Lodrat e fëmijërisë time

Bëhet fjalëpër lodrat dhe lodrimin e fëmijëve, në mesin e shekullit të shkuar (në vitet ‘50të). Ishin vitet e parë, të pasçlirimit të vendit. Jeta, në fshat kishte nisur të gjallonte; pak nga pak, pas asaj amullie e dëmi të madh që solli Lufta e Dytë Botërore.Varfëria ishte ulur këmbëkryq, në vatrat e fshatarëve të Kalivaçit të Tepelenës. Fëmijët e asaj kohe e ndjenin varfërinë; jo vetëm në sofrat me pak ushqime por dhe në lojërat e moshës që praktikonin. Prindërit tanë, të cilët nuk na ngopnin dot me bukë duhet të mendonin dhe për argëtimin tonë. Të varfër e të uritur ishim por, pa luajtur nuk qendronim. Ndiheshim bij të nënës natyrë, e cila ishte treguar bujare, me ne fëmijët e parritur akoma dhe na i plotsonte kërkesat që diktonte mosha jonë. Nuk thonë mëkot se natyra është ekuilibristi më i saktë. Vërtet ushqimet tona ishin “ me pikatore” e kjo gjendje nuk mund të ndryshohej menjëherë, por natyrën e kishim në anën tonë. Ajo na kishte falur bukuri të rralla e kushte klimaterike mjaft të favorshme, për t’u argëtuar duke lodruar.
Në ata vite, lodrat e fëmijëve ishin të thjeshta por të kushtueshme, e ne të vegjëlit , as prindërit tanë nuk mund ti përballonin çmimet e tyre. Kishim gjetur e shfrytëzonim “ palestrën “ e madhe natyrale: Bregoret e bukura dhe arat, livadhet, arishtat, labirinthet e monopateve, nëpër të cilët nuk mund të kalonin dy njerëz, në të njëjtën kohë. Vraponim pas qingjave e kecërrve, dhe si ata, shkonim pas kopeve të dhenve e të dhive. Bënim disa kilometra rrugë, në këmbë, edhe pse ishim zbatharakë e të veshur dosido. Sido që pa pajisje e aksesorë, si sot, mushkritë tona thithnin ajrin e pastër, të begatë me oksigjen dhe ne ndiheshim të lehtë e të fortë. Ne, fëmijët e mëhallëve të “pusit”, thuajse çdo ditë përcillnim nënat e motrat, të cilat, me kazanë llamarine, në kokë ose me varrjela prej druri, në kurriz, shkonin për të mbushur ujë, në Donije, tek Burimi i Madh; tek ai në Sheshin e Donijes, apo tek Burimi Zborak. Kjo ishte një lloj lëvizje e të cilën e bënim me qejf e na argëtonte mjaft. Në verë, kur shtrëngonte vapa e të përvëlonte guri, bashkë me të rriturit ( prindërit tanë), i çonim bagëtitë, nën hijen e rrepeve shekullorë, anës lumit, me qëllim që të shkonin vapën e madhe,dhe, kur freskohej, në shoqërinë e melodisë zhurmëmadhe të gjinkallave, i “ çkulnim “ ato e i shpinim për të pirë ujë, përsëri, në lumë, para se ti çonim në kullotë. Në disa raste, sidomos kur çobani i tyre ishte i pavemendshëm, dhentë mblidheshin kokë më kokë, nën diellin e nxehtë dhe mërzenin, derisa fresku binte në ato mjedise. Ne, të vegjëlit, shfrytëzonim kohën “ e lirë” për t’u freskuar, në ujin efreskët të lumit dhe kridheshim, atje ku thellësia e lumit ishte me e pakët e valoma nuk ishte shumë e rrëmbyeshme. Ata që notonin mirë, e “ çanin “ lumin, mespërmes e hidheshin në anën e përtejme, në atë që i përkiste Shkozës. Ata që nuk dinin not, lageshin me ujë e shtriheshin në kumin e ngrohtë mes zallit te lumit, ku merrnin rrezet e diellit dhe ajrin e ngjeshur te asaj gryke lumi.Kur dita thyhej e moti freskohej, bagëtitë, duke vënë përpara sejcili të tijat, i afronim në kullotat aliher ( të përbashkëta), deri sa binte nata.
Në raste të veçantë, kur arrinim ta organizonim punën, kohën e qendrimit në kum ( rërë), e shfrytëzonim për të “ garuar” njëri me tjetrin. Lodra më e zakonshme, në këtë rast, ishte kërcimi së gjati. Pa juri e pa arbitër. Rezultatet i nxirrnim e i vendosnim me konsensus. Lodër tjetër, e preferuar ishta ajo gurapeshti. Hera- herës, u bashkangjiteshim prindëve tanë, kur ata shkonin në Mullirin e Gurrës, për të bluar atë pak drithë që gjendej në hambarët e familjeve tona të varfëra. Kush hipur në kafshën e dorës ( kalë apo gomar)e kush në këmbë, rrugëtimi nëpër atë grykë me bukuri të rralla, ishte një rast i mirë për të marshuar në atë natyrë të pashoqe , për nga bukuria dhe freskia e buzëlumit.
Sipas moshës dhe kapaciteteve fizike, përpiqeshim për të ndihmuar prindërit për të përballuar punët e rënda në arë apo vështirësitë e jetës baritore.Kur ndonjë dele, dhi, apo të pjellët e tyre shkëputeshin nga tufa, ose kur gjedhët ( lopë, viça, qe) të trëmbur nga pickimi i zegalit, vraponin kuturu, ne, të vegjëlit kishim detyrën e vështirë për të vrapuar pas tyre e për ti kthyer ata, në tufë.
Kënaqësi të madhe na sillte stina kur piqeshin frutat.Pemët frutore, në ato vite ishin të pa kultivuara e harboheshin sipas qejfit. Ne, të miturit, ngjiteshim apo kacavirreshim, nëpër çatallët e tyre, për të kapur frutat e shijëshme, bio. Kishim dhe lodrat tona të preferuara, të cilat, si rezultat i aplikimit për shumë kohë, kishin marrë “ vulën” enjë riti tradicional. Mes lodrave më të dëshiruara ishin: Dërrakthi;Cingëli;Dokthi;Ngritja e Grackave; Topagropthi;ngritja e Leqeve;Korroilet; gjuajtja e shpendëve me llastika; Hobeja; Mundja e Demave;Përplasja kokë më kokë e deshëve; Syllambyllazi;Ta Lashë;Kalërimi;ngjitja nëpër pemë;Vrapimeet në natyrë;Kërcimi së gjati, tërheqja e litarit, kalaja dibrançe, qitjet me arme zjarri ( të rralla e jo nga të gjithë fëmijët, gurthi-murthi, poçelale, etj). Vajzat luanin lodrat e tyre. Ato përgatitnin kukulla;mësonin të bënin punët e shtëpisë; përgatitnin gatime, sidomos tëhollnin petë e bënin yshmerë; mësonin qëndisjen e pajës ; imitonin bërjen e shtëpisë dhe pastrimin e saj,mësonin ninulla dhe përralla për tua dëftuar fëmijëve, mësonin si të silleshin e të respektonin më të moshuarit, vjehrrën, vjehrrin, familjarët, gjitonët,miqtë e mysafirët e shtëpisë etj.
Mosha e mitur nuk na jepte mundësi të depërtonim në dobinë e lodrave që bënim, edhe pse ato, në dukje, paraqiteshin të thjeshta e me pak shpenzime por vlerat i kishin të shumta. Duke marrë pjesë në lodra të ndryshme, na jepej mundësia të takoheshim e të shmalleshim me njëri-tjetrin. Kjo ishte e domosdoshme, për arsye se shumë gjëra na veçonin e ne, mezi prisnim të bëheshim bashkë. Të tilla kufizime ishin: egzistenca e pronës private dhe puna individuale, veç kontaktit të njerëzve. Mënyra e jetesës ishte tërësisht e mbyllur, në kuptimin që asnjeri nuk dinte si e organizonte jetën tjetri. Shtëpitë ishin veç e veç; oborret rrethoheshin me mure të lartë sa të mos dukej ai që ishte përtej tyre apo në anën tjetër të gardhit rrethues. Mënyra e të jetuarit, në atë kohë, bëhej shkak për nxitjen e individualizmit dhe egoizmit, si dhe ushqente thashethemnajën. Ishim të së njëjtës moshë eakoma të parritur dhe kishim nevojë për njëri-tjetrin, për botën fëmijërore të moshatarëve tanë. Shiheshim me njëri-tjetrin vetëm kur shkonim në shkollë; kur shkonim me bagëti, në kullotë ose kur i çonim bagëtitë, në lumë; për t’u dhënë ujë.
Lojërat e moshës na lejonin të shiheshim, të takoheshim e të qendronim pranë shoqi-shoqit; njiheshim me aftësitë dhe me prirjet e njëri-tjetrit. Lodrat fëmijërore na jepnin mundësi dhe për “ të matur forcat”, për t’u argëtuar e për të shkëmbyer eksperiencat. Kësisoj, lodrat na kalitnin fizikisht e na zhvillonin mendërisht. Me vlerë ishte ambjentimi i pjesëmarrësve me frymën e komunitetit.Thuajse të gjitha lodrat ishin kolektive . Në një farë mënyre, ato luftonin frymën e individualizmit dhe egoizmin e kultivonin ndjenjën e të qënit së bashku. Shtëpitë i kishim afër njëri-tjetrit dhe lodrat i organizonim, zakonisht bazë mëhalle apo fisi. Vlera e këtij organizimi ishte mosmarrja me vete e ushqimeve dhe ujit te pijëshëm, mbasi vazhdimësia e lodrave ishte relativisht e gjatë. Mësonim të respektonim njëri-tjetrin, përfshi dhe afirmimin e “ liderit “ të grupit. Lideri ishte i mirëpranuar nga të gjithë. Ai ishte më i zoti; më guximtari; më i shkathëti; më trimi , më iniciatori dhe me prirje drejtuese. Në mëhallën time, në Ahmetaj, psh. Rolin e liderit, me meritë e merrte shoku im, Qazimi, i biri i Telha Qazim ( Shatrafilit), i ardhur në Kalivaç, nga fshati Luzat i Tepelenës. Telhai dhe Merushja ( bashkëshorte e tij), ishin muhaxhirë dhe banonin në shtëpinë e Ali Pasho Nelaj, në Ahmetaj.Djem të tjerë, të shkathët e të zotë, në mëhallën tonë ishin: Kamberi i Muharrem e Tajane, Dëraj; Bejua, i biri i Breshanit e i Haire, Bejomalaj ( Nelaj); dy djem të Mane Tafil Zenelaj dhe të Bukurisë- Qazimi dhe Selami; Gjonleka, i Ahmet Selfos dhe i Tajanes; Tahiri, i Muharrem Hasanit dhe i Memes; Nelua, i Resmi Nelos dhe i Zonjës së Vogël etj.
Në Hysodosaj; i shkathët e i zoti ishte : Ferriku i Azis Selfo Alidervishaj; Sabriu i Sulo Beqir Sulaj; Luani i Mete Medinit; Selimi i Nexhip Skëndos;Azbiu i Manxhar Azbiut; Guriu i Jaçe Sadikut etj. etj.
Në Hasanimeraj, i papërmbajtur e mjaft “i prapë” ishte, i mbeturi jetim nga e ëma, qysh nëfëmijëri, Bajrami i Halim Beshir Hysenaj. Shumë i shkathët ishte dhe Ferriku i Cano Ademit, i cili u bë shoferi i parë nga Kalivaçi i Tepelenës; Qaniu i Muharrem Smailit; Syrjai i Zenjel Ahmetit; Kajmaku i Qazim Lazes etj. Në këtë kategori futej dhe Qazua i Mehmet Qazos, nga Hysodosajt, i cili ishte i birësuar nga Nasua e Maliq Brehamit; Veliu i Aliko Qazimit e i Arzihanës së Mino Jaçes etj.Në mëhallën Hasanbegaj, pozicionin e liderit të fëmijëve e kishte marrë Qamili i Ali Xhelilit; Kadriu i Rrapo Danos, dhe kushëriri i tij i parë Sabriu i Veiz Danos. etj. Në Leshnje, nuk i dilte njeri përpara Ferrikut të Çoban Dules,nga Shametajt; në Ruç- Ydaiu i Hamza Sheshos dhe Aliu i Muharrem Qerimit.Në Specovë, Meleqi i Gani Dashos dhe Caush Nebiu etj.
Në Bozanaj, të zotë ishin: Ganiu i Sulo Bajramit; Bajrami i Malo Bajramit; Islami i Azbi Bakos,Myrtua i Xhelos etj. Në Meçaj, kishte “ kapedanë “ të tjerë. Muharremi i Rushan Axhemit; Bajrami i Tahir Abazit; Kujtimi i Kalo Guçes; Eqeremi i Azbi Azizit; Kastrioti i Ago Mersinit etj ,“ hanin bukë, veç. Në përbërje të grupeve të djemve, këta dhe të tjerë, ishin bërë drejtues të lodrave të fëmijëve dhe, prijës, të cilëve, fëmijët ua dëgjonin fjalën. Në rolin e drejtuesit, ishin dhe mjaft vajza, të cilat, për hir të vërtetës, në shkollë, shquheshin në mësime e ishin në nivele më të lartë nga masa e djemve. Le të përpiqemi ti njohim e ti spjegojmë, lodrat, një nga një:
Notimi.
Pozicioni gjeografik i shtrirjes të Kalivaçit të Tepelenës, anës lumit të Viosës, në stinën e thatë favorizon ushtrimin e notimit. Në vitet ’50 të shekullit të njëzetë, notimin, në fshatin tonë e ushtronin, kryesisht meshkujt. Në atë kohë, femrat, nuk i lejonte tradita dhe zakonet fetare ( aq sa kishin ndikim), të zhvisheshin, në publik e të futeshin në lumë. Në këtë mënyrë, mund të thuhet se notimi, në Kalivaç të Tepelenës ka qenë privilegj i meshkujve. Ishte një lloj sporti mjaft i dëshiruar e i aplikuar, në veçanti në radhët e të rinjve. Për fat të keq, notimi, ishte me karakter sezonal. Ai ushtrohej vetëm në stinën e thatë e të ngrohtë ( në verë).
Në Kalivaç të Tepelenës, historikisht ka patur notarë të spikatur. Në vitet për të cilët bëhet fjalë, njëri nga notarët më në zë, ka qenë Azis Selfo Alidervishaj, nga mëhalla e Hysodosajve. Në gjurmë të tij eci dhe i biri, Ferriku, i cili e tejkaloi babanë.Ai ishte notar shumë i mirë dhe peshkatar mjaft i zoti. Ai peshkonte, në lumë, me grep të zakonshëm, me grep “fltur”, me kosh dhe me lëndë plasëse të bëra vetë( një shishe, e mbushur me gëlqere të pashuar, të cilës i futej uji pak nga pak).Notarë të tjerë cilësorë, në mëhallët e “ Pusit”, kanë qenë: Tahir Muharrem Nelaj dhe vëllai i tij – Sadiku; Sabriu i Sulo Beqirit; Qazimi i Telha Shatrafilit; Selami i Mane Tafilit; Bejua i Breshan Fejzos etj. Në mëhallët e sipërme, sidomos në Hasanbegaj, në Leshnje e në Ruç, notarë të mirë ishin: Qamili i Ali Xhelilit; Ferriku i Çoban Dules; Nuriu i Hamza Sheshos etj. Në Kalivaç ka qenë dhe një lundër, me të cilën , në vite janë hedhur mjaft njerëz , këmbësorë e me kafshë dore dhe me bagëti. Lundërtari dhe vetë lundra ka në qenë nga Kalivaçi. Në të gjitha kohët, lundërtari më i njohur e më i zoti ka qenë Hasan Ramo Ramaj. Ai ia transmetoi lundrimin, si profesion, nipit të tij Gani Muharrem Ramaj, i cili e menaxhoi gjatë mjetin lundrues.
Lumi i Vjosës, nuk është i përshtatshëm për notim, në të gjithë vijën që lag tokat e Kalivaçit. Ata që notonin, parapëlqenin vendet ku ujët e lumit ishte më i thellë e më i qetë dhe nuk formonte ngjire(vende të thella, gropa, ku ujët rrotullohet e nuk e lejon notarin te dalë në breg). Si vende të preferuara ishin kthesat e lumit dhe atje ku shpejtësia e rrjedhës nuk ishte aq e madhe. Sheshi i Dinijes, atje ku ishte montuar lundra e Kalivaçit, sidomos atje ku ajo “ parkohej”, në bregun e Donijes së Kalivaçit. Vende të tjerë të pëtshtatshëm për të notuar ishin: Fundi i Llagëmeve ; Fundi i Jorgave, vendi ku është montuar motopompa e fshatit Shkozë,pranë bregores me emrin Ullinjtë e Hanit, tek Bytha e Gurit, në rrjedhën pranë Shkëmbit të Ylynecit e gjetkë. Vendet me pjerrësi më të theksuar, aty ku lumi merr “ vrull” e nis “vrapimin, si i marrosur”, nuk janë të preferuar, as të përshtatshëm për të notuar. Disa djem, të cilët ishin të fuqishëm dhe zotëronin më së miri notimin” me pash”, e kalonin lumin, me not, pa përfillur forcën çvendosëse të rrymës.
Shtrati i lumit, ndryshohet periodikisht.Ka raste kur ai çvendoset në anën Jugore e ujët, kur lumi del nga shtrati, rrëmben tokat e Shkozës, ashtu sikundër, herë të tjera çvendoset në anën veriore dhe ujët gërryen tokat e Kalivaçit. Parë në vite, bregu i lumit që lag tokat e Kalivaçit ka qenë më ujëplotë e më i qetë, gjë që e bënte më të preferuar për notarët. Segmenti ujor, prej vendit që quhet Sheshi i Vështit, drejt rrjedhës së lumit, edhe pse ka shumë ujë ( falë ngushtësisë të shtratit),nuk pëlqehet për notim. Në këtë segment gjenden, me shumicë, gurë të nënujshëm, guva dhe rrënjë rrepesh. Mirëpo, në këta vende, ka peshk e ngjala, mjaft cilësore, prandaj,atje shkojnë më tepër ata që gjuajnë peshq. Peshkimi bëhej kryesisht me grep të zakonshëm, me kosha dhe me lendë plasese. Kjo e fundit, dëmtonte peshkun e vogël dhe kërkonte më tepër specializim, prandaj ishte më pak e përdorur.
Gjatësia e lumit Viosa, e cila lag brigjet e Kalivaçit, ka disa vahe. Vahet janë vende ku shtrati i lumit është i gjerë e thellësia e ujit nuk është e madhe. Në këta vende lumi kalohet, në këmbë, ose mbi kafshë dore. Vah i preferuar ka qenë, në të gjitha kohët tek vendi i quajtur Sheshi i Vështit. Një vah tjetër me pak më tepër ujë, ka qenë e është tek Sheshi i Donijes dhe ai tek Ullinjtë e Hanit. Vendasit i njohin mirë karakteristikat dalluese të çdo vahu dhe veçoritë e shfrytëzimit të tyre. Për fat të keq, ndonjë banor i fshatit, sidomos nga mëhallët e sipërme, siç ishte rasti i bashkëfshatarit Shefik Bajram Hysaj , nga Bozanajt, i cili, u fut për të kaluar lumin, vah pa vah dhe u mbyt.
Ata që shkonin në bregun e lumit, për të kaluar orët e nxehta të ditës, në verë, notonin, bënin dhe banjo dielli. Në shtratin e lumit, mes zallit, kishte vende me rërë të pastër . Rëra nxehej nga dielli dhe banorët e Kalivaçit mbuloheshin me të, në përpjekje për të luftuar të ftohtën dimrit, ose reumatizmën.Disa organizonin lojë me guralecë( gurapeshti),bënin mundje, organizonin ndonjë vrapim apo kërcim së gjati; lodra me top etj. Por roli i lumit, ndikimi pozitiv i tij në jetën e banorëve të Kalivaçit ka qenë më i gjerë. Si përsa i takon kalitjes fizike të njerëzve, ndikimit fuqishëm në mikroklimën e fshatit, për pirje uji e larje teshash dhe, pas vitit 1978, edhe për ujitjen e tokave. Atë vit, disa metra më sipër Burimit të Madh, në drejtim të rrjedhës së lumit, atje ku thellësia e ujit është e madhe, u instaluan dy motopompa, të fuqishme,të cilat punonin me karburant dhe me energji elektrike. Me ujin që derdhnin ato, në kanalin e hapur në rrëzë të kodrës, ujiteshin tokat e Kalivaçit, ato të Çorrushit dhe më tej, të Kutës.
Vjosa, si lumë i pa sistemuar, e pa ndonjë hidrocentral mbi të, u ngjan atyre kuajve “ azatë”, të cilët marrin vrap e s’dinë të ndalen. Në vite të ndryshëm, ai, duke qenë i paparashikueshëm, ka bërë dhe dëme. Disa njerëz, të të dyja gjinive, të moshave e gjendjeve të ndryshme shëndetësore, kanë humbur jetën e janë mbytur në ujërat e tij. Por ka patur dhe raste kur notarë me emër u janë ndodhur pranë e i kanë shpëtuar fatkeqët. Tipik është rasti i Kalivaçasit Ferrik Azis Alidervishaj,i cili ka shpëtuar nga mbytja e sigurtë bashkëfshatarin e tij Novruz Tahir Llakaj, në gushtin e vitit 1980. Atë ditë të nxehtë gushti, kuadrot drejtuese të kooperativës bujqësore të Kalivaçit: Mehmet Nelaj (kryetar); Ferrik Alidervishaj((kryellogaritar); Veip Dulaj( agronom); Novruz Llakaj ( magazinier) etj. zbritën në Donije, për të kaluar orët e nxehta të mesditës. Novruzi, tërë djersë, me padurim, u krodh në ujë, tek motopompat, atje ku thellësia e lumit ishte më e madhe, dhe dha shënja se po mbytej( doli mbi ujë e prap u zhyt) . Ai nuk dinte not. U hodh Ferriku dhe e nxorri nga ujët, duke sakrifikuar veten. Që atë ditë, të dy bashkëfshatarët u taksën vëllamë, me hajmali dhe, sot e kësj dite ruajnë miqësinë mes dy familjeve të tyre.
Të mbyturit.

Do të ishte e vështirë, në mos e pamundur të evidencoheshin, saktë, ata që kanë humbur jetën duke u mbytur në valët e Viosës, këtij lumi të paparshikueshëm e befasues. Mungesa e dokumenteve të shkruara i le udhën hapët hamendësive, madje dhe legjendave. Një kategori të sëmurësh depresivë, të gjinisë femërore e asaj mashkullore, të cilët nuk gjenin dot dalje nga situatat e vështira ku binin, pa dashur e i drejtoheshin lumit ujëplotë. Gojëdhëna, na bën me dije se, në këtë lumë është mbytur Selvia e Selfo Velos, nga Hysodosajt; Hairja e Breshan Fejzos dhe gra të tjera. Ndonëse meshkujt nga Kalivaçi, në përgjithësi kanë qenë notarë e lundërtarë të shquar, në kushte të veçantë, janë mbytur disa, të rritur dhe të tjerë, fëmijë adoleshentë. Çdo mbytje, si largim i njeriut nga jeta, përveç makabritetit të skenave tronditëse, ka lënë gjurmë e ka prurë shumë dhimbje.
Mjaft e rëndë ka qenë mbytja e djalit të parritur Resul Selman Nelaj, nga Ahmetaj, tek rrëmbi, në Sheshin e Donijes, pranë Burimit të Zborakut. Fatkeqësia ndodhi në muajin gusht të vitit 1974, kur djali ishte 10 vjeç. Resuli i vogël, për të kaluar vapën i “ vrau” kecërrit e kooperativës bujqësore, lart, nga Shkëmbi dhe zbriti, anës degës së lumit që formonte një rrëmb të thellë, në anë të të cilit ishte një pllakë guri, e pjerrët dhe e rrëshqitshme, e cila përfundonte në ujë. Resuli, u krodh në ujë, për t’u freskuar, ashtu siç bëri dhe djali i xhaxhait të tij, Namik Xheladin Nelaj, moshatar i Resulit. U futën të dy por doli vetëm Namiku. Kushëriri i tij nuk doli nga ujët. Namiku, kur vuri re se Resuli nuk po dilte nga ujët, lëshoi alarmin, me të bërtitur. Sakaq, mbërritën në vendin e ngjarjes, Selmani, babai i Resulit dhe disa fshatarë të tjerë, me profesion murator, të cilët po ndërtonin lapidarin, kushtuar formimit të batalionit partizan,” Baba Abaz”, në Sheshin e Donijes. E nxorrën nga ujët djalin 10 vjeçar, të pajetë.Gjëma që shkaktoi mbytja e tij i kapërceu kufijtë e fshatit. Të nesërmen, Resuli i vogël, u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat e mëhallës Ahmetaj, pranë varreve të gjyshit dhe gjyshes së tij.
Një mbytje aksidentale ndodhi në muajin shtator të vitit 1969. Kalivaçasi Shefik Bajram Hysaj, nga Bozanajt, vinte nga Sevasteri, ku kishte qenë në një gosti, tek krushqit. Shefiku ishte i hipur në kalë e pas tij vinte e shoqja, Shanikua, hipur mbi mushkë. Donin të kalonin Viosën, në fund të arave të Kalivaçit, me emrin Jorga; përballë Ullinjve të Hanit, që i takojnë fshatit Shkozë. Aty pranë ishte një vah, por bashkëfshatarët tanë, banorë të mëhallëve të sipërme, nuk e dinin me saktësi vendndodhjen e tij dhe nuk kishin me vete shoqërues, i cili ti orientonte. Shefiku nuk dinte të notonte; as e shoqja. Shefiku ishte i veshur me pantallona e xhaketë shajaku, të zeza; kishte mbathur këpucë me qafë e në kokë kishte vënë një qylah të bardhë, nga ata prej shajaku, me majë në kulm.Shanikua ishte e veshur me çitjane e me setër, të zezë, santini. Duke kaluar va pa va, kali i Shefikut, i mbathur, siç duket ka shkelur ndonjë gur lumi, ka rrëshqitur dhe kalorësi, u lëkund e ra në ujë, në mes të lumit, tek valoma. Bërtiti bashkëshortja e Shefikut, Shanikua dhe Nelo Resmi Nelaj, i ndodhur në fund të Jorgave, brofi në ujë, me gjithe rroba. Ai e nxorri të aksidentuarin,të pa jetë.Banorët e mëhallëve të “ Pusit”, e përcollën fatkeqin, në mëhallën ku ai kishte shtëpinë, në Bozanaj, me nderime, siç e meritonte ai njeri i mirë.
Tragjike e me pasoja të rënda ishte mbytja e lundërtarit 60 vjeçar Sadik Muharrem Nelaj, më 13 mars të vitit 1994. Atë ditë, lumi kishte vërshuar tej për tej shtratit të tij dhe lundra hidhej me vështirësi nga njëri breg, në tjetrin. Dallgët e lumit zbrisnin furishëm drejt rrjedhjes dhe lundra, në mes të gjërësisë të lumit,si pasojë e spostimit të gurëve që kishte vendosur lundërtari, në fund të dyshemesë, për të balancuar lëvizjen e lundrës, u përmbys. Sadiku, i fuqishëm e notar i zoti, nuk mundi të mbijetonte në këtë aksident tragjik. Ai u asfikësua e u mbyt, në valët e lumit të “ tërbuar”, i cili ishte i egërsuar nga shirat e dëndur e të rrëmbyeshëm të atyre ditëve e sillte me vete trungje e rrënjë pemësh. Valët e çuan kufomën në pjesën e lumit, afër Ullinjve të Hanit. Polambarët, të ardhur nga Tirana, e krehën lumin, në të dy brigjet, në kërkim të kufomës të djalit të Presidentit të Republikës Alfred Mojsiu, i mbytur në afërsi të Ujit të Ftohtë të Tepelenës, e diktuan kufomën e Sadikut, e lidhën dhe me litar por, nuk e nxorrën nga lumi. Kufoma e tij kishte ngecur në zallin e një rrëmbi që ishte formuar nga tërheqja e lumit. Djemtë e Shkozës, donin ta nxirrnin në anën e tyre të lumit, që të mburredshin me aktin human të tyre, por kjo ishte fyese për kalivaçasit, të cilët u turrën, fshaçe për ta tërhequr atë në anën e tyre. Rezeart Avni Zenelaj, adoleshent por notar i zoti e guximtar, i nxitur nga sedra e nga dhimbja për njeriun e fisit, u vërsul në lumë, pa pyetur për rrezikun që i kanosej, e lidhi kufomën, me litar dhe nisi ta nxirrte në bregun e Kalivaçit, me vështirësi, i ndihmuar nga Petrit Hetem Rrapaj, djali i Hetemit dhe i Rubijes, i cili ishte nip( djalë i motrës së vetme) të Sadikut të ndjerë. Sadiku u varros të nesërmen. Më 14 mars të vitit 1994, në varrezat familjare, tek bahçja e Dajlanit, në Ahmetaj, pranë nënës, vëllezërve dhe nuses së vëllait të madh, Behares.
Mbytje të tjera njerëzish kanë ngjarë në vite të ndryshme. Ato nuk ngjajnë me njëra-tjetrën as si natyrë, as përnga buja e rrjedhojat që kanë sjellë. Disa, si ajo e djalit të Kalo Qazo Ramaj, Gëzimit 8 vjeçar dhe e bashkëshortes së Breshan Fejzo Bejomalaj ( Nelaj)dhe e Tanës, nga Leshnja, i përkasin tragjikes e marrin vlera enigme apo dëftohen si legjenda. Kufomat e të mbyturve nuk u gjetën kurrë e për ta nuk gjendet një varr. Në Kalivaç, është tjerrur një enigmë e janë bërë insinuata për mbytjen e djaloshit të vogël Gëzim Kalo Ramaj. Gjithsesi ato mbeten pyetje, pa përgjigje. Sa për Hairen, motrën e Dule dhe Xhezo Alush Dulaj, nënë e pesë fëmijëve, e martuar me Breshan Fejzon, ka qarkulluar një legjendë, e cila ka ardhur deri në ditët tona. Pa e bezdisur lexuesin, do të mundohem ta përshkruaj këtë legjendë, siç e kam dëgjuar, në fëmijërinë time dhe më pas, nga gojët e më të moshuarve:
Hairja, një grua nikoqire e përkryer, bashkëshorte e Breshnit dhe motër e Dules e Xhezos, nënë e 5 fëmijëve:Smailit; Sabriut; Xhikës; Bejos dhe Metullahes; ishte në përdhesen e familjes, duke tëhollur petë, për të bërë një yshmer. Ishte mëngjes. Sapo kishte zënë dielli dhenë. Në avllinë e shtëpisë, u shfaq një dervish, nga ata që kërkojnë lëmoshë derë më derë. Dera e përdheses ishte e hapët e Hairja, dukej, nga jashtë që po tëhollte petë, mbi qër ( paisje, prej druri, e rrumbullakët, mbi të cilën tëhollen petët, me ndihmën e një petësi). U afrua dervishi e i kërkoi nikoqires, sataka ( lëmoshë). “ Ik i tha gruaja, se nuk kam”! U bind njeriu hallexhi e doli, deri tek shtegu, perballë qivurit të Sadikajve. Pa dale nga shtegu ( një portë e madhe, e pleksur me tela e me gardh), dervishi u kthye, sërish , tek gruaja që bënte petë e i kërkoi, përsëri lëmoshë.”Ik, se s’kam “- ishte përgjigja e saj. Dervishi, i mërzitur e i brengosur, e mallkoi Hairen, me fjalët: “ Vdeksh, pa varr”!- e iku. Thonë se Hairja, mbasi u largua dervishi, la petët mbi qër dhe petësin e doli, pas predikuesit. Ajo mori udhën për në breg të lumit. Në vendin e quajtur Muratova, Hairja u takua me bashkëfshatarin Azis Selfo Alidervishaj, të cilin e kishte kushëri. Azisi kthehej nga puna raskapitëse që kishte bërë, në arë dhe i mbuluar nga djersët,shkonte për të kaluar vapën, në shtëpinë e tij, në Hysodosaj. “ Ku po shkon”? e pyeti, Azis Selfua, kushërirën . “ Kam larë rrobat, i kam lënë në fund të Jorgave, e do të vete t’i shpëlaj”, u përgjigj gruaja dhe “ ngau këmbët”. E mbajti vrapin, në fund të Jorgave, tek ka qenë një rrapishtë, atje ku lumi kishte thellësinë më të madhe. Siç ishte, u hodh në valët e tij, të cilat e rrëmbyen,e nuk e pa njeri. U mbyt gruaja e nuk u gjet kufoma e saj. Një muaj të tërë, i vëllai, Dulja, me torbën plot me bukë në majë të shkopit, kërkoi, në të dyja anët e lumit, nga Jorgat deri në Selenicë, por nuk gjeti asnjë gjurmë të kufomës të së motrës. Sot e kësaj dite, Hairja e Breshan Fejzos, nuk ka një varr. Mallkimi i dervishit, komentohet si ndëshkim i zotave.
Në kufijtë e legjendës është dhe rasti i Zyberit, një pinjoll i fisit Hadëraj në mëhallën Ahmetaj. Rasti është përgojuar kësisoj: Martohej Resmi Nelo Nelaj, me Zonjën e Vogël të bijën e Qerimesë dhe Bilos, nga Qyrajt e fshatit Shkozë. Krushqit nga Kalivaçi, me bujë e zhurmë, siç ishte zakoni, shkuan në Shkozë, për të marrë nusene bukur adoleshente. Në çastin kur nusja hipi në kalë e do të nisej për udhë, mes këngëve të vendasve dhe atyre të krushqve nga Kalivaçi me hidh e prit, siç ishte në traditë, nuses i vunë përpara një djalë të mitur, mbasi besohej se ajo, kësisoj do ta mbushte shtëpinë e burrit, me djem. Shanikua,nëna e Kanan Mzes, bijë në Ahmetaj, këndoi, me ironi: “ Të keqen, Shazivar, “ Ylli”; të ruajtë zoti nga syri”! Shazivari ishte “ i leshtë” dhe Shanikua ironizoi nëpërmjet këngës. Kanan Mazja, i biri i Shanikos,burrë i njohur për trimëri e zgjuarsi, i cili ishte i pranishëm në përcjelljen e nuses dhe e njihte mire mëhallën Ahmetaj, ku ishte nip, replikoi, aty për aty, nëpërmjet këngës: “ A s’ja thua dhe një herë ; të rëkofsha, për Zyberë”! Zyberi, kushëri i Shanikos, në Ahmetaj, ishte, gjithashtu, “ i leshtë”. Ai, dy javë pas kësaj dasme, akoma pa u kthyer nusja në “ të parë”, u mbyt në lumë. Njerëzit e komentuan rastin si profeci e si mallkim i Kanan Mazes, nga Shkoza. Besimtarët, i lidhën padrejtësisht këto dy ngjarje në kufijtë e legjendës.
I dhimbshëm ishte rasti fatkeq i një vajze, nga Shkoza. Refija, e bija e Asim Mehmet Nelaj, një sakati të lindur nga mëhalla Ahmetaj në Kalivaç, ishte e martuar me Avdul Abenin , në Shkozë dhe kishin një vajzë rreth 7 vjeç. Në një ditë vere, babai i vajzës, e hodhi të bijën e mitur në vah, tek Ullinjtë e Hanit dhe erdhi në shtëpinë e vjehrrit; në Shure. Gjyshja e vajzës, Shanikua kishte shkuar në Donije, për të mbushur ujë. Dera e shtëpisë ishte e mbyllur. Avdulit i duhej të kthehej në Shkozë për të punuar në arë. Ishte periudha kur korrej gruri. Babai i tha të bijës të mos largohej nga dera e shtëpisë, sa të kthehej gjyshja e iku. Vajza, u mërzit duke pritur në vetmi dhe mori udhën për t’u kthyer në Shkozë, e vetme, në udhën nga kishte ardhur me të atin. Ajo nuk e mbante mend vendin ku e kaluan lumin, së bashku me të atin dhe u fut në lumë, vah, pa vah e përfundoi në fund të tij. U mbyt e gjora vajzë, jo për fajin e saj. Debati për të përcaktuar fajësinë vazhdoi gjatë e nuk u vu pika mbi “i”, as sot e kësaj dite.
Si këto, kanë ngjarë dhe fatkeqë si të tjera në kohë të ndryshme, me protagonistë të ndryshëm. Banorët e Kalivaçit, për këta raste asnjëherë nuk kanë fajësuar lumin, i cili, qyshse ka nisur të rrjedhë në këto anë, ka gjarpëruar vazhdimisht në shtratin e tij, drejt detit. Janë vetë njerëzit që kanë shkuar e janë futur në lumë, në një kohë kur Viosa, herë e qetë e herë “e xhindosur”, “ vraponte” në udhën e saj shumëshekullore.

Ngritja e grackave dhe leqeve.

Të dyja ishin lodra të djemve. Ishte një lloj gjahu, i cili praktikohej nga djemtë e moshës shkollore. Në ata vite, në Kalivaç funksiononte vetëm shkolla fillore, me katër klasë. Rreth shtëpive kishte mjaft bahçe e arishta në të cilat ishin mbjellë e ishin rritur ullinj e pemë të tjera frutore. Pjerrësia e terrenit diktonte ndarjen e ngastrave me ledhe, në të cilët mbinin shkurre e ferra .Ledhet ishin vende të përshtatshme për të ngritur gracka e leqe. Grackat dhe leqet ishin lodra dimërore. Në pranverë dhe në verë, shpendët që bëheshin pre e grackave dhe leqeve, ose shtegtonin, ose nuk u afroheshin vendeve ku ishin ngritur kurthet në fjalë. Në stinën e ngrohtë, shpendët shumëzoheshin dhe gjuetija e tyre me këto mjete ishte e ndaluar ; jo me ligjë por me zakon vendi.
Në vitet ’50 të shekullit të njezetë, klima ishte më e ashpër dhe stinët ndaheshin dallueshëm njëra nga tjetra.Në atë kohë ; dimri ishte dimër e vera – verë. Në dimër bënte ftohët e binte borë. Shpendët e egra strukeshin nëpër gëmusha e ferra, për t’u mbrojtur nga të ftohtit. Mëllënjat, të cilat ushqeheshin me ullinj, ishin objekt kryesor i këtij gjahu. Ato me sqep të verdhë ishin më të egra por dhe më të shijëshme. Mishi i mëllenjave ishte i shijëshëm e me pak dhjamë. Shpendë të tjerë, të cilët gjuheshin me gracka ishin: harabelat ( gushal;murrakë; zborakë,turtulli; shapka etj). Dallëndyshet, sapo ndjenin ardhjen e stinës së ftohtë, shtegtonin larg. Qukapiku, rosa e egër dhe skifteri ishin specie që dukeshin rrallë në anët tona.
Grackat ngriheshin me mjete rrethanore. Një pllakë guri, me përmasa 30×30 cm. e lehtë, me formë të shrregullt; mjafton të ishte e lehtë dhe e sheshtë. Gracka ngrihet pranë gëmushës ( ferrës), në një vend, mundësisht të sheshtë. Hapet një gropë, në madhësinë e grushtit të një të rrituri dhe brenda tij futet pak drithë( misër, grurë, elb, thekërr, hokërr, tërshërë etj). Drithi nuk duhet të dalë jashtë gropës dhe të jetë i pashëm nga shpendi që synohet. Përgatiten disa shkopinj, të hollë, të drejtë e të fortë.Njëri syresh, duhet të jetë më i trashë dhe vendoset, vertikalisht tek pragu i grackës. Pllaka vendoset me kënd rreth 45 gradë dhe mbahet me ndihmën e një shkopi sipër e dy të tjerë anash, të mbështetur tek “ shtylla”.
Shpendi i egër, kalon andej dhe ve re ushqimin, brenda gropës. Ai tenton të ushqehet me të, duke futur kokën, brenda grackës. Me krahë ose me pjesë të tjera të trupit, prek shkopinjtë, të cilët mezi e mbajne grackën. Trarët lëvizin e gracka bie, duke e zënë brenda gjahun. Ai që ka ngritur grackat, në mëngjesin e së nesërmes, i kontrollon ato; mbledh viktimat dhe i ringre grackat. Në ndonjë rast, në vend që të zerë shpendë, gracka e ngritur zë ndonjë mi.
Në Ahmetaj, ishin bërë specialistë për ngritjen e grackave dhe kishin dorë të mbarë, adoleshentët: Qazim Telha Shatrafili; Bejo Breshan Bejomalaj ( Nelaj); Kamber Muharrem Dëraj; vëllezërit Selam e Qazim Mane Zenelaj etj.Mjaft i shkathët e i zgjuar ishte Ferriku i Azis Selfo Alidervishaj; Sherifi i Mahmut Muharrem Pashaj; Selimi i Nexhip Skëndo Rrapaj, nga Hysodosaj ; Bajrami i Halim Beshir Hysenaj; Zeneli i Hysen Mahmut Alidervishaj etj. Vajzat, si rregull, nuk ngrinin gracka; ato, e kishin përjashtuar veten nga kjo lodër zbavitëse.
Qazimi i Telha Luzatit, i cili i ngrinte grackat rreth shtëpisë të Ali Pashos ku babonte familja e tij, në bahçen e Breshan Fejzos e të Dine Xhelalit, e cila ishte ullishtë; e shtrinte veprrimtarine e tij, deri në Gryka, në Fierin e Metes e në Vathra, në vendin e quajtur Ullinjtë e Hysodosajve ; deri në Plirën e Abedin Kahremanit, e cila ndodhej sipër Llapovicave ; poshtë Majës së Dokes. Egziston dhe një histori nga koha e fëmijërisësë Lumturisë të Xhevit Malkos dhe shoqes së ngushtë të saj, Lavdijes të Abedin Kahremanit. Ato kishin dy lopë dhe çoheshin herët, në mëngjes e i çonin për kullotë, në Plirë, e cila ishte në pronësi të familjes së Abedinit. Lopa e familjes tonë quhej Sorrilë, kurse ajo që mbarështonte Lavdija, e kishte emrin Baliqe.Vajzat panë se në rrëzë ledhit ishin ngritur gracka. Njëra syresh ishte rrëzuar, shënjëkjo që dëftonte se ndonjë shpend mund ta kishte ngrënë ushqimin. E ngritën pllakën dhe panë që, brenda grackës kishte rënë pre, një mi ugari. Ndezën zjarr dhe e poqën miun, deri në atë shkallë sa të mos dallohej se çfarë ishte. Erdhi Qazimi i xha Telhait dhe u afrua për të ngrohur duart. Vajzat, e bënë me dije se njëra nga grackat e ngritura prej tij, kishte kapur një mëllënjë, të cilën ato e kishin pjekur dhe ia zgjatën atij. E hëngri Qazimi “ mëllënjën e pjekur” e i pëlqeu. Pas ngrënjs, vajzat, me çiltersinë e fëmijës të moshës së tyre, i dëftuan të vërtetën dhe ai, kur mësoi se kishte ngrënë një mi, volli, me presion e ia mbathi vrapit për në shtëpi.
Në atë kohë, familja e Telha Shatrafilit banonte në shtëpinë e Ali Pashos, i cili ishte shpërngulur në fund të Margëlliçit, në pronat e familjes së tij. Shtëpia e Aliut ishte një përdhese, me dy dhoma, të ftohta, akull. Në njërën nga dhomat banonte familja e xha Telhait, i cili merrej me pramati; në tjetrën familja jonë, për arsye se na kishte rënë çatia e shtëpisë e nuk e meremetonim dot, për mungesë kapitalesh. Bashkëshortja e xha Telhait, gege Merushja ishte berë shoqe me nënën tonë- Zonjën e Madhe të Binajve dhe ne, fëmijët e tyre, ishim bërë shokë. Ato ishin dy nga gratë më të forta të fshatit. Kur zbrisnin nga Bregu i Stanet, me barrën e druve ngarkuar në kurriz, me një tërkuzë të pleksur vetë, dukej sikur zbriste pylli i Koçimares . Ishim gjitonë të mirë, prandaj e besoi Qazimi, motren time, Lumturinë,në “ aventurën “ e saj, në bashkëpunim me Lavdijen e Abedinit.
Shpendët që binin pre në grackat e djemve gjahtarë të fshatit tonë, i nënshtroheshin pjekjes, në prush. Të kriposur e të pjekur në këtë mënyrë, zogjtë kishin një shijë të veçantë. Ne, fëmijëve barkbosh, na shijonin shumë, jo vetëm se ishim të uritur. Shijë të veçantë kishin mëllënjat sqepverdha, ato që ushqeheshin me ullinj. Kur “ gjahu” shkonte mbarë, zogjtë skuqeshin nga nënat tona, në tigan, si rregull në mbrëmje dhe me ta ushqehej e gjithë familja.
Ngritja e leqeve.

Ishte “ gjueti”, kryesisht e djemve adoleshentë. Leqet ngriheshin për të zënë kafshë të egra, të pyllit.Viktimë e leqeve bëheshin lepujt, dhelprat, kunadhet,çakenjtë e rrallëherë ndonjë ujk; ca më rrallë derrat e egër. Pozicioni gjeografik i Kalivaçit, favorizon gjuetinë me anën e leqe. Si vende për ngritjen e leqeve shfrytëzoheshin shtigjet dhe monopatet, tëcilët ishin të mbuluar nga shkurre gjithëfarësh. Më së shumti, leqe ngriheshin në ato anë ku barinjtë nxirrnin në kullotë bagëtitë e imëta ( dhen e dhi), lopët e kuajt ose atje ku banorët nxirrnin drutë e zjarrit. Vende të preferuar për ngritjen e leqeve ishin: Grykat; Moçalet; Kullustrat; Trapi i Çesmës;Vathrat; Fieri i Metes;Arat e Buta; Ullinjtë e Hysodosajve; Xinat; Shkëmbi; Qurket; Rrëzat; Arat e Buta; Caci; Mbretja e Leshnjes; Daullja; Sheshi i Vështit; Çesma e Hasanbegajve ( përroi i Zelenicës); Bexga e Hasanbegajve; etj. Vendasit, sipas mëhallëve, i njihnin mirë shtigjet ku kalonin kafshët e egra të pyllit dhe, në vende të përdhtatshme ngrinin leqe. Shyqo Abedini dhe babai i tij, Abedin Kahremani, të cilët gjuanin me armë zjarri, ishin dhe mjeshtër në gjuetinë me leqe.Mjaft rezultativ , në gjuetinë me leqe ka qenë Haki Sulo Sulaj , nga mëhalla e Hysodosajve. Në përgjithësi, ata që shquheshin dhe kishin sukses në “ gjuetinë me gracka”, përvojën e fituar në këtë veprimtari e shtrinin dhe në atë të ngritjes së leqeve. Në të dyja këto veprimtari, rezultatet determinoheshin nga fati.
Laku ishte prej teli apo litar i përgatitur posaçërisht. Që të mbante prenë, ai lipsej të ishte i fortë. Llogaritej, me përafërsi të kapte e të mbante kafshën e egër të pyllit; madje nga më të fuqishmet, siç janë ujku dhe derri i egër. Ngriheshin dhe leqe prej lëkure pemësh, sidomos nga zhapa vidhi e drurë të tjerë por këta nuk ishin aq të fortë . Prandaj nuk gjenin aq përdorim . Leqet, zakonisht ngriheshin mbasdite, para se të errësohej ( në mukth), dhe liheshin të ngr itur, gjatë gjithë natës. Laku ndërtohej në mënyrë që të mbyllej lehtë, sapo egërsira të fuste këmbën apo kokën. Kafshët e egra, në kërkim të ushqimit dhe të detyruar nga terreni, kalonin, detyrimisht nëpër shtigjet ku ishte ngritur laku. Ato, nuk e vinin re litarin apo telin që formonte lakun dhe futnin kokën apo këmbën brenda tij. Duke ecur përpara, kafshët pre e kësaj gjuetije, e shtrëngonin filenë e laku mbyllej, rreth këmbës apo qafës të egërsirës. Në anën tjetër, fija e lakut ishte e fiksuar tek një pemë, e cila, si rregull duhet të ishte e fortë, aq sa ta mbante “ viktimën “, në vend edhe pse tërheqja mund të ishte e fortë. “ Viktima “ qendronte e kapur, në lak, derisa të vinte ai që kishte ngritur kurthin. Gjahtari, kur shkonte për të kontrolluar leqet që kishte ngritur, duhet të ishte shumë i kujdesshëm e të ruante veten, nga kafshimi i egërsirës, e cila, nga dhimbjet, bëhej më e egër e kafshonte. Në ndonjë rast, “viktima “ të gjuetisë me leqe, bëheshin kafshët shtëpiake, të cilat kalonin nëpër ato shtigje, në kërkim të ushqimit. Në raste të tillë,” gjahtarët e dështuar” supertonin dhe shpotinë e bashkëfshatarëve të tyre. Kur “ viktimë” binte ndonjë gomar, tallja më e shpeshtë ishte” “ Zuri gomari, gomarë”! etj.

“Gjuetia” me llastika.
Nuk ishte: as gjueti, as lodër. Si veprimtari, më shpesh praktikohej nga fëmijë të moshës para shkollore e nga nxënësit e shkollës, por, kishte dhe raste kur llastikat i përdornin të rriturit. Përgatitej një furkaçe, me dy gërveçë, me gjatësi 10-13 cm. dhe me një tjetër që shërbente si mbajtëse, e cila, si rregull ishte më e trashë dhe shërbente si mbështetëse. Në të dyja bigalaçet lidhej fort llastiku ( dy fije ) dhe në skajin e llastikave, kapej një copë meshinë, në madhësinë e pëllëmbës së dorës të një fëmije. Kur nuk kishte meshinë, në vend të saj vendosej një copë rrobe, e fortë. Llastiqet përdoreshin për të gjuajtur shpendë të vegjël si zogj fluturakë; mëllënja; pëllumba të egër; nganjëherë edhe shpendë të madhësive më voluminozë.
Gjuetia e shpendëve me llastika ishte një provë për fëmijët e moshës shkollore, se ata ishin në gjendje të merrnin në dorë armën e gjahut. Përgatitja e llastikave, ishte detyrë e më të rriturve; fëmijëve u mësohej si të “ merrnin nishan”e si të goditnin, me preçizion. Ky lloj sporti kultivonte tek fëmijët shkathtësinë, guximin dhe krenarinë. Pas kësaj prove, ata konsideroheshin “ të rritur “ e mund të shkonin pas prindërve gjahtarë, në gjueti me armë. Vetë fëmijët, tashmë gëzonin e kapardiseshin, me statusin që kishin fituar, si “ burra”. Ata, kur niseshin për të gjuajtur me llastika, i kishin xhepat të mbushur, me gurë, të vegjël. Kur u ecte në këtë lloj “ gjahu”, djemtë, në mbrëmje, kur shkonin në shtëpi, u kapardiseshin gjitonëve të rrugicës nga kalonin dhe nënave të tyre, me shpendët “ pre”, të ekspozuara, dukshëm. Në disa raste, llastikat i mbanin me vete dhe disa të rritur, por ata nuk i nxirrnin ato që të dukeshin e nuk krenoheshin me to; nga turpi.

Përgatitja e Pipizanit, borisë, profkave dhe bilbilëve prej zhapa drurësh.

Djemtë, në pranverë, kur drurët gjallëroheshin e mbusheshin me fletë, prisnin degë lofate, vidhi, shelgu etj. dhe me to, bënin disa lodra, të cilat u përngjanin veglave muzikore. Më të shpeshta e më të lehta ishin pipizanat. Ato përgatiteshin me lëkurën e këtyre drurëve dhe, kur forcohej kashta e grurit, elbit, thekrrës, hokërrit, tërshërës etj. Pipizani përgatitej dhe me kashtën e tyre apo me kallam. Mënyra e përgatitjes së pipizanit ishte e thjeshtë. Copa e degës së prerë “rrihej” deri sa të shkëputej lëkura, nga druri. Kur kjo ishte arritur, djali e priste lëkurën, në të dyja anët, në gjatësinë e dëshiruar dhe e shkëpuste atë, në formën e tubit të ujit. Gjatë proçesit të përgatitjes së kësaj “ vegle muzikore”, arkitekti, për ta patur sa më të lehtë proçesin, këndonte , në vetmi këngën:
Zan, Zan, pipizan,
Dil në shkallë e pi duhan,
Me dyshekë e me jorgan,
Pipizani, bisht kole,
Bjerë poshtë e mos u ngre,
Sa të piqetë, një ve,
Veja u poq,
Currubabi ( pipizani) u hoq!
Në Kalivaç të Tepelenës, pipizanit i thonin dhe currubabë.Mbasi e përgatitnin, djemtë, e futnin në gojë pipizanin dhe i frynin. Fryma, duke përshkuar gjatësinë e “veglës”,lëshonte një tingull të bezdisshëm.
Pipizani, vendosej në pjesën fundore të borijeve.Borijet përgatiteshin me zhapë lofate ose vidhi, të zhveshur nga druri, e cila niste me pipizanin e zgjatej, duke u lakuar, në formë spirale, deri në një gjatësi 30-40 cm. Ajo, së bashku me pipizanin, kur i fryje, me gojë, bënte më tepër zhurmë sa lëshonte ndonjë tingull me muzikalitet.
Profka.

Pergatitej nga nje lëkurë peme, me gjatësi rreth 30 cm, brenda së cilës futej një dru, në formë pistoni.Profka funksiononte mbi bazën e principit të një pompe që thith, komprimon e nxjerr. Djemtë, brenda profkës mund të thithnin ujë por mund të futnin brenda dhe kokrra goxhamishi, dëllinje apo shpëndre, kulumbrie etj, dhe i shtynin, me anë të “pistonit”, në mënyrë që të dilnin me forcë. Kur e mbushnin me ujë, djemtë lagnin, me shaka njëri-tjetrin, kurse kur brenda i futnin një kokërr, po brenda shakasë, gjuanin, duke marrë nishan.
Bilbilat.

Pritej një llastar i një druri që mund ti hiqej me lehtësi lëkura, në gjatësi rreth 10-15 cm. e cila, kur akoma nuk ishte shkëputur nga druri, pritej në një vend, afër fundit, në mënyrë që të dilte një dritare e vogël. Në njërën anë, lëkura pritej e përshtatshme për të vendosur buzët; në fundin tjetër, lëkura pritej e drejtë. Pas shkëputjes të lëkurës, trungu i lastarit, pritej, afër vendit ku vendosen buzët,në mënyrë tangente, në mënyrë që të formohej një gropoë. Lastari vendosej përsëri brenda lëkurës dhe mjeshtëri që e përgatiti, i frynte, duke nxjerrë tinguj sikur të ishte bilbil, nga ata që mbajne arbitrat, në sport.

Kapërcimi i zjarrit.

Është një rit, i lashtë, pagan, i ardhur në Kalivaç, nuk dihet, kur e nga, por që ka zënë vend në praktikën e banorëve të kësaj treve. Si rit, nuk praktikohej vazhdimisht, por në raste festash pagane. Ndeshej, sidomos në kohën kur dimri i bezdisshëm ia lëshonte vendin pranverës e më pas verës së begatë. Duke praktikuar këtë rit, njerëzit besonin se do tja linin të këqiat dimrit e do ti përfilleshin jetës së re, plot diell e gjelbërim. Zjarret ndizeshin me shkarpa të thata, në mënyrë që të bëhej flakë sa më e madhe dhe e dukshme. Çdo familje, në avllinë e saj, ndizte një zjarr dhe e kapërcenin, të gjithë familjarët, me radhë.Në mëhallët me shtëpi të grupuara, kur familjet rridhnin nga i njëjti fis, zjarret ndizeshin të përbashkët, në një vend, afër shtëpive, ku fëmijët dhe të rriturit mund të shkonin pa vështirësi. Në Ahmetaj, psh, zjarret, më së shumti ndizeshin tek vendi i quajtur “ Kryeja e Shtëpisë” dhe tek Buza.
Kapërcimi i zjarrit praktikohej, në çdo mbrëmje, një ditë para ditës së Verës ( 14 mars, sipas kalendarit grigorian). Atë e kapërcenin, si meshkujt dhe femrat, pa dallim . Merrnin pjesë në këtë lodër edhe të rriturit. Shëmbullin e jepnin, të parët burrat e shtëpisë. Kjo, ca për hir të pushtetit mashkullor, në familje, ca nga kujdesi për t’u nxjerrë drojën më të vegjëlve. Djemtë e kapërcenin më lehtësisht zjarrin, për arsye se ata ishin të veshur me pantallona. Vajzat, të veshura me fustanë të gjatë deri në qafën e këmbës dhe të ngushtë në fund, kishin një lloj vështirësie. Që ta ruanin fustanin nga përflakja, gjatë kapërcimit të zjarrit, ato e mbanin fustanin,të mbledhur, me njërën dorë.
Në zjarrin e ndezur “ kalafak”, të cilin e kapërcenin të gjithë, banorët hidhnin brenda tij degë përce, me gjethe e kokrra, të cilat, nga nxehtësia pëlcisnin me një kërcitje e zhurmë karakteristike, e cila shkaktonte ilaritet, gëzim e kurreshtje tek pjesëmarrësit. Në zjarr futeshin dhe brumbuj ( tubera që ngjajnë me kokrrat e patates) të cilat piqeshin, jo për t’u ngrënë, por për ti gërryer përbrenda dhe gropa e formuar në mes tyre përdorej si gotë, për të pirë raki ose sherbet, në vend të gotave, të cilat, për hir të së vërtetës, nuk gjendeshin lehtë.
Kapërcimi i zjarrit, nuk ishte vetëm çështje riti pagan të vetëpranuar, nisur nga mentaliteti se, në zjarr, do të digjeshin të këqijat e do të shporreshin keqbërësit; ai i shërbente kalitjes fizike, shkathtësimit të njerëzve, kalitjes të guximit e trimërisë dhe afrimit me njëri-tjetrin. Tek pjesëmarrësit në kapërcimin e zjarreve kultivohej shpirti i garës dhe sedra e mirë. Veprimtaritë e larmishme, kushtuar ditës së Verës bëheshin objekt bisedash mes burrave, të cilët mblidheshin tek Buza; në dyqanin e Todit; tek Bregu në Hysodosaj e në çdo mëhallë. Sejcila prej mëhallëve kishte vendin e saj ku mblidheshin e kuvendonin burrat.

Lodra me shami.

Praktikohej, më së shumti nga vajzat parashkollore dhe nga ato në moshën e pubertitetit. Mblidheshin, në njërin nga vendet e praferuar, afër shtëpive, një grup vajzash, brenda fisit apo gjitone në mëhallë. Ato vendoseshin në formë rrethi, përbri njëra-tjetrës, me vështrim përpara vetes. Në këtë lodër ndalohej kthimi i kokës.Me short zgjidhej vajza që do të niste lodrën. Ajo, me një shami në dorë, vraponte rreth vajzave dhe, ku ta çmonte ajo, linte shaminë pas kurrizit të njërës nga vajzat dhe vazhdonte vrapimin. Shamija ishte e lehtë e nuk bënte zhurmë. Vajza, mbasi kishte lënë shaminë, vazhdonte vrapimin rrethor, për të maskuar veprimin që bëri. Gjat kohës që vajza me shami në dorë vraponte rreth vajzave të ulura, ato këndonin, në kor: Rredhe, rredhe, kokorredhe, nëm atë që më mbësheve! Kur vajza, prapa së cilës u lëshua shamija, e ndjente ose e kuptonte, me intuitë dhe, duke kërkuar me dorë, prapa kurrizit e kapte shaminë, ajo ngrihej, dilte nga rrethi e, në vend të saj, ulej ajo që kishte gabuar, gjatë vendosjes së shamisë. Kështu loja vazhdonte, derisa vajzat të vendosnin për mbarimin e saj.
Lodra me shami ishte e dobishme, për arsye se kultivonte tek vajzat jo vetëm shkathtësinë, zgjuarsinë dhe intuitën por i bënte ato të ishin vigjilente e të monitoronin, në çdo çast, situatën rreth vetes së tyre.

Përgatitja e yshmerëve nga vajzat.

Ishte një lodër ( nëse mund të quhet e tillë), e cila synonte ti përgatiste vajzat adoleshente për të qenë nikoqire të mira, në familjet ku do të shkonin nuse. Ishte një provë e vështirë, në kuadrin e të mësuarit për të përgatitur gjellë, nga më të pazakontat. Vajzat e moshës së pubertitetit, mbi bazë fisi, shoqërie apo mëhalle, mblidheshin në një shtëpi të preferuar dhe, në autonomi tëhollnin petë; shtronin e piqnin yshmerë. Aso kohe, në Kalivaç të Tepelenës, kur një nuse dinte të bënte yshmerë cilësorë, konsiderohej e kualifikuar në lëmën e të gatuarit. Mbaj mend që në mëhallën tonë, në Ahmetaj, vajzat mblidheshin në shtëpinë e Sheros, e cila ishte në pronësi të burrit të zgjuar, të shkathët e trim, Muharrem Kamber Dëraj. Bashkëshortja e tij, Tajanja, e bija e Metos dhe e Zagoll Salikos, nga Meçajt, ishte një grua shpirtmirë, dorëdhënë dhe pastërtore. Ajo, u krijonte vajzave të parritura, gjithë kushtet për të përgatitur brumin; për të tëhollur petët dhe për të pjekur yshmerët.
Në shtëpinë e Sheros, mblidheshin: Nasibeja e Muharrem Kamberit; Lavdija e Abedin Kahremanit; Barjamja e Laze Xhezos;Pashakua e Isuf Jaçes; Xhika e Breshan Fejzos; Lumturia e Xhevit Malkos; Naxhija e Banush Xhezos; Lutfija e Qemal Sherifit; Gurija e Dine Xhelalit;Sosja e Xhemal Haxhiut; Naileja e Ahmet Selfos etj. Yshmerët përgatiteshin, si rregull në ditën e arfasë ( duke u gdhirë) Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël. Vajzat, në shoqërinë e njëra – tjetrës, siç i kishin mësuar nënat, përgatitnin 4-5 yshmerë, të cilët i shpërndanin, të nesërmen, në ditën e “ shënjtë”, në çdo familje të mëhallës. Kur, në sofrën e festës, familja shtronte gatimet, yshmerin e vajzave e vinte mënjanë dhe amvisa e familjes e reklamonte atë, me fjalët:” Provoni yshmerin e koceve(vajzave)”. Ata që e shijonin, bënin dhe përcaktimin e cilësisë. Lëvdohej vajza dhe nëna e asaj që kishte përgatitur yshmerin më të mirë.

Ta lashë!
Luhej si nga djamtë dhe nga vajzat. Mblidheshin disa fëmijë ( nuk kishte numër të caktuar) dhe njëri( njëra) prekte shokun ( shoqen) me dorë e i thoshte: “ Ta lashë”! Tjetrit i duhej ta ndiqte me vrap, atë që ia la dhe doemos duhet ta prekte me dorë. Nëse arrinte ta prekte, lodra kishte mbaruar në barazim; përndryshe, ai që nuk e kapte dot, nismëtarin, duhet ta mbante “ kece” që do të thotë “peng”. Në lojë futeshin dhe të tjerë fëmijë e kështu bëhej një rrëmujë ku “ nuk e merrte vesh qeni të zonë”.

Ruajtja e pulave.

Më shumë se lodër ishte argëtim i vajzave adoleshente. Ruajtjen e pulave, si rregull e bënin vajzat e një fisi ose edhe më të largëta, mjafton të ishin shoqe, me njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për ruajtjen e pulave të detit, mbasi pulat e fushës, nuk kanë nevojë e nuk mund të ruhen. Vendet ku do të çohej tufa e pulave për kullotë zgjidheshin në atë anë( drejtim) ku nuk kishte pranë ndonjë parcelë me të mbjella ku po të futeshin pulat, bënin dëm. Vajzat pajiseshin me nga një shufër të gjatë, prej lastari të fortë, me të cilën trembnin pulat e tufës së tyre. Përftimi i vajzave ishte reciprok; ato qendronin së bashku, bisedonin, deri dhe probleme të zemrës, mësonin nga njëra-tjetra; merrnin informacion të ndërsjelltë për punët e shtëpisë, për mënyrën e sjelljes e për çdo gjë tjetër.
Pulat e detit, janë të shpejta në ecjet përtokë por ato kanë dhe krahë e fluturojnë, larg. Vajzat duke vrapuar pas tyre kaliteshin fizikisht dhe shkathtësoheshin. Kur sipër tufës me pula që ato ruanin, vërtitej ndonjë shpend grabitqar dhe pulat mblidheshin kokë më kokë, për t’u mbrojtur; vajzat rojtare shtonin vigjilencën, shkonin pranë tyre dhe këndonin,me zë të lartë:
O skifter, hoi,hoi,
Mos hajde tek zogjtë e mi;
Jo këtu, po në Gorisht,
Se atje janë zogjtë me bisht!
Kur thyhej dita, në të “varur “ të diellit, vajzat, me shufra në dorë, i vinin pulat përpara e i çonin në shtëpi. Ky lloj argëtimi u jepte kënaqësi e i miqësonte vajzat me njëra-tjetrën.
Lodrimi me cingëla.

Këtë lodër e praktikonin, kryesisht djemtë adoleshentë. Lodra ishte individuale. Djemtë aktivizoheshin në vetmi ose lodra luhej dyshe, por aktivizimi i tyre bëhej me radhë. Vendi që zgjidhej për të zhvilluar lodrën me cingëla mjafton të ndodhej pranë shtëpive të pjesëmarrësve; nuk ishte kusht që ai të ishte i rrafshët. Mjafton të mos kishte në afërsi drurë të lartë ose shkurre ku mund të humbiste cingëla. Në pajisjet e një lojtari bënin pjesë:Një shkop, i drejtë e prej druri të fortë, me gjatësi rreth 1m. Kërkohej dhe një copë dru, me gjatësi rreth 30cm;më i hollë se shkopi, i cili quhej cingël. Si pikënisje e lodrës, konsiderohej një gropë e vogël, e cila hapej në mes të sheshit, dhe çmohej si qendra e atij sheshi. Nisja e lodrës bëhej me short ose me marrëveshje mes lojtarëve.
Ai që caktohej të niste lodrën e godiste cinglën, me shkop, me sa fuqi kishte ( kuptohet dhe në vendin e nevojshëm), me tendencë që cingla të flutruronte sa më larg. Kundërshtari i tij, me një shkop apo degë në dorë përpiqej ta frenonte fluturimin e cinglës dhe të shkurtonte distancën, nga gropa tek vendi ku binte cingëla. Me shkopin e atij që gjuante i pari, pas rënjes në tokë të cinglës, matej distanca dhe kur plotsohej numëri i njësive, siç ishte paravendosur, lodra quhej e fituar. Kur pritësi e kapte cinglën dhe e mbante, radha e gjuajtësit ishte “ djegur” e ai duhet të linte detyrën si gjuajtës ( dilte në pritje të cinglës). Radha humbiste edhe kur cingla, si rezultati goditjeve të fuqishme, humbiste në terrenin përqark. Ai që grumbullonte më shumë njësi matëse, dilte fitimtar. Por, për këtë kërkohej konsusi i palëve.
Lodrimi me cingëla, i bënte djemtë të shkathët, të mprehtë e të fuqishëm. Vajzat nuk e kishin fort qejf këtë lloj lodre.Për djemtë , kjo ishte lojë e preferuar dhe aplikohej rëndom, mbasi nuk kërkonte shpenzime e mjete të papërballueshme.

Lodrimi dokthi.

Është lodrim, i cili ushtrohet nga djemtë adoleshentë dhe ngjan me golfin. Zgjidhet një shesh, me përmasa, sipas kushteve e mundësive dhe në mes të tij hapet një gropë, me madhësinë e një grushti. Lojtarët mbajnë në duar nga një shkop, të fortë, me gjatësi rreth 1m. Në njërin skaj të shkopit ndodhet një gungë, të cilës i thonin çorre. Në kompletin e lodrës hyn dhe një copë dru, me trashësi rreth 10-15 cm. e po aq i gjatë. Ai që mbron gropën ( portën), me shkopin në dorë përpiqet të mos lejojë që kundërshtarët të futin copën e drurit, në gropë. Kundërshtarët e tij përpiqen të bëjnë të kundërtën. Po të futet copa e drurit në gropë lodra është e humbur, për mbrojtësin dhe e fituar për sulmuesit. Radha e punës dhe rregullat e lodrës vendosen nga ata që marrin pjesë në lodër. Kjo lloj lodre kërkonte që lojtarët të ishin të fuqishëm, të shkathët e të zgjuar. Praktikohej, sidomos nga djemtë e moshës para se të rekrutoheshin në ushtri. Nga përdorimi i shkopinjve, i pakontrolluar ( pa kujdes),në raste të veçantë kishin ngjarë dhe plagosje të lehta, përfshi dhe ndonjë thyerje të gjymtyrëve .

Korroilet.

Në një degë të fortë ulliri; fiku; kumbulle, bajame etj.e cila ishte sipër tokës 2-3 m, hidhej një litar, i gjerë rreth 10-12 cm, i fortë, i përgatitur në mënyrë artizanale, në tezgjah, me lesh dele; majë, ose i përzier me pak lesh dhije. Kushti i parë ishte fortësia e degës dhe ajo e tërkuzës. Tërkuza hidhej në degën e pemës dhe, dy skajet e saj lidheshin fort me njëra-tjetrën. Litari qëndronte mbi sipërfaqen e tokës, 40-50 cm; aq sa të arrinin këmbët e fëmijëve sipërfaqen e tokës. Vendi përqark korroiles, duhet të jetë i hapët e pa pengesa. Lodra me korroile,ishte e preferuar, si për meshkujt dhe për femrat. Kënaqësia dhe relaksi i fëmijëve që uleshin nbi korroile dhe lëkundeshin, si shilarës, ishte i jashtzakonshëm. Fëmijët e pëlqenin aq shumë këtë lojë sa mbanin radhë për t’u ulur mbi korroile.
Në korroile hipte një fëmijë, por mund të hipnin dhe dy e më tepër të mitrur, njëkohësisht. Kur ishin më tepër se një, më i madhi në moshë, kujdesej për më të vegjlit dhe u jepte mësim atyre. Fëmijët që luanin korroile, uleshin, sipër tërkuzës, siç ulen në sofat, ose siç i hipin kafshës ( kaurçe); me këmbë të varura. Mbasi uleshin, të sigurtë, fëmijët kapeshin, me të dyja duart të ngritura lart, pas tërkuzës. Kjo ishte një masë mbrojtëse që ata të mos rrëzoheshin. Lëkundjen fillestare, korroiles ia jepte vetë fëmija, me këmbë; fillimisht lehtë – lehtë e më pas, me vrull. Mund të ndodhë që lëvizja fillestare të vijë nga jashtë; nga një më i rritur, i cili qendron pranë fëmijëve që lodrojnë, si kujdestarë për të garantuar parrezikshmërinë e lodrës. Ata që ishin më të guximshëm e kishin amplitudën e lëkundjes më të gjatë.
Në stinën e nxehtë, lëkundja në korroile, shërbente dhe si një mënyrë freskimi. Prandaj, në këtë stinë fëmijët qëndronin më gjatë në korroile. Në stinën e dimrit, përkundrazi, fëmijëve u mërdhinin duart, prandaj lodra e tyre mbi korroile, ishte afatshkurtër. Fitimtar dilte ai që e kishte amplitudën e lëkundjes më të gjatë e largohej nga toka më tepër.Vlerësimi kishte brenda dhe kohëzgjatjen e lodrimit.
Djemtë e moshës shkollore, lodronin dhe me një tjetër lloj korroile. Një hu, i plotë e i fortë me lartësi 70-100cm. ngulej në tokë, siç vendoset strumbullari, në lëmë, forcohej anash që të mos lëvizte gjat lëkundjeve, dhe njërin skaj, e kishte me majë. Një traversë, me gjatësi rreth 3m, me një gropë në mes, vendosej mbi majën e shtyllës vertikale . Në çdo skaj të traversës ulej, me bark, një fëmijë dhe të dy, me ndihmën e këmbëve e lëviznin traversën, në mënyrë që të rrotullohej, rreth boshtit.Me qëllim që kjo lloj lodre, kur rrotullohej të bënte zhurmë; në të thelluarën e traversës, vendosej pak lesh lope dhe nga rrotullimi përftohej zhurmë në formën e kërcitjes, e cila pëlqehej nga fëmijët. Relaksi i fëmijëve ishte i madh.
Nëpërmjet lodrimit mbi korroile, fëmijët kaliteshin fizikisht, shkathtësoheshin për të supertur lëvizje energjike dhe trimëroheshin. Ai që rrëzohej, ishte i humbur. Si drurë ku vendosej korroilja, shfrytëzoheshin kryesisht ullinjtë, fiqtë dhe pemë të tjera, të cilat gjenden me shumicë në avllitë e banorëve të Kalivaçit.
Lodra syllambyllazi.

Grupe fëmijësh, djem e vajza, veç e veç, nganjëherë dhe së bashku, pa kufizim në numër, në çdo kohë e pa mjete, lodronin rreth shtëpive të fisit apo në mëhallë e në vende sporadike. Kërkesë kryesore për të zhvilluar lodrimin syllambyllazi ishte kushti që të kishte vende ku fëmijët të mund të fshiheshin. Lodra zhvillohej ditën dhe natën( në të errur). Për drejtimin e kësaj lodre, zgjidhej një fëmijë, ndaj të cilit kishte disa kërkesa. Ai lipsej të ishte më i pjekuri; më i zgjuari; më i shkathëti dhe më i drejti, në gjykim. Fëmija drejtues i lodrës luante rolin e arbitrit e ai kërkohej të ishte i paanshëm, në gjykimin e çështjes.
Mënyra e zhvillimit të kësaj lodre ishte fare e thjeshtë. Caktohej një vend ku do të qendronte “ roja”; një gur, një dru, një pllakë guri; një pjesë muri etj, si ta vendoste komuniteti. Me short, njëri nga fëmijët vendosej në “ roja” dhe mbyllte sytë e qendronte me kurriz nga pjesëmarrësit në lodër. Ai që kishte mbyllur sytë, numëronte, me zë të lartë, në mënyrë që ta dëgjonin lojtarët, nga njëshi, deri në dhjetë. Gjat kësaj kohe lojtarët, duhet të gjenin një vend të fshehtë, ku të mos diktoheshin nga roja dhe, me të dëgjuar numërin 10, kohë kur ai që ishte në “ roja” hapte sytë, në rrugën më të shkurtër e në fshehtësi, me shpejtësi duhet të shkonte tek vendi i caktuar si qendër, dhe të pështynte. Po të arrinteta bënte këtë, fëmija lojtar e kishte nxjerrë jashtë loje “ rojan”.
Kur fëmijët e fshehur tentonin të shkonin tek qendra ku qendronte “ roja”, fëmijët që ishin liruar nga detyrimi për t’u fshehur, i orientonin ata me fjalët: Grurë; grurë; grurë; që donte të thoshte : Dil nga vendi ku je fshehur se “ roja “është larg e nuk të kap dot. Kur rrezikohej kapja e të fshehurit, shokët e paralajnmëronin me fjalët:” Misër; misër; misër”, që do të thotë: je në rrezik ; mos dil. Kur “ roja “ shkonte drejt tij, e rrezikohej zbulimi i atij që ishte fshahur, shokët i bërtisnin:” Atje ku je, bëj fole të re” etj. Ai që zbulohej ose kapej nga “ roja” ishte i ddetyruar të mbyllte sytë e të bëhej “ roja”.
Kjo lodër kultivonte tek fëmijët shkathtësinë, manovrueshmërinë, rezistencën, iniciativën, zgjuarsinë dhe durimin. Lodra përfundonte kur ta gjykonin pjesëmarrësit.

Mundja e demave.

Ishte lodër; privilegj i djemve të rritur. Lodra nuk zhvillohej në ndonjë arenë, si ato të spanjollëve por shfrytëzohej mjedisi. Mjedise të përshtatshme ishte vapemi ( vend ku klojne vapën gjedhët); në Donije, fundi i Jorgave e kumishte të tjera buzë Viosës, në shtratin e lumit. Koha më e përshtatshme ishte vapa, kur i çonim qetë për të pirë ujë, në lumë. Kishte dhe një mundësi tjetër. Në verë, kur ishim me pushimet e shkollës, në kohën kur ishin larguar të lashtat nga arat e kallametë ishin hapur për të mbajtur gjedhët, të përbashkët, shfrytëzoheshin gruroret aliher.
Qetë ( demat) që do të ndesheshin njëri me tjetrin, kokë për kokë, vendososeshin përballë, në distancë rreth 5om dhe nxiteshin të sulmonin njëri-tjetrin. Djemtë mblidheshin rreth demave në garë e bërtisnin, me thirrje nxitëse: “ Borro; borro; borro- mu “! Dhe demat, me sa fuqi kishin, suleshin, me vrull për të goditur ( për t’u përplasur ) kokë më kokë me shoqi-shoqin. Fitonte më i foti; ai që nuk lëkundej e nuk prapsej gjatë përplasjes. Të dy demat ngulnin këmbët e prasme dhe shtynin, me supe. Para se të niseshin për “ sulm”, nën nxitjet e djemve, demat përplasnin këmbët, pas tokës, sikur do ta gërryenin atë; pastaj niseshin.
Në mëhallët e “ Pusit”, kau më i fortë ishte Arapi i Musa Mehmetit . Ai,nuk ishte trupmadh por i ngjedhur e tërë muskuj.Brirët i kishte të shkrtër , por të fortë. Ishte ndeshur disa herë me qe të tjerë e kishte fituar. Si të thuash, “ ia kishte marrë dorën kësaj loje dhe i ftonte kundërshtarët për t’u ndeshur. Mjaft i fortë ishte dhe Verdhani i Sherif Rrapos etj. Demi, para se të ndeshej, i merrte erë tokës dhe ftonte kundërshtarin, me një si ulërimë të zgjatur: “ Muuuu” e nisej nxitimthi.

Lodra “ Dërrasi”.

Këtë lodër e praktikonin, zakonisht djemtë adoleshentë. Një grup djemsh, të mëhallës apo të fisit, ndaheshin në dy skuadra, me numër të barabartë lojtarësh, të vendosur përballë njëri-tjetrit. Në distancë sa ta gjykonin vetë djemtë, çdo skuadër ngrinte 5 dërrasa, të holla, pa mbështetëse, me përmasa 25-30 cm. Çdo dërrasë qendronte vertikalisht, në distancë 30-40 cm larg njëra-tjetrës. Lojtarët mblidhnin gurë dhe, me radhë goditnin dërrasat respektive. Ai që i rrëzonte të gjitha dërrasat ishte i fituari. Radha e goditjes përcaktohej me short. Kusht ishte : Lojtarët të mos shkurtonin distancën dhe numëri i gurëve të ishte i barabartë. Dërrasat vendoseshin aq larg njëra-tjetrës sa, rënja e një dërrase, pas goditjes, të mos shkaktonte rënjen e tjetrës. Djemtë që do të merrnin pjesë në këtë lojë, në mënyrë paraprake , i mbushnin xhepat me gurë të vegjël , me të cilët ata do të bënin goditjen.

Lodra: “ Gurapeshti”

Ishte lodër, e cila praktikohej, si nga vajzat akoma të parritura dhe nga djemtë e së njëjtës moshë.” “Teatri” ku zhvillohej lodra ishte një vend i sheshtë, më shpesh breglumi, ku kishte me shumicë guralecë ( zeje të vegjël). Lojtari hapte dorën ( gishtin e madh dhe atë tregues) sa të formohej një lloj porte. Përpara portës shpërndaheshin guralecë, të së njëjtës madhësi dhe, lojtari mbante në dorë një të tillë. Ai, pa lëvizur dorën nga toka, hidhte lart gurin që mbante në dorë dhe, duke shfrytëzuar kohën e rënjes së tij, i fuste, një nga një gurët, në portë. Lodra fitohej, nëse lojtari i fuste në portë të gjithë gurët, para se të binte në tokë guri që hidhte lart.

Hipja në pemë.

Ishte lodër e të dyja gjinive.Përzgjidheshin pemët më të larta e më të vështira për t’u ngjitur. Vihej në provë shkathtësia dhe guximi i fëmijëve, për t’u ngjitur e për të qëndruar, sa më gjatë,në lartësi. Mjaft djem e shumë vajza, ngjiteshin ( kacavirreshin ), me ndihmën e këmbëve e të duarve në pemë të vështira, jo vetëm për nga lartësia por dhe për nga lëmueshmëria e lëkurës së pemëve. Më e vështirë ishte ngjitja në pemët arra. Vështirësia lidhet me lëmueshmërinë e trungut dhe degëve, çatallat e rralla e të pakultivuara dhe rrëshqitja e lojtarit.
Pemët më të përshtatshme për t’u ngjitur ishin : Ullinjtë;bajamet; kumbullat; manat, fiqtë etj. Fiku kishte një vështirësi të cilën nuk e kishin degët e pemëve të tjera; ato thyheshin lehtë dhe këtë lojtarët e dinë. Druri i lisit është lehtësisht i ngjitshëm, për shkak të nyjeve e degëve që lëshon, por në Kalivaç, lisat e lartë gjenden rrallë.
Pranvera, sillte, bashkë me gjelbërimin e pemëve e dhe lidhjen e kokrrave. Fëmijët, duke u kacavjerrë nëpër fiq, hanin dhe trakaliçe, të cilat, zakonisht lidhen në fund të degës. Edhe ngjitjen në pemët e bajameve, të vegjlit e shfrytëzonin për të ngrënë frutat e njomë, me gjithë lëkurë.
Ngjitja, në pemët e manave, është e vështirë për shkak të lëmueshmërisë të trungut. Kur kjo pemë pjek frutat, fëmijët e kishin më të lehtë ta shkundnin pemën sa të ngjiteshin lart. Lodrën e fitonte ai që ngjitej më lart e qendronte më gjatë në majë të pemës. Nuk kishtee nuk ndihej nevoja as për arbitër; as stimul.

Kalaja dibrançe.

Ishte lodër e djemve adoleshentë, me praktikim masiv. Dy grupe djemsh të shkathët e të fuqishëm, të njohur si guximtarë e me iniciativë Lodronin kundra njëri-tjetrit, në përbërje skuadre. Lojtarët caktonin, sipas dëshirës një përgjegjës, i cili, me një litar ( rrip) në dorë, të gjatë rreth 2m, ruante kalanë. Njëra nga skuadrat, kujt i binte shorti, shtronte kurrizin, në pozicion sa të përkulte kokën dhe kokë më kokë e me duar të vendosur mbi shpatullat e shokut më të afërt. Skuadra tjetër, e shpërndarë, në pozicione të volitshme, synonte të hipte e të qendronte sipër kalasë. Roja, aq sa e lejonte litari ( rripi), kryesisht me këmbë, përpiqej të prekte atë që sulmonte kalanë.
Kur roja prekte, me shqelm, njërin nga të ekipit sulmues, kalaja hapej e në vend të saj futeshin ata që ishin kapur. Ndodhte që sulmuesit ishin më të shkathët e jo vetëm i shpëtonin rojës por hipnin e qendronin sipër kalasë;madje dhe në kurriz të rojas. Mbi të hidheshin të tjerë dhe kalaja nuk duhet të binte. Rënja e kalasë shënonte fitimin e lodrës nga ekipi që ishte “ jashtë”.
Duke lodruar “ kalanë dibrançe”, djemtë kalitnin shkathtësinë, guximin dhe “ dredhinë” për të përftuar nga pavemendshmëria apo nga ngathtësia e rojas së kalasë. Lodrimi së bashku i afronte e i miqësonte djemtë, me njëri-tjetrin.

Përplasja e deshëve.

Ishte lodër e përafërt me ndeshjen e demave, me ndryshim në thirrjet nxitëse të njerëzve të grumbulluar për të parë lodrën. Nëse kur ndesheshin dy dema , “ spektatorët “ bërtisnin: “ Borro borro borro mu”; deshëve që ndesheshin u flisnin në “ gjuhën e tyre” duke i nxitur ti suleshin njëri-tjetrit me fjalët: “ Toko- toko”. Vijën e sulmit, deshët e ruanin vetë. Ata përplaseshin me njëri-tjetrin, kokë më kokë e brirët kërcisnin. Si në rastin e demave, fitonte dashi që shtynte kundërshtarin dhe e devijonte atë nga vija e “ sulmit”.
Në mëhallët e “ pusit”, më i fuqishmi ishte dashi i tufës që menaxhonte Veli Aliko Muharremaj, i cili ishte nga pinjollët e kopesë të dhenve të Shefit Qazimit. Dashi i Veliut ishte trupmadh, me një tufë leshi të zi, në ballë e me njërin bri të thyer. Ai kishte dhe një huq të keq; sulmonte njerëzit. Fëmijët, kur vinin re se po zbriste kopeja e Veli Alikos e mes dhenve ishte dashi me bri të thyer, ndërronin udhë, nga frika.
Desh të fuqishëm, në Kalivaç kishte në kopenë e Sherif Rrapos; në atë të Zenel Jaupit;të Rrapo e Veiz Danos, të Mahmut Muharremit ; të Malo Bajramit; të Ago Muharremit e Islam Bakaj, të Gani Dashos, të Refat Adushit, etj.
Përplasna e deshëve, ashtu si ajo e demave ishte njëra nga lodrat më relaksuese për fëmijët, pse jo, dhe për të rriturit.

Lodra topa- gropthi.

Ishte lodër, e cila luhej, së shumti nga djemtë. Siç ngriheshin dërrasat , bëheshin gropa , sa të futej brenda grushti. Numëri i gropave ishte 5-6 në distancë nga njëra-tjetra rreth 20cm. Merrej një top, i përgatitur nga lesh ( qime) prej lëkurës së demave, qimet forcoheshin duke i lyer me pështymë dhe fërkoheshin fort. Topi behej i fortë e i ngjeshur e lojtari duhet të ruhej nga goditja. Me short, dy ekipet përcaktonin, kush do të gjuante i pari. Hidhej topi, prej njërit lojtar, në drejtim të gropave. Topi ndalonte në njërën gropë. Roja i ekipit, merrte topin dhe gjuante,në drejtim të kundërshtarëve. Ai që goditej, ishte “ i djegur” .Loja mbaronte kur “ digjeshin “ të gjithë lojtarët e njërës skuadër. Përveç saktësisë në gjuajtje, lojtarët mësonin të ishin të qetë e të matur në goditjet, me top.

Kapja e bukurezave.

I shkonte për shtat, sidomos aktivitetit të vajzave.Në stinën e ngrohtë, kur errësohej, në mjediset rreth shtëpive qarkullonin bukurezat( xixëllonjat). Vajzat i kapnin ato e i vendosnin në ballë. Kështu, ato shëndritnin dhe dukej gjurma e tyre, kur vajzat lëviznin. Kishte raste kur edhe djemtë kapnin bukureza e ua vendosnin vajzave, në ballë, për t’i zbukuruar ato. Nuk kishte as stimul, as të fituar e humbës.Kur bukurezat largoheshin, vajzat u shkonin pas, për ti kapur . Me qëllim që ato të afroheshin , vajzat i ndillnin , me fjalet: “ Bukurezë, hajde tehu , të- të bëj kulaç të gru”!
Në zhargonin e përditshëm, xixëllonjat emërtoheshin me emra të ndryshëm. Disa u thoshin zjamëze, disa të tjerë, bukureza etj. Emërtimi xixëllonja ka hyrë relativisht më vonë në fjalorin e bashkefshatarëve tanë.
Kërcimi së larti.

Këtë lodër e luanin, kryesisht vajzat. Nuk përdorej stekë, as mjete te tjera që përcaktonin lartësinë. Dy vajza vendoseshin përballë njëra –tjetrës, ulur, në distancën e krahut. Njëra nga vajzat, e cila garonte me shoqet, vendoste grushtin,mbi grusht, me gishtin e madh lart. Kështu vepronte dhe tjetra. Vajza e radhës kalonte mbi lartësinë e duarve të vajzave, deri sa të mundëte, pa prekur grushtin. Vajzat, që ishin vendosur përballë njëra tjetrës, duke ngjitur më lart grushtet përsëritnin fjalët:” Gurthi, murthi, poçelale”!
Lodrat e fëmijërisë, ishin të njohura e të pëlqyera nga gjithë komuniteti i fëmijëve . Ato nuk ishin të shkruara por transmetoheshin nga brezi në brez, gojarisht. Kishte raste kur, të rriturit ose fëmijët, në proçesin e lodrimit, krijonin lodra të tjera, të pranuara nga vetë fëmijët protagonistë.

Kalërimi.

Një lodër, e cila përgatiste kalorësit e ardhshëm. Shansin për ta luajtur këtë lodër e kishin, kryesisht djemtë e moshës adoleshente, edhe pas lirimit nga ushtria, dhe disa burra, të cilët shfrytëzonin kuajt vetjakë. Djemtë, më së shumti kalëronin, pa u hedhur kuajve samarin, as shalën, por, në zhapët. Garimi zhvillohej në fushë, në shtratin e lumit dhe ne pergjithësi në vende të sheshta. Kalorësi kapej fort, pas lelesë të kalit dhe mbante ekuilibrin mbi trupin e kalit ( pelës).

Tërheqja e litarit.

Një lodër, e cila vjen nga lashtësia. Merrej një litar i fortë, i gjatë rreth 5-6m. Përcaktohej vendi i ndeshjes dhe shenohej një kufi ndarës mes dy skuadrave. Formoheshin dy grupe djemsh, të cilët kapeshin fort, pas pjesës së litarit, ngulnin këmbët, në mënyrë që ti jepnin forcë dhe tërhiqnin. Skuadra që kalonte kufirin e përcaktuar dhe rrëzohej ishte e humbur.

Në Tiranë, më 28 mars 2015

Përgatiti Niazi Nelaj