Kastriot Ago Hoxhaj (1937 – 2001)

Kastriot Ago

Në një vështrim të sipërfaqshëm, mëhallët që përbëjnë Kalivaçin e Tepelenës, janë ngritur e kanë funksionuar, mbi bazën e fiseve. Tradicionalisht, familjet që përbëjnë të njëjtin fis, kanë mbajtur mbiemër të njëjtë. Kur familja shtohej, nga martesat e reja dhe nga lindjet e fëmijëve e nuk mund të jetonte më nën të njëjtën strehë, fillimisht ndahej, më vete djali i madh, natyrisht, pas martesës e, pas tij, veçoheshin të tjerët, me radhë. Ishte pranuar, pa qenë e shkruar që nëna dhe babai të bashkëjetonin me djalin e vogël të familjes , me ndonjë përjashtim të njohur.

Disa mëhallë të fshatit tonë janë autoktone dhe e kanë ruajtur këtë vlerë të tyre. Në Meçaj, psh.nisur nga numëri i familjeve që e përbëjnë dhe nga numëri i frymëve, dominues ka qenë fisi i Xhaferajve. Kështu është dhe sot e kësaj dite. Pas tij, në vend të dytë ka qenë e është fisi i Dulajve. Në Bozanaj, më të shumtë në numër, kanë qenë e janë Malajt. Me shumë ndikim, në fshat e më gjerë, kanë qenë Agajt dhe Dostajt. Në Ruç, kanë mbetur të papërzier Mehmetajt dhe në Specovë, mëtë shumtë në numër kanë qene e janë Caushajt. Në Leshnje, fisi që mban mbiemrin Hysenaj është më i shumtë e më i njohur dhe në Hasanbegaj, fise të ndjerë janë Takajt, Mahmutajt,Zenelajt dhe Çelajt.

Tjetër gjë është fshati i madh, ose, siç njihet rëndom, mëhallët e Pusit. Të katër mëhallët, kanë qenë e janë të përziera. Shkaqet e kësaj përzierje, ndoshta do të detajohen në të ardhmen, nga sociologë, gazetarë e historianë, me prejardhje nga Kalivaçi. Mund të thuhet, pa mëdyshje, se në Ahmetaj, ka domimuar e dominon fisi Nelaj. Edhe disa, të cilët, për shkaqe nga më të ndryshmit e kanë ndryshuar mbiemrin, dikur mbanin mbiemrin Nelaj. Nga një “ zjarr” janë veçuar Nelajt; Derajt dhe Çinajt. Të ardhur janë familjet me mbiemër Zenelaj ( Muçoimaj) dhe ato me mbiemër : Hadëraj. Në Beqiraj, më të shumtë kanë qenë e vazhdojnë të jenë Malajt; në Hasanimeraj- Hysenajt dhe Muharremajt; në Hysodosaj- Sulajt, Ramajt, Pashajt dhe Alidervishajt.

Kur i futesh, më në thellësi, problemit, nuk mund të mos vesh re një dukuri interesante. Familje me mbiemër të njëjtë, nuk përbëjnë më shumë se një, e shumta dy familje. Të kësaj natyre janë familjet: Çelaj ( Bakaj), në Bozanaj; Shametajt, në Leshnje; Muçoimajt, në Ahmetaj; Rrapajt, në Hysodosaj; Isufajt, në Hasanimeraj etj. Tipik është mbiemri Hoxhaj, të cilin e ndeshim vetëm në një familje, e cila,  nuk është e ardhur por autoktone. Hoxhajt kanë jetuar në mëhallën e Hysodosajve; ata kanë qenë afër me fisin Sulaj dhe me Azizajt. Në këtë rrëfim do të bëhet fjalë për Kastriot Ago Hoxhaj, të birin e Ago Mersinit dhe të Fatimesë. Ago Mersini, për fat të keq, u nda nga jeta  në moshë të re, në vitin 1941 dhe la jetimë dy fëmijë, të parritur : Kastriotin- 4 vjeç dhe motrën e tij- Vezikon, e cila nuk ishte më e madhe se 1.5 vjeçe. Fatimeja, nëna e dy fëmijëve jetimë, nuk e pati fatin siç kishte emrin. Ajo mbeti e ve, në një kohë kur ishte tepër e re dhe me kondicion fizik të dobët.

Në jetën e banorëve me cilësi luftarake të Kalivaçit, disa personalitete të spikatur kanë hyrë në histori me bujë të madhe e me trimëri të rrallë. Jehona e bëmave të tyre ka ardhur në ditët tona, ndonëse gojarisht, me shumë zhurmë e ata janë skalitur në ndërgjegjen e njerëzve, përjetësisht. Por, nuk duhen harruar, ata njerëz të thjeshtë, si Kastriot Ago Hoxhaj, të cilët kanë punuar e janë rropatur, gjithë jetën, pa u ndier, me përkushtim e ndershmëri,duke shplosur vlera morale e tipare shoqërore, të cilat, kur njihesh me to, të bëjnë të skuqesh, deri në majë të veshit. Gjurmët e punës e të jetës së tyre, gjithashtu do t’u përcillen brezave që vijnë e ata do të nderohen sa të jetë jeta.

Dikur, në Kalivaç, kur dëshironin të çmoninvlerat e figurës të një njeriu të ndierë nuk harronin të theksonin:” Vërtet pak, por saktë”. Ose: “ Një, po një”. Nuk është e nevojshme tçë bëjmë komente për këtë thënie të mënçur.

Kastrioti ishte djalë i vetëm i familjes, i lindur nga dy prindër autoktonë kalivaças. Nëna – Fatime dhe babai- Ago ishin nga mëhalla e Hysodosajve. Kur u nda nga jeta i ati, Ago Mersin Hoxhaj, në vitin 1941, Kastrioti ishte 4 vjeç; e motra – Vezikua, ishte akoma më e mitur; ajo nuk i kishte mbushur 2 vjeç. Pllakosi gjëma në derën e Ago Mersinit. Fatimeja, të cilës, jeta nuk i rrodhi siç kishte emrin, në moshë të re, mbeti vejushë, me dy fëmijë të mitur, në vatër dhe shëndetligë. Ajo, mbeti, evetme, me dy jetimë, në Bregun e Hysodosajve. Përkrahja e fisit Sulaj dhe e atij Azizaj, si më të afërt me të ndjerin, nuk ishte e mjaftueshme. Dy fëmijët jetimë duheshin rritur  dhe pronat që i la i shoqi; në Gurje; në Xana e në Xina, kërkonin pendë qesh dhe krahë pune.

Fatimeja, nëna e Kastriotit ishte e bija e Zagoll Saliko Xhaferaj dhe e Meros, nga mëhalla e Meçajve. Zagoll Salikua, si burrë i zgjuar e trim, ishte i njohur, e kishte influencë, në familje, në fis e në mëhallë e më gjerë.Ai kishte një rrjet shoqëror e miqësor të gjerë e të fuqishëm. Familja e tij përbëhej nga 6 vëllezër dhe, nga martesa e tij, me Meton, lindën 6 vajza. Sipas radhës, ato erdhën në jetë, si vijon: Tajanja; Lalaja; Metua; Dylba; Mbetja dhe Fatimeja. Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, meqënëse Vajza e fundit e Zagollit, Fatimeja mbeti e ve, me dy fëmijë, njëri nga të cilët djalë dhe prindërit e saj nuk kishin lindur djalë, Zagolli fisnik, e mori në shtëpinë e tij si saraje, të bijën dhe fëmijët e saj jetimë. Kastriotin e rriti dhe e edukoi, sikur ta kishte djalë të tij, duke i krijuar atij, gjithë kushtet e domosdoshme. Nuk kishte përse ta adaptonte Kastriotin e vogël Zagolli; ai e kishte djalë të vajzës biologjike dhe nuk ishte i nevojshëm një veprim i tillë.

I fismi është i tillë në të gjithë jetën dhe veprimtarinë e  tij. Zagoll Saliko Xhaferaj, e kishte fisnikërinë në gjak. Ai nuk i ndryshoi as mbiemrin Kastriotit dhe kjo, jo pa qëllim.E mendoi thellë këtë çështje, i mënçuri Zagoll Saliko: Të gjithë, në Kalivaç e më gjërë, të të dyja anëve, fiset dhe miqësia, duhet ta dinin, kush ishte e nga vinte Kastriot Ago Hoxhaj, në mënyrë që të mos i shuhej gjurma. Ata që nuk e dinin rrjedhën e ngjarjeve, bënin habi kur, në mes të Xhaferajve, aq të njohur e kompaktë, ishte një djalë me mbiemër tjetër.

Kur u shpërngul nga Hysodosasjt dhe erdhi në Meçaj, në derën e babait, Fatimeja,së bashku me dy bonjakët, mori me vete dhe “një kaposh me plaçka” ( siç thonë në Kalivaç). Kishte ngjarë nga i ati, fisnikja Fatime, prandaj zgjodhi të jetonte tek Zagolli e tek Metua, të cilët u bënë strehë, për atë e për fëmijët e saj, në ditën e hallit. Kjo ishte zgjidhje e mënçur të cilën e justifikoi koha. Fisnikëria e trashëguar nga të parët e saj, u transmetua në brezat që pasuan, tek i biri dhe tek nipërit e shumtë dhe tek mbesa e vetme që la pas Kastrioti. Kështu ndodh me genin; ai transmetohet, nga brezi në brez dhe ka vazhdimësi.

Kastrioti, kur erdhi në Meçaj, tek gjysh Zagolli e tek nënë Metua, sapo ishte mëkëmbur. Ai, çapitej me vështirësi nëpër sokakët e mëhallës ku ishte nip dhe me zor artikulonte fjalët e gjuhës Shqipe. Në roja të tij ishin dy gra të dashura e të kujdesshme: nënë Metua dhe Fatimeja, të cilat e mbanin trashëgimtarin e vetëm të Ago Mersinit, si “ ujët e pakët”. Kastrioti ishte bonjak, dhe i vetmi djalë në shtëpinë e Zagoll Salikos, pas gjashtë vajzave biologjike dhe  Vezikos të cilën e solli Fatimeja, me vete. Prandaj atë e mbanin “ në pëllëmbë të dorës”! Nipit, djalë për shpirt i dy njerëzve të mirë gjysh Zagollit e nënë Metos, i përkiste të ishte në rolin e të përkëdhelurit të asaj familje me shumë njerëz. Por, në prëhërin e ngrohtë të gjyshërve dhe nënës së tij, ai u rrit me çdo gjë që i duhej, sipas kohës, por mori edukatë të shëndoshë dhe u formua me tiparet e një karakteri të shëndoshë të një djali kalivaças si: burrëria, guximi, trimëria, ndershmëria, serioziteti, në punë e në jetë, fisnikëria etj.

Kërkesë e domosdoshme  me të cilën u mëkua Kastrioti ishte prezantimi dhe njohja e sojit të tij, në të dyja anët, si nga Hysodosajt, ku kishte lindur dhe nga Meçajt, ku po rritej. Vajtjet e shpeshta tek tezet, miqësia dhe krushqitë e të dyja familjeve, i shërbyen këtij qëllimi. Ata që kujdeseshinm për Kastriotin, ndoqën këtë udhë me qëllim që ai të rritej i pavarur dhe të bëhej i “ zoti”, për “ ta ndezur,  më vete”, siç thoshin në Kalivaçin e atyre viteve. Shtëpia ku u rrit e u burrërua Kastrioti, vendi ku ai u martua e u bë me fëmijë, ku përcolli gëzime e kaloi hidhërime, në Meçaj, u përngjante sarajeve të dikurshme. Ngrehina ishte masive, me dy kate, me mure të fortë prej guri të bardhë, të lidhur me llaç gëlqeredhe me çati, të mbuluar me pllaka guri ngjyrë gri. Në tri oda të kësaj ndërtese, banonin rreth 6o njerëz; të gjithë të një “ zjarri”.

Zagoll Saliko Xhaferaj kishte pesë vëllezër uterinë: Selamin; beqarin; Nexhipin; Mehmetin dhe Fejzon. Ata, fillimisht banonin në njërin nga seksionet e banesës dykatëshe të Xhaferajve. Dy odat e tjera i kishin: Njërën- Rushan Axhem Xhaferaj dhe tjetrën- vëllezërit: Çizo dhe Azbi Azis Xhaferaj. Edhe mbasi u martuan e u shtuan, Xhaferajt mbetën, po aq kompaktë, sikurse qenë kur nuk ishin ndarë më vete. Fisi i tyre funksiononte sipas motos: “Një për të gjithë e të gjithë , për një”. I pari i fisit e më i dëgjuari ishte Zagolli. Ai ishte, jo vetëm organizator i mirë por kryente dhe rolin e  “ministrit të jashtëm”. Në atë prag bëhej siç thoshte Zagolli.

Çdo seksion i banesës të Xhaferajve kishte hyrje më vete. Dritaret e dhomave, të cilat vështronin nga rruga që kalonte pranë, ishin tip “ frëngjije”. Të tilla ishin kohët; e keqja mund të vinte nga nuk e parashikoje. Banesa ndodhej pranë rrugës, në skajinJugor të mëhallës dhe pranë çesmës së vetme ku banorët mbushnin ujë. Rruga pranë shtëpisë ishte shumë e rrahur e nëpërmjet saj, kalonin dashamirë të familjes e jo dashamirë të saj. Seksionet e ngrehinës, ngjanin me apartamentet e sotshëm. Njëra nga odat ishte e rezervuar për të pritur miqtë e shtëpisë, kurse në tjetrën mblidheshin familjarët dhe fëmijët e tyre. Komoditet, nuk pretendohej të kishte brenda tyre, por, shtëpia e Xhaferajve ishte e ngrohtë, e kamur dhe bujare.

Zagolli dhe të tijët kishin ara në Saloniq, në Cac ( ara e bardhë), tek Çesma e Bukur dhe  kryesisht në Gropën e Imeret. Familja  me gjashtë vëllezër e Zagoll Salikos, kishte njaft krerë bagëti të imëta; kryesisht të leshta. Këto i ishin besuar, për ruajtje e mbarështim Selamit. Sipërfaqja kullosore pronë e familjes Xhaferaj dhe ajo në pronësi të të dyja mëhallëve fqinje ishin të mjaftueshme, për të kullotur dhentë. Ato, sidomos në stinën e thatë, pinin ujë në Përruan e Krahësit, por udha për në përrua kalonte përmes tokave të një banori nga Toçi. Dhentë, duke kaluar nëpër këtë tokë, përveç që shkelnin ugarin, mund të shkaktonin dhe dëmtime. Prandaj, Zagolli, si njeri i zgjuar e me haber, në vitet ’30 të një shekulli më parë, bleu nga pronari, një rrip toke që lejonte daljen në bregun e Përroit të Krahësit.

Të dhirtat të cilat, siç dihet, mbahen veç nga të leshtat, e kishin stanin në Bregun e Meçitit dhe kullota e tyre shtrihej në të dyja faqet e Përroit të Serhanit, në Meçit, në Shure e gjetkë. Në Xhaferaj kishte ndarje pune mes vëllezërve dhe të afërmve të  të njëjtit “ zjarr”. Zagolli ishte administrator i fisit, si më i zoti e më i njohuri. Nëse për dhentë kujdeseshin: Selami dhe Mehmeti; për të dhirtat ishin përgjegjës: vëllezërit Szbi e Çizo Azizi. Beqari dhe Rushani merreshin me kultivimin e grurit, misrit, thekrrës, elbit, urovit. Koçkullave, fierzave, fasuleve dhe kulturave të tjera të arave. Fejzua , ishte i ngarkuar me punët e pemëtarisë, të vreshtarisë dhe merrej me shërbimet e bostanit e të perimeve.

Në familjen Xhaferaj, ishin aq shumë njerëz të angazhuar me punë, saqë nuk i vinte radha Kastriotit të vogël, ta ngarkonin me punë. Të gjithë familjarët, madje gjithë fisi e më gjerë, jo vetëm që kujdeseshin shumë për nipçen bonjak, por, si i thonë në Kalivaç: “ e kishin si ujët e pakët e nuk e linin të binte në shesh”. Megjithatë, Zagolli, si burrë i zgjuar e me kokën plot, e caktonte me ndonjë punë rutinë, sa për t’u gjendur në punë. Kastrioti, dërgohej në stan, atje ku mbarështroheshin bagëtitë, për t’u çuar bukë çobanëve, i jepej detyrë të sillte në shtëpi karthje e çepka, për të çelur zjarrin, mbushte ujë, në çesmë e ndonjë punë tjetër, të lehtë.

Qëllimi i gjysh Zagollit, nuk ishte ta mundonte nipçen bonjak, akoma të parritur, por ta kaliste atë, me punët, në mënyrë që ti donte e ti respektonte njerëzit e punës dhe djersën e tyre. Caktimi në punë të përshtatshme për moshën dhe fizikun e Kastriotit, bëhej, me qëllimin e mirë që ai të njihte terrenin ku jetonte, të dinte cilët ishin lagjarët e tij, të dinte vështirësitë e proçeseve të ndryshme të punës dhe të burrërohej më tej. Më të vështirë e pati punën heroi ynë, kur e dërgonin për t’u çuar bukën çobanëve që mbarështonin dhitë, në stanin e Meçitit. Duke u larguar nga shtëpia në një distancë të mjaftueshme, duke ecur nëpër rrugë dhish, duke kapërcyer shkurre përralli, xinas, mbrete, ferra e driza, Kastriotit i doli droja që kishte për kafshët e egra të pyllit dhe u miqësua me qentë e stanit, të cilëve u çonte ushqim. Kalitja fizike, përballimi i ndryshimeve të motit, shkuarja në stan, në orë të ndryshme dhe bredhja pas bravareve të leshta, në kullotë, e kalitën fizikisht Kastriotin dhe e burrëruan para kohe.

Kur erdhi në Meçaj, në vitin 1942, mbasi i bëri të ndjerit gjithë nderimet pasmortore, Fatimeja, nëna e Kastriotit, ishte shëndetligë dhe shpejt u nda nga jeta. Shumëkush nga dashamirët e familjes Xhaferaj, edhe pse me dashamirësi e të nisur nga rrethanat e vështira që u krijuan, menduan se dy bonjakëve, të mbetur pa baba e pa nënë, do t’u paksohej kujdesi. Por shpejt u zhgënjyen. Situatën e mori në dorë Zagolli, Metua kapedane, tezet, gegetë dhe kushdo që ishte pranë tyre. Meraku i tyre ishte që vajza të rritej e të martohej; kurse i vëllai të kalitej e të bëhej i aftë “ për ta ndezur me vete”. Vëlla e motër, të dy edhe pa nënë e pa baba, u rritën, me gjithë të mirat e pekulet, të cilat i kishin me tepri, nën kujdesin e “administratorit” të fisit, “kompetentit”, Zagoll Saliko Xhaferaj. Kastrioti, i ndodhur mes të mirave, nuk u rrit pekul, ndonëse kujdesi i shtuar e ka këtë rrjedhojë , por u ushtrua  fizikisht dhe mendërisht , për të përballuar jetën e veçantë që e priste.

Në kohën kur djali bonjak i Ago Mersinit kishte moshën për të shkuar në shkollë, në Kalivaç funksiononte vetëm shkolla fillore. Ajo ishte e ngritur me kontributet e fshatarëve arsimdashës të fshatit tonë, në vendin e quajtur Maja e Tëndës, mbi një kodër, thuajse të baraslarguar nga tetë mëhallët e Kalivaçit. Së bashku me moshatarët e tij, me një torbë pëlhure, me rrip nga e njëjta copë, të hedhur në krahë, Kastrioti shkonte e vinte nga shkolla, mbasi kapërcente Përroin e Veldonit, tek fillimet e tij, nëpër udhën me llokaçe, tek lisat e Hyset, mbi e nën udhë, duke fshirë baltën që merrnin opingat nëpër paliçet dhe shkurret e tjera, mbërrinte në Sheshe, ku ishte shkolla fillore  e fshatit. Gjyshe Metua kujdesej që në atë torbë të vendoste, përveç librave e fletoreve të pakta, të cilat nipi i saj i mbante pastër, një copë bukë me çfarë ti ndodhej, që Kastriotin mos ta merrte uria. Ajo kujdesej që nipi i saj, edhe pse ishte nga një familje e kamur, të mos diferencohej mga bashkëmoshatarët edhe në çështjen e të ushqyerit. Shokë shkolle, Kastrioti kishte: Muharremin e Rushan Axhemit; Bajramin e Tahir Abazit, nga Meçajt; Selvinë dhe Ferrikun e Azis Selfo Alidervishaj; Idaiun e Mete Medinit dhe Safijen e Azis Telhait, nga Hysodosajt; Xhemilin e Banushit; Kasëmin e Xhemalit; Gjonlekën e Ahmetit dhe motrën e tij Nailenë, Kamberin e Muharremit dhe Bejon e Breshanit, nga Ahmetajt; Ali Muharremin; nga Ruçi etj etj, me të cilët përcillte orët e mësimit dhe lodërat fëmijërore në kohën kur ishte në shkollë, në Sheshin prapa shkollës.

Në moshën e shkollës, Kastrioti shquhej për pjekuri e maturinë gjykimin e gjërave dhe ishte mjaft i sjellshëm. Ai dallohej, për tregues më të lartë në mësime dhe ishte tepër i vemendshëm, në klasë. Sillej mirë, me mësuesit, të cilët nuk ishin vendas dhe me shoqet e shokët e klasës. Si bonjak, ai nuk ishte i tërhequr; përkundrazi, Kastrioti merrte pjesë aktivisht në të gjitha lodrat dhe shakatë mes shokësh.  Si tip shoqëror, e i zgjuar, nipi i Zagoll Salikos, ishte mjaft dashamirës e i gatshëm për të ndihmuar cilindo nga shokët e shoqet e tij. Me personalitetin e spikatur dhe me pjekurinë që i lejonte mosha, Kastrioti, shpejt fitoi dashurinë dhe respektin e moshatarëve, të cilët ia dëgjonin fjalën dhe ia përkrahnin mendimet.

Në Kalivaç, sistemi shkollor i asaj kohe, i çonte fëmijët deri sa përfundonin mësimet e katër klasëve të fillores. Tre vitet e shkollës unike që pasuan, Kastriotit iu desh ti kryente në Shkollën Unike të fshatit  Krahës, e cila ndodhej përtej përroit me të njëjtin emër, në mes të fushës, pranë Teqesë të Baba Zoto Fushës. Kjo ishte e vetmja shkollë e këtij lloji, në trevën e Krahësit. Për shkak të ngarkesës të madhe mësimore, disa nxënës, të përzgjedhur nga shtati e fiziku he nga pjekuria, mes të cilëve dhe heroi ynë u caktuan ti bënin mësimet, natën. Ai shkonte çdo ditë në shkollë e kthehej, duke u rropatur nëpër ato bokërrima; kalonte dhe Përroin e Krahësit, i cili, në stinën me shira, bëhej ujëplotë. Tashmë Kastrioti ishte më i rritur dhe i përballonte më lehtë vështirësitë. Në pjesën më të madhe të udhës, ai ndiente aromën e fshatit të tij, mbasi disa mëhallalinj  dhe fshatarë të tij, ose punonin arat, ose  ishin me bagëti.

Vështirësitë dhe kufizimet që pati në udhën e dijes, Kastrioti i vuri vëthë në vesh dhe dashurinë për shkollimin e pa realizuar, ua transferoi fëmijëve të tij, disa nga të cilët i financoi, me ato të ardhura të pakta që merrte, duke sakrifikuar nga vetja. Nuk mund ti shikonte te prasmit e tij, të paarsimuar e pa kulturë, Kastriot Agua, i cili kishte nuhatje politike dhe parashikonte kohën që vinte.

Kur mbushi moshën 20 vjeç, më 5 nëntor të vitit 1957, Kastriot Ago Hoxhaj, lidhi martesë me fisniken Mevlute Qerim Lushka, nga fshati Toç, i rrethit të Tepelenës, një fshat kufitar me Kalivaçin. Ai nuk u largua shumë nga fshati i tij i lindjes, për të gjetur shokun e jetës. Nga martesa mes tyre erdhën në jetë 7 fëmijë; tri vajza e katër djem. Dy vajzat e para, nuk e patën jetën të gjatë. E treta, ishte përsëri vajzë; atë e quajtën Sofija. Atë e pasoi i linduri pas saj, Alberti, pastaj erdhën me radhë: Viktori dhe dy binjakë: Përparimi dhe Lavdërimi. Dihet se Zagolli me Meton lindën gjashtë vajza e nuk kishin djalë; Kastrioti dhe Mevludja, tre fëmijët e parë i patën vajza. Kastrioti ishte i vetmi mashkull në atë familje. Kur lindi Alberti, djali i parë i çiftit të ri, Zagolli dhe të tijët, nxituan në teqenë e Agarajt, tek Baba Estrefi, për të marrë emrin e djalit. Aso kohe, në Kalivaç e në rrethina, qarkullonte bestytnija se, që të jetonte gjatë fëmija i sapo lindur, emri i tij duhet të merrej në një vend të “ shenjtë”, siç ishte Teqeja e Agarajve, ku ishte myhyp, Zagoll Salikua. Babai i Teqesë i dha Zagollit emrin Shpëtim, për nipin e sapolindur , por Kastrioti dhe Mevlutja e regjistruan atë në gjendjen civile me emrin Albert. Dhe djali mbeti me dy emra; njëri Shpëtim e tjetri Albert.

Me ardhjen në jetë të 7 fëmijëve, nga të cilët 5 janë në jetë, vatra  e Kastriot Agos, në shtëpinë e Zagoll Salikos, në Meçaj, u mbush me fëmijë. Mbiemri Hoxhaj, tashmë ishte i siguruar për të vazhduar egzistencën e mbiemrit që mbanin. Kastrioti, nuk ishte më i vetmi me këtë mbiemër.

Në vitin 1963, kur Kastriot Ago ishte formuar si një burrë me karakter të fortë e me respekt të merituar në komunitet u përzgjodh  për të kryer një kurs kualifikimi  njëvjeçar, në Tiranë, ku do të mësonte drejtimin e punëve nga brigadieri i arave, në kooperativën bujqësore të fshatit të tij. Aty mori dhe njohuritë e nevojshme agronomike për kultivimin e bimëve të arave. Pas përfundimit të kursit, Kastrioti u caktua në funksionin e brigadierit të arave, në mëhallët Meçaj e Bozanaj. Më pas, ai punoi dhe në mëhallët Leshnje dhe Hasanbegaj si dhe magazinier i depos së kooperativës bujqësore të fshatit.

E kam njohur, personalisht atë dhe kam mendim të pavarur. Kam tërhequr dhe mendimin e disa ishkuadrove të kooperativës bujqësore dhe bashkëfshatarëve që kanë punuar ose kanë qenë pranë tij. Të gjithë mendimet, konvergojnë në disa pika të përbashkëta, lidhur me karakterin dhe vijën e sjelljes të Kastriotit, në punë, në familje e në komunitet. Karakteri i fortë, sjellja me edukatë, ndershmëria dhe korrektësia e tij, të formuara që në fëmijëri, u kalitën dita-ditës  dhe u shfaqën me forcë gjatë gjithë jetës së tij. Të gjithë bien dakort, kur është fjala për karakterin e pastër e të drejtë si dhe për përkushtimin në detyrë të Kastriot Ago Hoxhaj. Në figurën e tij shëndrisnin “ lulet” që përbënin portretin e heroit të këtij rrëfimi. Mund të themi, me forcë e pamëdyshje se Kastriot Ago, ishte një njeri i rrallë. I mbetur jetim herët, ai u mbrujt me tipare dukshëm të spikatura të karakterit,  si: të qënit i ndershëm, i drejtë, i paanshëm, i çiltër, i përkushtuar në punë, i dashur e i respektuar e i respektueshëm, një kuadër me kompetencë e përkushtim në detyrë.

Pa patur këto tipare, një brigadier, cilido të ishte, mesiguri që do ti bënte punët “ çorap”, e do të  vraponte pas interesit të tij e të familjes së vet. Për Kastriot Agon, brigata e arave që drejtonte, ishte një familje e madhe, ku ai e çmonte veten si kryefamiljar, prandaj, sejcilit i jepte hakun e te gjithë i trajtonte me të njëjtin “ kut”. Kastriotit “ nuk i ngjitej” asnjë fije floku, nga malli i kooperativës e kjo ia shtonte respektin në sytë e njerëzve. Kooperativistët që bashkoheshin në brigatën që drejtonte Kastrioti, i përkisnin moshës, nivelit dhe gjinisë të ndryshme. Tek ai njeri, ndershmëria, drejtësia dhe paanësia përshkonin tërë punën dhe sjelljen e tij, si në familje dhe jashtë mureve të shtëpisë. I rritur në një mjedis ku bujqësia ishte “kryefjalë” dhe me shkollën që kreu, në Tiranë, ia shtuan njohuritë Kastriotit për kultivimin e kultivarëve që trajtonte brigata e tij. Ai kishte mësuar dhe nga përvoja e më të moshuarve të fisit, rrëfimet e të cilëve i dëgjonte me interesim e i bënte të vetat, shpejt.

Brigata e arave që drejtonte Kastrioti, operonte në një terren të thyer e fondi arë ishte e shpërndarë nga Saloniqi, tek Çesma e Bukur, Maja e Tendës, Caci, Gropa e Imeret, Fusha E Leshnjes, Daullja etj. Arat e brigatës nuk ishin aq pjellore.  Sipas përbërjes fiziko-kimike të tokës dhe aftësisë prodhuese të saj, brigata që drejtonte Kastrioti u orientua të kultivonte: Misër, grurë, duhan, fasule dhe bimë të tjera leguminoze. Ishin vitet e vështirë të kooperativizimit të ekonomisë bujqësore, në Kalivaç. Mëhallët e jashtme, u kolektivizuan, më vonë se Fshati i Madh; për rrjedhojë edhe përvoja e punës së përbashkët ishte më e pakët. Mes fukarallëkut e skamjes, bujqësia e kolektivizuar, edhe në këta kushte hap pas hapi nisi udhën e vënjes mbi baza shkencore. Por kjo nuk mund të bëhej pa ngritur nivelin kulturor e shkencor të drejtuesve të njësive kooperativiste, përfshi dhe detyrën e brigadierit.

Kastriot Ago, vërtet nuk e kishte arsimin që kërkohej në vitet që pasuan por ai kishte vënë në themel të punës së tij, jo arsimin por diçka tjetër, më të qënësishme: ndershmërinë dhe dinjitetin e tij njerëzor. Informacioni sdhkencor per rejtimin e puneve te brigates, Kastriotit nuk i mungonte.

Nuk ishte e lehtëtë merrje përsipër drejtimin e një brigate arash, në mëhallët e sipërme të Kalivaçit, në ata kushte të fukarallëkut ekstrem. Punonjësit e arës, rropateshin gjithë ditën duke punuar tokat mbi ujë, me ato vegla primitive, me një dietë mjerane dhe merrnin si shpërblim rreth 30 lekë për një ditë pune. Mëhallët e jashtme ku ira shorti për të qenë brigadier Kastriotite kishte përqafuar kolektivizimin relativisht më vonë, krahasuar me “ Fshatin e Madh”. Kësisoj, në vitet e parë të ekonomisë të kolektivizuar familjet ruanin akoma pak, nga vlaga e rrjedhur nga koha kur ekonomia bujqësore ishte vetjake. Në vitet kur drejtonte Kastrioti, ekonomitë bujqësore “ ishin shkundur” dhe sytë i kishin drejtuar tek marrja në kooperativë.

Këtyre faktorëve, u shtohej dhe një tjetër, të cilin brigadieri ynë e kapërceu falë karakterit të fortë dhe figurës morale të pastër. Në Meçaj, shumicën e punonjësve të brigatës e përbënin njerëz të fisit Xhaferaj, me të cilët, Kastrioti ishte në lidhje gjaku. Ata, nisur nga mentaliteti i trevës dhe i kohës kur jetonin, meqënëse brigadierin e kishin “ të tyren”, ndoshta pritnin dhe ndonjë favorizim. Por Kastriot Agua ishte njeri mjaft korrekt, i drejtë e i paanshëm. Ai nuk ndikohej nga mbiemri që mbante anëtari i brigatës që drejtonte. Punonjësit, për Kastriotin ishin në distancë të baraslarguar e nuk kishte rëndësi nëse ishin nga Xhaferajt, nga Dostajt  apo nga Agajt.

Nisur nga figura e tij e pastër, bazuar në ndershmërinë si tipar i kërkuar, kryesia e kooperativës bujqësore të fshatit e caktoi Kastriotin, në detyrën e magazinierit. Ai, disa vite me radhë administroi mallin e kooperativës; drithërat e bukës, prodhimet blegtorale e pasuri të tjera me vlerë. Në këtë detyrë, si dhe në atë të brigadierit, heroi i këtij rrëfimi dëftoi shumë korrektësi e përkushtim. Bashkëkohësi i tij, Ferrik Azis Alidervishaj, i cili, në atë kohë kryente detyrën e shefit të llogarisë dhe kishte lidhje pune me Kastriotin, dëfton: “ Atij njeriu, nuk i ngjitej asgjë nga prona e përbashkët”! Nuk mund të ngjante ndr yshe; Kastrioti shquhej për besnikëri, prandaj u caktua në detyrën e magazinierit ku malli i bashkësisë ishte “ sheshit”. Kastriot Ago Hoxhaj, nuk ishte njeri por një “ëngjëll mbrojtës”.

Kastrioti shkonte në punë herët në mëngjes, në mënyrë që kryesia e kooperativës, kur të dilte në zyrë, ta gjente atë në vendin e punës e të mos bëhej pengesë për egzekutimin e urdhrave të veprimit. Nuk dilte nga dera e shtëpisë, pa konsumuar ushqimin e vaktit, pavarësisht nga ora, kur i duhej të shkonte në punë. Nuk harronte të merrte me vete një copë bukë, të mbështjellë me gazetë, të shoqëruar me çfarë ti ndodhej, në një torbë si ajo që hidhte në sup, dikur, në vitet e shkollës fillore të fshatit. Ai i gëzohej gjësë të tij e nuk bëhej ziliqar, për gjënë e tjetrit.

Kastriot Ago Hoxhaj, kishte një “ peng “ në zemër; shkollimin e pamundur të tij. Këtë boshllëk të jetës së tij, ai u përpoq ta riparojë me kompensim, tek fëmijët. Me synimin që pasardhësit të merrnin arsimimin e nevojshëm, babai arsimdashës e çoi Përparimin në filialin e Institutit “ Eqerem Çabej”, në Gjirokastër, për të studiuar në degën gjuhë –letërsi, kurse Lavdërimin  e çoi në Shkollën Ushtarake “ Skënderbej”. Ai mbante me pagesë dhe dy fëmijë të tjerë: Sofijen, për të cilën paguante 3500 lekë, në muaj dhe Viktorin, për të cilin paguante 1840 lekë në muaj. Për buxhetin e familjes së tij, me pagën mujore të vogël që merrte Kastrioti, nga puna në Minierën e Memaliajt si punëtor nëntoke, ky shpenzim ishte një barrë e rëndë. Sakrifikoi Kastrioti dhe familja e tij, për të shkolluar fëmijët.

Në portretin e Kastriotit qëndronte hijshëm, si një “ medalje ari”, pamja e jashtme dhe mungesa e veseve, në karakterin e tij. Ai ishte njeri i thjeshtë, si vetë thjeshtësia. Vishej thjeshtë, dhe rrobat i donte e i mbante pastër. Në punë e jashtë saj e vështroje me rroba cohë, sipas stinës, me pantallona të lëshuara e me opinga, mbathur; kapele nuk çonte, kurrë, në kokë. Në fytyrën e tij bardhoshe, shkëlqenin dy sy të zgjuar, larushë. Flokët i kishte gështenjë;të qethur, shkurt e kurdoherë të krehur, balli i lartë dëshmonte fisnikërinë e tij; vetullat i kishte normale; hundënm disi të hollë.

Kushdo që e ka njohur nga afër Kastriot Agon, mund të pohojë se për të ishin të huaj, si alkooli dhe duhani dhe nuk ishte nazik, sa i takon konsumimit të ushqimit. Ai hante radhë. Kastrioti, në të ushqyer kishte vendosur një rregull, të cilin e zbatonte me korrektësi. Nuk dilte nga shtëpia, pa mengjes dhe drekën e donte në orën 12.oo të ditës. Ushqime të preferuara për Kastriotin ishin gjellët e traditës si: fasulet, trahanaja,byreku, petullat, etj. etj.

Kastriot Agua, njihte dhe  respektonte, me përpikëri zakonet e trevës dhe traditat e vendit. Kur ulej në trapezë, së bashku me burrat e fisit ose kur shkonte mik, kënga e tij ushtonte fort, me zërin e bilbilit. Këngë të pëlqyera të tij ishin: “ Sa e bardha këjo ditë”! dhe “ Moj Vlorë e bukur në gropë”! Horizonti, elokuenca në të folur, gojëtaria e spikatur dhe kënga, bënin që Kastriot Agua, ti bënte nder vendit ku e caktonte i zoti i shtëpisë dhe gostisë apo i dasmës. Prandaj, në dasma, e kërkonin dhe e dërgonin, me këmbëngulje si krushk, për të marrë nusen. Shokët i zgjidhte siç ishte vetë. Shokë të afërt kishte Muharremin e Rushanit; Bajramin e Tahir Abazit etj. Ai mbante lidhje dhe me fisin e të atit, nga Hysodosajt, sidomos me Idainë e Mete Medinit; me Halon e Gani Muharremit etj.

Vitet e fundit të jetës aktive, Kastrioti i përcolli në Minierën e Qymyrgurit, në Memaliaj, si punëtor i nëntokës. Në këtë punë, ai u angazhua, prej vitit 1979, deri sa doli në pension, në vitin 1989. Edhe në minierë, si më parë,  ai u shqua, jo vetëm për punë me rendiment e cilësi  por dhe për figurën e tij të pastër.

Në vitet e parë të shndërrimeve demokratike  të vendit tonë, dy djemtë binjakë të Kastriotit: Përparimi dhe Lavdërimi, duke synuar një jetë më të mirë, emigruan në vendin fqinjë, në Bolonja të Italisë. Kastrioti dhe bashkëshortja e tij, Mevlude, bënë bashkim familjar. Në vitin 2001, të dy, shkuan për vizitë 8 mujore tek bijtë e tyre binjakë. Duke rrugëtuar me tren, prej Firences në Bolonja, tek djemtë, Kastrioti, në moshën 64 vjeçare, u prek nga një sëmundje e rëndë, me zhvillim të shpejtë,  e cila i mori jetën, në datën 26 shtator të vitit 2001; brenda tri ditësh. Në datën 3 tetor të vitit 2001, Kastriotin e përcollën në banesën e fundit, në varrezat publike të Sharrës, në Tiranë, familjarët, të afërmit , miq e shokë të shumtë të cilët, duke ndarë hidhërimin me të tijët, shpalosën, edhe një herë dashurinë dhe respektin për njeriun e mirë.

Në Kalivaç e më gjerë, njerëzit do ti përcjellin njëri-tjetrit, brez pas brezi  rrëfimin se në Kalivaç, dikur ka jetuar e ka punuar një njeri i jashtzakonshëm, me karakter të pastër  dhe i përkushtuar në punë, siç mund të jetë në përfytyrimin e tyre, një shënjtor.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Ne Tiranë, më 28 prill 2016

Shkroi  Niazi  Nelaj

3 thoughts on “Kastriot Ago Hoxhaj (1937 – 2001)”

  1. I paharrur kujtimi i ketij burri fisnik. Te rroni dhe ta kujtoni me dashuri.

Comments are closed.