Dasma, në Kalivaç të Tepelenës e më gjerë sjell shumë gëzim e hare. Gëzimi është, në radhë të parë, në anën e dhëndrit e të nuses, të cilët në fshatin tonë, historikisht janë etiketuar si “sebepçinj”. Por, në një dasmë, mjaft të tjerë nuk mbeten jashtë lojës. Pas çiftit që lidh jetën, me martesë, gëzojnë njerëzit e shtëpisë, në veçanti: nëna dhe babai i vajzës e i djalit. Gëzim ndiejnë motra e vëllai, familjarët e tjerë dhe të afërmit, fisi, miqtë e shtëpisë dhe komuniteti. I zoti i shtëpisë është i shtrënguar të shpenzojë shumë para, mall e gjë për të përballuar dasmën e djalit apo të vajzës.
Përveç pajës, e cila është e domosdoshme nga të dyja palët, dasma kërkon mjaft shpenzime, për të siguruar rakinë, e cila, në këtë rast derdhet si lumë; për të përgatitur mishin e pjekur tradicional, i cili nuk mund të jetë tjetër veç i pjekur në hell, kërkohen brumërat e gatime të tjera tradicionale, shumë dru zjarri, ujë dhe enë të përshtatshme për ta mbajtur atë. Dasma kërkon dhe mjaft shtresa e mbulesa për të ardhurit, të cilat, jo gjithmonë i disponon shtëpia që bën dasmë, si dhe duhen enë për të gatuar e njerëz për shërbime të ndryshme. Të gjitha këto e obligojnë të zotin e shtëpisë të përveshë llërët e të zgjidhë qesenë.
Veç këtyre, i zoti i dasmës duhet të jetë shumë i kujdesshëm, i kthjellët, vizionar e i balancuar kur cakton njerëzit që do të bëjnë pjesë në ekipin e krushqve, të atyre që do të sjellin nusen në shtëpi. Kërkesa për t’i zgjedhur me kujdes krushqit buron nga fakti se ata janë përfaqësuesit e krahut të dhëndrit, janë, si të thuash, ambasadorë të krushqisë. Roli i tyre është i ndjeshëm e delikat. Pikërisht krushqve u besohet të sjellin në shtëpinë e dhëndrit nusen e shumëpritur. Qëllimi i dasmës ky është: të vijë nusja në shtëpinë e re. Me ardhjen e nuses, dasma konsiderohet e plotësuar dhe gëzimi e hareja e njerëzve ishin të finalizuara.
Hyrja e nuses në shtëpinë e dhëndrit shënon pikën kulmore të dasmës. Këtë e realizojnë vetëm krushqit. Statusin krushk, në fakt, e dëshirojnë të gjithë dasmorët, si burrat dhe gratë; të rritur e të mitur, por jo të gjithë e kanë atë fat. Vërtet numri i krushqve është një numër variabël, por, gjithsesi ai nuk është pa limit. Është detyrë e të zotit të shtëpisë t’i zgjedhë krushqit me kujdes e me përgjegjësi, në mënyrë që përzgjedhja të jetë e motivuar dhe e argumentuar, e të mos ketë hatërmbetje.
Megjithatë, po t’i referohemi praktikës shumëvjeçare të fshatit tonë, qejfmbetjet, herë pas here kanë qenë të pranishme e janë bërë shkak për grindje e mërira të kota. Krushqit njoftohen nga i zoti i dasmës disa ditë më parë. Njoftimi paraprak lidhet me përgatitjen e tyre për këtë “aksion”, me rëndësi jetike. Në kompleksin e përgatitjeve të dërgatës së krushqve bënin pjesë sigurimi i veshjeve vetjake, pastrimi dhe paraqitja sa më prezentabël e grave dhe burrave, të cilët duhet të ishin të qethur, të rruar, me petkat më të mira e me aksesorë dinjitozë. Ata që pinin duhan, siguronin kutinë e duhanit, letrën e cigareve, duhanin cilësor e mjaft aksesorë të tjerë.
Nëse krushku do të shkonte i hipur në kalë dhe me vete duhet të kish një armë, me të cilën do të qëllonte, në ajër, për të bërë bujë e zhurmë, në pajtim me traditën, lipset të përgatiste kafshën, të siguronte samarin, ca më mirë shalën dhe të siguronte fishekë, për të bërë përshëndetjen, me armë. Ndonjëri nga krushqit, i cili ishte qejfli alkooli, merrte me vete, në xhep, një botile apo një faqore, me raki të zgjedhur.
Në ekipin e krushqve domosdoshmërisht duhet të bëjë pjesë njëri nga familjarët më me autoritet të dhëndrit: mundësisht vëllai i madh, motra e madhe, dajua, hallua, tezja, kunata (kunati), miq e të afërm e domosdo mblesi (lajmësi), kur lidhja realizohej me ndërmjetësi. Lajmësi, i njohur si njeri bamirës i të dy krahëve të krushqisë, si rregull qëndronte në krye të dërgatës dhe luante rolin e udhërrëfyesit. Krushq mund të caktoheshin si meshkujt dhe femrat. Në këtë përzgjedhje peshorja anonte nga meshkujt; për arsye se shoqëria jonë, siç dihet, ka qenë dhe është mashkullore.
Nisur nga disa kërkesa specifike, të cilat janë të lidhura me veçoritë e natyrës mashkullore, siç janë: përdorimi i alkoolit, aftësia për të qëlluar me armë, kalërimi etj., në karvanin e krushqve, dominonte seksi mashkull. Në kohët e reja edhe raportet kanë ndryshuar, në të mirë të seksit delikat. Nëse vite më parë nuk shihej me sy të mirë vajtja e dhëndrit, së bashku me krushqit, në shtëpinë e nuses, tani ky veprim është i mirëpritur, madje i kërkuar. Kur shtëpia e nuses është afër, si distancë, krushqit dhe krushkat shkojnë atje, në këmbë. Kur shtëpitë e protagonistëve janë në distancë, krushqit detyrimisht, udhëtojnë për në shtëpinë e nuses, hipur mbi kuaj. Gratë, në këto kushte, vetvetiu ishin të përjashtuara, për shkakun e thjeshtë se ato e kishin të vështirë të kalëronin dhe tradita nuk ishte në favor të tyre.
Në vitet e fundit, kur rrjeti rrugor është përmirësuar ndjeshëm, ka marrë përparësi marrja e nuses me makinë. I zoti i dasmës, disa ditë para evenimentit prenoton një makinë ose disa të tilla dhe krushkat e krushqit udhëtojnë mbi mjete motorike, disa nga të cilat – luksoze. Dikur nusja sillej tek dhëndri hipur mbi kalë, sot është ndryshe; ajo vjen me makinë luksoze e veshur me të bardha dhe e shoqëruar nga dhëndri. Në kohët kur nusja merrej me kalë, zgjedhja e kalit ishte një punë me përgjegjësi. Jo çdo kalë mund të shërbente për të marrë nusen.
Kali i nuses lipset të ishte i bukur, i shëndoshë, elegant, i urtë e “pa xanxë”, të ecte shtruar e të ishte i mësuar të mbante shalë mbi shpinë. Ky lloj kali stërvitej posaçërisht nga i zoti dhe trajtohej me përparësi prej tij. Cilësitë e rreshtuara më sipër bënin të mundur që nusja, e cila, në jetën e saj mund të mos kishte kalëruar kurrë, të mund të udhëtonte e qetë dhe e sigurt, mbi kalin që i kishin dërguar, nga shtëpia e dhëndrit. I zoti i dasmës, për kalin e destinuar të transportonte nusen, i detyrohej, të zotit të kalit, një shpërblim, në të holla apo në natyrë. Sasia dhe lloji i pagesës vendoseshin mes dy palëve kontratore.
Krushqit ndaheshin në dy grupe. Në grupin e parë bënin pjesë sinixhinjtë. Këta ishin pararoja e krushqve. Detyra kryesore e tyre ishte të çonin në shtëpinë e nuses veshjet e nusërisë. Është fjala për ato veshje të cilat ishte i detyruar dhëndri t’ia çonte nuses 1-2 ditë, para dasmës.
Mbi llojin dhe cilësinë e këtyre veshjeve ishin marrë vesh, para dasmës, familjet e të dy protagonistëve. Kohë më parë, lidhur me veshjet që i çonte dhëndri, nuses, në mjaft raste bëhej pazar; caktoheshin: sasia, lloji, përbërja deri dhe masat e qepjes së tyre. Sinixhinjtë i caktonte i zoti i dasmës dhe ata ishin ajka e krushqve.
Si rregull sinixhinj caktoheshin dy burra të zgjedhur e të kompletuar, me të gjitha kualitetet e kohës. Ata, 1-2 ditë para ditës kur do të merrej nusja, me një valixhe të zbukuruar, brenda së cilës ishin vendosur, me rregull e bukur, petkat me të cilat do të bëhej nuse vajza (nuse e ardhshme), shkonin në shtëpinë e krushkut të ri. Kërkesa kryesore në përzgjedhjen e sinixhinjve ishin pamja e jashtme e tyre dhe aftësitë për të përfaqësuar me dinjitet krahun e dhëndrit. Një sinixhi, për të qenë i tillë, duhet të ishte i pashëm. E thënë ndryshe, një burrë, që të merrte statusin e sinixhiut, lipsej të ishte i gjatë, i pashëm, i shëndetshëm, i veshur mirë dhe i shkathët.
Po të mos pinte alkool, “me opingë” e të mos dehej, një burrë nuk mund të caktohej në rolin e sinixhiut. Themi burrë, mbasi, sinixhinj caktoheshin vetëm burrat. Kërkesë tjetër që duhet të plotësonte një sinixhi ishte: të qëndronte lirshëm në kalë, të mbante në krah armë të gjatë e të ishte në gjendje të bënte qitje me të, i hipur mbi kafshë etj. Por kërkesa kryesore ishte pretendimi për intelektin e tij. Një sinixhi çmohej nga zgjuarsia, mprehtësia e gjykimit, mençuria, aftësia e tij për të polemizuar me bashkëbiseduesit e anës së nuses, si dhe për të bërë replikë me ta.
Sinixhinjtë lipsej të dinin të ecnin drejt e me këmbë të mbledhura (drejt), të uleshin këmbëkryq, mbi shilte e të silleshin e të vepronin si vendasit. Ata duhet të dinin të uleshin e të qëndronin këmbëkryq mbi shilte, për disa orë radhazi, pa u lodhur nga gjunjët, të njihnin psikologjinë dhe mentalitetin e trevës, të dinin si të uronin, sipas rregullit që kërkon tradita, në çdo etapë të dasmës, të kishin zë të bukur e të dinin të këndonin bukur labçe, në të gjitha pozicionet; si marrës, kthyes e hedhës të këngës labe, të dinin të dëftonin me gojëtari të ëmbël ndodhi e copëza jete interesante, të njihnin figurat e shquara të trevës etj. Një njeri që fliste belbër apo që i merrej goja, një njeri, me dëgjim të “vrarë”, si rregull nuk caktohej për të shkuar sinixhi. Veshja e sinixhiut duhet të ishte serioze dhe tradicionale. Preferohej ngjyra e rrobave të ishte e zezë dhe me qylah ose me kapele, me strehë. Burri, që të caktohej sinixhi, veç të dhënave që përshkruam më lart, duhet dhe të dinte të sillej, në çdo situatë.
Sjellja e tij ishte në sytë e gjithë dasmorëve të anës së nuses; si i tillë, ai duhet ta justifikonte vlerësimin që i ishte bërë, duke e caktuar në këtë rol. Teshat që vishte ai duhet të ishin të reja e të pastra. Në uniformën e një sinixhiu bënin pjesë qylahu i bardhë, prej shajaku, me majë; xhaketa e zezë, prej shajaku, me kopsa përpara, këmisha e bardhë, e larë, fanela e leshit, e thurur bukur, me lule; pantallona të zeza, prej shajaku me prerje qillota, çorape leshi të zeza dhe opinga meshini ose këpucë. Një burrë i veshur kështu e i shëndetshëm, çmohej si “bakull burrë” e ishte i preferuar nga të gjithë.
Këto kritere nuk ishin të fiksuara e të shkruara në asnjë kod e kanun, por ishin të njohura e të mirëpranuara nga të gjithë banorët e trevës. Nga burrat e Kalivaçit, më së shumti sinixhinj caktoheshin: Brahim Rushan Muharremaj, Muharrem Kamber Dëraj, Muharrem Hasan Nelaj, Sulo Beqir Sulaj, Sulo Bajram Hysaj, Rrapo Dano Takaj, Kalo Qazo Ramaj, Nasip Hysen Alidervishaj, Daut Mahmut Pashaj, Musa Mehmet Nelaj, Ahmet Selfo Zenelaj, Zagoll Saliko Xhaferraj, Abedin Kahreman Hadëraj, Laze Xhezo Hadëraj, Qamil Sulo Malaj, Malo Bajram Hysaj, Çizo Selfo Agaj, Refat Mahmut Bilaj, Hamza Shesho Mehmetaj, Dule Alush Dulaj, Muharrem Qerim Mehmetaj, Beqir Tahir Llakaj, Ali Xhelil Mahmutaj, etj.
Sinixhinjtë, në shtëpinë e nuses, në jo pak raste, janë ndodhur në situata të vështira. Për të dalë nga situata të tilla, lipsej të kishin cilësi të rralla, si ato që u sipërdëftuan dhe të ishin të qetë. Në situatë delikate u ndodhën sinixhinjtë: Brahim Rushan Muharremaj dhe Muharrem Hasan Nelaj, në vitet 3o të shekullit të kaluar, kur ata çuan në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës rrobat e nusërisë për të marrë nuse Zonjën, të bijën e Bilos e të Qerimesë, në fisin Qyraj. Gratë e fisit, të mbledhura për të parë rrobat e nuses, mbasi i hapën e i panë ato, nuk i pëlqyen. Njëra syresh, më e gojës, me shpoti ia mori një kënge, brenda së cilës kishte shumë ironi. Kënga e saj thoshte: O Nelo, more Nelo!
O Nelo, more Nelo!
Qysh e patmë fjalën-o?
Ta prisje mantonë: coh;
E preve samariko;
Ik e shpjerja Shazës-o!
Ta mbajë për dimër-o!
Kur niseshin krushqit nga shtëpia e dhëndrit, një grup grash dasmore i përcillte me këngë nëpërmjet së cilës u uronin udhë të mbarë. Këngët janë të shumta e të goditura. Në të shumtat këngë, mesazhet i drejtoheshin kryekrushkut apo krushkut të parë, atij që i printe karvanit të dërgatës. Njëra nga këngët thosh:
Kush është i Pari ndër ta?
“Kush është i pari ndër ta?
I pari Baba Aga;
Qafa e sharkut, me këna;
Bishti i kalit, me sërma...!”
Babai i nuses dhe të tijtë i prisnin krushqit në një vend të sheshtë; në avlli, në lëmë e në ndonjë mjedis tjetër të përshtatshëm, kur ishte kohë e thatë dhe e ngrohtë, kurse në dimër, pritja e tyre bëhet në një mjedis të bollshëm, të brendshëm. Sipas rastit, krushqit uleshin, kur kish mundësi, ose qëndronin, në këmbë dhe mikpritësit bënin qerasjen e tyre; me një gotë raki dhe me llokume apo me karamele. Krushqit, me të marrë qerasjen, me radhë uronin: “Të na trashëgohen e ta kemi të pandarë!” I zoti i shtëpisë përgjigjej, sipas të njëjtës formule mirësie.
Kur gratë dasmore e kishin bërë gati vajzën-nuse, ato, të kapura dorë pas dore, me nusen në ballë, e çonin atë pranë kalit të nusërisë. Atje e prisnin njerëzit e burrit të ardhshëm dhe njerëzit e saj. Si rregull, nusen e çonte tek kali, babai i saj, i shoqëruar nga vëllezërit, motrat e të afërm të saj. Para se ta hipnin mbi kalë, babai e puthte të bijën, në ballë e i jepte porosi, që të sillej denjësisht në shtëpinë e burrit.
Nusen e hipnin në kalë njerëzit e saj; dy djem të rinj, mundësisht vëllezërit e saj, të fuqishëm, të cilët e merrnin në krah motrën e tyre dhe e hipnin mbi kalë, duke e pozicionuar siç duhej dhe i rregullonin yzengjitë. Një djalë i ri, i moshës 6-8 vjeç, i shëndetshëm e i mbarë, tërhiqte frerin e kalit. Me qëllim që vajza e tyre ta mbushte shtëpinë ku shkonte, plot me djem, përpara se të nisej, në krye të krushqve, vajzës i vihej përpara një djalë i mbarë. Gratë dasmore e përcillnin bijën e tyre me këngë e cila i uronte asaj mbarësi. Kënga kish tekstin: “Udhë e mbarë, moj bijë!”
“Udhë e mbarë, moj bijë!
Të na dalç e mirë!
Udhë e mbarë, moj keçe!
Mos bëneç e keqe...!”
“Të keqen Shazivar Ylli;”
“Të keqen Shazivar Ylli;
Të ruajtë Zoti nga syri...!”
“As ia thua dhe një herë!”
“As ia thua dhe një herë!
Të rëkofsha për Zyberë...!”
Ka raste kur për kryekrushk caktohet një njeri, i cili mund të mos jetë i thirrur në dasmë ose nuk ka të bëjë fare me të zotin e dasmës. Në fshatin tonë, kjo ka ngjarë. Muharrem Kamber Deraj, nga mëhalla e Ahmetajve, ishte i “prerë”, për statusin e kryekrushkut. Ai i kish të gjitha kualitetet e nevojshme, për të udhëhequr një dërgatë nusesjellëse. Ishte apo nuk ishte i ftuar në dasmë, xha Muharremin e thërrisnin e ai i dilte zot detyrës. Hipur mbi një pelë të kuqe, të shkathët, e cila nuk lejonte kafshë të dilte përpara saj, xhako Rremja, veç kur dilte në krye të krushqve.
Është i mirënjohur fakti që krushqit, në rrugën e kthimit, mbasi kishin marrë nusen, për shkak të paragjykimeve të kota, nuk kalonin andej nga shkuan në shtëpinë e krushkut të ri, por zgjidhnin një udhë alternative. Bestytnia lidhej me paragjykimin e pabazuar se, po të kalonin nga e njëjta rrugë, mund të shkelte, mbi “magji”, kali që mbante mbi shpinë nusen, dhe, atëherë do të ndodhnin prapësira në “derën” ku shkonte nusja. Gjatë rrugës nga kalonin nusja dhe krushqit, një femër zemërmirë, në fshehtësi, i drejtonte nuses, një pasqyrë, me dëshirën e mirë që nusja ta kish jetën të bardhë, si pasqyra. Lajmësi, me prurjen e nuses tek dhëndri, e kish kryer detyrën dhe ai trajtohej, si në darkën e nuses dhe më vonë, si mik shtëpie.
Në familjen ku bëhej dasmë, krushqit priteshin si heronj. Mirënjohja ndaj tyre ishte pa kufi. Në darkën e nuses (darkën e diel), ata ishin të preferuarit e sofrës. Për ta ngriheshin dolli e piheshin mirësi. Dhëndri nuk dinte si t’ua shpërblente të mirën që i bënë, duke i sjellë nusen, në shtëpi.
Zonja vjehrrë fluturonte nga gëzimi, se u bë me status tjetër dhe e “derdhte” kapitalin, atë darkë. Kohët vërtet kanë ndryshuar e njerëzit janë zhvilluar e dinë më shumë; kushtet dhe mundësitë ekonomike janë më të shumta, por gëzimi dhe kënaqësia që sjell një dasmë, sido që mund të jetë e thjeshtë e pa shumë bujë, mbeten të paharruara. Në këtë kuptim, njëri brez nuk mund të gjykojë “shtrembër”, brezin pararendës, duke e bërë atë përgjegjës për kufizimet e kohës.
Tiranë, më 7 dhjetor 2011
Punoi Niazi Nelaj
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.