Bima e grurit i përket familjes së graminacave dhe është bimë që i takon kultivimit në stinën e ftohtë të dimrit. Dikush që është marrë me studimin e kulturave të arave, ku hyn dhe kultivari i grurit, e ka quajtur atë bimë heroike. Një përcaktim i këtillë lidhet me faktin se gruri mbillet, rritet e i shërbehet fare pak, dhe në stinën e vështirë, të ftohtë të dimrit. Ndoshta "nofka" e mësipërme ka të bëjë dhe me faktin që bima në fjalë nuk ka preferenca të posaçme lidhur me klimën dhe tokën. Grurë mbjellin e kultivojnë kudo, në vendin tonë dhe në botë.
Pozicioni gjeografik i Kalivaçit, përbërja fiziko-kimike e tokës dhe klima në këtë trevë e rreth saj favorizojnë kultivimin e grurit dhe marrjen e rendimenteve të kënaqshme prej tij. Megjithëse kushtet për rritjen e grurit janë të favorshme, para formimit të kooperativës bujqësore të fshatit, në Kalivaç të Tepelenës mbilleshin me grurë vetëm 9o ha tokë dhe rendimenti për hektar ishte i ulët = 4.5 kv/ha. Shkak për këtë ishte bërë punimi i tokës në mënyrë primitive (me parmendë), fara jo e zgjedhur, mungesa e qarkullimit bujqësor, shërbimet kulturore të pamjaftueshme, korrja dhe shirja me mjete primitive e me shumë firo, etj. Sot, jo vetëm që është rritur sipërfaqja e mbjellë, por janë rritur, dukshëm rendimentet për ha. Nga arat e mbjella me grurë, sot merren mbi 25 kv/ha.
Ushqimi i popullsisë së Kalivaçit me bukë gruri e nënprodukte të tij, ka përmirësuar strukturën e të ushqyerit gjë që ka sjellë shëndet më të mirë tek njerëzit e për rrjedhojë është shtuar fuqia e tyre për të punuar. Gruri dhe nënproduktet e tij kanë gjetur përdorim të gjerë në menynë e në tavolinat e kalivaçasve. Me miellin e grurit gatuhet buka, si ushqimi bazë i fshatarëve tanë. Buka e grurit mund të gatuhet në formën e çyrekut, kulaçit, etj. Me miell gruri përgatiten dhe mjaft nënprodukte ushqimore. Në Kalivaç gjen përdorim të gjerë tehollja e byrekut, petët e të cilit përgatiten me miell gruri. Me petët e grurit përgatiten yshmëri, një gatim i veçantë karakteristik i trevës, kalimari dhe petët e thara, për t’i shfrytëzuar si ushqim gjatë stinës së dimrit.
Kohë më parë, gratë duararta të Kalivaçit, me miellin e grurit, hollonin petë, i prisnin ato në shirita rreth 1 cm të gjerë, i thanin në hije dhe i ruanin për dimër, për t’i përdorur si ushqim në vend të makaronave. Ushqimi i përgatitur kësisoj quhet rishte.
Me miell gruri përgatiten petullat, aq të preferuara nga bashkëfshatarët tanë; bëhet qullapitja, një gatim karakteristik, bëhen rosnicat, trahanaja e thartë dhe e ëmbël etj. Kohë më parë, amvisa të afta e të shquara në fushën e përgatitjes së zaireve të dimrit, me kokrra gruri të copëtuara, të ziera, përgatitnin bollgurin, i cili, në sofrat kalivaçase zëvendësonte orizin. Një varietet gruri i veçantë, është përdorur e përdoret për të përgatitur ashuren, një gatim mjaft i preferuar për bektashinjtë. Bujku kalivaças si dhe të tjerët e shikojnë me shumë interes kultivimin e grurit, jo vetëm për ato që u përmendën më sipër, por dhe për faktin që gruri, i tharë mirë, ruhet më lehtë, në hambarë, në thasë apo në hararë, e gjatë ruajtjes nuk ka nevojë për shërbime plotësuese e për ndonjë kujdes të veçantë.
Koha e mbjelljes së grurit është muaji nëntor e gjysma e parë e muajit dhjetor, të çdo viti. Në raste të veçanta, kur moti është shumë i lagësht, bujqit mund të lëvizin, pa problem nga këto afate. Nuk e cilësuam kot faktin që gruri është quajtur bimë "heroike". Në raste të veçanta, kur sipërfaqja ku do të mbillet gruri është e inonduar dhe toka i është nënshtruar punimit të parë, lejohet të hidhet fara e pas saj, me ndihmën e pendëve të qeve bëhet përzierja e farës së hedhur në tokë me llumin e krijuar nga balta dhe uji.
Kur uji liron tokën e sipërfaqja teret, fara e grurit mbin. Pas mbirjes, bujku kontrollon nëse bimët janë uniforme (me dendësi të njëjtë), dhe atje ku ka boshllëk bën mbjellje plotësuese, me po atë varietet. Nuk po futem në varietetet e grunjërave që mbillen në Kalivaç mbasi ato janë të njohura e në ndryshim të pandërprerë. Kërkesë konstante është që fara e grurit, para se të hidhet në tokë, duhet të zgjidhet me kujdes, në përshtatje me përbërjen fiziko-kimike të tokës, kullimin e parcelës, pozicionin e saj në krahasim me diellin dhe domosdo fara të jetë e pastër nga barërat e këqija e nga përzierës të tjerë dhe e dezinfektuar. Është e rekomanduar që fara e grurit, para mbjelljes, të dezinfektohet me preparate kimike që luftojnë parazitët dhe infeksionet. Fara e grurit ruhet në vende e në kushte të tjera, të veçanta, krahasuar me sasinë e grurit që përdoret për ushqim.
Sa i takon punimit të tokës para mbjelljes së grurit, nuk është se kërkohet ndonjë shpenzim e mobilizim i veçantë. Mjafton t’i jetë hedhur arës që do të mbillet me grurë një sasi e caktuar plehu organik ose superfosfati, siç përcaktohet në Kodin Agroteknik. Gjatë muajve të dimrit, bima e grurit rritet ngadalë, shumë ngadalë e njerëzit nuk e vënë re këtë rritje. Vetëm në pranverë, kur moti ngrohet, dhe toka "vjen", si brumi me të cilin do të gatuhet një çyrek, gruri, si bari, gjallërohet e nis të vëllazërojë duke nxjerrë filiza të tjerë.
Një bujk i mirë, për ta ndihmuar bimën që të rritet, në këtë fazë, ndërhyn. Ai bën plehërimin suplementar të sipërfaqes së tokës së mbjellë me grurë me pleh kimik të tipit Nitrat Amoni. Në fazën e vëllazërimit, kur bima e grurit nis të dendësohet, duke shtuar rizomat, disa bujq, "me njohuri", i shtojnë bimës një shërbim mjaft të dobishëm. Ata, me një shat të vogël, me veshë në njërën anë, bëjnë prashitjen e bimës së grurit, duke nxitur procesin e vëllazërimit.
Pas kësaj, bima e grurit merr vrull e rritet më shpejt. Aty nga fundi i muajit maj, gruri nxjerr kallinë. Një filiz, si rregull nxjerr një kalli. Kalliri i grurit ka gjatësi të ndryshme. Më të zakonshmit janë 10-12 cm të gjatë. Kokrra e grurit është e mbështjellë me kashtë e cila përfundon me një halë.
Hala e grurit është në fakt mburojë ndaj faktorëve dëmtues të jashtëm. Me ngrohjen e motit si pasojë e rritjes së temperaturave të ajrit, kur kalliri i grurit është rritur mjaftueshëm e kokrra brenda ka arritur pjekjen e qumështit, nis procesi i zverdhjes së grurit.
Pjekja e grurit kalon nëpër dy faza. E para është pjekja e dyllit.
Në këtë fazë bima e grurit është rritur në një lartësi rreth 120 cm, ka një kalli të plotë; kokrra brenda tij është forcuar dhe ngjyra e bimës është e verdhë. Bima e grurit vërtet nuk kërkon shumë shërbime por atë e sulmojnë mjaft armiq. Ndër armiqtë kryesorë të grurit janë shpendët. Në fazën e pjekjes së dyllit, kur kokrra e grurit është rritur e forcuar, shpendët e të gjitha llojeve, duke e gjetur bimën të pambrojtur, i sulen, me egërsi dhe, më tepër e shkoqin përdhe; më pak e hanë. Dëmi prej shpendëve është i konsiderueshëm. Për ta mbrojtur grurin nga shpendët futet në lojë bujku.
Kuptohet, këtë e bën një bujk i kujdesshëm e i mençur. Ai merr disa lecka, i lidh në majë të një shkopi, lartësia e të cilit del mbi nivelin e parcelës me grurë (më i gjatë se bima e grurit). Këto sajesa, bujku i vendos nëpër grurore, në distancë sa t’ia marrë mendja atij vetë. Në Kalivaç, këtyre tip dordolecëve u thonë "Dervishë". Ky lloj mbrojtjeje, vërtet është e thjeshtë por jo pa rezultat.
Në vite bujqësore jo të mbara, kur rezervat ushqimore (në drithëra buke) ishin në mbarim, bashkëfshatarët tanë me zor prisnin të bëhej gruri për të korrur. Disa, të ndodhur në kushtet e nevojës ekstreme, pa pritur pjekjen e bimës së grurit e korrnin atë në fazën e dyllit. Në vatrat ku bima ishte më e zhvilluar e ku kallinjtë ishin zverdhur, gratë këputnin kallinj të veçantë, nga më të shëndoshët, i mblidhnin ata, siç mbledh flokët, pas kokës një vajzë, e me to formonin kite. Bishti i grurit të prerë ishte i gjatë rreth 50 cm e trashësia aq sa ta nxinte dora. Bishtat e grurit plekseshin si gërshetë. Kitet me grurë piqeshin në zjarr, u digjeshin halat, pastaj kokrrat shkoqeshin e gruri, gjysmë i pjekur shijohej nga fukarenjtë.
Kjo ishte një mënyrë për të shuar urinë, derisa të korrej e gjithë parcela e mbjellë me grurë. Korrja e grurit në Kalivaç kryhet në fazën e pjekjes ekonomike të tij. Me pjekje ekonomike kuptojmë fazën kur kokrrat e grurit janë mjaftueshëm të fryra, kokrra është e fortë, ngjyra e verdhë dhe kokrra mund të bluhet në mulli. Por, në këtë fazë pjekja e grurit nuk është aq sa ajo të riprodhojë vetveten. Duhet të arrihet pjekja fiziologjike që kokrra e grurit të bëjë riprodhimin.
Kur bujku përcakton se parcela e mbjellë me grurë mund të korret merr disa masa organizative për të përballuar fushatën. Parcelat që janë të mbjella me grurë, në Kalivaç, për arsye se kushtet janë të përafërta, piqen, afërsisht në të njëjtën kohë. Kësisoj korrja e grurit merr një dimension tjetër, më të madh. Bujku, para së gjithash përcakton nëse sipërfaqen me grurë mund ta korrë vetë, së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes apo duhet të thërresë në ndihmë njerëz të fisit, të mëhallës ose, po të mos mjaftojnë këta, të shtrihet dhe më tej, në fshat. Domosdoshmërisht përcaktohet dhe lëmi ku gruri do të shihet. Korrja e grurit fillon herët në mëngjes.
Argatët, ata që janë thirrur për ndihmë nga i zoti i shtëpisë paraqiten në vendin e caktuar, në orën e caktuar, me drapërinj në dorë. Secili ka drapërin e tij. Si rregull, për argatë ftohen meshkujt dhe puna që do të bëjnë atë ditë nuk shpërblehet. Bëhet fjalë për pagesë në të holla ose në natyrë, menjëherë. I zoti i shtëpisë ua njeh si detyrim të vetin të ftuarve dhe do t’ua shpërblejë në raste të tjera, duke punuar në të njëjtën mënyrë, pa shpërblim, në punë të ndryshme. Mund të themi se mes komunitetit kemi një këmbim shërbimi, me punë të ndryshme.
Ata që vinin për ndihmë për të korrur grurin, doemos lipset të zotërojnë mjeshtërinë e korrjes së grurit, me drapër. Nuk është punë e lehtë të korrurit e grurit me drapër. Bima pritet në të njëjtën lartësi nga sipërfaqja e tokës, e cila është afërsisht 10-15 cm. Përveç kësaj, aq sa të kapë dora e majtë, e mbledh me drapër dhe, me njërën dorë mban bimën e grurit që do të pritet; me tjetrën mban drapërin, me të cilin pret bimët. Bima e grurit është me kalli, në krye e ai mund të shkoqet, ndaj mbahet lehtë e pritet lehtë. Disa bimë me grurë të prerë vendosen njëra mbi tjetrën, me kujdes, që të mos shkoqen derisa të formohet një demek.
Demeku formohet me aq dorëza gruri sa njeriu të mund ta mbajë lehtësisht në krah. Demekët lidhen me një lidhëse të përgatitur posaçërisht, prej xane ose nga kashta e grurit që do të korret. Lidhja e demekëve, të cilët quhen dhe duaj, kryhet në mënyrë që bimët e korrura të mos hallakaten e të mos shkoqen.
Kur janë korrur e lidhur shumë demekë, me ta formohen disa pirgje nëpër arë, për të pritur transportimin e tyre në lëmë. Korrja e grurit bëhet herët në mëngjes, kur akoma ka vesë, në mënyrë që kokrrat e grurit të mos shkoqen. Transportimi i duajve në lëmë, gjithashtu bëhet herët në mëngjes, pa ikur vesa, për të njëjtën arsye. Ditën e korrjes së grurit, e zonja e shtëpisë dhe e gjithë familja kanë gëzim; gëzimin e prodhimit të ri të bukës. Gjatë kohës kur korrësit ishin të angazhuar me punë, për korrjen e grurit në arë, nikoqirja u bënte gati drekën, të cilën e çonte në arë. Aty, nën hijen e ndonjë peme, në natyrë, mes kallamishteve, shtrohej dreka e korrjes së grurit.
Pa pajisje të posaçme e pa salltanete, shtrohej një mbulesë në tokë e ashtu hahej dreka. Në menynë e drekës së korrjeve shtrohej një çyrek (bukë gruri e veçantë), një çorbë, një yshmer, një tas me kos dhe një ëmbëlsirë (revani ose kalimar). Në çdo rast një zog pule me rosnica nuk mungonte. Transportimi i demekëve të grurit bëhej me kuaj. Mbi një kalë, gomar, mushkë, me samar në kurriz ngarkohen demekët, zakonisht me gjithë kallinj. Çdo demek shtrëngohet me litarin e vet, i cili është i pleksur në kaptellin e samarit.
Kafsha e ngarkuar me demekë gruri, nën drejtimin e të zotit, i çonte demekët e grurit në lëmë. Në Kalivaç, të paktën në mëhallet e "Pusit", çdo shtëpi kishte lëmin e vet. Duajt e grurit të korrur stivoseshin në një cep të lëmit, jashtë tij, në stiva të larta 2-3 m. Transportimi pranë lëmit bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që të lirohen parcelat e toka të shfrytëzohet për qëllime të tjera.
Por puna e korrjes nuk mbaron këtu. Një korrës gruri me drapër sado i kujdesshëm e i specializuar të jetë nuk mund të mos lërë pas kallinj të shkëputur, nëpër arë.
Pas korrjes, pronari i parcelës organizon mbledhjen e kallinjve të grurit, me të tijtë ose me të tjerë. Kur sipërfaqja e mbjellë me grurë është e konsiderueshme dhe mbledhja e kallinjve nuk mund të përballohet nga familja, pajtohet një grua hallexhie (nënë e fëmijëve jetimë ose që është në fukarallëk të skajshëm), e cila mbledh kallinjtë, kundrejt pagës në të holla, ose në natyrë. Shpërblimi në të holla bëhej sipas sipërfaqes kurse në natyrë – sipas sasisë së grurit që mblidhej.
Kishte gra të veja në Kalivaç, të cilat, duke punuar për korrjen e grurit të botës ose duke mbledhur kallinj në parcelat e korrura, të të tjerëve, kanë rritur fëmijët jetimë. Të tilla gra, në Kalivaç ka pasur shumë por heroina të vërteta kanë qenë Zonja e Vogël e Resmi Nelos, e cila lidhi shaminë e zezë në kokë, kur ishte njëzet vjeçe, pas vdekjes së burrit dhe, me të korrat e botës e me kallinjtë që mblidhte rriti dy djem: Reshatin dhe Nelon. Punëtore e madhe dhe burrëreshë ishte Ganua e Mehmet Xhaferit, e cila, gjatë kohës që banonte në Kalivaç dhe kur u shpërngul në Selenicë, me shumë sakrifica e përkushtim u bë nënë e babë për fëmijët e saj dhe mbeti një shembull i gjallë për gratë e tjera të fshatit e më gjerë. Gruroret e Kalivaçit kanë njohur dhe gra si nënë Vezikua e Hasim Malos, e cila, me djersën e ballit e me shumë mundime rriti tri palë fëmijë, duke i zbardhur faqen vetes dhe fshatit. Po të ndjekim këtë vijë do të numërojmë mjaft gra të tjera, të cilat, drapërin në dorë e kanë pasur si kërrabën që kishte çdo bari në Kalivaç. Mbledhja e kallinjve të grurit, ashtu si vetë korrja e tij, niste në orët e para të mëngjesit, mbasi kishte zbardhur dita, kur kallinjtë dukeshin me sy dhe përfundonte kur dita nxehej e vesa kishte ikur.
Kallinjtë e mbledhur, gruaja i bënte kite, të mëdha aq sa të kapeshin me të dyja duart, me kallinj lart e me fije të pleksura si gërshetë. Kitet me kallinj gruri, si rregull grumbulloheshin diku në anë të arës, dhe, sipas rastit, ose rriheshin me shkop, aty, në arë, ose i futnin në mes të demekëve e i shinin së toku me ta.
Dita kur shihej gruri, në lëmë shndërrohej në një festë të vërtetë, si për familjen të cilës i përkiste gruri që shihej dhe për komunitetin që e rrethonte. Lëmë kishte thuajse çdo shtëpi, në Kalivaç por, për ndërtimin e tyre kishte disa rregulla të njohura nga të gjithë dhe të detyrueshme për t’u zbatuar. Para së gjithash lëmi duhet të ishte i ekspozuar sa më mirë ndaj erës. Në kuptimin që era lipset të fryjë me furi, në mënyrë që, duke e hedhur në veri grurin, era të ndihmonte që kashta të ndahej lehtë nga kokrrat. Në afërsi të vendit ku ndërtohet lëmi nuk duhet të ketë pemë të larta e pengesa të tjera që të pengojnë erën. Lëmi mund të ndërtohet mbi çdo truall, në afërsi të parcelave të mbjella me grurë.
Sipërfaqja e lëmit lipset të jetë e sheshtë dhe trualli i ngjeshur fort, me tokmak. Në raste të veçanta, në vartësi nga kapitali që ka fshatari, lëmi mund të vishet me pllaka guri të bardhë, të cilat, në Kalivaç gjenden lehtë. I shtruar me pllaka guri ka qenë lëmi i Halim Beshirit; ai i Sulo Beqirit; i Azbi Bakos, i Zagoll Salikos, i Rrapo e Veiz Danos etj. Rrezja e lëmit duhet të jetë afërsisht 4-5 m. Në qendër të lëmit ngulet një hu, i fortë, i gjatë rreth 1.5 m. Rreth këtij huri, të cilin bujqit e kalivaçit e quajnë strumbullar, vërtitet kali që shin lëmin, i lidhur pas një litari, pak më të gjatë nga rrezja e lëmit. Shirja e grurit kërkon mjaft punë e nuk mund të përballohet nga familja bujqësore. Prandaj, atë ditë, i zoti i shtëpisë thërret për ndihmë njerëz të fisit të tij dhe të tjerë, më të largët. Ata që thirren për ndihmë (argatët), kërkohet të jenë të fortë fizikisht, të shkathët e që marrin vesh nga proceset e kësaj pune.
Mes tyre duhet të jenë disa djem të rinj, për të ngarë kalin që do të shijë grurin, punë, e cila kërkon rezistencë e shkathtësi. Djali që merr përsipër të luajë rolin e atij që nget kalin në lëmë, kërkohet të ketë kalitjen fizike dhe rezistencën e një vrapuesi. Kuaj në fshat kishte shumë por, për të shirë grurin, në lëmë, kuajt ishin të veçantë. E veçanta në përzgjedhjen e kuajve lidhet me disa veti karakteristike të domosdoshme të kafshës. Para së gjithash, kali duhet të jetë i qetë, d.m.th. të mos gjuajë me shqelma kur ai që e nget e godet me shufër. Kalë i përshtatshëm për të shirë grurin është ai që është i stërvitur për të vrapuar revan, d.m.th. shtruar e të jetë rezistent.
Demekët e grurit vendoseshin mbështetur njëri pas tjetrit, mbasi të ishin zgjidhur më parë. Vendosja e demekëve të grurit në lëmë bëhet me kallinj lart.
Fillimi i shirjes ishte një proces i vështirë, si për kalin dhe për atë që e nget, prandaj xhiron e parë, derisa të shtrohej gruri, kalin e ngiste i zoti, i cili i njeh huqet e kalit të tij. Kali dhe ai që e nget atë sillen vazhdimisht në mënyrë rrethore, rreth strumbullarit. Në njërën xhiro litari mblidhet; në tjetrën shpërdridhet. Djemtë që i gërrahin (ngasin) kalin, mbajnë në dorë një shufër të hollë, të gjatë rreth 2 m, të fortë, dhe elastike, me të cilën ata godasin kalin, herë pas here dhe vazhdimisht bërtasin, me zë të lartë e të qartë: hajt, hajt, ya, ya etj.
Kali, atë ditë lodhet shumë, ndaj i zoti e ushqen atë vazhdimisht me tagji (tërshërë ose, në pamundësi elb) nëpërmjet të cilëve kali zëvendëson energjitë e konsumuara gjatë shirjes së grurit. Për sa i takon ujit, ai i jepet kalit me kursim. Kali që shin grurin vrapon gjithë ditën e bëhet, ujë me djersë. Nga lëkura e kalit, i cili gulçon nga lodhja, kullon djersa çurkë. Lëngjet që harxhon i shtojnë etjen kalit por, i zoti e ruan atë nga ftohja, prandaj ia kursen ujin. Madje, për ta ruajtur kalin nga ftohja e muskujve, meqenëse poret e trupit janë të hapura, e cila në Kalivaç quhet: "është zënë krash", i zoti i kalit, në pushimin midis seancave të shirjes së grurit e mbulon kurrizin e tij me një rrobë.
Për punën që bëjnë atë ditë, kali dhe i zoti shpërblehen nga pronari i grurit, në të holla ose në natyrë. Kur edhe lëmi nuk është i pronarit të grurit, ky i fundit i paguan të zotit të lëmit një qira, e cila përcaktohet me marrëveshje të palëve.
Mbasi shihet gruri, d.m.th. kur kashta është ndarë nga kokrrat, ata që marrin pjesë në shirje bëjnë hedhjen në veri. Me disa lopata prej druri, me përmasa më të mëdha nga lopatat e zakonshme metalike njerëzit e hedhin lart përzierjen (kashtë-kokrra) aq sa ato të ndahen nga njëra-tjetra. Kashta është më e lehtë e ikën më larg kurse kokrrat bien poshtë, afër këmbëve të atij që hedh në erë grurin. Veçimi i kashtës nga kokrrat është procesi i fundit i shirjes së grurit.
Pas tij vjen dreka e shijshme dhe e begatë. Gjella tradicionale dhe më e rëndësishme në lëmë është yshmëri. Gatimi i yshmerit nuk është një gjë e vështirë por kërkon kujdes e mjeshtëri. Në fakt, yshmëri është një byrek, me shumë petë. E veçanta e këtij gatimi lidhet me pjekjen dhe hedhjen e vajit ose gjalpit. Amvisat, në përgatitjen e yshmerit ndjekin sloganin: "as pak, as shumë".
Pra si pjekja, ashtu edhe hedhja e të lyerit bëhen me karar. Përveç yshmerit, një zog pule me rosnica është gjithnjë i preferuar në ditën e lëmit. Tradicionalisht, në sofrën e lëmit shtrohet çorbë, qofte dhe ëmbëlsirë. Dreka shtrohet në një cep të lëmit, në hijen e një peme ose nën çadër. Gruri i veçuar nga kashta dhe byku i nënshtrohet shoshjes ose e thënë ndryshe – triorimit. Kjo është e domosdoshme për të veçuar nga gruri llozhurat dhe kokrrat e huaja që nuk janë grurë.
Së fundi, gruri i shirë ose, siç quhet rëndom – buka e re, futet në thasë e transportohet në shtëpinë e pronarit. Lëmi finalizon përpjekjet e gjithë familjes bujqësore për të siguruar bukën e gojës. Janë dashur mjaft vjet që gruri të zërë vendin që i takon në strukturën e të ushqyerit të komunitetit kalivaças. Rritja e vazhdueshme e sipërfaqes së mbjellë me grurë e tok me të edhe shtimi i rendimentit të bimës, na bindin për këtë.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.