Dikush nuk e ka dëgjuar e nuk ia di kuptimin, kësaj fjale; të tjerë, edhe mund ta kenë ditur, por mund ta kenë harruar. Prandaj mendoj se duhet kujtuar, si fjalë e si kuptim.
Prej kohësh që nuk mbahen mend, marrëveshja e qinosisë ka qenë një veprimtari shoqërore, kontraktuale me shumë rëndësi, në jetën e kalivaçasve. Ajo ndeshej jo rrallë në lidhjet e fshatarëve të Kalivaçit mes tyre dhe me fshatrat e trevës përrreth. Qëllimi i kësaj veprimtarie ka qenë thjesht ekonomik e kish vlerën e një kontrate të thjeshtë, sipas traditës vendase. Në ndonjë rast, prapa fasadës ekonomike mund të jenë kamufluar dhe synime të tjera , jo të kësaj sfere të jetës së fshatarëve tanë, por , gjithsesi , kemi të bëjmë me një rastësi, e cila nuk mund të përgjithësohet.
Objekt i qinosisë, thuajse në të gjitha kohët e në të gjithë rastet kanë qenë bagëtitë e imëta: delet dhe dhitë. Më rrallë, qinosia është shtrirë dhe mbi kafshë të tjera shtëpiake, prodhuese ose jo prodhuese si në gjedhët : viçat, lopët, pendët e qeve, e, më pak mbi kafshët e ngarkesës; pelat, kuajt, mushkat apo gomerët.
Palë në një qinosi domosdoshmërisht duhet të ishin dy e më tepër familje agrare, të cilat emërtoheshin qinosarë. Qinosarët futeshin në këtë marrëdhënie pronësie, për shkak të afërsisë gjeografike, për shkak të strukturës së lëndës së parë dhe besimit të ndërsjelltë. Rëndësi merrte fakti që ata që lidheshin me qinosi, ta njihnin mirë e ta pranonin njëri- tjetrin për ortakë. Se, në fund të fundit, në një qinosi, kemi të bëjnë me ortakëri.
Njohja e ndërsjelltë mes ortakëve të ardhshëm lipsej të ishte, sa më e plotë, e thellë, e gjithanëshme dhe e qëndrueshme . Lidhjet rastësore e të sipërfaqëshme, në një qinosi, si në çdo raport tjetër ekonomik, nuk mund të ishin jetëgjata. Të tilla lidhje ishin artificiale, për rrjedhojë, më parë pushonin së egzistuari, sa nisnin të jepnin rezultate.Konsiderohej më e plotë njohja mes palëve në qinosi, kur ato, më parë kanë patur veprimtari të përbashkët ekonomike, kur kishin dhënë e marrë me njëri- tjetrin.
Nuk mund të lidhej e të funksiononte një qinosi mbi baza të shëndosha, në qoftë se mes palëve nuk do të egzistonte besim i palëkundur, i ndërsjelltë. Dihet që prona, e thënë me fjalë të tjera- malli, në rastin tonë- gjëja e gjallë është e lidhur me njeriun me fije të qënësishme dha ka të bëjë me jetën e tij. Prandaj nuk është aq e lehtë ti besohet gjëja –tjetrit.Objekt i njohjes mes ortakëve ka qënë, në radhë të parë ndershmëria e sejcilit. Ortaku e besonte ortakun kur e njihte dhe e kishte ndjerë ndershmërinë e tij; kur kishte provuar çiltërsinë e atij që kërkonte të bëhej qinosar me të, kur ishte në dijeni për aftësitë organizuese e drejtuese të ortakut të ardhshëm, të cilat qenë vënë në provë. Qinosarët mund të ishin të një fisi e të kishin lidhje gjaku, por mund të ishin dhe të “ ftohtë “ e që të mos kishin të bënin me njëri- tjetrin. Madje, në shumicën e rasteve preferoheshin ata që nuk ishin të të njëjtit fis.
Marrëdhënia e qinosisë është një marrëdhënie shoqërore kontratuale e cila jo gjithmonë ishte e parashikuar dhe e rregulluar nga ligjet shtetërore të kohës. Edhe në ato kushte, kur në legjislacion kishte vakum ligjor, qinosia ka funksionuar. Në periudha të caktuara kohore, ajo edhe ka lulëzuar.
Ndërtimi dhe funksionimi i një marrëdhënie qinosie ka qenë i bazuar në të drejtën zakonore të vendit e të kohës. Kësisoj lidhja dhe funksionimi i një qinosie merrte më tepër karakter moral e më pak ligjor. Një tog rregullash zakonore, të njohura e të pranuara vullnetarisht nga njerëzit që kërkonin të futeshin në qinosi, përbënin “ kodin “ që rregullonte këtë marrëdhënie. E thënë më të detajuar, qinosia ka qënë një marrëdhënie e lidhur me besë burri, me shtrëngimin e duarve mes protagonistëve, pa shkresa e kontrata të shkruara ; të firmosura e të vulosura , nga pushtetarë.
Me besë burri caktoheshin kushtet e qinosisë, nga vetë palët kontraktore, madje, me besë burri zgjidheshin dhe mosmarrëveshjet kur ato lindnin në proçesin e zbatimit të marrëveshjes. Rrallëherë palët i drejtoheshin gjyqit apo pleqësisë, edhe kur palët nuk sqaroheshin mjaftueshëm me njëri- tjetrin. Para se të futej në mes gjykata ose pleqësia, me çështjen në konflikt, ishte marrë fisi e miqësia. Autoriteti dhe plotfuqishmëria e mendimit të pleqve, të fisit fisit dhe miqësisë ishte i padiskutueshëm e me efekt për të gjitha çështjet.
Marrëdhënja e qinosisë niste të konkretizohej pikërisht nga shtrëngimi i duarve. Të dyja palët uronin njëri-tjetrin me fjalët: ” Na vaftë mbarë, e ta kemi të pandarë”!Kushtet mbi të cilat ndërtohej një qinosi ishin të thjeshta e të njohura nga komuniteti kalivaças. Dy familjet që kishin vendosur të futeshin në marrëdhënie qinosie, bashkërisht, me vullnet të lirë, e pa u nxituar, caktonin disa kritere e norma mbi bazën e të cilave do të funksiononte lidhja mes tyre. Në praktikë, në Kalivaç të Tepelenës kanë egzistuar raste të ndryshme e forma të larmishme qinosie, të cilat i ngjanin njëra-tjetrës, por nuk ishin e njëjta gjë. Këtu do të përpiqemi të sqarojmë dy nga format më të përhapura të qinosisë:
Rasti i parë, të dyja familjet që dëshironin të lidheshin me qinosi, kishin në dispozicion nga një numër të caktuar bagëtish, të imëta; dhen apo dhi. Numëri i krerëve nuk kishte rëndësi por domosdoshmërisht bagëtitë duhej të ishin në pronësi të familjeve të tyre.Me bagëtitë e tjetrit nuk mund të lidhej qinosi. Në rastin tonë njëri nga kandidatët për qinosar duhet të kishte më tepër bagëti, në krerë, krahasuar me tjetrin, i cili, kuptohet nuk e kishte numërin e bagëtive të të parit.Në këtë rast, familja që kishte më tepër krerë bagëti ishte e detyruar të fuste në tufë dyfishin e krerëve që do të fuste familja e dytë. Në këtë tip marëveshje qinosie raporti i krerëve 2 me 1 ishte i pranuar nga i gjithë komuniteti i fshatit tonë. Me kalimin e kohës, për fshatarët e Kalivaçit të Tepelenës, ky kusht mori qytetarinë e u kthye në një normë të detyrueshme.
Por, për të patur një qinosi të mbarë, vetëm ky kusht, sido që i mirë e i pranuar, nuk mjaftonte. Pas tij rridhnin të tjera kërkesa, gjithashtu qënësore. Të tilla ishin:Bagëtitë që do të përfshiheshin në tufën e të dy ortakëve, detyrimisht duhet të ishin të së njëjtës rracë gjenetike . Kjo kërkesë është e lidhur me faktorët e shtimit të tufës, me prodhimtarinë e bulmetit, me përshtatjen ndaj klimës e kushteve të mbarështimit e, në fund të fundit, me vetë shëndetin “ vitalitetin” e bagëtive. Për të lidhur një qinosi ishin më të preferuara delet dhe dhitë e vendit mbasi ato ishin të ambientuara me kushtet klimateriko-tokësore të fshatit Kalivaç të Tepelenës. kërkesë tjetër, jo më pak e rëndësishme është dhe ajo që ka të bëjë me moshën e bagëtive që do të futen në tufën e qinosur. Bëhet fjalë për detyrimin e palëve që bagëtitë e tufës së përbashkët të kenë moshë të përafërt. Preferohej mosha më produktive e, mbi të gjitha synohej mosha e laktacionit, e cila do të thotë që bagëtitë të jenë kryesisht të seksit femër dhe në moshën e prodhimit e të riprodhimit, pra, nga ato që japin qumësht e “ që shtohen”. Kuptohet, prodhimtaria e bagëtive, qumështi dhe mishi, në çdo kohë kanë qenë qëllimi kryesor i qinosisë por jo i vetmi. Tufa, në përfundim të afatit të marrëveshjes doemos duhet të jetë më e madhe në numër, gjë që vinte nga shtesat natyrale të tyre. Dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet lindjeve. Kafshët e seksit femëror të cilat pillnin 2 e më tepër të vegjël, në çdo rast ishin të preferuara në qinosi. Kësisoj bagëtitë që jepnin më pak qumësht, ato që pillnin të vegjël jo vitalë, ose që shtinin “dështonin” shpesh, si dhe të sëmurat nuk përfilleshin.
Mbasi shoshiteshin të gjithë këta faktorë, kur gjykohej se ata janë të njëjtë (klima, terreni, kullota, vendstrehimi, etj), janë të përafërt, vështrimi hidhej tek çobani, ai që do të kujdesej për rritjen dhe mbarështimin e tufës. Në Kalivaç, në çdo kohë, barinj të zotë ka patur me tepri, ndaj nuk ishte e vështirë të gjendej një i tillë, i përshtatshëm . Barra e anës që do të ishte në rolin e pronarit “atij që do të fuste në tufë më tepër bagëti”, ishte relativisht më e vështirë. “ Pronari” duhet të zgjidhte bariun më të mirë,mes të mirëve në këtë profesion. Zakonisht pranohej të bëhej qinosi me atë që ishte mjeshtër, i kualifikuar e i mirënjohur, si në fshat e më tej për aftësitë profesionale si çoban.
Në mëhallë të ndryshme të fshatit barinjtë mjeshtë në profesionr ishin të shumtë. Në Ahmetaj, psh, si mjeshtër në çobanëri njiheshin : Banush Xhezo Hadëraj, Muhedin Salih Nelaj, Sherif Rrapo Zenelaj( Muçoimaj), Xhevit Malko Nelaj, Dine Xhelal Bejomalaj ( Nelaj), Ahmet Selfo Zenelaj etj. Në Hysodosaj ishin të njohur barinjtë e pasionuar: Nasip Hysen Alidervishaj, Ali Demir Alidervishaj, Kalo Qazo Ramaj, Ahmet Fejzo Pashaj, Mahmut Muharrem Pashaj etj. Në Hasanimeraj dalloheshin: Zenel Jaup Agaj, Shefit Qazim Muharremaj, Aqif Axhem Caushaj, Veip Beshir Hysenaj ; në Beqiraj – Liço Kapo Malaj etj. Në Bozanaj : Shefik Bajram Hysaj, Ago Muharrem Agaj, Resul Myslym Dostaj, Haxhi Ali Hysaj etj . Barinj shumë të specializuar ishin ; Veiz Dano Takaj, Ali Xhelili e Gani Dasho Caushaj, në Hasanbegaj ; Hamza Shesho Mehmetaj në Ruç; Tahir Axhemi e Çoban Dule, në Leshnje etj. Në Meçaj dallohej: Mehmet Saliko Xhaferaj, Tahir Abazi e Sheme Brahimi, nga Xhaferajt etj.Pas krijimit të kooperativës bujqësore në Kalivaç dhe formimit të tufave të saj, pas vitit 1957, u bënë çobanë të mirë të rinjtë: Reshat Resmi Nelaj, Xhemil Banush Hadëraj, Enver Qemal Zenelaj( Muçoimaj), Hydajet Muharrem Dëraj, Eqerem Azbi Xhaferaj etj. Në fakt, qinosia pushoi së funksionuari, pas formimit të kooperativës bujqësore.
Koha e qinosisë ishte e kufizuar. Afati më i shkurtër i këtij aktiviteti ekonomik ishte 3 vjet. Kishte dhe marrëveshje për 5 vjet, për 7 vjet e për më tepër. Si çdo veprimtari prodhuese edhe qinosia duhej të vihej në provë. Afatet e shkurtër e të mesëm, ishin më të preferuarit. Kohëzgjatjen e një qinosie e përcaktonin vetë palët. Ndër kushtet e shumta të kësaj lidhje, afati, shpesh, bëhej përcaktues . Kohëzgjatja e një qinosie varej, para së gjithash nga kushtet në të cilët ndodhej sejcila nga familjet pjesëmarrëse. Në ndonjë rast, akoma pa përfunduar afati i vendosur në fillim të lidhjes, shtyhej me pëlqimin e palëve fillestare.
Familjet në qinosi, caktonin, po me marrëveshje gojore edhe disa kushte të tjerë mbi të cilët funksiononte lidhja. Rregullat kishin të bënin me kujdesin për ruajtjen dhe ushqimin e bagëtive, mënurën e vjeljes të të ardhurave, si bulmeti, leshi, plehut, shtesat në krerë, konsumimi i mishit etj. Në marrëveshje parashikoheshin dhe shpenzimet e nevojshme, për kullotën, strehimin e bagëtive,kujdesi për qentë, numërin dhe cilësimin e kafshëve të ngarkesës, veshjen dhe mbathjen e çobanit etj.
Së fundi, palët kontraktuese përcaktonin dhe mënyrën e ndarjes të bagëtive, kur përfundonte afati i qinosisë etj. Kushtete marrëveshjes, zakonisht ishin të pashkruara e marrëveshja funksionte sipas motivit: ” u tha, u bë”.Përderisa kushtet ishin të vendosura bashkërisht e me vullnet të lirë të të dyja palëve, respektimi i tyre ishte i garantuar nga kontributet e përbashkët të qinosarëve.
Në një qinosi të dyja palët janë bashkëpronarë. Ky është kusht i domosdoshëm, i pëlqyer e i kërkuar. Çdo palë në qinosi, synon të arrijë të ketë pronësi, mbi gjënë, përndryshe as që do ta merrte mundimin. Por detyrat dhe të drejtat e palëve, në një qinosi nuk mund të jenë të njëjta. Pala që fuste në tufën e përbashkët dyfishin e numërit të bagëtive ishte në rolin e “pronarit”; ajo që shtinte më pak do të ishte në rolin e çobanit. Por kurrsesi familja e dytë nuk ishte yzmeqare e të parës. Ajo është bashkëpronare, me detyra e të drejta të ndryshme, nga ortaku i saj.
Bariu kishte për detyrë të kujdesej për ruajtjen, ushqimin dhe strehimin e begëtive. Ai i nxirrte bagëtitë në kullotë e u qendronte pranë, në këmbë, i gatshëm për të ndërhyrë që bagëtitë e tufës të mos bënin dëme në pronat e gjitonëve. Tokat e fshatarëve, para kolektivizimit ndodheshin pranë e pranë; disa i rrethonin, me mjete rrethanore, të tjerë nuk e bënin këtë. Po të bënin ndonjë dëm bagëtitë që ruante çobani, ai ishte i detyruar të çdëmtonte, me mjetet e tij financiare, ose në natyrë. Bariu, gjithashtu, mbante përgjegjësi për strehimin dhe sigurimin e jetës e të shëndetit të bagëtive . Kur çobanit i humbiste ndonjë dele apo dhi ose po ti rrëmbente ujku ndonjë prej tyre, çobani, gjithashtu ishte i detyruar të zhdëmtonte “ pronarin”, në masë 100%. E njëjta gjë ndodhte edhe kur çobanit i gremisej një bagëti nga gremina e ngordhte, kur i mbytej në lumë, ose nga lloha e madhe etj.
Çobani kishte për detyrë të milte bagëtitë që kishin qumësht, e përpunonte atë vetë ose e çonte në familjen e ortakut, sipas marrëveshjes që kishin bërë. Bariu qethte bagëtitë, manipulonte leshin, ushqente e kujdesej për qentë e stanit, ndërhynte kur duhej e me profesionalizëm, gjatë lindjeve të vështira . Detyrë permanente e çobani t ishte kujdesi për shëndetin e bagëtive shëndetliga dhe për mjekimin e për shëndoshjene atyre që kishin nevojë për ndihmë mjekësore. Barinjtë e Kalivaçit të Tepelenës, në përgjithësi ishin “ mjekë popullorë” për gjënë e gjallë. Eksperiencën që kishin akkumuluar në këtë fushë, me shumë pasion përfilleshin për ta vënë në praktikë.
Palës tjetër, të cilën e pagëzuam “pronari”, mbasi shtinte në tufë dyfishin e numërit të bagëtive nuk ishte pa detyrime. Ai nuk mund ti kërkonte llogari çobanit për bulmetin që konsumonte për vete dhe për të ushqyer qentë e stanit. Kur bënin bilançin e veprimtarisë ekonomike të përbashkët, në fund të vitit, në të mirë të çobanit llogariteshin një palë opinga, një palë çorape prej leshi, një triko prej leshi, një ose më tepër kg. Gjalpë ( sipas marrëveshjes), një kokë bagëti, nga ato që janë në tufë, me qëllim që çobani dhe fëmijët e tij të festonin ditën e Bajramit të Madh e atij të Vogël, Sulltan Novruzin etj, për çdo festë fetare. Ishin detyrime të përbashkëta të të dyja palëve; shpenzimet për kullotën e tufës, në dimër e në verë, shpenzimet për strehimin e bagëtive në ambiente të mbyllura e të hapur,si : tenda, vathë, kasolle, haurë etj.si dhe shpenzimet për të blerë ilaçe etj.
Bulmeti nga bagëtitë e përbashkëta përftohej si ta kishin vendosur palët që në fillim të qinosisë. Në disa raste bagëtitë i milte një ditë njëri e një ditë tjetri. Ose dy ditë njëri e një ditë tjetri.Në raste të tjerë çobani kishte si detyrim ti jepte “pronarit “ një kilogram gjalpë për çdo dele, dhi, me qumësht dhe një sasi gjizë, të thatë. Kushtet konkrete që lidheshin me detyrimet e palëve, vendoseshin rast pas rasti, nga qinosarët.Ndodhte që në proçesin e qinosisë kushtet fillestare kishin ndryshuar; atëherë palët diskutonin e vendosnin sërish, në përshtatje me kushtet e reja.
Kur kishte rrjedhur koha e përcaktuar për veprimtari të përbashkët, palët mund të vendosnin për ta shtyrë afatin e marrëveshjes , ose ta ndërprisnin atë. Pra, qinosisë i vinte fundi e ajo “prishej”. Problemi themelor nëkëtë rast ishte ndarja e bagëtive, mes qinosarëve. Edhe në këtë rast, ndarjen e bagëtive të tufës, palët e vendosnin vetë. Nërastin tonë, kur njëra nga palët kishte futur në tufë dy pjesë ndërsa tjetra një pjesë ndarja bëhej si më poshtë: si njëra ashtu dhe tjetra palë do të merrnin gjysmën e krerëve. Bariu, i cili “i ka rritur bagëtitë “,e i njeh shumë mirë ato dhe e bën ndarjen me drejtësi e paanëshmëri , ndjek , këtë radhë pune: në njërin krah veçon një dash; edhe në tjetrin do të vendosë një dash, sipas parimit trë ekuivalencës.Kështu veprohej për të gjitha bagëtitë e tufës. Në këtë rast, i vetmi problem ishte: bagëtitë e sejcilës palë lipset të kishin tregues të përafërt cilësorë.Këtej rrjedh detyra e çobanit, i cili, gjatë viteve të qinosisë duhet të punonte me përkushtim për të bërë unifikimin e bagëtive, d .m.th. të bënte skartimin e bagëtive që nuk përmbushnin parametrat cilësorë. Meqënëse nga ndarja e bagëtive kemi dy grupe përafërsisht të njëjtë, “pronari”, me shpirtgjërësi e frymë kalorsiake i thosh çobanit: “ zgjidh ti kë të duash”. Kësisoj, palët që u lidhën me qinosi, me dashamirësi e me dorë në qafë, ndahen paqësisht, nga njëri-tjetri. Por nuk ndodhte gjithnjë kështu.
Në rastet kur interesat në ndarje nuk puqeshin, çështja i kalonte, për kompetencë- pleqësisë. Pleqësia mund të ishte e fisit, e mëhallës apo e fshatit . Më e pëlqyeshme ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve brendapërbrenda fisit, në mënyrë që punët e fisit të mos nxirreshin në “Pazar”.Vendimi i pleqësisë ishte i detyrueshëm. Rrallëherë ka ndodhur që çështjet e qinosisë të bëheshin objekt i gjyqeve të shtetit.
Rasti i dytë ishte kur njëra nga palët donte të futej në qinosi por nuk dispononte bagëti. Atëherë, të gjithë numërin e begëtive të tufës e vendoste pala tjetër. Në këtë rast ndryshonin vetëm detyrimet e palëve dhe raporti në porcionet e bagëtive, kur qinosia përfundonte. “Pronari”, ai që fuste në tufë të gjitha bagëtitë, i paguante çobanit; në të holla ose në natyrë, 1/3 e shpenzimeve dhe merrte gjysmën e të ardhurave. Ndarja e bagëtive, në fund të qinosisë bëhej në raportin: 2 pjesë “pronari”; 1 pjesë çobani . Kur çobani, për nevojat e familjes së tij kishte prishur :”therur, shitur, dhuruar etj”. një dele apo një dhi, “ pronari “ shënonte, për llogari të tij 2 krerë. Në përfundim të qinosisë, palët bënin bilançin e shpenzimeve dhe të ardhurave.
Qinosia është një veprimtari e mirëfilltë ekonomike, por vlerat që ajo barte nuk ishin vetëm të tilla. Qinosia pasuronte vlerat shpirtërore e morale të njerëzve. Lidheshin dy familje, njiheshin më mirë, miqësoheshin e përkrahnin njëra-tjetrën; pse jo, pasuroheshin dhe ndryshonin jetesën e familjeve të tyre. Rastet e qinosisë në Kalivaç të Tepelenës kanë qenë të shumta, të ndryshme e me afate jo të njëjtë. Me më shumë efektivitet e jetëgjatësi kanë qenë qinositë mes bashkëfshatarëve: Ahmet Selfo Zenelaj me Sihat Kanan Maze nga Shkoza ; Breshan Fejzo Bejomalaj( Nelaj) me Muharrem Hasan Nelaj ; Xhevit Malko Nelaj me Muharrem Haxhi Hysenaj ; Sherif Rrapo Zenelaj me Ahmet Fejzo Pashaj ; Ali Xhelili me Gani Dashon, nga Specova ; Zenel Jaupi me çizo Selfon ; Muhedin Salihu me Fiçorr Metushin, nga Sevasteri; Mahmut Muharrem Pashaj , Peço Menkshin, nga Zagoria etj. Sot, qinosia, jo vetëm që nuk praktikohet e i ka ikur koha por shumë të rinj nuk e njohin fare.
Tiranë, më 24 dhjetor 2011, shkroi Niazi Nelaj