Tahir Muharrem Nelaj (1937-2003). Në gjurmët e të atit

(Qytetar nderi i komunës së Krahësit; pas vdekjes)

13626547_294420427572517_1750246605542415001_n

Çdo periudhë kohore nxjerr heronjtë e saj e krenohet me ta.  Me bëmat e tyre krenohen ata që janë të një gjaku, por jo vetëm. Heroizmat e heronjve, dëftohen, rëndom, jo pa mburrje e ekzagjerime, në kohën kur ata janë në jetë e sidomos, pas largimit të tyre nga kjo botë. Ka raste kur heroizmi përsëritet e jehona e tyre zgjat shumë. Në raste të ngjashëm, njerëzit e identifikojnë një periudhë kohore, me emrin e heroit kryesor të saj. Besoj keni dëgjuar të tillë identifikime, si: “ Në kohën e “ x”-it apo të “Y”, ishte kështu e veprohej ashtu. Përgjithësisht, aktet heroikë nuk mbeten pa u zbukuruar e pa u hiperbolizuar, dhe, disa herë, protagonistëve u thuren lavde e u “ vishen” bëma që nuk i kanë bërë. Duke iu referuar Historisë të Re, nuk mund të mohoj e të kundërshtoj rolin thelbësor të ndikimit të prejardhjes, në karakterin e një njeriu.

Në Kalivaç të Tepelenës, njerëzit e besojnë e nuk e besojnë ndikimin e genit në tiparet e banorëve të fshatit të tyre. Në këtë trevë, sundues është  opinioni, sipas të cilit: “ ky është i fisëm e ai tjetri, jo dhe aq”. Kur dëgjojnë mbi ndonjë akt heroik, kalivaçasit, si me përtesë pyesin: “ kush e bëri”? dhe kur marrin përgjigjen, thonë, të sigurt në atë që pohojnë, se: “ tek ka rrjedhur, do të pikojë”! Ky konkluzion filosofik është vetëm një pohim i natyrës kalivaçase. Po të përpiqesha të shprehesha me të tjera fjalë, mesiguri që do të përsëritja veten, se trimëria, heroizmi dhe burrëria, janë bashkëudhëtare të një kalivaçasi. Parë në një tjetër këndvështrim, mund të pohoj se këto tipare zhvillohen në vetë qënien e një banori nga Kalivaçi, thuajse në fshehtësi e  se shpërthimi i tyre ndodh kur vjen çasti i volitshëm; më së shumti, kur atë e thërret historia. Në çastin kur duhet, avra që djeg përbrënda, shpërthen e kthehet në një zjarr përvëlues.

Kalivaçasit, si njerëz me karakter të fortë e me tipare të qënësishme, kanë dhe guximin për ti parë ndodhitë në sy, dhe, pa marrë parasysh rreziqet, me veprimet e tyre heroike, dalin në ballë të situatës që krijohet, duke u dhndërruar në lider guximtar. Aq e vërtetë është kjo, sa, banorët rreth trevës kalivaçase, i kanë etiketuar, me dashamirësi banorët e fshatit tonë si kokëfortë e këmbëngulës. Kur duan ta shmangin ballafaqimin me një kalivaças, të tjerët thonë: “ Mos u merr me atë; ai është kokë Kalivaçi”! Nuk është vendi të merrem me skjarimin e këtij etiketimi, tjetër gjë dua të bëj të ditur në këtë shkrim. Jo se lexuesi nuk e di, por ngaqë kanë kaluar shumë vite e ajo ngjarje heroike, e cila na zbardh faqen , të gjithëve, nuk duhet të pluhuroset, ca më tepër nuk duhet harruar.

Trimat dhe bëmat e tyre trimërore, në çdo kohë nderohen e atyre u thuret lavdi, e merituar. Një djalë i thjeshtë nga Kalivaçi ynë, me emrin Tahir Muharrem Nelaj, në kaptellin e viteve ’60 të shekullit që lamë pas, e ngjiti lavdinë kalivaçase në maja të larta e në nivele të pakapura, jo vetëm në trevën por dhe në vendin tonë arbëror. Vera e atyre viteve, erdhi mbi Shqipëri, dyfish e nxehtë. Temperaturave të larta të stinës, iu shtuan ato artificiale, të cilat kishin të bënin me prishjen e ekuilibreve në Kampin Socialist, që u pasua me acarimin  e vënjen në “thikë e në pikë” të marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe vendit tonë.

Në ato ditë të nxehta gushti, kur sytë e shqiptarëve, ishin drejtuar nga Vlora me histori, e konkretisht nga Pashalimani, ku luhej një “ lojë” e ndyrë, në dukje e qetë por që zjente përbrënda dhe ishte e mbarsur me hile, me mosbesim,me urrejtje e pabesi. Bëhej lojë nervash, sikur të luante macja me miun. Në pak kilometra katrorë tokë e ujë ishin vënë në peshoren e fatit dinjiteti dhe integriteti i Shqipërisë. Në “ fushën e betejës” ishin vënë përballë njëri-tjetrit : “ Perandoria “ e carëve të rinj, me 200 milionë hordhi, kundrejt 1.5 milionë shqiptarëve, të cilët ishin ngritur në mbrojtje të nderit të Nënës. Ishin kohë heroike dhe, heroizmi i tanëve ishte masiv. Të gjithëve, atyre që ndodheshin në atë bazë luftarake-detare, në dejet e të cilëve  vlonte gjak shqiptari, u shkëlqenin sytë e u gufonte zemra nga gatishmëria për t’u hedhur në zjarr, në mbrojtje të çështjes tonë të madhe- nderit dhe dinjitetit shqiptar. Duheshin mbrojtur, me çdo çmim, qoftë dhe me jetë, nëndetëset dhe anijet tona luftarake, të cilat ishin pasuri e popullit dhe për to kishin sakrifikuar breza të tërë shqiptarësh. Detarët tanë, ndesheshin me ligësitë, dredhitë, pabesitë dhe lloj-lloj poshtërsish, përditë e në çdo hap. Ata ishin vazhdimisht të provokuar por, me durime gjakftohtësi dhe duke shtrënguar nofullat, e përballuan atë situatë të nderë, me rregull, disiplinë e vigjilencë të lartë; siç ishin të porositur.

Kryefjalë e heroizmit shqiptar u bë akti i guximshëm i djalit nga Kalivaçi i Tepelenës, Tahir Muharrem Nelaj. Tahiri, sapo kishte mbushur, 21 vjeç e ishte duke kryer vitin e fundit të shërbimit dhe ishte  “trim me fletë”.  Ai kryente detyrën e detarit të vitit të katërt, në Brigatën e nëndetëseve; shifrant i saj. Atë ditë, Tahiri dhe dy shokë të tij, po qëronte patate, në kuvertën e bazës lundruese “ Tomorri”, e cila ishte anije e palës tonë. Sipas marrëveshjeve mes palëve, atë ditë flamuri që do të ngrihej në bazën lundruese, duhet të ishte flamuri ynë kombëtar. Pala sovjetike, në vazhdën e punëve të këqija e të provokimeve nga më të ndryshmet, atë ditë shkeli marrëveshjen dhe ngriti, në direkun e bazës lundruese “ Tomorri”, krahas flamurit tonë, edhe atë të shtetit të sajuar sovjetik.

Detari Tahir Muharrem Nelaj, nga pozicioni ku ishte duke qëruar patate, pikasi prapësinë e “ miqve” dhe, pa pyetur njeri e pa marrë asnjë urdhër, i hipi gjaku në kokë, u fye rëndë në sedër dhe brofi, në këmbë e u sul drejt direkut të anijes, me thikën e patateve në dhëmbë. Shtangën detarët e të dyja palëve dhe po vrojtonin veprimet e detarit shqiptar. Tahiri, me duar e me këmbë e me thikën në dhëmbë iu qep direkut të anijes dhe, kur u ndodh në kulmin e tij,  preu cimën, mbi të cilën mbahej flamuri i huaj, i cili ra në kuvertën e anijes, sikur të ishte leckë. Flamuri i bukur, me ngjyrën e gjakut e me shqiponjën dykrenare u valëvit, siç i kishte hije; madhështor e “ fitimtar”, mbi intrigat dhe pabesitë e “ miqve”.

Ngjarja heroike dhe veprimet e guximshme, me iniciativë të Tahir Muharrem Nelaj, bënë mjaft bujë e u kthyen në komentin e asaj dite. Sovjetikët u tërbuan e zemërimi i tyre  shkoi deri në veprime agresive, hakmarrëse. Nuk mjaftonin provokimet e përditshme, intrigat, puna nën rrogoz, fyerjet dhe dëmtimet e mjeteve tona lundruese, por kaluan dhe në ndëshkim fizik të autorit të këtij heroizmi të rrallë. Ushtarakët sovjetikë, me porosi të udhëheqjes së tyre, synonte ti çonte marrëdhëniet mes palëve deri në atë pikë sa të rrëmbenin nëndetëset dhe mjetet e tjera lundruese tonat e tja mbathnin, siç dhe ia mbathën, “me bisht në shalë”. Detarët tonë, të sigurt në drejtësinë e kauzës së tyre, u dëftuan jo vetëm qëndrestarë gjakftohët e të vendosur, por,me heroizëm, siç veproi Tahiri, i dëftuan superfuqisë megallomane se “ ky vend ka zot”. Djemtë e popullit të thjeshtë i dolën zot fateve të trojeve amëtare dhe mjeteve lundruese.

Më vonë do të kemi mundësi ta shtjellojmë në detaje, heroizmin e djaloshit 21 vjeçar nga Kalivaçi i Tepelenës; Tahir Muharrem Nelaj; tani le të njihemi pak me anën biografike të tij.

Tahir Muharrem Nelaj, u lind në fshatin Kalivaç të rrethit të Tepelenës, në vitin 1937. Familja ku ai u lind, ishte e njohur për atdhetari e ishte e nderuar, në fshat e më gjerë. Ardhja e tij në jetë, pas djalit të parë të qelizës familjare të Memes dhe Muharrem Hasanit, Dajlanit, i gëzoi prindërit e tij, fisin e miqësinë. Pas tij, vatra fisnike u mbush me fëmijë të tjerë. Erdhën në jetë, njëri pas tjetrit: Skënderi; Sadiku dhe e vogla e familjes, Rubija bukuroshe, e cila nuk e pati fatin ta njihte babanë.

Muharrem Hasani,  babai i Tahirit, në atë kohë ishte nga të paktët kalivaças që mësoi të shkruante e të lexonte në gjuhën shqipe. Ai u fut në kursin afatshkurtër që hapi mëhallaliu Demir Rrapo Zenelaj  (Muçoimaj), kur u kthye nga emigracioni në Boston, në kaptellin e viteve ‘ 20 të shekullit të shkuar. Demir Rrapua, një burrë i ditur e atdhetar, anëtar i shoqatës “ Vatra” të Bostonit, u kthye nga emigracioni për t’u mësuar gjuhën shqipe bashkëfshatarëve. Muharremi ishte njëri nga 16 kursantët e zellshëm, i cili mësoi me këmbëngulje të shkruante gjuhën e folur shqipe.

Muharremi ishte djalë i vetëm i dy prindërve autoktonë kalivaças: Lules dhe Hasan Sadikut, nga fisi i Nelajve. Lidhja e tij, me martesë me Memen, një grua kapedane, nga derë fisnike, nga fshati Keçerisht i Zhabokikës Nr 2 të Tepelenës, e mbushi me fëmijë atë derë, në të cilën njerëzit ishin të pakët, kurse malli – i shumtë.

Kishte zënë vendin e një tradite të mirë, praktika shumëvjeçare, sipas të cilës, një djalë, nga Kalivaçi, kur bëhej për nuse, i hidhte sytë nga fshatrat e malsisë të krahinës së Buzit e më gjerë. Gjykohej se vajzat e kësaj treve ishin nikoqire, të pastra, të pashme dhe gatuanin me shijë. Memja e Muharrem Hasanit i mishëronte të gjitha këto tipare. Ajo, ishte e shëndetshme dhe e pashme dhe solli në jetë e rriti 5 fëmijë, të cilëve u kuqonte faqja.

Tahiri, vërtet erdhi në jetë pas “ bukës së parë”- Dajlanit, por, për shkak të zgjuarsisë dhe shkathtësisë që shfaqi qysh në fëmijërinë e herëshme, ai fitoi statusin e “ pekulit” të familjes. Prandaj, djali i dytë i Muharrem Hasanit, u rrit e hodhi shtat, shpejt, nën kujdesin e Memes, të Muharremit dhe të gjyshes së tij Lules, që e donte shumë. Për cilësitë që renditëm më lart, Tahiri fitoi dhe dashurinë e gjitonëve të familjes: Muhedin Salihut dhe Zybës; Xhemal Haxhiut dhe Hyrisë; Nezir Isufit dhe Këzes; Nënë Bejekos e kunatës së saj Lalasë të Isuf Jaçes etj.

Kur ishte i vogël, Tahiri luante, tek Kryeja e Shtëpisë, me moshatarët e tij: me Abazin e Salih Haxhiut; me Kadrinë e Isuf Jaçes; me Sabrinë e Breshan Fejzos; me Kasëmin e Xhemal Haxhiut e me të tjerë djem të moshës së tij. Kur ai luante në shoqërinë e tyre, bashkëmoshatarët e kishin për zemër ta zgjidhnin si  lider e tja dëgjonin fjalën. Përparësitë e tij, në krahasim me shokët ishin: zgjuarsia e spikatur natyrale; shkathtësia; Bujaria e shpirtit dhe mirësia.

Kur u mëkëmb e mund të çapitej pas të atit, Muharremi e merrte me vete djalin e dytë kur shkonte për të punuar në arat e familjes: në Shure; në Margëlliç;në Bishtje; në Xina; në Rredhe;; në Stanje; në Fëngje dhe në Rile. Tahiri, i shkathët e i zhdërvjellët nga trupi, bridhte nëpër plisat e ugarit, pas punimit të tokës nga i ati. Duke bredhur nëpër plisa, ai, herë ngrihej e herë binte sërisht, derisa dilte në fund të lesë ( brazdës). Në kohën kur korreshin të lashtat, Tahirin e dalloje me vështirësi, nëpër demekët e grurit  apo të bimëve të tjera graminaçe.

Vajtja në arë, pas të atit dhe interesimi për punët e bujqësisë, kalitën tek djali i parritur i Muharrem Hasanit dashurinë për punën dhe e kaliti atë fizikisht. Në punë e sipër, Tahiri mësoi e njohu, gjitonët me të cilët kishte lidhje kufitare, në arat e familjes. Edhe pse ai vetë nuk mund të merrte pjesë aktive në proçeset e punës; Tahirit të vogël iu ngulit fort në mendje rropatja e prindërve të tij, në punët e arave, për të siguruar bukën e gojës.

Duke shkuar në arat e shumta e larg njëra-tjetrës, ditën dhe natën, Tahiri “ vrau frikën” nga egërsirat e pyllit dhe nga zvarranikët grabitqarë, përfshi dhe gjarprinjtë, të cilët i pritnin udhën kur shkonte i vetëm në arat ku punonte babai i tij. Kësisoj, Tahiri u rrit e u burrërua e u bë guximtar, para moshatarëve të tij.

Në familjen e Muharrem Hasanit vinte shpesh luftëtari i regjur i luftërave për liri, komandanti i njësiteve partizane, qysh nga formimi i tyre, Sulo Beqir Sulaj, i cili kishte nënën ( Hanko Sadiken), nga ajo derë e madhe. Sulua ishte nga Hysodosajt; ai  ishte mjaft i preferuar, në familjen e kushëririt të tij të parë, Muharremit, dhe në të gjithë fisin e Nelajve. Nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Sulo Beqirit Muharrem Hasani, shpejt përqafoi idetë e Luftës Nacionalçlirimtare e u bë pjesë e saj. Të dy burrat ishin atdhetarë të flaktë dhe pushtimi fashist i vendit tonë kishte prekur, atje ku nuk mban më; në ndjenjat e tyre të pastra të dashurisë për Shqipërinë.

Të ulur këmbëkryq mbi shiltetë e thurura me mjeshtëri nga duart e shkathëta të gjyshes Lule, kushërinjtë e parë, të ngrohur pranë zjarrit kalafak, të cilin e ushqente me dru ulliri e me shumë dashuri, Memja e papërtuar, kuvendonin për punët e Luftës Nacionalçlirimtare, e cila ishte në hapat e parë. Tahiri i vogël, pa shqetësuar dy burrat, afrohej, pa u ndjerë, me shkathtësinë natyrale që e karakterizonte, tek gjunjët e të atit, bëhej sy e veshë dhe i vështronte burrat në sy, për të përthithur  sa më shumë informacion, nga goja e tyre.

Babai i Tahirit, Muharrem Hasani, nën ndikimin e Sulo Beqirit, doli partizan dhe u inkuadrua në formacionet luftarake të Brigatës së 5-të Sulmuese të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Ai ra dshmor i kësaj lufte, në luftimet që u zhvilluan në kodrat e Hysoverdhit, në Mavrovë, kundër gjermanëve dhe veglave të tyre, në muajin qershor të vitit 1944. Skuadërkomandanti partizan- Muharrem Hasan Nelaj, kur ra, në fushën e betejës, në krye të partizanëve vullnetarë, në një aksion luftarak të pabarabartë kundër foecave armike, la pas pesë fëmijë; të gjithë për  bukën e gojës. Ai la pas nënën Lule, e cila e kishte djalë të vetëm dhe e vështronte si “ dritën e syrit”, la pas vejushën Meme, në moshë mjaft të re, të bukur e të shëndetshme dhe mjaft mall e gjë, të cilat i kishte trashëgim, nga të parët e tyre por që i veseliti e i shtoi, me duart e tij.

Kur u vra Muharremi, Tahiri ishte 6 vjeç. Lufta Nacionalçlirimtare po shkonte drejt përfundimit e çlirimi i Shqipërisë ishte në prag. Rënja heroike, në fushën e burrave, e Muharrem Hasanit, i shtoi hallet e familjes së tij. Memja sojlleshë, e mbetur vejushë në kulmin e moshës e të energjive, lidhi në kokë shaminë e zezë, si ogur domethënës; i bëri nderet e merituara të shoqit dhe mblodhi rreth vetes fëmijët e parritur, si klloçka zogjtë e saj. Ajo, e mbështetur fort, tek fisi i burrit e në veçanti tek miqtë e shumtë e të fuqishëm ekonomikisht të familjes dhe u përfill për të rritur bonjakët që i la ai “çikë” burrë.

Historia e familjes të Muharrem Hasanit, është e veçantë dhe e rrallë. Ai ishte kryefamiljar, djalë i vetëm dhe doli partizan, duke lënë pas pesë fëmijë, të cilët kishin mjaft nevojë për praninë dhe për punën e tij. Por Muharrem Hasan Nelaj, vuri lirinë, mbi shtëpinë dhe doli malit, partizan e ra, për lirinë e ëndërruar.

Çlirimi i Atdheut, e gjeti bonjakun Tahir Nelaj, 7 vjeç. Kishte moshën kur duhet të ulej në bankat e shkollës; në klasën e parë. Por, në Kalivaç, në atë kohë nuk ishte çelur akoma shkolla dhe dëshira e zjarrtë e djalit të Muharremit për të mësuar,nuk mund të realizohej. Muharrem Hasani u shpall:  “Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare” dhe pushteti i ri, i dalë nga lufta, lidhi pension për familjen e tij dhe hodhi dorën tek bonjakët.

Në vitin shkollor 1946-1947, si bir dëshmori, Tahiri u pranua në shtëpinë e fëmijëve, në Shkodër ku u ul në bangat e klasës së parë. Për bonjakun nga Kalivaçi i largët, në Shkodër, nisi një jetë e re, plot sfida. Shteti i kohës, i siguronte atij kushtet e jetesës, gratis: Ushqimin, veshmbathjen, strehën dhe të mësuarit, të cilat Tahiri i kishte të garantuara. Këto ishin me shumë vlerë në jetën e nxënësit të fillores, nga Kalivaçi i largët, por, atij i mungonte diçka mjaft e çmuar: familja, fshati, të afërmit, shokët dhe miqtë e tij. I vetëm, i parritur e larg të tijëve, Tahirin “e përvëloi malli” për Memen, Xhixhon; vëllezërit: Dajlan, Skënder dhe Sadik , dhe në veçanti për motrën e vetme, të voglën Rubije, e cila mbeti jetime akoma pa ardhur në jetë dhe në mes të vëllezërve ngjante si një kukull e bukur.

Në shtëpinë e fëmijëve, në Shkodër, Tahiri u njoh e u miqësua me mjaft fëmijë, të  ardhur nga treva të ndryshme të vendit dhe që përfaqësonin kultura, mënyra jetese e prirje të ndryshme. Siç ndodh rëndom dhe me të rriturit, fëmijët e klasës ku bënt pjesë Tahiri e ata të shtëpisë të fëmijëve, në kuadrin e njohjes me njëri-tjetrin pyesnin: nga je ti e kë ke lënë në shtëpi? etj. Tahiri, me krenari, plot gojën u dëftonte moshatarëve se ishte nga Kalivaçi i Tepelenës dhe u fliste bashkbiseduesve për fshatin e tij të dashur e për njerëzit që e popullonin atë trevë. Falë zgjuarsisë natyrale, shkathtësisë dhe mirësisë që kishte në shpirt, të cilat i kishte trashëguar nga geni e i kishin ardhur si dhuratë e natyrës, Tahiri u integrua shpejt në bashkësinë e re  dhe në jetën e strehës jetimore të Shkodrës. Ai u shqua në mësime e ishte nga nxënësit më të përparuar të shtëpisë të fëmijëve. Falë tipareve të veçanta, të tij, Tahir Nelaj, shpejt doli në krye të veprimtarive që organizoheshin me moshatarët e tij.

Duhet thënë se vitet që kaloi në Shkodër, për djalin e vogël Tahir Nelaj, nga Kalivaçi i Tepelenës, ishin vite të rritjes e zhvillimit të tij por dhe një periudhë e rëndë trishtimi, e ngarkuar me vuajtje shpirtërore. Ishte i parritur dhe e merrte malli, shpejt e për çdo gjë që kishte lidhje me fshatin e tij. Për shkaqe që dihen, në atë kohë, qarkullimi i njerëzve nëpër Shqipërinë tonë të dalë nga lufta copë-copë, kur komunikacioni ishte mjaft i rrallë e i prapambetur dhe vendi përshkohej nga lumenj të shpeshtë e të rrëmbyeshëm, ishte mjaft i vështirë. Edhe komunikimi me letra, telegrame e mjete të tjera, ishte thuajse i pamundur. Kalivaçin, nga Shkodra e ndanin shumë kilometra rrugë dhe kalivaçasit shkonin në Shkodër, vetëm kur i zinte halli.

Në katër vjet të shkollës fillore, 1946-1950, Tahiri i mitur, jo vetëm që nuk shkoi pranë familjes asnjë herë, por nuk çoi e nuk mori asnjë njoftim. Ishte një situatë e vështirë, për të dyja palët. Memja vejushë dinjitoze, e dinte si e duronte zemra e saj prej nëne, mungesën e gjatë të djalit të saj të dytë, të cilin e shkëputi nga fëmijët e tjerë, me dhimbje dhe e përcolli me lot, në një kohë kur ai kishte shumë nevojë për kujdesin dhe përkëdhelitë e nënës së gjirit.  Vetëm një shpirt, ai i Tahirit, i dinte vuajtjet shpirtërore që përjetoi në ato kohë dhe mallin e padëftuar për të tijët që kishte lënë në Kalivaç të Tepelenës e më gjerë.

Siç dëftonte vetë Tahiri: “ Më mbante shpresa se një ditë do të ulesha, së bashku me vëllezërit dhe motrën, rreth Memes, në mesoren ku na mblidhte gjyshja e dhimbsur, Lulja e Hasan Sadikut, të cilës,  sipas traditës vendore, i thërrisnim Xhixho. Në kujtesë kisha të fiksuar imazhin e vëllezërve, të motrës dhe të Xhixhos e të Memes. Portretet e tyre nuk më ndaheshin, edhe kur flija. Më dilnin në ëndërr e më dukej sikur më thoshin: “ Qëndro, si burrat, o “përçori ynë”, se prap do të behemi tok”. Tahirit i fanepsej imazhi i Dajlanit dhe fytyra e Sadikut, të cilët i shëmbëllenin me babanë dhe portreti tërë nur i Skënderit e i Rubijes  që ngjanin si dy pika uji me nënën, Memen. Jetoja, në çdo çast me imazhin e tyre dhe kjo ishte një shtysë që më çonte përpara” Më tej, Tahiri vazhdonte:

“ Në klasë e në shkollë, kisha dhe mjaft shoqe e shokë, të mirë , të cilët ndanin me mua lumturinë e tyre”.

Vetëm në verën e vitit 1950, kur Tahiri kishte përfunduar klasën e katërt të shkollës fillore e ishte me pushime verore, në kampin e pionierëve, në Shirokë, atij iu krijua mundësia të dërgonte një letër, me  fjalë të kursyera, në shtëpinë e tij, në Kalivaç të Tepelenës. Letrën ia  shpunë Memes e cila nga padurimi ia dha Skënderit, djalit të tretë të saj, i  cili sapo kishte përfunduar klasën e tretë fillore dhe me vështirësi lexoi: “ Ndodhem në Shkodër, jam mirë, por më ka marrë malli shumë”! Memja, e përvëluar nga malli për të birin e mërguar, e mbajti vrapin tek pleqtë e mënçur të fisit Nelaj dhe kushërinjtë e tyre, në mëhallë. Në fillim ajo vajti në shtëpinë e Musa Mehmetit i cili kishte statusin e të parit të fisit. Pastaj foli me Muharrem Kamberin; me Xhemal Haxhinë; zbriti tek Ahmet Selfua e bisedoi me Mane Tafilin e me burra të tjerë, të mënçur të fisit e të mëhallës.

Kudo ku trokiti e me cilindo që bisedoi, Ajo mori  opinion in që ngjante si urdhër: “ Dërgo njeri në Shkodër që të marrë djalin”!-  Kjo ishte përgjigja e pleqve mentarë, me të cilët e pleqëroi gjënë vejusha fëmijëshumë. Dhe ajo reagoi, menjëherë. Trokiti në derën e njeriut të urtë e të mirë, punëtorit pa fjalë, mëhallaliut të papërtuar, Hysni Metë Dëraj , i cili ishte kushëri i të ndjerit burrit të saj. Memja i paraqiti situatën xha Hysniut e i kërkoi ta ndihmonte. Plaku zemrëmirë Hysni Meta, nuk e bëri të gjatë; u ngrit në këmbë, sikur do të bënte një betim e tha: “ Do të vete ta marr unë Tahirin”!  Të nesërmen, herët, në mëngjes, mbathi një palë opinga të sakta, hodhi në krah torbën me bukë dhe,  duke gjykuar sikur të ishte djali i tij i vetëm Jashari, mori udhën për në Shkodër. Duke rrugëtuar herë në këmbë e herë me ndonjë automjet të rastit, me të pyetur, xha Hysniu mbërriti në Shirokë dhe e gjeti djalin e Muharrem Hasanit, Tahirin, në mes të shokëve e shoqeve të klasës së tij, buzë liqenit.

Pas dy javësh, me Tahirin  për dore, Hysni Meta, u shfaq tek lëmi i Dajlanit dhe u afrua, pa u ndjerë tek shtegu, në hyrje të avllisë. Dita ishte në të ikur e hijet kishin nisur të pushtonin fshatin. Memja ishte në shtëpi e Lulja ishte kthyer nga fusha. Duke zbritur të tatëpjetën që vinte nga udha e verbër që bënin fëmijët për të shkuar në shkollë, kur doli tek shtëpia e Xha Manes, dhe zbriti nëpër rrugicën e ngushtë me gurë që rrethonte  bahçen e Abedin Kahremanit, tek Buza, Tahiri, mori frymë thellë e nuk ngopej së vështruari ata gurë të mëdhenj mbi të cilët uleshin burrat e mëhallës, portën me një hark guri  dhe shtëpinë si kala të xha Abedinit, përdhesen dhe odën e Muhedin Salihut dhe shtëpinë e tij, me oda sipër e me katonj; poshtë. E kishte marrë malli edhe për gurët e rrugës e për murishtet, mes të cilave ishte rritur. Donte ti vështronte gjatë ato mure prej guri të bardhë, të gdhendur, të vështronte e të prekte me dorë mënin në avllinë e tij , ku lidhej kali çilo i rënë nga vakti, e kishte marrë malli të hipte në majë të arrës mbi shtëpinë e xha Xhemalit e të prekte shegët e shumta anës murit të rrugicës që zbriste nga porta Jugore e shtëpisë së tij.

Xha Hysniu, i lodhur nga udha e gjatë, me atë trup shtatlartë, të thatë por të thantë, sipas zakonit të vendit, ( Në atë kohë flitej në emër të të zotit të shtëpisë; në rastin konkret, në emër të djalit të madh , të asaj dere), bërtiti: “ O Dajlan; o Dajlan”?  Nga mesorja u dëgjua zëri i dridhur i Memes, e cila priste ndonjë njoftim për të birin: “ Lepe”! Zëri i burrit të fisit, vijoi: “ Dil moj dil, se të ka ardhur djali”! Si nuk u rrëzua, kur zbriti ato shkallë të gurta, e të larta, me pjerresi të madhe, Memja, e cila ishte bërë sy e veshë dhe diçka të mirë parandjente, në shpirt. Nuk besoj të gjendet penë që të përshkruajë saktë atë takim të përmallshëm. Në njërën anë, Memja, një nënë e përvëluar nga malli për të birin që nuk ishte dukur në atë shtëpi e për të cilin nuk kishte asnjë njoftim dhe nga ana tjetër një fëmijë, i cili ishte degdisur larg vatrës familjare, 4 vjet radhazi, të cilin e kishte pikur malli për të tijët; për gurë e drurë. Kush di të thotë, çfarë kishte më tepër në atë  takim të rrallë? Mall, brengë, dashuri, përgjërim, apo të gjitha bashkë?

I qeti e i urti Hysni Metë Dëraj, mbasi i dorzoi Memes të birin, u ngjit qetë-qetë, sikur numëronte shkallët e gurta, në mesoren ku mblidheshin fëmijët dhe shijoi, si rrallëherë, filxhanin me raki koçimareje të fortë, e më pas sherbetin, në vend të kafesë. Lulja dhe Memja donin ta mbanin për darkë bamirësin por ai nxitonte, për të qetësuar të tijët që e prisnin prej dy javësh. Xha Hysniu i Dërajve e kreu, në mënyrë shëmbullore, me korrektesë e jo pa sakrifica, detyrën që mori përsipër, duke nderuar veten, familjen dhe fisin tonë. Me atë që bëri, xha Hysniu u bë njëri nga burrat më të preferuar të fisit  e në çdo gosti ishte i pranishëm, si i ftuar, në çdo shtëpi.

Në vitet kur djali i dytë i Muharrem Hasanit e i Memes “ humbi, pa lënë gjurmë”, në Kalivaç zjente puna për të mëkëmbur ekonominë e rrënuar nga lufta. Familja e Tahirit, me aftësi e meritë u vu në krye të punës për demokratizimin e jetës së fshatit dhe qëndronte në ballë të aksioneve për konsolidimin e organeve të pushtetit popullor. Tahiri i vogël, vërtet konsiderohej si i degdisur, larg vatrës që e lindi por nuk ishte i braktisur. Ai ishte me fat që i takoi të shkollohej në Shkodrën e njerëzve të kulturuar, nga të cilët mësoi mjaft si nga sjellja e qytetarëve shkodranë dhe nga qasja e atyre njerëzve të dhimbsur, ndaj fëmijëve të ardhur nga treva të tjera të vendit. Gjatë daljeve në qytet, në grupe nxënësish apo  të vetmuar, Tahiri mësoi si të ecte, si të komunikonte me gjuhë të ëmbël, si të vishej, si të hante e si të shtrihej për gjumë, në orar dhe u përshtat për të fjetur në  jatak më vete. Natyrisht, ashtu siç ishin kushtet dhe mundësitë e kufizuara në atë asaj kohë të trazuar.

Me vlerë ishte ndikimi tek djali akoma i parritur nga Kalivaçi i Tepelenës, i të qënit për 4 vite, me radhë, larg vatrës amëtare dhe të tijëve, të cilët i donte mjaft  dhe  “ linin kokën” për të. Në botën e tij të brendshme, krahas fisnikërisë që trashëgoi, ai kaliti dhe mëvetësinë, ndjenjën e kolektivitetit, bujarinë dhe dashamirësinë e shpirtit. Tahiri u përball, në vetmi me mallin që përvëlonte për të parë të tijët madje dhe për çdo gur e shkarpë të trevës nga vinte. Prandaj, kur moshatarët e tij të një klase apo të një shkolle i dëftonin njëri tjetrit bëma e histori të trevës nga vinin, Tahir Nelaj, me kokën lart e plot gojën deklaronte, krenar: “ Jam nga Kalivaçi i Tepelenës, një fshat i lashtë e me tradita, i pasur me histori trimash”!

Tahiri kishte në gen  fisnikërinë, burrërinë, krenarinë dhe besnikërinë. Familja i mëkoi dashamirësinë dhe bujarinë e shpirtit, të qënit i ndershëm e i drejtë; Shtëpia e Fëmijës në Shkodër, i mësoi gjuhën e bukur shqipe, historinë e trojeve amëtare dhe tiparet burrërore të banorëve të tyre, e kulturoi, e burrëroi e ai hodhi shtat e u bë më i zhdërvjellët.

Kur u kthye në Kalivaç, në vitin 1950, mallin që e digjte, i cili ishte grumbulluar gjatë 4 viteve të qëndrimit të tij larg shtëpisë, Tahiri nuk e shojti menjëherë. U deshën rreth 2-3 muaj që Tahiri të ulej në çdo vatër ku e mirëprisnin, në fshatin e lindjes dhe tek miqtë e shumtë të familjes  së tij të nderuar. Vajti, ku nuk vajti, deri tek dajot në fshatin Keçerisht, tek hallot, terk tezet  e gjetkë. Në takimet me të tijët ku mori e dha informacion, bashkbiseduesit pikasën ndryshimin që kishte ndodhur tek Tahiri akoma fëmijë e në veçanti pjekurinë me të cilën ai  vishte mendimet. Në çdo vajtje, ai jepte e merrte shumë dashuri.

Në vitin 1950, plot 5 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Kalivaç të Tepelenës, i cili kishte ndihmuar, ndjeshëm në fitoren mbi fashizmin, ishte vendosur pushteti popullor dhe sunduese ishte fryma e luftës për liri.  Familja e Tahir Muharremit, si familje dëshmori, njohu disa përkrahje e lehtësira, kryesisht në fushën ekonomike dhe ishte njëra nga familjet më të nderuara në Kalivaç të Tepelenës. Nënës së Tahirit, Memes burrëreshë e fisnike, si e veja e dëshmorit të luftës për liri i shkonte fjala, në fshat e më gjerë. Ajo u zgjodh në disa organe drejtuese të pushtetit, në krahinë e në rrethin e Tepelenës. Memja, si nënë e dhimbsur që i donte fëmijët sa më pranë vetes, iu lut nipit të familjes së tyre, Sulo Beqir Sulaj, njërit nga komandantët e formacioneve partizane; njeri me ndikim në pushtet e në parti, që Tahirit, ti transferohej bursa, nga shtëpia e fëmijëve në Shkodër, në atë të Vlorës. Sulua e mori përsipër këtë detyrë dhe më tepër për bamirësi, e zbatoi shpejt. Kushëriri i parë i babait dëshmor, e çoi vetë Tahirin , në Vlorë ku e prezantoi përpara drejtorisë dhe trupës pedagogjike të shkollës, si një nxënës i zgjuar e i shkathët e me sjellje të mira. Ndonëse në  një institucion si ai i Shkodrës, Tahiri gjeti në Vlorë tjetër mjedis e të tjerë njerëz që e rrethonin.

Përfundoi mësimet e klasës së pestë, në shtëpinë e fëmijës, në Vlorë e Tahiri iku nga shkolla. Ai vajti në Kalivaç e nuk deshi të kthehej më në shkollë. Po përse e braktisi shkollën heroi i këtij shkrimi? Kot e vrisni mendjen për të gjetur shkaqet. Më kryesori ndër shkaqet që e nxitën braktisjen e shkollës nga Tahir Muharrem Nelaj, ishte malli i pashuar për nënën. Ai, vërtet qendroi i “ mërguar”, larg Memes dhe të tijëve, plot 4 vjet, por, siç kam shkruar më lart , një kalivaças apo një i njohur i Tahirit , mund të shkonte në atë qytet, vetëm rastësisht apo nga halli. Në Vlorë, qytet i cili ishte larg Kalivaçit  rreth 10 orë, në këmbë, rrallëherë vinin nga fshati burra, për të blerë ndonjë shark apo për të shitur leshin e dhënve. Kishte dhe nga ata që shkonin posaçërisht, për të takuar Tahirin, me porosi të Memes.

Nëna e Tahirit, Memja kapedane, i përcillte ata që shkonin në Vlorë me  porosi në që të takonin djalin e ta puthnin atë, duke shpresuar se kësisoj do të shkarkonte një pjesë të mallit për të birin. Me dhimbsurinë e nënës, ajo nuk harronte t’u jepte atyre që merrnin udhën e Vlorës, diçka nga ato që kishte mblojtur në sepete, për fëmijët e saj. Një kokërr ftua, një shegë,një varg me palafike, një grusht me arrë nga arra sipër shtëpisë të xha Xhemalit apo një grusht me bajame, të futura në një torbë prej rrobe, i dukej sikur do ti përcillte të birit gjithë dashurinë e zemrës së saj të zhuritur.

Një vajtje e Tahirit në Selenicë, ku punonte vëllai i madh i tij Dajlani, i vuri vulën, vendimit të tij për të ikur nga shkolla. Në një ditë pushimi, Tahiri i hipi “ trenit “ mjeran që transportonte kallëpë sere, nga miniera e Selenicës, në skelën e Vlorës. Me të zbritur nga “ treni”,  në qytetin –fshat të minatorëve, në Selenicë, Tahiri u drejtua tek reparti i kazanëve të serës, ku punonte Dajlani dhe kalivaças të tjerë si : Nezir Isufi dhe gruaja e tij, Këzja, Fejzo Qazim Muharremaj, Tefik Bajrami, Nënë Ganua, një grua heroinë dhe dhjetra bashkëfshatarë të tij. Në ata vite të vështirë, Selenica ishte “kurbeti” më i afërt e më fitimprurës, për fshatarët nga Kalivaçi. Me të pyetur, Tahiri 14 vjeçar, e gjeti vëllanë, por fillimisht nuk e njohu. Dajlani ishte nxirë nga bloza e serës që ziente dhe vetëm dhëmbët i zbardhonin. Kur e pa ashtu të vëllanë dhe kur pa në mensën e punëtorëve se vëllai i tij, si gjithë punëtorët e tjerë shkonin në atë punë të rëndë, mbi e nën tokë, me një sapllake çaj e me një copë bukë misri, vendosi, përfundimisht brakisjen e shkollës e kthimin në Kalivaç, tek të tijët.

Tashmë e ndjente veten të rritur Tahiri dhe të aftë për të administruar mallin e gjënë që trashëgoi nga i ati. Ai, si mashkulli më i madh i familjes, pas Dajlanit “kurbetli”, së bashku me Memen, mori në dorë menaxhimin e punëve dhe miradministrimin e pronave. Dy vëllezërit pas tij; Skënderi e Sadiku dhe motra Rubije ishin të vegjël e nuk e ndihmonin dot aq, shumë, në punët e ekonomisë bujqësore.

Tahirit iu desh të punonte e të mbillte arat e begata dhe të kujdesej për bagëtitë. Qinosia që bëri Muharrem Hasani me Breshan Fejzon, për menaxhimin e kopesë të të dhirtave, e kishte kapërcyer afatin e ishte prishur; familja dispononte cangadhe, lopë e një kalë ngjyrë gri, të cilin e ngarkonte me dru, në Gryka, në Koçimare, në Trapin e çesmës e në Përroin e Dardhëve dhe në të ngrysur i sillte në shtëpi. I takoi të provonte lërimin e arave, me parmëndë e me plug, lesoi ugaret e vrau plisin me vare, prashiti e korri, të lashtat e të vonat, bëri kasolle e mësoi të çonte hipi, si dhe mësoi të kryente të gjitha proçeset e punëve, në bujqësi.

Tahirit, si zot shtëpie, i takoi të shkonte në dasma e në davete, në mbledhjet e Odës së Burrave dhe në të gjithë aktivitetet e tjerë të burrave rë fisit e të mëhallës dhe e flisnin në fshat, për mendjen që kish. Ai ulej, këmbëkryq, mbi shiltenë në vendin  që i takonte dhe mësoi nga pleqtë e mënçur të fisit, të mëhallës e të rrethit miqësor, si zbatohen traditat e si respektohen rregullat e kuvendimit, në raste të ndryshëm. Tahiri mësoi të këndonte, në pozicione të ndryshëm ( marrës, kthyes, hedhes e mbajtes i isos), labçe vënçe dhe i habiti, të gjithë ata që ishin të pranishëm, me forcën e gjykimit dhe me përdorimin e argumentit. Veç të mirave, ai mësoi dhe ndonjë ves, siç ishte përdorimi i alkoolit dhe pirja e duhanit, i detyruar nga rrethanat. Kur gjykohej një paudhësi apo një njeri që kishte gabuar, Tahiri e thosh fjalën açik, pa iu dridhur qerpiku e pa pyetur se si do ta prisnin ata që prekeshin nga gjykimi i rastit. Pjesëmarrja në odën e burrave dhe në shoqërinë e pleqve të ditur, ashtu si punët e rënda në bujqësi, e poqën, para kohe Tahirin adoleshent. Gjatë viteve të adoleshencës, Tahiri çapkën dha disa herë, shëmbullin e një djali guximtar e trimi me fletë. Të gjithë përsëritnin sloganin e njohur: “ Ka nga të ngjajë”, duke aluduar për tiparet burrërore e trimërore të Muharrem Hasanit.

Tahir Muharremi u formua me dëshira dhe ëndrra për të ardhmen. Në çdo rast , ai përkrahu e mori anën e së resë, të përparimtares të  kohës kur jetoi. Në vitin 1956, kur në Kalivaç u formua kooperativa bujqësore. Tahiri dhe familja e tij, ishte ndër të parët firmëtarë. Ai dhe vejusha burrëreshë Meme dhanë fjalën dhe bashkuan mallin e gjënë dhe punën e krahut, në një veprimtari ekonomike të përbashkët, me bindjen se po progresonte fshati i tij i dashur, Kalivaçi i Tepelenës. Pjekuria që arriti i jepte mundësi djalit të Memes të jetonte me pulsin e kohës. Në ndonjë rast, ai u vu e qendroi përpara kohës duke qënë në krye të punëve e të ndodhive.

Djali i dytë i Memes e i Muharrem Hasanit, si mjaft nga bashkëfshatarët e tij, nuk dallohej për ndonjë shtat “gjigand”, por ishte me trup mesatar, thuajse të zakonshëm. Në veçanti nga të tjerët, ai ishte me trup të lidhur mirë, i zhdërvjellët e tërë muskuj. Të gatuarit  mjeshtëror i Nënë Memes dhe gjyshe Lules, e kishin bërë efektin e nevojshëm. Ato e vështronin “ të zotin e shtëpisë” në dritë të syrit dhe e ushqenin, siç thonë në Kalivaç, me “ majën e parazit” e me koqeve të skuqura. Tahiri kishte kokë të rregullt e me përmasa normale; flokët e tij, anonin nga ngjyra biond; ballin e kish të lartë; vetullat jo të theksuara; në mes të tyre shkëlqenin dy sy bojëhiri, të zgjuar e me vështrim të rreptë; hundën me një kurriz të lehtë; fytyrën bojëgruri; buzagazin simpatik. Tahiri kishte një gojë të vogël dhe mjekra e tij ishte normale, e rregullt në raport me pjesët e tjera të fytyrës. Të gjithë ata që ishin rreth tij, e donin dhe e respektonin për vlerat e larta morale që manifestonte dhe si djalë i shkathët, i zgjuar e i pashëm. Ai luante bukur futboll dhe ishte ndër notarët më të shkathët të fshatit e të asaj treve. Të afërmit dhe ata që ishin në lidhje miqësie me familjen e tij, me përkëdheli i kishin vënë novkën “ Çilua i Memes” dhe ai nuk ua merrte për të keq. Vishej thjeshtë , me rroba të cohta, me pantallona të lëshuara e me xhaketë. Në stinën e freskët , poshtë xhaketës vishte një jelek , prej leshi , të punuar bukur , me shtiza ose me grep; në kokë, si në dimër dhe në verë mbante një kaëele , me strehë.

Kur u poq si djalë e u bë për nuse, Tahirie hodhi vështrimin, aty pranë, në mëhallën fqinje të Hysodosajve. Atij i pëlqeu, vajza adoleshente e Mete Medinit, Sanija e bukur, biondina me sy bojëqielli e me faqe “ buçko”. I mbeti syri tek ajo vajzë fshati, me tipare të spikatura e tërë nur dhe bëri gjithë përpjekjet për ta marrë për nuse. Familjet respektive të të dy të rinjve dhe fiset e tyre, njiheshin mirë me njëri-tjetrin. Ata ishin të nderuar e të respektuar në fshat e më gjerë. Mes dy fiseve respektivë egzistonte, prej kohësh, një lidhje miqësie dhe krushqia  kishte shkuar mbarë. Sulo Beqir Sulaj, kushëri i afërt i Mete Medinit, ishte, njëherazi  kushëri i parë i babait të ndjerë të Tahirit. Nëna e tij, Hankua ishte bijë e Sadik Dajlanit, stërgjysh i Tahirit. Ndikimi i Sulo Beqirit në lidhjen, mes Tahirit dhe Sanijes, ishte ndoshta i pazëvëndësueshëm.

Mund të them se Tahir Muharrem Nelaj ishte njëri nga djemtë më të pashëm e më çapkënë, në Kalivaçin e atyre viteve dhe njëri nga djemtë e parë që lidhi martesë me dashuri. Të merremi vesh: Dashuria e tyre nuk ishte si dashuriçkat e sotme të cilat ngjajnë me një flakë kashte. Aso kohe, djemtë që pëlqenin një vajzë dhe vajzat që pëlqenin një djalë, nuk takoheshin e nuk bënin dashuriçka; as hapët, si sot; as fshehurazi. Djali, si nismëtar, mbasi sigurohej se edhe vajza e donte për burrë, niste në familjen e saj një dërgatë, e cili, rëndom mbante vovkën- lajmës. Ky ishte një formalitet i nevojshëm. Gjykoj kësisoj nisur nga fakti se vendimin final e kishin marrë vetë dy të rinjtë. Dërgesa nuk ishte, siç thonë tiranasit: “për të larë gojën”, por për tu prerë udhën thashethemeve. Kështu u veprua dhe në rastin e lidhjes të Tahirit me Sanijen e Mete Medinit. Por, Tahiri nuk ishte i vetmi kalivaças që hapi serinë e lidhjeve martesore, me dashuri. Para tij djali i pashëm e i sjellshëm Sabri Breshan Bejomalaj ( Nelaj), ishte martuar me bukuroshen Hamide Malaj, të bijën e Qamil Sulo Malaj, nga Beqirajt dhe në vjeshtën e vitit 1959, Qaniu, i biri i Muharrem Ismail Malaj, shok ushtrie i Tahirit, u martua me vajzën  “flori” të Shefit Qazimit, nga Hasanimerajt, Fatimenë. Pas tyre, morën udhë lidhje të tjera dashurore, sidomos mes të rinjve që përhapin diturinë, mësuesve dhe mësueseve të shkollës së fshatit Kalivaç të Tepelenës.

Në vjeshtën e vitit 1957, Tahirit dhe bashkëfshatarit të tij Qani Muharrem Malaj u erdhi fletëthirrja për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Bazuar në të dhënat biografike dhe në fizikun e tyre, të dy djemtë u piketuan për ta kryer këtë shërbim, në Flotën Luftarako- Detare dhe u caktuan në Brigatën e Nëndetëseve, në Pashaliman. Ky u quajt nder për dy tërinjtë, për familjet e tyre, por dhe për Kalivaçin e burrave trima e të vendosur.

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm, në Flotën detare, në ata vite ishte plot 4 vjet. Kalvari i vuajtjeve ishte dukshëm i tejzgjatur, si për djemtë dhe për familjet e tyre. Tahiri dhe nëna e tij, Memja Zonjë e Madhe, në akord me të tyret, vendosën ta bënin dasmën para se i thirruri për në ushtri të shkonte në repart. Dasma  u bë në muajin tetor të vitit 1957, në Kalivaç, në shtëpinë e mjaftueshme të Tahirit, në Ahmetaj. Në atë gëzim morën pjesë mjaft dasmorë, nga familja, fisi, mëhalla dhe miq të shumtë.  Rakia u derdh si lumë e mishi i pjekur në hell, kundërmoi mëhallën. Nusja erdhi mbi kalë, e shoqëruar nga shumë krushq, të gëzuar, të cilët pinin , këndonin dhe qëllonin , me armë. edhe pse shtëpitë respektive nuk ishin larg njëra- tjetrës. Sulo Beqir Sulaj, si njeri i afërt i të dyja familjeve, ishte në rolin e lajmësit e në ballë të krushqve.

Vajtja e Tahirit ushtar do ta linte shtëpinë me vendin vakant të të “ zotit të shtëpisë” e do të paksonte krahët e punës të familjes ,në kooperativën bujqësore të sapokrijuar. Memja  nxitoi ta merrte nusen e Tahirit, në shtëpi, për ta patur atë shoqe dhe ndihmëse, në punët e shtëpisë dhe në ekonominë e familjes bujqësore. Ky status ishte i përshtatshëm dhe për Tahirin, i cili do të qëndronte larg familjes, plot 4 vjet. Në dhjetor të vitit 1957, dy djemtë nga Kalivaçi dhe të tjerë nga fshatrat përrreth, u paraqitën në repartin e nëndetëseve, në bazën ushtarako-detare të Pashalimanit. Aty gjetën oficerin nga fshati i tyre: Hekuran Sherif Zenelaj ( Muçoimaj), i cili ishte specialist, mekanik, i shkolluar në Varna të Bullgarisë. Tahiri, si i besuar i regjimit, u caktua në detyrën e shifrantit të Brigatës së nëndetëseve, kurse Qaniu, u caktua në detyrën e mekanikut, në sektorin që drejtohej nga Hekurani.

Siç kujton i moshuari Qani Muharrem Malaj: “ Në shtator të vitit 1958, në bazën tonë erdhën, nga Bashkimi Sovjetik 4 nëndetëse. Ato u kompletuan me efektiv shqiptar. Para se ti merrnim në dorzim, ne që nuk kishim njohuri për këtë teknikë të re, nënujëse, iu nënshtruam një kursi 6 muajor. Pastaj, nëndetëset tona, përfshi dhe atë me numër 105, u morën në dorzim nga detarët shqiptarë. Me qëllim që të fitonim përvojën e munguar, efektivat që manovronin 4 nëndetëset tona shpejt u kompletuan me detarë të përzier, shqiptarë dhe sovjetikë. Më vonë nëndetëset u shtuan me të tjera, por ato ishin të Traktatit të Varshavës dhe manovroheshin nga detarë sovjetikë… Tahir Muharrem Nelaj, ishte marinar i shërbimit të detyrueshëm, me detyrë shifrant i brigatës, së bashku me një tjetër… Në bazën e Pashalimanit, ne kishim një anije flamurmbajtëse, me emrin “ Tomorri “ në të cilën ishin sistemuar 300 detarë, të përzier ( shqiptarë dhe sovjetikë). Sovjetikët donin të na e rrëmbenin bazën tonë lundruese dhe, për të arritur qëllimin, tentuan, pa sukses, disa herë. Një natë, në orën 24.00, isha në shërbim. Dy detarë sovjetikë, me mision qëllimkeq, hynë në anijen flamurmbajtëse dhe ndezën kaldajat e saj. Një marinar shqiptar që bënte roja, e pikasi këtë e më njoftoi se rusët po ndiznin kaldajat. Zbrita, rrëmbimthi e i fola rusisht detarit sovjetik, por ai më shau, ndyrë. Detari ynë që vinte pas meje, e kapi për fyti sovjetikun. Mbylla saraqinesken e naftës që në kaldajë të mos shkonte lëndë djegëse dhe i thashë detarit që më ndiqte: “ Shpejt njofto Hekuranin, se ai përgjigjet për anën mekanike të anijes. Erdhi Hekurani, u bërtiti sovjetikëve dhe në anije u bë katrahurë. U mblodhën shumë detarë dhe komandantë të tyre. Të gjithë ishim të armatosur, por na ruajti Zoti…

Biseduam e u duk sikur gjërat u sqaruan, por kjo shte në dukje, mbasi përbrënda “ kazani ziente”. Ne që ishim të organizuar në Partinë e Punës i dinim si ishin gjërat. Qetësimi i situatës ishte në dukje dhe i përkohshëm…

…Më 20 qershor të vitit 1961, të tetë nëndetëset e Traktatit të Varshavës dhe anija flamurmbajtëse sovjetike “ Katjelnikov” u larguan nga baza. Ne i përcollëm, si “ miq”… Gratë e oficerëve sovjetikë që banonin në qytezë, u shqetësuan shumë, kur u larguan burrat e tyre. Oficeri shqiptar- Pali Carapuli, një njohës i mirë i gjuhës ruse, u foli grave sovjetike dhe i qetësoi. Pas një jave, ato u nisën për tek burrat ; në Moskë. Provokimet nga ana e palës sovjetike, nuk pushuan por u shtuan më tepër. Sidomos pas Mbledhjes së Bukureshtit, kur Partia e Punës doli hapët kundër Hrushovit dhe politikës së tij…

… Pritej të vinte një oficer i lartë sovjetik, për të asistuar në një stërvitje të përbashkët. Para fillimit të stërvitjes, na rrjeshtuan në bankinë, për nder të “ mikut”. Në bazën tonë lundruese, atë ditë sipas marrëveshjes dypalëshe, duhet të ngrihej flamuri shqiptar. Tahiri, atë ditë nuk mori pjesë në rrjeshtim, për arsye se ishte postë kuzhine dhe po qëronte patate, në kuzhinën e bazës lundruese, nga dera e së cilës dukej direku i anijes dhe flamuri i ngritur. Nuk e di, përse, në vend që të ngrihej flamuri shqiptar, siç ishte radha, u ngrit ai sovjetik. Ky veprim provokativ i sovjetikëve, na habiti e na revoltoi të gjithëve. Tahiri ishte i gjallë,i shkathët e guximtar. Me thikën që qëronte patate, në dorë, ai iu qep direkut të anijes, preu cimën ( litarin) ku mbahej flamuri sovjetik dhe kur ai ra, përtokë, e shkeli atë, me këmbë. Në vend të tij, Tahiri ngriti flamurin e bukur shqiptar i cili u valëvit, siç i kishte hije. Detarët sovjetikë që e panë skenën, u tërbuan e donin ta vrisnin Tahirin, por ne, shqiptarët ishim 600 vetë dhe e morëm në mbrojtje…” ( marrë me stenogram, sipas rrëfimit gojor të veteranit Qani Muharrem Malaj).

Në vitin 1960, pas mbledhjes së Bukureshtit ku Partia e Punës doli hapëtkundër vijës politike të Hrushovit dhe vasalëve të tij dhe, pas thellimit të çarjes së madhe në mbledhjen e Moskës të atij fundviti, marrëdhëniet e miqësisë e të mirëkuptimit që egzistonin, qoftë dhe formalisht, mes dy partive, dy vendeve dhe dy ushtrive, natyrisht, u kthyen në të kundërtën e tyre. “Humbi” mirëkuptimi dhe mirëbesimi i ndërsjelltë, palët, nga miq, u bënë kundërshtarë, për jetë a vdekje. Mosbesues ndaj njëri –tjetrit, palët luanin si macja me miun. Provokacionet nga ana e sovjetikëve nuk kishin të sosur, metodat e ndërhyrjes u sofistikuan; protestat ndiqnin njëra- tjetrën. Njëra palë synonte ta kapte “ gafil” tjetrën dhe ta shfrytëzonte rastin në interesin e vet. Dy pamje të ndryshme  e ndërlikonin situatën.

Detarët sovjetikë, me objektiva të qarta e me detyra konkrete, të mirëorientuar nga udhëheqja e tyre e lartë, provokonin, sabotonin dhe prisnin çastin e volitshëm për të na rrëmbyer nëndetëset tona dhe anijet e tjera të luftës. Detarët tanë, oficerë e marinarë ishin të porositur të shtonin syçeltësinë e të moslejonin prekjen e dinjitetit kombëtar dhe të pasurisë të popullit. Ata ishin vënë në vrojtimin 24 orë, pa pushim të lëvizjeve dhe veprimeve provokative të ushtarakëve sovjetikë që pasonin njëri-tjetrin. Të ndodhur përballë vigjilencës të shtuar të detarëve tanë, u denoncuan disa veprime provokative të detarëve sovjetikë dhe, udhëheqja e lartë hrushoviane, u detyrua të ndryshojë komandantin sovjetik të bazës së Pashalimanit. Në këtë post u vendos oficeri i lartë Riballko, një vegël e bindur e Hrushovit.

Një majii vitit 1961 shënoi fillimin e ndarjes përfundimtare e të  pakthyeshme. Shkak për këtë u bë njëincident i rëndë i shkaktuar nga pala sovjetike, i cili, për fat nuk përfundoi në gjakderdhje. Oficerët detarë shqiptarë si Dashamir Ohri; Petrit Myftiu; Aleko Pojani etj. dhe marinarët tanë u paraqitën dinjitozë e nuk ranë në kurthin e ngritur nga ushtarakët sovjetikë. Atë ditë ishin marrë të gjitha masat pët zbukurimin e bazës, në mënyrë që stërvitja të niste festive, si më parë. Siç kujton njëri nga drejtuesit më në zë të brigatës së nëndetëseve, veterani Petrit Myftiu: “ … Atë ditë, më 1 Maj,dielli ngrohte ëmbël, ndërsa flladi i lehtë pranveror valëviste bukur flamujt e zbukurimit që ishin bërë gati për tu ngritur, fiks në orën 9.00, në mënyrë solemne, në direkët e lartë të bazës lundruese “ Tomorri” dhe në mbikuvertat e katër nëndetëseve u ngrit flamuri kombëtar shqiptar. Ekipazhet shqiptarë dhe sovjetikë, të veshur me uniformën e bardhë marinare, të ndarë nga njëri-tjetri, pritnin komandën e ngritjes solemne të flamurëve të zbukurimitdhe të Flamurit Luftarak të Flotës Luftarako- Detare të Shqipërisë… Flamurët e “ Tomorrit”u tendosën , nga bashi dhe kiçii anijes, duke u tërhequrnga cimat, dhe së fundi, ata u nderën lart, duke i dhënë anijes një pamje shumë të bukur dhe solemne që vetëm ne , marinarëtdimë ti bëjmë. Flamurët, në nëndetëse ngrihen me ndihmën e periskopit… Gjatë kësaj minute pamë , se nga një marinar sovjetik, në direkun e kiçit të Bazës Lundruese po ngriheshin dy flamurë kombëtarë, të Shqipërisë dhe të Bashkimit Sovjetik, në kundërshtim flagrant me normat e rregulloreve të anjeve.

Më flagrante ishte ngritja në direkun e anijes “Tomorri” të  flamurit kombëtar sovjetik, çka përbënte  në vetvete një provokacion të hapur politik ndaj nesh. Pra, mbi anijen shqiptare, dmth në integritetin tonë kombëtar, po ngrihej flamuri i një shteti, ndonëse hë për hë mik, çka ishte fare provokative. Ngritjen e të dy flamurëve kombëtarë, në direkun e kiçit, e panë të gjithë detarët e pranishëm. Këtë skenë e vrojtuan dhe tre marinarë shqiptarë: Tahir Nela, Gani Biduri, Isuf Daci e ndonjë tjetër, të cilët po qëronin, me thikat e tyre patatet që do të gatuheshin për drekë, në një skutë të kuvertës së kiçit të bazës lundruese, që nuk binte në sy nga moli lundrues.

Papritmas, Tahir Nela, ky djalë nga Tepelena, me vrap e me thikë në dorë, ngjiti shkallët që të çonin tek direkui kiçit dhe, me një goditje me thikë, preu cimën e flamurit kombëtar të Bashkimit Sovjetik. Si tani më kujtohet, copa e mëndafshtëe flamurit, ngadalë, nga maja e direkut, ra, poshtë, në kuvertën e anijes. Ndërkaq, marinarët sovjetikë të bazës lundruese, të cilët panë nga afër veprimet e Tahirit, të revoltuar në kulm, e rrethuan Tahirin dhe e rrahën atë, në të gjitha pjesët e trupit. Ndërsa ekipazhet tona, shqiptare, ndonëse e panë se ç’po i bëhej Tahirit, nga marinarët sovjetikë, nuk luajtën fare vendit, për ti ardhur atij në ndihmë. Marinarëve tanë u ishte folur shumë herë për të qenë tepër të kujdesshëm me sovjetikët, vigjilentë ndaj çdo provokacioni, që fare lehtë mund të sajohej në ndonjë anije ose në vendbazim…” ( faqe 79- 80).

Të dyja ngjarjet u pasuan nga protesta të ndërsjellta. Tanët, nëpërmjet Dashamir Ohrit, protestuan tek komandanti i ri, oficeri i lartë sovjetik Riballko. Dashamiri protestoi me ashpërsi, për shkeljen e etikës elementare të marrëdhënieve mes detarëve. Protesta e radhës, nga ana e tanëve kishte si shtysë incidentin e ngritjes së flamurit sovjetik, në bazën tonë lundruese dhe keqtrajtimin e detarit shqiptar –Tahir Nelaj. Riballko, i kapur si “ miu në çark”,nisi të bëjë pehlivanin e të hidhej degë më degë. Ai u mundua të justifikohej duke e paraqitur incidentin, si rastësi e pa urdhër nga udhëheqja e lartë ushtarake sovjetike. Në fakt, që atë ditë, mosmarrëveshjet mes palëve u thelluan, deri në shkëputje.

Pala jonë ishte në të drejtën e Zotit dhe veproi, me durim e me qetësi por me vendosmëri mbrojti katër nëndetëset tona dhe mjetet e tjera luftarake të ujit, të cilat ishin pronë e ushtrisë tonë, nga dëmtimet, prishjet  dhe nga qëllimet ogurzeza të rrëmbimit të tyre nga të pasbesët. Komanda shqiptere e Flotës Luftarake Detare, mori masa, për të siguruar jetën e marinarit trim nga Kalivaçi- Tahir Muharrem Nelaj. Sovjetikët donin ta thellonin aktin e hakmarrjes ndaj tij, për turpin që u shkaktoi. Tahirin e larguan përkohësisht nga baza e Pashalimanit, derisa ia mbathën sovjetikët prej saj.

Ngjarja me marinarin Tahir Nelaj, bëri shumë bujë e u transmetua nga mjetet e kohës dhe u propagandua në shtyp intonë, siç ishte, në fakt- një akt heroik i rrallë. Tahirit i propozuan që, në përfundim të shërbimit të detyrueshëm ushtarak ( Tahiri ishte në vitin e fundit të shërbimit) të qëndronte në detyrën e nënoficerit të karrierës, në Brigatën e nëndetëseve, ose të shkonte në shkollën ee oficerëve të Flotës Luftarako- Derate dhe të bëhej oficer karriere. Tahiri, mbasi e pleqëroi propozimin me të tijët, parapëlqeu përfundimin e shërbimit dhe lirimin nga ushtria, për të shkuar në Kalivaç të Tepelenës. Atje e priste bukuroshja Sanije; Memja; Sadiku dhe Rubija, adoleshente. Ai preferoi të shkonte për të punuar, në bujqësi, pranë familjes së tij biologjike, në kooperativën bujqësore të fshatit, e cila, aso kohe kalonte vështirësi të shumta të rritjes.

Heroi i këtij rrëfimi, marinari Tahir Muharrem Nelaj, kishte një ëndërr: ai donte të shkonte në fshatin e lindjes, ku familja e tij ishte shumë i nderuar, duke qenë në radhët e Partisë të Punës të Shqipërisë. Siç ishin rregullat e kohës, Tahiri i bëri kërkesë  organizatës –bazë të P P Sh të Brigatës së nëndetëseve. Ja si e kujton këtë ndodhi, veterani Qani Muharrem Malaj, ish detar dhe sekretar i kësaj organizate-bazë: “… Bëri kërkesë Tahiri, siç e kërkonte rregulli i pranimeve dhe plotsoi fletëanketën. Unë isha sekretar i organizatës-bazë. Sipas rregullave të asaj kohe, për t’u pranuar në parti, kërkohej ti bëhej kërkesë organizatës-bazë të partisë të fshatit Kalivaç, të Tepelenës. Ky veprim proçedurial, bazohej në faktin se kjo organizatë e njihte më mirë personin dhe dinte biografinë e familjes dhe fisit të kërkuesit

Erdhi përgjigja nga fshati, e lexova përpara organizatës. Të gjithë pjesëmarrësit, u habitën me refuzimin  e organizatës- bazë të partisë të fshatit Kalivaç. Si pengesë, paraqiteshin fakte e ndodhi që nuk ngrinin fare peshë, përballë, shpalljes “ Dëshmor i Atdheut” të babait të tij, Muharren Hasan Nelaj, i cili dha jetën për lirinë e Shqipërisë… Nuk m’u durua. U ngrita, si me sustë e thashë: “ Do ta pranoni, se s’bën, se ai është bir dëshmori; çfarë po bëni? Unë, vërtet jam në Parti, por Tahiri e ka biografinë më të mirë se unë. Babai i tij, ra dëshmor, kur Tahiri nuk i kishte mbushur 6 vjeç. Foli dhe bashkëfshatari ynë Hekuran Sherif Zenelaj ( Muçoimaj), i cili e njihte mirë familjen dhe fisin e Tahirit. Hekurani më mbështeti e tha: “ … Po, kjo është e vërtetë”! Diskutuan dhe komunistët e tjerë dhe Tahiri u pranua kandidat për anëtar të PPSh. Stazhi i kandidatit, u vendos, 1 vit; ai do të kryhej nëanije, në detyrën e detarit shifrant. Mirëpo doli një problem: Tahiri, pas 6 muajsh do të lirohej nga ushtria dhe do të shkonte në Kalivaç kandidat për anëtar partie. Kjo, nuk shkonte.

U çova përsëri e thashë: “ Mendoj që stazhin e kandidatit, për Tahirin ta lemë 6 muaj. Ai e ka dhënë provën, me aktin heroik që kreu. Në mbledhjen e pranimit, të gjithë më mbështetën dhe Tahir Muharrem Nelaj  u pranua anëtar i Partisë të Punës.  Kur u lirua nga ushtria, në fundvitin 1961, ai shkoi në Kalivaç, me teserën e anëtarit të PPSh, në xhep”.1) ( marrë me stenogram, në Tiranë, më 16 dhjetor 2016, në shtëpinë e Qani Muharrem Malaj.

Kur e panë Tahirin të liruar nga ushtria, me petkat e bukura të detarit, në shtat, familjarët e tij u gëzuan, pa masë. Shumë u lumturua Nëna e tij- Memja dhe bashkëshortja Sanije, së bashku me vëllezërit dhe motrën Rubije. Njoftimi për ardhjen e tij u përhap me shpejtësinë e një gëzimi që pritej, tek fqinjët, fisi dhe miqësia e asaj dere të Madhe. Vëllai i madh i Tahirit, Dajlani ishte nënoficer karriere, me shërbim në Tiranë  dhe mori udhën posaçërisht për të pritur vëllanë “ hero”.

Për heroin e këtij rrëfimi, karriera ushtarake, me lirimin e tij nga ushtria, përfundoi. Ai iu përfill punës në bujqësi, deri sa u nda nga jeta. Akti i tij heroik, nuk mbeti i kufizuar në mjediset ku ndodhi, atij iu bë jehonë, në forma të ndryshme, dhe me komente, sipas këndvështrimeve e interesave që nuk ishin të njëjtë. Për të u detyrua të shkruante edhe gazeta partiake e Moskës “ Pravda”. Në vendin tonë, ndodhinë e mësuan të rritur e të vegjël. Njerëzit bënin komente e jepnin opinione,nga pozicione të ndryshëm.  Pati dhe nga ata që u përpoqën gjatë për të përfituar, kapital politik, për veten e tyre dhe e dëftuan ngjarjen heroike, siç ua donte interesi. Veçse, siç dihet, e vërteta është një, e vetme dhe atë e dëftojnë të saktë ata që e kanë përjetuar dhe që e kanë parë me sytë e tyre.

Shkrimi i veteranit Petrit Myftiu, të cilin e citova më sipër, fjalë për fjalë dhe kujtimet e bashkëkohësit të Tahirit, Qani Muharrem Malaj, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë, më duken më bindës e më të pranueshëm. Kam dhe komentin e opinionin tim vetjak, për atë ndodhi me theks të spikatur atdhetarie. Nuk mohoj faktin se Tahir Muharremin e kisha kushëri dhe e kam njohur mirë tipin e tij të ndjeshëm e guximtar, që nga fëmijëria. Prandaj këmbëngul dhe e pohoj, prerë, se në dejet e atij njeriu rridhte gjak i kulluar atdhetari e guximtari, me iniciativë. Tahiri u rrit bonjak, pa bananë që e donte shumë, nëpërmjet vështirësive të njohura të kohës. Ai brodhi e luajti me moshatarët e tij, nëpër rrugicat plot me gurë të mëhallës Ahmetaj dhe në Sheshin e Veldonit; provoi punën e vështirë e me orë të zgjatura në proçeset e punëve në bujqësi, herë me bukë e herë pa bukë, me këmbët që i kullonin gjak nga goditja pas gurëve dhe nga gjëmbat që merrte kur luante zbathur.

Kishte  dhimbsuri, për çdo gurë e për çdo përralle të fshatit Tahir Nelaj dhe nëndetëset ku shërbeu, në bazën Ushtarako-Detare të Pashalimanit i konsideronte si pjesë të trupit të tij. Kur u mobilizua në radhët e detarëve të bazës, Tahiri u betua, përpara flamurit kombëtar, me ngjyrën e gjakut e me shqiponjën dykrenare, në mes. Betimi që bëri përpara simbolit të kombit, i kujtonte Tahirit obligimin e tij për ta nderuar e për ta mbrojtur atë, qoftë dhe me jetën e tij të re. Tahirit i ngjante sikur ky flamur i bukur e lavdimadh, mbante brenda vetes, gjithë dashuritë e tij. Ai e kishte në zemër flamurin kombëtar edhe për një arsye tjetër, bindëse: Ngjyra e gjakut e simbolit kombëtar, i dukej sikur ishte e ngjyer me gjakun e babait të rënë dëshmor, në luftën partizane. Prandaj ishte jashtë logjikës së tij dhe e papranueshme prekja dhe nëpërkëmbja e nderit të kombit, i portretizuar tek ai flamur.

Kur pa se krahas bukuroshit tonë po ngrihej flamuri i një kombi tjetër, i cili nuk i ngjiste aq djalit nga Kalivaçi i Tepelenës, Tahiri, pa pyetur asnjeri, e pa urdhër, e mori në sy rrezikun, në prani të detarëve sovjetikë, të ardhur nga stepat e Rusisë, të njohur për egërsinë e tyre tipike, i preu cimën dhe e hodhi poshtë, si të ishte leckë, flamurin e tyre kombëtar. Me veprimin e tij të guximshëm, Tahiri, bëri të habiteshin shokët e tij dhe kundershtarët për jetë a vdekje. Kishte nga të ngjante ai djalë. Babai i tij, Muharrem Hasani, ishte komandant skuadre, në formacionet luftarake të Brigatës së Pestë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.  Bashkëluftëtarët e tij rrëfenin se, në çdo aksion luftarak, të mbarsur me rreziqe të dukshëm, Muharremi, përherë dilte vullnetar, e hidhej në sulm. Edhe  atë ditë që ra dëshmor, në kodrat e Hysoverdhit, në qershor të vitit 1944, kur komandanti i njësitit partizan shtroi detyrën për të sulmuar llogoret e armiqve , të armatosur me shumë armatime moderne, bëri thirrjen: “ A ka vullnettarë” ? Muharremi doli nga rrjeshti dhe foli, siç bënte gjithnjë: “ Unë jam i pari, kush do të vijë pas meje”? Sulmoi e nuk u kthye më nga ai aksion që i nxorri armiqtë nga pozicionet ku ishin strukur. Ja dhe i biri, Tahiri me “ halle”, atje ku rreziku ishte i madh, në bazën e nëndetëseve të Pashalimanit, përsëriti traditën e u fut në udhën e heroizmit, si dikur i ati. Në gjurmët e babait, Tahiri  e ngjiti më lart trimërinë kalivaçase, me atë që bëri.

Them se e ngjiti më lart trimërinë, për arsyen e vetme se Tahirit , asnjeri nuk i kërkoi të dilte vullnetar dhe askush nuk i dha urdhër për tiu qepur direkut të bazës lundruesepër të ngritur, lart  flamurin tonë kombëtar. Heroit tonë, nuk i lëvizi fare qerpiku, kur në mes gjithë atyre detarëve të të dy krahëve ( shqiptarë e sovjetikë), me këmbë e me duar, u ngjit, e, me thikën e patateve, preu cimën që mbante flamurin e huaj. I hipi gjaku në kokë kalivaçasit trim, e thirri dashuria për Atdheun, gjaku i derdhur për këta troje, zhgënjimi që pësoi, kur pa se ata që deri dje i kishim miq, na prenë në besë. Nuk llogariti fare Tahiri, rreziqet që i kanoseshin por trimëria që i vlonte në deje, origjina e tij e lavdishme, e thirri në aksion e ai doli fitimtar, mbi paudhësitë e njërës nga superfuqitë e kohës.

Skenën e ngritjes të dy flamurëve, e panë mjaft të tjerë por asnjeri nuk luajti nga vendi për ti dalë zot flamurit tonë kombëtar që po përdhosej. Tahir Muharrem Nelaj, e bëri këtë dhe e shkroi emrin në librin e lavdisë të Brigatës së Nëndetëseve, të Flotës Luftarako- Detare të Shqipërisë dhe në faqet e lavdisë shqiptare. Tahirit i pëlqente mjaft flamuri ynë kombëtar, jo vetëm se ai ishte i bukur e se përpara tij përgjërohej çdo shqiptar por, kishte një motiv më shumë, për djalin nga Kalivaçi që “ e mori vdekjen në sy”: Flamuri ka ngjyrën e gjakut dhe Tahiri kishte ndjesinë se ai flamur ishte vaditur edhe me gjakun e babait të tij, Muharremit. Atij, në çast, iu faneps fytyra e të atit, në atë flamur, të cilën e kujtonte të mjegulluar e u vërsul, drejt rrezikut iminent. Prekja në sedrën e pastër atdhetare e cila ishte në genin e tij dhe bëri atë që varej prej tij. Akti trimëror i djalit 21 vjeçar nga Kalivaçi i Tepelenës ishte një heroizëm i pastër.

Heroizmi i Tahirit u propagandua si i tillë, por mbeti tek propaganda e nuk iu dha ajo që meritonte. Siç ishte në atë kohë, kur u lirua nga ushtria, Tahirit i mbushën plot duart me fletëlavdërimi e fletenderi dhe me diploma lloje –lloje. U fol shumë dhe për ndonjë dekoratë apo titull nderi. Justifikime mund të gjenden sa të duash por çdo justifikim më duket i kotë e  çfarëdo petku ti veshësh, ai duket qesharak.

U desh të kalonin shumë vite  që kjo padrejtësi të korrigjohej disi nga pushteti lokal i Komunës së Krahësit të Tepelenës. Aktet e heroizmit i kryejnë heronjtë, të cilët nuk janë njerëz si gjithë të tjerët.  Akti heroik, po nuk u fiksua  e po nuk u vlerësua në kohën kur ndodh, vlerat e tij, me kalimin e kohës zbehen e mjegullohen. Është mirë të dihet mirë se historia është e paanëshme dhe e pamëshirëshme; ajo të harron, kur akti heroik nuk fiksohet, në histori.

Ky shkrim modest, le të shërbejë sadopak për ta përjetësuar kujtimin e Tahir Muharrem Nelaj, i cili, e kreu aktin heroik, jo për lavdinë e tij por për Nënën Shqipëri dhe për flamurin e saj kombëtar. Prandaj çdo shqiptar,që përulet përpara simbolit të kombit, flamurit të tij , duhet ta dijë se atë e ka mbrojtur, duke sakrifikuar jetën një djalë nga Kalivaçi i Tepelenës, të cilin e quanin Tahir Muharrem Nelaj.

Heroi ynë, mbasi u lirua nga ushtria vajti në Kalivaçin e tij të dashur ku iu përkushtua familjes së tij të shënjtë dhe punëve në kooperativën bujqësore të fshatit, e cila, në hapat e parë përcillte ditë të vështira. Tahiri punonte e jetonte në fshat; situatat politike, me kalimin e kohës, sikur u qetësuan e të huajt ia mbathën nga Pashalimani, “nga sytë këmbët”, por mendjen ai e kishte në Pashaliman, tek nëndetëset që i donte aq shumë, sikur ti kishte anëtarë të familjes së tij fisnike.

Në vitin 1963, nga martesa e tij me Sanijen e Sulajve erdhi në jetë një vajzë, e cila mori emrin Nazo. Pas sasj u lindën me radhë: Anita; Muharremi; Bejushja; Dashua; Gramozi; Bukuroshja dhe Radita. Me plot 8 fëmijë e shtoi atë prag e bija e xha Metes, nga Hysodosajt. Tahiri, në kooperativën bujqësore të fshatit u caktua me detyra kyçe e me përgjegjësi, të cilat kërkonin jo vetëm besnikëri, por dhe aftësi.

Ai, “i brodhi” thuajse të gjitha detyrat si atë të magazinierit të vlerave materiale, të brigadierit të arave dhe të përgjegjësit të sektorit. Disa vite radhazi, Tahir Muharremi u zgjodh kryetar i këshillit popullor të fshatit dhe kryetar i frontit demokratik të Kalivaçit. E mbushi shtëpinë me një tufë fëmijë; atë shtëpi, e cila, deri atëherë kishte ndjerë paplotsimin me fëmijë të shumtë.

Tahiri, vërtet nuk e kishte specializimin që kërkonte vënja e bujqësisë në nivele shkencore, por kishte një përparësi të dukshme: ai ishte lerë e rritur në Kalivaç, mes bujqve me përvojë të gjatë në punët e bujkut, si Xhemal Haxhiu, Qemal Sherifi; Shyqo Abedini, Breshan Fejzua, Ahmet Selfua, Mahmut Muharremi, etj. dhe i njihte mirë të fshehtat e bujkut kalivaças. Ai njihte veçoritë e përbërjes fiziko-kimike dhe ato pedologjike të çdo blloku e parcele të veçantë.

Tahiri, si “ zot shtëpie” kishte marrë pjesë në çarjen e tokës, kishte bërë përzierjen e saj, kishte mbjellë, kishte vrarë plisa, me vare druri, kishte prashitur e kishte vjelë prodhimet e të lashtave dhe të vonave. Kur ishte brigadier i arave, Tahiri njihte e çmonte kontributet e çdo kooperativisti dhe i jepte sejcilit atë që meritonte, me korrektesë e saktësi. Në detyrën e përgjegjësit të sektorit, siç më tha veterani Haxhi Xhemali, ish brigadier i arave: “ Tahiri ishte tepër i njerëzishëm e i gjëndur”. Si kryetar këshilli dhe si kryetar i Frontit Dermokratik, Ai ishte i paanshëm dhe punoi me përkushtim për forcimin e unitetit të popullit.

Në çdo punë e në çdo detyrë që kreu, Tahiri u mbështet tek elementi pozitiv. Njerëzit e punës, të drejtët, të ndershmit dhe ata që nuk merreshin me llafe, ishin idhujt e tij. Mbi bazën e tipareve të tij të qënësishme dhe si pinjoll i një familje nga më të nderuarat në fshat, Tahir Muharrem Nelaj, mbeti njeri i thjeshtë, i dashur e i nderuar në sytë e banorëve të kalivaçit. Çdo vatër kalivaçase e quante atë djalë të saj. Tahiri hynte e dilte në çdo shtëpi dhe nuk e kursente fjalën e mirë. E kishte të ëmbël fjalën, i biri i Memes.

Tahiri ishte nga ata burra që i kishte lezet fjala e nuk e gremiste kot atë. Në kuvendet e burrave të fisit e më gjerë, fjala dhe gjykimi i tij dëgjoheshin me vemendje e çmoheshin mjaft. Ai njihte mirë traditat dhe zakonet e trevës dhe ishte i pari që i respektonte ato, me konseguencë. Tahiri dinte kur duhet të merrte fjalën në kuvend dhe si ta “ tirrte” mendimin, për të dalë atje ku duhej. Komuniteti kalivaças e donte dhe e respektonte, si djalë i dalë nga gjiri i tij; Ai bënte pjesë më ajkën e djemve të fshatit.

Në dasma, gostira e në gëzime familjare Tahiri ulej këmbëkryq, në mes të burrave, qëndronte me orë të tëra këmbëkryq, këndonte bukur labçe-vënçe dhe pinte raki, me mirësi e me dolli. Kur këndonte labçe, Tahiri parapëlqente këngët me theks atdhetar. Kënga e tij e preferuar ishte:

“… Ngrihi dëshmorë një çikë; lule djemtë e nënave;

Të shikoni mirësitë; lule djemtë e nënave;

Se vetë i keni stolisë; lule djemtë e nënave…”

Me Nënën; motrën dhe me vëllezërit kishte marrëdhënie korrekte e dashamirëse; ata e kishin idhull të tyre. Shokë e miq të afërt, Tahiri kishte: Mehmet Musa Nelaj; Jashar Hysni Dëraj; Shahin Mane Zenelaj; Veip Dule Dulaj etj.

Kur Ai punonte në kooperativën bujqësore të fshatit dhe jetonte pranë të tijëve, njëri pas tjetrit erdhën oficerë të lartë, nga Flota Luftarake- Detare dhe nga Ministria e Mbrojtjes, në Kalivaç për të takuar Tahirin e  për ti marrë fjalën që të kthehej në detyra të ndryshme, në flotë, por Ai “e kishte  ndarë mëndjen” të vazhdonte punën në kooperativën bujqësore të vendlindjes dhe, në çdo rast u përgjigjej të dërguarve, nga lart se: “ Edhe këtu ku jam, po të punoj mirë e të arrij rezultate, i kam shërbyer forcimit të mbrojtjes të Atdheut”. Në stërvitjet ushtarake, në cilësinë e rezervistit, Tahirin e gjeje në ballë të shokëve. Ai shquhej për disiplinë të lartë e të ndërgjegjshme dhe si zotërues i mirë i armatimeve dhe i artit ushtarak popullor. Fiziku i mirëformuar; shkathtësia; kapaciteti intelektual dhe zgjuarsia natyrale, e lejonin Tahirin të ishte, në krye të punëve, në çdo rast e detyrë që i ngarkohej.

Mirëpo një thënje e moçme kalivaçase, e cila nuk është në pronësi vetëm të kësaj treve, na tërheq vemendjen se: “ I miri, nuk ka gjithnjë të mira”!  Rasti i Tahir Muharrem Nelaj, më ngjan tipik. Në jetën e tij nuk qenë të gjitha ditët “ me diell”. Më 7 gusht të vitit 1976, Sanija e bukur, nënë e përkushtuar e tetë fëmijëve, një bashkëshorte e denjë e një burri si Tahiri, në një rast aksidental, u nda nga jeta, para kohe.  Hidhërimi që shkaktoi vdekja e saj e paptitur ishte i pamatë e i paanë. Jo vetëm në hapësirat e Kalivaçit por tek të gjithë ata që e kishin njohur dhe tek ata që vetëm sa kishin dëgjuar për historinë e saj dhe të lidhjes bashkëshortore me heroin e këtij rrëfimi. Si Sanija dhe Tahiri ishin fatkeqë. Vdekja mizore nuk i la të gëzonin atë lunturi, të cilën mezi e qëmtuan. Dashuria e tyre e pastër, e cila u konkretizua me ardhjen në jetë të tetë fëmijëve që ngjajnë nga prindërit e tyre; me ndarjen nga jeta të Sanijes, u fashit e u kthye në tragjedi.

Për Tahirin, pas ndarjes nga jeta të Sanijes, nisi një tjetër jetë, e vështirë e me shumë peripeci të njohura e të pamenduara nga familjarët e tij, nga gjitonët dhe nga të gjithë dashamirët e asaj dere të madhe. Menaxhimi i një tufë fëmijësh, të mbetur pa nënë e akoma të parritur, u bë thuajse i pamundur për një burrë, sado i zoti të ishte. Por, në Kalivaç e gjetkë që në kohë të kohës ka qarkulluar një thënje biblike se “Zoti që ta merr një gjë, e kompenson me një gjë tjetër”! Në rastin tonë asqë bëhet fjalë për ekuivalencë, por për të gjetur një rrugëdalje sa më të natyrshme.

Pas gati dy vjetësh, në jetën e Tahirit e të fëmijëve të tij jetimë ( pa nënë) hyri një grua zemërgjerë e me shpirt të madh, Vitua, e cila, shpejt mori në dorë menaxhimin e familjes dhe grumbulloi, rreth vatrës të tetë bonjakët. Ajo, me Tahirin, si bashkëshorte e rrallë, për mirësinë që pruri në atë shtëpi, lindi tre fëmijë të tjerë: Erjonin; Juridën dhe Gelinën. Në këtë rast kemi të bëjmë me një njeri që i kalon përmasat e njeriut të zakonshëm. Ajo, me zgjuarsi e zemërgjerësi, afroi e integroi tek njëri-tjetri fëmijët që gjeti, me ata që lindi vetë. Nuk ishte e lehtë të bëhej kjo, por Vitua e bëri realitet falë bujarisë të shpirtit dhe të dyja palët u rritën pranë njëri-tjetrit, të lidhur ngushtë e me respekt të ndërsjelltë , sikur të ishin të lindur nga e njëjta nënë. Lidhjet e gjakut që i afron ata i ruajnë, sot e kësaj dite, kudo ku ndodhen e çfarëdo pune që bëjnë. Kjo nuk është pak.

Mirëpo, në Kalivaç e gjetkë, jo më kot thonë: “ Buzë e plasur, nuk qesh kurrë”. Kjo thënie e herëshme, domethënëse, e me kuptim, i shkon, shumë, për shtat Tahirit tonë, i cili, nuk e pati fatin, siç kishte shpirtin. Mbasi, me Viton bashkëshorte, Ai kish lindur tre fëmijë, e njerëzit mendonin se  Tahiri e kishte gjetur zgjidhjen, aksidentalisht e në mënyrë të parakohëshme, bashkëshortja e dytë e tij, Vitua, u nda nga jeta. Heroi i këtij rrëfimi mbeti pa “gjysmën tjetër”. “Të keqes, po zuri të hyjë, hapi derën”, thonë në Kalivaç të Tepelenës. Kjo thënie ka dalë nga jeta e njerëzit e besojnë. Mbeti i vetëm ai deli burrë, i mbeturi jetim që në moshën 7 vjeç, me 11 jetimë, të lindur nga dy martesa. Për njeriun e mirë u shtuan kusuret.

Tahir Muharrem Nelaj i përjetoi jo pa shqetësime shndërrimet demokratike në Kalivaç të Tepelenës. Kooperativa Bujqësore, e ngritur në ato nivele, me mjaft sakrifica, ku ishte dhe mundi e djersa e Tahirit, u shkërmoq, mjaft shpejt. Të babëziturit “gjetën shesh e bënë përshesh”. Për të arritur aty ku ishte, Tahiri kishte investuar mjaft, mendërisht dhe fizikisht, e për këto kontribute, të cilat u shpërdoruan, ai ndihej keq. Fatkeqësitë, për heroin tonë zemërmirë, nuk kishin të sosur. Zgjidhja që adaproi për të mbushur boshllëkun që u krijua, pas ndarjes nga jeta të Vitos, nuk ishte aq e pranueshme. Tahiri shtoi dozën e përdorimit të alkoolit dhe të cigareve  të dredhura nga duhan i fortë. Ai, pinte raki mareje, “ me opingë” dhe konsumonte rreth 50 cigare të dredhura, në 24 orë. Mjaft brenga e derte u gjendën për atë njeri, i cili , i përcillte ato , me emocione të forta por të pashfaqura.

Në vitet e parë të shekullit, në të cilin jemi futur, gjendja shëndetësore e Tahirit u përkeqësua mjaft. Ai iu nënshtrua një ndërrhyrje kirurgjikale, në repartin e urologjisë, në spialin “ Nënë Tereza”, në Tiranë, por nuk e kapërceu dot krizën dhe më 10 korrik të vitit 2003, ndërroi jetë, në Kalivaç të Tepelenës, i rrethuar nga fëmijët e shumtë dhe familjarët e tij. Ceremonia e përcjelljes së tij për në banesën e fundit, u bë, pa bujë, por madhështore, siç e meritonte, ai njeri i rrallë , i cili nuk vjen më. Njeriu e prindi i mirë, atdhetari i flaktë e trimi i rralë, prehet pranë vëllezërve të tij dhe Memes , të cilën e donte shumë. Varri i Tahir Muharrem Nelaj, ndodhet në parcelën e mesit të Bahçes së Dajlanit, mes të tijëve.

Në datën 4 janar të vitit 2012, kur Tahiri do të mbushte 75 vjeç, Këshilli pluralist i Bashkuar i Komunës së Krahësit, në rrethin e Tepelenës, për aktin heroik që kreu dhe për kontributet e mëvonëshme të tij, e shpalli, njëzëri, Tahirin: “ Qytetar Nderi” të saj. Ky është një vlerësim e nder i merituar, në kuadrin e veprimtarive përkujtimore të tij. Njerëz me vlera të tilla, si Tahir Muharrem Nelaj, i vijnë rrallë kësaj toke dhe bëjnë pjesë në asetet e familjes, të fisit , të fshatit dhe i kapërcejnë kufijtë e trevës. Të shkruash për jetën dhe kontributet e tyre, kemi të bëjmë me një vlerë të përjetësuar, nga e kaluara e lavdishme e Kalivaçit por, para së gjithash është nder e krenari, për vetë autorin e shkrimit.

Më bluante, përbrenda e nuk më linte të qetë, dëshira për ta përjetësuar aktin heroik të këtij  “gjigandi” që la gjurmë të pashlyera në histori. Falenderoj kontributorët që më mundësuan, me kujtimet e tyre të vyera, shkrimin, me vërtetësi të kësaj monografie modeste. Tahiri do të rrojë përjetë në kujtesën e brezit aktual e atyre që do të pasojnë, mbasi e meriton këtë nder! Qasja me atdhetari ndaj çështjes së Shqipërisë nuk vjetërohet e nuk shuhet , sa të jetë jeta!

  • I paharruar kujtimi i tij; ti rrojnë ata që ka lënë pas!

Shkroi Niazi Nelaj; në Voskopojë e në Tiranë, gjatë muajit korrik, të vitit 2016.

One thought on “Tahir Muharrem Nelaj (1937-2003). Në gjurmët e të atit”

Comments are closed.