Lidhjet mes kalivaçasve

Banorët e Kalivaçit të Tepelenës, në trojet e tyre janë autoktonë. Lashtësia e tyre, në ngulimet aktuale daton shekuj më parë. Të qenit autokton, për banorët e Kalivaçit, si dhe për të tjerë komunitete ka qenë faktor uniteti dhe kohezioni. Lëvizjet e popullsisë, nga koha në kohë, megjithëse uljet e ngritjet në numrin e banorëve të fshatit, nuk kanë  mundur ta prekë autoktoninë e vendasve.

Është i njohur fakti që këtë autoktoni e unitetin e arritur, banorëve të Kalivaçit të Tepelenës  nuk ua ka falur njeri, ashtu sikundër nuk e kanë gjetur të gatshëm. Ato kanë zënë fill, janë rritur e skalitur, dita-ditës, me shumë mençuri e kujdes, pse jo dhe nëpërmjet sakrificave  dhe janë ruajtur me xhelozi. Të tetë mëhallët që formojnë fshatin, të parët tanë i kanë vendosur mbi bregore e në majë të kodrave me gurë. Vendet e banimit janë zgjedhur me zgjuarsi e largpamësi. Çdo mëhallë ka qenë e ngritur mbi bazë fisi e tarafi. Si rregull, fisi me numrin më të madh të njerëzve e me fuqi ekonomike më të madhe, dominonte mbi  të tjerët. Banorët, të ardhur nga treva të tjera, në Kalivaç i ndeshim si përjashtim. Ardhacakët, në çdo rast janë mbështetur tek njerëzit e tyre të një gjaku ose tek të afërmit e familjes së tyre. Ka patur ndonjë rast kur një familje, për shkaqe të ndryshme, ka shkuar drejt “shuarjes”. për të ruajtur pronësinë mbi tokën e gjënë, i pari i saj ka thirrur pranë një pinjoll, në lidhje gjaku apo miqësie dhe e ka vendosur në pronat e tij. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për kollovarët apo për nipërit, të cilët janë vendosur pranë dajove të tyre.

Dëshmi e pakundërshtueshme e autoktonisë të banorëve të kalivaçit është dhe çështja e emrave të njerëzve dhe mbiemrat e  tyre. Mbiemrat na dëshmojnë strukturën e mëhallëve e të fiseve, kurse emrat – vazhdimësinë, në vijë vertikale. Ka ndodhur, në ndonjë rast kur, duke u degëzuar një fis, si rrjedhojë  e shtimit numerik të tyre,  nga brezi në brez, është ndjerë” ngushtë” brendapërbrenda mbiemrit të stërgjyshëve dhe ka  përshtatur një mbiemër tjetër, duke ruajtur vijimësinë vertikale. Kështu, fisi i Nelajve, më i madhi në Ahmetaj, ndoshta dhe në tërë fshatin, duke zbritur vertikalisht është ndarë në Binaj, Mehmetaj, Sadikaj, Jaçaj apo Bejomalaj. Sa u përket emrave, kalivaçasit, si për femrat dhe për meshkujt janë kujdesur të ruajnë vazhdimësinë vertikale. Kjo është bërë e mundur nëpërmjet përsëritjes të të njëjtit emër, duke zbritur shkallët e pemës gjenealogjike. Psh: Mehmet Salihu, i biri i Salih Myftarit, nga Ahmetajt i vuri të birit emrin Musa, dhe, për shkak se në Kalivaç, burrat thirren jo me mbiemër por me emrin e babait nga pas, ai u thirr: Musa Mehmeti. Ky i vuri të birit emrin Mehmet e ai u thirr Mehmet Musai. Edhe ky, njërit nga djemtë i vuri emrin Musa e ai thirret: Musa Mehmeti, në radhën e burrave të trungut të Mehmetajve.  Në Bozanaj kemi, në fisin e Malajve (sot Hysaj), emrin e Bajram Malos e të Malo Bajramit, të përsëritur disa herë; ose në Hysodosaj ku emri Beqir e Sulo, gjithashtu përsëritet nga brezi në brez. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për mëhallën Hasanbegaj, ku emri i Ali Xhelilit pasohet nga i biri Xhelil Aliu e kështu, me radhë. Kjo praktikë ndodh jo vetëm në Kalivaç. Motivi i saj është i thjeshtë: mos të humbasë emri. Se në Kalivaç të Tepelenës, kur do të mallkosh rëndë një njeri, i thuhet: ” të humbtë emri” e kjo është sinonim i “shuarjes” të familjes.

Kalivaçiasit e kanë ruajtur pastërtinë e fshatit të tyre, jo aq lehtë. Kalivaçasi nuk ka qenë e nuk është racist e ksenofob, por është ndjerë më mirë duke qenë autokton e i papërzier me të tjerë. E them këtë mbasi presioni mbi banorët e Kalivaçit, nga jokalivaçasit, nuk ka qenë i pakët. Klima, arat e begata, kullotat cilësore dhe hapësirat kullosore të  bollshme, lumi dhe njerëzit e mirë të këtij fshati,  i kanë nxitur gjitonët, ndoshta dhe të largëtit, për të kërkuar e për të gjetur strehë dhe për tu vendosur në një copë truall, në Kalivaç. Të ardhurit në Kalivaç, edhe pse janë mbështetur tek dikush nga vendasit, kanë jetuar e jetojnë në komunitet  më vete. Komuniteti më i madh i ardhacakëve në Kalivaç është ai i banorëve që kanë zbritur nga Dorëza, në Specovë. Dorëza është një fshat malor, i rrethit të Tepelenës, i ndërtuar mbi shkëmb, me pak toka buke, i cili ndodhet përballë mëhallës Hasanbegaj të Kalivaçit, buzë lumit të Viosës. Të ardhurit nga Dorëza janë vendosur prej kohësh në vendin e quajtur Specovë ku jetojnë si komunitet më vete. Duhet theksuar fakti që të ardhurit nga Dorëza, shumica e të cilëve mbajnë mbiemrin Caushaj, edhe pse jetojnë si komunitet më vete, janë integruar fare mirë me vendasit e jetojnë në paqe e harmoni  me ta, prej shumë kohësh. Ata, të dyja palët, si kalivaçasit dhe të ardhurit nga Dorëza e respektojnë mjaft njëri – tjetrin, madje, me synimin qëllimmirë që të afrohen, kanë “hedhur ura “ të reja, duke u lidhur me krushqi e miqësi, me njëri tjetrin. Kësisoj, në Kalivaç kemi një bashkëjetesë shembullore mes dy komuniteteve jo nga i njëjti fshat. Nuk e teproj po të përmend një fakt të thjeshtë por me kuptim të plotë. Kur në Dorëz bëhet dasmë e dasmorët, sipas traditës së kahershme qëllojnë me armë, kalivaçasit, nga ana tjetër e lumit, sapo dëgjojnë gjëmimin e armëve të gjitonëve, përshëndetin po me shkrepje armësh, të cilat nuk i ndajnë nga majëkrahu. E kuptojnë njëri –tjetrin, për bukuri, edhe pa fjalë, këta njerëz të mirë e fisnikë.

Një komunitet tjetër, ndonëse më i vogël në numër, i ardhur nga Dorëza në Kalivaç, është ai që mban mbiemrin Mehmetaj. Ky komunitet është vendosur në vendin e quajtur Brinja e Beut, në pronat e të parëve të tyre, luftarakë, të cilët u shkëputën nga fisi, kapërcyen lumin e Viosës e u vendosën aty ku janë edhe sot. Fillimisht ata ishin dy familje, kushërinj me njëri-tjetrin, por, nga viti në vit, u shtuan e tani janë një mëhallë, e vendosur në pllajën e bukur e të begatë, me bar mjaft të mirë, për të ushqyer dhentë, në stinën e ftohtë, e cila quhet Ruç. Disa pjesëtarë të këtyre familjeve kanë emigruar në Austri, në Belgjikë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetkë, kurse disa të tjerë  kanë migruar brenda vendit e janë vendosur në Sarandë e gjetkë.  Në mëhallën Meçaj banon një fis i shumtë në numër, me mbiemër Xhaferaj. Ky është fisi më i madh në numër e më i fuqishmi ekonomikisht e ndoshta me ndikim të madh në jetën politike e shoqërore të fshatit. Studimet me karakter historik hedhin dritë për faktin se ky komunitet është i ardhur, kohë më parë nga fshati Nivicë i Kurveleshit të Sipërm. Pinjolli i këtij fisi Zagoll Saliko Xhaferaj, dhe vëllezërit e tij, në vitet ’30 të shekullit të njezetë vunë shumë pasuri e gjë të gjallë dhe falë zgjuarsis dhe mençurisë të të parit të tyre, Zagollit, u zinte vend fjala, në kuvend, si në fshat dhe më gjerë.

Në Kalivaç të Tepelenës, nga koha në kohë, si rrjedhojë e lëvizjeve demografike kanë ikur, në vise të tjera të vendit ose kanë emigruar në vende të tjerë mjaft familje e individë. Ikanakët nga  kalivaçi u shtuan shumë veçanërisht pas eksodit masiv të pas viteve ‘90 të shekullit të njëzetë. Vende të preferuara për kalivaçasit kanë qenë sidomos Greqia, Italia, Turqia, vendet e zhvilluara të Europës, deri në Amerikën e largët e në kontinentin e Australisë. Ku nuk i gjen kalivaçasit trima e të zgjuar.

Disa mbiemra të veçantë, të paktë në numër, na thonë se në këtë fshat ka patur dhe ardhacakë të shkëputur, të cilët janë mbështetur tek të afërmit e tyre të një gjaku. Të tillë janë Isufajt, Shametajt, Rrapajt, Hoxhajt, Kananajt, çelajt, Hadërajt, Sakajt( Zenelajt), të cilët kanë zbritur në Ahmetaj, nga fisi i Muçoimajve të fshatit Toç, etj. Falë vlerave njerëzore të ardhacakëve dhe  bujarisë e fisnikërisë të vendasve, mes tyre ka sunduar paqja dhe mirëkuptimi. Kësisoj, kalivaçasit janë treguar tolerantë e dashamirë ndaj të ardhurve. Larg nga shfaqjet e racizmit e të ksenofobisë për të huajt, banorët e Kalivaçit të Tepelenës janë përpjekur për të ruajtur “pastërtinë“ e komunitetit të tyre. Por kjo nuk i ka penguar ata të lidhin krushqi e miqësi me të ardhurit, lidhje të cilat kanë rezultuar të suksesshme e jetëgjata. Veç krushqive, forcimit të unitetit mes vendasve dhe të ardhurve i kanë sjellë dobi dhe disa veprimtari të tjera jetësore si: vëllamëritë, kumtëritë, qinositë, argatëritë etj. të cilat kanë ardhur natyrshëm, kur i ka thirrur në skenë nevoja për tu lidhur me njëri- tjetrin.

Kalivaçasit, edhe kur mes tyre nuk kanë patur lidhje të natyrshme, mbi bazën e gjakut të njëjtë apo kur nuk kanë qenë të pleksur me krushqi, kanë kërkuar e kanë shfrytëzuar mundësi të shumta, për t’u lidhur me njëri-tjetrin, me  çfarë  u ka servirur jeta. Disa syresh janë paraqitur fare të thjeshta e të zakonshme në dukje por, në përmbajtje dobia e tyre ka qenë mjaft efektive. Gratë e fshatit, sidomos ato të “Pusit”, kur shkonin për të mbushur ujë, në burimet e ftohta të Donijes, tufa – tufa, me kazanë në kokë e varrjela në shpinë, gjatë udhës, e cila vajtje – ardhje ishte rreth një orë, bisedonin, njiheshin e miqësoheshin me njëra- tjetrën. Ato e kthenin bisedën, e cila niste thjeshtë e natyrshëm, për fëmijët, për punët e shtëpisë, për gatimet etj, në një bashkëbisedim të ngrohtë e të sinqertë. Në bisedat e tyre, veç  bisedave për fëmijët, për gatimin e ushqimit, ceknin dhe  marrëdhëniet me vjehrrat, temë kjo e mprehtë dhe e preferuar mes femrave, për kunatat e kunetërit, për shtrojet e mbulojet e shtëpisë, për raportin burrë – grua ( kuptohet, me rezerva); pse jo i tregonin njëra –tjetrës çfarë rroba të reja kanë blerë, gjat kohës që nuk janë parë,  ku i ka prerëe qepur, etj. Në një farë mënyre vajtja e grave në burim, për të mbushur ujëe kapërcente qëllimin dhe  kthehej në një “paradë mode” e këmbim përvoje. Këtej buronin disa miqësi të reja, mbi bazën e vullnetit të ndërsjelltë të dy e më shumë grave. Veprimtari të ngjashme ishin dhe vajtjet e përbashkëta të grave kalivaçase në korije, për të bërë dru zjarri apo për të prerë gjethe, për bagëtitë.

Burrat nga Kalivaçi, të cilët kishin sfera  më të gjera veprimtarish, “egjenin” njëri -tjetrin në aktivitete të tjerë jetësorë. Dihet që çobanëria, në të gjitha kohët, ka qenë profesioni i parë i kalivaçasve. Ky ishte dhe është një “profesion”, i cili trashëgohet e transmetohet, nga njëri brez në tjetrin. Në pamje të parë, na paraqitet tabloja sikur, një çoban jeton i vetmuar, me delet apo dhitë e tij që mbarështon dhe me një qen stani, në nomenë e tij. Deri këtu, ashtu është; nometë janë të veçanta e barinjtë bëjnë jetë baritore. Por, kullotat e tyre janë pranë njëra – tjetrës dhe barinjtë, të cilët rrinë në stan me ditë e netë të tëra, “ në pushim”, kur bagëtitë, të ngopura ose të detyruara nga vapa e padurueshme, në verë, “mblidhen “në një hije ku qendrojnë sa të kalojë vapa, afrohen me njëri – tjetrin e bisedojnë, sipas rastit. Në bisedat e tyre zinin vend shqetësimet për të përballuar vështirësitë e punës të çobanit, këmbenin eksperiencën vetjake lidhur me mbarështimin e blegtorisë, deri në detajet më të zakonshme, siç janë: dhënja e barit “me shkop”, këputja e qingjaveapo e   kecërrve, mendja e tyre, mjekimi i sëmundjeve të ndryshme tek bagëtitë, me ilaçe popullore, të përgatitura me barishtet e livadhit e të pyllit, deri tek parashikimi i motit, sipas shënjave që i njohin vetëm çobanët. Duke qëndruar e biseduar me njëri- tjetrin, ata, larg halleve e punëve të bujqësisë, veçmas familjeve të tyre, integroheshin në jetën e shoqi-shoqit, zinin shoqëri e miqësi, të cilat, më pas shtriheshin tek pjesëtarët e tjerë të familjeve të tyre.

Shkuarja në treg (Pazar ), për të blerë më tepër dhe, kur kishin, për të shitur ose shkëmbyer produktet blegtorale, si gjalpin, gjizën, urrëlën, leshin, lëkurët etj. me sende të nevojshme industriale, gjithmonë ka qenë njëra nga detyrat edorës së parë të mashkullit të shtëpisë. Kur familja përbëhej nga disa meshkuj, në treg shkonte ai që ishte më i dituri e më i prirë për të bërë tregti. Tregjet ku shkonin zakonisht kalivaçasit kanë qenë e janë në distanca të largëta nga fshati ynë. Për të shkuar në tregun e Fierit, në atë të Vlorës, në Këlcyrë, në  Berat, në Gjirokastër e ca më larg, në Shijak apo në Janinë, në kushtet kur rrugën e bënte me këmbë apo me kafshë dore, njëfshatari nga  kalivaçi i duhej të rrugëtonte, në këmbë, 5-6  e më tepër ditë ( natë), pandërprerë. Kur rrugën ishin të deryruar ta bënin me bagëti  të imëta përpara, rruga vazhdonte më gjatë. Merrnin ushqim me vete, për disa ditë, kalivaçasit, e varnin torbën me ushqim në kaptellin e samarit të kafshës së dorës dhe rrugëtonin, rrugë pa rrugë, nëpër monopate, sa të mbërrinin në treg. Torba, zakonisht kishte brenda ushqim të thatë, kryesisht bukë misri, trazake ose me ujë të valë dhe për gjellë kishin një top me  gjizë dhe një kokë qepë. Të kamurit ( të cilët në Kalivaç kanë qenë të pakët ), në torbën e bukës mund të kishin dhe ndonjë copë mish, të pjekure ndonjë botil me raki. Ky ishte një salltanet i madh i asaj kohe dhe ndeshej më rrallë tek fshatarët nga Kalivaçi.

Rrugët nëpër të cilat lëviznin kalivaçasit për të shkuar në treg kontrolloheshin nga lloj-lloj grabitësish, të armatosur e të mirëorganizuar. Shpesh, pre e grabitjeve të tyre bëheshin karvanët e tregtarëve, të qeraxhinjve etj, mes tyre dhe e kalivaçasve. Për të mbrojtur veten dhe gjënë, burrat nga  kalivaçi që merrnin udhën për në treg, lëviznin të shoqëruar nga një “ekskortë” me djem të zgjedhur e të armatosur; kuptohet, të paguar nga karvanarët. Në këta udhëtime të gjatë e të mundimshëm, burrat nga Kalivaçi i Tepelenës, sa më larg fshatit të tyre  të ndodheshin, aq më tepër qëndronin afër me njëri-tjetrin. Udhëtonin, shlodheshin, flinin, së bashku dhe bisedonin. Sipas rastit dhe afërsisë fisnore, duke folur çiltër, i hapnin zemrën shoqi – shoqit, qanin hallet e nxirrnin “dertet”, pinin duhan e dëftonin histori; nga jeta e tyre dhe të afërmve.  Shpesh, në këto udhëtime, mbasi njiheshin e i hynin në zemër  njëri-tjetrit, kur ishin në një “mide” ( lexo pikëpamje), mes kalivaçasve lindnin shoqëri  e miqësi të reja, mbi bazën e “besës së burrit “ e fjalës së dhënë. Duke shkuar në treg, disa herë lidheshin krushqi, ortakëri e miqësi, nga më të ndryshmet. Pra udhëtimi për në treg ishte një faktor uniteti që i afronte e i miqësonte banorët e Kalivaçit të Tepelenës.

Kalivaçasit, si gjithë të tjerët, në një moshë të caktuar, e cila, në periudha të ndryshme kohore ka qenë variabile, shkonin ushtar. Nën sundimin osman, shërbimi nizam, asqer etj. kryhej larg, shumë larg vendlindjes, deri në Jemen, ku, siç dëftonin të moçmit e fshatit tonë: “ piqet buka në diell”. Për më tepër shërbimi ishte tepër i shtrirë në kohë dhe i mundimshëm. Disa kalivaças, nuk janë kthyer fare në vatrat e tyre, por kanë mbetur andej, në dhe të huaj e nuk u dihet as varri. Por, kur kalivaçasi takonte bashkëfshatarin e tij, larg vendlindjes e përjetonin  të njëjtin fat, afrohej me të, lidhej ngushtë e përkrahnin njëri – tjetrin, me besnikëri, deri në sakrificë sublime. Duke kryer shërbimin ushtarak  së bashku, kalivaçasve u jepej një mundësi më tepër për t’u miqësuar epër tëkrijuar një lidhje të re shoqërore edhe pse jeta e tyre ishte e vështirë. Burrat nga Kalivaçi,  të njohur për burrëri e trimëri, i jepnin fjalën njëri – tjetrit, si miq dhe e vazhdonin miqësinë gjat gjithë jetës. Disa bëheshin krushq; të tjerë takseshin “vëllezër” me hajmali, ose, siç thonë në Kalivaç të Tepelenës bëheshin   “vëllezër, pa pjesë”. Kështu dhe në rastin kur dy kalivaças vuanin izolimin, në burgjet e tmerrshëm të kohës. Duke përballuar të njëjtin fat, kalivaçasit, kur”e gjenin fjalën” me njëri-tjetrin, afroheshin e miqësoheshin, duke i vazhduar lidhjet e miqësisë edhe pas kryerjes së dënimit.

Lidhjet mes kalivaçasve, të shtrira në kohë, kanë njohur larmi e vazhdimësi. Ato, edhe kur nuk kanë egzistuar në rrugë natyrale, janë sajuar, në forma të ndryshme pa përfillur pasurinë, pamjen, rrethanat përkatëse politike etj. Këto lidhje, si  faktorë afrimi e  bashkimi mes njerëzve, të zgjedhura nga vetë banorët e fshatit, pa ndërhyrje e ndikime nga jashtë, përballuan dyndjen e ashpër të ideologjizmave dhe të luftës së klasave, në vitet e Luftës së Dytë Botërore e të pas çlirimit të vendit tonë. Lidhjet, në forma të ndryshme, edhe sot e kësaj dite i afrojnë e i bashkojnë kalivaçasit, kudo që janë. Rrëfime të ndryshme, disa nga të cilët janë përfshirë në këtë studim, na bindin, besueshëm, për këtë.

Mund të themi, pa drojë se kalivaçasit, si njerëz të zgjuar, edhe në ata raste kur nuk kanë patur lidhje gjaku apo kur nuk mund të lidheshin me krushqi mes tyre kanë gjetur forma të tjera lidhjesh, origjinale dhe efektive, siç janë: Vëllamëritë, kumtëritë, qinositë, argatëritë, ortakëritë etj. Motivet dhe pretekstet kanë qenë të larmishëm, por, qëllimi, gjithmonë ka qënë i mirë- miqësimi. Në çdo rast është synuar forcimi i unitetit dhe ruajtaja e qetësisë mes njerëzve të komunitetit kalivaças.

Pa pretenduar se mund ti themi të gjitha, në këtë studim kemi bërë përpjekje për të evidencuar disa lidhje, të njohura e të panjohura, me mendimin e mirë që diçka të mbetet e shkruar, për ata që do të vijnë pas nesh. Këto e të tjera lidhje, janë vlerë e meritë e të parëve tanë; detyra jonë është: ti dimë e ti ruajmë ato, si gjëra të shënjta e ti forcojmë ato parreshtur, duke i pasuruar e transmetuar nga njëri brez, në tjetrin. Ai që nuk ka çfarë të shtojë, të paktën të mos shkatërrojë atë që kanë ndërtuar të tjerët. Qendrimi ndaj këtyre lidhjeve, ndoshta mund të jetë kuti për të matur atdhetarinë e këtyre ditëve të vështira e të tjerave që do të vijnë.

Disa nga lidhjet midis kalivaçasve, në të shkuarën dhe sot janë:

  • Ajkua, e bija e Zoto Xhelilit, nga Hasanbegajt, e martuar me Jashar Hysni Dëraj, nga Ahmetajt.
  • Arzihana, e bija e Mino Jaçes, nga Ahmetajt, martuar me Aliko Qazim Muharremaj, nga Hasanimerajt.
  • Aishja e Jashar Hysni Dëraj, nga Ahmetajt, martuar me Bilal Adem Malaj, nga Hasanimerajt.
  • Alija e Tahir Abaz Xhaferaj, nga Meçajt, e martuar me Haxhi Beshir Hysenaj, nga Hasanimerajt.
  • Bukurija e Xhelal Fejzo Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Liço Kapo Malaj, nga Beqirajt.
  • Behija e Resul Nelo Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Tefik Bajram Isufaj, nga Hasanimerajt.
  • Bebeja e Abedin Kahreman Hadëraj, nga Ahmetajt, martuar me Dajlan Xheladin Myftaraj, nga Hysodosajt.
  • Bena e Abedin Dane Malaj, nga Beqirajt, martuar me Tefik MehdinSulaj, nga Hysodosajt.
  • Bylyrja e Xhemal Matush Dulaj, nga Meçajt, martuar me Ali Demir Alidervishaj, nga Hysodosaj.
  • Arta e Yzeir Xhelo Hysaj, nga Bozanajt, martuar me Xhelil Ali Mahmutaj, nga Hasanbegajt.
  • Behua e Halim Beshir Hysenaj, nga Hasanimeraj, martuar me Bajram Malo Hysaj, nga Bozanajt.
  • Dylba e Hysen Mahmut Alidervishaj, nga Hysodosajt, martuar me Bektash Sako Sakaj (Zenelaj ), nga Ahmetajt.
  • Drita e Refat Mahmut Bilaj, nga Hasanimerajt, martuar me Moisi Gani Ramaj, nga Hysodosajt.
  • Erveheja e Azis Telha Azizaj, nga Hysodosajt, martuar me Nure Laze Hadëraj, nga Ahmetajt.
  • Feruzeja e Resul Nelo Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Sulçe Qazim Malaj, nga Hasanimerajt.
  • Floresha e Ymer Nexhipit, nga Hasanbegajt, martuar me Astrit Alidervishaj, nga Hysodosajt.
  • Edlira Qazo Ramaj, nga Hysodosajt, martuar me Muharrem Hajredin Agaj, nga Hasanimerajt.
  • Fatimeja e Shefit Qazim Muharremaj, nga Hasanimerajt, martuar me Qani Muharrem Malaj, nga Beqirajt.
  • Ganua, motër e Zenel Shahin Hysaj, nga Bozanajt, martuar me Mehmet Xhaferr Kananin, nga Hasanimerajt.
  • Fatimeja e Xhelal Fejzo Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Safet Ahmet Caushaj, nga Hasanimerajt.
  • Fatija e Nexhip Skëndo Rrapaj, nga Hysodosajt, martuar me Shahin Mane Zenelaj, nga Ahmetajt.
  • Fizja, e bija e Bajram Axhemit, nga Leshnja, martuar me Shaban Telha Shatrafilin, nga Ahmetajt.
  • Hamideja e Qamil Sulo Malaj, nga Beqirajt, martuar me Sabri Breshan Bejomalaj (Nelaj), nga Ahmetajt.
  • Hatemja, e bija e Musa Brahush Bilaj, nga Hasanimerajt, martuar me Qemal Sherif Zenelaj (Muçoimaj), nga Ahmetajt.
  • Fatija, hallua e Qamil Sulo Malaj, nga Beqirajt, martuar me Kamber Asllan Dëraj, nga Ahmetajt.
  • Gëzimja, e bija e Kadri Ali Hysaj, nga Bozanajt, martuar me Jashar Banush Hadëraj, nga Ahmetajt.
  • Mahmudeja, e bija e Halil Laze Malaj, nga Beqirajt, martuar me Nasip Hysen Alidervishaj, nga Hysodosajt.
  • Mushua, e bija e Musa Mehmet Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Refat Mahmut Bilaj, nga Hasanimerajt.
  • Melaizja, e bija e Beshir Haxhi Hysenaj, nga Hasanimerajt, martuar me Mete Medin Sulaj, nga Hysodosajt.
  • Havua e Kapllan Ago Agaj, nga Bozanajt, martuar me Azis Telha Azizaj, nga Hysodosajt.
  • Hasikoja, e bija e Pasho Durkë Hadërajt, nga Hasanimerajt, martuar me Zenel Novruz Zenelaj, nga Hasanbegajt.
  • Hankua, motër e Riza Kamber Dostaj, nga Bozanajt, martuar me Salih Haxhi Nelaj, nga Ahmetajt.
  • Hasimeja, e bija e Mino Jaçe Jaçaj (Nelaj), nga Ahmetajt, martuar me Azbi Bako Bakaj, nga Bozanajt.
  • Mina, e bija e Sadik Dajlan Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Seit Mane Alidervishaj, nga Hysodosajt.
  • Havaja, e bija e Maliq Breham Dulaj nga Hasanimerajt, martuar me Banush Xhezo Hadëraj, nga Ahmetajt.
  • Mbetja, e bija e Xhemal Haxhi Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Sulejman Musa Bilaj, nga Hasanimerajt.
  • Hyrija, e bija e Xheladin Dajlan Myftaraj, nga Hysodosajt, martuar me Xhemal Haxhi Nelaj, nga Ahmetajt.
  • Hankua, e bija e Sadik Dajlan Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Beqir Sulo Beqirin nga Hysodosajt.
  • Hatemja, e bija e Ago Muharrem Agaj, nga Bozanajt, martuar me Mehmet Hysen Hysenaj, nga Leshnja.
  • Nasibeja, e bija e Azis Ramo Kalemaj, nga Hasanimeraj, martuar me Zyber Hasim Hysaj, nga Bozanajt.
  • Nasua e Maliq Brehamit, nga Hasanimerajt, motër e Nazif Muharremit, nga Bozanajt.
  • Nurija, gruaja e Zoto Halil Ramaj, nga Hysodosajt, motër e Bilbil Bolos, nga Ahmetajt.
  • Nurishaja, e bija e Idriz Ago Agajt, nga Bozanajt, martuar me Kalo Qazo Ramaj, nga Hysodosajt.
  • Jemineja, gruaja e Malko Bino Nelajt, nga Ahmetajt ishte hallë e Jaçe Sadik Azizaj, nga Hysodosajt.
  • Nasibeja, e bija e Ahmet Fejzo Pashaj, nga Hysodosajt, martuar me Teki Sherif Zenelaj (Muçoimaj), nga Ahmetajt.
  • Rubija, e bija e Muharrem Hasan Nelaj, nga Ahmetaj, martuar me Hetem Nexhip Rrapaj, nga Hysodosajt.
  • Rruhija, gruaja e Haxhi Jonuzit, nga Meçajt, motër e Muharrem Ismailit, nga Beqirajt.
  • Lutfija, e bija e Nexhip Skëndo Rrapaj, nga Hysodosajt, martuar me Selman Resul Nelaj, nga Ahmetajt.
  • Naileja, e bija e Ahmet Selfo Zenelaj, nga Ahmetajt, martuar me Hajredin çizo Agaj, nga Hasanimerajt.
  • Rronja e shoqja e Fejzo Qazim Muharremajt, nga Hasanimerajt, mbesëe Qazim Tafil Zenelaj, nga Ahmetajt.
  • Lulja, e bija e Azbi Bako Bakaj, nga Bozanajt, martuar me Rrapo Dano Takaj, nga Hasanbegajt.
  • Liria, e bija e Manxhar Azbi Ramaj, nga Hysodosajt, martuar me Muharrem Nebi Caushaj, nga Specova.
  • Këzja, gruaja e Xhemal Banush Hysenaj, nga Hasanimeraj, motër e Nazif Muharrem Dostaj, nga Bozanaj.
  • Sanija, e bija e Mete Medin Sulaj, nga Hysodosajt, martuar me Tahir Muharrem Nelaj, nga Ahmetajt.
  • Sadua, e bija e MEHMET Salihut, nga Ahmetajt, martuar me Hysen Mahmut Alidervishaj, nga Hysodosajt.
  • Tajanja, e bija e Zagoll Saliko Xhaferraj, nga Meçajt, martuar me Muharrem Kamber Dëraj, nga Ahmetajt.
  • Tajanja, e bija e Xhelil Mahmut Mahmutaj, nga Hasanbegajt, martuar me Ahmet Selfo Zenelaj, nga Ahmetajt.
  • Kushulla, e bija e Bajram Rushan Muharremaj, nga Hasanimerajt, martuar me Nelo Resmi Nelaj, nga Ahmetajt.
  • Sadefja, motra e Banush Xhezo Hadëraj, nga Ahmetajt, nënë e Arif Qamil Sulaj, nga Hysodosajt.
  • Shaza, gruaja e Novruz Selfo Zenelaj, nga Ahmetajt, e bija e Zakë Sulçe Malaj, nga Beqirajt.
  • Xhevairja, e bija e Nasip Hysen Alidervishaj, nga Hysodosajt, martuar me Ramadan Banush Hadëraj, nga Ahmetajt.
  • Yzemeja, e bija e Xhemal Haxhi Nelaj, nga Ahmetajt, martuar me Rexhep Abedin Malaj, nga Beqirajt.
  • Selvija, e bija e Ahmet Selfo Zenelaj, nga Ahmetajt, martuar me Refat Demir Alidervishaj nga Hysodosajt.
  • Xhemilja, e bija e Ahmet Selfo Zenelaj, nga Ahmetajt, martuar me Nuri Hamza Mehmetajt, nga Ruçi.
  • Samua, e bija e Medin Selim Hysenajt, nga Leshnja, martuar me Breshan Fejzo Nelaj(Bejomalaj), nga Ahmetajt.
  • Vezikua, e bija e Musa Deloisufaj, nga Hasanimerajt, martuar me Muharrem Qerim Mehmetajt, nga Ruçi.
  • Selvija e Mersin Hoxhaj, martuar me Ismail Mane Malaj, nga Beqirajt.
  • Vezikua, gruaja e Qazim Laze Malaj, nga Hasanimerajt, e bija e Ago Agaj, ( Babait të Idriz Agos) nga Bozanajt.
  • Fatimeja, e bija e Zagoll Saliko Xhaferraj, nga Meçajt, martuar me Ago Mersin Hoxhaj, nga Hysodosajt.
  • Mjaftimja, e bija e çizo Azis Xhaferraj, nga Meçajt, martuar me Remzi Veledin Kapaj, (Nelaj), nga Ahmetajt.
  • Zylfija, e bija e Bajram Delos, nga Hasanimerajt, martuar me Selman Xhaferr Ramaj, nga Hysodosajt.
  • Bajrami, i biri i Tahir Abazit, nga Meçajt, martuar me të bijën e Sulo Bajram Hysajt, nga Bozanajt.
  • Zyrakua, e bija e Jashar Hysni Dëraj, nga Ahmetajt, martuar me Petrit Sheme Zenelaj, nga Hasanbegajt.
  • Qamilja, e bija e Ahmet Fejzo Pashaj, nga Hysodosajt, martuar me Selfo Ali Hysaj, nga Bozanajt. Shaza, e bija e Beshir Haxhi Hysenaj, nga Hasanimerajt, martuar me Sulo Bajram Hysaj, nga Bozanajt.
  • Vjollca, e bija e Veli Ahmet Pashaj nga Hysodosajt, martuar me Pertef Reshat Nelaj, nga Ahmetajt.
  • Vezikua, e bija e Muharrem Adushit, nga Hasanbegajt, martuar me Ali Ahmet Caushaj, nga Hasanimerajt.
  • Zengjinja, e bija e Riza Kamber Dostaj, nga Bozanajt, martuar me Veip Beshir Hysenaj, nga Hasanimerajt.
  • Zonja, e bija e Nezir Isuf Jaçaj(Nelaj), nga Ahmetajt, martuar me Qamil Sulon, nga Leshnja.
  • Yzemeja, e bija e Xhemal Haxhi Nelaj, martuar me Rexhep Abedin Malaj, nga Beqirajt.
  • Xhipja, e bija e Abedin Dane Malaj, nga Beqirajt, martuar me Hamit Caush Muharremaj, nga Hasanimerajt.
  • Zadekua, gruaja e Nelo Bino Nelajt, nga Ahmetajt, ka qenë bijë në Brehamaj të Hasanimerajve.
  • Selvija, motër e Alush Xhezos, nga Hasanimerajt, martuar me Selfo Mane Alidervishaj, nga Hysodosajt.
  • Havakoja, e bija e Zoto Xhelilit, nga Hasanbegajt, u martua me te birin e Veip Beshir Hysenaj, Xhaferrin. Nga kjo martesë u lidhën me miqësi, në shkallë të ndryshme, mjaft familje kalivaçase.
  • Xhevua, e bija e Ago Manxhar Çelaj, nga Hasanbegajt, u martua me Kasëm Xhemal Nelaj, nga Ahmetaj.
  • Xhvua, e bija e Muharrem Mehmet Ramaj, nga Hysodosaj, martuar me Dine Xhelal Nelaj ( Bejomalaj), ne Ahmetaj.
  • Halimeja, e bija e Kamber Asllanit, nga Ahmetajt, martuar me Deit Durke Haderaj, nga Hasanimerajt.
  • Qemua, e motra e Muharrem Haxhi Hysenaj, ishte nena e Veiz e Rrapo Dano Takaj. etj.

Me gjithë përpjekjet, është mjaft e vështirë të evidencohen të gjitha lidhjet, me martesa të banorëve të Kalivaçit, në vite. Këto vështirësi shtohen, po të tentohet të paraqiten lidhjet e reja,  mes të rinjve të kohëve të fundit. Natyrshëm, nëpërmjet simpatisë për njëri-tjetrin, disa të rinj e të reja, pavarësisht nga raportet mes tyre, janë lidhur me martesë, mbi bazën e dashurisë, lidhje,  të cilat kanë rezultuar fatlume. Në Ketë çështje ja vlen të thuhet se, me një martesë, vërtet lidheshin dy të rinj e dy familje, por, siç i thonë një fjale: “ Dy martohen e njëqint gëzohen”! Familjet që lidheshin me krushqi të re, ishin të lidhura, në formë zinxhiri me familje të tjera. Po të shtojmë këtu, kumtëritë; vëllamëritë; qinositëdhe lidhje të tjera, dilte që, në Kalivaç, në një formë apo në një tjetër, të gjithë njerëzit ishin diçka me njëri-tjetrin. Këto lidhje e kanë” mbajtur” fshatin tonë në një unitet të shëndoshë, i cili i ka rezistuar çdo kohe. Po ti referohemi praktikës  vetëm me një lidhje  shtohen disa të tjera. Shëmbull: Bena ishte motër e Rexhep Abedinit dhe e Xhipes së Hamit Caushit. Mirëpo Rexhep Abedini ishte i martuar me Yzemenë, të bijën e Xhemal Haxhiut. Mbetja, e bija e Xhemal Haxhiut ishte e martruar me Sulo Musa Bilaj; Gruaja e Xhemal Haxhiut ishte e bija e Xheladin Dalanit. Dalan Xheladini  kishte krushqi ME Abedin Kahremanin e kështu; njëri pas tjetrit futeshin në lidhje mjaft familje kalivaçase.

Mund të ketë dhe lidhje të tjera me martesë, të cilat janë lënë jashtë këtij studimi, të cilat mesiguri do të pasurohen nga ata që do të vijnë, pas nesh. Por, mes kalivaçasve, nuk kanë qenë të pakta vëllamëritë, me motive të ndryshme qëllimmira. Kështu:

-Teki  Sherif Zenelaj, ( Muçoimaj), u taks vëllam, pa pjesë, me Hamit Ziflo Pashaj, për shkak të qinosisë që kishin dy familjet;

– Malo Bajram Hysaj, ishte vëllam me Ahmet Selfo Zenelaj dhe me Xhemal Haxhi Nelaj;

– Ferrik Azis Alidervishaj, me Novruz Tahir Llakaj;

– Ali Xhelil Mahmutaj, me Gani Dasho Caushaj;

– Xhevit Malko Nelaj, me Muharrem Haxhi Hysenaj etj.

Të shumta kanë qenë kumtëritë dhe veprimtari të tjera miqesore, me karakter forcimin e miqësisë e të unitetit mes komunitetit kalivaças. Eshtë në nderin e çdo kalivaçasi ti çojë më tej këto dukuri pozitive që na kanë lënë të parët tanë, si një buqetë melule, të freskëta.

Dy fjale për gjeografinë e lidhjeve me krushqi dhe miqësi të tjera të kalivaçasve:

Në Kalivaç të Tepelenës, prej kohësh ka qarkulluar një thënie e lashtë, sipas të cilës  “Miqësia ngjan, pa bëhet”! Po ta gjykosh, hollë- hollë, në këtë thënje, e cila ka brenda një mentalitet konkret, banorët e Kalivaçit janë lidhur me krushqi e me lidhje të tjera miqësore, me banorë të trevës, por dhe me të largët. Kriter bazë, për lidhjet e tyre ka qenë mentaliteti dhe zakonet e perafërta. Ethënë siç përdoret në Kalivaç, lidhem me atë që më haet muhabeti ose që më puqet karakteri. Parë në këtë prizëm, po te vemë re, me kujdes, veshjen, kengën, vallen, te folurit, te ndënjurit, të ecurit, të ushqyerit, zakonet dhe psikologjinë e njerëzve, në rrjedhën e viteve, kalivaçasit kanë preferuar të lidhen me përtejasit. Ky sllogan përdoret për të dëftuar ata që banojnë në Jug të lumit të Viosës. Konkretisht, miqësitë, në më të shumtën e herës, janë lidhur me banorët e Shkozës; Sevasterit, Golimasit, Dushkarakut, Dorzës, Dhemblanit, fshatrave të tjerë të Lopësit, deri në Salari. Kanë dhënë vajza e kanë marrë nused, nga këta fshatra të Labërisë. Ka ndodhur kështu, mbasi, kur shkonte miku tek miku, gjente një mjedis  siç e kishte lënë në shtëpinë e tij. Takimi ( pjekja), në udhë apo në shtëpi bëhej njëlloj, duke u puthur, në buzë, si nga meshkujt dhe nga femrat. Madje, edhe femrat, kur takoheshin me burra të gjakut të tyre, putheshin në buzë. Urimi, kur servirej rakia apo kafeja, ishte me te njëjtat fjalë ( togfjalësh). Kënga, vallja, ushqimi etj, ishin të njëjtë; ashtu si dhe veshja ngjasonte shumë.

Në vend të dytë vjnë lidhjet e krushqisë e të miqësisë, me banorët e fsharit Çorrush; Kutë e Fratar. Me banorët e këtyre fshatrave puqeshin në zakone e doke dhe në mentalitet e psikologji. Në Çorrush e më pak në Kutë, kalivaçasit kanë dhënë ( martuar) vajza e kanë marrë nuse  edhe për faktin se janë njerëz me sjellje më të “ butë” e janë amvisa të mira.

Për shkak të afërsisë gjeografike  dhe mentalitetit të përafërt, miqësitë dhe krushqitë me fshatarë nga Krahësi; Toçi e fshati Anelumit, krushqitë dhe miqësitë kanë patur vijimësi. Më të rralla kanë qenë martesat, miqësitë e lidhjet me fshatra të “ malësisë “, ku, sipas mentalitetit kalivaças futen: Amanikajt; Koshtani; Xhaxhajt; Kamçishti; Gllava; Rabija; Izvori, Zhapokika etj. Sipas një mentaliteti kalivaças, femrat e këtyre fshatrave  dallohen për cilësi në gtimin e gjellëve.

Martesat me të largët kanë qenë vetëm përjashtime. Kjo nuk ka të bëjë me preferencat territoriale, po me largesinë. Kur një familje nga Kalivaçi e martonte vajzën në Shkozë, Në Çorrush apo në Krahës dhe kishte nevojë për të bijën, mjafton të dërgonte tek ajo një fëmijë ose të bërtiste në anë të lumit dhe mund të komunikonte me miqtë. Edhe brendapërbrenda fshatit, përveç  sa u theksua më lart, afërsia për t’u ndodhur në çdo kohë ishte faktori determinues.

Kohët e reja kanë sjellë me vete ndryshime të ndjeshme, edhe përsa i takon lidhjes me krushqi e miqesive, por tradita vazhdon e ajo përtërihet me elementë të rinj. Lehtësirat në komunikim e në transport kanë bërë të mundur martesa mes të rinjve nga vise të largët e kjo punë nuk njeh  e nuk mund ti ngrihen gjerdhe.