Gushti i dajove

Siç dihet,  dajua ( vëllai i nënës ),  është njëri nga njerëzit më të dashur.  Çdo fëmijë e ka ëndërr të jetë nën kujdesin e dajos apo të ndodhet në shtëpinë e tij.  Jo më kot ekziston kjo lidhje e natyrshme mes dajos dhe mbesës apo nipit të tij. Tek këta të fundit mendoj se delegohet një pjesë e dashurisë të dajos, për motrën e tij.  Kjo nuk është pak.  Në praktikë ndeshim dy koncepte  të lidhjes  dajo  – mbesë (nip ).  Në Kalivaç të Tepelenës,  i ndeshim të dy kuptimet;  si të gjerin dhe të ngushtin.  Në kuptimin e ngushtë dajua është vëlla i nënës ,  drejtpërdrejt;  në kuptimin e gjerë,  me cilësinë e dajos,  kuptohet çdo mashkull i trungut,  fisit,  mëhallës apo,  në ndonjë rast edhe i fshatit ku është lindur e ku është rritur nëna e tij.

Në Kalivaç të Tepelenës,  por jo vetëm,  nipi në dajo ka status të veçantë.  Një praktikë e tillë është shumëshekullore e nuk e ka shpikur asnjeri.  Nipi në dajo ndihet i privilegjuar e krekoset jo më kot.  Po zbres më konkretisht:  Nipin në dajo e rrethojnë me kujdes të veçantë e me fjalë të mirë.  Sidomos kur ai është i urtë e i dëgjueshëm.  Aq e vërtetë është kjo,  sa,  në breza është kultivuar slogani se fëmijën e rritin përkëdheljet e babait dhe dhuratat e dajos.

Rrënjët e origjinës të Nënës time,  Zonjë Temes,  më çojnë në fshatin Koshtan të rrethit të Tepelenës,  në mëhallën Shehaj,  e cila është mëhalla skajore  e fshatit,  në Jug të Teqesë të mirënjohur bektashiane të Koshtanit.  Për shkak të përkatësisë të besimit ( sektit ) Bektashian dhe si besimtarë të devotshëm,  mëhalla e Dumajve të dikurshëm,  u quajt mëhallë e Shehelerëve.  Banesa e vëllezërve të Nënës time ishte e skajshme ndër banesat e mëhallës.  Pas saj,  udha zbriste në një bokërrimë,  e cila të çon në fshatin Përrenjas ( Iliras ),  i cili i bashkëngjitet fshatit Qesarat të rrethit të Tepelenës. Trojet dhe arat e kësaj familje denbabaden kanë qenë aty ku është fundi i Bregut,  rreth shtëpive,  yrtrave,  lëmit,  pusit, ujët e të cilit  pihej dhe pemëve të shumta.  Në vendin e varur, e cila quhet Gropa,  ndodhet trungu i një bajame,  e cila,  dikur kish shumë çatalla e degë plot me  kokrra.  Atë Bajame e ka mbjellë ime  – ë;  Zonjë Temja.  Arat e tjera ishin në Grabesh ( copa-copa),  në Puset ku ndodhet dhe Lëmi i Nanit , në Brinjën ku kulloste dhentë xhako Mazja.  Atje ndodhet dhe një shesh,  me përmasa të vogla,  ku djemtë luanin lojërat e kohës.

Dera e Teme Adushit dhe bashkëshortes të tij,  Bejushes nga Rerësi,  në Koshtan por jo vetëm,  ishte derë e madhe dhe konaku i tyre ishte bukëdhënë.  Djemtë dhe vajzat që solli në jetë ky çift ia shtuan “shkëlqimin ” dhe e bënë më të njohur e më të preferuar atë derë.  Pinjollë të çiftit Bejushe dhe Teme Adushit në Shehaj, ishin djemtë: Salih;  Barjam;  Adush;  Kadri dhe Musa;  si dhe motrat:  Lala;  Sherinë dhe Zonjë.  Një vatër me fëmijë solli në jetë çifti i sipërpërmendur.  Siç e kërkonte koha.  Me vlerë mbetet fakti se pinjollët e kësaj familje ia kanë zbardhur faqen prindërve dhe trungut familjar nga rridhnin.  Le ti marrim me radhë,  sipas moshës:

Salih Teme Shehaj ishte djali i parë i familjes.  Në gjysmën e dytë të viteve ’20 të shekullit të shkuar,  Salihu ishte goxha djalë,   beqar,   kadër,  për t’u radhitur me bashkëmoshatarët e tij që merrnin udhën  e kurbetit,  për të prurë diçka nga fitimet e punës së tij të krahut.  Ai emigroi në Turqi,  në krahinën  e Anadolit,  atje ku emigronin zakonisht  bashkëtrevasit e tij.  Salih Temja ishte beqar,  kur u largua nga fshati i tij i lindjes dhe fillimisht u vendos në qytetin e Izmirit, qarku Aydin.  Adresa e tij ishte kafeteria ku konsumonin kafe shqiptarët e njohur në rrethina si “ kafja e shqiptarëve ”.

Salihu,  kur u bë për martesë u lidh me një vajzë Çame nga Greqia,  e cila kishte emigruar në Turqi,  së bashku me familjen,  në kuadrin e shpërnguljes me forcë të shqiptarëve nga shovinistët Greqia.  Vajza me të cilën u lidh me martesë dajo Salihu quhej Nayet.  Pas martesës me dajon tim,  ajo mori mbiemrin e tij dhe u quajt:  Nayet Sen ( Shehaj ).  Çifti solli në jetë dy vajza e dy djem.  E para nga vajzat ishte Senisa.  Këtu ka diçka interesante,  tek e cila,  mendoj se duhet ndalur.  Salih Temja,  nga droja se mos harronte realitetin që la pas,  apo për nder të motrave,  u vuri vajzave që solli në jetë emrat e motrave që la në Shqipëri.  Kështu, vajzës së parë  Ai i vuri emrin Senisa si përshtatje e emrit Sherinë;  kurse vajzës së dytë i vuri emrin Lejla,  në kujtim të motres së madhe të tij  –  Lalasë.  Nga femijet e tij,  2 vajza e dy djem,  Senisa ishte më e madhja.  Ajo u martua me turkun Ibrahim Akk,  një pasunar,  i cili disponon një plantacion të gjerë,  të cilin e mbillte me pambuk dhe e vilte me argatë ( Sipas të dhënave të Mirditë Beqiraj ).  Senisa ( Sherina ) njihet dhe  me emrin Ikbale.  Ajo solli në jetë djemtë Ergyn dhe Erson dhe një vajzë me emrin Jemine,  e cila,  thonë se është prezantuese bukuroshe në një stacion televiziv turk.  Për fat të keq,  asnjeri nga pinjollët e familjes Shehaj dhe nga fëmijët e motrave të Salihut,  nuk ka arritur të njihet me kushërirat  që banojnë në Soqe.  Kur vajti në Soqe Mirëdita dhe e bija ( Natasha ),  i dërgova një fotografi të dajo Kadriut dhe një letër në disa gjuhë.  Nuk mora përgjigje.  Si rastësisht,  Mirëdita na dëftoi,  se,  kur vajzat e dajo Salihut  kishin parë fotografinë e Kadri Temes ( ndjesë pastë ) ishin shprehur,  me habi: “ Sa i ngjaka Babait tonë ”!

Në mes të viteve ’30 të shekullit të shkuar,  dajo Salihu erdhi në Shqipëri,  në familjen Shehaj,  të Koshtanit.  Siç më rrëfente Nëna ime Zonja,  e cila e kishte vëlla;  Ai zbriti në Vlorë,  fjeti një natë në shtëpinë tonë,  në Kalivaç dhe,  të nesërmen u ngjit në Koshtan.  Nënës tonë i kish sjellë dhuratë një fustan pellush dhe kishte prurë shumë dhurata për motrat dhe për kunatat.  Pas Luftës së Dytë Botërore,  djali i madh i Teme Adushit,  nuk erdhi më në Shqipëri.  Ai vdiq në Soqe;  atje e ka dhe varrin,  pranë të birit –  Hamdi.  Bashkëshortja e tij,  Nayet,  në vitet kur vajti në Soqe  Miredita  ishte e moshuar e shendetligë.

Djali i dytë i Bejushes dhe i Teme Adushit,  ishte Barjami.  Ai,  me shumë punë e me sakrifica,  u rrit,  mësoi zanatin e muratorit,  u bë mjeshtër në profesion;  e njihte dhe e nderonte fshati dhe treva si mjeshtër i gdhëndjes së gurit.  Barjami ishte burrë zakoni dhe esnaf.  Ai bëri miq të shumtë nga familje me peshë,  në trevë;  njihte mirë traditën dhe zakonet,  ishte i rakisë e i muhabetit dhe zot qosheje.  Në rolin e dollibashit,  Barjam Temes i ndrinte gota e rakisë në dorë e i kishte lezet muhabeti.  Thonë se Barjam Temja si pijedashës,  garonte me kazanin e rakisë dhe dilte fitimtar ndaj tij.  Nuk ishte shtatlartë por i mbushur,  mbante qylah të bardhë në kokë dhe një brez të qarkuar disa herë pas mesit;  mbante mustaqe të pastra e me gjatësi normale.  Në faqe kishte një blanë,  shënjë e djegjes në fëmijëri.  Ishte burrë zakoni e serioz.  Atij i qeshte nuri,  vetëm kur pragun e tij e kapërcente ndonjë mik i dëshiruar.  Atëherë,  si derë e madhe pritëse,  jepte urdhër të therej një berr i majmë,  i cili,  të piqej në hell e të shtrohej në sufra.  Thërriste kushërinjtë:  Lazen;  Zemanin; Selimin;  Xhaferin;  Telhane etj.  për të nderuar mikun dhe atë natë sufraja ngrihej vetëm në mëngjes.

Barjam Temja u martua me Mahmuten,  motrën e  Hamit Kapos,  nga fshati Zhulaj i rrethit të Tepelenës.  Xhixhi Mahmutja ishte një grua trupvogël,  e dashur,  e urtë,  shpirtmirë dhe fisnike.  Nese mund të themi ndonjë mangësi për të,  ajo ka të bëjë me të qënit shëndetligë.  Barjami bëri shumë miq në çdo fshat.  Ai lidhej me miqësi,  me njerëz e me familje të rangut të tij.  Në Krahës kishte mik për kokë Halil Ademin dhe Gani Tafilin;  në Kalivaç –  Sulo Barjamin dhe vëllezërit e tij,  Malo e Shefik Barjami.  Për ta bërë më të fortë lidhjen,  dajo Barjami kërkoi nuse për djalin e vetëm,  Syrjanë,  Nurijen,  të bijën e fisnikut Rrapo Dano,  duke u futur në rrethin miqësor me Haxhiajt e kamur dhe me Bakajt ( Çelajt ), si dhe me Nelajt, në Ahmetaj. Pas martesës të vëllait të tij,  Kadriut,  me Shajbinë,  motër e Baçe Ganiut e bijë e Dëshmorit të Luftës Nacional  – Çlirimtare,  Gani Barjam Hysaj,  Barjam Temja u lidh dhe me familje të tjera,  në Krahës,  duke e zgjeruar rrethin miqësor edhe me Llakajt.  Gjurmët e punës së tij,  si mjeshtër i gdhendjes të qosheve,   i gjejmë në çdo fshat ku ka shtëpi guri, deri  në Tepelenë,  tek konvikti i shkollës së xha Muratit dhe në murin e gdhendur të Shtëpisë të Kulturës.

Barjam Temja ishte myhyp në teqen e dëgjuar të Koshtanit.  Ai i respektonte e i ushtronte,  me rigorozitet ritet e sektit Bektashian dhe,  kur u çel shkolla në këtë fshat,  Barjami ishte njëri nga nxënësit e parë e më të devotshmit e saj.  Një gjë interesante,  të cilën e ndeshim rrallë,  është solidariteti pa kufi i vëllezërve Barjam;  Adush dhe Kadri për t’i sajdisur miqtë e asaj dere,  në treshe.  Për ta kuptuar më mirë këtë dukuri të veçantë,  më duhet të shkruaj se:  kur një mik i Adushit psh,  kishte nje sebep, ( (dasmë,  gosti,  vaki etj. ), viheshin në radhë të tre vëllezërit dhe gratë e tyre,  me Barjam Temen,  në krye dhe shkonin e bënin qokën.  Kështu ndodhte dhe kur në vatrën e tyre,  kishte ndonjë sebep;  të gjithë miqtë,  pavarësisht se me kë ishin në lidhje miqësore.  Në shtëpinë e vëllezërve Shehaj,  hynin e dilnin shumë njerëz.  Në ditët tona,  kjo dukuri ndeshet gjithnjë e më rrallë dhe shkaqet besoj se janë të njohur për cilindo lexues.

Barjam Temja i gjezdiste miqtë e trungut e i trajtonte ata njëlloj.  Një ditë mori udhën e largët,  kaloi dhe Vjosën,  në Lundrën e Kalivaçit dhe bujti në Shkozë të rrethit të Vlorës,  në familjen e Veledin Shemes,  djali i të cilit,  Bakiu ishte i marrtuar me vajzën e Adushit  –  Fatimenë,  Zonjë e zotëruar e cila trashëgon tiparet më të mira të nënës të saj  –  Misikos.  Në Shkozë,  dajo Barjami, u prit siç i takonte, si ballë i miqve. Atje, Ai vuri re  një mëz,  varvat  ( i patredhur e pa provuar samarin mbi kurriz).  Si qejfli kuajsh,  dajos i pëlqeu mëzi dhe e bleu atë.  Në kthim,  Ai e mori mëzin për kapistre dhe me të për dore,  ngjiti të përpjetën e Kalivaçit e atë të Toçit.  Kur doli në vendin e quajtur Sheshi i Tahirit,   në një vend ku udha kalon nëpër një gëmushë të dëndur koçimaresh,  e zuri mukthi  (gjysmëerrësira).  I lodhur nga udha e gjatë, në moshën76 vjeçare;  në vitin 1966,  Barjami i lodhur nga udha e gjatë,  u ul mbi një gur të sheshtë me ngjyrën e shtufit;  ndezi një cigare e nisi ta thithte,  me ëndje.  Mëzin e mbante për kapistre,  të cilën e kish lidhur fort, pas qafës të dorës.  Aty pranë,  papritur kaloi një shpend ( Thëllëzë;  shapkë; turtull,  a ku ta dish ). Mëzi u tremb nga turfullima e shpendit dhe u sul me të katra.  Meqënëse të zotin,  nuk mund ta shmangte,  e tërhoqi zvarrë Atë.  Dajua mori goditje të fortë në kokë e cila i shkaktoi vdekjen.  Mbeti në mes të asaj korije,  gjithë natën.  Të nesërmen zhvilloheshin votimet.  Në familje e pritnin vinte,  sipas njoftimit që kish bërë.  E kërkuan njerëzit e tij dhe gjithë fshati.  Nuk lanë shkarpë e kaçube pa kontrolluar dhe e gjetën të pajetë.  Gjëmë të madhe shkaktoi vdekja e atij burri të rrallë,  i cili e ngriti aq lart emrin e shtëpisë e të mëhallës të tërë.

Një ndodhi e rrallë:  Barjam Temja i  donte shumë fëmijët.  Si ata që kish në vatër dhe të miqve të shumtë ku shkonte. Në një rast,  të cilin ma ka rrëfyer vetë,  vajti në shtëpinë e një miku të tij.  Sipas traditës vendore,  i zoti i shtëpisë e hodhi në qoshenë e djathtë. Nikoqirja  po merrej me qerasjen e mikut.  Një fëmijë,  buçko nga shtati e me faqe që i kuqonin nga shëndeti, me moshë  4 – 5 vjeç,  vajti e u ul në prëhërin e Barjam Temes. Dajua im mbante xhamadan dhe qostek.  E kish zakon:  fëmijët që i afroheshin,  ca më shumë ata që i uleshin në prëhër,  i ledhatonte e i gostiste,  me ndonjë monedhë.  Në këtë rast,  dajo Barjami,  futi dorën në xhepin e xhamadanit,  krojti xhepin e tij,  por brenda gjeti 1 monedhë 1 napolonëshe.  Napoloni ishte flori e aso kohe kish vlerë të madhe.  Me 1 napolon flori,  mund të blije një dash.  Ia la në dorë kavalieri monedhën;  e puthi dhe e ledhatoi fëmijën e ai u largua nga xhymerti,  i gëzuar,   ndonëse nuk e dinta çfarë vlerë kishte në dorë.  Që atëherë,  kur shkonte mysafir,  Barjam Temja mbante gjithmonë kacidhe,  në xhep.

 Djali i tretë i Teme Adushit ishte i miri e i urti Adush.  Dajo Adushi ishte shtatlartë.  Kur e kam njohur,  ishte i moshuar dhe kurrizin e kish pak të dalë.  Puna e lodhëshme për shumë vite dhe mosha e kishin bërë të sajën. Edhe se ishte mpakur, ngjyra dhe shprehja e syve të tij nuk kishin ndryshuar.  Më janë fiksuar e nuk më hiqen nga mendja sytë e tij të bukur gri në bojëqielli dhe sjellja e tij e mëndafshtë.  Dajo Adushi fliste avash e me zë të ulët;  ishte i qetë e i dashur,  kish një dashuri të pamatë,  për fëmijët e asaj shtëpie dhe për ne mbesa e nipër që bujtnim vazhdimisht. Nuk e pashë kurrë të mërzitur; ca më pak në inat.  Nëse do të përpiqesha të portretizoja një burrë të cilit “i qeshte puna e nuri ” më të përshtatshëm se Adush Temja nuk mund të gjeja.

Adush Temja ishte burrë zakoni e namuzli.  Atij i vinte ndorjesh për të bërë çdo punë.  Mjeshtëria e tij për të ngritur mure,  ishte si “ thelë mbi bisht ”.  Sikur e kishin në gen zanatin e muratorit vëllezërit e shtëpisë të Teme Adushit.  Zanati i parë për dajo Adushin ishte puna e mullisit ( mullixhiut ).  Ai menaxhoi për një kohë të gjatë Mullirin e Malos,  i cili ndodhej tek kthesa e fortë e Përroit të Madh,  i cili vjen nga Xhaxhajt e nga Kamçishti e derdhet në Përroin e Krahësit.  Adush Temes nuk i dëgjohej zëri;  por tringëllima e shatit apo kazmës,  kur punonte.  Kur punonte mullis,  Ai nuk i “ hante ” ata që vinin për të bluar drithë,  as në kandar;  as në ujem.  Ndershmëria dhe të qënit i drejtë ishin emocionuese tek ai njeri.

Ishte fat,  si për Adushin dhe për atë shtëpi miku,  martesa e tij me zonjën Misiko, doja të thosha= kapedanen Misiko,  të bijëjn e fisnikut Axhem Lime,  nga Xhaxhajt.  Në Xhaxhaj,  në rrethinë e më gjerë,  për burrin e ndjerë Axhem Lime,  ka qarkulluar,  deri në kohët moderne,  njëtipar në formën e një legjende.  Thonë se Ai pinte 1 litër raki,  pa meze,  por vetëm duke ngjyer kripë gjelle kur të tjerët i “ futeshin me kokë” mishit të pjekur në hell dhe meseve të bëra në mënyrë artizanale, nga amvisat e shquara malësore.  Në kohën kur jetoi Axhem Limja,  burri që të quhej i tillë,  duhet të plotsonte tre kushte:  Të mbante mustaqe;  të pinte duhan me çibuk e të pinte raki me duçe.  Dhëndrri i tij e dajua im Adush Temja,  nuk shquhej si përdorues sistematik i pijeve të forta ( rakisë,  kryesisht ) por si burrë e zot shtëpie,  kur ulej në sofër,  me burra të sërës së tij,  pinte,  vënçe edhe pa qene sarahosh.  Martesa e dajo Adushit me Misikon,  solli ndryshime cilësore në shtëpinë bukëdhënë të Teme Adushit e cila ishte derë e madhe , e cila priste e përcillte mysafirë të panumërt.

Adush Teme Shehaj,  u nda nga jeta në mënyrë natyrale dhe pa shumë vuajtje e ankesa,  në muajin Maj të vitit 1982 duke lënë pas një armatë dinjitarësh.  Varri i tij ndodhet në vorrezat urbane të fshatit Koshtan,  pranë vëllezërve, bashkëshortes dhe djalit të tij.

Të shkruash për figurën e ndritur të Misikos, nuk është gjë e lehtë.  Ajo grua ishte Zonjë në tërë kuptimin e fjalës. Zonja Misiko menaxhoi e i dha shkëlqim e hijeshi,  me tru e me trup,  punëve të asaj dere të madhe,  dhe ndriti atë mëhallë majë bregut,  të mbushur plot mirësi e fruta të shumëllojta.  Me sjelljen e saj tejet njerëzore dhe me qasjen e ëmbël të saj,  Misikua bënte për vete të madh e të vogël;  dashuria që falte dhe mirësia që mbante në shpirt,  nuk kishin kufi.  Roli i saj si amvisë duarartë dhe buzagazi i saj i çiltër,  i cili nuk kishte mbarim,  krijonin një mjedis të këndshëm për vizitorët e shumtë të asaj shtëpie dhe për miqtë pambarim të saj.  Gatimet e saj mjeshtërore,  me shijë dhe zairetë e dimrit që Ajo grua “ëngjëll ” përgatiste me duart e saj,  ishin mjaft të pëlqyera.  Jo mëkot,  ata që konsumonin gjellët e saj,  lëpinin gishtat e mbeteshin të kënaqur.  Fisnikja Misiko nuk e kursente fjalën e mirë,  buzëqeshjen e ëmbël dhe duart në qafë për mysafirët dhe për miqtë e atij pragu.  Nuk besoj se e teproj,  po të shkruaj opinionin vetjak se “ Misikua ishte Kalë me shalë ”!  Fytyra e saj e gjerë dhe tiparet e theksuara i hijeshonte buzagazi i saj i pakursyer.  Dy sytë e mëdhenj  dhe balli i lartë,  si tregues i fisnikërisë dhe zemrës të mirë të saj.  Fizikisht ishte e fuqishme dhe e bëshme,  gjë që i mundësoi përballimin e gjithë atyre punëve.  Ajo,  jo vetëm që përballoi me përkushtim punët e shumta por me shtëpinë që e mbante si dritë,  priste e përcillte,  me dinjitet,  tërë ata krushq e krushka,  mike e miq të shumtë të asaj shtëpie bukëdhënë.  Me buzë në gaz,  me fjalë të ëmbël,  me shprehje fisnike,  tipike të fshatit e të trevës si: “ Të marrsha të keqen ”! “T’u bëfsha kurban ”!; “Të lumshin këmbët që na urdhërove”!  Ajo i përcillte,  deri tek shtegu,  me fjalë që ta kënaqte tjetrin,  duke i uruar udhë të mbarë e falmeshëndet dhe me dorë në qafë,  sipas rastit,  ndahej prej tyre.

Misikua,  në çift me dajo Adushin,  solli në jetë shumë fëmijë.  E tillë ishte koha.  Të qeshnin po të lindje pak fëmijë;  po të ishje nënë me shumë fëmijë,  njerëzit të nderonin.  Fëmijët e saj ishin e janë:  Fatimeja,  e cila nuk i ka lënë as në thua. Pas saj u lind Jonuzi e pas tij –  Neimi;  Erveheja;  Musai;  Ëngjëllushja dhe e mbylli ciklin e lindjeve,  – Mjaftimja.

Në jetë,  Ai deli njeri,  me shpirt njeriu nuk pati vetëm gëzime e kënaqësi.  Ajo përjetoi dhe disa fatkeqësi e trishtime,  të cilat ia shkurtuan jetën.  Djali i saj Neimi,  kur sapo kishte mbushur 22 vjeç;  tre muaj mbasi ishte liruar nga Ushtria  i sistemuar në Stacionin e Makinave e të Traktorëve të Tepelenës,  në detyrën e mekanikut,  në pranverë të vitit 1973,  duke shkuar për punë në fshatin Izvor të rrethit të Tepelenës,  tek vendi i quajtur Ura e Lumit të Luftinjës,  zetori me të cilin udhëtonte grupi,  u përmbys dhe Neimi gjeti vdekjen.

 Me shumë trishtim,  me lot dhe me kokën pas,  Misikua burrëreshë,  la Koshtanin ku kaloi vitet më të bukur të jetës  e u vendos në Marikaj të rrethit të Tiranës,  së bashku me djalin e  saj –  Musanë dhe fëmijët e tij.  Ajo u nda nga jeta  në muajin Tetor të vitit 2002. U varros në Marikaj por eshtrat e saj, Musai dhe djemtë i çun në Koshtan,  në varrezat urbane të fshatit,  pranë të dashurve të saj.  U përmbush kështu amaneti i Saj dhe dëshira e pinjollëve që solli në jetë.

Në atë prag,  ka jetuar dhe një burrë,  i katërti i djemve të shtëpisë,   të cilin e quanin Kadri.  Kadri Temja,  në rini,  ka qenë një djalë azgan,  mjaft i zgjuar e i shkathët,  punëtor e me shpirt të mirë,  i dhimbsur e i shoqërisë,  nga ata që rëndom,  në atë kohë i quanin “gjarpër ” për të dëftuar shkathtësinë e tyre. Kadriut i vinte ndorjesh për çdo gjë e i zinte dora çdo punë.  Pas kryerjes të shërbimit ushtarak,  Kadriu  u bë nënoficer aktiv,  në repartet e kufirit dhe shërbeu,  me ndershmëri e me aftësi në disa reparte kufiri të rrethit të Shkodrës.  Martesa e tij me të fismen Shajbi,  të bijën e Dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare  Gani Xhafer Hysaj,  nga Krahësi i Tepelenës,  pozita familjare dhe ajo shoqërore e tij,  ndryshoi për mirë.  Shajbia,  një deli grua,  shumë punëtore e pastërtore,  i dha drejtimin e nevojshëm familjes të Kadriut.  Në çift me të mirën Shajbi,  Kadriu solli në jetë 2 djem dhe 6 vajza. Të renditura sipas kohës të ardhjes në jetë,  fëmijët e tyre mbajnë emrat:  Flamuri;  Zyhdi;  Liri;  Behije;  Fiqret;  Mirjanë;  Nexhmije dhe e fundit  –  Fatmira.  Kadriu me Shajbinë u martuan në vitin 1950.  Në atë kohë,  Ai ishte me shërbim në Shkodër ( Zogaj).  Për një farë kohe,  çifti,  strehoi në shtëpinë e tij në Shkodër,  Fatimen e dajo Adushit.  Fatimeja ishte jo më tepër se 5 vjeçe.  Në Zogaj,  në brezin kufitar,  dajo Kadriu,  me Shajbinë dhe mbesa e tyre Fatimeja,  banonin në një sipërfaqe banimi me 2 dhoma.  Fatimeja kujton se,  e kishin marrë me vete mbasi,  Shajbia,  nuse e re,  nuk kishte me ke të rrinte,  gjatë kohës,  kur Kadriu ndodhej me shërbim.  Ajo i çonte drekën,  xhaxha  Kadriut. Në pikën kufitare Fatimeja  kreu 2 klasë tëshkollës fillore,  në shkollën e fshatit Zogaj.

                         Kur u lirua nga detyra e nënoficerit të kufirit,  në vitin 1960,  Kadriu,  së bashku me familjen  u kthye në Koshtan,  pranë vëllezërve.  Ai ndërtoi një shtëpi përdhese,  me dy dhoma,  në oborrin e përbashkët,  ku bëri dhe një kopësht.  Në këtë shtëpi u rritën 6 vajza dhe djali i vetëm i familjes Zydiu.

Në vitin 1967,  më 26 qershor,  në një ditë të bukur,  të shtatë fëmijët e çiftit,  luanin me njëri  –  tjetrin,   në shtëpi.   Djali, si më i madhi  doli tek dera e shtëpisë dhe tentoi të merrte mollët që rrëzoi një erë e fortë,  e papritur.  Ku u gjend ajo rrufe,  e cila e goditi Zydinë,  për vdekje, në mes të  vajzave,  duke shkaktuar një gjëmë të paparë.  Plakat e fisit e të mëhallës dhe gojët e liga kur mësuan për këtë tragjedi,   komentuan  sipas nivelit dhe mentalitetit të tyre.  Kuja u hap në Shehaj e mori dhenë.  I madh e i vogël u ligështuan e derdhën lot. Familjarëve, njerëzve të trungut dhe dashamirësve të shtëpisë u theri zemra.  Më të rëndë e patën dy prindërit:  Shajbia dhe Kadri Temja.  Motrat,  e ndjenë dhimbjen ,  hap pas hapi,  me rritjen dhe ndërgjegjësimin e tyre.  Por jeta vazhdoi.  Vajzat e Shajbi e Kadri Temes,  si flori,  u rritën njëra pas tjetrës e u martuan në dyer e me djem të zgjedhur.  Ato pushtuan e populluan disa rrethe të vendit;  dy syresh u martuan deri në viset e largëta të Kolonjës.

Koha bën të vetën dhe mosha e njeriut madhohet.  Vjen një kohë kur njeriut i paksohen fuqitë e ai ka nevojë jo për mbështetje e përkrahje morale,  dhe për përkujdesje.  Më mirë se vajza,  askush në botë nuk mund të kujdeset për prindërit.  Shajbia dhe dajo Kadriu,  kur vunë re se  forcat u kishin rënë  e gjetën mbështetjen tek bija e tyre kapedane  –  Behija dhe tek Dani,  i cili është një kala që nderon jo vetëm veten dhe fisin nga rrjedh.  Në fshatin  Gostivisht të rrethit të Kolonjës,  rrëzë Mailt të Gramozit,  Shajbia dhe Kadriu, Kaluan një pjesë të moshës së tretë.  Në tetor të vitit 1991, një vit mbasi u vendos në Starje dajo Kadriu u nda nga jeta,  i “përvëluar ” prej saj e me shumë derte.  E motra,  Zonja e Madhe e Binajve,  e cila i përcolli disa vite e verbuar dhe e sklerotizuar,  nuk e mësoi vdekjen e vëlla Kadriut.

Kur u krijuan kushtet,  Behija dhe Dani,  së bashku me Shajbinë dhe fëmijët e tyre,  u shpërngulën në Tiranë ,  ku banojnë aktualisht. Në fillim të vitit  2020,  pas një goditje cerebrale të rëndë u nda nga jeta Shajbia.  Atë e varrosën në Koshtan,  pranë bashkëshortit dhe njerëzve të trungut të tij.  Të ndodhur pranë njëri – tjetrit,  të dy njerëzit e mirë janë së bashku,  në përjetësi.

Vëllai i pestë i asaj vëllezërie,  Musa Teme Shehaj,  e pati jetën të shkurtër, por e mbuloi veten me lavdi dhe mbetet i pavdekshëm.  Ai doli partizan kur ishte 17 vjeç;  luftoi me guxim e trimëri , në Brigatën e 5-të Sulmuese dhe ra heroikisht,  në një luftim kundër pushtuesve gjermanë,  në Frashër të Dangëllisë, në Operacionin e Qershorit të vitit 1944. U varros mes dëllinjave,  në një faqe bregu,  siç varroseshin,  me ngut,  partizanët e rënë.  Musa Teme Shehaj ishte beqar;  Ai u shpall Dëshmor i Luftës Nacional çlirimtare. Eshtrat e tij,  i kërkuan kudo vëllezërit e tij dhe të afërmit,  në një kohë kur ato ishin sistemuar në Varrezat e Dëshmorëve të rrethit të Tepelenës.  Një ditë vere, të vitit 1980,  duke kerkuar kusherinjtë e mi Dëshmorë,  fare rastësisht,  lexova në një kokë varri:  Musa Teme Shehaj,  nga Koshtani; u habita. Njoftova dajot që ishin në jetë ( Barjamin; Adushin dhe Kadrinë),  për këtë gjetje e ata u mallëngjyen.  Më pas edhe festimi i 5 majit të çdo viti,  me vizita,  me mish të pjekur në hell,  me  këngë e me valle, në familjen e Dëshmorit Musa Teme Shehaj,  kishte një motiv më shumë.

Bijat e çiftit Bejushe dhe Teme Adushi:  Lalaja;  Sherina dhe Zonja,  u rritën e u mëkuan me edukatë të shëndoshë familjare dhe me traditën e mentalitetin e kohës.  Ato,  me qëndrimin e tyre dhe me bëmat e pinjollëve,  bënin beli në familjet fisnike ku vajtën nuse.  Motrat e pesë vëllezërve Shehaj,  i mbushën vatrat e shtëpive ku u martuan,  u pleqëruan e u shuan,  me “cicërimat ” e fëmijëve të shumtë,  të cilët,  kur u rritën e çoç u bënë,  pohonin,  me krenari e plot gojën se jemi nipër apo mbesa në Shehaj të Koshtanit.

Motra e madhe;  Lalaja u martua me Hasan Beqiraj,  në fshatin Toç të rrethit të Tepelenës,  ku bëri jetë dinjitoze e la pas pinjollë për t’u zënë në gojë.  Motra tjetër,  Sherina,  vajti nuse,  në fshatin Zhulaj po të rrethit të Tepelenës;  ku u martua me Liço Barjam Liçon,  me të cilin solli në jetë një vatër me fëmijë, vajza e djem.  Ajo,  mbeti shpejt vejushë, dhe me karakterin e saj të fortë,  e pajisur me edukatën e shëndoshë që mori në familjen e origjinës,  vetë burrë e vetë grua,  në ngushtësi ekonomike, me shukë kufizime e me sakrifica,  rriti e veseliti fëmijët dhe meritoi “ novkën ”:  Nënë e fshatit,  të cilën ia thurën vetë bashkëfshatarët e saj.  Motra e vogël –  Zonja,  u martua në fshatin Kalivaç të Tepelenës,  me fukaranë Xhevit Malko Nelaj.  Ajo,  me fukarallëk,  por me dinjitet,  rriti dhe edukoi 3 fëmijë,  të cilëve u futi në gjak,  ndershmërinë,  të qënit të drejtë dhe të ndjeshëm,  siç ishte vetë ajo. Zonja,  si vajzë malësie kishte dhe një aftësi të veçantë:  Ajo ngjitej në çdo çatallë ulliri,  bajame,  arre etj,  për të vjelë edhe frutat e fundit.  Le të vimë tek sqarimi i kokës të shkrimit.  E kam titulluar këtë shkrim : “ Gushti i dajove ” për të vetmen arsye se në gusht të çdo viti,  kur ishim akoma të parritur,  vajza e djem të motrave e të vëllezërve shehaj,  mblidheshim në dajo,  në fshatin Koshtan,  kohë e cila zëvendësonte kampingjet e sotme të pionierëve.  Në këta “kampingje ” kushërinjsh,  merrnin pjesë:

Fatimeja e dajo Adushit;  Jonuzi;  Bejushja e dajo Barjamit dhe vëllai i vetëm i saj –  Syrjai.  Këtyre u shtoheshin fëmijët e motrave;  konkretisht:  Lumturia dhe unë;  fëmijë të motrës së vogël –  Zonjës;  Mbarimja e teze Sherinës dhe vëllai i saj  –  Bilua.  Ky, ishte më i rritur dhe familja Shehaj e kishte pajtuar për të ruajtur dhitë,  kundrejt një pagese e cila ishte më tepër si bamirësi për të rritur jetimët e motrës Sherinë.  Dajo Barjami kish dhe vajzën e madhe   –  Xhevairen,  por ajo ishte adoleshente dhe në prag të fejesës,  si vajzë e pashme dhe nga derë e Madhe,  Xhevairen e kërkonin shumë për nuse.  Një ik e një hajde,  lajmësit,  në atë derë fisnikësh.  Ajo ish disi e rezervuar,   nuk merrte pjesë në veprimtaritë e grupit tonë.  Nga fëmijët e Teze Lalasë,  nuk merrte pjesë asnjeri,  për të vetmin shkak se ishin më të rritur në moshë.

Kishim zgjedhur muajin gusht,  jo më kot.  Në gusht, të gjithë fëmijët ishim me pushimet verore të shkollës;  ishte mot pa lagështirë,  piqeshin frutat e shumtë e të shumëllojtë  që rrethonin shtëpitë e dajove dhe,  duke qenë në kolektiv e na lidhte gjaku,  jo vetëm që silleshim me njëri – tjetrin,  pa teklif,  si motra e vëllezër,   por bënim dhe çmëndurira të moshës,  të cilat,  një fëmijë i vetëm nuk mund ti konceptojë.  Njëra nga aventurat tona ishte konsumini i frutave, bio, në majë të pemës, dmth, të freskëta. Kjo “aventurë ”  ngjante çdo ditë e askush nga dajot dhe xhixhitë,  nuk mërzitej. Tek dajot,  në Koshtan,  rreth shtëpive e më tej,  në muajin kur ne bënim kurën e frutave,  gjendeshin lehtë,  fiqtë,  të të gjithë varieteteve;  rrushi pulës,  razaki  e varietete të tjerë,  të cilëve nuk ua mbaj mend emrat.  Rrushin e kishim të pleksur me frutat e pemëve që mbante herdhinë.  Kur veleshim nga rrushi,  çanim bajame se arrat,  në gusht akoma nuk ishin bërë.  Në oborrin e shtëpive,  kishte rrush në hereke,  mbi pusin e ujit e rreth tij dhe shumë shegë e ftonj;  konsumimi i të cilave bëhet pak më vonë, në kohë. Dardhëve nuk u linim kusur dhe për mbledhjen  e bajameve futeshim në “ garë ”.  Mollët ishin me kokërr të vogël e nuk na shijonin kurse qershitë ishin sosur.  Kur ngjiteshim ne në pemë dhe nisnim zgjedhjen e frutave,  dukej sikur kishte rënë “ “karkaleci ” në arën me graminaçe.  Ndodhte diçka që mendoj se duhet shkruar:

Thuajse gjithë paraditën qëndronim në majë të pemëve,  atje ku frutat ishin më të bëra e më me shijë.  Ky ishte ushtrimi ynë konstant.  Hanim çfarë na donte goja dhe e mbushnim “ mullën ” plot.  Të gjithë ishim të lehtë e të shkathët e nuk e kishim problem ngjitjen në pemë e qëndrimin në majë të tyre.  Kur nikoqirja Misiko kishte përgatitur drekën,  për fëmijët e shtëpisë e për ne,  të ardhurit,  siç dinte të gatuante ajo:  plot shije,  dilte në shkallë e na thërriste:  “ Hajdeni,  mor “bir ”,  të hani drekën,  se e bëra gati.  Zakonisht,  për drekë,  Ajo gatuante zogë me rosnica;  mish me perime;  fasule e çfarë ti ndodhej.  Hera herës,  bënte byrek,  i cili na pëlqente shumë.  Për të na “rregulluar ” gojën, nuk mungonte paluzeja, pekmezi etj.  Kur Ajo piqte petulla,  ne mblidheshim rreth tiganit e vështronim si digjej vaji i ullirit apo gjalpi e veleshim me aromën e tyre.  Kishte lindur njëmosmarrëveshje,  objekt i së cilës ishte rrevolta ime për të bojkotuar drekën.  Të gjithë fëmijët,  të ngrënë,  nga qëndrimi në majë të pemëve,  si majmunë,  uleshin dhe rreth sofrës,  për të ngrënë drekë.  Nuk mund ta harroj thirrjen,  disa herë të xhixhi Misikos zemërmirë: “ Miazi! Po ti,  përse nuk vjen të haç drekë”?  Përgjigja ime ishte e shpejtë dhe nuk linte ekuivok: “ Unë jam i fisëm e rroj me fis ”!  Mbasi dilte në shkallë e me grishte disa herë,  xhixhija,  futej brenda e u shërbente kushërinjve e kushërirave të mija.  Gjyqi vijonte në darkë,  kur ktheheshin dajot,  nga puna.  Unë,  qendroja si i bukuri shejtan e dëgjoja gjykimin e tyre dashamirës. 

Mbasditeve,  kishim “në program ” ekskursione.  Dilnim nëpër mëhallën Shehaj,  por nuk largoheshim në mëhallët e tjera.  Në ekskursionet tona,  na printe Fatimeja dhe Lumturia.  Njiheshim me kushërirat e me kushërinjte që mbanin mbiemrin Shehaj;  shkonim tek dajo Xhaferi;  tek Telhai,  ku na priste me dashuri e na gostiste e paharruara Fidarie,  i bënim vizitë Lazes;  Zemanit; Selimit e shkonim,  në çdo shtëpi,  si në dajo. Ndonjëherë,  kur na “shkrepte ”,  shkonim në Grabesh,  për të parë tufën e dhive që kulloste Bilbili i teze Sherinës dhe për të parë thellësinë e përroit me fund e me brigje shtufi. Zbritnim  dhe në Gropa  ku xhako Mazja nxirrte dhentë.  Nuk e kuptoja si iknin ditët dhe mërzitesha kur,  së bashku me motrën,  Lumturi,  merrnim udhën për në Kalivaç duke marrë me vete dashurinë e atyre njerëzve të mirë dhe dhuratat pa fund.  Xhixhitë,  na nisnin me gatim.  Në bohçen tonë nuk mungonte çyreku erëmirë,  revania, e rrahur, në copa,  një apo disa vergje me fiq;  bajame,  disa kokrra arrë të pa bëra etj.  dhe  falmeshendet,  për Zonjën,  për  Xhevitin e fisin,  të tërë.  Dashuria që merrnim nga qëndrimi në dajo, për gati një muaj,  na mbante deri në gushtin e pritshëm të cilin mezi e pritnim.  Ato ditë ku lumturia dhe kënaqësia ishin “derdhur ” sheshit,  nuk mund ti harroj. Ato i kam të skalitura në memorje e them me vete: “ Sikur të vinte prap ajo kohë e artë ”!

Shënim: Për të bërë këtë shkrim më kanë ndihmuar me kujtimet e tyre të vyera, me opinione e me material figurativ: Fatimeja; Behija; Nurija; Jonuzi dhe Musai i Shehajve të Koshtanit, të cilët, për një jetë më të mirë, kanë lënë trojet e të parëve e janë ngulur në vise të ndryshëm të vendit. Tani që mosha e “pjekurisë” ka ardhur e kam mall , për çdo dru e për çdo gur apo paliçe, meqënëse fuqia fizike për ti parë nga afër ato bukuri, po shkruaj diçka, e cila, sido që është, nuk i le në harresë ato vende e ata njerëz të mirë; të gjallë e të ikur. 

Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj, nip i Shehajve të Koshtanit. Shkruar në Tiranë, gjatë muajit tetor 2020.