Si kudo, edhe në Kalivaç të Tepelenës, emrat e burrave e të grave janë domethënës e të ndryshëm. Në çdo rast, emrat e njerëzve simbolizojnë diçka, evokojnë e i bëjnë jehonë një gjëje. Në kohë të ndryshme, edhe emrat nuk kanë qenë të njëjtët. Me zhvillimin e shoqërisë njerëzore edhe emrat e tyre kanë evoluar e janë përsosur. Kësisoj, mund të thuhet se emrat e njerëzve mbajnë vulën e kohës. Ata, në fund të fundit, pasqyrojnë një realitet të caktuar e diçka të thonë.

Gjithsesi, emrat e njerëzve, në Kalivaç, u përshtaten nivelit, dëshirave, mentalitetit e psikologjisë së banorëve të trevës. Kalivaçiotët, në tërësi, janë njerëz me vizion e interesa të gjera; në çështjen e emërtimeve ata e hedhin vështrimin përtej „gardhit të tyre“. Prandaj, në këtë çështje, ata kanë qenë origjinalë e të larmishëm. Në lashtësi, të paktën para pushtimit të gjatë osman, emrat e njerëzve në Kalivaç kanë qenë thjesht shqiptarë ose me domethënie pagane.

Më pas, nën pushtimin e huaj, edhe emrat e njerëzve nuk mund t’u shpëtonin influencave anadollake. Në vitet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e në kohën e luftërave të parreshtura për pavarësinë e vendit, emrat e njerëzve janë dominuar nga simbolika atdhetare e fryma luftarake e vendasve. Në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar e pas saj, emrat kanë shprehur besnikërisht cilësitë luftarake të protagonistëve të atyre ngjarjeve të mëdha.

Më pas, gradualisht, me ecjen përpara të jetës dhe me evoluimin e shoqërisë, në Kalivaç, simbolika e emrave të njerëzve i është nënshtruar procesit të zgjerimit e përsosjes.

Një emër njeriu mund të pasqyrojë një dëshirë të familjarëve të të porsalindurit, të jetë një urim për më të mirën, të jetë pasqyrim i një vetie a virtyti njerëzor, mund t’i bëjë jehonë bukurisë apo pamjes së jashtme të hijshme njerëzore, të simbolizojë një vend të mirënjohur, një pemë, një lule etj. Në ditët tona, emrat e njerëzve gjithashtu janë simbole e mbajnë vulën e kohës, të një kohe tjetër, ku jeta gëlon me gjithë larmishmërinë e saj e me gëzimet që sjell. Pa harruar faktin se, edhe në ditët tona, ndikimet e huaja nuk janë të shmangura.

Parë në tërësinë e tyre, emrat e femrave në Kalivaç të Tepelenës i kanë bërë e i bëjnë jehonë bukurisë dhe brishtësisë së seksit delikat. Në fund të fundit, kur lind vajzë, familjarët e saj e emërtojnë me atë emër, i cili tregon si e duan të jetë ajo. Sa i përket simbolizimit të bukurisë femërore, të preferuar janë emrat: Perri, Bukuri, Nurije, Nurisha, Nure, Inxhi, Diliko, Stoli, Xhikë etj. Ose vajza krahasohet me monedhat e përgatitura nga metale të rralla, si: Florie, Floreshë, Florika, Florina, Rubije, Inxhi, Mexhite, Lirë, Esma etj. Shumë prindër i kanë personifikuar bijat e tyre si lule. Në fshatin tonë nuk janë të paktë emrat që i bëjnë jehonë mbretërisë së luleve.

Më të përhapur janë emrat: Gonxhe, Burbuqe, Lule, Lulushe, Trëndelinë, Manushaqe, Trëndafile, Zymbyle, Menekshe, Vjollcë etj. Kur është fjala për t’i bërë jehonë shtatit të femrës, kalivaçiotët e kanë krahasuar atë me një pemë. Më së shumti bien në sy emrat: Selvi, Hava, Bajame, Dafinë, Shegë, Nerënxë etj. Të pëlqyer janë emrat me simbolikë shpendësh të bukur, si: Thëllëzë, Dallëndyshe, Pëllumbeshë, Flutur, Shqiponjë, Gjeraqinë etj. Nuk janë të paktë emrat e femrave që shprehin një dëshirë të mirë apo një synim që duhet arritur në jetë. Në mjaft raste synohet të arrihet një pasuri, një mirëqënie e caktuar. Kjo dëshirë është një urim që i bëhet gruas së ardhshme, e cila nuk duhet ta kalojë jetën në skamje, si paraardhësit e saj. Në dukje dalin emrat: Bejlere, Zengjine, Bejushe, Bejeko, Bejaze, Xhiko, Xhane, Zonjë, Balle, Shpresë, Rronjë, Jetë etj. Në këtë simbolikë janë emrat: Fatbardhë, Fatmirë, Fatime, Fati, Haire, Gëzime, Behare etj. Pas çlirimit të vendit, në vitet e Diktaturës së Proletariatit, morën përparësi emrat: Liri, Lavdije, Lumturi, Lutfije, Lana etj.

Në ditët tona, disa emra të vjetëruar, të cilët ishin rezultat i presionit të kulturës dhe mënyrës së jetesës së pushtuesve të huaj, tashmë janë kapërcyer e braktisur. Sot, rrallë gjen emra të tillë si: Merushe, Shajbi, Avize, Zybë, Fetije, Hançe, Ruhije, Melaize, Zadeko, Hanko, Xhipe, Tajane, Sado, Tabene, Zylfi etj. Në vend të tyre kemi disa emra të rinj si: Lejla, Behije, Aishe, Eranda, Silvana, Shpresa, Miranda, Marcela, Elima, Deko, Liljana etj. Në Kalivaç gjen dhe emra femrash të sjellë nga lashtësia. Mund të përmendim emrat Donikë, Teutë etj., ose emra të cilët tregojnë prejardhjen e krishterë të trevës, si: Sofije, Vitori etj., krahas emrave të burrave si Gjonlekë, Sotir, Vasil etj.

Me interes për t’u interpretuar janë disa emra femrash me të cilët familjarët, të mërzitur nga prania e shumë femrave në familje, urojnë që lindja e re të jetë e fundit e këtij lloji. Të tillë simbolikë kanë emrat: Sose, Mjaftoni, Mbete etj.

Tjetër simbolikë kanë emrat e meshkujve në Kalivaç. Në mënyrë të pakundërshtueshme, emrat e burrave „meshkujve“ evokojnë tipare burrërore. Kalivaçiotët i duan meshkujt të fortë, të shëndetshëm, të ashpër, trima, guximtarë, të pamposhtur dhe krenarë. Në simbolikën e emrave mashkullorë bie në sy krahasimi i tyre me malet, si: Malo, Golik, Gramoz, Shkëlzen etj. Të shumtë janë ata që u vënë djemve të sapolindur emra trimash, si: Kastriot, Skënder, Gjergj, Baftjar „për Bato“, ose emra drurësh, si: Rrapo e sendesh të forta si: Guri, Çelnik, Hekuran etj. Disa i krahasojnë fëmijët e tyre me planetë, si: Ylli, Hëno etj. Të tjerë i duan djemtë t’u bëhen të fuqishëm e të shkathët, si kafshë të egra, të fuqishme ose si shpendë grabitqarë, gjithashtu të tillë, si: Asllan, Luan, Sokol, Petrit, Fatos, Levend etj. Nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes disa emra meshkujsh që shprehin një urim apo dëshirë të mirë, si: Gëzim, Bashkim, Kujtim, Engjëll, Fatmir, Besnik, Vezir, Besim, Lavdosh, Hajri, Sajmir etj.

Sot, në fshatin Kalivaç të Tepelenës, me ndryshimet që ka pësuar jeta e njerëzve, emrat janë bërë simbole të këtij ndryshimi. Ndryshe nga emrat e së kaluarës, të cilët ishin influenca të mentalitetit të pushtuesve të ndryshëm, disa emra nuk preferohen më. Si të thuash, ata janë harruar e njerëzit, në të përditshmen, nuk u referohen më. Të tillë janë emrat: Mehmet, Kamber, Banush, Brahush, Adush, Jashar, Kahreman, Muhedin, Sadedin, Durkë, Cano, Caush, Sherif, Xhevit, Aqif, Pasho, Selim, Manxhar, Bajram, Novruz, Hydai, Xheladin, Xhaferr etj., emra të cilët haptazi janë rezultat i ndikimeve osmane; më vonë, nën pushtimin sllav të trevës, u dukën dhe emra të tillë si: Vladimir etj. Në kohën e afrimit me sovjetikët ishin të shpeshtë emrat Bashkim, Çapajev, Natasha, Katjusha, Tatjana, Svjetllana etj. Por, dhe në emrat e kohës së sotme, në mjaft emra ndihet influenca e emigracionit. Tek emrat mashkullorë si Ledio, Fredi, Arian, Orion, Edmond, Armando, Silvio, Franko, Franc, Toni „Elton“ etj., kjo influencë është e dukshme.

Emigracioni, ku kalivaçiotët janë ndodhur shpesh, ka pasur ndikimin e vet, pozitiv e negativ, edhe për sa u përket emrave. Por, sita e njerëzve ka bërë e bën seleksionimin e nevojshëm. Sot, emrat e meshkujve që dominojnë skenën janë: Agim, Ilir, Dritan, Alban, Arbër, Ermir, Ermal, Ervin, Astrit, Pëllumb, Pajtim, Besim, Besnik, Bekim, Karafil etj. Këta janë emra të mirëfilltë shqiptarë. Në Kalivaç të Tepelenës, si dhe në treva të tjera ku është shtrirë ndikimi i fesë myslimane, edhe emrat e burrave e të grave trashëgoheshin si pasuria. Në qoftë se në mëhallë ose dhe më gjerë në një familje, kur lindte një fëmijë, i vihej një emër, i cili ekzistonte tek gjitoni, këtij të fundit i mbetej hatri.

Trashëgimia e emrit, në fshatin tonë, dikur (sot është e kapërcyer), merrte këtë lloj përhapjeje: Emrin e të parit (të parës) të një familjeje e merrnin pasardhësit e brezit që pasonte. P.sh.: Musa Mehmeti dhe Mehmet Musai, Muharrem Kamberi dhe Kamber Muharremi, Mehmet Qazua dhe Qazo Mehmeti, Rexhep Selfua dhe Selfo Rexhepi, Hamit Caushi dhe Caush Hamiti, Ali Xhelili dhe Xhelil Aliu, Malo Bajrami dhe Bajram Malua. Ky lloj vazhdimësie në vijë të drejtë të emrave mashkullorë në Kalivaç të Tepelenës lidhet me atë praktikë unikale ku burrave, kur u thërriste dikush, u përmendte emrin dhe emrin e babait, p.sh.: „O Dine Xhelali“, jo „O Dine Behaj“ etj. Gjithsesi, si çdo gjë, edhe çështja e emrave është në ndryshim e zhvillim të vazhdueshëm. E theksojmë këtë se ka ndodhur që një njeri ka shkuar në emigracion, ka punuar e jetuar me një tjetër, i cili i ka hyrë në zemër e, kur është kthyer në shtëpi, për të përjetësuar emrin e shokut (shoqes), i ka thirrur jo me emrin që kishte, por me emrin e të dashurit (të dashurës) së tij. Gjithsesi, larmia e jetës na dikton dhe larmishmëri emrash.

Mirë thonë në Korçë: emri është kapistall.