Kumtëria

Mes banorëve të Kalivaçit, si në çdo trevë, në të gjitha kohët kanë funksionuar lidhje e marrëdhënie të shumta e të larmishme. Së shumti lidhjet kanë qenë lidhje gjaku e fisi por kanë egzistuar edhe lidhje të tjera, të cilat nuk bazohen në gjakun e njëjtë. Të tilla janë miqësitë, krushqitë, vëllamëritë, qinositë,kumtëritë, ortakëritë etj. Lidhjet dhe marrëdhëniet e kalivaçasve, si rregull, janë shtrirë, brendapërbrenda mëhallës e në hapsirat e fshatit. Por nuk janë të paktë dhe rastet kur ato i kanë kapërcyer kufijtë e fshatit e janë shtrirë më tej, në trevat pranë.

Parë historikisht, rezulton se lidhjet më të shumta miqësore dhe krushqitë, banorët e Kalivaçit i kanë bërë me fshatarët e Shkozës të rrethit të Vlorës, me ata të Golimbasit, Sevasterit, Mazharit, Gorishtit etj të po këtij rrethi.Këto fshatra dalin në evidencë si më të preferuar për kalivaçasit. Fill pas tyre dalin lidhjet me fshatarët e trevës së Mallakastrës, në veçanti me ata të Çorrushit e të Kutës e më pas me ata nga Fratari, Krahësi, Toçi, Qesarati,Koshtani, Xhaxhaj e Kamçishti etj.Nuk janë të pakta dhe miqësitë e banorëve të Kalivaçit me ata të Lopësit, ku spikatin krushqitë me dhëmblanakë e më pak me ata nga Sinanaj, Matohasanaj e nga Dorëza.

Kalivaçasit nuk janë të paafrueshëm. Krahinarizmi e lokalizmi, nuk janë karakteristikë dalluese e tyre.Praktika është dëshmitari më i mirë e kokëfortë i kësaj vijësjellje.Deri në krahinën elargët të Zagorisë malore e deri në Kurveleshin e Sipërm, në Kolonjën e përtej maleve e në viset e Leskovikut kanë shkuar kalivaçasit për të marrë e për të dhënë nuse ose për të lidhur miqësi.Dhe miqtë e trevave të tjera ua kanë parë hairin miqësive me banorët e Kalivaçit. Po arrite ta bësh mik një kalivaças, ta dish se e ke mik për kokë e për çdo kohë.
Banorët e Kalivaçit të Tepelenës, janë nga ata njerëz, të cilët e pëlqejnë jetën në komunitet. Ata janë të shkuar me njerëzit, nuk u pëlqen izolimi e mbyllja brendapërbrenda mureve, avllive e kufijve brenda fshatit të tyre. Edhe kur nuk e kanë patur, ata e kanë kërkuar përkrahjen dhe jetën në komunitet; me të tjerë, që nuk janë nga treva e tyre. Nuk është e tepërt të thuhet se në Kalivaç,kanë gjetur strehë e ngrohtësi mjaft banorë të komuniteteve që nuk janë nga ai fshat. Shëmbëll tipik është vendosja në Specovë, tokë e Kalivaçit, e një komuniteti të tërë, të ardhur nga Dorëza, të cilët mbajnë mbiemrin Caushaj. E njëjta gjë mund të thuhet për Shametajt në Leshnje, Mehmetajt, në Ruç, pinjollët e Sherif Rrapo zenelajt, dhe vëllait të tij, Demirit, në Ahmetaj dhe fisi i Abedin Kahreman Hadëraj, po në këtë mëhallë, etj,Por këta nuk janë të vetmit raste e shëmbuj.Pilo Todi ishte nga Poliçani i largët i Zagorisë, i cili i përket rrethit të Gjirokastrës; Rako Meshini, me të tijët ishte nga Malëshova e Përmetit; vëllezërit Mekshi ishin zagoritë; Telha Qazimi ( Shatrafili), ishte nga fshati Luzat i rrethit të Tepelenës etj.Të gjithë këta e të tjerë raste kanë një emërues të përbashkët: Të ardhurit janë integruar për bukuri në jetën e fshatarëve të Kalivaçit e kanë qënë të rrethuar nga dashamirësia dhe fqinjësia e mirë e vendasve.
Një lidhje e veçantë, tashmë e harruar, e banorëve të Kalivaçit me njëri-tjetrin dhe me njerëz të trevave të tjera ka qenë kumtëria.E thënë me pak fjalë; kur një kalivaças,nuk gëzonte privilegjin të kishte fis të gjerë e përkrahje të madhe tek të afërmit e tij të gjakut, të cilët ishin, gjithashtu të paktë, i hidhte sytë më tutje, i kërkonte këto lidhje jashtë fisit e të afërmve të tij.Në fshat ose jashtë tij.

Është i njohur fakti që lidhjet e gjakut janë më të forta, më të qendrueshme e më të ndjera . Ato nuk i zbeh dot koha e nuk mund ti tjetërsojë asnjë rrethanë. Një kushëri nga lidhje gjaku është kushëri i natyrshëm. Vitet që kalojnë dhe situatat që vijnë nuk mund ti zbehin këto lloj lidhje . Me ndryshimin e kushteve e të rrethanave, lidhjet e gjakut mund të mos jenë më si më parë por, gjithsesi ai që është yti, mbetet i tillë edhe me kalimin e viteve. Nuk ka dalë kot shprehja se “gjaku nuk bëhet ujë”.Njëri vëlla mund të zihet e të grindet me të vëllanë,edhe pse kanë lindur nga të njëjtit prindër; ka raste kur edhe mund të rrihen e të mos komunikojnë për një kohë të gjatë, por kur kërcënohet i vëllai, tjetri i del në krahë e merr hak.Pra, lidhjet e gjakut nuk shprishen.Prandaj, mes njerëzve të të njëjtit gjak nuk mund të ketë lidhje martesore . Përveç të tjerave një lidhje e tillë do të vinte në kundërshtim dhe me kodin gjenetik.

Në Kalivaç të Tepelenës ka komunitete me shumë njerëz siç mund të përmendim : Nelajt; Xhaferajt; Hysajt; Sulajt etj. por ka dhe të tjerë që janë të paktënë numër.Në mëhallën Ahmetaj, psh nga Ahmeti, themeluesi i mëhallës rrodhën tre komunitete: Nelajt që ishte komuniteti më i madh në numër . Me kalimin e viteve , nga ky komunitet u shkëputën Minojaçajt dhe Bejomalajt, për arsye të ndryshme . Komunitet tjeter në Ahmetaj janë dhe Dërajt e Zenelajt . Të tre komunitetet kanë dalë nga i njëjti “zjarr”e janë kushërinj me njëri – tjetrin.Eshtë detyrë e më të moshuarve tu tregojnë të rinjve ku i kanë rrënjët e deri ku shkojnë degët e gjakut, në mënyrë që të mos ndodhin gjëra të pakëndëshme.

Në Kalivaç, disa fise u ngjajnë trungjeve me shumë degë.Ka të tjerë fise që janë më të vegjël; njëdegësh.Ata kanë mbetur të tillë, ose për shkak të lindjeve të pakëta që kanë bërë çiftet ose ngaqë janë paksuar në numër nga sëmundjet apo epidemitëqë i kanë pllakosur.Hamendësia na çon në të dy këta shtigje, përderisa nuk kemi të trashëguar ndonjë gjë të shkruar.Praktika shumëvjeçare na servir shëmbuj të shumtë e na detyron tu besojmë hamendësive. Le ti referohemi kësaj praktike: Dikur, në Kalivaç ka jetuar një familje me mbiemër Isufaj.Tefik Bajrami, i biri i Bajram Delos dhe i Hatixhesë, i fundit banor i fshatit që mbante këtë mbiemër, së bashku me fëmijët u shpërngul në Selenicë të Vlorës dhe mbajti të njëjtin mbiemër. Pasardhësit e tij, kudo ku jetojnë mbajnë po këtë mbiemër : Isufaj.Mbiemrin Kalemaj, në Kalivaç e mbajnë vetëm pinjollët e një familje, ata që rrjedhin nga dera e Ramo Nebiut, dëmçmuesit të lashtë të fshatit . Gërmadhat e kullave të plakut Ramo Nebiu janë në krye të mëhallës Ahmetaj porfisi i tij nuk i përket kësaj mëhalle.Shkojmë më tej: Me mbiemër Kananaj, në Kalivaç kanë qenë dy familje ;ajo e Mehmet Xhaferrit dhe ajo e Selman Papulit.Të dyja, pas Luftës së Dytë Botërore u larguan nga Kalivaçi e për rjedhojë nuk ka të tjerë me këtë mbiemër, në fshatin Kalivaç.Kështu dhe Shametajt, në Leshnje, Rrapajt dhe Hoxhajt në Hysodosaj etj. Etniteti i tyre nuk është fort i qartë. Ndryshon çështja kur bëhet fjalë për pasardhësit e Sherif e Demir Rrapos, që dihet se kanë ardhur nga Toçi, ku kanë mbajtur mbiemrin Muçoimaj,në tokat e dajos së tyre, Bektash Sakos.Të ardhur në Ahmetaj janë dhe tri familjet e Abedin Kahremanit e të vëllezërve Laze e Banush Xhezo s, të cilët nuk dihet nga e kur kanë ardhur në këtë mëhallë . Veç dihet që para një shekulli, mbiemri i tyre ka qënë Caqaj. Eshtë meritë e tyre dhe e komunitetit autokton të mëhallës që ata janë integruar aq mirë mes tyre sa duken sikur janë kushërinj me njëri – tjetrin.

Po çështë Kumtëria dhe cilët janë motivet që e bejnë të domosdoshëm e të mundshëm?Një banor ng Kalivaçi, i ndodhur në pakicë njerëzish, në familje apo në fis, kërkon e bën miq të rinj, pa qënë gjak me ta. Një rrugë e mbarë për këtë qëllim është Kumtëria, ose, siç thuhet rendom -gërshëra. E thënë me pak fjalë, kemi kumtëri, apo gërshërë kur një burrë ( grua), pa qenë në lidhje fisnore, krushqie apo miqësie të një lloji tjetër, lidh miqësi, me një tjetër, nëpërmjet qethjes ( gërshërës)me njërin nga fëmijët e atij ( asaj) që i ka hyrë në zemër. Motivet dhe synimet janë të ndryshme, por ,në esencë , kumtëria është një veprim mes dy palëve, i kryer me mirëkuptim e me pëlqimin e të dyve. Le të përpiqemi ta konkretizojmë këtë ndodhi , me një rast konkret.

Dy njerëz, pavarësisht nga gjinia, pëlqejnë të jenë në lidhje miqësore me njëri-tjetrin, por nuk mund ta realizojnë, lidhjen e dëshiruar në forma të tjera, për shkaqe thjesht vetjake. Atëherë, duke u marrë vesh, me njëri tjetrin, njëri zgjedh tjetrin të bëhet kumbarë, duke qethur fëmijët e të dytit dhe, prindërit, po të jenë të gjinisë femërore, shpallen motra; po të jenë të gjinisë mashkullore, shpallen vëllezër. Ata, kundrejt fëmijëve të tjetrit që kanë qethur, gëzojnë statusin e dajos , apo të tezes.

Ka ndodhur që dy burra kanë bërë, së bashku një udhë të gjatë. Rrugës kanë biseduar, janë shplodhur, kanë ngrënë së bashku, nga torbat e njëri-tjetrit dhe janë puqur në disa drejtime të rëndësishme. Atëherë i kanë propozuar njëri-tjetrit të bëjnë kumtëri, dmth; njëri do të qethë fëmijët e tjetrit dhe do të quhet kumbarë.
Kushti i parë i ndërtimit të kësaj lidhje është vullneti i lirë i të dyja palëve. Pra, sejcila palë e pranon tjetrën, për mik dhe i shtrin dorën e miqësisë. Tjetri e pranon miqësinë me të parin dhe, të dy vendosin për realizimin e kësaj miqësie të re, mbasi ta kenë shpallur atë. Në rastin e kumtërisë, gjithmonë njëra palë është më e interesuar për t’u lidhur me tjetrën.

Motivet që e nxitin kumtërinë janë të ndryshme. Në çdo rast , interesi i njërës palë është i pranishëm. Të tillë mund të jenë: Lidhja miqësore me një që është në pozicion më të fortë, për shkak të pasurisë, të gojëtarisë, të lidhjeve miqësore të ndjera që ka ose të autoritetit personal që gëzon në fshat e më gjerë. Këto, të marra së bashku e veç e veç, përmirësojnë dukshëm pozicionin e më të dobëtit.Kësisoj, kumtëri i fuqishëm, duke u gjëndur në krahë të më të dobëtit, i bëhet garant atij dhe pesha e më të dobëtit kthehet në faktor pozitiv për ecurinë e punëve të atij që qethej. Jo vetëm kaq ; pala që qethej, pas realizimit të kumtërisë bëhej më e besueshme në sytë e komunitetit, i shkonte më shumë fjala, ishte më e preferuar si kur jepte dhe kur merte . Pra, lidhja me një kumtër “të fortë,” krijonte mundësinë që më i dobëti ta çante më lehtë udhën ; për të marrë, bie fjala një borxh, për të bërë një krushqi, për të lidhur një qinosi, për të gjetur një punë të preferuar, etj.I dobëti, në këta raste, nuk linte rast pa përmendur se është mik i filanit dhe këtë e thoshte jo pa krenari.

Ndonëse rrallë, kumtëria, ashtu si vëllamëria, janë shfrytëzuar për të shuar sherre apo mërira .Në Ahmetaj psh. Familja e Xhevit Malko Nelaj, në vite, ishte gjitone, me atë të Banush Xhezo Hadëraj. Të dyja këto familje, në pafundësi grindeshin mes njëra-tjetrës, për shkak të një vije uji që ndante dy trojet përkatëse, në të cilën rridhnin pikat e çatisë të shtëpisë të Banushit. Për t’u dhënë fund këtyre sherreve të kota, të dyja familjet e gjetën zgjidhjen.Banushi u bë kumtër dhe qethi fëmijët e Xhevitit:”Lumturinë dhe Niazinë”. Sherri u shua e të dyja familjet kaluan në paqe me njëra – tjetrën.Në mëhallën e Hasanbegajve, burri i mënçur Ali Xhelili, për ti dhënë fund një sherri të rëndomtë që kishte familja e tij me atë të Hysni Metës, nga mëhalla e Ahmetajve, martoi mbesën e tij Ajkon me djalin e Hysniut, Jasharin . Një lidhje jetëgjatë e cila rezultoi e suksesshme.
Në praktikë ka ndodhur të bëhen kumtëri në formë basti. Dy burra, shokë me njëri – tjetrin, i kishin gratë shtatzana . Gjatë kohës së barrës të grave të tyre, ata lidhnin fjalën se po të lindnin gratë e tyre fëmijë të sekseve të ndryshëm, do tu propozonin atyre të martoheshin me njëri – tjetrin; po të lindnin femijë të të njëjtit seks, do tu rekomandonin të shpallnin vëllamërinë ose motërzimin mes tyre. Në mjaft raste kjo mbetej thjesht një dëshirë e dy prindërve.
Si përjashtim, ka ndodhur dhe ndonjë rast kur kumtëria ka shërbyer për punë të papëlqyera për komunitetin e kalivaçasve.Aq sa ka qënë i pranishëm, edhe pse ka qenë vetëm ndonjë përjashtim , nuk mund të lihet në harresë. Ndonjë burrë, natyrisht i përçmuar nga opinioni, kërkonte të futej në ndonjë familje, nëpërmjet kumtërisë, kur në atë mjedis ishte një femër, të cilës ai i vardisej ,por që nuk e arrinte dot qëllimin, në rrugë tjetër.

Po si realizohej kumtëria? Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje, na duhet të kthehemi në praktikën e viteve ’50 të shekullit të njëzetë. Mbasi kishin rënë dakort, të dyja palët, për t’u lidhur mes tyre, nëpërmjet gërshërës; me miëkuptim caktohj dita e kësaj lidhje. Njoftoheshin miqtë, njrëzit e fisit, ata që dëshironin palët dhe në ditën e caktuar egzekutohej “vendimi”. Si rregull, kumtëri, ai që do të bënte qethjen e fëmijëve të tjetrit, shkonte në shtëpinë e atyre që do të qetheshin. E zonja e shtëpisë kishte marrë masa për ta paraqitur shtëpinë, rrugicën, avllinë dhe gjithë ambientet rreth shtëpisë të ishin të pastra e të sistemoheshin për një paraqitje sa më dinjitoze. Ajo, për të përuruar lidhjen e re , miqësore, përgatiste , për pjesëmarrësit dhe një vakt bukë ( zakonisht drekë), me shije.
Njerëzit e shtëpisë ; në veçanti fëmijët që do të qetheshin, lipset të ishin të larë, të ndërruar e me petkat më të mira. Kumtëri, i veshur spic, i larë e i rruar dhe i kapardisur, vinte në shtëpinë e atyre që do të qethte, mbasi të kishin ardhur miqtë e shtëpisë dhe të ftuarit. Ai, në ditën e shënuar, për t’u bërë kumtër, ishte kryemiku e hidhej në qoshenë e djathtë.

Kumtëri, doemos, kishte me vete veglat, me të cilat do të kryente ritin: një palë gërshërë të reja, të bukura dhe një krëhër të ri. Pajisje tjetër, me vlerë, e tij, ishte portofoli, me para. E zonja e shtëpisë ishte kujdesur për të përgatitur një drekë të bollshme e të shijëshme, për të gjithë pjesëmarrësit. Kur ja kishte ngenë, i zoti i shtëpisë therte një qëngj, apo një berr tjetër, sipas mundësisë. Riti i qethjes, niste nga fëmija më i madh,në moshë. Nuk kishte ndonjë përparësi, në zgjedhje; nëse ishte vajzë apo djalë. Gjithsesi, në Kalivaç, meshkujt kanë qenë vazhdimisht të preferuar, edhe në këta raste. Ai (ajo) që do të qethej, ulej, mundësisht në një karrige dhe kumtëri, me gërshërë e me krehër në dorë ndante, nga flokët, një cullufe ( tufë flokësh), e priste dhe ia jepte fëmijës, për ta ruajtur, me vlerën e një hajmalie që do ti sillte fat. Në kohën që kumtëri bënte qethjen e flokëve, të pranishmit këndonin, kërcenin dhe uronin, për mbarësi. Urimi më i zakonshëm, në këta raste ishte: “ Ta keni të pandarë” “ U shkoftë mbarë”! etj. Kumtëri, pas prerjes të flokëve, çdo fëmije të qethur prej tij i dhuronte një sasi parash, shuma e të cilave varej nga mundësitë e tij .

Paratë i merrte, fillimisht fëmija, i qethur, por më pas i administronte, babai dhe nëna e fëmijës. Pas ceremonisë, njerëzit zinin vendet e caktuara nga i zoti i shtëpisë dhe niste gostia, me të ngrënë, me te pirë, me këngë e me valle. Pas kësaj dite, të dyja familjet lidheshin me njëra-tjetrën me miqësi e hynin e dilnin tek njëra-tjetra, si miq, me bukë e me gjë. Kumtëri, para largimit nga shtëpia e të qethurve, me një dhuratë, sipas mundësive .

Kumtëria, si dhe veprimtaritë e tjera të kësaj natyre, të cilat, në Kalivaç të Tepelenës kanë qenë e janë të shumta e të larmishme i kanë shërbyer forcimit të lidhjeve mes njerëzve e kanë përnirësuar klimën mes tyre. Jehona e gëzimit që ato sillnin e kanë bërë jetën e fshatarëve tanë më të begatë shpirtërisht e më të paqtë. Si ata që qtheshin dhe ai që i qethte ata,i transmetonin njëri-tjetrit shumë mieësi e gëzim. Gëzimi i tyre , shpejt merrte dhenë e përfshinte tërë komunitetin.

Kalivaçasit bëjnë pjesë tek ata njerëz , të cilët dinë ta nderojnë e respektojnë njëri-tjetrin dhe sidomos mikun e shtëpisë. Në kohët e para të paktën 100 viteve, një fshatar , me emrin Liço Kapo Malaj, kishte qethur fëmijët e Musa Mehmet Nelaj. Kumtëria mes tyre u kthye në një miqësi jetëgjatë. Për t’u theksuar është fakti që Liços, i thërrisnin dajo, jo vetëm fëmijët e xha Musait dhe Ninijes, por dhe gjithë ne të tjerët që bënim pjesë në fisin Nelaj dhe kushërinjtë tanë. Pra , Liço Kapua u bë dajo i mëhallës. Ky nuk ështe një rast i shkëputur por një vijë sjellje.

Tiranë , më 4 dhjetor 2011.

Punoi Niazi Nelaj