Fusha e Kalivaçit përfshin arat e katër mëhallëve, të fshatit të madh apo, siç njihet rëndom, fshatit të Poshtëm. Disa herë, këto mëhallë, të marra së bashku janë emërtuar dhe me nofkën "Pusi". Këtë nofkë e kanë marrë mëhallët: Ahmetaj, Hasanimeraj, Beqiraj dhe Hysodosaj. Në fakt, këto mëhallë zënë dhe përqindjen më të lartë të popullsisë së fshatit dhe disponojnë tokat më të begata të fshatit. Fusha e Kalivaçit është e rrafshët dhe me toka kryesisht argjilore e aluvione.

Fusha dhe arat përreth saj kanë pasur e kanë si drejtim prodhimin e drithërave të bukës; kryesisht misër e grurë dhe të perimeve, mbjellja dhe kultivimi i të cilave ka ardhur vazhdimisht në rritje. Para se në fshat të ngrihej kooperativa bujqësore, arat ishin të veçuara, të shpërndara në ngastra, sipas pronësisë mbi tokën dhe kufizoheshin nga ledhe e gjerdhe të shpeshta. E keqja e kësaj pune ishte se ledhet dhe gjerdhet që përshkonin fushën e Kalivaçit kufizonin sipërfaqen e mbjellë dhe, me kufizimet e tyre nuk lejonin shfrytëzimin e tokës arë. Kooperativa bujqësore, në lagjet e "Pusit" u ngrit në vitin 1957.

Pas këtij viti organizimi i tokës ndryshoi; tok me të edhe sipërfaqja e tokës arë u shtua. Në vitin 1965 p.sh., struktura e mbjelljeve ishte: me grurë mbilleshin 90 ha e me misër – 250 ha.

Pas kësaj, me mobilimin e tokës, me hapjen e kanaleve vaditës e kullues, duke parcelizuar tokën në sipërfaqe 5-10 ha, si dhe me aplikimin e Kodit Agroteknik, u rritën rendimentet e kulturave bujqësore, u nxorën jashtë qarkullimit bujqësor disa kultura të arave si hokërri (tepa), thekëra, elbi, urovi, koçkullat etj. dhe ndryshoi struktura e të mbjellave. Sipërfaqja e mbjellë me grurë ndërroi vend me atë të mbjellë me misër dhe rendimentet u rritën ndjeshëm. Nëse në vitin 1957 merreshin 4.5 kv për ha grurë dhe 2.1 kv për ha misër; në vitet 70 rendimentet arritën: gruri – 20-50 kv për ha dhe misri 50-70 kv për ha.

Futja e perimeve në qarkullimin bujqësor solli, jo vetëm rritjen e rendimenteve por dhe përmirësimin e jetës së banorëve. U shmang njëanshmëria në strukturën e të ushqyerit të njerëzve, gjë që solli përmirësimin e shëndetit të tyre, pse jo dhe hijeshinë e banorëve. Mekanizimi i punimeve bujqësore solli më pak lodhje fizike tek banorët e për pasojë përmirësimin e fizikut të tyre. Kooperativistët të cilët punonin në arë, me mjete primitive, pas mekanizimit të proceseve të punës, lodheshin më pak e ishin në kondicion më të mirë fizik për të nesërmen.

Emërtimi i arave është marrë nga vitet kur toka e fushës së Kalivaçit ka qenë në pronësi të individëve të veçantë. Ai i referohet traditës shumëvjeçare, duke mbajtur parasysh ndryshimet që kanë ndodhur kohë pas kohe. Prandaj kemi larmi emërtimesh. Në emërtimin e arave ndoshta ka pas ndikimin e vet struktura e tokës, përbërja fiziko-kimike e tyre, pozicioni gjeografik, bimët dhe drurët që rriten më tepër në atë sipërfaqe, destinacioni i tyre, tradita e prejardhja etj. etj. P.sh. Arat me emrin Gurje, të cilat shtrihen në bregun Verior të lumit të Vjosës, pranë vendit të quajtur Donije, emërtohen kështu për arsye se në përbërje të tyre ka mjaft gurë. Afërsisht të tilla janë dhe arat me emrin Shure që ndodhen në fund të mëhallës Ahmetaj; në Perëndim të saj.

Këto ara kanë marrë këtë emër edhe për faktin se gurët që ndodhen në sipërfaqe të tyre janë të përmasave më të vogla, ngjajnë si zhavorr, ose, siç thonë vendasit – shur. Në fund të pjerrësisë së lartësisë mbi të cilën është ngritur mëhalla Hasanbegaj, ndodhet një rrip i ngushtë toke, me ngjyrë të errët, e cila quhet Rrëza dhe që ka qenë në pronësi të Sulo Beqirit. Ka këtë emërtim mbasi ndodhet pikërisht në rrëzë të kodrës që ngrihet (lartësohet) mbi të.

Në fund të parcelës me emrin Rrëza kalon e vetmja rrugë, e detyrueshme për të shkuar në Donije, tek lundra e fshatit, ka një baltë të bezdisshme, sidomos për ata që ecin në këmbë. Ndodh kështu mbasi aty rrjedhin rrëketë që kullojnë nga kodra përsipër saj.

Në anën Veriore të përroit të Zelenicës, i cili quhet dhe përroi i Qurkeve, ndodhet një brinjë (vend i varur), i pjerrët, i cili shfrytëzohet kryesisht për kullotë, me emrin Qurke. Struktura dhe përbërja e tokës, në Qurke, nuk sigurojnë rritjen e kulturave bujqësore, ndaj ajo është lënë si musha, apo aliher, (sipërfaqe toke për kullotë). Atje ku Kalivaçi kufizohet me fshatin fqinj të Çorrushit të Mallakastrës, ndodhen arat e begata që mbajnë emrin çesma e thatë. Ky vend e ka marrë emrin për shkak se në një farë lartësie nga fusha, në të përpjetën që të çon në lartësinë e Majës së Dokes ndodhet një "çesmë", me fare pak ujë. Me ujin që rrjedh prej saj nuk ngopen as bretkosat e shumta që kanë populluar pellgun rreth saj. Çesma e Thatë ka qenë vazhdimisht mollë sherri mes dy fshatrave kufitarë.

Në Jug të Çesmës së Thatë, disa metra poshtë saj ndodhen arat me emrin Rredhe. Arat e Rredheve janë të sheshta, toka është argjilore dhe me aluvione në sipërfaqe. Këto janë nga arat më të begata në fushën e Kalivaçit. Rredhet mbledhin ujërat dhe llumrat që rrjedhin nga rrëketë e Bregut të Dokes.

Më tej, në drejtim të fushës së Kalivaçit ndodhen arat me emrin Qisha. Këto dhe ledhi që i kufizon, me emrin "Ledhi i Qishës", ndoshta shprehin prejardhjen e krishterë të trevës së Kalivaçit. Po të shkosh më në Jug, anës lumit të Vjosës, ndodhen arat me emrin Jorga. Ka shumë mundësi që pronari i dikurshëm i këtyre tokave të ketë qenë një i krishterë, me emrin Jorgo. Pra, kemi të bëjmë me pronësinë e një të krishteri. Në favor të kësaj hipoteze qëndrojnë dhe disa të dhëna e emërtime të tjera, të krishtera, si: Rredhi i Gjikos, Përroi i Shënmërisë, etj. toponime të cilat ndodhen në fushën e Kalivaçit. Mbase në të njëjtën linjë janë dhe të dhënat që lidhen me emrin Saloniq, të vendit kufitar me sinoret e fshatit Zhulaj të Tepelenës.

Ia vlen të vrasim mendjen edhe për të shpjeguar domethënien e emrave të njerëzve si Vito, Gjon, Gjergj, Breshan, Ilmi, Veldon, Plirë etj. Diçka më afër jemi për të shpjeguar prejardhjen sllave të toponimeve: Muratovë, Specovë, përroi i Zelenicës, Bozanaj, ashtu siç jemi më afër shpjegimit me ndihmën e gjuhës italiane të fjalëve: Kaminë, Mane, Mano, Belik etj.

Qartësisht flet për origjinën turke të fjalëve simbolike të arave emri Llagëme, që mbajnë arat pranë lumit të Vjosës, ku ka pasur pronat familja e Sherif Rrapos, Xhemal Haxhiut, Muhedin Salihut etj. Të qartë e domethënëse e kanë emrin arat e quajtura Stane, të cilat na bëjnë me dije se në ato ara, dikur kanë qenë vendngulimet e bagëtive të imëta të banorëve të Kalivaçit. Në rrëzë të masivit kodrinor të Dokes, në faqen Perëndimore e Jugperëndimore të saj shtrihet një rrip tokë, me dy parcela, të cilat janë të emërtuara Xina. Këto ara, të ndara me ledh në mes tyre kanë marrë këtë emër për faktin se anës e pranë tokave në fjalë ka me shumicë shkurre të ulëta, të cilat quhen Xina. Në ledhin që ndan dy parcelat kanë qenë 3-4 pemë dardhë të varietetit elbëse, të cilat piqen së bashku me elbin. Ato kanë qenë në pronësi të përbashkët të fisit Nelaj.

Kur piqeshin dardhët, aty nga fundi i muajit maj mblidheshin Nelajt (nga një përfaqësues për çdo familje), mblidhnin prodhimin e dardhëve dhe i ndanin mes tyre në mënyrë të barabartë. Së këtejmi mund ta ketë zanafillën togfjalëshi Nelo Dardha, i cili është përdorur si "nofkë" shpotitëse.

Në mes të fushës së Kalivaçit kanë qenë arat me emrin Fëngje. Në mes të tyre, në vitet e Luftës së Dytë Botërore ka bërë ulje të detyruar një ekipazh i një aeroplani italian, mbeturinat e të cilit kanë qenë deri në vitet 60 të shekullit të kaluar. Fshatarët e Kalivaçit, me mjete rrethanore e copëtuan ballonin (kështu i thoshin fshatarët), i morën copat e duraluminit, bënë me to kuti duhani, krehër e mjete të tjera të dobishme për ta. Fëngjet kanë qenë në pronësi të familjes Haxhiaj, ku titullarë ishin Muharrem dhe Beshir Haxhiu. Reforma Agrare, në vitin 1946 ua ndau këto toka fshatarëve me pak tokë. Diçka më në Lindje ishin tokat me emrin Muratova. Në Veri të tyre ishin Luadhet dhe Shpëndrat.

Midis arave të quajtura Shpëndra dhe Vidhishteve, të cilat shtrihen pak më në Veri-Lindje, kalonte një rrugë, nëpër të cilën lëviznin karvanët që vinin nga Mallakastra e shkonin në Jug të vendit. Në Vidhishte ka qenë një kube, e ndërtuar me gurë të gdhendur, me qoshe të bukura e me harqe. Lartësia e kubesë ishte rreth 4 m dhe hapësira rreth 20 m2. Kubeja ndoshta ka qenë vendshlodhje për karvanët e shumtë ose si pikë kontrolli e si doganë.

Në vitet e kolektivizimit, si pasojë e njohurive të pakta që kishin njerëzit, muret e kubesë u shembën e sot nuk ekzistojnë as themelet e saj.

Në faqen Jugore të lartësisë së Dokes, e cila përfundon me një majë (Majën e Dokes), në rrëzë të saj ndodhen arat me emrin Llapodhica. Më sipër, në mes të kodrës janë arat dhe vreshtat e Abedin Kahremanit, të cilat quhen Plirë. Duke ecur në Veri, në drejtim të Grykës së Margëlliçit janë Llometë e Çizo Selfos e ngjitur me to arat e Xhevit Malkos e të vëllezërve: Resul e Resmi Nelos. Në të majtë janë Grykat ku ka pasur arat Tefik Bajrami, Mane Tafili dhe Musa Mehmeti. Poshtë Bregut të Staneve janë ullinjtë e Haxhiajve të cilët ia dha Reforma Agrare fshatarit Muharrem Smaili. Llometë e Hysni Metës e ato të Halim Beshirit ishin fillimet e Grykës së Margëlliçit. Ndërmjet Llomeve të Hysni Metës e atyre të vëllezërve Resul e Resmi Nelos, kalonte një rrugë këmbësorësh që të çonte në Gryka, në Bregun e Staneve dhe më tej, në Moçalet e Muharrem Kamberit e të Musa Brahushit.

Duke u ngjitur në lartësi, nëpërmjet kësaj rruge shkohej në mëhallën Caushaj të fshatit Çorrush.

Duke avancuar drejt Grykës së Margëlliçit janë Llomerat e Xhemal Haxhiut. Xha Xhemali ishte bujk shumë i mirë.

Para kooperativizimit të fshatit, tokat në pronësi të tij, në Llomera ai i kishte rrethuar me gardh të sigurt, i kishte rrafshuar e i punonte për merak, i kishte pastruar nga barërat e këqija dhe bimëve u shërbente me përkushtim të veçantë. Duhet thënë se edhe toka ia shpërblente mundin e djersën, bujkut të mirë. Prodhimet bujqësore që merrte xha Xhemali, në veçanti misri i mjaftonin familjes së tij për t’u ushqyer rreth vitit, si dhe për ushqimin e bagëtive që mbarështonte familja e tij. Në të djathtë, në rrëzë të këmbës së Mbretes, sapo kalon përroin e Veldonit është Muri i Hasanet, më tej Fieri i Metes dhe Vathërat.

Në të majtë janë arat me emrin Bishtje. Duke u ngjitur për në lartësinë e Dokes thellohet një grykë, e cila e ka emrin Trapi i Çesmës.

Në këtë grykë tokat arë kanë qenë në pronësi të Muharrem Kamberit. Në faqen Lindore të lartësisë së Dokes, poshtë mëhallës Caushaj, të fshatit Çorrush janë arat me emër Moçale. Në Moçale kanë pasur toka dy fshatarë: Muharrem Kamberi dhe Musa Brahushi. Në kurrizin që ndan Moçalet nga Trapi i çesmës është një pyll i dendur, me shkurre (koçimare, xinë, mërete dhe ferrë qeni), i cili e ka emrin Shkoza e Rrahut. Brenda këtij pylli, një grup drurësh janë konsideruar "të shenjtë". Këta drurë nuk guxonte t’i priste njeri, nga frika se mos hakmerreshin "shenjtorët" dhe e gjymtonin. Kjo pjesë e pyllit, për arsyen e thjeshtë se nuk prekej nga fshatarët, ishte me drurë të dendur mareje, ilqe, mrete, frashër, xinë, lis e ndonjë rrënjë dafinë.

Ferra e qenit, e pleksur pas drurëve, e bënte kalimin e njerëzve thuajse të pamundur.

Në Perëndim e Veriperëndim të Grykës së Margëlliçit ndodhet një breg, me emrin Kullustra. Po të nisemi vetëm nga emri që mban, nuk është e vështirë të arrijmë në përfundimin se kemi të bëjmë me një vend të varur, ku ujërat e shiut kullojnë shpejt.

Në këtë breg janë disa ara me emrin Plirë, si dhe një vend që quhet Lafshat. Ndoshta emri i vërtetë i këtij vendi duhet të jetë La fshatin. Tregimet dhe gërmimet e lashta, pikërisht këtë na sugjerojnë. Gërmimet e mëtejshme dhe deduksionet, mbase na çojnë drejt të vërtetës. Mes lartësive ku kanë qenë vreshtat e Rexhep Abedinit e të Muharrem Smailit, në një grykë të ngushtë është çelur një pus, i cili ka ujë, deri në afërsi të sipërfaqes së tokës, por ky ujë nuk pihet. Pusi ka qenë në tokën e në pronësi të Muharrem Smailit.

Në vijim të Grykës së Margëlliçit janë tokat e Dine Xhelalit, më sipër ato të vëllezërve Karafil e Refat Mahmuti e më në fund tokat e Ali Pashos, Hasim Mehmetit e të Musa Mehmetit, nga fisi Nelaj. Pas ngritjes së kooperativës bujqësore në Kalivaç, në kufirin e tokave të Kalivaçit me ato të çorrushit është ndërtuar diga e një ujëmbledhësi, i cili ka shërbyer për të ujitur bimësinë e Grykës së Margëlliçit. Arat që ndodhen në këtë grykë janë plot me aluvione dhe kanë prodhimtari të lartë drithërash e perimesh. Madje duhet theksuar fakti që këto toka kanë qenë e janë të preferuara për mbjelljen e bostanit dhe perimeve të stinës. Mobilimi i tokës në vitet e kolektivizimit dhe devijimi e disiplinimi i Përroit të Çorrushit ka çliruar mjaft sipërfaqe arë shumë cilësore, e cila po të shfrytëzohet me kritere shkencore mund të na japë rendimente të larta. Në Grykën e Margëlliçit, e cila është si një serë natyrale e nuk rrihet nga erërat e Veriut, vitet e fundit janë mbjellë me sukses e kanë dhënë prodhimtari të mirë hurmat.

Arat e "Pusit" janë ajka e tokës bujqësore të fshatit Kalivaç.