Refeneja, si praktikë, është mjaft e lashtë. Ajo ka ardhur deri në ditët tona nën petkun e solidaritetit, unitetit dhe mirësisë së njerëzve. Në Kalivaç të Tepelenës e më gjerë, në ditët tona, kjo praktikë nuk funksionon. Ajo thuajse është e harruar e ka mbetur vetëm në kujtesën e njerëzve të moshuar që e kanë përjetuar atë. Në familjet e kalivaçasve, refeneja është përcjellë nga brezi në brez si shprehje dashamirësie, mirëkuptimi, solidariteti, afrimi, zemërgjerësie e bujarie njerëzore.
Refeneja, si dukuri, në fund të fundit, dëshmon natyrën humane dhe tolerancën e banorëve të këtij fshati. Njëherazi, nëpërmjet kësaj praktike fshatarët e Kalivaçit, në vite, kanë shfaqur unitetin mes tyre, gatishmërinë e përkushtimin për t’i qëndruar pranë njeriut të një gjaku, fqinjit, të afërmit apo cilitdo njeriu që ndodhej në fatkeqësi ose në nevojë e në ngushtësi ekonomike.
Në esencë, refeneja mbetet mbështetje morale dhe materiale, para së gjithash kundrejt atij që ndodhej në hall e në nevojë. Kalivaçasit, me shpirtin e tyre bujar dhe me mirësinë që i karakterizon, në të gjitha kohët, qysh kur nuk mbahet mend, duke iu ndodhur pranë shoqi-shoqit, janë munduar t’i lehtësojnë dhimbjen tjetrit, në raste fatkeqësie, ose kanë marrë mbi vete një pjesë të barrës ekonomike kundrejt atyre që ishin në nevojë. Nuk marr përsipër të dëftoj: kur, si e përse ka lindur kjo praktikë bujarie? Por e them plot gojën se refeneja ka zënë vend në shpirtin e atyre njerëzve si vendosmëri e dëshirë e pamatë për të jetuar me të tjerët, në komunitet, paqësisht.
Por duhet theksuar se mirësia e shpirtit të kalivaçasve është një përrua i vrullshëm i cili gëlon përbrenda qenies së tyre humane; është pjesë e botës së tyre të pasur shpirtërore e kurrsesi nuk është e nuk mund të jetë diçka e nxitur apo e përkrahur nga jashtë. Çështja e shpirtmirësisë dhe bujarisë së atyre njerëzve me botë të madhe është një ndjesi e cila përshkon tërë sjelljen e tyre, kudo ku ata ndodhen. Njëherazi duhet thënë se refeneja nuk ka qenë dukuri e përqendruar apo e lokalizuar vetëm në Kalivaç e mes kalivaçasve. Në trevën rreth fshatit tonë ajo shfaqej natyrshëm e vepronte fort.
Refeneja, si dukuri pozitive, ka qenë dy llojesh: e para shfaqej zakonisht në ditët pas një fatkeqësie, kur në një familje kishte pllakosur zia. Në pamje të parë na paraqitej një situatë në të cilën dikush vuante dhimbjen që i solli ndarja nga jeta e njeriut të dashur e në tjetrën anë, disa njerëz, në raporte të ndryshme fisnie apo miqësie me fatkeqin, mblidhen e shprehin kundrejt të parit, ashtu siç munden, keqardhje e solidaritet. Kurrsesi nuk është një dukuri sentimentale, dashamirësie. Nëpërmjet qëndrimeve e veprimeve tejet njerëzore, kalivaçasit dëshmojnë lidhje të qëndrueshme e të vazhdueshme mes njëri-tjetrit. Pjesëmarrja në refene nuk ka të bëjë fare me të qenit i një gjaku apo i afërm i viktimës.
Refeneja është kontribut tërësisht vullnetar, i padiktuar apo i paimponuar nga askush, që buron nga qenia e tij humane. Me kalimin e viteve, si rezultat i praktikimit e respektimit me vullnet të lirë nga komuniteti i trevës, refeneja u përqafua përherë e më shumë nga njerëzit e mori forcën e traditës duke u kthyer në një rit të shëndoshë qytetar. Ndonjëri që mbetej jashtë saj, për shkaqe të ndryshme, me siguri që nuk ndihej mirë përballë komunitetit që e rrethonte. Refeneja, si praktikë njerëzore, nuk është e shkruar asgjëkundi dhe nuk është e fiksuar në ndonjë ligj. Ajo nuk rregullohet me kontratë të shkruar e të firmosur nga të dyja palët, por transmetohet gojarisht e praktikohet vullnetarisht nga çdo njeri.
Kësisoj refeneja është dukuri e dëshiruar; jo e imponuar. Në këto „vjega“ janë të varur e mbahen origjinaliteti dhe vlera e kësaj dukurie. Pavarësisht se në ditët tona refeneja është harruar si praktikë dhe të rinjtë nuk e njohin atë, aplikimi i saj për shumë kohë e ka lënë ndikimin pozitiv duke zbutur e kthjelluar shpirtrat e trazuar.
Në këtë drejtim na bind fakti që kalivaçasit, me bindje të plotë, i gjenden pranë fatkeqit ose atij që ndodhet në kushtet e nevojës ekstreme.
Le të tregojmë pak çfarë është kjo dukuri. Si e kur shfaqet ajo?
Duhet thënë se praktika e refenesë është një dukuri e cila është praktikuar pas largimit nga jeta të një njeriu dhe e lidhur ngushtë me të. Dihet nga të gjithë se vdekja është një dukuri natyrale e pashmangshme. Është i njohur dhe fakti çfarë traume sjell në jetën e familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit largimi nga jeta e njeriut të dashur të tyre. Mirëpo ata që janë rreth atyre që janë të prekur e të traumatizuar — familjarë, të afërm ose dhe të tjerë, më të largët në shkallë farefisnie të të ndjerit — me sjelljen dashamirëse dhe veprimet e tyre duhet të mundohen për të plotësuar disi atë boshllëk që la pas ndarja nga jeta e njeriut të dashur të zemrave të tyre.
Një veprim i tillë është jo vetëm nderim e respekt për të ndjerin, por dhe një vlerësim e vëmendje për familjarët dhe të afërmit e tij. Në Kalivaç të Tepelenës, ceremonitë mortore e pasmortore gjithnjë kanë qenë praktika pagane. Ndikimet e riteve fetare muslimane përgjithësisht kanë qenë të pandjeshme e janë dukur relativisht më pas. Dihet që vdekja i veçon njerëzit nga njëri-tjetri, por ata që mbeten pas mbështeten më fort pas njëri-tjetrit. E thënë tjetërsoj, të gjallët, pavarësisht nga raportet që kanë pasur me të ndjerin, u qëndrojnë më afër familjarëve dhe të afërmve të atij që nuk është më në jetë, duke i ngushëlluar e inkurajuar, duke u thënë një fjalë të mirë e duke i ndjerë shpirtërisht.
Në raste të tilla, tek banorët e Kalivaçit është shfaqur dhe një qëndrim tjetër, solidariteti dhe përkrahjeje humane. Është fjala për një kontribut modest që i japin ata njëri-tjetrit, nëpërmjet ndihmës ekonomike. Ndihma ekonomike, megjithëse simbolike dhe afatshkurtër, ua bën më të lehtë dhimbjen e ua lehtëson situatën atyre që kanë humbur të dashurin e tyre. Refeneja është një nga praktikat më të përhapura e më të spikatura që dëshmon solidaritetin veprues të kalivaçasve, këtë vlerë unikale dhe shumëlaterale.
Nuk di e nuk mund të them kur e pse në fshatin tonë, derisa të kalonin 4o ditë nga varrimi i të ndjerit apo të ndjerës, në shtëpinë ku kishte ngjarë vakia, në çdo darkë mblidheshin mjaft njerëz: të afërm, gjitonë, miq, shokë e dashamirë të shumtë. Në këtë tubim njerëzish dashamirë të familjes që ka pasur një fatkeqësi merrnin pjesë si ata që u ndodhën në përcjelljen e të ndjerit dhe të tjerë të cilët, për shkaqe të ndryshme, nuk ishin ndodhur në këtë ceremoni. Nëpërmjet refenesë, këtyre njerëzve u jepej mundësia të qëndronin në familjen e të ndjerit çdo natë e të ndodheshin pranë të „helmuarve“, për disa orë mes njerëzve të mirë.
Zakonisht pjesëmarrësit në refene mblidheshin në shtëpinë e të ndjerit, në mbrëmje, kur ata i kishin kryer punët e ditës dhe kur i kishin mbyllur e siguruar bagëtitë. Mblidheshin burra e gra të të gjitha moshave. Kur ndonjëri prej kryefamiljarëve e kishte të pamundur të shkonte, por e ndiente si detyrë se duhej të merrte pjesë, delegonte njërin nga fëmijët e tij, zakonisht djalin më të madh në moshë, që ta përfaqësonte. Të sapoardhurit zinin vend, në vatër, të ulur këmbëkryq, sipas moshës, lidhjes miqësore me të zotin e shtëpisë, pozitës shoqërore etj. Kur futeshin tek dera e odës ku ndodhej i zoti i shtëpisë, çdo ardhës, me radhë, i shprehte kryefamiljarit ngushëllime me fjalët: „Qyç e liga, për të mira e në gëzime të ardhshim sot e tutje“. I zoti i shtëpisë përgjigjej: „Për të mira e në gëzime ju ardhsha në shtëpitë tuaja“. Pas këtyre shkëmbimeve njerëzore rridhte natyrshëm biseda në odë.
Tematika e bisedave ishte e larmishme dhe jo domosdoshmërisht e lidhur me fatkeqësinë që ka ndodhur. Kjo shmangje nuk ishte e pamenduar, as e rastësishme. Ata që ishin mbledhur në odë kanë ardhur jo për t’i kujtuar të zotit të shtëpisë gjëmën që e ka pllakosur, por për ta tërhequr, sa të jetë e mundur, në shtigje të tjera, drejt së ardhmes, për ta spostuar atë virtualisht nga zymtësia dhe brenga që shkakton vdekja, drejt jetës e veprimtarisë jetësore. Bisedat që bëheshin në ato netë vërtet ishin të lira e të pavarura, origjinale, ashtu siç i mendonte gjërat njëri apo tjetri, por ato nuk i liheshin spontaneitetit. Në çdo takim të tillë merrnin pjesë njerëz me një barrë mend, të cilët i jepnin tonin bisedës; ata ndërhynin kur diçka nuk ishte thënë siç ishte e pranueshme për komunitetin.
Një rregull i pashkruar, por i njohur e i pranuar nga të gjithë, ishte i detyrueshëm e çmohej si kod moral. Sipas këtij kodi të pashkruar, kur fliste njëri, të tjerët dëgjonin me vëmendje; kur fliste më i madhi në moshë apo ai që ishte i ulur më lart në vatrën e odës, më të rinjtë e ata që ndodheshin më poshtë, gjithashtu dëgjonin. Dëgjonin e mësonin nga përvoja e më të diturve. Dua të shpjegoj disi kuptimin e togfjalëshit: „Qyç e liga“, i cili sot është zbehur e nuk gjen përdorim praktik. Si shprehje ngushëlluese mund të theksoj se ky togfjalësh mund të jetë autentik, i trevës sonë dhe unik, në përmbajtjen e tij.
Sipas tij, gjëma që ndodhi të jetë e fundit e të mos përsëritet më, në atë prag; se vdekja është e natyrshme, por jo një fatalitet. Jeta është e pandalshme dhe e larmishme, me të njohurat e me të papriturat e saj.
Fjalët: „Qyç e liga“, më shumë se një ngushëllim, shprehin një urim, një dëshirë të mirë të atij që e artikulon. Sipas tij, tash e mbrapa, në këtë familje të mos ndodhte asgjë e ngjashme, e keqe, e ligë dhe e padëshiruar. Fjalët „Qyç e liga“ duan të thonë: e keqja u burgostë, u qyçtë e mos daltë kurrë, nga ngujimi dhe kjo familje e më gjerë të mos kenë kurrë fatkeqësi, por mirësi e begati. Ky togfjalësh ishte i pranuar e i dëshiruar nga të gjithë, ndaj askush prej të ardhurve nuk mërzitej edhe pse mund ta dëgjonte atë disa herë brenda një darke. Të ardhurit, për t’i dhënë kurajë „të helmuarit“, që në rastin konkret është i zoti i shtëpisë, në forma të ndryshme, secili sipas aftësive dhe mënyrës së vet të të treguarit, mbasi uleshin e ngushëllonin të zotin e shtëpisë, përsëritnin sloganin: „Ia dha drurit; e çau; ia dha gurit, u shkërmoq; ia dha njeriut, ai e duroi“.
Ky slogan, i cili përsëritej thuajse nga çdo njeri që ulej në odë, i kujtonte fatkeqit të mblidhte trutë e kokës e të bënte durim, se është njeri e njeriu është i duruar. Njëherazi, me këto fjalë i thuhej atij se kjo që ndodhi në shtëpinë tënde ka ndodhur dhe gjetiu e ja tek jemi, e përballuam, ndaj dhe ti bëj kurajë e mos mendo vetëm të keqen që kaloi e mos ardhtë më. Biseda në odë rrok tema të ndryshme. Dikush evokon jetën e të ndjerit duke e vënë theksin tek bëmat e tij; një i dytë kujton njohjen apo punët që kanë bërë së bashku, një i tretë evokon vlerat morale të atij që është ndarë nga jeta etj. Një njeriu, i cili jetonte në një fshat apo trevë tjetër e nuk i dinte mirë veçoritë e jetës e të veprimtarive të kalivaçasve, kur dëgjonte bisedat që bëheshin në odë, disa nga të cilat nuk kishin lidhje me ndodhinë e përzishme, mund t’i lindte mendimi: „hane Shan; hane Bagdat“, d.m.th.: ç’hall ka rënë mbi kokën e të zotit të shtëpisë e çfarë bisedash pa lidhje bëjnë këta? Kështu është vetëm dukja, se në fakt është ndryshe. Ata fshatarë, të thjeshtë, me pak shkollë apo të pashkolluar fare, në jetën e tyre mund të mos e kishin dëgjuar fjalën psikologji, por, në praktikë, e aplikonin për bukuri. Fakti që mblidheshin në atë vatër shumë ditë me radhë kishte një domethënie të madhe. Të zotit të shtëpisë i kishte ndodhur një fatkeqësi e rëndë; atij i kishte ikur nga vatra një njeri i dashur, por kur e shikonte vatrën plot me njerëz të mirë e të dashur, ndihej ngrohtë, i ngushëlluar e i inkurajuar dhe hidhërimin që kishte në shpirt e kalonte më lehtë, siç thonë në Kalivaç, e hidhte me shokë e miq të shtëpisë, me njerëz të cilët i donte dhe e donin.
Banorët e Kalivaçit këtë të vërtetë e kanë fiksuar në shprehjen e artë: „Kur njeriu është në hall (lexo: kur i ka vdekur dikush), i mban sytë nga dera“. Kjo do të thotë se „i helmuari“ i kërkon njerëzit, i do ata që t’i shkojnë në shtëpi e pret prej tyre një fjalë të mirë. Prania dhe fjala e mençur e njerëzve të dashur bëjnë vend tek fatkeqi, e ngushëllojnë dhe e qetësojnë atë, bëjnë që ai ta hedhë vështrimin nga e ardhmja; pa e harruar atë që i ndodhi e njeriun që i iku. Njëherazi të pranishmit e sigurojnë të zotin e shtëpisë se ata do ta ndihmojnë atë dhe familjen e tij në punët e ndryshme të bujqësisë, për ruajtjen e bagëtive, kur është rasti, për të bërë pazarin e për të bluar miellin etj., duke marrë zotime konkrete.
Të ardhurit mund të jenë gjitonë, të afërm, miq e shokë të cilët i kanë shtëpitë në mëhallë, në fshat apo dhe në fshatra të largëta. Ata qëndronin në shtëpinë ku kishte ndodhur vakia, si rregull, deri në mesnatë. Kësisoj ata duhet të hanin darkë. Darka shërbehej 4o ditë radhazi. Por kjo gjë përbënte një barrë jo të lehtë për familjen fatkeqe.
Fshatarët e Kalivaçit edhe për këtë çështje kishin gjetur një zgjidhje origjinale. Çdo familje gjitone, në mëhallë apo në fshat, e cila kishte dëshirë e mundësi, përgatiste një a më tepër vakte, darka të cilat i bisedonte me të zotin e shtëpisë, për të përcaktuar radhën që duhej ndjekur. Bujari, ai që merrte përsipër të shërbente darkën, përgatiste aq racione sa ishte numri i të ardhurve, duke parashikuar dhe disa racione rezerve. Kjo ishte e domosdoshme për arsye se numri i të ardhurve ishte i ndryshëm e i ndryshueshëm. Darka përgatitej gjatë ditës e shërbehej në shtëpinë ku kishte ndodhur gjëma, kur të binin dakord ata që do të darkonin.
Ushqimet që shërbeheshin në refene ishin si ato të drekës mortore. Zakonisht shërbehej mish jani ose tasqebap, byrek, qofte, pilaf, makarona „rishte“ dhe ndonjë ëmbëlsirë, revani ose paluze. Mishi, sipas traditës së trevës, në këto raste serviret i zier, jo si në dasma, ku serviret i pjekur në hell.
Familja e bujarit (atij që kish përgatitur refenenë) i sillte harxhet, bukën dhe gjellët me enët e saj, në odën ku ishin grumbulluar njerëzit, kur ishte ngrysur dhe i merrte ato përsëri, pas shërbimit të darkës së refenesë. Darka zakonisht shërbehej e ngrohtë. Qasej për të ngrënë ai që kishte dëshirë. Ata që do të hanin darkë, uleshin në sofër, njëri pranë tjetrit, duke e futur njërën këmbë të përthyer, brenda sofrës dhe tjetrën e mbanin jashtë, të shtrirë. Në një sofër mund të uleshin rreth 12 njerëz, të rritur.
Para se të futnin në gojë kafshatën e parë, të pranishmit bënin urim të dyfishtë. Bujarit i thoshin: „Për të mirë e në gëzime ta shpërbleftë i zoti i shtëpisë“; të zotit të shtëpisë i uronin: „Për të mira e në gëzime të ardhshim“. Mbasi mbaronte darka, të ardhurit, mbasi uleshin në vendin e tyre të mëparshëm, shkëmbenin nga një cigare dhe çoheshin e dilnin nga oda duke përshëndetur të zotin e shtëpisë dhe të pranishmit me fjalët: „Për të mira e në gëzime u mbledhshim“. Ata që mbeteshin në odë përgjigjeshin me një zë: „Të lumtë goja!“ Për shpërndarjen e njerëzve e për prishjen e tubimit të refenesë nuk ka pasur ndonjë rregull të caktuar, por as spontaneitetit nuk i lihej kjo punë e shpërndarja nuk bëhej në kaos. Ndonjëri mund të ngrihej e të ikte para kohe, me lejen e të ardhurve.
Sipas një rregulli të pashkruar, më parë çoheshin e iknin ata që i kishin shtëpitë më larg, në rastet kur nuk do të flinin në shtëpinë pritëse. Pastaj çoheshin ata që ishin në raporte më të largëta me të zotin e shtëpisë.
Kur çohej e dilte nga oda njeriu që ishte i ulur në qoshen e djathtë, darka e refenesë konsiderohej e përfunduar. Kështu njerëzit e mbledhur në darkën e refenesë shpërndaheshin nëpër shtëpitë e tyre; bujari merrte me vete dhe enët e gatimit.
Refeneja ka qenë një veprimtari bamirëse mbresëlënëse, e cila ka lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve të fshatit tonë me tradita të shëndosha humane.
Kjo që përshkrova më lart nuk ishte e vetmja formë refeneje. Në disa raste, ndodhte që një fshatar, për shkaqe të ndryshme, ishte i detyruar të therte një viç, ka apo një lopë. Gjedhi kishte shumë kilogramë mish e atë nuk mund ta konsumonte, i vetëm, fshatari. Mjetet ftohëse, në atë kohë, nuk njiheshin dhe pastërmaja, si formë konservimi, nuk ishte në profesionin e cilitdo. Për t’i ardhur në ndihmë bashkëfshatarit, të afërmit, madje dhe njerëz që nuk kishin të bënin fare me atë që theri viçin, caktonin një njeri për të bërë copëtimin dhe peshimin e mishit të therur.
Çdo fshatar, me vullnet të lirë, kërkonte sasinë e kilogramëve dhe i paguante paratë të zotit të gjësë së gjallë. Kësisoj, kalivaçasit i gjendeshin pranë bashkëfshatarit të tyre, në ditën e hallit: kur ai kish therur kaun e parmendës ose lopën e hirrës. Në kohët e sotme, ky veprim mund të duket paradoksal, por në atë situatë, ka qenë shprehje tipike e solidaritetit mes njerëzve.
Tiranë, më 24 nëntor 2011, shkroi Niazi Nelaj
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.