Kalivaçi i Tepelenës është një fshat i ndërtuar mbi bregore me taban të gurtë.Guri i bardhë gëlqeror, i cili ndodhet kudo në trritorin e këtij fshati është nga pasuritë me vlerë, i cili ka ndikuar fuqishëm në të mirë të bashkëfshatarëve tanë, që nga kohët e lashta.Disa objekte kulti e banesa, deshmi të lashtësisë të Kalivaçit, si dhe të gjitha shtëpitë e banimit të fshatarëve vendas, janë të ndërtuara me mure guri, të bardhë, të lidhur njëri me tjetrin me llaç gëlqere. Në Kalivaç gjen dhe mure të veçantë, si ai që rrethon kalanë, në mëhallën e Hasanbegajve, i cili është i ndërtuar me gurë ciklopikë, të përmasave gjigande, të cilët janë nxjerrë nga gërmimet e nëntokës së fshatit. Ky mur, në të gjithë perimetrin është i ngritur gurë mbi gurë, pa lidhje me shtresë llaçi. Edhe kjo dëshmon për lashtësi e zgjidhje autentike.
Rreth atij muri, i cili qarkon majën e bregores, përpara shkëmbit të lartë e të thepisur, i cili zbret pingul mbi lumin e Viosës, ndodhet vendbanimi i hershëm, që daton nga koha e dyndjeve sllave me emrin Gradishtë, i cili, aktualisht nga vendasit, quhet Qytet. Kalaja dhe Gradishta ( Qyteti), së bashku me objektet e tjerë të gjetur në atë vend na dëftojnë se qytetërimi i lashtë ilir, në Kalivaç të Tepelenës nuk është çbërë edhe nga dyndjet sllave të atyre anëve në fillimet e mijëvjeçarit të dytë të erës sonë.Varret antikë dhe autentikë që janë zbuluar në atë hapësirë dhe copat e qeramikës, të cilat mund të jenë përdorur për zbukurim, ose si enë të destinacioneve të ndryshëm, gjithashtu janë dëshmitarë të pakundërshtueshëm të lashtësisë të trevës. Thonë se qeramika e zbuluar aty është e përgatitur nga vëndasit, me materiale e teknologji të trevës.
Në Kalivaç te Tepelenës i gjen edhe sot disa ndërtime të herëshme, tipike, të ngritura me mure guri të bardhë të lidhur njëri me tjetrin me llaç gelqere, të cilët i kanë rezistuar kohës duke treguar qëndrueshmeri ndaj lëkundjeve tektonike dhe agjenteve atmosferikë.Të tilla shtëpi banimi gjen në çdo mëhallë e në çdp fis.Lartësia e ndërtesave dhe teknologjia e përdorur shkon në vijë të drejtë me kamjen e familjeve dhe me numërin e anëtarëve të tyre.Odat e Haxhiajve në Hasanimeraj, shtëpitë si saraje të Zagoll Salikos e vëllezërve te tij në Meçaj, banesat si kulla, me frëngji, të Hadërajve, në Ahmetaj, shtëpitë e vëllezërve Veiz e Rrapo Dano, në Hasanbegaj, Odat e vëllezërve Dule e Xhezo Alushi, në Beqiraj, konakë masivë të Danajve në po këtë mëhallë, shtëpia si fortesë e Çane Deliut, në hasanimeraj, oda e Shefit Qazimit, shtëpitë e Ali Xhelilit, ato të Muharrem Qerimit e të Hamza Sheshos, në Ruç, të Selfo Rexhepit,të Sherif Rrapos, konakët e Ramajve e të Sulajve në Hysodosaj, oda e Mahmut Muharremit dhe ajo e Ahmet Fejzos, shtëpia e Demir Seitit, odat e vëllezërve Malo, Shefik e Sulo Bajramit, në Bozanaj, etj etj, me gurë të bardhë janë ndërtuar e i kanë rezistuar kohës. Qoshet, harqet, sofatët, pregjet, dritaret, me gurë të gdhendur e mjaft pjesë të tyre janë ngritur me gurë të bardhë, të skalitur me mjeshtëri, nga duart e gurgdhendësve vendas e të tjerëve, të ardhur nga treva të tjera. Këto dhe kollonat znësore të portave; gdhendja e tavanëve (aty ku kish të tillë), bërja e oxhaqeve, frëngjive, shtrimi i avllive, deri dhe vatrat e disa shtëpive, të gdhendura me shije e të zbukuruara hijshëm janë disa tregues që na terheqin vemendjen se kalivaçasi, veçanërisht në fushën e ndërtimeve ka qenë e është ekzigjent. Nuk dimë, kur dhe kush e ka ndërtuar ëdo banesë të veçantë, por jemi fare të sigurtë se ndërtesat e banimit, në Kalivaç të Tepelenës, të ngritura me teknologjinë e kohës, e me mjete rrethanore, kanë qenë e janë mjaft të forta e të qëndrueshme.Odën e bashkëfshatarit tonë Ahmet Fejzo Pashaj, në mëhallën Hysodosaj dhe atë të Demir Seitit, po aty, në vitet e luftës Italo- greke e kanë goditur me artilieri nga rruga automobilistike, përtej lumit të Viosës, e cila përshkon mespërmes malin e Kudhësit (mali i Bardhë). Një gjyle që goditi murin, 1.5m nën brezin e çatisë, nuk depërtoi dot brenda, por nxorri vetëm disa cifla guri.E quaj fatkeqësi të madhe faktin që ato ndërtime të lashta e të veçanta, të cilat përbëjnë një vlerë më vete,të papërsëritshme arkitekturore, nuk janë ekzistente e nuk janë fiksuar në letër apo në celuloid, që të jenë pronë e atyre që vijnë por kanë mbetur në mëshirë të fatit e ruhen vetëm në kujtesën e njerëzve që “po firojnë “ njëri pas tjetrit.
Ustallarët që kanë ngritur mure të fortë, me gurë të bardhë e me llaç gëlqere, në vitet ‘50 të shekullit të kaluar e më pas, nuk kanë qenë të gjithë nga Kalivaçi i Tepelenës. Disa syreshsh vinin nga treva të tjera të vendit.Shumë prej tyre vinin nga Panariti i largët, i rrethit të Korçës, apo nga Gora e Opari, të njohur si gurgdhëndës cilësorë. Ata pajtoheshin e punonin me mëditje dhe shpërbleheshin, me të holla, ose në natyrë nga i zoti i shtëpisë që ndërtohej.Hasan mjeshtri dhe i biri i tij, Muçoja, më të zakonshmit muratorë që punonin në Kalivaç, ishin nga Panariti i Korçës.Nga duart e xha Hasanit janë ndërtuar apo ndërruar shumica e shtëpive të banorëve të kalivaçit.Mund të themi se, i pashkolluari Hasan mjeshtri, qysh në atë kohë ishte në dijeni të rregullave të konkurencës së lirë. Ai, “hante sot por mendonte dhe për nesër”, në kuptimin që i hapte udhë punës, e linte “shtegun të hapët”.Prandaj, në mes fshatarëve të Kalivaçit të Tepelenës qarkullonte opinioni se,” po hipi xha Hasani mbi çati, ai, mbyll një pikë e hap dy të tjera”. I kësaj prerjeje ishte dhe Zalo mjeshtri, gjiton i të parit.
Ndërtimet në Kalivaç të Tepelenës kapin dhe sfera të tjera të jetës. Dihet që në këtë fshat, në të gjitha mëhallët e tij, uji i pijshëçm ka qenë “me pikatore”. Burimet e ftohta, buzë lumit Viosë dhe burimi i Gurrës, më kryesori e më cilësori, ndodhen larg qëndrave të banuara . Odisea për të siguruar ujin e pijshëm ka qenë, në të gjitha kohët, problem madhor për popullsinë e Kalivaçit. Kësisoj fshatarët tanë kanë bërë përpjekje për ta nxjerrë ujin nga thellësitë e nëntokës.Për këtë qëllim, ata kanë hapur puse, të cilët, zakonisht shkojnë thellë, mjaft thellë, gërmimet arrijnë deri në disa pashë, deri sa të shkohet tek “damari” i ujit. Pusi i thellë vishej nga brenda me mur guri, në formë harku, i ndërtuar me mjeshtëri, në kushte tejet të vështirë, jo vetëm për shkak të thellësisë, nga kalivaças të zotë.Muri i rrumbullakët, me gurë të skalitur ngrihej deri 1m mbi sipërfaqen e tokës, derisa bëhej gryka e pusit. Gryka e pusit bëhej me 2-3 gurë, të mëdhenj, në formë harku, më të mëdhej si masë, gjithashtu të gdhendur bukur e pa llaç mes tyre. Gryka e pusit, nisur nga rrezikshmëria që paraqet, nuk ilhej e hapët por mbulohej me mjete rrethanore. Puse të tillë, të ndërtuar mjeshtërisht e me thellësi të konsiderueshme, mund të përmendim pusin e Malajve (Hysajve),në Bozanaj, pusi i Myftarajve, në avllinë e Dajlan Xheladinit , në Hysodosajve etj. Në vitet e fundit, në Kalivaç të Tepelenës janë hapur puse të rinj, si ai i Nelo e Reshat Resmiut, në Ahmetaj, pusi i Muharrem Qerimit dhe Hamza Sheshos, në Ruç etj.
Me vlera historike e me zgjidhje artistike janë qivurët e ndërtuar në hapsirat e Kalivaçit të Tepelenës.Eshtë i njohur fakti që, sipas ritit fetar Bektashian, por jo vetëm, varret janë ”të shënjtë” e të paprekshëm.Cdo fis apo trung, I varroste ata që ndërronin jetë, në pronat e tyre; në varre apo në qivurë, të ndërtuar me gurë të bardhë, të gdhendur me gusto, në vende të ngritur e të mirëekspozuar ndaj vendbanimit të tyre. Kjo bëhej me qëllim që, të prasmit t’i kujtonin gjatë, paraardhësit e tyre.Në disa raste, qivurët dhe varret kanë shërbyer e shërbejnë dhe si pika orientimi, për vendasit e për kalimtarët. Qivuri i Zoto Halilit, në një vend kyç, në Qafën e Dërrasës; qivuri i Hysajve, tek Lisat me të njëjtin emërtim; qivuri i Bakajve; në hyrje të mëhallës Bozanaj, i cili, për fat të keq, aktualisht nuk egziston; qivuri i Haxhiajve , në Hasanimeraj; ata të Bektash Sakos e Sadik Dajlanit, në Ahmetaj etj etj, të tillë ishin. Qivuri ishte varrim i përbashkët ( jo lolektiv), i një grupi njerëzish, të së njëjtës familje ose me lidhje gjaku.Nuk bëhet fjalë për varrosje në të njëjtën gropë por pranë njëri – tjetrit,në varre të veçantë.Lartësia e qivurit nga sipërfaqja e tokës ishte rreth 2 m kurse dimensionet e tjerë kanë qenë në vartësi të personave të fisit(trungut).Zakonisht brinjët e drejtkëndëshit që formonin qivurin ishin 4-6 m.Muret anësorë të një qivuri ngriheshin me gurë të bardhë, të skalitur, të lidhur njëri me tjetrin me llaç gëlqere . Mbi mur vendoseshin pllaka guri, me sipërfaqe qe të mbulonte plotësisht murin dhe të formonte një “strehë” të vogël për kullimin e ujrave.Brenda qivurit varroseshin njerëzit më të rendësishëm të fisit apo të trungut, në varre të veçantë, përveç rasteve kur i ndjeri, kur ishte në jetë, linte tjetër amanet.Pra, në raste të veçantë, në të njëjtin varr futeshin dy të ndjerë, të cilët largoheshin nga jeta në kohë të ndryshme dhe që ishin në lidhje gjinie me njëri-tjetrin (burrë e grua). Në praktikë ndeshim edhe raste kur në të njëjtin varr janë futur babë e bir, dy motra, nënë e bir, etj etj, kombinime familjarësh. Që të realizohej kjo, kërkohej pëlqimi i të prasmëve, ose kur kishim të bënim me një amanet, nga i ndari nga jeta.
Qivuri që ndërtohej një herë, nuk mund të zmadhohej më pas.Varri i tjetrit konsiderohej “i shënjtë “. Asnjeri nuk mund ta cënonte, ta prishte apo ta përdhunonte qivurin e tjetrit. Edhe gjuajtja me gurë e një varri (qivuri) konsiderohej përdhunim e dënohej. Qivurët dhe varret e veçantë, në Kalivaç të Tepelenës janë konsideruar si vend “i shënjtë” dhe ruajtja e tyre nuk bëhej nga roja të posaçëm por nga bindja e njerëzve.Edhe sot e kësaj dite kështu ndodh.Predikimi dhe praktikimi për një kohë të gjatë i kësaj ideje ka formuar një lloj bindje e vijë sjellje tek të gjithë njerëzit, gjë qëka bërë të mundur ruajtjen vetiu të varreve e asnjeri nuk i ka cënuar apo përdhosur. Ato nuk i ruante roja por opinioni i gjerë shoqëror i fshatit.Ndërtimi i qivureve, në Kalivaç, por jo vetem, i përket asaj periudhe kur varrezat ishin të shpërndara e larg njëra – tjetrës. Jo në një rast, me kalimin e viteve e me zëvëndësimin e brezave, varret janë harruar dhe është i vështirë identifikimi. Qivuri është dhe shënjë nderimi e respekti për të ndjerin, prandaj ndertohej në vende “kyçe”, në kryqëzime rrugësh apo në ato udhë ku u takonte të kalonin shumë njerëz. Zënja e kryqëzimit të udhëve dhe ndërtimi i qivureve në vende të lartë, të dukshëm bëhej dhe për ti parë më lehtë e për ti kujtuar më shpesh të ndjerët. Kohët moderne sollën dhe ndërtimin e varrezave të grupuara, të rrethuara, e lehtësisht të të kontrolluara.Sot, në varrezat e Kalivaçit të Tepelenës gjen varre të cilët nuk u lëshojnë pe asnjë çikë varrezave të qyteteve më të kulturuar. Të ndërtuar me lloj – lloj zbukurime e figura, sipas fantazisë të familjarëve të shëtitur, varret ngjajnë me përmendore të punuara me hijeshi e simbolikë të posaçme.Tashmë koha e qivurëve ka kaluar dhe ndërtimi i tyre është një fenomen i kapërcyer.
Kalivaçasit janë të zgjuar e të shkathët, deri në prapësi.Zgjuarsia e tyre është dhuratë e natyrës dhe pjellë e kushteve të vështirë të jetesës. Disa burra e djem kalivaças, duke vrojtuar mjeshtërit që gdhendnin gurin e tyre e me të ngrinin shtëpi, ua “vodhën” zanatin ardhacakëve, mësuan përdorimin e daltës, të mistrisë e të çekanit, mënyrën e gdhendjes së gurit, përgatitjen e llaçit, ngritjen e murit e proçese të tjera ndërtimi dhe i hynë punës vetë, duke u bërë mjshtër të vërtetë. Dikush u bë gurgdhëndës. Kuptohet, përsosmëria, nuk u arrit menjëherë . Kaluan vite e u desh mjaft punë që burra si Sadik Xhemali, Veli Canua, Halo Ganiu, Novruz Zenelaj, Qamil Aliu, Medin Çelaj, Axhem Aliu, Sali Xhezua, Agim Muhedini etj. u bënë ustallarë guri, me emër. Bashkëfshatari Ferrik Çoban Shametaj kapi maja mjeshtërie në gdhendjen e gurit. Në vitet kur në Kalivaç funksiononte kooperativa bujqësore, u formua një brigatë muratorësh, të cilët punonin për nevoja komunitare dhe plotsonin kërkesat e individëve të veçantë.
Kapitull më vete, jo më pak i rëndësishëm, në ndërtim është puna e gurskalitësve kalivaças.Nuk bëhet fjalë për gdhëndjen e qosheve të murit apo të një pragu shtëpie, por për gurëskalitës të mirëfilltë.Edhe pse tradita, në këtë mjeshtëri, në Kalivaç mungonte, bashkëfshatari ynë Ferrik Çoban Shametaj, nga mëhalla e Leshnjes, një njeri shumë i zgjuar e i shkathët, në vitet ‘70të të shekullit të kaluar, e nisi punën e gurëskalitësit, pa përvojë, por, me guxim, këmbëngulje e optimizëm dhe arriti rezultate të papara.Ai, së pari ndërtoi, me duart e tij, shtëpinë vetjake, në Leshnje, me zbukurime e gurë dekorativë, e cila i përngjan një monumenti kulture . Ferriku, me iniciativë e guxim, e shtriu mjeshtërinë e të gdhëndurit të gurit të bardhë, të Kalivaçit tek pjesëtarët e tjerë të familjes së tij e, më pas mësuan prej tij mjaft djem të tjerë.Me gurët e gdhendur nga duart e Ferrik Shametaj e të familjarëve të tij, u shtruan disa sokakë të qytetit muze të Gjirokastrës, varrezat e dëshmorëve të Atdheut në Tepelenë; fama e punës së tij u përhap dhe në shtetin fqinjë të Jugut.Pas Ferrikut , në Kalivaç të Tepelenës gurgdhëndjen e ushtrojnë të tjerë djem të talentuar si Sali Xhezo Dulaj, Agim Muhedin Nelaj etj. Mirëpo, në ditët tona, gurgdhëndja, në Kalivaç ka ndryshuar destinacion e ka marrë shtrirje të gjerë. Ajo, sot, përdoret gjërësisht për skalitjen e pllakave dhe kokave të varreve dhe mbishkrimeve mbi to. Ndonjëri, që ka punuare ka parë në kurbet, përveç daltës dhe çekanit tradicional, ka mësuar e ka vënë në përdorim dhe makineri moderne për prerjen dhe dekorimin e gurit të bardhë të Kalivaçit.
Në të shkuarën jo të largët, në Kalivaç, kur vendosej guri i parë i themelit, i zoti i shtëpisë kryente një rit pagan: therte një dash, në themel.Gjaku i dashit që therej, domosdo duhet të spërkaste gurët e parë të themelit, dhe kjo çmohej si një veprim fatndjellës. Kjo shtëpi, pa u ngritur akoma konsiderohej si një tempull ku do të kishte mbarësi; do të mbushej me fëmijë, do ta kishte jetën të gjatë, sëmundjet do të qendronin larg saj, arat do të bënin shumë bereqet, bagëtitë do të shumoheshin si lumë etj.Riti pagan nuk mbaronte këtu. I zoti i shtëpisë shtronte një davet (gosti), me mishin e therur në themel e me të tjerrë berra (bagëti të imëta) që pësonin fatin e tij.Davet (gosti), me mish të pjekur në hell, me raki e revani bëhej dhe kur ndertesa përfundonte e familjarët bëheshin gati për tu futur brenda, në shtëpinë e re.
Nuk mund të anashkalohet një virtyt i rrallë i kalivaçasve, i cili shfaqej, dukshëm edhe në rastin fatlum kur dikush ngrinte një banesë të re. Bëhet fjalë për bujarinë kalivaçase. Ndërtimi i një banese kishte kohëzgjatje të madhe . Në vartësi të madhësisë të godinës, ustallarëve që punonin dhe motit.Ustallarët, gjatë gjithë kohës që vazhdonte ndërtimi i banesës, ushqeheshin, tre vakte, nga i zoti i shtëpisë. Që të bënin punë të mirë, ata duhet të ushqeheshin mirë dhe kjo ishte barrë jo e lehtë për të zotin e shtëpisë. Për ta lehtësuar këtë barrë, sipas traditës kalivaçase, vihej në lëvizje fisi, gjitonët, miqësia, mëhallalinjtë e më gjerë. Mes tyre kish ndarje pune, me nismën e tyre, pa i rekomanduar apo pa i detyruar njeri. Njëri gatuante drekën, tjetri bënte darkën, me gjellë të mira, me mish e me raki . Vakti gatuhej në shtëpinë e bujarit, me harxhin e tij dhe u servirej ustallarëve e argatëve, i ngrohtë, në vendin e punës. Kur ndërtonte dikush shtëpi, vëllezëria, fisi, gjitonët e të tjerë ofronin dhe ndihmesë me punë konkrete, në shërbim të ustallarëve. Kjo praktikë qarkullonte derë më derë, pa qenë e nevojshme për radhë apo evidencë. Secili e kishte të qartë rregullin sipas të cilit : “po më bëre nder, do të ta shpërblej po me nder”.I tillë ishte kodi moral i banorëve të Kalivaçit. Kushdo që kalonte pranë ustallarëve të cilët punonin për të ngritur ngrehinën duhet të uronte”puna e mbarë”! dhe merrte përgjigjen:” Të mbarë paç e në shtëpinë tënde “. Kësisoj, fjala e mirë qarkullonte si stafetë, nga familja në familje e më gjerë dhe lidhjet, dashuria, respekti i ndërsjelltë mes komunitetit forcoheshin e mbaheshin gjallë, pa fjalë të bukura e pa leksione mbresëlënës.
Meqënëse, gurët e bardhë në Kalivaç të Tepelenës gjenden lehtë e me shumicë dhe janë thuajse “gjysmë të gatshëm”, në kuptimin qe i kanë faqet të rrafshëta, natyralisht, bashkëfshatarët tanë kanë ngritur, me gurë të bardhë gëlqerorë edhe avllitë, haurët, muret e kasolleve, muret e arishtave e të kopshteve ( ledhet), vetulloret e pemëve etj. Por, në këta raste muret ndërtohen duke i vendosur gurët mbi gurë, të palidhur me llaç gëlqere. Që të mos rrëshqisnin në murin e ngritur, pa lidhje me llaç gëlqere, ndërtuesi i murit, i (“ lidhte” ) gurët, njëri me tjetrin në formë kryqi. Këta mure i ngrinte vetë i zoti i shtëpisë, pa pe e pa plumçe. Stani i malëshovitit Rako Meshini, në Fierin e Metes, haurët e Mete Medinit, në Gurje; Stani i vëllezërve Menkshi, në Këmbën e Gurit, avllia e Beshir e Muharrem Haxhiut, muri rrethues i avllisë të Sherif Rrapos, muri i arishtës të Muharrem Kamberit, avllia e djemve të Bajram Malos, në Bozanaj, muret e avllisë të Rrapo e Veiz Danos, Ali Xhelilit, Zagoll Salikos, fisit Dostaj etj. gurë mbi gurë janë ndërtuar e kanë rezistuar gjatë. Në Kalivaç gjenden dhe rrënoja të mureve masivë si ajo e shtëpive të Ziflo Dinos, Shtëpitë e Muhos, shtëpitë e Ramo Nebiut, të Danajve, të Dulajve, Të Zenel Jaupit e te Qazim Lazes, të Xhaferrajve, Muri i Hasanet, Muret e shtëpive të Sulajve, Takajve, Zenelajve në Hasanbegaj, Hysajve në Bozanaj, etj. me gurë të bardhë janë ngritur.
Në pamje të parë, ngritja e një apo disa kasolleve, për strehimin e njerëzve apo të bagëtive, paraqitet si diçka e thjeshtë, e lehtë e që mund të kryhet nga çdo njeri. Në fakt, nuk është plotësisht kështu.Kushdo mund të ngrejë një kasolle, madje jo vetëm burrat por kasollja nuk i ngjan kasolles. Në Kalivaç të Tepelenës kanë jetuar gra, të cilat i ndërtonin kasollet më mirë nga burrat . Nuk është fjala për të ngritur një strehë dosido , por për të bërë një banesë të qendrueshme e të sigurtë. Nuk janë të paktë rastet kur kalivaçasit kanë ndërtuar kasolle, jo vetëm për të strehuar bagëtitë por dhe për të banuar në to, së bashku me familjarët e tyre. Shkaqet e banimit në kasolle, nga bashkëfshatarët tanë, kanë qenë nga më të ndryshmit. Dikujt i kishte rënë shtëpia e nuk kishte mjete për ta ringritur; një tjetër donte të shkëputej nga mëhalla e të vendosej pranë pronave të tij, larg të afërmve etj. Në Margëlliç, psh . u vendosën fillimisht pranë arave të tyre vëllezërit, Karafil e Refat Mahmut Bilaj, më pas, shëmbullin e tyre e pasuan : Dine Xhelal Behaj ( Nelaj); Ali Pasho Nelaj dhe Hasim Mehmet Nelaj; në Çesmën e Thatë ngriti kasolle e banoi në të, për mjaft kohë Jaçe Sadik Azizaj, në Bexgën e Veldonit jetoi gjatë në kasolle, familja e Resul Nelo Nelaj; në Saloniq u vendos familja e Xhelo Yzeirit etj.Disa familje ishin të detyruara të vendoseshin e të jetonin në kasolle si rezultat i shkëputjes nga trungu familjar. Martohej djalii madh, ndahej ai nga trungu familjar, dilte nga ndarja pa shtëpi e, për të banuar, ngrinte kasolle.Në kasolle u vendosën fillimisht fëmijët e Mane Tafil Zenelaj; të Resul e Resmi Nelos; të Muhedin Salihut e të Hasim Mehmetit; të Nexhip Skëndos e të Zenel Nocruz Zenelaj, etj.etj.Mjaft familje i ndërtonin kasollet për ti shfrytëzuar si kuzhina , ku gatuhej përditë e për çdo rast.
Zakonisht muret e kasolleve ngrihen me gardh. Mbulimi i tyre bëhet me kashtë.Në të katër qoshet e kasolles vendosen shtylla druri, të gjata sa do të jetë lartësia e gardhit dhe të forta . Druri zgjidhet të jetë i drejtë e nga pemë që i rezistojnë sa më gjatë lagështirës. Dru të preferuar për shtylla kasolle janë ato prej lisi, vidhi, ulliri etj. Pjesa e shtyllës që futet në tokë (30-40cm), paraprakisht digjet, në zjarr që të bëhet kongjill e të mos kalbet shpejt. Midis shtyllave vendosen furka. Furkat përfaqësojnë disa hunjë, të gjatë sa lartësia e gardhit të kasolles. Ato, sipër përfundojnë me dy degë( gërveça), në formën e shkronjës V të cilat shërbejnë për të vendosur drurët lidhës, horizontalë. Ndërmjet furkave ngrihet gardhi, me shufra të drunjta, të zhveshura nga gjethet. Shufrat duhet të kapin, të paktën 2-3 furka dhe vendosen të alternuara, në mënyrë që gardhi i kasolles të jetë sa më i qëndrueshëm. Gardhi vazhdon të ndërtohet deri atje ku nis çatia e kasolles. Të dy gjerdhet lidhen e përforcohen me anë të trarëve, prej druri. Trarët janë të gjatë, aq sa të “shkelin “ në të dy gjerdhet anësorë.Mbi trarët ngrihet çatia e kasolles. Për të ngritur çatinë e kasolles, më parë ndërtohet një kulm, me një dru të gjatë sa gjatësia e kasolles, i cili fiksohet mbi trarë me anën e disa kondureve ( hunjë prej druri) me gjatësi rreth 1.5 m. Katër drurë të tjerë kapen tek kulmi e fiksohen pas shtyllave mbajtëse. Nga kulmi zbresin disa hunjë të tjerë druri të cilët kapërcejnë gardhin e kasolles dhe zgjaten për të formuar strehën e saj . Këta drurë quhen grebezhdë e lipset të kapen fort në të dyja nyjet.Sipër grebezhdëve, kryq me ta vendosen e fiksohen shufrat e drurit, të cilat duhet të jenë të drejta, të gjata e të pastruara nga gjethet. Shufra fiksohet pas grebezhdit me gozhdë, me tel ose lidhet me fije xane, xine, konopice etj.Sipër shufrave horizontale vendoset kashta. Ajo duhet të shpërndahet gjatë gjithë sipërfaqes të çatisë, e ngjeshur dhe uniforme, që të mos depërtojë shiu. Kashtë më e mirë çmohet ajo që merret nga thekrra, kashta e elbit, e hokërrit dhe ajo e grurit . Mjaft jetëgjatë është kashta e kuqe, e cila rritet e gjendet me shumicë, sidomos në zezan ( shtrati i lumit Viosë). Bashkëfshatari Azis Selfo Alidervishaj, nga Hysodosaj. i cili njihej si mjeshtër për ngritjen e kasolleve, preferonte për mbulimin e kasolleve që ngrinte, kashtën e kuqe.Cilësia e kashtës lidhet drejtpërdrejt me gjatësinë e saj. Për të shmangur dëmtimin e kashtës nga minjtë, para se të vendoset mbi çati, ajo duhet të veçohet nga kallinjtë, duke e shkoqur atë.Kashta e shpërndarë në mënyrë uniforme, mbi çatinë e kasolles, fiksohet pas shufrave me anën e fijeve të xanës, konopicës, kulpërit dhe me kashtë, të regjur.
Muret e kasolles, nga ana e brendëshme, në kohën për të cilën bëhet fjalë, “suvatoheshin” me baltë të bardhë(shur) të përzier me byk (mbeturina kashte dhe kallinjsh që mbeten nga shirja e grurit). Këtë proçes pune e realizonin zakonisht gratë.Mbasi thahet përzjerja e bykut me vapem, gratë i lyenin muret e kasolles me baltë të bardhë ose me gëlqere. Shfrytëzimi i kasolleve për si banesë, për shkak se aty ndizet zjarr, paraqet dy rreziqe potencialë. Djegja e druve nga zjarri e mbush kasollen me tym i cili është mbytës, sytë e njerëzve lotojnë e atyre u zihet fryma, si rezultat i koncentrimit në të të gazit karbonik CO2. Zjarri ndizej në kasolle drejtpërdrejt në vatër, pra në tokë, pa sobë.Kjo e bën kasollen të ftohtë për banorët që jetojnë brenda saj.
Shpesh kasollet janë ndertuar me destinacion magazinimin e zaireve për ushqimin e bagëtive, siç është depozitimi i kashtës, i lëpushkave, i barit etj. ose janë përdorur si bufar ( aneks), për të veçuar qingjat apo kecat, në periudhën e laktacionit, kur këta ndahen nga nënat e tyre. Kur kasollet ndërtoheshin për të strehuar bagëtitë e imëta, lartësia e tyre ishte më e vogël, krahasuar me kasollet shtëpi dhe për magazinimin e hajes ( ushqimit) të kafshëve.
Në Kalivaç të Tepelenës kanë jetuar mjeshtër të vërtetë, të cilët dinin ti “qëndisnin “ bukur kasollet. Të tillë gjendeshin në çdo mëhallë, madje, pa e tepruar, mund të pohoj se ,të tillë kish dhe në çdo familje. Kësisoj ishin të rralla familjet që, për ndërtimin e kasolleve pajtonin njerëz, me pagesë. Të mos dije të bëje kasolle, dikur, në Kalivaç nuk ishte rast për tu lëvduar, përkundrazi.Në fshatin tonë janë njohur si mjeshtra për ngritjen e kasolleve: Matush Adem Dulaj; Fejzo Saliko Xhaferaj e Kalo Guçe Dulaj, në Meçaj; Azis Selfo Alidervishaj e Azis Telha Azizaj; Tefik Medin Sulaj e Mahmut Muharrem Pashaj, në Hysodosaj; Haxhi Aliu Hysaj; Riza Kamber Dostaj e Jashar Pehlivan Hysaj, në Bozanaj; Resul Nelo Nelaj e Shahin Mane Zenelaj, në Ahmetaj ; Muharrem Smail Malaj, Liço Kapo Malaj e Shefit Qazim Muharremaj ; Refat e Karafil Mahmut Bilaj, në Hasanimeraj; Gani Dasho Caushaj e Zenel Novruz Zenelaj, në Hasanbegaj; Hamza Shesho Mehmetaj, në Ruç; Beqir Tahir Llakaj e Mahmut Rushit Llakaj, në Leshnje, etj. Bashkëfshatarët tanë Kalo Guçe Dulaj e Fejzo Saliko Xhaferaj ngrinin kasolle, me hak kurse xha Resuli, në Ahmetaj, i kompletonte kasollet, në muajin gusht dhe në pranverë u hiqte kashtën dhe shkarpat për të ndezur zjarrin.
Kasollet, në Kalivaç të Tepelenës, për nga materialet e përdorur e për nga përmasat, janë të ndryshme.Përcaktues për këtë ka qenë përherë destinacioni i tyre.Kështu, kasollet shtëpi ngriheshin më të larta, ato për bagëti e kishin lartësinë më të vogël; kasollet e dhive, duke patur parasysh shkathtësinë dhe agresivitetin e tyre, ndërtoheshin me mure guri e siguroheshin fort. Delet, ndryshe nga dhitë, janë më të urta e nuk duan shumë komoditete e pajisje. Ato mblidhen kokë më kokë, e të qeta, ripërtypin ushqimin që kanë marrë në kullotë.Kur shkëputet njëra nga delet prej tufës, të tjerat e ndjekin nga pas, edhe sikur të hidhen nga gremina ose të bien në lumë.Në një stan, ku vegjetojnë bagëti të ndryshme (dhen apo dhi), kasollja e bariut është më vete dhe ka më shumë “komoditet”, krahasuar me kasollet ku strehoen bagëtitë dhe ajo e qenit të stanit. Përgjithësisht kasollet, në Kalivaç të Tepelenës, si në tërë trevën janë shfrytëzuar si “ekonomi ndihmëse “ e familjeve bujqësore. Në mjaft rasate , kasollet kanë shërbyer edhe për gatim e destinacione të tjerë.
Ata që ndërtonin kasolle, pavarësisht nga destinacioni i tyre, kanë patur preferencë për të ngritur kasolle në formë drejtkëndëshi. Ato janë dhe më të lehta e duan më pak specializim. Ndryshe qendron puna me kasollet rrumbullake,perimetri i të cilave vjen duke u zvogëluar, duke iu afruar kulmit të tyre. Ato ngjajnë me një kon dhe ndërtimi i tyre kërkon specializim. Por, këto lloj kanuk janë tipike për kalivaçasit; ato, në Kalivaç i kanë ngritur, kryesisht të ardhurit, me origjinë vëllehë.
Në përfundim mund të themi se ndërtimet në Kalivaç të Tepelenës, në kohë të ndryshme kanë njohur zhvillim e janë ndërtuar me shije artistike. Shtëpitë karakteristike, me zbukurime nga jashtë e nga brenda, me kollona të skalitura në hyrje, me sofate, në të dy krahët, me avlli, disa herrë të larta, (deri në 3 e më tepër metra), me porta e me harqe guri, gjithashtu me gurë të gdhendur, me vatra, buhari, oxhaqe, me shkallë të gurta, nga jashtë banesës, që shërbenin për tu ngjitur në katin e dytë etj, kanë përthithur , fantazinë, mendjet e ndritura dhe duart e arta të ndërtuesve kalivaças, të cilat nuk u lëshojnë pe , fqinjëve të afërt e të largët.
Mjaft shtëpi banimi janë ndërtuar me dykate. Në katin e parë, i cili quhet katua, zakonisht strehoheshin kafshët e punës e të prodhimit; në katin sipërm qëndronin njerëzit .Katoi ndahej me odën me një dysheme prej druri, me dërrasa të puthitura mirë njëra me tjetrën, e cila quhej dysheme dhe montohej mbi trarë të fortë druri. Nuk ishin te paktë rastet kur kati i parë përdorej si kuzhinë dhe në të banonin familjarët.Në këto “kuzhina”, në stinën e ngrohtë ishte krahasimisht, më freskët dhe në dimër, ajri ishte më i ngrohtë, krahasuar me odën, sipër saj. Në mëhallën e Ahmetajve p.sh. shtëpi të cilave u shfrytëzoheshin për banim , të dy katet , ishin: Oda e Ahmet Selfo Zenelaj; oda e Xhemal Haxhi Nelaj; Shtëpia e Sheros, etj.
Tavanët, ndonëse kanë qenë të paktë, kjo justifikohej me pamundësinë ekonomike të familjeve për të përballuar shpenzimet. Shtëpi banimi ( oda), me tavan , kishte Sherif Rrapua, Zoto Halili, Beshir Haxhiu, Zagoll Salikua; Rrapo e Veiz Danua, Shefit Qazimi, Malo Bajrami; Ali Yzeiri etj. etj. Tavanët ndërtroheshin prej druri, të gdhendur me një lloj dalte të cilën e quajnë bidërme, të stolisur me zbukurime të ndryshme, ku nuk mungonte simbolika kombëtare.Për punime artistike na dëftojnë mokrat dhe gurët e mullirit, të cilët gdhendeshin e u jepej formë, me dorë, ose gurët qe vendoseshin tek koka e varrit, me zbukurime sipas fantazisë të familjarëve, gurët e mishit ku rrotullohej berri për tu pjekur etj. Nuk mbeten jashtë këtij klasifikimi punimet artistike për ngritjen e furrave familjare për pjekjen e bukës (ponicat); cfretet që pengonin gërryerjen e arave nga përrenjtë, ledhet, gjerdhet, vetulloret e pemëve, bërja e lesave, vareve për të thyer plisat në arë; ndërtimi i lëmenjve për shirjen e të lashtave dhe, si pikë kulmore, mund të thuhet se kanë qenë kaminat. Për ndërtimin dhe funksionimin e një kamine që prodhon gëlqere (CaCo3) aplikohen njohuritë matematike, të fizikës e të kimisë, të marra së bashku.Ndonëse të pa shkolluar e pa njohuritë e nevojshme tekniko-shkencore, kalivaçasit, të udhëhequr nga burri i zgjuar Hamit Caush Muharremaj, me shkathtësi e intuitë natyrale, u jepte udhë proçeseve të prodhimit, duke bërë kamina që na mrekullojnë edhe sot, me bukurinë dhe saktësinë e aplikimit dhe me teknologjinë e përdorur.
Në Tiranë , më 20 prill 2o12 , ora 20 15. Punoi Niazi Nelaj
Shume bukur e ke shkruar i dashur Njaziu yne!
Me nje talent prej njohesi te mirfillt te ndertimeve dhe te kultures se Kalivaçit tone te dashur!
Falnderim dhe mirenjohje!
Nuriu i Mehmetajve.