e Ahmetajve, tek shtëpia ime. Nuk ndiqja udhën tradicionale, nga kamina e Hamit Caushite nga udha plot me gurë që të çon tek arishta e Azis Ramos , edhe pse e doja shumë atë udhe nëpër të cilën shkoja në shkollë, por zbrisja poshtë kurrizit , nëpër shkurre dhe dilja tek gërmallat e Ramo Nebiut. Ka diçka “magjike “ që më tërheq mjaft ajo shtëpi e shndërruar në gërmallë.Kur ishim të vegjël, luanim “luftash” në penxheret si frëngji të katit të dytë, hanim shegë , fiq e ftonj , qëndronim gjatë duke parë e duke u kënaqur me bukuritë e Përroit të Veldonit , Kurrizit të Mbretes, fushës së Kalivaçit , Shkozës e çorrushit , me lumin e Vjosës në mes. Edhe pse i rritur e oficer , kur zbrisja për tek gërmallat e baba Ramos , kur më dilte në horizont ajo fushë e begatë , ulesha në një shkurre apo mbi një gur , vështroja poshtë , kënaqesha me pamjen e mrekullueshme që më shfaqej përpara dhe… qaja . Nuk turpërohesha aspak që qaja. Qaja në heshtje , pa zë duke e kaluar shikimin nga Hysodosajt , Faqekuqet, Luadhet, Vidhishtat, Llapodhicat, Xinat, Llomerat, Shuret, Margëlliçin, Doken, Bregun e Staneve, Trapin e çesmës, Moçalet , Caushajt e çdo gjë që më zinte syri.Shlodhesha pak e vazhdoja zbritjen , tek kulla e baba Ramos e më posht , tek shtëpia e Mane Tafilit. Zakonisht kaloja udhës , nga kreu i shtëpisë, qendroja pak tek Buza , e cila , me kohë u shndërrua në një vend të shënjtë ku mblidheshin burrat , në kuvend , kaloja tek shtegu i avllise të xhako Rremes , ngjitesha lart e futesha tek shtegu i avllisë të shtëpisë tonë. Në avlli ose brenda në shtëpi , zakonisht gjeja nënën time, duke berë ndonjë punë nga të sajat. Takoheshim siç takohet nëna me birin e unë ulesha në sofat . Nëna më vinte pranë e më pyeste , për “dhëmbë e për dhëmballë”.Në të errur të ditës vinte im atë . Ai përpara e delet prapatij. Kur ai futej tek shtegu i avllisë , çohesha nga sofati , i dilja përpara dhe takoheshim , me kokë , si malësorët . Fjalët i kishte të kursyera. Më kujtohet që , në çdo vajtje timen , kur takoheshim thoshte: “ Erdhe ti “? E mbante përbrenda mallin plaku i vuajtur.
Në raste të tjerë , kur i kishja sytë të përlotur , nga droja mos e vinin re dobësinë time fqinjët që mund të ndeshja në rrugë , nuk kaloja nga Buza por hapja shtegun e sipërm të kofshtit she zbrisja nga arishta jonë për në shtëpi. Në këta raste e gjeja nënën në befasi të plotë , mbasi dilja prapa shtëpisë tonë.Edhepse mund ta gjeja në befasi , nëna , kur më shikonte në avlli , lumturohej , si ajo. Babai , kur vinte nga dhentë , mbasi takohej me mua përfillej për punë. Ishin punët e tij , në të cilat nuk pranonte ndërhyrje apo sugjerim. Ai , e niste punën me therjen e njkë qëngji. Kur ishte sezoni i qingjave pirës , therte më të mirin e më të lashtin e tyre. Në logjikën e tim eti ishte rrënjosur thellë mendësia se “ po të mos therte më të mirën , për atë që donte , mesiguri të nessërmen , berrin do ta hante ujku”. Asnjeri nuk mund tja ndryshonte këtë bindje Xhevit Malkos , me shpirt bujare zemër flori.Kur kishte kaluar stina e qingjave , Babai im therte një sheleg , një milor, një dash apo një dele , shterpë. Nuk linte asnjë rast pa “bërë gjak” se e kishte për gjynah. Jo se ishte ndonjë besimtar “i thekur “ , por gjithsesi besonte.
Në mbrëmje , në shtëpinë tonë vërshonin gjitonët . Shumica ishin të fisit tonë ; Binaj ose Nelaj . Kishte dhe nga nënfise të tjerë. E para vinte Memja , e veja e dëshmorit Muharrem Hasani , vinte Hysnija e Musa Mehmetit , një grua kapedane , nuk mungonte kurrë Selmani i Resul Nelos , Tajanja e Muharrem Kamberit etj. Uleshim rreth vatrës dhe bisedonim e çmalleshim me njëri –tjetrin. Unë i pyesja me kërshëri, çfarë ka ngjarë në mëhallë e në fshat ? kush ka lerë e kush është ndarë nga jeta ? Kush është fejuar e kush është martuar?Deri edhe kush ka shkuar ushtar , kur e ku ? Ditën e nesërme dilja në mëhallë e në fshat . Mëhallën e shkelja derë më derë , në fshat shkoja në ato familje ku kishte sebepe.Pikë të dobët kishja takimin me të moshuarit .Takoja dhe të rinj e me moshë mesatare. Qendroja me orë të tëra pranë tyre , kuvendoja me ta e mësoja prej tyre. Ditët që qendroja në Kalivaç , për mua ishin më të lumturat .Për fatin tim të keq , ato mbaroheshin shpejt e mua më duhej të merrja udhën e kthimit në detyrën time ushtarake.
Në mjaft raste , kur banoja në Tiranë, bashkëfshatarët e mi më vinin në shtëpi . Ata i sillte halli në Tiranë . Vinin për të takuar fëmijët që i kishin ushtarë, për të parë fëmijët në shkollë , për të vizituar të dashurit e tyre në spital , deri dhe për tu ankuar në organet e larta të Partisë e të shtetit , kur organet vendore nuk ua zgjidhnin problemet. Nuk përtoja fare për ti shoqëruar musafirët e mi tek njerëzit e tyre , nëpër shkolla , në reparte ushtarake apo në spitale, përkundrazi , kënaqesha e krenohesha se kishja mundësi e dëshirë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Tani që nuk jam më i ri e “ kam hyrë në ujë”, nuk mund ti ndjek më njerëzit nga pas , megjithse do ta dëshiroja shumë këtë gjë.Por , malli për Kalivaçin dhe kalivaçiotët nuk më është shuar por më është shtuar akoma më shumë.
Së bashku me Vezirin, Xhelilin , Shyqyrinë, Gjonlekën, Ferrikun , Petritin etj burra të shkolluar , kemi kohë që po punojmë për të përgatitur një libër , tip enciklopedie , kushtuar fshatit tonë të përbashkët , Kalivaçit të Tepelenës .Mburremi me prejardhjen tonë nga ky fshat dhe kemi dëshirë ti bashkojmë të gjithë bashkëfshatarët tanë , në një libër , pranë njëri- tjetrit , siç kanë qënë e siç janë në jetë. Sa do tja arrijmë qëllimit , koha do ta tregojë.Më mbush me gëzim e më frymëzon fakti që , çdo kalivaçiot që kam takuar , e do Kalivaçin , krenohet me të e kërkon të kontribuojë për këtë material. Kanë shumë të drejtë ata që e thonë açik fjalën , kur dikush i pyet :Nga je ? “Jam nga Kalivaçi i Tepelenës , thonë të gjithë. Si të mos e ndjesh veten krenar , për atë vend që të fal vetëm krenari. Se Kalivaçi ynë nuk është fshat i “çapaçulëvee i leshkove “ por është fshat i trimave azganë. Mjerisht , jo vetëm për fajin tonë , kemi humbur shumë kohë e nuk kemi më për të humbur . Nuk më vjen mirë që nga e kaluara e lavdishme e asaj treve , e cila ka nxjerrë Ormën Allinë, Dule Maton ,Xhelil Duron , Tahir Nelaj etj . të mos kemi as dy radhë të shkruara. Ne , duhet ta kapim kohën e humbur , me punë të sforcuare me objektivitet shkencor. Puna sido kudo , pa përgjegjësi , nuk tëçon larg.Shpejtimi diktohet dhe nga fakti se disa objekte të lashtë , të cilët dëshmojnë historinë e fshatit tonë , nga dita në ditë mund të na humbasin në thellësitë e ujëmbledhësit të hidroçentralit që pritet të ndërtohet. Nesër , ndoshta do të jetë vonë e objektet e rrallë nuk do ti shikojmë kurrë. Prandaj bëj apel “të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë , koha nuk pret”. Përgjegjësinë duhet ta kërkojmë tek vetja , jo të justifikohemi e të përpiqemi tja lëmë stafetën njëri – tjetrit. Objektet që pritet ti mbulojë uji i kemi dhuratë nga lashtësia e nuk duhet ti humbasim. Ato janë të rralla, të kuptimta , të papërsëritshme e nuk kemi ku ti gjejmë po i mbuloi uji. Atje është Hambari i lashtë, atje ndodhet Shpella e vjetër e Eremitëve , është Ulluku , i cili shërbente për të çuar mallin në hambar etj. Po Shpella e Alliajve, Mulliri i Gurrësdhe vetë Gurra e moçme sa ai vend. Pyetja shtrohet: A do të arrijë niveli i ujit deri atje? Inshallah nuk arrin e objektet tona të lashtësisë do ti shikojmë edhe në të ardhmen , me sy të lirë.Sa shumë më gëzoi një lajm , nga i cili mësova se uji i liqenit që do të formohet , nuk do të arrijë në nivelin ku ndodhet Hambari. Po shpellat e tjera që nuk janë pak , a do të mbeten jashtë ujit? Ato , të gjitha janë me vlera historike. Mëhalla e Hasanbegajve është ndërtuar mbi një masiv shkëmbor, i cili zgjatet nga Gurra deri në Sheshin e Donijes. Çdo fis , në Hasanbegaj , në këtë masiv shkëmbor ka patur shpellën e vet. Në kohë të qetë , shpella është përdorur si depo ose për të strehuar gjënë e gjallë; në kohë të trazuara ( në kohë lufte), shpellat shërbenin për të strehuar gratë dhe fëmijët e fisit . Sot e kësaj dite , ato shpella me histori janë aty e njihen nga i gjithë komuniteti se të kujt kanë qenë e të kujt janë.
Monumentet historikë të Grykës së Lumit të Vjosës zënë fill tek Rredhi i Gjikos, vijon me Mullirin jetësor të Gurrëse me vetë Gurrën ujëplotë e të pashterrshme, më tej është Rredhi i Kuq ose siç i thonë vendasit, Hambari, pastaj ndodhet Shpella e Ali Muços, Shpella e Taket, Shpella e Alliut , Shpella e Aliut, Shpella e Sheshit të Vështit e më tej me monumente të tjerë , të lashtë e të rinj që formojnë “një gjerdan famëmadh lavdiee historie”.Shpella e Vështit , përveç anës historike , në kohë të ndryshme ka qenë strehë për dimërimin e kopeve të dhive që shtegtonin nga treva të ftohta të rrethit të Tepelenës, Përmetit , Skraparit , Gjirokastrës etj. Për shkak të pozicionit gjeografik e klimës së butë , në dimër , Kalivaçi , me meratë e bollshme për ushqimin e dhive, është konsideruar “Vërri”, prandaj në bregoret me shkurre të këtij fshati gjithnjë kanë vërshuar kope të shumta me dhi.Këtë e dinë fare mirë çobanët esnafë të Komarit , Zhejit, Zhepovës, Kaltanjit, Malëshovës, Kajcës etj etj.
Historike dhe me bukuri të rralla është Gryka e Ylynecit, me ata masive shkëmborë , të llartë e të thepisur , e cila shtrihet buzë lumit dhe ndan dy fshatrat fqinjë : Kalivaçin nga Dorza , gjithashtu e pasur me histori trimash. Në të dalë të Grykës së Ylunecit , nga Jugu, ka qenë Mulliri i Gurrës. Ujët e ftohtë e të qartë , si kristal i Gurrës , që del nga shkëmbi , nuk shterron kurrë. Ai është përdorur e përdoret për të pirë , si nga banorët e mëhallës Hasanbegaj dhe nga gjithë komuniteti kalivaçiot.Me ujin e bollshëm të këtij burimi , kohë më parë ka qenë ndërtuar një mulli ,e filaqi , i cili bluante rreth vitit. Që nga Nivica e largët e Kurveleshit u çkul fshatari Mufit Qamil Xhaferri , i cili u ngul në atë grykë e punoi shumë kohë si mullixhi, familjarisht. Ai u familjarizua me kalivaçiotët , madje zuri shumë miq dhe , kur e ndjeu se po plakej , u ngrit e iku , në fshatin e tij të lindjes, në Nivicë.
Sa shumë herë kam shkuar në Mullirin e Gurrës, gjithnjë në shoqërinë e nënës time Zonjës së Madhe , të cilën e mbaj mend tek çapitej e rropatej monopateve buzë lumit , me një torbë në krah , në të cilën mbante atë pak bereqet që dispononte familja jonë e varfër. Torba , zakonisht kishte rreth 20 kg drithë. Ca e mbanin gurët e mullirit , gjatë bluarjes së drithit , diçka e donte mullixhiu , për ujem e, atë që mbetej e shpinim në shtëpi , ku na prisnin gojë të uritura.Udha jonë , për në mulli gjarpëronte anës lumit të Vjosës , fare pranë ujit . Kalonim një kalvar të vërtetë , sa herë merrnim udhën për në mulli . Udha ishte e ngushtë, me gurë , udhë dhish , ku dy vetë , së bashku nuk mund të kalonin në të njëjtën kohë.Poshtë udhës nëpër të cilën kalonim , poshtë rrapishteve gurgullonte ujët e lumit të Vjosës.Përtej lumit , në atë bardhësi shekullore , pas zallit ngriheshin shkëmbinj masivë , si në anën tonë të lumit.Midis dy masiveve shkëmborë kalon lumi. Të krijohet imazhi sikur Vjosa jonë hijerëndë , ul pak kokën e futet nën mal , duke përshkuar nëpër një tunel gjigand, pa tavan.Duket sikur mali i lartë i Këndrevicës ka shtrirë njërën këmbë e është shtrirë deri në mëhallën e Hasanbegajve e më tej. Kur kaloja anës lumit , për të shkuar në mulli , shumë herë kam provuar të hedh gurin (gurë lumi), e ai ka shkuar deri në anën e përtejme të lumit. Aq i ngushtë është shtrati i tij. I qëlloja me gurë e u bërtisja djemve nga Dorëza , të cilët luanin përtej lumit , në zallishte. Të njëjtën gjë bënin edhe dorëziotët , të cilët hidhnin gurë lumi, me dorë , pa hobe. Kur arrinim tek Sheshi i Vështit uleshim , për t’u shlodhur pak. Nëna që mbante në krahë torbën me miell , e kishte të nevojshme të shlodhej. Në ndonjë rast mblidhnim shkarpa dhe atëherë barra për nënën time shtohej; cfilitja e saj gjithashtu. Vendit i thonë Sheshi i Vështit por , atje shesh nuk ka , një copë lëndinë ia jep emrin. Në anën e udhës , andej nga është lumi , kanë qenë disa gurë mbi gurë , të cilët nuk i prekte njeri . Veriorët i thonë “Muranë” . Në vitet 30 të shekullit të kaluar , aty është vrarë , për hasmëri , një njeri i fisit tim , i cili quhej Shaqo Mehmeti. Për fat të mirë , kjo plagë e shëmtuar e së kaluarës nuk u zhvillua në Kalivaç të Tepelenës. Kjo është vlerë e çfarë vlere.Matanë lumit shikoja shkëmbin e lartë , të thepisur të Ylynecit dhe rrugën malore që ngjitej lart , me zigzake. Më habiste e më kënaqte , pa masë bukuria e këtij peisazhi piktoresk.Habitesha kur vështroja ato shpella të nxira nga tymi , dëshmi e lashtësisë të tyre. Interesant është fakti që shpella të nxira ka vetëm në anën kalivaçiote të lumit të Viosës, pkërisht në atë anë ku shkëmbi është më i thepisur.
Sipër Sheshit të Vështit , nën mëhallën e Hasanbegajve ngrihet masivi shkëmbor që mban emrin “Shkëmbi”.Nëpër të çarat e gurëve kanë mbirë shkurre përralli , xine e mbrete dhe tek-tuk fije bari , të gjatë, si fije fshese. Kullota e Shkëmbit ishte kryesisht për dhi , por im atë , në dimër , kur nuk i mjaftonte meraja për dhentë , i çonte ato andej , nga Shkëmbi. Dhentë e Xhevitit ushqeheshin me barin e rrallë që gjenin , “brinin” gjethe e përtypnin lëndet e përrallit që qëmtonin poshtë shkurreve. Pak më tej , në drejtim të Veri-Perëndimit ndodhet Burimi i Sipërm , apo , siç i thonë vendasit : Burimi i Madh.Ujët e këtij burimi rrjedh nga shkëmbi e ta thasn gishtin po ta futësh brenda tij. Në këtë burim kanë marrë ujë për të pirë , qysh në kohë të kohës banorët e “ Pusit “, apo të “ “fsahatit të madh”.Me bucela ngarkuar mbi gomerë apo mbi kuaj e së shumti gratë me kazanë, mbi kokë , ose me bucela të ngarkuara mbi shpinë , me tërkuza, e çonin ujon e burimit , të freskët në shtëpitë e tyre, të cilat ndodheshin afërsisht 30 minuta larg. NJë kalvar i madh ky , sidomos për gratë. Burimi i Sipërm si dhe të tjerët që ndodheshin anës lumit ishte një pellg me ujë , që buronte nga guri , në një shtrat kumi (rëre).Transportuesit e ujit , i mbushnin enët me disa kallaje prej alumini ose me jamake prej bakri.Disa metra më tej ka qenë një pllakë guri , e madhe , e bardhë , e pjerrët , e cila niste nga udha e zbriste në lumë . Në ujë ishte futur pjesa më e madhe e kësaj pllake. Kur ishja rreth 3 vjeç shkoja në burim , pas nënës time dhe këtë e kishja një lloj argëtimi e lodrimi. NJë ditë, kur nëna po mbushte ujë , së bashku me shoqet e saj , shkova për të luajtur tek ajo pllakë e gurtë. Ushtriva kokëposhtë e po rrëshqisja drejt ujit të lumit. Kishja kuriozitetin të provoja atë ujë që mund të më kishte marrë jetën. Mund të kishja përfunduar në lumë e të ishja mbytur po të mos kishte ardhur , me ulërima , gege Tajanja , gruaja e gjitonit tonë Muharrem Kamberit. Ajo më kapi pas dy këmbëve e më tërhoqi nga pllaka e gurit.Shpëtova , nga duart e rreshkura të asaj gruaje fisnike , e cila mu gjend si nëna ime e dytë.Deri sa u nda nga jeta , gege Tajanja , shpesh më thoshte”Ti je djali im”. Vite më pas , kur unë mësoja në Tepelenë, drejtori i konviktit kërkonte një firmë nga njëri prej prindëve të mi.U ndodh gege Tajanja në Tepelenë e vuri gishtin , në vendin ku duhej firmosur, në vend të Zonjës së Madhe.
Më tej burimit të madh , në hyrje të Sheshit të Donijes ka qenë një lundër. Kur e si është ndërtruar ajo lundër asnjeri nuk e di. NJë gjë dihet me siguri: me atë mjet të thjeshtë ujor e kanë kaluar lumin , nga njëra anë në tjetrën mjaft banorë të të dyja anëve, shpesh me kafshët e tyre. Lundra ka patur formën e nj varke , ndërtuar me dru lagështidurues , të izoluar me myshk, e me dysheme sipër . Ajo ka qenë herë me një seksion e herë me dy seksione. Lundra mbahej me dy kavo çeliku , në formë trekendëshi , e cila përfundonte , në kulm tek një çikrik që rrëshqiste nëpër një kavo çeliku , të trashë e të fortë , e cila quhej pallamar. Pallamari ishte i mbërthyer , në të dyja anët e lumit , në shkëmb , tek një nyje ku pleksej guri me betonin . Në anën e përtejme të lumit , diku në rrapishtet e Shkozës ishte ngritur një platformë . rreth 3 m e lartë , për të ngritur pallamarin.Mbi lundër hipnin për të kaluar lumin e Vjosës , si në stinën e dimrit kur ujët ishte i shtuar e lumi ngjante me një det dhe në stinën e thatë kur ujët shteronte e lumi , diku më poshtë mund të kalohej dhe në Va.Në vitin I957 LUNDRA E Kalivaçit iu nënshtrua rikonstruktimit. U bënë përforcime në të dyja pikat e mbërthimit të saj. Në atë kohë , babai im , i ndodhur ngushtë ekonomikisht dhe kur i duhej të përgatiste “pajën’ Per të martuar motrën time të vetme , Lumturinë , e cila nuk i kishte mbushur ende 15 vjeç, punoi 2-3 muaj në ndërtim , për të fituar një grusht me para .
Lundërtarët , den baba den kanë qenë kalivaçiotë. Jo vetëm se lundra ndodhej më afër fshatit tonë por , më tepër , për faktin se kalivaçiotët janë , të zgjuar e të shkathët dhe notarë të mirë. Nuk mund të numërohen ata që kanë kaluar lumin në lundrën e Kalivaçit. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore e kanë kaluar lumin nëpërmjet asaj lundre partizanët e Brigatës së Parë Sulmuese dhe të tjerë luftëtarë të reparteve partizane. Njësi trë Ushtrisë Italiane , kur donin të kalonin nga krahina e Mallakastrës në ato të Vlorës , nëpërmjet kësaj lundre e kaluan lumin.Lundërtari nga Kalivaçi Hasan Ramo Ramaj njihet si njëri nga lundërtarët më të zotë të të gjitha kohëve. Pas tij u rritën mjaft të tjerë , që bënë emër në vite. Në atë lundër u mbyt lundërtari i fuqishëm Sadik Muharrem Nelaj , të cilit iu përmbys lundra dhe e zuri poshtë në një lumë të dalldisur. Por ajo lundër me histori , sot , për fat të keq nuk është. NJë kompani e huaj , fantazmë , dhe një tjetër e vendit , kanë marrë përsipër të ndërtojnë , mbi Vjosë, pikërisht në Kalivaç një hidroçentral. Prej disa vitesh punohet në atë terren shkëmbor e hidroçentrali nuk po ngrihet .Prishjet në të dy anët e lumit janë të shumta por më ngjan sikur po përsëritet Legjenda e Rozafës.Makineritë gjigande të ndërtuesve dhe puna e bërë deri tani , nuk kanë mundur ta bëjnë “ zap” atë ‘” kalë të azdisur “. Kur nisën punimet , me shumë bujë e zhurmë , plaku 100 vjeçar nga Kalivaçi , Safet Agmet Caushaj , me zgjuarsi e jo pa ironi u tha ndërtuesve: “ Eshtë lumë i egër ky yni , kini mëndjen e bëjini hesapet mirë”.” Profecia e xha Safetit “ ka të ngjarë të dalë. Ndëretuesit , jo vetëm që nuk po e ngrenë hidroçentralin e premtuar por na kanë shëmtuar Grykën e Ylynecit me gërmimet që kanë bërë deri tani . Prandaj , me sa fuqi që kam lëshoj alarmin e bëj apel , të gjithë kalivaçiotëve : Të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë , nga historia e lashtë e fshatit tonë .Dashuria për fshatin është konkrete e shfaqet dukshëm , çdo ditë. Eshtë koha që çdo njeri ta prezantojë veten , ashtu siç është. Nuk është koha për përbetime por për veprime.Historia na ka lënë trashëgim mrekullira të rralla, është detyra jonë ti ruajmë e ti përjetësojmë ato.
Në Tiranë, më 31 mars 2012
Punoi Niazi Nelaj