Artisti pa këmbë, që gdhëndi emrin në çdo shtëpi

(Monografi kushtuar zdrukthtarit ulok, Asim Mehmet Nelaj, të cilin mund ta quajmë: Qëndistar i drurit)

Kam dëgjuar, shpesh të thonë: “ Ky apo ai tjetri është i ekuilibruar”! Nuk është fjala për ndonjë gjimnast, akrobat cirku apo, siç thonin dikur- pehlivan. Më së shumti, bëhet fjalë për qëndrimet që mban njeriu në jetën e përditshme, e jo vetëm kur komenton ngjarje me peshë. Aq e vërtetë është kjo, sa, disa janë “ pagëzuar” si “ peshore” e të tjerët u drejtohen atyre me pyetje për t’u skjaruar. Jeta ka vertetuar se ekuilibristi më i mirë ka qenë e vazhdon të jetë vetë nëna natyrë. Çdo njeri, pa ndonjë vështirësi mund të sjellë argumente të shumtë në të mirë të kësaj ideje.

Vini re si pasojnë njëra-tjetrës stinët e vitit, pa ngatërruar radhën. Sejcila, me veçoritë e saj. Ose: kur shterron një burim uji, nuk ka nevojë për të provuar se diku gjetkë ka shpërthyer ujët ose ka rrjedhje të tij. Por, natyra, nuk bën vetëm ekuilibristin; ajo, në të njëjtën kohë bën dhe kompensimin, në mënyrë të përkryer. Pa tentuar të bëj teorizime të konsumuara, e pa u lodhur  t’u mbush mendjen njerëzve, gjithkush ka vënë re se “ tek një njeri që e ka të parët të kufizuar, ndjeshmëria është më e madhe; apo; nëse njëra dorë nuk e ka funksionin ose mungon, dora tjetër është më e fuqishme, etj.

Në Kalivaç të Tepelenës, në shekullin e shkuar jetoi e punoi një burrë me shpirt e shije artisti edhe pse nga të dyja këmbët ishte ulok ( ai i kish këmbët, të dyja, por të pa pazhvilluara). Asim Mehmet Nelaj, zdrukthtari i pashkollë, por me shpirt artisti, e ka lënë emrin, thuajse në çdo shtëpi, kudo ku ka  bërë objekte funksionale dhe zbukurimi.  Me vegla të thjeshta dore, gjysmëprimitive, por funksionale, Xha Asimi, duke dalë mbi kufizimet e fizikut të tij, punoi, me dorë, falë mendjes së tij prej artisti të vërtetë: sepetet e nuseve; djepet ku përkundej jeta; dybekë; fërriçë dybeku; sufra, bucela, vedra, talera, kade, hambarë,furka e druga, petësa; farasha lugësh, musëndra, dollapë , deri bastunë e samarë, për kafshë ngarkese, etj. Ai nuk ishte i vetmi zdrukthëtar në Kalivaç. Gdhendjen e drurit dhe zbukurimet me dru i kanë bërë, me më shumë cilësi edhe: Ago Manxhar Çelaj; Muharrem Nebi Caushaj; Hajri Dule Dulaj; Çelo Ago Çelaj, Haxhi Jonuzi, etj.

Shpirti artistik, tek burrat kalivaças është shpalosur fuqishëm e qartë, edhe në fusha të tjera të jetës. Muharrem Kamber Dëraj, nga Ahmetajt, ishte “ mjeshtër”, për përgatitjen e parmendave, me gjithë aksesorë; Azis Selfo Alidervishaj dhe Shyqo Abedin Hadëraj, kishin “ dorë të mirë” e u zihej çdo shartim; Muhedin Salih Nelaj; Qemal Sherif Zenelaj ( Muçoimaj), Xhemal Idrizi, etj, pa shkuar asnjë ditë në shkollë, ngrinin hipi ( mullarë), me kashtë, me bar, e me lëpushka, me saktësi të madhe e me figura gjeometrike preçize. Ferrik Çobani; Axhem Aliu; Medin Çelaj, Qamil Aliu, etj. u bënë mjeshtër të gdhendjes së gurit; Sadik Xhemali; Veli Canua; Halo Gani Ramaj; Agim Muhedini etj, çelën një etapë të re, për ndërtimin e banesave me mure guri të gdhendur. Fejzo Salikua ; Matush Ademi; Haxhi Aliu; etj. ishin nga më të përkryerit për ndërtimin e kasolleve, me kashtë.

Asim Mehmeti u lind në mëhallën Ahmetaj të Kalivaçit,në fisin me shumë pinjollë të Nelajve në vitin 1885. Nënë Inxhija dhe baba Mehmeti, prindërit e Asimit, ishin kalivaças autoktonë e nga derë e madhe. Mehmeti, babai i Asimit, ishte i biri i Myftarit, nip i Nelos, njërit nga të tre djemtë e themeluesit të mëhallës, Ahmetit.

Çifti Inxhi e Mehmet Salihu lindën dy vajza: Melaten dhe Sadon dhe pesë djem: Pashon; Musanë; Shaqon; Barjamin dhe Asimin. Mehmeti ishte bujk e çoban, denbabaden, kurse Nënë Inxhija ishte shtëpiake. Familjet që rrodhën nga pinjollët e martesës së Inxhisë me Mehmetin, u shtuan dhe formuan një degë të fisit Nelaj. Ata u quajtën Mehmetaj. Pinjollë të këtij damari, sot i gjen mjaft të shtuar dhe në të gjithë botën. Nënë Inxhija, ishte grua e zgjuar, e shkathët dhe me iniciativë. Ajo, kishte fituar përvojë të mjaftueshme në rolin e mamisë popullore dhe ishte në gjendje të priste fëmijë, në lindje normale dhe në raste të vështirë. Ajo grua, e veshur kokë e këmbë me të zeza, me atë shtat mesatar e me duar të shkathëta, më priti, kur erdha në jetë, në atë mëngjes të marsit të vitit 1943, në një kohë kur Xhevit Malkos, të rritur  jetim, i duhej medoemos një djalë, si trashëgimtar. Njoftimi që dha asistentja mami, se Zonja e Madhe e Binajve lindi djalë, gëzoi, jo vetëm familjen dhe fisin, por dhe më tej se kaq.

Familja e Mehmet Salihut kishte mjaft mall e gjë dhe troje, për të ndërtuar. Arishtat dhe trojet kryesore të familjes ishin në faqen e pjerrët, Perëndimore të kodrës mbi të cilën është ndërtuar mëhalla e Ahmetajve. Tokat arë, më produktivet, ishin në vendin e quajtur Margëlliç; në Llagëme  (afër lumit Vjosës; në Gryka dhe në Shure. Familja bujqësore e Mehmetsajve dispononte dhe mjaft krerë bagëti të imëta, të leshta; qe e lopë dhe kafshë ngarkesë. Sa ishin të pamartuar djemtë, familja ishte kompakte dhe banonin në të njëjtën strehë; pas martesës së tyre, çdo djalë e ndezi zjarrin më vete dhe familja u shpërbë.

Sipas traditës vendase shumëvjeçare, prindërit ishin të detyruar të pleqëronin me djalin e vogël të shtëpisë. Mehmeti u nda shpejt nga jeta, në prag të Luftës së Dytë Botërore; Inxhija jetoi, më gjatë. Përveç respektimit të traditës, Asimi, pleqëroi pleqtë, edhe për një motiv të fortë: Ai ishte ulok, nga të dyja këmbët dhe prindërit qëndruan me të edhe për ta ndihmuar. Meqënëse do të pleqëronte prindërit, Asimit i takoi, përveç pjesës së mallit si gjithë vëllezërit e tij, edhe shtëpia me dy kate, anës udhës që zbret në Sheshin e Veldonit, nëpërmjet Brinjës së Qëndret. Shtëpia që i ra në pjesë xha Asimit, ishte e ndërtuar me gurë të bardhë, të gdhendur,  me mur të lidhur mirë, me llaç gëlqere dhe me breza druri, në çdo 0.75 m. Banesa ishte me odë sipër e me katua poshtë. Në katin e dytë, ngjitja realizohej nëpërmjet një palë shkallësh të gurta, të ndërtuara nga jashtë murit. Në krye të shkallëve ishte një shesh pushim ku vendoseshin opingat e të ardhurve. Hyrja në katua realizohej nëpërmjet një porte, me qemer sipër, të ndërtuar me mjeshtëri, me një hark guri të gdhendur bukur.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, më tepër nga pakujdesia e të zotëve të shtëpisë, banesës i ra zjarr e ajo u shkrumbua, plotësisht. Brenda saj, familja, kishte një kaposh me plaçka, të cilat u dogjën, e u bënë shkrumb. Shpëtuannjerëzit dheky idshte fast i madh. Pas djegjes së shtëpisë, xha Asimi, i ndihmuar nga të tijët, ndërtroi një kasolle me kashtë, me përmasat e një dhome të zakonshme, ku u mblodh, me fëmijët që solli në jetë, dhe banoi, derisa u krijuan kushtet për të ngritur një banesë prej guri.

Nënë Inxhija dhe bashkëshorti i saj, Mehmet Salihu, i martuan djemtë dhe vajzat e tyre duke krijuar miaqësi të reja, me fshatarë të trevës, afër Kalivaçit. Disa shkaqe të pranueshme e determinuan këtë zgjedhje, por më kryesorët lidhen me mentalitetin dhe psikologjinë e përafërt të banorëve të këtyre fshatrave me kalivaçasit. Përveç kësaj, afërsia me miqtë e rinj, krijonte lehtësira, për të shkuar tek njëri-tjetri, si në të mirë dhe për të keq. Vajzën e madhe, Melaten, ata e martuan në Sevaster, në një derë të madhe e të fisme, kurse Sadon, e marrtuan me Hysen Mahmut Alidervishaj, në Hysodosaj, me shtëpinë e së cilës, kishin lidhje vizuale. Sadua, nga avllija e shtëpisë ku shkoi nuse, vështronte, me sy të lirë, të gjitha lëvizjet e njerëzve të saj, në Ahmetaj. Edhe nuset e djemve , plaku Mehmet Salihu, i mori në fshatrat kufitarë. Pashua u martua me Ganon, nga Qesarati; Shaqua, me nje nga Çorrushi; Asimin, me Shanikon, nga Dorza . Vetëm Musai u largua nga tradita. Ai, i ndoshur në emigracion, në Anadol ( Turqi), u njoh e u martua me Hysnije kapedanen, nga Kolonja e Gjirokastrës, familja e së cilës, kishte shkuar në kurbet, si ai dhe erdhën, të dy në Kalivaç, me një vajzë 2 vjeçe  (Mushon ).

Pas martesës të djemve, Mehmetajt u shtuan mjaft e nuk mund të qëndronin së bashku, nën të njëjtën çati. Familja e madhe, patriarkale, u shpërbë. Djemtë me nuse u ndanë më vete dhe ndërtuan shtëpi, në trojet e të parëve, në mëhallën Ahmetaj. Trojet e tyre ishin, kryesisht, në pronat e fisit Nelaj. Kufitarë kishin pinjollët e Haxhi Salihut, Jaçe Minos, dhe vëllezërit Ahmet e Novruz Selfos, djem të Selfo Rexhepit. Pra , Salih Myftari i la pasardhësve troje të mjaftueshëm për të ndërtuar banesa, në mes të fisit. Edhe  Musai, i cili u vendos në kufi me Binajt dhe Dërajt, mes kushërinjve ishte. Nga trungu i Nelajve nuk rridhte vetëm fisi i Caqajve ( Hadërajve) dhe ai i Sakajve  (Zenelajve). Sipas traditës, më i vogli i djemve të familjes, pleqëronte nënën dhe babanë. Asimit i ra në pjesë të kujdesej për Nënë Inxhinë dhe baba Mehmetin, i cili u nda shpejt nga jeta. Meqënëse ishte i kufizuar në lëvizje, për shkak të këmbëve të pazhvilluara dhe se do të kujdesej për prindërit, kur u ndanë djemtë, Pleqësia dhe miqtë, i dhanë atij shtëpinë dykatëshe dhe më shumë mall e gjë.

Asimi u lind në fisin Nelaj të mëhallës Ahmetaj të Kalivaçit në vitin 1895. Sipas rrëfimeve të të moshuarve, fëmijëria e Asimit u përcoll si e gjithë bashkëmoshatarëve; madje, si fëmija i vogël i familjes dhe djalë, ai ishte pekul dhe, për këtë shkak mori përkujdesjen e prindëve dhe vëllezërve e motrave më të rritur. Sipas një gojëdhëne, pak të besueshme, në rininë e tij, në veçanti në moshën e adoleshencës Asimi ka patur shtat të zhvilluar e të fuqishëm. Rrëfimi shkon më tej: Tiparet e tij ishin mjaft të pëlqyera dhe tërë qënja e tij ishte simpatike. Në mundjet që zhvilloheshin mes djemve të moshës së tij, në dasma e gosti, apo kur garonin në Sheshin e Veldonit, Asimi dilte gjithnjë fitimtar.  Thonë se kur ai ishte në kulmin e zhvillimit e të bukurisë fizike, e paska parë “ syri i keq” dhe, që atëherë , atij iu “ thanë “ këmbët e mbeti ulok. Ka të ngjarë që kjo të ketë ndodhur në kohën kur Asimi ishte akoma i pamartuar. Në fshastin Kalivaç e më tej, për shkak të të qënit ulok, nga të dyja këmbët, ai njihej me nofkën: Asim Çali.  Meqënëse familja e Mehmet Salihut dhe fisi i Nelajve kishin emër të mirë dhe ndikim të fuqishëm në trevë, rrethi i fuqishëm miqësor dhe vetë familjarët e tij, u përpoqën për ta martuar Asimin, dhe e lidhën me Shanikon, e cila ishte bijë në fshatin Dorëz , të Tepelenës dhe vuante nga sëmundja e parkinsonit.

Mangësisë fizike të kryefamiljarit  Asim Mehmeti, i cili zotëronte ara të shumta e të begata dhe dispononte bagëti të imëta e kafshë pune e ngarkese, nuk e lejonin atë, të menaxhonte punët e shumta, në arë dhe ato për mbarështimin e bagëtive. Prandaj, ai përzgjodhi profesionin e zdrukthëtarit, si i përshtatshëm për fizikun e tij. Profesionin ai e pëlqente dhe ia bëri shërbimin. Fillimisht me projekte të theshtë e me disa vegla pune primitive, Asimi, ditë për ditë i shtoi diçka profesionit të tij. Me shumë vullnet e me mendjen që i punonte për së mbari, Asimi u shndërrua në një mjeshtër të vërtetë, dhe, me shijë artistike, gdhendi lloj-lloj pajisje e orendi shtëpiake. Me vegla primitive ku përfshiheshin: një zdrukth dore; një daltë e një çekiç; një sharrë dore, fare e thjeshtë, me një fletë dhe një palë pinca ( darë), por me shumë krijimtari e fantazi, Asimi, shpejt nxorri nga duart e tij, mrekulli.

Objektet e punës të Asim Mehmetit zdrukthëtar, fillimisht ishin të rëndomta dhe  punët që nxirrte dora e tij, i shërbenin kryesisht familjes. Si fillim ai mësoi të gdhendte trungje për të bërë koreshë, nga ata mbi të cilët shtrydhen ullinjtë, me këmbë e nxirret vaji; bënte pajisje të thjeshta, si vare, sergjenë, sharronte dhoga e bënte orendi të thjeshta,tabutë etj. Me kalimin e ditëve dhe mbasi kishte përparuar në profesion, orenditë e përgatitura nga xha Asimi, u pëlqyen në fis, në mëhallë, më tej, në fshat dhe i kapërcyen kufijtë e tij. Pëlqimi i orendive që dilnin nga duart e tij rritën dhe popullaritetin dhe reklamën për ulokun me zdrukth e sharrë në dorë, që bënte mrekulli. Përmirësimi i cilësisë të orendive, zgjeroi tregun e shtoi gamën e kërkesave për to. Vërshuan kërkesat dhe porositë e uloku siguroi, me mund e me djersë dhe me fantazinë e zhvilluar të tij, mjetet e domosdoshme për jetesë.

Zakonisht, xha Asimi i punonte orenditë e porositura, në kasollen prej kashte që kishte ndërtuar tek lëmi, mes ullinjve kaniniotë, e cila, kur mbyllej nga tymi kthehej në një ferr. Të shumtën e herës, porositë i punonte në shtëpinë e porositësit. Zdrukthëtari pa këmbë nuk mund të gjendej, në vendin ku kishte marrë porosi, as me ndihmën e dy patericave primitive që mbante mevete; atij i duhej një mjet, për të lëvizur nga njëri vend, në tjetrin. Kushtet ishin të tillë që lejonin qarkullimin nëpër rrugët e atyre viteve, vetëm me kafshë dore. Dilte dhe një problem tjetër, i vështirë: xha Asimi, me këmbë të pazhvilluara, nuk mund të ngjitej mbi samarin kafshëve truplartë, si kali, pela, e mushka. Këtë problem, ai e zgjidhi vetë. Bleu një gomar, mashkull, ngjyrë kafe, të pjekur të ulët e të qetë, të cilit mund ti ngjitej më kollaj dhe, i hipur mbi kafshën e “ çjerrë” ( të tredhur), ai lëvizte, nga mëhalla në mëhallë e nga fshati, në fshat.

Praktikisht, çdo familje, sado e varfër të ishte, disa orendi të domosdoshme, për përgatitjen e ushqimit, transportimin e ujit të pijëshëm dhe zbukurimet e domosdoshme, në veçanti të djepeve e sepeteve, duke shtrënguar rripin, i bënte hall. Ku nuk e gjeje xha Asimin? Në Hasanbegaj; në Leshnje; në Bozanaj, në Meçaj dhe në të katër mëhallët e “ Pusit”. Ai ishte i pranishëm, thuajse në çdo vatër kalivaçase. E njihnin edhe fëmijët e moshës kur sapo kishin mësuar të shqipëronin fjalët dhe të çapiteshin, oborreve të shtëpive dhe rrugëve lidhëse, mes tyre. Shpesh ata “cicërrinin” nëpër oborre e në dritare ose , të hipur mbi ndonjë pemë, duke lajmëruar se po vinte mjeshtri. “ Eli xha Asimi, bërtisnin të gëzuar vocërrakët, të cilët, nga bisedat mes prindërve të tyre, kishin mësuar për planet e familjes dhe meziprisnin ti vështronin të realizuara ato. Ai shkonte dhe në disa mëhallë, “të largëta”, e me pak shtëpi, si Margëlliçi; Plira e Ruçit; Saloniqi; Çesma e Thatë; Specova etj dhe në fshatrat e afërt si Krahësi; Toçi; Fratari ; Çorrushi; Kuta; Shkoza; Sevasteri; Dorza, etj kur merrte porosi.

Mbi gomarin e tij të ulët, xha Asimi ngjitej vetë; pa ndihmën e të tretëve. Për ta bërë më të praktikueshëm proçesin e ngjitjes mbi kafshë, në një qoshe të avllisë ( lëmit) e pranë udhës që të largonte nga kasollja e tij me kashtë, ai kishte vendosur një gur, siç bënin rëndom, në ata vite, burrat që shalonin kafshë ngarkese me trup të lartë. Në kompletin e veglave të punës të xha Asimit, të futur në një torbë prej materiali të fortë tekstili, bënin pjesë: Një zdrukth dore, rreth 50 cm, i gjatë; një sharrë dore  njëfletëshe, po aq e gjatë; një sqepar, i mprehur mirë; një çekiç, me bisht të shkurtër, një cmilar ( daltë) dhe një palë pinca ( darë). Veglat e punës i mbante përherë të mprehura, me gri e me stërrall dhe hera herës, me një uruar apo me një copë çelik. Me torbën e veglave, të varur në kaptellin e prapmë të samarit dhe me një copë bukë misri, trazake ose të përgatitur me ujëtëvalë, me çfarë ti ndodhej, Asim Mehmeti, duke punuar shumë vite, ishte bërë si pjesëtar i familjeve kalivaçase dhe më gjerë. Bukën që merrte, në mëngjes, nga shtëpia, e kthente përsëri në darkë, të paprekur.

Po ku e si ushqehej Asim Mehmeti? Të ushqyerit e tij  nuk ishte punë e një dite, por e përditshme dhe që zgjaste mjaf, në kohë.  Atje ku punonte, ai siguronte dhe të ushqyerit. Gratë e Kalivaçit, në çdo kohë janë dalluar për bujari e shpirt të mirë . Ato, si zonja shtëpie e menaxhere të afta të ekonomisë familjare, kishin si të shënjtë dhe bekim bukëdhënien. Në Kalivaç ka qenë e rrënjosur tradita e mirë, sipas të cilës, ustai ( i çdo profesioni) kur punonte në një familje trajtohej dhe me ushqim, sikur të qe pjesëtar i familjes. E zonja e shtëpisë, duke e mireseardhur e duke e  trajtuar ustanë me ushqim, madje më të zgjedhur e më cilësor, nga ai që u jepte pjesëtarëve të familjes, nderonte veten; burrin, familjen dhe fisin.

Xha Asimit i shijonte mjaft zogu me rosnica, si gatim tradicional i kalivaçasve; bulmeti; ( qumështi, kosi, djathi, gjiza, gjalpi, urrëla);  pekmezi e, kur ishte rasti, mishi i pjekur, në saç ose mbi këmbje. Ullinjtë, të kripur dhe vaji i ullirit, ishin mjaft i preferuar e të gjendur, në shtëpitë kalivaçase. Xha Asimi, nuk shquhej si përdorues i alkoolit, por ndonjë duçe ( shishe e posaçme), me raki koçimareje, sa për të shoqëruar ushqimin, e rrokulliste, me dëshirë. Nga goja ishte “ brisk” dhe profesioni e kishte shkathtësuar për të nxjerrë nga goja, në çdo rast fjalën e mirë e urimin e gjetur. I njihte xha Asimi, madje me emra, të vegjëlit dhe të rriturit e fshatit dhe e kishte derën, të hapët, në çdo shtëpi. Mund të pohoj se uloku me shpirt artisti, ishte i brendshëm, në çdo familje. Sipas traditës kalivaçase, ustanë, mbas punës, ose, sipas rastit edhe në mes të saj, familjarët e hidhnin në qoshen e djathtë dhe i bënin të gjitha nderimet që i takonin mikut, pavarësisht se ai ishte bashkëfshatar i tyre.

Nikoqirja e shtëpisë, në mungesë të burrit, kishte për detyrë ta mbante derën “hapur ”dhe ta nderonte atë derë. Duke e bërë këtë, ajo, në të njëjtën kohë nderonte veten dhe të shoqin. Po të ndodhej në shtëpi burri, aimund të therte dhe një mish ( qëngj, kec, dele, dhi etj); këto ishin kompetencë e tij. E zonja e shtëpisë e kishte “ hapin” deri tek therja e një pule fushe ose, e shumta, arrinte deri tek kaposhi i detit. Këto ishin simbolike; mbasi në fakt, rëndësi merrte nderimi i mysafirit dhe këtë kalivaçasi e ka patur në gjak, qysh në kohët e lashta.

Mikpritja kalivaçase, as nis e as mbaron tek gatimet. Kur një i njohur apo i panjohur, i afrohej shtëpisë dhe fliste, në emër të burrit, siç ishte në traditë, apo në emër të djalit të madh të shtëpisë nikoqirja, së brendshmi, pavarësisht nga puna me të cilën ishte e angazhuar, përgjigjej: “ Lepe” dhe më pas, kur i ardhuri pyeste: “ Ku është filani”; ajo, pa u vonuar, i dëftonte dhe e ftonte të futej brenda, me fjalët: “ Zotrote urdhëro, brenda, se filani ( nuk e zinte në gojë emrin e burrit), vjen shpejt. Me të hyrë në avlli, mysafiri, ajo e priste me fjalët: “ Mirëse na erdhe, tu bëfsha, ose të marrsha të keqen, dhe e takon. Po të jetë i ardhuri i njohur ose mik i familjes apo fis i saj, ajo e përqafonte dhe e puthte, në faqe; nëse nuk e njihte, takonte dorën me të e me mirësjellje e ftonte të futej brenda. Ajo e orientonte të sapoardhurin në qoshenë e djathtë, e cila ishtevend nderimi dhe mbasi ai ulej, mbi shilte, e qeraste, me çfarë ti ndodhej dhe e pyeste, sipas rastit. Sipas radhës në rrethin shoqëror e miqësor të familjes dhe sipas “ peshës”, e zonja e shtëpisë, përfillej për të gatuar vaktin më të afërm.

Të qerasurat ishin të ndryshme. Ato vareshin, nga gjendja ekonomike e familjes pritëse dhe nga vendi që zinte, i ardhuri në shtëpi, në rrethin miqësor; pa nënvlerësuar personalitetin e të ardhurit. Sido që të ishte situata dhe gjendja ekonomike e familjes pritëse; një cigare duhan, ishte simbol i mikptritjes. Pas cigares, një gotë raki, më së shumti prej koçimareje, gjithashtu bënte pjesë në simbolikën e mikpritjes kalivaçase. Kur i sapoardhuri kërkonte ujë, në Kalivaç ka funksionuar një “rregull”, i pashkruar, sipas të cilit e zonja e shtëpisë, nuk servirte ujë, por një sapllak me dhallë. Më pas vinte kafeja.  Dikur, para shumë vitesh kur ky produkt gjëndej me vështirësi, në vend të saj, në mjaft familje, servirej sherbet ( ujë me sheqer). Motivet e vizitës të një mysafiri, në shtëpinë e mikut,  ishin nga më të ndryshmit: për të pyetur e për të mësuar për fisnikërinë e një rasti, kur duhet të lidhte një miqësi të re; për ti kërkuar hua apo për të kthyer një borxh qëi kishte i zoti i shtëpisë; kur duhet të nisnin, së bashku një veprimtari, apo përtë marrë një udhë etj.

E zonja e shtëpisë e informonte të ardhurin, mbi vendndodhjen e bashkëshortit dhe kohën kur ai mund të kthehej,në shtëpi etj. Në rastet kur ushqimi ( vakti) ishte gati e i zoti i shtëpisë nuk po kthehej, ustait i servirej ushqimi e, në raste të veçantë, në sufra ulej, së bashku me mikun e fisit, edhe e zonja e shtëpisë. Në këta raste, nderimi për të ardhurin bëhej më i ndieshëm.

Xha Asimi, kur zinte punë në një familje, qëndronte atje, disa ditë, radhazi. Kësisoj, nikoqirja, nuk ishte e detyruar ti zbatonte një për një të gjithë ritet e mirëpritjes, siç veprohej për një mysafir tjetër. Nuk dua ta bezdis e ta ngarkoj lexuesin me teprime por disa gjëra, jam i detyruar ti them. Zakonisht, Asim Mehmeti, punët e zdrukthtarit i kryente në një cep të konakut, të cilin e kishte përshtatur, për të kryer punët e tij. Kur ai merrte në dorë një copë dru ( dhogë), për ta bërë objekt shërbimi apo zbukurimi; përveç që e kishte përpunuar në mendje, qysh më parë projektin, duke prerë apo duke gdhendur drurin, xha Asimi zhvillonte një dialog, me objektin mbi të cilin punonte. Po çfarë i thosh, uloku, drurit mbi të cilin vepronte?

Siç bënin të gjithë mjeshtrit e profesioneve të ndryshëm, fillimisht, ai bënte duanë e punës. Xha Asimi njihej dhe si yshtar. Pa besuar shumë në ato që thosh, ai edhe pa qenë supersticioz, përsëriste, me vete, disa fjalë, të cilat, gjoja sillnin mbarësi. Ai nuk e niste kurrë punën, pa bërë më parë Bismilahi-n. Kishte dhe  njerëz që besonin në profecinë e tij, dhe që i shkonin për ti yshtur, me dhurata simbolike. Siç më kujtohet, nga fëmijëria, Xha Asimi, kur yshtëte dikë, fjalët që shoqëronin masazhin, i artikulonte, me zë të lartë. Ne, të vegjlit që ndodheshim pranë e i dëgjonim fjalët që artikulomte yshtari plak, i përsëritnim ato, jo pa humor, në familjet tona e në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Dialogu mes xha Asimit dhe drurit vijonte gjatë. Ndoshta, në themel të fjalëkëmbimit mes ustait dhe drurit qëndronte proçesi i transformimit të drurit, nga pylli, në një objekt zbukurimi ose shërbimi. Mjeshtri drugdhëndës punonte gjithë ditën në vetmi. Atë kishte shok, për kokë: drurin që gdhendte dhe veglat e tij promitive. “ Je rritur në pyll, i lirë, me shokëshumë, të ka rrahur era e shqota; ke parë e ke marrë diell, pa kufi, ke thithur ajrin e pastër, të pyllit e ke patur të afërm të shumtë, si ti; të preva e po të gdhend, do të ta marr lirinë e pyllit e do të të bëj orendi për të zbukuruar shtëpitë e bashkëfshatsarëve të mi; do të qëndrosh në një qoshe të konakut e, ata që do të hyjnë e do të dalin do të shijojnë e do të kënaqen me bukurinë tënde, kurse ti do të flasësh me vete”.  Shtynte kohën mjshtri, me këtë dialog të improvizuar, por dhe i komunikonte “ viktimës”, dashurinë që ai mblonte për obvjektin mbi të cilin gdhendte. I donte objektet që gdhendte mjeshtri e në çdo objekt fuste diçka nga dashuriae tij, për botën që e rrethonte.

Asim Mehmeti, kishte dhe një prirje tjetër. Në fisin Nelaj dhe më gjërë, ai, në çdo rast, ishte në përbërje të ekipit që përzgjidhej për të përegatitur gatimet e dasmave, daveteve dhe për të përcjellë vakitë. Xha Asimi, si shumë bashkëfshatarë të tij,  kishte privilegjin e njohjes në detaje të trupit të bagëtisë. Si gjithë burrat nga Kalivaçi i Tepelenës, ai edhe pse nuk kishte kryer ndonjë shkollë, ku mësohet anatomia, por jeta e kishte mësuar që, duke therur e rjepur herë pas heree bagëti, kishte mësuar dhe pjesët e trupit dhe si e ku duheshin prerë ato, në mënyrë që të mos copëtoheshin kockat. Në një qoshe, pranë zjarrit bubulak ( në dimër), xha Asimi me një dru mishi përpara gjunjëve dhe me hanxharin në dorë, copëtonte mishin dhe përgatiste hisetë dhe thelat e tij. Në dukje, çështja paraqitet e thjeshtë, por nuk është kështu. Ai që copëton mishin e pjekur në hell, nuk mjafton të dijë vetëm mënyrën e prerjes, por, domosdoshmërisht kërkohet të dijë: Cila pjesë do ti shkojë këtij e atij miku, për ta nderuar atë.  Psh: bishti, shpatulla, gjysma e kokës, nofulla etj, ishin shëpnja dalluese për të nderuar miqtë, sipas “ peshës”, në vargun e miqësisë. Në çdo rast, xha Asimi mbante pranë vajzën e madhe, Xhikon, të vetmen, deri atëherë, e cila ,për fat të keq, nuk e pati jetën të gjatë.

Kamerierët që ishin në shërbim të trapezave, si rregull ishin djem të rinj, të zgjuar e të shkathët,por  që nuk i njihnin mirë miqtë e shtëpisë e nuk e kishin të qartë kujt, çfarë doti çonte përpara. Miqve  “me peshë”, u vihej përpara, në sufra, në një pjatë, thela simbol, që i takonte e shoqëruar me copa mishi, nga pjesë të shijëshme, siç janë brinjët, qafa etj, për të mbushur pjatën dhe stomakun e mikut. Mbasi ndante hisetë, Asimi “ kasap”, në një tepsi, vendoste mjaft thela, sipër pilafit, makaronave apo përsheshit tradicional, lab. Ata që qaseshin në sufra, rrëmbenin thelën që u pëlqente, duke menduar dhe për shokët. Vlerësimin e punës të Asim kasapit e bënte i zoti i shtëpisë, pas përfundimit të evenimentit. Në çdo rast, i kënaqur nga puna e tij e ndershme, xha Asimi, merrte udhën për në kasollen e tij mbi gomarin “ taksi”, i cili i njihte mirë udhët e mëhallës e të fshatit.

Meqënëse ishte me një të metë trupore ( ulok ), Asimit, vëllezërit dhe motrat, fisi, miqësia dhe gjithësa e njihnin shpirtin e tij të mirë dhe duart e arta, e martuan me Shanikon nga Dorza, e cila vuante, që në fëmijëri, nga sëmundja e parkinsonit, e cila, si rregull, nuk transmetohet, nga brezi në brez. U bë dasmë e madhe, në Nelaj.  Jo vetëm për faktin se fisi i Nelajve ishte ishte i shtuar, por dhe për atë që po martohej Asim Mehmeti, një njeri i fismë porfatkeq.

Nga martesa mes tyre lindi një vajzë, e cila nuk i kapërceu 7 vjeçët. Pas saj lindi Kujitimi, bukuroshja  Refije dhe Bajrami. Me ato veglat primitive dhe me punën e tij “ titanike”, Asim Mehmeti, dhe familja e tij  mbijetoi, rriti dhe edukoi fëmijët dhe me kursimet e mbledhura gjatë gjithë jetës aktive, ndërtoi, fillimisht një banesë njëkatëshe të tipit elbasanas, më pas ato u bënë dy, në vendin e quajtur Shure, pranë përroit të Faqekuqes.

Nuk mund të mos u rrëfej një ngjarje të trishtë, e cila ka ngjarë para shume vitesh, por, jehona e saj ka shtegëtuar nëpër vite e na vjen sot, e freskët dhe e dhimbshme. Kur u bë për martesë, Asim Mehmeti dhe bashkëshortja e tij Shanikua, e martuan bijën e tyre, Refijen e bukur, në fshatin Shkozë, përtej Vjosës, Me Avdulin e Abenit. Nga martesa mes tyre, lindi një vajzë, e cila  qysh në moshë fare të vogël, ishte e lidhur shumë pas gjyshërve të saj, në Kalivaç. Ajo vinte shpesh, tek xha Asimi e Nënë Shanikua, në shoqërinë e prindërve të saj. Vajza qendronte në Kalivaç, disa ditë, derisa prindërit vinin për ta marrë. Në një ditë gushti, të vitit 1967, kur vajza ishte rreth 8 vjeç, i ati, me të bijën për dore, kaloi lumin, në vah, tek vendi i quajtur Ullinjtë e Hanit dhe e pruri të bijën, në Kalivaç, tek gjyshërit. Xha Asimi ishte në punë; Nënë Shanikua kishte shkuar në burim, për të mbushur ujë. Dera e shtëpisë ishte e mbyllur, me një dryn, siç i mbyllnin  në atë kohë. Meqënëse ishte kohë e mbledhjes së prodhimeve dhe Avduli, duhet të kthehej në Shkozë, sa më parë, i tha të bijës:  “Qëndro këtu, sa të vijë Nëna” ! Dhe iku, andej nga erdhi. Vajza e parritur, u mërzit nga pritja e gjatë dhe mori udhën, nga kishte ardhur, me babanë esaj. Mirëpo, ku vajti tek lumi, nuk e mbante mend vendin ku ndodhej, vahu e u fut në ujë, vah pa vah. Lumi e mori e vajza u mbyt. Gjëmë e madhe, në të dy pregjet. Pas saj , në jetën e çiftit erdhën fëmijë të tjerë, por ajo brishtësi e pafajshme, që humbi jetën në valët e lumit, kujtohet, sot e kësaj dite.

Vitet rrodhën dhe tek mjeshtri i gdhendjes së drurit Asim Mehmeti, trokiti pleqëria. Mosha, së bashku me mangësinë fizike të tij ishin një barrë e rëndë për këtë të moshuar. Ai, i detyruar, u mbyll, mes katër mureve, por nuk e pati të lehtë këtë gjë. Ishte miqësuar, e ishte i lidhur ngushtë me veglat e tij të mprehta, me të cilat kishte gdhendur dru, gjithë jetën. Asim Mehmeti e kishte  endur jetën e tij, në çdo shtëpi e në obekte të nryshëm zbukurimi. “ I hanin duart “ për punë xha Asimit dhe e kishte kaluar jetën me punë të ndershme, prandaj nuk e ndërpreu punen, por kaloi në “ ilegalitet”. Artisti pa këmbë u nda nga jeta në mes të muajit shtator, të vitit 1988, në shtëpinë që ngriti vetë, në Shure dhe u varros, një ditë mnë pas, në varrezat e mëhallës Ahmetaj, të cilat ndodhen rreth 200m. në Lindje të shtëpisë të tij. Vitet që kanë kaluar, nuk e kanë zbehur aspak jetën dhe emrin e mjeshtrit drugdhëndës. Ai ka lënë gjurmë të pashlyera dhe e ka gdhendur emrin, në çdo shtëpi.

 Në Tiranë, Nëntor-dhjetoir 2016                      

 Shkroi Niazi Xhevit Nelaj 

Shënim: Ky shkrim u inicua e u konkretizua, me këmbenguljen e bashkëfshatarit dashamirës: Sadik Hysenaj, i cili , me qëndrimin e tij këmbëngulës “më çvendosi” radhën e punës!

Në saktësimin e disa datave dhe për gjetjen e fotografisë, ndihmoi nipi i xha Asimit, i cili mban te njëjtin emër e mbiemër!

Në radhë të parë, këtyre të dyve u shkon mirënjohja ime e çiltër!

Autori