Këngët e shpirtit të begatë

Grupi polifonik i Kalivacit

Në Kalivaç të Tepelenës, këngën popullore e duan dhe e këndojnë të gjithë banorët; si femrat dhe meshkujt.  Kënga kalivaçase radhitet në polifoninë labçe dhe është kënduar, që në krye të herës, si nga burrat dhe nga gratë. Kënga, del  nga shpirti i njerëzve  dhe shpreh, në  forma  të  ndryshme, botën e brendshme të tyre. Motivet që e detyrojnë një kalivaças  tja  “shkulë”  këngës, si  atëherë kur ndodhet në komunitet dhe kur është i vetmuar, janë nga më të larmishëm e nuk i ngjajnë njëri-tjetrit. Kalivaçasi, pa u bërë merak nëse të tjerët e pëlqejnë këngën e tij, ia merr asaj, vënçe dhe këndon, siç di e siç do vetë.

Në një këngë të kënduar nga një banor i Kalivaçit gjen brenda, përherë diçka që e ka ngacmuar dhe që e ka bërë tia shkulë asaj.Një dert; një brengë; një dëshirë; një hall; një mall; një merak apo të gjithë së bashku janë kurdoherë të pranishëm. Nuk mund të vemë një kufi e të përcaktojmë një datë, kur ka nisur të këndojë kalivaçasi, në trojet e të parëve të tij. Mund të themi, pa drojën se mos gabojmë se një banor i Kalivaçit,  që kur ka nisur të endet në këta troje, nuk e ka ndarë këngën nga vetja. Ajo ka qenë, përherë bashkëudhëtare e tij e dobishme.

Atë që ka brenda kënga kalivaçase, është nxjerrë nga bota e brendshme e atij që e këndon atë. Si njerëz të drejtpërdrejtë e të çiltër, kalivaçasit, atë që i mundon, nuk e mbajnë përbrenda vetes por, edhe nëpërmjet këngës, përpiqen ta ndajnë me dikë. Më shpesh , gjënë që i mundon, ata e kanë ndarë me familjarët, me të afërmit, megjitonët, me miqtë e shokët , madje dhe me një njeri, të cilin e kanë takuar rastësisht e kanë pirë një cigare, në rrugëtim. Format e shprehjes  së shqetësimeve nuk janë të njëjtë. Diku, duke fishkëllyer një motiv;në një rast tjetër nëpërmjet tingujve që artikulojnë, nëpërmjet fyellit, cylës, borisë, pipizanit etj. Nuk mungojnë shpërthimet e këngës, kur kalivaçasi është i vetmuar dhe, në këtë rast, ai, vetë ia merr këngës;  vetë ia kthen, vetë ia hedh e po vetë mban iso. Pra, në këngë, si dhe në jetë, një kalivaças është shumëdimensional ose i kompletuar.

Kur një kalivaças këndon në grup, zëri i tij, përsëri nuk humbet, nëbashkësinë e zërave. Ai, di të bëjë mirë të gjithë zërat dhe ia thotë këngës, në çdo funksion. Por, kur këndon në përbërje të një komuniteti  këngëtarësh popullorë, këngëtari  nga Kalivaçi i Tepelenës, respekton, me korrektësi  rregullat e të kënduarit labçe dhe i njeh kufijtë e lejuar. Para se tja marrin këngës, “bilbilat” kalivaças akordojnë e harmoniozojnë zërat, siç akordohen instrumentët,  në një orkestër të mirë, para se të nisë koncerti.

Parë në kohë, një kalivaças, që në kohë të kohës, këngët e tij, në radhë të parë ua ka kushtuar  bartësve dhe përhapësve të fesë, pavarësisht  përkatësisë religjionare. Në një këngë të hershme, këngëtari kalivaças ka buçitur:

“…Qaj! Pse s’qan, moj Tepelenë;

Të hodhi  Zoti- tërmenë;

Prishi tyrben dhe teqenë;

Dy dervishë, shehit mbenë…”

Siç dihet, mjaft banorë të Kalivaçit, nisur nga shkaqe ekonomike i janë drejtuar kurbetit. Shpesh, sidomos në të shkuarën e largët, djemtë e fshatit, kanë shkuar në kurbet të largët: Deri në Amerikën e përtej oqeanit, por nuk janë kthyer prej andej. Sa kohë ata ishin në kurbet, zor se dërgonin ndonjë njoftim, për familjen. Ashtu ishin kushtet e komunikimit. Të shumta janë këngët që u kushtohen kurbetlinjve. Në to ka mjaft dhimbje e brengë, madje dhe mallkim. Ja njëra syresh:

“…Ku ma shkon dimrin sivjet?

Medet o Rizo; medet;

Nëpër mal a nëpër det;

Medet o Rizo, medet…”

Rrjedhojat e kurbetit e të shërbimit të zgjatur nizam, në dhe të huaj i përjetonin, me dhimbje, bashkëshortet e tyre. Ja si i këndonte burrit  mërgimtar, një grua, e cila, kur burri i saj u përfill e mori udhën e kurbetit, ishte shtatzënë dhe kish për dore një vajzë të parritur:

“… Unë Merushen, e martova,- o Malko;

Dot me ty nuk e gëzova- o Malko;

E marr Xhevitin nga dora- O Malko;

I mbeti koka nga Vlora- o Malko,

Pret të vish e tja bësh forra-o Malko…”

Banorët e Kalivaçit janë njerëz me temperament e luftarakë. Këngët e trimërisë, ata i kanë mjaft për zemër. Në fakt, trimi e nderon trimin e ia njeh ( ia pranon) bëmat. Trimave dhe bëmave të tyre, kalivaçasi u ka kënduar në vazhdimësi e me shumë dëshirë. Në një këngë të tillë thuhej:

“… Ç’janë ata që shkojnë zallit?

Trimat e Rrapo Hekalit;

Mos u dil përpara kalit!

Se të marrin lulen e ballit;

Me majën e jataganit… “

Në këtë kontekst është dhe kënga aq e dashur për kalivaçasit, e cila u ndjell krenarinë e ligjëshme , të cilën e kanë për zemër:

“… Korakë; e zeza Korakë;

Kush u hodh e s’u bë kaqë?

Tepelenas e Vlonjatë;

Që rrojnë , me bukë thatë;

Me djathë të kripur në napë…”

Këngët erotike janë aq të lashta, sa vetë treva dhe banorët e saj. Djali që kërkonte të martohej, i ka kënduar, ëmbël,  me dashuri  e përgjërim, vajzës që kish zgjedhur për nuse. Vajza e piketuar  për  të qenë në krahët e djaloshit, në këngë, jo vetëm që zinte vend qendror, por, shpesh ajo krahasohej me një … xhikë, xhelanxhikë; me bejkën që i prin kopesë; ose me të tjera fjalë të ëmbla e të ndrequra. Njëri nga bilbilat e Kalivaçit, i cili ishte i dashuruar e i përkushtuar, pas këngës labçe dhe e ka kënduar atë cilësisht e në çdo rast, këndonte:

“… Pse nuk rron, sa rron-te guri?

Thëllëza, që më tremb dhitë;

Atje , në viset e tua;

Do ti ndërtojmë kuvlitë;

Kush të vret? Iu thaftë dora!

Ti ke gjithë bukuritë…”

Në këngën e atij që pëlqente vajzën e re, e përzgjedhura  e tij krahasohej me një vitore, me një shtatselvi, me një pëllumbeshë, me yll e dritë, apo me një shpend  të bukur, si gjeraqina;  thëllëza; e në përgjithësi, vajza krahasohej me lulet e livadheve e të fushës së Kalivaçit e të bregoreve përqark.

Këngët erotike në zhargonin e këngës kalivaçase zenë vendin e merituar dhe shprehin atë që koha nuk e lejonte  djalin ta thosh  hapët. Ja si e shpreh ndjenjën e tij  të mbushur me dashuri një këngëtar anonim:

“… Zura një bilbil me vesë;

More bilbil-o; more qaj , me lot;

Në parmak të penxheresë;

More bilbil-o; more qaj me lot;

Kam te frikë , se mos më vdesë;

More bilbil-o; more qaj me lot;

Do ta marr, ta hedh në lumë;

More bilbil-o; more qaj me lot;

Se më la nusen pa gjumë;

More bilbil-o; more qaj me lot…”

Një djalë i ri, i cili e krahasonte të përzgjedhurën e zemrës me trëndelinën, njërën nga lulet më të bukura të maleve të Jugut, i këndonte asaj:

“… Trëndelina vergje-vergje; trëndelina, moj:

Je sëmurë, a do e dergje; trëndelina, moj;

As sëmurë; as degjem kurrë; trëndelina, moj;

Dua të të marr për burrë; trëndelina , moj…”

Edhe në këngët me motive baritore, ato me tekste erotike zinin vend të justifikuar. Këngëtari anonim i dejtohej vajzës që donte, me fjalët:

“… Moj shelege, vogël-o; dale-dale;

Do vish me dhën apo jo? Dale-dale;

Unë do vi, po nëna s’do; dale-dale;

Më thotë: Prit; të rritesh -o; dale-dale;

Të bëhesh sa shoqet-o; dale-dale;

Sa gjirokastritet-o; dale-dale;

Sa libohovitet-o; dale-dale…”

Disa vajza të reja, kur bëheshin tok, për të shkuar në burim, ose kur ruanin, së bashku pulat, apo bënin një punë tjetër dhe pranë tyre kalonte një djalë i pashëm, të cilin do ta dëshironin ta kishin në krahët e tyre, e ngacmonin atë, pa rënë në sy të të tjerëve, duke kënduar ; lehtë-lehtë:

“… Pse je verdhur ? Je bërë ftua, more djalë;

Pse s’martohesh, të marrësh grua, more djalë?

Djali përgjigjej:

Unë do marr, por s’gjej si dua, moj thëllëzë;

Vajza e nxiste, me fjalët:

Pa hidhi sytë mbi mua, more djalë…!

Një djalë tjetër, në moshën e martesës, e krahasonte vajzën e piketuar, me një trëndafil, por si lule mos më prek:

“… O trëndafili me erë, të bukur lule që ke;

Zgjata dorën , ta këpusja, më tha: djalë, mos më prek…”

Një çoban , e kërkoi vajzën kandidate për ta marrë për nuse ku nuk e kërkoi? në fushë, nëpër bregore e në mal dhe e thirri me fjalët:

“… Dola një ditë nga mali, nga vendi sorkadheve;

Pashë një vajzë të bukur  të veshur si kallogre…”

Çobanbashi, e krahasonte të përzgjedhurën me një kafshë të bukur, të brishtë e që kapej me vështirësi, me kunadhen. Në vetmi e në komunitet, ai këndonte bukur:

“… Moj kunadheja lesh, verdhë moj leshverdh -o;

Dimëron përtej, në shpellë moj leshverdh -o;

Në shpell e në shtëpinë, tënde moj lesh verdh-o;

Na lajkose me kuvende moj lesh verdh-o…”

Një adoleshent, i cili kish rënë në dashuri me vajzën gjitone, nëpërmjet këngës, do që ta ndajë, me shokët, atë që ndjen dhe që e përvëlon, përbrënda:

“… Qasi shokë të këndojmë, do tu them një histori:

Çmë ka ngjarë mua të mjerin, me një vajzë, në gjitoni;

Sa herë që shkoj andej, ajo del në portë e rri…”

Në një këngë erotike, këngëtari, pleks, në këngë, ndjenjën sublime të dashurisë që ka për gruan, të cilën kërkon ta shikojë të bukur, mbi shoqet, por dhe ka drojën e xhelozisë që e mundon. Teksti i këngës është në formë dialogu dhe meinteres:

“… Çtë ndrin leshtë, moj Esma; jarna-jarna- jarna-na;

Nga mazia, o aga! Jarna-jarna-jarna-na;

Kush ta bleu e kush ta dha? Jarna-jarna-jarna-na;

Vetë Zotrote, o Aga! Jarna-jarna- jarna-na;

Çtë ndrin gusha, moj Esma; Jarna-jarna- jarna-na;

Nga florinjtë, o Aga, jarna-jarna-jarna-na;

Kush ti bleu e kush ti dha? Jarna-jarna-jarna-na;

Vetë Zotrote, o Aga; jarna-jarna-jarna-na…”

Kur u martua Mbreti  Zog  Parë, me Geraldinën, kalivaçasit kënduan:

“… Manxhare, leshura tëndë, moj manxhare;

Qysh e shkele vendin tënë, moj manxhare?

Kaluar apo në këmbë, moj manxhare?

Kaluar se s’dija vëndë, moj manxhare…”

Talentet e njerëzve, si të burrave dhe të grave, në këngë e valle, marrin krahë në dasma e gosti. Këngët, në këta raste janë të ëmbla, të qeta , plot dashuri e mirësi  dhe janë të larmishme. Kalivaçasit, si dhe banorët e trevave përqark , janë poetë të lindur. Ata e improvizojnë tekstin e këngës, duke kënduar e vallëzuar. Karakteristike është se çdo këngë, kushdo që ta këndojë, përfundon me një urim. E tillë është kënga, në të cilën, dy rrjeshtat e fundit  shprehin një dëshirë, në formën e një urimi:

“… Shkofsh moj orë e më dëgjofsh;

O vëlla( motër), m’u trashëgofsh…”

Më shumë terren, për krijimtari fiton kënga e grave, të cilat, ditën e shtunë, mbasdite, presin dasmorët që vijnë  me dhurata, në dasëm. Ato këndojnë:

“… Bluan mokra, li e lesh;

Na vinë dajot me desh;

Me desh e me revani :

Hua ua paçim përsëri;

Mot, në vjeshtë, si nashti…”

Në shtëpinë e nuses, kur pritej të vinin krushqit, për të marrë vajzën, të veshur nuse, këndohej:

“… Shtro konak e bëj konak;

Moj gjeraqinë;

Se krushqit, ja tek po vijnë;

Moj gjeraqinë;

Nusja, përgjigjej:

… Letëvijnë, mirëse të vijnë;

Moj gjeraqinë;

Unë, shtruar e kam shtëpinë;

Moj gjeraqinë…”

Kur vajza, nuse, hipte në kalë, për të shkuar në shtëpinë e dhëndrrit, së bashku me krushqit, një grup grash këndonte:

“… Udhë e mbarë moj bijë;

Të na dalç e mirë;

Udhë e mbarë moj keçe;

Mos bëneç e keqe…”

Nusja e ardhshme, një natë, para se të shkonte në shtëpinë e dhëndrrit, me gojën e grave dasmore , këndonte:

“… Edhe sonte vetëm-o;

Sabri –Be;

Nesër, me syzezën-o;

Sabri – Be…”

Kur nusja, e hipur mbi kalë, futej në avllinë e shtëpisë së dhëndrrit, gratë që e prisnin me kurreshtje,  këndonin:

“… Mirëseerdhe moj fatmarshalle;

Që hyre, në derët madhe;

Fryti era, dhe të ngriti, moj bajame;

Në Ahmetaj, të vërviti;

Doli Samua dhe të priti;

Me florinj të doroviti…”

Ditën e enjte, një pjesë e dasmorëve dhe gjitonët, nxirrnin drutë e dasmës. Në mbrëmje, ata, të lodhur nga puna e rëndë e druvarit, mblidheshin në shtëpinë e dhëndrrit, këndonin e kërcenin, pinin dhe ndonjë gotë raki. I zoti i dasmës, çelte këngën. Kënga e tij u bënte thirrje dasmorëve të ndiheshin si në shtëpitë e tyre. Kënga e tij buçiste:

“… Pini shokë, pini, bëni muhabet;

Si në shtëpitë tuaja, ulur, në qoshet:

Kjo bukë e xhymertit ( bujarit), pak ; po me lezet;

Kjo bukë e nerqezit ( kopracit), shumë; po për lanet…”

Niseshin krushqit për të marrë nusen. Disa të hipur mbi kuaj e të tjerë në këmbë. Njëri nga krushqit, kish tagrin e kryekrushkut. Ai ishte kalores i zoti; njeri që njihte zakonet e trevës; i shkathët e i zoti për të bërë qitje, me armë, nga pozicioni i kalërimit; këndonte e vallëzonte bukur; ishte i zgjuar e i mprehtë për të replikuar, me këdo, nga pritësit; ulej, këmbëkryq; e qëndronte ashtu me orë të tëra ; pinte raki e nuk dehej; etj. Kusht ishte dhe veshja e tij, me sqimë e me rroba të pastra; si dhe të qënit burrë i pashëm. Kur niseshin krushqit, për në shtëpinë e nuses, gratë ia merrnin këngës përcjellëse:

“… Kush është i pari, ndër ta?

Xhumble- zhumble, marshallah;

I pari xhaxha aga;

Xhumble- xhumble, marshallah…”

Në vitet ’60 – ’90 të shekullit të kaluar, kënga kalivaçase pësoi një” bum” të vërtetë. Ajo u kultivua e u këndua masivisht e cilësisht. Grupi folklorik i fshatit mblodhi rreth vetes mjaft talente , të cilët i kapëcyen kufijtë e fshatit e bëbë jehonë më gjerë. Ndonjë tendencë moderniste, prirja  për t’u përshtatur me kohën, solli dhe ndonjë bastardim, sidomos në tekste. U dukën prirjet për tu thurur lavdi  të pamerituar individëve të veçantë. Por personalizimi i këngës, vënja në qendër të saj e elementëve të veçantë, nuk e pati jetën të gjatë.

Banorët e Kalivaçit të Tepelenë  janë atdhetarë dhe kontributet e njerëzve për të mbrojtur e për ta begatuar Shqipërinë, dalin në plan të parë edhe në këngët e vallet e tyre. Në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, kalivaçasit, në tërësi morën anën e çlirimtarëve. Pushtimi i vendit nga hordhitë fashiste preku thellë, sentimentet e tyre, në veçanti krenarinë tipike kalivaçase. Nuk është skamja e tejskajëshme  faktori bazë, por urrejtja e pakufishme për okupatorin dhe dëshira e zjarrtë për ta parë Atdheun të lirë, pa pushtues  mbi kokë që i lidhën kalivaçasit me çlirimtarët. Shumë partizanë, dhjetë nga të cilët i lanë me gjak trojet e të parëve tanë, si dhe disa invalidë lufte, zbukurojnë kurorën e lavdisë të këtij fshati liridashës. Si ata që u kthyen nga lufta, fitimtarë, numëri i të cilëve, më 10 gusht të vitit 1943 ishte 52  dhe ata që ranë, dëshmorë, për të mos vdekkur kurrë, kalivaçasi, duke u vënë epitetin lule, u  i ka përjetësuar në këngë, si lule. Se lule ishin, shumica e tyre ishin akoma të parritur e të paveselitur. Kënga më e kënduar, jo rastësisht është ajo:” Lule djemtë e nënave” e cila përsëritet, si refren, kuptimplotë në çdo këngë. Këndohej, një këngë e përbashkët, si homazh , për të rënët dhe më poshtë u thurën këngë, të veçanta, për çdo dëshmor apo militant, partizan. Kënga klivaçase  i bënte jehonë ngjarjeve të Luftës e atyre që ranë për lirinë e Atdheut. Më e kënduar është kënga:

“… Sa e bardha këjo ditë, lule djemtë e nënave;

Ngrihuni dëshmorë një çikë, lule djemtë e nënave;

Të shikoni mirësitë, lule djemtë e nënave;

Se vetë i keni stolisë, lule djemtë e nënave;

Në borë natë dhe ditë, lule djemtë e nënave;

Pa bukë e pa ujë hiçë, lule djemtë e nënave…”

Kjo është kryekënga; pas saj i këndohet veçmas , çdo dëshmori: E tillë është kënga kushtuar dëshmorit  Muharrem Hasan Nelaj, i cili, kur ra, për Atdhe, la pas pesë fëmijë jetimë:

“… Ysoverdhi, n’ato maja, lule –lule Muharrem;

E rreh topi dhe mortaja, lule-lule Muharrem;

Ty të ra mortaja pranë, lule-lule Muharrem;

Të mori këmbën e kranë, lule-lule Muharrem;

I pyeti  Sulua , me radhë, lule-lule Muharrem;

Kush është skuadërkomandantë? Lule-lule Muharrem;

E kam kushëri të parë, lule-lule Muharrem;

Atë Muharrem Hasanë, lule-lule Muharrem…”

Në këngën homazh, kushtuar dëshmorit Sami Musa Nelaj, u folmulua kënga:

“… Seneja dyzetetre, Sami Musai lule;

Sami, kur vajte në Vlorë,Sami Musai lule;

Kishje dhipllon për doktorrë, Sami Musai lule…”

Drejtues dhe frymëzues i partizanëve të Kalivaçit ishte trimi me fletë, mendjeholli e oratori Sulo Beqir Sulaj , nga mëhalla e Hysodosajve. Me reputacionin dhe me  bagazhin atdhetar që kish, Sulua, mobilizoi shumë të rinj e të reja, kalivaças, të cilët i hodhi  në Luftën Nacionalçlirimtare. Këngëtari anonim  kalivaças, në nderim të jetës të atij trimi të rrallë, këndoi:

“… Do të këndoj për një burrë;

Mos i humbtë emri, kurrë;

Sulo, Zoti ti kish dhënë;

Bilbil, nga goja, në këngë;

Sulo, behari me lule;

I ulje,gjakrat, i ulje;

Sulo, në fis e në fshat;

I doje ti kishe bashkë;

Në kaza e në krahinë;

E dëgjuan Sulo Beqirë;

Fliste Sulua, fliste Zoti;

Kështu thosh, i madhi e i vogli;

Sulo, mbi kalë qëndrove;

Gjezdisje; miqtë i doje;

Tek ai që skishte darkë;

Ti e ndizje : tym e flakë- o Sulo…”

Këngëtari Halim Beshir Hysenaj, njëri nga pinjollët e derës së madhe të Haxhiajve, në këngën e tij, i bënte jehonë trimërisë kalivaçase, në Luftën Çlirimtare, nëpërmjet këngës labçe:

“… Kalivaçi, në një kodër, 230 shtëpi;

Kur bëri thirrje partia, partizanë-52;

Nga të gjithë, nëntë u vranë;

Të gjallë, ngelën në histori…”

Në Kalivaç të Tepelenës, çdo burrë e çdo grua, di të këndojë të gjitha këngët labçe, në pozicione të ndryshme  këngëtari, si( marrës, pritës, hedhës; iso mbajnë të gjithë), por njëra nga këngët është “ e tij” dhe gjithë komuniteti e di dhe e njeh, si  këngën dhe këngëtarin, edhe pa e parë.

Aq e vërtetë është kjo sa, nëse dikush nuk këndon, nuk di apo ka drojë për të kënduar, kalivaçasit e trajtojnë me nënçmim, deri në përçmim. Ai, “ shpallet “ qullac, i mefshët, i pangjitur “ dhe “ nuk zihet në gojë”. Bojkotimi e pret, atë njeri dhe ai përjeton kufizime e vuajtje, deri tek refuzimi për ti dhënë vajzën që i pëlqen, për nuse.

Në kohë të ndryshme, në Kalivaç kanë dalë në evidencë talente të rrallë të këngës labçe. Në mesin e shekullit të kaluar, në radhët e “ bilbilave” nga Kalivaçi u evidencuan: Musa Mehmet Nelaj; Muharrem Kamber Dëraj; Mane Tafil Zenelaj; Mehmet Musa Nelaj; Tahir Muharrem Nelaj; Kalo Guçe Dulaj; Muharrem Rushan Xhaferaj; Nasip Hysen Alidervishaj;Cano Adem Hadëraj; Skënder Muharrem Nelaj;Jaçe Sadik Azizaj; Selman Xhaferr Ramaj; Ali Xhelil Mahmutaj;  Malo Barjam Hysaj;Riza Avdo Takaj; Rrapo Dano Takaj; Hamza Shesho Mehmetaj; Muharrem Qerim Mehmetaj; Sabri Riza Dostaj; I driz Ago Agaj dhe i biri- Veli Idriz Agaj; Veli Aliko Muharremaj; Sulo Bajram Hysaj ; Muharrem Qerim Mehmetaj etj. etj.

Në  kohët “tona” ( lexo moderne), bilbilat e këngës kalivaçase u shtuan e u shumuan. Në fshatin tonë por jo vetëm. dikur kanë thënë”: “ Dardha, bie në bythë të dardhës”! Kjo thënie e lashtë, për mua, pa e absolutizuar, ka vlerën e një aksiome. Vini re si kalon kënga, nga njëri brez, tek tjetri. Shyqyri Bajram Hysi, është nip i Malo Bajram Hysit. Ai  ka zënë e bilbilit dhe dashurinë për fshatin e fshatarët e ka, në gjak.  Me nismën  dhe nën  drejtimin e tij, u formua një grup polifonik, i cili konkurroi denjësisht në mjaft skena festivalesh, brenda e jashtë vendit. Prof. Doktorr Shyqyri Hysi, është një marrës i rrallë i këngës kalivaçase dhe është i kudondodhur, si në skena dhe në vatrat e bashkëfshatarëve.

Më sipër përmenda  Ali Xhelilin, si këngëtar i spikatur;  po i biri, Viktor Aliu, a nuk ka trashëguar nga i ati, zërin e bilbilit dhe dashurinë për fshatin. Ai, e ngriti këngën kalivaçase, më lart nga niveli ku e gjeti dhe, së bashku me Shyqyrinë i dhanë zë këngës labçe kalivaçase, nga zëri i tyre brilant. Viktori, duke e ngritur “ pjacën”; jo vetëm këndon bukur m por është dhe krijues i këngës labçe. Shkojmë më tej, po deshët: Në Grupin polifonik të Kalivaçit ka qenë një djalë, të cilin e quanin Besnik Sadik Nelaj. Këndonte me zë bilbili e  me shpirt kalivaçasi, Besniku. Kështu dhe Ylli Refat Bilaj, i cili ishte nga të parët djem që përqafoi idenë e një grupi polifonik dhe dha çfarë kishte më të mirë,në funksion të këngës kalivaçase; zërin e bukur dhe krijimtarinë, në fushën e të kënduarit. Ai, krijoi mjaft këngë, të cilat do të këndohen, brez pas brezi.

Muharrem Rushan Xhaferaj

Nuk besoj se e ngarkoj këtë shkrim modest, po tju kujtoj një kalivaças, me emër të përveçëm i cili,  vërtet jetoi pak por jeta e tij qe e begatë e pruri, si asnjë tjetër këngën labçe, në truallin e trevës tonë duke e kënduar atë, me pasion, në çdo kohë e kudo ndodhej. Është fjala për burrin simpatik e gojëmjaltë, “ bilbilin” e kalivaçit Muharrem Rushan Xhaferraj, nga mëhalla e Meçajve, e cila, sikur i nxjerr  nga guri këngëtarët popullorë. Bashkëkohësit e tij, duhet ta kujtojnë Muharremin, i cili, kur transportonte qymyrguri, nga miniera e Memaliajt, për në Ballësh, Vlorë e kudo gjetkë  nëpër Shqipëri, me një kamion tip” Saurer”, e mbushte kabinën me fëmijë shkolle e me të tjerë njerëz dhe, para se ti merrte në makinë, u bënte një “ sondazh”, duke i pyetur:” A di të këndosh labçe”? Nuk u merrte para, në këmbim të shërbimit, por, së bashku me ta këndonte, labçe, pa u lodhur e i pamërzitur. I shkonte rruga këngë atij burri të ndierë, por jetën nuk e pati aq të gëzueshme, sa të begatë pati shpirtin.

Me kabinën e kamionit plot me fëmijë, në segmentin rrugor : Memaliaj- Ballësh e udha kalonte nëpër trevat labe, “ zjente “ kënga labçe-vënçe, ku Muharremi luante rolin e këngëtarit të parë. Muharremi, i kënxdonte të gjitha këngët e trevës , por më për zemër kish këngën:

“… Ju dallëndyshe që shkoni; do tu jap një porosi:

Fshatin tim, kur të kaloni, thoni: “ vdiq një djalë i ri” !

O ju sorra që më hani; sytë e zes, mos mi ngani!

Se kam një të zezën nënë; del e qan, lëmë më lëmë;

Se kam një të zezën motër; del e qan, kodër më kodër;

Se kam një të zezën grua; del e qan krua më krua…”

Muharrem  Rushan Xhaferraj, vërtet u nda nga jeta, ndoshta në një moshë kur kish kulmin e ligjërimit të këngës  labçe; por edhe nëse nuk e kemi midis nesh, ai rron, në këngët që dinte ti këndonte aq bukur e me pathos. Këngët që këndonte Muharremi i Xhaferrajve, janë aq të shumta e të larmishme sa na duket sikur gurgullojnë, e ngjajnë me një gurrë ujëplotë e cila nuk shterron kurrë.

Kalivaçasit këngëtarë, i kanë përcjellë njëri-tjetrit këngën labçe; tekstin, mënyrën e të kënduarit  dhe të interpretimit të saj, me krijimtari e fantazi. Nëse dikur  kënga kalivaçase këndohej nga blegtorë  të njohur e me zë “ bilbili”, të cilët u bënin jehonë vështirësive që haste çobani, gjat gjithë vitit, halleve e derteve të tij; duke e kënduar breza të tjerë, të mëvonshëm, e pasuruan dhe e përsosën këngën labçe të banorëve të Kalivaçit; deri në kulmet që u arritën aktualisht; në skenat e vendit e në ato ndërkombëtare.

Skënder Muharrem Nelaj

“ Bilbilat” e Kalivaçit, nuk janë të përqëndruar në një fis apo në një mëhallë. Në Meçaj, kemi  dy arsimtarë, burrë e grua: Skënderin dhe Xhevairen, Arshinë dhe të tjerë; në Bozanaj: Veli Idrizi ia ka trashëguar këngën te atit, dhe ia ka lënë trashëgim, të birit, Besnikut. Kështu dhe në mëhallët e tjera ku ka këngëtarë si  Jetnor Sherif Pashaj; Bashkim Azis Azizaj; Përparim Nure Hadëraj; Enver Qemal Zenelaj etj. të cilët këndojnë dhe improvizojne kengë, në çast.

Të bukura e relaksuese, kanë qenë e janë vallet e interpretuara, me elegancë e burrëri, nga kalivaças. Xha Durka i Hasanimerajve; Xha Veizi  ( Veiz Dano Takaj) , nga Hasnabegajt; Kalo Qazo Ramaj e Mete Medin Sulaj, nga Hysodosajt; Laze Xhezo Hadëraj e Ahmet Selfo Zenelaj, në Ahmetaj e mjaft të tjerë, kur dilnin në valle, ndriste oda e relaksoheshin të pranishmit. Ata, me dredhjen e mesit, si ngjalë i jepnin hijeshi e gjallëri mjedisit. Në dasma e në gosti, vallja e tyre, pritej me mjaft interes  e pëlqehej shumë.

Vallja, në Kalivaç, si nga burrat dhe nga gratë, hidhet me qetësi. Vallja e grave është më e shtruar e nuk ka kapërcime; vallja e burrave, hera –herës, ka kulme e shpërthime. Vallet e të dy sekseve janë të kënduara. Pas pijes, të cilën disa e nxitojnë, vallja e burrave, merrte vrull e shfaqte “ xanxë”.

Kënga dhe vallja kalivaçae “merrnin zjarr”; marrin dhe sot, në dasma e gosti. Dasmat, në fakt shndërrohen në skena ku shpërthejnë  talentet dhe aftësitë  e njerëzve. Dasma sjell gëzim të ligjshëm, për të gjithë ata që marrin pjesë. I këndohet nuses dhe dhëndrrit, dy protagonistëve të kësaj ngjarje, me peshë në jetën e komunitetit. Nuses i bëhen elozhe, duke i vënë në dukje hiret e vajzërisë, bukurinë e saj të rrallë, shkathtësinë dhe aftësitë e saj për punë, për gatim, sjelljen e saj të pëlqyer nga të gjithë. Dhëndrrit i shpalosen aftësitë e tij për punë, zgjuarsinë, mënçurinë,bujarinë, pozitën shoqërore etj.etj. Vënja në dukje e vlerave të protagonistëve të dasmës, bën që tek njerëzit të ketë më tepër alegri e pjesëmarrje më të gjerë në këngë. Këngët, gjithmonë kanë patur karakter jo të njëjtë. Nuk këndohej njëlloj , si tek nusja dhe tek dhëndrri. Kur vinte nusja në shtëpinë e dhëndrrit, akoma pa zbritur nga kali, gratë shpërthenin në këngë, me theks glorifikues e përkëdhelës. Ato i uronin nuses, fat e lumturi dhe begati, në “pragun e ri”. Kënga, buçiste:

“… Si na thanë, ashtu na qënke, moj nuse-zo;

Shtatin si selvi e paske, moj nuse-zo;

Syrin si filxhan e paske, moj nuse- zo…”

Dhe kënga e gëzuar vazhdonte:

“… Qiqër-o; moj lilomata, ku të zuri sonte nata?

Tek Samua, qafëgjata…”

Dhëndrrin, që të shkonte i pastër tek nusja, e rruante një i afërm i tij. Dasmorët, kërcenin rreth tij, hidhnin para ( darovitnin) berberin dhe këndonin:

“…Berberi që rroi mbrenë;

Erdhi rroi Sabri benë;

Dhe i luteshin atij:

“… O berber, të keqen-o!

me ngadalë briskun-o!

mos i preç mustaqet-o…”

Dhëndrri, në kulmin e moshës së adoleshencës, mezi priste të ishte pak kohë, i vetëm, me nusen e tij. Ai dëshironte dhe synonte të komunikonte pak, me të, në vetmi; ti shërbente dhe ta prekte, qoftë dhe pak, atë që do ta kishte në krahë gjat gjithë jetës. Dasmorët ia plotsonin këtë dëshirë dhëndrrit, nëpërmjet  futjes së tij  në gjerdek.

Një njeri , i afërm i dhëndrrit, i cili konsiderohej si ekspert i këtyre punëve, i  jepte udhëzime dhëndrrit të ri: si të sillej me nusen, në ato pak minuta  vetmije. Një grup dasmorësh, kryesisht të afërt të djalit, e shoqëronin dhëndrrin në dhomën ku qëndronte nusja, mbasi gratë kishin dalë prejsaj. Shoqëruesit, e shtynin dhëndrrin dhe e qesëndisnin atë. Disa prej tyre, e godisnin me pëllëmbë, disa të tjerë i vinin stërkëmbësh  dhe  përpiqeshin ta frenonin, për ta rrëzuar e për të shkaktuar të qeshura, dhe këndonin:

“… edhe sonte, vetëm-o;

Sabri-Be;

Nesër me syzezën-o;

Sabri-Be…”

Kësisoj, me elokuencë, dasmorët e paralajmëronin dhëndrrin, të duronte edhe 24 orë, para se të prekte nusen, e cila kish marrë udhën, nga anë e anës, për të ardhur tek ai. Ndonjëri, nuk i ka respektuar rregullat  e udhëzimet që i jepte instruktori.  Një djalë nga Alidervishajt, ( mëhalla e Hysodosajve), u fut në dhomën ku qendronte nusja dhe mbylli derën, nga brenda. Ai u bërtiti shoqëruesve: “ Natën e mirë”! Dhëndrri i ri doli vetëm të nesërmen, në mëngjes, nga dhoma e nuses.

Interesante dhe e gjetur ishte kënga e gjerdekut:

“… O Sabri, hoi- hoi;

Të kesh mall, për djalëri;

Se hyre, në pleqëri…”

Kjo këngë, e përkthyer ndryshe, i  bënte thirrje dhëndrrit të ishte më serioz e më i matur, në sjellje, e të mos e quante më veten  të vogël; të mos mendonte : “ ku rafsha mos u vrafsha, se mendon babai , për mua” por ta konsideronte veten “ zot shtëpie”.

Kur dasmorët kishin përfunduar misionin e ishin telendisur, nga të ngrënët e nga të pirët dhe nga koçimarja që kishin pirë, në prag të largimit nga shtëpia ku bëhej dasmë, afroheshin pranë njëri-tjetrit, duke formuar një trapez, si të mundnin e ja merrnin një kënge sarahoshësh:

“… Hajdeni, tja marrëm dhe një herë, tani më të shkuarë;

Dhe të zotin e shtëpisë ta lëmë të gëzuarë…”

Ditën e hënë,dasmorët e largët, në veçanti miqtë e shtëpisë largoheshin e shkonin në shtëpitë e tyre. Ata mezi çapiteshin, kur ecnin në këmbë, ose kalavareshin në samarin e kafshës, kur ishin kalorës; të dërrmuar nga rakia, të drobitur nga pagjumësia dhe të ngjirur, nga të kënduarit. Kur i pyesnin kalimtarët : Ku keni qënë?  Ata, me përtesë, si përgjumësh  përgjigjeshin:” Në dasmë, o, në dasmë”! dhe u rëndonte koka, nga rakia e koçimares. Në familjen e dhëndrrit qëndronin : Motra, halla, tezja, dajua e ndonjë i afërt tjtër. Në darkën e të hënës, ziente kënga labçe  e derdhej rakia, si lumë.  Atë darkë, ata që kishin shërbyer gjatë dasmës, kamerierët, kuzhinierët dhe gjithë ata që shërbenin, në dasmë, e shfrynin dufin e relaksoheshin.

Kalivaçasit dhe kalivaçaset kudo ku kanë shtegtuar, i kanë mbajtur të gjalla lidhjet me të tyret dhe me bashkëfshatarët, jo vetëm fizikisht, por dhe nëpërmjet këngës. Ata i këndojnë, me pathos, të shkuarës heroike të fshatit e fshatarëve, mallit për vendlindjen dhe aktualitetit të ndryshuar të Kalivaçit.

Në një këngë, kushtuar trimit Sulo Beqir Sulaj, komandantit të njësiteve partizane, mik i ngushtë i “Heroit të Popullit” Kanan Maze, nga Shkoza, duke i numëruar bëmat Sulos, këngëtari nga Kalivaçi Prof. Doc. Shyqyri Hysi, shkrojti e këndoi:

“ …Kur shkonte Sulo Beqiri;

Fekste Hëna, ndrinte ylli;

Kur fliste, gjëmonte vendi;

Trëndafil, ishte kuvendi;

I shkonte, pushka dhe fjala;

Për të bënte be, mëhalla;

Çelur gonxhe, trëndafili;

Ç’e kishte zili, bilbili;

Në çdo luftë ia bëri forra;

Kish Uratën, nga Kurora;

Sulo, të kërkon Kanani;

Që të dilni “ Zot Vatani”;

Kalivaç, djemtë t’i bën guri;

Përulen , veç tek flamuri!

Veterani Skënder Muharrem Nelaj, i biri i dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar: Muharrem Hasan Nelaj, njëri nga “bilbilat “ e Kalivaçit, nismëtar i grupit polifonik të fshatit, në gjysmën e shekullit të kaluar, ka migruar në Tiranë. Mirëpo ai nuk i ka prerë lidhjet me fshatin ku ka lerë  dhe e ka mendjen atje. Në këngën që ka krijuar për vendlindjen, ai thekson:

“… Vajta, ku nuk vajta?

Mendja tek ty rrinte;

Për ty, xhevaire;

Gjumi nuk më zinte;

Ah, moj ti vendlindje;

Më hëngre, si mola;

Moshën e rinisë;

Te ty, unë e shkova;

Kur kujtoj vendlindjen;

Zëri seç më dridhet;

Trupi, zjarr më merr;

Shpirti po më digjet;

Zemra po më dridhet;

Në prushin e lisit;

Kur kujtoj të shkuarën;

Drizën që më grisi;

Që më bëri gjak;

Pak, mbi varr ma lini;

E ma hiqni, prap;

Në këmbë të saj;

Lule trëndafili;

Të më sjellin mbesat;

Nipërit, kur të vijnë;

Kudo ku unë shkova;

Dheun, unë shikova;

Ta ndërrosh, më thanë;

Jo! Plot gojën fola…”

Kënga e Skënderit tingëllon si  këngët e dikurshme të nizamëve. Ndonjëri nga të ikurit afatgjatë, kur mundej të arrinte në shtëpi dhe merrte pjesë në gostinë e radhës, ia thoshte këngës, shtruar ; me derte:

“… Dal në fshat e shikoj fshanë;

Derë më derë po qajnë;

Se u muarrë djemtë nizamë;

Sos i shpunë në kurbet?

Po nizamë, për pesë vjet;

Ju nëna, për ne mos qani;

Sa të vijmë na nizami;

Dhe po s’erdhëm nga nizami;

Ju, shami të zeza mbani;

Mos i hiqni e mos i lani…”

Kalivaçit nuk i kanë kënduar vetëm vendasit. Disa banorë të fshatrave fqinjë i kanë kënduar, me tërë fuqinë e shpirtit , bukurive të rralla dhe begative të Kalivaçit. Mersin Feimi , nga Matohasanaj këndonte:

Eh! Ky Kalivaçi;

Shtëpitë radhë-radhë;

Ndërtuar në vite;

Me gurë të bardhë;

Shpërthen nga shkëmbi;

Ujë i ftohtë, i ftohtë;

Eh, të pish një pikë;

Nuk ngopesh dot:

Ullinj shekullorë;

Dhe vreshta me rrush;

Me djem lozonjarë;

E vajza faqeprush…”

Mersini nuk është i vetmi jokalivaças që i këndon Kalivaçit. Reni Guçaj, nga fshati Maricaj i Tepelenës i këndon Kalivaçit, kësisoj:

“…Përmbi shkëmb, në Ylynec;

Si shqiponjë flamuri ngriu;

Këngën, prurë nga Bilbilejtë;

Mal. më mal, rrufeja shtiu;

Mbledhur djemtë, në Donije;

Sipër shkëmbit, Kalivaç;

Përmbi armë, dritë lirie;

Batalion “ Baba Abaz”;

Nëpër shtigje, nëpër plagë;

Ku kish nisur jetë liria;

Ç’kishte dashur, kishte marrë;

Brumë në magje, Labëria.

I bekoi  Perëndia;

Për lirinë, kush e dha jetën;

Ç’u kish thënë Shqipëria;

Nëpër luftëra ëndrrën gjetën.

Për ju trima, yll lirie; historia do të flasë;

Sipër shkëmbit, në Donije;

Për ju kënga do buçasë!

Ikën djemtë nëpër botë;

Dhe mëngjesi s’ka më dritë;

Plaga hapur po na thotë;

Loti nderur mbi qerpikë.

Kalivaçi ynë i dashur;

Tani, mbledhur, tri shtëpi;

Malli ytm, shpirt i plasur;

Në çdo sofër ndezur rri.

Lotë të hidhur ka kurbeti;

Edhe bukën ka farmak;

Kalivaç, pse më je tretur?

Zjarrin fikur, në çdo oxhak.

Si një nënë; me mall ngarkuar ;

Kalivaçi. po na pret;

Vjosa tund shaminë në duar;

Dallgët hapur shpie në det.

Nuk e shuan mallin kurrë;

Cërr e cërr, me celularë;

Pas na ndjek  çdo zall e gurë;

Dashuria, brenga, malli…”

Kristina e parritur, vajzë e kalivaçasit me origjinë:  Arben Muharremaj, nxënëse, në klasën e gjashtë të shkollës “ Dëshmorët e Lirisë”, në Tiranë, nuk ka qenë asnjëherë, në fshatin e origjinës të babait të saj.  Ajo ndihet kalivaçase, vetëm se ka gjyshin: Serianin, nga ky fshat. Duke e ndierë veten nga Kalivaçi, ajo shkruan me pathos për të:

“… Sa e dua mëmëdhenë;

Se aty kam folenë;

Sa herë që mund të fluturoj;

Atdheun nuk e harroj;

Ta di për nder, o Shqipëri;

Që jam rritur tek ti;

Sa herë që shtegtoj;

Me mall të kujtoj…”

Viktor Aliu, nga mëhalla e Hasanbegajve, prej kohësh, ka migruar në Tiranë. Ai shkon shpesh në Kalivaç, për të nxjerë mallin që e djeg  për njerëzit, për shtëpitë, për trojet e për çdo gjë që mban erë Kalivaç. Mes mallit e dertit, Viktori, njëri nga këngëtarët me zë bilbili në grupin polifonik të fshatit, i cili ka pushtuar skenat e festivaleve, i ulur mbi një shkurre, vështron e nuk ngopet  me bukuritë e fshatit ku është lindur e është rritur dhe ia thotë këngës:

“… Jam ulur të rri;

Dhe po vështroj fshanë;

Sa shumë ndryshime ?

Zemra bëhet mal!

Toka të begata, lëndina me bar;

Kodra me ullinj, mbjellë anë e mbanë;

Në mes të fshatit është një lapidar;

Na dëfton për luftën e të parëve tanë;

Sytë më shikojnë, makina varganë;

Sa shumë krenarë , për këto që kemi;

Shtëpitë të reja, ngritur nga kurbeti…”

Njëri nga ikanakët është autori i këtyre radhëve.Mallin e akkumuluar  në vite për vendlindjen, ai e shpalos në vargjet:

“… Kalivaç, tetë mëhallë;

Shtëpitë me gurë të bardhë;

Dorë për dore kemi çarë;

Si vëllai, me vëllanë.

Jeta jote, pallë e larë;

Historinë e ke të bardhë;

Trimëria të ndrin ballë;

Ke nxjerrë burra të rrallë;

Si për pushkë dhe për fjalë.

Kalivaç, të erdhën djemtë;

Ata që mezi i rrite;

Zbathur e me misërnike;

Me lakra e qullapite;

Mos ardhshin më ato vite!

Na rrite me bukë thatë;

Burrërinë na dhe dhuratë;

Bijtë e tu që morën dhenë;

Ngado vanë e kudo qenë;

Nuk e harruan folenë.

Thanë: Morën arratinë;

Për të jetuar më nirë;

Të kanë ardhur, ballëlartë;

Profesorë e avokatë;

Agrononë e diplomatë;

Këngëtarë me zë të qartë;

Ca të Djathtë e ca të Majtë;

Shumica me shkollë të lartë;

Asnjëri,” nuk e ha thatë”!

Mos harroni Demir Rrapon!

Kur erdhi nga Amerika;

Shokët, valixhet meplaçka;

Ai, libra dhe revista;

Që në fshat të binte drita!

Erdha, tok me shokë të rrallë;

Tu takojmë, të nxjerrim mallë;

Emocionet më mbuluanë;

Sikur vij për herë të parë;

Dikush tha: Po ku ke qenë?

U kujtove në të errur;

U them, me zemër në dorë:

Edhe pse shumë kam gjezdisur;

Me shpirt, tok me ju kam qenë;

Asnjëherë s’ju kam braktisur!

Si unë dhe shokët e mi;

Ikëm se nuk rrinim dot;

Punë të tjera na kërkuan;

Sot po vimë, kokëplotë;

Mos na gjykoni kaq rëndë;

Se zemrën këtu e lamë;

Nëse ikëm, morëm dhenë;

Frymën tuaj , patëm pranë.

Kalivaç, më ke munguar;

Ika larg e qeshë mërguar;

Vajta ku thirri detyra;

Ca me zor, ca nga dëshira;

Për fat, doli më e mira!

Fshati im, të qofsha falë;

Na bëre prije të rrallë;

Gëzimin qëna dhe sot;

E paçim për jetë e mot!

Tradita do të vazhdojë;

Këtu buron mirësia;

Vazhdimi është i sigurtë;

Në dorë e ka rinia.

Populli ynë ka një damar poetik. Në çdo trevë Labe, gjen këngëtarë, të cilët , duke kënduar, në vijën melodike të kengës labçe, improvizojnë tekste këngësh, të arrira. Një kalivaças, kur këndon këngë të shpirtit të tij, stis vargje aq të spikatur  sikur të ishte poet i mirëfilltë. Po ju sjell disa shëmbuj bindës:

Njëri nga këngëtarët më në zë ; Skënder Muharrem Nelaj, nismëtar i grupit polifonik të fshatit tonë, djalë dëshmori e vëlla i Tahirit, me akt heroik, në Pashaliman, në vitin 1960, e përcjell, nëpërmjet këngës, aktin e vëllait të tij; kur ai ish shifrant i Brigatës së nëndetëseve, në maj të atij viti, në kohën kur marrëdhëniet ndërshtetërore shqiptaro-sovjetike po merrnin rrokullimën:

“…Nga njëqintepesa, bërtiti Tahiri;

Ule rus flamurin, se kockat do lini!

Rusi u hutua, rusi u çudit;

Kur flamuri i tyre, copë-copë u ç’it;

Në direk  t’anijes, si shqiponjë qendrove;

Flamurin tonë puthe, lart, në majë e çove;

Për flamurin tonë, flamurin me shkabë;

Desh u hapën varre, në Pashaliman;

Komisar Selimi, atëherë qe shpuzë;

E puthi Tahirin, e puthi në buzë;

Mbahu ! Bir i ahqipes, na i tha Selimi;

Syri, cërr s’ta bëri, qënke sua trimi;

Vëlla: Anëtar nderi, tëbëri komuna;

Të djathtë e të majtë; asnjë s’pate kundra;

Sot, në këmbën tënde, po flet komisari;

Burrë si ti, Myslymi, që kufinë s’e fali;

Unë s’jam poet, që të thur ca vargje;

Më mirë ngreu vetë, dëfto atë ngjarje;

Para varrit tënd, dëgjohej dhe miza;

Selim Pirra, plak, rrënjët kish nga Dibra;

U lodh komisari, shtëpinë ta gjeti;

Si bilbil na foli, u habit mileti;

Flamurin dhe lulet, ti çoi komisari;

Një copë herë, me grusht, nderoi tek varri.

Kënga është thurur në Kalivaç, më 4 janar 2012, në ceremoninë e dekorimit të Tahir Muharrem Nelaj, “Qytetar Nderi” i Komunës së Krahësit, rrethi i Tepelenës.

I biri i Skënderit, Çlirimi, i cili, i ngjan babait, edhe në këngë, me këtë rast, në ceremoninë e dekorimit të xhaxhait të tij improvizoi këngën:

“O ju shokë,ç’tju dëftoj?

Për Tahirin, vëllanë tonë;

Komisari e kërkon;

I thotë: Të pres në Vlorë!

Në  Vlorë, bëri ushtrinë;

Në Vlorë, te Pashalimani;

Një nga një kreu porositë;

Siç ia jepte komisari.

Me thikë flamurin preve ;

Numër dy  superfuqi e botës;

Se është Tahir Nelaj, gjallë;

Jemi  ne zotër të tokës;

Jemi këtu, nga lashtësitë;

Edhe Turqia, kockat ka lënë;

Këtu, tek Pashalimani;

Se janë djemtë e shqipes gjallë;

Janë të zot të këtij vatani.

Gjeneralët rusë;

Të tyren dinin limanin;

Daleni, thotë Tahiri;

Me dhëmbë flamurin mbajti.

Këngën që këndova;

Kalivaçi, le ta shënojë;

Tahir, Qytetar Nderi, të bëri;

Veprën tënde, nuk e harrojmë!

Kënduar në Kalivaç, më 4 janar 2012.

Një tjetër bilbil  kalivaças, Bashkim Azis Azizaj, në këtë eveniment, nuk mund të qendronte prapa bashkfshatarëve  të tij, këngëtarë. Atë ditë, Bashkimi, i prekur nga ajo ceremoni  nderimi, këndoi  për Tahir Muharrem Nelaj:

Do këndoj Kalivaçiote;

Me avash e me ngadalë;

Sot është mbledhur  gjithë ky popull;

Për të nderuar një djalë.

E grisi flamurin rus, ngriti flamurin shqiptar;

Ky na ishte Tahir Nelaj;

I Deshmorit Muharrem Hasan.

Edhe Memja kur dëgjoi;

Të lumtë dora  or djalë!

Sot ka ardhur xha Selimi;

Ai na tha dy-tri fjalë:

“ O Tahir, djalë me çika;

Erioni, emrin ta ka ngjallë”!

Tahir të nderoi komuna;

Do mbetesh përjetë i gjallë!

Kënduar, në Kalivaç, më 4 janar 2012.

Kamber Riza Dostaj, i njohur me emrin Baço Rizai, nuk e pati shansin të shkollohej. Hallet e çuan në minierën e Memaliajt dhe në atë të Valiasit. Por, në dejet e tij rrjedh gjak kalivaçasi. Zgjuarsinë natyrale që e karakterizon, ai e kanalizon dhe në formulimin e këngëve, të cilat anojnë nga bejtet e famëshme të bashkëfshatarëve tanë. Ja njëra prej tyre:

“… Do tju them ca fjalë me vlerë;

Se jam rritur, ku kam lerë;

Me ata burra me vlerë;

Shkuan por kanë lënë të tjerë!

Kalivaçi, fushë e shkëmb;

Me ata djemtë levendë;

Qëni, shkopin s’ua ka ngrënë.

Atje poshtë, tek Donija;

Ish burimi dhe gjemija;

Fjalë e vjetër, nga Turqia;

Atje erdhi komisioni;

U formua batalioni;

Shkëmbi, lart- përrall i zi;

Do mbetet në histori;

Moj e mjera –Shqipëri!

Do çojë dritë në Itali;

O i poshtëmi Sali;

Ç’pate që e shite ti?

O Ramiz e o Sali?

Gjarpër i verdhë; gjarpër i zi!

Dhe Ramizi shumë punoi;

Qëni i vjetër e pësoi;

Se Saliu ia punoi;

Dy herë, në burg e çoi;

Dhe kur vdiq, nuk e kuptoi;

Se Ramizi e caktoi…!

Kaamber Rizai ( Baçua), ka vrojtuar e përjetuar zhvillimet, në fshat, në kohë të ndryshme. Me fjalën e tij, jo pa ironi, AI  ka stigmatizuar dhe ndonjë ndodhi të rëndomtë, në të cilën janë të përfshirë edhe  banorë të Kalivaçit. Kënga ( bejte) që vijon, e kësaj natyre është.

“… Shokë, na vate Manxhari?

Bëri poshtë, na përralli;

Pas iu qep Kadri Aliu;

Ezuri të gjallë, si miu;

Kadriu me Muharremnë;

Që të dy, ia bënë benë;

Që ditën që e zunë;

Lidhur, në kala e shpunë;

Në hapsanë e në bodrume;

Roje bënte Muhameti;

Komandant ishte Shameti;

Që të dy- djem dovleti;

Erdhi dita për të dalë;

Manxhari e la kalanë;

E bëri palë harkanë;

Seferi, në udhë e pyet;

Ai qan, me gojë s’i flet…”

Në ndonjë rast, këngët  humoristike kalivaçasit ua kushtonin, jo vetëm  individëve të caktuar, por dhe kur donin të ironizonin një mëhallë, që i përkiste fshatit të tyre. E kësaj natyre ishte kënga:

“… Leshnja: mëhallë e madhe;

Nga paliçja, s’duket fare…”

Shpirti poetik dhe krijues i kalivaçasve, ka shpërthyer në ndodhi të ndryshme, si në gëzime dhe në situata  të brengosura. Ferrik Azis Alidervishaj, njëri nga djemtë më të zgjuar e më të shkathët të fshatit, kur rivarrosi eshtrat e të atit, nga Vlora, ku preheshin, prej shumë vitesh, në Kalivaç të Tepelenës, me fjalë të kursyera, të zgjedhura e domethënëse, ligjëroi:

“…Baba, do të them dy fjalë-O baba:

Kot që pate vajzë e djalë- o baba;

Vdiqe vetëm, në spitalë – o baba;

Të varrosi miqësia – o baba;

Nuk ishte Ferriku; as Selvia –o baba;

Asnjë nga vëllezëria – o baba;

Ti prura eshtrat në fshat- o baba;

Të pushojnë, pak rehat – o baba;

Afër ke Selfon, evlat- o baba;

Emrin ia ke çuar vetë – o baba;

Nuk arriti dot tridhjetë- o baba.

Ligjëruar, në Kalivaç, në korrik 2012.

Në darkën familjare, me rastin e 75 vjetorit të lindjes së tij, Ferriku ia mori këngës labçe, me derte:

“… I ziu, që kur kam lerë;

Kam bredhur ; derë më derë;

Në dorë kabash e qelqe;

Ata fol e unë :”peqe”;

Të gjithë, ma morën të keqen;

Sot, kur mbusha shtatëdhjetepesë;

Uroj që tu kem me jetë;

Nga Zoti unë kërkoj: Nga njëqint vjeçë t’ju çoj…!

Këngëtarët nga Kalivaçi, nukjanë ndalur vetëm në fshatin e tyre, për ti kënduar trimërisë. Ata kanë rrokur, në këngën e tyre, edhe trimëri të bashkëatdhetarëve nga treva të tjera të vendit. Kundër shfaqjeve të lokalizmit, ata janë hedhur në vise të largët e u kanë kënduar trimave, sikur të ishin bij të tyre. Ja njëshëmbull plot kuptim:

“… Të kish lindur Labëria, djalë i popullit Halim;

Halim Xhelo, trim- o trim;

Të kish pritur Shqipëria, djalë i popullit Halim;

Halim Xhelo,trim- o trim;

Të priti të dalç në Vlorë, djalë i popullit Halim;

Halim Xhelo, trim –o trim;

Me flamur të kuq , në dorë, djalë i popullit Halim;

Halim Xhelo, trim-o trim…”

E kësaj natyre është dhe kënga që i kushtohet “ Heroit të Popullit”- Avni Rustemi :

“… Mos pandeh se u harrove;

Lule o Avni Rustemi;

Se në histori u shkrove;

Lule o Avni Rustemi;

Avniu, njëzet vjeç djalë;

Lule o Avni Rustemi;

Në Paris, vrau Esanë;

Lule o Avni Rustemi…”

Këngët labçe të trimërisë, kënduar nga kalivaças, u bëjnë jehonë të rënëve në luftën çlirimtare , larg trevës së Kalivaçit. E deleguara e Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste të Gjirokastrës, për zonën tonë, Parashqevi Shehu, në prag të çlirimit të vendit, këndonte:

“… U kish rritur nëna, për një botë të re;

Lule more trima, që ratë për Atdhe!

Mithati me Mustafanë dhe Veizi tre;

Lule more trima , që ratë për Atdhe…”

Ose një këngë, pa autor, si mjaft të tjera të këtij lloji, na dëshmojnë se kalivaçasit nuk janë lokalistë, por gjithpërfshirës. Këngëtari nga Kalivaçi i ka kënduar atij që e ka merituar, pavarësisht nga treva së cilës i ka përkitur. E tillë është kënga, të cilës ia merrte, shpesh, bashkëfshatari  Dine Xhelal Behaj  (Nelaj):

“… Drashovicë, bëhet festimi;

Vjen një lajm nga sigurimi;

Vjen i vrarë Hito Selimi;

Në s’besoni, dilni e shihni;

Plot me gjak, mbushur qefini…” etj.

Kalivaçasi, me zgjuarsi e atdhetari të spikatur, i ka ndjekur, me vemendje zhvillimet dhe është prononcuar edhe me këngë. Në vitet e genocidit të egër shovinist të fqinjëve të Jugut ndaj popullsisë të pambrojtur të trevës shqipfolëse të Çamërisë, në Kalivaç, në dasma e gosti, zinte një vend me peshë vallja e kënduar çame, me këtë tekst:

“… Qaj Minushi, qaj Resuli ; qaj minush – Agas;

Ishin mbledhur, dhe po pinin, në një kafene;

Minushit vanë e i thanë: ke gruan të mirë;

Ku ma njeh ? Ku ma ke parë? Që ma mollois?

E paçë një ditë në krua, tek po mbushte ujë;

I thaçë nja dy-tri fjalë, dhe mi pranoi;

I dhaçë shami-shaminë dhe ma pastroi;

Minushin e zu rakia, vajti në shtëpi;

Nxorri  thikën, dhe e theri, o gruan e tij;

Të nesmen i doli rakia, vajti tek varri;

Ngreu grua; ngreu grua, se unë bëra faj;

Ngreu vishu! Dhe stolisu, të kërcejmë bashkë…”

Kalivaçasi kërkonte të mësonte mbi zhvillimin e ngjarjeve, nëpërmjet bisedave me të njohur e me të panjohur, duke lexuar shtypin e kohës dhe nëpërmjet dëgjimit të njoftimeve, me mjetet e publikimit të kohës. Mane Tafil Zenelaj, një njohës i mirë i trevës dhe i realiteteve, si lexues i vemendshëm i shtypit, ndodhinë e kthente në këngë, kështu:

“… Mora gazetën “Bashkimi” data 2 korrik;

Lajm i zi për Bullgarinë: Dimitrovi-vdiq;

Në vendin e socializmit: Bashkimi Sovjetik;

Çu mblodhën, të gjithë bashkë, shokët e Stalinit…”

Në Kalivaç u këndohej, me pathos, djemve që shkonin në kurbetin e mallkuar e shpesh nuk ktheheshin prej tij. Në një këngë –mallkim, një nuse e re, burri i së cilës iku në kurbet, pa njoftim, këndonte e mallkonte, me shpirt, ditën kur u ndanë:

“… Ditën e Barjamit, bleva një fustan;

Mjera unë, e mjera, me kë do ta mbaj;

Se burrin që pata, ma morën nizam;

Mjera unë, e mjera, me kë do ta mbaj?

Dhe më poshtë, po me këngë shprehte gjithë dufin që kish përbrenda, të akkumuluar prej kohësh:

“… Të gjithë bota venë e vinë;

Burri im, harroi shtëpinë…”

Më është ngulitur fort, në mendje një letër e bashkëfshatarit tonë Hamza Rushan Muharremaj. Hamzai, si mjaft të tjerë shkoi në kurbet, në Anadol, në vitet ’30 të shekullit të Njëzetë, por nuk u kthye prej andej. Ai, në vitet ’60-të të shekullit që lamë pas, i shkruante të vëllait; Barjam Rushan Muharremaj, në Kalivaç të Tepelenës, një letër ogurzezë, me tekst mjaft të dhimbshëm. Në  letër, Hamzai, i katandisur si mos më keq, i pamartuar dhe pa mbështetje, i lutej vëllait të ndërhynte pranë autoriteteve shqiptare te kohës, pë ta ndihmuar që të kthehej në vendlindje. L etra e kurbetliut Hamza Rushani përfundonte me fjalët e dhimbshme:”… më ndihmoni të kthehem në vatan; mos më lini të më treten kockat në dhe të huaj…” Sa të tjerë patën fatin e Hamzait? Kurbeti, vërtet zinte një shteg, për kurbetliun por hapte disa te tjerë. Tretja e eshtrave në dhe të huaj, është ndoshta njëra nga dhimbjet më të forta që përjetonin të dyja palët; si ai që ishte në kurbet dhe ata që e prisnin të kthehej në shtëpi.

Në këngët që janë kënduar e këndohen në Kalivaç, kapitull interesant përbëjnë këngët e vajit. Kur një njeri ndahet nga jeta, të afërmit e tij, sidomos gratë e fisit, e qajnë atë, me ligje. Në këtë material të shkruar, e kam, thuajse të pamundur të evidencoj tekstet e ( ligjeve)të vajit.  Ato nuk janë ligje vajtimi , por këngë të shpirtit vajtimtar. Po ç’farë i bën interesante këto ligje? Kur vajtohet dikush, atij, në ligje, i përmënden:  rrethanat e ngjarjes;  bëmat e tij sa qe gjallë;  i numërohen fëmijët që ka lënë pas dhe pozicionin e tyre social, bëhet aluzion për të ardhmen e fëmijëve jetimë; vihen në dukje, tiparet karakteristike të tij; vija e sjelljes në familje e në shoqëri;  bamirësitë dhe trimëritë e tij; si është përjetuar largimi i tij ( i saj), nga jeta, në mjedise të ndryshëm shoqërorë etj. etj. Ligjet janë aq të larmishëm e të ndryshëm, nga një rast në tjetrin sa, praktikisht është e pamundur të shkruhen.

Do të thoja se mjaft ligje, kur një këngëtar i vemendshëm i ka dëgjuar me kujdes dhe i ka fiksuar, më tej, i ka transformuar në këngë e jehona e tyre është e ndjerë gjatë. Është karakteristikë, më tepër e femrave  të përcjellin me ligje një të ndarë nga jeta, por një gjë duhet ta dimë; Çdo grua që qan, e bën këtë, me ndjenjë  e dhimbsuri,  jo se është e paguar nga dikush apo për bamirësi. Motivet që frymëzojnë një ligje apo një tog me ligje janë të ndryshëm e të larmishëm. Prandaj, është e vështirë të fiksohen në këngë dhimbja dhe dertet e tyre.Një gruas, e cila qan, me ligje burrin, njeriun e saj të zemrës, nuk mund ti sygjerohet asgjë. Ajo i di vetë pikat e dobëta dhe dhimbjet e shpirtit të saj, të cilat kërkon ti ndajë me të tjerët.

Me vlera që nuk mund të maten, janë këngët  djepit. Nuk mund të diskutohet  fakti  që nëna, i këndon me shumë dashuri  fëmijës që ka lindur, cilido që të jetë seksi i tij. Në Kalivaç, preferohen lindjet meshkuj por kjo nuk e le aspak në hije të kënduarit, në djep të vajzave, pavarësisht nga preferenca. Në këngët e djepit, nënat luten që fëmija i tyre të ngjajë nga të parët dhe të ketë vlera, në familje e shoqëri. Nëpërmjet nina-nanave, djemve u urohet të bëhen trima e punëtorë, si “X” apo si “Y”; vajzave – të bëhen të mira, nikoqire, të rriten me shtat si selvi; si pemë frutaplot, të mbushte oborrin me fëmijë, të ishte e paqme, e urtë, e sjellshme dhe e ndershme.

Nënat e reja, nën peshën e opinionit në familje dhe të atij shoqëror, i donin, me shpirt fëmijët e tyre, por këtë dashuri , të natyrshme, nuk mund ta shpalosnin me zë të lartë. Prandaj ishin të shtrënguara ti nanurisnin me zë të ulët e me shpirt. Gjyshet, gratë e moshuara, në përgjithësi  e ngrinin tonin dhe e hapnin gurmazin, kur nanurisnin një fëmijë.

Të dhimbshme ishin këngët e djepit, që u këndoheshin atyre fëmijëve, baballarët e të cilëve, halli i kishte shpurë në kurbetin e zi, ose nizam, nga ku, ata nuk u kthyen kurrë.Nënat e reja, në këta raste, mallkonin fatin e zi, i cili, duke u treguar i pamëshirshëm,  nuk u dha mundësinë ta rritnin fëmijën me burrin në krah. Në ninullat e tyre, një vend kryesor ze ankimi për fatin e keq të tyre dhe urimi, që fëmija i sapoardhur në jetë, të mos ngjante me të atin.

Këngëtarët nga Kalivaçi i Tepelenës, në kohë, kanë hipotekuar këngë të veçanta; pronësinë e të cilëve e njohin dhe e pranojnë të gjithë

Sejcili nga burrat ( gratë) kalivaças janë  të aftë  të këndojnë çdo këngë labçe, por  çdonjëri prej tyre ka një këngë të vetën; të cilën e ka “ hipotekuar”. Kjo nuk do të thotë se të tjerët nuk kanë të drejtë ta këndojnë atë këngë, por, si ai, zor se e këndonte njeri. Aq sa kam mundur të evidencoj, më poshtë do të përpiqem tju sjell në kujtesë një bagazh, me këngë të “hipotekuara”:

Në çdo mëhallë ka patur këngëtarë, me emër, këngët e të cilëve relaksonin cilindo që i dëgjonte. Njëri  nga “ bilbilat” e këngës labçe ka qenë Muharrem Qerim Mehmetaj, nga Ruçi, Njëri nga burrat e ndjerë, me bashkëfshatarësi të dyfishtë: Nga  Dorza dhe nga Kalivaçi. Me atë zë si oshëtimë mali, xha Muharremi , njëri nga bashkëfshatarët tanë më të nderuar, ia thosh këngës:

“… Do tja marr, a ç’jam i marri;

Për qejfin e këtij behari;

Këto kusuretë tona;

Spaskan të sosur akoma;

Po çelin lule të njoma;

O kusure, mos u sosçi;

U bëfshi sa mos u njofshi…!

Kushëriri i tij Hamza Shesho Mehmetaj, një burrë mjaft i zgjuar e i shkathët; gojëtar i rrallë e këngëtar nga më të mirët, këndonte, me zë bilbili. Në vargjet e këngës së tij kishte nota të pëlqyera humori. Njëra nga këngët që ai kishte “ hipotekuar” ishte:

“… Piva, shokë, piva;

U bëra i marrë;

Le të jetë dimër;

Më duket beharë;

Dy fijet e barit;

Më duken si trarë;

Kur këndon kaposhi;

Më duket si kalë…”

Mehmetajt, në Kalivaç të Tepelenës, një fis i shquar ,në çdo fushë të jetës, sikur janë “ të prerë” edhe për këngë. Në të kënduar, pinjollët e Muharrem Qerimit e të Hamza Sheshos, nuk mbeten pas etërve të tyre.

Ismail Muharrem Mehmetaj, kur ia merrte këngës labçe, “ lëkundeshin muret e shtëpisë”. Kënga e tij e preferuar ishte:

“… Sa e bardha këjo ditë?

Lule djemtë e nënave;

Ngrihi, dëshmorë-njëçikë!

Lule djemtë e nënave;

Të shikoni mirësitë;

Lule djemtë e nënave;

Se vetë i kinin stolisë;

Lule djemtë e nënave;

Me gjak e me sakrificë;

Lule djemtë e nënave;

Në borë, natë dhe ditë;

Lule djemtë e nënave;

Pa bukë e pa ujë hiçë;

Lule djemtë e nënave…”

Vëllai i tij, Ali Muharrem Mehmetaj, këngën labçe “ e ngiste” më shtruar dhe, duke kënduar, e dridhte zërin, i cili dilte  më i llaskuar. Aliut i pëlqente kënga  që kish krijuar vetë:

“… Kur erdhi Italia;

U pushtua Shqipëria;

Kalivaçi, në Tepelenë;

U mblodhën : Burra e djem;

Pranë Viosës, në Donije;

U mblodh, e gjithë rinia;

Dhe në luftë, iknë e vanë;

U bashkuan me partizanë;

Në luftë, shumë u vranë; dhe disa nga djemtë tanë;

Kalivaç- Sami Musanë;

Bilal e Muharrem Hasanë;

Xhemal e Hamit Azbinë;

Qerim e Hamdi Tahirë;

U vranë e mbetën dëshmorë;

Në çdo festë u vemë kurorë…”

Aliut, kur i vinte radha për të kënduar, në dasma e gosti, mbas “ nxemjes”, krekosej e me shumë gëzim, ia merrte gëngës të mirënjohur:

“… Hyri prilli, shkriu bora, majave;

Dëgjoni, zile-këmborë, brigjeve;

Zogjtë dy nga dy jetojnë, në fole;

Çajnë qiellin e shkojnë, si rrufe;

Ti moj vajza shqipëtare, çbën atje?

Mua më harrove fare, ç’zemër ke;

Jo, mor jo, stë kam harruar; stë harroj;

Në zemër të kam të shkruar; sa të rroj…”

Mehmetajt, të ardhur në Kalivaç, nga Dorëza, u vendosën në vendin e quajtur Brinja e Beut, në Plirën e Ruçit, disa metra mbi kishën mesjetare. Ata, si fis luftëtarësh, nga të Caush Likës e të Lame Likës me famë, të cilët kishin kundërshtuar, gjatë, me armë pashanë e Janinës, u përshtatën, për bukuri, me vendasit. Muharrem Qerimi, një burrë trim, i pashëm e fisnik, u martua me Vezikon, të bijën e Musa Delos, që ishte derë e madhe luftëtarësh. Vezikua, aq mirë u përshtat në familjen e Mehmetajve, sa përthithi  dhe këngët e trimërisë që këndonin ata. Ajo ia thosh këngës  labçe, për shtatë palë qejfe. Në një këngë të tillë, Vezikua e Isufajve, këndonte:

“… Që në Vlorë e Tepelenë;

Caush Lika, zu dyfeknë;

Caush Lika, plot pëllëmba;

Thyer dor’ e thyer këmba;

I vate një ditë brënda;

O Tahir, mustaqe dhjamë;

S’u përpoqe, për babanë;

Djalë të kisha Havanë!

Që më mban fishekët pranë;

Ajo mbush, e unë jep zjarrë…”

Trimëria e Havasë, vajzës të Caush Likës, e cila, përkrah burrave të fisit luftoi, e nuk e la, asnjëherë pozicionin luftarak, zuri vend në këngët labçe të trevës e u këndua kështu:

“… Hava Likja, moj Lalote;

Ku këndohet kënga jote?

Atje, tek portë e kalasë;

Këndohet këng e Havasë…”

Kënga kalivaçase, nga koha në kohë është kënduar në shtratin e këngës tradicionale, labçe, me nuanca e variante nga më të ndryshmit. Më dëndur haset si këngë e shtruar, vënçe, me një marrës, një pritës, një hedhës e të tjerë që mbajnë iso. Shpesh, ai që ia merrte, kur zëri i tij mund të dilte mbi të tjerët, edhe ia hidhte këngës, me sokëllimë. Të tillë këngëtarë ishin jo të paktë; njëri syresh ishte plaku i mënçur e trim Musa Mehmeti, nga mëhalla Ahmetaj. Kënga e tij i ngjante stuhisë që vinte nga Gryka e Ylynecit. Teksti i saj ishte:

“… Bilbili me gjuhë shumë;

Pse s’këndon, po qan, o lumë?

Do qaj, të mos pushoj kurrë;

Për ata trimat fudullë;

Për ata trimat levenë;

Vanë në luftë e më s’u kthyenë…”

Xha Musait i ngjau mjaft, edhe në të kënduar, pasardhësi i tij – Mehmet Musa Nelaj. Ai, veç zgjuarsisë e mençurisë, që trashëgoi  nga i ati, pati për dhuratë edhe zërin e “ bilbilit”. Kënga e tij e preferuar ishte:

“… Hyri prilli, shkriu bora, maleve;

Mbani vesh si “zjen” këmbora, brigjeve!

Ti moj vajza kanakare, ç’bën atje?

Mua mëharrove fare, ç’zemër ke?

Jo, mor jo, stë kam harruar, s’të harroj!

Në zemër të kam të shkruar, sa të rroj…”!

“ Bilbili” nga Kalivaçi i Tepelenës, një burrë i kompletuar, i prerë për kryekrushk, të cilin e ftonin në këtë rol, jo vetëm  familjet e rrethit të tij familjar, kur bënin dasmë, por dhe të tjerë, pa lidhje gjaku, Muharrem Kamber Dëraj, ia merrte këngës labçe, me zë brilant e me fjalë të kuptueshme, si vijon:

“… Ç’janë ata që shkojnë zallit?

Trimat e Rrapo Hekalit;

Mos u dil përpara kalit!

Se të marrin lulen e ballit;

Me majën e jataganit…”

Burri i zgjuar, fsnik e trim, Mane Tafil Zenelaj, nga Ahmetajt, këndonte, me shumë dëshirë e brengë këngën e lashtë, kushtuar një të burgosuri, i cili u nda nga jeta, brenda mureve të kalasë të lashtë. Kënga e tij evokonte vuajtjet dhe dertet e bashkëfshatarëve dhe njerëzve tëtrevës, në burgjete tmerrshme mesjetare, nëpërmjet togfjalëshit:

“… Thonë se vdiqe nga veremi ?

O Dhimitragjon; djalë i vetëm-o;

Ne, për soj, ashtu se kemi;

O Dhimitragjon; djalë i vetëm-o;

Që të vdesëm nga veremi;

O Dhimitragjon; djalë i vetëm-o…”

Në gojën e Mane Tafilit, “ qëndronte bukur” edhe kënga me tone humori të pëlqyeshëm:

“… Byrekun me lakëra;

Ç’e gatoi e varfëra;

E cimbisi maçeja;

Çiç e çiç – moj maçe e shkretë;

Se ma le burrin, pa drekë;

Burri, s’u gjënjyekësh;

Mashën e rrëmbyekësh;

Në kokë ta thekësh…”

Kënga labçe humoristike, në Kalivaç të Tepelenës, nuk ishte vetëm në “pronësi” të burrave. Edhe gratë nga Kalivaçi, të gatuara nga i njëjti miell, si burrat,  ia thoshin, me ironi , këngës, kur ndeshnin në parregullsi. Ganua, motër e Zenel Shahinit, nga Bozanajt, një grua burrëreshë, kur vajti në një dasmë, në Ahmetaj, kur pa që gratë kuzhiniere, të caktuara për të bërë përsheshin tradicional, më shumë hanin kulaç të grunjtë, sa e copëtonin atë. Ajo, me atë autoritet që i jepte fisnikëria e derës së babës dhe shtatlartësia, e saj, nuk e kaloi në heshtje situatën por thumboi, nëpërmjet  këngës:

“… Lame Lika, Lame Lika, thyej kulaç e ha kafshita…”

E “ mblodhën “ veten kuzhinieret e dasmës dhe, e zonja e shtëpisë, ia doli mbanë dasmës, duke pjekur të tjerë kuleçë të grunjtë.

Kalivaçasi Laze Xhezo Hadëraj, këndonte qetë –qetë. Ai ishte dhe një kërcimtar i rrallë. Kur dilte në valle xha Lazja  dhe, me sytë përdhe, përdridhte belin, si ngjalë, burrat i hapnin mesin e odës dhe e vështronin. Xha Lazja, këndonte e kërcente, njëkohësisht. Kënga e tij e preferuar ishte:

“… Në dyqan, tek Kiço Sharra;

Kapedan, more Nase;

Shtruar rakinë përpara;

Kapedan, more Nase;

Vjen kapteri nga Himara;

Kapedan, more Nase;

Ngreu Nase! Shko përpara;

Kapedan, more Nase;

Se do të lidhëm me pranga;

Kapedan, more Nase;

Mua s’më lidhi Turqia;

Kapedan, more Nase;

Nga do më lidhë Italia?

Kapedan, more Nase…”

Vëllai i Lazes, Banush Xhezo Hadëraj, një burrë i gjatë, pak i kërrusur, me mustaqe bojëgruri, blegtor i shquar, njohës i shkëlqyer i gjuhës Turke, ia merrte këngës , qetë-qetë. Kënga e tij, vinte: dallgë-dallgë, si valë deti. Kënga e preferuar e tij, të cilën e njihnin të gjithë, ngjante me këngë vaji por nuk ishte e tillë. Teksti i saj ishte interesant;

“… O Brahim, a unë nata;

Qysh vajte dhe ti, si baba;

Hëm pa drekë; hem pa të shtata;

… mos e qaj, atë ashtunë;

Po qaje, siç e qaj unë…”

Nelo Resmi Nelaj, me zë të qartë e të kthjellët, si ujët që buronte, nga shkëmbi, në Donije, këndonte:

“… Në Vlorë foli prefekti;

Moj Vlor-o; Kanin-o;

Të mblidhet gjithë mileti!

Moj Vlor-o; Kanin-o;

Se vjen Smaili na deti;

Moj Vlor-o; Kanin-o…”

Vëllai i tij i vetëm, Reshati, këndonte:

“… Java shtatë e muaji tetë;

Seneja dyzetedy;

Në Vlorë, brenda në qytet;

Pranë flamurit kuq e zi;

Përpara Miletbahçesë;

Ranë bomba : Dy a tri;

Ajo më e madhja nuk plasi;

Si siu drodh,ajo burgji?

Telit-o gjaku iu ndez;

E mori vdekjen në sy;

Nxori  rrevolen me dhjetë;

Qëlloi, mbi milici;

Milicit, dora iu thaftë;

E qëlloi dhe ai…”

Zonja e Madhe e Binajve, e përvëluar nga malli, për vëllanë e saj dëshmor, të cilit nuk iu gjend varri për mjaft kohë, e shprehte dhimbjen me ligje:

“… Andej lart, në fshatëra;

Qan nëna, në penxhere;

Djalë, o djalë, e varfëra;

Vajte në luftë e s’erdhe;

Në një pritë me gjermanë;

Të vajti gjaku rrëke;

Djalë o djalë, e varfëra;

Vajte në luftë e s’erdhe;

Djali i djalit, çilimi;

Më thotë: mos qaj! o plakë;

Se babai do na vijë;

Se ka vajtur në brigatë;

Vajti i ri e do na vijë plak;

Jo, mor jo, se është vrarë;

Dhe ti ke mbetur bonjak;

Dhe nëneja do të dalë;

Dhe ti ke mbetur bonjak…”

Merjemeja, grua e dëshmorit Muharrem Hasani, kur i shoqi ishte partizan e ajo ndodhej në dasma e gosti, këndonte:

“… Nga na vjen, andej – këtej – o partizan?

Kërkoj udhën, se gjej dot – o katundar;

Ç’më jep mua, ta dëftoj – o partizan?

Unë të jap një ballë fishekë-o katundar;

Mbaji vetë, për të luftuar – o partizan;

Se pas bregut, ka gjermanë – o partizan…”

Shaza, e bija e Nelo Binos, e cila ishte e martuar në Shkozë, ku jetoi deri në moshën- 105 vjet, e fiksoi, në këngë, pushtimin gjerman të vendit , kështu:

“… Ditën që erdhi gjermani, me maqina të mëdha;

Maqinat në bijo bari, për të mos kuptuarë;

Koloneli italian-o; doli në Gërhot e tha:

Ç’kërkon këtu, o gjerman-o; s’bëhet luftë, me këta!

Këta janë luftëtarë; luftojnë burra e gra…”

Azis Selfo Alidervishaj, një burrë i zgjuar, i shkathët, trim e i besës, mëllefin që kish kundrejt padrejtësive të kohës, në vitin 1938 e shprehte kështu:

“… Dil o lunë i Vlorës-o !

Dil, se do të dalim-o;

Të mëdhenj, të vegjël-o;

Kemi hall, me Virion-o;

Na kërkon xhelepet-o;

Xhelep e tymjake ska;

Jemi popull fukara;

Jetojmë me lakëra;

Katër shtëpi,  me një ka;

Merrna hakën, o Allah…”

Mëhallaliu i tij, Jaçe Sadik Azizaj, luftëtar i shquar i Luftës Partizane, kish për zemër këngën : “ Vajzë e valëve”, në të cilën mallkohet kurbeti i nëmur. Jaçja ish njëri nga “ bilbilët” e këngës kalivaçase. Ai, nuk këndonte, por interpretonte, si ndonjë aktor i rrallë, sipas stilit të të kënduarit të Bregut. Shokët e tij të këngës, kur ia merrte Jaçja, vetëm bënin iso. Asnjeri  nuk ia mbanin dot këngën Jaçe Sadikut. Partizani i regjur Jaçe Sadiku këndonte kështu:

“… Vajzë e valëve, zemëra s’ma mban;

Mbi një gur, anës së detit, qan e zeza; qan e mjera; qan e zeza – qan;

Pret atë që pret;… rron apo nuk rron?

Ndonjë lajm a ndonjë letër, vallë, pse smë dërgon?…”

Bukur e këndonte këngën kalivaçase, bashkëfshatari Gani Muharrem Ramaj, lundërtari më jetëgjatë, në fshat dhe njëri nga specialistët më në zë të anëlunit. Kënga e tij, jehonte:

“… Pse s’martohesh, moj çobankë?

Jarna, jarna, jarna-na;

Apo ke linjën pa larë?

Jarna, jarna, jarna-na;

Pse se lan? Moj duartharë;

Jarna, jarna, jarna-na;

Sapuni, pesë para;

Jarna, jarna, jarna-na;

Ujët, fare badiavah;

Jarna, jarna, jarna-na…”

Eniste qetë –qetë, këngën Demir Seit  Alidervishaj, siç ishte i shtruar dhe në punët që bënte, por gradualisht, kënga e tij, gjatë “ rrugës”, merrte zjarr e buçiste:

“… Të kisha zënë e bilbilit;

Gjithë jetën do këndoja;

Bukurinë e trëndafilit;

Gjë tjetër, Zotit s’i doja;

Dhe bilbili kur këndonte;

Plagët e mija lëndonte;

Një nga një mi numëronte;

O bilbil, more Gjyzdar;

Pse s’këndon si në behar?

Në behar, këndon kushdo;

Edhe zogu i qyqes-o…”

Manxhar Azbi Ramaj, një burrë shtatshkurtër por me mushkri si kompresor, këndonte bukur. Kur këndonte xha Manxhari, të krijonte përshtypjen se po e ledhatonte këngën, si zdrukthtari dhogën.

“… Kasollja, përtej në ilqe;

O veqil, more;

Qëkur linde, gjersa vdiqe;

O veqil, more;

S’the një fjalë me melaiqe;

O veqil, more…”

Këtë këngë e këndonte, bukur, dhe plaku i zgjuar, gjahtari i njohur Abedin Kahreman Hadëraj, në mëhallën Ahmetaj.

Çobani esnaf , për mbarështimin e dhive, Ali Demir Alidervishaj, kur këndonte, të krijonte ndjesinë, sikur po vraponte, duke iu marrë fryma, monopateve  të Shkëmbit nga nxirrte dhitë. Kënga e tij, me tekstininteresant, ngjallte shumë gëzim, tek ata që e dëgjonin.

“… Atje poshtë, tek lisi i thatë;

Patë, moj patë;

Shko Baxhi e ktheji lartë;

Patë, moj patë;

Ngaji, bjeri në shtëpi;

Patë, moj patë;

Kë do therim, moj Baxhi?

Patë, moj patë;

Patokun laro-zi;

Patë, moj patë;

Na vjen miku, nga Markati;

Patë, moj patë;

E pandeu bisht dashi;

Patë, moj patë;

Ishte bisht patok larashi;

Patë, moj patë…”

Në mëhallën e Hysodosajve ka jetuar një burrë, për të cilin, do të thoja, plot gojën : “ Mos i humbtë emri kurrë”!  Ai ishte njëri nga njerëzit më të mirë të fshatit, në të gjitha kohët moderne. Daut Mahmut Pashaj, një burrë i pashëm e i mënçur, përveç cilësive të rralla si njeri, ishte dhe këngëtar, nga më cilësorët. Kënga e tij labçe, i kapërceu kufijtë e Kalivaçit e u pëlqye, jashtë mase në trevën e Zagorisë. Në një vajtje, në gosti, i ftuar nga qinosari Peço Menkshi, kur ia mori këngës Dauti, të gjithë ata që ishin të pranishëm, mbetën me gojë hapët e të çuditur pyetën për emrin e këngëtarit. Kënga e tij e preferuar, e cila u pëlqye dhe në këtë rast, jehoi:

“… Janinës ç’i panë sytë; Ja -a- a- nino;

Ish e premte ajo ditë; Ja-a-a-nino;

E zeza Janinë…”

Kënga e Dautit, me zë të përdredhur, i shtangu, të gjithë të pranishmit, të cilëve u mbetën sytë tek Daut Mahmut Pashaj.

I biri i Dautit; Agroni, ka trashëguar nga i ati, përveç vlerave kalivaçase edhe zërin e bilbilit, në këngët labçe. Kur këndon Agroni, ta ka ënda të dëgjosh. Kënga e tij e preferuar është:

“… Kënga jonë, kënga labe;

Ushton, në fusha e në male;

Gjithë brezat e kaluar;

Dëftojnë si kanë vuar;

Në mërgim, në dhe të huaj;

Këngën labe, këngën tonë;

Do ta këndojmë gjithmonë…”!

Xha Fejzua; Fejzo Ahmet Pashaj,  nuk mbetet prapa nga pararendësit. Ai , në vallen e kpënduar bilbilon:

“… Shazja , me dhëntë në brinjë;

O Shaze! Kallogre;

Sa me naze, naze, naze, shtruar vallen-o;

Çi kullosje në livadhe;

O Shaze ! Kallogre;

Sa me naze, naze, naze, shtruar vallen-o;

Me treqintetetëdhjetë;

O shaze! Kallogre;

Sa me naze, naze, naze, shtruar vallen-o …”

Plaku i Zenelajve, në Ahmetaj: Novruz Selfo Zenelaj  këndonte plot ironi këngën humoristike:

“… Ditën duke dirë e martë;

Korba Çeço; qyqja- Çelo;

Korba o Çeço Akika;

Korba Çeço; qyqja- Çelo;

Kërraba jote me pika;

Korba Çeço; qyqja -Çelo;

Çeço, kur vije nga dhentë;

Korba Çeço; qyqja -Çelo;

Me pëllëmba mi mbledh mendtë;

Korba Çeço; qyqja- Çelo…”

Besim Velo Alidervishaj, i varfër ekonomikisht, ishte mjaft i pasur së brendshmi. Kënga e tij shprehte vizion origjinal, lidhur me jetesën në metropolin e asaj kohe.  Bariu i deleve, i qeti  Besim Velo, ia shkulte këngës labçe, sikur po u jepte bar, me shkop, dhenve të tufës që kish përpara:

“… O çuno, feste mënjanë;

Hajde vemi në Tiranë;

Bëjmë sehir kasabanë;

Sa xhami e sa dyqanë;

Sa të bukura që janë;

Kur del çuni, nga dyqani;

I vetëtin jatagani;

Kur del çuni, nga xhamia;

I vetëtin hajmalia…”

Në një këngë tjetër, e cila nuk dihet prej sa kohësh këndohet , në Kalivaç, me doza humori, xha Besimi mban qendrim autokritik:

“… Moj kokë e qënit ,moj qëne;

Që s’dite për veten tënde…”

Banush Xhezo Hadëraj, “ mjeshtër “ për mbarështimin e dhenve, këndonte shtruar e harmonishëm, si dhentë e tij, në kullotë, ku këmborët e tyre ishin akorduar e dëgjoheshin  në të gjitha notat e pentagramit. Kënga e tij, me tone ironie ishte pjesë e jetës baritore që bënte:

“… Ç’trokëllin në atë gardh?

O Thanas, more Thanas;

Bushtër e kuqe, e Thanasit;

O Thanas, more Thanas;

Nëm dyfekn, se do ta vras!

O Thanas, more Thanas;

Dyfekun që më la plaku;

O Thanas, more Thanas;

Trak, a truk ia bën kondaku;

O Thanas, more Thanas…”

Burri i  zgjuar, i shkathët e trim i papërmbajtur Refat Mahmut Bilaj,i këndonte kështu trimërisë:

“… Moj teqeja Hormovite;

Erdhi Lazja, i Beçishte;

Vetë i dymbëdhjetë shokë;

Pa vajtur dielli, një copë;

Doli Lazja, pa kokë…”

Burri i qetë e i qëndrueshëm Shefit Qazimi, kur këndonte, tundej oda, nga zëri i tij, i cili ngjasonte me një gjëmim:

“…Ali Pasha, kur qe djalë;

Në Hormovë e kish inatnë;

Përmbi  Caush, Kapedanë;

Caush Bej; Caush Hormova;

Në hell, të gjallë të shkova;

Dhjamë e dyllë, të pikova;

Dotë besën s’ta ndërrova…”

Banorët nga Kalivaçi i Tepelenës, janë e s’janë besimtarë. Ata rrjeshtohen në fenë muslimane; sekti bektashian. Në kohët që nuk mbahen mend, disa basahkëfshatarë ishin të regjistruar muhipë, në teqetë e trevës, si  ajo e Koshtanit; e Dorzës; e Agarajve  dhe e Arakopit. Ata ishin të paktë e nuk ishin praktikantë të rregullt. Origjina e krishterë e banorëve të fshatit tonë, gjithsesi e kish zbehur disi besinin tek doktrina dhe feja muslimane, në përgjithësi. Edhe mes më fanatikëve, hera-heres e në formë të ndryshme viheshin re lëkundje, në besimin e njerëzve. Një argument i ndjeshëm, në favor të kësaj teze, është fakti se në terrenin e Kalivaçit, prej kohësh ( të paktën në shekullin e fundit) nuk kanë egzistuar, as kishat e as xhamitë; madje, as gërmadhat e tyre.

Disa këngë, të cilat kanë mbërritur tek ne, nga e kaluara e largët, janë me përmbajtje fetare si reflekse të ndikimit të fesë muslimane. E tillë është kënga e kënduar nga bashkëfshatari Nazif Muharrem Dosti:

“… Ç’janë dy vëllezër?

Që rrinë larg e larg;

Njëri në Tomorr; tjetri në Berat;

Ky Baba Salihu, një dorë plak…”

Kënga, pa autor, e cila vijon është me përmbajtje fetare  dhe bën fjalë për një rit të lashtë musliman, lidhur me larjen e meitit ( kufomës), para varrimit. Kënga na  bën me dije se:

“… Dukaj e Turan u mbluadhë;

U mbluadh’ të qajnë babanë;

Në Terneshin, po e lajnë;

Djersët, nga balli i ranë;

Thotë hoxha: “ Është i gjallë”!

Vështro hoxhë e bëj zananë;

Se ky soj, kështu e kanë;

Si dervish e baballarë…”

Mjaft drejtues të religjioneve fetare  ishin në anën e atdhetarisë. Një këngëtar i panjohur ka pikasur një masakër kundër religjioneve fetare dhe eka përcjellë me këngë;

“… Pa dëgjoni o shqiptarë, në Rabie se çu bë!

Vranë babanë e dervishnë, si në Qerbele u bë;

Baba Qamili dërgoi; baba kthemë fjalënë;

Shiko kontrolloje mirë se brenda ka radionë;

Edhe radionë ia gjetën, merrejvesh me Londrënë;

Unë fjalën nuk e këthej, jezit  mbaro punënë!

Se jam i biri Aliut, në të prapë nuk kthehemë…”

Në një këngë tjetër, mallkohet  treva pranë xhamisë ku kish ndodhur një masakër:

“… Mbeç shkretë ! O Qafë e Xhamisë!

Çu bëre vend i pusisë;

Vrave Bazon dhe Dervishnë;

Bazon dhe Dervish Kananë;

Sadedini kish lënë djalë…”

Ndonjë këngë, edhe pse këndohej rëndom në mjedizset kalivaçase, nuk i dihet, as autori, as egzekutori. E tillë është kënga:

“… Ah moj pleqëri e shkretë;

Ç’ke që më mundon;

Në darkë vete tek plaka;

Ajo më qorton:

Ku vete o çil i bardhë?

E ke me racion…”

E tillë është dhe kënga:

“… I ziu, që kur kam lerë;

Yzmeqar, derë më derë;

Katër këmbë, s’i kam këmbyerë…”

Ose kënga plot humor:

“… Ah moj koburja me lak;

Vrave xha Çumanin plak;

Qysh ia hape ? gjithë atë bark;

I vanë lakrat vark e vark;

Pa të pyesëm Mezeinë!

Të na japë haber e mirë;

Çfarë tu them a unë e mjera?

Hëngër darkë e u zunë;

Djali –plakut: Hëngre shumë…”

Në zhargonin e këngës kalivaçase, nuk kanë munguar as ato me tekste humoristike, që fshikullojnë  veset e një njeriuapo një ndodhi, e cila ka lënë shijë të keqe. Fshatari nga Kalivaçi i Tepelenës është i drejtpërdrejtë, si në bisedë dhe në këngë. Por, ai, kur duhet thumbon e ironizon, me kuptim.  Dy lagjarë, nga Hysodosajt, të dy, burra të ndierë; “bilbila” në këngë e të lehtë, si era, në valle: Mete Medin Sulaj dhe Kalo Qazo Ramaj, kur dilnin në valle, dyshe, burrat “ u hapnin krahun” e i vështronin,  me kërshëri e me xhelozi. Ata, vetë këndonin e vetë kërcenin.  Vallja e kënduar e tyre, e kishte humorin brenda:

“… Seç mu bë në ëndërr, prëmë;

Metja, me Kalon, në këmbë;

Do bënin zakonin tënë;

Zakonin që na lanë pleqtë;

Shokë të na rrojnë djemtë…”!

Në Kalivaç, në vitet e messhekullit të njëzetë ka jetuar një burrë  i gjatë; më i gjati në fshat, i cili bënte humor, në jetë e nëpërmjet këngës. Kënga e  preferuar e xha Idriz  Agos, ishte:

“… Vajta në Pazar; bleva një pulë;

Pula bëri koqevenë, zonja shtronte dyshemenë;

Gjeli po këndonte, bilbili ia thoshte;

Thoja bilbil thoja, mor tu lumtë goja;

Jepi bilbil jepi, mor tu lumtë sqepi;

Vajta në Pazar, bleva një dele;

Delja thoshte: “Qethmë mua”! Pula thoshte :” Thermë mua”!

Gjeli po këndonte, bilbili ia thoshte;

Thoja bilbil thoja, mor tu lumtë goja;

Jepi, bilbil jepi, mor tu lumtë sqepi;

Vajta në Pazar, bleva një lopë;

Lopa thoshte:” Milmë mua”; Pula thoshte : Thermë mua”;delja thoshte:” Qethmë mua”!

Gjeli po këndonte, bilbili ia thoshte;

Thoja bilbil thoja, mor tu lumtë goja;

Jepi bilbil jepi, mor tu lumtë sqepi…”!

I biri i xha Idrizit, Veliu, i gjatë, jo më pak nga i ati, ngjante, si dy pika uji, me babanë edhe në këngë e në valle. Kur u kthye nga mali, ku ishte partizan,tek sheshi, pranë Lisit të Aget, afër shtëpisë të Ago Muharremit këndonte një këngë humoristike dhe kërcente bukur. Teksti i këngës evokonte një episod nga lufta partizane, në Veri të vendit tonë:

“… Ku i ke ngritur Çadrat-o;

O Preng Cali?

Në shpellat Vermoshit-o;

O Preng Cali;

Partizanët të kanë rrethu;

O Preng Cali;

Dhe kanë me të pushkatu;

O Preng Cali…”

Kënga labçe kalivaçase ka jehuar në breza. Në rastin e Agajve, ajo është trshëguar, nga njëri brez, në tjetrin. Idrizi ia mëkoi këngën dhe vallen- Veliut dhe ky të birit- Besnikut,  cili është pjesëtar i grupit polifonik të kalivaçasve të migruar, në Tiranë të cilin e organizon dhe e drejton “ bilbili” i këngës kalivaçase- Viktor Aliu. Edhe Ago Muharrem Agaj, kushëri i xha Idrizit, nuk mbetej prapa tyre, në këtë lëmë. Ai këndonte, me shpirt, këngën e tij, të preferuar:

“… Moj shelege vogël-o;

Do vish me ne, apo jo?

Unë do vi, me domosdo;

Dhe do pyes çobanët-o;

As ma jep, ta bëj manare;

Ta gjezdis, stane më stane;

Ta ushqej, me thelpinj arre;

Thelpinj arre e bukëvale…”

Veliu, i biri i xha Idrizit, kur këndonte këngë me theks Atdhetar, bëhej më serioz e më i kursyer në fjalë. Kënga e tij jehonte:

“… Nëntëqint e dymbëdhjetë, moj Vlora me histori;

Plaku Ismail Qemali, President, në Shqipëri;

Mblodhi popullin e Vlorës, edhe nënëpunësit;

Mbajti një fjalim të shkurtër, fjalimi me rëndësi;

Më datën njëzetetetë, do ngrihetë flamuri;

Më datën njëzetenëntë, unë do shkoj në Itali;

Dua nja dy djem me vete, të zgjedhur nga populli;

Të jenë tipa të zgjuar, të mos i kuptojë njeri;

Dhe në vdekça unë andej, të më bjenë në Shqipëri;

Varrin ma bëni  Kaninë, të kem skelën përkarshi…”

I pakët ish nga trupi, pinjolli i Agëve, me emrin Ago Muharrem Agaj, por  kënga e tij shkonte :”Gjym” e oshëtinte ai breg kënge.

“… Që në Lekël, në Labovë;

Djemtë e Rrëzave u mblodhë;

Kush u hodh, proto, në lumë?

Selam Musai, me gunë;

Hundëkuq, vuri graminë;

O djem: Do vemi Janinë…”

Kënga labçe, në Kalivaç të Tepelenës, ka ushtuar në çdo shtëpi, fis e mëhallë dhe është kënduar nga çdo njeri; burrë apo grua. “ Bilbilët”e këngës kalivaçase i gjen kudo e kënga e tyre është e larmishme, për nga teksti dhe e fuqishme, për nga mënyra e të këndu arit. Kam ndjesinë se ajo është lindur në Bozanaj dhe është  përkundur nga era që rreh atë breg. Ndoshta për këto fjalë do të kem shumë kundërshtarë. Mendoj se ja vlen , kur bëhet fjalë pët të mirën e fshatit tonë. Dikush, do të thotë: “Po ne, çfarë kemi bërë? Mos kemi mbajtur iso”? E them, me bindje se: edhe sikur kënga kalivaçase të mos ketë lerë në Bozanaj, është e sigurtë se atje, ajo ka marrë fuqi, është rinovuar e i janë rritur krahët. Po të keni, më dëftoni një rast të ngjashëm ku  Profesori, me titull shkencor, të vishet me takëmin e labit e tja marrë këngës, si  një “ bilbil” i vërtetë, në veprimtari mbarëshqiptare apo në ato ndërkombëtre, ku është vlerësuar denjësisht?  E kjo nuk është rastësi: Malo Bajram Hysaj dhe Bajram Malo Hysaj, si dhe Malajt ( Hysajt) e tjerë e kanë kënduar, me shpirt e me zë të bukur këngën labçe. Sulo Bajram Hysaj, një përdorues sistematik alkooli, këndonte:

“… Kam një mike, një lanete;

Në kurbet s’më le të vete;

Më thotë: Merrmë me vete;

Ku të shpie ? moj lanete?

Unë jam nizam për vete;

Dhe më thonë: Përgjigju: “ lepe”…”

Ky Sulo Bajram Hysaj, kish mjaft përzemër këngën e filxhanit:

“… O filxhan, babaxhan;

Pije, tu bëfsha kurban!

Kush e pi, këtë raki?

Miku ynë, me dashuri;

Pije, mik-o pije !

Sa të paska hije;

Shihe Çka përbrenda?

Mjaltë e mollë, t’ëmbla…”

Xhaxhai tjetër i Profesorit, Shefik Bajram Hysaj, një deli burrë, shumë punëtor e i besës, këndonte kështu:

“… Kush e ndreqi Shqipërinë?

Enver Hoxha, me partinë;

Trenatë, me fërshëllimë;

Nga Tirana, Durrës vijnë;

Elbasan e kanë qëndrimnë;

O Enver, tu lumtë goja!

Bëja dhe një herë forra :

Të na vijë treni nga Vlora;

Nga Vlora, në Tepelenë;

Se kemi goxha minierë…”

Disa metra më poshtë, tek fisi i Dostajve, kënga labçe-vënçe, kish bërë fole . Atje këndoheshin këngë të larmishme. Nazif Muharrem Dostaj, ia thosh këngës:

“… Qafë e Koçiut, moj grykë;

Ç’qamet bëre atë ditë?

Qafë e Vlorës, maja-maja;

E qëllon, me top Itala;

I vete tymi- dumana;

Dumana i vete tymi;

Doli Selami  si ylli;

Edhe shokëve uthirri…”

Në Dostaj këndohej dhe me rromuze; madje dhe për mëhallalinjtë. Kur i humbi një ka, Breshan Lulos, në këtë fis, u sajua kënga:

“… Tek Meçiti; te Sërhani;

Lulos i humbi Kuqali;;

Sokëllin, Matush Shabani:

“ More të thertë mekami”;

More, ku humbi Kuqali?

Pa pyesini Malo Mahmunë!

Sa kokë dhen i humbnë?

Jo, mor jo, se s’humbnë – hiç;

Dyzet kokë dhe një viç…”

Kamber Riza Dostaj, i njohur si Baço Dostaj, këndonte, me shumë pasion,  këngën e lashtë:

“… Në fushë të Kalivaçit;

Lufton pallë e Hysen Maçit;

Pret kokat e gjëmbaçit;

Sokëllin Ormën Alliu;

Kudhësit, vate i  fshiu;

Ormën Alliu ndër maja;

Kudhësiotë i mbyti vaja…”

Baçua, “ ngiste” me dëshirë dhe këngën:

“… Atje poshtë, tek Çesm e thatë;

Luftojnë të dy kazatë;

Çorrushiotë e Kalivaçë;

Ashkosun! O Kalivaç;

I nxuarrtë nga hendeku jashtë…”

Dalipi, i biri i Nazifit, njeriu i disa profesioneve, e këndonte këngën labçe, si një kalivaças i vërtetë. Ai i bënte jehonë shqiptarizmës , kështu:

“… Avdul, prishe pasurinë, një barrë flori;

Vajte tek Bismarku brenda, ndënje në skambi;

Dhe Bismarku seç të pyeti: Djalo, nga je ti?

Unë jam nga Shqipëria: Avdul Frashëri;

U lutem: Shikoni mirë, ju, për Shqipëri!

Mos e bëni copa-copa; sikur s’ka njeri …”

Xha Rizai i Dostajve këndonte:

“… Do ikim, do lëmë vendë;

Dy gurë do ti çojmë;

Një në kokë e një në këmbë…”

Këngët labçe, me nota humori, merrnin vrull, sidomos nëdasma e në pragdasmash.  Një grua, në dasmën e kunatit, kur i erdhi radha për tja marrë këngës, ia çkuli:

“… Nuse, paske qenë me fat-o moj nuse;

Bëre Bektashin kunat, o moj nuse…”!

Një burrë, kur shkoi pr të uruar bashkëfshatarin e tij, me rastin e martesës të vajzës,  i  tha,  me këngë:

“… Qe thënë nga Perëndia, o Cano- baba;

Nxorre Lakon nga shtëpia,o Cano-baba…”

Burri i urtë Musa Brahush Bilaj, në dasmën e të birit, Sulejmanit, me te bijen e Xhemal Haxhi Nelaj, i kënaqur nga miqësia e re, e cila e lidhi me mjaft miq te tjere  ia mori këngës:

U, shyqyr në Perëndinë!

Bëra mik Xhemal Haxhinë;

Edhe Sherif Efendinë…!

Veiz Danua, në Hasanbegaj ishte i mirënjohur si kërcimtar i “thekur” ishte “ bilbil” në këngë. Ai, kur dilte në valle  te kënduar i linte njerëzit “ pa frymë. Vallja , e kënduar të cilën ai e kish shumë për zemër ish:

“… Do tja marrim, me firjan, xhan-o more xhan;

Ta lan xhanja, si sta lan? xhan- o more xhan…”

Në një rast, kur ishte në një dasmë  tek Ali Xhelili, xha Veizi i Takajve, sajoi një këngë, me humor, të cilën e pëlqyen të gjithë dasmorët.

“… Ali Xhelili –more;

Të rruatë rredhi që ke!

Shtëpia jote teqe;

Plot raki e plot meze…”

Ali Xhelili, burrë zakoni, i mënçur e bujar, ishte, njëherazi dhe këngëtar nga më të spikaturit në fshat. Ai këndonte, plot pasion këngën me theks atdhetar:

“… Kush e ndreqi Shqipërinë?

Enver Hoxha, me Partinë…”

 

Njëra nga këngët humoristike, thumbuese, dei në sarkazmë, e cila është kënduar rëndom në Kalivaç, ka mbetur pa autor. Kënga satirizonte një ndodhi të kohës së Luftës Nacionalçlirimtare:

“… Shënndreu nja katër a pesë;

Bëri Fieri një kongres;

Mblodhi lalët e Myzeqes;

Mblodhi lalë e mbajti fjalë;

U tha : Djem-o udhë e mbarë!

Tahsim Bejn, keni të parë;

Tahsimi u kapardis;

Hipi pelës e u nis;

Vajti deri në Gjanicë;

Zuri zemra ti lëvizë;

Se i thonë: Plumbi i Partisë;

Që të merr, sisë më sisë…”

Pa autor janë dhe disa këngë të lashta, të cilave nuk u dihet koha kur janë kënduar. I tillë është dialogu mes një bujku e një çobani, të cilët i ankoheshin njëri-tjetrit, për vuajtjet, të cilat , ata përjetonin:

Bujku:”… Unë i ziu, hallemadhi;

Këmbët mi  griu ugari;

Mesin ma preu sqepari;

Qetë, mi hëngri zegali;

As mi pret bari vëllai?

Bahriu: “… A çke qejf o bujk dhe tinë;

Ti, mirë e shkon dimërinë;

Mbush, fasule, plot kusinë;

Kur e ka bujku ejamnë?

Gushtin dhe vjeshtën e parë;

Digj e piq nga ata palcarë…!

Vajzat adoleshente që shkonin nëpër ara e lëndina, për të ruajtur pulat, me një shufër të gjatë në dorë, kur afrohej ndonjë skifter, mbi tufën e pulave që ruanin, ia merrnin këngës:

“… O skifter, hoi-hoi;

Mos hajde tek zogjtë e mi!

Jo këtu po në Gorisht!

Se atje janë zogjtë me bisht…”

Një çoban, ankohej për gruan e tij, e cila nuk ishte aq nikoqire, kështu:

“… Harapash e këmbëkuqe; çe bëre gjalpët, moj luçe?

Lanet pastë qëni i Çumanit! Hëngri gjalpët e xha Canit;

Po e zonja, ku kish qënë?

Po hapte grurët, në lëmë…”

Në një familje, e cila kishte tri vajza qullace e që artikulonin belbër, shkoi  lajmësi për, të kërkuar, vajzën e madhe, për nuse, në një fshat kufitar me Kalivaëin. Nëna, duke e njohur defektin e vajzave, i porositi ato, të mos flisnin fare, gjat kohës që lajmësi do të ndodhej në shtëpinë e tyre.  Ato, e harruan porosinë e nënës dhe nuk duruan dot pa folur. Në zjarr po zjente një kusi, me kungull. Nga zjarri, gjella bulçiti. Vajza e madhe  bërtiti:

“… Zjeu; zjeu tundulli!

E me smja, u përgjigj:

“… Pllaç, të plleftë butëlli!

E vogla, mbasi dëgjoi dy më të rriturat, me padurim, kaloi në mbrojtj , por, gjithashtu gaboi. Ajo tha:

“… Bëlla millë unë, që s’folla!

E bleu situatën lajmësi  ynë me përvojë në këto punë dhe, mbasi falenderoi amvisën  për mikëpritjen,  u ngrit e iku, pa e hapur  fare bisedën, për të cilën kishte shkuar.

Nasip Hysen Alidervishaj, nga mëhalla e Hysodosajve, shtruar e me lezet, këndonte këngën satirike:

“… O Thanas, more Thanas!

Nëm dyfekn se do ta vras;

Dyfekun që më la plaku;

Dy mexhite, bën kondaku;

O Thanas, këmbë cipali;

Bëre kërmë, sa u qelb mali;

Buçe e kuqe e thanasit;

Mori malin e Tragjasit…”

Dëftojnë se, në vitet ’30 të  shekullit që lamë pas, në Ahmetaj erdhi, një fisnik, nga Nivica e Kurveleshit, për të kërkuar  nuse, për të birin. U mbush oda, me lagjarë e miq të të zotit të shtëpisë. Në odë ishin të ulur rreth 30-40 burra. Zakoni e donte që pritësit të nderonin mikun e ri  dhe dërgesën e fisit të tij. Sipas traditës të vendit, babai i vajzës, kur u shtrua rakia për nder të miqve të largët, bëri prezantimin e atyre që ishin ulur, në odë. Ai, i paraqiti të tijët me emër e mbiemër, por përpara u vuri nga një ofiq. Xha Isufit i tha: “ Isuf Agai”; Xha Sherifit, i shtoi epitetin: “ Sherif efendiu”; xha Musain e prezantoi:” Musa Beu” e kështu, me radhë. Pas të zotit të shtëpisë, i  erdhi radha të prezantonte të tijët, miku. Ai tha: “ Ne, në fshat, jemi të kamur e të ndjerë, por nuk kemi kaq agallarë e bejlerë. Unë, jam:

“… Rakip Duka, nga Gusmari;

Burrë i mirë, për së pari;

Nga fisi: Kërriç gomari…”

Plasai gazi, në odë e ato që tha kryemiku, u kthyen, aty për aty, në këngë. Ndodhia, me versione të ndryshme dëftohet, rëndom, këndshëm, edhe sot, pas afër 100 vitesh.

Vërtet nuk i njihet autori këngës së mëposhtme, por është plot humor të këndshëm dhe këndohet, me dëshirë:

“… Në valle doli Qeleshi;

Me mustaqe, gjer tek veshi;

Përpiqte këmbët për sheshi…”

Në këngët baritore të kalivaçasve i bëhej jehonë jetës të vështirë të çobanërisë, kënaqësisë që ndjenin barinjtë efshatit kur largohej dimrie e vinte behari, moti ngrohej, bari jeshilonte e hidhte bojë  dhe dhentë e tyre gjallëroheshin, e dukeshin  sikur hidhnin valle, në lëndinat e fshatit , të mbuluara nga bari e nga lulet. E tillë është kënga, pa autor, e lashtë sa vetë jeta baritore e fshatarëve tanë:

“… Atje poshtë, tek arrë e madhe;

Vjen xha Canja, me fustane;

Me tirq e me tallagane;

Vijnë dhentë valle-valle;

E para bejka manare…”

Kur çobanëria u jepte bar dhenve, për shkak  se ndonjëri  kapërcente kufijtë e pronës së tij, ndodhnin edhe grindje e mosmarrëveshje. Një të tillë rast, evokon kënga e mëposhtme:

“… Atje te lisi me urdhje;

Lule Zenel Hoxha lule;

Ra sabahu e dhëntë si çkule;

Lule, zenel Hoxha lule;

Zile, këmborë i zure;

Lule Zenel Hoxha, lule;

O Zenel, mos na ha barë;

Lule Zenel Hoxha, lule;

Unë se ha, po dhëntë e hanë;

Lule Zenel Hoxha, lule;

Hajde! merri! ja tek janë;

Lule Zenel Hoxha, lule;

A e di se ç’çoban kanë?

Lule Zenel Hoxha, Lule;

Kanë Zenelë e Mustafanë;

Lule Zenel Hoxha, lule…”

Kur vështronte vajzën tek e cila i kishte mbetur  syri, djali çoban, i hutuar e i befasuar, nga hiret vajzërore të saj, i bënte ledha nëpërmjet këngës,me zë të ulët:

“… Moj ftujë e bardhë e shullërit;

Rritur me majën e gjërit;

Kur më ngjit malin përpjetë;

Xhinde mushka; xhinde vetë…”

Djali, mblidhte të dhëna, për punët që kish bërë ajo tek e cila i kishte shkuar syri  dhe, me vete, thurte dialogun; sikur ta kish të përzgjedhurën e tij,  në bashkbisedim:

“… Më thanë, se nxorre linë; me shëndet, moj trëndelinë!

Më thanë e nxorre në faqe; meshëndet moj manushaqe…”

Ata që besonin në egzistencën e jetës së përtejme, femrës së bukur që adhuronin, i këndonin:

“… Hanko, mos shkel nëpër varre!

Se të vdekurit i ngjalle;

Hanko, pehlivaneja;

Shegë e kuqe, elbasaneja…”

Këngët dhe vallet grarishte ishin më të qeta e më të shtruara. Larmishmëria e tyre përfshinte sfera të ndryshme të jetës, ku barra e punëve më të vështira u binte mbi kurriz. Në një këngë, i këndohej torturimit që pësonin nuset e reja; pas martesës. Vjehrri, në veçanti  vjehrra, për ta “ shtruar”, nusen e re e ngarkonin me punë, tej mundësive të saj:

“… Këndoi kaposhi i parë;

Ngreu nuse! ndizna zjarrë;

Këndoi kaposhi i dytë;

Nuse, hidhna të lajmë sytë;

Këndoi kaposhi i tretë;

Ngreu nuse, nxirrna qetë…”

Edhe vetë nusja, në forma të ndryshme, protestonte për jetën e saj plot ngarkesë e lodhje:

“… Çu ngrita me natë, vajta tek burimi;

Lava sytë e zes, me ujë trëndafili;

Më humbi unaza, me gurë xhevairi;

Përgjigjej djali:

Mos u bëj merak, se ta blen bandilli;

E pate ergjend; ta blen prejfloriri…”

Nusen e vrojtonin dhe e shigjetonin nga të gjitha anët:

“… Vajta një ditë për shkarpa;

Çtë bëj korba; çtë bëj nata?

Dola vonë e më zuri nata;

Çtë bëj korba, çtë bëj nata;

Më doli bishti nga spata;

Çtë bëj korba; çtë bëj nata;

Më porositi kunata;

Çtë bëj korba, çte bëj nata;

Nuse, mos  flaç me njeri!

Çtë bëj korba; çtë bëj nata;

Unë, me njeri  nuk fola;

Çtë bëj korba; çtë bëj nata;

Ula kokën, edhe shkova;

Çtë bëj korba; çtë bëj nata…”

Vallet dyshe të grave, si dhe ato të burrave ishin valle te kënduara. Ato ishin më të shtruara e me tone më të butë. Ja njëra prej tyre:

“… Merrja! si tja marrim-o?

Hopo ja, tarnana;

Hajde, tja marrim shtruar-o;

Hopo ja, tarnana;

Luaje moj luaje, mesin-o!

Hopo ja, tarnana;

Çi paske gjarë nënës-o ;

Hopo ja, tarnana;

Si zogu-thëllëzës-o;

Hopo ja, tarnana…”

Në dasma shkelqente aftësia e femrave dhe zhvillohej një lloj gare, mes tyre. Para se të nisnin rrobat e nuses, me sinixhinjtë, gratë duke i vendosur ato , në valixhe, këndonin:

“… Sapun mosku në dyqan;

Moj, aman- aman;

Të preva: Polkë e fustan;

Moj aman-aman;

Ti nëdaç hajde; nëdaç mos hajde;

Moj aman-aman;

Ti kam varur mu te dera ;

Moj aman- aman…”

Në vitet kur gratë merrnin pjesë në strukturat e mbrojtjes së vendit, një grup grash këndonte:

“… Na kërkon ushtarë Enveri; dilni moj thëllëza, dilni!

Na kërkon e do ti vemi; dilni moj thëllëza, dilni!

Me këto rroba që kemi; dilni moj thëllëza dilni…”

Në përfundim, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve të nderuar : Kjo temë është e paanë dhe e larmishme. Në  një shkrim si ky, sado i arrirë të jetë, jam i bindur se, praktikisht  është e pamundur të pasqyrohet, e plotë, ajo botë shpirtërore e begatë e kalivaçasve, e cila na ka mbërritur, e freskët dhe origjinale, në këngët labçe të vendasve  dhe me tërë ndjenjën e pastërtisë të shpirtit të tyre  e me bukurinë që u ka falur jeta e tyre e vështirë. Siç është i drejtpërdrejtë e i sinqertë, kalivaçasi, botën e tij të pasur  e ka derdhur në këngë e në valle, si shprehje e shpirtit të tij të begatë.

Jam besimplotë, se kohët që vijnë do të sjellin prurje të reja, të begata  e të bukura  dhe bilbilat e Kalivaçit do të shtohen e do të ecin në gjurmët e të parëve të tyre, duke e ngritur, cilësisht këngën labçe kalivaçase,në nivelet e jetës që po ndërtojnë. Shpresoj se ky shkrim modest  do të jetë në vazhdën e prurjeve të dobishme, të gurrës së  pashtershme të këngës popullore, aq të dashur, për njerëzit e fshatit tonë. Padyshim, në këtë çështje, një rol  mevlerë mund e duhet të luajnë arsimtarët e shkollës së fshatit, të cilët, për fat të mirë, aktualisht janë nga Kalivaçi dhe, në forma të ndryshme janë të përfshirë në jetën e komunitetit kalivaças.

Më duhet të them e të përsërit se këngës së popullit nuk mund ti ngresh gjerdhe e ta parcelizosh. Ajo fluturon , me krahët që i kanë dalë e i janë rritur , në dallgët e jetës komunitare. Ka qenë e pamundur tu shmangem ndikimeve dhe huazimeve, por kam qëmtuar atë që është tipike kalivaçase. Theksoj se ky shkrim , pa pretendime , nuk i ben “hije”, askujt; ai është një kontribut modest , në pasqyrimin e vlerave të bashkëfshatarëve të mi, tek të cilët , jam mbështetur.

Shkroji  Niazi Nelaj; Tiranë, shtator 2015.

One thought on “Këngët e shpirtit të begatë”

  1. Je si gjithmone i pa krahasueshem,miku im Niazi. Ke njohuri shume te thella folklorike per krahinen nga ku je. Ishte nje kenaqesi e vecante per mua kur lexoj dhe komentoj shkrimet e tua.Dukesh qe ke nje dashuri dhe mall te madh,per vedin e lindjes.
    Te uroj nga zemra suksese ne shkrime te tjera i mirepres me deshire.

Comments are closed.