Përrenjtë që rrjedhin në hapësirën e Kalivaçit

Kalivaçi i Tepelenës është i ndërtuar mbi një terren kodrinor. Edhe pse lartësia e kodrave mbi nivelin e detit nuk është aq e theksuar, ujërat e shumtë që rrjedhin në faqet e tyre, me zbritjen drejt derdhjes formojnë përrenj, të cilët, hera – herës, sidomos në stinën me reshje bëhen të rrëmbyeshëm e ujëplotë. Përgjithësisht, përrenjtë që formohen në territorin e Kalivaçit, në stinën e thatë, janë të pa ujë.

Duke rrjedhur siç kanë mundur, në vartësi nga terreni ku ata kanë bërë shteg, disa syresh, jo vetëm që nuk i kanë sjellë ndonjë dobi fshatit por, përkundrazi, kanë qenë pengesë dhe e kanë dëmtuar atë. Jo vetëm se shtrati i disave prej tyre është me gurë e ka hedhur zhavorre e shkëmbinj mbi arat ku është derdhur, por dhe për faktin që aluvionet që kanë sjellë me vete, ( i kanë rrëmbyer më lart), po në tokat e fshatit nuk kanë qenë dobiprurëse. Po të hedhim një vështrim të shkurtër mbi gjeografinë e përrenjve, tabloja na paraqitet e tillë:

1) Përroi i Veldonit. Kalon pranë mëhallës Ahmetaj dhe mbledh ujërat që rrjedhin nga Kurrizi i Mretes dhe faqja e Hijes. Nisjen e ka tek Çesma e Meçajve, rrjedh vrullshëm mbi një shtrat të gurtë drejt sheshit të Veldonit. Ai mbledh ujërat e Përroit të Gomares, merr me vete ujërat që grumbullohen ne “ullukun” mes mëhallëve Meçaj e Bozanaj dhe derdhet në Përroin e Çorrushit, mbasi ka lënë gurët që përcjell në vendin e quajtur Gurishte. Shtrati i Përroit të Veldonit është tërësisht guror. Kësisoj ky përrua sjell me vete mjaft gurë, gëlqerorë; të mëdhenj e të vegjël. Përbërja e gurëve është gëlqerorë. Përroi i Veldonit ka ujë dhe bëhet i pakalueshëm vetëm në stinën me shira, në veçanti në vjeshtë, në dimër, pse jo dhe në pranverë, kur reshjet bien me shumice dhe në vazhdimësi. Shpejtësia e rrjedhjes së Përroit të Veldonit është relativisht e madhe, për arsye se disniveli, nga burimi (starti), në derdhjen e tij është e ndjeshme. Prej këtij përroi, banorët vendas, që nga kohët kur nuk mbahet mend, kanë patur vetëm shqetësime. Disa gropa me ujë që janë formuar gjatë rrjedhjes së Përroit të Veldonit, banorët e mëhallës Ahmetaj, shpesh i kanë shfrytëzuar për të larë teshat e për Tu dhënë ujë bagëtive. Meqenëse ujërat e përroit rrjedhin mbi një shtrat të gurtë dhe, për rrjedhojë ato janë të kulluar, kjo favorizon shfrytëzimin e tyre si ujë i pijshëm për blegtorinë.

2) Përroi i Gomares. Ndodhet pranë mëhallës Ahmetaj. Shtrati i tij shkëmbor shërben si ulluk për të mbledhur ujërat që rrjedhin nga vendi që quhet Korije dhe të Hijes. Ky përrua mbledh dhe ujërat e Shesheve, të Majës së Tëndës dhe ato që mbledh gjatë rrjedhës. Si përrua është i shkurtër, por mjaft i rrëmbyeshëm, për shkak të pjerrësisë të theksuar nëpër të cilën rrjedh dhe disnivelit, nga nisja, në derdhje. Përroi i Gomares e nis vrapin tek Sheshet, pas shkollës së fshatit dhe derdhet në përroin e Veldonit, pak më sipër Shtegut të Mbretes. Përroi ka ujë vetëm në stinën e shirave. Ky përrua nuk sjell as dobi, as dëm për banorët mbasi, në kohen kur ai ka ujë, askujt nuk i duhet ta kapërcejë, nga njëra anë në tjetrën.

3) Përroi i Llaskos. Ndodhet midis mëhallës Ahmetaj dhe asaj Hasanimeraj. Nga shtëpia e Bajram Delos deri tek ajo e Liço Kapos, Përroi i Llaskos ndan mëhallët Beqiraj nga Hasanimerajt. Përroi i Llaskos ka ujë vetëm në stinën kur ka rreshje shiu. Ai mbledh rrëketë e të dy mëhallëve dhe ujërat që rrjedhin nga lartësitë e shkollës së fshatit. Shtrati i përroit është i gurtë. Ai kalon mes përmes arishtave të fisit Caushaj (Çanaj) dhe derdhet pjesërisht në Shure e pjesërisht në përroin e Faqekuqes. Me këtë përrua ka bërë “luftë” të pandërprerë bashkëfshatari ynë Safet Ahmet Caushaj nëpër arishtën e të cilit kalon përroi i Llaskos. Rrjedhën e ka të shkurtër por furinë e ka të madhe. Shkak për këtë dukuri tipike bëhet pjerrësia e theksuar e terrenit ku kalon.

4) Përroi i Faqekuqes. Ai mbledh ujërat e Dërrasës dhe të përroit të Llaskos. Përroi i Faqekuqes ndahet në dy degë: Njëra thellohet në Jug të varreve të mëhallës Ahmetaj e derdhet në Luadhe, tek ara e Tefik Bajramit; tjetra kalon përfund Bregut të Hysodosajve, në anën Veriore të tij, kalon tek vështi i Shefit Qazimit, anëkalon qivurin e Sakajve e derdhet në udhën e vjetër që të çon në Xina, tek Kubeja. Përroi i Faqekuqes ka ujë vetëm kur bie shi. Shtratin e ka argjilor. Është i shkurtër dhe lehtësisht i kalueshëm edhe kur ujërat e tij kanë vërshuar. Ai rrallë herë del nga shtrati. Kësisoj dëmet që i sjell komunitetit nuk janë aq të ndjeshme.

5) Përroi i Seranit. Ndodhet mes lartësive të Arave të Buta dhe Kurrizit të Ziles. Nisjen e ka tek vendi që quhet Arat e Buta. Derdhja e ujërave të këtij përroi bëhet në shtratin e përroit të Çorrushit, mbasi lë mbetjet e gurta në vendin e quajtur Gjëmbi i Bilos; atje ku ka ndërtuar shtëpitë bashkëfshatari ynë Refat Mahmut Bilaj. Në vendin ku del nga shtrati i ngushtë mes dy lartësive, Përroi i Seranit të le përshtypjen sikur po del nga një tunel, dhe formon një deltë të vogël. Terreni ku kalon Përroi i Seranit është shkëmbor, siç është dhe shtrati i tij. Poshtë rrugës kryesore që të çon në fundin e Grykës së Margëlliçit, mes drizave dhe shkurreve të dendura, dikur kishte ndërtuar dy kasolle bashkëfshatari ynë Karafil Mahmut Bilaj. Anës kësaj rruge, në Jug-Perëndim të Gjëmbit të Bilos, në afërsi të arave të tij ka ndërtuar shtëpinë Dine Xhelali, pas shpërnguljes nga mëhalla e Ahmetajve, ku banonte më parë, në një shtëpi dykatëshe, me shkallë nga jashtë. Pak më në Jug të shtëpisë të Dine Xhelalit ndodhet vendi i quajtur Vathra. Përroi i Seranit sjell nga lindja ujë dhe gurë vetëm në stinën me shira. Ai mbledh ujërat që grumbullohen nga reshjet në sipërfaqen e Arave të Buta dhe në faqen Jugore të Kurrizit të Ziles.

6) Përroi i Çukales. Ndodhet në faqen Perëndimore të lartësisë që mban emrin Maja e Dokes. Ai mbledh ujërat e rrëkeve që rrjedhin nga Maja e Dokes, vërshon furishëm gjatë gjithë lartësisë nëpër një pjerrësi të theksuar, zbret e derdhet në vendin e quajtur Kryet e Rredhes, tek arat e Xhevit Malkos, vëllezërve: Resmi e Resul Nelo dhe në ato të Muhedin Salihut. Shtrati i Përroit të Çukales është argjilor. Meqenëse lartësia e Dokes është terren i mbuluar nga shkurre të dendura, ujërat që rrjedhin nëpër Përroin e Çukales nuk janë të shumta e përroi është ujëpakë. Disa gurë me ngjyra të errëta që ndodhen në shtratin e këtij përroi, veçse e frenojnë rrjedhën e ujërave. Aluvionet që derdh ky përrua në arat me emrin Rredhe, përmirësojnë strukturën e tokës arë dhe e pasuron atë. Edhe pse Përroi i Çukales rrjedh nëpër një terren të pjerrët, ai është lehtësisht i kalueshëm edhe në stinën me shira, kur ujët e ka të bollshëm.

7) Përroi i Dardhëve. Terreni ku ai rrjedh është vendi i quajtur Moçale. Ai mbledh ujërat e faqes Veri- Lindore të lartësisë me emrin Doke, ujërat që rrjedhin nga lartësia e mëhallës Caushaj të fshatit Çorrush dhe ujërat e Kullustrave e të Shkozës së Rrahut. Shtrati mbi të cilin rrjedh ky përrua është argjilor. Ndryshe nga disa të tjerë, shtrati i Përroit të Dardhëve është i thellë qysh në nisje dhe, mbasi lë pas Moçalet e Muharrem Kamberit, duke zbritur, ai vjen duke u thelluar. Tek Moçalet e bashkëfshatarit Musa Brahush Bilaj, thellësia e shtratit të përroit të Dardhëve bëhet maksimale. Ky përrua derdhet në Përroin e Çorrushit, tek vendi i quajtur Llomera, të cilat janë në pronësi të bashkëfshatarit Xhemal Haxhi Nelaj. Pjerrësia e madhe e shtratit nëpër të cilin rrjedh dhe ujërat e shumta që përcjell, e bëjnë Përroin e Dardhëve të vrullshëm, ujëplotë dhe të rrëmbyeshëm. Në stinën me shira, ky përrua bëhet vështirësisht i kalueshëm, në këmbë jo vetëm për shkak të ujit të bollshëm por dhe të terrenit rrëshqitës.

8) Përroi i Zelenicës. Një emër disi i çuditshëm. Ndoshta lidhet me toponimet sllave të trevës. Shtrati i përroit ndodhet në faqen Veriore të kodrës mbi të cilën është ndërtuar mëhalla e Hasanbegajve, e cila, në fakt, është lartësia më e madhe në Kalivaç. Përroi i Zelenicës mbledh dhe ujërat që kullojnë nga faqja Jugore e kodrës mbi të cilën është ngritur mëhalla Beqiraj, prapa kurrizit të trojeve të fisit të Danajve. Fillimet e Përroit të Zelenicës burojnë nga çezma e Hasanbegajve. Kjo çezmë ka aq pak ujë sa që ai, pas daljes nga tubat, humbet përgjatë rrjedhës së tij dhe lag vetëm faqet e përroit. Në fund të Qurkeve, atje ku rruga që të çon në Donije ndërpret këtë përrua, nuk ka asnjë gjurmë uji. Përroi i Zelenicës i shkarkon ujërat që përcjell, pak më në Perëndim; pas Çezmës së Ninit, e cila është e shterur prej kohësh. Besoj, pas viteve 5o të shekullit të xxtë, prej grykës të kësaj çezme askush nuk ka parë të rrjedhë ujë. Shtrati i Përroit të Zelenicës është i thellë, por i butë. Ky përrua nuk përcjell gurë, si fqinji i tij, pak më tutje. Në kufirin që ndan Qurket nga Rrëzat përroi kalohet nga Veriu në Jugë e në të kundërt nëpërmjet një ure të lashtë guri, me hark. Ndoshta do të ishte me interes studimi i kësaj ure nga studiues kompetentë të cilët mund të hedhin dritë për historinë e saj. Përroi i Zelenicës përcjell ujëra të shumtë e zbret furishëm tatëpjetë vetëm kur bien shira intensivë. Nëse ky përrua nuk përcjell gurë por aluvione, kjo ndodh për shkak të dy faqeve të kodrave, mes të cilave ai kalon, të cilat janë të pyllëzuara, me shkurre. Ndoshta edhe emri me këtë fakt ka të bëjë. Përroi kalohet në këmbë edhe pas shirave, kur ai “ka dalë”.

9) Përroi i Shënmërisë. Emrin, ky përrua ndoshta e ka marrë më në lashtësi, gjë që do të thotë se treva, dikur, ka qenë e krishterë. Objektet e lashta ilire që gjenden në fillimet e tij, janë në të mirë të këtij argumenti. Ky përrua mbledh ujërat e faqeve shkëmbore të Këmbës së Gurit, nga Qyteza e Hasanbegajve e në vijim, tek nomeja e vëllezërve Mekshi, zbret poshtë, në drejtim të Perëndimit e derdhet në vendin e quajtur Gurje, tek haurët e Mete Medinit, ku lë shumë mbetje të gurta. Shtrati i Përroit të Shënmërisë është shkëmbor. Gurët q ë formojnë shtratin e tij dhe ata që përcjell ky përrua, janë gëlqerorë. Përroi i Shënmërisë, si dhe të tjerët, ka ujë e sjell gurë vetëm në stinën me shira. Në verë, në të dyja anët e tij, të djeg guri e të mbyt zagushija.

10) Përroi i Zi. Siç e ka emrin, ka dhe bojën. Ky përrua ndodhet në udhën që të çon, nga mëhalla e Bozanajve në Gonenë e Krahësit. Përroi i Zi, në shtratin e tij, përbëhet nga disa rrëke, apo, siç i thonë vendasit, rripa. Toka ku ky përrua formon shtratin është argjilore. Ndoshta për këtë arsye ka marrë dhe emrin Përroi i Zi. Faqet e rrëkeve, në të dyja anët janë të rrëshqitshme. Për të kaluar nga njëra anë e prroit, në tjetrën, edhe këmbësorëve u duhet të bëjnë kujdes që të mos rrëshqasin. Ca më e vështirë është kur duhet kaluar përroi me kafshë. Në krye të Përroit të Zi ndodhet Çezma e Bukur. Emrin ka të tillë mbasi ajo nuk ka ndonjë bukuri të veçantë. Kjo çezmë ka shumë pak ujë dhe, me rrjedhjen e saj nuk mund ta formojë përroin e Zi. Përroi i Zi formohet udhës, gjatë zbritjes nëpër rrëpirë, me ujërat që mbledh duke kaluar nëpër faqen e kodrës, zbret vrullshëm, gërryen shtratin dhe zbrazet në fushën e Toçit dhe në përruan me të njëjtin emër. Në stinën me shira intensive, Përroi i Zi bëhet ujëplotë, vërshon jashtë shtratit të tij dhe bëhet i pakalueshëm.

11) Përroi i Cacit. Fillimet i ka në Lindje të mëhallës Bozanaj dhe mbledh ujërat qe rrjedhin nga faqja Jugore e lartësisë mbi të cilën është ngritur kjo mëhallë. Duke zbritur me vrull tatëpjetë, përroi i Cacit gërryen shtratin, merr me vete sasi të mëdha baltovine, kryesisht argjilore dhe zbret në Fushën e Leshnjesku ka dhe derdhjen. Përroi i Cacit, si dhe të tjerët ka ujë vetëm në stinën e shirave. Shtrati i këtij përroi është i butë.

12) Përroi i Ali Muços. Ndodhet prapa mëhallës së Hasanbegajve, në fund të Ledhit të Fikut, tek kamina e Ali Xhelilit. Shtrati i përroit është i fortë, guror dhe derdhja e tij bëhet në Specovë, tek vendi i quajtur Gurja.

13) Përroi i Qyqes. Mbledh ujërat që rrjedhin nga pjerrësia e Ruçit, midis Brinjës së Beut dhe kishës së dikurshme, mesjetare.

14) Përroi i Belikut. Mbledhe ujërat e Mbretes së Leshnjes, Dërrasës së Kripës, bashkohet me përroin e Cacit dhe derdhet në fushën e Leshnjes.

15) Përroi i Çorrushit. Ndoshta është përroi më i gjatë e më ujëplotë në hapësirat e fshatit të Kalivaçit. Ky përrua mbledh ujërat e faqes Perëndimore të Malit të Thanës, faqes Jugore dhe Juglindore të mëhallëve të Çorrushit si Caushaj, Bajraktaraj, Kënaj e Varfaj dhe përfshin ujërat e përrenjve të Dardhëve, Seranit, Veldonit, Llaskos, Faqekuqeve etj. Ky përrua, dikur, para formimit të kooperativës bujqësore në Kalivaç kalonte përmes Grykës së Margëlliçit, në tokat më të pasura e më pjellore dhe, duke avancuar drejt lumit të Viosës, gërryente e merrte me vete pjesën e sipërme të arave, atë që ishte më e begatë duke dëmtuar arat e fshatarëve. Fshatarët: Xhemal Haxhiu, Hysni Meta, Xhevit Malko, Çizo Selfo, vëllezërve Resul e Resmi Nelo etj.  ishin në luftë të pandërprerë me ujërat e tij. Më i përvuajturi në përpjekjet për ta disiplinuar e për ta bërë më pak të dënshëm Përroin e Çorrushit ishte bashkëfshatari Hysni Metë Dëraj. Ai, me shumë mund e djersë, në fund të arës së tij me emrin Llome, për të përballuar gërryerjen e tokës bënte cfrete, me gurë e me shkarpa, por, përroi, në daljen e parë rrëmbente çfarë gjente përpara dhe xha Hysniu e niste çdo gjë nga e para. Në vitet 70 të shekullit të kaluar, u bë një investim i rëndësishëm për ti ndërruar shtratin këtij përroi grabitqar dhe, me një kanal kullues, i cili niste nga fundi i Bishtjeve, kalonte nëpër llomerat e Çizo Selfos e më poshtë tek Arat e Mëdha e në Llagëme deri sa derdhej në lumin e Viosës. Përroi i çorrushit e ka shtratin të butë dhe ka ujë vetëm në stinën me shira. Bujqit e Kalivaçit, përballë dëmeve të përrenjve nuk kanë qëndruar duarlidhur. Ata, me mjete rrethanore e me forcat e familjeve të tyre, janë përpjekur të zbutnin dëmin. Nuk kanë qenë të paktë rastet e bashkimit të forcave për ti bërë ballë kësaj të keqeje të madhe.