Nëna që rriti tre breza fëmijësh në majë të krahut

( Historia e trishtë e një gruaje heroinë)

Bëhet fjalë për jetën e një gruaje tipike kalivaçase, e cila nuk ngjante me të tjerat.  Atë e quanin Veziko dhe ishte bashkëshorte e Asim Malos, nga mëhalla Bozanaj  e Kalivaçit të Tepelenës.  Figura gati biblike e Nënë Vezikos,  për shkak të madhështisë të veprës humane që kreu,  më imponon  të përunjem,  me respekt përpara kujtimit të saj,  të ndritur.  Nuk më kërkoi njeri të shkruaj për të,  e mora vetë iniciativën dhe shpresoj se do tja dal.  Do të ishte në nderin e çdo kalivaçasi që di të shkruajë e të lexojë,  të hidhte “ dy fjalë” në letër,  për atë grua të rrallë,  në mënyrë që figura komplekse dhe kujtimi për të të mos humbasin në faqet e historisë të fshatit tonë.  Është fjala, të dinë,  aq sa të duan e sa të munden,  gjithë ata që do të vijnë  dhe që duan të mësojnë diçka.  Në Malaj,  dikur ka jetuar një grua e rrallë,  e cila “e piu helmin” me sapllake dhe e pati jetën të zezë,  si shamia që lidhte në kokë. Ajo grua e rrallë trokiti fort në faqet e historisë kalivaçase dhe bëri diçka të ndjerë  e me shumë vlerë,  në atë derë.

Nënë Vezikua,  si mjaft gra të fshatit tonë që patën fatin e saj,  nuk iu nënshtrua fatit të keq e nuk humbi në pellgun e vajtimve e të psherëtimave, por ngriti kokën lart, e pa jetën në sy, siç i erdhi dhe iu përfill punës,  me vizion e  krenari për atë që bënte,  për ta çuar përpara jetën,  me dinjitet e përkushtim nëne, sido që i erdhi.  Jeta,  vërtet e ndëshkoi rëndë Nënë Vezikon,  por meritë e saj është mosnënshtrimi.  Ajo i rrëmbeu jetës gjithë sa ishte e saj,  bëri të pamundurën dhe rriti, tre breza fëmijësh të gjakut të saj,  duke u bërë shëmbull i gjallë për gratë e asaj kategorie.

Po të rëmosh në historinë shekullore të Kalivaçit të Tepelenës,  pa u lodhur shumë,  do të qëmtosh raste e individë,  gra e burra, të cilët kanë trokitur fort në dyert e historisë dhe,  me dhimbje, kanë përballuar sfidat e jetës,  me dinjitet e krenari të ligjshme.  Le të zbresim disi më afër terrenit konkret,  për ti dhënë pak frymëmarrje rrëfimit tonë:

Pranojmë faktin se gjysma e banorëve të fshatit tonë,  ka qenë dhe është e seksit delikat.  Njëherazi  biem dakort se gruaja kalivaçase,  nuk është e shquar vetëm për të përkundur djepin e për të rritur fëmijë të shëndetshëm,  të zgjuar e trima por,  ajo,  në çdo rrethanë është kujdesur për shtëpinë,  ka kontribute me vlerë për ekonominë familjare,  ka  “ mbajtur urat” e  shoqërisë e të miqësinë dhe,  kur e ka  kërkuar puna,  është ndodhur në krahë të burrit, me armë në sup, në lëmën e mbrojtjes.

Legjendare  e  impresionuese  na  paraqitet pamja e zymtë,  kur nga jeta është ndarë,  para kohe bashkëshorti,  dhe  gruas  i  është  kërkuar  të  vendosë  për  jetën  e  saj  e  të  fëmijëve.  Quajeni  si të  doni  makabritetin   që  ushtrohej  ndaj  gruas  vejushë,   kur,  shtatë  ditë  pas  ndarjes  nga  jeta të  bashkëshortit,  i  kërkohej  të  vendoste:  do  të  “dilte” nga  shtëpia  e  do  të  martohej  rishtaz, apo   do  të  mbante  fëmijët  dhe  shtëpinë.  Nuk  kanë  qënë  të  pakta  gratë  kalivaçase,  të cilat, kur  u  ka  vdekur  burri,  kanë lidhur në kokë shaminë e zezë dhe i janë përkushtuar, shtëpisë dhe fëmijëve.  Për vendimin që kanë marrë dhe për qëndrimin që kanë mbajtur,  ato janë nderuar e respektuar,  gjithë jetën;  kujtohen edhe sot e kësaj dite,  si shëmbull i rrallë e për  një lloj i veçantë heroizmi.  Në raste të tillë, gruaja nga Kalivaçi i Tepelenës,  por jo vetëm ajo,  kur ka  mbetur  e vetme,  është  shndërruar  në:  “vetë burrë e vetë grua”  dhe ka përballuar jetën megjith të papriturat e saj.

Pushteti mashkullor që ka rënduar mbi kurrizin e një gruaje  nga fshati ynë ishte vetëm një pjesë  e barrës që binte mbi të.  I rëndë,  madje vështirësisht i përballueshëm,  ka qenë  forca e zakonit, tradita,  mentaliteti dhe psikologjia e njerëzve të trevës.  Këta dhe të tjerë faktorë negativë ushqenin ndjenjën e inferioritetit  të gruas,  ndaj burrit.  Aq e vërtetë ka qënë kjo,  sa ishte rrënjosur në mendjet e njerëzve mentaliteti se gruaja,  pa burrin nuk mund të jetonte dhe se burri, është “ombrella” e një gruaje.  Një gjykim i tillë bënte që energjitë pozitive,  vlerat reale,  prirjet,  aftësitë, vitaliteti i gruas  zhvilloheshin në hije e nën autoritetin e rremë të burrit të saj dhe të zakonit.

Por,  kur është paraqitur rasti,  si tek Nënë Vezikua e Asim Malos tiparet që renditëm më lart kanë shpërthyer  e kanë lulëzuar  dhe janë shndërruar  në një uragan  të fuqishëm,  i cili ka zbuluar “çatinë” dhe ka nxjerrë në pah atë që strukej nën “ombrellë”.  Për ta sqaruar më tej këtë çështje, kërkoj mirëkuptimin e lexuesit të nderuar.  A nuk ju duket makabritet kërkesa, sipas traditës anadolake,  kur gruas që i kishte vdekur burri,  pas shtatë ditësh,  kur ajo sapo ishte çliruar nga mpirja dhe po ndiente dhimbjen e humbjes,  i kërkohej të vendoste për të ardhmen e saj dhe të fëmijëve nëse kishte lindur?

Nuk është vendi të bëjmë evidencë se lista do të dilte tepër e gjatë dhe rastet janë të njohur,  por ta themi me emrin që ka e siç ka ngjarë:  Kur vejushat,  pas vdekjes të bashkëshortit,  kanë marrë në dorë frenat e shtëpisë, ndryshimet për mirë kanë qenë të shpejtë e radikale.  Në rastin e Nënë Vezikos,  na jepet mundësia të themi diçka më shumë.  Ajo deli grua,  në optikën time,  ishte një  “ëngjëll mbrojtës” për fëmijët dhe pasardhësit e saj.  Jeta e asaj gruaje ka qenë tejet e vështirë dhe  shumë e ashpër,  por Ajo nuk iu nënshtrua fatit të zi. Nënë Vezikua  e pa jetën në sy  e u ndesh me të fyta –fytazi  dhe i rrëmbeu jetës  gjënë e saj.  Nënë Vezikua  të cilës  thika i vajti në palcë,  nuk ra  në batakun e plogështisë e të pesimizmit,  por e ngriti kokën lart dhe e hodhi vështrimin përpara,  për të parë interesin e fëmijëve,  jo rehatinë e saj.

Ajo grua  “hyjneshë” rriti,  siç rriten fëmijët e shpirtit,  ata që erdhën në jetë nga barku i saj: Zyberin; Bejushen dhe Dedenë;  mbajti në majë të krahut fëmijët që i la Zyberi:  Faikun dhe Sanijen,  si dhe përcolli fëmijërinë e të lindurve nga martesa e Faikut me fisniken Sheqere:  Valentinën;  Perlatin; Asimin dhe Namikun.

Jetëshkrimi i Nënë Vezikos.

Le ta themi që në krye të herës: Nënë Vezikua erdhi në jetë e u rrit me ëndrrat e një vajze të brezit të saj , të cilat ishin të ndrydhura e të mbyllura. Jeta u soll ashpër me të dhe e ndëshkoi keqas, në kohën kur pema e saj plot lule, po jepte frytet e parë. Atë copë “ diell” që pa ajo grua e rrallë, ishte fryt i punës së saj heroike dhe Nëna lavdiplotë u nda nga kjo jetë , me gëzimin se diçka të mirë bëri e la pas një emër që nuk mund të harrohet. Prandaj ia vlen të kujtojmë  kontributin e  saj human,  i cili mbetet një shëmbull  virtyti e sakrifice të pamatë. Prandaj mund të themi , gojëplotë se Nënë Vezikua , u nda nga jeta e zhgënjyer , por jo e paplotsuar. Ajo la pas nipër e mbesa , të denjë për prejardhjen e tyre.

Vezikua e Asim Malos, u lind në fshatin Gjerbës të rrethit të Mallakastrës në muajin dhjetor të vitit 1906 një familje fisnike dhe autoktone. Dera fisnike e Lamajve ishte nga ato dyer të mëdha që priste e përcillte, sipas traditës , miq e shokë të shumtë.  Atdhedashuria dhe përkushtimi për të mbrojtur,  me fanatizëm e me çdo çmim tërësinë e tokave amëtare,  ishte  njëra nga tiparet dalluese të asaj familje dhe të fisit Lamaj,  në tërësi.

Babai i Vezikos,  Shemja dhe e ëma,  Bukurija e Lamajve,  një zonjë grua,  e përkushtuar për të rritur në atë derë fëmijë të denjë për origjinën e tyre,  nuk e rrethuan të bijën me pekule por u kujdesën që vajzës së vogël të mos i mungonin mësimet e domosdoshme që duhet të merrte një vajzë e moshës së saj,  në atë kohë të trazuar.  Meraku i Nënë Bukurijes ishte ta edukonte vajzën me normat dhe rregullat që dominonin jetën e komunitetit .  Akoma fëmijë,  nëna i mësoi Vezikos si të sillej e të qëndronte si femër në mjedise të ndryshëm.  Një nga detyrat elementare të saj ishte pastrimi i shtëpisë,  pa ngritur pluhur,  duke e malaksur më parë vendin, me një fshesë të bërë vetë nga një lloj bari i hollë e i fortë,  me kalli në majë;  fshirja e oborrit dhe e rrugicës pranë, pastrimi i kasolleve,  katonjve dhe vendit ku strehoheshin bagëtitë me një tufë paliçe,  me një dorë xanë,  me  një cfurk e me mjete të tjerë.  Në sferën e detyrave të saj ishte kujdesi dhe respekti  për më të rriturit,  nderimi për të moshuarit,  fjala e matur,  si me drojë e, me zë të ulët  kur bisedohej në familje apo në një mjedis shoqëror.

Në shoqërinë e asaj kohe,  pushteti i mashkullit,  në familje e jashtë saj ishte absolut.  Gruaja, që në fëmijëri  mësohej të respektonte e të mos dilte kurrë përpara meshkujve.  Në shtëpinë ku do të shkonte nuse,  të gjithë mezi pritnin të shijonin gjellët që dinte të gatuante nusja e re.  Prandaj,   Vezikua e parritur akoma,  mësoi të gatuante gjellë me shijë,  të tëhollte petë e të bënte byrek, yshmer,  revani,  kalimar,  petulla,  qofte,  qullapite e gatime të tjera të trevës. Nuk ishte rastësi thënja e krushkut  Azis Ramo ( babait të Nasibesë) se: “…  Kur të çon në sufra gjellën me rosnica, Vezikua,  të vjen të hash gjellën dhe ta lësh zogun të fluturojë, prap…”!  Mënyra e larjes të rrobave sipas teknologjisë të kohës,  ishte gjithashtu në sferën e detyrave të vajzës.   Prindërit,  në veçanti  nëna,  i dëftuan  Vezikos,  kufijtë e tokave dhe trojeve të familjes;  lidhjet  e gjakut dhe miqësitë,  si dhe sjelljen që duhet të kishte me njerëz të një gjaku dhe me ata që nuk i njihte. Kryesorja e kryesoreve,  ishte edukimi i vajzës me norma të shëndosha morale dhe përgatitja për ti nderuar prindërit dhe të sajët,  në shtëpinë ku do të shkonte nuse.

Fëmijëria e Nënë Vezikos,  në fshatin Gjerbës,  kaloi pranë prindërve dhe në familjen e saj,  ku bënte një jetë të mbyllur,  e qëndronte më tepër pranë nënës së saj,  e cila i mësonte rregullat dhe normat e sjelljes.   Kësisoj,  fëmijëria e saj ishte pa fëmijëri.  Për një vajzë fshati të asaj kohe asqë  bëhej fjalë për arsimim.  I gjithë aktiviteti i vajzave të vogla të asaj kohe ishte përgatitja për të shkuar tek burri. Duke kopjuar njëra-tjetrën ,  vajzat e vogla,  mësonin të qepnin e të qëndisnin perde,  mbulesa tavoline dhe zbukurime të tjera.   Në këtë kuadër,  puna e tyre artistike,  me fantazi e me krijimtari, dukej, sidomos tek thurja e çorapeve për burra,  dhe jelekëve të tyre,  me gjalmë,  duke përdorur shtizat dhe bizën.  Vajzat e parritura detyrimisht duhet të dinin të prisnin dhe të qëndisnin veshjet e bebeve që prezumohet se do të sillnin në jetë. “Instruktazhi” për vajzat e reja,  arrinte deri në çështje intime. Nëna i mësonte vajzës,  si të ulej e si të qëndronte ulur,  në shesh,  kur rreth e rrotull kishte njerëz të shtëpisë dhe të tjerë;   i dëftonte dhe vendin ku duhet të ulej,  në bisht deri dhe si të ulej e të ngrihej, me kujdes.  Nuk më duket e tepërt po të them se nusja e re,  merrte urdhëra edhe nga fëmijët që gjente në shtëpinë e burrit,  pavarësisht nga mosha e tyre.  Kërkesë thelbësore dhe e detyrueshme ishte detyrimi poshtërues  i nuses për ti larë këmbët vjehrrit dhe vjehrrës.

Që të quhej e gatshme për t’u bërë zonjë shtëpie  dhe për ta ndezur zjarrin më vete,  vajza kandidate për nuse, doemos duhet të dinte të milte lopën dhe bagëtitë  imëta,  të thartonte qumështin, të tundëte dybekun,  të manipulonte bulmetin dhe të përgatiste zahiretë e dimrit.  A nuk ju duket kjo një shkollë e vërtetë,  ku vendin e notës e zinte vlerësimi  i njerëzve që vajza gjente në shtëpinë e burrit?   E them pa drojë se vajza, kandidate për tu bërë nuse,  kur kishte një nënë të mirë,  në vajzëri kalonte një kalvar nga i cili dilte e mësuar dhe me njohuritë e nevojshme për jetën.  Prandaj, kur kërkonin nuse,  njerëzit e interesuar,  para së gjithash pyesnin për nënën,  për babën dhe për fisin e vajzës.

Në  shumicë,  vajzat,  në ata vite,  por dhe më pas,  martoheshin në moshën 14-15-16 vjeçe.  Nuk paraqitet nevoja për të sqaruar këtë padrejtësi të huajtur nga pushtuesit;  mjafton të themi se vajzave u ndërpritej  rritja e trupit dhe e gjykimit;  ato martoheshin kur ishin akoma fëmijë.  Këtë fat pati dhe Vezikua e Asim Malos.  Ka mbetur si trashëgim nga kohët që nuk mbahen mend trajtimi i femrave si skllave të burrit; aq sa për ti identifikuar ato, shpesh,  edhe sot  dëftohet përkatësia gjinore,  si psh:  e filanit;  e fistekut e tj;  ose burri e thërriste gruan jo në emrin e saj por me emrin e djalit të madh,  etj.

Kur u gjykua oportune, në vitin 1922,  Nënë Vezikua,  shaloi kalin dhe erdhi nuse në Bozanaj,  në derën e plakut të fismë Malo Barjami ( i parë);  i cili e mori nuse për të birin,  Asimin.  Dasma,  sipas traditës, u bë në vjeshtën e prasme dhe   vazhdoi një javë.  U therën mjaft bagëti e u pinë shumë litra raki.  Pushkët,  nëpërmjet krismave të të cilave,  përhapej jehona e gëzueshme e dasmës,  nuk pushuan,  një javë rrjesht.  Malajt,  ku hyri nuse Vezikua,  në atë kohë ishin të shumtë e me ndikim të fuqishëm,  si në mëhallën  Bozanaj dhe në fshatin Kalivaç të Tepelenës.  Miqtë e shtëpisë ku bëhej dasma  u mblodhën valë-valë dhe erdhën nga ana e anës.  Krushqit që vajtën  në Gjerbës,  për të marrë nusen, ishin burra të zgjedhur e disi të çuditshëm.  Ata kalëronin,  flisnin me zë të lartë,  sikur bërtisnin,  thuajse të gjithë ishin të veshur me rroba shajaku, të zeza,  me mustaqe të gjata e të “disiplinuara”,  me qylahëë të bardhë me majë në fund, në kokë;  disa mbanin në krahë ca dyfekë, të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe ishin të rruar e të qethur e të veshur mirë.  Shumë nga të  ardhurit për të marrë nusen,  Vezikua  i  vështronte për herë të parë.  Ata,  hera-herës mblidheshin kokë më kokë;  këndonin labçe,  kthenin nga një grykë raki, nga ajo që mbanin në disa ranxhata të rrumbullakta,  të cilave u thoshin  “Duçe” dhe qëllonin me dyfek, në ajër,  vetëm për të bërë zhurmë .  Vezikon,  në atë rrugëtim “ ferri” e shoqëronin dy djem azganë të sojit të saj, të fuqishëm e të shkathët, të cilët nuk i ndaheshin kalit të nuses, hap pas hapi dhe mbanin për krahu motrën e tyre të gjakut.

Interesante ishte ardhja dhe pritja e miqve të shtëpisë, dasmorëve;  burra e gra.  Burrat,  të kapardisur,  majë kuajve,  të veshur me rroba shajaku me ngjyrë të zezë,  me një shark të zi hedhur mbi supe,  me një dash përpara të lyer në kurriz me bojë të kuqe,  i kishin hejbet plot me çyrek e me revani dhe me ndonjë botil ( shishe),  me raki të fortë.  Sipas fshatrave e zonave nga vinin,  kur udha u puqej,  dasmorët  bashkoheshin e formonin një karvan  dhe  vinin në  shtëpinë ku bëhej dasmë grupe-grupe.  Miqtë më të shumtë,  Malajt i kishin në fshatrat :  Fratar,  Çorrush  e më të paktë ,  për shkak të lumit që duhej kaluar,  ishin përtejasit.  Ata që ishin nga Fratari,  afroheshin nëpërmjet Malit të Thanës;  ata nga Çorrushi,  vinin nëpërmjet  përroit  me të njëjtin emër, ose nga Çesma e Thatë;  përtejasit, hidheshin në lundrën e Kalivaçit, tek Sheshi i Donijes të cilën e menaxhonte mjeshtri i madh i lundrimit  Hasan Ramo Ramaj, i cili ua la zanatin trashëgim pasardhësve.

Pasuritë e paluajtshme të familjes.

Familja e Barjam Malos së parë,  ku hyri nuse Nënë Vezikua,  ishte fisnike dhe trungu i Malet ishte nga më të dëgjuarit e me influencë të ndieshme në Kalivaç.  Pa hyrë në histori,  trungu i Malet,  nga koha në kohë u shtua e u shumua dhe “pushtoi” mesin e mëhallës Bozanaj,  në trojet e veta. Në anën Perëndimore ishin Dostajt dhe në atë Lindore, ishin Agajt ( Berhamajt).  Vajzat e Malet u martuan e djemtë,  pas martesës dhe lindjes të fëmijëve,  u ndanë e dolën si familje më vete.  Po të rrekeshim të sillnim në kujtesë një panoramë të përgjithshme të këtij fisi ,  të shtuar,  në vitet ’50 të shekullit të njëzetë,  panorama na paraqitet:  Në Bozanaj,  mbeti e ngulur familja e Malo Barjamit ( i riu);  ajo e vëllezërve të tij:  Shefikut dhe Sulos;  familja e Jashar Pelivanit;  ajo e Ali Yzeirit nga e cila u shkëput Haxhiu e  Kadriu dhe në migracion ishin:  familja e Yzeirit dhe ajo e Selfos.  Në migracion, kryesisht me banim në Tiranë  ishte dhe familja e Pehlivan Malaj, vëllait të Jasharit.  Në Bozanaj, pranë pusit të lashtë të Malet ka banuar  dhe  familja e Zenel Shahinit, e cila ishte , gjithashtu nga Malajt.  Në ditët e sotme,  kur Malajt,  nuk di se kur dhe pse e ndryshuan mbiemrin,  kurorët dhe familjet që  kanë rrjedhur nga ai trung,  nuk është e lehtë të numërohen.  Ato janë shtrirë në të gjithë vendin dhe nuk janë të pakta familjet që kanë emigruar në vende të tjerë.

Sa mbaj mend, shtëpitë e fisit Malaj, në ata vite kanë qenë të grupuara në katër “blloqe”.  Kryesori ishte ai pranë pusit,  i përbërë nga shtëpi përdhese dhe oda. Ato ishin në pronësi të vëllezërve:  Malo;  Shefik e Sulo Barjami dhe të Zenel Shahinit.  Në anën Jugore të rrugicës kryesore të mëhallës, ishte shtëpia e Jashar Pehlivanit dhe ajo e Ali Yzeirit. Tokat e Asim Malos,  mbasi ai u nda nga i vëllai, Barjami ishin kryesisht  në yrtrat rreth shtëpive dhe nëDardhishtë.  Pas çlirimit të vendit,  Reforma Agrare,  i dha familjes të vobekët të Zyberit,  tokë, në Llomerat e  Fushës të Leshnjes,  të  cilën, ajo familje,  për shkak të largësisë,  nuk e shfrytëzoi dot intensivisht vetë por ia jepte për ta punuar , në mes, bashkëfshatarit Barjam Axhem Llakaj, i cili e kishte më pranë.

Banesa që Zyberi trashëgoi nga babai, ishte një përdhese,  e mbështetur pas odës që i ra në pjesë Barjamit.  Ajo ishte e pashtruar dhe njerëzit flinin përtokë.  Çatia e përdheses ishte e mbuluar me pllaka guri të zi, të prura nga Toçi ( Mulliri i Malos),   të rënda dhe shtëpia ishte e ftohtë, pa tavan. Xokola e përdheses ishte e ngritur nga toka, dhe,  që të hyje brenda, duhet të ngjitje  4-5 shkallë guri. Në qendër të dhomës ishte një vatër,  e përgatitur nga material i fortë ( shur i rrahur me gurë lumi), sipër të cilës ndizej zjarri. Tymin e tërhiqte oxhaku, buharia e të cilit nxinte nga zgjyra.  Nga trari i parë varej një çengel,  i përbërë nga nyje metalike,  të përgatitura nga kovaçi, në rrugë artizanale. Një palë këmbje,  mbanin tepsinë dhe saçin, në atë vatër ku , në stinën e ftohtë bubulonte zjarri,  i ndezur nga dru përralli, ulliri e drurë të tjerë.  Mbasi u largua Asimi nga fshati dhe kur Zyberi ishte akoma i parritur,  drutë e zjarrit i siguronte Nënë Vezikua dhe kërcunjët i vështroje rrallë në vatër. Drutë  ishin kryesisht shkarpa të bëra në Badër, prandaj nga tymi që nxirrnin, sidomos kur ‘hidhej” saçi mbushej e gjithë shtëpia,  e cila kthjellohej me vështirësi ,  me ato dritare të vogla,  tip frëngjie edhe kur hapej dera.  Në këtë banesë,  Nënë Vezikua dhe fëmijët e saj e më pas ata të Zyberit, banuan deri në vitet 1975-1976, kohë kur Faiku,  krijoi kushtet për t’u shpërngulur në shtëpinë e re që ngriti në Dërrasë.

Nusërimi dhe nusëria e Nënë Vezikos

Nusja e re,  Vezikua,  në ditët e para kaloi  nëpër kalvarin e mundimeve,  të cilat ngjanin me një torturë të vërtetë.   Ajo duhet  të nusëronte,  në këmbë,  në fund të dhomës ku qëndronin gratë,  me orë të tëra,  duke i mbajtur sytë unjur ose duke vjedhur ndonjë vështrim,  me bisht të syrit.  Edhe po të kishte uri apo po ti pihej ujë,  nusja e re duhet të sakrifikonte,  përndryshe ishte turp i madh,  për të cilin fajësohej zonja krushkë ( nëna e saj).  Nusja e re,  vetëm duhet të dëgjonte e të mos fliste. Edhe kur e pyesnin ( gjë që ndodhte rrallë),  ajo duhet të përgjigjej me zë të ulët,  si me turp, dhe shkurt,  përndryshe etiketohej si llafazane në mos më tepër.  Dasma u bë në shtëpinë përdhese të grupit të banesave të Malo Barjamit të parë.  Meqënëse vendi ishte i ngushtë, kur burrat dilnin në valle, ata, kalonin tek lëmi i Malet, prapa shtëpisë të Jashar Pehlivanit;  njeri i fisit të tyre.

Dasma e Nënë Vezikos me Asim Malon ishte një dasmë tipike kalivaçase.  U therën shumë bagëti të imëta,  të cilat,  po ti mblidhje tok,  bënin një tufë të mirë.  Shumicën e tyre e prunë miqtë dasmorë, por futi në “ kasaphanë” edhe i zoti i shtëpisë.  Mishi i pjekur në hell  shpërndau në atmosferë një erë të këndshme e cila u përcoll nga era që frynte në atë majë bregu deri në fshatrat përqark të trevës së Krahësit,  madje u ndje dhe përtej lumit,  në Dorëz e më  tej.  Kështu dhe era e rakisë,  e cila në atë dasmë u derdh,  si lumë dhe njerëzit “ u regjën”,  duke pirë mirësi e me dolli.  Ata që patën rastin të kalojnë në udhën plot gurë,  disi malore,  që nis nga shtëpia e Azbi Bakos,  e përfundon përpara portës të Sulo Barjamit ( Se më tej udha është mbi taban argjilor,  derisa kalon Baba Lolon, e ndjenë erën e këndshme të mishit të pjekur në hell dhe rakisë të zjerë për merak.

Në derën e Asim Malos, Vezikua solli në jetë,  njëri pas tjetrit 4 fëmijë.  Fëmija i parë,  ishte vajzë dhe u quajt Bejushe.  Një emër që i shkonte shumë për shtat pinjollit të asaj familje të fisme.  Pas saj, përsëri vajzë;  atë e quajtën Dedo.  Fëmija i tretë ishte djalë, i shumëdëshiruar e i shumëpritur.  Gëzoi  Nënë Vezikua;  gëzoi Baba Asimi;  u gëzuan Malajt,  Bozanajt dhe miqësia.  Por djali nuk e pati jetën të gjatë.  Kur sapo mbushi 2 vjeç, Ai u nda nga jeta,  nga një sëmundje e rëndomtë.  Dëshpërimi ishte i papërshkrueshëm.  Pas tij,  më 7 tetor të vitit 1927, u lind Zyberi,  fëmijë i katërt dhe djali i dytë i çiftit Veziko dhe Asim  Malo Malaj.

Viti  pasardhës shënoi një ndryshim cilësor në jetën e Nënë Vezikos,  i cili ishte ogurzi e i padëshiruar. Nusja e re nuk e dëshironte por dhe të tijët bënë çmos që Asim Malua të mos linte shtëpinë e të shkonte në emigracion ekonomik, në Anadol të Turqisë,  nga ku nuk u kthye kurrë.  E la Vezikon nuse,  me tre fëmijë të parritur,  me një barrë halle në kurriz dhe me një ekonomi të brishtë familjare.  Ai  shkoi në kurbet,  për të fituar,  por humbi,  pa nam e pa nishan dhe nuk u bë e ditur asgjë për fatin e tij.  Nënë Vezikua,  kur u bind se burri i saj nuk do të kthehej kurrë nga kurbeti,  “i vuri një gur zemrës”,  lidhi në kokë një shami të zezë,  siç bënin shoqet e saj vejusha dhe iu përkushtua fëmijëve dhe shtëpisë.  Shtëpi, mall e gjë, burri i la dhe ajo e gjykoi se mund ta përballonte jetën edhe e vetme ( vetë burrë e vetë grua).  Në fisin e Malajve,  në trungun nga ishte shkëputur Asim Malua,  në atë kohë jetonin burra të ndierë, nga ata që “bënin petë” jo vetëm për shtëpinë ( lexo familjen) e tyre.  Mëhalla e Bozanajve,  burra e gra,  me opinionet e tyre pozitive e me influencë,  ishin në anën e Vezikos.  Burrat me burrëri të atij fisi ( është fjala për fisin e Malajve); Malua;  Shefiku;  Sulua;  Haxhiu;  Kadriu; Selfua; Jashari  dhe  Zeneli,  të gjithë të një trungu,  iu gjendën pranë Vezikos,  në ditë të vështira për të dhe për pinjollët e saj.

I rriti, me shumë halle e me plot sakrifica,  dy vajzat:  Bejushen dhe Dedenë,  si dhe djalin e vetëm që i la i shoqi- Zyberin dhe i martoi ata. Vajzën e madhe,  Bejushen,  e martoi në fshatin Matohasanaj  (sipas legjendës, dy vëllezër¨Matua dhe Hasani, u shpërngulën nga Kalivaçi e formuan fshatin në fjalë), në derën e Velo Haxhiaj.  Dedenë,  vajzën tjetër e martoi në Shehaj të Fushës ( Toç),  me bashkëshort  Pehlivan  Shehun.  Të tretin,  djalin e vetëm,  “dritën e syve”,  Zyberin, ajo e martoi me dasmë të madhe.  Zyberit i gjeti nuse në fshat,  me qëllim që ti kishte krushqit afër,  për çdo rast.  Nuk ishte vetëm ky shkaku i kësaj lidhje.  Dera e Azis Ramos, pinjoll i dëmçmuesit me emër – Ramo Nebiu,  si dhe  ajo e Asim Malos dhe e vëllait të tij – Bajramit, ishte  fisnike, dhe e  denjë për këtë krushqi.

Nasibeja, e bija e Azis Ramos dhe motër e Mehmet Azis Kalemaj, solli dritë e mirësi në derën e Zyber Asimit, i cili,  në mungesë të babait,  në çdo rast e për çdo gosti, zinte vendin e të atit gjë që e poqi atë, para kohe.  Zyberi vajti ushtar,  në një repart këmbësorie,  në qytetin e Krujës,  në vjeshtën e tretë të vitit 1946. Pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak,  në vitin 1948, Zyberi,  në marrëveshje me Vezikon dhe me të tijët,  qëndroi në detyrën e kujdestarit të kompanisë,  nënoficer karriere.  Meqënëse reparti  ku shërbente ishte larg fshatit të lindjes,  Zyberi,  tërhoqi nga fshati Nënën,  bashkëshorten dhe  vajzën e tyre- Sanijen, të cilat u sistemuan në qytetin e Krujës,  në një banesë,  në afërsi të repartit ku shërbente. Në shtëpinë e re,  u lind Faiku,  më 17 korrik të vitit 1950.

“U mblodh”,  në një konak familja e re dhe nën drejtimin e Nënë Vezikos,  çdo gjë shkonte  për bukuri.  Në të vërtetë, në  atë shtëpi  bëhej siç thoshte Nëna hallemadhe.  Harmonia në atë familje ishte mbresëlënëse.  Rrallë gjënden praktika jetësore  kur nusja me vjehrrën mirëkuptohen  siç ndodhte në familjen e Zyber Asimit.  Nënë Vezikua e kishte pikë të dobët dhe e donte shumë nusen e Zyberit – Nasibenë.  Uniteti  mes tyre,  kishte në themel  mënçurinë e dy grave dhe respektin që formoi  Nasibeja për vjehrrën hallemadhe,  e cila deri atëherë kishte rritur e martuar tre jetimë.  Këtë heroizëm  të  Nënë  Vezikos,  e njihte i gjithë fshati dhe miqësia,  kudo që ishte;  atë ia kishin mikluar Nasibesë,  qysh kur ishte vajzë,  në shtëpinë e Azis Ramos.  I ati- Azisi,   burrë zakoni dhe e ëma – Bejazja,  e cila,  siç kishte emrin,  kishte dhe personalitetin  ia kishin ushqyer Nasibesë respektin për familjen ku vajti nuse dhe për vjehrrën kapedane.

Në Kalivaç prej kohësh  që nuk i mban mend njeri,  ka qarkulluar një thënie  profetike sipas të cilës: “Delja e zezë,  nuk zbardhet kurrë”!  Ju siguroj se kjo thënie nuk është e pabazuar;  ajo bart me vete eksperiencën e shumë brezave.  Edhe në familjen që po ju përcjell,  jeta nuk rrodhi fatlume, siç e meritonte;  përkundrazi,  fati nuk ishte në anën e kësaj Nëne,  por në të kundërt të saj. Oguri i zi e ndoqi këmba-këmbës Nënë Vezikon zemërbardhë.  Ëmbëlsia e jetës familjare u shndërrua në një helm të paparë.  Në natën e trazuar të 13 janarit të vitit 1951, kur po kontrollonte rojan,  Zyber Asimi,  ai deli djalë,  u qëllua  për vdekje, nga ushtari i kompanisë që Ai menaxhonte.  Kjo vdekje,  u komentua nga drejtuesit e repartit dhe shefat më lart tyre,  si një vrasje aksidentale.  Mundet të ketë ndodhur dhe kështu,  ndonëse është pak e besueshme.  Sidoqoftë Nënë Vezikua e piu dhe këtë sapllake me helm e ra në kllapi.  Asaj i iku drita e syve, u vra djali i vetëm i saj,  të cilin Ajo e rriti bonjak e me shumë mundime.

Tashmë gruaja “ heroinë” do të përgjigjej për dy fëmijët që i la i biri dhe për nusen e re,  Nasibenë, të cilën e kishte pikë të dobët.  Kur e mblodhi disi veten,  Nënë Vezikua,  duhet ti nënshtrohej traditës së origjinës.  Asaj,  sipas zakonit të vendit  i duhej të lidhte një shami të zezë,  në kokë,  si shënjë zije. Por,  gruaja hallemadhe,  e kishte të lidhur, në kokë  një shami të tillë,  që nga koha kur humbi lidhjet me bashkëshortin në mërgim.  Gjëma që sapo ndodhi i kalonte përmasat e të parës,  hidhërimi tek ajo grua nuk kishte masë. Por  Nënë Vezikua,  si grua e vuajtur dhe e mënçur,  gjeti një zgjidhje interesante dhe habisjellëse,  e cila nuk ishte parë deri atëherë,  ndoshta në të gjithë botën.  Ajo lidhi një shami të zezë,  për gushe. Nëna “ heroinë”- Vezikua e Asim Malos, u plak e u nda nga jeta, me dy shami të zeza;  njërën të lidhur për koke;  tjetrën të  lidhur për gushe.

E ndodhur në një qytet me tradita të ndryshme,  larg vendlindjes dhe njerëzve të saj,  Nënë Vezikua, me përgjegjësinë e madhe që i ra mbi supe,  mezi e mblodhi veten dhe me ndihmën e njerëzve të fisit të Zyberit,  madje dhe të njerëzve humanë që nuk ishin në rrethin miqësor të fisit, ndërmori një hap trimëror,  për t’u kthyer,  familjarisht në Kalivaç,  atje ku e kishte të paçkrehur folenë.  Zyberi  u varros në Krujë,  në territorin e repartit ku shërbente.  Komanda e repartit nuk njoftoi për atë që ngjau dhe në varrim nuk morën pjesë as motrat e Zyberit.  Ky fakt e rëndoi shumë atmosferën makabre dhe shkaktoi shumë hamendësi  mbi vetë ndodhinë.  E mblodhi mendjen nëna trime dhe me të dy fëmijët dhe me nënën e tyre,  u nis për në Kalivaç.  Kushtet e rrugëtimit,  në atë kohë ishin tejet të vështira.  U ndodh një burrë nga Fratari,  nga fisi i Kapajve,  të njohur si fisnikë e humanë,  i cili i shoqëroi “të helmuarit” deri në Fratar.  Nga Fratari,  në këmbë,  nëpërmjet  Malit të Thanës,  të prirë nga Nënë Vezikua,  ata mbërritën në Bozanaj,  në derën e  Asim Malos.

Këtu nis kalvari i jetës të heroinës tonë.  Halli zuri hallin e personaliteti i Nënë Vezikos  u vu në provë serioze.  Shtëpia,  përkohësisht e braktisur në Kalivaç,  e cila përfaqësonte një përdhese të ftohtë,  të pashtruar dhe të mbuluar me pllaka guri të rëndë,  duhej riparuar e duhej bërë e banueshme,  me kushte minimale jetese.   Dy burra nga ajo shtëpi ( Asimi dhe Zyberi) nuk ishin në jetë dhe kjo barrë e rëndë binte mbi Nënën shamizezë.  Nën monitorimin,  por jo vetëm  të saj,  mbeteshin dy fëmijë të parritur:  Sanija  tre vjeçare dhe Faiku  2 vjeçar.  Nusja e djalit,  nëna e dy fëmijëve,  Nasibeja të cilën Vezikua e kishte një me vajzat e barkut të saj, “ doli ” nga shtëpia dhe vajti tek prindërit e saj,  në Selenicë.  Mjerimi dhe barra për Nënë Vezikon u shtuan.  Ajo,  me kurajo e besim tek vetja iu përfill punës për të përballuar jetën.  Kjo nuk ishte e lehtë;  Asaj i ra barra të futej në rolin e një burri që kujdesej për familjen dhe të një gruaje kapedane,  guximtare,  punëtore dhe optimiste që monitoronte e menaxhonte çdo gjë që ngjante në atë familje.

Kalvari i vuajtjeve të kësaj gruaje të rrallë,  ishte disi më tjetër,  kur e krahason me vuajtjet e grave të tjera të Kalivaçit. Gjëmë më vete ishte largimi i fëmijëve të Zyberit,  nga Kalivaçi,  në Korcë,  tek dajo Mehmet Azis Kalemaj,  i cili,  në atë kohë,  ishte oficer,  me shërbim në garnizonin ushtarak të Korçës.  Le ta gjykojmë me qetësi,  qoftë  vetëm këtë ndodhi ,  për të arritur në përfundimet që duhen.  Kemi një varg fatkeqësish që ranë mbi  “ heroinën “ tonë.  Pas burrit që i iku nga shtëpia pa njoftim,  iu vra djali i vetëm,  i iku nga shtëpia nusja e djalit dhe, së fundi nuk i kishte më në vatër fëmijët e djalit,  të cilët ajo,  jo vetëm që i donte shumë,  por i kishte dhe amanetin e pathënë të të birit.  Megjithatë,  Nënë Vezikua nuk u trishtua e nuk u ligështua,  siç mund të ngjante, por si besimtare,  zgjodhi udhën e përballimit me jetën, me shpresën në zemër se edhe për atë do të “ lindëte dielli”.

Me Sulo Bajram Hysaj  në krah,  një burrë i trungut të fisit, njeri  i shkathët, i zgjuar  e i rrahur nga jeta,  Nënë Vezikua vajti në Korçë,  për të marrë vajzën e Zyberit,  Sanijen e cila,  sapo kishte mbushur 4 vjeçe.  Dajo Mehmeti dhe bashkëshortja e tij, Myneverja ,dy njerëz të mënçur e me zemër të madhe,  e mirëkuptuan gjyshen fatkeqe dhe,  bazuar në ndjesinë e lartë që kishte ajo grua për fëmijët e Zyberit,  ranë dakort që vogëlushja Sanije,  të kthehej në shtëpinë e babait të saj, në Kalivaç por nuk ranë dakort të largoheshin nga shtëpia e tyre të dy fëmijët.  Kjo e lehtësoi disi dhimbjen tek  Nënë Vezikua por nuk e zhduku atë plotësisht.  Pas gjashtë muajsh,  plaka trimëreshë mori sërisht udhën për në Korçë,  në shoqërinë e Sulo Bajramit.  Këtë radhë, Ajo i kërkoi Mehmetit,  djalin e Zyberit- Faikun,  me justifikimin logjik se “nuk më rri vajza,  pa të vëllanë”! Çifti  Kalemaj e pranoi këtë logjikë dhe Faiku i mitur,  në shoqërinë e gjyshes të dhimbsur dhe të xhaxha  Sulos,  erdhi në Kalivaç.  Bashkimi i dy fëmijëve,  pruri një gjendje të re emotive në familjen e “gjymtuar” të Vezikos të Malet.

E mbetur vetë burrë e vetë grua,  në atë prag,  Vezikua burrëreshë iu përfill punës për tua bërë jetën në mos të gëzuar e të lumtur,  të paktën të begatë (është fjala për mbijetesë) dy fëmijëve jetimë. Motër e vëlla,  në kushtet e krijuara u lidhën më fort pas njëri-tjetrin dhe me  Nënë Vezikon,  të cilën e kishin nënë e babë formuan një familje solide.  Fitore e madhe ishte fakti që fëmijët  jetimë të Zyber Asimit,  edhe pse nuk notuan në bollëk,  brënda varfërisë që përjetonin të gjithë bashkëmoshatarët,  të paktën nuk mbetën pa bukën e gojës.  Mirëqënia e tyre kishte si  burim jetese,  pensionin e Zyberit të ndjerë dhe punën “gjigande “ të gjyshes së tyre- Vezikos. Të mbetur jetimë,  nga babai e nga nëna,  të dy, vëlla e motër, u rritën nën kujdesin e Gjyshes,  e cila nuk u linte gjë mangut,  por ata, gjithsesi  e ndjenin mungesën e prindërve,  si në vatër dhe jashtë dhtëpisë.  Kur luanin me shokët,  kur shkuan në shkollë e kudo që ndodheshin,  tek ata dukej hapët një farë droje dhe pozicion i tërhequr.  Ata nuk e ndjenin veten si të tjerët dhe kjo ishte një traumë e madhe,  jo vetëm për ta.  Nënë Vezikua,  duke e parë këtë gjëndje “i nferioriteti”  të tyre,  mundohej të kompensonte diçka  por boshllëkun që la mungesa e prindërve të fëmijëve,  nuk e mbushte dot plotësisht.  Po çfarë punësh ishte e detyruar të përballonte  ajo grua fatkeqe dhe heroinë?  Nuk mund të numërohen e të dëftohen vuajtjet dhe sakrificat e saj.  Më posht,  po përpiqem të dëftoj disa prej tyre:

Arat që i ranë në pjesë Asim Malos,  pas ndarjes nga i vëllai,  Barjam Malua,  duheshin punuar, duheshin mbjellë e korrë,  me të lashta e me të vona.  Atyre iu shtuan dhe arat që përftoi familja e vobektë,  nga Reforma agrare,  në Fushën e Leshnjes.  Shtëpia  përdhese ku banonte Nënë Vezikua dhe dy fëmijët,  ishte e ftohtë.  Në stinën e dimrit,  mjedisi duhej ngrohur.  Oxhaku në vatër,  që të bënte zjarr bubulak, kërkonte dru zjarri,  papushim, madje dhe kërcunjë.   Drutë i bënte Nënë Vezikua,  me një sëpatë,  të mprehtë,  të cilën e kaliste usta Jemini,  tek Mulliri i Çelos;  pa para.  Një ditë provoi të bënte dru Faiku i vogël,  për ti ardhur  në ndihmë gjyshes,  por preu këmbën dhe Nënë Vezikua,  që prej asaj dite nuk e lejoi më Faikun të shkonte për dru.  Ajo i bënte drutë,  kryesisht në Badër,  për arsye se ky vend ishte më i afërti  nga shtëpia e saj.

Nuk mbaronin këtu punët e saj. Nënë Vezikos,  në pozicionin e  gjyshes kujdestare i duhej ,  të punonte tokat e saj,  të mbillte,  të prashiste,  të korrte e të shinte drithin,  të mblidhte kallinjtë e të kujdesej për perimet, për bostanin, për ullinjtë dhe për pemët  frutore.  Ajo nuk donte që dy fëmijëve amanet,  tu mungonte asgjë  nga ato që ishin të mundura.  Puna në pronat e saj,  nuk i plotsonte si duhet nevojat e familjes prandaj,  hallemadhja Veziko ishte e detyruar të punonte,  me hak,  në punë të rëndomta e të mundëshme për të tek gjitonët rreth bregut të Bozanajve.  Punët më të përshtatshme për të ishin :  rëmihja e kopshteve,  mbledhja e kallinjve të grurit, mbledhja e ullinjve etj. etj. punë sezonale,  kundrejt shpërblimit në natyrë.

Mbresëlënëse dhe domethënëse,  mbetet një fakt i cili shpreh jo vetëm kujdesin për ata që kishte amanet nga i biri,  por dhe mençurinë e asaj gruaje dhe bardhësinë e shpirtit të saj.  Gjitonët,  kur kishin gëzime e festa të ndryshme,  thernin,  për familjet e tyre,  ndonjë berr ( bagëti të imët).  Për ta rjepur atë dhe për të kulluar gjaku,  ata e varnin kufomën pas murit apo nën një pemë.  Ky veprim i paqëllimshëm,  pa dashje  krijonte zili tek fëmijët e Vezikos;  i joshte ata.  Nënë Vezikua,  me qëllim që Sanija dhe Faiku të mos  ndiheshin inferiorë e varfanjakë,  kur vështronte se një gjiton do të therte një berr,  me shpejtësi  zinte një kaposh deti,  nga ata që i kishte rritur vetë,  me mëllaga  e me hime,  kur ishin zogj dhe me karkalecë e insekte të tjerë,  me brumë dhe me ullinj,  në vjeshtë,  e therte atë dhe u jepte mish dy jetimëve.  Duhet thënë se e moshuara  Veziko ishte bërë mjeshtër i mbarështimit të shpendëve.  Ajo shquhej,  në mëhallë e më gjerë si rritëse cilësore e pulave të fushës dhe e pulave  (gjelave ) të detit;  për ti shitur e për ti konsumuar në familje.  Disa krerë të leshta,  ajo familje i mbante për lesh e për qumësht;  ato i ruanin vëllezërit Malo e Shefik Barjani,  të dy njerëz të fisit e të të njëjtit trung me fëmijët e Asimit.

Meritë të veçantë ka ajo deli grua për mbajtjen e lidhjeve të miqësisë, me krushqit dhe  me dashamirët e asaj familje.  Jo si një grua e ve,  e cila,  mund të mbyllej në vetëvete me justifikimin e statusit të vejushës e të mos vështronte jashtë caqeve të shtëpisë,  ajo mori përsipër të mbante lidhjet sikur të ishte burrë; shkonte e vinte,  për çdo rast,  në dasma e në gosti dhe nuk e jepte veten, as në vaki, për tëqarë hallin me miqtë e shtëpisë.  Ndihma e fisit dhe e mëhallës  ishte e mirëpritur nga Vezikua dhe kjo ishte ndoshta njëra nga vlerat e atyre njerëzve fisnikë,  të cilët iu gjëndën pranë të moshuarës halleshumë dhe jetimëve të parritur.  Duhet theksuar se në Kalivaç të Tepelenës,  brez pas brezi,  ka patur një ndieshmëri  të veçantë të kultivuar,  e  shoqëruar me bujari, sidomos ndaj jetimëve.

E kam parë Nënë Vezikon,  tek çapitej,  me hap të rëndë,  e menduar,  me Fajikun majëkrahut,  të veshur me një palë palaçeta me rripa tek shkonte në Krahës ( në lokalitet),  në këmbë,  herë nëpër bokërrimat  e Përroit të Zi,  përmes  atij terreni rrëshqitës,  herë kalonte sipër,  nga Çesma e Bukur,  për të marrë ushqime dhe mallra industriale, në dyqanët e shtetit  ku shiste tregtari Jonuz Qato e të tjerë.  Ajo  grua e rrallë,  çapitej e menduar,  duke kërkuar  me mendje zgjidhje të pranueshme,  për të përballuar hallet e jetës  të vështirë që e kish kapluar.

Kalvar torturues ishte marrja e pensionit muajor dhe e racionit të miellit apo të bereqetit,  në depot e shtetit në fshatin Turan,  dhe në degën e bankës kombëtare në Tepelenë.  Duke ecur nëpër atë rrugë cfilitëse,  në këmbë e cila gjarpëronte anës lumit të Vjosës, “ heroina “ jonë rrugëtonte,  në këmbë rreth 6 e më tepër orë për të mbërritur në Turan apo në Tepelenë,  mbasi kalonte  Vjosën,  mbi lundrën e vetme të trevës,  të cilën,  në atë kohë e menaxhonte një fshatar nga Vasjari.  Në të gjitha vajtjet,  Nënë Vezikua ishte e detyruar të mbante në krahë torbën me drithë apo me miell;  torbën me ushqim për vete e për Faikun dhe,  hera-herës,  kur lodhej,  edhe nipin e parritur,  të cilin e kishte,  siç thotë Faiku- “ badigard”.  Ky ishte një “ rit” apo një kod sjellje,  i vendosur nga vetë njerëzit për ti shoqëruar, me meshkuj,  pavarësisht nga mosha,  sipas të cilit gratë,  shoqëroheshin nga një i seksit tjetër.  Ky shoqërim kishte vlerë edhe kur gruaja shkonte në pyll,  për të bërë dru, edhe kur ajo shkonte në mulli, për të bluar, në dyqan, për të blerë e kudo.  Nuk ishte mosbesim por kujdes për  fmrën si  seks i brishtë.

Gruaja e ve,  si nikoqire e mirë,  përgatiste vetë,  në kushtet e shtëpisë, sipas teknologjisë të kohës, zairetë e nevojshme,  si trahananë e ëmbël e të thartë;  shakullin me gjizë;  gjalpin brumë e të shkrirë;  bollgurin;  petët;  palafiket;  pekmezin,  urrëlën,  ullinjtë e kripur e plot sende të tjera ushqimore,  në mënyrë që jetimët të mos vështronin duart e botës.  Ajo, në sepeten e nusërisë, e cila qëndronte në fundin e përdheses,  mblonte,  midis veshjeve të dalakohe, një grusht me arrë;  një dorë me bajame;  disa vargje me fiq;  një bukëfiqe;  disa shegë;  disa kokrra ftonj e fruta të tjerë,  të cilët i ruante,  me fanatizëm,  për të qerasur mysafirët sidomos kur ata ishin të mitur. Mirëpo  këto  mblojtje të Nënë Vezikos,  i kishin pikasur dy vajza të të njëjtit fis,  të cilat ishin dhe shoqe të mira me njëra tjetrën:  Rakibeja e Sulo Barjam Hysaj dhe  vajza e saj  Dedua të cilat tentuan ti merrnin ato,  për ti konsumuar veç të tjerëve.  Ato,  si të shkathëta dhe  çapkëne që ishin,  hipnin mbi sepete dhe hidheshin mbi të,  me qëllim që të thyhej kapaku i sepetes e të merrnin frutat.

Me përgjegjësinë  e gruas që mori përsipër të rriste,  e vetme tre jetimë,  Nënë Vezikua ishte njëherazi një amvisë e rrallë. Ajo gatuante gjellë të shijëshme,  për fëmijët e saj dhe për ata që kishin fatin e mirë të hanin ushqim nga duart e saj.  Gjella më e preferuar e saj,  të cilën “ e qante”  ishte pula shqirake e gatuar me rosnica.  Aq të shijëshme e nxirrte këtë gjellë Nënë Vezikua sa që krushku i saj, ( babai i nuses të Zyberit)-  Azis Ramo Kalemaj shprehej:  “ Vezikos ti hash gjellën me rosnica dhe pulën ta lesh të fluturojë, nga tava”!  Një vlerësim “ ekstra” ky,  nga një kalivaças i traditës,  i cili,  dinte të ushqehej shijëshëm,  për një grua kalivaçase e cila ishte e rrallë dhe  në gatim, siç ishte në jetë.

Po të futemi  pak në privatësinë e kësaj plake fisnike, nuk është e vështirë të pikasim se Nënë Vezikua ishte besimtare.  Ajo nuk shkonte,  si i thonë fjalës : “ pas berihajt” por ishte e bindur në besimin tek Zoti.  Kushtet nuk e lejonin të ishte praktikane në njërën nga teqetë e trevës,  por,  Dervish Jonuzi,  pinjoll i familjes të Baba Zotos të Fushëkrahësit,  i kishte besuar Nënë Vezikos kujdestarinë për mekamin me dy çirakë të Baba Lolos,  i cili ndodhet në krye të mëhallës Bozanaj të Kalivaçit,  në një afërsi  rreth 300 m nga shtëpia e saj.  Vejusha Veziko Malaj ( Hysaj),  kujdesej për ndezjen  e kandilëve apo të qirinjve,  për ruajtjen e tërësisë territoriale të mekamit dhe për pastërtinë e tij.  Mekami  është i rrethuar nga një korije e vogël.  Sipas legjendës,  brenda territorit të saj,  askush nuk duhet të bënte dru,  mbasi mund ta pësonte keq,  nga mallkimi i Zotave.

Portreti i vejushës Veziko:

Në një vështrim të sipërfaqshëm,  Nënë Vezikua  përfaqësonte një grua tipike kalivaçase. Ajo ishte e gjatë në shtat rreth 180cm, elegante,  e pa kërrusur ( edhe kur u nda nga jeta , ajo grua ishte e drejtë në shtat,  si qiri) nga vitet dhe nga hallet, e zgjuar dhe e mençur e me shpirt njeriu.  Veshja e saj ishte tipike e trevës:  Çitjane të zeza,  setër  të thurur me dorë, me ngjyrë të zezë,  me dy xhepa.  Si çitjanet dhe setra ishin nga një santinë prej pambuku,  e endur hollë dhe e ngjyer me bojë të zezë. Në brendësi të setrës,  ajo grua fisnike mbante një linjë të bardhë dhe sipër saj,  një bluzë leshi të thurur me gjalmë nga dhëntë e saj,  me shtiza apo me bizë.  Në kokë,  Nënë Vezikua,  si  gjithë vejushat e fshatit,  lidhte një shami të zezë.  Por,  në ndryshim nga shoqet,  ajo lidhte dy shami të zeza,  njërën në ballë e tjetrën në gushë.  Ky rit, quajeni si të doni;  me origjinë fetare apo e diktuar nga një kontratë shoqërore,  zbatohej vullnetarisht dhe ishte “ conditio sine qua non”  për çdo vejushë.  Nënë Vezikua  u nda nga jeta,  me të dyja këto shami të zeza të lidhura dhe me helmin e pamatë që piu me sapllake.

Nënë Vezikua,  për shkak të detyrave të shumta që mori përsipër,  për të përballuar jetën e mbrapshtë që iu imponua, ishte e detyruar të lëvizte shumë;  ndoshta më tepër se gratë e tjera të fshatit.  Bërja e pazarit në Krahës;  Marrja e pensionit  në Tepelenë;  tërheqja e racionit muajor në fshatin Turan;  sigurimi i druve të zjarrit;  rendja pas pulave të detit;  vajtje –ardhjet tek miqtë dhe tek dashamirët e familjes  etj. etj . punë,  kërkonin që ajo të mbathte këpucë ( opinga) të lehta e të sigurta.  Për tiu përgjigjur kësaj kërkese,  Ajo mbathte,  një palë këpucë llastiku ( sera),  të zeza dhe ecte me hap të lehtë e ishte e shpejtë,  si flutur.

Të mos flasim për të ushqimet që konsumonte ajo grua. Si Nënë, me “N” të madhe,  Ajo kujdesej, para së gjithash të ngopeshin jetimët e saj;  për vete,  si rregull,  Ajo ushqehej me ato që mbeteshimn,  mbasi kishin ngrënë fëmijët,  ose hante çfarë ti vinte për doresh.  Nuk ishte hamëse e nuk synonte volum në të ushqyer,  por kërkonte dhe siguronte cilësi.  Nënë Vezikua ishte mishngrënëse dhe e shijonte mishin,  si të shpendëve dhe të bagëtive. Ajo ishte një mbarështuese e kualifikuar shpendësh. Të haje një vezë të skuqur nga dora e Vezikos të Malet, kënaqeshe dhe kishje ndjesinë sikur kishe ngrënë mish dashi.

Dua të theksoj dhe diçka tjetër që më duket me vlerë:  Në Kalivaç,  por jo vetëm,  gratë e mbetura të veja,  nisnin të pinin duhan, pa kufi dhe përdornin alkool. Disa gra të kësaj kategorie mateshin me burrat e zakonit, sa i takon përdorimit të alkoolit.  Tek Nënë Vezikua,  këtë dukuri nuk e ndeshim. Etiketimi i saj si grua me karakter të fortë,  kam mendimin se edhe me ketë dukuri ka të bëjë.  Them kështu se gruaja e ve,  kur vështron se jeta e saj “ u nxi” e nuk vështron perspektivën që do të vijë  si rrjedhojë e rritjes të fëmijëve,  lëshohet , “ pa fre”, në krahët e nikotinës e  bie nën efektin e faktorëve dëmtues të alkoolit.   Ajo nuk ndoqi këtë udhë,  si shoqet e të njëjtit fat, por u ndesh me vështirësitë e jetës,  me guxim,  pa kërkuar shpëtim tek faktorë iluzorë.

Nuk mund të them se Vezikua e Asim Malos, ishte një ëngjëll e në personalitetin e saj nuk kishte asgjë të kritikueshme.  Jeta e vështirë e vejushës,  me kurthet që i ngriti  jeta dhe barra e rëndë që mori përsipër, nuk mund të kalonin si në vaj. I mëshoj fort këtij faktori,  për arsyen e thjeshtë se vetë jeta,  siç  rrodhi për atë grua,  e lodhi,  e cfiliti,  e drobiti,  e tjetërsoi, e burrëroi,  dhe Nënë Vezikua,  krenare për atë që bëri, nuk mund të ishte pa huqe.  Pa u rrekur të bëj hamendësi,  nisur nga thënje që përmbajnë një farë vërtetësie,  mund të dëshmoj se ajo zemërgjerë e shpirtmirë, me sjellje të “mëndafshtë”,  kur ia bënte njeri borxh,  shfaqte shënja padurimi e zemërimi të ligjshëm dhe nuk pajtohej me të keqen.

Në qiellin me re të Nënë Vezikos, u duk dhe ndonjë dritare  e hapët.

I vetmi gëzim i jetës të asaj gruaje ishte mirërritja dhe nxjerrja në jetë e jetimëve.  Nuk ishin pak por  dy të tillë ( Sanija dhe Faiku. Është e njohur  vështirësia  që ndesh prindi për rritjen e një vajze. Vëzshtirësitë shtoheshin, kur vajza ishte jetime. Përfytyroni vitet kur ka ngjarë kjo.  Vajzat e Nënë Vezikos,  si  Bejushja dhe Dedua  u rritën shpejt dhe të pastra,  sikur kishin dalë nga “ Palëa e dyshekut”.  Kur mbushën moshën sipas traditës vendase ( 15 vjeçe) gjyshja i martoi.  E madhja, Bejushja vajti nuse,  në Matohasanaj,  kurse Dedua,  në Shehaj të Fushës.  E donte një vajzë ta kishte afër e jo me lumë,  ndaj e bëri këtë krushqi.  Të dyja familjet ku vajtën nuse dy vajzat e saj, ishin të sërës të Malet dhe vejusha,  nuk e “ uli pjacën”,  por ruajti vlerat e fisit.

Në vitin 1964, radha për tu martuar i erdhi vajzës së Zyberit, Sanijes, e cila vajti nuse në  Canametaj. E veçantë e me shumë gëzim , për rrobazezën e shamizezën Veziko ishte dasma e djalit të vetëm të asaj shtëpie,  Faikut.  Mezi e kishte pritur Nëna e shumëvuajtur  këtë  dasmë.  Ajo e kishte përgatitur  me kohë veten për këtë  këtë gëzim të saj dhe të gjithë fisit Malaj.  Në vjeshtën e  tretë të vitit 1971, në shtëpinë e Zyber Asimit,  në Bozanaj,  u hap dasma.  Një dasmë e madhe,  e paparë deri atëherë për efektet që solli. Fakti që Faiku ishte rritur jetim,  në krahun e gjyshes burrëreshë,  ia shtonte madhështinë kësaj dasme.  Gëzoi e kush nuk u  gëzua  për martesën e Faikut të rritur bonjak. Gëzimin më të madh,  kuptohet,  e përjetoi  Nënë Vezikua, “ heroina “ e këtij rrëfimi  rrënqethës. Gëzonte plaka e veshur me të zeza  por nuk dinte si ta shprehte gëzimin e zemrës. Miqtë që duhet të ftonte për dasmë ishin të shumtë e në disa treva,  por ajo,  e hutuar nga gëzimi që ndiente në shpirt, disa miqve  harroi tu dërgonte ftesë.  Në atë kohë,  ftesat për dasmë,  më së shumti ishin verbale e rrallëherë të shkruara.  Vetëm një njeri nuk harroi ta ftonte Nëna shamizezë,  atë që e kishte në shpirt dhe e ruante në thellësinë e qënies së saj humane,  nusen e Zyberit,  Nasibenë, nënën e dy fëmijëve të cilët,  i donte  me shpirt.  E ftoi Nasibenë dhe ajo erdhi në dasmën e të birit, Faikut,  të cilin e kishte lënë bonjak,  akoma pa mbushur 2 vjeç.

Dasma u drejtua nga fisniku Malo Barjam Hysaj,  i afërt i Faikut,  një burrë zakoni,  i pajisur me të gjithë kualitetet e një menaxheri  të kujdesshëm dhe të një esnafi,  i zoti i muhabetit e i fjalës.  Burrat e kishin konakun në odën e Malo Barjamit por,  kur hidhej valle, ata dilnin tek lëmi i Malet.  Vezikua, e cila nuk dinte si të gëzonte,  me një duçe,  me raki,  në dorë,  vraponte nga një dhomë në tjetrën. Atë e gjëje,  sa tek gratë,  duke pritur urimet,  aq dhe tek burrat,  duke bërë të njëjtën gjë.  Nënë Vezikua,  tërë atë javë ( dasma vazhdoi një javë) fluturonte nga gëzimi.  Dhe gëzimi i saj ishte i justifikuar;  ajo,  me martesën e Faikut, ndihej e plotsuar mbasi kishte hedhur një hap gjigand në jetë dhe kishte realizuar qëllimin e jetës:  e kishte nxjerrë në jetë djalin e Zyberit,  duke përmbushur një amanet lënë nga i biri.

Nusja e Faikut u gjend në mes të miqësisë.  Ajo është e bija e Mersin Hekuranit, nga Zhulajt, Sheqerja,  bijë nga një derë fisnike,  me një rreth  miqësor  mjaft të gjërë.  Babai i saj,  Mersini,  një burrë i mënçur e i urtë,  i gjatë,  i thantë e me fjalën si mjaltë,  gëzonte respekt në tërë trevën  dhe kishte një familje ku pjesëtarët e saj kishin një edukatë të shëndoshë,  sipas normave të kohës.  Nusja erdhi në Bozanaj,  e hipur mbi kalë dhe e shoqëruar nga krushq të shumtë,  të çoroditur nga gëzimi e nga rakia.  Ardhja e nuses në atë shtëpi  ku zija kishte bërë fole,  ndriçoi tërë atë breg dhe i shtoi fisnikërinë fisit të Malet.  Çifti i ri e mbushi vatrën me fëmijë e mëhallën me cicërrima . Nënë Vezikua,  duke u përkëdhelur kokën pinjollëve të asaj dere,  mbushej me gëzimin e fitores që arriti , duke e parë shtëpinë e Zyber Asimit,  plot me vocërrakë,  të cilët u rritën e u mëkëmbën shpejt,  edhe falë kontributit me vlerë të asaj gruaje “ hyjneshë”.

Siç rriti majë krahut Zyberin,  Bejushen dhe Dedon;  siç u dha dashuri të pamatë e i rrethoi me kujdes të paparë fëmijët e të birit:  Faikun dhe Sanijen,  Nënë Vezikua rriti dhe fëmijët e Faikut: Valentinën; Perlatin;  Asimin dhe Namikun. Nipi i saj, Faiku,  në vitet 1975-1976 përmbushi  nevojat financiare dhe duke parë ngushtësinë e vendit ku banonte,  i shtuar me katër fëmijë,  ndërtoi shtëpi të re  në vendin e quajtur Dërrasë,  në afërsi të shtëpive të trungut.  Përdhesen e tyre  në Malaj,  të zotët e saj ia lanë Malo Barjamit, i cili ishte i të njëjtit trung.  Duke u kujdesur për mirërritjen e fëmijëve të Faikut,  Nëna “ heroinë”, Vezikua e Asim Malos, rriti, në majë të krahut tre breza dhe u bë  “legjendë” në atë mëhallë,  në fshat e më tej.

Nënë Vezikua,  e lodhur nga jeta plot me halle të rëndë, në vitin ….. u sëmur e zuri krevatin. Mosha dhe vuajtjet e kishin bërë të tyren.  Edhe kur dergjej në shtratin e vdekjes,  Faiku dhe Sheqerja, fëmijët e Faikut dhe i gjithë fisi, nuk ia kursyen kujdesin asaj plake të rrallë. Në një vizitë mjekësore që i bëri mjeku D. A.,  kur ai propozoi disa masa sipas profesionit të tij human;  Nënë Vezikua zhvilloi një dialog interesant me nipin e saj,  Faikun, i cili e donte dhe e respektonte shumë.  Me qëllim që lexuesi i nderuar të marrë një informacion sa më të plotë,  mbi këtë bisedë shumë interesante,  po përpiqem ta riprodhoj atë,  sipas thënieve të Faik  Zyber Hysaj, në një lidhje telefonike:

  • Nënë Vezikua: “ Faik, dërgo e më thirr nusen, që e  dua shumë”!
  • Faiku: “ Nënë, ja tek e ke nusen, dhe i dëfton Sheqeren”!
  • Nënë Vezikua: “ Jo atë, ajo është nusja jote;  mua më thirr, nusen time- Nasibenë”!

Nasibeja,  mbasi u vra Zyberi,  ishte martuar në Koshtan,  me  Caush Agon dhe jetonte,  në familjen e re, në Tiranë.  Faiku,  i dërgoi  telegram,  nënës që e lindi, në Tiranë,  të cilin e morën fëmijët e saj dhe e drejtuan,  atje ku ishte Nasibeja,  tek i vëllai,  Mehmet Azis Kalemaj.   Erdhi Nasibeja,  së bashku me bashkëshortin,  me urgjencë dhe e gjetën  Nënën “ heroinë”,  Vezikon legjendare,  me frymë. Pas 11 Ditë lëngimi, në shtrat, më 11 prill të vitit 1980, ajo grua fatkeqe  e përmasave biblike mbylli  sytë përjetë, por  me ëndrra të realizuara.  U shua një grua “ legjendë” e cila rriti majë krahut tre fëmijët e saj; dy fëmijët e të birit dhe katër fëmijët e nipit.

Për të shkruar këtë monografi, ndihmuan me kujtimet dhe me opinionet e tyre:  nipi i Nënë Vezikos, Faiku ( djalë i Zyber Asimit) dhe Qemali i Malo Barjamit. Opinion të vyer,  më dha mendjendrituri nga fshati ynë,  gazetari profesionist Neki Ago,  i biri i Xhemal Idrizit,  i cili ka percjellë fëmijërinë, në Kalivaç dhe e ka njohur nga afër “ heroinën” tonë. Lexuesi besoj se do të më mirëkuptojë për mungesën e fotografive të dy protagonistëve të këtij shkrimi.  Jua  them çiltër se  me gjithë përpjekjet, gjetja e tyre  ishte praktikisht e pamundur.  Nëse dikush disponon fotografi të Nënë Vezikos dhe të Zyber Asimit,  është i lutur të mi dërgojë,  në mënyrë që ato të reflektohen në shkrim.

Një miku im,  njeri i letrave,  tepër human e dashamirës,  kur i dëftova subjektin e këtij shkrimi me ndodhi të vërteta brenda,  me sy të përlotur,  më këshilloi ta titulloj shkrimin: “ Gruaja me dy shami të zeza”.   Ky është një titull i denjë e i mënçur,   por disa rrethana vetjake,  më shtyjnë të qëndroj në  vendimin që kam marrë.  Kjo nuk i heq asgjë vlerësimit  të asaj gruaje të rrallë,   e cila sakrifikoi shumë  nga  vetja,  për të rritur e veselitur pinjollët e asaj familje fatkeqe.

Le të jetë kjo monografi e shkurtër,  një lloj homazhi e le të shërbejë si një lapidar i mirënjohjes,  pa kufi,  për atë njeri,  i cili u shkëput nga hyjnitë,  për të falur dashuri nëne për fëmijët e gjakut të saj dhe për të rritur lavdinë e fshatit tonë të dashur!

  • Ipaharruar qoftë kujtimi i saj; ti rrojnë ata që la pas!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj

 Në Tiranë- tetor- nëntor  2017

One thought on “Nëna që rriti tre breza fëmijësh në majë të krahut”

  1. I pa harruar qofte kujtimi i nene Vezikos. Duke lexuar kete shkrim me lot ne sy , kujtoj edhe gjyshen time Meme Hysenaj e cila u largua nga kjo jete ne 7 nentor plot 13 vjet me pare. Sigurisht jo me kaq shume halle dhe fatkeqesi si te rangut te nene Vezikos,por qe rriti e vetme 5 femijet e saj jetim .
    Me respekt Lola Haxhiaj.

Comments are closed.