Festa e ditës së verës është festë pagane. Si e tillë ajo është festuar në Kalivaç të Tepelenës, nga banorët autoktonë të kësaj treve qysh në kohët që nuk mbahen mend. Festa nuk ka të bëjë me asnjë prapavijë fetare e nuk mund të pretendohet nga askush, qoftë dhe religjion fetar, mbi pronësinë e kësaj feste . Dikur pretendohej nga banorët e trevës së Elbasanit, se ishin ata që duhet ta festonin dhe se kjo festë u përket atyre. Para pak kohësh, e shtriu dorën edhe Tirana, ndoshta dhe ndonjë trevë tjetër për të bërë të vetën këtë festë të të gjithë shqiptarëve.
Të paktën nga viti 1950 e më pas, kohë kur kam qenë i vetëdijshëm, e kam festuar personalisht, tok me moshatarët e mi, siç festohej në Kalivaç, den baba den. Dita e verës, në Kalivaç është festuar përherë në datën 14 mars, të çdo viti dhe për çdo vit.Kjo ditë ka të bëjë me ngrohjen e motit, me daljen e barit të ri, me zgjatjen e ditës e kur dielli ngroh më gjatë për shkak të pozicionit të tij në hapësirë. Duke festuar ditën e verës, njerëzit i shtrëngojnë njëri tjetrit dorën dhe, të gëzuar urojnë: “ Shyqyr që doli dimri e na gjeti shëndoshë e mirë behari”. Ky qëndrim i kalivaçasve, të cilët ankoheshin tek njëri tjetri për pamundësinë që kishin për të përballuar vështirësitë dhe kapriçiot e stinës së ftohtë, ishte i lidhur ngushtë me faktin se ata, si blegtorë e kalonin të shumtën e kohës jashtë, në mëshirën e kushteve atmosferike, të lagur e të mardhur, herë me bukë e herë pa të.
Ardhja e verës sillte një gjendje tjetër, të re, një stinë më të ngrohtë e më të begatë, shumë të dëshiruar nga barinjtë. Prandaj e kanë festuar dhe e festojnë kalivaçasit ditën e verës si një ditë të mbarë e të gëzuar të dëshiruar nga të gjithë. Urimet e fshatareve të Kalivaçit në atë ditë ishin për më tepër bereqet, begatie mbarësi, shëndet e lumturi në familjet e tyre. Çdo sjellje e veprim njerëzor i asaj dite kishte një domethënie e një simbol të veçantë. E përbashkët, në çdo rast, ishte urimi e mirësia. Kësisoj, mund të thuhet se në ditën e verës njerëzit i transmetojnë njëri- tjetrit dashuri e mirësi. Në Kalivaç të Tepelenës, dita e verës festohej thjeshtë, pa zhurmë e me pak harxhe, siç ishin mundësitë e çdo familje, por festohej . Gjithsesi festohej e gëzohej në atë ditë dhe njerëzit i dhuronin njëri-tjetrit, më shumë dashuri e mirësi, krahasuar me çdo rast tjetër.
Dita e verës, duke udhëtuar nëpër vite, ka ardhur deri tek ne, në këto ditë të trazuara e të mbarsura me prapësi të shumta, si një festë mbarëpopullore, jo si privilegj për një pjesë të saj, aq më pak, nuk mund të marrë autorësinë e saj një qytet, një trevë, apo një rreth, i përveçëm. Në fshatin tonë, më 14 mars, sipas kalendarit Gregorian, ditën e verës e festonte komuniteti mbarë ;gëzimi i asaj dite trokiste në çdo derë e pushtonte çdo zemër, pavarësisht nga të kamurit ose nga pozita shoqërore që zinte sejcili. Mund të themi se përpara kësaj dite ishin të gjithë të barabartë e askush nuk mund të zgjaste dorën për ta tërhequr nga vetja këtë ditë e të thoshte: ”është imja kjo ditë”. Gëzimi e hareja pushtonin qenien e çdo kalivaçasi; si të atyre që “nuk kishin hi në vatër” dhe të të tjerëve që ishin në gjendje më të mirë ekonomike.
Natyra, dielli, ajri, të gjithë faktorët jetikë ishin njëlloj të barabartë për të gjithë e dielli ngrohte njëlloj. Madje, mund të thuhet se ai më fukarai, i cili me zor mbushte barkun me bukë, ishte në atë kohë; është dhe sot më zemërbardhë, e më bujar. Në fakt njerëzit e familjes së tij, me pak gjë, gëzimin e kishin më të madh e më të pastër. Moti, në ata vite ka qenë tjetër, i ndryshëm nga ai që është tani. Në kujtesën time të largët dhe të bashkëmoshatarëve të mi, Gjolekë Ahmet Zenelaj e Ferrik Azis Alidervishaj, nga fshati i Kalivaçit, në muajin mars, sidomos në mesin e tij moti ishte i ngrohtë e i qëndrueshëm. Në vitet 50 të një shekulli më parë, stinët ndaheshin qartazi nga njëra – tjetra. Atëherë dimri ishte dimër e vera verë. Kufiri që ndante stinët, në atë kohë ishte i qartë e i dukshëm. Sot gjërat janë disi më ndryshe. Njeriu nuk di si të vishet edhe brendapërbrenda së njëjtës ditë, mbasi moti ndryshon , disa herë brenda ditës. Fshatarët e Kalivaçit, por jo vetëm, në ata vite bënin plane, kur do të punonin tokën e kur do ta mbillnin atë . Dhe ishin të sigurtë se planet që bënin nuk do ti zhgënjenin mbasi moti ishte i qëndrueshëm e qartësisht i sigurtë. Kjo u vinte ne ndihmë edhe blegtorëve të fshatit të cilët përbënin përqindjen më të madhe të ekonomive familjare të fshatit Kalivaç. Ata, duke qenë të sigurtë se moti nuk mund të ndryshonte papritur, bënin disa llogari, bazuar në përvojën shumëvjeçare të individëve , madje dhe të disa brezave: sa ditë të ftohta e me lagështirë kishte vjeshta, sa ditë i takonin dimrit të ashpër e sa të tjera i takonin pranverës, deri sa të buiste bari i ri e sa të çelte gjethi. Kësisoj një fshatar nga Kalivaçi, edhe pse nuk dinte të shkruante e të lexonte, me përvojën e grumbulluar nga ai vetë e nga komuniteti, me prakticizmin e me intuitën e mprehtë që e karakterizonte i bënte llogaritë tamam : sa drithë i duheshin për të ushqyer njerëzit e familjes dhe sa kashtë, sa bar, sa nuska lëpushka, sa tagji e njomishte i nevojiteshin për “ të hedhur” dimrin e bezdisshëm e të padëshiruar prej tyre. Në ditët tona, ngrohja globale, e papërballueshme shkencërisht, i ka përzier stinët njëra me tjetrën aq sa llogaritë e njerëzve, tashmë nuk dalin. Stinët të përziera kanë sjellë pasoja të dukshme ku klima është plot kapriço të paparashikueshme.
Në ditët tona, si dikur në lashtësi, kur njerëzit e paditur, me naivitetin e tyre vetëm i vrojtonin dukuritë e natyrës, pa dhënë shpjegime për to, edhe sot, shkencëtarët “me kokë të madhe”, çdo kapriçioje të motit, e rrumbullakosin dhe ia veshin “ngohjes globale”. Kemi qenë me fat e të privilegjuar nga natyra që deri më sot nuk na kanë goditur tërmete shkatërruese, cuname e tajfune, siç ka ndodhur nëpër botë. Uroj që edhe në të ardhmen shansi të jetë në anën tonë. Dita e verës ishte e dashur dhe e dëshiruar për të gjithë banorët e komunitetit të Kalivaçit, por gëzim e kënaqësi të veçantë ajo sillte për fëmijët. Mezi e prisnim atë ditë ne të vegjlit. Donim që festa e ditës së verës të ishte pambarim. Për ta shijuar sa më mirë e sa më gjatë atë festë popullore, normalisht që bëheshin përgatitjet e nevojshme. Intensiteti dhe përgjegjësia e përgatitjeve për të festuar ditën e verës binin, para së gjithash mbi gratë, nënat, motrat dhe nuset e familjeve kalivaçasve.
Përgatitjet ishin të shumëllojta e të parashikuara nga banorët. Femrave të çdo familjeje të fshatitu jepej shansi të provonin edhe në këtë rast aftësitë e tyre si amvisa. Gatimet dilnin në plan të parë, edhe pse fukarallëku ishte i skajshëm e mundësitë materiale të kufizuara.Përgatitjet për të pritur sa më denjësisht festën e ditës së verës nisnin me pastrimin dhe sistemimin e mjediseve të familjes. Amvisat fshinin e pastronin shtëpinë, avllinë, kasollet e bagëtive, katonjtë e çdo gjë përrreth. Higjiena personale ishte një tjetër fushë ku ndihej i fuqishëm kujdesi dhe ndërhyrja e grave dhe vajzave të familjes. Ato lanin, shkundnin e pastronin shtrojet, mbulojet, teshat e trupit të çdo familjari . Është i njohur fakti që, në ato kohë të vështira fukarallëku, njerëzit i kishin veshjet të pakta e nuk kishte vend për modë. Veç ato pak tesha që kishin, të njëllojta, siç ishin, gratë i lanin e i pastronin me kujdes, me merakun që, në ditën e verës rrobat të ndrisnin nga pastërtia.
Mblidheshin gratë e fisit, me kazanët me rroba mbi kokë, shkonin në burimet anës lumit, ose në pellgjet me ujë të kthjellët, në përroin e Veldonit apo të çorrushit,e në përrenjtë e tjerë të fshatit, ndiznin zjarre e lanin rrobat, të cilat i zjenin me finjë, i thanin në diell e i palosnin, duke i shtrirë me dorë. Se për hakurosje nuk bëhej fjalë. Në Kalivaç, në ato vite, vetëm 3-4 familje kishin hekur, me prush, për hekurosjen e teshave . Hekurat elektrikë, në atë kohë nuk ishin as në fantazinë e banorëve të komunitetit kalivaças.
Çdo familje në Kalivaç, synonte që në ditën e verës ti vishte fëmijës së vet një gjë të re. Bëhet fjalë për një palë këpucë, një palë çorape, një palë poture, një fustan apo një këmishë të re. Ato pak para që kishte mblojtur familja me shumë vështirësi, i harxhonte për atë ditë .Që fëmija i tyre të dukej sa më i bukur e më i paqtë (pastër). Me gjënë e re që kishin veshur, fëmijët “kapardiseshin” e, në ndonjë rast i mburreshin njëri – tjetrit, me ndryshimin që kishte ndodhur në pamjen e tyre të jashtme. Fëmijët e familjeve të varfra kënaqeshin e vetlëvdoheshin me rrobat e lara që kishin veshur. Kur dilnin me veshje të reja, domosdo që mburrjet ishin më të dukahme. Ne, djemve nënat na lanin kokën, me ujë të ngrohtë e me sapun ose finjë. Fqinja zëvendësonte sapunin , i cili nuk gjendej lehtë. Gëzonin shumë kur na vishnin me rroba të reja e të bukura. Vajzat e vogla kishin më shumë punë . Në ata vite, ishte “në modë”, që vajzat e vogla i mbanin flokët të gjatë e i thurnin, prapa kokës gërshetë ( dy gërshetë), ose i bënin “topuz”. Flokët e tyre kriheshin me vështirësi nga nënat apo motrat e tyre dhe jo pa dhimbje. Për të luftuar e parandaluar parazitët e kokës, në fazën e thërijave, mbasi lahej koka, disa vajzave (atyre që kishin thërija ), nënat e tyre ua lyenin kokën me vajguri. Ky proces i sillte të tjera dhimbje vogëlushes. Vajguri, në këta raste zinte vendin e parfumit që hedhin vajzat sot. Mungesa e parfumeve në treg bënte që femrat, aso kohe të përgatisnin parfume, në rrugë artizanale. Më të përhapur ishin parfumet të përgatitur me lule manushaqe ose me petale trëndafili, të përpunuara në Familje. Gjithsesi parfumet e tyre ishin larg atyre moderne që kanë sot në dispozicion femrat. Por qëllimi arrihej , edhe ashtu, thjeshtë; me kufizimet dhe fukarallëkun e kohës.
Amvisat, disa ditë para festës lyenin me baltë të bardhë ose me qereç dhomat e fëmijëve, odat, shkallët, katonjtë dhe muret e avllisë. Midis grave të fisit e më gjerë zhvillohej një lloj gare, e heshtur, objekt i së cilës ishte kush ta kishte shtëpinë dhe ambientet e tjera më të pastra. Festa e ditës së verës ishte shtysë e mirë edhe në këtë drejtim. Vlera e kësaj pune ishte e dukshme për të luftuar periodicitetin. Punë të lodhshme kishin të zonjat e shtëpisë për të shtruar mjediset e banesave me shtrojat më të mira. Të moshuarat zbrisnin qilimat e sixhadetë , nga stivat e rrobave të cilat ishin në fundin e dhomës ose ne një musëndër ( dollap) rrobash , i ndërtuar me dërrasë , në mur.
Odat, si mjedise ku zhvilloheshin ceremoni festive dhe kuvende burrash ishin gjithnjë të shtruara. Disa familje, të kamura, të cilat kishin mall e gjë ose të tjerë që kishin ardhur nga kurbeti, kryesisht nga Anadoli i shtronin shtëpitë me shtroje më të bukura. Të tilla shtëpi kishte në mëhallën Ahmetaj tek Banush Xhezo Hadëraj, Abedin Kahreman Hadëraj, Musa Mehmet Nelaj, Sadik Dajlan Nelaj, Sherif Rrapo Zenelaj, Xhemal Haxhi Nelaj, Sadedin Xhelal Behaj (Nelaj), Ahmet Selfo Zenelaj,Hysni Metë Dëraj,Muharrem Kamber Dëraj etj. Në mëhallën Hysodosaj ishte gjithnjë e shtruar hijshëm dhe e pastër shtëpia e Zoto Halil Ramaj ku nikoqire ishte gruaja e tij Nurija, pastërtore e dëgjuar, shtëpia e Mahmut Muharrem Pashaj, ajo e Kalo Qazim Ramaj etj . Në veçanti të shtruara bukur ishin odat e tre vëllezërve Hysenaj: Veip, Halim e Bilal Beshirit,të Shefit Qazimit, Dule Alushit, Rrapo Danos, Zagoll Salikos, Malo Bajramit, Ali Xhelilit, Muharrem Qerimit e Hamza SHeshos etj, etj.
Disa familje i përgatisnin vetë, në mënyrë artizanale qilimat, anjet, mesjet, velënxat dhe shtrojet e tjera . Ato, në fund të një dhome kishin të montuar tezgjah dhe gratë e shtëpisë, me fantazinë e tyre kombinonin ngjyra të ndryshme e me fije leshi nga delet e tufës të familjes së tyre, nxirrnin nga duart shtroje cilësore. Havaja e Banush Xhezos, Hatemja e Qemal Sherifit, Xhevua e Dine Xhelalit, Tajanja e Ahmet Selfos, Zengjinja e Veip Beshirit, Ballja e Dule Alushit, Metua e Zagoll Salikos, Shaza e Sulo Barjamit,Lulja e Rrapo Danos, Ganua e Ali Xhelilit, gratë e Mehmetajve, në Ruç,Mushua e Refat Mahmutit, Nurishaja e Kalo Qazos dhe plot gra të tjera, në Kalivaç, ishin me shije artistike, pa patur diplomë shkolle. Ato, si bleta që end hojet e mjaltit, me fantazi, krijonin lule e figura të bukura dhe punonin në tezgjah, me shpejtësi. Në një odë kalivaçasi shtroheshin dy qoshe. Në qoshen e djathtë ulej miku më i largët e më me potencë; në të majtën, ai që vinte i dyti për nga “pesha” e fjalës; në të dy krahët uleshin me radhë të tjerët, sipas moshës dhe lidhjeve me kryefamiljarin.Në çdo qoshe shtrohej një rrobë (qilim) i cili quhej anje. Sipër qilimit vendosej një shilte, e thurur me dorë dhe e mbushur, sipas rastit, me lesh ose me lecka, kur familja nuk dispononte lesh.Ato familje që kishin tezgjah, këllëfin e shilteve e thurnin me fije leshi. Pas murit vendosej një jastëk, i mbushur në të njëjtën mënyrë e me të njëjtit mjete. Kur ishte e mundur, edhe më posht qoshesë, atyre që uleshin, u vihej nën të ndenjura nga një shilte e prapa kurrizit nga një jastëk. Në disa shtëpi, si ato që numëruam më lart, shtrojet nuk hiqeshin kurrë .Ato vetëm laheshin e shkundeshin herë pas here. Në Ditën e Verës, çdo shtëpi shtronte rrobat më të mira që kishte për të shtruar. Në përgatitjet e burrave për të pritur festën e Ditës së Verës kishte më pak proçese . Burri atë ditë duhet ta kishte kokën të qethur. Qethja bëhej zakonisht me gërshërët që qeheshin dhentë, por nga një” berber i kualifikuar.” Burri, atë ditë duhet të ishte i rruar e i ndërruar. Në kuptimin që teshat që vishte të ishin të lara e të pastra.
Bashkëfshatarët tanë e shijonin ditën e verës edhe në një drejtim tjetër. Atë ditë të veçantë, të gjithë konsumonin gatimet e shijëshme të amvisave kalivaçase. Ato, në garë me njëra tjetrën bënin çmos që të gatuanin diçka të veçantë. Në provë viheshin sidomos nuset e reja, sidomos ato që ishin nga fshatrat e tjerë e nuk u njihej “dora”. Në një farë mase, nuset e reja çmoheshin si të fisme ose jo dhe nga fakti i cilësisë të gatimeve që dilnin nga duart e tyre. Besoj se nuk e teproj po të them se nuseve që gatuanin pa shijë u vinin nofkën: “ ajo di vetëm të qullë”; të cilën e pasonte togfjalëshi “ qull o qën e ha o dosë”, d m t h se ajo nuk kujdesej e nuk dinte gje për cilësinë e gatimit por vetëm qullte brumë.
Në gatimet e ditës së verës një vend të veçantë zinin qerasjet.Vizitorë të zakonshëm, në këto ditë të shënuara ishin fëmijët e moshës parashkollore dhe nxënësit e shkollës. Nëse një i rritur qerasej me një filxhan raki ose me një filxhan sherbet, mbasi kafja gjendej me shumë vështirësi, për një të mitur që vinte në shtëpi atë ditë, e zonja e shtëpisë duhet të përgatiste gjëra të posaçme, kryesisht për të ngrënë. Qerasjet ishin të ndryshme, të kufizuara në larminë e tyre, por, gjithsesi me shijë e biologjikisht të pastëra.Më të zakonshmet ishin llokumet. Në Elbasan e në Tiranë, ato janë pagëzuar me emrin e bukur ballakume. Në Kalivaç të Tepelenës i kanë quajtur e i quajnë thjesht llokume. Çdo amvisë në Kalivaç ishte e aftë për të përgatitur llokumet e ditës së verës.Materiali i parë i nevojshëm ishte mielli i grurit . Për ta bërë më të shkrifët llokumen, mielli i grurit përzihej me pak miell misri. Në përbërje të “harxhit “( përbërësit ), domosdoshmërisht duhet të kishte vezë, gjalpë dhe sheqer . Këto produkte përziheshin mirë me njëra – tjetrën(rriheshin, sa të bëhej një masë brumi, e butë, të cilës i jepej formë, me dorë. Masës së brumit i jepej forma e breshkës. Çdo llokume vendosej ne një tepsi, e cila lyhej në dyshemenë e saj, me vaj ulliri ose me gjalpë.Llokumet vendosen në tepsi veç njëra-tjetrës. Mbasi është plotsuar, tepsia me llokume vendoset mbi këmbje, në vatrën e nxehtë. Poshtë tepsisë hidhet prush dhe sipër saj saçi ni nxehur.Nikoqirja ndjek e përcakton çastin e pjekjes së llokumeve , duke u qendruar “ mbi kokë”. Një vizitori të vogël, në Ditën e Verës i jepej, si rregull një copë llokume.Në mëhallën time, në Ahmetaj të Kalivaçit, disa gra e vajza, me përvojën që kishin fituar ishin bërë specialiste për përgatitjen e llokumeve.Të tilla kishte në çdo fis e në çdo mëhallë. Përvojë më të mirë kishin fituar: Memja e Muharrem Hasanit; Samua e Breshan Fejzos; Tajanja e Ahmet Selfos; Zonja e Xhevit Malkos; Lulushja e Kalo Qazos; Xhemua e Halil Lazes etj. Në Kalivaç llokumet përgatiten sot e kësaj dite dhe jo vetëm në ditën e verës . Për shijën e mirë që kanë dhe për lehtësinë e përgatitjes llokumet përdoren gjërësisht, si ëmbëlsirë, në dasma, fejesa e gosti, sidomos në rastet kur nuset e reja shkojnë, për herë të parë, nga shtëpia e dhëndrrit në atë të babait të saj, ose siç i thonë vendasit :”në të parë”.
Gatim tjetër i përdorur gjërësisht, si në ditën e verës dhe në raste të tjerë është revania . Ajo përgatitet me niseshte gruri, me gjalpë e me sheqer . Komponentët përzihen fort me njëri tjetrin sa të formojnë një masë kompakte, të butë, të ëmbël dhe me shijë të mirë. Disa e pjekin në saç, siç piqet buka dhe atëherë bëhet shumë me shijë, por për shpejtësi, masa e brumit e përftuar nga përzierja e përbërësve, piqet në tigan dhe në këtë rast quhet “paluze”.Kur revania piqet në saç, vizitorëve të vegjël u jepet nga një copë kurse kur ajo piqet në tigan, çdo të mituri, nikoqirja i jep një top ( top) dmth një lugë me majë, në dorë.Na shijonte shumë qerasja me revani dhe e hanim aty për aty.
Një ditë para Ditës së Verës, në 13 mars, bëheshin dhe disa përgatitje të tjera. Ata që ja kishin ngenë,”bënin gjak”.I zoti i shtëpisë, kur kishte në tufë therte një qëngj të njomë, ndonjë kec, ndonjë dele apo dhi e, kur familja ishte me shumë pjesëtarë therej edhe ndonjë dash apo cjap.Familjet me ekonomi shumë të dobët, ata që nuk kishin mundësi të tilla e festonin ditën e verës me atë që u ndodhej. Ose thernin ndonjë pulë, ose bënin yshmer, byrek etj, me vezë e me bulmet ose thjeshtë me lakra të egra, bio, të mbledhura në fushë.Ato familje që thernin ndonjë bagëti të imët, mishin e piqnin në hell dhe e shoqëronin me përshesh tradicional lab.Një ditë, para festës i takojnë dhe përgatitjet për zbukurimin e mjediseve . Zbukuroheshin fëmijët që do të bënin vizita e në veçanti vajzat . Vajzat e vogla dhe nënat e tyre mblidhnin lule, nëpër lëndina e në grurore. Më së shumti lulet ishin luledele dhe lule të tjera të stinës . Mjaft të preferuara ishin manushaqet dhe lule të tjera që mblidheshin në pyll.Me lule të freskëta vajzat bënin kurorë të cilat i vendosnin rreth ballit, nëpër qafat e duarve dhe tek qafa e këmbes. Për të shtuar hijeshinë, kurorë me lule vendosej dhe në gushën e çdo vajze .
Djemtë ishin të privuar nga ky lloj zbukurimi origjinal.Konsiderohej turp nga opinioni i gjerë zbukurimi i meshkujve.Punë përgatitore, me përgjegjësi ishte përgatitja e veroreve.Paraprakisht, çdo familje që kishte fëmijë të moshës parashkollore e shkollore, siguronte mjaftueshëm fije leshi, lini ose pambuku, të ngjyrosura me bojëra të ndryshme . Dominonte ngjyra e kuqe .Pas saj preferohej ngjyra e verdhe, jeshilja etj. Me fije të ngjyrave të ndryshme plekseshin disa tip gërsheti, të gjatë, të cilët më pas priteshin sipas nevojës dhe, me to bëheshin veroret. Disa familje që nuk kishin bagëti të imëta, i merrnin fijet e leshit për të bërë verore tek fqinjët e tyre. Një verore i ngjante lidhëseve të këpucëve dhe kishte në përbërje 3-4 fije leshi, lini apo pambuku . Fëmijët, i mbanin veroret të lidhura në qafë, në këmbë apo në qafat e duarve plot 12 ditë.Aq ditë sa muaj kishte viti. Pas 12 ditësh, në ditën e festës së bektashinjve, që i takonte 12 marsit, sipas kalendarit osman, veroret hiqeshin dhe, më të rriturit mbasi i lyenin me gjakun e kurbanit që therej atë ditë, i varnin në degë të shegës, ku besohej se do ti merrnin dallëndyshet, kur ato të ktheheshin nga shtegtimi e me to do të ndërtonin folenë. Kësisoj veroret konsideroheshin fatsjellëse për fëmijët që i kishin mbajtur ato.Nuk ishte e dëshirueshme, madje shikohej me sy të shtrembër ai i rritur që mbante verore.
Pjesë të përgatitjes për të pritur festën e Ditës së Verës, ishin dhe ndezja e kapërcimi i zjarreve. Çdo familje apo grup familje , te nje fisi, në një vend të hapët , ku nuk kishte rrezik për banesat dhe kasollet, ndizej një zjarr me shkarpa . Kur ngrihej flaka, njerëzit e kapërcenin zjarrin , me radhë. Asnjeri nga ata që mundeshin , përfshi vajzat dhe gratë , nuk ishte i privuar ngas e drejta për të kapërcyer zjarrin , i cili , mendohej se ishte çudibërës. Ata që kapërcenin zjarrin dhe të tjerë që i vështronin , besonin se zjarri digjte të ligat; largonte “ shpirtin e keq” dhe “ xhindet”.
Data 14 mars , dita e verës shndërrohej në festë madhështore e të hareshme . Gjithkush gëzonte e argëtohej ; i madh e i vogël, pavarësisht se mund të kishte mall e gjë apo nuk kishte hi në vatër. Njerëzit zgjoheshin më herët se zakonisht dhe bëheshin gati për të pritur festën e dëshiruar. Të rriturit nxirrnin bagëtinë dhe kontrollonin nëse ishin fikur plotësisht zjarret që ishin ndezur nga fëmijët një natë më parë(duke u gdhirë 14 marsi). Zjarret ndizeshin në vende të dukshme, afër shtëpisë ose larg saj . Simbolika e ndezjes së zjarreve ishte tejet interesante . Njerëzit besonin se duke ndezur zjarre atë natë, në flakët e këtij zjarri do të digjeshin xhindet, të këqijat dhe do të mbetej e mira.Në mbrëmjen e datës 13 mars fëmijët tundnin zile e këmborë dhe besonin se viti në vazhdim do të ishte i begatë e i mbarë për njerëzit dhe për gjënë e tyre.
Në ditën e verës, në Kalivaç krijohej një atmosferë e këndshme, festive. Cdo njeri i falte tjetrit dashamirësi e respekt, me shpirt e zemër e jo sa për sy e faqe e për ti bërë qejfin njëri- tjetrit.Ndodhte kështu, mbasi në Kalivaç, sidomos në mëhallën Ahmetaj njerëzit banonin pranë njëri – tjetrit, në fqinjësi të mirë, në paqe den baba den dhe i ishin gjendur shoqi – shoqit , në të mirë e në të keqe.Kalivaçiotët kishin lerë e ishin rritur në frymën e njëri-tjetrit, kishin pirë sisë edhe tek nëna që nuk ishin të tyre por të fqinjit, kishin ndjerë gëzimet dhe fatkeqësitë e atij që banonte pranë, kishin dhënë e marrë miell hua, madje kishin marrë edhe zjarr kur ai ishte fikur në vatrat e tyre.
Festa e ditës së verës ishte një shans më shumë për të treguar mirësinë që ndjenin për ata qe ishin rreth tyre.Ndjenjën e dashurisë dhe miresinë e shpirtrave kalivaçiote e kishin rrenjosur brez pas brezi ata burra e ato gra kalivaçase, të cilët u mëkonin fëmijëve, tok me qumështin e nënave e të kuarit që u mbushnin barkun,dashurinë për njëri-tjetrin dhe shpirtin e gjerë të njeriut të mirë. Prandaj tek kalivaçasit nuk zuri dot vend e nuk hodhi dot rrënjë mëria, armiqësia, ca më pak hasmëria . Jo se çdogjë në Kalivaç ka rrjedhur si në vaj, por për faktin se edhe kur ka patur papajtueshmëri e qejfmbetje ato janë zgjidhur me urtësi, me mënçurinë e pleqve vizionarë ose janë tretur mes vedit, në kuptimin brendapërbrenda komunitetit ku kanë lindur.
Në datën 14 mars, në mëngjes, fëmijët e mëhallës time mblidheshin herët, tek vendi i quajtur Buza, atje ku mblidheshin burrat e mëhallës, në kuvend. Fëmijët ishin të veshur bukur, me teshat më të mira, të lara e të andruara ose të reja. Ndonjë fëmijë, të cilit i kishin blerë ndonjë veshje të re, e kishte veshur dhe kapardisej me të.Në krahë çdo fëmijë mbante një çantë, të vogël, prej rrobe, si ato që mbanin fëmijët në shkollë. Tek Buza bëhej një “mbledhje “ e vogël ku zgjidhej,”me vota të hapëta” përgjegjësi. Si përgjegjës zgjidhej e pranohej nga pjesmarrësit një djalë ose një vajzë, nga më të shkathëtit; më i zgjuari, psejo dhe më i forti.Detyra kryesore e “përgjegjësit” ishte të çonte grupin e fëmijëve në çdo shtëpi të fshatit dhe duhet të siguronte e të garantonte paprekshmërinë e fëmijëve të grupit.Këtej niste aventura festive e të vegjëlve të mëhallës tonë.”Përgjegjësi” përpara e të tjerët pas tij, në kolonë për një, niseshin për të bërë urimin derë më derë. Ata e nisnin urimin nga mëhallët më të largëta të fshatit. Xhirua niste nga Hasanbegajt, nga Leshnja e nga Meçajt dhe pëtfundonim në mëhallën tonë, në Ahmetaj, tek vendi nga u nisëm.Rruga nga kalonin, më së shumti ishte rrugë dhish, prandaj ishim të det yruar të ecnim,në njëshkolonë, njëri pas tjetrit . Ndodhte që rrugës, nëpër shkurre, papritur lëvizte me zhurmë ndonjë shpend apo ndonjë lepur e ne më të vegjlit trembeshim . Atëherë më të rriturit e më “trimat”, na jepnin zemër e na burrëronin.Shkonim e trokitnim në çdo derë e kudo ku shkonim na prisnin me dashuri e na dhuronin vetëm mirësi. Kanë mbetur të skalitura e të pashlyera në kujtesën time, edhe pse kanë kaluar mjaft vite, ato çaste, të shkurtëra,kur qendronim në vatrat e bashkëfshatarëve tanë. Tek dera e avllisë na priste e zonja e shtëpisë.Ajo na takonte një nga një e na puthte në faqe . Hynim në shtëpi e qendronim në këmbë , në formë gjysmërrethi. Nikoqirja vinte e na puthte përsëri . Na pyeste të gjithëve :”të kujt jeni”? Ne përgjigjeshim shkurt, duke përmendur emrin e babait.E zonja e shtëpisë na uronte : “Gëzuar ditën e verës”! dhe na jepte të fala për familjarët tanë.Nikoqirja na qeraste, me radhë. Qerasjet mund të ishin të ndryshme, sipas rastit dhe mundësisë që kishte çdo familje . Një kokërr llokume, një top me paluze, një petull, një dorë bajame apo arrë, një copë varg me palafike, një kokërr shegë, një kokërr ftua, ndonjë kokërr vezë e çfarë ti ndodhej gruas, ishin të mirëpritura për ne fëmijët. Kur e mendoj tani që kam hyrë në moshën e tretë, arrij të dalloj se ato nëna e motra të thjeshta , kur na puthnin në faqe na dhuronin ngrohtësi e dashuri nëne e motre, na falnin gjithë atë botë të pasur e të pastër e ne ndiheshim mjaft mirë. Buzët e tyre në faqet tona përcillnin gjithë mirësinë e zemrave të tyre.
Në fshatin tonë, si kudo, ka patur e ka qejfmbetje mes individëve e familjeve të tyre. Në disa raste, mes personave të veçantë apo familjeve të tyre, ishin dukur dhe mërira. Mendimi i njerëzve të mençur, i pleqësisë, e cila ishte tepër aktive dhe i opinionit të gjerë shoqëror të fshatit në mënyrë krejt spontane, me rastin e festës të Ditës së Verës ia falnin , reciprokisht njëri-tjetrit shkaqet që kishin çuar deri në ndarje dhe pajtimi bëhej i natyrshëm. Ishte në traditën e fshatit, që njerëzit, mezi prisnin të vinte një festë ose të ndodhte një rast i gëzuar e tjetri të shtynte derën e gjitonit e të hynte brenda, pa paragjykim. Kjo është një zgjidhje e mënçur , pasojë e mendësisë tolerante të banorëve të Kalivaçit. Kur pajtoheshin dy familje kësisoj banorët e tjerë thoshin , plot gojën: “ U lumtë; bravo u qoftë, e bënë si burrat”. Ata që pajtoheshin ishin ndër njerëzit më të respektuar të fshatit e ndja tyre nuk mbahej qendrim bojkotues.
Dhuratat që merrnim i vendosnim në torbën që mbanim në krahë por kjo nuk ishte kryesorja. Rëndësi kishte mesazhi që përcillte ajo puthje në faqe dhe bardhësia e shpirtit të zonjës së shtëpisë.Nikoqirja, tok me ushqimet që na jepte, na dhuronte dashuri e mirësi, të cilat ne ua transmetonim njerëzve të familjes tonë dhe gjithë fisit . Kështu qarkullonte derë më derë, dashuria e njerëzve për njeri – tjetrin dhe zemërbardhësia e tyre.Të kënaqur e plot gëzim, mbasi kishim shkuar në çdo shtëpi, kalonim në lagjen tjetër, duke ndjekur të njëjtin rit. Meqënëse mëhallët ishin larg njëra- tjetrës, për tu çlodhur ndodhte të uleshim në një lëndinë . Hapnim torbat e nxirrnim prej tyre dhuratat, të cilave u thonim “Korkoqulle”. Disa syresh, sidomos në orët e para të ditës, kur ishim të uritur, i hanim qysh se na i jepte e zonja e shtëpisë. Ato që kishin mbetur në trastë i inventarizonim . Nuk kishte vend ti shisnim mend njëri- tjetrit mbasi dhuratat i kishim marrë në të njëjtin vend, e, për pasojë ishin të njëjta.Në disa shtëpi,të cilat ishin të shkëputura nga mëhallët, si Margëlliçi, Çesma e Thatë, Ruçi apo në Saloniku nuk shkonim. Jo vetëm se ato ishin larg e udha na lodhte por kishim frikë dhe nga egërsirat, të cilat, në ato kohë bridhnin lirisht e askush nuk i gjuante.Në mesditë zakonisht ktheheshim në shtëpitë tona.Tek Buza, aty ku niseshim në aventurën tonë të bukur, aty dhe shpërndaheshim . Në shtëpitë tona na prisnin nënat, të gëzuara.Ne “uraportonim “ atyre , me sinqeitet, mbi odisenë që kishim kaluar, u sillnim urimet e grave ku kishim qenë dhe, hapnim torbat e nxirrnim korkoqullet, ( dhuratat që na kishin falur). Duke bërë vlerësimin e gatimeve, gratë bënin dhe klasifikimin e amvisave të fshatit. Ato, mbi bazën e gatimeve që u çonim, përcaktonin kush gatuante më mirë e cila ishte dobët në gatim.
Vajtjet tona në shtëpitë e bashkëfshatarëve, me rastin e Ditës së Verës ishte një ogur i mirë për ne , të vegjëlit, jo vetëm për të dhënë e marrë shumë dashuri e mirësi, por dhe një rast fatlum për të njohur shtëpitë, njerëzit dhe për të shkelur tokën e Kalivaçit. U bëra kaq dhe në mëhallën e Meçajve ku kam miq të shumtë dhe në atë të Hasanbegajve, të cilën imatë e çmonte si më të fismen, kam shkelur vetëm në fëmijërinë time dhe me rastin e Ditës së Verës. Por , kjo ditë dhe vizitat tona në familjet e banorëve të fshatit , nuk i shërbenin vetëm forcimit të lidhjeve mes njerëzve por dhe informimit të ndërsjelltë. Të zonjat e shtëpisë, edhe pse nuk na njihnin, sipas ngjashmërisë, na pyesnin: Mos je i filanit apo fistekut; më ngjan të jesh nga të pjellët e x-it apo y-lonit etj dhe , kur largoheshim na mbushte me të fala. Shumica e banorëve jetonin në shtëpi guri, njëkatëshe, të mbuluara me pllaka guri të bardhë e pa dydheme. Vetëm disa që ishin me të kamurit kishin ndërtuar oda, me katua për miqtë e për raste festash familjare. Ata kishin dhe nga një shtëpi njëkatëshe, përdhese, e cila dukj si pjellë e odës. Thuajse në çdo mëhallë kishte familje , të cilat banonin në kasolle. Ata ishin fukarenjtë, nëvatrat e të cilëve edhe hiri ishte i pakët. Nuk linim asnjë familje pa shkelur, pavarësisht se ku banonte. Vajtjen tonë, më të moshuarit e cilësonin si një ogur i mirë që do tu sillte mbarësi e begati në vatrat e tyre.
Mbasditja nuk ishte bosh. Veprimtari të tjera festive e mbushnin kohën e mbetur, deri në mbrëmje.Djemtë e mëhellës shkonin në korije, andej nga Përroi i Veldonit dhe nga Përroi i Gomares, të cilët ishin pranë njëri- tjetrit.Nëpër shkurre mblidhnim manushaqe, lule thane, përce, brumbuj etj.Brumbujt ishin tubera, në madhësinë e një patateje . Kur ua çonim nënave, në shtëpi, ato i kruanin përbrënda, u hiqnin “zemrën “ dhe i përdornin si gota me formë të rrumbullakët. Ne fëmijët pinim me to qumështin; burrat pinin sherbetin( se kafe nuk gjendej), ose rakinë.Përceve u merrnim kokrrat e vogla, të kuqe, kurse degët dhe gjethet e tyre i hidhnim në zjarr. Kur ato digjeshin jepnin një kërcitje , si shpërthim e ne argëtoheshim , pa mase nga kjo “lodër”. Shpërthimi i tyre nuk ishte kushedi çfarë e nuk sillte dëme por ne kënaqeshim, pa masë.Në ndonjë rast futnim në prushin e vatrës, mëshehurazi nga prindërit, ndonjë lënde lisi apo përralli. Lëndja, nga nxehtësia pëlciste, bënte zhurmë e shpërndante hirin e ne argëtoheshim e qeshnim me të madhe. Kur binte nata e njerëzit mblidheshin në shtëpitë e tyre festa e ditës së verës merrte pak intimitet.
Familje me nivele të ndryshëm ekonomik, edhe përgatitjet i kishin të ndryshme . Ata që kishin therur ndonjë berr (bagëti të imët), grumbulloheshin rreth mishit të pjekur në hell dhe shijonin mrekullinë e tij e të përsheshit tradicional. Të tjera familje, më pak të kamura, i gëzoheshin kaposhit të detit, kaposhit shqirak ( gjelit të fushës) ose, ata që ishin fare “të këputur”, e festonin akoma më thjeshtë;me një byrek apo yshmer. Kishte dhe familje të “ këputura “ të cilat i vinin fëmijët në gjumë mbasi u kishin dhënë për darkë disa kallinj misri, të zier.Gëzimi atë natë vinte i ndryshëm në familje të ndryshme, veçse të gjithë gëzonin.Afrimi i natës sillte gjallëri në rrugët me gurë të mëhallës time. Bagëtitë ktheheshin në strehët e tyre dhe këmborë e zile gjëmonin . Prapa tyre vinin të zotët e mallit. Ata i gëzoheshin faktit që përpara kishin gjënë e gjallë dhe kjo i bënte të ndiheshin krenarë. Prandaj në biseda,mes bashkëfshatarëve tanë shpesh dëgjohej:”gjëja e gjallë të mban gjallë”!Zjarret që ndizeshin duke u gdhirë dita e verës, ndizeshin përsëri dhe në atë mbrëmje . Mes mëhallëve të Kalivaçit që në atë kohë nuk ishin pak por plot tetë zhvillohej një lloj gare : kush do ta ndizte zjarrin më të madh që të dukej më larg. Zakonisht dilte fituese mëhalla e Hasanbegajve, edhe për shkak të pozicionit gjeografik më të lartë që kishte.Megjithatë nga kjo shaka nuk kishte qejfmbetje.
Të nesërmen e ditës së verës kishte më pak aktivitet e ne fëmijët e ndjenim lodhjen e ditës intensive që përjetuam . Të nesërmen organizoheshin lojëra fëmijësh. Më të preferuara ishin : loja me dërrasa guri, loja e cingëlave, loja dokthi, luftash, syllambyllazi, kalaja dibrançe, hedhja e gurit me hobe, korroilet etj etj . Fëmijët i tregonin njëri tjetrit veroret që kishin varur e i flisnin , me sinqeritetin e të voglit, për gjërat e mira që kishin shijuar në mbrëmje. Bëhej dhe një aktivitet interesant, i përbashkët. Caktohej një djalë, i fuqishëm e i pashëm, i gjatë e i bukuri protagonist i lojës. I zhveshur vetëm në të mbathura, ose lakuriq, ai vishej me dega e gjethe shpendrash dhe dukej si mullar i vogël. Ai përpara e mjaft fëmijë pas tij përshkonin të gjitha rrugicat e mëhallës .Në kor këndonin këngën e dordolecit. Se djali i veshur kësisoj quhej dordolec. Kjo ishte një lloj riti lutjesh nëpërmjet të cilës njerëzit u luteshin Perëndive që moti, atë vit të mos ishte i thatë. Kënga e dordolecit kishte tekstin që vijon:
Dordolec, hidhna shi, të na bënet misëri, misëri e gruri, të ngordhë kauri! Kaurët e derrave, hanë e pinë ferrave, me një thes të grisur, duke u rrugullisur!…
Pas kësaj feste vinin të tjera festa pagane . Më afër ishte festa e qumështit; ndarja e qengjave të njomë nga delet dhe mjelja e dhenve .Dita e verës krijonte në fshat një mjedis të gëzuar e sillte më tepër paqe. Shpirtrat e trazuar zbuteshin e hallet e njerëzve kalonin në plan të dytë. Cilido ndjente dorën e ngrohtë të shokut, mikut, fqinjit, fisit dhe çmonte detyrimin që kishte dhe ai për të falur atë që merrte prej tyre : dashurinë dhe mirësinë . Nuk ishin të paktë rastet kur dita e verës shfrytëzohej për të pajtuar grindjet, mëritë e për të sheshuar keqkuptimet apo qejfmbetjet. Burrat e ndjerë të fisit e të mëhallës, në kuvendet që zhvillonin në ditët më të afërta, pas festës bënin bilancin e vendosnin për gjërat që nuk ecnin si duhet.