Arzihana e Mino Jaçes – histori e një gruaje të rrallë, vlerashumë

20161009_194610

Historinë e fshatit tonë e kanë bërë gratë dhe burrat e Kalivaçit. Askush prej tyre nuk mund të pretendojë  se ka mbajtur, mbi supe, më shumë barrë. Vërtet kontributet, e një çifti nuk janë të njëjtë, por, në fakt, të dyja palët janë investuar ne një familje. Kur burrat e fshatit i ka thirrur kushtrimi e ata nuk i kanë patur bashkëshortet në krah, si luftëtare; kanë shkuar në luftë me mendje të fjetur se prapa e kishin lënë shtëpinë e katandinë dhe fëmijët, në duar të sigurta.

Siç ka patur e ka burra të ndierë, ka patur e ka dhe gra, që kanë dhënë kontribute me vlerë, në historinë e fshatit. Mjafton të përmendim, se një gruaje nga Kalivaçi, kur i vdiste burri ose një i afërm, vishej, kokë e këmbë, me të zeza dhe në kokë lidhte shaminë e zisë. Për shkak se vdekjet  pasonin njëra –tjetrën, një gruaje, i takonte ta kalonte jetën, në zi. A nuk ishte kjo një sakrificë e një kufizim i madh ? Patjetër që po. Ky është kontribut i një lloji të veçantë, të cilin gratë e fshatit e kanë bërë, pa bujë, në heshtje e krejt natyrshëm.

Nuk marr përsipër të bëj avokatinë e grave të fshatit tim se ato nuk kanë nevojë për avokati. Gratë e Kalivaçit, edhe në kushtet e kufizimeve mizore të kohës, e kanë thënë fjalën me forcë; madje, në mjaft raste, më fort se burrat. Sejcili ta vendose veten , në vendin e asaj gruaje të mjerë, të cilës i ka vdekur burri, e ka lënë të re në moshë e me një tufë fëmijësh nëpër këmbë. Në ditën kur do të mbushë i ndjeri shtatë ditë që është ndarë nga jeta dhe vejushës i kërkohet të zgjedhë një alternativë: Do të “ dalë”, apo do të qendrohë për të rritur fëmijët? Në Kalivaç nuk janë të pakta gratë, të cilat kanë lidhur në kokë shaminë e zezë e u janë përkushtuar fëmijëve.  Ato , vërtet e kanë patur jetën të vështirë, por bashkëfshatarët i kanë çmuar si asete të trevës së tyre dhe i kanë rrethuar me ndihmë e nderim.

Pa mohuar rolin e madh të disa burrave që kanë lënë gjurmë në jetën e Kalivaçit, me bëmat e tyre; ka patur e ka dhe gra , të cilat kanë trokitur fort, në portat e historisë. Një listë , me emrat dhe bëmat e tyre do të ishte , praktikisht i pamundur. Në këtë shkrim do të përmend disa, të cilat i kam njohur nga afër dhe jeta e tyre është shtrirë në vitet e jetës time aktive.

Nçë krye të sofrës do të vendosja një grua burrëreshë e cila ulej e kuvendonte me burra të ndierë dhe mund të matej me ta. Hidhërimet, hallet e dertet që kishte kaluar, e kishin shtyrë në “ shtegun” e përdorimit të duhanit dhe alkoolit. Ajo, duhanin e pinte me çibuk dhe rakinë me opingë. Hysnija e Musa Mehmetit ishte bijë në Kolonjë të Gjirokastrës, ishte pinjoll i një familje fisnike, e martuar në një tjetër familje të fisme kalivaçase, me burrin e mençur e trim Musa Mehmet Nelaj.

Në mëhallën Bozanaj, kam njohur e më është ngulitur fort në memorje, heroina e Hysajve; Vezikua e Hasim Malos, e cila rriti makëkrahut tre breza, njëri pas tjetrit. Në Hysodosaj ka jetuar një geua, zonjë e zotëruar. Nurijen e Zoto Halilit, nënën e mësuesit të parë të Kalivaçit- Halil Zoto Ramaj dhe motër e Bilbil Bolos, nga Ahmetajt. Ajo grua, siç kish emrin, ishte gjithë nur e pastërtore e paparë. I ndrinte vendi ku ulej  e i fekste shtëpia Nurijes kapedane. Në Ahmetaj, jetoi e rriti 10 fëmijë, partizanja 14 vjeçare Samoja e Medin Selimit, nga Leshnja. Në këtë mëhallë “ bëri petë”, Memja bukuroshe dhe hallemadhe, e veja e dëshmorit Muharrem Hasani, e cila menaxhoi, si burrë, mallin e gjënë që i la i ndjeri burrë dhe rriti, me dinjitet 5 fëmijët që i la i shoqi dëshmor. E urtë, e qetë,punëtore, si ajo, e mençur e gojëkyçurishte Dylba e Bektash Sakos, e cila, në shtëpinë e saj priti e përcolli dhjetra partizanë; kater nga te cilët ishin te shtëpisë të saj.

Në Hasanimeraj ka jetuar një grua me tipare të theksuara burri; Nasua e Maliq Brehamit. Ajo birësoi, rriti e veseliti, si djalë të barkut, Qazon e Mehmet Qazo Ramaj, nga Hysodosajt. Në këtë mëhallë ka jetuar dhe një grua e veçantë; Sadua e Muharrem Shenes, e vetmja femër e cila mori pjesë në kursin për mësimin e shqipes, në hyrje të viteve ’20 të shekullit që shkoi dhe Zylfija e Muharrem Haxhiut, një grua, model i gruas kalivaçase, me tipare njerëzore.

Le të hidhemi në Meçaj, në mëhallën ku kanë dominuar e dominojnë Xhaferajt, të ndjekur nga Dulajt. Në këtë mëhallë ka jetuar një deli grua, fjala e së cvilës zinte vend në kuvend, si fjala e një burri me peshë. Metua e Zagoll Salikos ishte nga ato gra, të cilave u dëgjohej fjala e mënçur e u  “ngjiste “ fort mendimi. Në Bozanaj, model i gruas fjalëëmbël  e të mençur ishte Tana e Ali Yzeirit, të cilën, për vlerat e rralla që kish, e donin dhe e respektonin të gjithë, jo vetëm në Kalivaç. Në këtë mëhallë, kanë lënë gjurmë dy Hasimetë e Azbi Bakos; Zylkadeja e Malo Barjamit; Ganua, heroinë e repartit të kazanëve, të Selenicës, motër e Zenel Shahinit; Ninija e  Ago Muharremit  e shumë të tjera.

Mjaft autoritet  kish fituar, me punën e  saj, Memja e Ceno Rakipit, në Leshnje; Soset më Ruç etj. gra të dëgjuara.  Në Hasanbegaj, në mëhallën më të lashtë e më fisnike të fshatit, “hidhnin valle”, të zëna dorë për dore, disa gra, të cilat nuk i lëshonin pe njëra –tjetrës. Ganua e Ali Xhelilit; Lulja e Rrapo Danos; Asiko Durkja; Bikua e Sheme Hamitit etj. ishin gra, të cilave u zihet emri në gojë, ashtu si dhe burrave të tyre.

Rrëfimi që vijon bën fjalë për një jetë gruaje kalivaçase të shquar e me vlerashumë të cilës nuk i ndihej zëri e nuk i bënte reklamë punës së saj. Arzihana e Mino Jaçes, e lindur në mëhallën Ahmetaj nga dy prindër, të thjeshtë, autopktonë kalivaças. Ajo erdhi në jetë nga martesa e Nënë Bejekos me Nino Jaçe Nelaj. Vajza e këtij çifti u lidh me martesë me djalin më të pashëm  e më të fuqishëm të fshatit, me fisnikun Aliko Qazim Muharremaj, i cili, në kohën kur jetoi, la gjurmë në jetën e bashkëfshatarëve të tij dhe në historinë e Kalivaçit të Tepelenës.

Arzihana u lind në vitin 1908, në derën e fisme të Isuf e Mino Jaçe Nelaj, nga martesa e të dytit me Bejekon e përkushtuar pas familjes, burrit dhe vajzave që pruri në jetë. Minua ishte oficer karriere i Ushtrisë Turke. Ai u nda nga jeta, i ri dhe në mërgim. Nuk dihen shkaqet e vdekjes së tij, në ato situata të trazuara të luftërave ballkanike, në prag të Luftës së Parë Botërore. Një gjë është e sigurtë: Mino Jaçja la pas tri vajza dhe vejushën Bejeko, e cila, në kushtet e mbijetesës, u rropat për të rritur bijat e saj që i la burri i ndjerë.

Shtëpia ku u lind Arzihana, ishte me dy kate e ndodhej thuajse në mesin e Ahmetajve, tek vendi i quajtur Kryeja e Shtëpisë. Në mangësi të dokumenteve të shkruara, mund të presupozohet se shtëpia në fjalë mund të ketë qenë shtëpia e parë, në mëhallën Ahmetaj. Shtëpia e Jaçajve, një degëzim i fisit Nelaj, kishte shtrirje Jug- Veri, me shkallë nga Perëndimi. Ngrehina përbëhej nga dy oda, të cilat ishin vendosur, me shpinë nga rruga kryesore e mëhallës, e cila vionte nga Hija e nga Buza ( vendi ku qëndronin te moshuarit e fiseve), kalonte mbi shtëpinë e Bektash Sakos, kapërcente e dredhohej, përroin e Llaskos, linte djathtas shtëpinë si kështjellë të Çane Deliut e dilte në Dërrasë.

Shkallët ishin në anën Perëndimore të ngrehinës. Një qemer e një platformë sipër tij, përbënin vendin ku bujtësit dhe familjarët linin opingat. Odat, ndaheshin prej njëra-tjetrës, me një mesore, ku vendoseshin enët që mbanin rezervën e ujit dhe sende të tjerë në përdorim të familjes. Anës udhës me gurë që zbriste nëpër mëhallë, me gjarpërime, ishte një shtëpi, përdhese, e gjatë, e ulët, me mure guri e me çati me pllaka të bardha guri. Muret e ngrehinës, ishin të ndërtuar me gur gëlqeror të lidhur me llaç e me breza druri. Ngrehina përdhese, ishte me derë nga Veri-Lindja dhe lidhej me odat, me mur guri. Në krye të përdheses, dhe në anën Jugore të njërës nga odat, ishte një fik, i zi, frutat e të cilit i hanin kalimtarët. Odat, të dyja dhe përdhesja ishin me vatër e me oxhak. Dritaret e odave dhe ato të përdheses ishin të orientuara nga Perëndimi. Në oborrin e shtëpisë të Jaçajve, i cili shërbente dhe si kopësht, ishin tri rrënjë shegë, me fruta të ëmbla dhe një rrënjë kumbull e egër, e verdhë.

Gjitonë të familjes ishin: Sali Haxhiu, i cili kishte dy djem: Muhedinin dhe Abazin dhe një vajzë- Ganon. Në anën Lindore, mbi udhë, ishin shtëpitë  e larta, tip kulle, me dritare të vogla, si frëngji, të Abedin Kahremanit dhe djemve të Xhezo Nures: Lazes dhe Banushit. Në Jug kufizonte bahçja e Bektash Sakos dhe nipërve të tij bujtës: Sherif e Demir Rrapos, ku ishte ngritur dhe një kasolle, për mbajtjen e zairesë për bagëtitë, e cila kishte shtrirje përgjatë udhës që zbriste. Në anën Perëncdimore ishte trualli i Jaçajve ku ishte tentuar të hapej një pus për ujë, i cili kishte mbetur i papërfunduar dhe i pa rrethuar, gjë që përbënte rrezik për fëmijët e mëhallës. Mëhallalinjtë i poroitnin fëmijët, kur ata dilnin nga shtepia për të luajtur në rrugë: “ kujdes se mos biesh në pusin e xha Isufit”. Ai pus, i cili nuk nxorri asnjëherë ujë, ishte një rrezik iminent për fëmijët e Ahmetajve.

Isuf Jaçja ishte djali i madh i Jaçe Minos. Pas largimit nga jeta të vëllait Mino, ai mori kujdestarinë e familjes dhe u kujdes për të. Por, pas martesës së dytë të tij, me Lalanë nga Koshtani, familja u bë e pamanovrueshme dhe xha Isufi u detyrua ta ndante më vete kunatën Bejeko dhe tri vajzat e saj. Për ta bërë më të lehtë punën, ai veçoi djalin e madh, Nezirin dhe gruan e tij, Këzen, më vete. Djalit të madh, i dha për të banuar odën që ishte pranë odës së Salih Haxhiut. Ai, ndau më vete dhe Bejekon e vajzat e saj, të cilave u dha për banim përdhesen anës udhës. Përdhesja me derë e dritare nga Veriu, e cila i ra në pjesë Nënë Bejekos dhe vajzave, ishte e ftohtë dhe rrobat për shtrojë e mbulojë ishin të kufizuara e copë-copë.

Kur u nda nga jeta Mino Jaçja, e la Nënë Bejekon, me tri vajza. Në vitet e vështirë të Luftës së Parë Botërore, kur fukarallëkut të skajshëm që ishte ulur këmbëkryq në vatrat e banorëve të Kalivaçit, iu shtua dhe një kolerë, e cila shkurtoi mjaft jetë njerëzish. Vendasit, këtë e quajtën gripi spanjoll e i thoshin shkurt: “ spanjolla”. Nga kjo epidemi e rrezikshme u prenë shumë ketë e u shuan disa familje. Të prekurit nga epidemija, kur ndaheshin nga jeta, i hidhnin në një gropë me gëlqere te shuar, që virusi të mos përhapej. Kjo epidemi preku dhe motrën e madhe të Arzihanës, e cila vdiq, në mjerim, pa e mbushur barkun me bukë.

Arzihana, e mbetur herët bonjake,u rrit në skamje e mbijetoi në vështirësi. Me një tufë me pula deti përpara, këmbëzbathur dhe e veshur keq, me një fustan, i cili i mbulonte këmbët, imcake, me një shufër në dorë, e kequshqyer  jetimja e Mino Jaçes, mundohej ti vinte në ndihmë Nënë Bejekos, edhe pse vetë ishte akoma e parritur. Shoqe dhe bashkëmoshatare të Arzihanës ishin: Esmaja e Xhelal Fejzos; Yzemeja e Xhemal Haxhiut; Sadefja e Xhezo Nures; Mushua e Musa Mehmetit; Halimeja e Kamber Asllanit; Nasibeja e Abedin Kahremanit etj, mëhallalije të saj. Siç ishte e modës në atë kohë, Arzihana, sapo preku adoleshencën e parë, ishte e fejuar me një njeri, të cilin nuk e kishte parë asnjëherë, nga Gorishti i rrethit të Vlorës. Banorët e Kalivaçit të Tepelenës, kishin lidhje të vjetra e të mira krushqie dhe miqësie me ata të fshatrave përtej lumit të Vjosës. Me fshatarët e trevave që i përkisnin rrethit të Vlorës, si Mazhari, Sevasteri, Shkoza, Golimbasi, Dushkaraku, Gorishti etj. krushqitë dhe miqësitë e kalivaçasve kishin shkuar mirë e ishin jetëgjata. Mirëpo Lufta e Parë Botërore, solli një risi e cila nuk qe aq e dëshiruar, për banorët e të dyja anëvetë lumit. Trevat në anën Perëndimore të lumit ishin nën pushtimin e italianëve, kurse ato në Veri të tij, i përkisnin pushtimit austriak. Të dyja fuqitë pushtuese ishin në armiqësi me njëra-tjetrën e nuk lejohej as komunikimi i fshatarëve të njërës anë me tjetrën. Kësisoj, Zrzihana, e fejuar me një nga Gorishti, nuk mund të martohej me të. Regjimi i pushtuesve ne të dyja anët e lumit ishte i rreptë e vendosi regjim izolimi të padëshiruar për vendasit që ishin të lidhur tradicionalisht me njëri-tjetrin.

Lajmës të shumtë trokitën në derën e Isuf Jaçes, për të kërkuar dorën e mbesës së tij, Arzihanës. Isufi pas vdekjes të të vëllait, mori përsipër kujdestarinë e familjes së tij, dhe pyetej, si i pari i asaj shtëpie. Në kundërshtim me vijën e sjelljes të kategorisë të tij, sipas traditës kur nuk pyeteshin gratë, xha Isufi, duke ditur vuajtjet e Nënë Bejekos për të rritur të bijat, e pyeti atë, lidhur me kërkesat e shumta për ta fejuar Arzihanën. Nënë Bejekua i  donte vajzat ti kishte pranë, që ti ndodheshin për çdo rast, prandaj preferoi martesën e Arzihanës në fshat, ashtu siç kishte martuar më parë, Hasimenë, në derën e fisnikut Azbi Bako Çelaj. Ajo ra dakort me mendimin e kunatit, për ta martuar Arzihanën, me Aliko Qazim Muharremaj, njëri nga djemtë e shquar të Kalivaçit.

Dera e Qazim Aliko Muharremaj, në Hasanimeraj, ishte derë e madhe e fisnike, atdhetare e luftarake. Thonë se vetë i pari i kësaj shtëpie, Qazim Alikua, kishte mbetur në Janinë, në luftë për mbrojtjen e troJeve amëtare e nuk kishte varr. Ai vajti në luftë e nuk u kthye kurrë. Familjarët dhe të afërmit e tij, kërkuan e kërkuan, por, sot e kësaj dite nuk dinë asgjë për fatin e tij të trishtë. Siç ishte tradita në Kalivaç e gjetkë, pas zhdukjes pa lënë gjurmë të Qazim Alikos, i parë i asaj shtëpie mbeti djali i madh i familjes – Shefiti. Qazimi la tre djem: Shefitin; Alikon dhe Fejzon. Alikua, djali i mesëm i asaj familje, i cili u martua me Arzihanën ishte i fuqishëm, i pashëm e mjaft punëtor. Ai ishte “ shtylla” e asaj shtëpie.

Familja ku hyri Arzihana e Mino Jaçes ishte njëra nga familjet e mesme të fshatit, e cila jetonte në nivel, pak më të lartë se bashkëfshatarët e saj, por çdo gjë e siguronte me djersë e me punë të ndershme. Ajo kishte mall e gjë në sasi që plotsonte nevojat e saj; kishte 2 konakë dykatësh, njëra nga të cilat ishte me katua ku strehoeshin kryesisht gjedhët dhe kali i familjes bujqësore të djemve të Qazim Alikos. Siç ndodhte rëndom në Kalivaç e gjetkë, në bahçen e asaj familje ishte ndërtuar dhe një kasolle ku grumbulloheshin e ruheshin zairetë ( kashtë, byk, lëpushka dhe tagjia) të destinuara për ushqimin e kafshëve. Familja ku vajti nuse Arzihana,  përveç se kishte mall e gjë, kishte dhe një ndikim të fuqishëm e rreth të gjerë miqësor, në fshat e në rrethina. Arat e tyre ishin prodhimtare e në vende ku rriteshin kulturat e arave dhe perime e bostan. Tokat e familjes në Shure; në Luadhe; në Muratova; në Jorga; Arat e Mëdha; Në Fëngje e në Gryka, ishin të begata e me taban. Familja dispononte dhe bahçe me ullinj dhe një vresht, në Luadhe, ku kultivohej rrushi e rriteshin pemë të tjera frutore. Shefiti ishte njëri nga mjeshtërit e shërbimeve të pemëve frutore dhe të vreshtit. Punimet në ara i përballonin vëllezërit Aliko e Fejzo Qazimi; kurse me bagëtitë e imëta; gjedhët dhe për kalin e shtëpisë, si dhe si specialist i frutikulturës, ishte Shefiti. Vëllezërit kishin lidhje korrekte e respekt të ndërsjelltë për njëri-tjetrin. Gratë e tyre, u përshtatën shpejt me mjedisin e rregullt që gjetën dhe shkonin me njëra-tjetrën jo si kunata, por si motra të mira. Jemineja, gruaja e Shefitit ishte mjaft e dashur e tolerante, dhe Arzihana e më pas Rronja, ia shtuan vlerat morale asaj familje.

Arzihana erdhi nuse në derën e Aliko Qazimit, kur sapo kishte mbushur 14 vjeçe. Ajo gjeti në shtëpi vëllezërit e Shefitit dhe bashkëshorten e tij, Jeminenë. Nga martesa e saj me Alikon, erdhën në jetë tre fëmijë. I pari ishte djalë, të cilit i vunë emrin Serjan. Pas tij erdhi në jetë vajza e vetme e asaj çerdheje- Fizja e më pas djali i fundit- Veliu. Ardhja në jetë e Serjanit, u prit me gëzim të madh e jo pa arsye. Në atë familje, nga martesa e Shefitit me Jeminenë, kishin lindur vetëm vajza dhe lindja e një djali prishi raportet e gzistuese dhe ekuilibret në familje. Serjani erdhi në jetë më 14 nëntor të vitit 1927. Ai ishte “ pekuli” i asaj familje të madhe, por u rrit e u poq shpejt, nën ndikimin e asaj familje të shëndetshme dhe të rrethanave që iu krijuan, më vonë.

Në pranverën e vitit 1936, kur djali i madh i familjes- Serjani kishte mbushur 9 vjeç dhe motra fize e vëllai Veli, ishin akoma më të mitur dhe punët në familjen Muharremaj shkonin për bukuri; ishte martuar dhe vëllai i tretë i familjes- Fejzua, me Rronjën, mbesën e Mane Tafilit, të cilën Arzihana e kishte kushërirë, ndodhi një e papritur tragjike që prishi bilançet e arritura. Aliko Qazimi, ai lule djali, në një mëngjes, kur shkonte në arë, për të punuar tokën, me pendën e qeve përpara e me parmendë në krah, në vendin e quajtur Specovë, i zunë pusi, e goditën, me një plumb, në lule të ballit e ai humbi jetën. Alikua “bënte petë” jo vetëm për familjen e tij, por ishte i gjindur edhe për fqinjët dhe bashkëfshatarët e tij. Miqësia e familjes, kudo ku ndodheshin, kishin tek Aliko Qazimi, një mik të mirë, besnik dhe të zotin.

Vrasja e Aliko Qazimit ishte një gjëmë e madhe. Ajo helmoi Arzihanën, e cila ishte akoma nuse  e re, me tre fëmijë, më i vogli katër muajsh e më i madhi nëntë vjeç. E ndjenë fort dhimbjen, vëllezërit e tij: Shefiti dhe Fejzua; zija mbuloi gjithë fisin, gjitonët dhe dashamirët e asaj çerdheje “ fajkojsh”. U krijua një situatë e re, tepër e vështirë, sidomos për Arzihanën dhe për fëmijët e saj. Arzihana, si burrëreshë dhe trimëreshë, u ligështua por nuk u step. Ajo e pa realitetin e ri, në sy, e mori në dorë situatën, i dha kurajo vetes, dhe te sajëve; mblodhi rreth vetes fëmijët që i la i ndjeri e u doli për zonjë punëve. Në situatat e reja që u krijuan, të cilat, për hir të së vërtetës, rrodhën jo vetëm me tragjizmin e ikjes të Alikos por dhe me vështirësi të pazakonta për të përballuar jetën, dolën në evidencë tiparet e Arzihanës, u vunë në provë serioze vlerat e saj. Ajo ishte fisnike që nga burimi dhe u fisnikërua akoma më tepër në familjen ku shkoi nuse.

Si mjaft gra të tjera kalivaçase, Arzihana e Mino Jaçes, pas vdekjes të burrit, vijoi “linjën e ashpër”;  atë të lidhjes në kokë të shamisë të zezë dhe përkushtimit ndaj fëmijëve, shtëpisë e katandisë, dhe kësisoj nderoi veten, kujtimin e të shoqit dhe familjet respektive; atë të origjinës dhe atë që gjeti në Muharremaj.  Në Ahmetaj, fati e deshi të mos kishte në familjen e ngushtë, vëllezër por në Hasanimeraj, asaj iu bënë vëllzër Shefiti dhe Fejzua, të cilët, pas vdekjes të Alikos e shtuan kujdesin ndaj Arzihanës dhe fëmijëve të saj, dhe ata e ndjenë fort ngrohtësinë e kujdesit të tyre.

Arzihanës, me tre fëmijë të parritur i ra mbi supe një barrë e rëndë. Ndarja nga familja e madhe, dhe dalja me vete, me tre jetimë, e detyruan Arzihanën të behej vetë burrë e vetë grua dhe tu qëndronte punëve të shumta mbi kokë. Serjani dhe Fizja, bënë çmos për ti ardhur në ndihmë, nënës së tyre heroinë, por, gjithsesi ata ishin të parritur dhe ndihma e tyre, tretej si vesa në prill. Në punën e saj heroike, Arzihana, u bë, jo vetëm njohëse cilësore e proçeseve të punës në bujqesi, por dhe një menaxhere e zonja e gjithë veprimtarive prodhuese  e administruese.

Erdhën vitet e rënda të pushtimit fashist të vendit. Lindën shkëndijat e para të kundërshtimit, me armë të këtij pushtimi mizor. Njerëzit dhe familjet e tyre, si në të gjithëvendin, u ndanë në përkrahës të luftës për liri dhe në nacionalistë që ndoqën tjetër udhë. Ndarja u bë sipas fiseve, ndikimeve miqësore dhe influencave të ndryshme. Familja Muharremaj, si atdhetare e kulluar, e njohur për cilësitë luftarake, mori anën e atyre që kundërshtonin me armë pushtimin fashist  të vendit dhe u bashkuan nëradhët e luftëtarëve të lirisë. Shefiti, Fejzua dhe Serjani, akoma i parritur, u rrjeshtuan në radhët e partizanëve dhe u bashkuan me luftëtarë të lirisë  ose me simpatizantë të Luftës Nacionalçlirimtare si: Hamit Caushi; Bilal Qazimi; Shamet Sulua; Bilal Beshiri;Selam Halili; Haki Shahua; Ali Caushaj; Selam Halili; Sheme Muharremi dhe nëna e tij Sadua etj. etj.

Gratë e shtëpisë të Qazim Alikos: Jemineja; Arzihana; Rronja, madje dhe Fizja e vogël. Vërtet që nuk ishin partizane efektive, me armë në dorë, por u vunë në shërbim të Luftës Nacionalçlirimtare dhe bënë gjithçka varej prej tyre, për të ndihmuar e afruar çlirimin e vendit. Shtëpia e tyre, në Hasanimeraj, u bë një çerdhe e sigurt, ku kryheshin shërbime për andrimin, larjen dhe tharjen e petkave të partizanëve, të cilët hynin e dilnin, në çdo kohë, pambarimisht. Shtëpia e tyre, me pozicion të favorshëm strategjik, në krye të mëhallës, siguronte ardhjen dhe largimin e luftëtarëve të lirisë, në fshehtësi të plotë. Kur gratë kishin miell në magje, gatuanin bukë për partizanët, madje edhe në muajt e parë të pranverës, kur rezervat e miellit u mbaroheshin dhe prodhimi i ri nuk ishte bërë për t’u korrur, ato e kishin gjetur zgjidhjen, për të gatuar bukën e partizanëve. Ato mblidhnin në kopësht gjethe spinaqi, laboti e nenë dhe gatuanin bukë me shijë e me vlera ushqimore. Bulmeti dhe frutat e freskëta e të thata,gjithashtu ishin në destinacionin për partizanët. Me leshin e dhenve, ato thurnin çorape, bluza e fanela mishi, për luftëtarët e lirisë. E vështirë ishte puna e tyre për andrimin dhe larjen e petkave të partizanëve. Ata nuk kishin ndërresa dhe Arzihana, Jemineja e Rronja ishin të detyruara ti lanin rrobat e tyre, me finjë, ti thanin mbi zjarr, duke u bërë erë, që të tereshin shpejt e tu binin parrazitët e shumtë që mbanin. Partizanët, akoma pa u gdhirë dita e nesërme, u duhej të shkonin në formacionin partizan. Ata, e kalonin natën të veshur me petkat e grave, të mbuluar me jorganët e musëndrës apo të sepeteve. Dëftojnë se partizanët kishin zënë parazitë (morra) edhe në rripat e pantallonave. Kësisoj, gratë e Muharremajve, si mjaft gra nga Kalivaçi i Tepelenës, vunë në shërbim të Luftës  Çlirimtare, shtëpitë dhe pasurinë e tyre.

Siç dëfton djali i madh i Arzihanës, Serjani, tani 90 vjeçar: “… gjermanët, nga Mazhari, na qëllonin me top. Ata e dinin që ne ishim tre partizanë dhe shtëpinë e kishim vënë në shërbim të; uftës kundër fashizmit. Dy predha ranë mbi shtëpinë tonë dhe e dëmtuan atë, por nuk e shkatërruan dot. Një ditë ndodhesha në arat e familjes, në vendin e quajtur Shure. Nëna, mbasi më solli drekën, po ngjitej, për në shtëpi, nëpërmjet udhës që gjarpëronte nëpër ullishtën e Musa Mehmetit e në atë të Çizo Selfos. Një predhë e gjermanëve, të cilët qëllonin me top, mbi bazat e partizanëve, e goditi Nënën, në pulpën e këmbës e ajo u plagos. E shpumë në spitalin partizan të Krahësit, ku u mjekua e u shërua”.

Arzihana vetë u rrit jetime dhe i takoi fati i keq, të rritë tre jetimë. Kjo është dukuria më heroike e jetës së saj dhe ironia e fatit të bonjakes fatkeqe. Siç ishte në traditën e trevës, Arzihana nuk doli dot mbimentalitetin e kohës, edhe pse vetë ishte me koncepte të përparuara. Ajo, me qëllim që të përjetonte një gëzim, nën peshën e rëndë të opinioneve dhe të hallit që i kish rënë mbi supe martoi vajzën e vetme, Fizen, në moshën e adoleshencës së parë me Gani Tafilin, një burrë zakoni, me peshë e ndikim të madh në rrethin shoqëror e miqësor të familjes, të cilit i kish vdekur gruaja dhe i kish lënë tre fëmijë, në vatër.

Arzihana ishte grua guximtare e me karakter të fortë. Ajo, para se ta niste të bijën, tek burri, në Krahës, si nënë e mirë dhe e drejtpërdrejtë me të bijën, i tha asaj: “ Koce: ti, po deshe, shko tek burri; po nuk deshe, mos shko! Por, po shkove  vajzat e gjetura do ti trajtosh sikur ti kishe lindur vetë, se është gjymah; ato janë jetime”. E kish vuajtur vetë bonjakërinë gruaja heroinë e këtij rrëfimi,  prandaj i ndjente jetimet. Dhe Fizja, e cila nuk i kishte lënë gjë të ëmës, e dëgjoi Arzihanën dhe e nderoi, atë dhe veten. E bija e “kapedanes”, e cila vajti nuse në një derë fisnike, nuk kish si të ishte ndryshe nga familja ku ishte rritur dhe nga nëna që e kishtwe lindur.

Arzihana e Mino Jaçes, mbeti e ve, kur ishte në majat e pjekurisë, si shëndetplotë dhe të hijeshisë. Edhe pse i shoqi i la tre fëmijë, si atëherë, kur ishte vajzë, në derën e babait, sërish nuk rreshtën kërkesat dhe “ presionet”, nga të sajët sidomos, për ta martuar e për ta bërë me një burrë. Mirëpo ajo e kishte ndarë mendjen dhe e kishte vendosur, një herë e mirë, fatin e saj dhe të fëmijëve, të cilët i donte shumë e nuk mund të ndahej prej tyre. Ajo, që kur lidhi në kokë shaminë e zezë, e kishte menduar mirë, sjelljen e saj, iu përkushtua fëmijëve dhe nderoi kujtimin e atij çikë burri, me të cilin ishte lidhur ngushtësisht, me një dashuri e respekt të rrallë, për njëri-tjetrin.

Sa krenari e tronditje ka në rrëfimin e djalit të madh të saj, Serjan Alikos, i cili tashmë është në prag të nëntëdhjetave: “ … Në fshatin Qesarat të rrethit të Tepelenës, kishim një kushëri të parë, nga babai. Në atë kohë isha nëntë vjeç dhe nuk kishte kaluar shumë kohë nga ndarja e babait nga jeta. Kisha shkuar në shtëpinë e kushëririt, së bashku me Nënën, motrën dhe vëllanë e vogël. Qëndruam atje disa ditë, e u ndjemë si në shtëpinë tonë. Gjatë qëndrimit në atë shtëpi, vura re se në të hynin e dilnin mjaft burra, të njohur e të panjohur. Ata, diçka bisedonin me njëri –tjetrin dhe me kushërinë tonë ndikimmadh, në familjen dhe në fisin tonë. Gjithashtu vura re se, mysafirët, kur largoheshin, nxinin e sterronin e shkonin kokëulur. Rastësisht mësova se ata kishin ardhur për të kërkuar dorën e Nënës time, por nuk kishin arritur atë që donin, prandaj ishin të detyruar “ të vinin thëmbrat , nga kishin vënë majat”. Isha kalivaças dhe i biri i nënës, prandaj bëra një veprim që habiti shumëkë. Natën, kapa për dore Nënën time, motrën dhe vëllanë e vogël, Velinë e, në të gdhirë u gjenda në shtëpinë tonë, në Hasanimeraj “.

Arzihana e Mino Jaçes, si grua e fortë e me karakter, i kishte edukuar tre jetimët që i la burri, me frymën e saj dhe ishte e kënaqur që ata po i ngjanin, asaj dhe te ndjerit babait të tyre. Rrëfimi i Serjanit, nuk është i vetmi që na dëshmon për tiparet e qënësishme të një kalivaçasi të pastër dhe të një familje fisnike, me tradita të forta. Fizja u martua në Krahës, në një familje gjithashtu tradicionale të njohur për fisnikërinë e saj. Arzihana, e cila e donte shumë e ishte mjaft e lidhur me të bijën, shkonte shpesh tek ajo, për ta parë e për të qarë hallet, si nëna me bijën e saj të vetme. Një ditë, Fizja, në intimitet iu drejtua Nënës, me fjalët: “… Mjaft ndënje “Lule” ( kështu i thoshin fëmijët e saj dhe nipërit e mbesat, Arzihanës); ik në shtëpi se je dhe grua e ve…”. Mendoj se çdo lexues, me një bagazh mesatar, nuk e ka të vështirë për të depërtuar në nëntekstin e këtyre fjalëve të çiltra.

Vitet rrodhën e Shqipëria u çlirua. Disa prej çlirimtarëve, mes tyre dhe Shefiti e Fejzua iu kthyen punëve në ekonominë bujqësore të familjes, në Kalivaç të Tepelenës. Serjan Alikua shkoi ushtar i shërbimit të detyrueshëm, në kufi, në rrethin e Leskovikut. Pas kryerjes së këtij shërbimi, ai qëndroi nënoficer karriere e më pas u bë oficer kufiri, me emër. Gjat kohës kur Serjani ishte ushtar, familja patriarkale me kujdestar të saj Shefit Qazimin, e cila nuk mund të funksiononte më si më parë,  me tri kurorë, njëra nga të cilat pa burrë, u nda. U formuan kështu tri familje, brenda një trungu. Arzihanës dhe fëmijëve u takoi një e treta e mallit dhe e gjësë. Edhe banesa u nda, duke u dhënë përparësi jetimëve.

Këtu kemi një çast, tek i cili na duhet të ndalemi. Arzihana, si burrëreshë që ishte, nuk i branisi djemtë por u vuri shpatullat punëve e u bë vetë burrë e vetë grua. Ajo mori në dorë frenat e punëve,  në familjen e saj, punoi me përkushtim të rrallë e me sakrifica, dhe fitoi; me meritë, admirimin, respektin dhe dashamirësinë e tërë komunitetit ku jetonte. Këto merita e vlerësime pozitive, Arzihanës nuk i erdhën nga qielli por i fitoi me djersën e ballit, me punën plot sakrifica e përkushtim. Ajo ishte natyralisht e zgjuar  e me karakter të fortë. Jeta e asaj gruaje heroinë kaloi përmes halleve  të mëdha, që i erdhën njëra pas tjetrës, me mjaft dhimbje e trishtim. Përballë tyre, ajo grua heroinë, nuk u ligështua e nuk u përkul por e vështroi jetën në sy, siç i erdhi e u përball, burrërisht me të. E rritur bonjake, mes vështirësive të shumta, ajo u martua kur sapo kish shpërthyer adoleshenca në jetën e saj por që e pati të trishtë atë, para dhe pas martesës. Jeta e Arzihanës  është plot me befasi e me kurthe. Ajo i ngjan një udhe me kthesa, ku në çdo njërën prej tyre, mund të thyente qafën.

Jeta e vështirë, me sakrifica e privacione të panumërt e formuan dhe e kalitën atë grua të rrallëme tipare burrërore të karakterit e kultivuan tek ajo, një zemërbardhësi të padëftuar. I donte shumë e ia kthenin me të njëjtën monedhë familjarët, gjitonët dhe gjithë sa jetonin e punonin rreth saj. Arzihana e Mino Jaçes ishte gojëëmbël dhe përjapte vetëm mirësi. Se të tillë e kishte shpirtin. Ajo grua, as fëmijët e saj nuk qëllonte me pëllëmbë, jo më ata që nuk ishin të lindur prej saj. Keni dëgjuar për ndonjë grua që nuk dinte të mallëkonte? E tillë ishte Arzihana. Mallëkimi më i rëndë për atë njeri shpirtnjeriu, kur dikush ia sillte ne majë të hundës ishte: “ haj, lanet”!

Arzihana ishte e pashkollë dhe rrallë i kapërcente kufijtë e fshatit ku u lind e u rrit, por ajo ishte në krahun e njerëzve përparimtarë të fshatit dhe kishte vizion të qartë për jetën. Pas çlirimit të vendit, ajo përkrahu e u vu në ballë të përpjekjeve për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe përparimin e fshatit. Ajo, me mirësinë që rrezatonte tek njerëzit, fitoi dashurinë dhe respektin e njerëzve. Siç rrëfen mbesa e saj ( vajza e vajzës), Mira: “…Arzihana ishte një grua mjaft e dashur dhe kishte dhimbsuri të paparë. Mirësia që përhapte ajo grua ishte e paparë. … Kur isha e mitur e shkoja tek gjyshja, për të kaluar disa ditë, rëmonte sepeten e nxirrte prej andej të mblojturat ( arrë, bajame, ftonj, shegë, palafike etj.). Një herë më kishte ruajtur këpucët që kisha lënë në vajtjen e mëparëshme, në shtëpinë e saj”.

Serjani, djali i madh i saj, kur ishte nënoficer karriere, në Leskovik, u lidh me martesë me Kristinën, e cila ishte e fesë ortodokse. Me Kristinën, Serjani lindi e rriti tetë fëmijë, njëri më i mirë se tjetri. Për Arzihanën dhe për komunitetin rreth saj, përfshi dhe të moshuarit, përkatësia fetare, në një lidhje martesore nuk ishte problematike. Ky qëndrim ishte një provë tjetër që vertetonte tolerancën fetare dhe statusin e të përparuarës tek kjo grua e përvuajtur. Për atë, përkatësia fetare  përbënte një çështje vetjake dhe ajo ishte luftëtare e flaktë e bashkëjetesës fetare.  Arzihana e donte mjaft Kristinën dhe e futi atë në zemër, si vajzën e saj të barkut. Kur bisedonte me gratë; në shtëpi, në punë e kudo që ndodhej, ajo, me krenari thosh: “ Kam nuse”! Sa shumë “ thesare” përfshihen në këtë shprehje të thjeshtë.

Dashamirësia dhe zgjuarsia e Arzihanës binte në sy, qartë edhe në një sferë tjetër të jetës kalivaçase. Arzihana ishte “mjeke popullore”. Shkenca e saj dhe teknikat përkatëse ishin të thjeshta. Ajo ishte yshtare dhe, duke bërë kryesisht masazh, me duart e saj, prekte e çlironte nga ngërçi , muskujt e kontraktuar, gjë që dëftonte se ajo grua njihte mirë dhe anatominë e trupit të njeriut, Arzihana përhapte dashuri e rrezatonte mirësi. Ajo lumturohej kur vështronte “ pacientin” të shkriftëruar.

Siç dëfton nipi i saj, Veziri ( djalë i kunatit të saj, Fejzo Qazimit), të gjithë fëmijët e fisit Muharremaj, por dhe të tjerë, Arzihanës i thërrisnin “Lule”. Vini re çfarë krahasimi me vlerë: Gegenë e tyre, zenërmirë, edhe fëmijët e krahasonin me një lule. A ka shpërblim më të madh, për një grua që rrezaton vetëm mirësi e shpërndan dashuri, se sa emri “ Lule”? Se çfarë e si është një lule, këtë e dinë të gjithë, çështja shtrohet: Kush e meriton këtë epitet i cili kthen, si kuintancë mirësinë që merr. Siç thekson Veziri: “ Lulja”, ato që dinte, nuk i mbante për vete; ajo yshtjen ma mësoi edhe mua…” Edhe pse e shumëvuajtur, ajo grua, në brendësi të qënjes së saj, kishte mbetur e “mëndafshtë”! Ndoshta ky epitet i shkonte më së miri asaj gruaje gjysmëperëndi. Krahasimi me një lule është fort i gjetur e i saktë. Arzihana bënte pjesë në radhën e atyre njerëzve, të cilët, siç thonë rëndom në Kalivaç të Tepelenës, i dhimbseshin e dhe mizat e dheut. Ajo ishte e brishtë, e bukur, dhe përhapte mjaft dritë e mirësi, siç shpërndan një lule, aromën e këndshme. Për Arzihanën ishin të huaja përgojimet, grindjet dhe mëritë, cmira dhe keqdashja, si brenda fisit, në komunitet e jashtë tij. Me pjekurinë dhe autoritetin që kishte fituar, me meritë, Arzihana luante rolin e një amortizatori që sfumonte vibracionet  e inateve të inatçinjve e të grënjarëve dhe përçonte mes tyre mirëkuptim e paqe.

Vitet e fundit të jetës, heroina e këtij rrëfimi i përcolli në errësirën e verbimit të plotë. Kjo situatë e rëndë, nuk e çbëri shpirtin e saj të madh e nuk e ligështoi zemrën e saj të bardhë. Ajo ishte nën kujdesin e djalit të saj të dytë, Veliut, i cili ishte me profesion motorrist i pompave të ujit dhe i zgjedhur në funksione drejtuese në fshat. Veliu, bashkëshortja e tij Xhekua dhe dy vajzat e tyre: Keta dhe Lumja e rrethuan Arzihanën me gjithë kujdesin dhe ngrohtësinë e nevojshme. Megjithatë, jeta e asaj gruaje me një personalitet me shumë vlera, u rëndua dhe ajo e ndjente veten ngushtë. Arzihana i donte e i respektonte mjaft te sajët dhe bashkëfshatarët e saj. Në errësirën që e rrethonte, ajo nuk mund të vështronte e të ndihmonte njerëzit, ata që donte aq shumë. Ishte mësuar, gjithë jetën e saj, të qëndronte pranë njerëzve dhe tu falte atyre shumë dashuri, e mirësi, të ndante me ta të mira e të liga, por e verbuar ishte jashtë mundësive fizike për ta bërë këtë punë. Prandaj ajo nërzitej shumë dhe e vuante errësirën, e cila zgjati relativisht shumë.

Me avancimin e viteve e me pllakosjen e errësirës, tek Nëna heroinë, e bija e vetme, Fizja, e cila nuk i kishte lënë gjë Nënës, e vizitonte shpesh Arzihanën, e cila jetonte në Kalivaç të Tepelenës. Në një bisedë, intime me të bijën, Arzihana i la asaj një amanet e cila ngjan me një porosi vështirësisht të zbatueshme. “ Kur të vdes, mos më qani”- i tha së bijës Arzihana. E parandjente largimin nga jeta gruaja e mençur e me karakter të fortë, prandaj, atë që mblonte në thellësinë  shpirtit të saj, e derdhi përpara së bijës. Siç duket, lidhja mes tyre ishte mjaft e fortë, nga ato lidhje të ngushta që kanë nënat me vajzat e tyre.

Që të mbahej ky amanet, kërkohej nga Fizja, shumë vullnet e karakter të fortë e të qendrueshëm. Si të mos derdhte lot vajza e vetme për nënën e për çfarë nëne bëhet fjalë? për një grua si Arzihana e cila jetën e kaloi mes dhimbjes e trishtimit, por që i kishte sytë e mendjes plot dhe shpirtin të plotsuar. Jeta i dhuroi Arzihanës  gëzime të pakta kurse dhimbjen dhe trishtimin, ajo i kishte bashkëudhëtare. Amaneti që i la Arzihana së bijës, ngjan si një kushtrim, i cili u drejtohej gjithë njerëzve që e rrethonin. E thënë ndryshe, kërkesa e vetme që i parashtroi Fizes, ajo grua e thjeshtë, me karakter të fortë, para se të ndahej nga jeta, mund të tingëllojë:

“… Të dashurit e mi; unë po ndahem nga kjo jetë, në të cilën gëzimin e pata me pikatore. Ju jeni gëzimi dhe krenaria ime! Mos lejoni tju pushtojëtrishtimi e mërzia në jetë, vështrojeni jetën në sy e përballuni me të, sido që tju vijë. Jeta vërtet është e vështirë dhe e ngarkuar me të papritura e kurthe, por ju duhet ta jetoni atë, siç e meritoni. Largimi im nga kjo jetë, nuk duhet tju rëndojë e tju brengose shpirtin; mbasi ju dua shumë dhe po ndahem prej jush e plotsuar. Prandaj mos derdhni lot,  për mua…” Nuk donte ti rëndonte në shpirt, të dashurit e saj, prandaj e la këtë amanet, i cili është shumë i rëndë për tu mbajtur. Por Fizja, e cila kishte ngjarë nga rrënja e ishte si e ëma, e mbajti fjalën. Ajo, si burrëreshë,  qau nënën me shpirt, por nuk ia pa njei lotin ti njomte sytë. Kur la të kuptohej se po ndahej nga jeta e plotsuar, ka të gjarë të ketë patur parasysh se la pas tre fëmijë të barkut e dhjetra nipër e mbesa, të cilët e mbajnë me nder, mbiemrin Muharremaj.

Arzihana u nda nga jeta, në Kalivaç, e rrethuar nga të sajët, në vitin e mbrapshtë 1997. Vdekja e saj helmoi edhe nepërkën nën gur. Vdekja mizore, e cila nuk di të bëjë dallim mori atë deli grua, atë Nënë të dhimbsur e të përkushtuar,  e cila, gjithë jetës përhapi mirësi e fali vetëm dashuri.

  • I paharruar qoftë kujtimi i saj i ndritur!
  • Të rrojnë ata që la pas!

 Në Tiranë, gjatë muajit shtator 2016    

Shkroi   Niazi Nelaj  

 

 

 

2 thoughts on “Arzihana e Mino Jaçes – histori e një gruaje të rrallë, vlerashumë”

  1. E lexova me vemendje kete shkrim,te shkruar shume bukur nga Njaziu,u emocionava shume,sepse i mbaj mende shume mire disa gra te larte permemdura qe kane qene te mbrekullueshme,sidomos e madhja Arzihane ,Hysnie Nelaj dhe te tjera.

  2. Sokol
    05/21/2017
    E lexova me shume interest te madh shkrimin mbi historine e jetes se gjyshes time te dashur e te pa harruar nene Arzihanes ose si i therisnim ne te gjithe te familjes me shume dashuri “No”.
    Ne shkrimin tuaj me kujtove edhe shume emra te tjera te ketyre grave trimeresha dhe bujare qe vete gjyshja ime me fliste sa here qe une vija ne Kalivaac per vizita.
    Ne pergjithesi ky shkrim perputhet me historite qe kam degjuar gjate atyre vizitave ne Kalivac si edhe nga babai im Serjan , xhaxhai Veliu si edhe halla Fize.
    Te vetmen gje qe une dua te shtoj ose sqaroj eshte se kur gjyshi im Aliko
    eshte vrare ate e kane qelluar nga mbrapa shpine se thuej se nuk kishte
    njeri qe ti dilte perpara ose frikesonte ate.
    Me gjithe ate te falenderoj per shkrimin tuaj si dhe per historine e Kalivacit

Comments are closed.