Fshati Kalivaç i rrethit të Tepelenës është fshat i blegtorëve të dëgjuar; mjeshtër të përsosur, të cilët kanë përcjellë, nga njëri brez në tjetrin përvojën e tyre, me vlerë. Kodrat dhe bregoret e shumta që përbëjnë truallin mbi të cilin është ngritur fshati, si dhe fusha e bukur dhe e begatë pranë lumit të Vjosës krijojnë mundësi e kushte të përshtatshme për të mbarështuar bagëti të e imëta: dhen e dhi. Banorët e kalivaçit, tradicionalisht kanë preferuar të mbarështojnë delen, edhe pse hapësirat e fshatit janë të pasura me kullota, për të mbajtur dhinë. Nëse do të përpiqeshim të bënim një lloj krahasimi; në shekullin e kaluar, sidomos në gjysmën e parë të tij, raporti i mbarështimit të dhenve kundrejt dhive ishte në të mirë të të parave.
Parë sipas kapacitetit kullosor; fshati i Kalivaçit, në ata vite kishte kullote për të mbarështuar rreth 800 krerë dhi, kurse mund të ushqente rreth 200 krerë dhen. Preferenca që kanë patur e kanë vendasit për të mbarështuar delen, nuk ka të bëjë me kujdesin dhe kërkesat e tjera që paraqet kjo kafshë, por me leverdinë ekonomike të saj. Dihet që delja kërkon strehë, në dimër e në verë; kërkon ushqim të zgjedhur, bar të njomë e të thatë, gjethe, lënde, zaire (drithëra) etj. Ajo mund të qëndrojë në kullotë edhe kur bie shi, mbasi ka mbi kurriz leshin e dendur e të padepërtueshëm nga ujët e shiut, i cili e mbron, siç mbron bariun sharku i punuar me lesh deleje. Këto kanë të bëjnë me shpenzimet e një çobani qe mbarështon një tufë me dhen, por ai përfton prej deles qumështin, i cili është më i shijshëm nga ai i dhisë, i merr qengjin, mishi i të cilit ka shjë të veçantë, të preferuar, si dhe leshin, i cili ka qenë e mbetet lëndë e parë për të përgatitur veshjet e çobanit, të cilat kërkohen të jenë të forta e rezistonte si ndaj të ftohtit dhe kundrejt ujit të shiut. Jo vetëm kaq; me leshin e deles përgatiten shtrojet, mbulojet dhe zbukurimet, për shtëpinë e një blegtori.
Blegtorë të njohur; mjeshtër të vërtetë për mbarështimin e dhenve në Kalivaç, ka patur në çdo kohë e me shumicë. Aq sa mund të thuhet se mjeshtëria e çobanit e ka folenë në Kalivaç të Tepelenës. Në shekullin e njëzetë, p. sh i ka kapërcyer kufijtë e fshatit tonë, kompetenca e barinjve me emër si: Zenel Jaup Agaj, Aqif Axhem Caushaj, Ahmet Selfo Zenelaj, Banush Xhezo Hadëraj dhe vellai i tij Laze Xhezo Hadëraj; Liço Kapo Malaj; Shefit Qazim Muharremaj; Qazo Mehmet Ramaj ( Dulaj); Sherif Rrapo Zenelaj, Mahmut Muharrem Pashaj, Xhevit Malko Nelaj, Veiz Dano Takaj, Riza Kamber Dostaj, Gani Dasho Caushaj, Nexhip Saliko Xhaferaj, Shefik Bajram Hysaj, Ali Xhelil Mahmutaj, Reshat Resmi Nelaj, Enver Qemal Zenelaj, Nasip Hysen Alidervishaj; Qemal Asllani, i njohur si Qemal Doraci etj. Më parë e më pas kësaj periudhe çobanët e mirë të dhenve nuk kanë munguar në Kalivaç.
Nuk mund të mos përmendim barinjtë, mjeshtër të mbarështimit te dhive. Në praktikën e Kalivaçasve, lidhur me mbarështimin e dhisë ka patur një veçori. Hapësirat e fshatit tonë, të mbuluara nga shkurre, të cilat kanë gjelbërim gjithëvjetor, si: përralli (më i përhapuri në pyll), xina, koçimarja, mëretja, frashëri, Paliçja, Xana, bushi, lisi, ulliri ( në pyll), vidhi, ferra, kulumbria, konopica, kashta e kuqe, gorica etj. Më së shumti, kullotat e dhive, u janë dhënë, me qera ( me qëllim që të shfrytëzoheshin si kullotë, në stinën e ftohtë) blegtorëve, ardhacakë, nga treva të largëta të Jugut teksa në ekonomitë e tyre familjare mbarështronin pak dhi. Fieri i Metes, Vathërat, Mëretja, Arat e Buta e rrethinat, shfrytëzoheshin nga barinjtë nga Malëshova e rrethit të Përmetit, kryesisht nga familja e Meshinajve, me të parë Rako Meshinin. Shkëmbi me gjithë hapësirat përqark i jepej në përdorim të përkohshëm familjes Kagjini, e Mekshi, nga Zagoria e kështu me radhë kullotat e tjera, që “ mbanin” dhi. Qeraxhinjtë, të ardhur nga vise të ftohta të Jugut të vendit, paguanin, për kullotën që shfrytëzonin, një grusht me para, të cilat i administronte pleqësia e më pas këshilli popullor i fshatit. Në vitet kur në fshat funksiononte kooperativa bujqësore, kullotat e dhive, të cilat rëndom quhen mera, u jepeshin në këmbim kooperativave malore të rrethit te Tepelenes, si Arrzës e deri në treva të rrethit të Përmetit apo të Skraparit. Mënyra e këmbimit të kullotave ishte e thjeshtë: Blegtorët e Kalivaçit i çonin bagëtitë e imëta gjatë verës, në trevat malore të këtyre fshatrave, kundrejt, ardhjes të bagëtive respektive të kooperativave malore, për të dimëruar në Kalivaç, ku dimri është më i butë e dhitë gjejnë gjethe të njomë shkurresh. Në kohën kur nuk ishin bërë ara, lëndinat e Brinjës së Beut, në Ruç, u jepeshin me qera, barinjve që mbarështonin dhen, të trevave të largëta. Çobanë, mjeshtër për mbarështrimin e dhisë, në Kalivaç kanë qenë: Besim Velo Alidervishaj; Veip Beshir Hysenaj; Ali Demir Alidervishaj; Abedin Kahreman Haderaj ( sidomos përkrahësit e tij nga Malëshova: Argjirii Meshinajve; Tashua, djali i tij dhe çobani me pagë Hodua); Idajet Muharrem Deraj; Veiz Dano Takaj dhe i biri Sabri Veiz Takaj; Tahir Abas Xhaferraj; Xhelo Yzeir Hysaj; Ago Muharrem Agaj etj.
Në jetën baritore të një blegtori lodhja, madje në të shumtën e kohës, sfilitëse është bashkëudhëtare e tij. Të gjithëve u pëlqen të ushqehen me prodhimet blegtorale që rrjedhin nga qumështi i dhenve e i dhive, si: gjalpi, djathi, gjiza, urrëla. Madje edhe dhalla. Pëlqejmë të ushqehemi me mishin e shijshëm, të pjekur në hell, të qingjave, kecerrve të njomë, deleve e dhive dhe të përdorim për veshje apo për përdorim të dobishëm, vetjak e kolektiv, leshin, shfrytëzojmë plehun e tyre për rritjen e rendimenteve të bimëve të arave etj. Por janë të paktë ata që i njohin mundimet e çobanit. Kush ka qenë çoban me bagëti, i njeh mirë sakrificat dhe privacionet që bën një çoban, pavarësisht se mund te mbarështoje, në familjen baritore, delen apo dhinë. Mjafton ti referohemi vetëm një fakti, nga praktika e barinjve tanë për të kuptuar sa shumë sakrifikojnë këta njerëz të veçantë. Një çoban mund ta ketë familjen pranë, fare pranë stanit; ai mund të jetë edhe i martuar e me fëmijë të mitur, por nuk mund të largohet nga stani, ti lerë bagëtitë vetëm e të shkojë në shtëpi, edhe sikur të jetë i ftuar për të marrë pjesë në një gosti apo dasmë, pa i lënë bagëtitë e tij të siguruara, me një njeri tjetër, të zotin. Edhe kur shkon pranë familjes, çobani e ka mendjen tek bagëtitë që ka lënë në stan, siç mendon për fëmijët që ka lënë në vatër, kur ai është pas bagëtive. A nuk ngjet me shërbimin e rojës, në ushtri, kjo puna e çobanit. Si roja, dhe çobani nuk mund ta braktisin pozicionin e tyre, vendrojën. E përbashkëta që ndajnë këta dy njerëz është meraku që ata kanë për atë që u është lënë në ruajtje e kujdestari.
Në jetën e një çobani nuk ka vetëm mundime e sakrifica. Nuk janë të paktë çastet kur ai ndihet i gëzuar, madje i lumturuar kur “vjel” frytet e djersës së tij. E kemi fjalën për kënaqësinë që të dhuron “vjelja” e një prodhimi të ri blegtoral, fryt i punës gjithëvjetore të tij. Njëra syresh, madje me e spikatura është mjelja e qumështit e cila përkon me stinën e ngrohtë që afron. Mjaft kënaqësi ndjen një çoban kur ai pret qengjat apo kecërit, në lindjet e bagëtive të mbarsura. Nëpërmjet lindjeve të reja, çobanit i shtohet tufa që ka përpara dhe ai ndihet më tepër krenar, mbasi i ka sytë plot dhe vedrën( enën ku mjel qumështin) të mbushur me prodhimin e ri.
Çaste gëzimi përjeton një çoban, kur kryen qethjen e dhenve e merr prej tyre leshin, aq të domosdoshëm për të përgatitur veshjet e tij e sende të tjerë, të dobishëm, për vete e për familjen. Festa e qumështit, “vjelja” e prodhimit të ri e ka të shtuar gëzimin e blegtorit. Ndodh kështu për faktin se mjelja e bagëtive është festa e parë e shoqëruar me gëzim të ligjshëm, e cila vjen në vatrat e fshatarëve pas atij dimri të gjatë, të mërzitshëm, të ashpër, të zymtë, rraskapitës e pa prodhimtari bujqësore apo blegtorale e me shumë lodhje për çobanin. Rëndësi ka fakti që mjelja e qumështit mbush enët e zbrazëta deri atëherë me prodhimin e ri, qumështin, i cili është e vjela e parë e një viti bujqësor. Dybekët, vedrat, talërat prej druri dhe enët e tjera me të cilët ruhet e përpunohet qumështi, të cilat, deri atëherë kishin qenë të përmbysura, të pastruara, të vendosura në në fundin e shtëpisë, pas stinës së gjatë, të thatë (pa qumësht), më në fund kthehen mbarë e mbushen me lëngun e bardhë plot shije të këndshme.
Pjelljet e dhenve e te dhive, në Kalivaç, por jo vetëm, i japin gjallëri jetës së fshatit. Rrugicat me gurë, të mëhallëve të fshatit, tashmë të mbushura me dele e qengja dhe me zërat e kecërve të njomë e me blegërimat e qengjave, të cilave u ushtohen, gjypet, këmborët, troket e çokalet, që mbajnë të varura në qafën e tyre bagëtitë. Edhe vetë bagëtitë, me ardhjen e stinës të ngrohtë, duken më të gjallëruara e si të tjetërsuara. Duke u ngjitur e duke zbritur monopateve të fshatit dhe në kullotë, të krijohet ndjesia sikur bagëtitë, kur u ngrohet lëkura e u buron qumështi nga gjiri, vetëlëvdohen dhe e kanë hapin më të sigurtë, sikur bëjnë më tepër zhurmë, duke ndjellë, me përkëdheli të vegjlit e tyre, për ti patur pranë e për ti ushqyer ata me qumështin e dëshiruar prej tyre.
Ardhja e pranverës duket sikur edhe këmborët e zilet marrin tjetër tingëllimë, lëndinat mbushen me barin e ri që ka nisur të bujisë e të jeshilojë mjedisin, dalin lulet e para, të cilat kanë dhe emrin simbolik “lule dele “, e çobanit i është ngrohur kurrizi nga dielli që është ngritur më lart në horizont. Kjo është një situatë e re, e gëzuar e festive, të cilën e shijojnë të gjithë fshatarët, të vegjël e të rritur. Protagonistë, në këtë çështje fatlume janë barinjtë, të cilët, marrin shpërblimin e merituar. Kush ka vrojtuar me vëmendje një çoban, pas mjeljes së bagëtive, nuk ka si të mos ketë parë si gjallërohet e gëzohet dhe merr tjetër pamje, gjithë qenia e tij. Ai, nuk ecën më, si deri atëherë; i përkulur e me kurrizin të nxjerrë por kapardiset, nuk është më i zymtë e pa humor por e ka buzëqeshjen të natyrshme dhe duart e tij, po t’u mbash erë, kundërmojnë aromë qumështi të freskët.
Nuk ka një ditë apo datë të përcaktuar qartë, kur bëhet shkëputja e qingjave nga nënat e tyre për arsye se kjo ditë është variable e kondicionohet nga disa faktorë që diktojnë e janë përcaktues dhe që duhet të mbahen parasysh. Njëri nga faktorët përcaktues, natyrorë është ngjitja e diellit, mbi horizont; ngrohja e motit, dalja e barit të njomë dhe zmadhimi i ditës. Si ditë e përafërt për shkëputjen e qengjave nga nënat është pranuar e zbatohet, me përafërsi, mesi i marsit të çdo viti. Veçse shkëputja e qengjave nuk është një akt i vetëm; ai nuk mund të ndodhë në një ditë të vetme e përnjëherësh. Çobani, vërtet kërkon të marrë qumështin prej deleve, për ta përdorur atë për nevoja të tjera por ai, para së gjithash është i interesuar për ruajtjen e jetës e të shëndetit të qengjave. Se, në fund të fundit, qëllimi i çdo bariu është të shtojë tufën që ka përpara, nëpërmjet lindjeve të reja. Prandaj, edhe në këtë rast, një çoban i mirë udhëhiqet nga sllogani: ”mishi të piqet e helli të mos digjet”. Në rastin tonë do të nënvizonim: qumështin, deles t’ia marrim, por dhe qengjin ta ruajmë. Kësisoj shkëputja e qengjave nga nënat bëhet shkallë- shkallë, gradualisht.
Kur moti është i ngrohur mirë e lëndinat janë mbuluar me bar të njomë, kur delet janë të shëndosha e qengjat kanë lindur herët (aty nga fundi i dhjetorit), e ata mund të ushqehen vetë, në mënyrë autonome, me barin e njomë të sapodalë, shkëputja e qengjave nga delet bëhet e mundshme. Në raste të tjerë, kur këta faktorë nuk janë të favorshëm, edhe shkëputja e tyre bëhet më e ngadaltë. Njeri nga variantet më të përshtatshëm mund të jetë: ditën qengjat qëndrojnë në kullotë, së bashku me nënat e tyre, kurse natën veçohen. Mund të praktikohet dhe e kundërta. Këtë gjë e vendos vetë çobani; rast pas rasti. Gjithsesi, veprimi i një çobani doemos duhet të jetë në harmoni me vendimet e veprimet e çobanëve të tjerë të fshatit, gjë që kondicionohet nga kushtet e përafërta të fshatit (trevës). Mund të ndodhë që çobani, një ose më tepër qengja të mos ti ndajë nga nënat e tyre por i le të pinë qumësht, deri sa ata ti nënshtrohen therjes, për mish. Çdo çoban nga Kalivaçi e ka mjaft për zemër të sakrifikojë njërin nga qengjat më të lashtë e më të mbarë të tufës që ka përpara, për ta pjekur në hell. Ai piketon qengjin që do ta sakrifikojë për këtë qëllim dhe e le atë, manar, pas tufës, e pas nënës, së tij, derisa të vijë dita e prerjes. Kam njohur një çoban delesh, i cili, kur piketonte qengjin që do ta mbante si manar, për ta therur, më pas, zgjidhte më të mirin e tufës. Kur e pyeta; përse e bënte këtë veprim; përgjigja e tij ishte e prerë: “ Po nuk e hëngra vetë, më të mirin, me siguri do ta haje ujku”! Edhe pse në dukje ngjan me besëtytni, ndoshta praktika e gjatë e tij dhe e paraardhësve e ka nxjerrë këtë përfundim, të bazuar në eksperiencën e jetës së tyre.
Ndarja e qengjave (kecërve) nga nënat, i imponon çobanit të tufës të marrë disa masa paraprake, të domosdoshme. Para së gjithash, bariut i duhet të mendojë e të veprojë, për të siguruar një mjedis të përshtatshëm, ku do të banojnë të vegjlit, të veçuar nga nënat e tyre. Në dukje krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një çështje jo aq të vështirë për t’u zgjidhur, por, në fakt nuk është ashtu. Katonjtë, kasollet dhe mjediset e tjerë ku strehohen bagëtitë e imëta, pas lindjeve te reja, bëhen të ngushta e janë të populluara tej kapacitetit të tyre bartës. Meqenëse mjediset ku strehohen dhentë e dhitë janë pranë njëra-tjetrës dhe, nëse nuk e shikojnë njëri-tjetrin, të vegjlit dëgjojnë zërin e nënave, të cilin, ata e njohin edhe në kushtet kur nuk e kanë në pamje vizive.
Vendet ku do të kalojnë natën, të ndarë nga nënat, kecërit dhe qengjat, sidomos ata që lindin të parët, lipset të jenë të sigurtë. Jo vetëm në kuptimin e mbrojtjes nga egërsirat, të cilat tërbohen kur dëgjojnë zërin e tyre dhe bëhen më agresivë, por dhe për faktin që, qengjat e sidomos kecërit janë shumë të shkathët dhe kapërcejnë mure e gjerdhe për t’u bashkuar me nënat e tyre. Të njëjtën gjë bëjnë dhe nënat lehone, të cilat blegërijnë, pareshtur, për të ndjellë të vegjlit. Të dyja palët janë në kërkim të njëra-tjetrës dhe në pamundësi për t’u bashkuar blegërijnë gjatë gjithë natës. Çdo dele (dhi), kec apo qengj e njeh, nga zëri, nënën e tij, ashtu si dhe të mëdhatë nuk gabojnë në këtë proces. Britmat e tyre ngjajnë me një lutje, drejtuar çobanit për të hapur derën e mjedisit, që të realizohet bashkimi i tyre.
Në mëngjes, kur hapen dyert e katonjve apo kur hiqen lesat e kasolleve ku mbahen bagëtitë e imëta, krijohet një panoramë tepër interesante dhe e bukur për ta vështruar. Të vegjlit vrapojnë pranë nënave të tyre, në kërkim të thithjes të qumështit të ngrohtë, nga gjiri. Bazuar në kodin gjenetik të kafshëve, në praktikë, nuk ndodh që një i vogël të sulet për të kapur sisën e nënës së tjetrit, ashtu sikundër nënat lehonë i njohin të pjellat e tyre. Për t’u siguruar që janë të tyre, një dele apo një dhi, i merr erë të voglit dhe kur bindet se është pjella e saj, e lejon të pijë. I vogli, fut kokën tek gjiri i nënës, fut në gojë sisën dhe thith, me ëndje qumështin e ngrohtë duke tundur bishtin, si shenje kënaqësie, pse jo dhe me mburrje. Kur nëna ngre kurmin dhe “ e fsheh” qumështin, i vogli, duke i rrahur gjirin me kokë, i lutet nënës t’ia lëshojë qumështin e fshehur. Çobanët, i ndajnë të vegjlit nga nënat e tyre, me qëllim që, në mëngjes të mjelin diçka, për nevojat e familjes. Kështu që qumështin e prodhuar nga gjëndrat përkatëse gjatë natës, e ka mjelë çobani për nevojat e familjes dhe qengjit i mbetet të pijë atë që ka fshehur delja, për pjellën e saj. Ai që e ka vënë re, me kujdes, pamjen e takimit të të vegjëlve me nënat e tyre dhe procesin e pirjes, patjetër që është mrekulluar.
E papërshkrueshme është pamja që shfaqet përpara syve të një çobani kur i ka përpara, në kullotë, të dyja palët; delet dhe qengjat e tyre. Një mozaik i pakrahasueshëm, një harmoni e përkryer lëvizjesh, një dinamizëm i paparë dhe një kënaqësi mbresëlënëse përjetohet në ato çaste. Në njërin krah, shikojmë delet: të urta, të shtruara, të bindura, me kokën ulur sipër barit të njomë, me detyrë të qartë, për të kullotur sa më shumë, e qetë se pjellën e saj e ka aty afër dhe në krahun tjetër qengjat, të kënaqur se e kanë mbushur mullën (plëncin) me qumësht, lodrojnë, hidhen e përdridhen, me shkathtësinë karakteristike, duke e gjallëruar së tepërmi atë mjedis, i cili është tepër i pëlqyeshëm për sytë e çdo kalimtari. Disi më i vështirë bëhet vrojtimi i sjelljes të kecërve, në të njëjtët kushte, për shkak të mjedisit ku ushqehen dhitë. Dhitë ushqehen me lastarët e njomë të shkurreve kurse kecërit, mbasi kanë pirë qumësht nga gjiri i nënës së tyre, ndërrojnë shijen e ushqimit, duke u kapur pas degëve me lastarë të njomë.
Çobani, duke vrojtuar, me kënaqësi, frytet e punës së tij, gëzohet e lumturohet, jo vetëm me atë panoramë të hijshme që i krijohet përpara syve por më tepër është i gëzuar se e ka lënë pas dimrin dhe e hedh vështrimin përpara, drejt verës që po troket. Kënaqësinë që ndjen, një bari mund ta shprehë në forma të ndryshme. Zakonisht ai gjen një shkurre, të përshtatshme, në anë të kullotës; heq sharkun, e nder atë që të thahet, ulet, shesh-besh, mbi një xinë, mare, paliçe apo tjetër shkurre, që të mos ta shpojë e mos ta vrasë, le kërrabën mënjanë, nxjerr qesen (kutinë) me duhan, kur e pi dhe dredh një cigare, ose mbush çibukun me duhan dhe e ndez. Mund të marrë cylën apo fyellin (kur di) dhe nis ti bjerë një melodie baritore, “për shtatë palë qejfe”. Qeni i tij, si miku besnik, i gatshëm ti sulet çdo egërsire që do të tentojë të prekë tufën, shtrihet pranë të zotit dhe shullëhet në diellin që ngroh.
Dita e ndarjes së qengjave nga delet dhe mjelja e tyre, ka qenë e mbetet ditë feste, për familjet që mbarështojnë blegtori dhe për gjitonët e tyre. Ajo ditë festohet, në forma të ndryshme, sipas mundësive konkrete të çdo familje. E zonja e shtëpisë përgatit një qumështor, me prodhimin e ri të bulmetit, i cili bëhet me petë të tëhollura, në qër (një lloj pajisje e posaçme) dhe ndryshon nga një byrek i zakonshëm, për shkak të harxhit që i futet brenda. Më së shumti, qumështorit i futet brenda qumësht, vezë dhe që të trashet pak lëngu i hidhet brenda pak miell. Atij që ia mban xhepi, atë ditë mund të therë dhe ndonjë qengj të njomë. Me qëllim që prodhimi i pritshëm blegtoral të jetë i mbarë, disa amvisa, para se ti çojnë çobanit vedrën me të cilën do të bëjë mjeljen, i lyejnë buzët e enës prej druri, me mjaltë. Këtë rit e kryejnë, jo detyrimisht të gjithë; varet nga gjendja ekonomike e çdo familje. Qumështi i mjelë grumbullohet në enë me kapacitet bartës më të madh dhe aty “thartohet”. Të nesërmen, herët në mëngjes, e zonja e shtëpisë, e hedh qumështin e thartuar (kosin), në dybek dhe e tund ( e rreh), deri sa të grumbullohet gjalpi përqark fërriçit të dybekut dhe të veçohet ai nga dhalla. Në fundin e stinës së verës, kur bari “ trashet” e qumështi pakësohet, por është më i trashë e i pasur në yndyrë, çobani, çdo ditë, mbasi mjel delet dhe ngroh qumështin, të vakur, e hedh atë në një lëkurë të përgatitur posaçërisht dhe i shton kripë. Lëkura, me kalimin e ditëve, nxjerr ujin e mban brenda saj esencën, e cila është mjaft e shijshme dhe konsumohet pak nga pak. Ky produkt prej qumështi të fermentuar quhet urrël dhe përdoret në stinën e ftohtë.
Siç më kujtohet, në fëmijërinë time, e cila përkon me vitet ’50 të shekullit të kaluar, në mëhallën time, në Ahmetaj të Kalivaçit, e cila, në atë kohë ishte njëra nga më të mëdhatë e fshatit, jo të gjitha familjet kishin bagëti të imëta e për rrjedhojë, disa syresh nuk milnin e nuk përpunonin qumësht. Dhen kishte xha Sherifi, xha Banushi, Muhedini, xha Musai, Xha Lazja, Xha Ahmeti, Dinja dhe xha Breshani etj. Dhitë ishin më të pakta. Aso kohe, për një periudhë të shkurtër kohe, familja ku u rrita mbeti pa tufë me bagëti të imëta edhe pse im atë, Xheviti, ishte mjeshtër për mbarështimin e dhenve. Dëgjoja korin e dybekëve të cilët ngjasonin me një orkestër zhurmëmadhe dhe blegërimat e qengjave të gjitonëve dhe i thosha nënës time të mirë, në formën e ankesës e të protestës, njëherazi: “ të tjerët rrahin qumësht e kanë dhen, po ne, përse nuk kemi”? Zihej ngushtë e gjora nënë e nuk e nuk e gjente dot një përgjigje që ta justifikonte gjendjen tonë. Por, gjitonet tona bujare e fisnike, nuk lejonin që ne të vegjlit e familjeve pa tufë bagëtie, të mos merrnim pjesë në festën e qumështit të mos gëzonim njëlloj si moshatarët tanë. Samoja, Hatemja, Nefizeja, Zyba, madje dhe Havaja e Ninija, sapo zbraznin dybekun, e mbanin vrapin në shtëpinë tonë, për të na sjellë pak bulmet. Kishte diçka tepër interesante në këtë bujari: Ato, si pa dashje, së bashku me një kovë të mbushur me dhallë, “kishin harruar “ në mes të enës, një ”top” me gjalpë. Ishte vepruese bujaria dhe zemërmirësia e njerëzve, në ato kohë, jo deklarative e boshe. Nuk ua diktonte njeri këtë veprim, grave bujare të mëhallës time. Ishte zemra e tyre, shpirti i dhimbsur i nënës që bënte ta ndanin edhe pikën e bulmetit me ata që nuk kishin të tillë. Së bashku me këtë dhuratë që dilte nga shpirti i tyre, ato futnin në shtëpitë tona, mirësinë, dashurinë, njerëzillëkun e tyre, prej njeriu fisnik. Kjo i lidhte e i afronte më tepër njerëzit me respekt të ndërsjelltë.
Në jetën baritore, rëndom ndodh dhe një dukuri tjetër interesante, e cila nuk duhet lënë jashtë vëmendjes. Për shkaqe të ndryshëm, ndodh që, një dele të humbasë qengjin e saj, të cilin e kërkon gjatë. Delja, prej kësaj ndodhie të pakëndshme mund të shterojë qumështin, gjë që çobanit nuk i leverdis. Është i njohur fakti që mjaft dhi pjellin nga dy kecër. Kjo krijon mundësinë që bariu i deleve ti drejtohet atij të dhive, për ti dhënë një kec, për delen që ka mbetur pa pinjoll. Praktika e njeh dhe e pranon një zgjidhje të tillë. Është kusht, i domosdoshëm që keci, i cili do të “ adaptohet” tek delja, të ketë të njëjtën moshë me atë të qengjit të munguar. Delja e pranon kecin, në gjirin e saj, ndonëse fillimisht, sa ta njohë, bën ca “ naze”. Për ta kapërcyer këtë ngërç, një çoban i mirë, e merr kecin, në dorë, ia çon deles dhe e mënt (e ushqen me qumështin e deles) edhe duke i futur sisën në gojë.
Festa e qumështit është festë pagane, mjaft e vjetër e cila e ka vërtetuar vitalitetin saj me kohë. Ajo nuk është e lidhur me kode, ligje, urdhra, apo rite fetare, por ka lindur si një nevojë jetike e njerëzve për të gëzuar prodhimin e punës së tyre. Prandaj këtë festë e kanë përqafuar dhe e zbatojnë të gjithë banorët e fshatit e më gjerë, pavarësisht nga kamja apo përkatësia fisnore. Fakti që koha e gjatë e ekzistencës nuk ka mundur ta fshijë nga mendjet e njerëzve dhe nuk e ka zhdukur nga skena e historisë të fshatit, dëshmon epërsinë dhe vitalitetin e saj.